Pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, hapësira ku është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë është caktuar si vend ku do të ndërtohet Teatri i Operas dhe Baletit, përcjell KultPlus.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili thotë se shumë shpejt do të shpallet konkursi ndërkombëtar i projektimit.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të tij:
Vazhdojmë me vendosmëri, edhe një hap i rëndësishëm drejt ndërtesës së Teatrit të Operas dhe Baletit
Tashmë e kemi edhe lokacionin, shumë shpejt do të shpallim konkursin ndërkombëtar të projektimit. Ashtu siç jemi zotuar nga fillimi, Teatri i Operas dhe Baletit do të bëhet. Institucionet dhe artistët tanë të operas, baletit dhe filharmonisë do ta kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e shumë të merituar.
Hapësira e destinuar për këtë ndërtesë është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës për votën e tyre dhe kryetarin e komunës Përparim Rama për bashkëpunimin në këtë rast.
Qeveria e Kosovës do të bëj më të mirën për t’i zbatuar të gjitha fazat pasuese me efikasitet dhe cilësi, deri në momentin e inaugurimit të hapësirës më të madhe kulturore në shtetin tonë./ KultPlus.com
Sot edhe në kopje fizike, ministri Hajrulla Çeku ka pranuar letrën e ministres franceze të kulturës Roselyne Bachelot – Narquin, përmes së cilës ajo konfirmon vullnetin e qeverisë franceze për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit kinematografik me Kosovën.
Marrëveshja përkatëse mes dy shteteve do të nënshkruhet gjatë Festivalit të Kanës në pjesën e dytë të muajit Maj. Kjo marrëveshje u ofron mundësi dhe mbështetje shtesë filmbërësve të Kosovës për bashkëpunime kinematografike me partnerët francezë.
“Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për zyrtarët e Ambasadës së Francës në Kosovë, duke filluar nga ambasadorja Marie-Christine Butel, këshilltari për kulturë Donato Giuliani, dhe atasheu për kulturë Valon Ibraj. Angazhimi i tyre këmbëngulës ka qenë vendimtar për jetësimin e kësaj marrëveshje bilaterale”, ka shkruar Çeku në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Skuadra nga Kosova, Bad News Eagles, ka arritur që të shkruajë histori në e-Sports, duke u kualifikuar në një turne madhor, shkruan KultPlus.
Ekipi kosovar triumfoi 2:1 ndaj Sinners për ta siguruar biletën për në Belgjikë, në turneun më të madh në botë në ESports, pikërisht në “PGL Major Antwerp 2022”.
Për këtë gjë ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke uruar djemtë për suksesin historik.
“Historike për komunitetin E-Sports. Ekipi ynë Bad News Eagles kualifikohet në turneun më të madh në botë të CS:GO, PGL Major Antwerp 2022. Përgëzime Flatron, Sener, Dionis, Rigon, Genc, krenari pa fund”, shkroi i pari i Kulturës. /KultPlus.com
Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, shkruan KultPlus.
Me instalacionin “Monumentaliteti i Përditshmërisë” të artistit Jakup Ferri, Kosova prezantohet sivjet në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor.
Në edicionin e sivjetmë, të 59-in me radhë, Kosova merr pjesë për herë të pestë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës është krahas atij të Ukrainës që paraqitet me ngjyra të zymta.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ndarë një fotografi ku shihen ministrat e kulturës na shumë shtete europiane që morën pjesë në këtë hapje.
“Me ftesë të ministrit italian të kulturës Dario Franceschini, në solidaritet me popullin ukrainas, dje në pavijonin e Ukrainës në Bienalen e Venecias, bashkë me ministrat e kulturës nga shumë shtete europiane”, ka shkruar Çeku. /KultPlus.com
Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.
Me instalacionin “Monumentaliteti i Përditshmërisë” të artistit Jakup Ferri, Kosova prezantohet sivjet në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor.
Në edicionin e sivjetmë, të 59-in me radhë, Kosova merr pjesë për herë të pestë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës është krahas atij të Ukrainës që paraqitet me ngjyra të zymta.
Me këtë rast, i pranishëm në hapjen e Pavijonit të Kosovës ishte edhe ministri Hajrulla Çeku i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet soicale ka përgëzuar artistin Ferri për punën e tij.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Në një mjedis plot energji pozitive dhe shumë pjesëmarrës, sot hapëm për vizitorë nga mbarë bota pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias.
Krenari pa fund të shohim punën e artistit Jakup Ferri dhe paraqitjen dinjitoze të vendit tonë në një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare të artit. Hapësira plot jetë e pavijonit ku gjithçka brenda tij është e punuar dhe kuruar deri në detajin e fundit po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve dhe ky fakt na gëzon shumë.
Përgëzime artistit Jakup Ferri, kuratores Inke Arns, komisioneres Alisa Gojani Berisha dhe gjithë ekipit për punën që kanë bërë në prezantimin e vlerave të krijimtarisë sonë artistike. / KultPlus.com
“Vizatimet janë bërë në fillim të luftës nga motra ime, Aida Mehmedagie. Jetonim pranë spitalit të qytetit, në një lagje që ishte objekt i shpeshtë i granatimeve. Ishte shumë e rrezikshme të dilnim dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonim në shtepi ose në bodrum. Ajo në njëfarë mënyre mbante gjithmonë një libër ose ngjyra në duar. I pëlqente të vizatonte, ishte e talentuar dhe shpesh krijonte vepra te vërteta artistike nën dritat e Ilambave! Ndonjëherë ajo shkruante letra drejtuar shoqes por në fakt ato ishin një lloj ditari per shënime.
Së shpejti pas këtyre letrave dhe pak pas ditëlindjes së saj te shtatëmbëdhjetë, një mbrëmje relativisht te qetë, dikush trokiti në derë. Ne ishim vetëm në shtëpi. Babai ishte te komshiu lart, luanin shah, dhe nëna ishte në detyrë në punë. Ishte njëra nga shoqet e motrës. Një ditë më parë kishin pasur një debat dhe i ka bërë thirrje të ‘pajtohen’. Motra mbeti në pragun e gjerë para derës dhe unë hyra në kuzhinë me qellim qe t’iu bashkohesha atyre së shpejti. Papritur u dëgjua një zhurmë e fortë, e gjithë shtëpia u dridh dhe gjithçka u mbulua nga pluhuri. Dëgjova britma dhe zërin e babait. U ula, pa mundur të lëvizja nga tronditja. Menjëherë pas kësaj, babai hyri në dhomë, krejtësisht i shqetësuar dhe mori vetëm batanijen! Nuk e pashë më Aidën time.”, thuhet në rrëfimin e Selmas nga Bosnja, rrëfim ky i bashkëngjitur me vizatimin e motrës së saj e që u ekspozuan në mesin e shumë objekteve dhe rrëfimeve të tjera në ekspozitën e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës që u hap dje për herë të parë në Prishtinë, përcjell KultPlus.
Kjo ekspozitë paraqet objekte dhe rrëfime nga fëmijë që kanë përjetuar luftën në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.
Në mesin e shumë objekteve, në këtë muze paraqitet edhe bluza e Edonit 3 vjeç e gjysmë i cili ishte vrarë gjatë luftës në Kosovë së bashku me shumë fëmijë të tjerë, e rrëfimin për historinë e tij e sjell kushëriri i tij, Blinori.
Në rrëfimin e tij, ai shpjegon se si së bashku me nëntë shokë të tjerë gjatë lojës në fushë hasën në një objekt të pazakontë e i cili u nxiti kureshtje për të ditur se çka është. Përderisa ai vrapoi për t’i kontrolluar kafshët, Blinori tregon se dëgjoi një shpërthim në vendin ku ndodheshin shokët e tij.
“I pashë miqtë e mi të shtrirë përtokë, me fytyra të nxira dhe të mbuluar me gjak Me kujtohet frika dhe një ndjenjë ç’ orientimi. Nuk dija si të kthehesha në shtëpi, por gjithsesi fillova të ecja. Rrugës takova një kushëri timin. U përpoqa t’i tregoja se kishim gjetur një objekt të çuditshëm, se nga ajo gjë ishte dëgjuar një ‘bum’ dhe se i kishte vrarë të gjithë, por nuk mund të flisja. Unë isha në lidhje familjare me shumë fëmijë që vdiqën atë ditë. Fisniku ishte 9 vjeç, Burimi dhe Osmani 13 vjeç dhe Valdeti 15 vjeç. Edoni i vogël ishte vetëm 3 vjeç e gjysmë. Ai ishte djali i xhaxhait tim, kushëriri im i parë. Kjo është bluza e tij.”, përfundon rrëfimi i Blinorit.
Këto dhe shumë rrëfime të tjera do të jenë të ekspozuara deri më 30 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Në hapjen e kësaj ekspozite, e cila vjen për herë të parë në Kosovë, foli Amina Krvava, drejtoreshë ekzekutive e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës e cila fillimisht falënderon ata që e mundësuan realizimin e kësaj ekspozite në Prishtinë.
“Muzeu i Fëmijërisë së Luftës ka filluar si një platformë në të cilën njerëzit, fëmijët e asaj kohe që tani janë të rritur, kanë mundur të flasin dhe të shprehnin ndjenjat e tyre, të ndihen të sigurte dhe të kenë një vend ku ata mund të flasin për historitë e tyre meqë i gjithë ekipi i muzeut që kanë ardhur në Kosovë janë vetë fëmijë që e kanë përjetuar kohën e luftës. Me kalimin e vitit, kjo platformë ka fillu me u rritë më shumë edhe më pas është marrë iniciativa me u shndërru në muze. Në bashkëpunim me një profesor nga Prishtina kanë marrë edhe tregime të fëmijëve të kohës së luftës në Kosovë, të cilat më pas kanë vendosur t’i prezantojnë në vendin tonë dhe të bëhet një bashkëpunim ku do të mund të tregohen ngjarjet dhe ndodhitë e viteve të 90-ta të luftës në Bosnje dhe të viteve 98/99 të luftës në Kosovë.”, thotë Krvava, e cila shton se përveç historive të luftës në Bosnje e Kosovë, ky muze paraqet edhe tregime të fëmijëve të luftërave që tani janë edhe aktuale si në Palestinë, Ukrainë dhe në shumë regjione të tjera.
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit në Kosovë, Hajrulla Çeku i cili vlerëson se Muzeu i Fëmijërisë në Bosnje është një shembull shumë i rrallë i muezealizimit të vuajtjeve të fëmijëve në situata të luftës.
“Çmimet ndërkombëtare që i ka fituar ky muze, shtrirja e tyre, koncepti dhe mënyra se si evoluojnë gjatë gjithë kohës, tregojnë se ky nuk është një muze statik, por është një mundësi e jashtëzakonshme edhe për ne, për të fituar nga kjo përvojë”, thotë ministri Çeku i cili shton se është dakorduar me drejtoreshën Krvava që edhe Kosova ta ketë institucionin e vetë ku muzealizohet fëmijëria e luftës.
“Storjet tona janë ende të freskëta, vuajtjet tona janë të dokumentuara deri diku por kemi nevojë edhe më shumë të bëjmë dokumentim. Kemi organizata, individë e artistë që kanë punuar në Kosovë gjatë këtyre viteve për ta dokumentuar dhe ekspozuar këtë pjesë të dhimbjes tonë, vuajtjet e fëmijëve të luftës së fundit dhe në bashkëpunim me Muzeun e Fëmijërisë së Luftës dhe institucionet përgjegjëse, shpresojmë që Kosova shumë shpejt ta ketë muzeun e vetë kushtuar fëmijëve në rrethana të luftës”, vazhdon Çeku.
Në fund foli edhe profesori, Atdhe Hetemi i cili ka ndihmuar që Muzeu i Fëmijërisë së Luftës të ketë edhe rrëfime dhe objekte që tregojnë për vuajtjet e fëmijëve gjatë luftës në Kosovë.
“Në pamundësi për t’i përfshirë të gjithë ata fëmijë që kanë tregimet e tyre për t’i ndarë, unë jam munduar që përzgjedhjen ta bëj në atë formë që do të jepte mesazhe që në tërë territorin e Kosovës, fëmijët që kanë jetuar këtu gjatë viteve 1997, 1998 dhe 1999 kanë pësuar traumat e veta”, thotë Hetemi.
Muzeu i Fëmijërisë së Luftës është një muze historik në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë që u hap në janar 2017. Muzeu paraqet përvojat e fëmijëve që jetuan luftën në Bosnje, Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë, të treguara përmes objekteve, dëshmive video dhe fragmente nga historitë gojore. Çmimi i Muzeut të Këshillit të Evropës 2018, një nga çmimet më prestigjioze në industrinë e muzeve, iu dha Muzeut të Fëmijërisë së Luftës si pjesë e Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit 2018./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i ka reaguar drejtori të të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pasi ky i fundit kërkoi që qeveria të respektojë vendimin e Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit, shkruan KultPlus.
Çeku i ka replikuar në një postim në “Twitter” Petkoviqit, duke i thënë që përpara se të bëjë kërkesa ndaj Kosovës të fillojë ta njohë faktin që Kosova është shtet sovran dhe demokratik.
“Instanca më e lartë ligjore? Po mendon Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës? Para se ta lejosh veten të bësh ndonjë kërkesë nga shteti ynë, të fillojmë me njohjen e fakteve në terren. Ju lutem përsëriteni pas meje: Kosova është një shtet sovran dhe demokratik”, ka shkruar Çeku.
The highest legal instances? You mean the Constitutional Court of the Republic of Kosova? Before you allow yourself to request anything from our country, let’s begin with acknowledging the facts on the ground. Please repeat after me: Kosova is a sovereign and democratic state. 🇽🇰 https://t.co/RCOGibl0L0
Ministri Çeku poashtu ka kërkuar që Serbia t’i ndalë sulmet terroristen ndaj Policisë së Kosovës.
“Sygjerime shtesë: Kërkoni falje për gjenocidin e kryer(Kisha Ortodokse e Serbisë është e mirëseardhur të ju bashkëngjitet), jepni informatat për personat e zhdukur me dhunë, paguani dëmet ekonomike, përfshirë shkatërrimin e më shumë se një mijë lokacioneve të trashëgimisë, ktheni artefaktet tona të vjedhura. P.s ndalni sulmet terroriste ndaj policisë sonë”, ka shkruar Çeku. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një njoftimi zyrtar ka dhënë lajmin për formimin e grupit Konsultativ për Sportin, në të cilin janë të përfshirë 10 profesionistë, shkruan KultPlus.
Çeku njofton se ka nisur hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Sportit, ndërsa së shpejti pritet të nisë edhe rishikimi i Ligjit për Sportin.
Postimi i plotë:
“Kemi hyrë në vitin më sfidues të mandatit në fushën e sportit. Ka nisur hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillimit e Sportit, ndërsa së shpejti nisë rishikimi i Ligjit për Sportin. Brenda pak ditësh hyn në fuqi Udhëzimi Administrativ për licensimin e federatave, proces që do të zbatohet muajve në vijim. Pas disa projekteve të suksesshme, jemi në finalizim të programit për masivizimin e sportit, me fokus te fëmijët dhe të rinjtë. Do të bëjmë zgjidhje për projektet e infrastrukturës sportive që kanë histori të palavdishme, ndërsa do t’i nisim projektet e reja shumë të nevojshme. Krahas rritjes së mbështetjes financiare për federatat e sportit, jemi duke e zhvilluar modelin për financim të qëndrueshëm të klubeve të sportit.
Për zbatimin e këtij plani sfidues i kemi mobilizuar të gjitha kapacitetet tona të brendshme, po punojmë në partneritet të ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës, ministritë përkatëse të linjës, federatat e sportit, profesionistët e Kosovës dhe ata të jashtëm. Për t’i shtuar kapacitetet zbatuese, sot kemi themeluar Grupin Konsultativ për Sportin, që në përbërje ka profesionistë të dëshmuar të sportit. Mandati i anëtarëve të këtij Grupi, veç tjerash është të këshillojnë Ministrin e Sportit dhe të mbikëqyrin zbatimin e politikave dhe programeve për zhvillimin e sportit”.
Grupi Konsultativ për Sportin përbëhet nga:
1. Edmond Azemi, Drejtor sportiv në KB Prishtina
2. Uta Ibrahimi, Alpiniste
3. Bylbyl Sokoli, Profesor universitar, njohës i futbollit
4. Jeton Oruqi, Nën-kryetar i Federatës së Ping-pongut të Kosovës
5. Agon Fehmiu, Gazetar i sportit
6. Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paralimpik të Kosovës
7. Nazmi Paqarada, Njohës i basketbollit, ish Sekretar i Përgjithshëm në FBK
8. Besim Aliti, Sekretar i Përgjithshëm në Komitetin Olimpik të Kosovës
9. Besnik Thaqi, Nën-kryetar i Federatës E-Sports Kosova
10. Resmije Juniku, veterane e sportit, ish basketbolliste dhe trajnere /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për investimin e kësaj ministrie në Kaçanik, ku edhe është bërë ndërtimi i një palestre sportive moderne, shkruan KultPlus.
“Vazhdojmë me punë të mira në sport”, ka thënë Çeku në një postim në “Facebook”.
Postimi i plotë:
“Kaçaniku me palestër sportive moderne, investim i Ministrisë së Sportit
Vazhdojmë me punë të mira në sport. Përmirësimi i infrastrukturës sportive është detyrim yni karshi sportistëve dhe të rinjve tanë. Me vendosmëri dhe profesionalizëm po i mbyllim projektet e nisura vite më parë dhe të lëna përgjysmë nga planifikimi i dobët dhe neglizhenca. Të rinjtë, sportistët dhe klubet e Kaçanikut tani e tutje do të kenë hapësirën e tyre për të zhvilluar aktivitetin fizik e sportiv, në dobi të shëndetit të tyre dhe përmirësimit të rezultatit në kampionate garuese.
Me përkushtim të lartë po i trajtojmë edhe projektet e tjera të infrastrukturës sportive. Gjatë vitit do të përfundojnë edhe disa projekte në gjithë vendin, ndërsa paralelisht do të nisim investimet në projekte të reja, me fokus në sportet me infrastrukturë të pazhvilluar. Pas rritjes së mbështetjes financiare për federatat e sportit, energjitë tona po i orientojmë në infrastrukturën sportive dhe hartimin e strategjisë shtetërore për zhvillimin e sportit”. /KultPlus.com
Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Hajrulla Çeku ka pritur kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, i shoqëruar nga Kryetari i Federatës së Gjimnastikës së Kosovës, Besim Halilaj, sekretari i përgjithshëm, Amir Tahiraga dhe nënkryetarja Sherife Qerimi, përcjell KultPlus.
Në takim me ministrin Hajrulla Çeku dhe zëvendësministren Daulina Osmani, diskutuan për zhvillimet në sport, veçanërisht në fushën e gjimnastikës.
Ministri Çeku e njoftoi për punët dhe planet që ka MKRS-ja për zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti ndërsa u diskutua për projekte dhe bashkëpunim konkret mes MKRS dhe Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës. / KultPlus.com
Diskutimi i radhës mes ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik u mbajt në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Një takim shumë konstruktiv dhe me plot ide për zhvillimin e mëtutjeshëm të fushës së kulturës.
Ministri Çeku në fjalën e tij tha që reforma pritet të ndahet në institucionet publike të kulturës, ku do të përcaktohen mënyra e funksionimit të tyre, struktura organizative, infrastruktura, dhe në anën tjetër, reforma që do të rregullojë edhe skenën e pavarur kulturore, artistin e pavarur, organizatat e kulturës.
Ndër temat që u diskutuan ishin mosharmonizimi ligjor, çështjet dhe problematikat financiare dhe buxhetore me të cilat përballen shoqatat dhe individët që merren me kulturë, problemet që paraqet Ligji mbi financat publike, mirëmbajtja e objekteve publike të kulturës, pajisja me staf shtesë i drejtorive komunale për kulturë, trajtimi meritor i festivaleve, kufizimet që sjellin rregullativat ekzistuese ligjore, krijimi i një fondi të pavarur në kulturë dhe marrja përsipër e një bordi profesional që ta shpërndajë këtë fond, mënyra e financimit të institucioneve lokale të kulturës, festivalet tradicionale etj.
Gjithashtu u fol për investimin proporcional në kulturë, një përqindje ta financojë niveli qendror dhe përqindjen tjetër niveli lokal, më shumë manifestime kulturore me karakter ndërkombëtar, për Muzeun e Kujtesës, fuqizimin e trupave teatrore, mbështetjen e projekteve që i japin kulturës zhvillim bashkëkohor, artin televiziv, subvencionimi i përmbajtjes programore dhe shumë tema të tjera./ KultPlus.com
Gjithsej 25 stenda të cilat përmbajnë objekte e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut, erdhën nëpërmjet ekspozitës së titulluar “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” që u shpalos sot për publikun në hapësirën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Kur ora shënoi fiks 18:00, ishin të pranishmit ata që zunë vend për të parë nga afër stendat si: Portreti i Erosit nga mermeri, Mbulesën e Ikonës së Gjën Gjergjit nga argjendi dhe ari që ndodhet në Kishën e Gjirokastrës, Dyert e Bukura që i përkasin vitit 1591 e që gjenden në Kishën “Shën Maria” në Berat, Këmbën vazi në formë feniksi që vjen në formën e bronzit, skulpturën Athina Promahos e punuar në mermer, Kokën e Apollonit që po ashtu është punuar në mermer, Dividi dhe kama e shkruesit së Ali Pashë Tepelenës si dhe shumë të tjera që tërhiqnin vëmendjen e gjithsecilit.
Kjo ekspozitë që vjen në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, është realizuar nga Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotove të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë, dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës.
“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” solli para publikut një numër të madh të objekteve të shumta, koleksion të pasur me artefakte arkeologjike siç është koleksioni i objekteve prehistorike, koleksioni i skulpturave, enët nga qeramika, monedhat ilire greke e romake, objekte të punuara në qeramikë dhe metal si dhe koleksione që hyjnë në vazhdën e antikitetit greko-romak për të vazhduar deri në mesjetë.
Pra, qysh nga periudha e antikitetit të vonë e deri tek ajo bizantine dhe osmane, ekspozita synon të paraqes larminë e këtyre objekteve mesjetare që në thelb shpërfaqin kulturën materiale që është formuar në territorin e Shqipërisë si dhe ngjarjet kryesore që kanë zënë vend në territorin e saj.
Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” krejt në fund paraqet disa objekte ikonografike, të cilat përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX.
Ndërkaq, objekt i veçantë në këtë ekspozitë u konsiderua edhe Epitafi i Gllavenicës që daton në vitin 1373.
Fillimisht, fjalën e parë e mori drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili foli rreth bashkëpunimit mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.
“Ju uroj mirëseardhjen në ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në koordinim me Muzeun Kombëtar të Kosovës. Siç e dini më parë kemi pasur një memorandum bashkëpunimi mes dy institucioneve tona që i ka parapri një marrëveshje dhe një kalendar i përbashkët për organizimin e ekspeditave në mes institucioneve. Kjo është ekspozita e parë që po organizojmë dhe të tjerat do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2022. Shpresoj që shpejt do ta kemi edhe ekspozitën nga Muzeu Kombëtar i Kosovës në Muzeun Historik Kombëtar”, thotë Leci.
Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet thesare nga Muzeu Historik Kombëtar që tashmë veçse ekziston rasti që të shihet.
Po ashtu, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth veçantisë së kësaj ekspozite që sipas tij dëshmojnë për të kaluarën e historisë tonë.
“Është kënaqësi e veçantë që sot edhe njëherë gjatë këtij viti, disa muaj pas ceremonisë në Elbasan, po kalojmë nga akti i nënshkrimit tek akti i zbatimit. Është një ekspozitë interesante ku paraqiten thesaret e Muzeut Kombëtar Historik. Është dëshmia e të kaluarës, e historisë tonë dhe e të tjerëve, por mbi të gjitha është një moment për ta freskuar bashkërisht atë që na bashkon dhe çka më mirë se kultura, trashëgimia, identiteti dhe historia jonë e përbashkët”, thotë Çeku.
Sipas tij, në aktivitetet e kalendarit të përbashkët, qëndron synimi për afrimin sa më të madh dhe pikërisht në këtë drejtim do të bëhet gjithë ajo se çfarë i takon Ministrisë së Kulturës.
Ndërkaq, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi theksoi se në këtë ekspozitë gjenden gjurmët e një Shqipërie të hershme që vjen nëpërmjet imazheve.
“Është një kënaqësi e veçantë që të rikthehemi sërish pas një periudhe të aktivitetet këtu në Muzeun Kombëtar të Kosovës për të ardhur në një ekspozitë e cila realizon dhe tregon gjurmët e identitetit kulturor shqiptar. Në këtë ekspozitë ka pjesë të madhe të objekteve kryesore të thesarit që ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar për të vendosur kështu gjurmët e një Shqipërie të hershme e cila vjen jo vetëm përmes teksteve por edhe fotove dhe imazheve”, thotë Koçi.
Sipas tij, kënaqësi tjetër është që në vazhdën e aktiviteteve që do të vinë, fundin e vitit do të përmbyllet me botimin e katalogut të përbashkët të trashëgimisë arkeologjike të Muzeut të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Gjithashtu, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tregoi për dimensionin e lartë nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe Shqipëria me rastin e kësaj ekspozite.
“Shqipëria ka një avantazh në këtë drejtim sepse për të pasur një ministër të suksesshëm siç është Çeku, i ka dhënë një vizion më të gjerë se thjesht të qenurit një ministër, por një njeri intelektual, kulturalisht i përmbushur për të kuptuar edhe ato pak ndasi që ekzistojnë midis nesh por që mund të jenë një vlerë e shtuar për punën që bëhet në Kosovë. Duke parë këtë ekspozitë, më vjen në mendje që po kalojmë në një dimension tjetër më të lartë. Kemi të bëjmë me trashëgiminë kombëtare, që është më e rëndësishme sesa sensi kulturor i ngushtë”, thotë Minxhozi.
Sipas tij, këto ekspozita të kësaj natyre janë shumë të rëndësishme, jo thjesht për t’i vizituar por pse jo që këto të jenë edhe pjesë e teksteve shkollore për arsye se ka shumë mangësi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Krejt në fund, u bë e ditur se me iniciativën e ministrit Ceku, do të organizohet 150 vjetori i Asdrenit, (Himnit Kombëtar), ku në Prishtinë do të bëhet një ceremoni e madhe. / KultPlus.com
Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka takuar sot anëtarët e Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore të sportit.
Në këtë takim ai u bëri të qartë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë së Kosovës në krijimin e këtij dokumenti strategjik për sportin, që do jetë udhërrëfyes shumë i vlefshëm për rritjen e cilësisë së garës sportive në vend, suksesin ndërkombëtar, masivizimin e sportit për mirëqenie e shëndet dhe shfrytëzimin e potencialit ekonomik të sportit.
Udhëheqës i Grupit Punues është Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit Bislim Bislimi. Ndërsa përveq anëtarëve nga stafi i brendshëm i Ministrisë, pjesë e Grupit Punues janë edhe Arben Fetahu, kryetar i FBK-së dhe Besim Aliti, Sekretar i Përgjithshëm i KOK-ut.
Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore për Zhvillimin e Sportit së shpejti pritet t’i bashkohen edhe konsulentë vendorë dhe ndërkombëtarë. /KultPlus.com
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka cilësuar koncertin e Filharmonisë së Kosovës si një mbrëmje magjike, përcjell KultPlus.
“Mbrëmje e magjishme me Bach, katër koncerte për piano, pesë pianistë kosovarë të nivelit botëror, të përcjellur nga seksioni harkor i Filharmonisë nën dirigjimin e maetros nga Bullgaria Svilen Simeonov.
Menan Bërveniku, Mrika Sefa, Neritan Hysa, Jeta Dumnica dhe Misbah Kaçamaku, ishit të shkëlqyeshëm dhe i dhuruat publikut kosovar një natë të rrallë, ju faleminderit.
I gjithë ky program gati dy orësh është realizim i Filharmonisë së Kosovës, dëshmi e pamohueshme e punës dhe përkushtimit”, ka shkruar ai. / KultPlus.com
Ndërtesa e vuajtjeve të shumta dhe e persekutimit të shqiptarëve, por edhe e qëndresës së madhe të aktivistëve të çështjes kombëtare, Burgu i Prishtinës do të shndërrohet në hapësirë të komunikimit me të kaluarën dhe të edukimit për brezat e ri.
Këtë e bën të ditur ministri Hajrulla Çeku nëpërmjet një postimi në rrjetin soical Facebook, ku po ashtu thotë se në fazën e parë do të kurohet ekspozita e përkohshme, ndërsa ndërtesa do të jetë nikoqire e ngjarjeve publike.
“Do të vazhdojmë me shpalljen e ndërtesës aset të mbrojtur të trashëgimisë kulturore dhe projektin e restaurimit për të përmbyllur me ekspozitën e përhershme dhe planin e menaxhimit”, shkruan ai.
Gjithashtu, sot është emëruar ekipin përgjegjës për funksionalizimin dhe menaxhimin e kësaj ndërtese.
“Synimi ynë është që Muzeun e Burgut të Prishtinës ta shndërrojmë në njërën nga hapësirat më të vizituara jo vetëm në qytetin e Prishtinës”, shkruan Çeku. / KultPlus.com
Julien Ezanno – Këshilltar i Çështjeve Bilaterale në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë të Francës, përfundoi vizitën speciale në Kosovë në cilësinë e ekspertit të jashtëm të kinematografisë, për procesin e hartimit të koncept-dokumentit të kulturës.
Takimin e parë ai e realizoi me Ministrin Çeku dhe zyrtarët e Ambasadës së Francës në Kosovë ku u diskutua edhe rreth bashkëpunimit Kosovë-Francë që do të konkretizohet së shpejti në fushën e kinematografisë, përmes marrëveshjes për bashkëprodhim filmik mes film bërësve të Kosovës dhe Francës.
Ezanno në kuadër të kësaj vizite ishte edhe në Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe Kosova film. Gjithashtu mbajti një punëtori një ditore me akterë të ndryshëm institucional, të pavarur dhe edukativ të kinematografisë kosovare dhe një punëtori tjetër me akterët e festivaleve të filmit dhe kinemave të Kosovës.
Ai shprehi gatishmërinë e plotë për të mbështetur zhvillimin e kinematografisë Kosovare përmes bashkëpunimit Kosovë-Francë në nivel të legjislacionit dhe bashkëprodhimit. / KultPlus.com
Në Ditën Botërore të Teatrit u ndanë çmimet vjetore në fushën e teatrit 2021.
Në ceremoninë e sotme ku morën pjesë emra të njohur të skenës teatrore, u dëgjua edhe performancë nga Orkestra Frymore e Prizrenit me dirigjent Edon Ramadanin.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka uruar ditën botërore të teatrit.
“Me pjesëmarrjen e tij na nderoi edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës Glauk Konjufca, i cili çmimin për vepër jetësore në teatër ia ndau aktores Kumrije Hoxha. Çmimi Vjetor për aktorin më të mirë i është dhënë Ernest Malazogut, Çmimin Vjetor për shfaqjen më të mirë e mori vepra e David Alen Mamet dhe Arian Krasniqit “+18”, kurse Çmimi Vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar i është ndarë aktorit Mentor Zymberaj dhe dramaturgut Jeton Neziraj.Një falënderim i veçantë për jurinë profesionale me kryetaren Majlinda Bregasi dhe anëtarët Afrim Spahiu, Kushtrim Mehmeti, Qëndresa Jashari dhe Vlora Merovci–Berisha. Gëzuar Ditën Botërore të Teatrit!”. /KultPlus.com
Hajrullah Çeku ka listuar të arriturat kryesore gjatë vitit të parë të qeverisjes së tij në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
Ai e konsideron një vit aspak të lehtë, por me shumë punë e përkushtim.
Në vijim gjeni postimin e plotë të ministrit Çeku:
Një vit aspak i lehtë, por me shumë punë e përkushtim. Qeverisje me duar të pastra dhe vizion të qartë në art e sport. Një përmbledhje e të arriturave kryesore gjatë vitit të parë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
🔹 Është themeluar Opera e Kosovës, nga sivjet me program të rregullt
🔹 Kemi ndarë mbi një milion Euro për blerjen e veprave të artit përgjate tre viteve
🔹 Është hartuar koncepti fillestar për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor
🔹 Kemi nisur reformën ligjore dhe institucionale në kulture
🔹 Kemi dyfishuar buxhetin për filmin, të cilin po e shpallim fushë të interesit të veçantë publik
🔹 Është miratuar Ligji për arkivat shtetërore, një hap drejt modernizimit të sistemit arkivor
🔹 Mbeshtetja për artistët dhe organizatat kulturore në 2021 ka qenë 2.3 herë më e lartë se në 2020
🔹 Bashkepunim bilateral në kulturë me Shqiperinë, Maqedoninë, Francën, Turqinë, Hungarinë, Katarin, Austrinë
🔹 Është nënshkruar marrëveshja me Komisionin Evropian për programin “Europa Kreative”
🔹 Mbështetja për sportin (pa investime kapitale) në 2021 mbi 5.6 milion Euro (40 përqind më shumë se dy vitet paraprake)
🔹 Kemi nisur hartimin e Strategjisë Shtëterore për Zhvillimin e Sportit
🔹 Kemi përfunduar e përuruar Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë dhe disa palestra të tjera sportive
🔹 Majlinda Kelmendi i ka dhënë fund karrierës si sportiste, ndërsa ne e kemi shpallur Qytetare me merita të veçanta
🔹 Kemi hartuar udhëzimin administrativ për (ri)licensimin e federatave sportive
🔹 Kemi mbështetur programet për masivizimin e sportit (sporti shkollor, sporti universitar, shkolla e skijimit)
🔹 Kemi dyfishuar fondin për ndërhyrje emergjente, nga 200 monumente në rrezik, rreth një e katërta janë shpëtuar
🔹 Është aktivizuar sistemi i mbrojtjes së përhershme të aseteve të trashëgimisë, 54 monumente në proces të shqyrtimit
🔹 Mbështetja financiare për projektet e trashëgimisë kulturore gjatë vitit 2021 ka qenë 3.5 herë më e lartë se në 2020
🔹 Janë miratuar disa akte nën-ligjore në trashëgimi (gërmimet arkeologjike, trashëgimia e luajtshme, licensimi i operatorëve, përcatimi i perimetrit, inventarizimi)
🔹 Kanë nisur ndërhyrjet emergjente në kullat e rrezikuara në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
🔹 Kemi themeluar Komisionin Shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë luftës në 1998-1999
🔹 Kemi themeluar Këshillin Shtetëror për Rininë duke inicuar edhe hartimin e politikës shtetërore për rininë
🔹 Kemi angazhuar 100 studentë të Universitetit të Prishtinës në programin e praktikës me pagesë./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gazetarët më të mirë të sportit “Çmimet Ali Shala 2021”, organizuar nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës.
Faton Polisi mori çmimin për kronikën më të mirë televizive në sport, Kemajl Goca – shkrimi më i mirë, Shpend Ahmeti – fotografia më e mirë dhe Eljona Patriku u zgjodh raportuesja më e mirë e re në sport. Çmimin për vepër jetësore e mori gazetari Gani Begu, ndërsa çmimi post-mortum iu nda kontribuuesit tw madh të hendbollit të Kosovës, Ahmet Hysenaj – Petrova
Ministri Ceku ndër të tjera në fjalën e tij tha që gazetarinë sportive MKRS e konsideron partner të rëndësishëm në zhvillimin e politikave dhe në avancimin e tërësishëm të sportit.
Në këtë ngjarje morën pjesë krerët e sportit dhe të gazetarisë sportive në Kosovë, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, Leonard Tase, këshilltar i Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, drejtuesit e SGGSK-së të udhëhequr nga gazetari Edmond Thaçi, Dekani i Shkencave Sportive në Universitetin e Prishtinës, Musa Selimi, gazetarët e mirënjohur, Defrim Methasani e Altin Sulçe, Shaban Sinani, përfaqësues të organizatave sportive dhe gazetarë sportiv./ KultPlus.com
Këtë muaj bëhet një vit nga vdekja e artistit tonë të njohur Rasim Thaçi – Cima, përcjell KultPlus.
Sot, ministri Hajrulla Çeku priti në takim fëmijët e tij, Adelina dhe Artan Thaçi.
“Personaliteti i Cimës ishte i veçantë, ai dallohej si në dimensionin njerëzor ashtu edhe në atë artistik.
Dokumentimi i veprimtarisë së tij artistike dhe shënimi i datave të rëndësishme janë detyrime tona ndaj tij dhe të gjithë atyre që kanë dhënë shumë për vendin tonë përmes artit“, shkruhet në njoftim. / KultPlus.com
Projektet e përbashkëta në fushën e kulturës, rinisë e trashëgimisë kulturore ishin temë diskutimi mes Ministrit Hajrulla Çeku dhe Ambasadores së Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejčič, të cilën e priti sot në takim.
Ministri Çeku i bëri të ditur rëndësinë që ka mbështetja e partnerëve për avancimin e mëtutjeshëm në fushat që janë në kuadër të ministrisë ndërsa Ambasadorja Benedejčič falënderoi ministrin për pritjen dhe gatishmërinë e treguar për vazhdimin e bashkëpunimit.
Bashkë u dakorduan që të vazhdohet puna në projekte konkrete./ KultPlus.com
Në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët shtetëror kanë bërë homazhe te Kulla e Jasharajve, shkruan KultPlus.
Një vizitë të tillë e ka bërë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se ngjarja në Prekaz ndryshoi historinë e Kosovës.
“24 vite nga sakrifica dhe heroizmi i jashtëzakonshëm i familjes Jashari në Prekaz që ndryshoi historinë e Kosovës, rrugën tonë të gjatë që u kurorëzua me liri dhe pavarësi të vendit. Rezistenca dhe trimëria e tyre është frymëzim për ne dhe breza të tërë që do të vijnë pas nesh. Lavdi Adem Jasharit dhe gjithë familjes Jashari! Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës!”, shkroi Çeku.
Epopeja e UÇK-së shënohet çdo vit nga 5, 6 dhe 7 marsi, atëherë kur edhe ndodhen sulmet në familjen Jashari. /KultPlus.com
Është hapur sërish konkursi për blerjen e veprave të artit.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, njofton se do të shpenzohen mbi 1 milion euro për tri vite për të blerë vepra të artit dhe për të pasuruar fondin shtetëror të artit, përcjell KultPlus.
KulPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Mbi 1 milion euro për blerjen e veprave të artit
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës u miratua vendimi për blerjen e veprave të artit. Mbi 1 milion euro do të shpenzohen përgjatë 3 viteve për të blerë vepra të artit dhe për të pasuruar fondin shtetëror të artit.
Ky është një lajm i mirë që vjen pas vështirësive që kemi pasur vitin e kaluar për të sjellur në jetë këtë program. Këmbëngulja jonë që kjo formë e re e vlerësimit dhe mbështetjes së artistëve të dërgohet deri në fund, ka siguruar që programit t’i rritet edhe buxheti por edhe jetëgjatësia.
Programit që ka filluar vitin e kaluar, i kemi shtuar elementin e blerjes së veprave të artistëve të dëshmuar që më nuk janë në mesin tonë. Vepra të panumërta të artistëve të jashtëzakonshëm që gjenden nëpër koleksione private e nuk janë të njohura për publikun, do të kenë mundësinë të ekspozohen para artdashësve nëpërmjet këtij programi.
Themelet e forta janë më të nevojshme se sa ngritja e shpejtë. Javëve në vijim do të hapet thirrja publike për blerjen e veprave të artit. Përgjatë tre viteve do të pasurojmë fondin shtetëror të artit përmes thirrjeve të rregullta publike dhe blerjes direkte./ KultPlus.com
Fjala ime me rastin e pranimit të Çmimit kombëtar letrar “Azem Shkreli”
I respektuari, Z. Ministër Çeku,
Të çmuar anëtarë të Jurisë,
Të nderuar të pranishëm,
E dashur Grua,
Jam hamendur shumë nëse duhej të flisja sot, prirë nga bindja se kur njeriu vlerësohet me çmimin më të lartë të karrierës letrare, pikërisht për mjeshtërinë e fjalëve, ç’u dashka të thotë tjetër?
E megjithatë, Z. Ministër, ja që paska diçka që ju me fjalorin e administratës e quani protokoll dhe ne shkrimtarët, me fjalësin poetik i themi ritual dhe unë e respektoj.
Kam tri gjëra që nuk dua t’i mbaj ujem.
E para: Pikërisht në këtë ministri, në legjislaturën e parë pas lufte, kam qenë këshilltar i parë politik. Atëbotë kam hedhur dy projekt-ide që erdhën dhe u bënë program: Çmimin nacional për karrierë letrare dhe subvencionimin e dorëshkrimeve të autorëve. Programe që gjëllijnë edhe sot, veçse të zgjeruara e të begatuar në formë e përmbajte. Sigurisht që atëherë as në skaje të imagjinatës nuk më përftonte ideja se një ditë do të isha edhe unë laureat.
E dyta: I përkas gjeneratës së demonstratave të gjashtëdhjetetetës. Formimi im letrar i detyrohet shkollës letrare të Normales së Prishtinës që ishte bija gjenetike e Normales famëmadhe të Elbasanit, me drejtorin e parë Luigj Gurakuqin. Aty gjeta grupin letrar “Migjeni” që drejtohej nga Rushit Ramabaja. Një vit më vonë e mori kryesimin, tashti i ndjeri, Arif Demolli. Pastaj, për tri vjet, e drejtova unë (sigurisht duket të kem qenë më karrierist se dy të parët)! Po përse i zura ngoje këta emra dhe këto fakte? Që t’jua kujtoj se kjo shkollë letrare, si asnjë tjetër, dha tre laureatë të çmimit “Azem Shkreli”.
E treta: Ka vite që më ka bezdisur formulimi “Juri profesionale”. Ç’është kjo juria profesionale? Lexoja sesi çdo manifestim a konkurs letrar shkolle, mëhalle a qyteti bënte “juri profesionale”. Kur shihja përbërjen më dilet një arsimtar BAT-i, një tjetër i lëndës së Amvisërisë a ku di unë. Ata edhe mund të ishin shumë të mirë për lëndët e tyre, po nuk gjeje një pikëtakim me letërsinë.
Ju, Z. Ministër më bëtë të bëj një vetëqortim. Dëshmuat se kur do dhe di njeriu edhe mund të bëjë një juri me përgjegjësi, dije dhe kulturë profesionale. Dhe prova u dha. Pothuajse të gjitha vendimet u morën më vota unanime dhe, për herë të parë, nuk pati “ndarje” çmimesh, por “dhënie” çmimesh. Një çmim letrar mund të ndahet vetëm në një rrethanë, kur ka në konkurrencë një libër me bashkautorësi.
Tashti dikush mund të më pyes: do të thosha kështu për këtë juri edhe po të mos ma jepte çmimin? Ju them me sinqeritet, një vendim i tillë nuk do të më pëlqente hiç, po bindjen për kalibrin e saj nuk do ta kontestoja në asnjë rrethanë.
Tashti dua t’ju kujtoj diçka historiku letrar. Kur shkrimtarit gjerman Heinrich Bell i dhanë kumtin për çmimin Nobel ai bëri një pyetje habitore: Vetë mua, jo edhe Gynter Grasit? Vite më vonë kur Grasi e mori këtë çmim, po me habitore pyeti: Vetëm unë, jo edhe Krista Volf?
Nga ç’kam marrë vesh në listën për çmim karriere ishin edhe dy miq të mi të letrave: Zejnullah Rrahmani dhe Anton Nikë Berisha. Është bindja ime personale, të dy, po ashtu, meritorë për këtë çmim.
U mërzitët?
Po e mbyll këtë fjalë me një refleks komik: Doni më për Belulin?