Universiteti i Prishtinës zë vendin e 11-të si më i miri në rajon

Universiteti i Prishtinës ka kryesuar në renditjen e universiteteve në mesin e institucioneve shqipfolëse.

Sipas rangimit të fundit të Webometrics-it, në kategorinë e Transparencës, Universiteti i Prishtinës zë vendin e 1745-të në botë dhe është universiteti i 11-të më i mirë në rajon.

Rangimi i Transparencës merr parasysh citimet nga profilet institucionale në Google Scholar. Për secilin universitet nxirren të dhënat e citimeve nga 210 profilet publike me më shumë citime, prej të cilëve mënjanohen 20 autorët më të cituar.

Kjo metodë siguron pavarësi nga ndikimi i madhësisë së institucionit dhe përfaqësueshmëri nga profilet e mbetura. / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës mundëson ndjekjen e mësimeve online

Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se tashmë studentët mund të ndjekin mësimet e tyre në platformën online, shkruan KultPlus.

Kjo platformë u mundëson studentëve që të mos ndërpresin mësimet gjatë kësaj periudhe të përhapjes së virusit.

Lajmi është bërë i ditur në llogarinë zyrtare të Universitetit në Facebook.

Më poshtë mund të lexoni lajmin e plotë ku janë dhënë edhe detaje se si mund të kyqeni në ndjekjen e mësimeve online.

‘Të dashur studentë,
UP-ja ju njofton se janë finalizuar përgatitjet për të vijuar me mësim virtual.
Secilit prej jush i është krijuar e-mail i personalizuar në Google “G Suit for Education”, në mënyrë që ju të mund të vazhdoni mësimin online, pa pengesë, gjatë kohës së masave të marra për evitim të kontaktit fizik.

Për detajet se si do të funksionojë kjo për ju, klikoni linkun në vijim: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,4,1077
Ruaj vetën, familjen dhe shoqërinë! / KultPlus.com

Gabime drejtshkrimore në broshurat informuese të Universitetit të Prshtinës

Sot për nder të 50 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, u mbajt një ceremoni ku të pranishëm ishin qeveritarë, rektorë ndërkombëtarë e vendorë, profesorë, studentë etj, shkruan KultPlus.

Mirëpo edhe pse shënohen 50 vjet të një institucioni, funksioni i të cilit është dija dhe arsimi, është bërë një gabim në broshurat informuese të UP-së.

Në ballinën e broshurës shkruhej ‘“50 Years Universitety of Prishtina”, e që do të duhej të ishte ’50 Years University of Prishtina’ në vend të ’50 Years Universitety of Prishtina’. / KultPlus.com

Osmani: 50 vjet jetë të një institucioni që ka bartur një barrë të rëndë, ta mbajë gjallë vetëdijen për kombin

Sot shënohet 50-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës, ku për të nderuar gjysmë shekulli jetë të këtij Universiteti, mbajti fjalim edhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Më poshtë KultPlus ju sjell një pjesë nga fjalimi i Osmanit.

‘Të dashur miq të dijes dhe të arsimit është krenari të jem sot në mesin tuaj. Ne sot kremtojmë 50 vjetorin e jetës së UP/

Ndoshta 50 vjet jetë nuk janë edhe shumë, por për një institucion nismtëar të arsimit të lartë, të parit në vend e të dytit në hapësirat shqiptare, 50 vjet jetë janë 50 vjet përkushtimi, përjetësim të rilindësve tanë për arsimim e dije, janë 50 vjet të jetesës së një institucioni i cili e ka bartur barrën e rëndë që jo vetëm të përgatisë kuadro të arsimuara por edhe ta mbajë gjallë vetëdijen për kombin e për shoqërinë duke qenë jo rrallë prijëtare e ideve për lirinë tonë.

Të dashur miq të universitetit, në këtë ditë të shënuar për Universitetin por edhe për gjithë popullin e Kosovës, duam që të kujtojmë themeluesit dhe anëtarët e parë të këtij Universiteti, të cilët në një kohë të pakohë thuajse ju përkushtuan krijimit të hapësriave të arsimimit të të rinjve tanë, që ishin fort të bindur që kështu po u shërbenin dyfish atyre, duke hapur shtigje drejt arsimimit më të mirë dhe ppashtu duke u krijuar një hapësirë në të cilën fjala e lirë, mendimi kritik e gjykimi i lirë zhvillohen e promovojnë liri individuale e kolektive në këtë hapësirë.

Kujtojmë rektorin e parë Dervish Rozhaja si gje gjithë atë brez të dijetarëve të shquar të cilët i vunë themelet e këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë.

Kujtojmë atë brez të jashtëzakonshëm të studentëve, të pedagogëve, administratorëve e menagjerëve të këtij institucioni të cilët iu bashkuan thirrjes për të mos u dorëzuar kurrë para presionit dhe të cilët në emër të lirisë organizuan sistemin paralel të arsimit si shtylla themelore e shtetit dhe shtetësisë sonë brenda lëvizjes së madhe të vitetve të 90′, për pavarësi e liri të udhëhequr nga presidenti ynë historik, Ubrahim Rugova.’ / KultPlus.com

50-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës sot mban manifestimin qendror të shënimit të 50-vjetorit të themelimit.

Siç njofton UP, në ceremoninë e 50 vjetorit të UP-së të pranishëm do të jenë qeveritarë, rektorë ndërkombëtarë dhe vendorë, përfaqësues të misioneve diplomatike, donatorë e partnerë të tjerë.

Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon.

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.

Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës. / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës në pullë postare

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka promovuar pullën postare me logon e 50 vjetorit për nder të themelimit të Universitetit të Prishtinës.

Promovimin e kësaj pulle e ka bërë Posta e Kosovës me rast të shënimit të pesë dekadave të themelimit të Universitetit të Prishtinës si institucioni më i rëndësishëm arsimor, shkencor dhe kulturor në Republikën e Kosovës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Dema tha se promovimi i kësaj pulle postare është aktivitet i rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës si shpërblim i punës së madhe të këtij universiteti.

“Sot është aktiviteti i tretë që do të promovohet pulla postare, 50 vjetori i Universitetit të Prishtinës. Kjo pullë postare vjen si shpërblim i punës së ma dhe që ka bërë Universiteti i Prishtinës për 5 kjo është një vlerë e veçantë, që besoj se është edhe një vlerë e veçantë për Postën e Kosovës sepse e nderon një tempull i cili për 50 vite ka dhënë dritë, ka dhënë profesionist, ka dhënë kontribute në të gjitha fushat”, deklaroi Dema.

Dema shtoi se shtetin e Kosovës e ka lindur ky universitet, prandaj është i lidhur ngushtë me fatin e popullit të Kosovës dhe është obligim për secilin që ta rrisë dhe zhvillojë atë.

“Historikisht fati i Universitetit të Prishtinës ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e popullit të Kosovës, po jo vetëm aq, ndoshta nuk është edhe e rëndësishme që këto dy data, data e themelimit të Universitetit të Prishtinës, dhe data e pavarësisë janë kaq afër që do të thotë se këtë shtet e ka lind ky Universitet dhe e kemi obli gim ta rrisim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë një shtet që do të jetë i këndshëm, që do t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabarta, në të cilin çdonjëri ta realizojë ëndrrën e vet”, tha Dema.

Kryeshefi ekzekutiv i postës së Kosovës, Shefqet Avdija tha janë krenarë që kanë bërë promovimin e pullës postare për Universitetin e Prishtinës me qëllim të promovimit të vlerave në Republikën e Kosovës.

Avdija tha se historia e Universitetit të Prishtinës është e pandashme me historinë e popullit, andaj edhe kjo pullë postare do të udhëtojë kudo nëpër botë me imazhin e tempullit të arsimit si institucioni më i rëndësishëm në Kosovë.

“Që nga themelimi historia e këtij universiteti mbetet e pandashme me historinë e popullit të Kosovës, universiteti i Prishtinës për dallim n ga Universitetet e Evropës veprimtarinë e kanë zhvilluar në dy fronte atë të luftës për dije dhe atë të luftës për liri. Kjo dëshmoi edhe një herë se shkolla arsimi dhe dija janë parakusht për ndërtimin e lirisë shpirtërore si hap i parë në realizimin e lirisë fizike, prandaj kjo pullë postare do të udhëtojë kudo nëpër botë me imazhin e tempullit tonë të arsimit dhe të dijes”, deklaroi Avdija

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit, të cilin e miratoi Kuvendi i ish-Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969.

Kuvendi themelues i Universitetit “Hasan Prishtina” u mbajt më 13 shkurt 1970.

Ndërsa, me 15 shkurt 1970 u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit dhe kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës./Koha.net / KultPlus.com

Rrezikohet mbyllja e disa fakulteteve të Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është duke u përballur me mungesë të stafit akademik në disa fakultete, ku në rast të mosplotësimit me kuadro rrezikohet edhe mbyllja e tyre.

Por një gjë e tillë është mohar nga zyrtarë të Rektoratit të UP-së, të cilët pohuan se janë duke hapur konkurse për rekrutim të stafit në fakultetet ku ka mungesë të tyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndër problemet e shumta me të cilat po vazhdon të përballet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është edhe mungesa e kuadrove profesionale në disa programe të studimit.

Ndër fakultetet me mungesë të theksuar të stafit akademik në UP janë: Fakulteti i Inxhenierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë dhe Fakulteti i Mjekësisë.

E për njohësit e çështjeve të arsimit në vend mungesa e kuadrove profesionale në UP nuk është risi. Në këtë gjendje ky universitet, sipas tyre, është duke u ballafaquar tash dy dekada. /KultPlus.com

28 vjet nga masat e dhunshme të Serbisë në Universitetin e Prishtinës

Me ardhjen e kriminelit Sllobodan Millosheviq në krye të Serbisë, shkolla shqipe në Kosovë, në veçanti Universiteti i Prishtinës, mori goditje të mëdha që çuan deri në rrezikimin serioz me përmasat e shkatërrimit të arsimit shqip.

Pushteti nacionalist serb u angazhua për ndryshimin dhe ndalimin e shollës shqipe në Kosovë. Gjendja në universitet erdhi duke u përkeqësuar, krahas gjendjes në gjithë Kosovën. Qendra Universitare nuk ishte më streha e studentëve dhe as e profesorëve shqiptarë. Sapo u mbyll semestri veror i vitit akademik 1990/91 të Universitetit të Prishtinës, më 28 qershor 1991, në ditën e Vidovdanit, (festë fetare serbe) Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë vitit të ri akademik udhëheqësja e dhunshme, e dominuar nga kuadrot serbo-malaziase, e rritën numrin e studentëve për 923 studentë, kryesisht studentë serbë të sjellë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi. Më 21 gusht 1991 grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë, ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Porse, me fillimin e vitit 1992, synohet të gjenden mundësitë dhe format që shkolla shqipe të fillojë të jetë aktive. Më 14 shkurt 1992 Universiteti i Prishtinës njofton se më datë 17 shkurt të po këtij viti do të fillonte mësimi në nivelin universitar në shkollat shtëpi. /Insajderi / KultPlus.com

49 vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës vjen përmes një ekspozite

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) ju fton të merrni pjesë në ngjarjen gjithë-ditore “Odisejë: Universiteti i Prishtinës ndër vite” që do të mbahet më 13 shkurt 2019 në Modelariumin e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Për të shënuar 49 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, KITU organizon një ekspozitë për historinë e Universitetit, panele diskutimi dhe një mbrëmje argëtuese.

Hapja solemne do të mbahet të mërkurën në ora 10:30, dhe programi do të vazhdojë me ekspozitën dhe dy panel diskutime paradite.

Në ora 11:00 përfaqësuesit e organizatave anëtare të Koalicionit do të prezantojnë punën e realizuar gjatë vitit 2018 dhe do të diskutojnë sfidat kyçe të arsimit të lartë në Kosovë.

Në ora 13:00, do të mbahet një diskutim mes rektorit të UP-së Marjan Dema, Ministrit të Arsimit Shyqyri Bytyqi, dhe drejtorit të Qendrës për Arsim e Kosovës, Dukagjin Pupovci, moderuar nga Adriatik Kelmendi, i cili do të transmetohet në emisionin Rubikon në Kohavision.

Në ora 19:00 mbahet një koktej rasti me muzikë live të performuar nga Bibera Trio.

Ekspozita do të jetë e hapur prej orës 10:30 deri në ora 21:30. /KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës i bashkohet grevës së mësimdhënësve

Grevës së punonjësve arsimorë i është bashkuar edhe Universiteti i Prishtinës.

Përmes një komunikate për media, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton se sot është thirrur takimi i Kolegjiumit të Dekanëve, ku është diskutuar çështja e grevës në arsim.

“Më këtë rast, UP-ja njofton studentët, personelin dhe gjithë opinionin, se mbështet grevën në institucionet arsimore. Si rrjedhojë, UP shtynë të gjitha aktivitetet akademike dhe administrative për një afat të pacaktuar, duke përfshirë këtu edhe mbajtjen e provimeve të afatit të janarit, në të gjitha njësitë akademike të Universitetit”, thuhet në njoftim.

“Duke shpresuar që në një afat të shkurtër kohor do të arrihet zgjidhja e duhur për situatën e krijuar, informoni se deri në njoftimin e radhës, ky është qëndrimi zyrtar i Universitetit”, thuhet më tej në njoftim.©

Gjuha kroate pjesë e Universitetit të Prishtinës

Nesër në Fakultetin e Filologjisë fillon kursi i gjuhës kroate 1 me profesoreshën nga Universiteti i Zagrebit, Ivanqica Bankoviq-Mandiq.

Në hapje të këtij kursi do të marrë pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës, Marija Kapitanovic, ndërkaq nikoqire e saj do të jetë dekan-ja e Fakultetit të Filologjisë, Linditë Sejdiu Rugova.

Sipas Ambasadës, një moment i tillë shënon një kthesë të rëndësishme të bashkëpunimit ndërakademik ndërmjet të dyja institucioneve meqë edhe nga marsi 2019, në Universitetin e Zagrebit do të fillojë të mbahet kursi i shqipes për nevoja të gjuhësisë nga profesorët e departamentit të Gjuhës shqipe nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Këto iniciativa do të çojnë drejt forcimit të iniciativës së përbashkët për formimin e një lektorati të përhershëm të kroatishtes në Prishtinë dhe të shqipes në Zagreb”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

UP vazhdon përpjekjet për hapjen e Ballkanistikës

Programi i Ballkanistikës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës nuk është akredituar që nga viti 2016 nga Agjencia e Akreditimit.

Arsye për këtë ishte mungesa e kuadrove në gjuhët e Ballkanit. Ballkanistika ka për bazë hulumtimin shkencor dhe përkthimin. Ekspertët thonë se është një dëm që nuk ka kuadro, ndërsa drejtues të fakultetit po bëjnë përpjekje që ky program të akreditohet në vitin e ardhshëm akademik.

Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës pat filluar programin katërvjeçar Ballkanistika në vitin 2015, me 15 studentë. Ndërkohë, në procesin e riakreditimit në vitin 2016, edhe pse u vlerësua në mënyrë pozitive nga ekspertët e huaj, nuk u akreditua. Kjo për shkak se Agjencia e Akreditimit filloi të zbatojë rregullin që për çdo program duhet të ketë tre bartës me doktoratë shkencore në atë fushë. Sipas Agjencisë së Akreditimit, Ballkanistika në vitin 2016 nuk ka pasur kuadro të mjaftueshëm për t’u ri-akredituar. Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha për Radio Kosovën se nuk kanë mundur të sigurojnë kuadro në atë kohë, por kanë pasur profesorë nga Evropa dhe nga vendi, të cilët dikur kanë studiuar gjuhët sllave.

“Në atë kohë ne nuk kishim, sepse fushat tona të studimit janë shumë iterdisiplinare. Por, ligji ishte ligj, hyri në fuqi dhe ne nuk i kishim tre persona me të cilët do të vazhdonim gjeneratën e dytë të atij programi, sepse gjenerata e parë shkoi, ata e përfunduan, sivjet kanë vitin e katërt”, deklaroi Lindita Rugova.

Rugova tha se nuk do të heqë dorë nga ky program dhe se pritet që vitin e ardhshëm akademik të konkurrojë përsëri për akreditim. Ajo tha se është në interes të të rinjve të mësojnë gjuhët e Ballkanit, pasi kanë për bazë hulumtimin shkencor dhe përkthimin.

“Sivjet jemi mbledhur dhe meqë kemi marrë kuadro të reja gjatë këtij viti, kemi mundësi një master të ri ose të vazhdojmë. Kur të përfundojë konkursi për avancime do ta kemi të qartë, pasi kemi tre ose katër doktorantë që janë para doktoraturës. Po përpiqemi që sivjet t’i bëjmë këta njerëz dhe unë personalisht nuk heq dorë nga ato studime ballkanike, sepse do të vijë koha kur të gjithë do të kërkojnë të studiojnë”, theksoi Lindita Rugova.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha se është mirë që në Kosovë të studiohen gjuhët e Ballkanit, për të njohur kulturat e tjera. Ai tha se është dëm që ka mungesë të kuadrit për këtë fushë.

“Mendoj se edhe shtetet e tjera të rajonit kanë studime të fokusuara në vendet e Ballkanit. Në mënyrë specifike kanë katedra të gjuhës dhe letërsisë shqipe, sepse mendojnë se një numër i njerëzve duhet ta njohë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Është dëm i vërtetë nëse nuk paska kuadër për një program të tillë. Programe të tilla duhet të ekzistojnë, pasi që ne jetojmë në një rajon ku jetojnë popuj të ndryshëm ku duhet t’ia njohim edhe gjuhën, edhe kulturën e edhe letërsinë. Një program i tillë do të ketë një numër të kufizuar të studentëve aq sa do të mund të punësoheshin në Kosovë”, deklaroi Dukagjin Pupovci.

Programi “Ballkanistika” në Fakultetin Filologjik do të merret me studimet e gjuhëve, kulturën, gjeografinë dhe historinë e Ballkanit. Ideja për themelimin e këtij programi ka ardhur nga Departamenti i gjuhës shqipe, duke u bazuar në nevojat e zgjerimit të hulumtimeve shkencore si dhe për nevojat që ka tregu i Kosovës./KultPlus.com

Hapet thirrja për studentë të Universitetit të Prishtinës dhe arkitektë të rinj

“Urbanizmi i ri dhe kultura e bashkëjetesës” është kombinimi i pikave të ndryshme që përfaqësojnë të kaluarën kronologjike historike me vendet arkeologjike, të tashmen me brezat e arkitektëve të rinj dhe të ardhmen me fëmijët e vegjël të edukuar sipas praktikave të qëndrueshme. Të gjitha këto elemente së bashku janë pjesë e instalimit që pasqyron jetën historike dhe shoqërore të Kosovës.

Ky projekt është një projekt arsimor dhe kulturor, i cili lidhet me një zonë të qëndrueshme urbane dhe struktura arkitektonike që promovojnë rëndësinë e hapësirës së lirë, si një vend takimi, shkëmbimi i mendimeve dhe iniciativave, dhe krijimi i mundësive për mirëqenien dhe dinjitetin e çdo qytetari. Hapësirat e lira si zonat urbanistike kanë një ndikim të madh në zhvillimin shoqëror.

Thelbi i instalimit është vepra “Arti i Ri Urbanistik” e Mjeshtrit Ibrahim Kodra, e rrethuar me imazhe nga kontestet fotografike kombëtare për trashëgiminë kulturore të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në Prishtinë.

Në kudër të këtij projekti do të ekspozohen modelet më të mira të hapësirës së lirë urbanistike të krijuar nga arkitektë të rinj nga Kosova dhe vizatime të fëmijëve nga shkollat artistike në Kosovë rreth zonës së re të lirë urbane të ekspozuar.

Përfshirja e pikturave dhe veprave të artit të fëmijëve në këtë prezantim ka të bëjë me përfshirjen e ideve të reja që në një farë mënyre reflektojnë vizionin e tyre objektiv ekologjik dhe të qëndrueshëm për të ardhmen, dhe se si e shohin këtë të ardhme në botë. Ky projekt është i frymëzuar nga OKB –ja për qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, për shembull qytetet dhe komunitetet e qëndrueshme, energji të përballueshme dhe të pastër, ujë të pastër dhe kanalizime, konsumim të përgjegjshëm dhe prodhim e veprim klimatik, shëndet dhe mirëqenie të mirë, industri, inovacione dhe infrastrukturë.

Fondacioni i Zvicrës Ibrahim Kodra i përkushtohet aktiviteteve për të promovuar dhe mbështetur projekte kulturore dhe arsimore për brezat e rinj.

“Urbanizmi i ri dhe kultura e bashkëjetesës” realizohet në sajë të kontributit të rëndësishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. .
Koncepti i projektit është krijuar dhe finalizuar nga ekipi i Fondacionit Zviceran Ibrahim Kodra.

Projekti i një qyteti të ri duhet të përfshijë:
Hapësirat e lira urbane për të gjithë qytetarët;
Një apo më shumë prej 17 qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së.
https://www.un.org/sustainab…/sustainable-development-goals/
ti dedikohet `Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore 2018, kështu që përfshihet edhe aspekti tradicional i arkitekturës së Kosovës;
bashkëjetesën kulturore që mund të përfshijë karakteristika të lashta dhe moderne;
ndërtimin e qëndrueshëm dhe të respektueshëm për kushtet ekologjike dhe mjedisore.

Formati i projektit: 30 x 40 cm (horizontal)
Të dërgohet projekti deri në datën 14 Maj në formatin digjital në:
[email protected]
[email protected]

Për informacione shtesë rreth konceptit “Free Space” (Hapësira e Lire), ” vizitoni faqen zyrtare të Biennale Architettura Venezia 2018 (www.labiennale.org), skicë e përgjithshme./KultPlus.com

“Të shkarkohet prorektorja dhe të hetohen ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës”

ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, përmes një reagimi ka kërkuar të shkarkohet prorektorja Teuta Pustina, shkruan KultPlus.

Ky reagim e shumë të tjerë në lidhje me shkarkimin e prorektores, ka ardhë si rezultat i deklaratave të saj në lidhje me viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Pustina, tha që gratë të mos vishen në mënyrë provokative, për t’iu shmangur ngacmimeve seksuale në institucione arsimore.

Në vijim sjellim reagimin e plotë të ORCA:

“Të shkarkohet prorektorja!
ORCA është thellësisht e indinjuar me deklaratat dhe tentim sqarimin e prorektores Pustina e cila ka fajësuar viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Ngacmimet seksuale dhe keqpërdorimi i autoritetit për favore seksuale në Universitetin e Prishtinës po shndërrohet në dukuri nga një pjesë e stafit akademik.
ORCA kohëve të fundit ka pranuar me shqetësim raportime të ndryshme të studenteve të cilat kanë treguar për forma të ndryshme të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale nga një pjesë e stafit akademik i Universitetit të Prishtinës.
Edhe më shqetësues është fakti që Universiteti i Prishtinës nuk ka politikë për luftimin e kësaj dukurie dhe mbrojtjen e viktimave të këtyre sulmeve. Në anën tjetër deklaratat që përfaqësojnë një pozicion ekstremist të patriarkalizmit, si ajo e prorektores Pustina, është stimulues e sulmuesve për të vazhduar me aktivitetin e tyre të paligjshëm pa u penguar.
ORCA kërkon përgjegjësi maksimale të institucionit që do të thotë:
1. Kërkim falje në emër të institucionit për deklaratën e prorektores Pustina;
2. Shkarkim të prorektores Pustina;
3. Krijimin e një komisioni të posaçëm me pjesëmarrje të gjerë për hetimin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.
ORCA i bën thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje në mënyrë që të krijohet një standard bashkëkohor i diskursit publik ku nuk tolerohet më gjuha seksiste dhe mizogjene”./ KultPlus.com

Fotografi e rrallë nga hapja e Universitetit të Prishtinës (FOTO)

Hapja e Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për gjithë popullin shqiptar, ndërsa sot numëron një numër të madh studentësh, ne po ju sjellim një fotografi nga ceremonia e hapjes së këtij institucioni, shkruan KultPlus.

Albana Mehmeti ka publikuar një fotografi nga dita e hapjes së këtij universiteti në vitin 1970, ku shihen një numër i konsiderueshëm profesorësh e studentësh të rreshtuar para shkallëve të këtij objekti.

“Viti 1970, me rastin e hapjes së Universitetit të Prishtinës dhe bashkëpunimit me profesorët mysafirë nga Tirana”, ka shkruar Albana Mehmeti. Ajo tutje ka shpjeguar së në këtë fotografi janë të pranishëm profesorët Kolë Popa dhe Kosta Koci bashkë me profesorët vendas profesorët Nexhat Daci dhe Rexhep B. Mehmeti, (me studentët e departamentit të Kimisë. /KultPlus.com

Përmirësohet cilësia e Universitetit të Prishtinës, sipas Webometrics

Universiteti i Prishtinës është radhitur më së larti nga universitetet e Kosovës në ranglistën e Webometrics.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është radhitur i 3320 në ranglistën e publikuar nga Webometrics në muajin janar.

Krahasuar me listën e publikuar në muajin korrik të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës ka arritur të përmirësojë pozicionin e vet duke u ranguar për 618 vende më lart në listë.

Përmirësim në rangim ka arritur edhe Kolegji AAB, i cili për dallim nga ranglista e muajit korrik tani është ngritur për 1092 vende.

Përndryshe, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji AAB janë të vetmet universitete shqiptare që kanë arritur të futen në listën prej 5 mijë universiteteve të ranguara sipas citimeve në Google Scholar.

Universiteti Bujqësor i Tiranës nga Webometrics është radhitur i 5277 kurse Universiteti i Tiranës i 5978.

Ranglistës së Webometrics në tri pozitat e para i prijnë, Universiteti i Harvardit, Universiteti i Stanfordit dhe Universiteti i Masaçusetsit.

Ranglista e universiteteve botërore sipas Webometrics, i publikon rezultatet dy herë në vit, në muajin janar dhe në muajin korrik kurse në të përfshihen rreth 30 mijë universitete botërore. / Kallxom.com / KultPlus.com

Rreth 40 për qind e profesorëve në UP me plagjiaturë

Nga 70 (shtatëdhjetë) profesorë të cilët janë hulumtuar lidhur me punimet e tyre, 40 % kanë prezencë të plagjiaturës. Të njëjtit, si rezultat i punimeve thirren në titujt e tyre akademikë, por edhe në pozitat e tyre akademike brenda Universitetit të Prishtinës.

Këtë hulumtim e ka siguruar Radio Kosova, i cili është bërë nga Instituti Edguard, por që nuk është publikuar ende.

Punimet e disa prej profesorëve në Universitetin e Prishtinës, kanë rezultuar se kanë plagjiaturë. Sipas të dhënave që ka siguruar Radio Kosova, punimet të cilat janë rishikuar kanë qenë punime të doktoratave të profesorëve, por edhe publikime të tyre shkencore.

Rinor Qehaja nga Instituti Edguar, i cili është marrë më këtë hulumtim, tha se përkundër që janë cilësuar si të pranueshme nga universiteti gjatë procesit të avancimit të tyre, të njëjtat janë dëshmuar që kanë prezencë të plagjiaturës.

“Të gjeturat tregojnë se nga 70 (shtatëdhjetë) profesorë të cilët janë investiguar dëshmojnë se te numër i madh i tyre ka prezencë të plagjiaturës deri në 40 %. Kjo e bën shqetësues faktin pasi të njëjtit si rezultat i punimeve thirren në titujt e tyre akademikë, por edhe në pozitat e tyre akademike brenda UP-së”, tha Qehaja.

Qehaja sqaron se prezenca e plagjiaturës ka qenë në disa nivele, ku përfshihen temat mes kolegëve brenda vetë fakultetit, mes profesorëve dhe studentëve, e të tjera.

“Punimet e studentit janë përfshirë dhe nuk janë cituar në publikim dhe prezenca në përqindje më të madhe është ajo që nuk ka referenca të mirëfillta se kur është marrë pjesë, paragrafë të caktuar të pa referuara nga punimet ndërkombëtare. Prezenca më e madhe e plagjiaturës është nga tema dhe punime ndërkombëtare për të vazhduar me plagjiaturën që është bërë në bashkëpunim mes kolegëve dhe studentëve”, tha ai.

Ndërsa, Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, tha për Radio Kosovën se Universiteti i Prishtinës ka dizajnuar një sistem vlerësimi të kredibilitetit të revistave shkencore, ku botohen punimet e stafit akademik. Ai tha se kontrollin e cilësisë dhe të plagjiaturës në publikimet shkencore të profesorëve, universiteti ua delegon recensentëve, të cilët e kontrollojnë punimin dhe e propozojnë për publikim.

“Unë nuk mendoj që sa u përket punimeve shkencore, Universiteti i Prishtinës ka problem me plagjiaturën. Këto janë punime në gjuhën angleze të publikuara në revista kredibile dhe i nënshtrohen syrit kritik të tërë komunitetit shkencor të fushës përkatëse dhe nuk mendoj që këtu Universiteti i Prishtinës ka ndonjë problem me plagjiaturën”, tha Berisha.

Nga ana tjetër puna qëndron ndryshe me botimet e doracakëve dhe teksteve interne për përdorim në gjuhën shqipe. Berisha, tha se mbetet çështja e cilësisë në përgjithësi e teksteve të tilla dhe veçanërisht problemi për plagjiaturën.

“Sipas rregullores për botime të teksteve universitare, UP ka një sistem kontrolli e balance që duhet të sigurojë kualitetin e teksteve të tilla, që të mos ketë plagjiaturë në brendi. Ky sistem fillon nga recensentët, me këshillin e fakultetit, redaktorët dhe në fund me këshillin e botimit. Kjo çështje e plagjiaturës do të adresohej mirë po të kishim në nivel kombëtar një sistem, i cili detekton pjesë të ndryshme të teksteve që përputhen ndërmjet botimeve të ndryshme. Është mirë që të jetë e rregulluar me ligj, ku për të gjitha temat që mbrohen nëpër universitete të kalojnë nëpër një sistem softuer dhe pastaj mblidhet fondi i teksteve në atë sistem, detektohen dhe nxirret përqindja se sa përputhen me një tekst tjetër”, tha ai.

Në rast se Senati i Universitetit ka të dhëna dhe fakte për plagjiaturë në punimet e profesorëve, atëherë ai ka një këshill të etikës, i cili në bazë të rregullores përcakton procedurat për masat konkrete. / KultPlus.com

Fotografi që nuk kanë humbur, nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar 20-të vite qëkur studentë e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram, një faqe e cila i ka sjellë ato duke kujtuar përvjetorin e kësaj ngjarjeje e cila nuk duhet harruar. / KultPlus.com