Nëse do e rrisja dhe një herë fëmijën tim

Diana Loomans

do t’i ndërtojë më parë vetë-vlerësimin,
e më vonë shtëpinë.
– Me gishta me shumë do pikturoja me të,
e gishtin më pak do ja drejtoja për gabime,
do t’i zëvendësoja qortimet më përqafime
do t’i largoja sytë nga ora e do ta shihja atë në sy,
do ngjisja balona me të drejt qiellit,
do të ndaloja së qeni serioz,
por do luaja shumë seriozisht
do vrapoja pafundësisht nëpër yje
dhe përqafimet do ishin shtroja jonë
nëse…. edhe një here!
Unë do të mësoja më pak për dashurinë e pushtetit,
Dhe më shumë për fuqinë e dashurisë.
Nuk ka rëndësi nëse fëmija im është i madh apo i vogël,
Nga kjo ditë e tutje, unë do ta çmoj të gjitha!/ KultPlus.com

16 nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës

“Toleranca është respekt, pranim dhe vlerësim i diversitetit të pasur të kulturave të botës sonë, formave tona të të shprehurit dhe mënyrave të të qenit njerëzor.” Deklarata e UNESCO-s e 1995 e Parimeve mbi Tolerancën.

Në vitin 1996, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën duke shpallur 16 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, shkruan KultPlus.

Pas këtij veprimi, u bë edhe miratimi i një deklarate të parimeve mbi Tolerancën nga Shtetet Anëtare të UNESCO-s më 16 nëntor 1995.

Ndër të tjera, deklarata pohon se toleranca nuk është as kënaqësi, as indiferencë. Është respekt dhe vlerësim i shumëllojshmërisë së pasur të kulturave të botës sonë, formave tona të të shprehurit dhe mënyrave të të qenit njerëzor.

Toleranca njeh të drejtat universale të njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve. Njerëzit janë natyrshëm të ndryshëm; vetëm toleranca mund të sigurojë mbijetesën e komuniteteve të përziera në çdo rajon të globit.

Në vitin 1995, për të shënuar Vitin e Kombeve të Bashkuara për Tolerancën dhe 125 vjetorin e lindjes së Mahatma Gandhit, UNESCO krijoi një çmim për promovimin e tolerancës dhe jo dhunës.

Çmimi ndahet çdo dy vjet në Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, 16 Nëntor. Çmimi mund t’u jepet institucioneve, organizatave ose personave që kanë kontribuar në mënyrë të veçantë meritore dhe efektive për tolerancën dhe jo dhunën./KultPlus.com

Artmania do të fillojë edicionin e saj të parë, publikohet orari shfaqjeve

Këtë vit do të organizohet për herë të parë ARTMANIA, një festival i cili vjen në jetë nga profesionistë dhe adhurues të artit, të cilët me bashkimin e shumë aktiviteteve do të rikthejnë maninë artistike në Gjakovë për 5 netë me radhë, shkruan KultPlus.

“Artmania” ka njoftuar se do të bëjë prezantimin e pesë shfaqjeve teatrale nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në anën tjetër, ky festival do të mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjakovës “Hadiu Shehu” nga trupat profesioniste sipas agjendës së paraqitur.

Festivali do të hapet me shfaqjen “Kosovo for Dummies” me regji të Blerta Neziraj, e derisa do të mbyllet me “Gratë” nga regjia e Qendrim Rijanit./Kultplus.com

Kompania Pfizer ka një njoftim me rëndësi për vendet me zhvillim të dobët

Kompania e njohur botërore, Pfizer, do të lejojë që “pilula” e tyre të shitet më lirë në vendet që konsiderohen me më shumë varfëri, shkruan New York Times, përcjellë KultPlus.

Kompania njoftoi se mund të arrihet një marrëveshje e cila do të mundësojë një zgjerim të tretmanit mbi COVID-19, marrëveshje e cila përfshijnë një numër që janë goditur shumë nga pandemia.

Pfizer njoftoi të martën se do të lejojë shitjen e pilulës ndaj COVID-19 për më shumë se 95 vende të botës, të cilët konsiderohen me zhvillim ekonomik më të dobët.

Pilula nevojitet urgjentisht në vendet ku pak njerëz kanë pasur ende mundësinë për t’u vaksinuar. Dhe për shkak se është një pilulë që mund të merret në shtëpi, do të jetë shumë më e lehtë për t’u shpërndarë sesa trajtimet që jepen zakonisht në mënyrë intravenoze.

“Kjo do të jetë vërtet e rëndësishme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sepse është e lehtë për t’u marrë, vetëm një kurs i shkurtër prej pesë ditësh dhe potencialisht relativisht i lirë për t’u prodhuar,” tha Charles Gore, drejtor ekzekutiv i Medicines Patent Pool.

Kompania Pfizer nuk i ka dhënë asnjë prodhuesi një licencë për të bërë vaksinën e saj Covid, për të cilën është në rrugën e duhur për të sjellë 36 miliardë dollarë të ardhura këtë vit./KultPlus.com

Tre qytete të Kosovës do të shfaqin sot filmin ‘Garçon’ në kuadër të Festivalit të Filmit ‘Frankofon’

Mbrëmjen e së martës me fillim nga ora 19:00, Kino Armata do të shfaq filmin “Garçon ” realizuar nga Claude Sautet, shkruan KultPlus.

Përpos Kino Armatë, ky film do të shfaqet edhe në Pejë në Kino “Jusuf Gervalla” dhe në Prizren në “DokuKino” në orar të njëjtë.

Ambasada e Francës është duke realizuar edicionin e 20-të të Festivalit të Filmit “Frankofon” në Kosovë.

Gjatë ditës së djeshme është bërë hapja e këtij festivali, derisa më 21 nëntor do të shfaqet filmi përmbyllës “Luanteshat e Kodrës”.

Frankofon ka njoftuar se ky film do të jetë në frëngjisht, por do të shfaqet edhe me titra në gjuhën angleze.

Në komunikatën zyrtare të Ambasadës së Francës thuhet se festivali do të mbahet në disa qytete të Kosovës.

“Nga data 15 deri më 21 nëntor, në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, çdo ditë, shpresojmë të shihemi në: Kolegjin AAB, Kino Armata, Institutin profesional ATC, Fondacionin 17, Anibar, Dokufest, për një javë të veçantë në 20 vjetorin e Festivalit të Filmit Frankofon!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Ava Max po shijon suksesin e këngës “The Motto”, 10 milionë dëgjime brenda një jave

Ylli i muzikës pop, Ava Max, është duke thyer rekorde të dëgjueshmërisë nëpër platformat e ndryshme me këngën e saj të re “The Motto”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Instagram”, këngëtarja me origjinë nga Shqipëria ka bërë të ditur se brenda një jave ka marrë më shumë se 10 mijë dëgjime në platformën “Spotify”.

Kënga e saj është duke u dëgjuar shumë edhe në platformën “YouTube”, në të cilën 27 vjeçarja ka afro gjashtë milionë shikime.

Ava Max në të kaluarën kishte deklaruar se ndjenë vetën 100 për qind shqiptare dhe pati thënë se e kupton gjuhën por nuk di ta lexojë atë.

Projekti i saj “The Motto” është në bashkëpunim me DJ e njohur, Tiwsto./KultPlus.com

Animacioni “Clara me mustaqe” po vazhdon aventurën e saj, do të shfaqet në Festivalin e njohur në Londër

“Clara with a mustache” ose “Clara me mustaqe”, një film animacion i metrazhit të shkurtër me produksion kosovar, është përzgjedhur zyrtarisht për të shfaqur në njërin ndër festivalet më të mëdha të animacionit, të quajtur “London International Animation Festival”, shkruan KultPlus.

Vetëm gjatë muajit nëntor, animacioni i Blakçorit ka marrë pjesë në disa festivale të njohura ndërkombëtare, derisa udhëtimi i tij do të vazhdojë edhe në Londër.

Frymëzimi për këtë film të animuar me metrazh të shkurtër, erdhi nga vet përvoja e luftës së fundit në Kosovë.

Filmi prek temën shumë reale të luftës dhe pasojave të saj, por ndërtohet dhe shpaloset me një imagjinatë të një fëmije. Dhe animacioni është vegla e cila mundësoi që kjo imagjinatë të shpaloset në mënyrën më të duhur.

Produksioni është realizuar nga “Molos”, me regji dhe skenar nga Ilir Blakçori dhe mbikëqyrëse e animacionit Vala Blakçori; master e animacionit të karakterit në Animation Mentor Kaliforni, e cila solli një risi në formën e animacionit në Kosovë. Në anën tjetër, muzika e mirëfilltë që përcjell pamjet vizuale gjatë gjithë filmit është vepër e kompozitorit francez Romain Zante e cila u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra” në përbërje të mbi 50 instrumentistëve./KultPlus.com

Guba

Ibrahim Berisha

Baba Ali i lan borxht e veta, më thotë kunata Hatë duke shikuar hijen e gurtë të vjehrrit. Ai, i ngjitur për bari, ndoshta ende pret kafenë e sabahut, atje nën kumbull. E marr, ia çoj. E djeg diç përbrenda; ndoshta, pse nuk mund të na çlirojë nga vuajtja. Më shikon me brengë.

Do të rrish, ta rrisësh djalin, më pyet.

Merr kafenë, e do të ftohet, ia humb fillin e fjalëve.

Sytë i lëshojnë xixa.

Ditën që bëhet një vit, do të shkoj, i them.

Edhe më shumë e lëshon zemra; më ka lëshuar idikati, thotë.

Do t’ju blej televizor, frigorifer, të gjitha do t’ua blej, vetëm rri e rrite Dinin, mos e fik hisen e Halimit; zjarrin e Halimit.

Zjarrin e fikët vetë, qëmoti, dua t’i them. Nuk i flas asgjë, po i flet urrejtja ime: Jo baba Ali, kurrë!

Me të dy duart, ndrydh zemën.

Kthehem në dhomë, shikoj veten në pasqyrë. Nuk e njoh; ka muaj që nuk jam shikuar në pasqyrë. Flokët e mi, dikur të zeza e të butë. I prek. Janë bërë tela të ndryshkur, vendevende ngjyrë bakri.

Vjen si jargë kërmilli, më afrohet.

Nëse shkon nuk e ruan djalin, asgjë nuk të jap. Ta dish.

Nuk dua asgjë. Mjaft mora, i them. Dërrmen e mora, më sheh.

Mezi merr frymë, largohet, si jargë kërmilli.

Gufën që e vesh, thuase nuk është imja. Imja është gufa, por trupi më është fishkur, ajo më bie si e huaj. Dini ende fle. E prek me dorë lehtë si pendël, si nuk zgjohet. Sikur ai nuk do të zgjohet kurrë. Nuk fle deri vonë. Ka frikë, do ta lë. Më thotë çdo natë, para gjumi: Kur të shkosh nanë, më zgjo nga gjumi.Të gjithë më thonë, ti do të më lësh. Natën trembet; sytë e tij të butë dikur, bojëkafe si të Halimit, janë bërë të kuq, të turbull. Jo, i them, pa ty askund. Më afrohet me tërë forcën; do të hyjë nën lëkurë, ma merr dorën dhe e vë nën kokë. Kështu nuk të lë të ikësh, thotë. Kurban i djalit të bëhem!

Oj nëna e Dinit, dil se një urith!

Këlthitja e urithit shuhet preras. Nga njerëz si baba Ali janë bërë urithët. Nga njerëz që të tjerëve u gërryejnë dheun nën këmbë. Janë futur në dhe, të mos i  shoh askush. Edhe sytë u janë stërkeqë. Ja, sytë e babës Ali dhe të këtij urithi, janë një. Nuk duken.

Ruaje Dinin, më lutë.

Mos më lut fare, dua t’i them. Nuk i them asgjë.

Kjo shtëpi është e gubavtë, më thotë kunata. Ai në oborr është guba; të gjithë ne jemi gubë.

Falet tri herë në ditë.

Jep sadakë çdo të premte.

Ka tre muaj është bërë jargavel; qanë.

Do të shkoj haxhi në Mekë.

Nesër do të shkoj te doktori, thotë. Më merren mendtë. Nëse nuk kthehem, nuk arrin të përfundojë fjalët.

Në pjergull bie një tufë zogjsh. Merr një gur dhe i gjuan. Trembni, thërret.

Dua ta zgjoj tim bir, por nuk kam forcë. Krahët më janë skuqur; e tëra ndihem e këputur.

Dua ta zgjoj Dinin që është bërë vetëm asht.

Nga torishta i qesin pesë dele të ngordhura.

Hunda, veshët, fytyra e rrjepur e babës Ali; mbulohen me vijat si ferrëkuqe. Delet e morën gubën nga baba Ali, gjynah, më thotë kunata.

Të shkoj nuk mundem. Qëkur e mori vesh se nëpër trupin e shtëpisë sonë lëviz guba, ai nën setrën e zezë, mban një këmishë gjarpri. Kot e mban, nuk mund të na ruajë asgjë; as këmisha e gjarpërit nën këmishën e babës Ali.

Kthen me hapa e shikim të mjerë. Afrohet. Një e dridhur më rrënqeth trupin. Zogjtë fluturojnë nga dega e pjergullës. Retë shkunden. Një erë e lehtë çohet e mua më bie balli mes për mes.

Ai bëhet gati ta falë drekën.

Nesër është e premte, mendon për sadakë.

Çdo të premte jep sadakë.

Pas Bajramit të Madh do të shkojë në haxh.

Ndizet, zjarmohet aq sa lëshon avull. Më urren se unë përgjithëmonë, e di, do të ikë nga kjo shtëpi. Të më bjerë nuk guxon./ KultPlus.com

Panairi i Librit në Tiranë rikthehet pas mungesës njëvjeçare

Pandemia COVID-19 ka pamundësuar zhvillimin e shumë aktivitete vitin e kaluar, njësoj siç bëri edhe me Panairin e Librit në Tiranë, shkruan KultPlus.

Megjithatë, pas mungesës njëvjeçare, panairi i 24-të i Librit do të zhvillohet në datat 17 dhe 21 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë është organizuese e panairit shumë të veçantë, pas periudhës së vështirë nëpër të cilën kaluan shumë shtete Evropiane, ndër to edhe Shqipëria.

Ky panair është një nga evenimentet më të rëndësishme për lexuesit në radhë të parë, botuesit, shkrimtarët dhe përkthyesit.

Shtëpitë botuese të librave do të kenë stendat e tyre përkatëse, ku edhe librat do të jenë të zhanreve të ndryshëm./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot përkujton shkrimtarin Musa Ramadanin

Fotografia: Fahredin Spahija

Sot, më 16 nëntor 2021, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, përkujtohet jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë Musa Ramadani.   

Për veprën jetësore të Musa Ramadanit do të flasin Osman Gashi dhe Agron Gashi.

Aktiviteti fillon në orën 17:00.  Ftoheni të merrni pjesë.  

Ky aktivitet është i shtati me radhë në kuadër të projektit të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit2” e PEN Qendrës së Kosovës.   

Më parë janë përkujtuar shkrimtarët Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti dhe Ramiz Kelmendi. / KultPlus.com  

Kolegji Universum organizon fundjavën e dytë të Ndërmarrësisë në Kosovë

Nëse keni ide biznesi dhe po shikoni mundësitë për zhvillimin e idesë tuaj, Entrepreneurship Weekend 3 ofron mundësi për ju. Kolegji Universum, me përkrahjen e Visegrad Fund dhe në bashkëpunim me Hungarian University of Agriculture and Life Sciences (Hungary) , Metropolitan University of Prague (Czech Republic), University of Wroclaw (Poland), Czestochowa University of Technology (Poland) do mbajë Fundjavën e Tretë të Ndërmarrësisë, gjatë së cilës ju mund të zhvilloni idetë tuaja biznesore me ndihmën e ekspertëve të ndërmarrësisë si dhe të merrni informata për financimin e ideve tuaja. Gjatë kësaj fundjave do të ofrohen ligjërata nga profesorë dhe ndërmarrës vendor dhe të huaj, ku do të mësoni të zhvilloni idetë tuaja biznesore nga hapat fillestar e deri tek financimi i tyre duke u bazuar në praktikat e mira të shteteve të Vishegradit.

Apliko përmes linkut në vijim: https://forms.gle/HqWPdDCCTaoSGc2R7

Pjesëmarrja është e hapur për të rinjtë e moshës 18-30 vjeç nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Nëse dëshironi të jeni pjesë e Entrepreneurship Weekend dhe të zhvilloni idetë tuaja për biznes, plotësoni këtë formular më së largu deri me 5 Dhjetor 2021

Fundjava e ndërmarrësisë mbahet nga datat 17-19 Dhjetor 2021 në kampusin e Kolegjit Universum në Prishtinë.

Për informata shtesë kontakto Kolegjin Universum në [email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062. / KultPlus.com

Lipa takohet me gjeneralin Clark: Ne u jemi përgjithmonë mirënjohës në ndalimin e gjenocidit në Kosovë

“Kishim nderin dhe një kënaqësi të pamasë të takoja mikun dhe heroin tonë të përjetshëm Gjeneralin Wesley Clark, Komandantin Suprem të Aleatëve”, ka shkruar Dukagjin Lipa, pas takimit me gjeneralin Ëesley Clark, takim që ishte bërë në Ëashington DC, shkruan KultPlus.

“Faleminderit që besoni në njerëzimin, dhe duke qenë instrumental në ndalimin e gjenocidit që po ndodhte në Kosovë. Ne u jemi përgjithmonë mirënjohës dhe përgjithmonë në borxh”, ka thënë Lipa, duke falënderuar Clark, për kontributin e tij për vëninen e paqes në Kosovës.

Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së famshme Dua Lipa, kishte qëndruar në Washington DC, bashkë me vajzën e tij, e cila ishte vlerësuar me çmimin e madh në Këshillin Atlantik./ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CWU2B5jr7ca/?utm_source=ig_embed&ig_rid=16e6bdc8-16eb-4a2a-afe2-26e9ef0aa250

Serbia po realizon serial për luftën në Kosovë, po e mbështetë Ministria e Brendshme e Serbisë

Se Serbia është duke përgatitur një serial për luftën në Kosovë, ka njoftuar ish ambasadori i Kosovës Lulzim Peci, i cili nëpërmet një statusi në rrjetet sociale ka thënë se ky serial po realizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e udhëhequr nga Vulini dhe Radio Televizioni i Serbisë.

“Serbia në vend që të turpërohet për të kaluarën e saj, ajo është krenare me të dhe e projekton si narrativ zyrtar shtetëror”, ka shkruar mes të tjerash Peci për këtë nismë të Serbisë.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Pecit.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e udhëhequr nga Vulini dhe Radio Televizioni i Serbisë po përgatisin një serial për luftën ne Kosove, qe nuk ka asnjë dallim prej narrativeve të Millosheviqit ndaj shqiptarëve.

Serbia në vend që të turpërohet për të kaluarën e saj, ajo është krenare me të dhe e projekton si narrativ zyrtar shtetëror.

Njëra ndër objektivat kyçe të Serbisë dhe Rusisë, është ndërrimi i narrativeve për luftërat në ish-Jugosllavi, dhe atë me theks të veçantë për luftën në Kosove, për shkak të intervenimit të NATO-s. Ky serial është pjesë e realizimit të kësaj strategjie./ KultPlus.com

Kristale Ivezaj Rama: Në kohën e komunizmit, stërgjyshes sime ia nxorën thonjtë e duarve dhe të këmbëve

Kristale Ivezaj Rama, bashkëshortja e Përparim Ramës, i cili do të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës, ka punuar më herët në një projekt “Edhe muret kanë veshë”, projekt që ka nxjerrë të bëmat e diktatorit Enver Hoxha.

KultPlus ju sjell të plotë deklaratën e Kristales, e cila kishte treguar për stërgjyshen e saj, e cila kishte përjetuar tmerret e regjimit të Enver Hoxhës.

Kanë kaluar 27-të vite nga shembja e regjimit komunist, mirëpo njerëzit janë duke treguar historitë e tyre për këtë periudhë më shumë se kurrë. Madje, disa prej historive po tregohen nga gjeneratat e reja, të cilat kanë ruajtur me fanatizëm historitë e të parëve të tyre, shkruan KultPlus.

Një gjë të tillë është duke e bërë edhe Kristale Ivezaj Rama e cila është bërë pjesë e projektit “Edhe Muret Kanë Veshë” për të treguar historitë e stërgjyshes së saj.
Ajo u bë pjesë e projektit kur ju drejtua Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit për tu njohur me historinë e stërgjyshes së saj Rinës nga Thethi i Malësisë së Madhe, e cila ishte dënuar më burgim gjatë kohës së komunizmit.

“Ajo ishte torturuar, i janë shqyer thonjtë e këmbëve dhe duarve dhe i kanë hedhur në trup një mace, gjersa e kanë goditur, një histori që duket e pabesueshme. Prandaj është e rëndësishme që të vlerësohen kujtimet e këtyre njerëzve që dëshmojnë të vërtetën”, ka treguar ajo.

Duke sjellë historinë e familjes së saj, Kristale Ivezaj Rama thotë se synon të mbledhë dëshmi edhe nga shqiptarët që u detyruan të lënë vendin e tyre për shkak të persekutimit dhe vuajtjeve gjatë periudhës së komunizmit.

“Edhe muret kanë veshë”, kështu titullohet nisma e re e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit që nisi sot, më 20 shkurt, në përvjetorin e 27-të të rrëzimit të shtatores së ish diktatorit, e që i kushtohet mbledhjes së dëshmive të të gjithë atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist.

Ideatore e këtij projekti është artistja Alketa Xhafa, kurse Kristale Ivezaj Rama në këtë projekt është në cilësinë e shkrimtares. Artistja Alketa Xhafa Mripa theksoi se kjo nismë, përmes artit dhe historisë, kërkon të provokojë mbi të shkuarën. “Të gjithë janë të mirëseardhur, të tregojnë ndonjë rrëfim apo histori që e kanë dëgjuar prej gjyshërve, familjes, për kohën e regjimit barbar që ka ndodhur këtu në Shqipëri. Kjo nuk është një dhimbje vetëm për viktimat dhe familjarët, por për të gjithë kombin shqiptar”, u patë shprehur ajo. Instalacioni i Alketa Xhafa Mripës do të prezantohet më 9 maj. /KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë një tempull të diellit 4500-vjeçar në Egjipt

Arkeologët kanë zbuluar atë që ata besojnë se është një nga “tempujt e diellit” të humbur të Egjiptit, që daton nga mesi i shekullit të 25-të para erës sonë.

Ekipi zbuloi mbetjet e varrosura nën një tempull tjetër në Abu Ghurab, rreth 12 milje në jug të Kajros, tha për CNN Massimiliano Nuzzolo, një asistent profesor i Egjiptologjisë në Institutin e Akademisë Polake të Shkencave për Kulturat Mesdhetare dhe Orientale në Varshavë.

Në vitin 1898, arkeologët që punonin në vend zbuluan tempullin e diellit të Nyuserrës, i njohur gjithashtu si Neuserre ose Nyuserre, mbreti i gjashtë i dinastisë së 5-të, i cili sundoi Egjiptin midis vitit 2400 dhe 2370 para erës sonë.

Tani zbulimet e bëra gjatë misionit të fundit sugjerojnë se ai ishte ndërtuar mbi mbetjet e një tempulli tjetër diellor, përcjell Klankosova.tv

“Arkeologët e shekullit të 19-të gërmuan vetëm një pjesë shumë të vogël të kësaj ndërtese me tulla balte poshtë tempullit prej guri të Nyuserra dhe arritën në përfundimin se kjo ishte një fazë e mëparshme ndërtimi e të njëjtit tempull. Tani gjetjet tona tregojnë se kjo ishte një ndërtesë krejtësisht e ndryshme, e ngritur përpara Nyuserrës”, tha ai.

Gjetjet përfshijnë vula të gdhendura me emrat e mbretërve që sundonin përpara Nyuserrës, të cilat dikur përdoreshin si kapëse kavanozash, si dhe bazat e dy kolonave gëlqerore, të cilat ishin pjesë e një portiku hyrës, dhe një prag gëlqeror.

Ndërtimi origjinal ishte bërë tërësisht me tulla balte, tha Nuzzolo, ekipi i të cilit gjeti gjithashtu dhjetëra kavanoza birre të paprekura gjatë gërmimit. Disa nga kavanozat janë të mbushura me baltë rituale, e cila përdorej vetëm në rituale të veçanta fetare, shtoi ai, dhe qeramika është datuar në mesin e shekullit të 25 p.e.s., një ose dy breza përpara se të jetonte Nyuserra.

Monumenti me tulla balte “ishte mbresëlënës në përmasa”, tha Nuzzolo, por Nyuserra e shkatërroi atë në mënyrë rituale për të ndërtuar tempullin e tij të diellit.

Ndërsa këta tempuj i ishin kushtuar kultit të perëndisë së diellit Ra, mbreti legjitimoi fuqinë e tij përmes tempullit dhe u paraqit si djali i vetëm i perëndisë së diellit në Tokë, tha ai.

Burimet historike sugjerojnë se gjashtë tempuj dielli janë ndërtuar gjithsej, por vetëm dy ishin zbuluar më parë, tha Nuzzolo.

Zonja e parë e Prishtinës

Bajram Mjeku

Gruaja duke pozuar me veshje kombëtare është Zonja e parë e Prishtinës, italianja Stella Velle, e cila ishte bashkëshortja e Hysen Prishtinës, prefektit të parë të Prishtinës, i cili qeverisi me kryeqytetin gjatë viteve 1941-’44.

Zonja e parë u lind më 28 qershor të vitit 1910 në Avellino të Italisë dhe me profesion ishte mësuese. Stella Velle jetoi plot 94 vjet dhe ndërroi jetë më 11 maj të vitit 2004 në Toronto të Kanadasë. Zonja e parë u varros pranë bashkëshortit të saj Hysenit, i cili ndërroi jetë më 14 qershor të vitit 1991.Fotografia me Zonjën e parë është shkrepur në Prishtinë midis viteve 1941-’43../ KultPlus.com

Thënie shkodrane: E han marren me bukë

Në vijim, KultPlus ju sjell disa nga shprehjet më të njohura shkodrane.

 -Prej fmijës dhe budallës mësohet e vërteta.

• Fukaraja ma mirë mos leftë.

• Aj mend xixi mend, as për vedi as për kënd.

• Lype – s’ta japin; merre – s’t’thojnë gja.

• Kur s’ke pula mos ban “ish”.

• Ka thanë frati shko te shtrati n’mos t’marrtë gjumi t’pushon shtati.

• Grueja asht si gjarpni nën jastek.

• Deka me nder asht kapak florini.

• Ç’ka del prej mice gjun për mij…

• A ke pa me fjetë?

• Kryet thi e menden fmi.

• Zoti të dhashtë bereqet n’tru

• T’bana bir, me hjekë mirë; m’dole dreq me hjekë keq.

• Mendja e madhe e zeza e t’zot.

• Inatin e mramjes, lene për nadje…

• Gungaçit vetëm vorri ia drejton samarin…

• E han marren me bukë.

• Bane t’mirën e hidhe n’det, n’mos ta dit’t peshku, ta din Zoti vetë.

• I buti – si muti.

• Kur s’ka njeri mend ka kamë.

• Kmisha me arrna e trupi me barna s’mbahen.

• Zemra m’don – betha s’ma mban.

• Vesha – kopilesha.

• Malli i mirë shitet afër.

• Kush ka mik ka çiflik. / KultPlus.com

Festivali i Filmit “Frankofon” hapet sot me filmin francez “Le Sens de la fete”, 20 vjetori i veçantë fillon rrugëtimin

Kino Armata do të shfaq sot filmin “Le Sens de la fete” në kuadër të Festivalit të Filmit “Frankofon”, shkruan KultPlus.

Ambasada e Francës në Kosovë ka bërë ftesë për të gjithë qytetarët që të vijnë dhe ta shikojnë këtë film, i cili është në frëngjisht, por do të shfaqet me titra në gjuhën shqipe.

Në komunikatën zyrtare të Ambasadës së Francës thuhet se festivali do të mbahet në disa qytete të Kosovës.

“Nga data 15 deri më 21 nëntor, në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, çdo ditë, shpresojmë të shihemi në: Kolegjin AAB, Kino Armata, Institutin profesional ATC, Fondacionin 17, Anibar, Dokufest, për një javë të veçantë në 20 vjetorin e Festivalit të Filmit Frankofon!”, thuhet në njoftim.

“Luaneshat e Kodrës” do të jetë filmi përmbyllës për këtë edicion, i cili do të shfaqet në Kino Armata më 21 nëntor./KultPlus.com

Kadare: Gjer më sot, Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm

Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës.

Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej.

Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt. Ai vetë ishte aty, i vëmendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndjeje se sa ç’ishte , aq edhe mungonte.

Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu si nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dysia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta.

Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta.

Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoja. Ishte një pengesë e tjeterfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.

Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske.

Prej vitesh, qysh pas mbarimit te Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerë ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit. Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta , i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë , duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij.

Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit. Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të.

Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme. Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend.

Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka: ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërftueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshit diçka për kohën, shëndetin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty. Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi…

…Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte përsëri në 12. Hante drekën në 5 mbasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate. Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilësimi. Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve ’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papa Gjon Pali II.

Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtar të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm , më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij.

Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.

Ismail Kadare “Ftesë në studio”. / KultPlus.com

Botohet në frëngjisht shkrimtarja argjentinase me origjinë arbëreshe

Është publikuar në Francë libri “Aménagement Linguistique de par en Bas Et Sociétés Arbëresh”  pjesë e së cilit është edhe shkrimi për “familjen arbëreshe” nga shkrimtarja argjentinase me origjinë arbëreshe Graciela Vega.

“Dygjuhësia është një ngjarje komplekse dhe në asnjë mënyrë dytësore për identitetin sociokulturor. Kur e shkrova, gjeta një vend për gjithçka që kishte jetuar në mua për vite me radhë, por nuk kishte një formë të qartë. Ishte një çlirim. Kuptimi ka pasur gjithmonë kuptim … ” shkruan Vega ndër të tjera në libër.

Tre filmat e preferuar të Tom Hanks

Aktori ikonik, Tom Hanks, i ka përmendur tre filmat e tij të preferuar në të cilët ka luajtur.

Hanks konsiderohet si njëri prej aktorëve më të mirë dhe më të vlerësuar të të gjitha kohërave dhe pas vetes ka lënë filma që kanë lënë gjurmë të mëdha.

“A League of their Own, “Cloud Atlas” dhe “Cast Away” janë tre filmat që Hanks i ka listuar si filmat në të cilët ai ka preferuar të luajë më së shumti.

Te filmi i parë ai ka thënë se është kënaqur duke luajtur në të pasi që e ka pasur mundësinë që të luajë bejsboll gjatë tërë verës.

Ndërkaq, për filmin e dytë ka thënë se është xhiruar mbi shpresë dhe dashuri, teksa për filmin e tretë ka thënë se ata kanë ndërmarrë aventura të guximshme gjatë filmit ku ai është një protagonist që mbetet i ngujuar në ishull pas rrëzimit të aeroplanit./ KultPlus.com

Evropa në “alarm” për shkak të COVID-19, Holanda fillon mbylljen

Qeveria e Holandës planifikon të prezantojë një bllokim të pjesshëm tre-javor për të shuar një valë të katërt të infeksioneve Covid në mes të një rritje të numrit të rasteve, njoftoi transmetuesi publik NOS të premten, përcjellë KultPlus.

Holanda regjistroi 16,364 raste të enjten, gjë që ka alarmuar Qeverinë holandeze, e cila veçse ka filluar ta hartojë planin për evitimin e një vale të katërt të virusit COVID-19.

Kjo shifër, një nivel i paparë që nga fillimi i pandemisë, ishte një rritje prej 33 për qind krahasuar me rastet e reja të regjistruara një javë më parë.

Duke filluar nga e shtuna, restorantet, baret dhe kafenetë në vend do të duhet të mbyllen në orën 19:00. Ngjarjet sportive do të zhvillohen pa spektatorë. Banorët nuk do të lejohen të ftojnë më shumë se katër mysafirë në shtëpitë e tyre.

Dhe rregullat e distancimit social do të rivendosen, megjithëse dyqanet që shesin gjërat elementare do të mbeten të hapura.

Kryeministri Mark Rutte dhe Hugo de Jonge, ministri i shëndetësisë, pritet të shpallin masat të premten në mbrëmje.

Rreth 76 për qind e popullsisë së vendit është plotësisht e vaksinuar kundër koronavirusit, sipas Our World in Data./KultPlus.com

“Zgjoi” vazhdon suksesin në Amerikë, shfaqet sot në kinemanë e famshme të Los Angeles

Njëri ndër filmat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës, “Zgjoi” po vazhdon ta shijoj suksesin e tij të jashtëzakonshëm, shkruan KultPlus.

Ekspeditën e tij, “Zgjoi” do ta vazhdojë në Amerikë, konkretisht në qytetin e Los Angeles, kur edhe do të shfaqet sot në kinemanë “Laemmle’s Royal Theater”.

Regjisorja e filmit, Blerta Basholli, së bashku me gjithë stafin se fundmi janë përshëndetur me këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, e cila i uroi shumë suksese tutje.

‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

“Zgjoi” i njohur në anglisht sikurse “Hive” do të shfaqet në Amerikë deri me datën 18 të këtij muaji./KultPlus.com