A do të ketë Prishtina yje që ndrinë pa ty ?!

Poezi nga Hyrije Jusufi

(Kushtuar Nexhmije Pagarushës)

Kush tha se yjet shuhën qiellit të Dardanisë
Bilbili përhap kumtin e mirësisë memedheut
Tingujt prekin aortën e zemres së dlirë
Zëri që i buzëqeshi si zog pipthave të qershisë
Dashurisë plotë begati shpirti përtej resh…
Bebëza e rrezës së diellit këtë janar melodie
Ushqeu nota e fjalë në simfoni shpirti ndezur
Male e kodra të bukura mbush tinguj valësi
Në zërin tënd zgjohen ritmet e jetës universit
Legjend e gjallë mbetesh në trungun e lindjes!

Mos vallë të ftuan duartrokitjet e përherëshme
Melodia e bilbilit rrugëve t‘kombit u derdh
Ngjyrat e zërit tënd dhembja e gjyshit trojeve
Bareshë malëve imazh i gjallë përjetë qëndron
E shkrirë në lotin e dhembjes syri qerpikut…

A do të ketë Prishtina yje që ndrinë pa ty
Dhe t‘shkuarët e ardhjet e dallëndysheve …!

Zëri yt në gjerdan do prehet muzeve të poetit
Loti do pikoj nga qielli përtej diellit dritë Ikona
Për të freskuar ballin e bariut fushave të Pagarushës
E vallja e vajzave le të jetë trashegimi yt bilbil i këngës. / KultPlus.com

‘Njeriu tani është vetëm më aktiv – jo më i lumtur – as më i mençur, sesa ishte 6000 vjet më parë’

Edgar Allan Poe ishte një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në shekullin e 19-të.

Pjesa më e madhe e punës së tij u frymëzua nga ngjarjet që ndodhën rreth tij. Ato që e bënë botën të kthej sytë nga shkrimet e Poes nisin me kryeveprën e hershme “Për Helenën” deri te “Ulalume” e errët dhe misterioze. Nga “Korbi”, i cili e bëri atë me famë botërore pas botimit në 1845, te “Annabel Lee”, i cili është një lavdërim i botuar pas vdekjes për një vajzë “në një mbretëri pranë detit”. Pikërisht do të ishte vdekja e vajzës që ai dashuronte që e bëri atë të veçantë në shkrimet dhe thëniet e tij.

KultPlus ua sjell disa nga thëniet e tij:

Vdekja e një gruaje të bukur, është pa diskutim tema më poetike në botë.

Njeriu tani është vetëm më aktiv – jo më i lumtur – as më i mençur, sesa ishte 6000 vjet më parë.

E gjithë ajo që shohim ose duket është vetëm një ëndërr brenda një ëndrre.

E gjithë feja, miku im, thjesht është evoluar nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata dhe poezia.

Me mua poezia nuk ka qenë një qëllim, por një pasion.

Shkenca ende nuk na ka mësuar nëse çmenduria është apo nuk është sublimiteti i inteligjencës./KultPlus.com

Branko Merxhani: Politika dhe kultura

Nga Branko Merxhani

Ç’ndryshim ka midis nocioneve të Politikës dhe të Kulturës? Ç’është Politika? Ç’është kultura? Dhe sidomos ç’do me thënë të merresh me kulturë pa bërë politikë? (…) (…) Çdo shoqëri çfaq dy farë vullnetesh sociale. E para është Kultura, e dyta është Politika. Kultura përmbledh të gjitha përpjekjet theorike dhe përshtypjet spiritualiste ose materialiste të një Shoqërie. Kurse Politika përmban dhe përmbledh të gjitha mundimet praktike që bën një grup shoqëror brenda rrokullimeve të historisë së vet. Puna e Kulturës, në parim, është një punë mendimi, që ecën kryesisht drejt zbulimit të së Vërtetës. Politika, në parim, është edhe kjo një punë mendimi, por një punë që nuk ka si qëllim kryesor të gjejë të vërtetën; Politika ecën drejt për drejtë për në Fuqi dhe për në Pushtet. Roli i një njeriu të Kulturës kufizohet në gjurmimin dhe përhapjen e së Vërtetës. Mendimtari përpiqet të përhapë mendimet e veta dhe t i futë në vetëdijen e bashk atdhetarëve të tij. Mendimtari s ka nevojë të vërë në dorë fuqin reale dhe të sundojë botën duke u mbështetur në bajonetën e xhandarit. Ai ndjek rrugën e vet. Dhe ndjek këtë rrugë me guxim dhe me qetësi. Ai ecën edhe duke vuajtur. Roli i një njeriu të Politikës është krejt i ndryshëm. Politikë do të thotë sundim.

Dhe asgjë tjetër. Qëllimi i një njeriu të Politikës, natyrisht kur ky është një njeri i urtë dhe i sinqertë, është një qëllim i lartë që ka një kuptim historik. Politikani përpiqet të qërojë jetën shoqërore nga zakonet e këqija, nga veset, dhe në vëndin e tyre të vendosë të mirat. Prandaj Politikani ka nevojë të domosdoshme të vërë në dorë fuqinë e sundimit dhe të zotërojë, pa asnjë kufizim, të gjitha zotësit vepronjëse të një vëndi. (…) Artistët, Moralistët dhe Filozofët janë vetëm Mendimtarë. Këta i propozojnë popullit ndjenjat dhe mendimet e tyre: Vetëm i propozojnë. Nuk mund t ia imponojnë.(…) Kultura s ka të bëjë aspak as me Parlamentin as me Qeverinë. Qëllimi i saj nuk është të fitojë shumicën në Parlament dhe të formojë Qeverinë. Kultura, që t i bëjë të pranueshme bukuritë që ndjen, të mirat që jep shëmbull dhe mendimet që shfaq, nuk kërkon ndihmën e organeve zyrtare. Kultura veprat e veta i vleftëson ndryshe. Ka në dorë një tok mjetesh morale. Ka b.f. bindjen, shijën, enthuziazmën dhe një sëri mënyrash të tjera veprimi. Që të mësohet përmënç një vjershë e bukur, s ka nevojë që të votohet një dekret-ligjë. Gjithashtu asnjë ligjë nuk mund t a ndalojë këndimin e një libri. Bilé është vënë re se librat e ndaluara kërkohen dhe këndohen më tepër. (…)Një sundimtar mund t imponohet edhe për hirë të violencës. Kurse një mendimtar thjeshtë nuk pëlqehet ose simpathizohet. Autoriteti që ky gëzon mbi një pjesë të popullit, nuk është një autoritet relatif. Është një autoritet personal. S ka të bëjë me pozitën e vet. Ka të bëjë vetëm me personin e vet. Një e vërtetë shkencore, një vepër artistike, një meritë morale, nuk humbet asgjë nga vlera e saj kur nuk çmohet nga ana e zyrtarëve ose edhe kur gjen mospërfilljen e tyre. Vulat e zyrave nuk janë dokumenta kulturale. Janë vetëm akte administrative dhe gjyqsore. Me këto vula vihen në litar edhe të dënuarit dhe lartësohen edhe zotërinjt e ndershëm.

* * *

Siç e kemi shpjeguar gjer këtu me një mënyrë krejt të hapët dhe pothuaj popullore, Politika dhe Kultura janë dy farë veprimtarish krejt të ndara dhe të veçuara njera nga tjetra. Janë të veçuara në përmbajtje dhe të ndara në qëllime. Kombet që dinë mirë të ndajnë njerën nga tjetra këto dy farë veprimtarie shoqërore, përparojnë dhe lartësojnë hem organizmën e jetës së tyre politike, hem organizmën e jetës së tyre kulturale. Përkundrazi ku këto dy gjëra trazohen midis tyre, atje Kultura bëhet skllavi i Politikës dhe humbet kuptimin e qënies së vet; dhe nga ana tjetër edhe Politika fshin dhe çvleftëson çdo lloj përpjekje që ka si qëllim të ndihmojë Shoqërin në ecjen e sajë drejt përparimit dhe qytetërimit. Dhe kështu shkatërrohen dhe degjenerohen të gjitha. Politikani mbetet pa dritë. Intelektuali bëhet dallkauk. (…)

1936/Hejza/ KultPlus.com

54 vite më parë, Zhani Ciko dhe Robert Zhvarc sollën Simfoninë e 9-të Bethovenit në Tiranë

Sot shënohet 200-vjetori i Simfonisë së 9 të Ludwig van Beethoven, muzikë e cila njihet edhe si himni i Bashkimit Evropian. Në këtë ditë të shënuar për artin botëror, fotoja tregon Orkestrën e Teatrit të Operës dhe Radiotelevizionit Shqiptar në vitin 1970.

Krahas muzikës, simfonia është interpretuar edhe nga kori i Teatrit të Operës dhe i Institutit të Lartë të Arteve. Më konkretisht nga solistet Nina Mula, Rozmari Jorganxhi, Gaqo Çako, Avni Mula nën drejtimin e dirigjentit Rifat Teqja.

Udhëheqës artistik Zhani Ciko e përkthyes Robert Shvarc./BalkanWeb/ KultPlus.com

‘Lufta e Shkodrës – nga një dorëshkrim i panjohur i Marin Barletit’, botohet në italisht

Botohet në italisht, me titullin “La guerra di Scutari – da un manoscritto sconosciuto di Marino Barlezio” (“Lufta e Shkodrës – nga një dorëshkrim i panjohur i Marin Barletit”), dalë më parë në shqip, me titullin “Barleti i hershëm”, sipas një dorëshkrimi të panjohur të Marin Barletit.

Akademia e Shkencave bën me dije se mundësoi daljen në dritë të kësaj vepre edhe në gjuhën italiane, nismë dhe projekt i “Njësisë së kërkim-studimit për arbëreshët, arvanitët dhe arbneshët” që funksionon pranë saj dhe kryesohet nga akademikët Francesco Altimari e Matteo Mandalà.

Dorëshkrimi i panjohur i Barletit (variant i mëhershëm se teksti që përmban vepra “Rrethimi i Shkodrës”), u zbulua nga prof. dr. Aurel Plasari në Bibliotekën e Parisit. Studimi hyrës u realizua nga prof. dr. Lucia Nadin. Botimi i plotë, që përfshin edhe riprodhimin anastatik të dorëshkrimit, përveç përkujdesjes kritike-filologjike, u përgatit nga dy autorët Nadin e Plasari. Po ashtu dhe pajisja me shenjime të natyrës historiografike, gjuhësore dhe kulturore.

Parathënia është shkruar nga Matteo Mandalà dhe ent botues në Itali është e mirënjohura “Viella”.

Me botimin e këtij dorëshkrimi autograf të Marin Barletit zgjidhet përfundimisht problemi i autorësisë së veprës “Rrethimi i Shkodrës”, çështje e hapur dhe e mbetur pezull në diskutime shkencore albanologjike prej më shumë se një shekulli.

Botimi kontribuon për zgjerimin e bibliografisë së literaturës për Shqipërinë dhe shqiptarët në bibliotekat dhe burimet albanologjike europiane. Shekujt e humanizmit europian dhe të qendresës antiosmane në këtë anë të Adriatikut gjejnë një tjetër referencë të re themelore./atsh/KultPlus.com

Nis nata magjike e ‘Eurovision Song’, spektaklin e këngës e hap këngëtarja me orgjinë shqiptare, Eleni Foureira

Spektakli europian i këngës “Eurovision Song” ka ngritur siparin mbrëmjen e sotme në Malmö të Suedisë.

Natën e parë magjike e ka hapur këngëtarja me orgjinë shqiptare Eleni Foureira ndërsa festivali europian i këngës mban sloganin “Të bashkuar nga muzika”.

Mbrëmja e sotme shënon gjysmëfinalen e parë të këtij eventi ndërsa të enjten më 9 maj do të jetë gjysmëfinalja e dytë ku do të garojë edhe Shqipëria me këngëtaren Besa Kokëdhima. E shtuna do të shënojë finalen e madhe më 11 maj prej nga do të dalë fituesi i festivalit europian të këngës.

Pas renditjes nga ana e organizatorëve të edicionit të 68-të të Eurovision 2024 Malmo, të gjithë shqiptarët, të cilët prej dekadash ndjekin këtë ngjarje të madhe të muzikës evropiane dhe botërore, do të kenë mundësinë të dëgjojnë përfaqësuesen e Shqipërisë në këtë edicion, Besa Kokëdhima më 9 maj, në gjysmë-finalen e dytë.

Kënga e saj “TITAN” do të jetë e dyta që do të këndohet në mbrëmjen e dytë të gjysëm finales.

Versioni i ri në anglisht i këngës vjen si një bashkëpunim me producentë të njohur botërorë si Gia Koka, Serban Casan dhe Alias LJ dhe producentin e njohur shqiptar Kledi Bahiti. Video-klipi është realizuar në Stamboll dhe vjen si një trinom që kombinon tekstin, mesazhin dhe muzikën.

Me këngën “Zemër n’dorë” (TITAN), Besa Kokëdhima fitoi besimin e publikut për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të Eurovizion, në Festivalin e 62-të Këngës në RTSH. 

Eurovision 2024 do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni Shqiptar. Vetëm 20 shtete do të zgjidhen nga dy gjysmëfinalet për të vijuar më pas në finalen e madhe që do të zhvillohet më 11 maj, të cilat do t’u bashkohen 5 shtetet e përhershme finaliste dhe vendi mikëpritës që është Suedia.

Nga gjysmëfinalja, dhjetë finalistët vlerësohen nga vota e publikut. Votohen në dy forma: Shqiptarët që ndodhen në shtetet që janë në garë në natën e dytë gjysmëfinale mund të votojnë me kodin 02 në numrat e telefonit vendosur në dispozicion nga shteti ku ata jetojnë, nga vendet pjesëmarrëse.

Ndërsa, të gjithë shqiptarët që ndodhen kudo nëpër botë, në votimin “rest of the world”, ku mund të votohet online 24 orë përpara se të çelet votimi i online, mund të votojnë për Shqipërinë deri në 20 herë nga çdo vend i botës./rtsh/ KultPlus.com

‘Ti meriton një dashuri që të bëjë të ndihesh e sigurtë’

Poezi e shkruar nga Frida Kahlo.

Ti meriton një dashuri që
të të dojë edhe të pakrehur,
me të gjithë arsyet që të
bëjnë të zgjohesh herët,
me të gjithë demonët
që nuk të lënë të flesh.

Ti meriton një dashuri që
të bëjë të ndihesh e sigurtë,
në gjendje të hash botën,
kur ecën pranë tij,
që i ndjen përqafimet e tua
si perfekte në lëkurën e tij.

Ti meriton një dashuri
që do të kërcejë me ty,
që gjen parajsën çdo herë
që sheh drejt syve të tu,
që nuk mërzitet asnjëherë
duke lexuar shprehitë e tua.

Ti meriton një dashuri
që të dëgjon teksa këndon,
që të mbështet kur bën budallaqen,
që të respekton si qenie të lirë,
që të shoqëron në fluturimin tënd,
që nuk ka frikë nga rrëzimet.

Ti meriton një dashuri
që i largon gënjeshtrat që afron ëndrrat,
kafenë dhe poezinë…/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova e ftuar speciale në Samitin SHBA-Afrikë

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Republika e Kosovës këtë vit është e ftuar speciale në Samitin SHBA-Afrikë që po mbahet në Dallas të Teksasit për t’i thelluar raportet me SHBA-të dhe me shtetet pjesëmarrëse nga kontinenti afrikan.

Presidentja Osmani në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë, është takuar me presidentë, kryeministra e ministra të jashtëm ku kanë diskutuar për mundësitë e rritjes së shkëmbimeve në shumë fusha të interesit të ndërsjellë.

“Në diskutime me presidentë, kryeministra e ministra të jashtëm nga: Botswana, Cape Verde, Angola, Sierra Leone, Nigeria, Mauritania, Lesoto, Liberia, Malawi e përfaqësues të tjerë, folëm për bashkëpunimin bilateral dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimeve në shumë fusha të interesit të ndërsjellë”, thuhet në shkrimin e Presidentes Osmani./ KultPlus.com

Ministri Çeku: Kosova po bëhet me teatër të ri kombëtar, duke e ruajtur teatrin e vjetër 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se projekti zbatues për rinovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka marr edhe pëlqimin përfundimtar nga Komisioni i IKMM-së.

Ministri Çeku  po ashtu ka bërë të ditur se përveç rinovimit të ndërtesës së TKK-së parashihet edhe shtim i hapësirave të reja për të krijuar kushte të dinjitetshme.

“Vazhdojmë me shpalljen e procedurës për angazhimin e operatorit për realizimin e punimeve. Kosova po bëhet me teatër të ri kombëtar, duke e ruajtur teatrin e vjetër.

Kemi punuar me gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës, profesionistët më të mirë të vendit tonë për hartimin e projektit, i cili përveç rinovimit të ndërtesës parasheh edhe shtim të hapësirave të reja për të krijuar kushte të dinjitetshme për aktorët e stafin dhe përjetim të përmirësuar artistik për publikun”, është shprehur Ministri Çeku/KultPlus.com

Ministrja Gërvalla njofton se Rusia sot po kryen sulm hibrid ndaj Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Rusia aktualisht po kryen një sulm hibrid ndaj Kosovës.

Gërvalla tha se sulmi hibrid rus ndaj Kosovës po vjen pas njoftimit të mbështetjes së Kosovës me pajisje ushtarake për Ukrainën.

“Rusia po e sulmon Kosovën në një mënyrë hibride sot, pas njoftimit tonë për mbështetje me pajisje ushtarake për Ukrainën, në mbrojtjen e saj të justifikuar kundër agresionit gjenocidal rus. Ne e dimë nga gjenocidi i Serbisë ndaj Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”, shkroi Gërvalla.

Presidentja Osmani takohet me ambasadoren e SHBA-së në OKB, diskutojnë për situatën e sigurisë në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas Greenfield.

Presidentja Osmani përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se në takim është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon dhe për mbështetjen amerikane për avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Linda Thomas Greenfield, Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, njëkohësisht anëtare e kabinetit të Presidenti Biden, është një personalitet  i jashtëzakonshëm me vlerësim dhe përkushtim të lartë për avancimin e vazhdueshëm të raporteve Kosovë-SHBA.”, ka shkruar presidentja Osmani.

Presidentja Osmani: Beteja e Çabratit paraqet stoicizmin e vajzave e djemve të UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka kujtuar Betejën e Çabratit, duke thënë se kjo betejë paraqet stoicizmin e vajzave dhe djemve të Brigadës 137 “Gjakova”, të Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u vunë në mbrojtje të popullatës civile të Gjakovës nga barbaria e regjimit gjenocidal të Serbisë.

“Në këtë betejë ranë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK, ndërkaq forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë mizorisht rreth 100 banorë dhe rrëmbyen me dhunë mbi 300 të tjerë. Vendosja e drejtësisë është angazhim i yni i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së dhe për të rënët për liri”, ka thënë Osmani.

Kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’, koncert në Tiranë

Kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës kanë mbajtur koncert në Tiranë, në sallën e liceut artistik “Jordan Misja”.

Fëmijët e kryeqytetit të Prishtinës, në dirigjimin e Vehbi Shoshollit, luajtën vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe atyre shqiptarë.

Me mbështetje të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit të Kosovës, kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ janë paraqitur me një koncert para publikut të Tiranës.

Drejtoresha e korit dhe orkestrës, Hana Petrovci, falënderoi Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe MAShTI-n për mbështetjen derisa theksoi se orkestra e fëmijëve të Prishtinës tashmë ka filluar të ofrojë shfaqje edhe jashtë kufijve të Kosovës duke e përfaqësuar vendin në shtete të ndryshme.

I pranishëm në këtë koncert ishte edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi.

Orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ është krijuar në shtator të vitit 2022 dhe përbëhet nga nxënës të shkollave të mesme të ulëta të muzikës në Prishtinë, duke përfshirë fëmijë të shkollës publike të muzikës ‘Prenk Jakova’ dhe shkollave të tjera private./rtk/KultPlus.com

Hakerët rus sulmuan faqet e institucioneve të Kosovës

Hakerët rus kanë sulmuar faqet e institucioneve të Kosovës, të cilat gjatë ditës nuk kanë qenë në funksion. Sipas njoftimit nga qeveria, cak i sulmeve ka qenë faqja e Presidencës dhe Kryeministrisë, të cilat edhe janë rikthyer shpejt në funksion.

Këto faqe janë sulmuar, siç ka njoftuar për RTKLive, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas deklaratave që ai i ka dhënë kundër Rusisë.

“Ky grup i hakëreve rus ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës si hakmarrje ndaj deklaratës time në mbështetje të Ukrainës”, ka deklaruar Maqedonci, i cili ka qëndruar në Poloni në Konferencën e mbrojtjes “Defense 24”.

Në reagimin e hakëreve rus përmendet fjalimi i ministrit Maqedonci, i cili ka thënë, sipas tyre, se “Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës”.

“Kosova është e gatshme t’i bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ata duhet të mendojmë më shumë për këtë…”, kanë shkruar rusisht këta hakera duke përmendur ministrin Maqedonci.

Kujtojmë po ashtu, se një ditë më parë dy qytetarët rus janë arrestuar në veriun e Kosovës, pasi kishin hyrë në vendin tonë nëpërmjet rrugëve ilegale.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë për dy personat e ndaluar ka ngritur aktakuzë me kërkesën për dëbim jashtë territorit të Kosovës, për shkak të veprës penale – Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, ka thënë për RTKlive zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se në Jarinjë janë arrestuar dy persona me pasaporta ruse dhe që nuk kishin vizë të Kosovës. Ata dyshohet se kishin hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

Kosumi zhvillon diskutim me studentët për ‘Enciklopedinë Imagjinare’

Profesori Bajram Kosumi ka diskutuar sot me studentë e profesorë për “Enciklopedinë imagjinare”.

Nën organizimin e Fakultetit të Filologjisë dhe Departamentit të Gazetarisë është mbajtur sot diskutimi për librin më të ri të profesorit Bajram Kosumi, ku kanë marrë pjesë studentë, profesorë e studiues të letërsisë dhe gazetarisë.

Diskutimin për librin dhe për letërsinë e ka udhëhequr profesori Osman Gashi, i cili ka vlerësuar se “Enciklopedia imagjinare” sjell risi në letërsi nisur nga titulli e deri te përmbajtja dhe temat e shtjelluara aty.

Profesori Gashi ka diskutuar me autorin e librit “Enciklopedia imagjinare” për cilësimin e librit si postroman dhe për ndërthurjen e emërtimit “Enciklopedi” dhe për mbiemrin “imagjinare”.

Shkrimtari Bajram Kosumi ka thënë se emërtimi i ri postroman nuk është i barasvlershëm me termin postmodren, edhe pse Enciklopedia imagjinare eshte postmoderne. Postroman është më shumë se romani, përtej tij.

Në një pyetje për letërsinë nga burgu, Kosumi ka thënë se në burg ka krijuar “Republikën e letërsisë”, në të cilën ka jetuar i lirë, pa e prekur burgu.

Ne diskutim për kërkimin e kohës, Kosumi tha se në libër koha trajtohet si gjëja më e rëndësishme e njeriut që e posedon dhe individi është mbret i saj.

Ai ka shpjeguar se pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur prapë disa gjëra kanë mbetur të njëjta kur ballafaqohen me situata ekstreme që paraqiten edhe në “Enciklopedinë imagjinare”.

Profesori Kosumi ka thënë se librin ka nisur ta shkruajë qysh kur ishte i burgosur në burgjet jugosllave dhe e ka përfunduar versionin e parë më 2018 kur ka nisur ta redaktojë e përpunoj për ta nxjerrë në dritë në fund të vitit 2023.

Përpos me shkrimtarin Kosumi, Fakulteti i Filologjisë dhe Departamenti i Gazetarisë do të organizojnë edhe takime tjera me autorë dhe krijues tjerë./ KultPlus.com

Paul Auster: “Kjo mund të jetë gjëja e fundit që shkruaj ndonjëherë”

Paul Auster u nda nga jeta më 30 prill 2024 në moshën 77 vjeçare.

Teksa po mbaronte romanin e tij të fundit, shkrimtari u sëmur rëndë. Ai tregon për të kuptuarin e jetës nëpërmjet trillimit, sekretin e mbajtjes së dashurisë dhe se si u çudit nga libri i tij i fundit.

nga Nicholas Wroe

Në fillim të romanit të fundit të Paul Auster-it, “Baumgartner”, personazhi kryesor që i dha titullin romanit, flet me një terapist rreth pikëllimit, menjëherë pas humbjes së bashkëshortes së tij në një aksident noti tejet të rëndë. “Çdo gjë mund të na ndodhë në çdo moment”, i thotë. “Unë e di këtë, ti e di këtë, të gjithë e dinë këtë – dhe nëse nuk e dinë, epo, nuk i kanë kushtuar vëmendje”.

Sy Baumgartner-in e takojmë pasi kanë kaluar dhjetë vjet nga vekja e Anna-s. Tani 70 vjeç dhe profesor filozofie në Princeton i dalë në pension, e gjejmë duke duruar një seri peripecishë shtëpiake komikisht të errëta. Pas kësaj acarohet me detyrën e thjeshtë të të telefonuarit të motrës së tij, djeg veten me një tigan të nxehtë dhe rrokulliset nëpër shkallë gjatë një vajtjeje të panevojshme në bodrum.

“Doja të provoja dorën me tregime të shkurtra”, shpjegon Auster, 76 vjeç, duke folur nga shtëpia e tij në Brooklyn, New York. “Diçka të cilën nuk e kam bërë thuajse fare gjatë gjithë karrierës sime. Kam shkruar gjithmonë libra me përmasa modeste dhe pastaj me “4 3 2 1 and Burning Boy” – romani i tij finalist për Booker afro 1000 faqe dhe biografia prej 800 faqesh e Stephen Crane – “kisha shkruar dy të mëdhenj si të ishin tulla. Vërtet që nuk qe e qëllimshme. Nëse të binin këto libra mund të thyeje të dyja këmbët, kështu që doja diçka më të shkurtër dhe ky plak më erdhi, i ulur në shtëpinë e tij e duke parë nga dritarja harabela që kapnin krimba. Shkrova një tregim të titulluar ‘Krimba’, por nuk doja ta lëshoja. Kishte më shumë aty kështu që nisa sërish, duke e ditur se nën këtë hyrje gati si Buster Keaton kishte diçka të fshehur akoma më të errët.”

Humori i zymtë vazhdon përgjatë librit, teksa Auster eksploron materialin më të errët të marrëdhënies prej një dekade të Buamgartner-it me humbjen dhe pikëllimin. Sy ka një marrëdhënie në fund të fundit qesharake, të plotësuar me një propozim martese të dështuar në mënyrë të sikletshme, me një grua që imagjinon se do të jetë zëvendësuese e Anna-s; zhytet në ditarët e Anna-s; boton dhe promovon poezitë e saj të pabotuara më parë dhe rikujton incidente nga fëmijëria, jeta dhe historia e tij familjare e cila, në një mënyrë shumë austereske, rastis papërsosmërisht me incidente nga vetë fëmijëria, jeta dhe historia familjare e Auster-it. Por Sy më së shumti kthehet tek ajo ditë në Cape Cod kur Anna “u përball me dallgën monstruoze e të egër që i theu kurrizin dhe e vrau, dhe që prej asaj pasditeje, që prej asaj pasditeje –”.

Në dy vitet e fundit, Auster vetë ka qenë subjekti i dy ndodhive traumatike. Së pari, një tragjedi e tmerrshme familjare, me vdekjen e mbesës foshnje, teksa ishte nën kujdesin e të birit. I biri, nga martesa e tij e parë me shkrimtaren Lydia Davis, vdiq më pas prej një mbidozë droge. Më vonë, në mars të këtij viti bashkëshortja e Auster-it, Siri Hustvedt, lajmëroi botën në Instagram për faktin se Auster “po bombardohej me kemioterapi dhe imunoterapi” dhe çifti tani po jetonte në “Tokën e Kancerit”.

Ishte rreth fundvitit të kaluar, kur Auster po përfundonte “Baumgartner”, që filloi të kishte “ethe misterioze që më kapnin pasditeve”. Fillimisht u diagnostifikua me pneumoni para së të kalonte nëpër “rrugica qorre” për Covid të gjatë dhe përfundimisht doli se ishte kancer. “Dhe që atëherë trajtimi ka qenë i pamëshirshëm dhe nuk kam punuar aq shumë. Kam kaluar mundime që kanë prodhuar mrekulli dhe gjithashtu vështirësi të mëdha”. Sa për Tokën e Kancerit, thotë se nuk ka asnjë hartë dhe nuk ia ka idenë nëse pasaporta është e vlefshme për të dalë. “Ka, sidoqoftë, një udhërrëfyes që të takon që në fillim. Kontrollon nëse e ka saktë emrin dhe pastaj thotë, ‘Jam nga policia e kancerit. Duhet të më ndjekësh’. Pra çfarë të bësh? Do të thuash, ‘mirë’. Nuk ke zgjedhje në këtë çështje pasi, sikurse thotë ai, nëse refuzon ta ndjekësh, të vret. Unë thashë, ‘Parapëlqej të jetoj. Më ço ku të duash.’ Dhe e kam ndjekur këtë rrugë që atëherë.”

Auster thotë se magjepsja me kuptimin e një çsti që të ndryshon jetën i erdhi nga një incident në vogëli që i dha pikën fillestare për “4 3 2 1”. Në kamp veror, një djalë që po rrinte pranë tij, u vra nga një rrufe. “Ishte përvoja themelore e jetës sime. Çdo gjë që kalon në moshën 14-vjeçare është e thellë. Je akoma në krijim e sipër. Por të jesh mu pranë një djali i cili në thelb u vra nga zotërat më ndryshoi gjithë pikëpamjen e botës. Kisha hamendësuar se rehatitë borgjeze të jetës sime në periferinë e New Jersey-t të pasluftës kishin një lloj rendi. Dhe atëherë kuptova se asgjë nuk e kishte atë rend. Kam jetuar me atë mendim që nga ajo kohë. Është drithërues, por edhe çlirues. Të mban në majë të gishtave. Dhe nëse e merr këtë mësim atëherë, disa gjëra në botë janë më të durueshme nga sa do të ishin po të mos ndodhte. Besoj se impulsi për të shkruar e për të rrëfyer histori është i ndryshëm për secilin shkrimtar. Por mendoj se ky është thelbi i asaj me të cilën kam pasur të bëj gjithë këto vite.”

Në një intervistë të kohëve të fundit, Auster e përshkroi fiksimin amerikan me “mbylljen” si “ideja më idiote që kam dëgjuar ndonjëherë. Kur një njeri qendror i jetës tënde vdes, vdes dhe një pjesë e jotja. Nuk është e lehtë, nuk e kalon kurrë. Mëson të jetosh me të, besoj. Por diçka shkulet prej teje dhe doja ta eksploroja të gjithë këtë.” Te “Baumgartner”, Sy reflekton për një kohë të gjatë mbi sindromën e gjymtyrës fantazmë, duke e përshkruar veten si “cung njeriu” dhe sërish “gjymtyrët që mungojnë janë ende aty, ende dhembin, dhembin aq shumë sa ndonjëherë e ndien sikur trupi i tij do të marrë flakë dhe do ta konsumojë në vend”.

“Për pak e titullova librin ‘Gjymtyra fantazëm’,” thotë Auster. “Është një ide kaq e fuqishme. Ajo lidhje që kemi me njerëzit e tjerë dhe sa jetësorë janë për jetën tonë. Rëndësia e dashurisë. Mund të jetë e vështirë për ne ta flasim në mënyrën që meriton të flitet. Dashuri afatgjatë, jetëgjatë, në vazhdim, me gjithë kthesat që do të marrë”. Ai beson se “Siri brilante” e ka mirë kur thotë se njerëzit bëjnë gabimin e të përdorurit të një modeli makinerie për të menduar për dashurinë dhe përpiqen ta mbajnë makinerinë në gjendjen e saj origjinale. “Duhet ta mendosh dashurinë si një lloj peme ose bime,” thotë Auster. “Dhe pjesët do të vyshken e mund të të duhet të presësh një degë që organizmi të vijojë të rritet. Nëse fiksohesh ta mbash ashtu sikurse është, një ditë do të të vdesë para syve. Që dashuria të qëndrojë duhet të jetë organike. Teksa bën përpara, duhet të vazhdosh të zhvillohesh në mënyrë që çdo gjë, edhe çuditshmëria e së gjithës, të jetë e ndërthurur,” Në fakt, thotë, nuk i njohim kurrë plotësisht partnerët tanë. “Ka mistere të cilat s’do të mundemi kurrë t’u përgjigjemi. Por besoj se kjo vlen edhe për veten tonë. Ka shumë gjëra për jetën time që nuk i kuptoj. Veprimet e mia ndër vite. Pse e bëra këtë? Pse atë impuls? Njerëzit kalojnë vite në këtë analizë duke u përpjekur të zbulojnë përgjigjet. Unë nuk e kam bërë kurrë këtë, kështu që kam qenë pak a shumë vetëm, duke u përpjekur t’i kuptoj gjërat, dhe sinqerisht më duhet të raportoj se nuk mendoj të kem bërë ndonjë përparim të madh.”

“Baumgartner” është libri i dytë i Auster-it që u botua më 2023. Në janar, ai u hodh në sulm ndaj një traumë kombëtare, në vend të personales: kontrollin e armëve në Amerikë. Auster shkroi tekstin për një libër fotografik nga dhëndrri i tij, Spencer Ostrander. “Bloodbath Nation” tregon vendndodhjet e vrasjeve në masë në SHBA. “M’u desh një vit t’i shkruaja ato 80 faqe. Doja të isha sa më konciz e i saktë të mundesha dhe t’i jepja ndjesinë e një pamfleti politike të dalë mode. Asnjë vend i ashtuquajtur i përparuar në botë nuk është pranë Amerikës në numra. Por amerikanët, me kalimin e kohës, i shohin gjithnjë e më pak vendet e tjera për të gjetur frymëzim se si të veprojnë. Jemi kaq shumë të vetëkënaqur. Kemi kaq shumë ndjenja superioriteti ndaj pjesës tjetër të botës. Edhe gjërat më idiote që bëjmë konsiderohen si të mira sepse janë amerikane, nënvizuar gjashtë herë”.

Ai thotë se libri u prit mirë, por provokoi pak veprim. “Sigurisht, është depresionuese, pasi është një prej dështimeve më të mëdha në kulturën tonë dhe gjithashtu emblematik i atij lloj mendimi të gabuar që na ka udhëhequr dekadat e fundit. Por ndoshta njerëzve u është mërzitur kjo temë. Debati thjesht nuk po ndodh. Askush përveç ndonjë politikani në të rrallë nuk guxon ta përmendë. Dhe kjo me siguri do të vazhdojë përgjatë vitit zgjedhor.

“Baumgartner” është i vendosur mes 2016 dhe 2018, dhe ka një aluzion me “Ubun e çmendur në Shtëpinë e Bardhë”. “Nuk doja të ndeshesha drejtpërsëdrejti me Trump-in por sigurisht ai po fshihej në sfondin e jetës amerikane, një prani e përditshme.” Sa për zgjedhjet e ardhshme, Auster thotë se e kuptonte mungesën fillestare të entuziazmit te demokratët për Joe Biden. “Patjetër që nuk ishte mendimi im i parë për 2020. Por më ka habitur tejmase. Mendoj se ka qenë i jashtëzakonshëm. Dhe ndoshta në këto pak vite, ka qenë një prej presidentëve me të mirë që mbaj mend në jetën time. Ai e kupton se qeveria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në shëndetin tonë mendor, moral, dhe ekonomik. Se programet që ai ka propozuar janë një përparim prej asaj që kemi pasur këta 40-50 vjet.”

Ndërkohë që krahu i djathtë përpiqet ta shfaqë Biden-in si “një lloj plaku dredharak e të paaftë, është larg nga e vërteta”, thotë Auster. “Është mëse i aftë dhe di më shumë mbi qeverinë se të gjithë në Washington. Ka bërë gafat e tij, të gjithë e dimë këtë, por nuk është zgjedhje e keqe për momentin dhe sot nuk mund të mendoj për dikë më të mirë se ai. Kështu që po lutem që të arrijë ta kalojë dhe vitin tjetër pasi do të jetë një zgjedhje shumë, shumë, e ngushtë dhe e çuditshme.”

Sa për veten, Auster nuk shikon shumë përtej trajtimit dhe rimëkëmbjes së tij, por ka qenë i kënaqur me përshtypjet fillestare ndaj “Baumgartner”. “I bëj gjërat me mënyrën e vjetër,” thotë. “I shkruaj romanet në një makinë shkrimi dhe pastaj asistentja ime duhet ta vendosë në kompjuter për t’ia dërguar botuesit. Ka qenë me mua për 15 vite të mira dhe rrallë ka thënë gjë për dorëshkrimet përveçse ndonjë gjëje të sjellshme si ‘punë e paçme’. Por këtë herë më tha të ‘marshoj’ sikur s’po priste dot derisa të lexonte kapitullin tjetër. Siri, lexuesja ime prej 40 vitesh, e cila sërish rrallëherë komenton, ishte shumë inkurajuese.”

Auster thotë se ende s’mund ta shpjegojë se nga ka ardhur ky libër. “Ishte thjesht ky tipi që rritej brenda meje i cili u bë më i kuptueshëm ndërkohë që libri ecte përpara. Kështu që, përballë me këto përgjigje, thjesht buzëqesh dhe falënderoj. Ndiej se shëndeti im është aq në rrezik sa kjo mund të jetë gjëja e fundit që shkruaj ndonjëherë. Dhe nëse ky është fundi, atëherë të largohem me këtë mirësi njerëzore rrotull meje si shkrimtar në rrethin tim të miqve të ngushtë, epo, ia vlen që tani.”

The Guardian, 18.11.23 /Exlibris/express/KultPlus.com

Përkujtohet Maks Velo, artisti që vuajti në burgun e Spaçit

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot arkitektin, piktorin dhe publicistin e mirënjohur Maks Velo (31 gusht 1935 – 7 maj 2020).

Maks Velo lindi në Paris në vitin 1935, por shumë shpejt familja u vendos në Korçë aty ku kaloi dhe fëmijërinë. Nisi studimet pranë Institutit Politeknik në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas kreu një specializim për arkitekturë. Ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në planin urbanistik të Tiranës të vitit 1960 dhe në projektimin e shumë godinave publike të ndërtuara gjatë asaj kohe, ku vihet re fryma modernizuese dhe ideologjikisht e ndryshme.

Krahas arkitekturës, Maks Velo njihet për pasionin ndaj pikturës. Për shkak të rrymës artistike impresioniste dhe surrealiste që pasqyronte në punimet e tij, e cila binte ndesh me artin e realizmit socialist, do të fillonte ndaj tij përndjekja që u finalizua me arrestimin në vitin 1978. Gjyqi dhe dënimi prej 10 vjetësh nën akuzën e agjitacion-propagandës, dënim që do ta vuante në burgun famëkeq të Spaçit, do të përbënin për Maks Velon një dramë familjare mbi të gjitha. Shumë nga pikturat që iu gjetën në shtepi u shkatërruan me urdhër të gjykatës. U lirua nga burgu në vitin 1986 falë një amnistie.

Me ardhjen e demokracisë, Maks Velo iu rikthye pasionit të tij për pikturën, duke mbajtur shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, ai është autori i një sërë botimesh, ku ndër më të rëndësishmet janë: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Kostumi i martesës”, “Klubi Karavasta”./atsh/KultPlus.com

“Flauti magjik” i Mozartit vjen në Teatrin “Aleksandër Moisiu”

Artdashësit në Durrës, më 8-9 maj, ora 18:00, do të presin operën për fëmijë e familje, “Flauti magjik”, në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

“Flauti magjik” rrëfen historinë e luftës mes Mbretëreshës së Natës dhe Mbretit të Diellit. Tamino dërgohet nga Mbretëresha e Natës për të shpëtuar vajzën e saj, Pamina, nga mbreti i Diellit dhe babai i saj Sarastro.

Gjatë aventurës së tij, Tamino takohet me Papagenon, një gjuetar zogjsh dhe aspak trim. Gjatë rrugëtimit të tyre për të shpëtuar Paminën, Tamino njihet me Sarastron dhe çmon vlerat e tij.

Sarastro u vendos disa sfida Paminos dhe Taminos, në mënyrë të tillë që ata të gjejnë të vërtetën dhe lumturinë në dashurinë e pastër. Në fund, e mira triumfon mbi të keqen./tema/KultPlus.com

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizon veprimtarinë homazh ndaj Jakov Xoxës

Me 10 Maj 2024 në orën 12:00, në sallën “Aleks Buda” Akademia e Shkencave do të organizojë veprimtarinë përmbyllëse në homazh të studiuesit dhe shkrimtarit Jakov Xoxa në 100 vjetorin e tij të lindjes.

Ky aktivitet organizohet nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Radiotelevizionin Shqiptar, Bashkinë e Tiranës dhe familjen e shkrimtarit.

Në program janë sipas radhës: Shfaqja e dokumentarit “Jakov Xoxës – në 100-vjetorin e lindjes”, regjia nga Ylli Pepo, prodhim i RTSH, premierë. Drejtimi i veprimtarisë nga Mevlan Shanaj. Fjalë e shkurtër përshëndetjeje nga Agron Xoxa më pas paraqitja e librit të akteve të konferencës shkencore ndërkombëtare organizuar nga Akademia e Shkencave.

Në fund fare do bëhet përurimi i librit me kujtime të Dhurata Xoxës “Unë dhe Jakovi”. Paraqesin botimin dhe aspekte të tjera të jetës së Jakov Xoxës dhe të autores së librit: Valentina Leskaj, Ajola Xoxa, Helena Kadare, Natasha Lako./tema/KultPlus.com

Autoriteti i Dosjeve organizon ekspozitën me të arratisurit e diktaturës së Hoxhës

Ditën e nesërme, me 8 maj në orën 11:00, Autoriteti i Dosjeve organizon nje aktivitet për arratisjet dhe vrasjet në kufi. Kjo ekspozitë me dokumente arkivore paraqet “Shkelësit e kufirit” në Korçë, Ersekë dhe Pogradec.

Bëhet fjalë për ngjarjet gjatë viteve ’44-’91. Më 8 maj 1990, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi ndryshimin në Kodin Penal, sipas të cilit kalimi i kufijve nuk përbënte më tradhti ndaj atdheut. Pavarësisht këtij ndryshimi, persona të pafajshëm janë vrarë nga forcat kufirit edhe përgjatë vitit 1990.

Po në këtë ditë, si çdo 8 maj, Evropa kremtonte gjerësisht në kontinent fitoren mbi nazizmin dhe totalitarizmin, por Shqipëria, 45 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ende dëshmonte se tentativat për arratisje vijonin të rezultonin fatkeqe.

Në këtë kuadër, Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të shtetit organizon aktivitetin përkujtimor mbi përpjekjet e shqiptarëve për të kaluar kufirin në territorin Pogradec-Korçë-Ersekë, në të cilat shumë prej tyre mbeten të vdekur, të tjerë u arrestuan dhe vuajtën dënime të gjata./tema/KultPlus.com

‘Ani mori nuse’, nga e papërsëritshmja Nexhmije Pagarusha (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha konsiderohet mbretëresha e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.

Gjatë veprimtarisë së saj 40-vjeçare, ka regjistruar mbi 150 këngë, ndër të cilat “Baresha’’ është kënga me të cilën ajo mori epitetin mbretëreshë e muzikës shqiptare.

Sot, KultPlus ju sjell këngën ‘Ani mori nuse’:

“National Geographic”: Riviera Shqiptare – zbuloni destinacionin magjepsës të Ballkanit

Shqipëria, e vendosur midis Lindjes dhe Perëndimit, është një nga vendet më autentike në Evropën Jugore, shkruan Juan Calleja në një artikull të edicionit spanjoll të “National Geographic”.

E vendosur në Gadishullin Ballkanik, ajo kufizohet me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi, dhe rreth tre milionë banorët e saj jetojnë në një territor të ngjashëm në madhësi me rajonin e Galicisë.

Bregdeti i saj është një festival peizazhesh dhe plazhesh.

Shqipëria jetoi për më shumë se katër dekada nën regjimin e rreptë komunist që e mbajti vendin të izoluar nga bota deri në vitin 1991.

Pavarësisht se ka qenë një republikë parlamentare për 30 vjet dhe ka zhvilluar një hapje graduale drejt botës së jashtme – që nga viti 2014 Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Ajo ruan një natyrë të egër dhe mbetet një destinacion që nuk është prekur ende nga mbipopullimi i turistëve të huaj.

Riviera shqiptare, një serendipitet i vogël në jugperëndim të vendit që ndërthur në mënyrë perfekte plazhet dhe perëndimin unik të diellit dhe – gjithashtu – çmimet e pakrahasueshme.

SARANDA

Udhëtimi me traget nga ishulli i Korfuzit (Greqi) në qytetin e Sarandës zgjat rreth një orë e gjysmë, duke i mundësuar udhëtareve të njihen me ujërat blu transparente të detit Jon, që do t’i shoqërojë gjatë këtij udhëtimi.

Përpara se të arrini në portin e Sarandës do të shihni një bregdet të pjerrët me male të larta dhe disa limane.

Me të zbarkuar në portin e vogël, turistët do të shohin një pamje të ngjashme me atë të destinacioneve bregdetare spanjolle si Benidorm, me ndërtesa të panumërta që ngjiten në shpatin e kodrës.

Qyteti bregdetar ka një shëtitore plot jetë – sidomos gjatë natës – dhe një plazh të bukur urban, i cili si shumica e atyre që ndodhen në Rivierën Shqiptare, është me guralecë dhe ofron një pamje të detit me ujëra të kristalta.

Përveçse është porta për në Shqipërinë e Jugut, Saranda është një pikë e mirë strategjike për të fjetur disa netë dhe për të vizituar destinacione turistike si Butrinti apo Ksamili dhe për të marrë me qira një makinë për të shijuar udhëtimin në bregdet.

BUTRINTI PËRMES HISTORISË

Njezetë kilometrat e rrugës që ndajnë Sarandën nga Parku Kombëtar i Butrintit mund të përshkohen për 40 minuta.

Ndërsa zbrisni drejt zonës arkeologjike të Butrintit, i vendosur në një lloj ishulli të lagur nga deti Jon, pamjet janë spektakolare.

Peizazhi përbëhet nga një sërë qytetesh të vogla dhe tokash me bimësi, ku është e zakonshme të shohësh zogj të shumtë uji, lopë që kullosin ose kuaj të egër.

Për të hyrë në Butrint, që ndodhet në bregun tjetër, duhet të hipni në një platformë druri lundruese, e cila lëviz përmes një sistemi rrotullues rudimentar.

Më parë, ju mund të vizitoni kështjellën veneciane në formën e një fortese trekëndore, e cila u ndërtua në shekullin e XV për të mbrojtur qytetin e vogël.

Me një sipërfaqe prej më shumë se 200 hektarësh, parku arkeologjik ruan mbetje nga e kaluara greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.

Rrënojat më të vjetra datojnë në epokën e bronzit, por qyteti si vendbanim i përhershëm u ndërtua nga grekët në shekullin e VIII para Krishtit.

Ky muze mbresëlënës në ajër të hapur u zbulua në vitin 1920 nga arkeologët italianë dhe që nga viti 1992 është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

KSAMILI, I NGJASHËM ME KARAIBET

Dhjetë minuta me makinë nga Butrinti, duke ndjekur rrugën SH81 pa kaluar sërish në bregun tjetër, arrini në Ksamil, një qytet i ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë në një vijë të vogël bregdetare që përballet me tre ishuj që mund të arrihen edhe duke notuar.

Kjo pjesë e bregdetit ku ndodhet Ksamili, e cila aksesohet edhe nga Saranda – është destinacioni më i pëlqyer i plazhit mes shqiptarëve dhe turistëve të huaj, të tërhequr nga ujërat e kaltër kristal të ngjashme me atë të detit të Karaibeve.

Plazhet e saj janë me rërë të bardhë, ndryshe nga pjesa më e madhe e bregdetit të Jonit të Shqipërisë, dhe ofrojnë perëndime unike të diellit.

BORSHI: GJASHTË KILOMETRA PLAZH TË EGËR

Për të shijuar Rivierën Shqiptare në të gjithë shkëlqimin e saj duhet të udhëtoni drejt Borshit, pak më shumë se një orë me makinë nga Saranda.

Nëse arrini në këtë qytet gjatë mbrëmjes, do të magjepseni nga perëndimi i diellit.

Kjo rrugë ka një shtrirje prej më shumë se 100 kilometra përgjatë bregut të Jonit midis shkëmbinjve, maleve të larta dhe pamjeve të pabesueshme të detit blu deri në portin e Parkut Kombëtar të Llogarasë, një pikë gjeografike që shënon ndarjen me bregdetin e Adriatikut.

Plazhi i Borshit është më i gjati në të gjithë Rivierën, me gjatësi prej gjashtë kilometrash.

Është me guralecë dhe nuk është e nevojshme të marrësh me qira një shezlong dhe një çadër siç ndodh në pjesë të tjera të bregdetit.

Plazhi mbetet ideal për të kaluar një ose dy ditë në plazh, pa zhurmën e natës, hoteleve dhe ndërtesave në qytete të tjera.

Plazhi i Borshit ka një shëtitore ku ndodhen disa restorante ngjitur me plazhin dhe që shërbejnë ushqime tradicionale të zonës si, oktapod i pjekur në skarë, midhje, kallamar apo makarona me (frutti di mare) – ndikimi italian është shumë i pranishëm edhe në gastronominë shqiptare.

PORTO PALERMO 

Duke vazhduar në veri, rruga ju lejon të lini makinën në disa këndvështrime për të soditur bregdetin nga lart. Pamjet janë mahnitëse.

Pak më tutje mund të shihni disa bunkerë betoni të vendosur në pjesën e shpatit të malit me pamje nga deti.

Diktatori komunist që drejtoi fatin e Shqipërisë për 40 vjet, Enver Hoxha, urdhëroi ndërtimin e afro 175 000 bunkerëve në të gjithë territorin nga frika se mos pësonte një sulm apo pushtim të huaj.

Vetëm pak minuta larg ndodhet gjiri i Porto Palermos.

Në një ishull të bashkuar me bregdetin me një rrip të ngushtë toke, ndodhet kështjella e Ali Pashës, një guvernator i Perandorisë Osmane në Ballkan, i cili kishte pushtet të madh në këtë zonë gjatë shekullit të XIX.

Kjo kështjellë, origjina e së cilës i atribuohet venecianëve, mund të vizitohet gjatë ditës.

Gjithashtu, bie në sy zona e nëndheshme, e cila në kohën e pushtimit italian ka shërbyer si burg dhe pjesa e sipërme e jashtme ku janë kullat, duke ofruar një pamje mahnitëse të të gjithë gjirit.

PLAZHI I GJIPESË

Vetëm disa kilometra nga Porto Palermo në drejtim të qytetit të Dhërmiut, i cili është rreth 40 minuta larg, mund të shihni një bunker nëndetësesh në shpatin e poshtëm të një prej maleve.

Ai u ndërtua në kohën e qeverisë së Enver Hoxhës dhe nuk është i lehtë për t’u aksesuar nga rruga, sepse është në një zonë ushtarake me akses të kufizuar.

Dhërmiu është gjithashtu një pikë interesi për shumë turistëm i cili ofron një plazh mahnitës, një nga xhevahiret në kurorën e Rivierës Shqiptare është plazhi i Gjipesë.

Në Plazhin e Gjipesë mund të merrni frymë dhe të shijoni paqen në një mjedis të egër natyror.

Ka disa bare plazhi dhe disa turistë vendosin tenda për të fjetur dhe për të shijuar perëndimet dhe lindjet e bukura të diellit./atsh/KultPlus.com

Sonte fillon Eurovision 2024

Sonte fillon edicioni i 68-të i Eurovision Song Contest.

15 këngë do të konkurrojnë, por vetëm 10 do të kualifikohen në finalen e madhe të së shtunës.

Shfaqja fillon në orën 21:00 CEST, drejtpërdrejt nga Malmo Arena në Suedi.

Prezantuesit e këtij spektakli janë: Petra Mede dhe Malin Akerman.

Të enjten gjysmëfinalja e dytë do të gjejë 10 kualifikueset e fundit nga 16 këngë.

Shqipëria në ndërkohë do të këndojë në gjysmëfinalen e dytë të Eurovisionit.

Sivjet përfaqësohet nga artistja e mirënjohur shqiptare, Besa Kokëdhima me “Titan”.

Më poshtë jua sjellim listën e vendeve që do të performojnë në natën e parë të Eurovisionit: