Agim Sulaj do të sjellë 20 vepra nëpërmjet ekspozitës “Autokton”

Artisti shqiptar Agim Sulaj, i cili pas vete ka një numër të madh të çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare, është në përgatitje e sipër të ekspozitës së radhës, por kësaj here duke gjurmuar thellë në kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.

Vetë Sulaj ka thënë për KultPlus se kjo ekspozitë do të përfshijë 20 punime, të cilat do të vijnë para publikut të Tiranës, nën petkun e emërtimit “Autokton”. Artisti shqiptar ka thënë se kjo ekspozitë është një dedikim artistik për historinë shqiptare, dhe vetë shqiptarëve.

“Dua të ekspozoj dedikimin moral për njerëzit që kanë bërë historinë e vendit tim, trojeve, traditave, natyrës, heronjve, por mbi të gjitha njerëzve të thjeshtë, që kanë rritur breza e breza dashurinë për vendin dhe tokën e Arbrit”, ka thënë Sulaj.

Ai duke specifikuar se kjo ekspozitë do të vjen në Tiranë, pikërisht në ditët e ftohta të dhjetorit, ka shtuar se edhe pse ka edhe angazhime të tjera, me një përpjekje të madhe është duke punuar që të mbarojë këtë ngacmim frymëzues, për vendin edhe ku ka lindur. Sulaj poashtu ka shpjeguar se nëpërmjet kësaj ekspozite do të vijnë edhe kostumet dhe laramania e tyre e pafund e historisë së Shqipërisë, prej jugut e në veri./KultPlus.com

Për çmimin “Gruaja e Vitit 2017” në Skoci, e nominuar edhe shqiptarja Remzije Sherifi

Janë bërë publike nominimet në The Scotish Women’s Awards, dhe në mesin e shumë grave të famshme skoceze, në kategorinë e bamirësisë është edhe emri i Remzije Sherifit, e cila tash e shumë vite jeton dhe vepron në Glasgow, shkruan KultPlus.

Edhe vetë Remzije Sherifi është shprehur të jetë e nderuar për këtë nominim, e cila ka specifikuar se ndihet të jetë e privilegjuar që është e nominuar për punën e saj në fushën e bamirësisë. Ndërkohë, finalja e madhe e këtij çmimi prestigjioz do të mbahet më 30 gusht.

Remzije Sherifi është nga Gjilani dhe ka shkuar në Skoci në vitin 1999 kur u evakuua nga një kamp në Maqedoni. Deri në vitin 1992, kur u përjashtua nga puna, Remzija ka punuar si radio-gazetare dhe producente. Në Skoci ajo ka treguar sukses duke e udhëhequr shoqatën ‘Maryhill Integration Network’ e cila merret me zbatimin e programeve që kanë të bëjnë me shëndetin, arsimin, artin dhe vallëzimin e që kanë për qëllim afrimin e komuniteteve.

Dhe puna e saj në Skoci është vlerësuar edhe në më herët, pasi që në çmime të ngjashme prestigjioze është nominuar edhe viteve të shkuara. /KultPlus.com

Xhubleta, 4000 vjet histori, nuk ka një të dytë në botë

“Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gur, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë”, shprehet studiuesja e etnografisë Linda Spahiu, duke theksuar se xhubleta shqiptare vjen nga 4000 vjet histori.

Në një intervistë zonja Linda tha se sot mungojnë lexuesit për këtë “libër”, fletët e të cilit janë të shpërndara, sepse pjesët e xhubletave trafikohen për arsye ekonomike, apo siç thotë ajo për arsye të banalitetit në të cilin ka rënë shoqëria moderne. Ajo shpreh shqetësimin e saj që kjo pasuri e rrallë kulturore për të gjithë njerëzimin është ende e pambrojtur.

Prandaj përmes blogut tonë Linda Spahiu kërkon që: “Së pari, xhubleta të shpallet urgjentisht monument kulture i rëndësisë së veçantë dhe të merret në mbrojtje nga shteti shqiptar. Së dyti, në mënyrë urgjente duhet të merret në mbrojtje nga Unesco si pasuri e njerëzimit. Dhe unë këtu nuk po them pse një nga veshjet shqiptare nuk po mbrohet nga UNESCO, sepse bota ka shumë veshje. Por jo! Bota nuk ka veshje si xhubleta, nuk ka një të dytë si xhubleta!”

Më tej zonja Linda shpjegon me detaje disa nga veçoritë që e bëjnë xhubletën dhe të gjithë kostumografinë shqiptare të veçantë në llojin e tyre, aq sa ajo e cilëson pasuri e të gjithë njerëzimit.

Kostumografia jonë të mahnit me vlerën e materialeve të përdorura si ari, argjendi, mëndafshi apo kadifja vishje që njihej në të gjithë europën si veshje vetëm e aristokratëve por që gjendet në të gjitha objektet tona etnografike. Por më e çuditshme se materialet janë teknikat e punimit që mundësojnë të kemi sot veshje 4000-vjeçare që gjenden jo në formë arkaike, por me një sofistikim të frikshëm në kuptimin estetik, kulturor dhe pasuror, duke sjellë antikitetin si një postmodernizëm të pasuruar me figura simbolike.

Një tjetër çudi e etnografisë shqiptare është origjinaliteti i tyre, elementi i transhendencës që vjen nga zona të thella malore, ku marrëdhëniet me qytetërimet e tjera përreth Mesdheut nuk ishin aq të shpeshta sa në bregdet dhe ku koha rridhte ngadalë e ndryshimet historike kërkonin qindra vjet.

Kjo e bën sa autentike, aq edhe të pabesueshme etnografinë shqiptare, aq sa Linda Spahiu rrëfen se si në një ekspozitë etnografike në një nga kryeqendrat e kulturës europiane, kuratorët e muzeut refuzuan për një moment bashkëshoqërimin e objekteve me të dhënat shkencore, sepse nuk besuan që këto artifakte vijnë nga zonat fshatare të Shqipërisë.

Shqetësimi më i madh i Linda Spahiut është fati i mëtejshëm i kësaj trashëgimie kombëtare, për të cilën ajo shprehet se është pasuri e brezave të ardhshëm.

“Ato janë një amanet që ne duhet ta ruajmë për ata që s’kanë ardhur ende dhe që kanë të drejtë t’i gjejnë këtu kur të vijnë”,- shprehet Linda Spahiu teksa bën thirrje për seriozitet në trajtimin e pasurisë kombëtare.

“Ne duhet së pari të investohemi seriozisht, gati si një gjest mbijetese, në kulturën e respektit dhe ruajtjes së dokumenteve dhe të studimit serioz dhe jo në mënyrë naive e internetiste. Sepse pastaj kushdo ka diçka për të thënë dhe zbulimi i vërtetë përzihet me të tjerat. Një nga mënyrat për të fshehur një të vërtetë është ta hedhësh atë në mes të sheshit bashkë me 1000 gënjeshtra të tjera. Ne kemi nevojë të bëhemi seriozë”.

Dea Open Air, Kinemaja dhe imazhi i Europës në brigjet e Jonit

Prej datës 27 gusht deri në 2 shtator në Sarandë shtrohet tapeti i kuq i kinemasë; prej katër vitesh në qiell të hapur mbahen ditët e festivalit ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”, një kalendar i pasur për nga tematika dhe vendet pjesëmarrëse që do të ballafaqojë kinemanë bashkëkohore dhe individualitetin në filma autor

Në datat 27 Gusht deri më 2 Shtator 2017, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dea Open Air do të zhvillojë edicionin e tij të katërt. Festivali vijon traditën e të qenit vizitor në stolinë e rivierës shqiptare, Sarandë. Shfaqjet Open Air do të organizohen në Kinema Limani dhe Kinema Bougainville. Në Kinema Limani është planifikuar të organizohet Ceremonia zyrtare e Hapjes së Edicionit IV të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air Sarandë – 2017, si edhe do të ofrohen dy programet kryesore të festivalit: programi i Filmit me Metrazh të Gjatë dhe programi i Filmit të Shkurtër. Në Kinema Bougainville është menduar të organizohet për herë të parë programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit si edhe Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit IV të Dea Open Air Festival Sarandë – 2017.

Numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i sivjetmë konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Të gjithë aplikuesit dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit. Ata vijnë jo vetëm nga vendet europiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale. Filmat e paraqitur dhe autorët pjesëmarrës në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit Mars.

Në garë për Çmimet DEA komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë menduar të përfshijnë sivjet 6 filma të gjatë për Seksionin e filmit me metrazh të plotë ose konkurrimin kryesor, si dhe 35 filma në Seksionin e filmit të shkurtër. Vetë filmi i shkurtër ofrohet këtë vit në dy nënkategori: konkurrim ndërkombëtar dhe konkurrim studentor. Kategorizimi reflekton natyrën e krijimtarisë dhe profilin e autorëve të tyre. Programi special “Miqtë e Kinemasë” do të ofrojë edhe 6 filma të tjerë me metrazh të plotë, ku përfshihen tituj të përzgjedhur filmash, të prodhuar nga autorë të huaj dhe vendës. Për drejtorin e DEA OPEN AIR, Edmond Topi, “Kinemaja, që prezantohet këtë vit në programin kryesor të festivalit paraqet imazhin e Europës, ku dëshirojmë të shkojmë dhe të cilës duam t’i përkasim – një imazh, për këtë arsye tepër të vlefshëm për t’u njohur dhe promovuar. Kësaj prezence europiane i rri me dinjitet në krah edhe një buqetë e vërtetë gjetjesh, trajtimesh dhe individualitetesh nga e gjithë bota, që festivali planifikon t’u ofrojë të ftuarve të vet profesionistë dhe publikut të interesuar në programin e filmit të shkurtër”.

Sipas traditës edhe në këtë edicion konkurrimi do të ndiqet nga disa juri, të përbëra me personalitete të njohura të kulturës, kinemasë dhe medias në rajon dhe më gjerë.

Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Veton Surroi (shkrimtar dhe publicist – Kosovë), dr. Cathy de Haan ( studiuese e filmit dhe komunikimit – Gjermani), Mevlan Shanaj (regjisor – Shqipëri), Zhaklina Oshtir (aktore, Mal i Zi), Agron Vula (regjisor dhe producent – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë, si edhe do të akordojë çmimet DEA për Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor; Fotografinë/Kameran më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. Kjo juri ndan çdo vit edhe Çmimin Special të destinuar për kontribute të spikatura të artistësh të rinj me karrierë premtuese në kinematografi.

Juria e filmit të shkurtër, e përbërë nga: Natasha Lako (poete dhe skenariste); Ema Andrea (aktore) dhe Sokol Krasniqi (grafist) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të shkurtër, si edhe do të akordojë çmimet DEA për Montazhin më të mirë dhe Regjinë më të mirë në konkurrimin e filmit të shkurtër, Filmin e shkurtër më të mirë si edhe dy çmime, që ndahen nga partnerët mediatikë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR. DEA për Angazhim qytetar (Çmimi i TV Klan) dhe DEA për Idenë më të spikatur (Çmimi i RTV 21 – Kosovë)

Juria e medias, e përbërë nga: Astrit Idrizi (regjisor dhe producent), Violeta Murati dhe Shpresa Dine – gazetare. Sfidë e Edicionit të Katërt të DEA OPEN AIR mbetet afrimi i audiencave me filmin. Për këtë qëllim krahas promovimit të aktivitetit dhe produktit filmik në qytet dhe në media, DEA në bashkëpunim me Neptun Saranda do të organizojë dhe një llotari, në fund të të cilit do ndahet sivjet Çmimi i publikut. Pjesëtarët e publikut do të pajisen në hyrje të kinemasë me një formular vlerësimi për filmin, të cilin do ta dorëzojnë kur të largohen. Formularët e mbledhur do të shërbejnë si bileta për llotarinë dhe si bazë vlerësimi për Çmimin e publikut.

Sivjet për herë të parë do të ndahen dy çmime publiku – meqë në gjininë e filmit të shkurtër konkurrojnë edhe 20 studentë, një juri e përbërë nga studentë të Universitetit Mesdhetar do të ndajnë çmimin DEA për Filmin më të mirë studentor. Edicionin e Katërt të DEA International Film Festival e mbështet Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të cilat së bashku me Bashkinë e Sarandës krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota. Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera europiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon./Mapo.al/

Këngën “Demokraci” nga Troja, Demi e shndërron në “PANokraci” (VIDEO)

Kolumnisti Agron Demi, duke parë zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës ka bërë një riformulim të tekstit të këngës “Troja”, “Demokraci”, por tashmë duke ia dedikuar koalicionit të madh “PAN”, ku “Demokraci”, është shndërruar në “PANOkraci”, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni komplet tekstin e Agron Demit.

“Refreni i ri i Troja:
‘Qysh quhet sistemi ku e drejta i takon atij qe nuk e ka shumicen?’
– PANokraci, PANokraci
‘Qysh quhet sistemi ku ligji vlen veç për ty?’
– PANokraci, PANokraci
‘Qysh thirret sistemi që nuk ka hiq demokraci?’
– PANokraci, PANokraci.
‘Qysh thirret sistemi ku kriminelt e udhëheqin me një shoqëri?’
– PANokraci, PANokraci
‘Qysh thirret sistemi ku në modë janë xhipat me xhama të zi?’
– PANokraci, PANokraci…”/KultPlus.com

RRIPAK nominon Besa Luzhën për ministre të Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re

Rrjeti i Institucione të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar që ka nominuar Besa Luzhën për ministre të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në Qeverinë e re, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni të plotë komunikatën e këtij rrjeti.

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK nominon Besa Luzhën të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës me kumtesën e datës 23.06.2017 ka vlerësuar fushatën parazgjedhore dhe procesin zgjedhor, por mbi të gjitha ka vlerësuar pjekurinë e treguar nga populli i Kosovës në këtë proces të rëndësishëm shoqëror dhe politik.
Edhe në këtë proces, RRIPAK ka vërejtur mungesën e plotë dhe të theksuar të kapacitetit të nevojshëm të partive politike dhe koalicioneve parazgjedhore që t’i përgjigjen sfidave dhe të shfaqin kapacitet dhe njohuri për gjendjen aktuale në fushën e artit dhe kulturës, t’i njohin nevojat dhe potencialin e artit dhe kulturës, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile, për ndikimin që arti dhe kultura ka në zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike, marrëdhënjet ndërkombëtare dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës dhe Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.
RRIPAK duke i pasë parasysh edhe dobësitë e treguara në administrimin e këtij dikasteri qeveritar në periudhën e kaluar, si dhe dobësitë e mangësitë e treguara në diskutimet publike dhe programet zgjedhore të partive politike për këtë fushë, ka vlerësuar që pa përfshirjen dhe marrjen e përgjegjësisë nga mekanizmat dhe profesionistët e dëshmuar dhe të pavarur të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, si pjesë e shoqërisë civile, nuk mund të ketë zhvillim të kësaj fushe të rëndësishme dhe këtij dikasteri qeveritar.
RRIPAK vlerëson që për zhvillimin e kësaj fushe të rëndësishme dhe këtij dikasteri qeveritar duhet të krijohet një paradigmë e re për artin dhe kulturën në Kosovë.
RRIPAK vlerëson që për krijimin e një paradigme të re për artin dhe kulturën në Kosovë dhe krijimin e një momenti të ri të zhvillimit, Ministria e Kulturës duhet të reformohet, dhe në këtë proces kjo Ministri duhet të udhëhiqet nga përfaqësues të dëshmuar dhe të pavarur të shoqërisë civile, të cilët mbështeten në këtë punë nga institucionet e artit dhe kulturës, aristët individual, shoqëria civile, partitë politike dhe partnerët ndërkombëtarë.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës në procesin e konsultimit të gjerë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm formal, ligjor dhe funksional për punën e institucioneve të pavarura dhe publike të artit dhe kulturës, zhvillimin e veprimtarisë së lirë shoqërore dhe artistike, demokratizmin dhe reformimin e politikave të artit dhe kulturës në Republikën e Kosovës, vlerëson mbështetjen e institucioneve anëtare dhe institucineve publike, të gatshme për të ndërvepruar në këtë proces dhe për mbështetjen e RRIPAK-ut për përgjegjësinë e marrë për procesin.
RRIPAK vlerëson mbështetjen e treguar të institucioneve të tjera të pavarura të artit dhe kulturës dhe artistëve individual të gatshëm për të marrë pjesë dhe përgjegjësi në këtë proces.
RRIPAK vlerëson mbështetjen e treguar të mekanizmave të tjerë të shoqërisë civile në Kosovë dhe partnerëve ndërkombëtarë të përkushtuar për zhvillimet progresive shoqërore në Republikën e Kosovës.
RRIPAK në këtë proces të konsultimit të gjerë vlerëson mbështetjen e institucioneve të vendeve të rajonit të gatshme për t’i bashkërenduar veprimet në këtë proces, dhe për të zhvilluar raporte të reja të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe ndërinstitucional.
Si rezultat dhe rrjedhojë e këtij procesi të konsultimit të gjerë, si dhe shqyrtimit të zgjidhjeve më të mira kadrovike, me anë të kësaj kumtese, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës fton Besa Luzhën të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Me këtë kumtesë, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës i drejtohet partive politike parlamentare dhe koalicioneve parazgjedhore që ishin pjesë e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017, dhe të nominuarëve për të udhëhequr me Qeverinë e Kosovës, që të mbështesin delegimin dhe zgjedhjen e Besa Luzhës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Besa Luzha është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Ka magjistruar në Pedagogjinë e Muzikës dhe ka doktoruar në Edukim në Universitetin e Londrës.
Luzha ka qënë organizatorja kryesore e festivalit të parë të pavarur klasik në Kosovë, edicionit të parë të Kammerfest (2000), dhe është sekretare gjenerale e Kosovo Chopin Association, që me sukses ka organizuar festivalin ndërkombëtar Chopin Piano Fest Prishtina (2010-2017).
Besa Luzha është aktiviste e dalluar e shoqërisë civile në Kosovë, në vazhdimësi e angazhuar në proceset shoqërore, me nisma me ndikim në zhvillimet e rëndësishme kulturore, shoqërore dhe politike në Kosovë. Që nga viti 2000 punon si kordinatore e programeve në Zyrën e Prishtinës të Fondacionin Friedrich-Ebert.
RRIPAK vlerëson që me zgjedhjen e Besa Luzhës, si përfaqësuese e deleguar e shoqërisë civile dhe instituconeve të pavarura të artit dhe kulturës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, do të krijohen rrethana të reja zhvillimi në art dhe kulturë dhe shoqëri në Republikën e Kosovës, si dhe do të krijohen kushte për zgjidhje bashkëkohore strukturore që i përgjigjen nevojës urgjente të reformimit të strukturës dhe rolit të Ministrisë së Kulturës, reformimit dhe fuqizimit të institucioneve publike, fuqizimit të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, si dhe krijimit të mekanizmave të rinj bashkëkohor që mbështësin dhe fuqizojnë kapacitetet ekzistuese, stimulojnë dhe krijojnë mundësi të reja të zhvillimit dhe mbështetjes të artit dhe kulturës në Kosovë.
RRIPAK vlerson që zgjedhja e Besa Luzhës, si e deleguar e shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të dëshmonte përgjegjësinë politike, vizionin dhe vullnetin politik për të përfshirë mekanizmat dhe kapacitetin e dëshmuar të shoqërisë civile në zhvillimet e rëndësishme në vend dhe përkushtimin politik të udhëheqësve politik për zhvillimin e papenguar të kësaj fushe të rëndësishme të aktivitetit të lirë shoqëror, si dhe tërheqjen nga ndikimi politik dhe kontrolli partiak në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës vlerëson që zgjedhja e Besa Luzhës, si përfaqësuesese e deleguar e shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të përfshinte Republikën e Kosovës në zhvillimet e reja progresive që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur në vendet e rajonit, dhe do të kishte ndikim të madh pozitiv në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO.
Me zgjedhjen Ministre të Kulturës të përfaqësueses së deleguar të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, Qeveria e re Republikës së Kosovës i bashkohet zhvillimeve aktuale në Republikën e Maqedonisë, zhvillimeve në Republikën e Malit të Zi dhe proceseve zhvillimore në Republikën e Shqipërisë.
Ministër i ri i Kulturës në Republikën e Maqedonisë është zgjedhur aktivisti i shquar i shoqërisë civile dhe punëtori i skenës së pavarur të artit dhe kulturës Robert Alagjozovski, i ftuar nga Kryeministri Zaev të marrë përgjegjësi për reformin e këtij dikasteri qeveritar. Ministër i ri i Kulturës në Republikën e Malit të Zi është zgjedhur, producenti i sukseshëm Janko Ljumoviq, i cili ka inicuar reformimin e nevojshëm të institucioneve publike dhe krijimin e mekanizmave për fuqizimin e instituciuoneve të pavarura të artit dhe kulturës në Malin e Zi. Ministre në Qeverinë Rama dhe Ministre në detyrë në Republikën e Shqipërisë është Mirela Kumbaro, punëtore e dalluar e kulturës dhe shoqërisë civile në Shqipëri. Ajo është ftuar nga Kryeministri Rama të marrë përgjegjësi për reformin dhe fuqizimin e këtij dikasteri qeveritar në Republikën e Shqipërisë. Si rrjedhojë Republika e Shqipërisë sot është fuqishëm e pozicionuar në rajon dhe proceset ndërkombëtare për zhvillimet në art dhe kulturë dhe për ndikimin e këtyre proceseve në marrëdheniet ndërkombëtare. Ministrja Kumbaro për punën e saj para pak kohësh është dekoruar me Medaljen e Republikës nga Republika e Francës.
RRIPAK vëren që këto lëvizje në rajon mund të krahasohen me lëvizjet dhe reformat e thella progresive në legjislacionin dhe strukturën e Ministrisë së Kulturës dhe krijimin e mekanizmave të domosdoshëm për mbështetjen e artit dhe kulturës në Republikën e Sllovenisë, që janë zbatuar nga përfshirja strategjike e skenës së pavarur të artit dhe kulturës në krijimin e legjislacionit dhe udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës nga personalitete të dëshmuara të artit dhe kulturës nga shoqëria civile. Republika e Sllovenisë ka trashëgimi të njëjtë politike me Republikën e Kosovës, të dy shtete dikur pjesë e Jugosllavisë Socialiste dhe pjesë e një sistemi të përbashkët politik, në të cilin arti dhe kultura janë mbajtur të kontrolluara nën ndikimin politik dhe partiak të politikanëve. Si pasojë e reformave dhe krijimit të mekanizmave që mbajnë politikanët larg ndikimit në art dhe kulturë, Republika e Sllovenisë është aktualisht vendi më i zhvilluar në rajon në raport me legjislacionin, investimet dhe transparencën e administrimit të fondeve publike dhe institucionet e sukseshme publike dhe të pavarura të artit dhe kuturës dhe artistëve individual. Republika e Sllovenisë me ligj të veçantë mbron Interesin Nacional në Art dhe Kulturë.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Kulturës vlerëson që fusha e artit dhe kulturës duhet të trajtohet si interes vital nacional i Republikës së Kosovës dhe fushë e pavarur nga ndikimi partiak dhe politik, si parakusht dhe zgjidhje e domosdoshme dhe e vetme për të krijuar moment të ri zhvillimi për artin, kulturën dhe shoqërinë në Kosovë, për të fuqizuar dhe mbrojtur institucionet publike të artit dhe kulturës, për të fuqizuar potencialin e artistëve individualë dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, për të siguruar mbështetje në vend, rajon dhe arenën ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.
RRIPAK në këtë proces njeh dhe vlerëson hapat e mëhërshëm politik të ndërmarrë në Republikën e Kosovës, që nga viti 2000, që për synim kanë pasur krijimin e politikave të reja në art dhe kulturë, fuqizimin e institucioneve publike dhe të pavarura të artit dhe kulturës dhe rritjen e ndikimit të artit dhe kulturës në zhvillimet shoqërore në Republikën e Kosovës dhe marrëdhëniet ndërkommbëtare.
RRIPAK vlerëson edhe vendimin e Kryetarëve të Komunave që në mandatin aktual udhëheqjen e drejtorive të kulturës e kanë deleguar te profesionistë të dëshmuar të artit dhe kulturës dhe të shoqërisë civile dhe që politikat dhe zhvillimet në komunat rrespektive t’i mbështësin në bashkëpunimin me mekanizmat e institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës është themeluar për të krijuar një mjedis të përshtatshëm formal, ligjor dhe funksional për punën e institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, zhvillimin e veprimtarisë së lirë shoqërore dhe artistike, demokratizmin dhe reformimin e politikave të artit dhe kulturës të institucioneve të pushtetit lokal dhe qendror në Kosovë.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës për këtë proces të ri kërkon mbështetjen nga opinioni publik për nominimin dhe mbështetjen e Besa Luzhës si e deleguar e shoqërisë civile dhe instituconeve të pavarura të artit dhe kulturës për të marrë përgjegjësinë e Ministres së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës i bën thirrje Kryetarit të Kosovës që të bëhet pjesë e procesit, të investojë kapacitetin kushtetues të Zyrës së Kryetarit të Kosovës në procesin e reformimit të këtij dikasteri qeveritar dhe të ndihmojnë që ky proces të ketë sukses.
RRIPAK i bën thirrje mekanizmave të bashkësisë ndërkombëtarë në Republikën e Kosovës dhe Zyres së Përfaqësueses së Posaçme të Bashkimit Evropian në Kosovë, që të bëhen pjesë e procesit të reformimit të këtij dikasteri dhe politikave publike në art dhe kulturë në Republikën e Kosovës, të investojnë kapacitetet e tyre në këtë proces dhe të ndihmojnë këtë proces.
RRIPAK – Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës këtë proces, delegimin dhe zgjedhjen e përfaqësueses të shoqërisë civile në këtë pozitë udhëheqëse, për marrjen e përgjëgjësisë së përbashkët dhe për investimin e kapaciteteve të përbashkëta shoqërore për zhvillimin e sektorit të artit dhe kulturës, e sheh si parakusht që Kosova të prijë në rajon për politikat e reja publike në këtë sektor me ndikim në zhvillimet shoqërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës vlerëson artin dhe kulturën si fushë të interesit nacional të Republikës së Kosovës që ka ndikim të rëndësishëm në zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe politike në vend dhe ndikim të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
UNESCO e njeh kulturën si nxitës të zhvillimit, për shkak se kultura fuqizon njerëzit me kapacitete për të marrë përgjegjësinë për procesin e zhvillimit të tyre.
Institucionet anëtare të Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK janë: ALBANIADA, ARS KOSOVA, ANSAMBLI ATTACCA, ESTA KOSOVA, FESTIVALI 9/11, FESTIVALI DAM, FESTIVALI PIANISTI I RI, FESTIVALI PRIFEST, FESTIVALI REDO, FESTIVALI SKENA UP, FESTIVALI FRYMA E RE, FRABAC, GALERIA EXPO ART 40, GALERIA QAHILI, GALERIA OPEN ART, INICIATIVA E HISTORISË GOJORE, KOSOVO ARCHITECTURE FOUNDATION, LAMBDALAMBDALAMBDA, PRISHTINA JAZZ FESTIVAL, QENDRA KOSOVARE PËR MUZIKEN E RE / FESTIVALI REMUSICA, SHOQATA KOSOVARE CHOPIN, SHKAS SYTHI / ETNO FEST, STACION – QENDRA PËR ART BASHKËKOHOR PRISHTINË, TEATRI URBAN PRISHTINË, CULTURAL HERITAGE WITHOUT BORDERS / TRASHËGIMIA KULTURORE PA KUFI (CHwB), URBANIAK, VARG e VI, QENDRA PER ART BASHKEKOHOR GJILAN, VIART.
Sekretariati dhe selia e RRIPAK gjendet në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Rruga Zija Prishtina, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovë.

Filmi i Izer Aliut nominohet për Nordic Council Film Prize 2017, konkurrentë edhe të nominuar për Oscar

Në mesin e të nominuarve ka emra të mëdhenj të kinematografisë, sikurse Selma Vilhunen, e cila ishte e nominuar edhe për çmimin Oscar, sikurse edhe Guðmundur Arnar Guðmundsson që tashmë ka 50-të çmime ndërkombëtare.

Ai sapo ka marë çmimin e madh në Amanda Awards, ku Izer Aliu është shpërblyer me çmimin për regjisorin më të sukseshëm, shkruan KultPlus.

Mirëpo, akoma pa kaluar java nga ky çmim prestigjioz, filmi “Huntig Flies”, i Izer Aliut, që së fundi është prezantuar edhe në PriFilmFest, është nominuar në mesin e pesë filmave për çmimin Nordic Council Film Prize 2017, çmim ky prestigjioz që ndahet tash e 14-të vite.

Në mesin e të nominuarve ka emra të mëdhenj të kinematografisë, sikurse Selma Vilhunen, e cila ishte e nominuar edhe për çmimin Oscar, sikurse edhe Guðmundur Arnar Guðmundsson që tashmë ka 50-të çmime ndërkombëtare.

Ndërkohë, fituesi i këtij çmimi do të bëhet i ditur më 1 nëntor të këtij viti.
Filmin “Hunting Flies”, flet për një mësues i cili pasi largohet nga puna provon një sukses me studentët e tij, ku hyn në lojë edhe miqësia e armiqësia mes fshatit. Filmi u shfaq vitin e kaluar në Toronto International Film Festival ndërsa në rolin kryesor paraqitet Burhan Amiti, si mësuesi Gani.
Izer Aliu është ndër regjisorët më të mirë të gjeneratës së tij momentalisht në Evropë. /KultPlus.com

Është lansuar traileri i filmit “Dita zë fill”, ku Ornela Kapetani fitoi Zemrën e Sarajevës (VIDEO)


“Dita zë fill” me regji të Gentian Kocit është filmi i parë i metrazhit të gjatë, por suksesi i këtij filmi duket se veç sa ka filluar, shkruan KultPlus.

Për rolin më të mirë të aktores është shpërblyer pikërisht aktorja shqiptare Ornela Kapetani, në edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit të Sarajevës që është mbajtur së fundi.

Ndërkaq, sapo është lansuar edhe traileri i këtij filmi ku shihet Ornela Kapetani, Kasem Hoxha e aktorë të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij projekti filmik, që tashmë ka marrë ftesa edhe nga shumë festivale të rëndësishme botërore.

Në film luajnë edhe Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…/KultPlus.com

Me këngën e vitit 1983, Bonnie Tyler rrëzon super hitin “Despacito” (VIDEO)

Bonnie Tyler, këngëtarja me famë botërore, e cila kulmin e karrierës së saj e kishte në vitet e 80-ta, ka shënuar një sukses të paparë, duke kaluar edhe hitin super të famshëm “Despacito”, shkruan KultPlus.

Tyler ka kënduar këngën “Total Eclipse of the Heart”, pikërisht në momentin e eklipsit të djeshëm që kanë përjetuar qytetarët e Amerikës, dhe kjo këngë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është radhitur e para në iTunes.

“Unë kurrë nuk lodhem duke e kënduar këtë këngë”, ka thënë këngëtarja Bonnie Tyler për Good Morning America, pak para se të këndonte këtë këngë në bordin e një anije udhëtimi në lindje të Bahamas./KultPlus.com

Në Shkollat Fillore të Turqisë, gjuha shqipe si lëndë zgjedhore (VIDEO)

Në Shkollat Fillore të Turqisë, gjuha shqipe do të mësohet si lëndë zgjedhore, shkruan KultPlus.

Mediet turke kanë bërë të ditur se gjuha shqipe do të mund të mësohet në të gjitha Shkollat Fillore qysh nga klasa e pestë, përkatësisht në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët, ku familjet mund të kërkojnë për fëmijët e tyre që ta mësojnë gjuhën shqipe si lëndë zgjedhore. /KultPlus.com

“Heroinat”, plagjiat apo vepër origjinale? (FOTO)

Kritika nëse i bëhet një vepre nuk i bëhet menjëherë, duhet të kalojnë ca vite. “Heroinat”, u kritikua që në fillim, por nuk u detajua kritika. Nuk u saktësua a është plagjiat në tërësi? Në ditën e inaugurimit të veprës kam reaguar në Facebook në lidhje me këtë. Në tekst mund të lexoni detajet e veprës plagjiat.

Ilir Muharremi

Fjalori i gjuhës shqipe kuptimin e plagjiaturës e përkufizon si paraqitjen e një vepre nga dikush tjetër të përvetësuar si të veten: vjedhje letrare, muzikore, artistike, duke marrë pa treguar burimin. E dyta, kur dikush paraqet veprën e huaj me emër të vetin, ose kur dikush huazon ndonjë tekst ose pjesë nga teksti e nuk e bënë të qartë burimin (kjo identifikohet si plagjiaturë e pjesshme), tjetra, kur dikush e përkthen ndonjë shkrim dhe nuk e bënë të qartë burimin, pra e paraqet si të tijin, apo kur dikush huazon pjesë të ndonjë teksti të huaj, prapë nuk e tregon burimin, ose tregon tekstin por burimin e parafrazimit nuk e tregon dhe e fundit kur dikush e paraqet një vepër te veten apo të ndonjë pjese të saj në provime apo ngjarje të ndryshme, identifikohet si vetë-plagjiaturë.

Në çdo vend të botës plagjiatura ndiqet me ligj, kurse te ne, ajo ndodhet në qendër të qytetit konkretisht përballë obeliskut më të madh në kryeqytet NewBorn. Bëhet fjalë për memorialin “Heroinat” të inauguruar më 12 qershor të vitit 2015. Edhe në media u diskutua se a është plagjiaturë apo vepër origjinale nga artisti Ilir Blakçori. Si qëndron puna? A mund të cilësohet si vepër plagjiaturë, atëherë ne po bëjmë një përshkrim të dy veprave dhe vet lexuesi le ta përkufizojë:

Memoriali “Heroinat” rrëfen për sakrificën e femrave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, veçanërisht grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në luftë nuk ranë vetëm heronjtë kemi edhe 20 mijë heroina të dhunuara. Memoriali “Heroinat” është vendosur në një këndë të fshehur krahasuar me memorialet tjera në kryeqytet. Memoriali u inaugurua me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të Kosovës. Vepra u krijua me 20 mijë shufra të hekurit. Në sipërfaqen e kësaj skulpture, shufrat marrin trajtën e medaljoneve. Vepra duket si impozante, në fytyrën e saj vërejmë butësinë e natyrës femërore. Koncepti i saj është i dyfishtë, sipas realizuesit Blakçori: gjatë ditës nën efektet e dritës natyrale, medaljonet reflektojnë dritë e hije mbi imazhin e portretit. Nëse afrohemi vërejmë portrete individuale të medaljoneve, që identifikojnë nënat, bijat, motra që humbën në luftën e fundit.

Interesante është se vepra jo veç që u frymëzua nga një vepër tjetër, por është e njëjtë sikurse ajo e artistit Asif Khan, ‘MegaFaces’ 2014. Pjesa e kokës “Heroinat” dhe “MegaFaces” (i njëjti realizim i këtij monumenti ishte i vendosur edhe në Lojërat Olimpike 2014, që janë mbajtur në Sochi të Rusisë), janë të njëjta, me vështrim të njëjtë, vetëm se pjesa e flokëve te “MegaFaces” i mungon, këtë nuk e përdorë artisti te “Heroinat”. Pjesa e ballit, syve, hundës, gojës, vështrimit, copëzat e medaljoneve (të ngjashme) në fytyrë, shikimi, tërë mimika, janë identike. “Heroinat”, është fytyrë gruaje, kurse “Megafaces” duken si fytyra të fëmijëve, vetëm biografia e personazhit ndryshon derisa pjesa e idesë dhe realizmit mbetet mu e njëjta. Në stil, anatomi dhe koncept janë të njëjta. Këto vepra ngjajnë si dy pika uji. Nuk kopjohet vetëm ana vizuale, kopjohet edhe koncepti autentik i veprës “MegaFaces”. Kjo vepër tashmë e kopjuar ka lëvizje emocionale, por unë si qytetar i thjeshtë më shumë do pëlqeja murale të shkëmbit me simbole historike të heroinave në vend të një vepre të kopjuar.

“MegaFaces” përbëhet nga 11 mijë aktivizues, që shfaqin fytyra të ndryshme me anë të kinetikes nga jashtë. Poashtu edhe këto fytyra janë identike sikurse të “Heroniave” të minimizuara. Nga distanca, nëse i vështrojmë të dy veprat afër, dallimet janë vetëm në pjesën e flokëve sipër. Kjo nuk mjafton për tu distancuar tërësisht nga vepra, dhe ta quajmë si krijim origjinal.

Atëherë, çfarë mund t’i themi kësaj? Pjesa hyrëse e tekstit e dëshmon si referencë origjinalitetin e këtij memoriali në kryeqytet. Mos të harrojmë se vepra “Heroinat’, kap shumën prej 120 mijë eurosh. Artisti e fitoi konkursin, pasi dy herë radhazi u anulua për shkak mospjesëmarrjes së artistëve. Iniciatorja e projektit Alma Lama kishte thënë se ky memorial duhej të ishte bërë i pari në Kosovë. Po, ana artistike estetike duhej të ishte origjinale, ndonëse edhe unike. Gratë e rëna në luftë të gjithë i kanë prekur, dhe meritojnë të jenë në një vepër origjinale. Lama vet ka pohuar: “Gjatë miratimit të buxhetit për vitin 2013, pra në dhjetor të 2012 unë kam përgatitur një amendament ku është përshkruar ideja e memorialit si dhe shuma e nevojshme për ta realizuar këtë projekt. Ideja dhe koncepti i një memoriali që nderon kontributin e grave gjatë luftës është përkrahur nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe u miratua njëzëri.” Mirëpo, a e kanë parë skicën ose buceten e memorialit dhe kërkimin se mos vallë është plagjiat, pasi do vendoset në qendër të qytetit? Normalisht që jo, vetëm i kanë ngritur duart pa qenë të informuar. Dakord jam me idenë e memorialit si propozim, ta gëzojë kryeqyteti sakrificën dhe madhështinë e gruas, por jo me realizmin e tij.

Memoriali ashtu si është tash ka të veçantë portretin, është shumë i kohës, dhe nuk paraqet ndonjë grua me armë në dorë me përmasa të trupit të rritura siç jemi mësuar shabllon t’i shohim në skulpturat komuniste të Shqipërisë, ose me emocion folklorik – patetik, kjo vlen të veçohet këtu, por nuk mjafton vetëm kjo. Pasi që gratë e meritojnë një vend të rëndësishëm në luftën e fundit, e meritojnë edhe një memorial origjinal nga duart e artistëve.

Çuditem pse nuk kanë reaguar heroinat dhe ideatorët e këtij projekti, por vetëm me duartrokitje e zbuluan kopjen e tillë. Ndoshta nuk kishin njohuri për një vepër identike që ekziston diku në botë. Tjetra, anëtarët e komisionit vlerësues dhanë pëlqimin e kësaj figure dhe e zgjodhën, prapë se prapë arti është si treg, ku artisti ofron mallin pa ndërgjegje, blerësit e konsumojnë, atëherë artisti fiton. Por, arti i vërtetë madhështor rrjedh nga sinqeriteti i autorit, dhe veprat e mëdha kishin ndikime e pak prej tyre qenë plagjiaturë.

Projekti u financua nga taksapaguesit e Kosovës dhe Kuvendi vendosi miratimin e tij. Kjo vepër vetëm emrin e ka origjinal “Heroinat” ngaqë balancohet me heronjtë dhe të tilla qenë ato gra që dhanë jetën për vendin e tyre. Picasso me kotë nuk thotë: “Artistët e këqij kopjojnë, ndërsa gjenitë vjedhin”, e kjo vepër i takon të parës në këtë thënie./KultPlus.com

Bekim Fehmiu në Prizren, atëherë kur i është ofruar roli kryesor në filmin “Kur pranvera vonohet” (VIDEO)

Aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiut në vitin 1978 i ishte ofruar roli kryesor dhe regjia për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Kur pranvera vonohet”, projekt ky që bëri që Bekim Fehmiu të vinte në Prizren për të vendosur për lokacionet e shesh xhirimeve, shkruan KultPlus.

Fotografitë që janë ofruar nga Shukri Kaçaniku, atëherë xhirues filmik, janë publikuar po nga ai, ku shihet Bekim Fehmiu të jetë në valën e punëve për fillimin e këtij filmi.

Kaçaniku ka bërë të ditur se për arsye të ndryshme Bekim Fehmiu nuk arriti të bëj marrëveshje me Kosovafilmin, dhe nga kjo iniciativë kanë ngelë vetëm këto fotografi. Ky film më pas është realizuar me regji të Ekrem Kryeziut /KultPlus.com

Nëna Terezë me Mbretëreshën Elisabeta II (FOTO)

Nëna Terezë si figurë shumë e rëndësishme për punën e saj vullnetare që e ka bërë përgjatë gjithë jetës së saj, ka bërë që shumë personalitete të botës të takohen me të, shkruan KultPlus.

Duke përfshirë figurat më me ndikim në botë kanë realizuar takime të natyrave të ndryshme, duke përfshirë prej mbretërive e deri tek persona të profileve të ndryshme. KultPlus ju sjellë një fotografi nga takimi i Nënës Terezë me mbretëreshën Elisabeta II./KultPlus.com

Në kujtim të Faruk Begollit

Qendra Kinematografike e Kosovës organizon një takim në kujtim të aktorit të njohur shqiptar Faruk Begollit, shkruan KultPlus.

Ky takim do të mbahet më 23 gusht, në ora 20:00 te Klubi M. “Shpirtin ma keni k’put”, Faruk Begolli 10 vjet”, është sllogani i këtij takimi, që shënon edhe dhjetë vjetorin e vdekjes së aktorit./KultPlus.com

Lokali i shqiptarëve, sërish në listën e ngushtë për çmimin London Lifestyle Award

Në vitin 2016, lokali “My Place Soho” në Londër, që udhëhiqet nga dy shqiptarë, Sam Maqedonci dhe Dini Shahini, kishte fituar vendin e parë në kategorinë “London Lifestyle Awards Coofe Shop Of The Year”, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht ky vlerësim si duket ka rritë edhe më përgjegjësinë për menaxherët e këtij lokali, dhe edhe këtë vit “My Place Soho”, është futur në listën e ngushtë, dhe votimi për këtë çmim bëhet edhe online.

Sam Maqedonci është shprehur se po ndihet krenarë për futjen në listë të ngushtë London Lifestyle Awards, duke ftuar që ta mbështesin për të fituar këtë garë, sikurse që ka ftuar ndjekësit që mos të harrojnë të kthehen në My Place Soho për të pirë kafe./KultPlus.com

Këtu mund të votoni!

https://www.londonlifestyleawards.com/vote

“Fidani”, seriali që mbërthente krejt fëmijët në vitet e 80-ta (VIDEO)

Ka qenë seriali i parë në gjuhën shqipe i realizuar në Kosovë, i cili në vitet e 80-ta, mbërthente të gjithë fëmijët para ekranit televiziv, që të shihnin aventurat e Fidanit, i cili ikë nga shtëpia, shkruan KultPlus.

Ky serial është realizuar me skenar të Ibrahim Kadriut dhe regji të Sadedin Prekazit, kurse muzika e këtij seriali është punuar nga Musa Piperku, ku kënga e këtij seriali ishte shndërruar në një hit për atë kohë.

Mirëpo, mbi këtë serial, edhe pse i pari i këtij lloji në Kosovë, nuk ka të dhëna në faqen e Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, sikurse që nuk ka të dhëna as në faqet tjera online. Përpos në Wikipedia, që ka informacione të pakta, mbi këtë serial nuk ka ndonjë informatë më të thellë./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=j23Gcko6Mck

Apostulli i atdheut dhe artit

Ndue Ukaj

Jeronim De Rada, (1814 – 1903), është apostull i kulturës dhe letërsisë shqipe. Njohës të veprës së tij, pohojnë se De Rada qe i pari, që e shtroi para botës s’atëhereshme problemin shqiptar. Ndërsa botimi i veprës së tij, “Këngët Milosaos” 1836, merret si vit i fillimit të Rilindjës Kombëtare; lëvizje kjo që shqiprarëve u solli pavarësinë, pas natës së errët, ne të cilën Arbnia dergjej nën thundrën e një robërie të rëndë: pa shkolla, pa kulturë dhe pa asnjë gjë të shëndoshë kombëtare. De Rada, jo vetëm që e ndihmoi ngjizjen e kësaj lëvizje të madhe, për u bë apostull i saj. Vepra e tij e pasur, atëbotë pati jehonë të madhe te shqiptarët e shpërndarë nëpër emigracion, dhe u bë fanar drite e shprese për përlindjen e Shqipërisë.

De Rada, veprën letrare, “Milosao”, e boti si 22 vjeçar, ndërkohë që ajo më vonë do të bëhet kryevepër e letërsisë shqipe. Që atëherë, ai nuk rreshti së punuar me përkushtim e dashuri përvluese në fushën e kulturës dhe të shtypit, duke lënë pas vete vepra të pasura letrare.
Vepra e tij “Rapsodie Albanesi”, që u botua më 1886, si dhe “Fiamuri i Arbnit”, hapën rrugën e një lëvizje të madhe patriotike dhe kulturore, që i vaditi shqiptarët me dashuri dhe atdhetari.
Faik Konica më 1910 shkroi:”Fiamuri i Arbërit” ësht e para veglave kombëtare që i lajmëroj Evropës që ka një komb shqipëtar që êdhe ësht i gjallë”.

De Rada, pas vete la një vepër të pasur dhe të shkruar me një kulturë të lartë, por mbi të gjitha me dashuri përvëluese për atdheun. Në fakt, Arshi Pipa thotë se rreth idealit Atdhè e art shtiellohet gjithë jeta e De Radës: jetë luftari e jetë poeti.

Shkrimtarët si De Rada janë ushqim i përhershëm për shpirtin dhe ndërgjegjen kombëtare, sidomos në kohë të liga, kur kujtesa jonë tkurret dhe kur shqiptarët, me lehtësi dëshirojnë të harrojnë të kaluarën e tyre.

Veprat si ajo e De Radës, në kohë krizash të liga si kjo e jona, na duhen që t’i vaditim ndjenjat e thara atdhetare. Po ashtu, De Rada na kujton rolin e pazëvendësueshëm dhe të përhershëm të arbëresheve, që e mëkuan me dashuri gjuhën dhe letërsinë shqipe, për shekuj të tërë, duke u bërë kështu hallka ma e rëndësishme e identitetin shqiptar.

Botimi i veprës së tij, me rastin e 200 vjetorit të lindjes dhe botimi librit “Jeronim de Rada dhe shtypi shqiptar,1887-1994”, janë një ndihmesë e mirë për ta rinjohur dhe rilexuar autorin dhe mendimin letrar rreth tij. Shqiptarët, duhet ta vendosim emrin dhe veprën e këtij kolosi në piedestalin e vlerave më të larta të kulturës dhe të letërsisë shqipe. Sepse, kështu edukojmë dhe vaditim një brez të aftë me dashuri të mirëfilltë për gjuhën, kulturën dhe atdheun. Krejt shqiptarët duhet të përulen me admirim dhe dashuri para veprës së tij./KultPlus.com

Këto janë dy episodet e ‘Tom and Jerry’ që janë larguar për përmbajtje raciste (VIDEO)

Studio “Warner” ka vendosur që në koleksionin e tyre të DVD të filmave të famshëm vizatimorë “Tom & Jerry” të cilët për vite të tëra kanë argëtuar fëmijët dhe jo vetëm, të heqin dy episode.

Kjo për faktin se, përcjell Telegrafi, ato vlerësohen si politikisht jo korrekte, dhe se kanë shkaktuar reagim të zemëruar të admiruesve të filmave vizatimorë.
Nga aventurat “Tom dhe Jerry” thuhet se janë lënë jashtë dy episodet “Casanova Cat” nga viti 1951 dhe “Mouse Pastrimi” nga viti 1948, e cila, për shkak “qasjes” raciste – aty personazhet janë “bërë me ngjyrë”.

Por lidhur me këtë ndalesë ka pasur edhe kundërshtime.
Madje në rrjetet sociale, siç shtohet më tej, ka nisur edhe një fushatë që bën thirrje për kthimin e ndaluar të tyre./KultPlus.com


https://www.youtube.com/watch?v=dr5dg-KGw0c

Ilir Tafa në tepihun e kuq në Festivalin e Filmit në Sarajevë, me premierën e filmit “Zhaba”

Me regji të Elmir Jukic, mbrëmë në Festivalin e Filmit në Sarajevë është dhënë premiera e filmit “Zhaba”, film në të cilin luan edhe aktori shqiptar Ilir Tafa, shkruan KultPlus.

Ekipi i filmit ka parakaluar në tepihun e kuq të këtij festivali, ku më pas edhe audienca ka pasë rast të shoh këtë film artistik, i cili bazën e ka në një shfaqje teatrale, ku sipas medieve, shumë shpesh kur është dhënë kjo shfaqje përgjatë nëntë viteve nëpër teatro të ndryshme të ish Jugosllavisë, për shkak të emocioneve që kanë marë nga kjo shfaqje, një pjesë e publikut shumë shpesh ka harruar palltot, çantat dhe gjësende të tjera personale.

Dhe pikërisht në këtë shfaqje ka luajtur aktori shqiptar Ilir Tafa, tashmë i realizuar në film, që është në konkurrencë zyrtare të këtij edicioni./KultPlus.com

Tom Cruise plagoset gjatë xhirimeve të “Mission Impossible 6” (VIDEO)

Tom Cruise ka bërë një hedhje të rrezikshme gjatë xhirimeve të filmit “Mission Impossible 6”, ditën e dielë, dhe përfundoi duke u përplasur me taracën e një ndërtese.

Aktori 55-vjeçar është mbajtur nga një pajisje e posaçme ndërkohë që po bënte këtë hedhje nga një taracë në Londër, shkruan koha.net.

Një video e postuar në rrjetet sociale ka treguar Cruise teksa vuante nga dhimbjet dhe i gjithë stafi eshtë mbledhur rreth tij. Nuk dihet se cili është dëmtimi që ka marrë aktori por xhirimet janë ndërprerë përkohësisht./KultPlus.com

Miriam Cani me fotosesion të ri (FOTO)

Këngëtarja shqiptare Miriam Cani, e cila njihet për stilin e saj në muzikë, së fundi si duket ka realizuar një fotosesion, shkruan KultPlus.

Ajo nuk ka dhënë detaje se nga kush janë realizuar fotografitë, përpos asaj që shihet se Miriam Cani është e veshur me të bardha, dhe ashtu sikurse që është e veshur, i është përshtatur edhe ambienti ku edhe e ka realizuar fotografinë./KultPlus.com

Fotografi nga Eliza Hoxha, objekt i bombarduar në Kosovë në vitin 1999 (FOTO)

Këngëtarja shqiptare Eliza Hoxha një kohë të gjatë ia ka dedikuar edhe fotografisë,duke punuar në vitet e 90-ta, për mediume të ndryshme në Kosovë, shkruan KultPlus.

Përpos portreteve që i ka realizuar artistëve të ndryshëm, ajo ka realizuar edhe fotografi në vitin 1999, pikërisht në kohën kur edhe kanë përfunduar bombardimet në Kosovë.

Eliza Hoxha kishte shpërndarë një fotografi të realizuar në vitin 1999, ku tregon detajet se objekti i bombarduar është objekti i ish bankës ekonomike, sot objekti i kryeministrisë. Në foto poashtu shihet edhe këngëtari Naser Gjinovci./KultPlus.com

Ekspozitë me makina Old Timer, në Gjakovë (FOTO)

Në Komunën e Gjakovës, përgjatë fundjavës është organizuar një ekspozitë me makina klasike, të cilët i kanë prezantuar në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.


Organizatorë të kësaj ekspozite ishin “Old Timer Club Gjakova”, bashkë me Komunën e Gjakovës, ku pjesëmarrës ishin pronarë të makinave klasike nga e gjithë Kosova.

Ndërkaq, të pranishmit kanë pasur rastin që këto makina ti shohin për së afërmi, por edhe të bëjnë ndonjë fotografi me këto makina të veçanta./KultPlus.com

Minatori: Athua ëndërr ishe ti (VIDEO)

Grupi “Minatori”, njihet si një ndër grupet më të njohura në Kosovë, të cilët janë dalluar edhe për tekstet e këngëve, të cilat vazhdojnë të mbeten të paharruara për shumë adhurues.

Një ndër këngët e famshme të grupit “Minatori”, është edhe kënga “Athua ëndërr ishe ti”, mirëpo, grupi “Minatori”, është një ndër grupet që ka krijuar shumë hite për vitet e 80-ta, ku këngët e tyre kanë qenë hite në Radio Televizionin e Prishtinës.

Kurse këngët e këtij bendi që u patën shndërruar hite janë edhe “Molla me shërbet”, “Mihane”, “Të dua sa Kosovën”. Kurse, vokalist i kwtij grupi wshtw Naser Gjinovci/KultPlus.com