Gelanda Shkurtaj prezantoi dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë librin “Doke dhe tradita- një histori e shkurtër e gjakmarrjes ndër kanunet shqiptare”.
Libri u prezantua nga studiuesi Frano Kulli, prof.dr. Afërdita Onuzi, prof.dr. Ksenofon Krisafi dhe shkrimtari Besnik Mustafaj.
Pjesëmarrës në audiencën e lexuesve, të interesuarve dhe studiuesve ishte dhe rektori i Universitetit Epoka, prof. Dr Ahmet Oztas.
Libri trajton nga një pikëpamje antropologjike dhe shkencore gjakmarrjen, këtë plakë të shoqërisë tonë. Duke bërë gjenealogjinë e këtij fenomeni autorja nuk merr qëndrime por paraqet fakte./tema/KultPlus.com
Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka folur shpeshherë haptazi për Kosovën si dhe prejardhjen e saj në ceremoni botërore, emisione të njohura e po ashtu edhe në revistat globale.
Një artiste që shpreh haptazi pikëpamjet e saj lidhur me çështjet e shumta edhe politike, ka folur së fundmi për ndikimin që ka pasur lufta në Kosovë tek ajo dhe gjithashtu komunikimi me njerëzit që e kanë përjetuar luftën dhe kalimin e tyre drejt një “bote krejtësisht të re”, raporton Malvern Gazette.
Duke folur për rrugëtimin e saj muzikor për Elle US, Dua Lipa foli gjithashtu edhe për luftën në Kosovë.
“Kam dëgjuar përjetime nga miqtë (në Kosovë) që kanë humbur anëtarë të familjes. Shtëpitë e djegura”, deklaroi artistja shqiptare, fituese e tre çmimeve Grammy.
“I pashë ata. Kur ke komunikim të drejtpërdrejt me njerëz që e kanë përjetuar luftën, kjo hap një botë krejtësisht të re dhe kjo ndodhi ngjashëm edhe për mua”.
“Ndihem shumë afër (për ata që vuajnë) ndaj padrejtësive në botë, apo ndaj pabarazive”.
“Qoftë luftë, [apo diçka tjetër], të gjithë kanë eksperienca të ndryshme. Ka të bëjë me mbështetjen dhe të mësuarit së bashku”, theksoi artistja e hitit “New Rules” dhe themeluesja e festivalit në Kosovë, Sunny Hill.
Familja e Dua Lipës u kthye nga Britania në Kosovë kur ajo ishte 11 vjeçe. Ajo u zhvendos përsëri në Londër kur i mbushi 15 vjet, për të ndjekur siç ka potencuar ajo gjithmonë “ëndrrën e saj”./ KultPlus.com
Gratë e Trojës, e shkruar nga Euripidi 2400 vjet më parë, përshkruan ngjarjet pas luftës 10-vjeçare mes grekëve dhe trojanëve dhe shpesh konsiderohet si një nga dramat më të mira të shkruara kundër luftës ndonjëherë.
Drama flet se si gratë e mbijetuara pas luftës së Trojës, pasi qyteti i tyre ishte plaçkitur dhe burrat e tyre ishin vrarë, u ndanë në mes pushtuesve duke u zënë robër nga ta.
Përvojat, vuajtjet dhe situatat e grave Trojane janë të shtjelluar në këtë tragjedi, ashtu siç shtjellohet fati i Hekubës, Andromakës, Helenës, Kasandrës dhe grave të tjera të Trojës në shfaqjen “Gratë e Trojës” ku u trajtuan temat e luftës, feminizmit, dhunës dhe dinjitetit njerëzor.
Një prezantim skenik i bazuar në dramën e Euripidit, u shfaq në Kino Lumbardhi në Prizren, me 15 prill, si një shfaqje bashkëpunuese mes trupës së Artpolis me regjisore Zana Hoxhën dhe me regjisoren Maja Mitic dhe aktorë të tjerë nga Serbia.
E veçanta e kësaj shfaqjeje është se ajo është e punuar në shqip dhe serbisht, nuk ka titra, por që fjalët e thëna nga aktorët në secilën gjuhë, në njëfarë forme të mjaftojnë për ta kuptuar esencën e shfaqjes. Ky diversitet që drama e promovon shihet edhe në pjesëmarrjen e publikut.
Kjo shfaqje feministe na e tregon luftën prej shumë perspektivash dhe prej shumë kohësh. Në zemër të saj është dhimbja e më të pafuqishmëve dhe më të pambrojturave në shoqëri gjatë kohërave të luftës, ata dhe ato të cilët bartin më së shumti pasoja.
Elementet skenike, sado të pakta, si dhe ndriçimi adekuat, të kombinuara me pamjet e çrregullta të aktoreve dhe me një koreografi mbështetëse jehojnë vazhdimisht me mesazhin e shfaqjes.
Një skenë e fuqishme kur gratë kapërthehen në mes me litarë nga figurat meshkuj të shfaqjes, tregon vizuelisht izolimin total fizik dhe emocional të tyre. Njëherit kjo skenë dinamike përcjell edhe emocione të forta te publiku. Në një moment shfaqja nxjerr në pah para audiencës arsyen qesharake të grekëve për fillimin e luftës së Trojës.
Hekuba shfaqet e tmerruar dhe e tërbuar nga vuajtjet që gratë durojnë nga lufta e burrave. Kasandra hakmarrëse pret të bëhet konkubinë e Agamemnonit sepse ashtu ka urdhëruar ai. Dashuria e nënës dhe humbja e fëmijës paraqitet më tej nga Andromaka gjersa ajo zbaton urdhrin e tmerrshëm që ta dorëzojë djalin e saj për t’u therur nga grekët.
Shfaqja gjithashtu është një thirrje për shoqërinë që të flasim për traumat, frikën dhe përjetimet tona ngase siç tha edhe regjisorja Mitic “Duke folur për to ne zgjedhim mënyrën më të mirë që ta kuptojmë njëri-tjetrin”. Mbi të gjitha shfaqja mbetet një thirrje e qartë për tolerancë, empati dhe paqe.
I njohur për aktivizëm të vazhdueshëm shoqëror përmes artit, sidomos prej një këndi feminist, Organizata Artpolis përmes kësaj shfaqjeje sjell revolucion në teatrin kosovar, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e publikut në komentim dhe ide-dhënie.
“Teatri është një laborator që të ofron shumë mundësi. Kisha dashur që ne si shoqëri të flasim më shumë se si të ecim përpara, dhe të mendojmë realisht si është me e ndërtu paqen, pa harru të kaluarën dhe pa e harru drejtësinë,” tha regjisorja Zana Hoxha, në një diskutim me publikun pas shfaqjes.
Edhe pse e shkruar fillimisht nga Euripidi si një protestë e zjarrtë kundër mënyrës se si Athina atëbotë i trajtoi të drejtat e grave në rrethana të tilla, shfaqja e sjellur në skenë nga Artpolis, pavarësisht origjinës së saj të lashtë, rezonon edhe në ditët e sotme.
Shfaqja gjithashtu flet edhe për politikanët e sotëm dhe qëndron si metaforë për arrogancën e pushtetit.
Në shfaqje shihet që regjisoret kanë ndërthurur elemente moderne, sidomos në një skenë proteste ku aktoret përmendin emrat e shteteve të përfshira në luftë.
Të braktisuar nga zotrat, që do të përkthehej nga mekanizmat e tjerë vendimmarrës e paqe-rregullues në kohën e sotme, gratë, madje edhe popujt, fatkeqësisht vazhdojnë të vuajnë e të vriten padrejtësisht.
Kështu shfaqja kalon nga tema e luftës, në promovimin universal të paqes, jo vetëm për gratë, por për gjithë njerëzimin.
Një ekperiment i tillë teatral me temën e Grave të Trojës në qendër, me regjisorë dhe aktorë të ndryshëm nga dy shtete me histori konflikti, por edhe me përfshirjen e audiencës në komentim të shfaqjes, duket të jetë bashkëpunim mjaft premtues, plotësinë e të cilit do ta shohim atëherë kur shfaqja do ta prezantojë edhe premierën e vet./ KultPlus.com
Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit zhvilloi një bisedë me Akademik, Profesor Doktor Anastas Angjeli dhe gazetaren Monika Stafa.
Në audiencë ishin akademikë të ndryshëm, profesorë dhe studentë. Debati që gjeneron ide është vetëm në të mirë të librit dhe shoqërisë në përgjithësi.
Zhvillimet ekonomike të Shqipërisë të 30 viteve të fundit, Akademik, Anastas Angjeli i ka përmbledhur në 8 botime seicili voluminoz me mbi 500-600 faqe në kolanën “Ditari i tranzicionit”.
Kolana na sjell në kujtesë në mënyrë integrale historinë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë të pas viteve 90-të. Në botimet e tij, Akademik Angjeli ka pasqyruar një begati diturish, në lidhje me reformat, zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.
Kjo kolanë, si përmbledhje e ngjareve ekonomike në Shqipëri, për 30 vjet, vjen pak muaj pasi profesori mori çmimin “Eqerem Çabej”, çmimi më i rëndësishëm shkencor që akordohet nga Akademia e Shkencave.
Akademik Angjeli është së pari intelektual i çmuar, ekonomist i përmasave evropiane, anëtar i ASHSH, anëtar i akademisë europiane të Shkencave, Doctor Honoris Causa në disa Universitete botërore, themelues dhe President i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë./tema/KultPlus.com
Sot, në Ditën Botërore të Librit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ndau në profilin e tij zyrtar në “Facebook” një takim me bukinistin e qytetit të Elbasanit, Ndriçim Ziu. Prej vitesh, 66-vjeçari Ziu lexon çdo libër që i vjen në dorë, përpara se ta shesë atë.
Presidenti Begaj përcolli këtë histori frymëzuese për të nxitur leximin e librit shqip, një iniciativë e tij, e ndërmarrë që në fillim të mandatit.
“Me bukinistin e qytetit të Elbasanit që ka lexuar çdo libër që gjendet në librarinë e tij shëtitëse. Vendosa të ndaj këtë postim sot për të nderuar fisnikërinë e të lexuarit”, – u shpreh Presidenti Begaj./atsh/KultPlus.com
Ai përtonte të mendonte për lodhjen, thuaj se këpucët i ecnin vet. Madje, fjalën lodhje, rrallë e kishte stisur në poezi, vetëm atëherë kur nuk gjente fjalë tjetër. Të jetuarit e poezisë për pesë dekada e pesë vjet, të jetuarit shtatë dekada i ishte bërë baraz me të jetuarit e vdekjes për çdo ditë.
Kishte shkruar për vdekjen shumë, shumë, por nuk do ta mendonte se rrymimi mortor, do ta përballte të fundit herë në një cep të një kodrinë në Francë, pak orë pas leximit të poezisë.
Poezia e Podrimjes në milienumin e ri nuk e përfshinte vdekjen, madje as nuk e përmendtte. Ai ishte shoqëruar gjatë me të. E kishte projektuar në dhjetëra mënyra, edhe në biseda e sidomos në poezi; ishte bërë kronikan i saj; vdekja i ishte bërë bashkëudhëtare dhe krah, prandaj nuk e kishte pasur frikë. Ajo ishte bërë edhe thumb i thembrave të tij gjatë tërë jetës. Por çuditërisht, ato gungëza thembrash, kur poeti kishte nisur ta jetonte moshën e tretë, kishin zënë të zbuteshin.
Së fundi, as që dëshironte të shkruante poezi për vdekjen. Ose, ose duke iu afruar asaj moshe kur të gjithë jemi më afër të qenët vdekatar, poeti, zuri ta përjashtonte si ngjarje, si përfundim, si nocion. Vetëm në disa raste pothuaj shakaje kur miqëve u drejtohej me cepin e buzës në gaz: mixhë, po du me vdekë. E dinte që tjetri do të reagonte duke ia përmendur shekullin. Sapo e dëgjonte këtë fjalë, vinte kasketën mbi kokë. E ecte. Ecte shumë, thuase donte ta mbyste nocionin vdekje.
E një pasdite 18 korriku, ai i zbathi këpucët verore, sikur donte ta përjashtonte ditëlindjen e 70-të që do të shenohej pas pesë javësh. Çuditërisht, këpucët zunë t’i binin ngushtë. Jo që mund t’i vidhte dikush në atë qytet turistik ku mund të vidheshin vetëm gjësendet me vlerë monetare e artistike, por i bëri nënkrese të pushonte një copë herë.
Kush e di çka mund ta kishte habitur gjumin e asaj pasdite dhe dëshirën të mbështetej pak në bankën e drunjtë të asaj kodrine. Iu duk pak si Gërmia, pak si Çabrati e pak si parku i vogël i Prishtinës kur një mike, poete, relativisht më e re se ai i kishte thënë me gjysëm shaka: një pllakē me gravim vargjet tua, mixhë, do t’i rrinin bukur pas një shekulli parkut të qytetit.
Do të donte t’i harronte nga e ecura të gjitha këto. Vetja iu duk përngjasim i pasditeve kur kthehej i lodhur nga shkolla nga e cila pas pak do ta përjashtonin; ndoshta pasmesnateve në spitalet e Parisit kur bënte një sy gjum të lehtë pas gjumit medicinal të Lumit.
Atdheu i Podrimjes ishte çliruar. Gungat në thembra nuk ja rëndonin hapin, por të dyjat po i binin ngusht. Aq ngusht, sa këpucët e buta i bëri nënkrese të fundit herë. Aso këpucësh kishte ëndërruar në fëmijërinë e varfër e në rininë e ikur.
U zbath së fundit herë dhe shputat i morën qetësi. Edhe telefonin e la në qetësi. Edhe të gjitha dhimbjet. Vetëm miqëve e familjarëve ua hapi dryrin e shqetësimit pa e ditur as vet. Edhe armatës së mijëra lexuesve.
Gjumi e zuri pa i dhënë udhë mendimeve. Ato mendime nisën të vlonin të nesërmën e ditës kur ai nuk mund të dëgjonte më.
Veshët iu kishin mbyllur përgjithmonë mbi këpucët e blera në Prishtinë./ KultPlus.com
Sot është Dita Botërore e Librit, një ditë, për mua e shenjtë, në kuptimin më të epërm të fjalës, në të cilën, me pietet e nderim, mendoj për këtë pasuri të madhe njerëzore, mendoj për sa e sa shkrimtarë, që më kanë magjeps e formuar, mendoj për pasurinë më sublime njerëzore, pa të cilën, qytetërimi, as që do të mund të imagjinohej.
Prandaj, në këtë ditë, dua ta sjell në vëmendje një mendim shumë me vlerë, të shkrimtarit Mario Vargas Llosa, laureat i Çmimit Nobel për Letërsi, autor i shumë veprave mahnitëse letrare, i cili në një rast ka thënë: “nëse ne si qytetarë nuk duam të jemi thjesht zombi, qenie që pranojnë gjithçka që u imponohet nga lart, duhet ta ngopim shoqërinë me letërsi.”
…
Libri ka forcë magjepse, edukuese, njohëse, çliruese, një libër i mirë është si një krua gurgullues e i pashtershme, që të freskon, të mëson, të bën t’i kuptosh limitet dhe njëkohësisht të jep forcë t’i thyesh ato, që të luftosh t’i thyesh muret që të rrethojnë e të guxosh të sfidosh përherë të keqen, tiranitë, frikën që të mbërthen e pasigurinë që të trazon. Prandaj, i mbështjellë me shenjtërinë e librit, lexuesi bëhet më imun kundrejt forcave shtypëse, nuk pranon lehtësisht nënshtrimin dhe kërkon përherë lartësi e vlera sublime. Sepse, libri i jep njeriut flatra dhe e bënë të fluturojë nëpër kohë e hapësirë, të sheh me sytë e të tjerëve dhe të formojë sensin e të bukurës.
Po, libri është shuajta prej së cilës njeriu duhet të ushqehet përditë, sepse kjo shujtë mund ta bëjë jetën e tij më të shëndetshme e më të bukur, dhe njëherësh, lexuesit ta edukojë që t’i përballojnë më lehtë tërmetet shpirtërore.
Libri i letërsisë, arti, duke qenë një botë paralele, më e vërtetë se të gjitha të vërtetat tjera, e thërret lexuesin t’i thyej muret e izolimit, ngaqë, siç thoshte Franz Kafka, “një libër duhet të jetë sëpata për detin e ngrirë brenda nesh.”
Dhe njeriu shpeshherë ndodhet në këtë det të ngrirë, të izolimit, frikës, shtypjes, dhimbjes, e libri, mund të jetë sëpatë për ta thyer këtë det e për të udhëtuar me të nëpër ujëra të ëmbla, në një botë ku të vërtetat janë të amshueshme, të pacunsurueshme, sepse janë të lidhura me temat esenciale të ekzistencës njerëzore.
Letërsia i edukon njerëzit me ndjenjat e lirisë, i bënë empatik, i bënë më human, më kërkues e më refuzues, prandaj letërsia ka treguar përherë ç’rëndësie ka liria, ajo e njëmenda.
Po, libri i mirë, lexuesin e merr nën flatrat e veta të ëmbla të bukurisë së gjuhës dhe të imagjinatës, e shetit, dhe lexuesi ngjitet në lartësi, prej ku i mahnitur sheh botën, gëzohet, vuan, udhëton nëpër kohë e hapësirë, qytete e vende, ballafaqohet me doke e zakone, tiranë të egër e dashuri përvëluese, për jetën dhe lirinë.
Por, një libër, po ashtu ka forcë që të futë në ferr, si Dante apo Zef Pllumi ynë, ku sheh të keqen njerëzore dhe përmasën tmerruese të saj, dhe të ndihmon të gjakosh që të kalosh në epërsi të lumtura, në botën e lirisë, në parajsën e lumtur.
Ka shumë mendime domethënëse e me peshë për librin, por mua pëlqen të kujtoj Hessen, i cili thoshte se librat janë shpikja ma e vlefshme e njeriut, kurse erudit tjetër, Borgesi, fliste për lumturinë e librit e për parajsën si një bibliotekë, ku jetojnë shpirtrat e shenjtë dhe veprat e tyre madhështore.
Sot është Dita e Librit, pra ditë nderimi e falënderimi, në të cilën duhet t’i kujtojmë me pietet dhe nderime, të gjitha ata shkrimtarë që shkruan vepra të mëdha dhe na ushqyen mendjen e shpirtin me rrëfime madhështore.
Dhe kjo botë është e madhe, një univers infinit.
Në këtë ditë të veçantë të shenjtërisë së librit, duhet të kujtojmë librin e shkruar në gjuhën e bukur shqipe, pa forcën e së cilit nuk kuptohet kombi ynë. Të kujtojmë sot Gjon Buzukun, themeluesin e kulturës dhe shkrimit shqip, njeriun që shkroi për dashni ndaj popullit dhe gjuhës. Pastaj atë çetën e profetëve letrarë shqiptarë, Budin, Bogdanin, Bardhin e Varibobën, De Radën, Frashërlinjtë, Mjedën, Fishtën, Konicën, Kutelin, Koliqin, Camajn, Reshpjen, Shkrelin, Pashkun, Pllumin, Podrimjën, Markon, Rugovën, Kadarenë, dhe po ashtu, t’i lexojmë dishepujt e sotëm të gjallë, që shkruajnë bukur e me devocion letërsi të mirë shqipe. Dhe këta, janë të shumtë./ KultPlus.com
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim ndaj grupit të parë prej gjashtë personave në rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se të akuzuarit janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga gjykata pasi kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.
B.Rr është dënuar me 12 vite burgim, ndërsa të akuzuarit D.Rr, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej 10 vitesh, secili veç e veç.
Kurse, i akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale të Dhunimit, i pandehuri D.RR është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit, i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit.
Të akuzuarve B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S dhe M.R. iu është caktuar masa e paraburgimit deri ne plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Këtë e ka konfirmuar edhe avokataje viktimës, Kimete Krasniqi për Insajderin, e cila tha se është marrë vendimi dhe se sipas saj, ky është një vendim meritor.
“Po është marr vendimi. Është dënim meritor. Vetëm njeri prej tyre është liruar nga aktakuza ndërsa të tjerët janë dënuar me burgim . Njeri nder ta është dënuar me 12 vite burgim ndërsa te tjerët me nga 10- vite burgim”, tha ajo.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, të moshës madhore, si të dyshuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në muajin qershor.
Rasti i dhunimit të 11-vjeçares pati tronditur opinionin kur u bë publik në muajin gusht të vitit 2022.
Atë kohë fillimisht u raportua për pesë persona të dyshuar për dhunim të fëmijës. Më pas u zbulua se 11-vjeçarja ishte dhunuar edhe gjatë muajit qershor./KultPlus.com.
U shfaq dje në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit popullor opera e Giacomo Puccini “La boheme”.
Kjo ishte nata e katërt e vënies në skenë të “La boheme” në Teatrin e Operas, Baletit dhe Ansamblit popullor.
Shkëlqyen Nina Muho në rolin e Mimit, Renisa Laçka në rolin e Musette dhe Amadi Lagha në rolin e Rodolfos.
Gjithashtu u prezantua mirë Armando Likaj në rolin e Marcellos. Këto performanca krijuan një prezantim të mirë te të gjithë spektatorët që e ndoqën shfaqjen.
Artistët ishin në gjendje të ngjallnin emocione të veçanta mes artdashësëve dhe nepërmjet Korit të Zërave të Bardhë dhe Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit u krijua një klimë magjepsëse e muzikës.
La Boheme është një shfaqje për vuajtjet e dashurisë, miqësinë, lirinë dhe mënyrën sesi përshtatet njeriut me lirinë.
Xhelozia luan një rol akoma më të rëndësishëm. Piktorët Marcelo dhe Rodolfo përballen me atë që një shekull më vonë në filozofi do të quhej “mosha e arsyes”, pra në njëfarë mënyre me momentin kur kupton se duhet të rritesh sepse je tashmë zhytur shumë thellë në fëmijëri./tema/KultPlus.com
“Kam mësuar” nga William Shakespeare përbën ndoshta mësimet më të mëdha të dramaturgut tënjohur anglez. Janë mësimet që autori ka nxjerrë përgjatë jetës së tij dhe që vendosi t’i ndante me të gjithë. Njëkohësisht, edhe pse kohërat kanë kaluar, janë mesazhet që vlejnë ende në ditët e sotme për të gjithë ne.
“Kam mësuar se nuk mund të kërkoj dashuri nga të gjithë. Unë mund t’u jap arsye të mira për tëmë pëlqyer dhe pastaj të tregoj durim që jeta të merret me pjesën e mbetur. Kam mësuar se pavarësisht se disa gjëra janë të rëndësishme për mua, disa njerëzve nuk u interesojnë ato dhe nuk kam pse t’i bind për t’i pëlqyer. Kam mësuar se mund të shpenzoj vite për të ndërtuar një tëvërtetë dhe ta shkatërroj atë në disa sekonda.
Unë mund ta përdor sharmin tim për 15 minuta, por pas kësaj duhet ta kuptoj për çfarë jam duke folur. Kam mësuar se mund ta bësh diçka në një minutë dhe pastaj të duhet të mbash përgjegjësi për atë gjë përgjatë gjithë jetës. Kam mësuar se mund të duhet shumë punë për t’u bërë personi që dëshiron të bëhesh, ama duhet të tregosh edhe durim. Por kam mësuar edhe se çdokush mund të shkojë përtej kufijve që i vendos vetes.
Kam mësuar se duhet të zgjedh midis kontrollit të mendimeve të mia, ose të jem i kontrolluar prej tyre. Kam mësuar se heronjtë janë njerëz që bëjnë atë që mendojnë se duhet të bëjnë në njëkohë të caktuar, pavarësisht frikërave të tyre.
Kam mësuar se falja kërkon shumë praktikë. Kam mësuar se në kohëra të vështira, ndihma mund të të jepet nga një person që kurrë nuk e mendoje se do të bënte mirë. Kam mësuar se nuk duhet t’i thuash asnjëherë një fëmije se ëndrrat e tij janë të pamundura për t’u realizuar. Kjo gjë mund të jetë tragjike për ta.
Kam mësuar se nuk mjafton të të falin të tjerët, duhet ta falësh fillimisht veten tënde. Kam mësuar se pavarësisht se zemra ime mund të lëndohet, bota nuk do të ndalet për këtë arsye. Kam mësuar se situatat e kaluara në fëmijërinë time janë përgjegjëse për atë që jam, por jo për zgjedhjet që unë bëj si një i rritur. Kam mësuar se kur dy njerëz debatojnë, kjo gjë nuk do të thotëse ata e urrejnë njëri-tjetrin. Nuk do të thotë as se e duan njëri-tjetrin.
Kam mësuar se sado t’i mbroj fëmijët e mi, ata do të lëndohen një ditë. Kjo gjë është pjesë e jetës. Kam mësuar se jeta ime mund të ndryshojë përgjithmonë në disa orë, për shkak të disa njerëzve që mund të mos i kem parë ndonjëherë më parë.
Kam mësuar se diplomat në mur nuk të bëjnë më të respektueshëm, apo më të zgjuar. Kam mësuar edhe se fjalët e dashurisë e humbasin kuptimin e tyre, kur përdoren pa pjekuri. Kam mësuar se disa njerëz largohen nga jeta jonë, edhe pse ne do të donim t’i kishim pranëpërgjithmonë. Kam mësuar, mbi të gjitha, se është e vështirë të jesh xhentil, të mos i lëndosh të tjerët dhe të mësosh të luftosh për gjërat që beson”./bota.al/ KultPlus.com
Mozaiku i Tiranës do të jetë një qendër ku do të ekspozohen për publikun mozaikët e mbyllur të periudhës së antikitetit dhe atyre të antikitetit të vonë që gjenden në sitet më të rëndësishme si Apollonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, dhe shumë të tjera.
“Kjo iniciativë e shkëlqyer do të lejojë qytetarët të shijojnë pasurinë kulturore të vendit nëpërmjet teknologjive moderne, duke e bërë atë të arritshme për një gamë të gjerë publiku”, shkroi ministri Blendi Gonxhja.
Mozaikë të tille hapen rrallë për publikun duke qenë se janë të rrezikuar nga kushtet atmosferike.
Në të ardhmen, vizitorët vendas dhe të huaj do të kenë mundësinë që njëkohësisht të shohin gjetjen arkeologjike më të vjetër në kryeqytet, e po aty të gjejnë edhe informacion për mozaikët e tjerë anembanë Shqipërisë. Mozaiku i Tiranës do të ofrojë një grafik të përcaktuar vjetor për publikun dhe turistët e shumtë.
Mozaiku i Tiranës mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit./atsh/KultPlus.com
Sot, më 23 prill shënohet Dita Botërore e librit ndërkaq po sot bëhen 456 vjet nga lindja e kurse 404 vjet që kur ndërroi jetë autori William Shakespeare.
William Shakespeare ishte një dramaturg anglez që lindi më 23 prill 1564 në Stratford mbi Avon dhe vdiq më 23 prill 1616 në po të njëjtin qytet.
William Shakespeare e ngriti artin poetik në majat më të larta. Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë përsipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë. Vepra e tij së bashku me Biblën dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut janë shtyllat në të cilat ngritet identiteti i Evropës historike.
Shakespeare konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Njeri nder shkrimtarët më të famshëm në botë. Ai ka qenë komediograf, dramaturg, por edhe aktor. Ai jo vetëm që shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme të cilat hynë në historinë e letërsisë botërore, por edhe shumë komedi dëfryese që nuk u shfaqen kurrw.
Veprimtaria dramatike e Shekspirit u zhvillua në kuadër të teatrit elizabetian dhe ka si kuadër historik mbretërimin e Elizabetës I (1558 – 1603). Kjo epokë njihet dhe si epoka e artë e teatrit anglez. Përkrah teatrit klasik, ky teatër përbën dukurinë më të rëndësishme e më të mrekullueshme për teatrin botëror në përgjithësi. Në këtë periudhë lëvrohen të gjitha llojet e dramatikes me të njëjtin sukses madje pasurohen me elemente të reja. Por kulmin e arrin tragjedia, e cila i paraqet heronjtë para konfliktesh e dilemash të skajshme, prej të cilave dilet me vullnet e forcë shpirtërore të paepur ose dalja nuk ekziston fare.
Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.
Aftësia e tij qëndronte në të hedhurit e rrëfimit përtej, për të përshkruar kështu pamjet e brendshme dhe të thella të natyrës njerëzore. Mendohet se pjesën më të madhe të veprave të tij t’i ketë shkruar midis viteve 1585-1611, edhe pse kronologjia e veprave që i atribuohen atij nuk njihen me saktësi, duke shkaktuar kështu mangësi në lidhje me hartimin e një biografie të thellë dhe të plotë për këtë figurë madhështore të letërsisë.
Shekspiri përdori rreth 20 mijë unitete gjuhësore ndërkohë që fjalori aktiv i njeriut të epokës nuk përmbante më shumë se 1500 fjalë. Kishte një gjuhë jashtëzakonisht te gjallë dhe të pasur. Përdorte neologjizmat, lojërat e fjalëve dhe fjalë me shumë kuptime. / KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore.
Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë.
I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.
Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit.
Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit./KultPlus.com
Shqipëria është destinacioni ideal për të gjithë pushuesit që kërkojnë det, rërë dhe mot me diell.
Saranda, një qytet bregdetar në jug të vendit i ofron të treja – dhe është jashtëzakonisht i përballueshëm, shkruan e përditshmja britanike “Birmingham Mail”.
Qyteti mesdhetar ka një vijë bregdetare mbi 285 milje dhe është i bekuar me 300 ditë me diell në vit.
Destinacioni i fshehtë i pushimeve në Rivierën Shqiptare është i njohur për plazhet me rërë, ujërat e pastër dhe atmosferën e qetë.
Saranda ndodhet në një gji të hapur në detin Jon dhe ka një klimë mesdhetare, me temperatura maksimale deri në 34 gradë Celsius në korrik dhe gusht, duke e bërë atë një vend të shkëlqyer për pushime në plazh.
Larg bregut të Sarandës, turistët do të kenë mundësi të eksplorojnë Kalanë e Lëkurësit që ofron pamje të mrekullueshme dhe vendin e përsosur për një darkë në muzg në restorantin e kalasë.
Gjithashtu, adhuruesit e historisë mund të zbulojnë mbetjet e qytetit antik të Butrintit, një trashëgimi botërore e UNESCO-s.
Saranda është gjithashtu qyteti më i afërt me ujërat blu të burimit të Syrit të Kaltër, një fenomen natyror pranë Muzinës.
Pushuesit mund të ecin përgjatë kalimit malor të Llogarasë ose të bëjnë një udhëtim ditor në ishullin e afërt të Ksamilit, i cili shpesh krahasohet me Maldivet.
Shëtitorja e qytetit është e mbushur me restorante, dyqane dhe bare dhe turistët britanikë mund të shijojnë pijet lokale me çmime të lira.
Një kafe kushton rreth 200 lekë (ekuivalente me 1,70 paund), një litër birrë vendase është rreth 250 lekë (2,11 paund), ndërsa kostoja për një birrë të vogël të importuar fillon nga rreth 120 lekë (1 paund).
Në Sarandë nuk ka ende një aeroport, kështu që mënyra më e shpejtë për të arritur atje është të fluturoni drejt Tiranës dhe më pas të merrni një autobus ose taksi.
Fluturimet direkte nga Aeroporti i Birminghamit drejt Aeroportit të Tiranës me kompaninë “Ryanair” kushtojne 12,99 paund./atsh/KultPlus.com
Korçarët gjatë 100 viteve ja kanë dalë për të mbajtur në skenë muzikën klasike, edhe në kushte kur një gjë e tillë nuk ka qënë aspak e lehtë.
Një grup instrumentistesh të njohur kanë sjellë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” pjesë të autorëve të njohur korçar që nga Kristo Kono, Nikolla Zoraqi e deri tek Jani Papadhimitri.
Edhe për dirigjentin e njohur Eno Koço fakti që Korça ja dalë të mbajë gjallë muzikën klasike tregon se ky qytet është djepi i kësaj rryme.
“Sollëm 6 vepra të kompozitorëve korçare e një të huaj. Muzika klasike në vijimin e kohës do rezistojë me shume se bumbumet e çastit, kurse muzika klasike mbetet, futet thellë në shpirt. Ka 100 vite muzikë klasike në Korçë dhe që reziston. Korça është djepi i muzikës klasike”, tha dirigjenti Eno Koço.
Violinisti i njohur njëherazi drejtues artistik i këtij formacioni orkestral Lorenc Radovani tha se nuk ka qënë e lehtë të sjellësh në skenë pjesët e kompozitorëve të njohur pasi për instrumentistët kjo krijimtari muzikore luhet për herë të parë.
“Do thoja që ishte një mbrëmje e këndshme, relativisht e vështirë për ne sepse gjithë pjesët ishin premierë, 7 vepra të pa luajtura me pare, të cilat kanë nevojë për atë korrekturen e premierës. Them që përcollëm mirë idetë e veprave, përmirësimi dhe eksperienca interpretativ është një proces me kohën. U kënaqem dhe me reagimin e publikut”, tha violinisti Lorenc Radovani.
Brenda pak ditësh në Korçë janë dhënë dy koncerte me muzikë klasike, pak ditë më parë është rikthyer orkestra simfonike ndërkohë që në një sallë të mbushur plot me artdashës është mbajtur dhe koncerti i dytë i këtij lloji./euronews/KultPlus.com
Në Libohovë 100 vjet pasi Avni Rustemi është ndarë nga jeta ka përfunduar restaurimi i shtëpisë së tij të lindjes e cila prej dekadash ishte në degradim dhe rrezikonte shembjen.
Objekti dy katësh i vendosur në lagjen e sipërme të Libohovës do të shërbejë si muze për jetën dhe veprimtarinë e një figure emblematike si Avni Rustemi por edhe si muze i kohës kur ai jetoi , shtypit, politikës, lëvizjeve shoqërore. Studiuesi Niko Kotherja që drejton Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Traditcionale dhe që ndjek nga afër procesin e muzealizimit tha se muzeu do të pasurohet me më shumë dokumenta dhe aredim autentik për të përkujtuar jetën e shkurtër në funksion të çështjes kombëtare të Avni Rustemit.
“Sot inagurojmë shtëpinë muze të Avni Rustemit e cila ka pasur një fazë të saj të rindërtimit duke pasur parasysh që shtëpia prej vitesh kishte qenë e braktisur dhe e rrënuar. Ky projekt për muzealizimin e kësaj godine do të përfundojë në shtator të vitit tjetër kur do të festojmë 130 vjetorin e lindjes së Avni Rustemit dhe që njëkohësisht do të jetë e gjithë shtëpia e arreduar dhe e pasuruar me dokumenta që flasin për jetën dhe aktivitetin e tij.”- u shpreh Niko Kotherja drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.
Për të përkujtuar 100 vjetorin e vrasjes së Avni Rustemin dhe për të inaguruar çeljen e muzeut kishin mbërritur dhjetëra anëtarë të shoqatës “Avni Rustemi” nga i gjithë vendin. Bashkia e qytetit organizoi një ceremoni përkujtimore për Avni Rustemin në qendër të Libohovës pranë bustit të tij.
Avni Rustemi lindi në Libohovë në shtator të vitit 1895 dhe u vra në Tiranë nga kundërshtarët politikë më 22 Prill 1924. Ai njihet si drejtues i dy organizatave demokratike “Atdheu” dhe “Bashkimi” dhe si ekzekutori i Esat Pashë Toptanit në Paris në vitin 1920, ekzekutim për të cilin drejtësia franceze i dha pafajësi./topchanel/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vizitën e parë në Sofje të Bullgarisë, është pritur nga liderë shtetërorë dhe kanë marrë pjesë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Forumin Ekonomik të Vjenës, që kësaj radhe, sipas Kurtit, mbajti punimet në kryeqytetin bullgar.
“Qëndrimin atje e filluam me pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Forumit. Në fjalën përshëndetëse vura theksin te rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal drejt integrimit më të madh ekonomik dhe prosperitetit për rajonin tonë”, ka shkruar i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në faqën e tij në Facebook.
Për marrëdhëniet e mira ndërmjet vendeve, Kurti tha se sfidat dhe mundësitë, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal kanë biseduar me kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Dimitar Glavchev me të cilin, siç tha Kurti, janë takuar për herë të parë, dhe me presidentin e vendit, Rumen Radev, katër muaj pas bisedës në Prishtinë.
“Ndërmjet takimeve me krerë të shtetit bullgar, isha folës në sesionin e diskutimit me titull “Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në bashkëpunimin ekonomik rajonal”, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës që sivjet u zhvillua me moton “Vazhdimi i ndërtimit të urave në kohë të vështira”. Aty shpalosëm historinë tonë të suksesit dhe arritjet përgjatë qeverisjes sonë dhe vizionin tonë për sektorin e teknologjisë që dita ditës po bëhet identitet i vendit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shkruar se pas Sofjes, vazhdojnë drejt Hanoverit të Gjermanisë bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për më shumë takime me ndërmarrës, investitorë potencialë dhe përfaqësues politikë të landit gjerman Niedersachsen.
Sot janë mbushur 159 vjet nga lindja e Petro Nini Luarasit.
Ai lindi në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës, ishte i biri i Nini Petro Kostallarit, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog, Mësues i Popullit.
Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues.
Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).
Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë.
Pianisti i njohur Agron Shujaku do të paraqitet me prezantimin e projektit “Teknika e Koordinuar Pianistike”, prezantim që do të bëhet në KultPlus Caffe Gallery, të mërkurën prej orës 20:00, shkruan KultPlus.
Objektiv kryesor i këtij projekti është realizimi i mësimeve , video incizimeve të cilat janë të ndara në lëndë ku secila video në mënyrë të veçantë e adreson një problem të veçantë të teknikës pianistike dhe synon që të ofrojë sugjerime për zgjidhjen e problemeve përmes këshillave praktike se si adresohen.
Nxënësit e pianos të gjitha shkollave muzikore në Kosovë, përmes video materialeve të përpunuara të publikuara në Youtube do të kenë mundësi të arrijnë njohuri të reja rreth teknikës pianistike. Përveç studentëve të pianos po ashtu mësimdhënësit dhe të gjithë entuziastët do të përfitojnë nga mësimet e pianos në këtë metodë pasi njohuritë praktike mund të zbatohen menjëherë në praktikë si ergonometria e qëndrimit në piano, përdorimi i gishtërinjve, parakrahut, nyjës dhe pjesëve tejra të aparatit pianistik me qëllim të integrimit të lëvizjeve lehtësuese.
Ky projekt përpiqet të ndihmojë pianistët e rinj që të luajnë piano me lehtësi dhe të ndihmojnë mësuesit e pianos në zhvillimin e metodologjisë për lehtësimin e punës pedagogjike. Ky projekt ka për qëllim prezantimin dhe njohjen e pianistëve me metodën e teknikës së koordinuar të pianos e cila ka për bazë teknikën Taubman me qëllim të arritjes së teknikës së konsoliduar për pianistët e cilido zhanri të cilët kanë vështirësi teknike në interpretimin e pianos. Ky projekt është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte. / KultPlus.com
Immanuel Kant, kunguesi i “Kritikës së arsyes së kulluar” në mendimin filozofik, mëtuesi i postulatit: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral në mua”…
Immanuel Kant (1724 — 1804) ishte një filozof i madh gjerman dhe një ndër filozofët më të shquar. Vepra e tij “Kritikë e arsyes së kulluar” shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne.
Lindi në vitin 1724 në Kënigsberg, Prusi (sot Kaliningrad, Rusi) si fëmija i katërt nga nëntë fëmijë.
Kanti ishte një nxënës i mirë, megjithëse jo i shkëlqyer.
Ai u rrit në një shtëpi pietiste, një Lëvizje pas Luteriane që dallohej për një përkushtim të fortë, dhe një lexim të hollësishëm të Biblës.
Për pasojë, Kanti mori një edukim të ashpër dhe të rreptë, ndëshkues dhe disiplinor gjë që e ndihmoi atë në mësimin fetar, të latinishtes, dhe rreth shkencave dhe matematikës.
Kanti ishte i pari i cili predikoi dhe hodhi hipotezën se planetët formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, kundrejt idesë teologjike fetare, e cila ishte akoma ideja dominante në kohën e kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore.
Ai gjithashtu do të predikonte për ekzistencën e galaktikave të tjera përveç galaktikës tonë.
Filozofia e Kantit pati një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin perëndimor.
Gjatë jetës së tij, mendimi i tij pati një vëmendje të madhe, shumica kritikë, megjithëse ai pati një ndikim pozitiv të Fishte, Shelingu, Hegeli dhe Novalisi gjatë viteve 1780 dhe 1790.
Nga studimet e rëndësishme të periudhës parakritike është interesante sidomos vepra e Emanuel Kantit “Historia e përgjithshme e natyrës dhe teoria e qiellit”, në të cilën paraqiti hipotezën e njohur të tij mbi krijimin e botës nga thërrmijat materiale të panumërta kaotike që bashkohen atje ku ekziston forca më e madhe e tërheqëse.
Sistemi ynë diellor është, ndërkaq, vetëm një pjesë e universumit, thotë Immanuel Kant.
Duke dalluar në këtë studim të madhërishmen dhe të bukurën, Kanti konsideronte se e madhërishmja duhet gjithmonë të jetë e madhe, ndërsa e bukura mund të jetë edhe e vogël.
Immanuel Kant vdiq ne 12 Shkurt, 1804, ndërkohë që shumë nga veprat e tij i gjejmë dhe sot, e janë ende të vlefshme.
Në vijim, supershendeti.com ju sjell 25 aforizma nga Immanuel Kant…
1. “Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”.
2. “Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes”.
3. “Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit”.
4. “Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai i papërpunuar dhe i egër”.
5. “Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve”.
6. “Një veprim, për të qenë moralisht i denjë, duhet të bëhet nga përgjegjësia”.
7. “Rregullat e lumturisë: diçka për të bërë, dikë për ta dashuruar dhe diçka për të shpresuar”.
8. “Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet”.
9. “Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit”.
10. “Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë”.
11. “Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua”.
12. “Miq të njerëzimit, mos ia mohoni arsyes privilegjin e të qenët guri i fundit i krahasimit me të vërtetën”.
13. “Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën”.
14. “E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyen”.
15. “Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj”?
16. “Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë”.
17. “Nga një dru i shtrembër si ky nga është bërë njeriu, asgjë e drejtë nuk mund të krijohet”.
18. “Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit”.
19. “Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër”.
20. “Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”.
21. “Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”.
22. “Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën”.
23. “Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur”.
24. “Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder”.
25. “Shkenca është dije e organizuar. Mençuria është jetë e organizuar”.
Sot në Ditën e Tokës, artisti Driton Selmani ka zbuluar instilacionin “Muri apo Premtimi i Prirët”, në Kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Kjo vepër është një shfaqje e veçantë e krijuar me përdorimin inovativ të plastikës së ricikluar, duke krijuar një reflektim të fuqishëm mbi ndërgjegjen mjedisore dhe nevojën e urgjencës për praktika të qëndrueshme.
Kjo ngjarje u organizua nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me zyrën e Presidencës dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë si shenjë për fillimin e Ditëve të Tokës në Kosovë.
Të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përfaqësuesi i UNDP-së, Nuno Queiros, përfaqësues të presidencës, artistë e qytetarë./ KultPlus.com
Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Tairi ishin të pranishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, të cilat në këtë mbledhje ishin prezentë me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
KultPlus merr vesh se edhe pse emrat e grave të lartpërmendura janë regjistruar më herët, ashtu sikur edhe është kërkuar me protokol, pak para fillimit të mbledhjes është tentuar nga administrata e OKB-së që katër gratë nga Kosova mos të lejohen të futen në sallë.
Poashtu KultPlus merr vesh se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte ajo që ka refuzuar të futet në sallë pa prezencën e grave, gra të cilat janë dëshmi e gjallë për vuajtjet dhe tmerret që i kanë përjetuar nga ushtria serbe, pikërisht 25 vjet më parë.
Ndryshe, prezencën e grave në sallën e OKB-së nuk e ka pritur mirë as presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq, i cili ka thënë se për këtë pjesëmarrje ata nuk ishin të paralajmëruar./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë kritike tej mase ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ajo i tha atij se duhet t’u kërkojë falje viktimave të luftës në Kosovë, duke përmendur katër heroinat Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, që ishin të pranishme sot në seancën e KS të OKB-së.
Po ashtu, ajo e ka pyetur Vuçiqin se a ndihet keq për të kaluarën që ishte pjesë e një kabineti qeveritar të ‘Kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviq.
” Ajo çka deklaroi Vuçiq nuk është e vërtet. U ftoj të gjithëve të vizitoni Kosovën të shihni vet përparimin që kemi bërë demokracinë që është në zhvillim e sipër mund të kuptoni dhe vendosni nëse doni t’u besoni syve tuaj apo gënjeshtrave të tij”.
“Unë nuk fola për të kaluarën, unë fola për Kosovën. E tashmë Kosova e sotit është e ndërtuar mbi dhimbjet e së kaluarës për një arsye të vetme për shkak të mungesës së drejtësisë. Të gjithë e dimë dhe e kemi mëusar nga historia se paqja kërkon të përballemi me të kaluarën në këtë kuptim në vend që të shpërndajë propagandë Vuçiqi sot është dashtë të na tregoj se nëse ai se nëse është pajtuar se nuk duhet të ishte pjesë e atij regjimi që ka vrarë 150 mijë civilë. A ndihet keq për të kaluarën dhe gjenocidin që ka shkaktuar parlamenti i tij?”, ka thënë Osmani
“Viktimat e atij regjimi Vuçiq janë këtu, merr pak kohë kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”, ka thënë Osmani.