Përse mendohen këto male të larta, Ndërsa dielli tutje perëndon në xhade? Një malësor ecën buzë mbrëmjes, Pushka e gjatë Me qindra kilometra hije lëshon mbi dhé.
Vrapon hija e pushkës, Pret male, fusha, fshatra; Hija e tytës lëviz shpejt në muzg. Eci dhe unë në një pllajë të pjerrët Me një mendim në kokë Diku.
Hija e mendimit dhe hija e pushkës Kryqëzohen e përplasen në muzg.
2
Kështu ke ecur gjithmonë, Shqipëri, Mbi këmbët e gjata, Me një pushkë të gjatë. Ecje dhe s’dije ku veje ti Drejt një mëngjesi plot re e mjegull, Të hirtë e të turbullt, si e linte nata.
3
Tokën kur e gërryejnë rrebeshet, I dalin rrënjët rrëpirave, Ashtu ta gërryen trupin tënd shekujt Gjersa të dolën dejtë e brinjët. Dej, dej dhe brinjë, Vetëm shkëmbinj, gurë e male, Pak fushë, O, sa pak fushë, Shekujt të lanë! Shekujt si qentë të kafshuan, Ku mundën të të hanë.
Mes tyre tek shkoje, Ata të suleshin, Dhëmbët e kohërave Në ije të nguleshin, Po ti nuk ktheheshe, Po ti s’përkuleshe.
4
Nga supet Pushkën e gjatë s’e hoqe kurrë, Nga supet e tua plot plagë, Nga supet kockë e lëkurë.
Bukën e ngjyeje me shëllirë, Shëllirë dhe misër përnatë, E ruaje atë pak yndyrë, Oh, atë yndyrë të paktë, Për mikun dhe pushkën e gjatë, Për të lyer pushkën e gjatë!
Se gruaja lindte fëmijë, Por pushka lindte krisma, Dhe për shqiptarin ishin Po aq të shtrenjta të dyja: Dhe krisma dhe fëmija.
Fëmija do lëronte nesër me parmendë Dhe do ta mbronte netëve krisma. Mbi supet e Shqipërisë kohërat krisma hidhnin, Ashtu si mbi supet e nuses orizin.
5
Në këmbët e maleve shtriheshin fushat, Të urta si gratë, si gratë kokulura. Ç’të gatuanin fushat për gjigantët e uritur? Mbi fushë era vërshëllente “u”, Shtriheshin duajt e rrallë sipër tyre Si të vrarë, përmbysur aty-këtu. Ndaj malet bubulonin e lëshonin tatëpjetë Gurë e përrenj plot sherr e poterë. Ato, kokulurat, gjithçka duronin Duke ëndërruar tjetrën verë.
6
Ta tretën trupin rrebeshet, ethet, malarja; Të shurdhuan veshët Priftërinjtë dhe hoxhallarët, Dhe, si Saturni, Bijtë e tu i haje me gjakmarrje Dhe bekonin gjakmarrjen Minaret dhe kambanaret.
7
Kontaktet e tua të para me shpikjet, Me të rejat teknike të qytetërimit, Ishin markat dhe kalibrat e rinj të armëve, Që provoheshin në gjoksin e rreshkur plot brima.
Dhe pas luftërave mbeteshin varre malësorësh të vetmuar; Murana të trishtuara. Emra njërrokësh, Gjer vonë Një grumbull gurësh Dhe, në vend të luleve, Te koka një këngë monotone. Ngritur nga fisi i tij Një këngë monotone. Dhe tretej pranë gjymtyrëve të gjata Pushka, pushka e gjatë. Dhe pas gjymtyrëve të gjata Tretej emri i shkurtër, I binin rrokjet, Si boçet e pishës në shi, Dhe, pas të gjithave, E fundit tretej kënga, Kënga monotone e fisit të tij.
8
Dhe Shqipëria prapë strukej në kasolle, Në netët e saj të zeza mitologjike; Në ca tela lahute kërkonte të thoshte diçka Nga shpirti i pakuptueshëm i saj. Nga zërat e brendshëm, Që buçisnin shurdhër thellë tokës epike.
Kërkonte të thosh diçka, Po ç’mund të thoshin vallë Tre tela nën pesë gishta, që dridheshin prej urisë?
Duheshin qindra kilometra tela Dhe miliona gishta Për të thënë shpirtin e Shqipërisë!
9
Po ta vrisje në një breg, Në tjetrin dilte, Sikur mbinte nga toka, Shqiptari i thatë Dhe, përmbi trup, Si shtesë e hekurt, I rritej e zezë Pushka e gjatë.
Me të në krah, Në male e fusha Endej ai në këto vende. Më të gjatë shtatin ia bënte pushka, Megjithëse shpesh jetën më të shkurtër ia bënte.
10
Netët pillnin mëngjeset, Të turbullta, të hirta; Ditët mallkonin netët, Netët ditët. Shqipëria, nga ashpërsi e saj, Pillte fëmijë të bukur, Duke vënë në çdo fëmijë Një ëndërr, një shpresë, Gjinjtë e saj të shteruar duke ndukur; Pillte Shqipëria, Pillte ushtarë, Që vdisnin pastaj rërave të Saharës, Duke kënduar këngën e Urës së Qabesë.
11
Bijtë që dërgove qyteteve të Europës, Që njohën gëzimet e huaja, Erdhën një nga një, Duke gjetur n’atdhe trishtime, Re të ngarkuara me shi të verdhë. Monarkia si gurëthyese u thyente ëndërrimet Erdhën. Me valixhe plot iluzione Nën hije të minareve, të manastireve, U endën në vjeshtra deziluzionesh, Gjersa në gji toka i mori prapë, I kalbi nën këmbët monotone të shirave.
Frutat e hershme e kanë çmimin të shtrenjtë, Por frutat e hershme i rrëzon shpesh ngrica, Ato Shqipëria i futi prapë në gji. “Është herët”, tha, Duke vështruar agimin e zymtë. Dhe prapë u përkul mbi parmendë të lërojë, Duke mbjellë në brazda të gjata lotët e saj të athët, Nën një qiell të zi e të pafund injorance Mbillte lotët e saj Për furtunat dhe rrebeshet e ardhshme.
12
Himnizonin poetët zanat dhe shtojzovallet, Por ato qëronin morra ndanë ujërave, Zanave, shtojzovalleve u dilnin kokallat, Shtriheshin për lekë prapa shkurreve.
Ndonjëherë qëllonte që i braktisnin Zanat e shtojzovallet bjeshkët epike, Në lokalitete Një nga një zbrisnin E një nga një futeshin Në shtëpitë publike. Në shtëpitë publike, që u qepeshin maleve Mbi shpinat e lodhura Si plagë, Si tallje.
13
Në pallat mbreti Zog jepte ballo përnatë Buzëqeshnin princeshat, Vallëzonin çengitë; Në qelitë e qeta të manastireve të ftohta Bënin studime për sufikset priftërinjtë.
Në kafe “Kursal” Orkestrat binin, Lyheshin me pudër damat e plakura, Ndërsa Shqipëria lehonë Dështonte ditët Në pelena resh të përgjakura.
14
Pati njerëz që deshën t’i tërheqin malet Si kuaj të bindur për kapistalli, Dhe i tërhoqën një copë udhë, Porse në terr e humbën udhën. Vinin vargmalet e tmerrshme vërdallë Nëpër natë e mjegull, Të verbra, Të frikshme.
Si të trembura me klithma të lashta, tragjike, Hingëllinin nëpër ëndërr malet kreshnike.
15
Përse mendohen këto male të larta, Këto enigma me kurriz që zgjaten jug-veri? Vazhdoj udhën time Nën hijen e pushkës së gjatë; Kjo pushkë e gjatë: Leva e Arkimedit për ty, Shqipëri.
Nëpërmjet shënjestrës së pushkës së tij, Shqiptari vështronte horizontet dhe kohët, Vërshëllima e vetmuar e maliherit të tij I detyronte shekujt të ulnin kryet.
Kjo tyta e pushkës Mbi shpinë të shqiptarit Si një eshtër e gjatë, e mprehtë ka mbirë, Mbi kurriz e ngulur nga fati i vështirë, Vazhdim i shtyllës së tij vertebrale, Kjo e hekurt, e tmerrshme gjymtyrë, Atavizëm krenare e kohëve të para.
Me këtë fat mbi shpinë të tij Mes shekujve ka lëvizur i patrembur shqiptari, Duke shkelur me opingën e lashtë të tij Këtë tokë të stërlashtë me të gjyshërve varre.
Këtë tokë që më shumë heroizma sesa grurë Ka prodhuar gjatë shekujve, Këtë dhé… Ja përse mendohen këto male të larta, Ndërsa muzgu po bie tutje në xhade.
Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës është pasuruar me mbi 60 vepra të reja nga 40 artistët e përzgjedhur përmes thirrjes së këtij viti për blerjen e veprave, të cilët kanë filluar dorëzimin e veprave në GKK.
Me një fokus të fortë në diversifikimin e koleksionit dhe duke përfshirë artistë dhe mediume të nënpërfaqësuara dhe të reja, blerjet e fundit përfshijnë vepra si nga artistë të njohur ashtu edhe në zhvillim dhe mbulojnë një gamë të gjerë te temave dhe mediumeve që variojnë nga skulptura dhe piktura te video dhe instalimet, punimet në letër, grafikat, fotografia, zëri dhe tekstili.
Këto vepra shihen si një mundësi për ta bërë koleksionin më të larmishëm, për të adresuar boshllëqet ekzistuese dhe për të prezantuar narrativa të reja që forcojnë veprat historike brenda koleksionit kombëtar.
Komisioni i jurisë profesionale për këto blerje është përbërë nga kuratore të shquara, përfshirë Övül Ö. Durmusoglu, kuratore, profesoreshë, HBK Braunschweig (Bashkëkuratore, Autostrada Biennale), Hana Halilaj, kuratore, Galeria Kombëtare e Kosovës, Joanna Mytkowska, Drejtoreshë e Muzeut të Artit Modern në Varshavë, Cathrine Nichols, kuratore, Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenwart (Kuratore në Manifesta 14), dhe Eriola Pira, kuratore dhe drejtoreshë e programeve, Vera List Center for Art and Politics, The New School./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora do të performojë në një nga ngjarjet më të mëdha në nder të festës së “Vitit të Ri” që organizohen në “Times Square”
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora do të performojë në një nga ngjarjet më të mëdha në nder të festës së “Vitit të Ri” që organizohen në “Times Square” të New York-ut.
Lajmin e ka bërë me dije vetë ylli i popit, e cila shkruan se ndihet e nderuar që do të performojë në “Rockin Eve”, teksa do të shfaqet edhe në rolin e prezantueses, krah personazhit të famshëm televiziv amerikan, Ryan Seacrest.
“Është nder të jem bashkë-prezantuese e mbrëmjes së Vitit të Ri ‘Rockin Eve’ me Ryan Seacrest drejtpërdrejt nga ‘Times Square’”, shkroi ajo në X./ KultPlus.com
Kontributi i skulptorit Luan Mulliqi është i madh në fushën e artit dhe të nivelit akademik, dhe vdekja e tij padyshim që ka lënë një zbrastësi të madhe te komuniteti artistik, edhe përkundër faktit se gjurmët e tij artistike janë kudo dhe në vende shumë të spikatura.
Dhimbjen për humbjen e Luan Mulliqit së fundi e ka shpreh edhe bija e tij Luriana Mulliqi, e cila nëpërmjet një shkrimi ka potencuar rolin e tij si baba dhe si artist, duke kujtuar edhe veprat e tij artistike, duke përfshirë edhe bustet e figurave të njohura që kanë dhënë kontribut të madh për bërjen e shtetit të Kosovës.
KultPlus ju sjell të plotë letrën e hapur të Lurianës.
Me mungon, Bab!
40 dite pa Ty, si 40 vite.
Nuk di prej nga te filloj te shkruaj per ty, Bab! Po filloj prej fjaleve qe s`i thash kurre e qe gjithmone kom dashte me t’i thone.
Shume e shume vepra i ke lene ketij vendi e sa here dal ne qytet e ndjej prezencen tende me shume se kurre. Nisem per ne zyret e Rilindjes e me del perpara Ti permes Ismail Qemalit. Rruges te gjej permes bustit te Madeline Albright, Bob Dole, e Fehmi Aganit. Sa here me merr malli per ty eci rrugeve te Prishtines e te shoh ty. Shkoj ne atelene tende e ta ndjej prezencen me shume se asnjehere permes Balerines e Hasjanes, Skenderbeut e Isa Boletinit e shume shume veprave tjera qe iu dhe jete! Veprat e mija te preferume i kam vendos ne dhomen time. Nenen Tereze ne te majte te shtratit tim, permes se ciles cdo mengjes lutem per ty e qe shpirti yt i bardhe te gjeje paqe e qetesi kudo qe eshte, ndersa Feniksin e kam ne anen tjeter, permes te cilit lutem per ne qe dhimbjen e madhe dhe hirin e merzise se shpirtrave tona te djegur ta kthejme ne force, te ringritemi e te behemi edhe me te fuqishem, e me krenar qe patem nje babe si TI.
E zhytur ne mendimet e kujtimet per ty, rrugen e vazhdoj ne kahje te Fakultetit te Arteve e Galerise Kombetare te Kosoves, shtepine tende te dyte, ku sherbeve 10 vite pa e kursy vetveten. Prej aty vazhdoj per te Akademia e Shkencave dhe e Arteve e mezi marr forcen te hy ne sallen kryesore ne te majte. Me duket qe te degjoj zerin e te shoh neper salle duke u siguru qe cdo gje po shkon sic duhet, ashtu sic beje Ti ne evenimentet qe organizoje aty. E shoh hijen tende duke levize neper salle. Hy ne zyren tende ne ASHAK e me merr malli edhe me shume per ty, sepse ndjej eren tende ende prezente, por ty te gjej vetem permes Monografive tua ne rafte.
Bab, sa here qe ta kaloj kufirin me Shqiperine do ta kthej koken ta shikoj skulpturen tende te Nene Terezes qe del nga toka si shigjete me duart drejt qiellit. Me duket sikur ben lutje qe te mos kete me ndarje mes shqiptaresh, te mos kete me kufi! Me pamje nga Nena Tereze do t’i recitoj vargjet e tua te preferuara (te gjyshit tim) “… aty ne Qafthane, aty ne Qafthane, ndahet Shqiperia nga Shqiperia…” e do te lutem per ty, per ne, e per fatin e popullit tone! Sa fuqi ta jepin veprat tua! Sa strateg ke qene ne diplomaci kulturore!
Ke lene vepra kudo ne Shqiperi, Kosove e pertej kufijve por kryeveprat i bete bashke me Mamin. Me ke konsideru e trajtu si kryvepren tende te pare e te madhe. Ashtu sic ke gdhend skulpturat tua me butesi, durim, dhe kembengulje, deri ne perfeksionizem, ashtu gdhende sukseset dhe personalitetin tim, e jetes time i dhe kuptim, shpirt e gjalleri njejte si veprave tua. Me mesove me besu ne vete e me qene e pavarur qysh ne moshe shume te re dhe vendimet e jetes time me lejove t’i marr vet, por gjithmone duke me shiku e analizu nga larg, pa u imponu, tamam ashtu si shikohet e adhurohet nje kryeveper! Krenoheshe shume me sukseset e mija e gjithmone me thoshe “mencuria e babes je ti”. Kete ja kishe percjell edhe kolegeve tu te Akademise, te cilet vazhdimisht me tregonin se ju kishe fol shume per mua, e une mezi iu permbahesha loteve.
Si femija i madh ne familje me mua ke pas nje raport te vecante. Kete raport bab-bije e shprehje gjithmone me krenari tek familjaret e miqte e tu, dhe siguroheshe qe te tjeret te ishin koshient qe per ty isha e vecante. Me ke vlersu e adhuru ashtu si adhurohet nje kreyveper. Cdo gje qe beja une ty te dukej e perkryer. Kishe deshire qe une me qene si Ti e kete e shprehje haptazi. Mbas cdo ekspozite ose interviste kerkoje mendimin tim. Ke qene baba i devotshem dhe e ke cmu familjen shume.
Veprat tua e artin tend jo cdokush e kupton. Shija jote e holle ka kalu kufinjte e asaj tradicionales ku skulpturat tua metaforike, ne te cilat integrohen detaje
e simbole, thone shume. Ke qene nismetar i zhvillimit te diplomacise kulturore, trashegemise kulturore, pranimit te Kosoves ne Unesco, themelimit te politikave te Ministrise se Kultures e shume projekteve te tjera. Me ore me flisje per rendesine e diplomacise kulturore dhe brengen qe kishe per vemendjen e pakte qe po i ipej nga kreret e vendit tone, te cilet edhe sot kane mangesi rreth kuptimit te drejte te ketij nocioni.
Do te me mungojne ekspozitat, premieret e shfaqjeve e bisedat konstruktive me ty. Qysh ne adoleshencen e hershme ma mesove kulturen e debatit dhe artin e komunikimit. Ndersa ne femijeri, ende pa fillu shkollen, me ke mesu si kapet brusha e si perdoren ngjyrat. Cdo here ma ke potencu talentin e sidomos koheve te fundit insistoje shume, qe perpos profesionit, edhe talentit tim t’i kushtoj me teper rendesi. Kishim shume plane bashke.
Naten e pare kur u ktheve nga NYU H. me the “ shume je e forte, nuk njoh njeri ma te forte se ti”. U ktheva nga Ti e u pergjigja duke qeshe “t’kom ngja ty”. Javen e fundit te jetes, insistove “ulu veç nje minut qetu,” e fillove me m`i kujtu shume gjana nje nga nje. Fillove me m’i numru sakrificat, qe i kisha kalu
si femija me i madh i familjes. Sjelljet jodinjitoze te disave, qe asesi nuk donin te punonin me veten e tyre, po na bezdisnin mua e ty sepse gjithmone kishin vendos veten ne plan te pare. Ti m`i numerove edhe pse une mendoja qe ti nuk ishe koshient . Ti i kishe pa te gjitha, Bab. I kishe verejte te gjitha edhe kush te kishte qendru afer e kush jo. Ma shprehje vazhdimisht mirenjohjen e vleresimin per menyren e hijshme, te drejte, etike dhe te qendrueshme qe kisha treguar perballe situatave.Te mundonte mendimi qe koheve te fundit shume deshira e plane i kisha lene anash, “jepi vetes prioritet ” me the. Ti kishe qene ne dijeni rreth planeve e deshirave te mija dhe u shprehe falenderues ndaj meje per perpjekjet e mundimet e mija per ta balancu kohen mes familjes dhe qellimeve profesionale . M`i dhe disa porosi e keshilla shume te forta qe s’do t’i harroj kurre.
Ate nate vazhdimisht e shprehje vleresimin tend se si sprovat qe sjell jeta i kisha kaluar me un te farte e pa u nenshtruar. Kishe qene koshient per ata qe kishin perfituar nga toleranca e mirekuptimi im. Madje kete nuk hezitove te ma perserseritje disa here mua por edhe atyre haptazi. Te vinte keq qe nuk me kishe mbrojt me teper e me the “I ke mendimet e thella, edhe i thu troç. Kjo ka me te kushtu ne jete. ”
Ishe shume i vemendshem, Babi. Ndonese ne heshtje Ti kishe vezhgu me kujdes qendrimin tim dinjitoz perballe provokimeve. Rrugen e suksesit e njihje shume mire, Bab dhe e dije mire se sukseset e mija nuk do te vinin lehte. Ma shprehje vleresimin qe ne asnje menyre une nuk i nenshtrohesha askujt pavaresisht pasojave. Me asnje cmim kurre nuk i theva principet e mija, sepse kete ma mesove Ti. Ta kom dashte shume ate shpirtin rebel kur dikush mundohej t’i thente parimet! Rebeloheshe shume!
I ke njoft ambicjet e qellimet e mija ma shume se cdo kush tjeter. Te dyte kemi pas etike dhe disipline te forte ne pune. Here pas here me ke kritiku qe po punoj ose mesoj shume e qe duhet te kujdesem me teper per veten. “ Mos e jep kaq shume veten mbas punes,” por une nuk dija ndryshe se gjith jeten te kisha pa ty duke punu ashtu. Per ata qe ju pengonte ambicja, disiplina, e principet e mija ti ndije keqardhje. Mbase ndiheshin te pasigurte perball meje apo kishin nevoje te punonin me veten e tyre. Ndoshta ju pengonte qendrimi im, vendoshmeria, e uni i forte dhe perpiqeshin qe autoritetin e respektin ta merrnin me force, pikerisht per arsyjen qe nuk isha lajkatare ndaj tyre. Sa perpjekje per te me nenshtruar mua, dikur edhe ty, por ishte perpjekje e kot. Besimi i plote qe kishe ne mua me bente shume te forte por edhe shume me te pergjegjshme.
Bab, semundjen e luftove me hir e me pozitivitet deri ne momentet e fundit. Dy muajt e fundit te jetes tende qe i kalova prane teje, mbeten mesimi me i rendesishem se si luftohet pa u tremb, me shume kurajo, pa iu dorezu asnihere dhimbjeve te forta qe ta kapluan trupin. Vdekja jote beri shume buje e familjaret, shoket e populli yt po e vuajne humbjen tende. Sa e sa njerez na kane fol fjale te mira per ty! Sa e sa njerezve ju kishe ndihmu bre Bab! Kurre s`e ke permend, kurre! Dhe kjo tregon shume, tregon se para se me qene artist, ke qene njeri mbi te gjitha. Ishe shume i dashur, tolerant dhe gentleman me plotkuptimin e fjales.Sharmin dhe humorin e kam trasheguar nga ti por edhe thellesine dhe mendimin kritik.
Babi, ne momentet e minutat e fundit te jetes ata syte e tu te kaltert si qielli, s`do t’i harroj kurre. Syte e tu mbeten me shikim nga une deri sa i mbylle pergjithmone. Ate shikim ta njoh shume mire. Eshte shikimi qe thote: vazhdo aty ku e kam lene e une do te te shikoj nga lart. Sa here ndihem e dobet, e kujtoje ate pamje, e cdo dhimbje shenderrohet ne krenari dhe marr forcen per te vazhdu!
Ndonese nuk je fizikisht me ne Ti do jetosh pergjithmone permes veprave tua! Gjeneratat qe do te vijne, do te pyesin per ty, per veprat tua te shkrira ne bronze qe vulosin historine tone si popull. Ke lene nje trashegimi te pasur artistike por mbi te gjitha na le neve, mua vajzen tende te madhe, qe te kujton cdo dite e mundohem te te perfaqesoje denjesisht qe te bej krenar ty! Por qe te perfaqesoj ty eshte e veshtire dhe pergjegjsi sepse ke qene jo vetem i yni por i gjithe Kosoves.
Babi, kam qene dhe mbetem e privilegjuar qe jam vajza jote. Fale mbështetjes dhe inkurajimit tend jam kjo qe jam sot. Na le atehere kur na duheshe shume. Ishe shtylla e shtepise tone dhe nuk e di ku ta gjej forcen te jetoj pa butesine dhe mbrojtjen qe pata nga ti. Ke qene e do te mbetesh inspirimi e dashnija por edhe dhimbja ime ma e madhe ne jete.
Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.
Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se këto kanë qenë rezultate të pritshme duke pasur parasysh problemet me mësimin gjatë pandemisë.
“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.
Edicionin e tij të gjashtë, projekti magjik i Prishtinës “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, e që sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, mbrëmë e shënoi me një interpretim me shumë emocione nga sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi, e cila u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Camille Lemonnier dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”.
Nëpërmjet perlave shqiptare dhe ato gjermane, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Kajtazit, e cila si asnjëherë më parë, derdhi gjithë dashurinë, mallin, talentin e vuajtjet ndër vite, nga zëri i saj i ëmbël, për të krijuar një atmosferë që s’harrohet dot më.
Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë ardhur në një formë të atillë që bëri që gjithë salla të jehojë me duartrokitje të kohëpaskohshme të publikut. Pasioni i saj qysh nga fëmijëria, duket se nuk ka humbur e nuk do të humbasë deri në frymën e fundit, andaj audienca përjetoi një mbrëmje ku interpretimi nga shqiptarët e suksesshëm në botë, për shqiptarët, ka dalë përtej limitit, shkruan KultPlus.
Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të sopranos Kajtazi.
Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e artistes Kajtazi dhe korit “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Të pranishmit kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe, kaltërt e bardhë në prapavijë dhe ato të ngrohtat në pjesën e tavanit që kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Lemonnier dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.
Teksa ora po shënonte 20:00, duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hapur këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artisten në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.
Moderatorja, Fëllënza Çitaku, qe ajo që bëri hapjen e kësaj mbrëmjeje plot gjallëri.
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme kulturore në kryeqytetin e Kosovës. Një mbrëmje që sjell magjinë e artistëve shqiptarë të suksesshëm në botë, magji që ata shpalosin para publikut të tyre nëpërmjet këtij formati. Sonte “Ta zbardhi ftyrën” do të mirëpresë në skenë një emër të madh të artit, një artiste e shquar e cila ka shfaqë talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës. Është fjala për sopranon Elbenita Kajtazi.”
Ndërkaq, hapjen zyrtare të edicionit të gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila ka shprehë mirënjohjen për gjithë këta artistë të suksesshëm shqiptarë, që asnjëherë nuk i kanë thënë jo ftesës së KultPlus.
“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur, kësaj mbrëmjeje i keni dhënë magji me prezencën e juaj dhe Elbenita e ka dëshiruar këtë mbrëmje, sepse ajo është mësuar me skena prestigjioze, por ka nevojë për ngrohtësinë e vendit të vetë. “Ta zbardhi ftyrën” është një format shumë i veçantë për stafin e KultPlus, është një format që sjell artistë nga vende të ndryshme të botës. Në edicionin e parë, nga Amerika kemi sjell Sislej Xhafa, nga Parisi, Imer Kutllovci, nga Vjena, Flaka Goranci, pastaj Erza Muqollin nga Parisi, Gjon’s Tears nga Zvicra, Gëzim Myshketën e kemi sjellë nga Milano e Elbenitën nga Gjermania. Elbenita vjen nga ato skenat magjike në një vend ku ende mungon salla prestigjioze. Unë jam shumë e lumtur që kam arrit me i sjell këta emra së bashku me ekipin e KultPlus-it, ekip që edhe tash është duke punuar brenda kësaj salle. Shpesh them që Kosova ka pasaportën më të pafuqishme në botë, por këta artistë na krijojnë një pasaportë më vete. Jemi shumë me fat që kemi nxjerr artistë kaq të mëdhenj. Unë ju uroj një mbrëmje shumë të këndshme, shijojeni”, ka thënë Pajaziti.
Në emër të Komunës së Prishtinës, për një fjalë rasti doli edhe Pëllumb Bajqinovci, i cili i uroj gazetës KultPlus, suksese të mëdha tutje.
“Ardianë, përgëzime për gjashtë vite, është me të vërtetë e vështirë pasi që kultura në kryeqytet në përgjithësi në këto vitet e fundit ka pësuar një ulje dhe ka nevojë për evente të tilla. Mendoj që gjashtë vite me artistë të mëdhenj por shqiptarë, e madhështon këtë ngjarje. Ne me në krye me kryetarin Përparim Rama, do të bëjmë çmos që ngjarjet e tilla të jenë prezente edhe më shumë. Gjeneratat e reja duhet të mësohen me art dhe kulturë të nivelit më të lartë, andaj juve KultPlus ju dëshiroj sukses”, ka thënë ai.
Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur sopranoja Elbenita Kajtazi doli në skenë, e shoqëruar më pastaj edhe nga pianistja Lemonnier. Mbrëmja u zhvillua fillimisht me një rrëfim jetësor dhe më pastaj me këndime, që krijuan kujtime të paharrueshme. Sopranoja Elbenita Kajtazi ka rrëfyer shumëçka nga jeta e saj qysh nga fëmijëria e deri më sot, copëza që kanë ndërtuar po këtë Elbenitë, po këtë shkëlqim të kësaj artisteje që po mbërthen teatro të mëdha nëpër botë.
Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, sopranoja Kajtazi ka thënë se dashuria për vendin e saj është krejtësisht tjetër. Ajo tha se nëpër shfaqjet nëpër botë, ndjen respekt shumë të madh për publikun që vjen dhe i përcjell shfaqjet por këtu ajo ndjen një dashuri të pakrahasueshme për publikun, andaj dallimi për të është i dukshëm.
Biletat për koncertin ishin rezervuar brenda vetëm ditëve. Dhe krejt kjo për vajzën që vjen nga Mitrovica, një talent që siç e thotë edhe ajo vetë: buron nga uji i Ibrit.
Është kënaqësi shumë e madhe të jem këtu, sepse mua më mungon shumë publiku i Kosovës, por nuk kam kohë të vij më shpesh. Gjithmonë i gjej disa momente të veçanta dhe vij gjithmonë me shumë qejf. Këtu çdonjërin në publik e njoh dhe është ndjenjë e mrekullueshme. Është kënaqësi me këndu për ata njerëz që ma kanë zgjatë dorën të parët dhe për mua është emocion i papërshkrueshëm. Këtë dashni mundohem me e dërgu në krejt botën, andaj suksesi është prezent”, ka thënë Kajtazi.
Me imazhet në ekranin në prapavijë që ndërroheshin kohë pas kohe, audienca hyri në fëmijërinë e Kajtazit, duke njohur edhe qoshet më të vogla të saj. Fotografia e parë shpërfaqi Elbenita Kajtazin si shitëse të qumështit, një fotografi e largët në kohë, por që sjell shumë emocion te artistja e skenave të mëdha, që Kosovën e bart tatuazh në krahun djathtë të saj.
“Flokët na i patën pre në luftë, megjithatë është një moment shumë i bukur i jetës sime. Para pak kohe, fotografinë ma dërgoi po kojshia që ia pata dërgu qumështin. Pas fotografisë qëndron një histori dhe dua ta ndaj me ju. Ishte një dasmë dhe unë isha duke e dërguar qumështin që më duhej t’a shisja. Dhe para disa kohe isha në Hamburg duke gatu, dhe për një moment më cingëroi telefoni, ma dërgoi po këtë fotografi, dhe fillova me qajtë kur e pashë fotografinë. Ne nuk kemi pasë shumë, por kemi pasë shumë dashni dhe me shumë qejf e kam dërgu këtë qumësht. Kam shumë dashni për kafshët dhe ato lopët që i kemi pasë, unë i kam dashtë shumë”, shpjegon sopranoja Kajtazi historinë e kësaj fotografie ku na shpërfaqë Elbenitën si shitëse të qumështit, dashurinë e saj për lopën, kafshë që u ka ndihmuar në mirëqenien e familjes së Elbenitës, por edhe krijimin e kontakteve me fqinjët, duke shitur qumështin në lagje.
Sipas saj, ajo kohë është një kohë që e ka bërë Kajtazin atë të cilën është sot. Kajtazi tutje u shpreh se ka dëshirë të flasë vetëm për kujtime të mira sepse ato të këqijat që janë përjetuar në luftë, secili i din dhe nuk ka nevojë me u përkujtu. Por, ato kujtime zakonisht i përmendin gjithmonë me shumë vendosmëri nëpër botë, nëpër çdo intervistë që ajo jep nëpër gazeta.
“Moment tjetër që e mbaj mend me shumë dashni është kur e kemi marr viqin e asaj lope dhe e kemi vendos në gepekun e kerrit. S’patëm mundësi me e mbajtë më dhe na u desh t’i hiqnim të dyja. Rrugës për Drenicë, viqi ish prapa neve, unë edhe tri motrat në kerr, babai dhe nëna para neve. Na ndali KFOR-i francez, për një moment ne u munduam mos me e lanë viqin me qu kryet por e qoi kryet. Ky është një nga momentet më të bukura të jetës sime, sepse pastaj na dhanë rroba, dhe ne arritëm tek halla, të lumtur të gjithë”, ka thënë Elbenita për shpjegimin e fëmijërisë së saj.
Një foto tjetër doli në ekran dhe në atë foto, ishte e gjithë familja e Kajtazit, të buzëqeshur e të kapur për njëri-tjetrin.
“Këtu jemi të gjithë së bashku. Për mua, vlera më e madhe është familja ime. Meqenëse, fëmijëria ime më është cenu gjatë luftës, nuk mendoj që kam qenë fëmijë ndonjëherë. Gjithmonë kam mendu si e rritur, andaj në shtëpi motrat dhe vëllau më thërrasin ‘bac’. Edhe prindërit e mi të mrekullueshëm, kanë sakrifikuar shumë, por me shumë mundime na kanë rritë e na kanë shkolluar. Unë i kam pesë motra dhe një vëlla. Unë jam shumë krenare për motrat e mia. Motra ime e dytë është avokate që punon në Nju Jork, motra ime e tretë largon bombat e Luftës së Dytë Botërore në Hamburg, motra ime e katërt ka lindë në ditën që ka përfundu lufta në Kosovë dhe për momentin është duke studiuar regji të Operës dhe piano në Hamburg, motra e pestë ka përfunduar për infermieri dhe motra e gjashtë është duke përfunduar për infermiere, kurse vëllau im, Bardhi, dëshiron të shkoj në Amerikë.”
Ndonëse nuk kanë pasur edhe shumë fotografi në sitrarin e familjes, sopranoja Kajtazi e ka zgjedhë atë fotografi pikërisht ku aty shihen buzëqeshjet e secilit dhe e mban mend si moment shumë të bukur. Ajo ka thënë se prindërit e saj janë shembuj se si duhet të edukohen fëmijët.
“Babai im çdo javë ka ardhë në shkollën e muzikës me ditë se çfarë po bëj. Kurse nëna ime është po ajo grua që më ka inkurajuar për mësim. Nëse më ka parë duke punuar tentene, të njëjta mi ka shti në zjarr, sepse më ka thënë që librat janë për mua, dhe jo tentenet. Nëna më ka thënë që duhesh me lanë një pikë në këtë botë, duhesh me qenë e pavarur.”
Rrugëtimi nga Mitrovica në Prishtinë
Sopranoja Kajtazi më pas para të pranishmëve kujton ëndrrat e saj për Prishtinën, po për atë Prishtinë që nuk i përmbushi ëndrrat e saj.
“Kur kam qenë në Mitrovicë mendoja se si të arrij në Prishtinë, se a thua si do të jetë, dhe kur arrita aty mua më pëlqeu gjallëria e qytetit, por gjithmonë më ka mungu Mitrovica. Gjithsesi, kohën e studimeve e kam pas me shumë turbulenca emocionale. Kam qenë studente e mirë, por mu ka dukur pak Prishtina. Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha. Nuk ka qenë e vështirë që unë të angazhohesha në Filharmoninë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, përgjatë studimeve, prej gjithë profesorëve të fakultetit, ne kemi mësuar shumë dhe kemi qenë si shpuza, duke thithur informacione”, ka thënë Kajtazi, e cila po prej skenës bëri edhe një thirrje sa i përket po Fakultetit të Arteve. Sipas saj, ky institucion ka nevojë për një rigjenerim total, pasi që sipas saj, artistët duhet ta kenë hapësirën e duhur për të studiuar. “Sepse unë për vete shumë shpesh kam hyrë në depresion dhe të gjitha gjërat më janë dukur gabim. Pritshmëritë e mia kanë qenë shumë të larta dhe pastaj kur nuk kam hasur në ato, jam dëshpëruar shumë”, ka thënë Elbenita po për periudhën e studimeve në Prishtinë.
Dashuria e saj, Ardiani
Dhe ndërtimi i karrierës opersitike do të ishte i pamundur pa mbështetjen e partnerit të saj, Ardianit, që sipas Elbenitës, bashkë më të i ka ndërtuar ëndrrat.
“Unë dashurinë time të jetës e kam takuar në Mitrovicë. Në shkollë të mesme, Ardianin e kam taku dhe e kam vërejtur se është djalë shumë i mirë. Ne kemi fillu lidhjen në bankat e shkollës së rokut në Mitrovicë. Ai është një person shumë i rëndësishëm i jetës sime, ai është shtëpia ime dhe qetësia ime. Asnjëherë se harroj momentin kur ishim të ulur dhe më pyeti për një katalog që e mbaja me vete të Maria Callasit, dhe më pyeti se kush është, iu përgjigja duke thënë se është diva e Operës dhe unë do të bëhem si ajo. Unë kam ëndërruar shumë dhe dore përdore ne jemi ngritur së bashku, por kemi pas edhe momente shumë të vështira, pasi që kemi qenë të ndarë për një kohë të gjatë për shkak të studimeve”, ka thënë Elbenita, e cila falënderuese ishte për Ardianin edhe nga skena e Prishtinës, duke shpjeguar se edhe pse nuk ishte i pranishëm në skenë, ai ishte i pranishëm me punën për këtë mbrëmje, pasi që, aranzhmanin e dy këngëve të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ishin realizuar po nga Ardiani.
Ermonela Jaho – drita e fundit e tunelit
Në pjesën e bashkëbisedimit me Elbenita Kajtazin, e pashmangshme ishte paraqitja e fotografisë së sopranos së famshme Ermonela Jahos, që për Elbenita Kajtazin vazhdon të jetë motra e saj e madhe, pasi që, ajo vazhdon të jetë mbështetësja më e madhe në karrierën operistike.
“Unë Ermonelën e ndjej si motër. Ajo e ka një vend të veçantë në zemrën time, sepse e kam takuar në një prej momenteve më të vështira psikologjike të jetës sime. Ka qenë viti i fundit i studimeve, dhe kur erdhi ajo për një koncert, unë paraprakisht i pata thënë nënës se doja ta lija punën e studimeve. Në atë moment në televizion, kishte intervistë Ermonela dhe në atë kohë ajo debutoi në Londër, dhe unë e shihja me admirim ngaqë nuk e kisha njohur më herët. E dëgjova intervistën dhe më la përshtypje shumë intervista. Në atë moment nëna më tha pse nuk po kontakton me të, dhe e bëra pas insistimit të saj. E lash telefonin mbi piano, dhe derisa isha duke dalë prej dhomës, mora përgjigje menjëherë nga ajo. Ajo më dha shpresë të madhe dhe ajo mbetet për mua drita në fund të tunelit”, ka thënë Kajtazi, e cila fuqishëm ka vazhduar me bindjen se nëse për ëndrrat e tua punon fortë, do ia dalësh.
Karolina dhe Vera – shtyllat e forta të jetës
Dhe pos Ermonela Jahos, edhe dy gra të tjera kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për Elbenita Kajtazin. Karolina dhe Vera vazhdojnë të jenë çelësi i suksesit të sopranos shqiptare, e cila edhe më tej vlerëson përkushtimin e tyre në ndriçimin e karrierës së saj.
“Ndodhi një masterklasë në Kosovë dhe u zgjodha si studente që me shku në Amerikë. Atje takova Verën, ajo është regjisore dhe puna me të ka qenë shumë e thellë, shumë emocionale. Ajo e dalloi talentin tim e më tha se kam potencial, dhe më luti që të marr një vizë për Evropë. Më premtoi që do të mi organizoj audicionet. Falë Verës, unë jam këtu ku jam, kam depërtuar në vende të ndryshme. Në anën tjetër, Karolina është profesoresha ime gjermane e këndimit që 15 vite. Ajo e bën një punë të shkëlqyer me këngëtarët operstikë si në Kosovë e Shqipëri, e që shumë njerëz nuk e dinë. Ajo i merr këngëtarët mbi supet e veta, i ushqen dhe i ushtron pa asnjë cent. Falë saj, unë jam këtu ku jam. Andaj, e falënderoj shumë, sepse është një pjesë e rëndësishme e muzikës klasike në Kosovë.”
Shtëpia operistike në Prishtinë – ëndërr e venitur
Dhe ëndrrat për një artist janë më se të natyrshme, por Kajtazi një ëndërr të venitur e quan ndërtimin e një salle operistike në Kosovë.
“Unë nuk pushoj së ëndërruari, por një ëndërr që e kam pikë është me këndu në shtëpinë operistike në Prishtinë. Gjithë ëndrrat e tjera kam përshtypjen se do të realizohen, por kjo është e vetmja ëndërr që shpresën e kam pak të venitur. Nuk e di se a do të bëhet, por këtë e ëndërroj”, ka thënë ajo.
Titulli “Ambasdore nderi”, ndarë nga presidentja Vjosa Osmani
Elbenita Kajtazi tashmë kishte mbërthyer audiencën me rrëfimin e saj, dhe natyrshëm ndau me ta edhe për emocionet që i dha presidentja Vjosa Osmani, kur i dha titullin “Ambasadore Nderi”.
“Është një kënaqësi shumë e madhe. Kam një vlerësim shumë të lartë për presidenten Osmani dhe për mua ajo ka qenë inspirim qysh një kohë të gjatë, sepse ka qenë nxënëse e babait tim. Gjithmonë e kam pasur pikësynim me qenë e edukuar si ajo, e shkolluar. Unë pata një takim me të, dhe shkova aty me babin tim. Më pyeti se a e kam marr pasaportën gjermane dhe i thashë jo. Sepse ata kërkonin që kjo e Kosovës të më hiqej. Natyrisht, nëse merr pasaportë gjermane, duhesh me e fshi identitetin kosovar dhe unë natyrisht që nuk kam pranu. Tash, në bisedë e sipër presidentja më tha shiko se çfarë duhet me bë për ta arritur atë, dhe ne të ndihmojmë. E pyeta një avokat dhe më tha se nëse në shtetin tënd vlerësohesh si artist i vendit atëherë asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë me ta heq shtetësinë. Dhe, tashmë sot i kam tri pasaporta, të Kosovës, Shqipërisë dhe Gjermanisë”, ka thënë Kajtazi, artistja që dikur kishte problem për një vizë e tashmë posedon tri pasaporta.
Eksluzivisht për KultPlus
Dhe se puna do angazhim, dhe se angazhimi të bën ëndrrat realitet, Elbenita e dëshmoi në këtë rrëfim me ndarjen e një ekskluzivieti, që për ta jetësuar këtë ëndërr, punon tash e 15 vjet.
“Në sezonin e ardhshëm do të këndoj në Operën Shtetërore të Vjenës. Që 15 vite jam duke punuar për me arrit aty dhe më në fund e arrita”, ka shpalosur Kajtazi në fund të krejt bisedës, bashkëbisedim që tregoi për fëmijërinë e saj, sfidat, sukseset, ëndrrat, pengesat dhe triumfin.
Më pas, me një video mesazh është lajmëruar baritoni Gëzim Myshketa, protagonisti i edicionit të vitit të kaluar të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” i cili ka përshëndetë organizatoren Ardianë Pajaziti, mysafiren Elbenita Kajtazin dhe gjithë të pranishmit.
“Mirëmbrëma Kosovë, mirëmbrëma Prishtinë. Ju përqafoj të gjithëve, por në veçanti Ardianë Pajazitin, e cila është një mike e shtrenjtë që u bë shkas për një mbrëmje, emocionet e së cilës i mbaj akoma thellë në shpirt, edhe pse ka kaluar një vit nga edicioni i pestë i ‘Ta zbardhi ftyrën’. Kam marr vesh me shumë kënaqësi që kjo mbrëmje i dedikohet sopranos me vlera të jashtëzakonshme, siç është Elbenita. E re nga mosha, por me një karrierë të shkëlqyer. Kam në kujtimet e mia momentet e para të takimit tim me të dhe nga ai moment dallova talentin e saj, dëshirën e saj për të kënduar. Mikja ime, të uroj suksese. Ju përqafoj me shumë mall, toka ime e shtrenjtë”, ka thënë mes të tjerash Myshketa.
Tashmë, dukej se çdo gjë ndali dhe erdhi koha për të shijuar deri në maksimum zërin e veçantë të sopranos Elbenita Kajtazi. Notë pas note, lëvizje pas lëvizje, ajo na dhuroi një mbrëmje që doli përtej imagjinatës. Duke kënduar vepra të mëdha siç është ajo gjermane “Për të gjithë shpirtrat”, një këngë që u dedikohet jetëve të humbura në luftë, deri tek kënga e dytë nga opera Manu, një rol që i ka dhënë asaj suksesin më të madh në jetë, e deri tek këngët shqipe si: Mallëngjimi, E duam lumturinë dhe Për ty atdhe.
Kënga “Mallëngjimi” nxori në skenë edhe një artiste tjetër, ku me ftesë të Elbenita Kajtazit, Zana Abazi Ramadani interpretuan këtë këngë, të cilat shkëlqyen dhe sollën shumë emocion tek publiku.
“Çdo kangë shqipe ma dridhë zemrën”, ka thënë Kajtazi para se të marr skenën e t’a pushtoj atë me gjithë qenien e saj.
Ndërsa, në këtë mbrëmje krejt në fund ajo ndau një kujtim që e kishte nga fëmijëria e saj.
“Kur kam qenë e vogël kam fillu me këndu në shkollën Ismail Qemali në Mitrovicë, aty ku ka dhënë mësim babai im në lëndën e gjeografisë. Gjithsesi, këngën “Lumturia” e kam këndu shumë herë në korin e shkollës dhe si e vogël e kam mendu që një ditë në jetën time do e marr korin e fëmijëve dhe do e këndoj këtë këngë. Andaj, sonte kam kënaqësinë që dy këngë t’i këndoj me Korin e fëmijëve ‘Okarina’.”
Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me sopranon Kajtazi. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pandalura u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje të paparë.
Për ta shpërblyer sopranon Elbenita Kajtazi me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti. Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi që të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku sopranoja Elbenita Kajtazi gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.
Ndërsa për KultPlus, profesoresha e muzikës, Besa Luzha ka thënë se projekti “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus, është një platformë e shkëlqyeshme ku artistët bashkëbisedojnë më së miri.
“Elbenita është një soprano shumë e talentuar, me një zë të bukur e mirë të formësuar, atiste e cila mishërohet me rolin plotësisht, duke qenë shumë emocionale e temperamente. Pra, kur talenti dhe puna, kombinohen me përkrahje e mbështetje, suksesi është i garantuar. Elbenita, Marigona, Graniti e shumë të tjerë, që ishin studentë të UP, tash po korrin suksese në shfaqjet e ndryshme të shtëpive operistike, e neve po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre. Një ditë, në të ardhmen e afërt këta artistë do t’i shohim duke performuar në shtëpinë operistike të Kosovës poashtu. Projekti “Ta zbardhi ftyrën” i KultPlus është një platformë e shkëlqyeshme ku këta artistë bashkëbisedojnë për jetën dhe profesionin e tyre, para publikut, për të cilin pastaj artistët edhe performojnë pjesë të zgjedhura, si një format unik. Elbenitës i uroj t’i realizohet ëndërra e saj shtytëse për t’u marr me këndimin-që ajo të bëhet një Maria Kallas e dytë, dalur nga trojet shqiptare e të vazhdojë të na bëjë krenarë ne dhe atdheun që ajo aq shumë e don.”
Po ashtu, dirigjenti Memli Kelmendi potencoi se gazeta KultPlus i ka sjellë një freski artit në Kosovë.
“Dua të përgëzoj Ardianën dhe KultPlus për organizimin dhe freskinë dhënë artit në Kosovë. Me Elbeniten jemi miq që nga studimet, çdoherë e ka dashur suksesin dhe sot ndihemi të gjithë krenarë për Elbeniten dhe suksesin e saj. Ishte një mbrëmje ndryshe prej të tjerave, e shijuam.”
Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.
Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, AMC, Coca Cola HBC Kosovo, Ujë Rugove, Frutomania dhe Agrocop. / KultPlus.com
Me sallën e mbushur plot, para publikut aktorët mjeshtërisht luajtën këtë shfaqje të fuqishme me autor Ledian Gjeçin dhe regji nga Ilir Bokshi, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar Shkup.
Festivali u mbyll me ndarjen e çmimeve. Gjithsej u dhanë 12 të tillë. Shfaqja ”Vizita” nga Teatri “Migjeni” në Shkodër u zgjodh shfaqja më e mirë e festivalit, çmimin për aktoren më të mirë e mori Edona Reshitaj, aktori më i mirë u zgjodh Adem Karaga, çmimin e dramës shqipe e mori Refet Abazi.
Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë Elva Margariti, ambasadori i Kosovës në Shqipëri Skënder Durmishi, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe të Shqipërisë dhe personalitete të tjerë nga fusha e teatrit.
Festivali “Moisiu” ka nisur vitin e kaluar si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit. Edicioni i parë u mbajt në Shkup, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm do të mbahet në Prishtinë./ KultPlus.com
Aktorja Flaka Latifi është shpallur aktorja e re më e mirë në Festivalin Shqiptar të Teatrit “Moisiu”, që u mbajt së fundi në Tiranë, shkruan KultPlus.
Latifi është vlerësuar për rolin e saj në shfaqjen “1984”, ndërkohë Flaka Latifi është duke u dëshmuar si një aktore e madhe jo vetëm në dërrasat e teatrit skenik, pasi që ajo tashmë ka qenë protagoniste në disa filma të suksesshëm, duke përfshirë edhe festivale prestigjioze./ KultPlus.com
Mbrëmë janë ndarë çmimet në Festivalin Shqiptar të Teatrit “Moisiu”, ku aktorja Edona Reshitaj është shpallë aktorja më e mirë e këtij festivali, shkruan KultPlus.
Emocionet për këtë çmim i ka ndarë edhe vet aktorja, e cila është shprehur të jetë emocionuar për këtë vlerësim nga ana e jurisë profesionale, çmim që i është dhënë për rolin e saj në shfaqjen “Gadjo”.
Më poshtë, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Edona Reshitaj.
Mbrame ne Tiranë, m’u nda çmimi AKTORJA MË E MIRË, ne Festivalin Shqiptar te Teatrit “MOISIU”, me rolin tim ne shfaqjen “GADJO”.
Me emocionoi sigurisht, ashtu siç me emocionon ky rol, sa here qe e luaj. Mbetet nje prej roleve te mija shume te veçanta, teper te ndjeshme dhe shume dimensionale.
Faleminderit jurise per vleresimin, Festivalit per mikepritjen, publikut per duartrokitjet e pafundme dhe te gjithe juve qe personalisht me keni shtrengu n’gjoks me perqafime te ngrohta
Sapo është publikuar libri “Plagët e Luftës” nga Flamur Maloku, libër ky me poezi i cili ka bërë bashkë disa poetë shqiptarë të cilët kanë shkruar për dhimbjen e popullit shqiptar, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell edhe parathënien e këtij libri që poashtu është përgatitë nga Flamur Maloku, i cili i mundëson lexuesit që të njoftohet në pika të shkurtra se në çfarë ujëra letrare është krijuar ky libër.
Plagët e Kosovës, të popullit shqiptar të saj, janë të mëdha, janë të llojllojshme, janë të paharrueshme. Dërrmuese. Gjurmët e tyre janë sot kudo në Kosovë. I kanë shkaktuar serbët. Sot nuk ka qytet në Kosovë, nuk ka fshat, nuk ka lagje që nuk ka një plagë të luftës. Edhe njëzet e katër vjet pas luftës përkujtohen masakra, vrasje, dhunime. Foshnja, fëmijë, gra shtatzëna, pleq, plaka, të vrara, pastaj të masakruara. Do të përkujtohen përjetë sepse plagët e luftës janë të pashërueshme dhe të pafalshme.
Edhe pse krimet serbe janë dokumentuar, Serbia ka mbetur pa ndëshkuar. Kam parë një regjistër të gjatë të librave të ndryshme për krimet e saj. Janë shkruar qindra monografi për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar dhjetëra romane për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar mijëra poezi për krimet serbe në Kosovë. Pra, autorë të ndryshëm, të rinj dhe të vjetër, kanë mbledhur plagët e luftës nga qytetet, fshatrat, lagjet dhe familjet e Kosovës dhe i kanë shtrirë dhe shkrirë në vepra shkencore dhe artistike.
Edhe unë, duke mbledhur krijime të tyre për plagët e luftës, duke i rikujtuar tmerret që edhe vetë i kam përjetuar në luftë si një djalë i ri, i bëra bashkë disa poetë shqiptarë në këtë përmbledhje dhe përzgjedhje poezish, në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë martirët e Kosovës. Fragment nga parathënia./ KultPlus.com
Sopranoja kosovare sonte do të debutojë në rolin e Tatyana në operën “Eugene Oneigin” të Pushkin, dhe kjo shfaqje operistike po prezantohet në kuadër të edicionit të 53 të Operës dhe Baletit “Fobi” në Bullgari, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje operistike që është punuar nga regjisori Slavcho Nikolov e dirigjent Ivaylo Krinchev sipas sopranos Llugiqi ka qenë shumë sfiduese, duke pas parasysh edhe formatin e një kryevepre të tillë.
“Një kryevepër e tillë ka kërkuar shumë kohë dhe përkushtim dhe ka qenë mjaftë sfiduese”, ka thënë Llugiqi e cila ka shtuar se sfidat rreth këtij projekti kanë vazhduar deri në momentet e fundit, kur edhe po bëhen gati për prezantim.
“Sfidë tjetër ishte edhe gjuha, gjuha ruse, por një sfidë e bukur që po kurorëzohet me sukses”, ka thënë Llugiqi e cila është shprehur të jetë e lumtur edhe për kastën e kësaj shfaqje, pasi që sipas saj kasta e kësaj shfaqje është shumë e mrekullueshme. “Besoj që sonte do të festojmë të gjithë për suksesin e kësaj shfaqje”, ka përfunduar Llugiqi./ KultPlus.com
Një Boeing 737 MAX do të fluturojë përmes Meksikës dhe përtej kufijve të saj, duke e çuar artin në lartësi të reja.
Kjo është pjesë e ekspozitës së Petrit Halilaj: RUNIK, e cila do të jetë e pranishme në Muzeun Tamayo, shkruan insiderlatam.com, transmeton klankosova.tv.
Aeroméxico, në aleancë me Muzeun Tamayo, shpall një bashkëpunim emocionues që bashkon artin dhe aviacionin për të sjellë ngjyra dhe kreativitet në qiell, në kuadër të ekspozitës Petrit Halilaj: RUNIK.
Si pjesë e këtij kontributi të vlefshëm kulturor, linja ajrore ka përdorur një nga avionët më modernë dhe më efikasë në industri, një Boeing 737 MAX për të çuar artin në lartësi të reja.
Një pulë është paraqitur në trupin e avionit si një metaforë që na fton të reflektojmë për lirinë dhe të ardhmen pa barriera, duke marrë si simbol fluturimin e zogjve; mban edhe legjendën “Nga Runiku me dashni!”.
Imazhi ka qenë i pranishëm në avion që prej 15 nëntorit dhe do të qëndrojë deri në fillim të vitit të ardhshëm;
Fluturimi i tij i parë ishte në linjën Mexico City – Kankun dhe në ditët në vijim do të përshkojë destinacione brenda dhe jashtë vendit.
Ekspozita e përkohshme Petrit Halilaj: RUNIK mund të vizitohet nga data 23 nëntor deri më 7 prill 2024 në ambientet 1 dhe 2 të Muzeut Tamayo të Meksiko City.
Objektivi i këtij bashkimi është ndërtimi i urave përmes artit dhe veçanërisht lidhja me artin bashkëkohor. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Takimi ndërkulturor letrar që tashmë ka filluar në disa komuna, në këtë të shtunë do të mbahet në Pejë, përkatësisht në Sallën e Bardhë të Hotel Dukagjinit duke filluar në ora 12:00, shkruan KultPlus.
Elvi Sidheri me romanin “Hemisferat e Serenës”, Nedjeljko Spilek me librin “Grad Dusa- Qyteti i Shpirtrave”, Marc Perry me librin e tij “War in theri own words”, i cili në botimin shqip është me titullin “Lufta me fjalët e tyre”, libër i cili është me dokumente të porsa deklasifikuara britanike lidhur me bombardimet e NATO ndaj regjimit të Millosheviçit në 1999, si dhe Bekim Shala me librin e tij futuristik kanunor “Kush e solli Çetinën?”./ KultPlus.com
Poeti i njohur nga Kosova, Lulzim Tafa, këto ditë, nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, është dekoruar me urdhrin e lartë të këtij vendi “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.
Kjo është Dekorata më e lartë që deri më tash i është dhënë ndonjë shkrimtari a artisti në Kosovë.
Me këtë rast PEN Qendra e Kosovës e uron Lulzim Tafën për marrjen e këtij çmimi prestigjioz dhe e falënderon Francën për përzgjedhjen e anëtarit të PEN Qendrës për dhënien e kësaj Dekorate.
PEN Qendra e falënderon Lulzim Tafën për kontributin që ka dhënë në këtë Asociacion dhe i dëshiron edhe çmime e dekorata të tjera në fushën e artit në të cilën ai shquhet-poezi./ KultPlus.com
Vetëm pak ditë pasi Presidenti Francez, Emanuel Makron e dekoroi në Tiranë shkrimtarin Ismail Kadare me urdhërin “Oficier i Madh i Legjionit të Nderit”, Ministrja e Kulturës së Francës, Rima Abdul Malak e ka nënshkruar dekretin me të cilin i akordon poetit të mirënjohur kosovar, Lulzim Tafa, dekoratën ”Oficier i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.
Kjo është dekorata më e lartë që shteti francez e jep në fushën e artit dhe letërsisë dhe po ashtu është edhe dekorata më e lartë që ndonjë artist apo shkrimtar nga Kosova e ka marrë deri më tani nga shteti francez. Me këtë dekoratë Franca nderon personalitete të shquara franceze dhe ndërkombëtare për të arritura në fushën e artit dhe të letërisisë.
“Urdhërin Kombëtar të Letrave dhe Arteve” e ndanë Ministria e Kulturës së Francës dhe nga viti 1957 dhe është nën patronatin e Presidentit të Republikës së Francës.
Lulzim Tafa është njëri ndër poetët kosovarë më të njohur në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në rreth tridhjetë gjuhë të botës. Tafa nga kritika letrare botërore është cilësuar si një ndër poetët kryesorë postmodernistë të Evropës, ndërsa përmes librave të tij është mjaftë i njohur edhe për lexuesit në Francë.
Kohët e fundit, Lulzim Tafa, është bërë i njohur edhe për artin e tij në shërbim të paqes. Ai u bë shumë i njohur para shpërthimit të luftës në Ukrainë me poezinë ”Fol me poetët rusë” si dhe me letrat dërguar shumë artistëve dhe shkrimtarëve rusë me lutjet që të ndikojnë te politika që ta parandalojnë luftën.
Si rezultat i përpjekjeve të tij anti luftë me anë të poezisë ai është nderuar nga shumë institucione kulturore e arsimore edhe në Ukrainë si dhe është dekoruar edhe nga Patriarku i Ukrainës, Patriarku Filaret me urdhërin “Yuri i Shenjtë Fitimtar”.
Lulzim Tafa po ashtu ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare, mban shumë tituj nderi në akademi dhe universitete ndërkombëare.
Ndër të tjera është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, Arteve dhe Letërsisë në Paris.
Ceremonia e dekorimit të poetit Lulzim Tafa me urdhërin “ Oficer i Letrave dhe Arteve” do të bëhet me ceremoni zyrtare në Rezidencën Franceze në Prishtinë. /KultPlus.com
Shoqata për Kulturë dhe Letërsi “Tafil Kelmendi” në Komunën e Malishevës ka organizuar edicionin e parë të konkursit ndërkombëtarë të poezisë, ku fitues i vendit të parë të këtij edicioni është shpallë poeti kroat Nedjeljko Spilek, i cili poashtu është edhe diplomat i Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, shkruan KultPlus.
“We are alone again” është poezia fituese e Spilek, e cila është vlerësuar nga juria në përbërje të: Hana Bytyqi, Fadil Javori, Izet Sjala, Alessandro Villa e Irma Kurti.
Në këtë edicion ka pas disa kategori: e fëmijëve me karakter komunal, për nxënësit e shkollave të mesme poashtu me karakter komunal, kategoria e poetëve kombëtar dhe kategoria kryesore ajo e poetëve ndërkombëtarë. / KultPlus.com
Ndërtesa e United Colors of Benetton të cilën e shihni duke ecur në Prishtinë njihej me emrin ‘’Hotel Unioni’’.
Kjo ndërtesë fillimisht e quajtur ‘’Skanderbeg’’ u ndërtua në vitin 1927 dhe u përdor si bujtinë deri më 1945 kur edhe iu ndërrua emri në “Hotel Union”. Objekti u ndërtuar nën mbikëqyrjen e arkitektit austriak, Andija Kremer.
Komuna e Prishtinës, në vitin 2008, njoftoi se kishte për qëllim rrafshimin e këtij objekti, nën pretekstin se nuk zotëronte asnjë vlerë të rëndësishme arkitektonike dhe në mënyrë që të hapet rruga për bulevardin e ri ‘’Ibrahim Rugova’’, që do të ndërtohej.
Mirëpo, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës pati shprehur rekomandimin e vet për restaurimin e menjëhershëm të tij. Gjendja e objektit ishte përkeqësuar edhe më shumë, kur aty kishte rënë një zjarr në vitin 2009, veprim për të cilin ishte arrestuar një i pastrehë, nën dyshimin e kryerjes së këtij akti.
Në vitin 2010, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore njoftoi për marrëveshjen me kompaninë italiane të modës ‘’The United Colors of Benetton’’ për të rivendosur objektin në gjendje sa më të afërt me gjendjen origjinale të tij.
Fotografia: Bujar Gashi
Pas përfundimit të punëve në restaurim, në vitin 2013 ‘’United Colors of Benetton’’ inauguroi një hapësirë 2.000 metrash katrorë në objektin e ish-hotel Skanderbeg./ KultPlus.com
Ministri Liburn Aliu njofton se hekurudha Prishtinë- Durrës po bëhet
Ministri Liburn Aliu sapo ka njoftuar se ka filluar puna për hekurudhën Prishtinë- Durrës, shkruan KultPlus.
Sipas këtij njoftimi është thënë se tashmë është shpallur kompania fituese për studimin e fizibilitetit për realizimin e kësaj linje të rëndësishme hekurudhore./ KultPlus.com
KultPlus ka hapur sot thirrjen për edicionin e gjashtë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka shprehur se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.
“Për ne, ‘KultStrofa’ vazhdon të jetë një konkurs i rrallë dhe serioz në botën e poezisë. Kjo është e njohur nga poetë të shumtë të shquar, të cilët kanë kontribuar me poezi të jashtëzakonshme në edicionet e mëparshme. Një nga veçoritë që e dallon është përzgjedhja e një jurie profesionale, e cila çdo vit sjell personalitete të shquara në skenës letrare. Këtë vit, kemi emra të fuqishëm, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim”, thotë Pajaziti.
Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa'”.
Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. Thirrja mbetet e hapur deri më 26 nëntor 2023 në ora 23:59. Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e gjashtë./ KultPlus.com
PEN Qendra e Kosovës fillon organizimin e mbrëmjeve njëjavore me titull “Prishtina e Artit dhe Kulturës”. Kjo javë kulturore do të mbahet nga data 6 nëntor, deri më 10 nëntor në KultPlus Caffe Galery.
Gjatë kësaj jave kulturore do të mbahen pesë mbrëmje me trajtesa të ndryshme mbi kryeqytetin.
Sot në ditën e parë të javës kulturore, do të trajtohen tri tema me interes për opinionin.
Tema e parë është “Prishtina, qendër administrative kulturore”, për të cilën do të flasë Dr. Jusuf Osmani.
Dr. Floriana Jerliu për temë ka “Prishtina-Arkitektura e qytetit”, ndërsa Dr. Artan Krasniqi do ta trajtojë temën: “Kultura zejtare e qytetit”.
Mbrëmja fillon në orën 17:00 dhe mbahet në KultPlus Caffe Gallery.
Kujtojmë se kjo javë kulturore është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Getta Beqa ka shënuar një sukës të madh në kampionatin Botëror të Bodybuilding-ut që është mbajtë në Spanjë, e cila është vlerësuar me medlaje të artë, shkruan KultPlus.
Për këtë fitore ka njoftuar edhe faqja zyrtare e Komitetit Olimpik të Shqipërisë, ku Getta Beqa në këtë garë ka përfaqësuar Shqipërinë.
“Shqipëria e përmbyll me fitore pjesëmarrjen në kampionatin Botëror të Bodybuilding-ut në Spanjë. Kampionia Gentiana Beqa u konfirmua si më e mira në kategorinë “Ëomen’s Ëellness -163cm”, është shkruar në faqen zyrtare.
Getta Beqa ka shumë tituj në gara të ndryshme ndërkombëtare, e cila ka triumfuar në kategorinë për të cilën edhe ka garuar./ KultPlus.com
Të enjten, në orën 19.00, më 9 nëntor, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, do të mbahet takimi përkujtimor kushtuar 85 vjetorit të Kristallnacht, kur do të fillonin përndjekjet naziste kundër hebrenjve në Rajhun e Tretë gjerman, përmes promovimit të librit bestseller mbarëbotëror, të përkthyer në dyzet gjuhë anembanë globit (përfshirë botimin në shqip, me përkthim të Elvi Sidherit, nga Botimet JETA, Prishtinë), pas botimit në vitin 2020, “NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË”, të autorit Eddie Jaku, të mbijetuarit nga kampet e shfarosjes naziste të Buchenwald-it dhe Auschwitz, pasi nazistët e patën arrestuar pikërisht në natën famëkeqe të Kristalnacht, në datën 9 nëntor të vitit 1938.
Eddie Jaku do t’u mbijetojë tërë përndjekjeve, torturave, maktheve dhe vdekjes së sigurt nga nazistët gjer në fund të llahtarit nazist, kur arratiset edhe nga marshimi i fundit i vdekjes. Pas mërgimit në Australi në vitin 1950, bashkë me të shoqen, një grua me prejardhje sefardite nga Selaniku, Eddie Jaku mbas disa dhjetëvjeçarësh, do të fillojë të flasë për të shkuarën e tij traumatike gjatë nazizmit, gjersa do të shndërrohet në njërin ndër themeluesit e Muzeut Hebraik të Sidnejit në Australi.
Libri “NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË”, do të shkruhej nga Eddie Jaku në moshën 100 vjeçare, në vitin 2020, për t’ia lënë njerëzimit kujtimet dhe përvojat e tij, sa të dhimbshme, aq edhe të vyera nga Holokausti, ndërsa ai ndërron jetë në vitin 2021, pas botimit dhe suksesit planetar të këtij libri.
Në promovimin e këtij libri, do të jetë i pranishëm edhe përkthyesi i tij në shqip, Elvi Sidheri, ndërsa të pranishmit do të kenë rastin të shfletojnë këtë libër kaq të çmuar, duke bashkëbiseduar për Kristallnacht, Holokaustin dhe Eddie Jaku-n, e librin e tij, NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË./ KultPlus.com