Sali Berisha: Rama censuroi këngën e Kastro Zizos në RTSH

Emri i Kastro Zizos ishte përmendur si kandidat i mundshëm i edicionit të sivjetmë të RTSH-së, por dje janë bërë publik emrat e këngëtarëve pjesëmarrës, ku emri i Zizos mungon në këtë listë, shkruan KultPlus.

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha nëpërmjet një statusi në fb ka reaguar duke thënë se këtë këngë e ka censuruar Rama, dhe sipas tij, po kthehet censura e viteve të 70-ta. Poashtu në reagimin e Berishës është publikuar edhe teksti i kësaj kënge, sipas të cilit, është edhe arsyeja që është censuruar kjo këngë.

Më poshtë është reagimi i plotë i Sali Berishës,sikurse edhe teksti i këngës së Kastro Zizos.

Rikthehet Censura!
Kjo eshte kenga qe u censurua!
Te dashur miq, Noriega me Gellçin e tij te zi rikthyen censuren ne festivalin e kenges ne RTSH.
Njelloj si dikur ne vitet 1970 Kristaq Rama censuronte artistet, sot Edvin Kristaq Rama vazhdon vepren e zeze te te atit si xhelat i lirise se krijimit.
Lexoni mesazhin e kompozitorit dixhital! sb
“Pershendetje Doktor. Pa ju besdisur po ju nis nje kenge ende te pa bere publike interpretuar nga Kastro Zizo e cila sonte me urdher te Gellquit u hoq nga konkurimi ne festivalî e RTSH-se. Pikerisht se eshte me mesazh dhe shume e angazhuar…! Teksti eshte mesazh i cili prek nje nga plaget e shoqerise shqiptare.
Per te gjithe ata qe iken nga vendi i tyre me dhimbjen e familjareve qe lane mbrapa, per nje jete me te mire. Siguruan nje vend nje jete jashte kufinjeve, por mbeten te huaj, madje edhe ne vendin e tyre…
Pra si nje vals qe nuk ndalon… pra kercejne me jeten deri ne fund, nuk dorezohen…
Kur çensurohet artisti apo artistet si dhe krimtaria e angazhuar nje shoqeri ka marre fund…!
Ps: forca eshte te teksti i kesaj kenge me nje vals (vals jete) ne mes…!
Me falni per mesazhi e gjate…ju falenderoj dhe shume respekt”
I huaj…
I përgjumur një mëngjes vere
Lash në tavolinë një letër të ftohtë
Duke mbajtur shtrënguar fort lotët
Me fjalët: M’duhet të iki, nuk rri dot
Pastaj vazhdova me fjalë të tjera
“M’duket se vendi nuk më përket”
Më prisje që në agim tek dera
Me the: ikja jote larg, po më vret!
S’ka kuptim të qëndrojë këtu
Mjaft me mëshirë për njeriun e lirë
Do endem i huaj, diku,
Se Burgun e mjerimit se kam kapërdirë
Më fute në xhepin e ftohtë
Një shami nëne që thotë lamtumirë
Të duhet të jesh e fortë
Se kjo është krenaria e njeriut të lirë
Ika larg teje atë natë
Si një ëngjëll që nuk kishte më krah
Se kështu më thërrisje i vogël
Isha vecc një djalosh mama
Tani më sheh me maska
Tek endem i vetëm në mërgim
Me ikjen time të vrava,
E shoh vështirë të ketë më kthim
Këtu është ndryshe nëna ime
Është një parajsë me qiell sterr të zi
Njerësit qëndrojnë herë pas herë dyshe,
Po mes tyre ka shumë vetmi
Dhe unë gjeta punë, shoqe jete
Gjeta mundesinë për pak ngrohtësi
Por kam shumë mallë për rrugët e mjera
Udhëtojë në ëndrra tek shtëpia ku rri ti
Tani kam një djalë të vogël
I kam vënë emrin e vëndit tim
Arbër e thërrasin shokët
Dhe ai i huaj këtu në këtë vegim
Mezi sa pres të vij
Të tregojë jetën time të plotë
Do të ishte shumë krenare
Do të gëzoheshe, e heshtur në lotë
Ti me zgjon dreq (djall’), me th’rret të bie, në dëshpërim
Unë i huaj, të ftoj në një vallëzim
Hidhu, kërce me jetën o njeri
Valsin e ëmbël të robërisë
Me shiko me zjarrë në sytë e mi
Do të digjesh si njeri i lirë
Eja të ngjitemi në qiell të dy
Si shtegëtarë pa emër në errësirë
Do t’tregojë me mijëra yje që shndrisin si ty
Që nuk shuhen asnjëherë

Jam i ngopur e dashur
20 vjet vallëzova me shpirtin tim
kërceva valsin si xhonglier nate
dhe askush se kuptojë që ishte vec një film
Tani më duhet të kthehem tek ty
Ka ardhur koha të të kthejë shaminë e ftohtë
Të ecim në pragun e derës të dy
Dhe ti të shpërthesh e lodhur në lotë
Shikoj fytyrën tënde
Dhe eci i ngjathët drejt teje nënë
Më dukesh si atëherë e re
Por sytë e rinisë të kanë lënë
Tani do jemi bashkë
Edhe pse gjumë pranë një shtrati të bardhë
Nuk lëvizë më ajri
Dhe lëkura e ngrohtë e duarve të është tharë.
Ti më zgjon djall, me th’rret të bie, në dëshpërim
Unë i huaj, të ftoj në një vallëzim
Hidhu, kërce me jetën o njeri
Valsin e ëmbël të robërisë
Me shiko me zjarrë në sytë e mi
Do të digjesh si njeri i lirë
Eja të ngjitemi në qiell të dy
Si shtegëtarë pa emër në errësirë
Do t’tregojë me mijëra yje që shndrisin si ty
Që nuk shuhen asnjëherë
Merre jeten tende tregoje si fëmijë
Merre dhe vallëzimin tonë të kercesh në pafundësi
Mos harro nga vjen, mos harro asnjëherë!
Se i huaji në këtë vënd nuk je ti
Eja të ngjitemi në qiell të dy
Si shtegëtarë pa emër në errësirë
Do t’tregojë me mijëra yje që shndrisin si ty
Që nuk shuhen asnjëherë”./KultPlus.com

SAZ’ISO, ambasadore e kulturës shqiptare në Britaninë e Madhe

Muzika tradicionale shqiptare e sazeve dhe iso- polifonia, turne të suksesshëm në Britaninë e Madhe

Pothuajse tre dekada që nga rënia e komunizmit, një grup muzikantësh popullorë nga Shqipëria i quajtur SAZ’ISO, po përpiqet të hyjë në skenën muzikore botërore”. Ky grup interpreton këngë dhe melodi tradicionale nga qytetet e Shqipërisë Jugore. Ata u sollën nga Shqipëria, thotë BBC, nga producenti i njohur muzikor i Londrës, producenti i Pink Floyd, Joe Boyd, për të regjistruar një album me muzikë tradicinonale shqiptare dhe iso-polifoninë labe. Gjithashtu ky grup do të interpretojë edhe në StLuke’s, Qendra Barbican në Londër, brenda disa javësh. Realizuesit e këtij projekti janë Joe Boyd, Andrea Goertler, Edit Pula dhe akademiku Vaso Tole si konsulent. Grupi përbëhet nga Sazet e Korçës (Telando Feto në klarinete, Aurel Qirjo në violinë, llahute dhe dajre) dhe ķëngetaret e Permetit, Donika Pecollari, Ardiana Thanasi dhe Robert Tralo.

CD-ja e këtij grupi ka dalë nga shtypi dhe u promovua në Tiranë, fillimisht më 20 tetor 2017 e më pas edhe në vende të tjera. Më poshtë pjesë nga një artikull i shrkuar në një nga revistat kryesore në Brtianinë e Madhe.

***

Gëzimet dhe dhimbjet e këngës jugore shqiptare

Ky album i mrekullueshëm u regjistrua nga Saz’iso, nga tetë virtuozë dhe muzikantë nga malet e izoluara të Shqipërisë jugore, vendi që kufizohet nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Greqia. Saz’iso bëri një turne britanik dhe luajti dy koncerte në Uells në Kolegjin Mbretëror të Muzikës dhe Dramës në Cathays Park, Cardiff, si dhe në qendrën e arteve Pontio në Universitetin Bangor në 3 nëntorë Feneri në Kolston Hall të Bristolit më 8 nëntor etj.

Ansambli përbëhet nga zërat e Donika Pecallari, Adrianna Thanou dhe Robert Tralo, Aurel Qirjo (violinë dhe vokale), klarineti i Telando Feto, llahutisti Agron Murat, bartësi i kuadrit Agron Nasi dhe flautisti Pëllumb Meta. Videoja e shamisë eshte prodhuar ne Akademine e Filmit “Marubi” në Tiranë nga Joe Boyd, Edit Pula dhe Andrea Goertler. Joe, i lindur në Boston, Massachusetts, erdhi në Britani në vitin 1964 për të ngritur një etiketë të re “Elektra”, ku hapi klubin UFO, salla e parë psikodelike e Londrës, themeloi kompaninë e prodhimit të Witchseason dhe Hannibal dhe menaxhoi lëvizjen e parë të madhe të folklorit në Mbretërinë e Bashkuar, që përfshinte Konventën Fairport, Nick Drake, John dhe Beverly Martin, Richard Thompson, Band String Incredible dhe shumë artistë të tjerë. Ai thotë: “Unë kam qenë prej kohësh i intriguar nga muzika shqiptare. Në vitin 1998, pashë një video të kontrabanduar të Festivalit të Gjirokastrës të atij viti, por regjistrime të mira ishin të vështira për t’u gjetur. Kur unë, më në fund, shkova në 2014, u mahnita nga vendi dhe muzika e saj hipnotikeë dhe plani për të bërë një regjistrim u mbajt.

Një takim në Shqipëri midis Joe, etnomuzikologu Lucy Duran dhe Edit dhe Andrea, të dy avokatë të pasionuar të muzikës tradicionale, përfundimisht erdhi në realizimim e CD-së. Saz’iso luan saze, një traditë që u bashkua kur këngët polifonike u gërshetuan me tingujt e violinës, klarinetës, llahutës dhe daulles, duke krijuar një tingull që shpesh është eteri, melankolik dhe i bezdisshëm. Tonet e thella të klarinetes përzihen me violinën imponuese dhe vajtimin e “Tanës” dhe Saz’iso zhytet në 15 këngë dhe instrumente të gjalla, të gjalla dhe të thellaë të ndërthurur të Adrianna dhe Donika, zërat e fuqishëm dhe të ngazëllyer që janë të vulosur sot në traditën shqiptare. Turneu i tyre rreth Britanisë dhe shfaqjet e tyre të gjalla janë ambasadorët kryesorë të kulturës shqiptare sot në këtë vend./gazeta 55

Van Damme në rolin e shqiptarit, thërret në gjuhën shqipe “Nënë”

Filip Shala është emri i aktorit të njohur Jean Claude Van Damme në filmin e tij të fundit.

“Kill’em All” tregon historinë e një shqiptari, i cili kërkon hakmarrje për babanë e tij, të cilin e kishin vrarë serbët gjatë luftës për arsye të shkrimeve të tij si gazetar.

Ndërsa, pas shumë vitesh shqiptari Filip Shala, hyn në bandën serbe vetëm që të jetë më afër vrasësve të të atit.

Kur koha në film kthehet disa vite pas, dhe shqiptari paraqitet siç ishte fëmijë, duke u larguar nga nëna e tij, ai thërret në gjuhen shqipe “nanë” duke e përsëritur disa herë këtë fjalë.

Filmi “Kill’em All” është shfaqur në kinematë botërore para disa muajve, dhe është pritur mirë nga publiku.

Ndërsa, në film kanë qenë pjesë edhe aktorë tjerë të njohur si Maria Counchita Alonso e Peter Stormare.

Është lansuar videoklipi zyrtar i këngës shqiptare përfaqësuese në Junior Eurovision Song Contest (VIDEO)

Ana Kodra sivjet do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest , shkruan KultPlus.

“Mos e prek pemën time”, është titulli i këngës së Ana Kodrës që tashmë është lansuar edhe me videoklip./KultPlus.com

Ky është autori që ka shkruar këngën e famshme “Xhamadani vija -vija” (FOTO/VIDEO)

Hulumtuesja shkencore Meliza Krasniqi e cila po qëndron këto ditë në një konferencë shkencore në Shkodër, ka takuar një person shumë të rëndësishëm sa i përket kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Ajo është takuar me autorin e tekstit të këngës “Xhamadani vija – vija”, Alfred Capalikun, këngë kjo që është kënduar në vitet e 90-ta nga këngëtarja Shkurte Fejza, këngë e cila për një kohë të gjatë ishte shndërruar pothuajse në një himn kombëtar.

““Xhamadani vija vija”
A e dini kush e shkroi këngën më të kënduar shqiptare ndonjëherë, të njohur si “Xhamadani vija vija”?
Kjo këngë, e cila pothuajse e ka humbur autorësinë dhe po kalon në folk, është shkruar nga profesori, poeti në foto Z. Alfred Çapaliku me kompozitor Zef Çoba. Kjo këngë është shkruar brenda natës në periudhën 1992/3 për Shkurte Fejzën dhe titulli origjinal i saj ishte: “Kam një lot, m’pikon si ar.”
#mbanimend #xhamadani”, ka shkruar Meliza Krasniqi./KultPlus.com

Djaloshi shqiptar i përfshirë në librin e Obamës (FOTO)

“An intimate portrait” është libri që është publikuar për ish presidentin e SHBA-ve, Barcak Obama, shkruan KultPlus.

Ky libër që përfshinë fotografi, rrëfime nga fotografi i Shtëpisë së Bardhë Pete Souza, disa të publikuara për herë të parë, ka përfshirë edhe fotografinë e djaloshit shqiptar Alex Myteberi, i cili i pat shkruar letër të hapur Obamës, me rastin e refugjatëve nga Siria.

Kjo letër ka bërë që Obama ta pres Alex-in gjashtë vjeçar, bashkë me familjen e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe konsiderohet si një ndër ngjarjet që ka marë vëmendje të madhe nga mediet. Fotografia e Alex është përfshirë në këtë libër në mesin e shumë fotografive të tjera që kanë spikatë mandatin e presidentit Obama./KultPlus.com

Me ekspozitën “1 në 1000” prezantohen studentët në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës do të prezantojë ekspozitën “1 në 1000” të studentëve të Fakultetit të Arteve të nivelit master, shkruan KultPlus.

Hapja do të bëhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës më 15 nëntor në orën 19:00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur vetëm në ditën e ekspozitës. /KultPlus.com

Roli i arbëreshëve, i pazëvendësueshëm për ruajtjen e gjuhës shqipe

“Elita intelektuale e arbëreshëve të Italisë, me përkushtimin dhe dashurinë ndaj mëmëdheut të tyre, kanë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave, dokeve e riteve të të parëve, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj”, u shpreh presidenti Meta gjatë takimit me personalitetet e shquara arbëreshe, Imzot Giorgio Demetri – Gallaro, Arqipeshkv i “Piana degli Albanesi”, Profesor Mateo Mandala – Universiteti Palermos dhe Profesor Francesko Altimari – Universiteti i Cozencas.

Presidenti Meta vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të profesorëve të nderuar arbëreshë në fushën e studimit të gjuhës shqipe dhe të shkencave të Albanologjisë dhe rolin frymëzues shpirtëror në “Piagna degli Albanesi” të Arqipeshkvit Imzot Gallaro.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka jo vetëm për arbëreshët dhe shqiptarët, por edhe për Italinë si dhe për kulturën botërore, trashëgimia e komunitetit arbëresh, historia, traditat e tyre si një vlerë jomateriale e kulturës botërore në kuadër të UNESCO-s.

Meta vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin arbëresh, intelektualët dhe shoqatat e tyre në Itali për të organizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të vitit të Skënderbeut, të kësaj figure përbashkuese dhe emblematike për kombin tonë./KultPlus.com

Sonte ekspozita personale e Shqipe Kamberit (FOTO)

Artistja kosovare Shqipe Kamberi do të prezantohet me ekspozitë personale “Vetëdija- dikur dhe sot”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të prezantohet para audiences, sonte në ora 19:00 në Muzeun e Kosovë s, kurse kuratorja e ekspozitës, Penesta Dika ka vlerësuar se artistja Shqipe Kamberi paraqet në ekspozitën “Vetedija – dikur dhe sot” nga njëra anë portrete femrash që karakterizohen përmes përdorimit të veshjeve tradicionale në mënyrë simbolike dhe nga ana tjetër paraqitet torzo femre në pelhurë
“Derisa torzoja na shfaqet të jetë e veshur lehte, thekson bukurinë e trupit të femres, sensualitetin dhe seksibilitetin, ose edhe mburrjen e të qenit femër, portretet janë të paraqitura të veshura dhe me sy te mbyllur, pa emocione dhe te zhytura ne nje botë pa kthim.

Doket dhe zakonet sipas kanunit, përkatësisht trajtimi i femres sipas tyre në një jete bashkëshortore vihet në kontekst me vetëdijen e femres sot, apo me faktin se si do të duhej të jetë në ditën e sotme”, ka vleresuar Dika për këtë ekspozitë që është paralajmëruar se do të jetë e hapur në Muzeun e Kosovës deri më 28 nëntor./KultPlus.com

Mjegulla e Hamletit

Ag Apolloni

(Parathanie e dramës “Hamleti simbas Horacit”, OM, Prishtinë, 2017)

Triviale. Teatri Kombëtar i Kosovës e pati shpallë konkursin vjetor për dramë (2016) dhe unë s’e kisha ndërmend me konkurue. Nji ditë, derisa po shetitnim me “Ofelinë” time nëpër sheshin “Nâna Terezë”, ajo më pyeti: Pse s’konkuron për dramën e vitit? I thashë: S’kam kurgjâ n’dorëshkrim. Tha: Ma ke përmendë disa herë at’ subjektin e Hamletit si bir i Polonit. Thashë: Po s’e kam shkru’. Tha: Po ti m’ke thânë që dramat i shkru’n për nji natë. Thashë: Kur mbyllet konkursi? Tha: Nesër. Thashë: S’mundem. Tha: Pse? Thashë: Se s’kam raki. Tha: Krejt shishet i ke pi?
Ngreha supet dhe e shikova si fëmijë i zânun në faj. Ma bleu rakinë dhe në mbrâmje ia nisa me shkruejt Hamletin tim, të cilin në mëngjes ia dhashë me lexue. E lexoi dhe e dorëzoi, e bindun se do ta fitoja konkursin. Për habinë time, ashtu edhe ndodhi.

Natyrisht, ky version që po e botoj âsht i përpunuem, mbasi s’isha i knaqun me at’ skelet drame që e dorëzova.
Impulsi. Ket dramë s’do të kisha mundë me shkrue nëse s’do ta kisha lexue nji letër të Zigmund Frojdit, të vitit 1897 (drejtue mikut të tij, Vilhelm Flis), ku e hodhi hipotezën se Hamleti âsht nji Edip i pakryem dhe se, simbas tij, âsht mu kjo arsyeja e zhagitjes së hakmarrjes. Ksisoj, hamendja e tij, që ishte krejt ndryshe prej asaj çka hamendësonin Gëte dhe Kollrixhi, e ndryshoi mënyrën e të lexuemit, tu’ ia gjetë Hamletit paradigmën edipiane. Hamleti ngurron me vra mixhën, i cili ia ka vra babën, sepse edhe ai vetë, në nënvetëdije, e ka dashtë vrasjen e babës, për me u martue me nânën. Pra, Klaudi, në njifarë mënyre, e ka realizue atê që e ka dëshiru’ Hamleti.

Natyrisht, ket hipotezë që e përqafuen dhe e diskutuen edhe Xhonsi, Lakani e Starobinski, e kam bluejt shpesh në mendjen time. Rasti, ky mbret i botës, deshti që unë me shkrue ket dramë si lojë me hamendjet frojdiste për Hamletin.

Homazhi. Për mue, Shekspiri nuk âsht shkrimtar. Ai âsht fond i artë i kulturës globale. Ai që dikur shkruente për teatrin “Globus”, nuk âsht vetëm i anglezëve, por i gjithë globit. Ashtu si Homeri, edhe Shekspiri tashmâ nuk mund të shihet si person, apo si individ, por si traditë, si pronë e përbashkët e jona. Dhe, ashtu si Eskili prej Homerit, edhe unë marr lirisht prej sofrës së pasun të Shekspirit.
Mbasi Shekspiri, simbas Horhe Luis Borhesit, âsht zot i fjalëve, nuk mendoj se duhet të ndihemi me faj kur frymëzohemi prej tij, apo kur i ritregojmë historitë e tij, qoftë edhe tu’ i ndryshue ngapak.
Nëse Shekspiri âsht zoti i fjalëve, atëherë Hamleti âsht Bibla e letërsisë laike. Natyrisht, kjo bibël dallon nga ajo tjetra për nga qëllimi: kjo të nxit me dyshue, ajo të nxit me besue. I frymëzuem nga shpirti i shêjtë i dyshimit, unë te Hamleti s’kam bâ gjâ tjetër veçse ksaj historie të bukur ia kam shtue dyshimet e mia dhe dyshimet e disa studiuesve të njoftun (Ben Xhonsoni, Volteri, Gëte, Kollrixhi, Lord Shaftsbëri, Tolstoj, Niçe, Shou, Frojdi, E. Xhonsi, Lakani, Starobinski, Xhojsi, T. S. Elioti, Jan Koti, Dejvid P. Gontari, K. G. Hajlbruni, E. Shouollteri etj.).

Të huejt e “Hamletit”. Janë tri figura që gjithmonë më janë dukë të pazakonta në dramën e Shekspirit dhe m’kanë sjellë shum vramendje; tri figura që janë lânë si nën hije, që janë lânë si jashtë (edhe kur janë mrena) dhe që vijnë nga jashtë: princi Fortinbras (norvegjez), kryekëshilltari Polon (polak) dhe, natyrisht, shkollari Horac (romak), të cilët në përkthimin e Nolit tonë të dashtun, i gjejmë me trajtat: Fortimbrasi, Poloni dhe Horati.

Fortinbrasi. Te Hamleti i Shekspirit, i përmendun në skenën e dytë të aktit të dytë dhe i shfaqun për herë të parë në skenën e katërt të aktit të katërt, princi Fortinbras, për të shkue në luftë në Poloni, lyp leje prej mbretit Klaud për të kalue nëpër Danimarkë. Mandej, në skenën e fundit të aktit të fundit, mbas vdekjes së princit Hamlet, Fortinbrasi kthehet nga Polonia dhe e gjen Danimarkën pa mbret dhe pa princ, domethânë pa trashëgimtar të fronit. Kshtu, princi norvegjez ze vendin që, po të mbetej gjallë, do t’i takonte princit danez, baba i të cilit, mbreti Hamlet, pati vra në fushëbetejë babën e princit norvegjez, mbretin Fortinbras. Kjo më ka bâ me mendue se hakmarrjen që kërkon princi Hamlet ndaj Klaudit, ndoshta mund ta kërkojë edhe princi Fortinbras ndaj princit Hamlet, se gjaku ujë s’bâhet. Âsht e natyrshme që bijtë (princat) me u hakmarrë për baballarët (mbretat) e tyne (sado që hakmarrja e Hamletit n’dramën time âsht për arsye tjera). Në skenën e dytë të aktit të dytë të dramës së Shekspirit, ne e kuptojmë nga raportimi i Voltemandit se Fortinbrasi kishte pasë ndërmend me u hakmarrë për babën, por ishte pengue prej mixhës. Dhe s’âsht e pazakontë që biri i atij që bie në fillim, të bâhet mbret në fund. Në dramën time kjo nuk shihet, por dihet.

Poloni. Poloni, apo ta kthejmë në gjuhën e sotme, Polaku (lat. Polonius – polak), spiuni, miu i mbretit, âsht nji brejtës që bren shumçka, sepse e bren diçka. Atê e bren dëshira për me u bâ mbret. Pra, Danimarka rrezikohet prej dy mbretave potencialë: norvegjezit Fortinbras dhe polakut Polon (hipoteza mbi nacionalitetin polak të Polonit âsht hedhun prej kritikut dhe teoricienit polak, Jan Koti). I pari âsht anmik i deklaruem, i dyti – anmik i kamufluem. Por, dihet si rrjedh historia: Polaku vritet nga princi danez, Polonia mposhtet nga princi norvegjez.
Çka lyp polaku në dramën angleze me histori daneze?
Çka lyp ai n’mesnatë n’dhomën e mbretneshës?
Pse përgjon lidhjen e Ofelisë me Hamletin?

Mund të bâhen mbi njiqind pyetje dhe mund të jepen po aq përgjigje për tê. Dhe mund të shkruhen kushedi sa versione të Hamletit, tu’ u nisë nga miu i pallatit.
Ky polak âsht këshilltar i mbretit dhe administrator i pallatit mbretnor. Dhândri potencial i tij âsht trashëgimtar i fronit, rrjedhimisht bija polake, Ofelia, mbretneshë e mundshme e Danimarkës. Kahdo që ta sjellësh historinë e Hamletit, Poloni âsht nyje e historisë. Duket se s’âsht i rastsishëm fundi i tij mbas perdes, mbasi ai lojën ma të madhe e ka bâ gjithmonë në mbrapaskenë, mbas perdes.
I kam lexue të gjitha hipotezat e hedhuna nga studiues të shumtë për këshilltarin Polon, por asnjana s’ma ka mbushë mendjen. Sa herë më kujtohej Hamleti, më dilte para sysh Poloni te Gertruda, në dhomën e gjumit. Nuk më kujtoheshin fjalët e asaj skene, por e shihja skenën si nji film pa zâ. Ky imazh krijoi mandej krejt dyshimet e hedhuna në ket dramë për lidhjet e çuditshme në pallatin e nji vendi dhe nji kohe të kalbun në korrupsion, në nji korrupsion moral.

Tue përdorë bindjen e Aristotelit se letërsia flet për ngjarje të mundshme, mendova pa më ardhë turp (sado që Shekspiri më bërtiste: o turp, ku e ke skuqjen!) që Poloni mund të ishte dashnor i Gertrudës, Hamleti mund të ishte djalë i Polonit, apo ndoshta i Klaudit, Klaudi mund ta dashunonte Ofelinë, Ofelia mund ta dashunonte Hamletin, Laertin dhe Polonin, tue zbulue me ket të fundit kompleksin e Elektrës, po ashtu Hamleti mund ta dashunonte Ofelinë dhe Gertrudën, tue zbulue me ket të fundit kompleksin e Edipit. Dhe, meqenëse Hamleti ka nji mik të ngushtë, Horacin, mendova se ai mund ta dashunonte edhe atê.

A thue âsht e mundun që, nga frika e nji martese të mundshme mes fëmijëve të tij dhe nga dëshira e tij për fron, Poloni e pengon Ofelinë të lidhet me Hamletin dhe e nxit Hamletin të hakmerret ndaj Klaudit?
Horaci. Miqësia mes Hamletit dhe Horacit âsht ndër historitë ma të famshme të miqësisë. Horaci âsht shoku i studimeve i Hamletit; Horaci âsht i vetmi prej shokëve të Hamletit që e sheh fantazmën; Horaci âsht i vetmi që i mban sekretet e Hamletit; Horaci âsht i vetmi shok që e di se çmendunia e Hamletit âsht thjesht aktrim; Horaci âsht shoku ma i ngushtë i Hamletit, i cili vdes në krahët e Horacit (Parantezë: Horaci, Horati, apo Horatio âsht emën latin, por, siç e thotë edhe Shekspiri, as nga gjaku ai s’âsht danez, po romak. I përshtatun simbas parimit fonetik të shqipes, ky emën vjen në trajtën Horaci, po natyrisht s’ka asgjâ të bâjë me autorin antik të Artit poetik).

Meqenëse janë hedhë shum dyshime mbi karakterin e Hamletit, unë e shikova miqësinë e tij me Horacin pak si me sherr, tu’ i shfrytzue disa vrima te teksti i Shekspirit. Refuzimi që i bân Ofelisë, prej disave âsht pa si refuzim seksual, çka le hapun dy mundësi interpretimi: Hamleti âsht aseksual, ose Hamleti âsht homoseksual. Por, në anën tjetër, dëshira për hakmarrje âsht kuptue prej të tjerëve si dëshirë seksuale, edipiane. Si nji kompromis mes tezave të kundërta të studiuesve, unë e bâna Hamletin biseksual. Ndoshta Hamleti s’e do Ofelinë, ndoshta Hamleti e do Gertrudën, por, për nji gjâ jam i sigurt, Horaci e do Hamletin, prandaj, kur e sheh mikun tu’ dhânë shpirt, pëlqen ma fort me pi helmin sesa me jetue pa tê. Në anën tjetër, Hamleti e do Horacin, prandaj ia merr gotën e helmit dhe e porosit mikun e tij të dashtun të jetojë për ta tregue historinë tragjike të tij dhe për t’i heshtë të tjerat, ato që s’mund apo që s’duhet të thuhen. Të tjerat janë heshtje.

Hamleti im fillon aty ku mbaron ai i Shekspirit. Horaci, e ka mbajtë sekret, të heshtun, historinë e vërtetë të Hamletit dhe tash, në pleqni, para se me iu dorëzue vdekjes, e ka rrëfye dashninë dhe krimin e tij, për me çlirue shpirtin. Nëpërmjet dorëshkrimit të tij, Horaci i jep zâ heshtjes së Hamletit. (Prandaj, mendohet se kërkesa e fundit e Hamletit krijon paralele mes emrit Horatio dhe fjalës orator, gojëtar.)

Drama ime ndoshta ka diçka vulgare mrena, por jo aq sa të sulmohem, siç u pat sulmue Shekspiri prej Shaftsbërit, për vulgaritet.
Tragjedia Hamleti, simbas Umberto Ekos, âsht Mona Liza e letërsisë. Derisa për portretin e sfumatuem të Da Vinçit janë hedhë aq shum hipoteza, pse të mos hidhen edhe për Hamletin e ndërlikuem të Shekspirit?
A mos ka ma pak mjegull te Hamleti?/KultPlus.com

Kitara e Bob Dylan është shitur me çmim marramendës (FOTO)

Kitara e këngëtarit Bob Dylan, njëherit edhe nobelist i letërsisë është shitur nëpërmjet një ankandi, shkruan KultPlus.

Këtë kitarë këngëtari i famshëm e ka përdorë në koncertet e viteve të 70-ta dhe është shitur në një shumë prej 400 mijë dollarëve.

Ankandi është mbajtur në Dallas dhe blerësi i kësaj kitare ka dashur që të mbetet anonim, edhe pse i ka numëruar 396.500 dollarë për këtë instrument./KultPlus.com

Kumbaro: Lasgush Poradeci i këndoi shpirtit të kombit

“Të lexosh sot Lasgush Poradecin do të thotë të ringjesh brenda vetes potencialin e pashtershëm të artit dhe të dashurisë, të cilat ai i sillte si forca e përjetshme e universit” ka pohuar Kumbaro në Pogradec në një homazh për 30-vjetorin e ikjes së poetit.

Në një ceremoni që u zhvillua në qytetin e tij të lindjes Pogradec, përfaqësues të artit dhe kulturës sollën kujtime për poetin e liqenit nëpërmjet poezive të tij. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj e ka cilësuar Poradecin si lirikun më të madh të shekullit të kaluar, si poeti i parë modern shqiptar dhe liriku më i madh i shek. XX. Lasgush Poradeci nuk e rreshti kurrë kërkimin: kërkim i përhershëm, liri në shprehje, liri në shkrim; liri në mendje e liri në zemër; Ajo kujtoi se:

“Të gjithë marrin jetë prej FLAKËS që ndrin, asnjë s’kujton ZJARRIN që pat djegur. Sepse POETI nuk rron jetën e vdekur të vet, po jetën e pavdekur të Kombit të vet”. Janë fjalët e Lasgushit që dëshmojnë pse mblidhemi për ta përkujtuar atë dhe poezinë e tij. Sepse i këndoi shpirtit të kombit të tij, të atij që siç thoshte vetë, e bën një komb të pavdekshëm, se vetëm shpirti mbetet i dlirë e nuk përshtatet”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli ekspozitën homazh në 30-vjetorin e vdekjes së poetit, e pasur me dorëshkrime dhe foto nga jeta e poetit. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe deputeti Eduard Shalsi, studiues, të rinj, artistë , etj. Ministrja Kumbaro, e cila prezantoi edhe Klubin e Librit në qytetin e Pogradecit theksoi rëndësinë e leximit të poetit në ditët e fushatës kombëtare “Takohemi për një libër” duke komunikuar me të rinjtë e pranishëm në sallë.

“Edhe këto javë që siç jeni në dijeni, kur e gjithë Shqipëria e veçanërisht rinia shqiptare është përfshirë nga pasioni i bukur i fushatës së leximit “Takohemi për një libër”, janë me dhjetëra rastet e tubimeve dhe leximeve ku shqiptohet me ëndje poezia e papërsëritshme e Lasgush Poradecit.

Ministrja e Kulturës vizitoi edhe Qendrën Historike të Pogradecit, shpallur nga qeveria shqiptare në vvititn 2015, si dhe vizitoi ambientet e shtëpisë së poetit duke diskutuar edhe me pronarin e banesës për të finalizuar një projekt për jetën e veprën e Lasgush Poradecit, e cila “Nuk është thjesht një pikë pelegrinazhi në emër të Lasgushit, por një pikë takimi për njerëzit e artit. Është vetëm fillimi, sepse është pjesë e një projekti më të gjerë, që është qendra historike e Pogradecit, e shpallur në vitin 2015 nga qeveria shqiptare, e cila do ti nënshtrohet rijetëzimit dhe restaurimit siç ka ndodhur me Korçën. Identifikim i thekseve të rëndësishme kulturore brenda qendrës historike të Pogradecit, ku bën pjesë edhe shtëpia e poetit është një ndër gurët kilometrikë që duam të ecim”- u shpreh Kumbaro./KultPlus.com

’12 armiq’ përqafojnë njëri tjetrin në Bruksel (VIDEO)

Studentë nga 12 vende në konflikt, që përfshihen nga katër kontinente janë bërë bashkë në video projektin “Përfqafo diversitetin, përqafo botën”, shkruan KultPlus.

Ky projekt është realizuar me ide dhe skenar të Arlind Carës, i cili këtë video tashmë e ka prezantuar në Bruksel, në Universitetin VUB.

“ Ky është një videoprojekt që promovon intertolerancëm midis studentëve të një Universiteti në Bruksel, por që vijnë nga vende në konflikt”, ka thënë Cara për KultPlus.

Cara ka detajuar se të gjithë studentët vijnë nga vendet përkatëse, ashtu edhe siç transmetohet në videoprojekt. “Ka qenë e vështirë për disa studentë, pasi që nuk ishin të mësuar me kamerën. Kurse për këtë projekt më ka mbetë peng që nuk gjeta një student izraelit”, ka thënë Cara. Ai ka thënë se ky projekt ka zgjatur gjashtë muaj, ku është angazhuar një grup xhirimi profesionist; regjisori Hans Vanderwijngarden, kameramani Jean Mari Werion, tekniku audio Georgios Patsis dhe animuesja Leen Asselman.

Cara ka thënë se në këtë projekt flitet në gjuhët: shqip, anglisht, spanjisht, arabisht, suhaili, rusisht, turqisht, serbisht dhe gjuhe vietnameze. “Janë folur 10 gjuhë nga 12 studentë”, ka thënë ai./KultPlus.com

“Ameba” një ftesë se si duhet shijuar letërsia

“Ameba” nga Rigel Rizaj, është një përmbledhje me katërmbëdhjetë tregime në të cilët autori sajë narracionesh ku përzihen forma të ndryshme shkrimi si eseistika apo edhe drama, krijon një lojë polifonike personazhesh dhe peizazhesh që rrëfejnë historitë e tyre të cilat u përkasin në ndërgjegjeje universale.

Tregimi “Ameba” rrëfen se si nocioni ndjesor i malli arrin të mbërthejë dhe të shpjerë në mpirje personazhin, dhe fuqia e mallit është aq e tillë saqë të krijojë një pavarësi të jashtëzakonshme e gjer të arrijë të shndërrohet në një gjallesë njëqelizore, arkaike dhe që në thelb mbart gjenezën e jetës së qenieve frymore. Po kështu “Milingona” është një tregim i shkurtër piktoresk dhe grotesk ku personazhe mitike si Sizifi apo Atllasi janë përmbledhur në pamjen e një krijese kaq të imët, e cila simbolizon jetën dhe vullnetin për ta jetuar i patrazuar.

“Boshivarri”, ku ndërthuren tema mbi varret e gjasmuara gjatë sistemeve totalitare dhe historia intime e një Moxarti i parë me një sy tjetër; “Dinarzadja”, motra e harruar e Sheherezades dhe pse ajo duhet konsideruar si hallka mnemotike e 1001 Netëve. Një piktor që vizaton një nudo brenda një dhome të errët dhe vendos në lojë xixëllonjat përreth trupit të pozueses së tij, një. Se si luftohet me barkun e balenës për të shkarravitur brenda tij një hënë, se si përshkruhet vdekja e një Labirinti, se si dashuria është një fuqi estetike dhe dramatike, “Ameba” është një ftesë se si duhet shijuar letërsia dhe se si duhet të ngrihen paktet estetike dhe stilistike. /KultPlus.com

EKSKLUZIVE: UP Humb Gjyqin, Toka në Kampus i Mbetet Kishës

Gjykata e shkallës së dytë i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Si pasojë të mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq për pronësinë e tokës në kampusin e UP-së, kjo tokë ka mbetur në pronësi të Kishës Ortodokse.
Toka rreth 4 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, do t’i takojë Kishës Ortodokse ‘Sveti Nikolla’.

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka marrë vendim që ta hedhë poshtë si të pabazuar ankesën e Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta kondsideruar të tërhequr padinë e UP-ssë për pronësinë e tokës ku gjendet kisha e pa funksionalizuar.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të marrë më 27 shtator të këtij viti, të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se vendimi i Gjykatës Themelore në vitin 2015 kishte qenë i bazuar meqenëse pala paditëse, përkatësisht UP-ja nuk ishte paraqitur në seancën kryesore lidhur me këtë kontest.
Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesmarrje në seancë në vitin 2015 kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para kishës së lartpërmendur.

“Pretendimet ankimore te palës paditëse se me datën 17.11.2015 dhe me datë 18.11.2015 para ndërtesës se rektoratit ka pasur protesta prej disa dhjetëra punëtorëve, kjo gjykate i konsideroi si të pabazuara sepse kjo nuk ishte pengesë që ata të mos marrin pjesë në seancë. Prandaj, në situatën konkrete të gjitha pretendimet ankimore të debitorëve, Gjykata e Apelit i konsideron të pabazuara dhe të paqëndrueshme ngase nuk kanë bazë në prova konkrete”, thuhet në vendim.

Pas këtij vendimi, Universiteti i Prishtinës ka të drejtë që të nisë procedurat nga fillimi dhe të ushtrojë padi të re për të njëjtën çështje.
Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviq në vitet 1990, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës./kallxo

Ish gazetari i Zërit të Amerikës, përuron librin në Prishtinë (FOTO)

Gazetari, mësimdhënësi e veprimtari i shquar shqiptar, Shaqir Salihu promovoi sot librin e tij “Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” brenda Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky libër prej gati 600 faqesh përmban jetëshkrimin e autorit si një mësues në zonën e Lipjanit dhe historinë e një institucioni. Në këtë libër janë të përfshira përjetimet e tij si mësues në zonën e Lipjanit, përjetimi në burgjet serbe në kohën e Jugosllavisë e deri tek detyrimi i tij për tu nisur drejt Uashingtonit. Viti i tij i lindjes-1942 koincidon pikërisht me vitin e themelimit të “Zërit të Amerikës”, aty ku ai ka kaluar plot 32 vite të karrierës së tij si gazetar dhe producent, ku arrin që edhe larg atdheut të vazhdoj kontributin për lirinë e vendit.

Në këtë përurim, fjalën e mori edhe gazetari nga Shkupi, Emin Azemi i cili letrën e shkruar për autorin e ka titulluar “Shtegtimi i pambaruar i një disidenti”. Ai derisa tregoi për përmbajtjen e këtij librit shtoi se pas leximit të këtij libri lexuesi e kupton se sakrificat individuale dhe kolektive kanë pasur një cak të vetëm lirinë e atdheut.

“Libri është i organizuar si një tërësi organike me një funksionalitet të brendshëm përmbajtjesor i ndarë në tri pjesë, pjesa e parë është “Rinia ime në Kosovë, burgu politik dhe nisja drejt mërgimit”, pjesa e dytë “Zëri i Amerikës shqip arriti të përplaset me median epokale” dhe pjesa e tretë “Veprimtaria e shqiptarëve të Amerikës”. Ai me këtë libër po na thotë se për të qenë i ndershëm nuk do të thotë vetëm ta duash atë që të takon por edhe të sakrifikohesh për atë që të mungon”, u shpreh tutje Azemi.

Në këtë përurim të librit fjalën e mori edhe gazetari Behar Zogiani i cili nuk mund t’i përmbante emocionet derisa fliste për veprimtarinë dhe figurën e autorit Shaqir Salihu.
“Kushdo që i lexon fragmentet e këtij libri hyn brenda tij dhe e ka të vështirë të dal jashtë. Prej atyre librave që kam lexuar, nuk kam parë libër më të mirë të kësaj natyre. Është një libër studim për gazetarët dhe publicistët se si duhet të ndahet njeriu nga ndjenjat e veta në interes të prezantimit të faktografisë . Gjatë rrëfimeve të tij gjithmonë është njohur për revolucionaritet, por revolucionariteti i tij nuk është i kuq, është revolucionaritet i argumenteve”, theksoi Zogjani.
Profesori Zymer Azemi fjalën e tij përshëndetëse e kishte titulluar me një titull simbolik “Shaqir Salihu, veteran i brezit të Republikës”.

“Ky emër i shkon Shaqirit dhe librit të tij, pasi që ai në rininë e tij të hershme i takoi brezit të Republikës dhe të demonstratave të përgjakshme , të atij brezi që në vitin1968 e vazhdoi rrugën e për liri e bashkim”, tha Azemi në këtë përurim.

Kurse vet autori Shaqir Salihu dukej i entuziazmuar që po takohet me bashkëvendësit e tij. Ai përmes kravatës së tij të kuqe ku ishte e vendosur një shqiponjë me ngjyrë të zezë shprehte atdhedashurinë që e kishte përcjellur në çdo hap të jetës dhe veprimtarisë së tij. Kravata e tij datonte që nga viti 1945 dhe brenda saj përmbante dy inicialet sh.sh që nënkuptonin “Shqipëria e shqipëtarëvet”.
“Faleminderit nga zemra që keni ardhur këtu për ta takuar një plak që e kishte braktisur atdheun gati 50 vite më parë dhe po ju marr lakmi që brezi im jeni plakur në atdhe e jo si unë në mërgim”, ishin fjalët falënderuese të autorit Salihu.

Lidhur me veprën autori theksoi se tërë intelektin e tij e ka derdhur brenda këtij libri.
“Vuajta dhunën dhe represionin serb, u flaka burgjeve serbe, në qelitë e lagështa, të errëta ku nuk hynte aspak rrezja e diellit, u torturova të nisem përtej Atlantikut. Pas shumë vitesh u rehatova në një punë që më sillte me pranë atdheut, por për fat të keq konstatova që kishim probleme të mëdha si popull, armikun më të madh e kishim njëri-tjetrit. Kurrë në jetën time nuk e kisha menduar se do të shkruaja një libër, por unë jetova, vuajta , mbijetova…rrova dhe doja të tregoja”, është shprehur Salihu gjatë fjalës së tij përshëndetëse.

Krejt në fund mes emocioneve që lexoheshin në fytyrën e tij, ai përmbyll këtë përurim me shprehjen “Zoti e bekoftë Shqipërinë e madhe, Shqipërinë etnike. Zoti e bekoftë Amerikën”./KultPlus.com

Ministri Kujtim Gashi priti në takim ambasadoren kroate në Kosovë, Maria Kapitanovic

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në një takim Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Maria Kapitanovic. Të dy biseduan rreth Marrëveshjes kulturore mes Kosovës e Kroacisë si dhe shkëmbimit të përvojave kulturore dhe bashkëpunimit të mëtutjeshëm mes dy vendeve, shkruan KultPlus.

Ministri Gashi falënderoi ambasadoren kroate të akredituar në Prishtinë, Maria Kapitanovic, për mbështetjen e vazhdueshme dhënë shtetit të Kosovës nga shteti dhe populli korat nëpër të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë e veçanërisht përkrahjen në fushat që mbulon MKRS-ja.

Ai e njoftoi ambasadoren se MKRS-ja është e gatshme të përkrahë projektet konkrete për promovimin dhe avancimin e shkëmbimit të përvojave të përbashkëta të dy vendeve duke potencuar edhe mbështetjen e komunitetit kroat që jeton në Republikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, ambasadorja kroate Maria Kapitanovic, e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe vlerësoi gatishmërinë e ofruar për të bashkëpunuar me qëllim të promovimit të vlerave kulturore të dy vendeve.

Ajo shprehu kënaqësinë për arritjet dhe sukseset e sportit kosovar sidomos në procesin e ndërkombëtarizimit, duke theksuar se Kroacia vazhdimisht e ka mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në të gjitha proceset e shtetndërtimit, veçanërisht në kuadër të kontributit për procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar./KultPlus.com

Serbët e Beogradit do të dëgjojnë rrëfimin e Uta Ibrahimit, gruas së parë nga Kosova që ka pushtuar Everestin

Fondi i Beogradit për Ekselencë Politike ka ftuar alpinisten kosovare Uta Ibrahimi, që në Beograd të tregoj rrëfimin e saj për ngjitjen në majën e Everestit, ngjitje kjo që e bëri edhe si gruan e parë shqiptarë që ka pushtuar këtë majë të lartë prej 8.848 metrave, shkruan KultPlus.

Ky takim me Uta Ibrahimin do të mbahet më 16 nëntor, prej orës 19:00, në Qendrën Kulturore për Dekontaminim.

Uta Ibrahimi është alpiniste nga Kosova e cila brenda vitit ka bërë dy ngjitje, në atë të Everestit, e cila edhe i dha titullin e gruas së parë shqiptare në pushtimin e Everestit, më pas ka pasuar edhe ngjitja në majën e Nepalit, për të shënuar kështu dy ngjitje tejet të suksesshme Brenda vitit. /KultPlus.com

Letra e vajzave të Lasgushit në 30-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta

Në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit, u organizua një aktivitet në qytetin e lindjes Pogradec nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Dy vajzat e poetit Maria e Kostandina të cilat ai i deshi aq shumë, në pamundësi për të qenë të pranishme i janë drejtuar me një letër të cilën po e botojmë më poshtë: E nderuar Zonja Ministre e Kulturës, I nderuar Zoti Shalsi, Të nderuar pjesëmarrës, Duke mos mundur, për arsye madhore, të marrim pjesë në këtë përkujtimore të organizuar për babanë tonë të nderuar, e ndiejmë për detyrë të falënderojmë nga zemra, të gjithë ata, që u kujdesën edhe derdhën mund, për organizimin e saj, si dhe mbarë mirëdashësit e pranishëm. Po citojmë diçka nga një shkrim i pabotuar i babait tonë: “Me qenë që vetëm poetit i është dhuruar hiri i artit, vetëm ky mund të bëjë art dhe vetëm ky mund të flasë: ky atëhere flet nga vetvetja, jo si të tjerët që papagalizojnë (thonë ç’thanë të tjerët). Ay që flet nga vetvetja, gjithnjë mund të na thotë diçka të mirë.

E vërteta është se gjithnjë, artistët janë ata që kanë gjykuar së pari një vepër arti (p.sh. Boccachio-ja mi Divinën Komedi) dhe pastaj kanë ardhur eruditët me syza që kanë bërë kritikat e tyre në historira literature, po dyke marë për bazë ç’thanë ata artistë. Dhe njeri repeton tjetrin. Përveç artistit, që krijon dhe shijon artin, ka dhe dashuronjësit e artit. Këta, dashuronjësit, e ndjejnë, po s’e bëjnë dot. Ndryshimi është se artisti dhe e shpren në formë artin, kurse ata që e ndjejnë artin nuk mundin dhe t’a shprehin. Ay që e ndjen, duhet të jetë si artisti dhe ay d.m.th. të ketë një respekt përpara artit, të mos jetë zevzek ose intrigant urrejtës.

Kur është me këto defekte, d.m.th. se nuk ka dhuratën për të ndjerë artin, atë art që e kritikon nga urrejtja, pra nuk ka të bëjë asgjë me artin dhe s’është kompetent dhe duhet të heshtë, sepse gjykimi i artit është absolut – drejtësi e përgjithëshme, jo relative, urrejtje vetore, shkak vetor. Nuk duhet të ketë hasét vjershëtorin, se vjershëtori bën poezi, sepse, kur je vjershëtor, s’ke ndonjë meritë të veçantë që të jesh më lart se të tjerët që s’janë. Ti ke dhuratë dhe asgjë tjetër (kurse ay s’ka). Vetëm kur s’ke as dhuratë krijimi, as ndjenjë, domethënë kur je gjysmak (domethënë kategori ndërmjetëse) këtu vjen gjëma: atëherë urren, dhe në urrejtje gjykon shtrembër. Prova? Bëhet me poezitë e mbëdhaja”.

Më datën 12 nëntor 2017, mbushen plot 30 vjet, që Ti, babai ynë i dashur nise fluturimin, ashtu siç e kishe dëshiruar, nga atdheu yt, nga shtëpia jote dhe në krahët e dy vajzave të tua. Për mua dhe Kostandinën, kjo është një ditë e paharruar, sepse, pikërisht në këtë ditë, na u shemb mali ku mbështeteshim dhe jeta jonë do të ndryshonte. Nuk themi “Të deshëm babà…. Por themi të duam babà sepse dashuria për ty nuk mbaron! Nuk themi ti jetove… por themi ti jeton! Sepse ti jeton në zemrën tonë, jeton brenda qënies sonë, je motiv i jetës sonë. Ti jeton babà, në zemrat e mijëra shqiptarëve, anë e mbanë botës. Dhe ti do të jetosh gjithmonë, sa do të jetojë edhe Shqipëria jote, sepse ti i fale asaj, ç’gjë më të bukur pate: I fale dashurinë e zemrës, pastërtinë e shpirtit dhe ëmbëlsinë e fjalës.

Kostandina Lasgush Poradeci

Marie Lasgush Poradeci

Anton Pashku bashkon Bibliotekat e Kosovës dhe të Shqipërisë

Në shënimin e 80-të vjetorit të lindjes së Anton Pashkut, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës organizojnë një konferencë shkencore që i dedikohet krijimtarisë së shkrimtarit Anton Pashku, shkruan KultPlus.

Më 14 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë do të mbahet një konferencë shkencore e shoqëruar edhe me një ekspozitë “Anton Pashku- shkrimtari”, sikurse që ligjërues nderi në këtë konferencë do të jetë Sabri Hamiti, i cili do të bëjë prezantimin e monografisë së tij “Anton Pashku”, që është botuar nga Albas./KultPlus.com

Viti i shqiptarëve në MTV EMA 2017 (FOTO)

Sonte është mbajtur ceremonia e MTV EMA 2017- dhe mund të konsiderohet si viti i shqiptarëve sa i përket kësaj ceremonie,shkruan KultPlus.

Me nikoqire Rita Ora, e cila për disa orë ka shkëlqyer me pamjen, performancën dhe udhëheqjen e saj, e cila nga afër përcillej edhe nga e ëma, kjo ceremoni rezultoi të ketë më shumë shqiptarë në këtë mbrëmje.

Këngëtarja tjetër shqiptare Dua Lipa është shpërblyer në këtë mbrëmje me cmimin si artistja më e mirë e re, kurse Ermal Meta është shpërblyer si këngëtari më i mirë në gjuhën italiane.
Përpos Rita Orës që ishte edhe nikoqire e mbrëmjes, këta dy të fundit nuk ishin të pranishëm, për shkak të angazhimeve të tyre në muzikë./KultPlus.com

Dua Lipa – “Këngëtarja më e mirë e re” në MTV EMA

Këngëtarja e re kosovare, Dua Lipa, ka marrë çmimin “Këngëtarja më e mirë e re” në ceremoninë MTV European Music Awards.

Çmimi i madh për kosovaren vjen pas sukseseve sivjet me albumin e parë dhe hitin “New Rules” që ka arritur më shumë se gjysmëmiliardi klikime vetëm në YouTube.

Dua Lipa nuk ishte pjesëmarrëse në ceremoninë që po udhëhiqet nga Rita Ora për shkak të koncerteve në Amerikë./KultPlus.com