Qeveria e Holandës planifikon të prezantojë një bllokim të pjesshëm tre-javor për të shuar një valë të katërt të infeksioneve Covid në mes të një rritje të numrit të rasteve, njoftoi transmetuesi publik NOS të premten, përcjellë KultPlus.
Holanda regjistroi 16,364 raste të enjten, gjë që ka alarmuar Qeverinë holandeze, e cila veçse ka filluar ta hartojë planin për evitimin e një vale të katërt të virusit COVID-19.
Kjo shifër, një nivel i paparë që nga fillimi i pandemisë, ishte një rritje prej 33 për qind krahasuar me rastet e reja të regjistruara një javë më parë.
Duke filluar nga e shtuna, restorantet, baret dhe kafenetë në vend do të duhet të mbyllen në orën 19:00. Ngjarjet sportive do të zhvillohen pa spektatorë. Banorët nuk do të lejohen të ftojnë më shumë se katër mysafirë në shtëpitë e tyre.
Dhe rregullat e distancimit social do të rivendosen, megjithëse dyqanet që shesin gjërat elementare do të mbeten të hapura.
Kryeministri Mark Rutte dhe Hugo de Jonge, ministri i shëndetësisë, pritet të shpallin masat të premten në mbrëmje.
Rreth 76 për qind e popullsisë së vendit është plotësisht e vaksinuar kundër koronavirusit, sipas Our World in Data./KultPlus.com
Njëri ndër filmat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës, “Zgjoi” po vazhdon ta shijoj suksesin e tij të jashtëzakonshëm, shkruan KultPlus.
Ekspeditën e tij, “Zgjoi” do ta vazhdojë në Amerikë, konkretisht në qytetin e Los Angeles, kur edhe do të shfaqet sot në kinemanë “Laemmle’s Royal Theater”.
Regjisorja e filmit, Blerta Basholli, së bashku me gjithë stafin se fundmi janë përshëndetur me këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, e cila i uroi shumë suksese tutje.
‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
“Zgjoi” i njohur në anglisht sikurse “Hive” do të shfaqet në Amerikë deri me datën 18 të këtij muaji./KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Kosovës do të hap sot ekspozitën personale të artistit Zharko Basheski, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë do të keni mundësinë të shihni një seri skulpturash hiperrealistike, të cilat janë kuruar nga Goranche Gjorgjievski.
Hapja e kësaj ekspozite do të bëhet me fillim nga ora 19:00, derisa do të zgjasë deri më 12 dhjetor.
Kjo ekspozitë po realizohet në mes dy institucioneve kombëtare, Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe Galerisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut./KultPlus.com
“Gropat” janë probleme edhe për qytetet më të mëdha në Evropë e mbarë botën, përcjellë KultPlus.
Artisti, Ivan Kracvhenko, si një 26 vjeçar ka gjetur zgjidhjen e duhur për ta mbuluar formën në mënyrë artistike.
Gropa dhe vrimat e shumta që shfaqen në qytetin e Moskës, po mbulohen në formë artistike nga artisti Kravcehnko.
Përmes vizatimeve të ndryshme, formave dhe dizajneve abstrakte, 26 vjeçari po e zbukuron qytetin duke fshehur anët negative që janë të pranishme.
Në të ardhmen, djaloshi nga Rusia po planifikon që të bashkëpunojë me artistët e tjerë që të prodhoj dizajne të ndryshme që përfshihet edhe historiku i shtetit./KultPlus.com
Arnavutkoy është një ndër lagjet më të bukura të Stambollit. Besohet se emri i kësaj lagjeje është vënë prej ushtarëve shqiptarë, të cilët thuhet se kanë luftuar në krah të sulltan Mehmetit në betejën për çlirimin e Stambollit. Familjet e tyre u vendosën aty pas marrjes së qytetit nga ana e turqve. Arnavutkoy, që në shqip do të thotë Fshat Shqiptar.Sipas portalit turk “Star.com.tr”, kjo lagje ekzistonte edhe para çlirimit të Stambollit. Arnavutkoy është nga lagjet më të bukura dhe më të shtrenjta sepse ka ruajtur arkitekturën e dikurshme. Edhe bizneset e reja që janë hapur, mundohen t’i përshtaten strukturës së vjetër.
Qysh në udhëtimin tim të parë në Stamboll, shumë vite të shkuara, më pati qëlluar që veç shumë nuancave të tjera të trashëgimisë shqiptare në këtë qytet dy-kontinentësh, të më binte në sy një lagje piktoreske, fisnike dhe krejtësisht e mahnitshme si Arnavutköy, thënë copë në shqip “Fshati i shqiptarëve”.
Problemi qëndronte në faktin se thuajse asnjë guidë turistike turke nuk e përmendte praninë shqiptare në këtë lagje karakteristike dhe të kamur, duke u mjaftuar me shpjegime rrethanore që maksimumi pranonin se në këtë zonë dikur patën jetuar “Rumët”, siç turqit quanin tërë të krishterët ortodoksë, duke mos u përmendur shqiptarët askund, veç sigurisht, emrit të lagjes.
Por ndërkohë, gjërat janë ndryshe.
Arnavutköy njihet si një lagje që ngërthen në vetvete mjaft më shumë seç shpërfaqet në emrin e saj. Aty puqen tërë ngjyrimet e paqta të Stambollit. Një lagje ku gjithkush dëshiron të jetojë dhe të shëtisë, një zonë ku spikat arkitektura tradicionale e bregut të Bosforit.
Kjo ndërthurje hareje dhe elegance përbën edhe vetë fytyrën e lagjes. Vilat hijerënda të periudhës osmane, shtëpitë madhështore të zyrtarëve osmanë dhe vendbanimet e elitës së Stambollit në shekuj.
Një lagje gjelbëruar, me brigje të mahnitshme dhe plot vreshta, Arnavutköy dikur pati qenë vendbanimi i shumë ndër Vojvodët e Moldavisë (Moldavia është qeverisur nga shqiptarët për shumë kohë, qysh nga periudha e Vojvodës me origjinë shqiptare Vasile Lupu mes viteve 1634-1653 dhe rreth viteve 1820 burimet e kohës tregojnë për 90 tregtarë nga Arnavutköy që jetonin tokat e Vllahisë dhe që ishin me origjinë shqiptare).
Prirja për të qenë një lagje moderne dhe kozmopolite nuk ndryshon as në ditët e sotme, sepse Arnavutköy vijon të shquhet për peizazhet mbresëlënëse, me rrugë të shtruara me pllakëza guri dhe vilat e bardha buzë Bosforit.
Emri i kësaj lagje gjithaq ka rëndësinë e vet të pamohueshme.
Ndonëse të dhënat janë të ndryshme, një syresh tejet e njohur vjen nga koha e Sulltan Mehmet Fatihut, i cili pasi pushtoi Konstadinopojën, më tutje, me shumë mundime arrin të pushtojë edhe Arbërinë vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Si politikë ngulitje popullsish, ai e quan këtë lagje si Arnavutköy për shkak të origjinës së banorëve nga Arbëria që pati sjellë për ta ripopulluar këtë zonë pas shkretimeve të luftës dhe pushtimit të Konstandinopojës.
Të tjera burime ia taksin emrin e lagjes jeniçerëve në shumicë me origjinë shqiptare që ishin të ngarkuar me mbrojtjen e sulltanit, të cilit do të themelonin këtë vendbanim të mrekullueshëm.
Ndërsa sipas një tjetër gojëdhëne, emri i lagjes i detyrohet punonjësve specialistë të sjellë nga Shqipëria për të shtruar rruginat karakteristike të lagjes gjatë periudhës së Sulltanit Abdylmexhid. E jo rastësisht, kjo gjë të kujton “Arnavut Kaldırımı” që nuk është gjë tjetër veç “kalldrëmit”, fjalës turke që kemi trashëguar edhe neve në gjuhën shqipe, duke harruar që vetë turqit, këtë mënyrë shtrimi të rrugëve, e bashkëngjisin me fjalën “Shqiptar”.
Emri i parë i këtij vendbanimi sakaq mendohet të ketë qenë Hestia, më tutje Promotu për shkak të konsullit romak Promotus dhe Anaplous.
Pas pushtimit të Konstandinopojës nga osmanët, në lagje, krahas shumë shqiptarëve dhe të krishterëve të tjerë (përfshirë argjendarët armenë), do të kishte edhe një prani hebreje.
Në Stambollin e sotëm, Arnavutköy përbën një nga pjesët e vetme të brigjeve të Bosforit që kanë mbetur të paprekura, ku ndihet akoma burimor shpirti i kësaj lagje tradicionale, karakteristikat njësore arkitekturore tërësisht të pandryshuara.
Godinat e drunjta buzë Bosforit, ndërthuren njëra me tjetrën të ndara nga rrugina të ngushta.
Nëpër lagjen që ende ka mbetur e paprekur nga zhurmat dhe smogu i qytetit, dëgjohen veç zërat gazmorë të fëmijëve dhe shpotitë e shitësve nëpër dyqane.
Rruginat e ngushta e të thepisura të lagjes gëlojnë nga vizitorët dhe vijojnë të jenë dekori i preferuar i Bosforit për fotografi të paharrueshme.
Arkitektura e veçantë e shtëpive dhe vilave të lagjes e mbështetur në stilin Art Nouveau të viteve 30 të shekullit të shkuar, i jep Arnavutköy një hijeshi të natyrshme dhe një harmoni të rrallë që përthithet në çdo kënd të kësaj lagje.
Ndërkaq, në ujrat përballë Arnavutköy ndodhet edhe pika më e thellë në krejt Bosforin, që arrin në njëqind metra thellësi në Akıntiburnu, ku gjithashtu rrjedh një rrymë aq e fortë saqë dikur për t’u kthyer varkat dhe anijet, nevojitej të tërhiqeshin me litarë nga bregu.
Ndër godinat më historike të Arnavutköy hasim ndërtesën e Robert College, institucioni arsimor më i hershëm amerikan jashtë SHBA (themeluar në vitin 1863), kishën ortodokse Taksiyarhis që daton qysh nga periudha bizantine dhe ngrihet pranë një burimi me ujë të bekuar shërues dhe xhaminë Tevkifiye.
Ky ishte një përshkrim i shkurtër i kësaj lagje kaq të rëndësishme për Stambollin, por gjithaq edhe për trashëgiminë shqiptare për të cilën dimë kaq pak, veçanërisht për Fshatin Shqiptar, siç përkthehet në shqip Arnavutköy, kjo lagje në venat e të cilës rrjedh historikisht gjak i pastër shqiptar.
Vizitojeni, nëse ju bie udha në Stamboll./ KultPlus.com
Pulla më e famshme dhe më e vlefshme në botë – 1c Magenta – është ekspozuar në dyqanin kryesor të Stanley Gibbons në Londër, përcjellë KultPlus.
Tregtari i rrallë i pullave e bleu pullën për 8.3 milionë dollarë në fillim të këtij viti – dhe tani anëtarët e publikut mund të blejnë pjesë të saj me pullën e ndarë në mënyrë figurative në 80,000 copë.
Magenta unike 1856 1c nga Guiana Britanike u ble në ankand në SHBA për një shumë totale prej 8.307 milionë dollarë amerikanë nga tregtarët e rrallë të pullave Stanley Gibbons.
Shitja e bën atë pullën më të vlefshme në botë.
“Kjo është më shumë Mona Lisa e pullave, ku mund të mos jetë më e bukura, por sigurisht që është më e famshmja me historinë dhe është krejtësisht unike,” shpjegon George James, Shefi i Commonwealth për Stanley Gibbons.
Pulla është e vetmja e llojit të saj dhe aktualisht është e ekspozuar në dyqanin kryesor të Stanley Gibbons, 399 The Strand në Londër.
Vula ka përmasa 29 me 26 milimetra dhe përmban një anije me vela me tre shtylla së bashku me moton “Damus Petimus Que Vicissim” që përkthehet si “ne japim dhe presim në këmbim”./KultPlus.com
Njëra ndër ngjarjet më të mëdha muzikore, MTV Europe Music Awards, do të mbahet më 14 nëntor në Budapest të Hungarisë, ku njëra ndër prezantueset do të jetë edhe këngëtarja me origjinë nga Kosova, Rita Ora, shkruan KultPlus.
Në mbrëmjen kur do të bëhet ndarja e një numri të madh të çmimesh me emra të njohur të skenës evropiane dhe atyre botërore.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Instagram”, Rita Ora ka konfirmuar se do të jetë njëra ndër prezantueset në këtë eveniment.
Artistja tjetër nga Kosova me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, është e nominuar për njërën kategori të çmimeve në këtë mbrëmje ceremoniale.
“Artisti/ja më i/e mirë i/e zhanrit pop”, është kategoria në të cilën Lipa është e nominuar, me emra të njohur nga e gjithë bota siç janë: BTS, Doja Cat, Ed Sheeran, Justin Bieber etj.
Në anën tjetër, “MTV EMA” do të bëjë ndarjen e çmimit për artistin më të mirë të vitit në secilin shtet përkatës evropian.
Muzika nuk ka kufi dhe këtë e kanë dëshmuar më së miri artistët shqiptarë. Gjithnjë e më shumë artistë nga Kosova dhe Shqipëria po shtohen në tregun muzikor ndërkombëtar.
Për shtetin e Zvicrës janë të nominuar dy artistë shqiptarë: Loredana Zefi dhe Gjon Muharremaj./KultPlus.com
Poeti i madh Lasgush Poradeci ka pasur një ndjenjë të veçantë për Kosovën.
Në videon e mëposhtme, Poradeci rrëfen ndjenjat e tij patriotike për Kosovën.
Kush është lulja në Ballkan Që bota i ka sevdanë Kosova që s’njeh sulltan Plot difë e kapedanë. Të sedrës e me shpirt krenar S’durojnë cen a dhunë Tregojnë gjoks në sulm e zjarr Si shkaba në furtunë. Kosova që bën sulm në zjarr Posi dragoj me fletë, Siç bënte sulm ngadhërimtar Gjergj Kastrioti vetë. / KultPlus.com
Një prej figurave letrare më unike të shekullit 20, Jorge Luis Borges, u lind në Argjentinë, në 24 gusht 1899.
Si një mjeshtër i tregimeve të shkurtër, Borgesi shkroi për botën kriminale të Argjentinës dhe krijoi botë që rroknin magjepsjen e tij pas konceptit të pafundshmërisë. Poemat e tij përkujtojnë kulturën unike dhe traditat e kryeqytetit, Buenos Aires, ku ai jetoi deri ditën që vdiq, në 1986. Këtu sjellim disa prej shprehjeve më të spikatura të Borgesit:
“Dyshimi është një prej emrave të inteligjencës”
“Diktaturat sjellin shtypjen, diktaturat sjellin robërinë, diktaturat sjellin mizorinë: më i neveritshëm është fakti që ato sjellin idiotësinë”
“Vetë jeta është një citat”
“Teksa mendoj për mitet e shumtë, është njëri prej tyre që është shumë i dëmshëm, dhe ky është miti i shteteve”
“Mos fol, nëse nuk ke për ta përmirësuar heshtjen”
“Lëri të tjerët të krenohen se sa shumë faqe kanë shkruar. Preferoj të mburrem për ato që kam lexuar”
“Të shkruarit nuk është asgjë më shumë se sa një ëndërr e udhërrëfyes”
“Ne e pranojmë me kaq shumë gatishmëri realitetin. Ndoshta sepse ndjejmë që asgjë nuk është reale”
“Të biesh në dashuri do të thotë të krijosh një fe me një Zot të gabueshëm”./ KultPlus.com
LASGUSH PORADECI, Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”, përgatitur nga vajzat Kostandina dhe Marie Gusho.
“Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgushi i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit.
Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ish vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të. Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar? E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”.
Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”. E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë./ KultPlus.com
(Fillimi i rezistencës kombëtare shqiptare në Anamoravë si dhe bartja e saj në Ferizaj e Gjilan – veprim patriotik kundër ripushtimit serb. – Lidhja e parë e grupeve të shkëputura të rezistencës nën drejtimin e “Shtabit Suprem” në dhjetor të vitit 1944 për të penguar futjen e aradheve serbe. – Zgjerimi i lëvizjes së rezistencës në të gjitha pjesët e Kosovës si dhe shpallja e saj “kundërrevolucion”. – Fillimi i operacioneve të ushtrisë jugosllave kundër kryengritësve shqiptarë si dhe terrori ndaj popullatës së pambrojtur nga aradhet partizane jugosllave. – Shaban Polluza refuzon të shkojë në frontin e Sremit me aradhen e tij dhe kthehet në Drenicë, ku edhe fillon luftën kundër partizanëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë. – Pas shtypjes së përgjakshme të rezistencës kombëtare në Drenicë, aradhet partizane nga Shqipëria, marrin pjesë në spastrimin e Drenicës “nga bandat reaksionare” dhe bëjnë mobilizimin e dhunshëm të Shqiptarëve për në fronin e Sremit dhe frontet e Adriatikut, ndërsa “reaksionarët” dhe dezertorët ua dorëzojnë partizanëve jugosllavë shumë prej të cilëve do të pushkatohen).
Në fillim të dhjetorit, pasi që të ketë arritur dekreti për qërimin e hesapeve me ata që nuk ishin komunistë dhe nuk i takonin lëvizjes partizane, të cilët njëherësh cilësoheshin si antikomunistë dhe reaksionarë (të tillë ishin rreth nëntëdhjetë për qind të Shqiptarëve), pikërisht ditën e dytë të këtij muaji, më 2 dhjetor, do të shënohen luftimet e para të forcave të rezistencës shqiptare me njësitë okupuese partizane serbe në Ferizaj dhe pastaj edhe në Gjilan më 23 dhjetor. Në Ferizaj ato u drejtuan nga Hysen Tërpeza. Ndërsa në Gjilan nga kleriku patriot, Mulla Idriz (Hajrullahu), po ashtu anëtar i “Shtabit Suprem” që tashme vepronte në kuadër të Komitetit të Rezistencës Kombëtare. Ky komitet, kishte punuar me të madhe që grupet e shkapërderdhura të rezistencës të ndër-lidheshin dhe të vepronin bashkërisht kundër ripushtimit të Kosovës nga serbët, që bëhej nën maskën e bashkëpunimit partizan midis komunistëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë, aradhet e të cilave kishin ndikuar që me mashtrime për gjoja “zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare”.
Burimet jugosllave, në luftimet e Ferizajt deri në Gjilan, që zgjaten gjatë gjithë dhjetorit, përmendin pjesëmarrjen e mbi katër mijë si thuhej “ballistëve shqiptarë”. Sipas burimeve të tërthorta, kjo shifër, përafërsisht mund t’i përgjigjej realitetit madje të ishte edhe më e madhe. Por, jashtë pretendimit se kryengritja e Shqiptarëve, apo si quhej “kundërrevolucioni”, kishte një komandë ushtarake shumë profesionale prej nga drejtohej si dhe shtabe “të fuqishme” jashtë vendit dhe me këtë rast përmendej herë Xhafer Deva dhe Vjena e herë aludohej në ndonjë qendër perëndimore, gjë që këto nuk mund të ishin kompatabile, prej nga ajo mbështetej edhe me armë.
Madje, edhe informatat se në Kosovë gjendej “i fshehur” Divizioni SS “Skënderbeg” me shtabin operativ të “Ballit” edhe më tutje të ndërlidhur me Gjermanët në Vjenë, nuk kishte të bënte me realitetin. Ngaqë ky divizion, për-masat e përmendura (gjashtë mijë veta), nuk i kishte arritur asnjëherë. Ndërkohë që në prag të tërheqjes së korparmatës “E” gjermane drejt veriut, një pjesë e tyre ishin demobilizuar, ndërsa vetëm njësitë elite ishin tërhequr bashkë me forcat gjermane. E njëjta vlente edhe për një pjesë të mirë të forcave balliste, të cilat kishin qenë në shërbim të shtetit shqiptar dhe assesi në shërbim të Gjermanëve, siç i anatemonte propaganda partizane, pas luftimeve të para me partizanët, që pa ndonjë shpresë se do të mund të mbështeteshin nga aleatët, shumë prej tyre do të tërhiqen në drejtim të Jugut, për në Greqi dhe gjetiu, kështu që njësi të organizuara të këtyre formacioneve nuk kishte në Kosovë.
Në të vërtetë, në këto luftime, që do t’u paraprijnë atyre që, ku më pak e ku më shumë, do të shfaqen thuajse në të gjitha pjesët e Kosovës, bëhej fjalë për nacionalistë shqiptarë nga radhët e forcave mbrojtëse të Lidhjes II të Prizrenit, të Ballit Kombëtar, Legalitetit si dhe “dezertorëve” të shumtë, që ishin shkëputur nga njësitë e Vermahtit në tërheqje e sipër, që nuk mund të rrinin duarkryq kundruall terrorit serb. Në këto luftime, po ashtu do të përfshihen edhe “dezertorë” partizanë, nga aradhet partizane shqiptare (nga Shqipëria dhe Kosova), të cilët ishin larguar prej tyre pasi që të kenë parë se në Kosovë kishte filluar një luftë ndryshe, pra ajo për rikthimin e saj nën Jugosllavi, siç do t’i bashkohen edhe njësitë e shumta të mobilizuarve dhunshëm, të cilat nuk pranonin të shkonin në Vojvodinë dhe frontin e Sremit ( ato të Shaban Polluzhës nga Drenica dhe të tjera). Kështu që, mozaiku i rezistencës kombëtare, fuqinë kryesore e përthithte edhe nga vullnetarët e shumtë, që i bashkoheshin luftës në përputhje me ritmin dhe shtrirjen e saj që përhapej me thirrjen patriotike për mbrojtjen e atdheut nga “pushtimi i shkijeve”, së cilës i përgjigjeshin pjesa më e madhe e popullatës, edhe pse e pa përgatitur për luftë dhe pa armatim të nevojshëm. Kështu kishte ndodhur në luftën e Ferizajt, atë të Gjilanit, në Karadak dhe në gjithë vendin, për të kulmuar me luftën e Drenicës, ku edhe do të marrë epilogun tragjik.
Shpërthimi i rezistencës kombëtare në Ferizajt dhe në Gjilanit (nga filli-mi i nëntorit) kundër partizanëve jugosllavë si dhe formësimi i tij në rezistencë të hapur kombëtare me shtrije në gjithë Kosovën dhe në Maqedoni, ku njësitë e ballit nën drejtimin e Xhemë Gostivarit kishin marrë përmasa të mëdha, nuk ishte i rastit. Atij do t’i paraprijnë kundërvëniet energjike depërtimit të forcave partizane në anën e Anamoravës, të Podujevës dhe të Karadakut, që do t’u bëhen nga forcat mbrojtëse të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që ndonëse të shkapërderdhura, do të përpiqen që t’ua ndalin toruan njësive partizane, të cilat në këto pjesë, sapo futeshin, fillonin me zbatimin e urdhrave për “pastrime”, në shënjestër të të cilave ishin intelektualët dhe forcat tjera patriotike. Aradhet partizane jugosllave, po ashtu, nëpër katunde, konfiskonin dhunshëm edhe pasurinë private dhe pronat, pa ngurruar që të provokonin në forma të ndryshme popullatën, në mënyrë që me rastin e çfarëdo reagimi të pasojë dhuna e ashpër revolucionare e përcjellë me burgosje dhe pushkatime të atypëratyshme.
Në këtë rrethana, patriotët dhe ushtarakët nacionalistë, do të bashkohen në disa pjesë, të shumtën rreth personaliteteve me ndikim që vepronin nga Zona IV mbrojtëse e Kosovës, siç ishin ing. Adem Gllavica (i njohur edhe si Adem Selimi), Qazim Sefa Llugaxhia, prof. Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi, Hysen Tërpeza, Mulla Idriz Gjilani, Abdyl Henci e të tjerë në pjesën e Kosovës Lindore nga Presheva, Gjilani e deri në Ferizajt, të cilët do të vihen në ballë të rezistencës.
Shumë prej këtyre personaliteteve ishin prefektë komunash gjatë kohës së Qeverisë Shqiptare (1943-1944), të cilët, në kapërcyllin dramatik midis largimit të ushtrisë gjermane dhe të futjes së aradheve partizane (atyre shqiptare dhe jugosllave që erdhën pas tyre), ishin të përkushtuar ta ruanin vendin, duke u vënë në krye të njësiteve vendore vullnetare jashtë ndonjë lidhjeje rajonale. Hysen Tërpeza, njëri ndër prefektët vendorë në Pozharan, e sqaron më së miri këtë gjendje kur thotë se “ne nuk kishim ndonjë shtab të veçantë, në kuptimin konkret të fjalës. Mirëpo, secili kryetar i komunës komandonte njerëzit e komunës së tij. Kështu pra, Pozharani e kishte udhëheqësin e vet, Parteshi të vetin, Bresalci të vetin dhe kështu me radhë.”
Më tutje, ai thotë se “ne ishim vullnetarë, të prirë nga vullneti dhe atdhe-dashuria dhe shkonim nga beteja në betejë për ta mbrojtur Shqipërinë Etnike”, e kësaj i duhej edhe një organizim i përbashkët ushtarak , i cili do të pasojë.
Sipas, Tërpezës, beteja e parë e tillë kishte qenë ajo për mbrojtjen e Pre-shevës, prej nga kishte filluar marshimi i forcave partizane drejt Kosovës bashkë me zullumin ndaj Shqiptarëve, të cilit duhej bërë ballë, por që kjo kërkonte një lidhje të përbashkët, gjë që nënkuptonte një organizim të gjerë në mënyrë që patriotizmi vendor të mbështetej edhe mbi një qëllim të caktuar politik veç-mas kur dihej se pas humbjes së gjermanëve pritej prishja e kufijve. Në ato rrethana, bëhet e ditur për një takim midis H. Tërpezës, prof. Ibrahim Kelmendit, Mulla Idrizit, Adem Gllavicës, Qazim Llugaxhiut, Adem Stanqiqit, Fazli Seferit dhe shumë të tjerëve në Tërpezë ku kishin qenë edhe disa misionarë anglezë, të shoqëruar nga Shefqet Shkupi. Aty ishte biseduar që rezistenca kundër fuqive pushtuese partizane të drejtohej nga një Shtab Suprem i Kosovës.
Pas mbajtjes së Kongresit, pas një vendimi që ishte marrë më 27 nëntor 1944 në katundin Petkoviq të Gjilanit, forcat patriotike nga radhët e rezistencës kombëtare tashmë në përbërje të “Shtabit Suprem të Kosovës”, gjithnjë në përpjekjet që të pengohej ripushtimi nga aradhet partizane, të cilat krahas terrorit që ushtronin ndaj popullatës së pambrojtur me pretekst se “po luftonin reaksionin” , zëvendësonin edhe administratën e deriatëhershme shqiptare me atë komuniste të nacionalçlirimtares (hiqeshin flamujt kombëtarë që zëvendësoheshin me ata partiakë dhe jugosllavë), pra në këto rrethana, më 1 dhjetor sulmuan qytetin e Ferizajt, një nyje e rëndësishme që lidhte Prishtinën, Prizrenin e Gjilanin me Shkupin. Aty u zhvillua një përleshje e ashpër midis nacionalistëve dhe partizanëve jugosllavë (rreth 3 mijë të ardhur nga Shkupi e rrethe të tjera nga radhët e Batalionit III dhe IV të Kosovës), e cila zgjati tri ditë .
Në fushë të betejës ranë rreth shtatëdhjetë nacionalistë dhe mbi 400 partizanë, midis të cilëve edhe kapiteni i OZN-nas Bozho Prlja, i njohur për krimet në Ferizaj ndaj nacionalistëve si dhe Milosh Muiq, komandant i batalionit III.
Luftëtarët nacionalistë që u vranë vinin nga katundet Goden (katund i Karadakut të Shkupit) dhe aato përreth: Davidoc, Jazerc, Petrovë, Reçak, Shtimje dhe Dramjak. Forcat nacionaliste, pas tri ditësh u tërhoqën nga Ferizaj ngaqë nuk ishin në gjendje të përballonin rrethimin e madh të partizanëve që u vihej nga të gjitha anët.
Lufta e Ferizajt me të shpejtë u bart edhe në pjesët e tjera. Në fillim të dhjetorit, shpërtheu një kryengritja e forcave nacionaliste e drejtuar nga Rushdi Janjeva, i cili sulmoi qendrën dhe për një kohë ia doli t’i ndjekë forcat partizane, të cilat u kthyen, vetëm pasi që u erdhën përforcime të mëdha nga Shkupi.
Një tjetër luftë midis nacionalistëve dhe partizanëve serbë dhe maqedonas, që depërtonin nga dy drejtimet ishte zhvilluar në pjesën e Gollakut më 2 janar të vitit 1945. Mulla Idizi i Gjilanit, një klerik patriot, i cili nuk ishte pajtuar me ripushtimin sllavo-komunist të Kosovës dhe kishte qenë përkrahës i organizimit të Komitetit Kombëtar, kishte mbledhur rreth veti forca të konsiderueshme nacionalistësh, të cilët synonin që ta çlironin Gjilanin nga partizanët serbë dhe maqedonë, të cilët, kishin filluar të terrorizonin popullatën shqiptare.
Në luftën e Gollakut, e cila zgjati tri ditë, forcat nacionaliste shkatërruan pjesën më të madhe të forcave partizane, të cilat u tërhoqën në Gjilan, të ndjekura nga nacionalistët shqiptarë, të cilët ngulmonin të futeshin në Gjilan, ku prej ditësh mbaheshin shumë të burgosur shqiptarë. Forcat e Mulla Idrizit nuk ia dolën ta marrin Gjilanin, edhe përkundër luftës heroike, ngaqë partizanëve të rrethuar u erdhën në ndihmë tri aradhe nga Shkupi dhe një nga Leskoci i Serbisë, të cilat ia dolën që të largojnë forcat nacionaliste. Me këtë rast, partizanët serbë dhe maqedonas ushtruan një hakmarrje të përgjakshme ndaj qytetarëve të Gjilanit, me ç’rast masakruan gjithë të burgosurit shqiptarë dhe qytetarë të tjerë, ndër të cilët edhe 72 gra e vajza.
Pasi që të jetë shtypur me gjak rezistenca e fillimit të dhjetorit në Ferizaj dhe Gjilan dhe ajo e zgjerimit të saj në drejtim të Qyqavicës dhe Vushtrrisë, ku po ashtu do të ketë kundërvënie ndaj forcave partizane jugosllave, po edhe hakmarrje të egër ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare, gjatë ditëve të fundit të dhjetorit dhe të parave të janarit, kur edhe më tutje do të vazhdojë mobilizimi i dhunshëm i të rinjve të Kosovës dhe dërgimi i tyre në drejtim të Veriut dhe të Adriatikut – prej nga edhe do të fillojnë të vijnë lajmet rreth fatit të zi të tyre në Tivar me helmimin e tyre në Shibenik – forcat e rezistencës shqiptare tashmë të bindura se të ashtuquajturat marrëveshje me partizanët rreth vendosjes së pushtetit popullor “në përputhje me vullnetin e popullit” nuk paraqesin tjetër pos një kurth për ripushtimin e Kosovës nga partizanët jugosllavë të ndihmuar nga ata shqiptarë dhe në marrëveshje të ngushtë me ta, do të mundohen ta shfrytëzojnë kartën e mobilizimit kundër mobilizimit me çka ajo thelloi edhe më tutje hendekun midis nacionalistëve shqiptarë dhe pushtuesve sllavo-komunistë.
Shaban Polluzha, i cili fillimisht kishte marrë pjesë në mobilizimin e Shqiptarëve si dhe në krijimin e dy njësive që do të nisen për në Veri, do të fillojë të bëjë një mobilizim të ri pa njohurinë e Shtabit Operativ, jashtë atij që udhëhiqej nga Brigada VII e Kosovës, e cila ishte përgjegjëse për këtë veprim-tari. Pas disa “sqarimeve”, megjithatë, Shaban Polluzha do të pranojë që njësitë që kishte mobilizuar në pjesën e Drenicës (rreth katër mijë luftëtarë) t’i nënshtroheshin përgatitjes që bënte Brigada VII dhe të niseshin në Veri.
Eshaloni i parë prej dymijë e pesëqind vetash, pa Shaban Polluzhën, do të niset nga Vushtrria në drejtim të Podujevës më 20 janar. I përcjellë nga Divizioni 46 serb, do të arrijë në Kurshumli prej nga do të drejtohet për në Srem. Më 22 janar, eshaloni i dytë i të mobilizuarve, i përcjellë nga Divizioni i 46 serb dhe Brigada VII e Kosovës, me rreth dy mijë veta, në krye të të cilit ishte Shaban Polluzha, do të niset në drejtim të Podujevës. Nga Vushtrria, duke kaluar nëpër katundet Banjë, Gllavnik dhe Dumnicë e Poshtme, Eshaloni do të fillojë të shkapërderdhet pak nga pak.
Të mobilizuarit do të largohen nëpër katundet përreth me arsyetimin se nuk dëshironin të shkonin në Veri ndërkohë që Kosova mbushej me brigada partizane serbe, të cilat ushtronin terror ndaj Shqiptarëve.Të nesërmen, eshaloni i të mobilizuarve që udhëhiqte Shaban Polluzha arriti në Podujevë, por aty u ndal. Qëndrimi i tyre ishte i prerë: do të mbetemi në Kosovë dhe do të luftojmë në të po qe se është nevoja ta mbrojmë. Që të binden për të vazhduar më tutje rrugën për në Srem, në bisedime me Shaban Polluzhën do të futet personalisht Fadil Hoxha, Komandant i Përgjithshëm i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, i shoqëruar nga Ismet Shaqiri.
Bisedimet nuk do të kenë sukses, meqë detyra e Fadil Hoxhës ishte që të bindte Shqiptarët të merrnin rrugën e Veriut, ndërsa qëllimi i Shaban Polluzhës ishte që me këtë refuzim të krijonin rrethana për krijimin e një fronti mbrojtës të Kosovës nga çetnikët serbë dhe bandat që depërtonin nga Veriu, gjë që nuk varej nga Fadil Hoxha.
Gjatë kohës sa zhvilloheshin bisedimet, Brigada e 46 serbe filloi për-gatitjet ushtarake te Lluzhani për bllokimin e kthimit të njësive shqiptare, të cilat do të bëhen pa dijeninë e Fadil Hoxhës, i cili nuk ishte i interesuar për një konflikt të Shqiptarëve me njësitë partizane jugosllave, ngaqë e dinte se çfarë epilogu tragjik do të kishte për Kosovën.
Konflikti dukej i pashmangshëm, çastin që disa njësi, do të thyejnë urdhrin e nisjes kah Veriu dhe do të shpërndahen pa u penguar nga forcat serbe që kishin vënë “barikadimin” te Lluzhani, në grupe të vogla për të kaluar Llapin dhe pastaj Sitnicën, por që do të sulmohen pas shpinës dhe pastaj, në mbrojtje e sipër nga sulmet e batalionit serb, do të fillojnë të rigrupohen kah katundet Ne-volan, Resnik, Kulë dhe Shalicë.
Kjo do të mjaftojë që të nesërmen Shtabi Operativ i Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Kosovës, nën direktivën e Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Jugosllavisë dhe të Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë të japin dritën e gjelbër për luftë të armatosur, si thuhej, “kundër kundërrevolucionit dhe të reaksionit të brendshëm, i cili kishte shpërthyer në Kosovë”.
Kthimi i njësive të Shaban Polluzhës në Drenicë, pasi që ai pa rrethimin e vënë nga Divizioni 46-të dhe Brigada VI kosovare si dhe “shpallja e kundërrevolucionit” në Drenicë nga ana e Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Kosovës hapi faqen tragjike të luftës së Drenicës midis forcave të Rezistencës Kombëtare kundër ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës nga partizanët jugosllavë të ndihmuar edhe nga ata shqiptarë nga radhët e njësive partizane të UNÇ të Shqipërisë si dhe të UNÇ të Kosovës.
Sipas shënimeve jugosllave dhe atyre të brigadave partizane shqiptare, Shaban Polluzha në Drenicë rreth vetes kishte gjashtë mijë luftëtarë, të shumtën vullnetarë, që komandoheshin nga një numër ushtarakësh, të armatosur me armë të lehta dhe pa rezerva të duhura ushtarake për ndonjë luftë më të gjatë.
Të rrethuar nga të gjitha anët nga njësitë partizane ata ishin të shkëputur nga pjesa tjetër e vendit dhe të shkëputur nga çfarëdo ndihmë që mund t’i vinte nga jashtë. Fjala pra ishte për një luftë të pabarabartë dhe me anatemën e “kundërrevolucionit”. Në këto rrethana, më një shkurt 1944 Shtabi Operativ i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës dha urdhrin për mësymje të përgjith-shme kundër forcave të Rezistencës Kombëtare në Drenicë, të drejtuara nga Shaban Polluza, Mehmet Gradica dhe Adem Voca.
Në sulmin e përgjithshëm kundër luftëtarëve të Drenicës u mobilizuan tre divizione jugosllave (46, 52 dhe 24), një brigadë e motorizuar si dhe Brigadat III, IV dhe V kosovare. Nga Mali i Zi arriti Brigada I e Bokës dhe Brigada malaziase e Kotorrit.
Nga një urdhëresë e Shtabit Operativ të UNÇ të Kosovës të datës pesë shkurt 1944 shihet se luftimet kanë qenë të ashpra në një front të gjerë nga veriu i Mitrovicës e deri në shpatet jugore të Kopaonikut, ku thuhet se në këtë pjesë forcat e Adem Vocës janë shkatërruar, por ato të Shaban Polluzhës, me një fuqi prej pesë mijë ushtarësh, “po japin një rezistencë të fortë, sado që rrethi i tyre po shtrëngohet”.
Nga kjo urdhëresë mësohet se kryengritja ka filluar të përhapet edhe në disa pjesë jashtë rrethimit, në Tunik dhe Rakosh në drejtim të Gjakovës dhe të Istogut.
Sipas njoftimeve jugosllave luftimet e ashpra u zhvilluan nga 7-12 shkurti, me ç’rast njësitë partizane patën humbje të mëdha dhe u desh të përforcohen edhe me Divizionin 24 dhe Brigadën I Malaziase të Bokës dhe atë të Kotorit, në mënyrë që ato më të ashprat, pra pasi që njësitë partizane të kalojnë në ofensivë të plotë, të zhvillohen nga 12-22 shkurt.
Nga një njoftim i Shtabit Operativ të UNÇ të Kosovës të nënshkruar nga Fadil Hoxha më 12 shkurt thuhet se “forcat e armikut në Drenicë ende nuk janë asgjësuar. Armiku po reziston shumë. Brigadat tona po kalojnë njëkohësisht në sulm, kështu që armiku vetëm në një sektor po mundet të rezistojë.”
Pra, F. Hoxha kërkon: “ nga të gjitha anët të bashkohet rrethimi dhe të kalohet në një sulm të përgjithshëm, deri sa të eliminohet armiku”.
Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se me “sulmin e përgjithshëm deri sa të eliminohet armiku” do të ngarkohen Brigada I dhe IV e komanduar nga kolonel Petar Brajeviq, i cili mori përsipër operacionet e fundit kundër Shaban Polluzhës dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në Gollupovë. Gjatë këtyre luftimeve forcat e mëdha partizane, pasi që kishin thyer krahun kryesor të forcave të Rezistencës Kombëtare në shumë pjesë dhe shumë prej tyre ishin shkëputur nga veprimet e mëtutjeshme luftarake, ose shkatërruar fare, kishin rrethuar Shaban Polluzhën.
Shaban Polluzha me luftëtarët që kishte pranë ishte munduar dy herë të shpërthente rrethimin, por i plagosur rëndë kishte vdekur në Çikatovë. Në atë betejë ishin vrarë edhe kapiten Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari dhe djali i Shaban Polluzhës, Miftari.
I njëjti skenar lufte, do të përdoret edhe me të mobilizuarit që Adem Voca prej ditësh po i tubonte në trekëndëshin: Vushtrri-Mitrovicë-Shalë. Për ndryshim nga Shaban Polluzha, i cili kishte kërkuar të bënte bisedime me Shtabin Operativ të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, që komandohej nga Fadil Hoxha, Voca kishte hyrë në bisedime me funksionarët e lartë partiakë Ali Shukrinë dhe Spasoje Gjakoviqin. Ky i fundit, asokohe udhëhiqte shërbimin informativ ushtarak OZNA, përgjegjës për pastrimin e Kosovës “nga reaksioni dhe kundërrevolucionarët”, me bazë në Shkup, prej nga përgatiste të gjitha kurthet ndaj Shqiptarëve.
Në bisedime Voca do të kërkojë, pos të tjerash, të ndajë pushtetin në Mitrovicë, në përputhje me forcën që kishte (rreth katër mijë vullnetarë), dhe po ashtu të mobilizuarit të mos shkonin në veri, po të mbeteshin në Kosovë për t’u mbrojtur nga çetnikë të Zhika Markoviqit, që operonin lirshëm në pjesën e Shalës dhe të Llapit. Pasi që në bisedime Gjakoviqi do t’i refuzojë që të gjitha kërkesat e Vocës dhe në ndërkohë Brigada e 26-të serbe, do të ketë filluar sul-met kundër njësive të Shaban Polluzhës të cilat po tërhiqeshin në drejtim të Qyqavicës, po atë pasdite, Brigada e 25-të serbe, e stacionuar në afërsi të Mitrovicës, do të fillojë operacionet luftarake kundër forcave të Adem Vocës, të cilat do të tërhiqen në drejtim të Staritërgut dhe atje të nesërmen, më 26 janar, do të zhvillojnë një përleshe të ashpër me partizanët serbë, të cilëve do t’u vijë në ndihmë edhe Divizioni 46-të.
Të nesërmen, pasi që forcat e Adem Vocës të jenë rrethuar në hapësirën e xeherores Trepça, kundër tyre do të përdoren topat dhe artileria. Me këtë rast atyre do t’u shkaktohen humbje të mëdha. Por, një pjesë e tyre do t’ia dalin të tërhiqen në drejtim të katundit Pantinë, prej nga vinte Adem Voca. Aty, në shtëpinë e tij, bashkë me vëllezërit dhe shtatë djemtë, i barrikaduar, nuk do të pranojë të do-rëzohet. Më 11 shkurt Adem Voca me ata që kishte në shtëpi do të likuidohen.
Fitorja ndaj “kundërrevolucionit” në Drenicë, siç u vlerësua nga koloneli Sava Derleviq, komandant i Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, i cili tashmë gjendej në krye të Drejtorisë Ushtarake, e cila, në rrethanat e vendosjes së administratës ushtarake në Kosovë nga 8 shkurti 1945 kishte komanduar operacionet përfundimtare luftarake të zhvilluara në Drenicë dhe me të tjerat që do të ndër-merren gjatë atij dimri dhe pranvere për spastrimin e Kosovës nga forcat nacionaliste dhe ato patriotike që nuk pajtoheshin as me ripushtimin e Kosovës e as me diktaturën komuniste, kishte vazhduar thuajse me të njëjtin intensitet, tash me pretekste “të rikthimit të paqes dhe të vendosjes së pushtetit popullor”.
Përmasat e vërteta të hakmarrjes çetnike-partizane do të mundohen të mbahen të fshehura, por disa prej tyre do të marrin dhenë. Në një promemorie që Ymer Berisha, nacionalist i njohur, që kishte marrë pjesë në Rezistencën Kombëtare, ia kishte dërguar gjeneralit Hodson, e njofton se “gjatë atyre 28 luftimesh, u vranë e u plagosën rreth 430 luftëtarë nga Drenica, asnjë nuk u zu rob, u plaç-kitën dhe u dogjën mbi 150 shtëpi; gjashtë mijë banorëve të Drenicës, Vushtrisë dhe Mitrovicës iu grabit tërë ushqimi dhe pasuria e tundshme. Nga ushtria parti-zane, 6 mijë ushtarë u plagosën, 2.550 u vranë e 850 u zunë robë”.
Nga shënime të ngjashme merret vesh se gjatë fushatës ushtarake “për spastrimin nga reaksioni shqiptar”, në Mitrovicë e rrethe, u pushkatuan pa gjyqe rreth 2 mijë shqiptarë të pafajshëm. Në Vushtrri u asgjësuan rreth 400 të tjerë.
(Shkëputje nga “Kosova 1912-1942”, faqe 340-347)./ KultPlus.com
Sot 34 vjet më parë ka vdekur poeti shqiptar Lasgush Poradeci, shkruan KultPlus.
Llazar Gusho ishte emri i vërtetë i shkrimtarit që kishte shkruar për yjet, dashurinë dhe gruan. Ai njihet me pseudonimin e tij letrar ‘Lasgush Poradeci’ e cila vie nga shkurtesat e emrit të tij dhe babait, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur vendlindjen e tij, Poradeci.
Lasgushi është autor i dy vëllimeve me poezi ‘Vallja e yjeve’ botuar në vitin 1933 dhe ‘Ylli i zemrës’ në vitin 1937. Këto dy përmbledhje poetike i ka botuar në Bukuresht të Rumanisë.
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, ai u nderua me titullin ‘Nderi i Kombit’ dhe ‘Qytetar Nderi’. Shumë lagje të Shqipërisë mbajnë emrin e tij.
KultPlus në përvjetorin e vdekjes së Lasgushit, ju sjell një fragment nga ditari i tij:
Nga ditari i Lasgushit
– Poradec, 3 Nëntor 1977:
Dyke u kthyer që prapa Kalasë tatëpjetë ne “Lumi i trahanit” dhe buzë liqerit për në Poradec, ndenja disa minuta në lapidarin përballë fortesës italiane, me “Cuc”-in, konen t’ime besnike. Pas atyre pak minutave u ngrita, u ngrit përnjëheresh dhe ‘Cuc”-i, që eci përpara meje si gjithnjë, nj’a 7 a 8 metra përpara. Pa pritur pa kujtuar – “Cuc”-i po alurinte me alurim të math dyke u parpalitur dhe dyke u rrëkëllyer në rrugë, midis shkëmbit dhe fortesës, si dyke vdekur: rrëkëlleheshe me këmbët përpjetë dhe parpaliteshe, e drithte, e përdrithte trupin, dyke qarë dhe dyke u rrëkëllyer e dredhur e përdredhur me këmbët përpjetë dhe me gojën hapur e sytë e llahtarisur të zgurdulluar e të pavetëdijshëm. Obobo thashë me shpirtin t’im të tundur, të dëshpëruar: m’a kish shtypur kamioni, e kish marrë nënë rrota. E përkëdhela shumë, me sekonda, i thosha me emër: “Cuc”, “Cuckë”, “Cuc-Cuc” po ay nuk ngjalleshe. E pashë vdekjen e Cucit me sy, kujtova me tronditje të madhe se e humba Cucin e dashur, se më vdiq Cuci im aq besnik, i cili m’a gëzon jetën t’ime në Poradec ku unë jam i shkretë pa njerí, i vetëm, i shkretë si një eremit, ku unë, passi lë punën e shkrimit, s’vete nëpër kafene dhe pijetore se unë nuk pi dhe mua s’më pëlqejnë njerëzit e kafeneve me fjalët e tyre të kota, që kështu të kota më duken mua. Ata janë të lumtur me atë jetë të tyre, po mua më ngjajnë të kota fjalët e tyre. S’e kanë ata keq atë jetë të tyre të shoqërimit, ndofta s’e kam as unë keq këtë jetën t’ime të vetmuar, po ata janë të lumtur që e vrasin ditën ashtu, në shoqërim, kurse une e vras e s’e vras me vetminë t’ime. S’e vras dot fare dhe prandaj jam fatkeq. Që të shpëtoj prej jetës, t’a harroj të mos e kem në vetëdijen t’ime jetën t’ime, këtë lloj jete të mjeruar, unë ngjit Kalanë e Poradecit, larg njerësve, atje e harroj veten, shkrihem me natyrën, me bukuritë e mbëdha të natyrës rreth e përqark meje, sikur jam ashtu i lumtur, i qetë, sikur flas atje prapa Kalasë me Perëndinë. Sepse Kalaja, prapa, nga Perëndimi i saj, është shumë e bukur me 1000 pamje të mahnitshme, që mua m’a mahnitin ëmbël shpirtin t’im.
Kështu zbrita edhe sot prej Kalasë, që prapa Kalasë ku ngjit e sbres e qetësohem e gëzohem i ndjekur me aq besnikëri të madhe prej Cucit t’im. Po sot Cuc-i gjesh më vdiq, parpaliteshe dhe ish i mbytur në gjak; Kokën tërë gjak, veshët, trupin, tërë gjak. Kështu tërë gjak e përkëdhelnja të ngjallet, mezi m’u ngjall – isha unë vetë me duar e pallto me gjak. Lavdi zotit që s’më vdiq, që i shpëtoj vdekjes. Sa u gëzova që shpëtoj, po prapë kisha frikë mos më vdesë, aq i vrarë, i plagosur, i gjakosur ishte.
Lasgush
– Poradec, e Hënë 7 Nëntor 1977:
Sot “Cuci” mund të them se është më mirë: zuri të hajë, të baresë nga pak, sbret shkallët dhe nxiton ose harbon dyke çaluar nga këmba e përparme e djathtë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një postim falënderues mbi këngëtaren me famë botërore Dua Lipa, shkruan KultPlus.
E shoqëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pati një fjalim të veçantë, Lipa u nderua me një çmim tjetër ndërkombëtar.
Ky çmim ka të bëjë me individët shembullorë që kanë kontribuar në misionin e këtij organi për të formësuar së bashku të ardhmen globale në një gamë të gjerë fushash.
Promovimin e Kosovës e bëri në një mënyrë dinjitoze që u vlerësua edhe nga Kurti.
Ky i fundit shkroi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, duke thënë se Dua Lipa nuk është vetëm këngëtarja më e famshme në botë, ajo është një aktiviste që frymëzon lëvizjet për ndryshim dhe është diplomatja më e mirë që Kosova mund të kishte kërkuar dhe shpresuar ndonjëherë.
“Urime për çmimin në Këshillin Atlantik. Ju jeni frymëzim dhe vendi juaj është krenarë për ju”, shkroi ai.
Dua Lipa fjalimin e saj e nisi në gjuhën shqipe, duke treguar dashurinë për atdheun e saj./KultPlus.com
.@DUALIPA is not just world most celebrated singer, she is an activist that inspires movements for change, and she is the best diplomat that Kosova could ever asked & hoped for. Congratulations on your @AtlanticCouncil award. You are an inspiration & your country is proud of you. pic.twitter.com/QgxTJZppQD
Kodi i ri i Etikës do t’i ndëshkojë deputetët që mungojnë në mënyrë të pajustifikueshme në seancë për mos-pagesë të mëditjeve.
Mospjesëmarrja e deputetëve të Bosnjës në seancat e parapara së shpejti mund të gjobitet, përcjellë KultPlus.
Kjo do të penalizonte çdo mungesë të pajustifikuar, si dhe çdo largim nga para përfundimit, të seancës, ngase mund të gjobiten me 330 euro.
Siç tha deputeti i Parlamentit të Bosnjës, Irfan Çengiq, dy vjet më parë ai inicioi miratimin e një Kodi të ri të Etikës, pas së cilit Komisioni i Etikës filloi hartimin e Kodit të Etikës, i cili u miratua në seancën e fundit të Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnjës.
Mungesa e kuorumit në votim ishte njëra prej sfidave kryesore të Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së shtatë.
Praktika e mungesës së deputetëve nëpër votime të ligjeve dhe mos-përfundimi i më shumë se 40 pikave ishte sfidë e madhe për Kosovën në legjislaturën e parafundit. /KultPlus.com
Aktorja e njohur Angelina Jolie ka folur së fundmi për jetën e saj profesionale.
Nv një intervistë për “Smallzy’s Celebrity Small Talk” , aktorja ka zbuluar se disa filma të saj nuk i ka parë asnjëherë pasi është shumë kritike ndaj vetes.”Ka mjaft filma të mi që në fakt nuk i kam parë kurrë, sepse më pëlqen ky proces. Zakonisht kur e shoh zhgënjehem pasi mendoj se do të ishte diçka tjetër. Unë jam një kritike e tmerrshme”, deklaroi Angelina.Mirëpo, ajo u shpreh se një ndër filmat që ajo ka luajtur dhe e ka parë pasi i pëlqen realizimi është filmi i ri i saj”Eternals”.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në SHBA ëshë takuar me Nënsekretaren amerikane të shtetit, Victoria Nuland, takim të cilin e ka cilësuar si produktiv duke deklaruar se Kosova s’ka aleat më të madh se SHBA-ja.
“Një takim mjaft produktiv me Nënsekretaren e Shtetit, Victoria Nuland për të riafirmuar angazhimin afatgjatë të dy vendeve tona ndaj partneritetit dhe vlerave të përbashkëta. Kosova nuk ka aleat më të madh se SHBA-ja dhe unë mezi pres të punoj së bashku për siguruar që ne edhe më tej të kontribojmë për paqe dhe demokraci”, ka shkruar Osmani.
Parku Arkeologjikë Ulpiana është vizituar nga shefi i njësisë për Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë, Vassilis Maragos së bashku me ministrin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Hajrulla Çeku, shkruan KultPlus.
Përmes një vizite në sektorët e konservuar, aty u bë edhe një prezantim i parkut Arkeologjik, të cilin e udhëhoqi arkeologia Zana Rama nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Ndërsa ndër të tjera u diskutua rreth projektit i cili financohet nga fondet IPA II 2020 të Bashkimit Evropian, ku në kuadër të programit për Zhvillim Rural dhe të Trashëgimisë Kulturore, përfshihet edhe projekti zhvillimit të kërkimeve arkeologjike në Ulpianë, si potencial për zhvillim të turizmit.
Gjatë kësaj vizite, ministri Çeku theksoi rëndësinë dhe vlerën universale të trashëgimisë së përbashkët kulturore në qendër të zhvillimit të shoqërisë së qëndrueshme bashkëkohore.
Delegacioni nga BE ishte i përbërë nga Luigi Brusa, Shef i sektorit për Bashkëpunim në Zyrë e BE-së në Kosovë, Hillen Francke, Zëvendës Shefe e Bashkëpunimit dhe Dario Di Benedetto, koordinator i ekipit, ndërsa ministrin Çeku në këtë takim e shoqëruan këshilltarja Nora Arapi Krasniqi dhe Enver Rexha e Zana Rama nga Instituti Arkeologjik i Kosovës./KultPlus.com
Familjarë, miq e bashkëpunëtorë, ishin mbledhur në pasditen e së enjtes në Institutin Albanologjik në Prishtinë, në tryezën shkencore, tryezë që shënonte 90-të vjetorin e lindjes së Nuhi Vincës, ku edhe u bë ribotimi i veprës “Lirika popullore e dashurisë”, shkruan KultPlus.
Në këtë tryezë ishin të pranishëm: Hysen Matoshi, Adem Zejnullahu, Arbnora Dushi, Krenar Doli, ku fillimisht, e gjitha kjo tryezë filloi me një fjali hyrëse nga drejtori i Institutit Albanologjik Hysen Matoshi, i cili prezantoi gjithë biografinë e Vincës dhe gjithashtu tregoi momentin kur ky i fundit vendosi të bashkohej me Institutin.
“Kur po e mbushë dekadën e nëntë të jetës së tij dhe të shtatë të veprimtarisë shkrimore, Nuhi Vinca identifikohet me një bibliografi të begatë, ku dallohen studimet e tij albanologjike, veçmas ato të folkloristike, përkthime të ndryshme dhe vepra të jashtëzakonshme. Nuk duhet të lënë anash as pjesën e pedagogut, i cili u angazhua edhe në momente të vështira të arsimit shqip. Në këtë institucion e vazhdoi angazhimin dhe bashkëpunimin edhe pas pensionimit të tij më 1991. Kjo tryezë duhet parë më shumë si respekt për punën shumë dekadëshe të Nuhi Vincës, por edhe si nevojë që të arriturat e tij të aktualizohen dhe të merren nga brezi i ri i studiuesve”, përfundoi ai.
Programi i kësaj tryeze vazhdoi tutje me Adem Zejnullahun, i cili bëri një vështrim mbi veprën e Nuhi Vincës.
“Kam kënaqësi të veçantë që në përvjetorin e lindjes së Nuhi Vincës të them disa fjalë për të. E kam takuar atë për herë të parë në Festivalin e Parë të Poezisë në kohën e ish Jugosllavisë, ku ishim të ftuar të dy. Unë dhe ai ishim të vendosur në të njëjtën dhomë në hotelin Adriatik, ku të dy i recituam njëri tjetrit disa vargje nga poezitë tona. Vinca shquhet si poet që shkruan për fëmijë e të rritur, është njëri ndër shkruesit më të mirë të poezisë. Poezitë e tij janë të përkthyera në disa gjuhë të huaja, sikurse në anglisht, maqedonisht, kroatisht etj”, tha mes tjerash Zejnullahu.
Vajza e Nuhi Vincës, Ilire Vinca, në një recitim të jashtëzakonshëm, recitoi dy nga poezitë e shkruara nga babai i saj.
Ndërkohë, udhëheqësja e degës së folklorit Arbnora Dushi ishte angazhuar që veprën “Lirika Popullore” ta paraqiste përmes vështrimit të studiuesit poet.
“Poetika është një term që historikisht është bazuar në artet gojore dhe letërsi. Është e natyrshme që poetika ka qenë njëra ndër kornizat konceptuale që ka prezantuar teoritë e folklorit. Ligjërimi i poetikës në folklor është paraqitur nga fillimi i shekullit XIX. Figurën prej poetit e folkloristi e kompleton figura e tij prej studiuesit të lirikës popullore të cilën ai e mblodhi dhe e studioi deri në detajin e fundit. Aspekti motivor i figuracionit dhe ai leksikor janë tri vështrimet poetike që studiuesi Vinca ia mundëson zbërthimet e Lirikës Popullore shqiptare”, ka thënë mes të tjerash ajo.
Poeti Krenar Doli në fjalimin e tij për ndihmesën e Nuhi Vincës në studimin e lirikës familjare në regjionin e Strugës, tha mes të tjerash se lirika familjare në regjionin e Strugës ku përfshihen këngët e lindjes, të dasmës e vajtimet i prezanton si llojet më të pasura dhe më të aplikuara në lirikën tonë popullore. “Kjo për faktin se ato janë shprehje e drejtpërdrejt e shpirtit njerëzor dhe janë pasqyrë e botës njerëzore paraqitja e të cilave nuk lidhet aq shumë me vendin, kohën sepse kudo këngët e lirisë familjare prezantojnë ndjenjat e njeriut. Kontributi i tij mbetet i çmuar në fushën e folkloristikës e veçmas te pjesa e lirikës shqiptare si një nga llojet më të bukura të poezisë”, deklaroi Doli duke i uruar jetë të gjatë Vincës.
Në fund, i gjithë ky program përfundoi me një fjalim dhe poezi të shkurtër të recituar nga Nuhi Vinca, i cili si një 90 vjeçar nuk e harron asnjëherë bashkimin me Shqipërinë dhe e paraqet si një nga ëndrrat e tij të kamotshme.
Nuhi Vinca ka lindur në Veleshtë të Strugës, Maqedoni, ku më së shumti njihet për rolin e tij si pedagog, poet e përkthyes letrar. Vinca njihet si poet i parë me vepër të botuar lirike për të rritur në gjithë trevën e Strugës me librin “Dallge Jugu” e cila konsiderohet një nga veprat e para shqipe për të rritur në Maqedoni.
Disa prej veprave të tij më të njohura janë: “Këngë pune e pushimi (poezi), Dallgë jugu, Vrulle lirike, Një ylber pa ty, Te guri i kufirit.../KultPlus.com
CMA Awards 2021 sapo ka mbyllur ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ceremoni që ka në vëmendje edhe dukjen e yjeve në këtë mbrëmje të muzikës country, shkruan KultPlus.
Tri nga pjesëamrrëset e kësaj mbrëmje ishin veshur me kreacione të Valdrin Sahitit, kreacione dy të bardha dhe një me ngjyrë të arit.
KultPlus ju sjell pamjet e Kelsea Ballerini, Ana Barbara dhe Gabby Barrett, të cilat shihen të jenë veshur me kreacionet e Sahitit./ KultPlus.com
Ajo, në paradën e madhe të gushtit 2022, do të veshë kostume tradicionale nga Kosova e Medvegja dhe shpreson se do t`i bashkohen edhe shqiptarë të tjerë.
Festa Federale Zvicerane e Mundjes dhe Alpeve ESAF do të zhvillohet në Pratteln (Kantoni Baselland) në vitin 2022. Në prag të ngjarjes tradicionale, Komuna Pratteln, e njohur si multikulturore dhe “shumëngjyrëshe”, është marrë me çështjen e identitetit dhe rrënjët e njerëzve nga ky regjion.
Me “Tracht lacht – Brauchtum verbindet” (Kostumi buzëqesh – zakonet bashkojnë), është krijuar një projekt i cili, që nga 6 nëntori 2021 synon të tregojë këtë kulturë zvicerane në mënyrë të freskët, të bukur dhe pasuruese. Me Shqipe Sylejmanin këtu bën pjesë edhe një pjesë e kulturës shqiptare.
Komuna e Pratteln-it do të jetë nikoqire e Festivalit Zviceran të Mundjes dhe Alpeve ESAF 2022. Veprimtaria tradicionale zvicerane, e cila zhvillohet çdo tre vjet, pritet me shumë interes në këtë komunë multikulturore, trasnmeton albinfo.ch. Projekte individuale tashmë duhet ta përgatisin shpirtërisht rajonin për ngjarjen e madhe, përfshirë këtu edhe projektin “Tracht lacht – Brauchtum verbindet” (Kostumi buzëqesh – zakonet bashkojnë), i cili ka pasur uverturën e tij më 6 nëntor 2021. Temat si tradita, zakonet dhe rrënjët kulturore synojnë të fokusojnë anën shumëngjyrëshe të Pratteln-it dhe Zvicrës.
“Me veshjen tonë ne shprehim atë që është e rëndësishme për ne, atë që përcakton se kush jemi. Dhe nëse veshja është një kostum tradicional, atëherë kësaj i shtohet e gjithë origjina jonë kulturore – rrënjët tona. Imagjinoni sikur i gjithë Pratteln-i multikulturor të vinte me kostumet e tij të ndryshme – çfarë flakërimi ngjyrash do të kishim!
Dhe kjo është pikërisht ajo që synon projekti ynë “Tracht lacht – Brauchtum verbindet” (Kostumi buzëqesh – zakonet bashkojnë). Synimi pra është që të festohet ky diversitet, “thotë Andrea Sulzer, Shef i Arsimit / Kohës së Lirë / Kulturës në Pratteln dhe menaxher i projektit të “Tracht lacht – Brauchtum verbindet”.
Për të mbështetur projektin, Sulzer ka sjellë ambasadorë/et që kanë lidhje të veçantë me temën e veshjeve tradicionale. Në mesin e tyre është edhe Shqipe Sylejmani, autore e romanit integrues “Burde & Segen” (Barrë dhe bekim), e cila do të prezantojë një nga kostumet kosovare.
“Jeta me dy zemra në një gjoks është më e lehtë kur të mundësohet të bashkosh këto dy botë”, shpjegon banorja e Pratteln-it, transmeton albinfo.ch. Ajo, për paradën e madhe të gushtit 2022, do të veshë kostume të ndryshme tradicionale nga Kosova dhe Medvegja dhe shpreson se do t`i bashkohen edhe shumë shqiptarë të tjerë.
“Për herë të parë në historinë e Zvicrës, traditat tona, si kostumet tradicionale, zënë vend në një event të tillë. Prandaj do të ishte mirë që në paradë të kishim kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare. Pra, ejani!”, thotë ambasadorja e lindur në Prishtinë.
Gjallërimi i kostumeve tradicionale dhe festimi i rrënjëve kulturore është ajo që e bën kaq të veçantë projektin “Tracht lacht – Brauchtum verbindet”, transmeton albinfo.ch. Andrea Sulzer ndihet entuziast për projektin: “Përurimi ynë më 6 nëntor 2021 ishte njëherësh përurim i hapjes së studios së qepjes – prandaj sillni kostumet dhe veshjet tuaja tradicionale!” Veshjet dhe kostumet tradicionale, të cilat do të bëhen në studion e qepjes dhe tregimit të “Tracht lacht” deri në verën e vitit 2022, do të shfaqen në paradën e Festivalit Zviceran të Mundjes dhe Alpeve ESAF 2022./albinfo.ch/ KultPlus.com
“Si themi në Kosovë, Mirëmbrëma”, kështu nisi fjalimin Dua Lipa në Këshillin Atlantik në SHBA, ku edhe u nderua me çmimin “Artiste e shquar e vitit 2021”, shkruan KultPlus.
Dua Lipa përpos që foli në gjuhën shqipe, në këtë takim të rëndësishëm foli edhe për Kosovën.
“A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova do të mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte dhimbjen e konfliktit? Me këtë vizion në mendje, unë e pranoj këtë çmim me mirënjohje për të gjithë të rinjtë e Kosovës”, tha ajo.
Në këtë ngjarje Lipa tutje deklaroi se Kosova ka vetëm 13 vjet si shtet i pavarur. “Në rrugëtimin tonë të pavarësisë dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht. Është në gjenet tona”, ka thënë Dua Lipa./ KultPlus.com
Topi i volejbollit i përdorur në filmin “Cast Away”, është shitur në ankand për një çmim prej 308,000 dollarë.
Skena me topin është një nga skenat më ikonike në filmin e Tom Hanks “Cast Away”.
Filmi paraqet Tom Hanksin si një të mbijetuar të vetmuar, të mbërthyer në një ishull të shkretë. Topi, të cilin personazhi i tij e quan Wilson, përshkruhet si miku i tij i vetëm.
Gjatë gjithë filmit, ai vazhdimisht i flet topit, për të qëndruar mirë me shëndetin mendor, transmeton rtv21.tv.
Prop Store kohët e fundit mbajti një ankand dhe shiti topin e volejbollit të përdorur nga Tom Hanks në filmin e vitit 2000. Fillimisht, Wilson u vlerësua të shitej vetëm për 80,000 dollarë. Megjithatë, ai i tejkaloi pritjet e ankandit dhe u shit për mbi 311,000 dollarë për të qenë të saktë.
Njolla kafe e errët është në fakt “fytyra” e kuqe e Wilson përfaqëson gjurmën e përgjakshme të dorës së aktorit. Prop Store vë në dukje se ky “Ëilson u vendos në ujë për periudha të gjata gjatë xhirimeve. Prandaj, forma e përgjithshme e topit u shtrembërua pak dhe detajet e fytyrës u bënë disi të paqarta në krahasim me shkrepjet e mëparshme në film”./ KultPlus.com
Theodore Roosvelt ka shërbyer si president i SHBA-së që nga viti 1933 deri në fund të jetës së tij. Ai ishte i martuar me Edith Roosvelt e cila solli mjaft ndryshime si zonja e parë e shtetit, shkruan KultPlus.
Sot ju sjellim një letër që presidenti Roosvelt, ia kishte shkruar bashkëshortes së tij, Edith Roosvelt, në përvjetorin e martesës, më 20 maj 1943. Në këtë letër Roosvelt e kujton ditën e martesës me Edith dhe për rrugëtimin e tyre deri në atë ditë. “E dashur Bunny! E di se çfarë është kjo? Një letër për përvjetorin e martesës. Unë mendoj se duhet të mbërrijë në kohën e duhur. A të kujtohet ajo ditë e nxehtë qershori para tridhjetë e tre vitesh? Kisha e tejmbushur me njerëz, babai me atë jelekun e mrekullueshëm me pika blu, turmat në rrugë, velloja jote e bardhë, mamaja jote me një prej atyre kapelave të mrekullueshme. Dhe, a e mban mend si ishte bota atëherë, e vogël dhe e rregullt, një rend ndryshe. Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Asgjë s’ka ndodhur ashtu siç e imagjinonim se do të ndodhte përveç fëmijëve tanë. Ne s’e menduam asnjëherë se do t’i binim botës kryq e tërthor. Ne nuk e menduam kurrë se profesionet dhe interesat tona do të shkonin aq larg. Ne nuk e menduam kurrë se tridhjetë e tre vjetori i martesës sonë do të na gjente të zhytur në Luftën tonë të Dytë me mua sërish në front. Epo e dashur, duhet thënë se ne kemi jetuar sipas pjesës më të rëndësishme të ceremonisë “Në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri deri sa vdekja të na ndajë”. Me shumë, shumë dashuri, Th. R./ KultPlus.com