S’kam qënë ndonjëherë Në Shqipëri n’atë tokë të ashpër e të dashur, n’atë dhe malor barinjsh.
Sot shpresoj të vij si për të kremte, për një të kremte të re, dasmë mbi tokë; pa të vete të shoh si shkëlqen dielli majë krahëve plot muskuj të vargmaleve të tua, si më rritet në mes të shkëmbinjve si zambaku i ri dhe i njomë, kultura, letërsia, që po nis e shtrihet, nderi ndaj bujkut të moçëm, djepi i punëtorit, përmendorja e shquar e vëllazërimit, si merr përpjetë mirësia posi bima e re që lulëzon në vendet e lashta e të varfra.
O Shqipëri e vogël, e fortë, e vendosur dhe zëmjaltë, teli i kitarës sate ‐ ujë dhe çelik i gjallë – vjen e më t’i shtohet tingullit të historisë, këngës së kohës që s’ka të mposhtur, me një zë bjeshkësh dhe ndërtimesh, aromash dhe bardhësish, këngës së mbarë njerëzve dhe mbarë, mbarë bjeshkëve, zogjve dhe mollëve në lule, erërave dhe valëve. Forca, vendosmëria dhe lulet janë dhuratat q’i sjell ti ndërtimit të jetës mbi tokë. (Përktheu: A.Pilika) / KultPlus.com
Maja e Vajushës në Lëpushë të Malësisë së Madhe, është një nga perlat natyrore të Alpeve Shqiptare, me një lartësi prej rreth 2,100 metrash mbi nivelin e detit.
Vitet e fundit, Maja e Vajushës është kthyer në një destinacion për turistë të huaj ashtu edhe vendas që janë të apasionuar pas natyrës dhe aktiviteteve sportive malore.
Shtegu drejt majës është i shënuar dhe ofron mundësi për pushime të shkurtra, me burime uji dhe pamje mahnitëse gjatë gjithë rrugës.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Maja e Vajushës, një destinacion i shkëlqyer për ata që kërkojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë, të shijojnë ajrin e pastër dhe të përjetojnë një eksperiencë të paharrueshme në Alpet Shqiptare.
Për të arritur në majë, vizitorët duhet të ecin për rreth 2 orë e gjysmë përmes maleve, duke kaluar përmes pyjeve të dendura dhe hapësirave të gjelbra, duke shijuar ajrin e pastër dhe burimet e shumta të ujit të ftohtë.
Për ata që janë të interesuar në aktivitete më sfiduese, Maja e Vajushës është gjithashtu pjesë e garës “Bear Trail”, një ngjarje e njohur e trail running në Shqipëri.
Kjo garë 10 km përfshin një ngritje prej 640 metrash dhe është pjesë e “N’Altitude Festival”, një ngjarje që promovon turizmin aktiv dhe natyrën e paprekur të zonës./atsh/KultPlus.com
Në një epokë kur bota njihej kryesisht përmes bardh e ziut të fotografisë, një njeri ëndërroi të mbërthente diversitetin e njerëzimit me ngjyra. Ky njeri ishte Albert Kahn (1860–1940), bankier dhe filantrop francez, i cili la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme vizuale përmes projektit të tij unik: “Arkivat e Planetit” (Les Archives de la Planète).
Një ide e lindur nga idealizmi dhe vizioni i paqes I lindur në Alsace në një familje hebreje, Kahn përjetoi herët pasojat e ndarjeve politike dhe kulturore: në vitin 1871, pas Luftës Franko-Prusiane, Alsace kaloi nën sundimin gjerman dhe familja e tij u zhvendos në Paris. Ky fat i hershëm ndikoi thellësisht në formimin e tij humanist dhe në besimin se paqja ndërkombëtare mund të arrihet përmes njohjes dhe mirëkuptimit mes popujve.
Në fillim të shekullit XX, me një pasuri të madhe të fituar nga investimet në miniera dhe në sektorin bankar ndërkombëtar (pjesërisht përmes lidhjeve të ngushta me elitën financiare dhe aristokracinë japoneze), Albert Kahn krijoi Fondacionin e vet dhe nisi një ndërmarrje të paprecedentë për kohën: të fotografojë dhe të filmojë botën për ta ruajtur atë si kujtesë vizuale për brezat që do të vijnë.
Foto e Pazarit të vjetër të Shkodrës, e plackitur dhe djegur nga malazezët, në fillimvitin 1913, para largimit të tyre nga qyteti, të detyruar nga austro-hungarezët.
Arkivat e Planetit – një ekspeditë globale përmes imazhit Nga viti 1909 deri në 1931, me mbështetjen e teknologjisë më të avancuar të kohës – procesin autochrome, të shpikur nga vëllezërit Lumière më 1903, Albert Kahn dërgoi një grup fotografësh dhe operatorësh filmikë në më shumë se 50 vende të botës, për të dokumentuar kulturat, zakonet, veshjet, arkitekturën dhe jetën e përditshme të popujve në transformim.
Në këtë korpus të jashtëzakonshëm prej më shumë se 72,000 autochrome (fotografi me ngjyra të hershme), Shqipëria zë një vend të veçantë. Pikërisht më 21 tetor 1913, një fotograf i dërguar nga Kahn, ndoshta Frédéric Gadmer apo Stéphane Passet, realizoi disa imazhe mbresëlënëse në Shkodër, duke fokusuar portretin etnografik të malësorëve shqiptarë.
Një nga fotot më të njohura nga kjo ditë paraqet grupin e disa burrave të veshur me kostume tradicionale të Veriut shqiptar, qëndrimtarë e dinjitozë, përpara një sfondi urban modest, por kuptimplotë. Kjo foto nuk është vetëm një dëshmi e jashtme e një populli, por një ndërthurje ngjyrash, identiteti dhe kohe, një dritare nga ku ne sot mund të komunikojmë me Shqipërinë e para më shumë se një shekulli.
Një grua dhe një vajzë nga Malësia te veshur me xhubletë, para një ndrëtese karakteristike shkodrane
Një vështrim i vërtetë dhe pa ndërhyrje në realitet Kjo përpjekje e Kahn për të regjistruar botën nuk ishte një akt sipërfaqësor dokumentimi, por një projekt i thellë etik dhe filozofik, që synonte të kuptonte dhe përçonte vlerat njerëzore në larminë e tyre. Në secilën prej fotografive të projektit, përfshirë edhe ato nga Shqipëria, Kahn dhe bashkëpunëtorët e tij shmangën egocentrizmin kolonial ose ekot e shikimit orientalizues. Përkundrazi, ata përpiqeshin të respektonin kontekstin lokal, të vinin në pah të bukurën përmes autenticitetit, jo përmes ekzotikës së imponuar.
Ai i dha zë dhe ngjyrë njerëzve që historia shpesh i kishte lënë në periferi, e midis tyre edhe shqiptarëve, që në prag të shpalljes së pavarësisë dhe pas rrëzimit të Perandorisë Osmane, po përpiqeshin të vetëformësoheshin si komb.
Krutanë me veshje karakteristike, në shërbim të Princ Vidit
Rënia e pasurisë, por jo e trashëgimisë Kriza financiare e vitit 1929 shkatërroi pasurinë e Albert Kahn-it, dhe projektet e tij, përfshirë “Arkivat e Planetit”, mbetën të papërfunduara. Por ajo që ai arriti të ruajë, përmes rreth 4,000 filma dokumentarë dhe dhjetëra mijëra fotografi, përbën një nga koleksionet më të mëdha vizuale të fillimshekullit XX, sot e ruajtur në Musée Albert-Kahn në Boulogne-Billancourt, pranë Parisit.
Ajo që e bën të veçantë këtë galeri është se nuk është vetëm një arkiv dokumentar, por një akt dashurie ndaj njerëzimit, një përpjekje e përulur për të kuptuar dhe nderuar tjetrin.
Burra me veshje karakteristike, që mbajnë në supe vargje duhani
Shqipëria në hartën e memories globale Që Shqipëria zë vend në këtë ndërmarrje monumentale nuk është pak. Është një privilegj dhe një burim i jashtëzakonshëm i kujtesës kombëtare, ku mund të vështrojmë përmes lenteve të një kohe që tani është kthyer në mit. Në një epokë ku imazhi është i tejngopur dhe shpesh i zbrazët nga përmbajtja, fotot e Albert Kahn-it na rikthejnë te një estetikë e sinqertë dhe një dëshmi njerëzore e pazëvendësueshme.
Përmes tyre, historia jonë merr ngjyrë. Një ngjyrë që nuk është e trilluar nga nostalgjia, por e fiksuar me kujdes, ndjeshmëri dhe vërtetësi. Ashtu siç ishte, ashtu siç do të donim të mbahej mend.
“The Scotsman” ka botuar, të martën e 12 shtatorit 1939, në faqen n°8, intervistën e Mbretit Zog dhënë asokohe një gazetari në Londër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Mbreti Zog i Shqipërisë
“Paqja duhet të bazohet mbi drejtësinë”
Burimi : The Scotsman, e martë, 12 shtator 1939, faqe n°8
Mbreti Zog i Shqipërisë, i cili ka mbërritur në Londër, do t’i bashkohen së shpejti gruaja dhe fëmija i tij. Ai i tha dje një gazetari se nuk mund të thoshte nëse qëndrimi i tyre do të ishte i përhershëm. “Por mund të jetë shumë i gjatë”, tha ai.
“Edhe motrat e mia do të vijnë”, shtoi ai. “Kohëzgjatja e qëndrimit tonë varet nga rrethanat.”
I pyetur nëse ishte e mundur t’i përcillte një mesazh popullit britanik në rrethanat e tanishme, Mbreti Zog u përgjigj: “Mund të them vetëm se kjo luftë është një fatkeqësi shumë e madhe për njerëzimin. Ne duhet të luftojmë me guxim. Kur ke një dorë të gangrenizuar, kirurgu e pret”, vazhdoi ai me një gjest të shpejtë.
“Paqja, megjithëse mund të jetë e vështirë për t’u arritur, duhet të bazohet mbi drejtësinë, dhe të gjithë e dimë dhe ndihemi të sigurt se ideali britanik i qeverisjes bazohet në paqe dhe drejtësi. Ju lutem, interpretojini popullit britanik simpatinë time dhe dijeninë se kombi juaj qëndron lart në zemrat e të gjitha kombeve të vogla. Ne kemi arsye të veçanta për admirim sepse shumë nga udhëheqësit tuaj kryesorë kanë bërë kaq shumë për kauzën shqiptare.”/ KultPlus.com
“Portretet e jetës së përditshme” titullohet ekspozita e piktorit Fatmir Vasjari, që është hapur në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në qytetin e Durrësit.
Nën dritën e një atmosfere të ngrohtë artistike, Vasjari sjell për publikun një koleksion veprash të fokusuara kryesisht në portrete, ku në qendër janë njerëzit e thjeshtë, me profesione të ndryshme.
Me një realizëm të thellë dhe një ndjeshmëri që depërton përtej telajos, pikturat e tij japin zë figurave të zakonshme të shoqërisë, që rrallëherë marrin vëmendjen që meritojnë si mjekë, arsimtarë, punëtorë apo artizanë, të paraqitur me dinjitet dhe thellësi emocionale.
I pranishëm në çeljen e ekspozitës ishte edhe piktori i njohur Caush Vathi, i cili vlerësoi veçantinë dhe fuqinë shprehëse të veprave të Vasjarit.
“Fatmir Vasjari arrin të kapë shpirtin e njeriut të zakonshëm dhe ta kthejë në subjekt arti me një ndjeshmëri që flet qartë për pjekurinë e tij artistike”, tha piktori Caush Vathi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë, duke ftuar vizitorët të ndalojnë për një çast përballë fytyrave të jetës së përditshme për të reflektuar, për të ndjerë dhe për të parë nga afër vlerën që arti i jep çdo njeriu të zakonshëm./euronews.al/ KultPlus.com
Regjisori i “Squid Game”, Hwang Dong-hyuk, ka zbuluar arsyen e vërtetë pse sezoni i ardhshëm i serialit hit i Netflix është ndarë në dy pjesë.
Thrilleri distopik i mbijetesës u bë një sukses i menjëhershëm sapo u publikua në platformën Netflix në vitin 2021.
Fansat kanë pritur tre vite për vazhdimin e serialit (sezonin e dytë), i cili doli në dhjetor të vitit 2024 – dhe me fat, këtë herë iu deshën për të pritur vetëm gjashtë muaj për të parë të tretin.
Megjithatë, kjo ndodhi pjesërisht sepse sezoni i dytë u nda në dy pjesë – dhe shumë fansa kanë pyetur pse u mor një vendim i tillë.
Duke folur ekskluzivisht për MailOnline gjatë premierës së sezonit të tretë të “Squid Game”, të enjten, Hwang Dong-hyuk, 54 vjeç, tha:
“Fillimisht nuk e kisha planifikuar që të ndahej në dy sezone. Mendoja që do të ishte një i vetëm, por gjatë procesit të shkrimit, përfundova me rreth 13 episode, gjë që më dukej shumë për një sezon të vetëm. Dhe gjithashtu, duke parë tendencat e sotme, m’u duk shumë i gjatë”.
“Kështu që mendova ta ndanim. Dhe nëse do ta ndanim, atëherë fundi i episodit të shtatë – kur Seong Gi-hun bie në pikën më të ulët pasi rebelimi i tij dështoi – më dukej momenti i përkryer për ta ndarë në dy kapituj”.
Një nga pyetjet që shumë fansa duan të dinë është nëse do të ketë apo jo një sezon të katërt së shpejti.
Hwang Dong-hyuk u përgjigj:
“Mendoj se pasi të shikoni sezonin e tretë, do ta kuptoni pse historia duhet të përfundojë këtu. Kështu që nuk kam ndonjë plan për një sezon të katërt”.
Megjithatë, ai ndau edhe disa lajme shumë emocionuese për projekte të tjera të lidhura me serialin.
Ai shtoi: “Por kam disa ide… ndoshta për një spin-off”.
Sezoni i tretë i Squid Game publikohet zyrtarisht më 27 qershor në platformën e Netflix.
Interesi për trashëgiminë historike dhe kulturore të Shqipërisë vijon të rritet, me Qendrën Muzeore Krujë që ka pritur mbi 65 mijë vizitorë vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025.
Lajmi u bë i ditur sot nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi rëndësinë që ka qyteti i Krujës në hartën kulturore dhe turistike të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 55 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili ruan dhe paraqet me krenari historinë e një prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar. Ndërkohë, rreth 10 mijë vizitorë kanë eksploruar Muzeun Etnografik të Krujës, ku ekspozohen objekte të trashëgimisë kulturore që pasqyrojnë jetesën tradicionale të trevës.
Ministri Gonxhja u shpreh se këto shifra dëshmojnë një rritje të vazhdueshme të interesit të publikut për historinë dhe kulturën shqiptare, duke e kthyer Krujën në një ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.
Kruja mbetet një simbol i krenarisë kombëtare, dhe muzetë e saj po tërheqin një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh nga vendi dhe bota, duke kontribuar edhe në zhvillimin e turizmit lokal dhe ekonomik./ atsh/ KultPlus.com
Vlerat e artizanatit dhe mjeshtërive tradicionale në Gjirokastër po tërheqin gjithnjë e më shumë interesin e turistëve.
Në këtë sezon vere, qendrat e artizanatit në qytetin e gurtë janë kthyer në atelie trajnimi, ku vizitorët njihen dhe mësojnë zanatet e traditës.
Këto vlera, të transmetuara brez pas brezi, turistët i cilësojnë si tërheqëse dhe mjaft interesante.
“Unë quhem Kelly dhe jam nga Izraeli. Kemi ardhur me një grup miqsh për të vizituar Shqipërinë dhe për t’u njohur më shumë me traditat. Na intereson veçanërisht qëndistaria. Po mësojmë nga artizanet vendase dhe është një eksperiencë e mrekullueshme, sidomos në një vend miqësor dhe me njerëz shumë të dashur,” – thotë një turiste.
“Unë jam Mihaila nga Izraeli. Punoj si artizane në disa profile të këtij zanati. Prej disa vitesh realizojmë ture të ndryshme, ku pjesë është edhe Shqipëria. Por ku më mirë se në Gjirokastër mund të mësojmë teknikat e qëndisjes, sidomos ato me fije ari, të cilat janë pjesë e rëndësishme dhe mjaft e bukur e kostumeve tradicionale të zonave të ndryshme?” – shton një tjetër vizitore.
Tashmë, qendrat e artizanatit janë bërë pjesë e rëndësishme e guidave turistike, duke promovuar për turistët e huaj edhe vlerat e trashëgimisë sonë kombëtare.
“Paketa jonë është diçka e veçantë. Dëshironim të ofronim diçka ndryshe nga turizmi standard – një turizëm të dedikuar, që sjell edhe gëzim. Deri tani kemi pasur sukses. Kemi paketa për jugun dhe për veriun, të dyja shumë të suksesshme. Jam shumë krenare për punën tonë dhe për vajzat që kanë marrë pjesë – të gjitha shumë të kënaqura me Shqipërinë, mikpritjen shqiptare dhe atë që ne ofrojmë,” – thotë Rozana Gjergji.
Zhvillimi i turizmit po nxit rikthimin e zejtarisë dhe të punimeve karakteristike në Gjirokastër, ndërsa këtë vit janë hapur edhe disa qendra të reja artizanale në zonën historike të qytetit./euronews.al/ KultPlus.com
Në një kohë kur çrregullimet e shëndetit mendor po shfaqen si pandemi globale dhe zgjidhjet shpesh kërkohen në barna dhe modele neuroshkencore, psikiatri Imri Demisai vjen me një qasje ndryshe në librin e tij më të ri, “Psikologji për jetën time”, që u promovua dje në ambientin e ngrohtë të Galerisë KultPlus.
Me një përvojë klinike shumëvjeçare, Demisai ngre shqetësimin se aspekti shpirtëror i njeriut po anashkalohet gjithnjë e më shumë. Në librin e tij, ai u bën thirrje profesionistëve të shëndetit mendor që të shohin përtej diagnozave të ftohta, të dëgjojnë me kujdes historinë e pacientit dhe të mos mbështeten verbërisht vetëm në farmakoterapi.
“Rrënjët e vuajtjes shpirtërore janë psikologjike, jo biokimike,” – shkruan autori. – “Vetëm përmes njohjes, mirëkuptimit dhe një qasjeje njerëzore mund të arrihet shërimi i vërtetë.”
Nën moderimin e Ardianë Pajazitit, drejtoreshë e gazetës KultPlus, promovimi i këtij libri u kthye në një bisedë të sinqertë mbi rolin e humanitetit në trajtimin e shëndetit mendor. Libri u cilësua si një manifest i një psikiatri që nuk i sheh njerëzit vetëm si bartës simptomash, por si qenie të ndërlikuara me histori, emocione dhe plagë të thella shpirtërore.
Vetë autori Demisai ka thënë që njerëzit jetojnë në një kohë kur çrregullimet e shëndetit mendor kanë marrë përmasa pandemike.
“Ndihmës të shumtë përpiqen të na shpëtojnë sa më parë, duke krijuar një situatë ku jemi të ekspozuar ndaj një vale të vazhdueshme informacionesh dhe këshillash të shumëllojshme. Ndihma që na ofrohet është kryesisht psikiatrike, ndonëse ende nuk është gjetur një kurë që të shërojë plotësisht çrregullimet mendore. Nga ana tjetër, psikologët i janë drejtuar terapive kognitive të sjelljes (CBT – terapi e orientuar drejt veprimit), si një formë psikoterapie që synon reduktimin e simptomave të gjendjeve të ndryshme të shëndetit mendor. Ata shpesh mbajnë modele të trurit mbi tryezat e tyre të punës, duke treguar kështu besnikëri ndaj psikiatrisë tradicionale dhe duke lënë shpirtin mënjanë. Ata besojnë në ato që thonë profesorët se, përveç depresioneve që lidhen me krizat e jetës, ekzistojnë edhe depresione që, gjoja, vijnë si pasojë e çrregullimeve biokimike në tru. Kështu mendon shumica sot, përndryshe nuk do të shiteshin kaq shumë barna”, thotë ai.
Sipas tij, faktet klinike e kanë bindur se nuk ka shkaqe të tjera për problemet psikike, përveç shkaqeve psikologjike. Ngjarjet janë ato që shkaktojnë reagime emocionale, dhe këto manifestime shpirtërore vënë në lëvizje të gjithë organizmin, jo vetëm trurin. Pra, çrregullimet mendore janë gjendje shpirtërore që lidhen me ngjarjet e jetës, me botëkuptimin dhe me qëndrimin tonë. Edhe ato që quhen “sëmundje psikike” janë gjendje sistemike, kryesisht si pasojë e transmetimit të traumave të familjes nga brezi i vjetër tek brezi i ri.
“Nëse mendoni kështu, do ta kuptoni më mirë psikologjinë e jetës së përditshme, duke u nisur nga konteksti juaj social. Ruani kokën, që të mos lëndohet truri, por mos e lodhni mendjen me hipoteza neuroshkencore, të cilat deri më sot nuk kanë sjellë zgjidhje të qarta. Le t’i lëmë shkencëtarët të merren me këtë punë; ne praktikuesit të merremi me atë që na ofron shkenca e jetës. Nëse keni nevojë për ndihmë dhe vëreni se psikologu që takoni përdor slogane neuroshkencore në faqen e tij të internetit ose në dhomën e punës, keni arsye të dyshoni. Mos e lejoni veten të trajtoheni si kopje, por bëhuni si ato librat origjinalë që lexohen për herë të parë”, thotë ai.
Ai po ashtu është shprehur se çdo njeri duhet të jetë i informuar mbi këto çështje, përndryshe nuk do ta kuptojnë se çfarë ndodh me ta.
“Kjo nuk është e vështirë, nëse flisni hapur dhe kërkoni shpjegime për nocionet që përdoren gjatë bisedës me psikologun tuaj, në mënyrë që të kuptoni më mirë njëri-tjetrin. Së pari, duhet ta keni të qartë pse keni nevojë për ndihmë, dhe të bindni veten se nuk po e përdorni psikologun si një alibi për të mos u përballur me problemet e jetës. Mendoj se duhet të analizoni me kujdes gjithçka që thuhet për shëndetin mendor në studio televizive apo portale online – të gjitha ato këshilla që ju serviren si të vërteta. Ju nuk duhet të lejoni që shëndeti juaj të përkeqësohet deri në atë pikë sa dikush tjetër të marrë kontrollin mbi jetën tuaj, duke u marrë me ndjenjat tuaja vit pas viti, pa e kuptuar shkakun e vërtetë të vuajtjes shpirtërore”, thotë Demisai.
Brenda librit thuhet se vuajtja është pasojë e padijes.
“Kërkoni dituri që të mos vuani. Kërkoni ndihmë, por gjykoni edhe vetë – mos ua lini të tjerëve të mendojnë për ju. T’i bësh dikujt një “pëlqim” në internet pa e kuptuar domethënien e asaj që shkruan, nuk është mirë. Rinia shqiptare duhet të kërkojë burime të ndryshme informacioni, derisa të gjejë ndihmën e duhur – jo të besojë verbërisht çdo gjë që thonë ekspertët e një shkence që nuk është aq ekzakte siç janë psikologjia dhe psikiatria.”
Libri “Psikologji për jetën time” kërkon të jetë një frymëzim i përditshëm, në mënyrë që vëmendja të drejtohet kah ligjet e jetës dhe jo kah misteret e trurit.
Autori i librit bën një thirrje dashamirëse për kolegët mjekë: lini modelet e trurit dhe neuroshkencën – merruni më shumë me aspektet ekzistenciale, me dritëhijet e personalitetit tuaj dhe të atyre që dëshironi t’i ndihmoni. Flisni për hallet e jetës, jo për sinapset e trurit, sepse ato nuk na e shërojnë brengën shpirtërore. Mos shkruani shumë receta për medikamente psikofarmakologjike, përveçse në raste shumë të rënda, kur është vërtet e domosdoshme – si për shembull për të zbutur një gjendje psikotike, një mani fulminante ose një delir të rëndë gjatë abstinencës. Ndonjëherë nevojiten barna kundër sulmeve ankthore, por kjo rrallëherë është e domosdoshme. Përdorni metoda të tjera për qetësim – ndihmoni pacientët të modulojnë afektet, të shndërrojnë ndjenjat sekondare në ndjenja primare. Ankthi lidhet me konflikte të zakonshme, por në raste të rralla, kur ndjenja e panikut bëhet shumë e fortë, ai duhet parë si një mekanizëm mbrojtës ndaj impulseve destruktive, që shpesh janë rezultat i trysnisë agresive në familje. Kjo gjendje alarmante mund të zbutet me metoda terapeutike, por nganjëherë nevojiten edhe hapa qetësues. Antidepresantët duhen përdorur vetëm në raste të rënda depresioni, siç është melankolia. Por nëse pacienti këmbëngul, atëherë s’kemi ç’të bëjmë. Ka njerëz që nuk guxojnë të jenë në kontakt me ndjenjat e tyre dhe ndihen të detyruar të përdorin barna. Detyra jonë kryesore është të parandalojmë krizat e ankthit dhe të depresionit, dhe të mësojmë njerëzit të kërkojnë ndihmë me kohë. Edhe psikozat, gjendjet maniako-depresive, si dhe varësitë e rënda, mund të zbuten apo të parandalohen nëse dimë shkaqet e vërteta dhe mekanizmat e shfaqjes dhe përkeqësimit.
Sipas tij, mendimet sistemike që paraqiten në këtë libër – fryt i përvojës së gjatë klinike të autorit – hapin mundësi të reja terapeutike për mjekët, psikologët, punëtorët socialë dhe për të gjithë ata që duan të shohin përtej diagnozave deskriptive, për të kuptuar më mirë problemet psikike të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rriturve.
Ky libër është fryt i një pune të gjatë klinike e autorit si psikiatër. Ai ka falënderuar për ndihmën që ia kanë dhënë me rrëfimet e tyre të gjithë pacientët që ka takuar në klinikat e mjekësisë së përgjithshme, në klinikat psikiatrike dhe në praktikën e tij private, gjatë këtyre tri dekadave të fundit.
Rrëfimet e tyre dhe udhëzimet e kolegëve të tij më të vjetër, veçanërisht ndihma e psikologes psikanaliste K. Wedne Lindberg dhe e psikiatrit gjerman Albrecht Mahr, kanë qenë vendimtare për zhvillimin e tij psikoterapeutik.
Për cilësinë e librit, autori ka falënderuar redaktorin, profesor Rami Memushaj, për përkushtimin e tij që ky libër të dalë sa më mirë. Një falënderim i veçantë nga autori ka shkuar edhe për doktoreshën Gerdiola Topi, për sugjerimet e vlefshme para botimit të librit.
Dhe, në fund, autori ka falënderuar familjen – për durimin dhe mirëkuptimin, gjatë orëve të gjata të vetmisë së tij krijuese.
Pas përfundimit të promovimit, të pranishmit vijuan bashkëbisedimin në një atmosferë të ngrohtë e reflektuese, duke u ndalur veçanërisht te temat me ndjeshmëri: ndikimi i efektit placebo në procesin e shërimit, roli i vetëdijes dhe fuqia që nënvetëdija ka në përballjen me dhimbjet emocionale. Diskutimet shpërfaqën nevojën për një qasje më të thelluar ndaj psikikës njerëzore, ku shërimi nuk ndodh vetëm përmes barnave, por edhe përmes ndërgjegjësimit, pranimit dhe transformimit të brendshëm. Bisedat vijuan gjatë, si dëshmi e një libri që ka nxitur më shumë se lexim – ka nxitur vetëdije./ KultPlus.com
Pas pesë ditësh, sot përmbyllet edicioni jubilar i Panairit të Librit “Prishtina 2025”. Nën moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, kjo ngjarje mblodhi rreth 30 mijë vizitorë nga vendi, rajoni dhediaspora.
Vizitorët patën mundësinë të njihen me rreth 2 mijë tituj të rinj dhe mbi 6 mijë të viteve të fundit.
Nga 11 deri me 15 qershor, në Prishtinë u mbajt Panairi i 25-të i librit “Prishtina 2025”, e ku morën pjesë mbi 75 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.
Organizatorët e panairit kanë bërë të ditur se këtë vit ka një rënie të vogël pjesëmarrëse të shtëpive botuese.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur se mbrëmjen e kaluar në “Colosseum Filmtheater” u shpalos një program i fuqishëm i filmave të metrazhit të shkurtër, në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin.
Në një postim në Facebook, Ajeti ka deklaruar se në publik pati përfaqësues të institucioneve gjermane, ambasadorë, përfaqësues të korit diplomatik, gazetarë, artdashës, si dhe kosovarë të shumtë që janë në diasporë.
“Secili film solli një dimension të pasojave të luftës, duke përfshirë: kujtesën përmes një portreti; dëshmi rrëqethëse për një grua që humbi burrin dhe katër djemtë në luftë, e cila jeton me kujtimin e tyre; për jetën brezit të ri pas paqes dhe me ndjeshmëri të thellë mbi temën e dhunës seksuale gjatë luftës dhe sfidat e rikthimit në jetën normale”, u shpreh Ajeti
Filmat që u shfaqën ishin “I Believe the Portrait Saved Me” nga Alban Muja, “Ferdonija” nga Gazmend Bajri & Shkurte Dauti, “Displaced” nga Samir Karahoda dhe “Return” nga Blerta Zeqiri.
Ajeti theksoi se ky aktivitet është i bashkëorganizuar me Qendrën Kinematografike të Kosovës.
Ai shtoi se krejt kjo nuk ishte vetëm promovim i kinemasë kosovare, por ishte akt i kujtesës dhe respektit për viktimat, të zhdukurit dhe të mbijetuarit. /Klankosova.tv
Kanioni i Langaricës, i vendosur rreth 15 kilometra në verilindje të qytetit të Përmetit, konsiderohet si një nga pasuritë më të veçanta natyrore të Shqipërisë së jugut. Si pjesë e Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës” – Dangëlli, ky kanion me gjatësi rreth 5 kilometra ofron një pamje mbresëlënëse, ku gërshetohen shkëmbinjtë e lartë dhe ujërat termale.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje mahnitëse të Kanionit të Langaricës, një nga degët kryesore që furnizon zonën burimore të lumit Vjosë. Ky kanion shpalos një peizazh të rrallë dhe një pasuri natyrore që mbetet ende e paprekur dhe e paeksploruar në plotësinë e saj.
Kanioni ndodhet mbi fshatin Stërmbec, në jug të Përmetit, duke krijuar një rrugë të fshehur në gjirin e pyjeve dhe maleve të Dangëllisë. Afërsia me burimet termale e bën këtë zonë veçanërisht tërheqëse për turistët dhe aventurierët që kërkojnë të zbulojnë bukuritë natyrore dhe pasurinë ujore të këtij territori të rrallë.
Lumi Langarica, me rrjedhën e tij të fuqishme, ka gdhendur me kalimin e kohës këtë kanion spektakolar, i cili për vendasit njihet me respekt si “lumi i bekuar”. Pamja që ofron është madhështore dhe e mbushur me jetë, duke e kthyer këtë vend në një galeri të hapur të natyrës.
Kjo zonë ofron një shfaqje të mahnitshme gjatë gjithë vitit: pranvera sjell gjelbërim dhe aromë pyjesh të lulëzuar, vera ndriçon shkëmbinjtë me rrezet e saj, vjeshta ngjyros çdo cep me tone të zjarrta, ndërsa dimri mbulon gjithçka me një mister të bardhë e të heshtur.
Edhe gjatë stinës së ftohtë, kur uji i lumit merr një ngjyrë të thellë, kanioni mbetet një destinacion i veçantë, që fton të apasionuarit pas natyrës të eksplorojnë më shumë. Muret shkëmbore të larta, të rrethuara nga uji i akullt, krijojnë një atmosferë unike që e bën Kanionin e Langaricës një nga mrekullitë më të bukura të natyrës shqiptare.
Edhe kur kujtesa ime e lodhur Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë, Unë ty s’do të harroj.
Do të kujtoj Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu, Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim Si një dëborë e pashkundshme.
Ndarja erdhi Po iki larg teje… Asgjë e jashtëzakonshme, Veç ndonjë nate Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë… / KultPlus.com
Aktori dhe regjisori i njohur italian dhe fitues i çmimit Oscar, Roberto Benigni ka bërë një apel të fuqishëm kundër luftës dhe i është drejtuar me fjalë të ashpra atyre që vazhdojnë të shkaktojnë vdekje.
Fituesi i çmimit Oscar foli për konfliktin në Gaza, luftën në Ukrainë dhe tragjeditë në Mesdhe, duke u shprehur se “ata që nuk e ndiejnë dhimbjen e botës, nuk janë njerëz”.
Ai vijoi më tej me fjalimin e tij mbi dramën e luftës, duke u përqendruar te vuajtjet e të vegjëlve: “Ata që vrasin fëmijë, nuk janë burra!”, ndërsa shtoi më tej “kur fëmijët luajnë dhe njëri prej tyre gërvishtet, ata ndalen. Por këtu ata në të vërtetë vazhdojnë të vrasin. Është frikacakëri.”
Benigni e hodhi fajin nga Bashkimin Evropian, duke u shprehur se ka munguar reagimi dhe adresimi i tyre në parandalimin e konflikteve.
“Nuk ka një Bashkim të vërtetë, vërtet të bashkuar. Nëse do të kishte pasur, ndoshta disa luftëra mund të ishin shmangur”, deklaroi ai me hidhërim.
Aktori i njohur kujtoi gjithashtu fjalët e Joe Biden, i cili një ditë pas 7 tetorit 2023, i kishte kërkuar Izraelit të mos i përgjigjej tmerrit me më shumë tmerr. Fjalë që, thekson Benigni, kanë mbetur të padëgjuara.
Apeli i tij ishte gjithashtu një ftesë për t’ju rikthyer frymës së Manifestit të Ventotenes, një simbol i unitetit dhe paqes evropiane pas Luftës së Dytë Botërore dhe ëndrrës evropiane si një projekt paqeje dhe demokracie.
“Ne jemi të gjithë i njëjti trup”, tha Benigni, duke iu referuar luftërave në Gaza, Ukrainë dhe vdekjeve në Detin Mesdhe. “Nuk mund të heshtim përballë kësaj dhimbjeje”.
Fituesi i çmimit Oscar e përfundoi monologun e tij me një mesazh për të rinjtë, “brezi i parë transnacional në histori”, duke i ftuar ata të mbrojnë paqen dhe të mos harrojnë fuqinë e lirisë./ KultPlus.com
Fragmente të shkëputura nga libri “Shkëlqim dhe tmerr” pjesa e dytë e Bekim Fehmiut, përcjell KultPlus.
Përktheu Sabit Abdyli
Pse ju shqiptarët pas luftës (fjala është për luftën 1940/45) nuk u kthyet në Shqipëri – pyeti serbi 70 vjeçar. Mu kujtua pyetja e njëjtë e Jovan Mileqevit në Maribor. Tentova t’i përgjigjem. Po më ndali cimeri im, prit unë – Cernoputi Kovinac i mbajti leksion për shqiptarët si profesori im (dikur) Dr. Millosh Gjuriq. – Nëse dikush duhet të kthehet diku, atëherë ata duhet të jemi ne (serbet), jo shqiptarët. –ju përgjigj bashkëfshatarit.
Në vitin 1926 (vazhdoi 70 vjeçari) kur u bë reforma agrare më kanë ofruar tokë gati falas nëse vendosem atje (Kosovë). Po nuk shkova. “Shkëlqim dhe tmerr” , 2012, Beograd, Bekim Fehmiu, faqe 380.2.Irena (fjala është për artisten Irena Papas) kish imigruar në Romë për shkak grusht shtetit të Juntës ushtarake në Greqi. Kish vuajtur (merakosur) për mikun e saj kompozitorin Teodorakis. Për ta disponuar propozova të shkonim në restorant. Fillova të këndoj një këngë. Ajo pranoi këngën dhe vazhdoi ta këndojë në greqisht. I habitur reagova: “Prej ku e di ti këtë?” Kjo është këngë dashure shqiptare.Jo, kjo është këngë greke nga Janina – tha Irena. Atje jetojnë Arvanitasit, shqiptarët, apo? Duke vazhduar këngën nxori nga çanta e dorës pasaportën dhe – Lexo. Irini Leleku (mbiemrin në shqip dmth lejleku).Di ti flasësh shqip? – e pyes.Jo, por jam me origjinë shqiptare – më tha Irena.Për ty do ishte fantastike të jesh në rolin e Teutës, mbretëreshës ilire.
Nga libri (pjesa dytë) “Shkëlqim dhe tmerr” , 2012, Beograd, Bekim Fehmiu, faqe 167 3.Regjisori (fjala është për regjisorin italian të filmit “Odisea” Franko Rosi) papritmas më pyeti. Çka mendon për Rade Sherbexhijen ? Në ç’kuptim?Si artist. Po përgatisim “Iljaden”, dhe po mendojmë për te.Mirë keni menduar. Rade nuk është vetëm artist i shkëlqyeshëm, por edhe poet, këngëtar .. Ai është i zoti për të gjitha rolet; nga lypsari deri te mbreti.Shikimet e Frankos dhe bashkëpunëtorit të tij u kryqëzuan. Përnjëherë një si heshtje.Si ashtu, Bekim (Bekim Fehmiu) : sa herë të kem pyet ty për kolegët nga Jugosllavia, gjithmonë i ke lavdëruar. Por, kur kem pyet për ty derisa xhironim filmin “Quo Vadis” në Beograd, ata (artistët serbë) përgjigjeshin se je verbuar, se je irredentist, nacionalist. (Unë, thotë Rosi) Nuk kam mund ta shoh Odisen tim të verbuar. /KultPlus.com
Interesi për trashëgiminë historike dhe kulturore të Shqipërisë vijon të rritet, me Qendrën Muzeore Krujë që ka pritur mbi 65 mijë vizitorë vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025.
Lajmi u bë i ditur sot nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi rëndësinë që ka qyteti i Krujës në hartën kulturore dhe turistike të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 55 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili ruan dhe paraqet me krenari historinë e një prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar. Ndërkohë, rreth 10 mijë vizitorë kanë eksploruar Muzeun Etnografik të Krujës, ku ekspozohen objekte të trashëgimisë kulturore që pasqyrojnë jetesën tradicionale të trevës.
Ministri Gonxhja u shpreh se këto shifra dëshmojnë një rritje të vazhdueshme të interesit të publikut për historinë dhe kulturën shqiptare, duke e kthyer Krujën në një ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.
Kruja mbetet një simbol i krenarisë kombëtare, dhe muzetë e saj po tërheqin një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh nga vendi dhe bota, duke kontribuar edhe në zhvillimin e turizmit lokal dhe ekonomik./ KultPlus.com
Pas suksesit të tyre me këngën “Zjerm” në Eurovision, “Shkodra Elektronike” do të mbajë performancën e parë në Kosovë. Koncerti do të mbahet në AMC Hall, më 16 qershor duke nisur nga ora 20:00.
Edicioni i 13-të i festivalit “FEMART” do të nisë në AMC Hall me magjinë dhe shndritjen e Shkodrës Elektronike.
Nga Eurovisioni në Prishtinë, Shkodra Elektronike, e përbërë nga dyshja unike – Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca – do të sjellin magjinë, sharmin, dhe energjinë e “Zjerm” në Festivalin FEMART, duke festuar njëherësh Ditët e Çlirimit të Prishtinës.
Me rastin e përvjetorit të ndarjes nga jeta të aktorit të madh Bekim Fehmiu, sot u mbajt ceremonia përkujtimore e organizuar nga Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren.
Në këtë tubim simbolik, u hodhën lule në lumin Lumbardh – pikërisht aty ku është shpërndarë hiri i tij, në nderim të jetës dhe veprës së një prej figurave më të shquara të artit.
Të pranishëm në ceremoni ishin miq, familjarë dhe bashkëpunëtorë të afërt të artistit, të cilët ndanë kujtime dhe nderuan me respekt figurën e tij të paharrueshme.
Bekim Fehmiu mbetet një emër i pavdekshëm që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj të artistëve./ KultPlus.com
Nga mbi 100 talente pjesëmarrëse në Edicionin e XX-të, jubilar, të Garave të Muzicientëve të Rinj ArsKosova, sot në Koncertin Final do të performojnë instrumentistët më të dalluar, të përzgjedhur për të përfaqësuar më të mirën e brezit të ri muzikor.
Koncerti Final do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të UP-së, më 15 qershor 2025 (e diel), në ora 14:00, ku do të ndahen edhe çmimet më të rëndësishme të këtij edicioni.
Çmimet Kryesore të Edicionit Jubilar ArsKosova 2025:
GRAND PRIX ARSKOSOVA 2025 – shpërblim prej 500 euro, për interpretimin më të jashtëzakonshëm të garës.
Çmimi për Koncert Solistik – mundësi për të performuar si solist në Festivalin Kosova KamerFest dhe në projektet vjetore të Fondacionit ArsKosova.
4 Masterklase falas për 8 instrumentistë harkorë, me violinisten e njohur Prof. Sihana Badivuku.
Çmimi për Performancën më të Mirë të një Vepre Shqiptare – nxitje për promovimin e muzikës së kompozitorëve shqiptarë.
Çmimi i Kompozitorit AKIL M. KOCI – çmim tradicional prej 500 euro, ndarë nga kompozitori i njohur, pjesë e pandashme e Garave që nga viti 2003.
Çmimi i Violinistes DRITA DIDA – gjithashtu me shpërblim prej 500 euro.
Çmimi CHOPIN PIANO FESTIVAL & ASSOCIATION – përfshin një koncert dhe shpërblim prej 200 euro.
Çmimi ESTA KOSOVË (European String Teacher’s Association – Kosovo) – përfshin huazimin falas të një violine për vitin akademik 2025-2026 si dhe masterklase ndërkombëtare falas për violinistin fitues.
Juria profesionale për këtë edicion jubilar përbëhej nga profesorë të mirënjohur të muzikës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Qipro, Finlanda dhe Italia, duke garantuar një vlerësim të drejtë dhe ndërkombëtar të talenteve në garë.
Ky koncert final jo vetëm që përmbyll me madhështi edicionin jubilar, por edhe vendos bazat për një të ardhme të ndritur të muzikantëve të rinj shqiptarë në skenën ndërkombëtare./ KultPlus.com
Berati, qytet unik i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara turistike në Shqipëri. I ngritur buzë lumit Osum rreth 2400 vjet më parë, ai tërheq mijëra vizitorë çdo vit.
Mbi kodrën që mbikëqyr qytetin, ngrihet Kalaja e Beratit, një fortesë madhështore që ende sot është e banuar dhe simbol i gjallë i trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Kalaja, duke e cilësuar atë si “shpirtin dhe krenarinë e qytetit”.
“Kalaja e Beratit, kurora mbi qytetin e një mbi një dritareve, që ruan kujtesën, shpirtin dhe krenarinë e një qyteti ku historia dhe kultura gërshetohen në çdo hap”, – u shpreh Rama.
Mbi qytetin antik të “Një mbi një dritareve”, qëndron si kurorë e shndritshme Kalaja e Beratit, një prej kalave më epike shqiptare, e njohur ndryshe edhe si “Fortesa e Arbërve”.
E ruajtur me fanatizëm, ajo është ndër të vetmet kala në Ballkan ku jeta gëlon ende sot. Gjurmët e historisë lexohen nëpër muret e kalasë, kishave dhe kullave që qëndrojnë si dëshmitare të heshtura të një epoke të shkuar.
Ky fortifikim i lashtë ka përjetuar luftra të shumta, por edhe periudha të begata zhvillimi dhe kulture. Që prej ilirëve e deri në ditët e sotme, bizantinë, sllavë, muzakaj, osmanë, pashallëku i Beratit, muret e saj dëshmojnë qendresën dhe përpjekjet për ruajtjen e atdheut dhe identitetit.
Kjo pasuri e testamentit kulturor shqiptar është një nga atraksionet më të rëndësishme të turizmit kombëtar.
Ruajtja dhe konservimi i çdo grimce kulture që këto mure rrethojnë është sfida e përbashkët.
Kalaja është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, e ndërtuar mbi një plan trekëndor dhe e vendosur në mënyrë të tillë që duket si pjesë natyrore e kodrës.
Kulla e hyrjes së brendshme është ndërtuar me blloqe guri të periudhës ilire, që datojnë në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur periferik dhe 24 kulla.
Brenda kalasë ndodhen rreth 14 kisha, të cilat dëshmojnë për rëndësinë fetare dhe kulturore të saj ndër shekuj. Ndër kishat më të njohura përmenden: Kisha e Shën Triadhës, e ndërtuar në fund të shekullit XIII dhe fillim të shekullit XIV, me afreske të pasura; Kisha e Shën Todrit; Kisha e Shën Kollit; Kisha e Shën Kostandinit dhe Shën Helenës; Kisha e Shën Mërisë Vllaherna, etj./ KultPlus.com
Më kërko kur ndjen që të rrëshket një pikë lot. Më kërko kur në vetmi shtrin dorën tënde në boshllëk. Më kërko kur muzika bashkohet me shpirtin tënd. Më kërko kur mendja jote është bosh, Pa ëndrra, pa dashuri …. Më kërko dhe unë do të të marr përdore, E do të çoj në botën time. Plot emocione të ëmbla dhe buzëqeshje. Më kërko, unë jam këtu për ty./KultPlus.com
Edicioni i 59-të i Festivalit të Teatrove Profesioniste “Vojdan Çernodrinski” në Prilep u mbyll me një sukses të madh për Teatrin Kombëtar Turk nga Shkupi, i cili doli si fituesi më i dalluar i këtij festivali prestigjioz.
Për herë të parë që kur u riinstitucionalizua çmimi i publikut, shfaqja “Të verbërit” me regji të Qëndrim Rijanit, mori vlerësimin më të lartë (5.00) nga vetë spektatorët.
Rijani po ashtu mori edhe çmimin për regjinë më të mirë, derisa këtë çmim e mer për herë të dytë ndërsa është shqiptari i parë që shpërblehet në këtë festival.
Në edicionin e sivjetmë, juria profesionale vlerësoi me çmime të rëndësishme talentet që kontribuuan në këtë sukses:
Çmimi për aktoren e re iu dha Sllagjana Vujosheviq për interpretimin e saj në shfaqjen “Të verbërit”;
Çmimi për regjinë më të mirë shkoi për Qendrim Rijani, regjisorin e kësaj shfaqjeje, i cili solli një qasje të freskët dhe artistikisht të fuqishme në skenë. Rijani po ashtu mori edhe çmimin për regjinë më të mirë, ndërsa është shqiptari i vetëm që është shpërblyer dy herë me çmimin e regjisë në këtë festival.
Ndërsa Çmimi për material promovues iu dha Medina Hoxhës për punën e jashtëzakonshme në promovimin e shfaqjes./ KultPlus.com
Sot nga ora 11:00 deputetët e zgjedhur do të mblidhen për të 32-tën herë për ta konstituar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Procesi i konstituimit ka ngelur te pika e zgjedhjes së kryeparlamentarit. Për të opozita thotë se nuk voton, ndërsa VV ka deklaruar se nuk do të ndërrojnë kandidate./ KultPlus.com