Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kurti dhe Çeku vizituan ekspozitën e tri nxënësve të shkollës ‘Dardania’

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishin në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Bashkë me shumë fëmijë pjesëmarrës panë ekspozitën me piktura të realizuara nga tri nxënëse të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë.

Nxënëset Afërdita Visoka, Anja Rexhepi dhe Alea Hasani, kanë prezantuar 40 piktura në ekspozitën që do të jetë e hapur deri më 3 qershor. / KultPlus.com

Çeku jep detaje mbi ligjin e ri të kinematografisë dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare

Kosova është ngritur në majat e botës përmes kinematografisë dhe suksesit të kineastëve në festivale të ndryshme të filmit nëpër botë, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një intervistë për KultPlus ka thënë se Kosova do të arrijë suksese të tjera më të mëdha sa i përket filmit.

“Unë besoj që në raport me talentin dhe potencialin që e kemi si shoqëri në fushën e kinematografisë, nuk e kemi arritur akoma kulminacionin sepse ka shumë e shumë për t’u arritur.. Por ajo që është arritur deri tani, është rezultat i punës vetëmohuese i filmbërësve të Kosovës. I përkulem suksesit të tyre që ka ardhur nga puna e palodhshme dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm në vitet e fundit. Suksesi i tyre është obligim për institucionet, dhe ne përveç që e kemi dyfishu buxhetin për filmin dhe do të vazhdojmë rritje progresive në vitet e ardhshme, tanimë po hartojmë ligjin e ri për kinematografinë, po ofrojmë insentiva të reja për të atrakuar investime të reja për film në Kosovë.

Çeku thotë se nënshkrimi i marrëveshjeve të reja për Kosovën do të thotë më shumë financa dhe më shumë buxhet e mundësi për kineastët e rinj për të bërë filma.

“Kemi nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik me Izraelin e Francën, shumë shpejt do të vazhdojmë edhe me disa shtete të tjera evropiane. Po negociojmë anëtarësimin e Kosovës në Euro Imazh, që është fondi më i madh evropian i filmit, pjesë e Këshillit të Evropës. Shumë shpejt në pjesën e dytë të këtij viti do të kemi çasje në programin “Media” të Komisionit Evropian, që është edhe në fond tjetër ku filmbërësit tanë mund të aplikojnë dhe të përfitojnë. Një angazhim e mobilizim i madh i institucioneve, i nxitur nga sukseset e artistëve tanë, që është i madh e i jashtëzakonshëm, sukses për të cilin jam i bindur që do të jetë edhe më i madh vitet në vazhdim.

Ministri ka bërë të ditur gjithashtu se koncept dokumenti për artin dhe kulturën është në përfundim, ndërsa ligji i ri për kinematografinë pritet të jetë në procedurë parlamentare në vjeshtë.

“Ne tash po e përmbyllim koncept-dokumentin për art dhe kulturë, ky koncept-dokument po na i rekomandon disa ligje të reja, ligji i përgjithshëm për kulturën, një ligj i veçantë ai për kinematografinë, do të kemi edhe një për muzetë dhe veprimatinë botuese. Ligji për kinematografinë unë besoj shumë që si të përfundon faza e miratimit të koncept-dokumentit në qeveri, nga ai moment do të fillojë hartimi dhe gjatë vjeshtës ligji i ri për kinematografi duhet të jetë në procedurë parlamentare”. 

Ministria dhe qeveria krijojnë fonde të reja nëse ka mungesë të tyre gjatë udhëtimeve filmike të kineastëve kosovar nëpër festivalet e mëdha.

Ne kemi një fond të veçantë dhe një çasje të veçantë, shpesh edhe të jashtëzakonshme edhe kur nuk kemi fonde dhe e dijmë se një film ka potencial për sukses në ndonjë fesitval për të marrë çmim, ne mobilizojmë fonde shtesë, kështu ka ndodhë edhe me “Zgjoin”. Është rezultat shumë i madh suksesi i tij, po përgjigjja e shkurtë është se edhe atëherë kur fondi hargjohet, ne gjithmonë gjejmë mundësi të reja, sepse të rinjtë tanë dhe artistët tanë, e sidomos e veçanarisht ata të artit të 7-të, janë një potencial i jashtëzakonshëm për promovimin e shtetit tonë, janë një potencial i jashtëzakonshëm për të krijuar dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës, kështu që ne nuk na takon asgjë vetëm të krijojmë kushte më të mira”, ka thënë ai.

Ndërkaq, mbrëmë janë dhënë çmimet vjetore për kinematografi. /KultPlus.com

Kosova po bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor, Këshilli Inicues kryesohet nga Yll Rugova

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se shumë shpejt Kosova do të bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, ministri Çeku ka njoftuar se Këshilli Inicues i Muzeut të Artit Bashkëkohor përbëhet nga artistë e profesionistë të dëshmuar. Ky këshill do të kryesohet nga Yll Rugova, ndërsa anëtarët e tjerë janë Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Hoxha Salihu, Valdete Pacolli dhe Fisnik Abazi.

Në vijim gjeni postimin e plotë të ministrit Çeku:

Sot e nisëm edhe një ndërmarrje të madhe në kulturë, shteti ynë do të bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor

Muzeu i Artit Bashkëkohor është institucion i rëndësisë së veçantë që do të ofrojë mundësi të reja zhvillimi dhe promovimi për artin dhe artistët tanë bashkëkohorë. Në të njëjtën kohë, MAB do të konceptohet në atë mënyrë që të fuqizojë lidhjet tona dhe pozicionin tonë shtetëror në skenën botërore të artit.

Këshilli Inicues i Muzeut të Artit Bashkëkohor përbëhet nga artistë e profesionistë të dëshmuar. KI do të kryesohet nga Yll Rugova, ndërsa anëtarët e tjerë janë Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Hoxha Salihu, Valdete Pacolli dhe Fisnik Abazi.

Detyrat e Këshillit Inicues përfshijnë përgatitjen e konceptit programor dhe artistik, vendimeve për themelim, planit për ngritjen e strukturave të përhershme, konceptit hapësinor dhe arkitektonik të ndërtesës dhe kornizës për koleksionin e Muzeut të Artit Bashkëkohor./ KultPlus.com

Çeku takohet me djemtë e BNE-së, u premton mbështetje nga qeveria

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka pritur në takim djemtë e ekipit “Bad News Eagles”, të cilët patën një paraqitje madhështore në garat më të forta të e-Sports, shkruan KultPlus.

Çeku njoftoi se në takim është diskutuar pikërisht për potencialin e Esports në Kosovë, dhe sukseset e BNE-së.

Postimi i plotë:

“Me djemtë e ekipit Bad News Eagles, sot diskutuam për potencialin e Esports në vendin tonë dhe gjithashtu për sukseset që arritën dhe emocionet që na dhuruan me rezultatin e tyre historik në turneun më të madh në botë të CS:GO, PGL Major Antwerp 2022.

I përgëzova për rezultatin që shënuan dhe për përfaqësimin që na bënë si shtet, ndërsa u zotuam të punojmë bashkë që këto suksese të vazhdojnë.

Të rinjtë tanë të talentuar vazhdojnë të arrijnë majat e suksesit botëror, andaj edhe mbështetja e Qeverisë së Kosovës do të jetë e përhershme”, shkroi ai. /KultPlus.com

Donjeta Sadiku merr shpërblimin shtetëror, ministri Çeku: Sportistët tanë janë shndërruar në frymëzim për të gjithë ne

Në kabinetin e Ministrit Hajrulla Çeku është mbajtur sot ceremonia për dhënien e shpërblimit shtetëror për boksieren Donjeta Sadikun, fituese e medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror të boksit që u mbajt në Stamboll, shkruan KultPlus.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe trajnerja Marjola Sallauka, kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi, dhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.

Ministri Çeku është shprehur i nderuar që priti në takim kampionen Sadiku e cila na solli medaljen e bronztë nga Kampionati Botëror i Boksit për seniore.

“Jemi krenarë pa fund me punën, përkushtimin e saj dhe të të gjithë sportistëve tanë që janë shndërruar në frymëzim për të gjithë ne me sukseset që po arrijnë”, është shprehur Ceku.

Donjetës dhe trajneres Sallauka ju ndanë shpërblimet shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në gara ndërkombëtare.

Krejt për fund Ceku u zotua se bashkë do të punojnë që t’i plotësojnë të gjitha kushtet që sukseset e tyre të vazhdojnë. / KultPlus.com

Çeku në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve zotohet për ndryshime të reja

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve është lansuar Programi Kombëtar i Muzeve në Kosovë.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se në kuadër të programit të viteve 2022-2023 është paraparë të merren hapa konkret që të kontribuojnë në krijimin e një baze legjislative, programore dhe kapitale për zhvillimin e muzeve në territorin e Republikës së Kosovës.

“Sot ditën e filluam në Lapidariumin e  Muzeut të Kosovës ku prezantuam Programin Kombëtar të Muzeve në Kosovë, një nismë që synon fuqizimin e institucioneve të muzeve dhe zhvillimin e një vizioni të përbashkët për ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e veprimtarisë krijuese nga e kalura si dhe edukimin e gjeneratave të reja për rolin e tyre”.

Si hap i parë, sipas Çekut, ka filluar rregullimi i bazës ligjore në fushën e kulturës, ku përfshihen dhe trajtohen edhe muzetë.

“Në këtë kontekst, së bashku me ekipin punues të profesionistëve nga kjo fushë, kemi filluar me studimin e gjendjes ekzistuese të fushës së muzeve në Kosovë. Pas përfundimit të këtij studimi, së bashku do të përcaktohemi për vizionin e institucioneve të muzeve tona, për të sjellur ndryshime pozitive në shoqëri”.

I pari i Kulturës ka njoftuar se gjatë këtij viti do të fillojnë hapat për inventarizim të fondit muzeal i cili gjendet në muzetë e Kosovës.

“Krahas veprimeve në plotësim të bazës ligjore, gjithashtu gjatë këtij viti do të fillojmë me hapat për inventarizim të fondit muzeal i cili gjendet në muzetë e Kosovës, me qëllim që secili artefakt e objekt i cili gjendet në koleksionet e muzeve, të jetë i dokumentuar dhe i regjistruar në Bazën e të dhënave të trashëgimisë kulturore; përkrahjen dhe zhvillimin e projekteve muzeale dhe themelimin e Muzeve të reja kombëtare dhe komunale, duke krijuar kushte adekuate për menaxhim dhe promovim të tyre”. /KultPlus.com

Çeku pas fitores së Bad News Eagles: Zonja dhe Zotërinj, më lejoni t’ju prezantoj me legjendat tona

Ekipi kosovar, Bad News Eagles e ka fituar map-in e dytë me rezultat 16:8 dhe e kanë barazuar në 1:1 rezultatin e përgjithshëm ndaj “MIBR” nga Brazili.

MIBR arritën të mposhtin ekipin kosovar në “Nuke” me rezultat (13:16), por që u mposhtën në Ancient.

Pas fitores së tyre reagoi edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku i cili i cilësoi ata si legjenda.

“Zonja dhe Zotërinj, më lejoni më lejoni t’ju prezantoj me legjendat tona”- ka shkruar ministri Çeku në Twitter./ KultPlus.com

Ministri Çeku viziton Ministrinë e Rinisë dhe Sportit të Bullgarisë

Ministri Hajrulla Çeku u prit nga ministri bullgar i rinisë dhe sportit, Radostin Vasilev bashkë me ekipin e tij. Të dy ministrat folën për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe nevojën për të thelluar bashkëpunimin përmes programeve rinore dhe sportive.

Gjatë takimit shumë miqësor mes dy ministrave që mbulojnë rininë dhe sportin u diskutuan disa mundësi konkrete të bashkëpunimit ndër-shtetëror. Ministri Çeku e ftoi homologun e tij për vizitë zyrtare gjatë vitit në Kosovë, ndërsa palët u dakorduan për hartimin dhe zyrtarizimin e dokumentit të bashkëpunimit muajve në vijim.

Në këtë takim, ministri Çeku ishte i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Sofje, Delfin Pllana dhe shefja e kabinetit në MKRS, Klodeta Krasniqi./ KultPlus.com

Driton Kuka fiton çmimin për trajnerin më të mirë për vajza në Evropë 2021

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka fituar çmimin e trajnerit më të mirë për vajza në Evropë për gjatë vitit 2021, në kohën kur edhe Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi fituan medaljet e arta në Lojërat Olimpike, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ndarë lajmin për publikun, derisa edhe ai ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi.

“I nderuar që isha pjesë e ceremonisë së @europeanjudo në Sofje për nder të trajnerit kosovar @KukaToni . Atij iu nda çmimi i trajnerit më të mirë për vajzat në Europë 2021. Momente të tilla na mbushin krenari e emocion. Përgëzime Driton, të jemi përzemërsisht mirënjohës”, ka shkruar Ministri Çeku.

Në anën tjetër, Kosova ka arritur që të fitojë dy medalje evropiane në Kampionatin “Sofia 2022”. /KultPlus.com

Çeku për fitoret e xhudos: Rezultatet e tyre ndërkombëtare janë krenari për shtetin tonë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ndjekur nga afër ekspeditën e ekipit të xhudos së Kosovës që ka pasur në Kampionatin Evropian në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.

I pari i Kulturës ka uruar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, punën e jashtëzakonshme të sportistëve në këtë ngjarje madhore për vendin.

Postimi i plotë i Çekut:

“Në europianin e xhudos në Sofje, Laura fiton të argjendtën, Disi të bronztën. Kampionatin Europian 2022 që po mbahet në Sofje të Bullgarisë e nisëm me medaljen e bronztë të Distria Krasniqit, kampiones sonë olimpike. Suksesi vazhdoi edhe sot, në ditën e dytë, kur Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë duke e marr titullin e nën-kampiones europiane. Paraqitje të mirë në kampionat patën edhe Flaka Loxha dhe Akil Gjakova. Kënaqësi e papërshkrueshme të përcjell nga afër ekipin tonë të xhudos. Rezultatet e tyre ndërkombëtare janë krenari për shtetin tonë. Mirënjohje të veçantë dhe përgëzime të përzemërta kryetarit të Federatës së Xhudos Agron Kuka, trajnerit Driton Kuka dhe xhudisteve e xhudistëve tanë të shkëlqyer”, ka shkruar Çeku.

Kosova në dy Kampionatet e fundit Evropiane ka arritur që të fitojë pesë medalje. /KultPlus.com

Ministri Çeku prezent në suksesin e Krasniqit dhe Loxhës në Evropian

Distria Krasniqi ka arritur që të fitojë medaljen e bronztë në Evropianin që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, derisa Flaka Loxha ka zënë vendin e shtatë në këto gara, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në “Facebook”, ka njoftuar për fitoren dhe suksesin e Kosovës, duke treguar se i pranishëm ishte edhe Hajrulla Çeku.

Postimi i plotë:

“Distria Krasniqi fiton medaljen e bronztë

Kampionia olimpike Distria Krasniqi fitoi medaljen e bronztë në Evropianin e xhudos që po mbahet në Sofia. Ajo mundi gjermanen Mascha Ballhaus në kategorinë -52 kg.

Flaka Loxha (-57 kg), zuri vendin e shtatë, suksesi më i madh i saj në Evropianin e seniorëve.

Garat i përcolli nga afër edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku“. /KultPlus.com

Vendoset lokacioni ku do të ndërtohet Teatri i Operas dhe Baletit, Çeku: Shumë shpejt do të shpallim konkursin ndërkombëtar të projektimit

Pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, hapësira ku është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë është caktuar si vend ku do të ndërtohet Teatri i Operas dhe Baletit, përcjell KultPlus.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili thotë se shumë shpejt do të shpallet konkursi ndërkombëtar i projektimit.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të tij:

Vazhdojmë me vendosmëri, edhe një hap i rëndësishëm drejt ndërtesës së Teatrit të Operas dhe Baletit

Tashmë e kemi edhe lokacionin, shumë shpejt do të shpallim konkursin ndërkombëtar të projektimit. Ashtu siç jemi zotuar nga fillimi, Teatri i Operas dhe Baletit do të bëhet. Institucionet dhe artistët tanë të operas, baletit dhe filharmonisë do ta kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e shumë të merituar.

Hapësira e destinuar për këtë ndërtesë është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës për votën e tyre dhe kryetarin e komunës Përparim Rama për bashkëpunimin në këtë rast.

Qeveria e Kosovës do të bëj më të mirën për t’i zbatuar të gjitha fazat pasuese me efikasitet dhe cilësi, deri në momentin e inaugurimit të hapësirës më të madhe kulturore në shtetin tonë./ KultPlus.com

Çeku: Konfirmohet vullneti i qeverisë franceze për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit kinematografik me Kosovën

Sot edhe në kopje fizike, ministri Hajrulla Çeku ka pranuar letrën e ministres franceze të kulturës Roselyne Bachelot – Narquin, përmes së cilës ajo konfirmon vullnetin e qeverisë franceze për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit kinematografik me Kosovën.

Marrëveshja përkatëse mes dy shteteve do të nënshkruhet gjatë Festivalit të Kanës në pjesën e dytë të muajit Maj. Kjo marrëveshje u ofron mundësi dhe mbështetje shtesë filmbërësve të Kosovës për bashkëpunime kinematografike me partnerët francezë.

“Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për zyrtarët e Ambasadës së Francës në Kosovë, duke filluar nga ambasadorja Marie-Christine Butel, këshilltari për kulturë Donato Giuliani, dhe atasheu për kulturë Valon Ibraj. Angazhimi i tyre këmbëngulës ka qenë vendimtar për jetësimin e kësaj marrëveshje bilaterale”, ka shkruar Çeku në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Çeku për kualifikimin e BNE: Djemtë tanë bënë histori

Skuadra nga Kosova, Bad News Eagles, ka arritur që të shkruajë histori në e-Sports, duke u kualifikuar në një turne madhor, shkruan KultPlus.

Ekipi kosovar triumfoi 2:1 ndaj Sinners për ta siguruar biletën për në Belgjikë, në turneun më të madh në botë në ESports, pikërisht në “PGL Major Antwerp 2022”.

Për këtë gjë ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke uruar djemtë për suksesin historik.

“Historike për komunitetin E-Sports. Ekipi ynë Bad News Eagles kualifikohet në turneun më të madh në botë të CS:GO, PGL Major Antwerp 2022. Përgëzime Flatron, Sener, Dionis, Rigon, Genc, krenari pa fund”, shkroi i pari i Kulturës. /KultPlus.com

Ministrat e Kulturës nga shumë shtete europiane bashkë në Bienalen e Venecias

Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, shkruan KultPlus.

Me instalacionin “Monumentaliteti i Përditshmërisë” të artistit Jakup Ferri, Kosova prezantohet sivjet në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor.

Në edicionin e sivjetmë, të 59-in me radhë, Kosova merr pjesë për herë të pestë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës është krahas atij të Ukrainës që paraqitet me ngjyra të zymta.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ndarë një fotografi ku shihen ministrat e kulturës na shumë shtete europiane që morën pjesë në këtë hapje.

“Me ftesë të ministrit italian të kulturës Dario Franceschini, në solidaritet me popullin ukrainas, dje në pavijonin e Ukrainës në Bienalen e Venecias, bashkë me ministrat e kulturës nga shumë shtete europiane”, ka shkruar Çeku. /KultPlus.com

Ministri Çeku: Krenari pa fund të shohim punën e artistit Jakup Ferri dhe paraqitjen dinjitoze të Kosovës

Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.

Me instalacionin “Monumentaliteti i Përditshmërisë” të artistit Jakup Ferri, Kosova prezantohet sivjet në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor.

Në edicionin e sivjetmë, të 59-in me radhë, Kosova merr pjesë për herë të pestë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës është krahas atij të Ukrainës që paraqitet me ngjyra të zymta.

Me këtë rast, i pranishëm në hapjen e Pavijonit të Kosovës ishte edhe ministri Hajrulla Çeku i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet soicale ka përgëzuar artistin Ferri për punën e tij.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Në një mjedis plot energji pozitive dhe shumë pjesëmarrës, sot hapëm për vizitorë nga mbarë bota pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias.

Krenari pa fund të shohim punën e artistit Jakup Ferri dhe paraqitjen dinjitoze të vendit tonë në një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare të artit. Hapësira plot jetë e pavijonit ku gjithçka brenda tij është e punuar dhe kuruar deri në detajin e fundit po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve dhe ky fakt na gëzon shumë.

Përgëzime artistit Jakup Ferri, kuratores Inke Arns, komisioneres Alisa Gojani Berisha dhe gjithë ekipit për punën që kanë bërë në prezantimin e vlerave të krijimtarisë sonë artistike. / KultPlus.com

Ekspozita e ‘Muzeut të Fëmijërisë së Luftës’, dokumentim i vuajteve të fëmijëve në kohë të luftës

Flonja Haxhaj

Vizatimet janë bërë në fillim të luftës nga motra ime, Aida Mehmedagie. Jetonim pranë spitalit të qytetit, në një lagje që ishte objekt i shpeshtë i granatimeve. Ishte shumë e rrezikshme të dilnim dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonim në shtepi ose në bodrum. Ajo në njëfarë mënyre mbante gjithmonë një libër ose ngjyra në duar. I pëlqente të vizatonte, ishte e talentuar dhe shpesh krijonte vepra te vërteta artistike nën dritat e Ilambave! Ndonjëherë ajo shkruante letra drejtuar shoqes por në fakt ato ishin një lloj ditari per shënime.

Së shpejti pas këtyre letrave dhe pak pas ditëlindjes së saj te shtatëmbëdhjetë, një mbrëmje relativisht te qetë, dikush trokiti në derë. Ne ishim vetëm në shtëpi. Babai ishte te komshiu lart, luanin shah, dhe nëna ishte në detyrë në punë. Ishte njëra nga shoqet e motrës. Një ditë më parë kishin pasur një debat dhe i ka bërë thirrje të ‘pajtohen’. Motra mbeti në pragun e gjerë para derës dhe unë hyra në kuzhinë me qellim qe t’iu bashkohesha atyre së shpejti. Papritur u dëgjua një zhurmë e fortë, e gjithë shtëpia u dridh dhe gjithçka u mbulua nga pluhuri. Dëgjova britma dhe zërin e babait. U ula, pa mundur të lëvizja nga tronditja. Menjëherë pas kësaj, babai hyri në dhomë, krejtësisht i shqetësuar dhe mori vetëm batanijen! Nuk e pashë më Aidën time.”, thuhet në rrëfimin e Selmas nga  Bosnja, rrëfim ky i bashkëngjitur me vizatimin e motrës së saj e që u ekspozuan në mesin e shumë objekteve dhe rrëfimeve të tjera në ekspozitën e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës që u hap dje për herë të parë në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë paraqet objekte dhe rrëfime nga fëmijë që kanë përjetuar luftën në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.

Në mesin e shumë objekteve, në këtë muze paraqitet edhe bluza e Edonit 3 vjeç e gjysmë i cili ishte vrarë gjatë luftës në Kosovë së bashku me shumë fëmijë të tjerë, e rrëfimin për historinë e tij e sjell kushëriri i tij, Blinori.

Në rrëfimin e tij, ai shpjegon se si së bashku me nëntë shokë të tjerë gjatë lojës në fushë hasën në një objekt të pazakontë e i cili u nxiti kureshtje për të ditur se çka është. Përderisa ai vrapoi për t’i kontrolluar kafshët, Blinori tregon se dëgjoi një shpërthim në vendin ku ndodheshin shokët e tij.

“I pashë miqtë e mi të shtrirë përtokë, me fytyra të nxira dhe të mbuluar me gjak Me kujtohet frika dhe një ndjenjë ç’ orientimi. Nuk dija si të kthehesha në shtëpi, por gjithsesi fillova të ecja. Rrugës takova një kushëri timin. U përpoqa t’i tregoja se kishim gjetur një objekt të çuditshëm, se nga ajo gjë ishte dëgjuar një ‘bum’ dhe se i kishte vrarë të gjithë, por nuk mund të flisja. Unë isha në lidhje familjare me shumë fëmijë që vdiqën atë ditë. Fisniku ishte 9 vjeç, Burimi dhe Osmani 13 vjeç dhe Valdeti 15 vjeç. Edoni i vogël ishte vetëm 3 vjeç e gjysmë. Ai ishte djali i xhaxhait tim, kushëriri im i parë. Kjo është bluza e tij.”, përfundon rrëfimi i Blinorit.

Këto dhe shumë rrëfime të tjera do të jenë të ekspozuara deri më 30 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Në hapjen e kësaj ekspozite, e cila vjen për herë të parë në Kosovë, foli Amina Krvava, drejtoreshë ekzekutive e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës e cila fillimisht falënderon ata që e mundësuan realizimin e kësaj ekspozite në Prishtinë.

“Muzeu i Fëmijërisë së Luftës ka filluar si një platformë në të cilën njerëzit, fëmijët e asaj kohe që tani janë të rritur, kanë mundur të flasin dhe të shprehnin ndjenjat e tyre, të ndihen të sigurte dhe të kenë një vend ku ata mund të flasin për historitë e tyre meqë i gjithë ekipi i muzeut që kanë ardhur në Kosovë janë vetë fëmijë që e kanë përjetuar kohën e luftës. Me kalimin e vitit, kjo platformë ka fillu me u rritë më shumë edhe më pas është marrë iniciativa me u shndërru në muze. Në bashkëpunim me një profesor nga Prishtina kanë marrë edhe tregime të fëmijëve të kohës së luftës në Kosovë, të cilat më pas kanë vendosur t’i prezantojnë në vendin tonë dhe të bëhet një bashkëpunim ku do të mund të tregohen ngjarjet dhe ndodhitë e viteve të 90-ta të luftës në Bosnje dhe të viteve 98/99 të luftës në Kosovë.”, thotë Krvava, e cila shton se përveç historive të luftës në Bosnje e Kosovë, ky muze paraqet edhe tregime të fëmijëve të luftërave që tani janë edhe aktuale si në Palestinë, Ukrainë dhe në shumë  regjione të tjera.

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit në Kosovë, Hajrulla Çeku i cili vlerëson se Muzeu i Fëmijërisë në Bosnje është një shembull shumë i rrallë i muezealizimit të vuajtjeve të fëmijëve në situata të luftës.

“Çmimet ndërkombëtare që i ka fituar ky muze, shtrirja e tyre, koncepti dhe mënyra se si evoluojnë gjatë gjithë kohës, tregojnë se ky nuk është një muze statik, por është një mundësi e jashtëzakonshme edhe për ne, për të fituar nga kjo përvojë”, thotë ministri Çeku i cili shton se është dakorduar me drejtoreshën Krvava që edhe Kosova ta ketë institucionin e vetë ku muzealizohet fëmijëria e luftës.

“Storjet tona janë ende të freskëta, vuajtjet tona janë të dokumentuara deri diku por kemi nevojë edhe më shumë të bëjmë dokumentim. Kemi organizata, individë e artistë që kanë punuar në Kosovë gjatë këtyre viteve për ta dokumentuar dhe ekspozuar këtë pjesë të dhimbjes tonë, vuajtjet e fëmijëve të luftës së fundit dhe në bashkëpunim me Muzeun e Fëmijërisë së Luftës dhe institucionet përgjegjëse, shpresojmë që Kosova shumë shpejt ta ketë muzeun e vetë kushtuar fëmijëve në rrethana të luftës”, vazhdon Çeku.

Në fund foli edhe profesori, Atdhe Hetemi i cili ka ndihmuar që Muzeu i Fëmijërisë së Luftës të ketë edhe rrëfime dhe objekte që tregojnë për vuajtjet e fëmijëve gjatë luftës në Kosovë.

“Në pamundësi për t’i përfshirë të gjithë ata fëmijë që kanë tregimet e tyre për t’i ndarë, unë jam munduar që përzgjedhjen ta bëj në atë formë që do të jepte mesazhe që në  tërë territorin e Kosovës, fëmijët që kanë jetuar këtu gjatë viteve 1997, 1998 dhe 1999 kanë pësuar traumat e veta”, thotë Hetemi.

Muzeu i Fëmijërisë së Luftës është një muze historik në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë që u hap në janar 2017. Muzeu paraqet përvojat e fëmijëve që jetuan luftën në Bosnje, Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë, të treguara përmes objekteve, dëshmive video dhe fragmente nga historitë gojore. Çmimi i Muzeut të Këshillit të Evropës 2018, një nga çmimet më prestigjioze në industrinë e muzeve, iu dha Muzeut të Fëmijërisë së Luftës si pjesë e Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit 2018./ KultPlus.com

Çeku i thotë Petkoviqit: Përsërite pas meje, Kosova është një shtet sovran dhe demokratik

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i ka reaguar drejtori të të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pasi ky i fundit kërkoi që qeveria të respektojë vendimin e Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit, shkruan KultPlus.

Çeku i ka replikuar në një postim në “Twitter” Petkoviqit, duke i thënë që përpara se të bëjë kërkesa ndaj Kosovës të fillojë ta njohë faktin që Kosova është shtet sovran dhe demokratik.

“Instanca më e lartë ligjore? Po mendon Gjykata Kushtetuese  e Republikës së Kosovës? Para se ta lejosh veten të bësh ndonjë kërkesë nga shteti ynë, të fillojmë me njohjen e fakteve në terren. Ju lutem përsëriteni pas meje: Kosova është një shtet sovran dhe demokratik”, ka shkruar Çeku.

Ministri Çeku poashtu ka kërkuar që Serbia t’i ndalë sulmet terroristen ndaj Policisë së Kosovës.

“Sygjerime shtesë: Kërkoni falje për gjenocidin e kryer(Kisha Ortodokse e Serbisë është e mirëseardhur të ju bashkëngjitet), jepni informatat për personat e zhdukur me dhunë, paguani dëmet ekonomike, përfshirë shkatërrimin e më shumë se një mijë lokacioneve të trashëgimisë, ktheni artefaktet tona të vjedhura. P.s ndalni sulmet terroriste ndaj policisë sonë”, ka shkruar Çeku. /KultPlus.com

Me emra profesionistësh të dëshmuar, formohet grupi Konsultativ për Sportin

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një njoftimi zyrtar ka dhënë lajmin për formimin e grupit Konsultativ për Sportin, në të cilin janë të përfshirë 10 profesionistë, shkruan KultPlus.

Çeku njofton se ka nisur hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Sportit, ndërsa së shpejti pritet të nisë edhe rishikimi i Ligjit për Sportin.

Postimi i plotë:

“Kemi hyrë në vitin më sfidues të mandatit në fushën e sportit. Ka nisur hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillimit e Sportit, ndërsa së shpejti nisë rishikimi i Ligjit për Sportin. Brenda pak ditësh hyn në fuqi Udhëzimi Administrativ për licensimin e federatave, proces që do të zbatohet muajve në vijim. Pas disa projekteve të suksesshme, jemi në finalizim të programit për masivizimin e sportit, me fokus te fëmijët dhe të rinjtë. Do të bëjmë zgjidhje për projektet e infrastrukturës sportive që kanë histori të palavdishme, ndërsa do t’i nisim projektet e reja shumë të nevojshme. Krahas rritjes së mbështetjes financiare për federatat e sportit, jemi duke e zhvilluar modelin për financim të qëndrueshëm të klubeve të sportit.

Për zbatimin e këtij plani sfidues i kemi mobilizuar të gjitha kapacitetet tona të brendshme, po punojmë në partneritet të ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës, ministritë përkatëse të linjës, federatat e sportit, profesionistët e Kosovës dhe ata të jashtëm. Për t’i shtuar kapacitetet zbatuese, sot kemi themeluar Grupin Konsultativ për Sportin, që në përbërje ka profesionistë të dëshmuar të sportit. Mandati i anëtarëve të këtij Grupi, veç tjerash është të këshillojnë Ministrin e Sportit dhe të mbikëqyrin zbatimin e politikave dhe programeve për zhvillimin e sportit”.  

Grupi Konsultativ për Sportin përbëhet nga:

1. Edmond Azemi, Drejtor sportiv në KB Prishtina

2. Uta Ibrahimi, Alpiniste

3. Bylbyl Sokoli, Profesor universitar, njohës i futbollit

4. Jeton Oruqi, Nën-kryetar i Federatës së Ping-pongut të Kosovës

5. Agon Fehmiu, Gazetar i sportit

6. Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paralimpik të Kosovës

7. Nazmi Paqarada, Njohës i basketbollit, ish Sekretar i Përgjithshëm në FBK

8. Besim Aliti, Sekretar i Përgjithshëm në Komitetin Olimpik të Kosovës

9. Besnik Thaqi, Nën-kryetar i Federatës E-Sports Kosova

10. Resmije Juniku, veterane e sportit, ish basketbolliste dhe trajnere /KultPlus.com

Përurohet objekti i palestrës sportive moderne në Kaçanik

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për investimin e kësaj ministrie në Kaçanik, ku edhe është bërë ndërtimi i një palestre sportive moderne, shkruan KultPlus.

“Vazhdojmë me punë të mira në sport”, ka thënë Çeku në një postim në “Facebook”.

Postimi i plotë:

“Kaçaniku me palestër sportive moderne, investim i Ministrisë së Sportit

Vazhdojmë me punë të mira në sport. Përmirësimi i infrastrukturës sportive është detyrim yni karshi sportistëve dhe të rinjve tanë. Me vendosmëri dhe profesionalizëm po i mbyllim projektet e nisura vite më parë dhe të lëna përgjysmë nga planifikimi i dobët dhe neglizhenca. Të rinjtë, sportistët dhe klubet e Kaçanikut tani e tutje do të kenë hapësirën e tyre për të zhvilluar aktivitetin fizik e sportiv, në dobi të shëndetit të tyre dhe përmirësimit të rezultatit në kampionate garuese.

Me përkushtim të lartë po i trajtojmë edhe projektet e tjera të infrastrukturës sportive. Gjatë vitit do të përfundojnë edhe disa projekte në gjithë vendin, ndërsa paralelisht do të nisim investimet në projekte të reja, me fokus në sportet me infrastrukturë të pazhvilluar. Pas rritjes së mbështetjes financiare për federatat e sportit, energjitë tona po i orientojmë në infrastrukturën sportive dhe hartimin e strategjisë shtetërore për zhvillimin e sportit”. /KultPlus.com

Ministri Çeku takohet me kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, diskutohet për zhvillimet në sport

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Hajrulla Çeku ka pritur kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, i shoqëruar nga Kryetari i Federatës së Gjimnastikës së Kosovës, Besim Halilaj, sekretari i përgjithshëm, Amir Tahiraga dhe nënkryetarja Sherife Qerimi, përcjell KultPlus.

Në takim me ministrin Hajrulla Çeku dhe zëvendësministren Daulina Osmani, diskutuan për zhvillimet në sport, veçanërisht në fushën e gjimnastikës.

Ministri Çeku e njoftoi për punët dhe planet që ka MKRS-ja për zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti ndërsa u diskutua për projekte dhe bashkëpunim konkret mes MKRS dhe Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës. / KultPlus.com

Ministri Çeku takohet me komunitetin artistik në Ferizaj, diskutojnë për zhvillimin e mëtutjeshëm në fushën e kulturës

Diskutimi i radhës mes ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik u mbajt në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.

Një takim shumë konstruktiv dhe me plot ide për zhvillimin e mëtutjeshëm të fushës së kulturës.

Ministri Çeku në fjalën e tij tha që reforma pritet të ndahet në institucionet publike të kulturës, ku do të përcaktohen mënyra e funksionimit të tyre, struktura organizative, infrastruktura, dhe në anën tjetër, reforma që do të rregullojë edhe skenën e pavarur kulturore, artistin e pavarur, organizatat e kulturës.

Ndër temat që u diskutuan ishin mosharmonizimi ligjor, çështjet  dhe problematikat financiare dhe buxhetore me të cilat përballen shoqatat dhe individët që merren me kulturë, problemet që paraqet Ligji mbi financat publike, mirëmbajtja e objekteve publike të kulturës, pajisja me staf shtesë i drejtorive komunale për kulturë, trajtimi meritor i festivaleve, kufizimet që sjellin rregullativat ekzistuese ligjore, krijimi i një fondi të pavarur në kulturë dhe marrja përsipër e një bordi profesional që ta shpërndajë këtë fond, mënyra e financimit të institucioneve lokale të kulturës, festivalet tradicionale etj.

Gjithashtu u fol për investimin proporcional në kulturë, një përqindje ta financojë niveli qendror dhe përqindjen tjetër niveli lokal, më shumë manifestime kulturore me karakter ndërkombëtar, për Muzeun e Kujtesës, fuqizimin e trupave teatrore, mbështetjen e projekteve që i japin kulturës zhvillim bashkëkohor, artin televiziv, subvencionimi i përmbajtjes programore dhe shumë tema të tjera./ KultPlus.com

Hapet “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, ekspozohen eksponatet me vlera artistike, estetike dhe historike së qyteteve ilire

Gjithsej 25 stenda të cilat përmbajnë objekte e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut, erdhën nëpërmjet ekspozitës së titulluar “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” që u shpalos sot për publikun në hapësirën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kur ora shënoi fiks 18:00, ishin të pranishmit ata që zunë vend për të parë nga afër stendat si: Portreti i Erosit nga mermeri, Mbulesën e Ikonës së Gjën Gjergjit nga argjendi dhe ari që ndodhet në Kishën e Gjirokastrës, Dyert e Bukura që i përkasin vitit 1591 e që gjenden në Kishën “Shën Maria” në Berat, Këmbën vazi në formë feniksi që vjen në formën e bronzit, skulpturën Athina Promahos e punuar në mermer, Kokën e Apollonit që po ashtu është punuar në mermer, Dividi dhe kama e shkruesit së Ali Pashë Tepelenës si dhe shumë të tjera që tërhiqnin vëmendjen e gjithsecilit.

Kjo ekspozitë që vjen në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, është realizuar nga Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotove të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë, dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” solli para publikut një numër të madh të objekteve të shumta, koleksion të pasur me artefakte arkeologjike siç është koleksioni i objekteve prehistorike, koleksioni i skulpturave, enët nga qeramika, monedhat ilire greke e romake, objekte të punuara në qeramikë dhe metal si dhe koleksione që hyjnë në vazhdën e antikitetit greko-romak për të vazhduar deri në mesjetë.

Pra, qysh nga periudha e antikitetit të vonë e deri tek ajo bizantine dhe osmane, ekspozita synon të paraqes larminë e këtyre objekteve mesjetare që në thelb shpërfaqin kulturën materiale që është formuar në territorin e Shqipërisë si dhe ngjarjet kryesore që kanë zënë vend në territorin e saj.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” krejt në fund paraqet disa objekte ikonografike, të cilat përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX.

Ndërkaq, objekt i veçantë në këtë ekspozitë u konsiderua edhe Epitafi i Gllavenicës që daton në vitin 1373.

Fillimisht, fjalën e parë e mori drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili foli rreth bashkëpunimit mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Ju uroj mirëseardhjen në ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në koordinim me Muzeun Kombëtar të Kosovës. Siç e dini më parë kemi pasur një memorandum bashkëpunimi mes dy institucioneve tona që i ka parapri një marrëveshje dhe një kalendar i përbashkët për organizimin e ekspeditave në mes institucioneve. Kjo është ekspozita e parë që po organizojmë dhe të tjerat do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2022. Shpresoj që shpejt do ta kemi edhe ekspozitën nga Muzeu Kombëtar i Kosovës në Muzeun Historik Kombëtar”, thotë Leci.

Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet thesare nga Muzeu Historik Kombëtar që tashmë veçse ekziston rasti që të shihet.

Po ashtu, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth veçantisë së kësaj ekspozite që sipas tij dëshmojnë për të kaluarën e historisë tonë.

“Është kënaqësi e veçantë që sot edhe njëherë gjatë këtij viti, disa muaj pas ceremonisë në Elbasan, po kalojmë nga akti i nënshkrimit tek akti i zbatimit. Është një ekspozitë interesante ku paraqiten thesaret e Muzeut Kombëtar Historik. Është dëshmia e të kaluarës, e historisë tonë dhe e të tjerëve, por mbi të gjitha është një moment për ta freskuar bashkërisht atë që na bashkon dhe çka më mirë se kultura, trashëgimia, identiteti dhe historia jonë e përbashkët”, thotë Çeku.

Sipas tij, në aktivitetet e kalendarit të përbashkët, qëndron synimi për afrimin sa më të madh dhe pikërisht në këtë drejtim do të bëhet gjithë ajo se çfarë i takon Ministrisë së Kulturës.

Ndërkaq, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi theksoi se në këtë ekspozitë gjenden gjurmët e një Shqipërie të hershme që vjen nëpërmjet imazheve.

“Është një kënaqësi e veçantë që të rikthehemi sërish pas një periudhe të aktivitetet këtu në Muzeun Kombëtar të Kosovës për të ardhur në një ekspozitë e cila realizon dhe tregon gjurmët e identitetit kulturor shqiptar. Në këtë ekspozitë ka pjesë të madhe të objekteve kryesore të thesarit që  ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar për të vendosur kështu gjurmët e një Shqipërie të hershme e cila vjen jo vetëm përmes teksteve por edhe fotove dhe imazheve”, thotë Koçi.

Sipas tij, kënaqësi tjetër është që në vazhdën e aktiviteteve që do të vinë, fundin e vitit do të përmbyllet me botimin e katalogut të përbashkët të trashëgimisë arkeologjike të Muzeut të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Gjithashtu, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tregoi për dimensionin e lartë nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe Shqipëria me rastin e kësaj ekspozite.

“Shqipëria ka një avantazh në këtë drejtim sepse për të pasur një ministër të suksesshëm siç është Çeku, i ka dhënë një vizion më të gjerë se thjesht të qenurit një ministër, por një njeri intelektual, kulturalisht i përmbushur për të kuptuar edhe ato pak ndasi që ekzistojnë midis nesh por që mund të jenë një vlerë e shtuar për punën që bëhet në Kosovë. Duke parë këtë ekspozitë, më vjen në mendje që po kalojmë në një dimension tjetër më të lartë. Kemi të bëjmë me trashëgiminë kombëtare, që është më e rëndësishme sesa sensi kulturor i ngushtë”, thotë Minxhozi.

Sipas tij, këto ekspozita të kësaj natyre janë shumë të rëndësishme, jo thjesht për t’i vizituar por pse jo që këto të jenë edhe pjesë e teksteve shkollore për arsye se ka shumë mangësi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Krejt në fund, u bë e ditur se me iniciativën e ministrit Ceku, do të organizohet 150 vjetori i Asdrenit, (Himnit Kombëtar), ku në Prishtinë do të bëhet një ceremoni e madhe. / KultPlus.com

Sporti i Kosovës do të bëhet me strategji zhvillimore brenda vitit 2022

Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka takuar sot anëtarët e Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore të sportit.

Në këtë takim ai u bëri të qartë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë së Kosovës në krijimin e këtij dokumenti strategjik për sportin, që do jetë udhërrëfyes shumë i vlefshëm për rritjen e cilësisë së garës sportive në vend, suksesin ndërkombëtar, masivizimin e sportit për mirëqenie e shëndet dhe shfrytëzimin e potencialit ekonomik të sportit.

Udhëheqës i Grupit Punues është Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit Bislim Bislimi. Ndërsa përveq anëtarëve nga stafi i brendshëm i Ministrisë, pjesë e Grupit Punues janë edhe Arben Fetahu, kryetar i FBK-së dhe Besim Aliti, Sekretar i Përgjithshëm i KOK-ut.

Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore për Zhvillimin e Sportit së shpejti pritet t’i bashkohen edhe konsulentë vendorë dhe ndërkombëtarë. /KultPlus.com