Nga Gucci tek Diori i rremë: Shqipëria u thotë stop produkteve fallco

Për vite me radhë, konsumatorët shqiptarë janë mashtruar nga produkte të prezantuara si “luksoze”, por që në realitet ishin thjesht imitime. Çanta, këpucë e rroba me logot e Gucci-t, Louis Vuitton-it apo Dior-it, janë shitur me çmime “të leverdishme”, por pa garanci dhe pa asnjë vlerë të vërtetë. Kjo ka kthyer tregun shqiptar, sidomos atë online, në një hapësirë të mbushur me reklama dhe produkte të falsifikuara.

Më 16 gusht hyn në fuqi ligji i ri për markat tregtare, i cili synon t’i japë fund këtij fenomeni. Sipas tij, çdo produkt që shkel të drejtat e pronësisë intelektuale do të ndalohet në dogana, duke parandaluar importin dhe eksportin e mallrave të falsifikuara.

Rregullat e reja prekin edhe udhëtarët: produktet e blera jashtë vendit që rezultojnë imitime të markave të njohura do të konfiskohen në pikat doganore. Në këtë mënyrë, synohet të garantohet që vetëm mallrat origjinale dhe brenda kufijve ligjorë të futen në Shqipëri.

Një tjetër risi ka të bëjë me mbrojtjen e markave ndërkombëtare. Pronari i një marke jo vetëm që mund të ngrejë padi kundër atyre që shesin imitime, por edhe të kërkojë dëmshpërblim. Neni 87 i ligjit parashikon qartë sanksione për përdorim të paautorizuar të markave dhe mundësi që pronarët të kërkojnë nisjen e hetimeve zyrtare nga Drejtoria e Pronësisë Industriale.

Vetëm në vitin 2024, Dogana shqiptare bllokoi mbi 40 mijë produkte të falsifikuara, shifër që tregon vetëm “majën e ajsbergut”. Pasojat e këtij tregu janë të mëdha: biznese të ndershme pësojnë humbje, ndërsa konsumatorët përballen me produkte të rrezikshme për shëndetin, veçanërisht në fushën e kozmetikës dhe këpucëve me materiale toksike.

Një Shqipëri pa mallra “fake” do të thotë një treg më transparent, më i sigurt dhe më i drejtë për konsumatorët. Por sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjit: pa një kontroll të rreptë nga doganat, policia dhe Drejtoria e Pronësisë Industriale, rrugët alternative të kontrabandës nuk përjashtohen.

Megjithatë, hyrja në fuqi e këtij ligji përbën një goditje të fortë ndaj atyre që kanë përfituar për vite nga mashtrimi me logot e markave të njohura dhe një hap të rëndësishëm drejt pastrimit të tregut shqiptar./KultPlus.com

‘Point of View’, urë krijuese mes artistëve shqiptarë dhe austriakë

Projekti artistik “Point of View” u zhvillua si pjesë e shkëmbimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë, një nismë që synon të forcojë lidhjet artistike ndërkombëtare dhe të promovojë krijimtarinë bashkëkohore.

Organizuar nga platforma “Satellite Zone”, e njohur për mbështetjen e ndërveprimit ndërkulturor mes artistëve, ky projekt solli në vëmendje zëra të rinj dhe vizione origjinale nga skena artistike shqiptare.

Dy artistet shqiptare, Inda Sele dhe Kristanja Çene, ishin pjesë e kësaj nisme, duke prezantuar punët e tyre përmes një qasjeje personale dhe eksperimentale.

Veprat e tyre shpalosën perspektiva unike mbi realitetin, identitetin dhe përkatësinë kulturore, duke krijuar një hapësirë të hapur për dialog, reflektim dhe komunikim përmes artit.

“Point of View” nuk ishte vetëm një ekspozitë apo shfaqje, por një takim krijues që theksoi fuqinë e artit për të kapërcyer kufijtë gjeografikë dhe për të ndërtuar ura mes kulturave të ndryshme.

Projekti u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), si një dëshmi e angazhimit për nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e artit bashkëkohor./atsh/KultPlus.com

Revista Britanike ‘Mirror’: Shqipëria, parajsa e fshehur e Evropës

Sipas revistës britanike “Mirror”, Shqipëria po fiton zemrat e udhëtarëve britanikë si një alternativë e shkëlqyer për Maldive, po aq e bukur, por tepër më e përballueshme.

Artikulli nënvizon ujërat kristal të Ksamilit, rezorte të mrekullueshme dhe natyrë të paprekur, dhe kjo me kosto shumë më të ulët se në destinacione të njohura.

Ky lloj ekspozimi në mediat britanike, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit turistik ndaj Shqipërisë. Artikuj të ngjashëm në “Mirror”, “Metro” dhe “Daily Mail” e përmendin Ksamilin dhe Vlorën si destinacione kryesore për pushime verore me buxhet të ulët.

Artikulli i “Mirror” e vendos Shqipërinë hartën e destinacioneve më të kërkuara për pushime të përballueshme, por të paharrueshme. Duke e cilësuar Shqipërinë si “Maldive të Evropës”, media britanike jo vetëm që i hap derën një audience të re vizitorësh, por edhe ndihmon në krijimin e një imazhi modern e tërheqës për vendin tonë. Ky lloj promovimi ndërkombëtar, i mbështetur nga bukuria natyrore dhe mikpritja shqiptare, mund të shndërrohet në një motor të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik dhe kulturor për vitet që vijnë./KultPlus.com

“Le Figaro”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira kulturore për të udhëtuar

E përditshmja franceze “Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve kulturore më të mira për të vizituar në një udhëtim të organizuar.

Nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës te thesaret e Rilindjes Italiane, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri, këto destinacione ofrojnë një ndërthurje të peizazhit dhe kulturës.

Cilat janë destinacionet më të mira kulturore për udhëtime të organizuara?

1-Shqipëria dhe Thesaret e UNESCO-s

2-Një shëtitje në zemër të Uashington DC, Merilendit dhe Virxhinias

3-Salzburg: Mozarti dhe Shkëlqimet e Salzkammergut

4-Madhështitë e Saksonisë: Dresden dhe Leipzig, dy qytete të artit dhe historisë

5-Firence, toka e mjeshtrave: Ekspozita “Fra Angelico” dhe Thesaret e Rilindjes

Shqipëria dhe thesaret e UNESCO-s

Zbuloni këtë udhëtim në Shqipëri

Shqipëria, një perlë e vërtetë e fshehur e Ballkanit, joshëse me pasurinë e historisë së saj dhe diversitetin e peizazheve të saj.

Nga Tirana në Gjirokastër, nëpërmjet Beratit dhe Butrintit, ky udhëtim ju çon në gjurmët e qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në këto toka: ilirët, grekët, romakët dhe osmanët.

Një vizitë në një vend ku autenticiteti kombinohet me shkëlqimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shqipërinë nuk do ta zbuloni vetëm përmes monumenteve të saj.

Ajo jeton në mikpritjen e popullit të saj, pasurinë e traditave të saj dhe shijet e gastronomisë së saj.

Shijoni një byrek krokant, dëgjoni polifonitë shqiptare të listuara në UNESCO dhe eksploroni tregjet e gjalla – ku ndërthuren aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale.

Këto janë vetëm disa nga përvojat që e bëjnë këtë udhëtim të paharrueshëm.

Shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Krujës, një performancë vallesh popullore apo zbulimi i vreshtave lokale janë të gjitha momente që dëshmojnë autenticitetin dhe ngrohtësinë e kësaj toke mikpritëse./atsh

“RTL Radio”: Shqipëria, “xhevahiri ballkanik” që po kthehet në destinacion qendror në hartën turistike europiane

Shqipëria turistike vijon të marrë jehonë në mediet ndërkombëtare.

Këtë herë është RTL Radio, një platformë mediatike e vendosur në Luksemburg, që i ka kushtuar një artikull të posaçëm potencialeve turistike të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në “RTL Radio”, e cila në serinë e saj për destinacionet e pushimeve në Europë ka ndaluar në Shqipëri.

“’Xhevahiri ballkanik’ që po kthehet nga një sekret, në destinacion qendror të hartës turistike europiane”, shkruan RTL Radio.

Rama nënvizoi se “nga Alpet e Shqipërisë, deri në Dhërmi, Ksamil e Himarë, duke kaluar përmes Parkut Kombëtar të Vjosës dhe qyteteve UNESCO si Gjirokastra e Berati, kjo guidë e plotë u ofrohet pushuesve europianë për pushimet e tyre në Shqipërinë tonë”.

Në artikullin dedikuar Shqipërisë RTL Radio vlerëson se vendi është në mes të transformimit drejt një pike të nxehtë në hartën e pushimeve të Evropës.

Artikulli veçon natyrën e paprekur në veri, e cila ofron një larmi të jashtëzakonshme në një zonë të vogël, me natyrë shumë larg turizmit masiv.

“Fshatrat e vegjël me shtëpi guri, lumenj të pastër dhe pamje panoramike e bëjnë zonën një parajsë për entuziastët e aktiviteteve në natyrë dhe ata që kërkojnë paqe. Parku Kombëtar i Vjosës, i klasifikuar në vitin 2023 si ‘Parku Kombëtar i Lumit të Egër’ i parë në Evropë, ofron edhe më shumë bukuri natyrore. Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i madh me rrjedhë të lirë në kontinent, me rajonin përreth që strehon mbi 1100 lloje kafshësh dhe bimësh, duke përfshirë rrëqebullin, vidrat dhe zogj të rrallë”, shkruan RTL Radio.

Po ashtu Riviera Shqiptare përgjatë bregdetit Jon konsiderohet një nga rajonet më të bukura, por më pak të zhvilluara në Mesdhe.

“Plazhe si Maldivet. Ata që preferojnë detin në vend të maleve nuk do të zhgënjehen gjithashtu. Plazhet e Ksamilit, Dhërmiut dhe Himarës kanë rërë të imët, ujëra bruz dhe një atmosferë të relaksuar, turmat e vendpushimeve të mëdha”, thuhet në artikull.

RTL Radio shkruan po ashtu për Tiranën, një qytet që përzien ngjyrat, historinë dhe jetën e gjallë. “Qendra e tij është plot me energji krijuese, nga kafenetë me muzikë live dhe art rruge, deri te restorantet inovative dhe një popullsi e re që i jep jetë qytetit”, vijon artikulli./atsh/

“Independent”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira për pushime në vitin 2025

Jeni duke kërkuar një vend për pushime me buxhet të ulët? Ne ju rekomandojme pese destinacionet më të mira në vitin 2025 – nga Spanja në Shqipëri – për pushime të përballueshme, shkruan Sarah Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Independent”.

Shumica e turistëve britanikë do të donin të eksploronin destinacione të reja dhe në zhvillim, në vend të destinacioneve të njohura, të mbipopulluara dhe të shtrenjta për pushime.

Për fat të mirë, ka mjaft mundësi për të zgjedhur nëse doni të kurseni para pa bërë kompromis me diellin apo cilësinë e përvojave.

Shqipëria: Vendi më i mirë për aventura

Qoftë duke shëtitur nëpër rrugët me kalldrëm, duke zbuluar majat e maleve apo duke notuar në ujërat e kaltra të shndritshme, Shqipëria ka një ngjashmëri të madhe me fqinjën e saj elegante përtej detit Adriatik.

Por krahasuar me Italinë, plazhet janë më të qeta, vendet e fshehura janë më të shumta dhe çmimet janë dukshëm më të lira.

I specializuar në udhëtime për turistë 18-35 vjeç, “Contiki” është operatori i parë turistik për të rinj që ofron udhëtime në të gjithë vendin ballkanik.

Mësoni rreth të kaluarës përmes arkitekturës osmane, fashiste dhe sovjetike të kryeqytetit, Tiranës, ecni në shtigjet që të çojne në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe relaksohuni në plazhet e arta të Rivierës Shqiptare.

Udhëtimi tetëditor kushton 1,025 euro për person, duke përjashtuar fluturimet.

“Independent” rendit vendet më të mira për t’u vizituar në vitin 2025 – për pushime të përballueshme:

Vendi më i mirë për aventura: Shqipëria

Vendi më i mirë për plazhet: El Gouna, Egjipt

Vendi më i mirë për familjet: Galicia, Spanjë

Vendi më i mirë për ski: Voss, Norvegji

Vendi më i mirë për natyrën: Bosnjë-Hercegovina/atsh/

    Njohja “de jure” e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha: Vendimi historik i Londrës më 1913

    Më 29 korrik të vitit 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohu “de jure” shtetin e pavarur shqiptar.

    Në shenjë mospajtimi me shpalljen e pavarësisë, vendet ballkanike vazhdonin të mbanin trupat e tyre në territorin shqiptar. Duke marrë rolin e arbitrit mes palëve ndërluftuese, në maj të 1913-s, u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku u nënshkrua Traktati i Paqes, në bazë të të cilit Perandoria Osmane detyrohej të hiqte dorë nga të drejtat sovrane mbi Shqipërinë. Në përfundim të punimeve, më 29 korrik 1913, fuqitë e mëdha vendosën që Shqipëria të shpallej Principatë Autonome, sovrane dhe e trashëgueshme.

    Konferenca e Ambasadorëve erdhi si nevojë e zhvillimeve të ndodhura gjatë ndryshimeve të ekuilibrit të forcave, të dalë nga luftrat ballkanike. Kufijtë e Shqipërisë dhe të gjitha çështjet e tjera të lidhura me të, do të zgjidheshin nga Fuqitë e Mëdha sipas marrëveshjeve midis palëve.

    Perandoria Osmane kishte humbur shkëlqimin e saj. Shqipëria dhe fati i qytetarëve të saj do të bëhej pjesë e kësaj rrokopuje dhe produkt i një harte që do të prodhonte ndër vite veç tensione, duke lënë rreth 40 për qind të territorit të saj jashtë këtij ridimensionimi të Ballkanit.

    Gonxhja: Ekspozitë unike me ikonat shqiptare në Francë

    Mbi 45 vepra ikonografike të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të udhëtojnë nga Korça drejt qytetit historik Chambery në Francë.

    Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “ekspozita unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, ku ikonat e përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar”.

    Gonxhja thekson se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor Francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.

    Ai shton se ekspozita mund të konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.

    Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.

    Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor të vitit 2026. Pas Chambery ekspozita do të zhvendoset në një tjetër qytet francez deri në mars 2027./atsh/

    “Travel Radar”: Shqipëria mes destinacioneve të reja të udhëtimeve në 2025

    Me rritjen e çmimeve të udhëtimeve dhe mbipopullimin e destinacioneve kryesore, shumë turistë po kërkojnë përvoja të përballueshme ose të panjohura, shkruan Harmia Amadi në një artikull të botuar në “Travel Radar”.

    Revista e udhëtimeve “Travel Radar” e ka renditur Shqipërinë mes tre destinacioneve në zhvillim – nga Evropa bregdetare në Afrikën ekuatoriale – që mund të jenë ndër zgjedhjet më të mira të vitit 2025.
    Falë bukurisë së tyre të egër dhe vendeve kulturore këto destinacione mund të jenë duke riformësuar në heshtje hartën globale të udhëtimeve.

    Shqipëria: Adriatiku i përballueshëm i Evropës
    Me malet e saj të egra, Alpet veriore të pacënuara dhe bregdetin bruz të Ksamilit, Shqipëria është shndërruar nga një sekret për vizitorët e huaj në një konkurrente serioze midis pikave të nxehta turistike alternative të Evropës.

    Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara raportoi se vendi ballkanik u rendit i treti në rritjen globale të turizmit, me një rritje prej 80% të vizitorëve krahasuar me vitin 2019.
    “Shqipëria mirëpriti 11,7 milionë vizitorë ndërkombëtarë në vitin 2024 – dhe është në rrugën e duhur për të patur një rritje të mëtejshme – me më shumë se 3 milionë turistë deri në fund të vitit 2025”, sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë,
    Atraksionet

    Shqipëria po shfaqet si një alternativë e përballueshme kundrejt destinacioneve të njohura mesdhetare – duke ofruar peizazhe të larmishme për një gamë të gjerë vizitorësh.

    Vijat e saj të pastra bregdetare janë të përshtatshme për pushime ideale në plazh, ndërsa adhuruesit e natyrës mund të eksplorojnë liqenet akullnajore, gjiret dhe shtigjet malore.

    Më pak e globalizuar se fqinjët e saj, Shqipëria ka ruajtur mikpritjen e saj tradicionale, me një ndërthurje kulturore të ndikimeve osmane dhe greke.

    Muzika popullore, zakonet rajonale dhe identiteti i fortë lokal e bëjnë Shqipërinë gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj.

    Plazhet mahnitëse dhe qytetet bregdetare të Rivierës Shqiptare rivalizojnë destinacione si bregdetin e Greqisë, por me një çmim shumë më të ulët.

    Sipas “Numbeo”, kostoja e jetesës në Shqipëri – duke përjashtuar qiranë – është 14% më e ulët se në Greqi.

    Kostot e ushqimit dhe çmimet e restoranteve janë përkatësisht 97% dhe 24% më të ulëta.
    Infrastrukturë e përmirësuar
    Infrastruktura turistike është përmirësuar, gjithashtu vitet e fundit, me një transport publik më të besueshëm, në aeroport dhe Tunelin e Llogorasë që lehtësojnë aksesin drejt Rivierës Shqiptare.

    Rritja eksponenciale e turizmit në vend mbështetet nga 33 projekte aktive zhvillimi me një total prej 5,3 miliardë eurosh – të paraqitura në Strategjinë e saj Kombëtare të Turizmit 2024-2030.
    Për më tepër, linjat ajrore kanë zgjeruar shërbimin në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës gjatë pesë viteve të fundit.

    “Wizz Air” nisi fluturimet ajrore nga Aeroportin i Tiranës në vitin 2020, e ndjekur nga “Ryanair” dhe “British Airways” në vitin 2023.

    Në qershor, “airBaltic” nisi fluturimet direkte që lidhin vendet baltike me kryeqytetin e Shqipërisë.
    Lidhshmëria në rritje pasqyron profilin në rritje të Shqipërisë si një destinacion turistik në zhvillim.

    Këndvështrimi diplomatik


    Shqipëria nuk është vetëm një destinacion në zhvillim i përballueshëm dhe me më pak turma vizitorësh.
    Ajo po ripozicionohet në skenën ndërkombëtare si anëtare e NATO-s, kandidatja më e fundit e Bashkimit Evropian dhe një nga vendet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë – me zhvillime të shërbimeve publike dhe ekonomike të mbështetura nga Banka Botërore dhe BE-ja – duke u shfaqur si një qendër turistike e vendosur strategjikisht dhe e gatshme për investime.

    Shqipëria, gjithashtu ofron hyrje pa viza për qytetarët e BE-së dhe të Britanisë së Madhe (90 ditë) dhe shtetasit amerikanë (deri në një vit) – duke përforcuar atraktivitetin e saj si një vend ideal për një arratisje në Mesdhe./atsh/

    Fotografi fashist që zbuloi dhe maskoi realitetin e Shqipërisë së vitit 1940

    Nga Albert Vataj

    Në një epokë të trazuar, kur Europa po tronditej nga marshimi i fashizmit dhe retorika e Musolinit kumbonte përtej brigjeve të Adriatikut, një sy i mprehtë, ai i Giuseppe Massanit, shihte dhe regjistronte një Shqipëri që ndodhej mes realitetit të saj të vjetër dhe imazhit të ri që propaganda donte t’i jepte.

    Fotografitë e tij, të botuara në vëllimin “Albania: testo e foto di Giuseppe Massani” (Romë, 1940), nuk ishin thjesht kartolina nostalgjike. Ato ishin mjet politik dhe njëkohësisht dëshmi të paçmuara, ku ndërthuren mjeshtëria artistike dhe hijet e propagandës.

    Mes reporterit të përkushtuar dhe artistit të paanshëm, mes njeriut që shërbente një ideologji dhe krijuesit që s’dinte të ndalonte së fiksuari bukuritë e vërteta, Massani lëvizte në një labirint të dyfishtë. Nga njëra anë, misioni i tij ishte i qartë: t’i paraqiste Italisë fashiste një Shqipëri të shkëlqyer, të ndriçuar nga rregulli dhe përparimi nën simbolin e Liktorit. Nga ana tjetër, objektivi i tij kapte gjeste, fytyra, peizazhe e zakone që asnjë censurë propagandistike nuk mund t’i zbehte.

    Dhe lindin pyetjet që trazojnë çdo studiues:

    – Ç’bënin portretet e Viktorit Emanuelit III dhe të Duçes në një shtëpi alpine në Theth?

    – Ç’kuptim kishin buzëqeshjet dhe takimet miqësore të banorëve të Tiranës me ushtarakë italianë në rrugë?

    – Çfarë tregonte biseda e çiltër e një zonje shqiptare, e veshur me kostum kombëtar, me vetë Benito Musolinin?

    Këto nuk janë thjesht pamje të fiksuara në celuloid. Janë simbolika të një kohe kur Shqipëria po përdorej si skenë për të luajtur dramën e lavdisë romake. Por ato, në të njëjtën kohë, mbeten dëshmi e një realiteti etnografik, të zakoneve të gjalla, të lagjeve tradicionale, të tregjeve të gjallëruara, të punëve të dorës, riteve të përditshme dhe panoramave që frymojnë autenticitet.

    Siç vëren albanologu Robert Elsie, Massani kishte qenë tashmë një ithtar i flaktë i fashizmit, autor albumesh për rajone të ndryshme italiane, përpara se të mbërrinte në Shqipëri. Albumi për Shqipërinë ishte një pasaportë ideologjike për publikun italian, e përgatitur me mbështetje zyrtare dhe një kujdes të hollë për të krijuar imazhin e një bashkimi italoshqiptar.

    Por brenda atij kuadri të kujdesshëm propagandistik, objektivi i Massanit shpesh “tradhtonte” misionin e vet: ai ndalonte mbi një fytyrë të rrudhur bariu, mbi një veshje popullore të qëndisur me dorë, mbi një peizazh të egër që s’pranon të zbutet nga parullat, mbi lojën e fëmijëve në rrugë të gurta. Pikërisht këto çaste i japin albumit të tij vlerën e vërtetë etnografike e kulturore.

    Albumi i Massanit është, kësisoj, një mozaik i dyfishtë:

    një pasqyrë e një kohe para komunizmit, e një Shqipërie që kishte ende gjurmët e saj të lashta dhe të papërlyera nga dogmat e reja, por edhe një skenografi politike që donte të bindte publikun se “Riviera Shqiptare”, qytetet dhe fshatrat, ishin tashmë pjesë e një perandorie të ringjallur.

    Një trashëgimi e dyfishtë

    Sot, albumi i tij nuk lexohet vetëm si propagandë, por si një arkiv i pasur kujtesash, një koleksion pamjesh që shpalos jetën shqiptare në kufirin e një epoke të humbur. Aty ku synimi ideologjik donte të tregonte një vend të përkulur, pamjet e tij në fakt dëshmojnë një vend që jetonte, punonte, vallëzonte, dhe që kishte fytyra e histori përtej çdo pushteti.

    Giuseppe Massani mbetet një figurë paradoksale: njëkohësisht shërbëtor i një regjimi dhe ruajtës i paqëllimtë i një trashëgimie vizuale që sot na ndihmon të kuptojmë më mirë veten tonë dhe rrugën që kemi përshkuar.

    Në fund të fundit, fotot e tij janë më shumë se pamje: ato janë dëshmi të një kohe ku drita dhe hija e historisë bashkëjetonin në të njëjtin kuadër./KultPlus.com

    “Mirror”: Vizitoni qytetin e bukur evropian, Tiranën

    Ekspertja e udhëtimeve Chelsea Dickenson është gjithmonë në kërkim të destinacioneve më pak të njohura.

    Kohët e fundit, ajo zbuloi një qytet evropian të vendosur në Shqipëri – një destinacion i vlerësuar për vijën e tij bregdetare mahnitëse, shkruan Ellen Jenne në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

    “Tirana, duhet të jetë në radarin e shumë turistëve, është vërtet interesante, sepse Shqipëria ka marrë shumë më tepër vëmendje për Rivierën e saj… Por, mendoj se kryeqyteti i saj, Tirana, është absolutisht i mrekullueshëm”, tha ajo.

    E vendosur në zemër të Shqipërisë, Tirana është e rrethuar nga kodra dhe male, përfshirë Dajtin.
    Qyteti u themelua nga një gjeneral etnik shqiptar dhe guvernator i Perandorisë Osmane në vitin 1614 dhe u bë një vend i pavarur në vitin 1912, pothuajse tre shekuj më vonë.

    Tirana është vlerësuar si një parajsë për turistët që kërkojnë hapësira të gjelbra, me zona të shumta në natyrë për t’u çlodhur gjatë muajve me diell të verës.

    Në Tiranë ekziston një kulturë kafenesh dhe restorantesh, kështu që ka kaq shumë vende në natyrë për t’u ulur. Gjithashtu mund të shijoni ëmbëlsira tradicionale për vetëm 45 qindarka.

    Qyteti është plot me ëmbëlsira ballkanike, të tilla si kadaif, kompekaj dhe bakllava. Një specialitet tjetër për të provuar është byreku.

    Një banor vendas i Tiranës ofroi disa këshilla mbi vendet më të mira të kuzhinës. “Kernace Zgare Fatosi” është vendi i preferuar për adhuruesit e qofteve, bukës dhe kosit.

    Nëse dëshironi të provoni kuzhinën tradicionale shqiptare, shkoni në “Restorant GjinoKastra”.

    Për disa eksplorime dhe atraksione kulturore, vizitoni Sheshin Skënderbej, Kalanë e Tiranës, Pazarin e Ri dhe Sofrën e Ariut.

    Vizitoni zonën e Bllokut, për të shijuar një pije ndërsa shihni pamjet panoramike të qytetit, nga “Hotel Xheko Imperial”.

    Një tjetër avantazh i vizitës në Tiranë?
    Fluturimet ofrohen me çmime të ulëta. Kryeqyteti shqiptar renditet si një nga destinacionet e rralla ku mund të gjeni një fluturim vajtje-ardhje për afërsisht 40 paund gjatë sezonit më të qetë.
    Një fluturim nga Londra me “Ryanair” në shtator mund t’ju kushtojë vetëm 15 paund vajtje-ardhje.
    Gjithashtu, për një pushim treditor dhe dy netë në qytet do të shpenzoni vetëm 100 paund./atsh/

    Shqipëria, perla e fshehur e Evropës që po magjeps botën

    Perla evropiane krenohet me plazhet mahnitëse, malet, qytetet historike dhe trashëgiminë kulturore, shkruan Lauren Haughey në të përditshmen britanike “Mirror”.

    Një eksperte udhëtimesh, Jordynn, e cila ndan aventurat e saj në TikTok, ka rekomanduar Shqipërinë si një vend të veçantë, me plazhe marramendëse, male dhe qytete të paharrueshme.

    Sipas saj, perla e fshehur është një parajsë edhe për turistët me një buxhet të kufizuar, falë çmimeve të përballueshme për ushqim dhe akomodim,transmeton atsh

    “Këto nuk janë Filipinet, kjo nuk është Zvicra, nuk është Greqia, kjo nuk është Italia, as Tajlanda! Nuk është as Portugalia! Kjo është Shqipëria”, tha ajo në një postim në TikTok.

    “Ky vend na habiti vërtetë. Shqipëria ndodhet midis Greqisë dhe Malit të Zi dhe ju ofron një përvojë kaq të larmishme.. mes maleve, detit të kristaltë dhe të qetë dhe plazheve të mrekullueshme në jug, kulturës dhe historisë së pasur në qytet, qyteteve të vjetra me kalldrëm dhe vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – me çmime të përballueshme”, tha ekspertja.

    “Shqipëria i ka vërtet të gjitha. Mund të vizitoni shumë vende: Shkodrën, Valbonën, Thethin, Tiranën, Beratin, Gjirokastrën, Sarandën, Himarën, çdo vend ofron diçka të ndryshme. Qëndrova dy javë në Shqipëri dhe mund të kisha qëndruar lehtësisht një muaj të plotë”, tha ajo.

    Edhe pse kaloi vetëm një javë në Shqipëri, Jordynn ndjeu se mund ta kishte zgjatur me kënaqësi qëndrimin e saj në një muaj të plotë, duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e përvojave që ofron ky vend evropian.

    Ajo rekomandon një vizitë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, i njohur për muzetë e tij të pasura, ndërtesat historike dhe jetën e gjallë të natës.

    Për adhuruesit e plazhit dhe ushqimeve të detit, qyteti bregdetar i Sarandës është gjithashtu një vend që duhet vizituar me patjetër.

    Mos humbisni gjithashtu Gjirokastrën – një qytet magjepsës i listuar si Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, rreth një orë larg me makinë nga Saranda.

    Byreku është padyshim një nga gatimet më të famshme të Shqipërisë, i cili shpesh mund të blihet në dyqanet lokale.

    Turistët që pëlqejnë ëmbëlsirat mund të tundohen gjithashtu nga Bakllavaja e famshme e vendit – një tjetër ushqim i shijshëm me arra e zhytur në shërbet. /KultPlus.com

    Rina Krasniqi në rolin e motrës së Mbretit Zog, premiera e “BOOKISH” u dha në Britani të Madhe

    Në botën e televizionit britanik u mbajt premiera e serisë “BOOKISH”, e cila u transmetua më 16 korrik në orën 20:00, në kanalet Sky 109 dhe Virgin 114, pjesë e familjes së madhe UKTV dhe BBC Studios.

    Një nga momentet më të veçanta të kësaj serie është prezantimi i Princeshës Nafije Zogu, motrës së Mbretit Ahmet Zogu, një figurë e rëndësishme në historinë shqiptare. Rolin e saj e luan aktorja Rina Krasniqi, që përmes këtij projekti i jep jetë dhe zë historisë shqiptare. Kjo ishte një mundësi për të parë pasionin dhe kompleksitetin e një periudhe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në një format dramatik dhe tërheqës për publikun ndërkombëtar.

    “BOOKISH” sjell në ekran një ekip të jashtëzakonshëm aktorësh, ku përfshihen emra të njohur të industrisë si Mark Gatiss (i njohur për rolin në “Sherlock”), Joely Richardson (“101 Dalmatians”), Polly Walker (“Bridgerton”), Elliot Levey (“Peaky Blinders”) dhe Angeliki Papoulia (“Dogtooth”).

    Aktorja shqiptare që portretizon Princeshën Nafije Zogu shpreh emocionin e saj për këtë eksperiencë: “Ka qenë një nder i pa përshkruar me fjalë të luaj rolin e një figure kaq të rëndësishme historike. Të punosh pranë legjendave të ekranit dhe një ekipi kaq të jashtëzakonshëm ka qenë një përvojë e paharrueshme.” Ajo shton se ky projekt vlerëson tregimet reale dhe është krenare që po sjellin historinë shqiptare përpara një audience ndërkombëtare, përcjellë KultPlus.

    Atmosfera në setin e xhirimeve ka qenë gjithashtu e veçantë dhe e gjallë, me një humor tipik ballkanik. Aktorja thotë me buzëqeshje: “Ne sollëm pak më pak çaj… dhe shumë më shumë raki!”, duke nënkuptuar jo vetëm ngrohtësinë e ekipit, por edhe një dozë të veçantë të kulturës shqiptare që është përfshirë në këtë produksion.

    “BOOKISH” arriti të bashkojë historinë, kulturën dhe artin në një rrëfim me dimensione ndërkombëtare, e njëherësh duke bashkuar edhe publikun shqiptar me atë ndërkombëtar, e poashtu edhe ekipin e aktorëve. “BOOKISH” arriti të shpërfaq një histori që përçon jo vetëm një ngjarje, por edhe një pjesë të identitetit shqiptar në një nga platformat më të njohura televizive të botës./KultPlus.com

    Premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”

    I lindur në Francë, me rrënjë spanjolle, Jean-Pierre Martinez, është një dramaturg me një rrugëtim interesant. Në mesin e krijmtarisë së tij është edhe komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri”, premiera e të cilës u mbajt në amfiteatrin e Durrësit.

    U ngjit për herë të parë në skenë në moshën njëzetvjeçare, jo si shkrimtar, por si baterist në grupe rok. Më vonë kaloi në fushën e reklamave, përpara se të niste një karrierë si skenarist televiziv. Në fund, u rikthye në skenë si dramaturg.

    Premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri” u realizua nën regjinë e Andia Xhungës, kjo komedi solli në skenë një përzierje humori dhe reflektimi, duke fituar menjëherë simpatinë e publikut dhe duartrokitje të zjarrta.

    E përkthyer në shqip nga Anxhela Çikopano, komedia u vu në skenë nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, që njëherësh janë edhe emra të njohur të skenës shqiptare.

    Interesi i publikut ishte i jashtëzakonshëm me shitjen e të gjitha biletatve në dy netët e para në kohë rekord, duke e kthyer këtë shfaqje në një prej ngjarjeve më të spikatura kulturore të kësaj vere në qytetin bregdetar, përcjellë KultPlus.

    Ngjarja zhvillohet në një fshat të vogël dhe të harruar, i cili rrezikon të zhduket përfundimisht nga harta. Në këtë realitet të zymtë, mbërritja e papritur e një gazetareje të famshme sjell përplasje botëkuptimesh, situata të papritura dhe skena komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo sociale absurde dhe njëherazi thellësisht njerëzore.

    Me ritëm të gjallë dhe humor, vepra ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe raportin e brishtë mes realitetit dhe absurditetit.

    Skenografia dhe kostumografia janë realizuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale mban firmën e Endri Sinës, duke i dhënë shfaqjes një dimension të plotë artistik./KultPlus.com

    Mediet shtetërore të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë me memorandum, hapin zyre të përbashkët në Ulqin 

    Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Malit të Zi, Boris Raoniq, Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, dhe Drejtoresha për Marrëdhënie me Jashtë dhe Projektet në Radio Televizionin e Shqipërisë, Ervjola Osmanaj, firmosën memorandumin e bashkëpunimit në fushën e medias dhe informimit publik.

    Hapja e zyrës së përbashkët në Ulqin, ndërmjet mediave shtetërore të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës, hap një kapitull të ri dhe përfaqëson një model bashkëpunimi rajonal në fushën e medias dhe informimit publik. Prezantimi i Ulqinit me vlerat e tij turistike, kulturore dhe natyrore do të jetë i pranishëm dhe më afër kryeqyteteve si Podgorica, Prishtina dhe Tirana./ KultPlus.com 

    Zbulohet në Shqipëri, liqeni termal nëntoksor më i madh në botë

    Një ekip shkencëtarësh çekë kanë zbuluar në Shqipërinë e Jugut liqenin termal nëntokësor më të madh në botë dhe e kanë quajtur Liqeni Neuron, sipas fondacionit që financoi ekspeditën, thuhet në një artikull të botuar në “Czech Radio”.

    Brenda luginave të zonave kufitare malore midis Greqisë dhe Shqipërisë, shkencëtarët çekë kanë eksploruar prej disa vitesh kushtet komplekse të nëndheshme.

    Në rajonin e Vromonerit, në anën shqiptare të kufirit, ata hasën një sistem të gjerë shpellash në vitin 2021, të cilat që atëherë i kanë hartuar në detaje.

    Sistemi përmban shumë burime të nxehta që lëshojnë kolona të larta avulli dhe gjurmimi i burimit të avullit i çoi ata drejt zbulimit të një humnere mbi 100 metra të thellë, të cilën e quajtën Atmos.

    Në fund të asaj humnerë, ekipi ka konfirmuar zbulimin e liqenit termal nëntokësor më të madh në botë deri më sot.

    Me një gjatësi prej 138 metrash, një gjerësi prej 42 metrash dhe një perimetër 345 metrash, mund të mbajë 8,335 m3 ujë të nxehtë.

    Madhësia e dhomës së liqenit është tre herë më e madhe se salla kryesore e Teatrit Kombëtar në Pragë.

    Harta e sistemit të shpellës dhe zbulimi i liqenit kërkuan pajisje teknike, të cilat u mundësuan nga “Fondacioni Neuron”.

    Organizata çeke e financimit shkencor i dha ekspeditës gati 1 milion koruna çeke, të dhuruara nga dashamirës privatë dhe tani liqeni nëntokësor shqiptar ka marrë emrin Neuron, në nder të fondacionit.

    Richard Bouda, një fotograf dhe speleolog, përshkruan se si u bë zbulimi: “Gjatë eksplorimit fillestar, ne krijuam një hartë bazë duke përdorur pajisjet që kishim. Ne e dinim që atëherë se kishim zbuluar diçka vërtet të veçantë”.

    Falë “Fondacionit Neuron”, kemi blerë një skaner celular LIDAR, i cili na lejoi të masnim të gjithë shpellën dhe të gjithë zonën e liqenit. Ne do të bashkëpunojmë edhe me hidrologët të cilët do të masin pjesën nënujore të atij liqeni duke përdorur një sonar – një sistem për zbulimin e objekteve nënujore”, tha ai.

    Ekipi çek përdori teknologjinë më të fundit, “GeoSlam” – një lloj teknologjie skanimi 3D, duke krijuar modele të sakta të shpellës.

    Procesi me të cilin është bërë shpella që përmban liqenin është gjithashtu e pazakontë.

    Uji mineral i liqenit është i ngopur me sulfur hidrogjeni, i cili, në kontakt me ajrin, oksidohet dhe prodhon acid sulfurik – që në mënyrë të përsëritur e kthen shkëmbin gëlqeror në gips të butë.

    “Puna e ekipit çek në Shqipëri do të kontribuojë për të kuptuar më mirë këtë lloj të rrallë të formimit të shpellave dhe ka shumë punë për të bërë atje”, tha Richard Bouda:

    “Falë shkencëtarëve me të cilët punojmë, ne e dimë se burimet përreth ushqehen me ujë nga liqeni”, shtoi ai.

    “Ne besojmë se ky zbulim mund të kontribuojë gjithashtu në mbrojtjen e të gjithë zonës dhe për të kuptuar më mirë hidrologjinë e saj – pasi deri më sot askush nuk e di se si janë të lidhura saktësisht këto ujëra nëntokësore me sipërfaqen”, tha ai./ KultPlus.com

    Shqipëria, perla e fshehur evropiae

    Turizmi masiv në vende të njohura turistike në verën e vitit 2024, shkaktoi demonstrata të dhunshme, kryesisht në Spanjë, shkruan Noémie Dambrin në një artikull të botuar në revistën franceze “Ouest-France”.

    Mbipopullimi nga turizmi është bërë gjithnjë e më i përhapur në Evropë vitet e fundit – i shoqëruar nga efekte të dëmshme.

    “Ouest-France” ju rekomandon katër destinacione më pak të njohura për t’u vizituar në Kontinentin e Vjetër ku do te mirëpriteni me krahëhapur.

    Fenomeni i turizmit masiv nuk ka qenë kurrë kaq flagrant. Disa destinacione turistike ikonike si Venecia, Barcelona apo Cinque Terre në Itali po përballen me një fluks vizitorësh.

    Numri i turistëve, shpesh më i lartë se popullsia rezidente, shkakton probleme të mëdha si, mbipopullim të infrastrukturës, ndotje, rritje të çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe degradim të trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

    “Venecia, për shembull, mirëpret afro 30 milionë vizitorë çdo vit, ose 545 turistë për banor”, sipas “Public Life”.

    Ndërkohë, në Barcelonë agresioni ndaj turistëve ka arritur nivele shqetësuese.

    Thirrjet e banorëve që ftonin turistët të ktheheshin në shtëpi u shfaqën në muret e lagjeve të shoqëruara me protesta.

    Autoritetet e shumë qyteteve dhe rajoneve në mbarë botën janë ndërgjegjësuar për nevojën për të rregulluar këto flukse masive, duke arritur deri aty sa të vendosin tarifa ndaj vizitorëve – për të ruajtur vendet e tyre historike dhe cilësinë e tyre të jetës.

    Por, ekzistojnë destinacione të cilat nuk janë prekur ende nga turizmit masiv – vende ku turistët jo vetëm janë të mirëpritur, por ku mirëpritja shënohet me autenticitet.

    Ndër këto xhevahire të çmuar më pak të njohura, dallohen katër vende të Evropës Lindore: Shqipëria, Gjeorgjia, Serbia dhe Hungaria.

    Këto destinacione në zhvillim ofrojnë përvoja unike, larg turmave të vizitorëve dhe janë gati të mirëpresin turistët e etur për zbulim.

    Shqipëria: një perlë e fshehur e Ballkanit

    Shqipëria, dikur e izoluar nën regjimin komunist, sot po lulëzon në sektorin e turizmit.

    Në më pak se një dekadë, vendi është bërë një destinacion i kërkuar nga turistët që kërkojnë autenticitet, natyrë të pacënuar dhe çmime të përballueshme.

    Ky vend i vogël ballkanik, më pak i njohur se Greqia apo Italia, ofron një ndërthurje unike plazhesh idilike, male spektakolare dhe fshatra piktoreskë.

    Riviera Shqiptare, me plazhet e egra dhe ujërat e kristalta, është ideale për adhuruesit e relaksit.

    Megjithatë, çmimet e favorshme dhe rritja e linjave ajrore me kosto të ulët që lehtësojnë aksesin në vend mund të çojnë në rritjen e turizmit në vitet në vijim.

    “Numri i turistëve është dyfishuar në pesë vjet, duke arritur në 10,1 milionë në vitin 2023, pothuajse katërfishi i popullsisë shqiptare”, tha Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara – UNWTO.

    “Ndërsa ky fluks gjeneron të ardhura të konsiderueshme, ai gjithashtu ngre shqetësime, veçanërisht mjedisore dhe sociale”, analizon “Le Monde”.

    Rritja e numrit të ndërtimeve të hoteleve, ndonjëherë në dëm të ekosistemit, dhe mbipopullimi i vendeve të caktuara turistike rrezikojnë të shtrembërojnë autenticitetin e vendit.

    Pavarësisht gjithçkaje, turizmi mbetet një levë strategjike për Shqipërinë, veçanërisht për ambicien e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

    Megjithatë, kjo rritje e shpejtë ngre sfida për sa i përket cilësisë së shërbimit dhe ruajtjes së burimeve natyrore.

    Ndër destinacionet që nuk duhen humbur, “Le Routard” rekomandon Parkun Arkeologjik të Butrintit, i klasifikuar si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, dhe qytetin mesjetar të Gjirokastrës, me rrugët e tij me kalldrëm dhe arkitekturën otomane.

    Alpet Shqiptare janë një parajsë e vërtetë për alpinistët, me parqe kombëtare si Lugina e Valbonës dhe Thethi, ku peizazhet shkëmbore dhe pyjore konkurrojnë për nga bukuria.

    Tirana, kryeqyteti shqiptar mahnit me ndërtesat shumëngjyrëshe dhe atmosferën e gjallë, perfekte për t’u zhytur në kulturën vendase.

    Ky vend, ende pak i njohur, po shndërrohet shpejt në një destinacion popullor falë autenticitetit dhe diversitetit të tij, duke ofruar pushime sa relaksuese dhe aventureske./ KultPlus.com

    Beautiful resort with umbrellas by the sea at sunset in Sarande or Saranda on the Albanian riviera, Albania

    “New York Times”: Kjo është Shqipëria, pak e çmendur – që i bëri rivalët e Grupit B të djersiten

    Para se të shkelmonte një top në Grupin B, kroati Luka Modric kishte paralajmëruar se ky ishte grupi më i vështirë i turneut. Ai mund të mos jetë fokusuar thjesht në përballjet e ekipit të tij me Italinë dhe Spanjën, por, kur shumë të tjerë folën para turneut për “Grupin e vdekjes”, ndoshta nuk kishin në mendje Shqipërinë, sipas “New York Times”.

    Pak do të kishin pritur që ata të ishin elementi më luftarak i grupit, megjithatë Shqipëria – e renditur e 66-ta në botë – është bërë variabli argëtues në kuartet. Me një ndeshje për të luajtur, ata kanë ende një shans për avancim.

    E drejtuar nga ish-mbrojtësi i krahut të Arsenalit, Barcelonës dhe Brazilit, Sylvinho, Shqipëria është një skuadër kundërsulmuese fizike që kërkon të mbulojë çdo hendek të perceptuar të talenteve – mes tyre dhe kundërshtarëve, përmes vrapimit të vështirë.

    Kësaj skuadre iu deshën 23 sekonda për të shënuar në Euro 2024 – pasi Nedim Bajrami vendosi një rekord të ri për golin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian kur hapi rezultatin kundër Italisë.

    Ndërsa Shqipëria e humbi përfundimisht atë ndeshje 2-1, goli i tyre i hershëm shërbeu si një paralajmërim; nënvlerësojeni këtë ekip dhe do të jeni në rrezik.

    Ishte një paralajmërim që Kroacia u përpoq ta dëgjonte. Takimi i së mërkurës mes dy ekipeve ishte një rrëmujë e papritur dhe argëtuese. Përsëri e pa Shqipërinë të ecë përpara herët.

    Qazim Laci shënoi gol pas një goditje me kokë – pas një krosimi të shkëlqyer nga Jasir Asani në minutën e 11-të. Në pjesën e parë, Kroacia kishte regjistruar 69 për qind të posedimit të topit, por Shqipëria kishte shanset më të mira të lojës.

    Kristjan Asllani humbi një shans të artë pas një sulmi të shpejtë të shkaktuar nga humbja e topit nga Modric. Edhe sulmuesi shqiptar Rey Manaj dukej i dëshpëruar pasi nuk arriti të realizonte një goditje me kokë. Kjo ka qenë një temë e zakonshme për skuadrën e Sylvinhos, të cilit i ka munguar rrjedhshmëria sulmuese në pika të caktuara gjatë periudhës së tij 18-mujore në krye të Kombëtares Shqiptare.

    Lëndimet e Manajt dhe Armando Brojës gjatë ndeshjeve kualifikuese nënkuptuan se asnjë sulmues nuk kishte krijuar atë lloj kimie të lojës që i nevojitet skuadrës për të qenë një skuadër e fuqishme kundër-sulmuese.

    Vendimi i menaxherit për të lënë jashtë skuadrës prej 26 lojtarësh për turneun, Myrto Uzunin, Keidi Baren dhe Sokol Cikalleshin gjithashtu bëri bujë.

    Cikalleshi – një sulmues i klubit turk Konyaspor – nuk ishte golëshënuesi më i mirë, por loja e tij e qëndrueshme i dha Shqipërisë një terren të vlefshëm në ndeshjet kualifikuese.

    Megjithatë, ky ekip gjen gjithmonë një mënyrë për të krijuar rrugën e tij përmes turneut, duke tensionuar edhe ekipet më të njohura të botës;. Mario Mandzukic – tani një ndihmës trajner me Kroacinë – mund të shihej duke kërcyer papushim nga pankina për t’u kërkuar lojtarëve të tij të përputheshin me intensitetin e Shqipërisë në pjesën e parë.

    U deshën një sërë ndryshimesh në pjesën e dytë që Kroacia të ndryshonte lojën në favor të saj. Marcelo Brozovic dhe Lovro Majer u zëvendësuan nga Mario Pasalic dhe Luka Sucic në pjesën e parë. Njëzet minuta më vonë, sulmuesi Ante Budimir u fut në lojë për t’i dhënë ekipit të tij një referencë më të mirë për krosimet.

    Kroacia rriti besimin. Mbrojtësit e tyre u futën gjithnjë e më tej në fushë. Budimir e vuri Andrej Kramaric në pozicionin e përshtatshëm për barazimin e tyre në minutën e 74-të. Dy minuta më vonë, dyshja u bashkuan për një tjetër gol. Një krosim i dedikuar për Luka Suçiqin, i goditur me pinboll në zonën e rreptësisë para se të kthehej nga mesfushori mbrojtës i Shqipërisë, Klaus Gjasula.

    Shqipëria mund të ishte shembur, por ata gjetën sërish forcën për një gol të dytë.  Asllani, 22-vjeçari – një mesfushor mjaft luftarak po shfaqet shpejt si pasardhësi përfundimtar i Brozovic në Inter Milan dhe ishte zemra e skuadrës së tij kombëtare.

    “Duhet të luftojmë për çdo pikë. Për vendin tonë dhe për federatën tonë”, tha Sylvinhos pas ndeshjes.

    Në minutën e 94 e 23 sekonda Shqipëria mori golin e barazimit (goli i fundit i shënuar në një Euro jashtë kohës shtesë). Ishte një gol barazimi që ndihej si një fitore e minutës së fundit.

    Gjasula – lojtari i dytë që shënoi autogol dhe gol në të njëjtën ndeshje në Euro 2022 – i dha skuadrës së tij një shans të vogël për të kaluar në raundin e 16-të.

    “Kjo është Shqipëria; është pak e çmendur”, tha Asllani pas barazimit 2-2.

    “Ne e nisëm me këmbën e djathtë, dhe më pas mund të them se humbëm një shans të madh, por mendova se Modric do të merrte topin para meje. Mendoj se pësuam dy gola të shmangshëm. Ne do t’i shqyrtojmë ato, me siguri. Loja ishte e çmendur në 15 minutat e fundit”, shtoi ai.

    “Luftëtarët” e Sylvinhos do të duhet të jenë në maksimumin e tyre për të arritur një rezultat kundër Spanjës në ndeshjen e tyre të fundit në grup, por ata janë një ekip që nuk ka pasur kurrë frikë nga puna e vështirë.

    Shqipëria nuk tërhiqet dhe kjo e bën atë një kundërshtare të vështirë në këtë turne./KultPlus.com

    “Travel off Path”: Shqipëria mes tre destinacioneve verore në Evropë për t’u vizituar në 2024

    Vera po afron dhe shumë prej jush tashmë kanë filluar të bëjnë plane dhe rezervime përpara se tarifat e hoteleve dhe biletat e fluturimeve të rriten, shkruan Vinicius Costan në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

    Lojërat Olimpike janë planifikuar të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht në Francë, kështu që do të ketë një fluks të numrit të fluturimeve drejt Parisit dhe sezoni do të jetë i ngarkuar duke çuar në rritjen e çmimeve te konsumit.

    Megjithatë, jo të gjitha destinacionet evropiane do të jenë të shtrenjta për turistët me një buxhet mesatar.

    Ne ju sugjerojmë tre destinacionet më të lira në Evropë për të vizituar në vitin 2024, që përfshijnë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Bullgarinë.

    Shqipëria

    Shqipëria, e vendosur në zemër të Ballkanit, kaloi pjesën më të madhe të historisë së saj nën regjimin e diktaturës komuniste.

    Vendi rilindi në shekullin e XXI, me një demokraci liberale dhe aspirata të qarta perëndimore, i cili aktualisht po kompenson kohën e humbur në frontin e turizmit.

    Deri në vitet 1990, turistët nuk lejoheshin të vizitonin Shqipërinë, përveçse vetëm për arsye shumë specifike dhe me kushte strikte.

    Shqipëria kufizohet me Detin Mesdhe dhe ofron plazhe të bukura me rërë të bardhë – të ngjashme me Maldivet – dhe një pasuri të pamasë kulturore.

    Nga rrënojat e lashta greko-romake të Butrintit – një nga zonat më magjepsëse arkeologjike në pellgun e Mesdheut – në Vlorën bregdetare dhe hijeshinë e Botës së Vjetër të Gjirokastrës dhe Beratit, dy qytete të listuara në UNESCO me një trashëgimi të ruajtur mesjetare – ky udhëtim nuk mund të ishte më tërheqës.

    Për fat të mirë për turistët me buxhet të kufizuar, ky vend mesdhetar në trend është tepër i përballueshëm për të udhëtuar.

    Ju mund të akomodoheni në hotele me tre yje në Vlorë, një nga destinacionet kryesore bregdetare, duke filluar nga vetëm 28 dollarë, ndërsa qëndrimi në resortet me pesë yje kushton deri në 168 dollarë.

    Nëse vendosni të hani jashtë, në Shqipëri do të shpenzoni mesatarisht 20 dollarë në ditë për ushqimin, edhe nëse e trajtoni veten me një vakt më të këndshëm, me tre pjata dhe një kanë me verë në një restorant të nivelit të mesëm, nuk ka gjasa të faturoheni më shumë se 30 dollarë.

    Në fakt, një udhëtim njëjavor në Shqipëri kushton vetëm 546 dollarë për person, duke e bërë atë destinacionin më të lirë mesdhetar./KultPlus.com

    Kosova dhe Shqipëria në fokus të goEast Film Festival, e mbështetë edhe Rita Ora (VIDEO)

    GoEast Film Festival këtë vit pati një seksion të veçantë të quajtur “Albanien und Kosovo: Fokus”, që është dedikuar për kinemanë nga Kosova dhe Shqipëria. Ky seksion është krijuar për të shfaqur një përzgjedhje të filmave të shkëlqyer nga këto dy vende, duke ofruar një platformë për të eksploruar kinemanë e tyre dhe për të prezantuar tregime dhe perspektiva unike.

    Në këtë seksion, janë shfaqur një përzgjedhje e filmave nga Kosova dhe Shqipëria, duke përfshirë titujt si: “Era dhe lisi” nga Faruk Begolli, “I dashur armik”, “Daullet e Rezistencës”, “The Guardian”, “Another Day”, “Daybreak”, “117” nga Besim Sahatçiu, “Në kërkim të Veneres” nga Norika Sefa dhe “I Love You More” nga Erblin Nushi. Këta filma përfaqësojnë një gamë të gjerë zhanresh, përfshirë drama, komedi dhe dokumentarë.

    Një mbështetje e veçantë për këtë fokus ka ardhur nga këngëtarja me famë botërore, Rita Ora. Ajo ka treguar përkushtimin e saj për të promovuar kinemanë nga Shqipëria dhe Kosova, duke u bërë një ambasadore e fuqishme për filmin dhe kulturën e këtyre dy vendeve. Kjo mbështetje ka sjellë vëmendje të shtuar ndaj seksionit dhe ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për kinemanë nga Kosova dhe Shipëria./ KultPlus.com

    “Radio France”: Shqipëria, destinacion turistik në trend dhe i lirë

    Shqipëria është kthyer në destinacionin e ri turistik në trend. Objektivi i vendit mesdhetar është të mirëpresë 14 milionë turistë në vit dhe ndoshta një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, shkruan Philippe Lefebvre në të përditshmen franceze “Radio France”.

    Shqipëria vlerësohet si një destinacion i ri turistik dhe mbi të gjitha një vend i përballueshëm në brigjet e Adriatikut krahasuar me Italinë dhe Greqinë.

    Sot vendi, i cili për 50 vjet ishte një nga më të izoluarit në botë, ka hapur dyert e tij me një objektiv të qartë të qeverisë në Tiranë: të mirëpresë të paktën 14 milionë turistë të huaj në vit.

    Niseni turin tuaj duke vizituar kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, dhe zbuluar disa gjurmë të diktaturës së Enver Hoxhës.

    Ato fillojnë me bunkerët e instaluar në qendër të kryeqytetit, të shndërruara së fundmi në galeri arti.

    Më pas, vizitoni Muzeun Kombëtar të Përgjimeve e njohur si “Shtëpia me Gjethe” e hapur më 23 Maj 2017.

    “Shtëpia me Gjethe” ishte, në të njëjtën kohë shtabi i përgjimeve telefonike të kryeqytetit ku agjentët e Sigurimit, policia sekrete, mund të ndiqnin veprimet e përditshme të 40 mijë familjeve.

    Për më tepër, kjo ndërtesë kishte edhe reputacionin e një qendre torture nga e cila mund të arratiseshe vetëm… i vdekur.

    Sot, aty ekspozohen të gjitha pajisjet e spiunazhit të përdorura më parë nga policia.

    Ju mund të eksploroni sistemet e mikrofonave të fshehura në apartamente dhe në fund në hyrje, nuk mund të humbisni listën e të gjitha viktimave që jetuan ditët e fundit në “Shtëpinë me Gjethe”.

    Por, nëse njohja e kësaj të shkuare tragjike është thelbësore për të kuptuar më mirë Shqipërinë sot, mos ngurroni të udhëtoni në vendin mesdhetar dhe ta zbuloni atë.

    Të zbulosh Shqipërinë është shumë e thjeshtë, pasi vendi nuk është shumë i madh. Ju mund të arrini shpejt nga plazhet e Adriatikut në malin e Korabit, që arrin lartësinë 2753 metra.

    Mos u largoni nga Tirana pa vizituar Selinë e Shenjtë të Bektashinjve, një degë disidente liberale e Islamit ku fjalët kyçe janë toleranca dhe respekti absolut për gratë, nuk është për t’u habitur në një vend ku të gjitha fetë duket se jetojnë në harmoni të përsosur.

    Më pas, ju mund të merrni rrugën për në Berat dhe të zbuloni këtë qytet të klasifikuar si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s i quajtur ndryshe “qyteti i një mijë dritareve”.

    Së fundi, përpara se të arrini në portin e Durrësit dhe plazhet e qytetit, mos humbisni të zbuloni vendndodhjen antike të Apolonisë të themeluar në vitin 588 para Krishtit, aseti numër një i vendit.

    Të kalosh një javë në Shqipëri nuk kushton shumë. Ju mund të gjeni akomodime me 60 euro për person. Përsa i përket hotelit me pamje nga deti, çmimi më i lartë arrin në 90 euro nata.

    Gjithashtu, ju mund të provoni dhe shijoni specialitetet vendase si, byrekët, djathërat dhe verërat. /atsh / KultPlus.com

    Tiranë
    Muzeu Kombëtar i Përgjimeve i njohur si “Shtëpia me Gjethe”
    Berat

    https://www.radiofrance.fr/franceinter/podcasts/la-chronique-tourisme/la-chronique-tourisme-du-dimanche-03-mars-2024-8524038

    ‘Express’: Shqipëria, vendi i bukur plot me plazhe të pabesueshme

    Vija bregdetare e thyer, ujërat e kristalta bruz dhe çmimet e perballueshme e bëjnë këtë vend, destinacionin e përsosur për pushime, shkruan Alice Scarsi në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

    Pavarësisht nga vija e saj bregdetare prej 279 miljesh, e mbushur me plazhe me rërë të artë dhe pyje të bukur, Shqipëria mbetet një Perlë e Evropës, e cila deri para disa vitesh nuk njihej nga turistët si një destinacion pushimi.

    Ata që e kanë zbuluar, shpesh e kanë krahasuar me “Maldivet e Evropës” falë ujërave jashtëzakonisht të pastra dhe vendpushimeve të qeta.

    Riviera Shqiptare, me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, është më pak se tre orë larg me fluturim nga Britania e Madhe dhe kushton shumë më pak se një udhëtim në Azinë Jugore.

    Në të vërtetë, ky destinacion është i përsosur për turistët me buxhet të limituar. Fluturimet nga Londra në Tiranë kushtojnë më pak se 100 paund në pikun e sezonit, ndërsa një vakt kushton mesatarisht 5 paund.

    Ndërsa një krikëll birrë kushton rreth 1,10 paund, një gotë verë është pak më e shtrenjtë, mesatarisht 1,70 paund.

    Shqipëria mbetet e përballueshme edhe kur bëhet fjalë për akomodimin, pasi dhomat buzë plazhit kushtojnë deri në 25 paund.

    Në varësi të nevojave dhe preferencave të turistëve, ka zona të ndryshme për t’u eksploruar në vend.

    Një nga perlat e Rivierës Shqiptare është Vlora, e cila ndodhet midis deteve Adriatik dhe Jon dhe ofron ujëra të pastër dhe plazhe të bukura me rërë.

    Ky qytet ka gjithashtu një rëndësi të jashtëzakonshme historike, pasi është vendi ku Shqipëria shpalli pavarësinë e saj në vitin 1912.

    Një tjetër destinacion i jashtëzakonshëm për turistët është Dhërmiu, një fshat ku ndodhet një nga plazhet më të njohura dhe më të gjata të Shqipërisë, me çadra të ndërtuara nga gjethet e palmës dhe shezlongët me pamje nga deti.

    Ata që kanë nevojë të shkëputen nga plazhi mund të vizitojnë Kanionin mbresëlënës të Gjipesë, i cili ndodhet midis Dhërmiut dhe Vunoit dhe të çon në plazhin mahnitës të Gjipesë.

    Më në jug ndodhet Ksamili, i cili  po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj përmes promovimit të tij në median sociale, shumë prej të cilëve e kanë përshkruar atë si “Maldivet e Evropës”.

    Plazhet si Pema e Thatë po shfaqen gjithnjë e më shumë në platformat ku shpërndahen videot, jo vetëm për bukuritë e tyre, por edhe falë kasolleve luksoze por edhe të lira të disponueshme me qira në plazh./KultPlus.com

    “Daily Express”: Shqipëria në rrugën e duhur për t’u bërë anëtare e BE-së

    Një numër vendesh janë të etura për t’u bashkuar me bllokun dhe Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë një anëtare me të drejta të plota, shkruan Mieka Smiles në të përditshmen britanike “Express”.

    Çështja e zgjerimit të BE-së është rindezur nga lufta në Ukrainë. Vendi, i udhëhequr nga presidenti Volodymyr Zelensky, ka qenë i zëshëm për t’u bashkuar me bllokun që nga pushtimi rus gati dy vjet më parë.

    Por, është një vend tjetër që thuhet se është në rrugën e duhur për t’u bërë një anëtar i plotë i bllokut. Shqipëria në krye të artikujve të lajmeve është në rrugën e saj për të kaluar kufirin e kërkuar për t’u bërë anëtare e BE-së.

    Për t’u pranuar, vendet kandidate duhet të plotësojnë disa kritere ekonomike, të cilat përfshijnë stabilitet makroekonomik, qeverisje ekonomike me cilësi të lartë, një treg të duhur pune dhe infrastrukturë të mjaftueshme.

    Pavarësisht tronditjes nga një tërmet i madh në 2019, pandemisë së COVID-19 dhe luftës në Ukrainë, ekonomia e Shqipërisë pati një rimëkëmbje në vitet 2021 dhe 2022.

    Inflacioni në vend është një problem, siç është edhe në vendet e tjera në të gjithë Evropën, por rritja e PBB-së (produkti i brendshëm bruto) për këtë vit parashikohet në 3,3%.

    Produkti i Brendshëm Bruto është një masë monetare e vlerës së tregut të të gjitha mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në një periudhë të caktuar kohore nga një vend, me një normë ideale të rritjes së PBB-së që është midis 2% dhe 3%.

    Shqipëria po investon gjithashtu shumë në industrinë e saj të ndërtimit dhe turizmit në një përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike, me rrjetin hekurudhor të vendit duke u riparuar plotësisht me ndihmën e Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së (EIP) për Ballkanin Perëndimor.

    EIP po përdoret gjithashtu për të zhvilluar projekte të energjisë së rinovueshme dhe infrastrukturës dixhitale.

    Lidhja e re hekurudhore mes Durrësit dhe Tiranës, që janë dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë do ta shkurtojë udhëtimin rrugor 40-minutësh në rreth 20 minuta. /ATSH / KultPlus.com

    Ambasada e SHBA në Tiranë: Vizita e Blinken, simbol i të ardhmes së marrëdhënieve mes dy vendeve

    Ambasada Amerikane në Tiranë ka deklaruar se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken (Antony Blinken) viziton sot kryeqytetin shqiptar si simbol i të ardhmes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Ambasada e SHBA njofton se Blinken do zhvillojë takime edhe me drejtues të sistemit të drejtësisë.

    “Mirë se vjen në Shqipëri, Sekretari Blinken! Gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken do të takohet me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe do të marrë pjesë në një aktivitet të veçantë rinor te Piramida e Tiranës, për të festuar të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Ai do të takohet gjithashtu me drejtues të sistemit të drejtësisë dhe komunitetin e ambasadës”, shkruan Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

    Sekretari Blinken ka shkelur ne tokën shqiptare dhe aktualisht po zhvillon takime me ekipin e diplomatëve të tij në Ambasadën amerikane në Tiranë.