Posta e Kosovës lanson pulla postale me objekte të trashëgimisë kulturore të Gjakovës

Posta e Kosovës së fundi ka lansuar pulla postale me objekte të trashëgimisë kulturore të Gjakovës, shkruan KultPlus.

Në këto pulla janë përfshirë objektet më me rëndësi të kësja komune, por duke përfshirë edhe objekte të komunave të tjera./KultPlus.com

“The Other Side of Albanian Communism”, ekspozita e fotografëve të famshëm holandez

Ekspozita fotografike “The Other Side of Albanian Communism” (Ana Tjetër e Komunizmit shqiptar) mbledh bashkë fotografët e famshëm holandezë, të cilët kanë dokumentuar që të gjithë periudhën para dhe gjatë revolucioneve të ndryshme në vendet e ish Bllokut Lindor.

Ata kanë qenë dëshmitarë të momenteve historike, të tilla si krijimi në vitin 1980 i bashkimit polak të tregtisë, Solidariteti, në Gdansk; rënia e Murit të Berlinit dhe Revolucioni në Rumani, në vitin 1989. Gjithsesi, ata kanë kapur edhe momentet e zakonshme të përditshmërisë. Tërësia e fotove paraqet një pamje të paparashikuar dhe shumëplanëshe të Bllokut Lindor të asaj kohe.

Një pjesë e veçantë e ekspozitës i dedikohet punës së foto-gazetarit Piet den Blanken, i cili ka udhëtuar nëpër Shqipëri në vitin 1986, si pjesë e grupit të “shokëve të idealit”. Pavarësisht, ligjit që ndalonte kontaktet midis shqiptarëve dhe vizitorëve të huaj, si edhe ligjit që ndalonte realizimin e fotografive në rrugë, ai ia doli të bënte shumë fotografi të shqiptarëve dhe jetës së tyre të përditshme nën regjimin komunist. Ekspozita do të hapet më 17 gusht, ne ora 18:00, në Muzeun Historik të Tiranës./KultPlus.com

“Tirana MOVES” i Igli Mezinit po lëvizë edhe turizmin, të huajt interesohen për Shqipërinë

“Tirana Moves” po vlerësohet si një ndër projektet më promovuese të qytetit të Tiranës, video projekt që ka ndërlidhë vallëzimin, muzikën, dhe pamjet e shesheve të kryeqytetit shqiptar. Igli Mezini ka thënë për KultPlus, se tashmë ka marë reagimet e para edhe nga ndërkombëtarët, pasi që, pikërisht nga pamjet e kësaj videoje, ata tashmë kanë futur në listën e udhëtimeve edhe Tiranën.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: “Tirana MOVES” është video projekti më i ri që keni realizuar, duke ndërlidhë vallëzimin tuaj me bukurinë e qytetit të Tiranës, si erdhe deri te ky projekt?
Igli Mezini:
Gjithçka lindi shumë natyrshëm, duke e parë lëvizjen si një domosdoshmëri jetësore. Ne të gjithë lëvizim, dhe pse në drejtime e për qëllime të ndryshme. Duke shkuar në punë, në shkollë, në park, duke gatuar, duke u ushqyer e në gjithçka tjetër. Si artist nuk mund të mos vija re zhvillimin e transformimin e Tiranës në sheshe, rrugë, parqe.

Padyshim më është kthyer në një burim shumë të fortë inspirimi, që mendoj që të gjithë ne mund ta përdorim maksimalisht në çdo fushë të artit. Aty lindi dhe Tirana MOVES, një koncept artistik multifunksional të cilin vazhdoj ta zhvilloj në qytetin tim, në prejardhjen time, në kryeqytetin e të gjithë shqiptareve.

KultPlus: Janë pjesët më të frekuentuara të Tiranës që janë ndërlidhë në këtë video, përpos prezantimit artistik, shihet se video ka për qellim edhe promovimin e turizmit, keni marë ndonjë përshtypje në këtë drejtim, pasi që lansuat projektin?
Igli Mezini:
Ambienti është frymëzim i padiskutueshëm për një artist. Tirana MOVES, si edhe përkthimi i konceptit tim prezanton jo vetëm artin tim, por edhe Tiranën me lëvizjen e saj, me bulevardin e ri, me sheshin e ri, sixhaden tek sheshi Nënë Tereza, me instalacionin e quajtur Reja, gjithashtu në qendër të qytetit. Por, ndërsa gjuha ime e trupit përmes vendeve ku unë kërcej percjell mesazhe duke e përqafuar të bukurën dhe ndryshimin, fiton edhe Tirana. Indirekt ajo video i shërben edhe turizmit. Tani më këtë e kam fakt, pasi shume miq dhe kolegë të nacionaliteteve të ndryshme, jo vetëm më uruan për punën e bërë, por e kanë Tiranen në listën e destinacioneve që ata duan ta vizitojnë. Me përkrahjen e kryetarit të Bashkise së Tiranës, Erion Veliaj “Tirana MOVES” do të vijojë aktivitetin artistik me ide dhe qëllime të reja !

KultPlus: Duke pasë parasysh që ju jeni balerin me përvojë ndërkombëtare, dihet që edhe koreografinë e keni realizuar, por pjesa e videos nga kush u xhirua, dhe si vendosët për këngën që dëgjohet në sfond?
Igli Mezini:
Kam menduar të improvizoj e të bëj atë që ndjej në moment. Isha i sigurt që në hapësira të mëdha, si sheshet kryesore të Tiranës dhe spontaniteti im trupor do te ishin kombinimi perfekt që i përshtatet më së miri projekt-idesë time Tirana MOVES, kërcim konceptual minimalistik, që përcjellë ndjesi për shpirtin dhe revolucion për mendjen përballë realitetit, shoqërisë, ekonomisë, politikës, zhvillimeve të një sistemi në tërësi. Videoja është përgatitur me mjeshtëri nga dy djem të talentuar dhe të palodhur qe ndihmuan në një realizim sa me dinjitoz të videos. Muzika është zgjedhja ime, melodia, tingujt, fjalët kishin mbetur në memorien time që në momentin e parë që e dëgjova. Pata një lloj lidhje me të dhe sapo mu dha rasti e huazova për ta bërë timen, përmes lëvizjeve. Me siguri ju ka ndodhur edhe juve që një këngë të caktuar ta bëni tuajën edhe pse teksti thotë një gjë tjetër. May i have this dance? Një fjali që me përket! Unë e kërkova këtë dhe njerëzit ma besuan, e shijuan me mua, me uruan dhe presin më shumë nga unë.

KultPlus: Ju tashmë realizuat videon me Tiranën, po me qytetet e tjera?
Igli Mezini:
Plani im ishte që Tirana MOVES të lindte në Tirane, ku kam lindur edhe unë. Kjo dëshirë e madhe e imja, falë edhe mbështetjes së pakursyer të Bashkissë së Tiranës, e kryetarit Erion Veliaj u realizua me sukses. Kështu që në vijim, projekti do të rritet kudo, në çdo cep të Shqipërisë, edhe në Kosovën shumë të dashur për mua.

KultPlus: Po Kosovën e keni menduar si opsion?
Igli Mezini:
E si mundem te mos mendoj për Kosovën ? Kësaj pyetjeje do më duhet ti shmangem pak, por së shpejti do vij me një surprizë shumë të bukur ! Do kënaqemi të gjithë, jam i sigurt.
KultPlus: Dhe për videot e tjera, do të futet koreografi ndryshe, apo do të ndërrohen vetëm qytetet?
Igli Mezini: Për një artist është gati e pamundur ta sjellë të njëjtin art njësoj, me ndryshimin e vetëm vendndodhjen. Dëshiroj që çdo kërcim të jetë sa i ngjashëm dhe i ndryshëm nga njëra video në tjetrën. Kam disa ide se ku do të fokusohem në videot e radhës. Para se ta bëj këtë më duhet ta njoh atë qytet, të njihem me kulturën, zakonet, problematikat, të mirat e atij vendi, me pakënaqësitë e njerëzve dhe me revoltën e tyre të brendshme. Dua që të gjithë të gjejnë gjuhën e fjalës në artin tim. Konteksti i gjithçkaje që ndodh në një qytet të caktuar besoj do të jetë frymëzimi im parësor.

KultPlus: Dhe krejt për fund, sa do të zgjasë ky projekt i juaji dhe sa qytete keni ndërmend ti fusni në këtë projekt?
Igli Mezini:
Projekti im sapo ka filluar dhe po zhvillohet çdo dite me ide të reja. Është herët për të parashikuar një fund, nuk i preferoj “ndarjet”. Më pëlqen jetëgjatësia. Di vetëm t´ju them që do shihemi së shpejti ! /KultPlus.com

Igli MEZINI lindur me 6 korrik 1993 ne Tirane.

Studimet e para te shkolles fillore i kreu ne shkollen Naim Frasheri ne kryeqytet.
Nderkohe paralelisht ne moshen 7 vjecare nisi mesimet e para ne kursin e baletit prane Qendres Kulturore te Femijeve. Gjate ketyre viteve kercimi u kthye ne pasion dhe deshire,e fale mbeshtetjes se familjes endrra e tij u realizua per te qene pjese e Shkolles Profesionale Kombetare te Baletit ne Tirane. Per shtate vjet ne ate shkolle Igli u formua me nje baze te forte te baletit klasik. Nder vite Igli ka qene pjesmarres ne shume evente artistike te Shkolles se Baletit gjithashtu dhe ne Teatrin e Operas dhe Baletit.

Pas shtate vitesh studime prane Shkolles Kombetare Profesionale te Baletit ne moshen 18 vjecare Igli ben nje audicion ne nje nga shkollat me prestigjoze “Rosella Hightower” ne Kane te Frances. Audicioni rezultoi mjaft i suksesshem dhe Iglit i ofrohet nje burse studimi duke bere qe djaloshi 18 vjecar te niset drejt nje eksperience te re krejt i vetem por me nje enderr te madhe. 3 vite eksperience ne Kane i sherbyen artistit te ri per tu formuar e per te performuar neper skena te rendesishme te Europes, si Itali, Austri, Spanje, Turqi e te tjera vende. Duke mos harruar pjesmarrjen shume te rendesishme ne “Festival de Film de Cannes” ne vitin 2013 si pjese e trupes se kercimit ne hapjen gala me “The Great Gatsby” krah Leonardo Di Caprios, Lana del Rey, Baz Luhrmann, Florence and the Machine e yje te tjere te kinematografise boterore. Gjate 3 viteve ne Kane Igli preformoi si solist ne pjese te njohura te repertorit te baletit boteror.

Ne gusht te vitit 2014 Igli tenton nje tjeter audicion, kesaj rradhe ne Gjermani. Behet fjale per teatrin shteteror te Wiesbaden, i njohur per historine e sukseset qindra vjecare. Po ashtu dhe ky audicion perfundon me sukses ku Iglit i ofrohet nje kontrate si solist. Me nje axhende shume te mireorganizuar dhe me nje staff shume profesional arrin qe ne nje sezon te beje rreth 80 shfaqje te nje kualiteti shume te larte te standarteve boterore. Sezoni i ri sapo ka filluar ku mjaft surpriza priten per publikun artdashes.

Saimir Pirgu në koncertin Gala të Veronës

Tenori Saimir Pirgu rikthehet në Arenën e Veronës me koncertin Gala, Simfonia e 9-të e Bethovenit.
Nën drejtimin e mjeshtrit Daniel Oren, intepretimin e sopranos Erika Grimaldi dhe tenorit Saimir Pirgu, koncerti gala pritet të jetë një shpërthim vokalesh mbrëmjën e 15 Gushtit.

Pirgu është ngjitur në Arena di Verona edhe më parë me operan Don Giovanni. Në një intervistë për Opera Magazinë ai shprehet: “Simfonia e 9-të është një mrekulli kompozicioni dhe për ta përballuar kuarteti vokal duhet të shprehë maksimumin”. Quarteti vokal do të plotësohet edhe nga sopranoja kontralto Daniela Barcellona dhe baritoni Ugo Guagliardo, shkkruan atsh .

Sipas Opera Magazine, Saimir Pirgu është një nga yjet më të shndritshëm të panoramës lirike ndërkombëtare. Ai ka koleksionuar triumfe në teatrot dhe festivalet më të rëndësishme të botës.

Tenori shprehet se «Arena ështe një vend magjik me një atmosferë speciale, një teatër kaq i veçantë që nuk ka të dytë. Të këndosh në një hapsirë kaq të madhe dhe në qiell të hapur derisa zëri të arrijë tek publiku i qartë dhe i kthjellët kërkon energji për ti dhënë tingullit cilësi. Të këndosh nën yje në mbrëmjet verore rrethuar nga një publik shumë i madh në numer dhe pak hapa larg shtëpisë time është një përvojë unike që më bën krenar pse kam zgjedhur Veronën si qytetin ku jetoj” thotë këngëtari shqiptar.
Saimir Pirgu zoteron çmimin prestigjioz “Pavarotti D’Oro” marrë në vitin 2013, ndërsa në 2016 i është dorëzuar çmimi “Verona Lirica”./KultPlus.com

Lule Elezi performoi në Chopin Festival në Gaming të Austrisë (FOTO)

Ishte e vetmja pianiste shqiptare që mori pjesë në Festivalin e sivjetmë Chopin Festival në Gaming të Austrisë, që hapjen solemne e ka pas më 11 gusht, kurse është mbyllë në mbrëmjen e së dielës, shkruan KultPlus.

Pianistja Lule Elezi ka performuar në këtë festival, në të cilin për tri net rresht kanë performuar edhe instrumentistë nga vende të ndryshme të botës si: Austria, Gjermania , Franca, Polonia dhe Korea.

Vetë Lule Elezi ka thënë për KultPlus se në mbrëmjen e saj, ajo ka performuar vepra të njohura nga opusi krijues i kompozitorit botëror Frederic Chopin, duke zënë vend në mbrëmjen më romantike të këtij edicioni, pasi që, pianistja Elezi ka performuar në mbrëmjen “Nokturno nën dritën e qirinjve.
Ndërkohë, bëhet e ditur se mbrëmja ku ka performuar pianistja kosovare ishte përcjellë nga mysafirë të rëndësishëm, nga fusha e politikës, kulturës, ekonomisë…

“Ishte një emocion i veçantë, të performosh në mbrëmjen më romantike të këtij festivali, me të vërtetë ishte një kënaqësi e madhe. Duartrokitjet ishin aq të ngrohta, dhe, pikërisht prej kësaj pritjeje, dhe emocioni që dha performanca ime, po atë mbrëmje më është bërë ftesa për koncert recital në Vjenë të Austrisë”, ka thënë Elezi për KultPlus.

Chopin Festival organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare Frederic Chopin në Vjenë të Austrisë, kurse ky edicion është hapur nga presidenti i Shoqatës Chopin në Vjenë, Theodor Kanitzer. /KultPlus.com

Ogur i mirë për ekipin e filmit shqiptar “Dita zë fill”, fituesi i çmimit Oscar i shoqëron në Sarajevë

Ekipi i filmit “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit tashmë ka parakaluar në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Por jo të gjithë ekipet e filmave konkurrues kanë fatin që të shoqërohen edhe nga regjisor me çmimin Oscar, pasi që, Oliver Stone i nderuar edhe me çmimin e nderit “Zemra e Sarajevës”, ka shoqëruar këtë ekip të filmit, që po kryesohet nga regjisori Koçi.

Mbetet të shihet se si do të pritet ky film nga audienca e Sarajevës, por më e rëndësishme edhe se si po vlerësohet nga juria e këtij festivali, ku po garon edhe ky film shqiptar./KultPlus.com

Vazhdojnë traditën e të parëve, vajza arbëreshe me veshje tradicionale

Arbëreshët e Italisë po mrekullojnë botën me ruajtjen e kulturës së tyre, edhe përkundër faktit se tash e 500 vite janë duke jetuar jashtë trojeve shqiptare, shkruan KultPlus.

Pikërisht për specifikat e tyre, në ruajtjen e gjuhës, traditës e kulturës, së fundi është bërë edhe kërkesa që kultura e tyre të mbrohet edhe nga UNESCO.

Janë komuniteti më aktiv në Itali, të cilët shumë shpesh organizojnë edhe performanca në sheshe të ndryshme të Italisë, duke promovuar kështu edhe kostumet mbresëlënëse.

Në këtë foto shihen disa vajza të vogla, të cilat janë veshur me kostume tradicionale, dhe pa dyshim vihet në pah edhe bukuria e rrallë e tyre./KultPlus.com

Drejtpërdrejtë nga Sarajeva, Oliver Stone pranon çmimin e nderit të Zemrës së Sarajevës

Oliver Stone tashmë ka arritur në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ku edhe po nderohet me çmimin e nderit të Zemrës së Sarajevës, shkruan KultPlus, shkruan KultPlus.

Po në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe premiera e filmit shqiptar “Dita zë fill”, i Gentian Ko çit./KultPlus.com

Në eventin e madh “Teen Choice Awards 2017” në Los Angeles edhe dy këngëtare shqiptare

Kjo është hera e parë që një ngjarje kaq e madhe në nivel botërore të nis dhe të mbyllet me këngëtare shqiptare, shkruan KultPlus.

Me orën lokale të Los Angeles, prej orës 20:00 do të fillojë ngjarja me madhe e verës “Teen Choice Awards 2017”, ku në këtë ngjarje të madhe do të prezantohen edhe dy yjet botërore, Rita Ora e Bebe Rexha.

Rita Ora do të prezantohet me këngën “Your Song”, kurse Bebe Rexha me këngën “Back to you”.
Kjo është hera e parë që një ngjarje kaq e madhe në nivel botërore të nis dhe të mbyllet me këngëtare shqiptare./KultPlus.com

Filmi i Luli Bitrit “Water for the roses” në Slemani International Film Festival (VIDEO)

Me skenar dhe regji të Luli Bitrit, filmi “Water for the roses”, është në konkurrencë zyrtare në Slemani International Film Festival, në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtë, shkruan KultPlus.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktoret: Amelia Ndoni e Gora Bardho, kurse i njëjti film tashmë është shpërblyer edhe në Festivalin e Filmit Shqiptar në New York. Filmi është vendosur në vitin 1997 në Shqipëri, duke shpjeguar kështu jetën e vështirë të femrave, por duke vënë theksin edhe te migrimi./KultPlus.com

https://vimeo.com/222798205

Dua Lipa sonte me performancë në Indonezi

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa, pas paraqitjeve në Kore të Jugut dhe në Kuala Lumpur, sonte do të ngjitet në skenën e Jakarta-s, në Indonezi, shkruan KultPlus.

Vetë Dua Lipa ka njoftuar në rrjete sociale se është e lumtur që do të prezantohet sonte në Jakarta, sikurse që ka shkruar edhe për përvojën e saj në koncertet e fundit në Korenë e Jugut dhe Kuala Lumpur./KultPlus.com

Ekipi i filmit “Dita zë fill” u prezantua me konferencë në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Para dhënies së premierës së filmit të metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit, premierë që do të prezantohet sonte në Festivalin e Filmit në Sarjevë, ekipi i filmit i udhëhequr nga regjisori Gentian Koçi, dhe i shoqëruar edhe nga aktorët kryesorë, janë prezantuar në një konferencë shtypi po në këtë festival, shkruan KultPlus.

Filmi “Dita zë fill”, është një nga shtatë filmat e përzgjedhur që do të garojë në festivalin e filmit më të rëndësishëm të rajonit dhe një ndër më të rëndësishmit në Europë. Ky film është një bashkëprodhim shqiptaro-grek, prodhuar nga ARTALB FILM në bashkëprodhim me GRAAL.

Filmi “Dita zë fill”, është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Qendra Greke e Fimit, EURIMAGES, Radio Televizioni Shqiptar, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës si dhe SEE Cinema Netëork.

Wide është distributori ndërkombëtar i filmit, të cilin e kanë prezantuar si “special screening” në marketet e festivalit të filmit në Berlin dhe Kane.

Filmi bën fjalë për sfidën e Letës, e cila për të mos humbur vendin e punës, Leta, nënë e një djali njëvjeçar, mban në jetë me çdo kusht Sofinë, një grua të moshuar për të cilën ka pak kohë që kujdeset./KultPlus.com

Merita Halili rrëfen dhimbjen e madhe: Kam humbur babanë, vëllain, por ikja e…

Mbretëresha e muzikës popullore qytetare, Merita Halili, e ftuar në programin “Lart e Poshtë” në “RTSH1-HD”, ka folur për herë të parë për humbjen e nënës se saj dy vite te shkuara.

“Përpara nënës kam humbur vëllain, ai iku shumë i ri dhe nëna nuk mundi të duronte… E kam përjetuar shumë keq. Unë e kam humbur shumë e re babanë, por ikja e nënës ishte akoma dhe më e vështirë”, – ka rrëfyer Halili.

Ajo ka folur gjithashtu për projektet e reja, që shumë shpejt do të shohin dritën e publikimit. Bashkë me Meritën në studio ka qenë dhe bashkëshorti i saj, Raif Hyseni, ku nuk kanë munguar rrëfimet për veprimtarinë e përbashkët dhe historinë e tyre 27-vjeçare.

https://www.youtube.com/watch?v=q6SKtrp8E68

Sonte në Sarajevë, premiera e filmit shqiptar “Dita zë fill”

Gentian Koçi, duhet të jetë në ethet e premierrës, pasi që, pikërisht sonte audienca e Festivalit të Filmit në Sarajevë ka privilegjin që të shijojë rrëfimin e këtij filmi, shkruan KultPlus.

Filmi “Dita zë fill”, është filmi i vetëm shqiptar që është në garën zyrtare të këtij festivali, duke u përballë me regjisorë shumë të njohur, të cilët do të prezantohen këtë vit.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Kasem Hoxha, Hremes Kasimati, Adele Gjoka… Filmi “Dita zë fill”, do të shfaqet edhe të hënën, po në këtë festival./KultPlus.com

Veliu: Policia e Kosovës kërkoi largimin e flamurit nga shtatorja e Skënderbeut

Policia e Kosovës do duhej të ndërmarr masa ndaj atyre që e kanë dëmtuar dhe përdhos monumentin e kryeheroit kombëtar, dhe kurrsesi jo ndaj nesh, që me mjete personale rregulluam dëmtimet, ka thënë Tahir Veliu, kryetar i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, shkruan KultPlus.

Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar ka rregulluar disa shkronja dhe numra të monumentit të heroit Gjergj Kastrioti në Prishtinë, sikurse edhe kanë vendosur dy elemente tjera kombëtare, flamurin kombëtar dhe hartën e Shqipërisë së Bashkuar.

Dhe pikërisht kjo iniciativë nuk ka kaluar edhe pa ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, të cilët, kanë shoqëruar për në polici, kryetarin e kësaj Lëvizje, Tahir Veliun.
Mirëpo për ndodhinë e së shtunës, tashmë ka reaguar Tahir Veliu, i cili ka dhënë disa sqarime rreth nismës së LSHB-së për rregullimin e pllakës së Monumentit të kryeheroit Gjergj Kastriotit.
Ai nëpërmjet rrjetit social facebook ka shkruar në pesë pika , mbi inicativën për rregullimin e këtij monumenti.

1.Dëmtimet, qofshin ato nga faktori njeri apo natyror, ka afër një vit që organet kompetente nuk i kanë rregulluar, prandaj kemi ndërhyr ne.
2. Leja për rregullimin e asaj pllake, natyrisht që është kërkuar.
3. Acarimi i situatës së djeshmi erdhi pasiqë policia kërkonte largimin e menjëhershëm të flamurit nga pllaka dhe natyrisht kjo u kundërshtua nga anëtarët e LSHB-së dhe të pranishmit tjerë.
4. Policia e Kosovës do duhej të ndërmarr masa ndaj atyre që e kanë dëmtuar dhe përdhos monumentin e kryeheroit kombëtar, dhe kurrsesi jo ndaj nesh, që me mjete personale rregulluam dëmtimet.
5. LSHB mbështet shtetin e të drejtës, por kurrsesi nuk lejojmë dhunimin e figurave kombëtare dhe tendecat për deshqiptarizimin e tjetërsimin tonë kombëtar, ka shkruar ai në facebook./ KultPlus.com

37 vjetori i vdekjes së gjuhëtarit, Eqrem Çabej

Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Ai lindi më 7 gusht 1908 në Gjirokastër, ku mori dhe mësimet e para. Pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanalogji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës.

Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet Doktor në filozofi. Pasi kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjecar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabej u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Një rëndësi tepër të madhe ka puna e studimet e tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike. Disa nga veprat e tij janë Hyrje në Indoevropianistikë, Studime etimologjike në fushën e shqipes, Hyrja në historinë e gjuhës shqipe, Fonetika historike e shqipes, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Meshari i Gjon Buzukut, etj.

Në studimet e tij Eqrem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit. Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zenë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.

Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980. Vdiq në Romë më 1980. Universiteti i Gjirokastrës mban emrin Eqrem Çabej./KultPlus.com

Edi Mehana sfidohet edhe si regjisor, përfundon xhirimet e filmit “The Pride”

Aktori kosovar Edi Mehana, pas roleve të shumta në seriale dhe filma amerikanë, tashmë ka vendosur të sfidohet edhe prej një këndi tjetër, atij të regjisorit, shkruan KultPlus.

“The Pride”, është filmi i metrazhit të shkurtër që tashmë ka përfunduar xhirimet, ku për skenaristë, sipas njoftimeve të vet Mehanës, ka Virtyt Kelmendin e Edi Mehana.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Charles Tiedje, Dominic Capone, Doug Mcdade, Chris Maher, Gabija Guzauskaite, James Fuller, Kenny Lone Eagle, Harold Dennis, Luis Centeno e Edi Mehana./KultPlus.com

“Zâ Festival” sjellë katër artistë shqiptarë

Në ditët më të nxehta të vitit, nga kurora më e lartë e natyrës shqiptare, do të kumbojë muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit, shkruan KultPlus.

Më 26 gusht, edicioni i parë i Zâ Festival mbledh në Theth kantautorët më të mirë të muzikës shqipe: Elina Duni, Shpat Deda e Vlashent Sata do të performojnë në të parin festival që i dedikohet trashgimisë natyrore të Alpeve Shqiptare.

“Shpirti i Zâ Festival është i gjithë thesari gojor i “Bjeshkëve të Nâmuna”. Në skenën e festivalit, aktori i njohur edhe në nivel ndërkombëtare Arben Bajraktaraj do të na rrëfejë gojëdhënat, tregimet, legjendat dhe përrallat e moçme, si trashgimia më e vyer e paraardhësve tanë në këto vise”, thuhet nga organizatorët.

Ky festival premton të krijojë atmosferën e duhur për të shijuar traditën dhe natyrën e rrallë të Thethit. Një event që zhvesh nga harresa bukuritë e paçmuara të Alpeve. Zâ Festival, Theth, 26 gusht – Muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit. Festivali do të zhvillohet pranë Kishës në Theth.
Hyrja është e lirë për të gjithë pjesëmarrësit./KultPlus.com

Parfumi i dorëshkrimeve

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Prej vitesh, një nga dorëshkrimet që i reziston kohës dhe të gjitha transferimeve të mia banesore, është ai i poezive të Kavafisit, autor që sa herë kam nevojë për një rihyrje në vetvete, futem në dhomën e librave dhe e rimar. Ai është i printuar në letër rozë të ndezur vakët dhe në disa vende faqet janë egrasitur nga myqet e dyshemeve e mureve nëpër stinë.

Dorëshkrimet janë një jetë e padukshme, ato i shfaq publikimi, por jo të gjitha. Një pjesë e tyre mbeten të pashfaqshme për shumë vite; letrat marrin aromat e kohës dhe prekjet e gishtërinjve që i shkruan apo i takuan ato. Dorëshkrime të përgjumura mund të ketë në jetën e çdo njeriu. Në fakt ato janë aty për një zgjim të veçantë. Kanë mbetur të papublikuara pikërisht për arsyen e një zgjimi individual dhe jo kolektiv. Efekti i tyre ndihet sa herë që ripreken. Dikush mund t’i quajë kujtime, por kjo fjalë nuk thotë asgjë në të vërtetë.

Fakti që mbeten të pashfaqshme flet për një pris gjuhësor që nuk identifikohet lirshëm, që gjen pengim, qoftë dhe parehati, ndoshta dyshim, nga atutori apo mediatori që i shtiu në dorë.
Prej vitesh një nga dorëshkrimet që i reziston kohës dhe të gjitha transferimeve të mia banesore, është ai i poezive të Kavafisit, autor që sa herë kam nevojë për një rihyrje në vetvete, futem në dhomën e librave dhe e rimarr. Ai është i printuar në letër rozë të ndezur vakët dhe në disa vende faqet kanë egrasitur nga myqet e dyshemeve e mureve nëpër stinë.

Këtë dorëshkrim ma dha para shumë vitesh Aurel Plasari, përkthime të tijat këto poezi, kaq fine e të shkrira me fjalën, saqë me gjithë sqimtarinë që Aureli ushtron për frazën, në veprat e tij dhe në ato që përkthen, ky dorëshkrim të sjell kënaqësi të pafundme kur e lexon, si asnjë tjetër, madje edhe më vonë, një përfshirje thuajse shqisore me shpirtin e rrjedhshëm të Kavafit. Prej përkthimit fjala shfaqet e përsosur se u përputh shpirtërisht me atë të përkthyesit dhe kjo mund të përbëjë një rikrijim të veprës, siç është ky rast!

Epshet

Si trupa të bukur të vdekurish që s’u plakën
varrosur me vaje në mauzole të mrekullueshëm,
me trëndafilat te këmbët dhe jaseminë te kryet,
kështu ngjajnë epshet që shkuan e që vanë
kurrë pa u përmbushur, kurrë pa e mbërritur
një natë kënaqësie, një mëngjes plot dritë.

Zymni e Jasonit…

Të plakurit e trupit tim dhe të fytyrës sime
është plagë e një kame të tmerrshme.
S’kam kurrfarë rezinjate.
Te ti mbaj shpresë, Art i Poezisë,
që nga barnat diçka vesh merr,
nga mjetet për të trullosur dhembjen me fjalën e fantazisë.
Është plagë e një kame të tmerrshme.
Sillmë barnat e tua, Art i Poezisë,
Që së paku për një çast të mos ndihet plaga.

Shpresëhumbje

E humbi përgjithnjë. Dhe tani kërkon
në buzët e çdo dashnori të ri
buzët e tij, në kapërthim me çdo
dashnor të ri kërkon të rrejë veten
kinse është po ai, kinse i jepet po atij.

E humbi përgjithnjë, si të mos kish ekzistuar.
Se donte, i tha ai, të shpëtonte veten
nga damk’ e keqe e epshit të sëmurë,
nga damk’ e keqe e epshit të turpshëm.
ishte ende në kohë, i tha, për të shpëtuar.

E humbi përgjithnjë, si të mos kish ekzistuar.
Dhe në fantazinë dhe në kllapinë
në buzët e reja buzët e tij kërkon,
kërkon të ndjejë prapë dashurinë e tij.
(1923)

Disa poezi mbajnë vitin, disa jo. Trallisjen e ndjenjave e mbajnë të gjitha. Trishtimin për ndjenjat që nuk u bënë akt, trishtimin për aktet e mrekullueshme që nuk përsëriten më. Tushin e vetë akteve.
Dashuria fizike dhe bukuria, ndjenjat dhe prekjet e trupave, kanë kaq personalitet dhe janë të përshkrira në mjegullën e Kavafit saqë aty nuk hyn asgjë tjetër, nuk futet dot asgjë tjetër, nuk është e nevojshme fare tjetër gjë, ndoshta vetëm një shtrat, një kandil, një cep dhomë e panjohur. Kjo thjeshtësi e të perceptuarit me magjinë e një mjeshtri, të asaj që është gjithçka në jetën ndjesore, kënaqësia e shqisës nëpërmjet shijimit të vetes prej tjetrit, mungesa e turpit për ta thënë por jo e artit për ta bërë të pavdekshëm, e mbajnë këtë poezi të freskët e dehëse si verë e vjetër e ruajtur në qilarët magjikë të fjalës.
Më duket se ky dorëshkrim më është një dhuratë për të më kujtuar që jam. Pak libra ka në këtë botë që të tregojnë që je. Në literaturën shqipe shumë pak flitet për dashurinë, aq më pak për dashurinë fizike. Ndoshta dhe bëhet pak dashuri në këtë vend. Burrat nuk këndojnë dot apo shkruajnë për dashurinë pa ndier pengim. Ende nuk kemi një literaturë dashurie, dashurie në dy. Atë harrim fizik prej botës që ta jep tjetri me shpit e trup për t’ia dhënë edhe ti. Nuk dihet nga buron kjo ndrydhje. Por të tjerë kanë mundur ta mposhtin këtë ndrydhje e të shfaqen në literaturat e tjera të kulturave të tjera.

Një natë

E varfër dhe e pistë qe dhoma e gjumit,
fshehur mbi tavernën e dyshimtë.
Nga dritarja shihej rrugica
e ndyrë dhe e ngushtë. Që poshtë vinin
zëra punëtorësh
që shtynin kohën duke luajtur letrash.

Atje, në një shtrat të mjerë e rëndomqar
Shtiva në dorë trupin e dashurisë, zotërova buzët
epshërore e të kuqluara vere-
të kuqluara nga aq verë sa dhe tani
kur shkruaj, mbas kaq vjetësh
në shtëpinë time vetmitare, dehem përsëri.
(1915)

Thuhet se poezia e këtij autori u njoh shumë pak sa kohë ai ishte gjallë. Por ajo vetë të jep një impresion përfshirës të jashtëzakonshëm kur e lexon edhe tani. Besimi në mënyrën e të jetuarit, dhe perceptimi i lirë i asaj mënyre, për arsye të besimit, e bëjnë këtë poezi jo vetëm të mrekullueshme por edhe eternale e të thjeshtë.
Nga buron fuqia për të besuar perceptimin tënd dhe për t’iu dedikuar atij? Edhe kjo mbetet një pyetje e mistershme. Por vetë besimi te perceptimi dhe dedikimi ndaj tij, për ta bërë shenjë të pashlyeshme në poezi, sidomos kur është ndjenjë dashurie e mishi, ndërtojnë atë botë embrionale që na kujton të gjithëve jetën intime me dëshirat tona më të thella, rreth të cilave rrotullohet si metaforë gjithë bota e përditshme e madhe civile me zhurmën arrogante të saj pa kuptim dhe smogun altern.

…Refuzimi i madh

Vjen një ditë për disa njerëz
kur duhet të thonë Po-në e madhe a Jo-në e madhe.
Shfaqet shpejt kush ka përbrenda
Jo-në dhe e thotë dhe vijon
përpara me nderin dhe bindjen e vet.
Kush tha Jo, s’pendohet. Në e pyetshin sërishmi
thotë dhe një herë. Por ajo Jo-legjitime-
për gjithë jetën e ka zënë rob.
(1901)

Në Prizren, personat me sindromën Down do të gatuajnë dhe pikturojnë

Down Syndrome Kosova në Prizren është nikoqire e ngjarjes “Pikturë, gatim, integrim social”, ku të pranishmit do të kenë rastin që për së afërmi të shohin shkathtësitë e personave me sindromën Down në gatim e pikturim, shkruan KultPlus.

“Bëhuni pjesë e përpjekjeve tona për integrim social të personave me sindromën Down. Veç tjerash do të keni mundësinë të shijoni artin dhe gatimin e tyre”, thuhet në njofimin e organizatorëve, të cilët njoftojnë se kjo ngjarje do të mbahet të martën në qendrën Down Syndrome Kosova në Prizren.

Ky aktivitet do të mbahet të martën, prej orës 12:00. Ky aktivitet i qendrës së DSK në Prizren organizohet në mbështetje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal/KultPlus.com

Analizohet rasti më i vjetër i faraonit gjigant

Ekipi i Francesco Galasi, në Universitetin e Cyrihut (UZH), u përqendrua në rastin e Faraonit Sanakht, eshtrat e të cilit u gjetën në vitin 1901 në nekropolin Mastaba K2, pranë Beit Khallaf, Egjipt.

Kërkuesit, në Cyrih, i kanë analizuar kockat që mendohet të jenë të Faraonit Sanakht (rreth 2.650 para Krishtit.). Ky mund të jetë rasti më i vjetër i dokumentuar për gjigantizmin, sipas punës të publikuar në revistën “Lancet – Diabetes & endokrinologji”.

Gjigantët kanë një vend të dukshëm në mitologjinë e popujve të ndryshëm. Ne tani e dimë se gjigantizmi zakonisht rezulton nga sekrecion i tepërt i hormonit Somatotropin, gjatë moshës në rritje, kryesisht për shkak të një tumori të hipofizës.

Ekipi i Francesco Galasi, në Universitetin e Cyrihut (UZH), u përqendrua në rastin e Faraonit Sanakht, eshtrat e të cilit u gjetën në vitin 1901 në nekropolin Mastaba K2, pranë Beit Khallaf, Egjipt. Mbretërimi i tij është i dokumentuar dobët, dhe kishte dyshime në lidhje me atribuimin e eshtrave; ai mund të jetë një zyrtar i lartë.

Në çdo rast, sipas studiuesve, eshtrat e gjatë të duarve dhe këmbëve tregojnë një madhësi mbi mesataren, vlerësuar në 1.87 metra. Faraonët janë ushqyer sigurisht më mirë se populli, por madhësia e tij mbetet e pazakontë, shkruajnë shkencëtarët në Cyrih.

Lartësia mesatare e meshkujve në atë kohë ishte në mes të 1.65 dhe 1.68 metra, njofton albinfo.ch. Prandaj, madhësia e Sanakht-i tejkalon bashkëkohësit e tij me 20 centimetra. Asnjë mumje tjetër mbretërore egjiptiane nuk plotëson kriteret e gjigantizmit.

Sanakht do të jetë rasti më i vjetër regjistruar me këtë patologji. Ai nuk vuante nga ”acromegaly”, thonë studiuesit në përfundim, me që nuk kanë zbuluar ndonjë deformim tipik të kafkës që është tipike e çrregullimit hormonal. Një rast i acromegaly-së 10.000 vjet i vjetër është dokumentuar në rajonin e sotëm New Mexico, në SHBA.

Ermonela Jaho edhe në Buenos Aires

Sopranoja shqiptare sapo ka njoftuar se tashmë e pret një ngjitje e re skenike, shkruan KultPlus.

Pas suksesit të madh në Spanjë, ajo do të prezantohet edhe në Argjentinë, përkatësisht në Shtëpinë Operistike të Buenos Aires, e cila do të paraqitet me shfaqjen opersitike të Verdit “La Traviata”.
Ermonela Jaho në këtë vend do të prezantohet në katër paraqitje, duke përfshirë datat: 12, 15, 17 dhe 19 shtator./KultPlus.com

“Edhe unë jam një vepër arti”, tashmë edhe në çantën e ideatores Soela Zani

11 fëmijë me sidnromën Down, përgjatë vitit 2014 ishin vënë në fokusin e fotografes Soela Zani, e cila nëpërmjet këtyre fëmijëve, kishte rikrijuar kryeveprat botërore, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë që ishte hapur fillimisht në Tiranë, më pas për tu prezantuar edhe në ballon presidenciale, në atë kohë me president Bujar Nishani, e më pas për tu prezantuar edhe në Itali, kishte marë edhe vëmendjen e medieve prestigjioze, duke shkruar kështu për punën e fotografes Soela Zani, e cila këtë projekt e kishte titulluar “Edhe unë jam një vepër arti”.

Dhe krejt tashti, fotografja shqiptare ka vendosur që këtë projekt që e kishte punuar me aq përkushtim ta ofrojë edhe më afër vetës, duke printuar njërën nga këto fotografi në një çantë dore.
Vetë Soela Zani ka treguar për këtë projekt, e cila me dashuri është shprehur se tashmë ka një çantë të personalizuar./KultPlus.com