Nis më 18 gusht Seminari i 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë

Të hënën më 18 gusht 2025, në ora 11:00, do të bëhet hapja solemne e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, edicioni i 43-të, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë. Punimet e këtij seminari do të zhvillohen në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, nga 18 deri më 29 gusht.

Ky event tradicional mbledh studiues dhe ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora albanologjike në mbarë botën, të cilët do të prezantojnë punimet e tyre më të fundit shkencore në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Në fokus të këtij viti do të jenë temat:

Zhvillimet aktuale të leksikut të gjuhës shqipe,

Përdorimi i shqipes në rrjetet sociale,

Postmodernizmi në letërsinë shqipe.

Programi i seminarit përfshin edhe kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele, ligjërata dhe referime të shumta shkencore. Përveç punimeve akademike, organizatorët kanë planifikuar edhe një program kulturor që do t’i njohë pjesëmarrësit me traditat dhe bukuritë e Kosovës.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 dhe që nga ajo kohë ka zhvilluar 42 sesione, duke qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të albanologjisë në rajon./KultPlus.com

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare: Edicioni i 43-të

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të mbajë edicionin e 43-të nga data 18 deri më 29 gusht 2025 në Prishtinë, nën organizimin e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Kjo ngjarje shkencore është një ndër ngjarjet më të rëndësishme akademike në fushën e albanologjisë, që nga themelimi e deri sot, duke bashkuar studiues, gjuhëtarë, letrarë, pedagogë dhe studentë nga mbarë bota, të cilët ndajnë interesin e përbashkët për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Seminaristët pritet të arrijnë më 17 gusht, ndërsa hapja solemne do të bëhet më 18 gusht 2025, në orën 11:00. Temat bosht të këtij edicioni përqendrohen në zhvillimet aktuale lidhur me leksikun e shqipes, shqipen në rrjetet sociale, si dhe postmodernizmin në letërsinë shqipe, transmeton KultPlus.

Programi bazë i Seminarit përfshin kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele (fillestar, i mesëm dhe i avancuar), ligjërata të veçanta të gjuhësisë, ligjërata për letërsinë shqiptare, referime shkencore dhe ligjërata të përgjithshme. Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e seminarit është edhe programi kulturor plotësues, i cili do t’i njohë pjesëmarrësit me bukuritë natyrore, veprimtaritë kulturore dhe trashëgiminë shqiptare.

Në ditët e fundit të seminarit do të mbahet sesioni shkencor përmbyllës, ku do të prezantohen punime dhe përfundime studimore. Seminari mbetet një platformë e fuqishme për përhapjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe për nxitjen e bashkëpunimeve akademike në nivel ndërkombëtar./KultPlus.com

Studentët e UP-së, shënojnë sukses të jashtëzakonshëm në garën “Nuremberg Moot Court 2025”

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur në vendin e 6-të në garën prestigjioze ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2025”. Kjo është një arritje mbresëlënëse për ta, e cila tregon nivelin e lartë të përgatitjes dhe angazhimit të studentëve të juridikut të UP-së në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare.

Rundet finale të garës u zhvilluan në ambientet historike të Gjykatës së Nurembergut, në Sallën Nr.600, aty ku u gjykuan përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore, nga data 23-26 Korrik 2025, në Nuremberg, Gjermani. Nga 140 ekipe që morën pjesë në fazën e shkrimit të memorandumeve, vetëm 40 ekipe u kualifikuan për rundet finale me gojë, dhe ekipi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës ishte një ndër to.

Ky sukses i studentëve të Universitetit të Prishtinës është një dëshmi e qartë e përgatitjes akademike dhe profesionale në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, duke simuluar praktikën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) përballë një jurie të përbërë nga juristë të njohur botërorë, përfshirë profesorë, prokurorë dhe gjyqtarë.

Ekipi i përfaqësuesve të Fakultetit Juridik të UP-së ishte përbërë nga studentët: Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu.

Ky rezultat tregon se studentët e Universitetit të Prishtinës janë jo vetëm të përgatitur për sfida akademike, por gjithashtu për të kontribuar në fushën e së drejtës ndërkombëtare me një nivel të lartë profesional./KultPlus.com

Tri profesoresha dhe dy profesorë, përbërja e re e Këshillit Drejtues të UP-së

Është bërë e ditur nga Universiteti i Perishtinës se kanë përzgjedhë përbërjen e re të Këshillit Drejtues të UP-së, dhe kjo përbërje e re është nga tri profesoresha dhe dy profesorë, shkruan KultPlus.  

Anëtarët e UP-së në Këshillin Drejtues janë:  prof. Mimoza Ibrani, prof. Teuta Jashari-Kajtazi, prof. Arian Krasniqi, prof. Vjosa Fejza-Ademi dhe prof. Kurtesh Sherifi.

Më poshtë sjellim të plotë njoftimin e UP-së. 

Në mbledhjen e Senatit është zgjedhur pesëshja e Këshillit Drejtues që do ta përfaqësojë Universitetin e Prishtinës në këtë organ shumë të rëndësishëm ekzekutiv e rregullues. Tri nga pesë të zgjedhurit janë gra. 

Anëtarët e UP-së në këtë këshill do të jenë prof. Mimoza Ibrani, prof. Teuta Jashari-Kajtazi, prof. Arian Krasniqi, prof. Vjosa Fejza-Ademi dhe prof. Kurtesh Sherifi. 

Në zgjedhje u votua për 16 kandidatë që sipas Komisionit zgjedhor të përbërë nga prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Kreshnike Dedushi-Hoti dhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve, prof. Florian Miftari, i plotësonin kushtet për të qenë pjesë e Këshillit Drejtues. 

Në raundin e parë të zgjedhjeve, anëtare e Këshillit Drejtues u bë profesoresha Mimoza Ibrani, pasi mori më shumë se gjysmën e votave nga senatorët, gjithsejt 23, ndërsa raundi i dytë i votimit u zhvillua me 12 kandidatët më të votuar nga raundi i parë. 

Katër anëtarët tjerë të Këshillit Drejtues nga personeli akademik i Universitetit të Prishtinës, u zgjodhën në raundin e tretë të votimeve, pasi në të dytin, asnjëri prej tyre nuk mori votat e mjaftueshme. Këtë herë votimi u bë për tetë më të votuarit nga raundi i dytë. Mandati i pesë të zgjedhurve do të zgjasë deri më 14 shtator 2028. 

Thirrja për aplikim në këto pesë pozita ishte shpallur më 2 qershor, kurse ankesat eventuale për proceset e përzgjedhjes dhe votimit do të shqyrtohen mes 1 e 2 korrikut 2025. 

Këshilli Drejtues, përveç pesë anëtarëve nga personeli akademik i UP-së, i ka edhe katër anëtarë që emërohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Inovacionit. / KultPlus.com

54 vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës

Jusuf Buxhovi

Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të Shqiptarëve në ish Jugosllavi si dhe procesi i shkëputjes politike nga Serbia nga fundvitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë, më 15 shkurt 1970.

Mund të thuhet se nga dita që u themelua Universiteti i Prishtinës, ky zhvillim historik u vu në binarët e pakthyeshëm.

Ato që tha rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, akademik Dërvish Rozhaja, gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, se vetëdija arsimore dhe kulturore e kultivuar në institucionet më të larta të dijës dhe të shkencës, siç është universiteti, përcaktojnë edhe atë shoqërore dhe politike, u kthyen në platformë politike të kthesës historike nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë lëvizjes kombëtare të fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e deri te shpallja e pavarësisë shtetërore, më 17 shkurt 2008.

Andaj, nuk është e rastit që në listën e nismëtarëve të themelimit të LDK-së ishin edhe rektorët e Universitetit të Prishtinës: akademik Dervish Rozhaja dhe akademik Idriz Ajeti. Ndërsa akademik Gazmend Zajmi ishte njëri ndër ideatorët kryesorë të Programit politik të LDK-së si dhe dokumentve themelore të shkëputjues nga Serbia: Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.

Në vazhdën e angazhimit të rektorëve të Universietit të Prishtinë në kuadër të lëvizjes kombëtare duhet përkujtuar edhe rolin e akademik Idriz Ajetit si Kryetari i parë i Parlamentit të Kosovës nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 kur iu vunë themelet parlamentare shtetit të Kosovës.

Me këtë rast duhet përkujtuar edhe kontributin e madhe të rektorit të Universitetit të Prishtinës, profesor Ejup Statovcit, njëherësh edhe anëtarë i Këshillit Qendrot të LDK-së, për dinamizimin e lëvizjes së rezistencës kombëtare në tetoritn të viti 1997 me anën e protestave të studentëve, që i dhanë impulset vendimtare rezistencës së armatosur./ KultPlus.com

24 vjet nga vdekja e Ejup Statovcit, ‘arkitekti historik’ i Universitetit të Prishtinës

Tetori brenda kujtesës sonë na rikthen në qëndresën studentore, atëherë kur individi përfaqësonte vullnetin e grupeve, e grupet brohoritnin interesat e Kosovës të viteve të 90-ta. Mirëpo, një rol kyç për protestat studentore të asaj kohe padyshim që kanë pasur edhe profesorët, të cilët në vijën e parë të frontit i qëndronin besnik kërkesave për Universitetin, shkruan KultPlus.

Një ndër emrat kryesorë që i dhuronin shtysë studentëve, ishte edhe akademiku Ejup Statovci. I shkolluar në Zagreb, Lubjanë, Kembrixh e Harvard, gjithë jetën ia dedikoj akademizmit dhe jetës universitare. Ai kishte marrë pjesë edhe në hartimin dhe komentimin e Kushtetutës së Kaçanikut. Ndërkaq, rezistenca e tij e shkëlqyeshme shfaqet më së miri në vitet përgjatë të cilave Universiteti i Prishtinës kishte kohën e saj më të rëndë.

Periudha 1991-1997 do ta gjente profesorin universitar në Fakultetin Juridik në pozitën e rektorit, duke i kthyer këto vite në përpjekje krahë më krahë me studentët, për të vetmin qëllim, arsimimin dhe Kosovën e lirë.

Arsimimi shqip dhe liria universitare kanë burim te figura të mëdha përgjatë historisë, të cilët përmes aksioneve të veta kishin bërë një kthesë të madhe të gjendjes. Ejup Statovci e bëri këtë përmes punës së tij për institucionalizimin juridik të Universitetit, duke nxjerrë Dekretligjin mbi shkollimin e lartë dhe Statutin e Universitetit; duke e transformuar atë në një Universitet të kohës sipas përvojës evropiane dhe botërore, duke e afirmuar dhe pranuar atë brenda dhe jashtë si Institucion shtetëror.

Sot, qëndrueshmëria e themelit universitar iu atribuohet këtyre figurave, e një ndër ta padyshim edhe Statovci. Kontributi i tij i madh si rektor, u kurorëzua me një mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës, më 15 shkurt 1999, atëherë sa akademiku ishte ende gjallë.

Ndërkaq, “mirënjohje post mortum për kontributin e veçantë për rifillimin e punës së Universitetit të Prishtinës dhe për udhëheqjen e tij në kushte të jashtëzakonshme në periudhën 1991-1997”, iu nda edhe me rastin e 30-Vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, më 16 maj 2000.

Ejup Statovci i mbylli sytë më 19 tetor të vitit 1999, për të mbetur një ndër arkitektët e Universitetit të Prishtinës./KultPlus.com

“Mos ma prek Hasan Prishtinën”, mbushet me mbishkrime Kampusi i Universitetit

Iniciativa për heqjen e emrit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës ka nxitu reagime të ashpra nga student të po këtij Universiteti, që nga publikimi i kësaj iniciative, studentet nuk po gjejnë qetësi, ata kanë organizuar një peticion me anë të cilit po kërkojnë që të mos hiqet emri “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës e po ashtu po kërkojnë edhe shkarkimin e Rektorit Qerim Qerimi.

Mbështetje të fuqishme organizimit të studenteve iu është dhënë nga Fondacioni “Hasan Prishtina”, nuk kanë munguar as reagimet e personaliteteve të ndryshme si nga jeta akademike, shkrimtarëve, historianëve, opinionistëve, politikanëve si dhe shumë kategorive të tjera nga jeta publike nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata.

Se fundi studentët e Universitetit të Prishtinës, me sloganin “MOS MA PREK HASAN PRISHTINËN” kanë vendosur mbishkrime në muret dhe rrugët e kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” si shenjë kundërshtimi ndaj propozimit për heqjen e emrit “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës. Kundërshtime të ashpra ndaj nismës për heqjen e emrit kanë ardhur edhe nga Fondacioni “Hasan Prishtina” të cilët kanë paralajmëruar se do të përdorin të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike për ta penguar këtë nisme dashakeqëse.

Në përfundim të peticionit, Fondacioni “Hasan Prishtina” së bashku me studentë e UP-së kanë organizuar mbrëmje argëtuese për studentët, kjo mbrëmje do të mbahet në Qendrën e Studentëve këtë të enjte me 25.05.2023, organizatorët kanë paralajmëruar se për argëtimin e studenteve do të kujdeset Ganja & ProBand, me ç’rast do të ketë pije falas dhe befasi të tjera. Aksionin e tyre kundër ndryshimit të emrit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina “, studentet e kurorëzojnë me një mbrëmje argëtuese. / Express / KultPlus.com

41 universitete evropiane dhe 60 biznese në Panairin e Karrierës dhe Studimeve Jashtë Vendit sot në Prishtinë

Sot në hapësirat e Uni– Universum International College është mbajtur Panairi i Karrierës dhe Studimeve Jashtë Vendit, më i madhi i këtij lloji i mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Panairi u karakterizua me numër të madh të studentëve të interesuar për t’u kyçur në tregun e punës dhe të tjerëve për të vazhduar studimet në një nga universitetet jashtë vendit.

Nën organizimin e Uni– Universum International College, në Kosovë zbarkuan 72 përfaqësues nga 41 universitete prej 18 shtete nga Bashkimi Evropian dhe Turqia.

Përveç përfaqësuesve të universiteteve, në panair ishin pjesëmarrëse 7 ambasada me mision në Kosovë dhe 60 biznese që ishin të gatshme për të rekrutuar studentë në punë.

Hapja e panairit u bë nga Rektorja Shqipe Gerguri Rashiti , i cili tha se bashkëpunimi me universitetet ndërkombëtare dhe bizneset aktive nderon aktivitetin dhe kolegjin.

Uni– Universum International College u kushton një rëndësi të veçantë kualitetit të studimeve  dhe në të njëjtën kohë i kushton vëmendje bashkëpunimit me industri, duke u ofruar studentëve praktikë dhe studime duale”, tha ajo, teksa theksoi se 80% e studentëve të këtij kolegji kanë përfituar një kontratë pune.

Ky panair ka hapur dyert e shumë të rinjëve për të ardhmen e tyre, teksa kanë pasur rastin të takohen edhe me ish-studentë të cilët kanë përfituar nga lidhja e Uni– Universum International College me universitetet ndërkombëtare.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram.

UP e nderon me titullin “Doctor Honoris Causa” laureatin e çmimit Nobel, Dan Shechtman

 

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur sot ceremoninë e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa”, për laureatin e çmimit Nobel, prof. Dan Shechtman.

Titulli i nderit i ndahet për punën e tij inovative mbi kuazikristalet dhe kontributin e rëndësishëm në avancimin e shkencës së materialeve, si dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm për përdorimin e shkencës dhe teknologjisë për mirëqenien e shoqërisë.

Gjatë kësaj ceremonie, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi tha se është nderë për Universitetin që të ndaj çmimin për Dan Shechtman për punë  e tij në fushën e shkencave materiale i cili në vitin 2011 morri edhe çmimin Nobel në kimi. / KultPlus.com

Inaugurohet Shkolla Kombëtare e Doktoratës në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit

Në ambientet e Universitetit të Prishtinës është inauguruar sot Shkolla Kombëtare e Doktoratës në TIK.

Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin: kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, përfaqësues të qeverisë dhe misioneve diplomatike në vend, prof. dr. Qerim Qerimi, rektor i UP-së, rektorët e universiteteve partnere, profesorë e studentë. 

Hapjen e ceremonisë e bëri rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi. “Universiteti ynë ka luajtur një rol vendimtar në realizimin e kësaj shkolle dhe ne jemi të emocionuar ta presim dhe ta bashkërendojmë atë për dy vjetët e ardhshëm”, tha rektori në nisje të fjalës së tij. Ai tha se shpreson që kjo shkollë të shërbejë si një katalizator për inovacion, bashkëpunim dhe ndikim të mëtejshëm në fushën e TIK-ut, si në Kosovë ashtu edhe më gjerë, duke i inkurajuar studentët tanë që ta përqafojnë këtë mundësi me entuziazëm, kuriozitet dhe përkushtim.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës tha se ky projekt sjell bashkëpunimin e nevojshëm ndërmjet universiteteve prestigjioze evropiane dhe universiteteve në vendin tonë. “Kjo shkollë, që po e inaugurojmë sot, është një bllok i rëndësishëm në ndërtimin e progresit që e synojmë. Ky program ndihmon në zhvillimin e ideve inovative, të cilat kanë potencial krijimin e produkteve të reja, bizneseve dhe profesioneve, të cilat e ndihmojnë këtë vend të bëjë transformimin e nevojshëm”.

Inaugurimi i shkollës së TIK-ut në Kosovë u përshëndet edhe nga ambasadori i Norvegjisë, shkëlqesia e tij, z. Jens Erik Grondahl. Ai tha se është i lumtur që qeveria norvegjeze po bashkëpunon me atë kosovare në ngritjen e transformimit digjital në Kosovë. “Kosova është një superfuqi digjitale, e cila po vazhdon të shfaqet dhe e cila është shumë para vendeve fqinje në këtë fushë. Së bashku, me hapa të tillë, mund të themelojmë bazën për zhvillim të mëtejshëm. Kjo ditë është një moment historik”, theksoi ambasadori.

Projekti i lansimit të shkollës është mbështetur edhe nga ambasada e Suedisë në Kosovë. Përfaqësuesja nga kjo ambasadë, znj. Katja Holboll, tha se Suedia ka kohë që e ka vendosur fokusin e saj në arsim dhe hulumtim, gjë e cila ka ndikuar në ngritjen e kapaciteteve për inovacion. Sipas saj, potenciali i njëjtë është edhe në Kosovë.

Për rëndësinë e shkollës së TIK-ut në Kosovë folën edhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Maloku-Berdyna, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi. Të dyja theksuan përkushtimin e ministrive për ngritje të kapaciteteve në fushën e teknologjisë dhe komunikimit. Njëherësh, u theksua edhe nevoja për përfshirje të diasporës në këtë zhvillim.

Ndërkaq, rektorët dhe përfaqësuesit e universiteteve partnere në këtë projekt, prof. Peter Aronsson nga Universiteti Linnaeus, prof. Samedin Krrabaj, nga Universiteti i Prizrenit, profesor Edmond Hajrizi nga kolegji UBT, Nikos Zaharis, drejtor në Qendren Kërkimore të Evropës Juglindore, si dhe Mohamed Abomhara, përfaqësues i Universitetit Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë, shpalosën angazhimet e tyre për themelimin e kësaj shkolle dhe theksuan edhe gatishmërinë e tyre për avancim tutje të misionit të saj.

Në fund të ceremonisë, prezantuan Christina Keller nga Shkolla Suedeze e Menaxhmentit dhe IT-së dhe Anita Mirijamdotter, koordinatore e projektit PhDICTKES.

Mbylljen e ceremonisë e bëri profesori Drilon Bunjaku, njëherësh drejtor i Shkollës së TIK-ut në Kosovë. Ai shpalosi objektivat e kësaj shkolle, të cilat, ndër të tjerash, përfshijnë: ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë në TIK; fasilitimin dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore për ndërlidhje të arsimit të lartë me industrinë; organizimi i aktiviteteve shkencore për studentët e doktoratës, ndërkombëtarizimin e punës shkencore, e të tjera qëllime.

Shkolla është themeluar në kuadër të projektit “Zhvillimi dhe implementimi i një programi të TIK-ut për Sistemin e Arsimit në Kosovë – PhDICTKES”, pjesë e programit Erasmus+ Key Action 2. Synimi i shkollës është të fasilitojë studimet e doktoratës në këtë fushë, duke u bazuar në përvojën e universiteteve partnere të BE-së./ KultPlus.com

Përkujtesë historike: 53 vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës

Jusuf Buxhovi

Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të Shqiptarëve në ish Jugosllavi si dhe procesi i shkëputjes politike nga Serbia nga fundvitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë, më 15 shkurt 1970.

Mund të thuhet se nga dita që u themelua Universiteti i Prishtinës, ky zhvillim historik u vu në binarët e pakthyeshëm.

Ato që tha rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, akademik Dërvish Rozhaja, gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, se vetëdija arsimore dhe kulturore e kultivuar në institucionet më të larta të dijës dhe të shkencës, siç është universiteti, përcaktojnë edhe atë shoqërore dhe politike, u kthyen në platformë politike të kthesës historike nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë lëvizjes kombëtare të fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e deri te shpallja e pavarësisë shtetërore, më 17 shkurt 2008.

Andaj, nuk është e rastit që në listën e nismëtarëve të themelimit të LDK-së ishin edhe rektorët e Universitetit të Prishtinës: akademik Dervish Rozhaja dhe akademik Idriz Ajeti. Ndërsa akademik Gazmend Zajmi ishte njëri ndër ideatorët kryesorë të Programit politik të LDK-së si dhe dokumentve themelore të shkëputjues nga Serbia: Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.

Në vazhdën e angazhimit të rektorëve të Universietit të Prishtinë në kuadër të lëvizjes kombëtare duhet përkujtuar edhe rolin e akademik Idriz Ajetit si Kryetari i parë i Parlamentit të Kosovës nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 kur iu vunë themelet parlamentare shtetit të Kosovës.

Me këtë rast duhet përkujtuar edhe kontributin e madhe të rektorit të Universitetit të Prishtinës, profesor Ejup Statovcit, njëherësh edhe anëtarë i Këshillit Qendrot të LDK-së, për dinamizimin e lëvizjes së rezistencës kombëtare në tetoritn të viti 1997 me anën e protestave të studentëve, që i dhanë impulset vendimtare rezistencës së armatosur. / KultPlus.com

Nesër ceremoni solemne për nder të 53 vjetorit të themelimit të UP-së

Universiteti i Prishtinës nesër shënon 53 vjetorin e themelimit të tij. Me këtë rast, do të organizohet një ceremoni solemne në të cilën të pranishëm do të jenë: rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, akademikë, rektorë nga rajoni dhe vendi, profesorë, studentë të dalluar, përfaqësues institucionesh dhe partnerë të tjerë.

Ngjarja mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, duke filluar nga ora 13:00.

Për rrjedhën e ceremonisë, luteni të gjeni të bashkangjitur agjendën.

AGJENDA
13:00 Intonimi i himnit shtetëror, Orkestra kamertale
Intonimi i himnit Gaudeamus Igitur, Kori i Fakultetit të Arteve
13:05 Hapja e ceremonisë
13:10 Fjalimi i rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. dr. Qerim Qerimi
13:20 Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti
13:30 Fjalimi i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Mehmet Kraja
13:35 Fjalimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha
13:40 Fjalimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama
13:45 Pikë muzikore
F. Liszt – Transcendental Etude No. 12 “Chasse-neige” – Melisa Ibrahimi – piano
13:50 Fjalimi i rektorit të Universitetit të Lubjanës, prof. dr. Gregor Majdič 13:55 Fjalimi i rektorit të Universitetit të Zagrebit, prof. dr. Stjepan Lakušić 14:00 Fjalimi i akademik Ismail Kadare
14:05 Fjalimi i rektorit të UP-së në vitet 1975 – 1979, prof. dr. Feriz Krasniqi

14:10 Ndarja e mirënjohjeve për studentët e dalluar Ndarja e mirënjohjeve të veçanta
14:25 Pikë muzikore
Avni Mula “Agimet Shqiptare”
Zana Abazi – Ramadani, soprano dhe orkestra kamertale

14:30 Përmbyllja e aktivitetit dhe koktej rasti / KultPlus.com

UP-ja “zgjohet” me parulla në mure: “Fole e plagjiatorëve”

Mbrëmjen e së enjtes një grup i studentëve aktivistë ka vendosur parulla në objektet e Universitetit të Prishtinës, siç thonë ata, kundër plagjiaturës së profesorëve.

Në komuniktën për media bëhet e ditur se në objektin e Fakultetit Filozofik është vendosur parulla: “Këtu ka plagjiatorë”, ndërsa në objektet tjera “UP – Fole e plagjiatorëve” si reagim ndaj mosndëshkimit të plagjiaturës.

“Plagjiatura është hajni dhe është e papranueshme për ne”, thuhet në njoftimin për media derisa bashkëlidhur janë edhe disa foto të këtij aksioni./KultPlus.com

Regjisorja dhe dramaturgia e njohur izraelite, Lilach Dekel-Avneri, do të performojë në Prishtinë, më 28 tetor

Nën organizimin e “Qendra Multimedia” në Prishtinë, Lilach Dekel-Avneri, regjisore dhe dramaturge e njohur teatri nga Shteti i Izraelit dhe drejtore e grupit performues Pathos-Mathos, do të performojë nesër, e premte, 28 tetor, me fillim në orën 15:00, në teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Dekel-Avneri do të jetë e shoqëruar nga Allex (Liat) Fassberg, dramaturg i pavarur izraelit i cili jeton në Berlin.

Pjesë e performancës do të jenë edhe regjisori Gëzim Hasani, performuesi aktorët Ermal Sadiku, Hajat Toçilla, Qëndresa Jashari, Verona Koxha, Blin Sylejmani, Fatlume Bunjaku, si dhe kameraman Dardan Kabashi.

Performancës së titulluar “History Now” i parapriu një punëtori dyjavore praktike dhe hulumtuese, në Prishtinë, me regjisoren Dekel-Avneri. Pjesëmarrësit e punëtorisë punuan me materiale të gatshme tekstuale historike për të krijuar një performancë me kamerë.

Lilach Dekel-Avneri, e cila është edhe kuratore, përkthyese dhe studiuese izraeli, është fituese e Çmimit prestigjioz Rosenblum për Artin Performues për vitin 2016.

Ky aktivitet mbështetet nga Fondacioni i Artistëve të Pavarur në Izrael, Ministria e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit përmes Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, dhe Goethe-Institut.

Fotot: Maud Dinand. / KultPlus.com

Hapet konkursi për pranimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës

Është hapur konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës. Gjithsej 5497 studentë të rregullt planifikohet të bëhen pjesë e UP-së për këtë vit akademik, në afatin e parë të konkursit, njofton UP.

UP-ja numëron dhjetëra programe studimore në 14 fakultete, për t’u bërë pjesë e të cilave mund të aplikoni deri më datë 19 korrik.

Njoftimi i plotë i UP-së:

Të dashur maturantë,

Njoftoheni që Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të shpallë konkursin për pranim të studentëve të rinj më datë 12 korrik 2022.

Deri në hapjen e konkursit, ju mund të kuptoni më shumë rreth mundësive të studimit në UP, duke shfletuar uebfaqen zyrtare www.uni-pr.edu ose ueb faqet e fakulteteve përkatëse: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,34. / KultPlus.com

“Nata e diskutimit dhe filmit në UP”, synohet frymëzimi dhe mendimi kritik tek të rinjtë

Nesër nga ora 4 në hapësirat e Universitetit të Prishtinës do të mbahet nata e filmit, do të shfaqet filmi “Hidden Figures” dhe do të mbahet diskutim rreth tij.

Nata e Diskutimit dhe Filmit synon të shpërfaq rëndësinë e situatave shembullore në historinë e arsimit. Folësi në këtë event, Avni Mustafa – drejtor pranë Roma Versitas Kosova, do të tregojë se si individët mund të arrijnë ndryshime shoqërore duke tejkaluar sfidat e përditshme. Për më tepër, përmes këtij aktiviteti synohet të frymëzohen dhe inkurajohet reflektimi dhe mendimi kritik tek të rinjtë në Kosovë.

“Hidden Figures” është një film i bazuar në një histori të vërtetë, i cili trajton çështjet e ndarjes racore. Ai trajton gjithashtu diskriminimin gjinor dhe tregon se si këto super-gratë ishin në gjendje të balancojnë jetën e tyre familjare me punët e tyre të vështira. Në fund të fundit, ky film pasqyron rëndësinë e vendosmërisë, punës së palodhur dhe qëndrueshmërisë! / KultPlus.com

UP-ja e 3.027-a në botë, vetëm Universiteti i Tiranës më dobët nga ato të rajonit

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” radhitet i 3.027-i në ranglistën prestigjioze “Webometrics”, ku rangohen të gjitha universitetet botërore për cilësi.

E kjo pozitë i mjafton UP-së që të jetë institucioni arsimor i dytë më i dobët nga ato publike në rajon. Vetëm Universiteti i Tiranës qëndron më keq, në vendin e 3.786-të.

Sa u përket universiteteve publike të rajonit, ai i Beogradit renditet më së miri – i 447-i, pastaj Universiteti i Zagrebit i 571-i, Universiteti i Sofjes 988-i dhe Universiteti i Podgoricës i 1.939-i.

Në vitin 2019, UP-ja kishte shënuar ngritje rekorde, duke u renditur në vendin e 1471-të në botë, por në vitet e fundit ka pësuar rënie të dukshme.

Kësaj rangliste i prin Universiteti i Harvardit.

Sa u përket universiteteve në Evropë, mes 10 më të ranguarave, 7 janë nga Britania e Madhe./ Koha.net / KultPlus.com

Përkujtohet Rexho Mulliqi, Rudi: Ndonëse Rexhoja nuk krijoi shumë vepra, rëndësia e tyre është e shumëfishtë

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Filarmonia e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës sot kanë përkujtuar kompozitorin e njohur shqiptar, Rexho Mulliqi, në 40-vjetorin e vdekjes së tij, përcjell KultPlus.

Në këtë ceremoni ku u kujtua jeta dhe vepra e Mulliqit u përmendën edhe bashkëpunimet e tij me shumë artistë të njohur.

Ceremonia e moderuar nga Dardan Selimaj dhe Rreze Kryeziu, u pasurua edhe me interpretimin e dy veprave të autorit Mulliqi e që janë ‘Me lule’ dhe ‘Baresha’.

Muzikologja Rreze Kryeziu para të pranishmëve ndajti disa nga momentet kyqe të jetës dhe veprimtarisë së Rexho Mulliqit.

“Pjesë përbërëse e gjeneratës së parë të kompozitorëve shqiptarë është pikërisht kompozitori Rexho Mullaj. Së bashku me kompozitorin Lorenc Antoni, jetuan dhe kompozuan në kohën e ish-Jugosllavisë, kur Kosova kishte fituar autonominë brenda Jugosllavisë. Megjithatë, kishte edhë momente brenda kësaj periudhe kur artet filluan kultivimin e tyre si dhe u ngritën institucionet universitare e performuese profesionale të ndryshme” – thotë Kryeziu duke shtuar se Mulliqi njihet si pionier i muzikës artistike në Kosovë jo vetëm për faktin se kanë krijuar bazat modern te një krijimtari muzikore por edhe për bartjen e përvojave nga puna me amatorë në këtë fushë, përcjell KultPlus.

“Ai është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, tek i cili inspirimi nga folklori vërehet të jetë prezent në veprat e tij, por gjithmonë I trajtuar në suazat e hapësirave të tjera krijuese evropiane. Nga moduset e veprimtarisë së përbashkët në relacionin folklor-kompozitor, relacioni I tij është me karakter dhe shfaqet me përfshirjen e idiomës folklorike në gjuhën e tij.” – vazhdon ajo.

Më pas, solistja Urta Haziri dhe kompozitori Valton Beqiri sollën një interpretim të pashoq të këngës ‘Një lule’.

Ndonëse në këtë ceremoni mungoi profesor Rafet Rudi, u lexua fjala e tij për kompozitorin Rexho Mulliqi, të cilin ai e cilëson si nismëtar të muzikës artistike te ne.

“Ndonëse Rexhoja në kohën kur i bënte hapat e parë në krijimtari, nuk ka mundur plotësisht të jetë në korrent me aktualitetet muzikore në botë, për shkak të jetës së varfër muzikore që ekzistonte atëherë këtu, megjithatë, ai kishte njohje më tepër të veprimtarisë së kompozitorëve ‘stilistikisht të përmbajtur’, sesa të atyre ‘radikalistëve’ të tipit të treshit vjenez. Kurse, ishte krejtësisht larg muzikës së postvebrnistëve të kohës, të cilët ai i konsideronte ‘kundërshtarë ideologjikë’.” – thuhet në fjalimin e tij të lexuar nga Dardan Selimaj.

Në këtë fjalim u përmend edhe jeta muzikore në Kosovë pasi Rexho Mulliqi u kthye nga Beogradi, ku studioi në degën e kompozimit.

“Pasi u kthye, Rexhoja gjeti një nivel shumë të ulët të jetës muzikore këtu te ne, sidomos në lëmin e muzikës artistike, mungonin ansamblet muzikore, orkestrat, instrumentistët, mungonte jeta e gjallë muzikore që do të nxisnin kureshtjen e tij për kombozimin e veprave ambizioze”-  thuhet në vazhdim në këtë fjalim.

Ndonëse, Rexho Mulliqi  nuk shkroi shumë vepra, Rafet Rudi vlerëson se rëndësia e tyre është e shumëfishtë.

“Rexhoja krijoi vepra të rëndësisë së tillë, që për këtu te ne ato shënojnë fillet në disa gjini. Përmes veprës së tij, kontribuoi dukshëm në formimin e një stadi të caktuar të identitetit të muzikës artistike te ne. Muzika e tij, e cila mbështetej gjithmonë në folklorin e kësaj treve, bëri një hap të madh përpara në krijimin e një muzikë autoktone.”- përfundon fjalimi i kompozitorit Rudi.

Si përfundim, kompozitori Valton Beiqiri dhe violinisti Arsim Gashi interpretuan këngën ‘Baresha’, e që konsiderohet një prej kryeveprave të kompozitorit Mulliqi./ KultPlus.com

Kur gazeta Rilindja kishte për titull në ballinë: Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë (FOTO)

Asistenti i Universitetit të Prishtinës, Durim Abdullahu ka ndarë disa fotografi mjaft interesante me rastin e 52 vjetorit të Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970.”

“Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Abdullahu në rrjetet sociale.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

52 vjetori i Universitetit të Prishtinës

Më 13 shkurt 1970, u mblodh Kuvendi i Parë i Universitetit të Prishtinës, ku u zgjodhën organet drejtuese: rektori, prorektorët dhe 29 anëtarët e Pleqësisë. Rektor u zgjodh Dervish Rozhaja, kurse prorektorë: Bozhidar Jovanoviq dhe Minir Dushi. Rektori dhe prorektorët ishin automatikisht edhe anëtarë të Pleqësisë. Dy ditë më pas, Universiteti i Prishtinës do të themelohej edhe solemnisht.

Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës. Në foltoren me tetë mikrofona, u mbajtën 13 fjalime, ndër të cilët nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Dervish Rozhaja, Rektori i Universitetit të Beogradit, Dragisha Ivanoviq, Rektori i Universitetit të Lublanës, Roman Modiq, Rektori i Universitetit të Zagrebit, Ivan Supek, Rektori i Universitetit të Sarejevës, Hamdija Çemerniq, Rektori i Universitetit të Shkupit, Kiril Penushlinski etj.

Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970”. Të nesërmen, gazeta Rilindja kishte për titull në ballinë: “Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë”. / KultPlus.com

52 vjetori i Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon, shkruan KultPlus.

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.

Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës. / KultPlus.com

Paraqitja e provimeve për studentët e UP-së do të bëhet pa pagesë

Paraqitja e provimeve do të bëhet pa pagesë për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Këtë e kanë bërë të ditur në një njoftim për media, Lëvizja Studentore për Barazi, “Studim, Kritikë, Veprim”.

“Më 15 nëntor, SKV ka dorëzuar në MAShTI kërkesën për heqjen e pagesave për ata që paraqesin provimet për herë të dytë e tutje. Sot, kemi marrë konfirmimin se këto pagesa janë larguar. Ky është një lajm tjetër i mirë për studentët duke i ofruar atyre mundësi të barabarta për t’iu nënshtruar provimeve dhe duke lehtësuar procedurat e tjera administrative”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

PARAQITJA E PROVIMEVE BËHET PA PAGESË

Më 15 nëntor, SKV ka dorëzuar në MAShTI kërkesën për heqjen e pagesave për ata që paraqesin provimet për herë të dytë e tutje.

Sot, kemi marrë konfirmimin se këto pagesa janë larguar. Ky është një lajm tjetër i mirë për studentët duke i ofruar atyre mundësi të barabarta për t’iu nënshtruar provimeve dhe duke lehtësuar procedurat e tjera administrative.

Gjatë ditës keni parë një komunikatë të Parlamentit Studentor (UDS-OPS-Paqja Studentore-USPE) në të cilën thuhet se: “Në këtë takim u shtruan ankesat dhe pakënaqësitë e studentëve ndaj këtij vendimi për znj. Nagavci, ku u njoftuam që pjesa ku përcaktohen pagesat për provime do të ndryshohet. Me plotësimet e reja parashihet që paraqitja e provimeve të jetë falas deri në tri herë”.

SKV mund të konfirmoj se ky është një keqinformim nga ana e tyre sepse pagesat janë larguar tërësisht sipas kërkesës sonë dhe jo vetëm deri në tri herë siç pretendojnë ata.

Tendencat e tilla për të përvetësuar kauzën tonë të kahmotshme janë tejet të ulëta. Të dashur kolegë studentë, ju kujtojmë se po me kërkesën tonë janë larguar edhe pagesat për regjistrimin e semestrit duke filluar nga ky vit akademik./KultPlus.com

Fotografi që nuk kanë humbur, nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar 24-të vite qëkur studentët e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram./ KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës merr vendim për fillimin e ligjëratave me prezencë fizike

Senati i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur sot, me rekomandim të Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike, ka marrë vendim që si pasojë e pezullimit dyjavor të aktiviteteve mësimore, procesi mësimor – ligjëratat të fillojnë më 15 tetor 2021, me prezencë fizike.

Procesi mësimor, respektivisht ligjëratat, do të zhvillohen duke respektuar udhëzuesit përkatës, me kusht që numri i studentëve në një klasë të mundësojë në mënyrë rigoroze mbajtjen e distancës prej 1.5 metra në mes të personave.

Në rastet e caktuara dhe për të respektuar distancën prej 1.5 metra, ligjëratat do të organizohen në dy grupe të studentëve: Orët e mësimit në dy grupe – ora e parë 40 minuta grupi i parë i studentëve; ora e dytë 40 minuta grupi i dytë i studentëve. Në mes të dy orëve do të mundësohen 10 minuta për ndërrimin e studentëve. Në raste tjera dhe varësisht edhe vendimeve të qeverisë, do të mundësohen edhe orët hibride dhe online. / KultPlus.com

Hapet aplikimi për studime master në Universitetin e Prishtinës

Në këtë vit akademik, UP-ja do të regjistrojë 2228 studentë në programet studimore të 14 njësive akademike.

Kushtet e përbashkëta të konkursit, mënyrën e përzgjedhjes, afatet dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim mund t’i gjeni duke klikuar në vegzën në vijim: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,35,1463

“Aplikimi nis që sot dhe do të jetë i hapur deri më 6 tetor 2021, në orën 15:00”, thuhet në njoftimin e UP-së. / KultPlus.com