“Java e Bibliotekës në Kosovë” nisi javën e kaluar me temën transformimi i bibliotekave në vend.
Në Bibliotekën Kombëtare u hap edhe ekspozita “Kujtesa për Skënderbeun” e koleksionit të Librave Antikuar të koleksionistes së njohur britanike, Patricia Nugee, ekspozitë kjo e cila 3 ditë më pare u çel edhe në Tetovë.
Zonja Nugee u shpreh mirënjohëse dhe shumë e lumtur që iu dha rasti ta ekspozojë koleksionin e librave për Skënderbeun në Tetovë e Prishtinë.
Në këtë ekspozitë u ekspozuan 37 libra të botuar në mes të shekujve XVI dhe XVIII në Romë, Augsburg, Strasburg, Venedik, Frankfurt, Londër, Lisbonë dhe Madrid, Paris, Amsterdam, Brescia, Edinburg, Napoli, Stokholm dhe Danimarkë./atsh/KultPlus.com
Në Parkun e Liqenit Artificial u zhvillua mëngjesin e sotëm një maratonë prej 5 kilometrash, kushtuar kauzës së ndërgjegjësimit ndaj ç’rregullimeve të spektrit autik.
Kjo maratonë është e organizuar dhe ideuar nga organizata jofitimprurese “Progetto Filippide”, si një garë jokonkurruese ku të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në solidaritet në këtë event sportiv.
Veprimtaria “Run4Autism”, erdhi në kuadër të Javës së Kulturës Italiane, promovuar nga Ambasada e Italisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në këtë ditë kushtuar sportit, miqësisë e solidaritetit, atletë, të rinj, nxënës shkollash e veçanërisht edhe familjarë të personave autikë, vrapuan së bashku për një të ardhme më të mirë. Kjo maratonë për rreth 5 km, u krye me qëllim sensibilizimin ndaj çështjes së autizmit duke vënë theksin edhe tek rëndësia që ka sporti si një mjet për gjithpërfshirjen sociale./atsh/KultPlus.com
Butrinti vijon të jetë protagonisti i madh i Javës së Italisë. Pas spektaklit të baletit bashkëkohor në amfiteatrin e Parkut Arkeologjik, u mbajt edhe konferenca “Butrinti Njëqind. Një traditë aktuale e arkeologjisë italo-shqiptare”, për nder të arkeologut të njohur Luigi Maria Ugolini, me rastin e njëqindvjetorit të misionit që çoi në rizbulimin e Butrintit.
Konferenca u zhvillua në mjediset e Muzeut Arkeologjik Tiranë, ku ishin të pranishëm arkeologë, studiues, botues, përfaqësues të Institutit Italian të Kulturës e të tjerë.
Prej vitesh në Shqipëri organizohen ekspedita arkeologjike nga një grup i përbashkët italo-shqiptar. Në këtë konferencë u prezantua libri i Luigi M. Ugolini “Butrinti, Miti i Eneas-Gërmimet”, i përkthyer në shqip.
Konferenca u organizua nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Departamentin e Historisë Kulturave Qytetërimeve, Seksionin e Arkeologjisë pranë Universitetit të Bolonjës, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Muzeun Arkeologjik Tiranë.
Instituti Italian i Kulturës me këtë rast, u shpreh se përfitojnë nga rasti për të festuar rizbulimin e Butrintit dhe fillimin e një bashkëpunimi arkeologjik mes Italisë dhe Shqipërisë, në këtë 100-vjetor të udhëtimit të parë eksplorues të arkeologut italian Luigi Maria Ugolini në Shqipëri./atsh/KultPlus.com
Angelina Jolie lindi më 4 qershor 1975 në Los Angeles, Kalifornia, lindur si Angelina Voight. Është një aktore amerikane, kineaste dhe humanitare. Bijë e aktorit Jon Voight dhe aktores Marcheline Bertrand. Përfituesja e akordimeve të shumta, përfshirë një çmim Akademie dhe tre çmime Golden Globe, ajo është cilësuar shumë herë aktorja më e paguar në Hollywood.
Jolie e filloi karrierën duke vepruar me zell për një dekadë me një film me buxhet të ulët prodhimi. Roli i parë që ka luajtur si protagoniste ishte në filmin Hackers.
Ajo u vlerësua nga kritikët për mënyrën e paraqitjes në filmin biografik dhe fitoi një Academy Award for Best Supporting Actress për performancën e saj në filmin Girl Interrupted.
Jolie ka arritur famën e saj më vonë në një film portretizues të një video loje si personazh heroik me emrin (Lara Croft) në Lara Croft: Tomb Raider dhe që atëherë e ka ngritur veten si një prej aktoreve më të mirënjohura dhe më të paguara në Hollywood.
Ajo ka pasur sukseset e saj më të mëdha komerciale me filmin aksion-komedi Mr. & Mrs. Smith dhe filmin e animuar Kung Fu Panda. / KultPlus.com
Më 4 qershor 1915, në Kavajë lindi Kristina Koljaka-Hoshi, skulptorja e parë shqiptare.
Sot 106, vite nga lindja e skulptores Kristina Koljaka-Hoshi. Kristina ishte skulptorja e parë shqiptare e diplomuar në Akademinë e Romës, në atelienë e prof. D’Angelo Xaneli.
Ajo vdiq më 21 tetor të viti 2005, në moshën 90-vjeçare në Çikago./ KultPlus.com
Sot 65 vite më parë, është mbajtur për herë të parë ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore Grammy Award, shkruan KultPlus.
Çmimet Grammy (të stilizuara si GRAMMY), ose thjesht të njohura si Grammy, janë çmime të paraqitura nga Akademia e Regjistrimit të Shteteve të Bashkuara për të njohur arritjet “të jashtëzakonshme” në industrinë e muzikës.
Grammy Award është një çmim muzike që nga viti 1957 jepet çdo vit në gjithsej 108 kategori për artistët më të dalluar, drejtues të prodhimit dhe teknikë akustik.
Këto konsiderohen si çmimet më prestigjioze dhe më të rëndësishme në industrinë e muzikës në mbarë botën. Ata u quajtën fillimisht Gramophone Awards, pasi trofeu përshkruan një gramafon të praruar. Grammy është i pari nga çmimet kryesore muzikore të tre rrjeteve të mëdha që mbahen çdo vit, dhe konsiderohen si një nga katër çmimet kryesore vjetore amerikane të argëtimit, së bashku me Çmimet e Akademisë (për filma), Çmimet Emmy (për televizionin) , dhe çmimet Tony (për teatër).
Ceremonia e parë e çmimeve Grammy u mbajt më 4 maj 1959, për të nderuar arritjet muzikore të interpretuesve për vitin 1958. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjete sociale ka njoftuar se gjatë një vizite në Stamboll është takuar me shkrimtarin e njohur Orhan Pamuk.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë”, ka shkruar Kurti.
Tutje, ai është shprehur se artisti Orhan Pamuk, i cili është fitues i çmimit Nobel për letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme si dhe është aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët dhe Ballkanin.
“Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, ka shkruar Kurti në fund.
Në Muzeun Ikonografik “Onufri” gjendet një ikonë e veçantë e titulluar “Rrethimi i Kostandinopolit”. Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat tregon se ikona është gjetur rastësisht para shumë vitesh, në hapësirat e Kishës së Ungjillëzimit në Kalanë e Beratit. Autori është anonim dhe krijimi i ikonës i përket një periudhe kohore mes shekujve XVI – XVII. Edhe pse në gjendje të dëmtuar ajo i është nënshtruar ndërhyrjeve konservuese përgjatë viteve.
Sinteza ikonografike në pjesën e sipërme paraqet një stilizim shumë të detajuar e të pasur artistikisht. Mbizotëron arkitektura urbane e religjoze e kryeqytetit të Bizantit ku dallohen dhe grupime figurash njerëzore që identifikohen lehtë si besimtarë, mbretër e udhëheqës fetarë. Skena i referohet një rrethimi të vitit 626 nga persët dhe avarët.
Nga elementë të veshjes dallohet patriarku i kohës Sergi dhe perandori bizantin Herakli. Patriarku i shoqëruar nga klerikë të lartë që mbajnë në proçesion ikonën mrekullibërëse të Virgjëreshës përqark mureve rrethuese, si një akt mbrojtës i praktikuar në shekuj gjatë rrethimeve ushtarake të Kostandinopolit./atsh/KultPlus.com
Plazhe mahnitëse, shumë aktivitete emocionuese në natyrë dhe vendas miqësorë – kjo është arsyeja pse Shqipëria po bëhet një nga destinacionet më të mira të Evropës për pushime familjare, shkruan Emily-Ann Elliott në një artikull të botuar në “NZ Herald”, revista javore e Zelandës së Re.
Eksperiencën time të parë në Shqipëri e përjetova së bashku me dy fëmijet e mi. Ky ishte fillimi i lidhjes së dashurisë së familjes sime me Shqipërinë, me të vërtetë një nga vendet më miqësore në të cilat kemi udhëtuar ndonjëherë.
Ne sapo jemi kthyer nga një vizitë e dytë në Shqipëri – ku fëmijët e mi, tani 3 dhe 6 vjeç, patën mundësinë të shijonin një mëngjes tradicional me petulla, të shërbyer nga pronarët e bujtinës, u prezantuan me qentë, macet dhe dhitë e familjes dhe u pritën me krahë hapur në një nga restorantet më të mira të vendit.
Mëngjesi tradicional në Shqipëri, Petulla, një ushqim që duhet provuar më patjetër
“Shqiptarët i vlerësojnë fëmijët. Fëmijët tuaj do të marrin trajtim VIP kudo që shkojnë”, tha Emma Heywood, pronarja e “Undiscovered Balkans”, e cila sapo ka nisur pushimet familjare në Shqipëri (për herë të dytë), pas një rritje të kërkesës për udhëtime në vendin mesdhetar.
“Këtë vit, ne kemi parë një numër rekord kërkesash dhe rezervimesh nga familjet e etura për të eksploruar Shqipërinë dhe më gjerë në Ballkan. Prindërit tani duan t’i ndajnë përvojat aventureske me fëmijët e tyre”, tha ajo.
E vendosur mjeshtërisht mes pikave turistike të Greqisë dhe Malit të Zi, Shqipëria po kalon më në fund po bëhet më popullore.
Pas disa vitesh e izoluar nga pjesa tjetër e botës – nën regjimin komunist të Enver Hoxhës-Shqipëria po shfaqet si destinacioni më i dashur i Ballkanit.
Viti i kaluar ishte viti më i ngarkuar i turizmit në Shqipëri deri më sot, me më shumë se 10 milionë vizitorë ndërkombëtarë.
Megjithatë, ndërsa vendi më parë tërhiqte udhëtarë dhe çifte, tani po rritet në popullaritet dhe po frekuentohet nga turistët familjarë.
Nga fshati përrallor i Thethit në Alpet Shqiptare në veri deri te ishujt magjepsës të Ksamilit në jug, është një shesh lojrash si për fëmijë ashtu edhe për të rritur.
Lart në alpe, të njohura edhe si Bjeshkët e Nemuna, ju mund të shijoni ajrin e freskët.
Të dizenjuara për praktike për t’i bërë ballë reshjeve të dendura të borës së dimrit, kabinat me çati prej druri në të cilat qëndruam dukeshin si piktura nga një libër tregimesh.
Thethi në Alpet Shqiptare, i quajtur edhe Bjeshkët e Nemuna për shkak të peizazhit dramatik malor dhe të thyer
“Në të kaluarën, dikur ishin kryesisht beqarë ose çifte me çanta shpine që bënin vizita. Por gjatë viteve të fundit, kanë filluar të vijnë më shumë turiste familjare”, tha Vlora Polia, e cila prej 15 vitesh drejton “Bujtinën Polia” në Theth.
Ne ecëm deri në lagunën e Syrit të Kaltër, duke pyetur veten nëse ishim në “një set filmi” ndërsa hodhëm shikimin tonë në një burim me ujëra blu si pallua, përpara se të bërtisnim nga kënaqësia e ujit të ftohtë që freskonte këmbët tona, ende të nxehta nga udhëtimi.
Shqipëria është e njohur për lagunën e saj mahnitëse Syri i Kaltër, një burim natyror me ujëra të pastër kristal, blu si pallua
Shqipëria ofron një ndërthurje unike të bukurisë mahnitëse natyrore, me ndikime nga qytetërimet ilire, greke, romake, bizantine dhe osmane.
Ju mund të eksploroni brenda një dite qytetet e lashta si Berati, Gjirokastra dhe Kruja.
Qyteti antik i Beratit, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i famshëm për arkitekturën otomane të ruajtur mirë
Edhe kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana pasqyron ndjenjën e gjallë të një vendi në prag të ndryshimit.
Shumë prej ndërtesave të saj ish-komuniste janë pikturuar me murale të mëdha si rezultat i një skeme të kryeministrit Edi Rama, i cili ishte një artist.
Ka shumë hapësira të gjelbra dhe familjarët mund të ngjiten në malin e Dajtit me teleferik për të shijuar pamjen e qytetit dhe parkun më piktoresk që kanë vizituar ndonjëherë.
Të rinjtë aktivë mund të kryejnë një mori aktivitetesh të mbushura me adrenalinë; nga vozitja në liqenin e Shkodrës deri tek rafting në ujërat e kanioneve të Osumit dhe jet skiing në plazhet e Rivierës.
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, paraqet murale të gjalla në ndërtesat e ish-komunistëve, një projekt i udhëhequr nga kryeministri dhe artisti Edi Rama
Për turistët e rinj, çdo ditë ndihet si një aventurë. Nga eksplorimi i qosheve të fshehura të zonës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s të Butrintit, rrënojat e lashta të rrethuara nga pyjet dhe kënetat, deri në udhëtimin me varkë në liqenin e Komanit të rrethuar nga të dyja anët nga male të larta.
Liqeni i Komanit në Shqipëri, shpesh i krahasuar me fjordet norvegjeze, perfekt për udhëtime piktoreske me varkë të rrethuar nga male të larta
Shqipëria ofron plot resorte plazhi gjithëpërfshirëse përgjatë bregdetit nga Saranda në Ksamil.
Deti Jon është i ngrohtë dhe i sigurt për të notuar dhe restorantet buzë detit ofrojnë levrek deti të sapokapur, të gatuar mbi qymyr të nxehtë dhe tasa të mëdhenj me midhje të zjera.
Gjithashtu, ka kaq shumë detaje të vogla që e bëjnë më të lehtë udhëtimin familjar. Nga dhomat familjare, të përshtatshme për deri në pesë persona, deri te ngrënia e stilit lokal në restorante ku fëmijët nxiten të provojnë ushqime të reja.
Te “Mrizi i Zanave”, një nga restorantet më të mira të vendit dhe i preferuari i këngëtares Dua Lipa, breza të ndryshëm mblidhen rreth tavolinave të mbuluara me mbulesa të bardha dhe gota vere për të folur, qeshur dhe festuar me njeri-tjetrin.
Vija bregdetare e detit Jon në Shqipëri, është shtëpia e plazheve të bukura dhe miqësore si Ksamili/atsh/KultPlus.com
Jeni të lodhur nga të njëjtat destinacione të vjetra turistike të pushtuara nga turizmi masiv? Gjatë tre viteve të fundit, është regjistruar një rritje prej 19% e turizmit drejt vendeve më pak të njohura, shkruan Antoine Lourta në një artikull të botuar në revistën franceze “Buzzly”.
Cilat janë këto xhevahire të fshehura që meritojnë vëmendjen tonë në 2024? Ne ju sugjerojmë të eksploroni pesë destinacione të reja me histori dhe kulturë të pasur dhe peizazhe që të lëne pa frymë.
Këto destinacione ofrojnë një mundësi të pakrahasueshme për të bërë një zbulim të vërtetë turistik në vitin 2024.
Shqipëria, Letonia, Butani, Madagaskari apo Bolivia, ofrojnë mrekulli natyrore, aventura të paharrueshme dhe “një zhytje të thellë” në kulturat e tyre unike.
Historia e Shqipërisë
Shqipëria ka një histori çuditërisht të pasur që daton që nga kohërat parahistorike.
Duke qenë nën sundimin osman për disa shekuj, ajo fitoi pavarësinë në vitin 1912.
Pavarësisht nga një e kaluar e trazuar e shënuar nga një diktaturë e ashpër nën sundimin komunist, Shqipëria është sot një komb që kërkon të ripërcaktojë veten.
Vendi mesdhetar shquhet për ndërthurjen e kulturave, të ndikuar nga ilirët, romakët, bizantinët dhe osmanët.
Potenciali turistik i Shqipërisë
Pavarësisht potencialit të saj të madh turistik, prej disa vitesh Shqipëria ka qënë një nga destinacionet më pak të njohura.
Kjo është kryesisht për shkak të mungesës së publicitetit dhe ndërgjegjësimit për pasurinë e saj kulturore, historike dhe natyrore.
Shumë udhëtarë priren të shkojnë drejt destinacioneve të famshme evropiane, por Shqipëria është një vend magjepsës që ka shumë për të ofruar!
Disa nga atraksionet kryesore turistike në Shqipëri
Shqipëria ka shumë vende me interes si Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, një zonë e mbrojtur që ofron pamje mahnitëse të Tiranës, kryeqytetit të vendit.
Qyteti historik i Gjirokastrës është një tjetër destinacion që duhet vizituar në këtë destinacion atipik.
I listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për qendrën e tij të ruajtur mirë osmane, ai shpesh quhet “Qyteti i Gurtë”.
Mos humbisni plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare, siç është Dhërmiu, i cili ofron plazhe të mrekullueshme dhe një ambient të qetë pa turma vizitorësh.
Destinacioni i ri për t’u vizituar në 2024
Shqipëria ofron një ndërthurje unike të kulturës, peizazheve dhe historisë që e bën atë intriguese për udhëtarët aventurierë.
Çfarë e bën këtë destinacion tërheqës për vitin 2024?
Në vitin 2024, ky destinacion do të tërheqë vëmendjen e vizitorëve falë veçantisë, autenticitetit dhe evolucionit të tij në infrastrukturën turistike.
Për më tepër, turistët po kërkojnë destinacione më pak të mbushura me njerëz për të shmangur turmat dhe për të përjetuar një përvojë të re. /atsh/ KultPlus.com
Vjen për herë të parë në Ballkan dhe për publikun shqiptar një ekspozitë e Pop Artit Amerikan me 39 vepra origjinale të artistit amerikan Andy Warhol.
Këto vepra do t’i prezantohen publikut në ambientet e Galerisë së Artit TIRANË nga data 5 qershor 2024 deri më 5 gusht 2024.
Warhol është një figurë emblematike e skenës së artit amerikan në shekullin XX dhe përfaqësuesi më tipik i Pop Artit.
E vendosur në të tre sallat e GAT, kjo ekspozitë prezanton jo vetëm disa vepra shumë të njohura e më shumë të riprodhuara – siç janë tetë serigrafi, edicioni i dytë, (Edicioni.250) i MARILYN MONROE (MARILYN), 1967, apo CAMPBELL’S SOUP (KANAÇJA E SUPËS ‘CAMPBELL’), 1970 serigrafi, edicioni i dytë – por përfshin edhe disa edicione të rralla, siç është: seria LADIES AND GENTLEMEN (ZONJA DHE ZOTËRINJ), me tetë serigrafi të vitit 1975 (Edicioni 125) dhe seria SPACE FRUIT: STILL LIFE (FRUTA HAPËSINORE: NATYRË E QETË), 1979, me gjashtë serigrafi, edicion i veçantë (Edicioni 30).
Ekspozita përfshin edhe serinë me gjashtë serigrafi SPEEDSKATER (SKIATORI), 1979, një edicion i veçantë (Edicioni 30) i lindur nga Projekti i Artit të Lojërave Olimpike në Sarajevë, 1972, i nisur nga vetë Lazo Vujić dhe gruaja e tij, Živa Škodlar Vujić, të cilët bënë bashkë 18 artistë botërorë si Mimmo Paladino, Michelangelo Pistoletto, David Hockney, James Rosenquist, Giuseppe Santomaso, Gabrijel Stupica, Cy Tëombly dhe Andy Ëarhol për të krijuar vepra që përshkruajnë frymën e Lojërave Olimpike.
Koleksioni i ofron publikut të shohë nga afër vepra të Andy Warhol, të cilat fituan një status ikonik dhe gëzuan popullaritet dhe sukses komercial të jashtëzakonshëm, duke vënë theksin në vepra artistike që në të vërtetë jepnin një portret satirik dhe kritik të stilit të jetesës dhe vlerave amerikane./ Balkanweb/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se Kompleksi i Kullave të Isë Boletinit së shpejti do të ketë ekspozitën e përhershme, bashkëkohore e cila po kurohet në mënyrë profesionale.
Ministri Çeku ka thënë se asetet si Kullat e Isa Beltinit që ngërthejnë histori të vendit tonë do t’i shërbejnë komunitetit dhe do të jenë pika kyqe të turizmit në vend.
“Puna në monumente nuk përfundon me restaurimin e tyre. Po punojmë që këto asete të jenë të qasshme e interaktive për vizitorët dhe të ofrojnë program e ekspozita cilësore.
Pas funksionalizimit përmes menaxhimit e aktiviteteve të rregullta, Kompleksi i Kullave të Isë Boletinit së shpejti do të ketë ekspozitën e përhershme dhe bashkëkohore e cila po kurohet në mënyrë profesionale”, ka shkruar Ministri Çeku./ KultPlus.com
Shqiptarja, arbëreshe apo arvanitase, e Iliridës apo e Shqipërisë, myslimane apo e krishterë, veriore apo jugore, elitare apo popullore, qytetare apo malësore, nuk i ka lënë indiferent të huajt me veshjen e saj tradicionale. Madje, shpeshherë, ajo ka ngjallur kureshtje me veçantinë e stilit të saj.
Këtë e dëshmojnë revistat, gazetat dhe romanet e shumta franceze apo në gjuhën frënge, ku hasim gravura dhe fotografi që i dedikohen asaj, ndër të cilat do të gjeni në vijim disa prej tyre, të sjellura nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania ».
KOSTUM CILËSOR I GRAVE SHQIPTARE (1782) / JEAN HOUEL, PALAZZO ADRIANO, SIÇILI
Burimi : Voyage pittoresque des isles de Sicile, de Malte et de Lipari : où l’on traite des antiquités qui s’y trouvent encore, des principaux phénomènes que la nature y offre, du costume des habitans, et de quelques usages. – Gallica / BNF
VESHJE POPULLORE TË GRAVE SHQIPTARE (1782) / JEAN HOUEL, PALAZZO ADRIANO, SIÇILI
Burimi : Voyage pittoresque des isles de Sicile, de Malte et de Lipari : où l’on traite des antiquités qui s’y trouvent encore, des principaux phénomènes que la nature y offre, du costume des habitans, et de quelques usages. – Gallica / BNF
BUKUROSHJA SHQIPTARE DHE CHATEAUBRIAND, ATHINË (1806)
Burimi : Album de Chateaubriand : 20 gravures en taille douce, avec texte / dessins de M. Staal ; gravures de MM. Geoffroy et Monnin – Gallica / Bibliothèque nationale de France
MBI TARRACAT E OHRIT, SHQIPËRI (1841) / R. COTON WOODVILLE, REVISTA “LE MONDE ILLUSTRÉ”
Burimi : Le Monde illustré, Bibliothèque nationale de France, département Philosophie, histoire, sciences de l’homme – Gallica / Bibliothèque nationale de France
KOSTUMET POPULLORE SHQIPTARE SIPAS KRAHINAVE DHE BESIMEVE FETARE (1880) / FORTUNÉ LOUIS MÉAULLE, REVISTA “LE MONDE ILLUSTRÉ”
Burimi : Le Monde illustré, Bibliothèque nationale de France, département Philosophie, histoire, sciences de l’homme – Gallica / Bibliothèque nationale de France
PRINCESHA MIRDITORE / JULES – MARIE ARMAND, MOLTENI (1897-1898)
Burimi : Cavelier de Cuverville, Jules-Marie-Armand (1834-1912). Chef de la mission. Photographe de l’œuvre reproduite. – Gallica / Bibliothèque nationale de France
GRUA MIRDITORE / JULES – MARIE ARMAND, MOLTENI (1897-1898)
Burimi : Cavelier de Cuverville, Jules-Marie-Armand (1834-1912). Chef de la mission. Photographe de l’œuvre reproduite. – Gallica / Bibliothèque nationale de France
MALËSORJA SHQIPTARE / JULES-MARIE ARMAND, MOLTENI (1897-1898)
Burimi : Cavelier de Cuverville, Jules-Marie-Armand (1834-1912). Chef de la mission. Photographe de l’œuvre reproduite. – Gallica / Bibliothèque nationale de France
GRATË SHQIPTARE TEK BURIMI (1912)
Burimi : Les femmes albanaises à la fontaine : [photographie de presse] / [Agence Rol] – Gallica / Bibliothèque nationale de France
GRATË SHQIPTARE NË MAQEDONI (1916)
Burimi : Pages de gloire, Lucien Cornet – Directeur de publication – Gallica / Bibliothèque nationale de France
KURS RROBAQEPËSIE PËR GRATË MYSLIMANE SHQIPTARE TË TIRANËS (1919)
Burimi : Le Miroir – Gallica / BDIC (Bibliothèque de documentation internationale contemporaine) – Kryqi i Kuq amerikan ka organizuar një kurs rrobaqepsie në Tiranë, Shqipëri, për gratë myslimane… /KultPlus.com
Shprehje inspiruese nga personalitete të shquara botërore:
Kur çdo gjë shkon kundër teje, kujto që avioni gjithmonë ecën kundër erës, jo me të – Henry Ford
Ne bëhemi çfarë mendojmë – Earl Nightingale
Jeta duhet bërë për të lënë një impakt, jo për të bërë të ardhura – Kevin Kruse
Çfarëdo që mendja e njeriut mund të konceptojë dhe besojë, mund ta arrijë – Napoleon Hill
Dy ditët më të rëndësishme në jetën tënde janë kur lind dhe ditën që zbulon pse linde – Mark Twain
Mos u përpiq të kesh sukses, por përpiqu të jesh një vlerë – Albert Einstein
Edukimi kushton para. Por më shtrenjtë kushton injoranca – Sir Claus Moser
Unë zgjodha rrugën më pak të shkelur. Kjo bëri diferencën – Robert Frost
Ia atribuoj suksesin këtij veprimi: Nuk pranoj apo bëj justifikime – Florence Nightingale
Ju nuk ja dilni në 100% mundësitë që nuk shfrytëzoni – Wayne Gretzky
Kam gabuar në 9000 gjuajtje në karrierën time. Kam humbur 300 ndeshje. 26 herë më është besuar gjuajtja e fundit dhe e kam gabuar. Kam dështuar mijëra herë në jetë. Dhe kjo është arsyeja pse arrita të kem sukses – Michael Jordan
Gjëja më e vështirë është vendimi për të vepruar, pjesa tjetër është thjesht këmbëngulje – Amelia Earhart
Çdo lëvizje më sjell më afër qëllimit tim – Babe Ruth
Përcaktimi i qëllimit është fillimi i arritjes – Clement Stone
Jeta nuk është të marrësh dhe të kesh, është të japësh dhe të jesh – Kevin Kruse
Jeta është ajo çka të ndodh ndërkohë që ti je i zënë duke bërë plane të tjera – John Lennon
20 vjet nga tani ne do të jemi më të zhgënjyer për gjërat që nuk bëmë, sesa nga gjërat që bëmë. Eksploro, ëndërro, zbulo – Mark Twain
Jeta është 10% ajo që më ndodh mua, dhe 90% se si unë reagoj – Charles Suindoll
Do të zhgënjehesh nëse dështon, por do të ndihesh i dënuar nëse nuk provon – Beverly Sills
Kujto që asnjë nuk mund të bëjë të ndihesh inferior pa miratimin tuaj – Eleanor Roosevelt
Pirro Mani (14 prill 1932– 3 qershor 2021) ishte aktor dhe regjisor i njohur shqiptar. Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar.
Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.
Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj.
Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jeton në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.
Pirro Mani u nda nga jeta ne moshën 89 vjeçare me 1 Qershor 1993 në Berat, kupër shumë vite jetoi me familjen, fëmijët dhe gruan, aktoren Pavlina Mani./KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se në Rahovec po zhvillohen me ritëm të shpejtë punimet për ndërtimin e Qendrës për Arte, Kulturë dhe Inovacion.
Ndërtimi i kësaj qendre kap vlerën rreth tre milionë euro dhe ka sipërfaqe të tërësishme mbi 6 mijë e 200 m2, me hapësira të ndryshme, si sallën universale, me rreth 400 ulëse, shkollën e muzikës, studion për kërcim, klasën për balet.
Ministria ka bërë me dije se pjesë e objektit do të jetë edhe Qendra për Inovacion dhe Teknologji, e cila ka të inkuadruar brenda laboratorin, dhomat për punëtori të ndryshme, sallën për takime dhe trajnime.
“Po ashtu, është e paraparë edhe biblioteka, ku përfshihen sallat për lexim grupor dhe individual, ekspozim të librit, nototekën dhe sallën për kompjuterë”, thuhet në njoftim.
Ndërgjegja njerëzore vdiq, qef o qef, Përkulet mbi të, kufoma i pëlqen; Fitimtar, me syt’ e skuqur vjen vërdallë, Pastaj kthehet i del kufomës përballë.
E ushqen kurvërimi i Drejtësisë. Priftat trullosin njerzit e Perëndisë; Pastaj rrëmojnë çantat të çakërritur; Sibour* shiti zotin, që Juda pat shitur.
Na thonë: Qezari mbret. Zot i ushtrive E zgjodhi. Binduni, bjerini burive! Dhe duar bashkuar këndojnë në kisha, Pa fshehur monedhat e arta ndër gishta.
Do ta shohim në fron këtë princ lipsar, Me bekim nga papa, këtë mbret zuzar, Në një dorë skeptrin, darët në tjetrën, Karl i Madh sajuar, nga shejtani vetë.
Sa kohë atje do të zhgrryhet si derr, Do të llupë besë, virtut, fe dhe nder, Dehur mbi lavdinë tonë do të vjellë; Në ndëjçim ta shohim si diell në qiell.
Kur ndër njerëz shtohet sa s’mban, poshtërimi N’atë pikë nis adhurohet mashtrimi; Pastaj dalin tok Angli dhe Amerikë Dhe i thonë mërgimtarit: Ik, kemi frikë!
Kur të bëhemi si kjo gjethe e tharë, Të rilindemi, si ka qef ky Qezar; Kur të ligjtë të shkojnë derë më derë, Ndër njerëz katandisur si zhel’ e mjerë;
Kur Zoti nga shkretinat qortime dërgon, Preja nis gjuan, hajni vjen arreston; Në fund, i trëmbur, më shumë se të tjerët, Varri jashtë, të vdekurit do t’i nxjerrë.
Por unë s’thyhem! Pa bërë fare zhurmë, Me brengë në zemër, do ta përbuz turmën, Ju përqafoj, nga i hidhuri mërgim, Atdhe, o altar! Liri, flamuri im!
E ruaj besën tuaj, o miq besnikë, S’harroj, ç’na bashkoi, qe kjo Republikë. Ata që vuajtën, do t’i lavdëroj, Ata q’u llastuan, do t’i poshtëroj!
Do të jetoj këtej, keq e mos më keq, Ca zëra thonë: mos! të tjerë: fatkeq! Kur servilët e tu Luvrin të rrëfejnë, Unë ty, Qezar, do të t’rrëfej halenë.
Para tradhtarëve dhe atyre që s’flasin, Gjithë pezm jam, por qetë, s’e çfaq marazin. Besnikëria pa fund për ç’u rrëzua, Qoftë mbështetja dhe fuqia për mua.
Ende je atje, dorzohesh, a qëndron Francë, që ke dashur të qajmë gjithmonë, Ku kanë folenë dashurit’ e mia, Mall edhe për varret, sa doja të t’shihja!
S’do ta shikoj më bregun, që aq fort më josh, Francë ku katandise, zor që ta harrosh. Do të gjej strehë mes atyre që iu dhëmb; Në mërgim mbetem, por gjithsesi më këmbë.
Gjithsesi, pranova mërgimin e hidhur, Pa marrë parasysh dhe pa llogaritur Që ndokush s’del aq i fortë sa mendojmë, Sado të shkojnë, ne duhet të qëndrojmë.
Do të rri dhe unë, në qofshin me mijra! Dhe me një qint qëndroj, më fort se sa Shila; Në qëndrofshin dhjetë, do të jem i dhjeti; Dhe një në qëndroftë, do të jem i vetmi!/ KultPlus.com
Një takim bashkëbisedues me autorin Bajram Kosumi lidhur me librin e tij të fundit “Enciklopedia Imagjinare, do të zhvillohet në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, shkruan KultPlus.
Ky organizim zhvillohet në kuadër të një bashkëpunimi me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, respektivisht Fakultetin e Edukimit, mediumin KultPlus dhe me Ars Club “Beqir Musliu”.
Takimi bahet më 5 qershor, në ora 11:00, në amfiteatrin B01/ KultPlus.com
Pas një rrugëtimi në vende të ndryshme të botës, Kori Siparantum rikthehet me një koncert në Kosovë, shkruan KultPlus.
Sipas një komunikate për media Kori Siparantum do të performojë në Kishën Katolike “Shën Ndou” me një koncert të veçantë që pritet të sjellë një përvojë të pasur artistike për publikun vendas.
“Pas një sezoni të suksesshëm me performanca në Belgjikë, Suedi, Austri, Poloni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kori Siparantum rikthehet në vendlindje për të prezantuar punën dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm”, thuhet në njoftim.
Ky koncert do të ofrojë një program të larmishëm muzikor, duke përfshirë vepra nga kompozitorë të njohur kosovarë dhe ndërkombëtarë, që nga periudha e Rilindjes deri tek muzika bashkëkohore.
Koncerti jepet më 5 qershor, në ora 20:00, në Kishën “Shën Ndou”/ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës do të paraqitet me shfaqjen “Shtegtimi” në teatrin e Manhattanville University të New York-ut.
“Shtegtimi” me koreografi nga Antonio Pio Fini, u realizua si premierë në Kalabri të Italisë, në korrik tē vitit 2023.
Koreografia “Shtegtimi” nga Antonio Finì, një balerin dhe koreograf me origjinë arbreshe, eksploron tema universale të migrimit përmes gjuhës së lëvizjes. Kjo performancë nxjerr në pah përvojat dhe sfidat me të cilat përballen emigrantët, duke ofruar një anë emocionale dhe të fuqishme interpretimi të udhëtimit të tyre. Në koreografinë “Shtegtimi”, ngjyrat luajnë një rol të rëndësishëm.
Ndërsa kërcimtarët lëvizin nga një skenë në tjetrën, shtohen shtresa ngjyrash të gjalla, që përfaqësojnë kulturat e ndryshme që kanë emigrantët të cilat i bartin me vete dhe i fitojnë përgjatë udhëtimit të tyre, ngjyra të simbolizojnë pasurinë dhe diversitetin që lindë nga takimi i traditave dhe historive të ndryshme.
Një element dallues i kësaj shfaqjeje është përdorimi i këngëve arbreshe, të cilat kërcimtarët i këndojnë gjatë performancës së tyre. Këto këngë jo vetëm që i shtojnë një element muzikor tërheqës koreografisë, por edhe një lidhje të thellë me kulturën dhe rrënjët e arbreshëve. Te meloditë dhe tekstet e këngëve rrëfejnë historitë e një komuniteti emigrant, duke ngjallur ndjenja të nostalgjisë, shpresës dhe qëndrueshmërisë.
Nëpërmjet “Shtegtimit”, Antonio Finìi përcjell një mesazh mirëkuptimi dhe solidariteti ndaj atyre që e gjejnë veten në një rrugë migrimi. Koreografia e tij kap bukurinë dhe kompleksitetin e kësaj përvoje universale, duke i kujtuar audiencës rëndësinë e mirëseardhjes dhe respektimin e kulturave dhe identiteteve të ndryshme.
Shfaqja jepet më 6 qershor, në teatrin e Manhattanville University në New York./ KultPlus.com
Poetët e Gjakovës të përmbledhur në një vëllim serioz të përgatitur me profesionalizëm të lartë nga prof. Migena Arllati, tashmë janë pjesë e librit të titulluar “Vargnim Gjakove”.
Fitore Mala, profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë, shprehet se autorja e kësaj përmbledhjeje, znj. Arllati, ka sjellë një kontribut të jashtëzakonshëm letrar, dedikuar poetëve gjakovarë, të cilët gjithashtu kanë dhënë maksimumin e tyre në letërsi, dhe që tashmë pjesa më elitare e tyre prehen në amshim.
“Pa dyshim se edhe autorja e “Vargnim Gjakove” është një personalitet i veçantë që do të ketë vend të merituar në vargnimin gjakovar në këtë fushë. Respekt për penën e mrekullueshme. Në vazhdimësi të kësaj, do të dëshiroja të theksoja se kontributi i Dr. Migena Arllati në letërsi ka qenë një dritë udhëheqëse për shumë të rinj dhe krijues të tjerë. Vepra të tilla si kjo jo vetëm që pasurojnë kulturën tonë kombëtare, por gjithashtu ruajnë dhe përcjellin me kujdes traditat dhe historinë tonë të çmuar”, shprehet Fitore Mala rreth librit.
Vëllimi hapet me poezinë e Anton Çettës dhe vijon me poetët e disa dekadave, për të ardhur deri te të rinjtë e përkushtuar ndaj poezisë. Autorja i ka renditur ata sipas vitit të lindjes, duke siguruar kështu një rrjedhë natyrale dhe të paanshme. Libri është pritur me interes të lartë nga lexuesit, pasi vlerësohet se i bën nder Gjakovës dhe emrave të mëdhenj të artit letrar që kanë dalë nga ajo.
Poetët gjakovarë, me penën e tyre të artë, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe dhe kanë qenë burim frymëzimi për breza të tërë. Ndaj, prof. Mala shton se autorja Arllati, me punën e saj të kujdesshme, duke i dedikuar këto vargje dhe duke i kujtuar ata, tregon respektin dhe vlerësimin që meriton çdo krijues i vërtetë.
“Le të mbetet pena juaj gjithmonë e fuqishme dhe e mprehtë, duke vazhduar të shkruajë letërsi, poezi dhe vargje që prekin zemrat dhe mendjet e lexuesve anembanë. Respekt dhe mirënjohje të thellë për ju dhe për çdo varg që keni sjellë në këtë botë”, përfundon ajo urimin për devotshmërinë e shkrimtares Migena Arllati.
Vetë autorja e “Vargnim Gjakove” tregon se për të kjo ka qenë një punë e bërë me emocionalitet të lartë. “E ndjeja si obligim në vetvete ta përgatisja sa më denjësisht këtë vëllim pasi unë kam shtrënguar duart me baclokun Din Mehmeti, me Ali Podrimen, Teki Dervishin e Besim Bokshin, me Xajë Nurën e Halil Haxhosajn, me Mazllom Sanejën, Sulejman Lokajn e Shyqri Nimanin, me Ali Ollonin e Agim Malën… që të gjithë tashmë të ndjerë. Bisedat me ta rreth letërsisë, historisë dhe vetëdijes së popullit shqiptar, i kam të qarta edhe sot e kësaj dite. Me kontributin tim “të vogël”, si profesional ashtu edhe financiar, e solla këtë vëllim në jubileun e 60-të të Mitingut të Poezisë si dhe në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës”.
Dr. Arllati konsideron se ky është një libër i shkruar nga vetë artistët. “Gjatë gjithë kohës që e punoja, e dija se “VARGNIM GJAKOVE” ishte një lodhje e bukur. Tashmë që e dorëzova në duart e lexuesve kuptoj se kjo është lodhje suksesi. Le ta gëzojë Gjakova këtë libër, le ta gëzojnë poetët dhe poezia shqipe”.
U zhvillua ditën e sotme në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një mbledhje e përbashkët e dy redaksive vendore të “Enciklopedisë shqiptare”. Të pranishëm në këtë mbledhje ishte kryetari ASHSH, akad. Skënder Gjinushi si dhe kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja.
Në kete mbledhje të redaksive u bë një parashtresë e rezultateve dhe problemeve që kanë dalë në procesin e deritashëm të realizimit të projektit Enciklopedia shqiptare nga akad. Mehmet Kraja. U dha një relacion për arritjet, problemet dhe zgjidhjet e rekomanduara referuar takimeve të redaksive të fushave me njëra-tjetrën dhe në grupfusha në Tiranë gjatë muajit maj nga akad. Shaban Sinani. Gjithashtu një relatim me statistika rreth procesit të kalimit prej fjalësit paraprak në fjalësin e përbashkët të Enciklopedisë shqiptare nga dr. Arian Leka, përgjegjës i sektorit të botimeve enciklopedike në QBEA;
Prof. dr. Azis Pollozhani informoi për rezultatet e punës të redaksisë së posaçme për trashëgiminë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe më pas pati një bisedë me diskutime e pyetje. Në përfundim të takimit të sotëm u miratuan disa rekomandimeve të nevojshme për përfundimin e punës për fjalësin e përbashkët dhe kalimin në fjalësin e stabilizuar./atsh/KultPlus.com
Grupi suedez, ABBA është nderuar me një prej titujve më prestigjiozë të kalorësisë në Suedi, i cili nuk i është dorëzuar askujt në të paktën 50 vjet.
Agnetha Faltskog, Bjorn Ulvaeus, Benny Andersson dhe Anni-Frid Lyngstad morën “Urdhrin e Vasa” në Stokholm. Ata u bënë “Komandantë të Klasit të Parë” të urdhrit për “arritje të jashtëzakonshme në jetën muzikore suedeze dhe ndërkombëtare”.
Titujt u dorëzuan nga mbreti King Carl XVI Gustaf, në pallatin mbretëror dhe ceremonia u transmetua drejtpërdrejt në televizionet suedeze.
Kjo ngjarje ndodh 50 vite pas fitores së ABBA në Eurovizion në Brighton me këngën “Waterloo” që i ka bërë të jenë më të suksesshmit në historinë e kompeticionit muzikor.