Vitia: Vaksina AstraZeneca nuk ka pasur efekte anësore tek asnjë i vaksinuar në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se të vaksinuarit në Kosovë nuk kanë pasur asnjë efekt anësor deri më tani.

Gjatë konferencën për medie në Qendrën e Vaksinimit, në sallën “1 Tetori”, Vitia tha se deri më tani ekipa emergjente nuk kanë pasur raste të ankesave nga personat të cilët janë vaksinuar, përcjell KultPlus.

“Te të gjithë qytetarët dhe personeli shëndetësor, vaksina nuk ka pasur asnjë efekt anësor apo efekt të padëshirueshëm që do të mobilizonte epiken mjekësore emergjente. Ata kanë pasur më së paku punë, që është lajm i mirë pasi vaksina deri më tani te askush nuk ka pasur efekte anësore”, theksoi Vitia.

Vitia tha se vaksina është e sigurt dhe ftoi të gjithë qytetarët mbi moshën 80-vjeçare që të lajmërohen dhe të vaksinohen. / KultPlus.com

Televizioni spanjoll me reportazh për Kosovën, shkak një qytetar nga Klina

Televizioni spanjoll “Telemundo 39” i ka kushtuar një kronikë televizive Kosovës, kjo falë një qytetari nga komuna e Klinës, Luan Jagoda i cili ka mësuar të flas spanjollisht dhe është një shikues i rregullt i këtij televizioni.

“Kjo storie që do të transmetojmë është e vështirë për tu besuar por është e vërtetë, bëhet fjalë për një shikues fanatik të Telemundo 39 dhe serialeve tona i cili jeton në anën tjetër të botës. Luani jeton në Kosovë, historia e tij është e mahnitshme” përshkruan prezantuesja tregimin e Luanit, transmeton KultPlus.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Luan Jagoda përmes një postimi në Facebook, i cili u shpreh i lumtur për këtë gjë.

“Nuk kam fjalë me përshkru çfarë ndjenje është kur që nga viti 1997 kur fillova të mësoj gjuhën spanjolle kurr nuk më kish marrë mendja se një ditë një televizion do të më dedikoj kohë e të më falënderoj për përkushtimin tim dhe dashninë që kam për Amerikën Latine, por kjo është Telemundo 39”, ka shkruar Jagoda në Facebook.

Ndryshe ditë më parë është zhvilluar edhe ndeshja futbollistike Kosovë-Spanjë. Kujtojmë se Spanja ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. / KultPlus.com

Një televizion në Serbi publikon hartën e Kosovës dhe të Sanxhakut të ndarë nga Serbia

Mediat në Serbi janë alarmuar pasi një televizion në këtë shtet e ka paraqitur hartën e Kosovës të ndarë nga Serbia, por edhe Sanxhakun gjithashtu të ndarë nga ky shtet.

Në një emision të televizionit “BN TV”, me temën “Luftë në paqe, apo bashkëpunim”, ku ishte myftiu i Sanxhakut Muamer Zukorliq dhe profesori universitar Çedomir Antiq, siç shkruan “Novosti” është paraqitur harta e Kosovës, e ndarë nga Serbia me vijë të kuqe, kurse Sanxhaku me vijë të kuqe të më të theksuar paraqitet i ndarë nga Serbia dhe Mali i Zi, përcjell Telegrafi.

Sipas gazetës serbe “ndonëse vija ndarëse [e Kosovës] nuk është sikurse ajo e ndarjes me shtetet e tjera që kufizohet Serbia, në hartë nuk figuron emërtimi ‘Kosova dhe Metohia’, por vetëm Kosova”. / KultPlus.com

Gazeta e madhe spanjolle nuk ia shkruan emrin Kosovës në tabelë

Gazeta e madhe spanjolle “AS” e ka bërë një skandal në prezantimin e tabelës në grupin në të cilin gjendet edhe Kosova.

Kjo e përditshme spanjolle, në versionin e saj online e ka publikuar tabelën momentale, pas barazimit të Spanjës me Greqinë, ndërsa Kosovën e ka injoruar duke mos e përdorur fare emrin e saj, ndërkohë që ia publikoi vetëm flamurin.

Një gjë e tillë nuk është bërë asnjëherë më parë ku prezantohen rezultatet dhe tabelat, qoftë edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet dhe mediat e atjeshme vazhdimisht e injorojnë vendin tonë.

Madje, javë më parë mediat e atjeshme shkruanin se në Spanjë nuk do të lejohet përdorimi i simboleve të Kosovës përkrah atyre të Spanjës, në ndeshjen e 31 marsit në Sevilla.

Por, më pas Federata Spanjolle doli me një komunikatë duke shpjeguar se do t’i respektojë simbolet shtetërore. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Kosova nderon pilotin holandez që mori pjesë në bombardimet e NATO-s para 22 vitesh

Sot para 22 vitesh, NATO nisi sulmet ajrore ndaj caqeve të makinerisë serbe të luftës, për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi.

78 ditë pas fillimit të bombardimeve, Serbia u dorëzua.

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Grajçevci në këtë përvjetor ia ka ndarë medaljen “Urdhëri i Lirisë”, pilotit të Forcave Ajrore Holandeze, Peter Tankink.

Tankink kishte marrë pjesë si pilot në fushatën bombarduese të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe në vitin 1999.

“Sot, ndërsa kujtojmë vuajtjet dhe sakrificën e popullit tonë, kujtojmë dhe nderojmë ata që e vunë veten në rrezik për të na ndihmuar në orën tonë më të vështirë. Njëri ndër ta është piloti trim i Forcave Ajrore Holandeze, Koloneli Peter Tankink, i cili që në natën e parë të bombardimeve të NATO-s, luftoi në qiellin e Kosovës me avionin e tij F-16, duke rrëzuar një avion të armikut, MiG-29 serb”, njofton në Facebook Grajçevci.

“Me këtë gjest trimërie, Kol. Tankink ka fituar tërë respektin dhe mirënjohjen tonë. Në dhjetorin e vitit të kaluar, kisha nderin e veçantë që t’ia dorëzoja Medaljen presidenciale, “Urdhëri i Lirisë””, ka shkruar më tej Ambasadori Grajçevci./ KultPlus.com

Kosovarët, ndër më të lumturit në botë

Kosova është renditur e 33-ta në gjithë botën në Indeksin Global të Lumturisë, që e ka përpiluar Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa në Gadishullin Ballkanik e ka përpara vetëm Slloveninë që zë vendin e 29-të, transmeton KultPlus.

Niveli i lumturisë te kosovarët është 6.3 nga 10 shkallë sa ka raporti.

Këtu përfshihen jeta e shëndetshme, bujaria, liria për të zgjedhur, mbështetja sociale e përshtypjet për korrupsionin.

Njerëzit më të lumtur në botë kanë dalë të jenë finlandezët.

Në përgjithësi, autorët e raportit thonë se njerëzit janë përmbajtur emocionalisht nga ndikimi i pandemisë COVID-19.

“Kemi bërë dy lloje pyetjesh. Një për jetën në përgjithësi dhe tjetrën për gjendjen emocionale, stresin, ankthin. Ajo që kemi vërejtur është qëndrueshmëria e njerëzve, megjithëse ne jemi akoma në mes të një krize të thellë”, thotë Jeffrey Sachs, bashkautor i Raportit Botëror të Lumturisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sivjet janë radhitur në vendin e 19. Ndërsa Shqipëria është e 93-ta sa i përket lumturisë së banorëve të saj. / KultPlus.com

Kosova synon t’i marrë vaksinat anti-COVID nëpërmjet Izraelit

Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka organizuar një takim virtual mes Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj dhe Ministrit të Shëndetësisë së Izraelit, Yuli Edelstein.

Sipas njoftimit për media, ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se Izraeli ka shprehur gatishmërinë që të shterojë të gjitha mundësitë, për ta ndihmuar Kosovën në sigurimin e dozave të nevojshme.

Takimi do të mbahet sot, e mërkurë (17 Mars) në ora 16:00.

Kosova ende nuk ka arritur marrëveshje me Pfizerin për vaksinat anti-Covid, ajo pritet të përfitojë 100 mijë vaksina përmes programit Covax. Bëhet fjalë për vaksinen AstraZeneca që në disa vende të Evropës është pezulluar. / KultPlus.com

Mediumi izraelit: Kosova të hënën do ta hapë ambasadën në Jerusalem

Kosova pritet që shumë shpejt të bëhet vendi i radhës që hap një ambasadë në Jerusalem.

Madje “Israel Hayom“ka mësuar se diplomatët e vjetër nga të dy vendet do të marrin pjesë në ceremoninë e shënimit të hapjes së ambasadës që do të mbahet të hënën në Jerusalemin qendror.

Ky medium vë në pah faktin se të enjten, ministri i Jashtëm, Gabi Ashkenazi, si dhe kryeministri çek Andrej Babis ishin të pranishëm ndërsa Republika Çeke “pagëzoi” një degë të re të ambasadës së saj në këtë qytet.

Gjithashtu të enjten, thekson tutje ky medium, kryeministri Benjamin Netanyahu mbajti një samit me Babis dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban.

“Netanyahu vlerësoi të dy vendet për veprimin e hapjes së zyrave zyrtare në Jeruzalem dhe tha se Izraeli i vlerëson ‘ata që na ndihmojnë në skenën ndërkombëtare, siç bëjnë miqtë e vërtetë’”./ KultPlus.com

Dorëzohet Spanja: Kosovës do t’ia respektojë të gjitha simbolet

Qeveria e Spanjës do të lejojë që Kosova të luajë me flamurin dhe himnin e saj në ndeshjen kualifikuese të futbollit për Botëror.

Kosovarët prisnin ndeshjen me Spanjën plot entuziazëm, sepse për kombëtaren që nisi para pak vitesh ndeshjet ndërkombëtare, Spanja paraqet një prej mbretërive të futbollit në Evropë.   

Mirëpo, Federata e Futbollit të Spanjës, përmes një postimi në Twitter tregoi se nuk do të ishte aq miqësore. Ata i referoheshin shtetit kosovar si “territor i Kosovës”.

E tash, mediumi spanjoll El Konfidencial shkruan se Spanja do ta presë Kosovën, duke ia respektuar të gjithë simbolet e shtetit të pavarur, transmeton Gazeta Express.

Mediumi shkruan se ky është një hap në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi Spanja, e cila bën pjesë në pesë shtetet e Bashkimit Evropian, që refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Ministria e Punëves të Jashtme të Spanjës, të cilën e citon mediumi, thotë se “politikisht kjo nuk e ndryshon pozicionin e Spanjës për Kosovën as edhe një centimetër”.

Në nëntor 2018, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërcënoi të përjashtonte Spanjën nga gara për vendosjen e pengesave në pjesëmarrjen e Kosovës, duke detyruar një përjashtim emergjent me garat Olimpike të mbuluara nga një dekret mbretëror i vitit 1982.

Mediumi spanjoll shkruan se tash janë FIFA dhe UEFA që e detyruan Spanjën të pranojë me vendosjen e të gjithë simboleve kosovare në Sevilje, ku do të luhet ndeshja.

Federata Spanjolle iu referohej Kosovës si “një territor” në rrjetet sociale, e kjo nxiti reagim të menjëhershëm nga rivali i saj i ardhshëm në fushë.

“Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kotë dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër”, shkroi federata kosovare në një komunikatë, të cilën e citon mediumi spanjoll.

Kosova është në grupin B për kualifikime në botërorin e vitit 2022, bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë  /Express/ KultPlus.com

“Edhe Evropa t’i hap dyert për ne… ne nuk do ta lëshojmë!”, me fjalët e Hamëz Jasharit shpalosen bukuritë e Kosovës

Jeta Zymberi

Projekti “This is Kosovo” realizuar vitin e kaluar nga fotografi Ylber Kabashi rezultoi si shumë i suksesshëm duke marrë pëlqimin e publikut, e pikërisht kjo ishte arsyeja që e shtyri Kabashin për të sjellë pjesën e dytë të këtij projekti, shkruan KultPlus.

Përmes videos së shkurtër “This is Kosovo”, fotografi shpalos bukuritë natyrore të Kosovës, gjithmonë i magjepsur me to.

Video është realizuar me dron dhe përmes saj Ylberi synon t’i tregojë botës se Kosova është një vend shumë i bukur e i mbushur me vende mahnitëse që i ka krijuar nëna natyrë.

“Strategjia ime ndryshon gjatë kohës, por misioni im për vendin tim asnjëherë. Historia jonë më bën ta eksploroj këtë vend të bekuar e të kuptoj sakrificën. Duke ndjekur vizionin tim hap pas hapi”, thotë Kabashi për KultPlus.

Video nis me thënien e njohur të Hamëz Jasharit thënë me një intervistë para 23 viteve: Edhe Evropa t’i hap dyert për ne… ne nuk do ta lëshojmë!

Sipas Kabashit, kjo thënie është legjendare dhe ka mbetur në histori, ndërsa përmes këtij projekti ka dashur ta ripërtërijë.

Ai tutje tregon se këtë projekt e ka realizuar me shumë kënaqësi e njëkohësisht krenarë që këto bukuri po ju prezanton edhe të tjerëve.

“Edhe pse unë jam një eksplorues i bukurisë dhe sytë e mi janë mësuar të shohin pamje mahnitëse, natyra e Kosovës sime të dashur nuk pushon së më mahnituri. Shijoni pjesën e dytë të “This is Kosovo”. Shihni më shumë, ndjeni më shumë!”, thotë Kabashi. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=vZL9C35xyNU

“Kosova: Histori e Shkurtër” nga Jusuf Buxhovi promovohet sot në Prishtinë

Sot në Prishtinë do të mbahet promovimi i librit “Kosova: Histori e Shkurtër”, nga autori dhe historiani i njohur Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.

Ky libër është përmbledhje e serisë së librave “Kosova”.

“Kosova – histori e shkurtër”, që doli këto ditë, e nis sot fushatën e promovimeve në Prishtinë, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini”.

Si pasojë e masave për parandalimin e pandemisë, numri i pjesëmarrëseve është i limituar.

Promovimet, me moton “Shteti i Kosovës e ka historinë e vet shumëshekullore”, do të mbahen ditëve në vijim edhe në disa qytete të Kosovës (Gjakovë, Pejë, Prizren,Ferizaj, Podujevë, Viti e të tjera) dhe në Shkup. / KultPlus.com

Familja nga Kukësi që strehoi gjatë luftës rreth 50 persona nga Kosova

Këtë vit mbushen 22 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës ku rreth një milion ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë luftës 1998-1999.

Forcat serbe, kishin dëbuar popullin e Kosovës me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa vala më e madhe e refugjatëve ishte në Shqipëri.

E shqiptarët atje, ishin mjaft mikpritës me kosovarët që po iknin nga lufta, duke i hapur edhe shtëpitë e tyre e duke ndarë gjithçka bashkë. /express/ KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/familja-nga-kukesi-qe-strehoj-gjate-luftes-rreth-50-kosovare

Ushtarja kanadeze që u bë edhe nënë për fëmijët kosovarë gjatë luftës

Sophie Boisvert Levesque ishte ushtare kanadeze që shërbeu në Kosovë gjatë luftës së fundit, megjithatë, për të Kosova u bë shumë më tepër se një zonë lufte, kurse kosovarët ishin shumë më tepër se refugjatë e të përndjekur.

Ajo tregon në detaje përjetimet e saj gjatë dhe pas mbarimit të misionit të saj në Kosovë dhe për mënyrën se si fëmijët kosovarë e ndryshuan jetën e saj përgjithmonë.

Më poshtë gjeni rrëfimin e saj të plotë:

“I jam bashkuar Ushtrisë Kanadeze në vitin 1990, kur isha 18 vjeçare, me pritshmërinë që një ditë do të dërgohesha diku në botë për të ndihmuar. Zgjodha të krijoja familje në një moshë të hershme, vajzën e linda kur isha në moshën 20 vjeçare de djalin tim të parë në moshën 23 vjeçare. Prandaj, nuk pata mundësi të shërbeja diku para se të bashkohesha në “408 Tactical Helicopter Squadron in Edmonton”, Alberta, Kanada.

Në fillim të vitit 1999 na thanë të bëheshim gati sepse do të vendoseshim në Kosovë. Kushërira ime erdhi që të kujdesej për fëmijët e mi dhe unë atë kohë fola me Majorin për t’u siguruar se do të vija.

Kjo ishte ëndrra ime dhe me lajmet që na vinin nga Kosova, e dija se ishte koha të ndihmonim.

Supozohej që të niseshim në fund të qershorit të vitit 1999, por për shkak të zgjedhjeve në Greqi (atje do të merrnim kamionin tonë dhe pajisjet tjera), u detyruam të niseshim më herët. Përfundimisht e lamë Greqinë më 8 qershor.

Atë kohë, për mua çdo gjë ishte, aksion, ngazëllim dhe aventurë. Kur vjen nga një vend i qetë dhe nuk ke pasur mundësi ta shohësh asnjëherë luftën në sy, të duket sikur diçka e re.

Kur mbërritëm në Greqi dëshiruan që ne të largoheshim që nga dita e parë. Nuk na deshën atje gjatë zgjedhjeve, prandaj i shkarkuam pajisjet dhe prisnim anijet që të arrinin me kamionët tanë. Posa i morëm të gjitha gjërat, u vendosëm në Maqedoni. Derisa po linim Greqinë, kishte grafitë kudo, në të cilët shkruante: “Kthehuni në shtëpinë tuaj, vrasës”, “U kthefshi në arkivole”.

Qëndruam në Maqedoni për disa javë përpara se të vendoseshim në Kosovë. Nuk më kujtohet data e saktë, por nuk do ta harroj kurrë se çfarë kam parë atë ditë. Të shohësh refugjatët dhe shkatërrimet në lajme është gjë e keqe, por ta shohësh atë me sytë e tu është e tmerrshme. U ndamë në grupe. Të fluturoja mbi tërë ato shkatërrime ishte zemërthyese. Burra, gra e fëmijë që lëviznin nëpër kampet e refugjatëve. Tenda të bardha të vogla, varre masive, shtëpi të djegura…. Për mua si kanadeze, më mbeti e shkruar në zemër përgjithmonë. E kjo ishte vetëm dita e parë.

U vendosëm në Kosovë, afër Gllogocit (tash Drenas), në një kamp 1 kilometër katrorë, që do të bëhej shtëpia jonë për pesë muajt e ardhshëm gjatë shërbimit tonë atje. Posa aterruam, fëmijët u afruan afër telave dhe na kërkuan ushqim. Një prej nesh kishte bonbone dhe çokolata dhe ua dha atyre. Një nga fëmijët më pyeti se pse nuk po buzëqeshja. Përgjigja ime ishte e shkurtë dhe e thjeshtë: “Më jep pak kohë derisa ta përpijë tërë këtë gjendje”. Instinkti i nënës që ndodhej brenda meje u lëndua shumë. Atë botë, e ardhmja ime po ndryshonte.

Gjatë ditëve në vijim, në shtëpinë tonë që e krijuam larg shtëpisë sonë të vërtetë, erdhën dy policë ushtarakë dhe po kërkonin një udhëheqëse grua për t’u marrë me fëmijët refugjatë, dhe më pyetën nëse doja të bëhesha unë lidere e tyre. Meqë i dua fëmijët, i doja edhe në atë kohë, si dhe dëshiroja të bëja diçka të mirë, pranova menjëherë.

Shefi im i ushtrisë më dha leje që të shkoja me ta një herë në javë.

Dita e parë që vizitova fëmijët ishte pak e çuditshme. E çuditshme sepse ata kishin sy të mëdhenj dhe të pikëlluar, e nuk dinin çfarë të prisnin, megjithatë ishin gati. Ne i fotografuam të gjithë fëmijët dhe në to dukeshin sikur të burgosur lufte. Pa buzëqeshje, fytyra të drejta dhe shumë të pasigurtë. Kurse, për mua ishte fillimi i një rrëfimi dashurie të përjetshme.

Ata 21 fëmijë u bënë të mitë. Ishin të çiltër dhe inteligjentë.

Unë nuk ishte trajnere asnjëherë më parë dhe nuk dija edhe aq nga veprimet që duhej të bëja me fëmijë, por bënim aktivitete të ndryshme.

Një ditë u thashë fëmijët të vizatonin se çfarë do të bëheshin kur të rriteshin.

Në Kanada, kjo ishte një pyetje e zakonshme. Kur i pyesje fëmijët kanadezë, ata donin të bëheshin policë, zjarrfikës, mësues. Por, nga fëmijët e mi kosovarë mora një shikim të trishtë. Dy prej tyre më dhanë përgjigje, kurse të tjerët nuk e dinin.

Erdha në përfundimin se, kur nuk e di nëse do të jesh nesër, nëse do të kesh çfarë të hash, kur shtëpia jote nuk ka çati, ajo se çfarë do të bësh pas 20 vitesh është plotësisht e parëndësishme.

Çdo javë më jepnin lule dhe biskota. Sa herë që i mbaja lulet, më vinte një ndjesi çlirimi, sepse edhe një ditë, fëmijët e mi kishin shpëtuar nga minat dhe do të kisha më shumë kohë t’i doja.

Isha e mrekulluar nga fakti se sa pak kishin ata fëmijë dhe sa shumë donin t’i ndanin gjërat me mua. Nuk munda t’i merrja lulet me vete, por asnjëherë nuk i kam hedhur dhe nuk i kam ngrënë çokolatat e dhuratat tjera që mora. Madje, i ruaj ende. Po të mos i ruaja do të më dukej sikur po shkatërroja lidhjen me fëmijët.

Dy nga vajzat e mia një ditë më erdhën me dy kukulla. Donin t’ia jepnin vajzës sime. Përmes përkthyesit u thashë që, me shumë gjasë, vajza ime kishte më shumë kukulla, kështu që do të ishte më mirë t’i mbanin. Nuk do ta harroj asnjëherë përgjigjen e tyre.

Ato po m’i dhuronin ato kukulla për ta falënderuar vajzën time që e kishte ndarë nënën e saj me to për gjashtë muaj.

Ditët e mia u bënë më të lumtura kur ishim në gjendje të shihnim dritat që po ktheheshin në fshatrat përreth. Kur shihnim se jetës së tyre po i kthehej realiteti, ishte një ngushëllim për mua dhe shumë njerëz të tjerë. Fëmijëve më në fund po u kthehej buzëqeshja.

Më kujtohet se nuk ishim të lejuar për të dhënë ilaçe apo ndonjë gjë tjetër për njerëzit rreth nesh, por ne e bëmë.

Një nga fëmijët e mi erdhi njëherë në tendë dhe më kërkoi. Nëna e tij kishte një dhimbje të fortë dhe nuk mund të shkonte tek dentisti. E takova dentistin tonë dhe i tregova të vërtetën se kisha nevojë për ndihmë, porse ilaçi nuk ishte për mua, e ai prapëseprapë më ndihmoi.

Ishte mashtrim, por nuk mund të rrinim pa bërë asgjë.

Pastaj, njëra nga vajzat e mia kishte lytha në duart e saj. Unë e kisha një të tillë, kështu që kisha mundësi të merrja ilaçe. Ia dhashë asaj. Përkthyesi ynë më ndihmoi t’ia shpjegoja asaj se si ta përdorte atë. Ne i thamë asaj që ta përdorte çdo ditë pas dushit. Për ne, një dush në ditë ishte normale. Ajo më shikoi dhe më tha që ajo nuk mund ta bënte dush çdo ditë, kështu që ne i thamë të lante duart me kujdes çdo ditë dhe pastaj ta përdorte ilaçin që i dhamë.

Ishim dy botë plotësisht të ndara, sepse neve kurrë nuk na u desh t’i mbijetonim asnjë lufte.

Po më mungonin shumë fëmijët e mi, por e dija se duke i ndihmuar fëmijët kosovarë, edhe ndarja kishte vlerë.

Takimi i fundit ishte shumë i vështirë. Ne ishim renditur në rresht për të thënë lamtumirën dhe i shtrënguam duart. Unë isha gruaja e vetme dhe ndodhesha në fund të rreshtit. Fëmijët filluan të qajnë para meje dhe unë i mora në krahët e mi. Kjo po e ngadalësonte procesin, por isha aq e lënduar sa nuk kisha zgjidhje tjetër, pos t’u thosha lamtumirë në atë formë.

Ferri filloi kur u ktheva në shtëpi. Unë nuk dija të bëhesha nënë për fëmijët e mi dhe isha e frikësuar për ata që lashë prapa. Për mua lufta nuk mbaroi sepse isha në shtëpi dhe kisha frikë se ata ishin lënduar, ose në rastin më të keq, fëmijët e mi ishin vrarë.

Para se të largohesha, i dhashë adresën time të gjithë fëmijëve që të mund të shkruanin. Isha në një periudhë shumë të errët të jetës sime kur mora një letër nga Labinoti im i vogël.

Unë kurrë nuk iu përgjigja letrës së tij dhe e pendohem për këtë gjë. Të gjitha kontaktet u ndërprenë për 19 vitet e ardhshme. Doja të dija, por isha shumë e frikësuar nga përgjigjja që mund të merrja Kështu m’u shfaq një çrregullim stresi post-traumatik dhe nuk kam qenë kurrë më në gjendje të jem e njëjtë me fëmijët dhe familjen time.

Çdo ditë, çdo javë, pa i treguar familjen time, po mendoja për 21 fëmijët e mi, fëmijët e mi nga Kosova. Më është dashur një kohë e gjatë për të mbledhur guximin për të bërë diçka. Unë isha luftëtare krenare dhe e fortë atje, por u ktheva u bëra një person i pafuqishëm dhe i mërzitur.

Më 8 qershor 2018, i thashë vetes mjaft! Postova në një grup të cilit i isha bashkuar disa javë më parë, “Young People of Kosovo” dhe kërkova ndihmë prej tyre për t’i gjetur fëmijët.

Kam ndjenjën sikur i gjithë vendi më ndihmoi, të gjithë ishin të gatshëm.

Një polic kishte shkuar derë më derë në Drenas për të gjetur informacion. Disa më thirrën, të tjerët më shkruan, por u deshën vetëm 72 orë për t’i gjetur të gjithë gjallë dhe mirë.

Kosova është si shtëpia ime e dytë. Kam kontaktuar me fëmijët e mi përmes internetit, por dua t’i marr në krahë përsëri dhe të mos i lë më kurrë të më ikin.

Ndjehem sikur i kam dhashë ata për adoptim dhe tash i kam gjetur vite më vonë.

Unë e di se ata kishin prindër, familje dhe dashuri, por më kishte lënë një plagë të pashërueshme tek unë fakti nuk e dija se çfarë kishte ndodhur me ta.

Fëmijët e mi biologjikë duhet të më falin. Unë nuk isha një nënë e mirë për ta, për shkak të asaj që po ndodhte në kokën dhe zemrën time. Por, tani unë jam e plotë përsëri. Kam familjen time këtu dhe familjen time atje. Po e lë prapë shtëpinë për t’u kthyer në shtëpinë time të dytë, në Kosovë.

Shumë prej kosovarëve më falënderojnë për kontributin tim dhe më trajtojnë si heroinë, por heronjtë e vërtetë jeni ju. Ju përjetuat dhe i mbijetuat një lufte të tmerrshme. Falënderimi më i mirë për ne është që t’ju shohim juve teksa përparoni në jetë. Jam krenare me të gjithë ju.” /AlbFem/ KultPlus.com

Kosova me sistem të qëndrueshëm dhe modern të komunikimit të cilësisë së ajrit

Portali shtetëror i cilësisë së ajrit dhe aplikacioni për telefon të mençur ofrojnë informata mbi cilësinë e ajrit të siguruara në kohë reale nga 12 stacionet monitoruese të vendosura në tërë Kosovën, përcjellë KultPlus.

Tanimë, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të kontrollojnë nivelin e cilësisë së ajrit në kohë reale, të ndjekin rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit të tyre, si dhe të njoftohen me parashikimin e cilësisë së ajrit për ditët në vijim.

Të dhënat mbi cilësinë e ajrit do të jenë të qasshme përmes portalit të ri zyrtar të cilësisë së ajrit, aplikacionit mobil, uebfaqes zyrtare të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), dhe uebfaqes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), si dhe mediave elektronike, stacioneve televizive dhe radiove. Të gjitha këto burime të informatave janë zhvilluar për të komunikuar dhe vizualizuar cilësinë e ajrit në një gjuhë sa më të thjeshtë, të kuptueshme, të saktë dhe lehtë të qasshme në çdo kohë, vend dhe nga çdo qytetar.

 Ashtu si portali shtetëror i cilësisë së ajrit, edhe aplikacioni mobil, ofrojnë informata mbi cilësinë e ajrit të siguruara në kohë reale nga 12 stacionet monitoruese të vendosura në tërë Kosovën.

 Sistemi i ri informativ për kualitetin e ajrit ndihmon mediat, shoqërinë civile, sektorin privat të kenë informata të plota dhe iu mundëson atyre të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet qeveritare dhe të përdorin këto të dhëna të hapura për të zhvilluar politika dhe ndërmarrë vendime për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë bazuar në këto të dhëna.

 Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC-së për Kosovë, ndau shqetësimin e saj për cilësinë e dobët të ajrit si dhe pasojat shëndetësore që shkakton sidomos tek ata që vuajnë nga astma. “Ne po mbështesim Ministrinë e Ekonomisë dhe Mjedisit të përmirësojnë rrjetin monitorues të cilësisë së ajrit, si dhe të publikojnë të dhënat në mënyrë që nxisin analizë të politikave dhe ndërmarrje të hapave konkret për planifikim në të mirë të vendit dhe mirëqenies sonë”, shtoi znj. Olmstead.

Naser Ramadani, Drejtor Ekzekutiv i IKSHPK-së theksoi: “Ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë qenë pjesë aktive e grupeve punuese, trajnimeve dhe në hartimin e të gjitha dokumenteve dhe materialeve edukative që do të shpërndahen ne tërë Kosovën, në kuadër të këtij projekti. Komunikimi i saktë i cilësisë së ajrit dhe burimeve të ndotjes janë kyçe për shëndetin e qytetarëve andaj ne jemi të fokusuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rreziqet nga ndotja e ajrit, në veçanti tek grupet specifike, si dhe ndryshimin e sjelljes me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre në varësi të nivelit të ndotjes.”

Letafete Latifi, Drejtore e IHMK-së u shpreh mirënjohëse për mbështetjen që ka marrë ky institucion nga MFK në përmirësimin e performancës dhe përmbushjen e obligimit të vet ligjor e institucional në monitorimin dhe informimin për cilësinë e ajrit në Kosovë. Më tutje ajo tha: “Zhvillimi i rrjetit të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe rrjetit të komunikimit që ofron të dhëna për cilësinë e ajrit në kohë reale, përmes portalit të cilësisë së ajrit në Kosovë dhe aplikacionit për telefona të mençur janë instrumente kyçe për të informuar publikun për cilësinë e ajrit në vendin ku jetojnë.”

Petrit Selimi, drejtor i MFK ka deklaruar se investimi në dy institutet kombëtare të shëndetësisë dhe atij hidrometeorologjik krijon një urë të re dhe të qëndrueshme të informimit të publikut por edhe të krijimit të një burimi të besueshëm të të dhënave qe lehtëson identifikimin e zgjidhjeve për zvogëlimin e ndotjes.

 Videot vetëdijësuese, broshura për cilësinë e ajrit, fletët me fakte për grupet e ndjeshme si fëmijët, gratë shtatzëna, personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike, si dhe posteri për cilësinë e ajrit janë disa nga materialet që kanë për qëllim informimin e publikut lidhur me ndotjen e ajrit dhe ndikimin e tij në shëndetin e tyre.

 Projekti për Cilësinë e Ajrit, mbështetur nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës, ka për qëllim të ndihmojë Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) në mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve për cilësinë e ajrit, si dhe të informojë publikun në lidhje me rreziqet e shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për t’a mbrojtur veten. Projekti ka mundësuar investimin në stacionet e reja për kontrollin e ajrit, një bashkëinvestim në mes MCC dhe agjensionit zhvillimor japonez JICA, softuerit adekuat si dhe aplikacioneve përkatëse. Kjo nismë bën pjesë në vazhdën e përpjekjeve të MFK-së drejtë përmirësimit të disponueshmërisë publike dhe përdorimit analitik të të dhënave mjedisore nga bizneset, qeveria, shoqëria civile dhe OJQ-të, duke promovuar në këtë mënyrë vendimmarrjen e nxitur nga të dhënat. Aktiviteti për Mbledhjen e të Dhënave Mjedisore është projekt që implementohet nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) që është subjekti zbatues i Programit “Threshold” me vlerë $49 milion i arritur midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), një agjenci e pavarur amerikane për ndihma të jashtme.

Programi “Threshold” i Kosovës i adreson dy çështje kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës: furnizimi jo i qëndrueshëm me energji elektrike dhe sundimi i dobët i ligjit. / KultPlus.com

Gjesti i shqiptarit që tërhoqi vëmendjen e mediave gjermane

Nazmi Aruqi nga Kosova është bërë shembull në Gjermani për shkak të një veprimi human që ka bërë.

Në kohën kur në Gjermani temperaturat kanë shënuar – 12 gradë Celzius, Aruqi ka hapur dyert e dy hoteleve dhe ka strehuar personat që nuk kanë shtëpi. Ai ka thënë se e ka bërë këtë veprim për t’i ndihmuar gjermanët, sikur ata kishin strehuar para luftës shqiptarët që kërkonin azil në Gjermani.

“Në qytetin ku jetoj i kam dy hotele, dhe njerëzve që janë pa banim u kam mundësuar që të strehohen aty. U kam ndihmu atyre sikur ata që na kanë ofruar neve strehim kur kemi ardhë azil në Gjermani”, ka thënë Aruqi.

Shqiptari që jeton në Gjermani që nga viti 1995 ka thënë se edhe gjermanët janë habitur me veprimin e tij.

“Gjermanët më kanë falënderu nga të gjitha anët, e kanë parë këtë gjest dhe u ka ardhur mirë që një i huaj i ndihmon gjermanët. Gjermanët nuk janë mësuar prej një të huaji, dhe ky është një gjest. Unë e kam bërë këtë veprim, sepse edhe vetë kam qenë kështu pa strehim”, ka thënë Aruqi.

E ky gjest ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave gjermane. Aruqi tregon se të shumta kanë qenë mediat gjermane që e kanë kontaktuar dhe kanë shkruar për gjestin e tij. “Më kanë kontaktuar shumë media në Gjermani dhe ka qenë edhe për ta një çudi dhe gjest që e kanë vlerësuar shumë”, shprehet ai. /Albinfo.ch/ KultPlus.com

‘Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur, në fshatrat e thella andej nga Kosova’

Poezia “Nusja nga Kosova” nga Dritëro Agolli:

Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse
Andej nga Kosova në fshatrat e thella,
Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe
Si valë e flamurit tek shpella.

Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra,
Ku rrjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj.
Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura,
po veç si qëmoti me kuaj.

Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë,
Me pluhur mbi vello të vinte nusja e nipit tek unë,
me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë
Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.

Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët
Në vatrën time të vjetër sa përralla,
Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër,
Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,

Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë,
Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta;
Këto pasaporta s’te lënë të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…

Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur
Në fshatrat e thella andej nga Kosova,
Se s’desha të shkoja në tjetren botë me buzë të plasur,
Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja. / KultPlus.com

Rita Ora nuk i harron rrënjët: Urime 13 vjet Pavarësi Kosova jonë

Rita Ora është njëra ndër këngëtaret që përmes artit të saj përherë promovon vlera kulturore dhe tradicionale të vendit të saj, shkruan KultPlus.

Këtë e bëri edhe në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, teksa shpërndau fotografi të mrekullueshme nga veshja e saj në videoklipin e këngës ‘Bang’.

Nën veshje kombëtare dhe me një tekst të shkruar edhe në gjuhën shqipe, Ora ia uron Pavarësinë vendit prej ku ka prejardhjen, Kosovës.

Ora ktheu sytë e artdashësve të saj nga mbarë bota në kulturën shqiptare së fundmi me këngën, teksa këtë e bëri edhe më parë nëpërmjet performancave tjera muzikore. / KultPlus.com

Një flamur gjigant i Kosovës vendoset në zemër të Tiranës (VIDEO)

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana ka vendosur në objektin komunal një flamur gjigant të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shpërndarë një video ku shihet puna duke u vendosur flamuri i Kosovës.

Ky veprim i bashkisë erdhi për shkak se nesër, më 17 shkurt, është 13-vjetori i pavarësisë së Kosovës.

Veliaj ka shkruar “Ja kshu bohet! Dashni nga Tirana! #Kosova13”./ KultPlus.com

https://twitter.com/erionveliaj/status/1361750941406556167?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1361750941406556167%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fnje-flamur-gjigant-i-kosoves-vendoset-ne-zemer-te-tiranes%2F

Presidenti italian uron Kosovën për 13 përvjetorin e Pavarësisë

Presidenti italian ka uruar u.d. Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Qëndrueshmëria e marrëdhënieve mes vendeve tona dëshmohet nga intensiteti i lartë i dialogut politik dhe bashkëpunimit dypalësh, i cili ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit të fundit edhe në kontekstin e sfidave të përbashkëta të paraqitura nga pandemia”, thuhet në letrën e dërguar Osmanit.

Presidenti italian ka thënë se Italia qëndron përkrah Kosovës në rrugën e reformave dhe konsolidimit institucional dhe se integrimin e Prishtinës në institucionet europiane e konsiderojnë si një hap me rëndësi primare.

Letra e plotë:

Me rastin e festës kombëtare ju përcjell Juve dhe popullit mik kosovar urimet më të mira nga Republika italiane.

Qëndrueshmëria e marrëdhënieve mes vendeve tona dëshmohet nga intensiteti i lartë i dialogut politik dhe bashkëpunimit dypalësh, i cili ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit të fundit edhe në kontekstin e sfidave të përbashkëta të paraqitura nga pandemia.

Italia qëndron përkrah Kosovës në rrugën e reformave dhe konsolidimit institucional. Integrimin e Prishtinës në institucionet europiane e konsiderojmë si një hap me rëndësi primare në kompletimin e ndërtimit të shtëpisë së përbashkët europiane dhe me të njëjtën bindje vazhdojmë të mbështesim dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Europian.

Duke rikonfirmuar angazhimin e vendosur italian në drejtim të stabilitetit rajonal përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it, edhe njëherë ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për mirëqenie dhe prosperitet për Republikën e Kosovës.

Sergio Mattarella. / KultPlus.com

Osmani i bashkohet peticionit për vendosjen e Kosovës në hartën e Netflix

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, iu bashkua peticionit për vendosjen e Kosovës në hartën e Netflix.

Kjo ngase në këtë platformë, Kosova figuron si pjesë e Serbisë, andaj ka filluar nisma për të vendosur Kosovën në kufijtë e saj në Netflix.

“I dashur Netflix, njerëzit e Kosovës i shijojnë shumë shërbimet tuaja ‘streaming’ dhe e duan punën tuaj. Ata meritojnë të njihen për këtë. Është koha që ta vendosni Republikën e Kosovës në hartën tuaj”, shkruan Osmani në Twitter.

Nisma filloi nga Sovran Hoti, me këtë peticion ashtu sikurse ndodhi më parë me “Apple”, kërkohet që Kosova të njihet si shtet në platformën  e njohur Netflix. / KultPlus.com

Netflix e shfaq Kosovën si pjesë të Serbisë, nis peticioni për ta ndryshuar

Fushata për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple e cila u përkrah nga shumë njerëz, ndër ta edhe nga yjet tona nëpër botë – nga Dua Lipa, Rita Ora e shumë të tjerë, pas 197,175 nënshkrimeve në platformën online “Change”, arriti qëllimin, shkruan KultPlus.

Tashmë një tjetër nismë ka filluar nga Sovran Hoti, student në Universitetin “Ukshin Hoti“ në Prizren.

Kësaj rashe kërkohet që Republika e Kosovës të njihet si shtet në Netflix.

Kjo nismë vjen pasi që Sovrani është përdorues i rregullt i Netflix dhe e ka vënë re se lokacioni i figuron Serbi. Kjo e ka ngacmuar Sovranin dhe ka filluar të hulumtojë më tepër rreth kësaj pune.

“Unë kam një kohë që e përdori Netflix dhe kur logohem në platformë lokacioni im figuron në Serbi. I pyeta edhe shokët dhe e njëjta gjë ishte edhe me ta. Kontaktova agjenten në Netflix dhe u mundova t’i shpjegoj se Kosova është shtet i pavarur dhe u kërkova ta hiqnin Serbinë si lokacion, por me sa duket ata nuk e kuptuan dhe as kishin dëgjuar për Kosovën, megjithatë thanë se do ta marrin parasysh”, tregon Sovrani rreth nismës së tij për të cilën pretendon të marrë jehonë e të tërheqë vëmendjen e Netflix për të arritur qëllimin.

Sovrani kërkon ndihmë që peticioni online i nisur nga ai me hashtag #NetflixaddKosovo të shpërndahet e të nënshkruhet sa më shumë që Netflix ta vërejë këtë nismë dhe të marrë vendimin që të njohë Kosovën si shtet.

Ky është linku ku mund të nënshkruani peticionin: https://www.change.org/p/netflix-add-kosovo-as-a-country-in-netflix?utm_content=cl_sharecopy_27279113_en-US%3A7&recruiter=921387685&utm_source=share_petition&utm_medium=copylink&utm_campaign=share_petition  / KultPlus.com

“Ma kanë hedhur fëmijën nga djepi”, rrëfimi emocionues për luftën (VIDEO)

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga lufta në Kosovë, rrëfimet e asaj kohe janë shumë të freskëta dhe mjaft emocionuese.

I tillë është edhe rrëfimi i një nëne e cila kishte ikur nga vatra e luftës diku në Kosovë me fëmijët e saj, ndërsa për media rrëfen tmerrin që ka kaluar gjatë rrugës.

Ajo dëgjohet duke rrëfyer se si ushtria serbe i kanë larguar me dhunë nga shtëpitë ndërsa fëmijët i kanë torturuar.

Për më shumë shikoni rrëfimin e kësaj nënë i cili është mjaft emocionues. / KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/rrefim-me-emocionues-per-luften-se-ky-nuk-keni-degjuar-asnjehere-mp4

https://video.gjirafa.com/rrefim-me-emocionues-per-luften-se-ky-nuk-keni-degjuar-asnjehere-mp4

Shqipëria dhe Kosova pjesë e konkursit për dokumentimin e kulturës

Wikimedia ka organizuar një konkurs ndërkombëtar fotografik të quajtur “Wiki Lovers Foklore”. Synimi i saj është dokumentimi i kulturave të ndryshme anëembanë botës.

Shqiptarëve, si në Shqipëri dhe në Kosovë u bëhet thirrje të futen në arkivat e tyre të fotove ose të vizitojnë muze, vende me përmbajtje folklorike ose historike dhe t’i ngarkojnë ato në “Wiki Loves Folklore in Albania and Kosovo” (kliko këtu).

Qëllimi themelor i konkursit është të mbledhë fotografi të larmishme kulturore e njerëzore për të ilustruar artikujt në enciklopedinë e lirë botërore “Wikipedia” dhe projektet e tjera të organizatës së Wikimedia-s.

Wiki Lovers Foklore

Fotografitë duhet të përputhen me tematikën e folklorit: të paraqesin pamje nga festivale folklorike, valle, kuzhinë, veshje tradicionale ose rutinë e jetës së përditshme duke theksuar kulturën popullore shqiptare.

Afati kohor për dorëzime është 1 shkurt 2021 deri më 28 shkurt 2021. Do të jepen çmime dhe certifikata për tre fotografitë më të mira ku vendi i parë fiton 50 euro, i dyti, 30 dhe i treti 20 euro.

Të gjithë mund të marrin pjesë, pavarësisht moshës, kombësisë dhe vendit ku jeton. Mjafton që të pranoni t’i publikoni fotot tuaja nën licencën Attribution-ShareAlike 4.0 International (ç BY-SA 4.0).

Që të merrni pjesë në këtë konkurs, duhet të keni një llogari në Wikimedia Commons, të bëni fotografi të kulturës popullore shqiptare ose të Shqipërisë dhe Kosovës dhe t’i ngarkoni fotografitë në Commons. Mos harroni të shtoni Kategorinë:Imazhe nga Wiki Loves Folklore 2021 në Shqipëri. /dp/ KultPlus.com

Federata panshqiptare e Amerikës ‘Vatra’ përshëndet marrëveshjen mes Kosovës dhe Izraelit

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, përshëndet dhe mbështet fuqishëm marrëveshjen ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit për njohjen dhe vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe rritjen e bashkëpunimin në shumë fusha. Izraeli bëhet shteti i 117-të që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Në këtë ditë historike të forcimit dhe më tej të miqësisë mes SHBA-së, Kosovës dhe tashmë  edhe Izraelit, i shpreh mirënjohje të thellë dhe vlerson Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin dhe rolin e veçantë për këtë arritje e kësaj marrveshje historike-politike-diplomatike.  Njohja e shtetit të Kosovës prej Izraelit është arritja më e madhe diplomatike e Kosovës gjatë vitit diplomatik dhe mbi të gjitha forcim i mëtejshëm i miqësisë me aleatin më të madh të Kosovës, SHBA.

Akti historik i njohjes së shtetit të Kosovës nga Izraeli, forcon më tej pozicionin e Kosovës, imazhin, institucionet dhe diplomacinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe është një hap përpara drejtë realizimit të aspiratës euroatlantike të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës. Në këtë proces të vështirë historik, VATRA falenderon Kryeministrin e Kosovës, z.Avdullah Hoti dhe Ministrën e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, për punën e bërë dhe suksesin e lartë që është një garanci e mëtejshme në fushën e diplomacisë së Kosovës, integrimit dhe forcimit të institucioneve. Marrëveshja Kosovë – Izrael, është një gur themeli i fortë në miqësinë mes popullit shqiptar, izraelit dhe popullit mik amerikan. Mbështetja nga Shtetet e Bashkuara, miqësia e re dhe e fortë më Izraelin e bëjnë Kosovën më të fortë, forcon pozitat e shqiptarëve në rajon. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeve, Shtetet e Bashkuara hedhin jë hap të fuqishëm diplomatik që ndihmon paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në këtë proces kompleks VATRA ishte prezente dhe u angazhua pandërprerë nëpërmjet komunikimeve dhe takimeve të vazhdueshme ku delegacioni i VATRËS në Uashington, loboi fuqishëm me miqtë e tanë në Shtëpinë e Bardhë, duke shfrytëzuar njohjet personale dhe institucionale në takimet me Ambasadorin Granell dhe përfaqësues të tjerë të Shtëpisë së Bardhë. Gjatë gjithë këtij procesi i qëndruam afër duke i shoqëruar e këshilluar delegacionin e shtetit të Kosovës në Uashington.

Përgjatë vitit 2020, po ashtu VATRA forcoi edhe më tej lidhjet e saj me diplomacinë në Uashington, me diplomacinë e Kosovës duke nënshkruar memorandum me Ministren e Jashtme Meliza Haradinaj Stublla dhe jemi në përgatitjen përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes me diplomacinë e Tiranës zyrtare pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. VATRA do ta luajë kurdoherë rolin e saj atdhetar e diplomatik sa herë që shtrohet për diskutim fati i shteteve amë Shqipërisë e Kosovës. VATRA do të jetë prezente duke lobuar me miqtë në Uashington sa herë që të merren vendime për fatet e popullit, shtetit e kombit shqiptar./ KultPlus.com