Shtëpia e Nënë Terezës në Shkup me 100 mijë vizitorë në vit

Ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, sot e vizitoi Institucionin nacional “Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës”, ku mbajti konferencë për shtyp bashkë me drejtorin e këtij institucioni, Arjan Asllanaj, dhe me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani.

Në konferencën për shtyp, drejtori Asllanaj informoi për aktivitetet e Institucionit, i cili këtë vit shënoi një përvjetor të rëndësishëm – 10 vjet të ekzistimit të tij, ndërsa u shënua edhe 40-vjetori i ndarjes së Çmimit Nobel për humanisten e madhe. Në këtë kontekst, ishte theksuar edhe vizita e fundit në arkivin në Lucern prej ku janë siguruar më shumë se 500 dokumente që lidhen me jetën dhe veprën e Nënë Terezës, dhe në kuadër të vizitës ishte nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit.

Ministri Ismaili theksoi para gazetarëve se gjatë hulumtimeve të bëra në Zvicër janë siguruar 5 dokumente origjinale.

“Duke e vlerësuar punën e drejtorëve Asllanaj dhe Asani, ne si Ministri do të shqyrtojmë mundësinë që projekti për botimin e tyre të mbështetet, duke qenë të sigurt se ato janë me rëndësi jo vetëm për këtë Shtëpi Përkujtimore, por edhe për mbarë kombin shqiptar, si dhe për të gjithë të interesuarit për jetën dhe veprën e Nënë Terezës”, tha ministri i Kulturës.

Ai shtoi se në “Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës” sivjet është vendosur ndriçimi i ri, është krijuar një ekspozitë e përhershme, e cila pasurohet me fotografi të reja, dokumente origjinale dhe artifakte që lidhen me jetën dhe veprën e humanistes dhe bamirëses së madhe, ndërsa është vendosur edhe një skulpturë silikoni e Nënë Terezës në madhësi natyrore.

Institucioni “Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës” i cili ishte pjesë e agjendës së kreut të Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në vendin tonë, më 7 maj të këtij viti, me rreth 100,000 vizitorë në vjet, është njëri nga më të vizituarit në qytet. / KultPlus.com

Shërbim i ri i biletave online për muzetë dhe sitet e trashëgimisë kulturore

Vizitorët që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik tashmë do të kenë mundësinë të vizitojnë dhjetë muze dhe site të trashëgimisë tonë kulturore duke rezervuar biletat online.

Shërbimi i ri i biletarisë on line u prezantua sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me kreun e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan Të Zhvillimit Michael Granoff.

“Një mundësi e re, një shërbim më shumë për të gjithë vizitorët, që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e radhës. Vizitat në dhjetë muze dhe site të trashëgimisë sonë kulturore janë vetëm një klik larg”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.

“Së bashku me partnerin tonë, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit prezantuam shërbimin e biletarisë on line. Kënaqësi të kryenim sot aktin simbolik të prerjes së një bilete on line me kreun e Bordit të AADF, Michael Granoff, një mbështetës i vizionit tonë për të ecur përpara. Me prekje të vogla, drejt projekteve më të mëdha”, u shpreh ministrja Margariti.  /atsh / KultPlus.com

Bukuritë e Alpeve Shqiptare, 1 mijë turistë të huaj gjatë nëntorit

Shqipëria vazhdon të surprizojë dhe në këto ditë nëntori me turistë të shumtë vendas dhe të huaj.

Vendi ynë po promovohet çdo herë e më shumë dhe nga të huajt, pasi ofron një turizëm gjjithëvjetor dhe të larmishëm, ku turistët mund të gjejnë në të katër stinët vende ideale për tu eksploruar që Shqipëria ofron.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi është shprehur për nëntorin turistik në vendin tonë se, “1000 turistë brenda javës së parë të nëntorit kanë vizituar Parkun Kombëtar të Thethit duke e çuar në më shumë se 72 mijë vizitorë vendas dhe të huaj numrin e turistëve gjatë 3 muajve të fundit. Pjesa më e madhe e turistëve të huaj kanë qenë nga Çekia, Gjermania, Anglia, Franca dhe Zvicra. Qendra e re e vizitorëve, padyshim që ofron një mbështetje për guidat dhe udhëtarët që duan të eksplorojnë bukuritë e Alpeve Shqiptare”.

Alpet shqiptare dhe bukuritë natyrore që të ofron zona e Thethit, tërheqin gjithnjë edhe më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë momentet e qetësisë, ujin dhe ajrin e pastër që e karakterizon këtë zonë.

Parku Kombëtar i Thethit ndodhet në pjesën qendrore të Alpeve të Shqipërisë, ndërmjet bllokut të Bjeshkëve të Nëmuna në perëndim dhe bllokut të Jezercës në lindje. Thethi është një qendër turistike-alpinistike që ka njohur rritje të numrit të vizitorëve gjatë viteve të fundit.

Parku është kompleks, me larmi habitatesh dhe tipe vegjetacioni, ku pjesën më të madhe e zënë ato të pyjeve të ahut, të cilat bashkëshoqërohen dhe me shkurre xhuxhe dhe të zonave alpine.

Në park rriten rreth 1500 lloje bimësh, të cilat përfaqësojnë gati gjysmën e florës së vendit tonë. Nga bimët, rreth 100 lloje janë bimë mjekësore dhe tanifere shumë të dobishme. / KultPlus.com

Turistët gjermanë për Beratin: Qytet impresionues

Qyteti 2400-vjeçar i Beratit, i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, vazhdon të zgjojë interesin e turistëve të huaj, të cilët kanë qenë të shumtë gjatë këtij viti.

Turizmi në Berat nuk ka mbaruar ende, pasi qyteti ofron një panoramë të shumëllojshme me vende atraktive të cilat mund t’i shijosh në çdo muaj të vitit.

Gjatë ditës së sotme një çift gjerman, të cilët vizitonin për herë të parë Beratin ndau eksperiencën e tyre duke u shprehur se, ”kjo është hera e parë që ne vizitojmë Beratin. Ne mbërritëm dje dhe kishim një problem të vogël dhe të gjithë këtu u treguan të gatshëm për të na ndihmuar dhe shumë të sjellshëm”.

Ata shtuan se “vizituam kalanë e qytetit dhe po na pëlqen shumë. Gjithashtu qyteti është shumë i bukur dhe sidomos qyteti i vjetër, me shumë dritare nga dy anët e lumit është impresionues”.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /a.a/j.p/KultPlus.com

Turistët i japin Shqipërisë 15 % të GDP-së, lë pas Serbinë

Turizmi në Shqipëri është një nga sektorët, i cili gjeneron të ardhura të shumta për ekonominë dhe buxhetin e shtetit. Sipas përllogaritjeve të fundit, shuma e parave të shpenzuara nga turistët e huaj përbën 14.8 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Kjo është një shifra e konfirmuar kohët e fundit nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së, sipas së cilës në Ballkan, Mali i Zi kryeson me 21.8% të PBB-së, e ndjekur më pas nga vendi ynë”, shkruan “IBANA”

Ndërkohë, në vende të tjera si Serbia dhe Maqedonia, kjo përqindje është shumë e ulët, sepse këto vende nuk kanë bregdet siç ka Shqipëria dhe vendi fqinj, Mali i Zi.
Shqipëria ka fatin e madh, pas territori i saj laget nga dy dete. Deti Jon dhe Adriatik, janë dy burime të pashterueshme, të cilët kontribuojnë vazhdimisht për ekonominë shqiptare dhe thithjen e turistëve./KultPlus.com

Turistja angleze për Kalanë e Rozafës: Unike (VIDEO)

Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një rritje të konsiderueshme të turistëve në monumentet e kulturës në gjithë vendin.

Kalaja e Rozafës në Shkodër, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas.

Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik, i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës.

Një turiste angleze e cila vizitoi Kalanë e Rozafës dha përshtypjen dhe disa nga ndjesitë e para duke u shprehur se ,”më pëlqeu shumë ,nuk e kam parë asnjëherë dhe ishte vërtetë unike. E pashë është interesante po është e vështirë për tu mbajtur mend por mund të shikosh dhe të ecësh. Gjithashtu vizitova dhe pjesën poshtë të qytetit dhe kalanë dhe kjo vizitë zgjati rreth 40 minuta”.

Kalaja e Shkodrës në periudhën janar- korrik 2018 është vizituar nga 58,241 turistë, nga të cilët 16.105 përfituan nga hyrjet falas në ditët e përcaktuara nga Ministria e Kulturës.

Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar , ku kalaja u vizitua nga 22,823 turistë./a.a/ KultPlus.com