Këngëtarja legjendare britanike e xhazit, Dame Cleo Laine, e njohur për diapazonin e saj të jashtëzakonshëm vokal dhe karrierën artistike, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.
Gjatë një karriere të gjatë që nisi në vitet 1950, Laine u bë këngëtarja e parë britanike që fitoi një çmim Grammy në kategorinë e xhazit. Ajo performoi me emra të mëdhenj të muzikës si Ray Charles dhe Frank Sinatra, por bashkëpunimi i saj më i rëndësishëm ishte me bashkëshortin, kompozitorin dhe muzikantin John Dankworth, me të cilin themeloi edhe qendrën artistike, “The Stables në Buckinghamshire”, transmeton KultPlus.
Në një deklaratë, “The Stables” u shpreh: “Jemi thellësisht të trishtuar për lajmin e ndarjes nga jeta të një prej themeluesve dhe Presidentes së Përjetshme, Dame Cleo Laine.”
Laine, e lindur si Clementina Dinah Campbell më 28 tetor 1927 në Southall, Middlesex, ishte vajza e një veterani xhamajkan të Luftës së Parë Botërore dhe e një fermereje nga Swindon. Ajo filloi të këndonte që në moshën 3-vjeçare dhe u tërhoq nga shkolla në moshën 14-vjeçare për të punuar, ndërsa ëndërronte një karrierë në skenë.
Në vitin 1951, pas shumë refuzimesh, mori një audicion me grupin Johnny Dankworth Seven. Pas performancës së saj, trompisti Jimmy Deuchar u shpreh: “Ajo i ka të gjitha.” Pikërisht në atë moment, nisi rruga drejt një karriere të jashtëzakonshme.
Me një vokal të jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të interpretuar gjithçka, nga Schoenberg deri te këngët satirike të Spike Milligan, Cleo Laine u bë një nga zërat më të njohur të Britanisë. Një kritik dikur shkroi se “ajo është një nga dy kontributet më të mëdha të Britanisë në xhaz, tjetri është xhini.”
Në vitin 1983 fitoi çmimin Grammy për regjistrimin live në Carnegie Hall, ndërsa gjatë viteve mori disa nominime të tjera si në xhaz ashtu edhe në muzikën klasike. Ajo u nderua me titullin OBE në vitin 1979 dhe u shpall Dame në vitin 1997, një titull që, siç u shpreh vetë, e pranoi “për xhazin”.
Pas vdekjes së John Dankworth në vitin 2010, vetëm pak orë para një koncerti për 40-vjetorin e The Stables, Dame Cleo vazhdoi të performonte, shpesh në skenë me fëmijët e saj, Jacqui dhe Alec, të dy muzikantë.
Edhe në të nëntëdhjetat e saj, ajo nuk u tërhoq plotësisht nga skena. “Dua të vazhdoj derisa zëri të më dridhet,” pati thënë. “Kënga është ajo që më mban gjallë, në të vërtetë.”
Dame Cleo Laine do të kujtohet si një artiste e rrallë që tejkaloi kufijtë e zhanrit dhe frymëzoi breza të tërë me talentin, pasionin dhe përkushtimin e saj ndaj artit./KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur sot shpërndarjen e librave nëpër komunat e Kosovës, duke vazhduar në këtë mënyrë mbështetjen për rrjetin e bibliotekave publike dhe shkollore.
Institucioni nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ka bërë me dije se kontingjenti i ri përfshin 87 tituj, me 1 097 ekzemplarë të përzgjedhur nga fondi i shtëpisë botuese “Rilindja”, me literaturë të rekomanduar që u shërben sidomos nxënësve të nivelit parauniversitar.
“Pjesë e kësaj shpërndarjeje janë edhe dy botime të veçanta me vlerë të madhe historike dhe kulturore: “Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës” dhe “Kujtesa e Kosovës: rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, thuhet në njoftim.
Në njoftim tutje thuhet se Bibliotekat e Suharekës dhe e Rahovecit janë të parat që kanë pranuar këtë kontingjent, ndërsa në ditët dhe javët në vijim shpërndarja do të vazhdojë në komunat e tjera.
Po ashtu theksohet se librat e shtëpisë botuese “Rilindja” do të dërgohen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave për të kontribuar në pasurimin dhe përmirësimin e koleksioneve ekzistues.
Pak para se të fillojë Sunny Hill Festival, një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në Kosovë dhe rajon, Dukagjin Lipa ka reaguar në rrjetin social “Instagram” lidhur me kërkesat e shumta për bileta falas, ndryshe siç i quan ai, “belesh”.
Përmes disa storjeve në Instagram, drejtuesi i festivalit ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj atyre që kërkojnë hyrje pa pagesë në festival, edhe përkundër mundësive të tyre financiare.
“ASNJO prej jush nuk jeni rast social. Çdo të Premte hipni në aeroplan për Evropë, për qejf, eksportoni kesh jashtë Kosovës, e kur vjen puna me ble bileta për festival – ju doket shpenzim,” ka shkruar ai, duke potencuar se një vikend në Prishtinë ofron përjetime që nuk i ofron asnjë qytet evropian për të njëjtin çmim.
Ai gjithashtu ironizon faktin se në vend që të ftojnë miqtë evropianë për të përjetuar Kosovën, njerëzit shpenzojnë energji për të kërkuar bileta “belesh”, duke harruar që për çdo gjë tjetër në Evropë paguajnë plotësisht.
Ndërkaq, fjalia “Krejt Kosovën nuk e nxen n’VIP!!!” shpreh qartë kërkesat e shumta të qytetarëve për të qenë pjesë e zonës VIP, dhe nervozën e drejtuesit të festivalit, lidhur me këto kërkesa.
Arben Llapashtica është një nga emrat më të njohur dhe më të respektuar në fushën e fotografisë dhe videos dokumentare në Kosovë. Me një karrierë që shtrihet për më shumë se dy dekada, ai ka qenë jo vetëm një profesionist i palodhur pas kamerës, por edhe një dëshmitar i historisë së vendit. Përmes objektivit të tij, Llapashtica ka fiksuar momente vendimtare politike, sociale dhe kulturore, duke krijuar një arkiv vizual që sot përbën një pjesë të rëndësishme të memories kolektive të Kosovës.
Në këtë intervistë për KultPlus, ai ndan me lexuesit një rrëfim mbi rrugëtimin e tij profesional, që nga hapat e parë në televizion, e deri te realizimi i projekteve dokumentare që synojnë të ruajnë identitetin dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Rrugëtimi i tij nisi në vitin 2001, kur nisi punën si kameraman në televizionin nacional Koha Vision – KTV. Më vonë, do të udhëhiqte edhe ekipin e kameramanëve dhe do të shërbente si drejtor i fotografisë deri në vitin 2024.
Gjatë kësaj periudhe të gjatë, ai ka dokumentuar me kujdes shumë zhvillime jetike për Kosovën, nga trazirat e pasluftës, te negociatat politike e diplomatike që kulmuan me shpalljen e pavarësisë.
“Për së afërmi, me video dhe foto kam ndjekur periudhën tranzitore të pasluftës, trazirat, proceset e negociatave, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe procesin e lobimit për njohjen e pavarësisë nëpër vende të botës.” – kujton ai.
Prejardhja e tij është nga një zonë që shpesh është lënë në harresë institucionale, Novobërda. “Kam ardhur në Prishtinë në vitin 1994, sepse shqiptarët nuk kishin shkollë të mesme në atë kohë në Novobërdë,” – rrëfen ai. Studimet i përfundoi në gazetari dhe komunikim, por kamera do të bëhej zëri i tij më i fuqishëm.
Për Llapashticën, që karrierën e nisi si kameraman, e fotografinë e ktheu në qendër të formimit dhe e përvetësoi qysh nga viti 2008, puna me kamerën kishte edhe sfida pasi nuk ishte një zanat i mësuar në bankat shkollore, por një mjeshtëri e përvetësuar në praktikë, në një kohë kur ky profesion nuk kishte një drejtim të qartë në sistemin arsimor të vendit.
“Na u ofruan disa trajnime nga producentë e kameramanë me përvojë, të përkrahur nga amerikanët atëherë”, – thotë ai, duke kujtuar vitet e para të pas luftës, kur të rinjtë si ai ndiheshin inferiorë përballë kolegëve më të vjetër që ktheheshin në televizione me përvojë nga koha e Radio Televizionit të Prishtinës.
Që nga fillimi i karrierës, Arben Llapashtica ka fituar mbi 20 çmime për foto dhe video, ndërsa imazhet e tij janë ekspozuar brenda dhe jashtë vendit. Ekspozita e tij e parë u realizua në vitin 2009, në bashkëpunim me një fotograf gjerman dhe një norvegjez. Projekti quhej “People, Places, Perspectives” dhe u prezantua në Prishtinë, Oslo dhe Berlin.
Ndër fotografitë që i dhanë jehonë publike ishte ajo që i siguroi çmimin e parë nga Departamenti i Integrimeve Evropiane. Në një konkurs me temë “Vlerat Evropiane në Kosovë”, Llapashtica konkurroi me një foto të një lope të martikuluar me numër në vesh.
“Kjo për mua ishte vlerë evropiane, sepse në atë periudhë ende nuk ishte bërë regjistrimi i popullsisë, por i kafshëve po. Juria vendosi që kjo foto të marrë çmimin e parë.” – tregon ai me një dozë ironie domethënëse.
Përveç ngjarjeve politike dhe zhvillimeve shoqërore, një vend të veçantë në arkivin dhe zemrën e tij zë arti dhe muzika. Që nga viti 2009, është pjesë e Filharmonisë së Kosovës, ku ka dokumentuar pothuajse çdo koncert të korit dhe orkestrës. Ky bashkëpunim ka kulmuar edhe me ekspozitën “Simfonia e ndritur”, një homazh vizual për botën klasike të tingujve.
Në të njëjtën frymë, ai ka ndjekur me kamerën e tij festivalet më të mëdha të muzikës klasike në vend: nga ReMusica dhe Chopin Piano Fest, te Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar dhe festivali i Rame Lahaj. Ai përmend me entuziazëm edhe kore të të rinjve, si Kori Siparantum apo Orkestra e të Rinjve Amadeus, që kanë triumfuar në skena ndërkombëtare.
Por puna e Llapashticës nuk është ndalur vetëm në botën e artit. Përmes fotografisë, ai ka trajtuar edhe tema sociale delikate. Një nga projektet më të veçanta ishte ekspozita e realizuar në bashkëpunim me UNICEF për të promovuar gjidhënien.
“Nënat tona gjithmonë i kanë ushqyer fëmijët me gji, por zakonisht janë mbuluar, janë fshehur nga turpi,” thotë Llapashtica. Me këtë projekt, ai vendosi t’i japë një përfaqësim ndryshe nënës shqiptare, asaj që nuk fshihet.
Trashëgimia kulturore është një tjetër pasion i tij. Ka dokumentuar objekte arkeologjike e zeje në zhdukje, duke synuar ruajtjen e një memorieje që po zbehet me kohën. Projekti për zejtarët është veçanërisht i rëndësishëm për të, sepse, siç thotë, “qëllimi ishte t’i promovoj përmes fotografive, për t’i shpëtuar nga harresa.”
Puna e tij me fotografitë e vjetra ka krijuar edhe një fushë më ndryshe të punës së tij unike. Ai ka hulumtuar nëpër familje, arkiva e koleksione private për të rindërtuar vizualisht Prishtinën e para shumë dekadave. “Kam fotografuar Prishtinën nga e njëjta perspektivë siç kishin fotografuar kolegët shqiptarë dhe jugosllavë pas Luftës së Dytë Botërore. Duke i kombinuar këto foto, jam munduar të shoh se si ka ndryshuar qyteti, në disa pjesë, për fat të keq, Prishtina dukej më bukur 30-40 vjet më parë” – shprehet me keqardhje.
Një tjetër ekspozitë me ndikim ishte “Gratë udhëheqëse në fokus”, ku portretizoi gra që udhëheqin në fusha të ndryshme në Kosovë, me qëllimin për të frymëzuar gjeneratat e reja. Në të njëjtën frymë, ai realizoi edhe projektin “Testament”, i cili trajtonte jetët dhe historitë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vend.
“Kam kapur 20 portrete, 20 histori, 20 zëra që sfidojnë paragjykimet. Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për dekada janë përballur me një narrativë të njëanshme. Përmes këtij projekti, synova t’i jap zë realiteteve të tyre.” – kujton ai.
Së fundmi, Arben Llapashtica është pjesë e përfaqësimit të Kosovës në Pavilionin e Kosovës në Osaka, Japoni, ndërsa më parë ka qenë edhe në Expo Dubai, ku fotografitë e tij janë ekspozuar për të përfaqësuar identitetin dhe kulturën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Me një arkiv të pasur, një sy të mprehtë dhe një ndjeshmëri të rrallë për historinë, kultura dhe njeriun, Arben Llapashtica vazhdon të jetë një prej figurave më autentike të vizualitetit kosovar./KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi së fundmi statistika mbi ngjarjet kulturore të mbështetura nga MEKI, duke nënvizuar rritjen e dukshme të investimit në këtë sektor.
Gjatë vitit 2025, janë mbështetur 933 aktivitete kulturore dhe krijuese, një shifër që përfaqëson më shumë se dyfishin e vitit të kaluar. Këto ngjarje përfshijnë festivale, ekspozita, koncerte, panaire artizanati, lexime letrare dhe shfaqje, të cilat kanë pasuruar kalendarin kulturor në mbarë vendin.
Në total, rezultojnë 275 projekte fituese, një rritje prej 37% krahasuar me vitin 2024, të shpërndara në katër skema mbështetjeje. Konkretisht: 129 projekte i përkasin kategorisë së ngjarjeve kulturore dhe krijuese, 45 projekte janë programe kulturore të organizatave, 54 projekte janë mbështetur nga Fondi i Krijimtarisë, 47 projekte nga Fondi i Artizanëve, transmeton KultPlus.
Ministri Gonxhja e cilësoi këtë si “vitin e rekordit” për mbështetjen ndaj kulturës.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij viti është edhe përfshirja më e gjerë e të rinjve, ku 51% e përfituesve janë mbështetur për herë të parë.
Mbështetja financiare gjithashtu ka njohur një rritje të ndjeshme, me një rritje prej 141% krahasuar me vitin 2024, duke arritur në vlerën 300 milionë lekë.
Në kuadër të këtyre projekteve dhe aktiviteteve, janë punësuar dhe angazhuar 1,566 individë, mes tyre artistë, artizanë, menaxherë, teknikë dhe profesionistë të fushës së kulturës.
Ministri Gonxhja ka bërë të ditur se në vitin 2026, MEKI do të angazhohet edhe më tej në mbështetjen e artistëve, qendrave kulturore dhe institucioneve të artit, duke vijuar kështu përforcimin e ekosistemit kulturor në vend./atsh/KultPlus.com
Revista prestigjioze e biznesit, ”Forbes” e ka renditur Shqipërinë si ndër vendet më të mira për të dalë në pension në 2025.
”Në kërkim të kostove më të ulëta, një stili jetese të ndryshëm dhe një politike më pak toksike, gjithnjë e më shumë amerikanë po marrin në konsideratë shpërnguljen jashtë vendit”, shkruan William P. Barret për ”Forbes”.
Vendet e rekomanduara bazohen mbi kostot, lehtësitë, kujdesin shëndetësor, gjuhën, krimin, rrezikun klimatik dhe nëse pensionistët amerikanë janë apo jo të mirëpritur”, shton ai.
”Ndërsa shumica e amerikanëve mbeten në SHBA për vitet e tyre të arta, ka një interes në rritje për të dalë në pension jashtë vendit.
Një rekord prej 712 000 amerikanësh që jetojnë jashtë vendit po merrnin përfitime të sigurimeve shoqërore në fund të vitit 2024, 21% më shumë në një duzinë vjetësh.
Trafiku në listën e pensionistëve të huaj të ”Forbes” për vitin 2024 u rrit shtatëfish brenda tre ditëve nga rizgjedhja e Donald J. Trump në nëntor 2024.
Disa sondazhe kanë sugjeruar se pothuajse një e pesta e atyre që janë në ose afër moshës së pensionit do të merrnin të paktën në konsideratë një zhvendosje jashtë vendit.
Megjithatë, ta bësh këtë në të vërtetë kërkon shumë kërkime. Për t’ju ndihmuar të filloni, ”Forbes” ofron listën e vendeve më të mira, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Shqipëria
Shumë kohë pas sfondit të saj izolacionist komunist, Shqipëria është një anëtare e NATO-s e vendosur në lindje të detit Adriatik, pasur parasysh këtu ”thembrën” e Italisë.
Ajo ofron një klimë mesdhetare, plazhe dhe male piktoreske dhe një kosto jetese gjysmën e mesatares së SHBA-së.
Qeveria është e qëndrueshme dhe krimi i rëndë është i ulët.
Kujdesi shëndetësor është i përshtatshëm dhe po përmirësohet.
Sigurimi shëndetësor privat është i domosdoshëm.
Flitet anglisht, por jo kudo.
Nuk ka traktat tatimor me SHBA-në që ndalon taksimin e dyfishtë, por Shqipëria nuk taton të ardhurat nga pensionet e të huajve.
Një vizë qëndrimi afatgjatë D që çon në një vizë pensioni kërkon të tregosh rreth 17 500 dollarë të ardhura vjetore nga pensioni.
Vendet e njohura të pensionistëve të huaj atje përfshijnë Tiranën, qytetet bregdetare të Durrësit dhe Vlorës, si dhe qytetin malor të Shkodrës./ atsh/ KultPlus.com
Në vitin 1971, aktorja e famshme Tippi Hedren, e njohur nga filmat e Alfred Hitchcock, jetonte në një mënyrë krejt të pazakontë. Ajo, bashkë me vajzën e saj, Melanie Griffith, ndanin shtëpinë e tyre në Kaliforni me një luan të madh 400-poundësh të quajtur Neil.
Kjo histori e rrallë u dokumentua nga fotografi i Life Magazine, Michael Rougier, i cili realizoi një seri fotografish që tregojnë jetën e përditshme të Hedren dhe familjes së saj me këtë kafshë të egër. Në imazhe shihet Neil teksa fle në shtrat, noton në pishinë dhe lëviz i lirë nëpër shtëpi, si të ishte një mace shtëpie, por në përmasa gjigante.
Hedren dhe familja e saj kishin dashuri të madhe për kafshët e egra dhe mendonin se duke jetuar afër tyre mund të mësonin më shumë mbi sjelljen dhe natyrën e tyre. Kjo përvojë e pazakontë më vonë u kthye në frymëzim për filmin “Roar” (1981), ku aktorët punuan përkrah luanëve dhe tigërve të vërtetë.
Megjithatë, kjo jetë e përbashkët me një kafshë të egër nuk ishte aspak e sigurt dhe Hedren ka pranuar më vonë se ishte një ide e rrezikshme. Sot, fotografitë e Michael Rougier mbeten një kujtim i rrallë i një kohe kur kufiri mes botës së egër dhe jetës së përditshme dukej shumë më i hollë./revistaClass/
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur një iniciativë të re për të mbështetur rrjetin e bibliotekave publike dhe shkollore në të gjithë vendin. Shpërndarja e librave ka filluar me kontigjentin e ri që përfshin 87 tituj dhe 1097 ekzemplarë, të cilët janë përzgjedhur nga fondi i Shtëpisë Botuese “Rilindja”.
Këto libra janë kryesisht literaturë e rekomanduar për nxënësit e nivelit parauniversitar dhe kanë për qëllim pasurimin e koleksioneve të bibliotekave lokale dhe shkollore. Pjesë e kësaj shpërndarjeje janë dy botime të veçanta me vlerë të madhe historike dhe kulturore:
Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës
Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe
Bibliotekat e Suharekës dhe Rahovecit kanë qenë të parat që kanë pranuar këtë kontigjent, ndërsa shpërndarja do të vazhdojë në javët në vijim në të gjitha komunat e tjera të Kosovës. Librat do të dërgohen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave, duke kontribuar në përmirësimin dhe pasurimin e koleksioneve ekzistuese, transmeton KultPlus.
Ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të siguruar akses të barabartë në literaturë dhe për të mbështetur zhvillimin e edukimit dhe kulturës në gjithë territorin e Kosovës./KultPlus.com
Festivalit më të njohur artistik të verës në Shqipëri, Porto Palermo Festival, po i afrohet edhe një edicion i ri, për të pestin vit radhazi. Ky festival i veçantë do të zhvillohet në kalanë historike të Porto Palermos, në Himarë, nga data 31 korrik deri më 17 gusht 2025, duke ofruar 12 netë të mbushura me art, muzikë dhe performanca të jashtëzakonshme.
Organizuar dhe ideuar nga artisti i mirënjohur Olen Cesari, Porto Palermo Festival ka përzgjedhur një listë emrash të njohur të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare për të performuar gjatë mbrëmjeve artistike. Disa nga emrat që do të ngjiten në skenë janë: Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Aurela Gaçe, Marsela Cibukaj, Eda Zari, Ardian Trebicka, si dhe artistë të huaj si Carlos Paz & Sin Fronteras, Alberto Laurenti, dhe Laraine Cañizares, transmeton KultPlus
Këtë vit, festivalit i është shtuar edhe një aktivitet special më 26 korrik, në orën 11:00, me qëllim ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin për ruajtjen e mjedisit. Ky aktivitet do të organizohet në bashkëpunim me organizata dhe vullnetarë të dedikuar që mbështesin nisma për ruajtjen e natyrës dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm kulturor.
Ky festival jo vetëm që mbledh së bashku artistë dhe vizitorë nga e gjithë bota, por gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, duke kontribuar në ndërgjegjësimin e turistëve dhe vizitorëve të zonës së Porto Palermos./KultPlus.com
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur një procedurë konkurrimi publik për dhënien në përdorim të hapësirave shërbimi në dy monumente kulture të kategorisë së parë: Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. Qëllimi i kësaj nisme, sipas njoftimit zyrtar, është “rijetësimi” i këtyre pasurive kulturore.
Subjektet e interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë janë të ftuara të dorëzojnë dokumentacionin pranë protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, deri më 21 gusht. Megjithatë, dokumentet e shpallura nuk japin detaje mbi sipërfaqen që do të jepet në përdorim, mënyrën e shfrytëzimit apo masat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që mbartin këto objekte.
Kalaja e Lëkurësit ka qenë më parë dhënë në përdorim privat. Një procedurë e ngjashme u propozua në fund të mandatit të qeverisë Berisha në vitin 2013, duke shkaktuar debat të madh publik. Asokohe, Partia Socialiste – në opozitë – u shpreh kundër dhënies me qira të monumenteve kulturore dhe, sapo erdhi në pushtet, anuloi disa prej kontratave, përballje që më pas përfunduan në gjykatë me përfaqësues të biznesit. Pas njoftimit të fundit nga Ministria, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka dalë kundër kësaj procedure. Përmes një reagimi publik, forumi e ka cilësuar nismën si “një shaka” dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi qëllimin e vërtetë të përdorimit të kalasë së Lëkurësit, duke pyetur nëse ajo është “Picerí apo Trashëgimi Kulturore?” “Forumi kujton se Kalaja e Lëkurësit, e dhënë me qira që në kohën e ministrit Edi Rama, ishte parashikuar të shndërrohej në një pikë kulturore në shërbim të trashëgimisë së zonës. Sot, pas më shumë se 25 vitesh, ajo është kthyer në simbol të degradimit, ku vlera kulturore mungon pothuajse tërësisht,” thuhet në reagim. Sipas Forumit, kalaja – e ndërtuar mbi rrënojat e një kishe bizantine – është kthyer në një kompleks restorantesh dhe kafenesash, duke humbur çdo funksion kulturor dhe historik.
Ndërkohë, Kalaja e Shkodrës, ose e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, mbart jo vetëm historinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, por edhe legjendën që i dha emrin – simbol i besës dhe sakrificës, që sot rrezikon të zbehet nën hijen e komercializimit./oranews/
Rita Ora ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë Gala-s së Verës në Saint-Tropez, që u mbajt më 24 korrik 2025 në Gassin, Francë. Këngëtarja 34-vjeçare i dha ngjarjes një sharm të veçantë me një triko të bardhë me dantella, që theksoi trupin e saj të jashtëzakonshëm dhe e bëri atë të duket tejet tërheqëse.
Performanca e saj ishte një ngjarje e paharruar për të pranishmit, ndërsa Rita shtoi elegancën e saj me një palë çorape dhe këpucë të zeza me taka të larta. Pas performancës, ajo zgjodhi një fustan të zi midi me dekolte në formë zemre, duke e kombinuar me këpucë të zeza dhe duke krijuar një look të përsosur me flokët e saj të artë të stiluara me onde, shkruan Daily Mail.
Rita ishte shoqëruar nga bashkëshorti i saj, regjizori i famshëm Taika Waititi, i cili u duk elegant në një kostum ngjyrë blu në të gjelbërt, duke i shtuar një mëngë të bardhë për të kompletuar pamjen.
Yjet e tjerë të njohur që morën pjesë përfshinin modelen Frida, e cila u shfaq elegante në një fustan të gjatë satin ngjyrë kafe, dhe Kelly Rutherford, që shkëlqeu në një fustan të bardhë me dantella, të kombinuar me një çantë Birkin.
Gjithashtu, Leonardo DiCaprio ishte i pranishëm, por qëndroi i fshehur nën një kapele të zezë. Pjesëmarrës të tjerë të njohur përfshinë Victoria Silvstedt, Casey Affleck dhe Chantel Jeffries./dailymail/KultPlus.com
Për të gjithë adhuruesit e muzikës që po presin me padurim edicionin e sivjetshëm të Sunny Hill Festival 2025, ka lajme të mira: është hapur zyrtarisht Info Point-i, pika e vetme fizike ku mund të blihen biletat për këtë ngjarje madhështore.
Lokacioni: Sheshi “Zahir Pajaziti” Orari i punës: Çdo ditë nga ora 17:00 deri në 22:00
Aktualisht, në këtë pikë mund të blihen vetëm biletat fizike të festivalit. Shpërndarja e byzylykëve të hyrjes ende nuk ka nisur, por organizatorët kanë bërë të ditur se ajo do të fillojë katër ditë para fillimit të festivalit. Datat dhe lokacionet e sakta për marrjen e tyre do të njoftohen së shpejti në rrjetet sociale dhe faqen zyrtare të festivalit.Pse është e rëndësishme të merrni byzylykun më herët? Marrja paraprake e byzylykut siguron hyrje më të shpejtë në festival dhe shmang radhët e gjata. Për më tepër, organizatorët do të ofrojnë qasje të veçantë për të gjithë ata që e kanë marrë byzylykun para kohe.
Si funksionon byzylyku? Byzylyku nuk shërben vetëm për hyrje – ai ofron edhe përfitime shtesë:
Lidhje me aplikacionin FESTTIX, ku krijoni një kuletë digjitale përmes QR kodit të byzylykut
Pagesa të shpejta dhe pa para fizike (cashless) brenda hapësirës së festivalit
Mbushje paraprake e llogarisë për ushqim, pije apo produkte të tjera
Udhëzimet për përdorimin e byzylykut dhe krijimin e kuletës digjitale janë tashmë të publikuara në kanalet zyrtare të Sunny Hill Festival.
Qëndroni të informuar për çdo njoftim të ri dhe përgatituni për një përvojë unike festivali këtë verë!/KultPlus.com
Naim Berisha A thua se s’qenkam, thjesht, një gur i lehtë
Nga xhepi nxjerr çelsin e portës Dhe fletët e saj hap qetë e qetë A thua se s’qenkam i udhëve të botës A thua se s’qenkam, thjesht, një gur i lehtë.
Se gurët e rëndë në atdhe qëndrojnë Atje bëjnë kalanë çdo ditë e më shumë Për gurët e vegjël, me mall mendojnë Për gurët e ikur, nuk vënë sy në gjumë.
Gurët e shtëpisë më kujtojnë humbaq Ndoshta edhe drurët, mund të më bëjnë me faj Iku, thonë, humbi, u zhduk dhe aq…! Ndërsa une, për ta, jam gati të qaj.
Unë që kam kënduar për zogjtë dhe lulet Dhe falle kam shtije me vijat e pëllëmbës Ylberë kam shkrepur për dhëndërit e nuset Kam ngritur poema për hiret e nënës.
Për blunë valëvitëse të qiellit t’atdheut Sa shumë kam mall, brengë e dashuri! Për gurët e rëndë dhe baltën e dheut Për gjithë çfarë ecën në Shqipëri…
Mirë te gjeça vendlindje, zemërëmbël! Jam une, i rrezuari në dashurinë tënde. Ç’ke qenë, ç’je dhe ç’do të jesh është ëndërr është mënyra kryelartë e jetës prej ëndrre.
Nga xhepi nxjerr çelsin e portës Kanatat e saj, mbyll qetë e qetë Unë, humbaqi, i udhëve të botës A thua se s’qenkam, thjesht, një gur i lehtë.
Gazeta Korea Times raportoi se agjencia hapësinore e Koresë së Jugut, KASA, ka pesë misione kryesore në planin e saj, duke përfshirë eksplorimin e orbitës së ulët të Tokës dhe mikrogravitetit, eksplorimin hënor dhe misionet shkencore diellore dhe hapësinore.
E themeluar vetëm vitin e kaluar, KASA ka ambicie të mëdha, që nga zhvillimi i një pajisjeje uljeje dhe roveri hënor vendas deri te potenciali për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e burimeve hënore, siç është akulli. Disa punime janë duke u zhvilluar tashmë, dhe Instituti i Gjeoshkencës dhe Burimeve Minerale i Koresë së Jugut dërgoi së fundmi një prototip të roverit hënor në një minierë të braktisur qymyri për të testuar teknologjinë që mund të përdoret për nxjerrjen e minierave në hapësirë.
Koreja e Jugut tashmë ka përvojë me Hënën. Në gusht të vitit 2022, ajo nisi sondën e saj të parë hënore, Koreak Pathfinder Lunar Orbiter, ose Danuri,në bordin e raketës Falcon 9 të SpaceX. Danuri arriti në orbitën hënore katër muaj më vonë dhe është ende duke punuar shumë, duke studiuar Hënën me një gamë instrumentesh.
Prej kohësh dihet se shkencëtarët e Koresë së Jugut duan të dërgojnë një pajisje uljeje robotike në Hënë deri në vitin 2032, por një plan i ri rrugor i çon gjërat në një nivel më të lartë. Koreja e Jugut synon të zhvillojë një modul të ri dhe më të përparuar për ulje në Hënë deri në vitin 2040 me qëllim ndërtimin e një baze ekonomike në Hënë deri në vitin 2045.
Koreja e Jugut nuk është i vetmi vend me ambicie për të ndërtuar një bazë hënore. Shtetet e Bashkuara duan të ndërtojnë një ose më shumë poste hënore brenda dekadës së ardhshme, si pjesë e programit Artemis të NASA-s. Kina, në partneritet me Rusinë dhe vende të tjera, po punon gjithashtu drejt këtij qëllimi, dhe India gjithashtu dëshiron të ketë bazën e saj hënore deri në vitin 2047.
Hëna nuk është destinacioni i vetëm i largët për CASA-n, pasi ulja e parë e Koresë së Jugut në Mars është planifikuar gjithashtu deri në vitin 2045./KultPlus.com
Pas analizave të përfunduara të ujit në Pishinën e Gërmisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar se cilësia e ujit është brenda standardeve të përcaktuara sipas rregullores për pishina, duke mundësuar rihapjen e pishinës për qytetarët.
Në datën 24 korrik, IKSHPK kishte kërkuar mbylljen e pishinës bazuar në rezultatet preliminare të mostrave të marra, përpara se të përfundonin analizat përfundimtare. Pas përfundimit të analizave të datës 23 korrik, IKSHPK ka dhënë lejen për rikthimin e pishinës në përdorim, transmeton KultPlus.
Komuna e Prishtines, ka shprehur shqetësim për komunikimet publike të parakohshme që shkaktuan alarm dhe konfuzion në mesin e qytetarëve, duke theksuar se çdo komunikim i tillë duhet të mbështetet vetëm në rezultatet përfundimtare zyrtare nga institucionet përkatëse.
“Ne shpresojmë që praktikat të tilla, që ndikojnë drejtpërdrejt qytetarët, të shmangen në të ardhmen dhe çdo komunikim të jetë i bazuar vetëm në informacionet zyrtare,” thuhet në njoftimin e tyre për media
Komuna e Prishtinës, fton qytetarët të shijojnë hapësirat e Pishinës së Gërmisë, duke siguruar se do të vazhdojnë të angazhohen për transparencë dhe mbrojtjen e shëndetit publik në çdo hap të procesit./KultPlus.com
Elon Musk ka hapur zyrtarisht Tesla Diner në Los Angeles, një “diner futurist” me ushqim klasik amerikan, kinema drive-in, 80 karikues elektrikë dhe robotin Optimus që shpërndan kokoshka.
Hapësira prej 9,000 m² përfshin edhe çati me panele diellore dhe shërben automjetet jo-Tesla që përdorin standardin NACS.
Megjithatë, ditët e para shoqëruan probleme me radhë të gjata dhe shërbim të ngadaltë.
Elon Musk e quan Tesla Diner “vendin më të mirë në Los Angeles” dhe planifikon zgjerimin në qytete të tjera nëse projekti pilot funksionon./KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në kuadër të mandatit të tij për mbrojtjen e shëndetit publik, ka njoftuar se vazhdon monitorimin e cilësisë së ujit në pishinën e Gërmisë.
Rezultatet e mostrave të ujit të marra më 23 korrik 2025 janë brenda standardeve të parapara sipas rregullores për pishina, duke siguruar se cilësia e ujit është e sigurt për përdorim nga qytetarët.
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, ekipet e departamentit të Ekologjisë Humane/IKSHPK do të vazhdojnë monitorimin e ujit të pishinës, si dhe ujit për pije, për të siguruar që çdo burim uji i përdorur për konsum të jetë i pastër dhe i sigurt,transmeton KultPlus.
IKSHPK fton qytetarët të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet për përdorimin e ujit të pishinës dhe të kujdesen për higjienën e tyre personale dhe kolektive, për të parandaluar çdo mundësi rreziku për shëndetin publik./KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka çelur ekspozitën “Origjina dhe Artizanati” që vjen me një koleksion objektesh me vlerë të lartë historike e estetike, përfshirë punime prej metalesh të rralla dhe aliazhesh dekorative.
Këto objekte, të cilat datojnë nga shekuj të ndryshëm, pasqyrojnë mjeshtërinë e artizanëve shqiptarë në punimin e metaleve dhe përdorimin e motiveve simbolike, të lidhura ngushtë me traditën kishtare dhe jetën shpirtërore të asaj kohe.
“Janë objektet e metalit, të ndryshme, metale të çmuara por edhe aliazhe të ndryshme. Vijnë nga format religjioze deri tek ato të përdorimit të përditshëm apo ato të zbukurimit. Kemi përzgjedhur rreth 40 objekte të cilat janë të ekspozuara”, u shpreh Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë.
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë mbetet një nga pikat më të vizituara të rajonit dhe një destinacion i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të prekin nga afër pasurinë shpirtërore dhe artistike të së kaluarës.
“Numri më i lartë i vizitorëve është pikërisht në sezonin veror dhe vendin e parë si vizitorët më të dedikuar janë ato francezë”, tha Prifti.
Ky Muze ka një fond të pasur prej gati 8 mijë objektesh të ndryshme, ku 6500 janë ikona, koleksion ky më i madhi në numër e më interesanti në vlera historike, fetare dhe artistike në Shqipëri e më gjerë, shkruan rtsh.
Këto ditë vere, koreografi i shquar me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj, do të sjellë në skenë një nga krijimet e tij më të reja koreografike.
Vepra “Helikopter / Licht” është një balet që sfidon gravitetin përmes fuqisë së trupit, efekteve të dritës dhe muzikës bashkëkohore. “Helikopter / Licht” është një përjetim vizual dhe fizik që eksploron kufijtë e perceptimit, në një vepër që lëviz mes errësirës së kohës sonë dhe shpresës për rilindje.
Koreografi Preljocaj do ta vërë në skenën e Théâtre de l’Archevêché, në Aix-en-Provence (France), në datat 30 dhe 31 korrik 2025.
Angelin Preljocaj pak kohë më parë u pranua zyrtarisht si anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës. Ai ka lindur në Francë, më 19 janar 1957 dhe filloi të studionte baletin klasik përpara se t’i përkushtohej kërcimit bashkëkohor. Në dhjetor 1984 Preljocaj themeloi kompaninë e tij.
Që nga fillimet e tij, ai ka krijuar 61 vepra koreografike, duke filluar nga solo në formacione më të mëdha duke përfshirë Romeo & Juliet, Borëbardha, Liqeni i Mjellmave. Atij i pëlqen të alternojë balete të mirënjohur narrativë me pjesë më abstrakte./atsh/
Para dy vitesh, ka vdekur në moshën 84-vjeçare prof. dr. Ali Muka, studiues i njohur i arkitekturës popullore e veçanërisht i artit fshatar të ndërtimit.
“Trashëgimia kulturore dhe kultura shqiptare në përgjithësi humbën një studiues të vyer, që ia dedikoi gjithë jetën hulumtimit dhe dokumentimit të së bukurës shqiptare”, kishte shkruar ministrja Margariti për profesor Mukën, i cili do të lërë një vend bosh në radhët e studiuesve të palodhur.
Prof. dr. Ali Muka lindi më 10 dhjetor 1938 në Përmet. Pasi përfundoi shkollën e mesme profesionale (Teknikumin e Ndërtimit) në Tiranë me rezultate të larta, në shtator 1960 u dërgua për të studiuar në Universitetin e Bratislavës (Çekosllovaki), ku studioi vetëm një vit. Pas situatës së krijuar në vitet ’60, i vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës pranë Fakultetit të Inxhinierisë (dega e Ndërtimit) nga shtatori i vitit 1961 deri në korrik 1966 dhe diplomohet si inxhinier për ndërtime qytetare.
Në vitin 1969 emërohet punonjës shkencor për studimin e kulturës materiale e veçanërisht të banesës tradicionale fshatare, pranë Institutit të Historisë e Gjuhësisë (IGJH), pjesë e Fakultetit të Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Që nga viti 1978 e derisa doli në pension në vitin 2008 ishte pjesë e Institutit të Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në rolin e punonjësit shkencor.
Përgjatë veprimtarisë së tij shkencore për një periudhë gati 40-vjeçare, prof. Muka u shqua veçanërisht në fushën e gjurmimit, dokumentimit e studimit të arkitekturës popullore, me theks vendbanimet, ndërtimet dhe artin fshatar të ndërtimit. Bilanc i gjurmimeve mbi 30-vjeçare është materiali grafik, fotografik e përshkrimor, i depozituar në Arkivin Etnografik të Institutit të Kulturës Popullore. Falë kësaj veprimtarie të dendur në terren, duke filluar nga viti 1974 e në vazhdim, prof. Muka botoi mbi 140 artikuj në revistat periodike shkencore.
Në veprimtarinë e gjerë kërkimore shkencore dhe botuese të prof. Ali Mukës zënë vend të spikatur dy prej monografive më të rëndësishme në fushën e studimit të banesës tradicionale të zonave rurale shqiptare, siç është monografia (“Banesa fshatare dhe familja e madhe”, (2001) dhe “Ndërtimet tradicionale fshatare-monografi etnologjike” (2007).
Gjithashtu ai ka patur edhe një aktivitet pedagogjik si pedagog e lektor i jashtëm në universitetet shqiptare, duke i drejtuar studentët në ekspedita e praktika në terren apo edhe si udhëheqës i temave të tyre të diplomës. / KultPlus.com
Shkrimtari i njohur Stephen King në një intervistë për ”The Atlantic”, ndan disa këshilla ose, siç i quan ai, rregulla, për të gjithë krijuesit e rinj. Shumë prej tyre, më shumë sesa me shkrimin, kanë të bëjnë me ripunimin e tekstit.
Shkruaj për vete, më pas shqetësohu për lexuesit. Në fillim shkruaje historinë sikur po ia tregon vetes tënde. Më pas, gjatë ripunimit, hiq të gjitha pjesët që nuk kanë lidhje me përmbajtjen.
Shmangi ndajfoljet; nuk janë miq të mirë.
Mos u fikso pas gramatikës. Qëllimi i letërsisë nuk është korrektesa gramatikore, është ta mbajë lexuesin të interesuar.
Beso në vete. Jam i bindur se frika është arsyeja e letërsisë së dobët.
Lexo, lexo, lexo. Nëse nuk ke kohë të lexosh, nuk ke kohë të shkruash.
Mos u përpiq të kënaqësh të tjerët. Është e pamundur t’i kënaqësh të gjithë.
Fike televizorin, është gjëja e fundit për të cilën ka nevojë një shkrimtar.
Ka dy sekrete për të qenë i suksesshëm, të paktën për mua: Jam i shëndetshëm dhe i martuar
Qëndroi besnik stilit tënd.
Pusho! Lexoje librin tënd pas 6 javësh. Do të jetë një eksperiencë interesante.
Mos përfshi në tekst pjesët e mërzitshme dhe… vriti personazhet e tu të dashur, gjithmonë.
Shkruaj për të qenë i lumtur. Mos shkruaj për para, për t’u bërë i famshëm, për të bërë miq apo për të zënë të dashur. Letërsia është magjike, ashtu siç është uji për jetën. Uji është falas. Pra, pi!
Mitrovica do të jetë nikoqire e një mbrëmjeje të veçantë kulturore, kushtuar ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj. Koncerti do të startojë në ora 20:00, në hapësirën e pikës kryesore të Interex në po këtë qytet.
Në mbrëmjen e tretë me radhë të festivalit, që do të mbahet në Mitrovicë, publiku do të ketë rastin të përjetojë magjinë dhe emocionin e këngës shqipe përmes interpretimeve të jashtëzakonshme të artistëve ndërkombëtarë dhe vendas: mezzosopranos së njohur egjiptiane Gala El Hadidi, Edona Reshitajt, Adhurim Grezdës dhe A R B Ë R E S H Ë. Artistët do të shoqërohen nga grupi muzikor “Gent Rushi Group”, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me nostalgji.
Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” kjo mbrëmje në Mitrovicë do të jetë një vijim i homazhit artistik për bilbilin e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, duke bashkuar breza të ndryshëm përreth një trashëgimie të përbashkët kulturore.
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj do të vazhdojë rrugëtimin e tij artistik me mbrëmje të tjera në Prishtinë: 27 korrik, ora 13:30 |Educating the audience of the future (HyperActive, Prishtina Mall) 28 korrik, ora 20:30|Opera Night (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë); 29 korrik, ora 19:30| New Generation (Universiteti i Arteve, Prishtinë); 30 korrik, ora 20:30| Ensemble Evening (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë);
Festivali do të kulmojë me Gala Mbrëmjen në Sheshin Skënderbeu, më 2 gusht, ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë emra të mëdhenj të operës botërore: sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo, tenori ynë Rame Lahaj, nën tingujt e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e maestro Roberto Rizzi Brignoli./KK/
Korça në verë është një ndjesi e freskët, e qetë, mbushur me aromë lulesh dhe kujtimesh.
Shtëpitë karakteristike, rrugicat me kalldrëm dhe historia që ndihet në çdo hap e bëjnë këtë qytet gjithmonë të veçantë.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, publikoi në rrjetet sociale pamje nga rrugicat karakteristike të “qytetit të serenatave”, me kalldrëmet e pastra, portat e vjetra që ia shtojnë hijeshinë dhe oborret plot lule që rrëfejnë për vëmendjen e korçarëve ndaj së bukurës. Ai e cilësoi Korçën, një qytet i cili përmirësohet çdo ditë, por pa humbur kurrë shpirtin që e bën kaq të dashur.
Pikërisht sot, në Korçë, nis aktiviteti i shumëpritur sidomos prej të rinjve, festivali i muzikës elektronike Lumina.
“Qyteti ynë bëhet skenë e ritmit dhe dritës, aty ku muzika elektronike takohet me natyrën, nën qiellin e hapur të Parkut Rinia”, shkroi Filo duke i rikujtuar korçarëve por edhe vizitorëve të shumtë, këtë ngjarje që do të zhvillohet për dy net rresht 25 dhe 26 korrik dhe ku hyrja do të jetë pa pagesë.
Me festivalin Lumina, Korça bëhet zemra e ritmit, dritës dhe magjisë, duke ftuar të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, për të përjetuar një atmosferë unike dhe për të zbuluar një tjetër dimension të Korçës./atsh/KultPlus.com