Lokali i shqiptarëve, sërish në listën e ngushtë për çmimin London Lifestyle Award

Në vitin 2016, lokali “My Place Soho” në Londër, që udhëhiqet nga dy shqiptarë, Sam Maqedonci dhe Dini Shahini, kishte fituar vendin e parë në kategorinë “London Lifestyle Awards Coofe Shop Of The Year”, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht ky vlerësim si duket ka rritë edhe më përgjegjësinë për menaxherët e këtij lokali, dhe edhe këtë vit “My Place Soho”, është futur në listën e ngushtë, dhe votimi për këtë çmim bëhet edhe online.

Sam Maqedonci është shprehur se po ndihet krenarë për futjen në listë të ngushtë London Lifestyle Awards, duke ftuar që ta mbështesin për të fituar këtë garë, sikurse që ka ftuar ndjekësit që mos të harrojnë të kthehen në My Place Soho për të pirë kafe./KultPlus.com

Këtu mund të votoni!

https://www.londonlifestyleawards.com/vote

Fotot e rralla të Ahmet Zogut nga fototeka Marubi (FOTO)

“…duam a nuk duam ne, ai mbetet një karakter interesant dhe enigmatik, një përzierje pa kriter kontradiktash të ndryshme, gjysmë hero dhe gjysmë bufon, për të cilën do të interesohen si grumbulluesi i fakeve historike të çuditshme, ashtu edhe studiuesi i psikologjisë”, thoshte Faik Konica për Ahmet Zogun.


Ahmet Zogu me dy adjutantë të tij. Kel Marubi / 28 shtator 1925.

Ahmet Zogu. Kel Marubi / 28 shtator 1925.

Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldina Appony. Gegë Marubi / 1938

Fejesa e Mbretit Zog me konteshën hungareze Geraldina Appony. Gegë Marubi / 1938.

Vila e mbretit Zog I në Durrës. Gegë Marubi / 1938.

Qosja për Ylli Popën: Yll në jetën mendore, shkencore, arsimore e kulturore shqiptare

Akademiku Rexhep Qosja ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjes e akademikut Ylli Popa i cili vdiq para dy ditë në moshën 87 vjeçare. Popa, për një periudhë 10 vjeçare drejtoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Qosja është shprehur I pikëlluar për këtë humbje të madhe e cila sipas tij ka lënë zbrazëti në jetën mendore, shkencore, arsimore e kulturore shqiptare.

Letra e Rexhep Qosjës:

Me pikëllim të madh e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Ylli Popës. Me ndarjen e tij nga jeta mbetet zbrazëti e madhe në jetën mendore, shkencore, arsimore e kulturore shqiptare.

Dhe si të mos mbesë zbrazëti ashtu e madhe? Ylli Popa ishte i madh në shumë pikëpamje.

Ylli Popa ishte i madh me shumë dhunti të cilat ia kishte dhuruar natyra.

Ylli Popa ishte i madh me shumë virtyte të jashtëzakonshme.

Ai ishte vërtet Yll në jetën mendore, shkencore, arsimore e morale shqiptare.

Ai ishte i madh si intelektual. Me atë mendjen e tij larghedhëse ai i parashihte idetë e reja dhe ndryshimet e reja mendimore, shoqërore e politike. Me qartpamjen e tij që e bënte njëkohësisht shumë të guximshëm si intelektual ai arriti i pari që t’i parathotë ndryshimet politike e shoqërore të fundit të viteve të tetëdhjeta dhe të fillimit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Ai ishte i madh si studiues shkencor. Ai u bë themelues i dijeve dhe i institucioneve të reja në disa fusha të mjekësisë shqiptare, në mënyrë të veçantë të kardiologjisë shqiptare.

Ai ishte i madh si arsimdashës dhe si mësimdhënës në arsimin shqiptar. Ai ishte njëri prej pedagogëve më të çmuar e më të dashur në këtë arsim. Duhet të dëgjohen studentët e tij se ç’thonë për njeriun Ylli Popa dhe se si i kujtojnë ligjëratat e paharruara të pedagogut të jashtëzakonshëm Ylli Popa.
Ai ishte i madh si organizues, si planifikues e si reformues në institucionet që drejtonte. Risitë që do të sjellë në këto institucione do t’i çojnë përpara ato dhe do të çojnë përpara dijen, arsimin, kulturën dhe mendimin shqiptar në përgjithësi.

Ai ishte i madh si njeri, si njeri në kuptimin më të lartë të kësaj fjale. Në Ylli Popën ishin bashkuar për mrekulli mendja më larghedhëse dhe zemra më bujare që përbënin tërësinë e quajtur etikë e lartë e Ylli Popës.

Ylli Popa do të mbahet mend si njëri nga baballarët më të mëdhenj të jetës arsimore, shkencore e kulturore shqiptare, që me veprën e tij mendore dhe me etikën e tij njerëzore do të ndriçojë përgjithmonë në historinë kombëtare shqiptare.

I mburrur që e njoha, i mburrur që gëzova kujdesin e tij si mjek i madh, i mburrur që mësova prej mendjetores së tij jashtëzakonisht të pasur, kurrë të shterrshme, familjes së tij dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u shpreh ngushëllimet e mia më të thella. / KultPlus.com

“Fidani”, seriali që mbërthente krejt fëmijët në vitet e 80-ta (VIDEO)

Ka qenë seriali i parë në gjuhën shqipe i realizuar në Kosovë, i cili në vitet e 80-ta, mbërthente të gjithë fëmijët para ekranit televiziv, që të shihnin aventurat e Fidanit, i cili ikë nga shtëpia, shkruan KultPlus.

Ky serial është realizuar me skenar të Ibrahim Kadriut dhe regji të Sadedin Prekazit, kurse muzika e këtij seriali është punuar nga Musa Piperku, ku kënga e këtij seriali ishte shndërruar në një hit për atë kohë.

Mirëpo, mbi këtë serial, edhe pse i pari i këtij lloji në Kosovë, nuk ka të dhëna në faqen e Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, sikurse që nuk ka të dhëna as në faqet tjera online. Përpos në Wikipedia, që ka informacione të pakta, mbi këtë serial nuk ka ndonjë informatë më të thellë./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=j23Gcko6Mck

Serbia i ofron shtetësi ‘Pikasos’ afgan

Serbia i ka ofruar shtetësinë serbe, familjes së 10 vjeçarit afgan, Fahrad Noory, i cili tashmë njihet si “Pikaso i Vogël”, për shkak të krijimeve të tij artistike.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë ofertë 10 vjeçarit dhe familjarëve të tij, pas një takimi me të, në Beograd. Ai po ashtu i ka premtuar bursë për zhvillimin e talentit të tij për art, si dhe punësimin e babait të tij.

Noory dhe familja e tij janë duke jetuar për 8 muaj në një kamp të refugjatëve në Beograd.

Portretet e kancelares gjermane, Angela Merkel, piktorit, Salvador Dali, dhe shumë të tjera, e kanë bërë djaloshin, yll në mediat lokale, shkruan Europa e Lirë.

Javën e kaluar është mbajtur një ekspozitë me pikturat e tij në Beograd, duke dërguar të gjitha fondet për një fëmijë, i cili po trajtohet nga kanceri një tru.

Familja e Nooryt ka arritur në Serbi gjatë valës së madhe të migrantëve për të nisur një jetë të re në vendet perëndimore evropiane, mirëpo ka mbetur në Beograd, pas mbylljes së të ashtuquajturave “Rrugët Ballkanike”.

“Ne nuk jemi të pasur sikur zviceranët, mirëpo Beogradi është qyteti i mirë, dhe nëse dëshironi të jetoni këtu, ne do t’ju japim menjëherë shtetësinë serbe”, ka thënë Vuçiq.

Familja nuk është deklaruar nëse do ta pranojë ofertën e presidentit serb. Autoritetet serbe kanë thënë se afro gjysma e 4,000 refugjatëve që jetojnë në Serbi, janë fëmijë. / KultPlus.com

‘American Film Week in Gjakova’ sjellë filma interesantë përgjatë një jave

Parku Kulturor ‘Ali Podrimja’ në Gjakovë do të mirëpresë “American Film Week in Gjakova”, shkruan KultPlus.

“American Film Week in Gjakova” organizuar në bashkëpunim me American Corner Prizren dhe me ambasadën amerikane në Prishtinë kanë përgatitur një program interesantë të filmave, ku para jush do të shfaqen 6 top-filma nga data 22 gusht deri më 1 shtator.

Të gjithë filmat janë të zgjedhur me kujdes dhe të veçantë për historinë, shkencën dhe edukimin amerikan, me qëllim inspirimin e brezave tonë për suksese.

“Janë të programuara dy javë filmi, secila me temë special”, thuhet në njoftim.

“American Film Week in Gjakova” do të mbahet më Parkun Kulturorë ‘Ali Podrimja’ duke filluar nga data 22 gusht në ora 21:00 dhe për të vazhduar deri më datë 1 shtator. / KultPlus.com

Programi i filmave:
Tuesday, August 22, 2017
21:00 Hidden Figures (2016)

Wednesday, August 23, 2017
21:00 Race (2016)

Friday, August 25, 2017
21:00 Lincoln (2012)

– American Film Week in Gjakove – Young Heroes

Tuesday, August 29, 2017
21:00 Inside Out (2015)

Wednesday, August 30, 2017
21:00 Toy Story 3 (2010)

Friday, September 01, 2017
21:00 Zootopia (2016)

Çifti anglez të mahnitur me Shqipërinë: Vendi më i sigurt në Evropë (VIDEO)

Një çift anglez kanë ardhur për të vizituar bukuritë shqiptare. Ata kanë mbetur të mahnitur nga njerëzit të cilët sipas tyre janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë, gjithashtu të mrekulluar nga vendet turistike të cilat janë të shumta në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Kryeministri Edi Rama, ka postuar një video ku ky çift anglez flet për eksperiencën e tyre në Shqipëri dhe shpreh përshtypjet që kanë marrë nga ky vend, e ku thonë se do të donin të rrinin gjatë.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë përshkrim të bukur të Shqipërisë, sjellë drejtpërdrejt e me thjeshtësi nga përjetimi i këtij çifti anglez turistësh”, shkruan Rama në Facebook. / KultPlus.com

Poeti bullgar që shkroi në greqisht poemën ‘Skënderbeu’

Grigor Përliçev (1830/31-1893) ishte një poet bullgar i lindur në Ohër. Mësimet e para i mori në shkollën greke të lindjes.

Iu kushtua gjuhës shqipe dhe luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e heroit Skënderbe. Punoi si mësues i greqishtes në qytete të ndryshme të Maqedonisë e më pas në Tiranë, ku u njoh me historinë e popullit shqiptar dhe mësoi gjuhën shqipe.

Kjo e frymëzoi të shkruajë greqisht poemën “Skënderbeu” (1861), që mbeti dorëshkrim. Aty i këndon heroizmit të luftëtarëve shqiptarë dhe prijësit të tyre, Skënderbeu, i cili jepet edhe si mbrojtësi i popujve të tjerë të Europës.

Poema Përliçevit është e frymëzuar nga vepra e Barletit. Aty tregon të mëdhenj edhe strategun dhe ushtarin. Këta të fundit ai i quan bij gjigantësh. Vepra përshkohet nga ide të fuqishme çlirimtare e demokratike.

Valle hyjnore ngritur kanë burra
heronj, në mendjen time
Skënderbeut,
stuhi e gjëmë, dua t’i këndoj,

në krye luftëtarësh kryetrima,
që osmanllinj dërmoi miriada.
Ashtu si një tufan që vjen nga jugu,
përkul pemët e vogla të një kopshti

edhe si kallamishte i shkul nga rrënja
pemët e moçme-edhe Skënderbeu
vërsulej duke korrur majtas djathtas

ara që ngelin prapa, o nga pesha
e mishit që pengon këmbët e,
shkathta,
o ng’ ajo frik’ e madhe që ngrin

gjakun,
o nga një jet’ e butë reehatie.
Siç digjet një qytet i madh nga
zjarri,

që flakëron veriu i furishëm
dhe burrat qajn’ e pleqtë ulërijnë,
ndihet vajtimi içjerrë i fëmijëve
dhe gratë leshlëshuar bredhin

udhëve
duke përplasur duart-ulërinin
dhe turqit, duke ikur djersëmbytur;
dhe mjaft prej tyre, duke dhënë,

shpirt,
i përqafonin shokët që largoheshin
e qanin për fëmijët e për gratë,

duke kërkuar vdekjen sa më parë.

Në çast iu kënaq zemra
Skënderbeut,
ashtu siç e kënaq shiu që bie
arën që përcëllon flaka e diellit. / KultPlus.com

Madonna feston ditëlindjen, Rita Ora e uron me një fotografi interesante (FOTO)

Këngëtarja legjendare, ikona e popit botëror Madonna, ka mbushur plot 59 vjeçe, shkruan KultPlus.

Gjithmonë e përfshirë në listën e 100 këngëtareve më të mira të të gjitha kohërave, Madonna është aktive në muzikë që nga viti 1979. Ajo ka shitur më shumë se 300 milionë kopje të albumeve të saj në mbarë botën.

Një miqësi të mirë me të ka edhe artistja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, e cila nuk ka harruar që të ja uroj yllit të popit ditëlindjen me një fotografi interesante ku ato shihen bashkë në skenë.

“Urime ditëlindjen mbretëreshë”, ka shkruar Ora poshtë fotografisë. / KultPlus.com

‘Një film i premtuar’ me premierë në vjeshtë

Filmi artistik “Një film i premtuar”, që sjell varfërinë e Shqipërisë në vitet ’90 ka bërë bashkë skenaristin e regjisorin Petrit Ruka dhe kompozitorin e njohur Aleksandër Lalo. Janë dy autorë të njohur, që po punojnë për këtë film, i cili pritet të jetë premierë në vjeshtë, kjo dhe sipas kontratave që kanë me Qendrën Kombëtare të Filmit.

Një projekt filmik, i cili ka mbaruar xhirimet në Bënjë të Përmeti dhe sjell këtë herë në vëmendje një tjetër histori për publikun. Regjisori tregon se filmi merr ngjyra trishtuese për një ëndërr që është shumë e vështirë të realizohet në ato vite. Ndërsa kompozitori i njohur Aleksandër Lalo e vlerëson jo pak këtë bashkëpunim këtë herë me regjisorin Petrit Ruka në filmin me titull “Një film i premtuar”.

“Muzika është mbi filmin dhe sigurisht që unë e vlerësoj shumë Perit Rukën. E kam parë filmin dhe mua personalisht më duket një film jashtëzakonisht interesant. Një film i xhiruar shumë mirë dhe thjeshtë në Bënjë të Përmetit. Një film që ka një fabul interesante”, pohon kompozitori Aleksandër Lalo.

Por emrin e tij në muzikë e mbajnë disa nga prodhimet më të suksesshme të kinemasë shqiptare. Kompozitori tregon se rikthehet si autor muzike në film, që pas dokumentarit “Kadare”.

“Unë kam shkruar muzikë filmash ndër vite. Por me këtë bashkëpunim për të cilin jemi duke biseduar me Petrit Rukën unë rikthehem, që pas dokumentarit mbi Ismail Kadarenë me regji nga Pirro Milkani, që titullohej “Kadare”. Por mua më pëlqejnë shumë dhe filmat artistikë dhe besoj që me Petrit Rukën do të bëjmë diçka të mirë”, pohon kompozitori Lalo, një nga emrat më të vlerësuar dhe të suksesshëm në muzikën e filmave shqiptarë.

Regjisori Petrit Ruka pohon se pas xhirimit të filmit tashmë ka
mbaruar pjesa më e madhe e punës, në përpjekje për të gjetur dhe financime të tjera për të përfunduar të gjithë këtë projekt.

“Në vjeshtë filmi pritet të jetë premierë, pasi kemi dhe kontratën me Qendrën Kombëtare të Filmit dhe ju e dini që ajo zbatohet. Por do të shohim se si do të vijojmë punët për të vendosur përfundimisht”, bën me dije regjisori Petrit Ruka per Sotnews.

Filmi dhe financimi

Si skenarist dhe regjisor Petrit Ruka ka realizuar ndër vite më shumë se 30 vepra kinematografike. Këtë herë filmi i tij më i fundit me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë sjell Shqipërinë në vitet ’90 kur sapo ishte ndërruar sistemi. Jetesa në Shqipërinë e atyre viteve nuk ishte e lehtë dhe emigrimi ishte i madh. Ngjarjet në film janë vendosur në një fshat, ku disa fëmijë kërkojnë të shikojnë një film të vërtetë. Ata mundohen shumë, por për këtë i ndihmon një italian, roli i të cilit luhet nga aktori i njohur Karafil Shena. Regjisori Ruka tregon se ky ka qenë një projekt i menduar që para shumë vitesh, por vetëm tani pas financimit të QKK u bë i mundur realizimi i tij. Por edhe pse filmi ka mbaruar xhirimet që janë zhvilluar në Bënjë të Përmetit, problemi që shqetëson autorin e filmit është buxheti. Ai tregon se ky është një problem që i vendos jo në pak vështirësi regjisorët në filma. “Filmi është me buxhet nga Qendra Kombëtare Kinematografike, por ju e dini se si janë problemet me kinemanë, buxhetet e pakta të vënë në vështirësi për realizimin e filmit. Por dhe në QKK e dinë këtë situatë, por gjithçka varet nga buxheti”, pohon mes të tjerave regjisori Petrit Ruka, ku veprën më të fundit të tij në kinema publiku do të mund ta gjejë gjatë ditëve të vjeshtës. / KultPlus.com

Ndalohet sërish romani erotik ‘Fanny Hill’, trazon studentët

Romani erotik “Funny Hill” i cili flet për shfrytëzimin seksual të vajzave të reja u ndalua në Britani të Madhe pasi “trazonte studentët”.

Siç shkruajnë mediat e huaja, bëhet fjalë për romanin i cili gjithashtu ishte ndaluar edhe para 270 vjetësh kur së pari doli, shkaku i përmbajtjes.

Romani atëbotë ishte ndaluar nga Peshkopi i Londrës, i cili, pasi e kishte lexuar, kishte thënë se ishte diçka “më e pafytyrë që ai kishte lexuar ndonjëherë”.

Megjithatë, siç thuhet më tej, censura u hoq në vitin 1970 dhe romani ka qenë në dispozicion, madje duke u përdorur edhe si referenca në universitete.

Ky roman gjithashtu ishte përshtatur edhe në një realizim televiziv nga BBC.

Tani, me iniciativën e ekspertes së letërsisë së shekullit 18-të, Judith Hawley nga Universiteti i Londrës përsëri ndalimi është vendosur për shkak të frikës se “studentët mund të trazohen”.

Rebecca Night duke luajtur në përshtatjen televizive të romanit të bërë nga BBC

Megjithatë, jo të gjithë e ndajnë këtë mendim.

“Ideja se të rinjtë dhe gratë duhet të mbrohen nga leximi është tragjike”, tha Profesor Frank Furedi nga Universiteti i Kentit.
“Funny Hill” është konsideruar i pari pornografisë përmes prozës.

Edhe pse më i ndaluari, ai thuhet se u bë romani më popullor dhe lexuesit gjithmonë kanë gjetur mënyra për të marrë për të. / KultPlus.com

Këto janë pesë aktoret më të paguara në botë për vitin 2017-të

Fituesja e çmimit prestigjioz Oscar, aktorja e njohur Emma Stone, është aktorja më e paguar momentalisht në botë.

Stone është zgjedhur aktorja më e paguar për këtë vit, ndërsa ka lënë pas Jennifer Lawrence dhe Jennifer Aniston.


Jennifer Aniston


Mila Kunis

Aktorja e La La Land apo Birdman ka fituar 26 milion dollarë në 12-të muajt e fundit. Në listën e pesë aktoreve më të paguara janë edhe Mila Kunis dhe Melissa McCarthy.


Melissa McCarthy


Jennifer Lawrence

Emma Stone momentalisht po punon në komedinë Maniac, ndërsa do të jetë edhe në filmin Battle of the Sexes. Emma është vetëm 28 vjeçare, ndërsa këtë listë e ka formuluar Forbes. / KultPlus.com

Kam frigë për lirinë

Poezi e shkruar nga Agim Morina, në vitin 1989 në Prishtinë.

Kam frigë se një ditë ka me ardhë liria:
E unë s’kam m’e njoftë,
S’kam me e dallu.
Ka m’u ulë pranë meje n’autobus,
E ka me zbritë në ndonjё vend të largët.
E mandej kanë me m’thanë:
“Ja ajo qe liria. S’e njofte a?”

Ka me ardhë liria, si vdekja e tim eti,
Të cilën s’e besova kurrë…

Kam frigë se liria ka me ardhë me shumë dritë.
Kam frigë se liria ka me ardhë krejt e qetë.
Kam frigë se kam me vdekë
Derisa ajo në paradhomë asht tue i zbathë këpucat.
Kam frikë se liria asht një femën e bukur,
Me të cilën kurrë s’kam me çu dashuni.
Kam frigë se liria, e shkreta liri,
Ka me ardhë, e do ta kem ndër duer,
Por kam m’e humbë si fotografinë ma t’dashun.
Kam frigë se liria s’ka m’u ndalë prej turri,
Ngase makinistin e lokomotivës ka m’e zanë gjumi,
Apo s’ka me m’pa, si marinari,
Lundërthyesin e lodhun mbi valët e detit,
Kam frigë se mos kam m’i thanë lirisë: “Shporru shtrigë e keqe!”
Apo kam m’i thanë: “Aman, të keqen, e ku ishe deri tash?
A vihet në Kosovë kaq vonë?”
Kam frigë se lirisë ka m’i ikë aeroplani,
Apo kanë me e kidnapu terroristat,
Apo ka me e humbë biletën.

Kam frigë se mos kam me u gëzu shumë,
Tepër, kur ta shoh se ka ardhë;
E me u pikëllu shumë kur ta kuptoj se s’ka me ardhë.
Mos vallë ka me m’shkelë ndoj tren i shpejtë,
Derisa unë i hutuem e i ngazëllyem kam me qenë tue e përshëndetë lirinë,
Kam frigë se mos ka me u rrënu godina,
Nën hijen e së cilës me flamurth në dorë pres me kalu liria.
Ka me ndodhë diç e paplanifikueme.
Kanë m’e marrë irlandezët e me çu në Dablin

Për me e mësu me vallëzu irlandisht.
Apo italianёt e m’e çu nё Romё e me shti me hangër makarona.

Edhe zotin edhe dreqin kam me i falënderu,
Një ditë kur kam m’e pa lirinë.

Kam frigë se dikush ka me ma falë lirinë,
E unë s’kam m’e marrë nga mirësjellja.
Apo kam frigë se kam m’e marrë, pikërisht nga mirësjellja.
Kam frigë se ka me qenë ftohtë,
Dhe liria mun m’u mërdhi rrugëve.
Kam frigë se ka me qenë zheg i madh,
E ka me vdekë prej pikës në tru apo nga etja e madhe,
(Nuk kam kojshi të mirë që kishin m’i ndihmu).
Kam frigë se liria ka me hangër ndoj mollë,
E ka m’i mbetë n’fyt…
Apo ka m’u rrëzu prej biciklle,
E atë ditë ka me qenë e diell,
Dhe s’ka me punu ndihma e shpejtë…
Kam frigë se liria s’ka me e pasë pasaportën në rregull,
Ndonjё vulë të Qafë Thanës apo afat të tejkaluem.

Kam frigë se mos po e ha lirinë në ndonjë ambëltore,
Apo mos po e kapërdij si ndoj qebap,
Pa e ditë kurrë se çfarë kam hangër.
Kam frigë se mos po pëlcet liria,
Në tullumbacen e ndoj carroku,
Ku papritmas e ka zanë gjumi.
Kam frigë se mos e kanë mbyllë lirinë
Në ndoj kopsht zoologjik sepse asht kafshë e rrallë,
Shumë e rrallë.
Kam frigë se mos, liria, asht masku në lepur,
Për m’i argëtu fëmijёt,
Dhe ndonjë gjuetar del dhe e vret, pak para se t’i thom,
(Si në filma): “Mos gjuj!”
Kam frigë se mos liria asht ndoj arushë,
Të cilin ndonjë jevg e ngre për hunde,
Dhe e shtyn me vallëzu katund-ëm-katund.
Kam frigë se mos liria asht gozhdë,
Të cilin ndoj katundar e ka ngulë në ndoj tra
Dhe tash e ndryshk pikëllimi.
Kam frigë se ka me mё telefonu liria,
E unë tue u rru kam me vërshëlly në banjë,
E s’kam me ndëgju cingërimën e telefonit.
Apo ajo ka me mё trokitë në derë,
E unë kam me qenë me shokë në ndoj kafeteri,
Tue diskutu për specat që s’i ha kurrë.
Prandej, kam frigë kur dal nga banesa,
Kam frigë kur rri në banesë,
Kam frigë kur jam tue ecë apo tue ngranë,
Thom mos e ka humbë adresën apo numrin e telefonit,
E ka plaçkitë ndonjë brac, pa e ditur kend,
Dhe çka.
Kam frigë se mos po verbohem, mos po shurdhohem,
Kam frigë se mos sëmuhem, se mos po vdes,
Mbasi robninë s’mujta me e pritë qysh duhet,
Lirinë du m’e pritë me të gjitha: i gatshëm si fshisa.
I buzëqeshun. I krehun. I hekurosun. I parfumosun.

Kur dal në rrugë i vëzhgoj mirë njerёzit,
Thom, mos po e shoh ndër ta lirinë,
apo lajmtarin e saj.
E vëzhgoj me kujdes ndoj gomar të ngarkuem,
Apo ndoj qen endacak.
I kundroj me vëmendje valët e lumit,
Dhe orarin e trenave.
I hulumtoj zgjojet e bletëve dhe vezët e qyqeve.
Çdo ditë e hap kutinë e postës,
Dhe shpupuris mbrapa shtëpisë.
E përcjell krrokamën dhe fluturimin e shpendëve,
Thom, mos e lodhun
E sëmutë apo e etshme,
Ka mbetё diku
Dhe më pret mue.

(Prishtinë, 1989)

Nuk do të ekzistojë më kurrë një Madonna e dytë (VIDEO)

Madonna sot është plot 59 vjeçe.

Këngëtarja legjendare sot ka ditëlindjen dhe kësisoj nuk ka se si mos ta kujtojmë ikonën e popit botëror dhe këngëtaren rebele e cila ka ditur gjithmonë të provokojë publikun botëror.

Gjithmonë e përfshirë në listën e 100 këngëtareve më të mira të të gjitha kohërave, Madonna është aktive në muzikë që nga viti 1979. Ka shitur më shumë se 300 milionë kopje të albumeve të saj në mbarë botën.
Ajo është artistja e cila ka fituar më së shumti nga një turne botëror, në vitin 1990 kur realizoi 1.31 miliardë dollarë. Dashuritë me Sean Penn dhe me Guy Ritchie i ka në ndihmuar famës së saj, por ajo gjithmonë edhe e vetme është absolutisht mbretëresha e muzikës pop.

Po kujtojmë këtu disa prej performancave më të mira të saj në këto vite:

https://www.youtube.com/watch?v=qqIIW7nxBgc

https://www.youtube.com/watch?v=SkFmEJUZizI

https://www.youtube.com/watch?v=wf_VkDSVsdk

Një pjesë e Autostrada Biennale do të shpaloset në shtëpitë më të vjetra të Prizrenit

Në edicionin e parë të Autostradës Biennale, “E ardhmja e kufijve” do të synohet që përmes veprave të shumta të artistëve të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë të shpalosen vlerat e artit bashkëkohor. Veprat do të ekspozohen në disa nga shtëpitë më të vjetra të Prizrenit, përfshirë Shtëpia e kaltër, Shtëpia e Nafis Llokvicës dhe Saraji. Kjo do të shërbejë edhe si mënyrë e rishqyrtimit të konceptit mbi atë se cfarë nënkupton trashëgimia kulturore.
Përderisa rrënimi i shtëpive të vjetra brenda qytetit të Prizrenit ka marrë përmasa shqetësuese, e shumë prej tyre kaplohen nga zjarri, duke cenuar vlerat kulturore dhe historike të Prizrenit, Autostrada Biennale do t’i shndërrojë ato në vendtakime për artin bashkëkohor.

Mikpritja shekullore e Prizirenit, edhe një herë do të hapë parezervë dyert, për të mirëpritur vlera të reja. Nën kulmet e shtëpive të vjetra të qytetit, bashkë me trashegiminë, do të marrin jetë shumë vepra të artit bashkëkohor. Autostrada Biennale komunitetit do t’ia hapë dyert e shtëpive private me trashëgimi kulturore, në të cilat do të ekspozohen dhe promovohen veprat e ndryshme të artit bashkëkohor.
Veprat e artistëve do të jenë të lidhura me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor të Prizrenit. Duke pasur Lumbardhin si bosht për të lidhur këto vende, ekspozita gjithashtu thekson lidhjen e thellë historike mes mjediseve njerëzore dhe jo njerëzore, që e bën qytetin e Prizrenit.
Artistët që do të ekzpozojnë në këto shtëpi të vjetra janë: YANG Shun-Fa (Tajvan), Artan Hajrullahu (Kosova), LI Binyuan (Kina), Sead Kazanxhiu (Shqipëri), Stefano Romano (Itali).

Një histori e shkurtër e shtëpive private, të cilat do të jenë vende të Artit Bashkëkohor:
Shtëpia e kaltër: daton që nga shek. XIX-të. Ajo gjendet pëgjatë rrugës për në kala. Pozita e saj është në mes të Kalasë dhe qendrës së qytetit.- në zonën e shtëpive të nënkalasë (Varosh). Muret e shtëpisë janë origjinale, të ndërtuara me qerpiç. Ndërkaq, muret nga fasada e jashtme janë të ngjyrosura me ngjyrë të kaltër, dhe kjo e bënë tejet të veçantë shtëpinë. Ngjyra e kaltër në kulturën vendore shihet si autoktone dhe natyrshëm e zgjon kujtesën kolektive mbi trashëgiminë kulturore tek qytetarët e Prizrenit. Shtëpia vazhdon t’jetë e banueshme edhe në ditët e sotme.

Shtëpia e Nafis Llokvicës: Shtëpia e Nafis Llokvicës, është shtëpia më e vjetër në kompleksin e Marashit. Burimet e shkruara flasin shumë pak për këtë shtëpi, por pronari i kësaj shtëpie dëshmon që kjo shtëpi është ndërtuar nga paraardhësit e tij 250 vite më parë. Shtëpia ka qenë e banueshme deri në vitin 2013 dhe në të kanë jetuar 4 gjenerata të familjes Llokvica. Nga 2013 – 2016, pronari ka kërkuar vazhdimist nga institucionet përgjegjëse dhe NGO-të mbështeje finciare për restaurimin e saj, por fatkeqësisht nuk ka marr përgjigje pozitive. Prej asaj kohe shtëpia lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të saj.

Saraji (shtëpia e familjes Mijic): daton nga shekulli i XIX-të. Shtëpia ndodhet në zonën historike të Prizrenit, në zonën e banimit të shumë familjeve të vjetra të Prizrenit. Muret konstruktive të bodrumit janë të ndërtuara me një sistem derdhje druri, material guri të lidhur me llaç balte dhe kashtë, me trashësi 50cm. Muret konstruktive në katin përdhesë janë bërë pjesërisht nga materiale guri dhe tulla, të vendosura gjatë restaurimit të fundit të ndërtesës, në 2010-2012, me trashësi 50 cm, ndërsa muret ndarëse janë 20 cm të trasha. Muret konstruktive të dyshemesë janë origjinale, të ndërtuara në një sistem bondruk, të mbushur me argjilë e qerpi dhe të lidhur me argjilë dhe kashtë, me trashësi 50cm, ndërsa muret ndarëse janë 20cm, 15cm. Muret nga fasada e jashtme janë të lyera me llaqe të bardha. Tavanet janë prej druri. Ky kompleks Saraji është i pasur me trashëgimi arkitekturore, që daton nga periudha otomane. / KultPlus.com

“Ushtrinë time do ta bëj me Ibrahim Rugovën” në Prishtinë e në Frankfurt (VIDEO)

Adelina Ismaili mund të mos i pëlqejë një pjese të mirë të dëgjuesve e shikuesve shqiptarë, por pa folur për karrierën e saj viteve të fundit, ajo dikur ka qenë më politike se të tjerët.

Sepse muzika ndonjëherë di të jetë politike, Adelina pati kënduar një këngë e cila qysh në refrenin e saj tregon shumë.

“Ushtrinë time do ta bëj me Ibrahim Rugovën / Ty o djalë do të dënoj, ta çliroj Kosovën / Besa besën ta kam dhanë me mua s`ka hajgare / Nuk guxon më askush t`luajë me vajzat shqiptare” janë vargjet e këngës së Adelinës e cila duket më e thellë sesa që mendohet.

Kur lidhet dashuria dhe një emër politik si ai i Ibrahim Rugovës, figurë kjo politike e cila sidomos për kohën kur u realizua kënga ishte kontraverze dhe me perceptim të ndryshëm nga popullata, del një rezultat si kënga e Adelinës, interpretuar me po aq provokim sa edhe vetë kënga, shkruan KultPlus.

Sot, po e sjellim këtë këngë dhe një interpretim të sajin nga Adelina. / KultPlus.com

Guximi për të thyer kufijtë

Ilire Zajmi

Lucie Léanne “Kufiri” roman poetik, përktheu nga frëngjishtja, Anila Xhekaliu, Buzuku, Prishtinë 2016

Për Milenën, personazhin kryesor të romanit poetik “Kufiri” të autores franceze Lucie Léanne, koha ndalon së ekzistuari një ditë nëntori, kur ajo shtrohet në një spital për të sëmurët mendërisht.
Milena, e cila dallon nga të sëmurët e tjerë të spitalit, ndihet e terrorizuar nga trajtimi i rëndë që iu bëhet të sëmurëve në këtë spital.
Ajo e ka të vështirë të kapërdijë dhunën e ushtruar, shkeljen e dinjitetit njerëzor, brutalitetin e infermiereve dhe sjelljen e psikiatrit të spitalit.
Duke përshkruar mënyrën e jetës në këtë spital, si të jetuarit në një “akullnajë” përmes Milenës, autorja përdor këtë metaforë duke na rrëfyer se jeta mund të jetë mizore, të vendoset në dorën e dikujt që bëhet edhe më i “çmendur” se sa vet të sëmurët që janë shtruar aty për shërim, duke fshirë nga vetja e tyre kështu çdo vlerë njerëzore e humane. Kjo sjellje pikërisht ndikon që jeta e Milenës dhe pacientëve të tjerë të shtruar në spital, të përjetohet si akullnajë antarktiku, që shkrihet nga pak përditë, që ka aq shumë ftohësi e vrer sa të ngjeth mishtë.
E përtej metaforës së akullnajës, simbolit të pakove të harruara në kohë e hapësirë, masave të paforma, viteve të kaluara nën pushtetin e ilaçeve qetësuese, është gjakimi për mungesën e lirisë.

Të çmendurit e mbyllur në këtë spital, janë të burgosur brenda mureve, që ëndërrojnë ndonjë këngë zogu, barin e mëndafshtë, fluturat e purpurta, lëndina të gjelbëruara.
Aty ndodhet kufiri i Milenës, Zherarit, Sekotinës, Karmenit e personazheve të tjera të romanit të Lucie Léanne, që janë mbyllur në spitalin e të sëmurëve mendërisht.

Përderisa kufirin imagjinar por edhe atë real, mes çmendurisë dhe arsyes e ndan një fije e padukshme, për dikë në ëndërr shndërrohet mbledhja e lajthive të fshehura në muret e spitalit, llampadarët ndriçues apo vardisje zonjave të bukura të shtruara në spital, për Milenën ëndrra ka vetëm një synim, të arratiset nga ai dreq vendi.
Milena, kjo vajzë e re e vetëdijshme për situatën në të cilën ndodhet dhe pasojat afatgjate të saj, ka krijuar Itakën në kokën e saj. Prandaj, nuk resht së kërkuari mundësinë për të fituar lirinë e mohuar.
“Përtej këtyre mureve, është parku dhe përtej parkut… liria. Ishte harruar liria, e strukur që prej shumë kohe në gropën e trurit tim, larg, në fund të pavetëdijes, duke u endur korridoreve nëntokësore, e hedhur, e burgosur e substancave kimike, e pengesave mendore”( kreu i dytë fq.39).

Kjo liri, synohet të fitohet me çdo kusht, qoftë edhe me çmimin e dhimbshëm për të mos e gëzuar kurrë. Por aftësia e personazhit kryesor të romanit, dhe ndihma e ofruar nga Zherari, një i sëmurë tjetër, bëjnë që plani të ketë sukses, dhe që Milena të ndjej shijen e gjakuar të lirisë.

“Kufiri” është një rrëfim që të trondit që në faqet e para, që të zbulon sa e trishtë dhe e egër mund të jetë jeta njerëzore brenda një spitali të sëmurësh. Historia e Milenës, na mëson sa i guximshëm është njeriu që nuk pajtohet me fatin e tij, që nuk pajtohem me situatën në të cilën ndodhet qoftë ajo edhe e të qenit e shtruar në një spital të sëmurësh mendësisht, dhe çfarë betejash mund të bëjë për të thyer kufinjtë.
I shkruar me një gjuhë të pasur poetike, romani lexohet me një frymë, dhe të fut në filozofinë e absurdit. Aty ky qënia njerëzore objektifikohet në një diagnozë psikiatrike “i sëmurë mendor”. Aty ku dinjiteti njerëzor mbytet me qetësues.

Gjuha e përdorur e romanit është plot me ironi të hollë, humor e satirë.
Shkrimtarja Lucie Léanne ia ka arritur që ti ofrojë lexuesit një triller psikologjik, duke trajtuar një temë krejtësisht të veçantë, jo vetëm në letërsinë françeze.
Lucie Léanne, është poete dhe romanciere, autore e romanit “I çmenduri pas letërsisë “ , (Les lettres du monde, 1999) dhe përmbledhjes me poezi, Dromca jete (Le Manuscrit, 2001). Ky është libri i saj i tretë. / KultPlus.com

Kur Pranvera Basha Badivuku takohet me babanë e saj pas 20-të vitesh

“Më 1966, në ditën kur Pranvera po priste aktin e fejesës me të dashurin e saj, Hysen Badivukun në Shkup ia beh babai, Shabani, luftëtari i Spanjës, i burgosuri i regjimit komunist!

Malli i takimit ngatërrohet me ndjenjat e fejesës, ‘ndihesha edhe fëmijë edhe e rritur’, shpreh emocionet Pranvera, përjetime këto që di t`i sajojë veç jeta! Në fakt, vajzat ‘bëhen’ me baba pas 20-të vjetësh!
Familja Basha, tashti me të zotin e shtëpisë, kthehen në Pejë, mirëpo vështirë të gjente punë, ngaqë i dihej ‘dosja’!. Meqë dinte shumë gjuhë, kishte bërë shkollë në Itali, pejani Mehmet Shoshi i gjen punë në turizëm. Shaban Basha, njeri me pamje të hijshme, shtatmadh, gëzonte respekt te pejanët.

Gjatë asaj kohe të mungesës së babait, nana Magbule Begolli Basha, na ka rritur e na ka edukuar mua dhe motrën. Nana ka jetuar disa vjet në Tiranë, ku ka ndjekur një shkollë të murgeshave, ndërsa babai i saj po punonte si farmacist (jo i shkolluar). Aty ime më ka mësuar shumë gjëra, në atë shkollë ka përfituar shumë kulturë. Ajo përvojë e saj na ka mbajtur ne. Gjyshi, edhe në Pejë ka qenë farmacisti i parë, porse ka vdekur i ri. Tashti nëna 83 vjeçe, e cila pas kthimit të babait lind edhe dy fëmijë – vëllanë Gencin dhe motrën Besniken, të cilët tani jetojnë në Kanada, është akoma e mirëmbajtur. Nënat e gjyshet tona kanë qenë gra shumë të forta, të qëndrueshme.

Marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” i Sanije Gashit

Nëna e Rita Orës, e mbijetuara e kancerit të gjirit që ka inspiruar këngëtaren drejt bamirësisë (VIDEO)

Rita Ora ka marrë para pak ditësh çmimin për bamirësi të dhuruar nga Variety + HM.

Çmimin Conscious Award Rita Ora e merr në edicionin e parë të ndarjes së këtij çmimi, për punën e saj filantropike.
“Unë kam nisur punën në bamirësi pasi nëna ime është e shpëtuar nga kanceri i gjirit ndërsa me gjithë situatën aktuale në botë të refugjatëve, mendoj se është me rëndësi ti ndihmojmë njëri tjetrit” ka thënë në skenë Rita kur ka pranuar çmimin.

Rita ka treguar se ndihet krenare që po ndihmon, me prapavijën e saj si refugjate. Ajo ka treguar se edhe situata e fundit në Londër, me fatalitetin e Grenfell Tower e ka prekur shumë dhe ka zgjuar tek ajo dëshiron për më shumë bamirësi, shkruan KultPlus.

“Dua tu tregoj refugjatëve se nuk janë të vetëm” ka treguar mes tjerash Rita në këtë ceremoni në Hollywood. / KultPlus.com

Hardh Fest hapë 17 zyre promovuese në botë

Festivali Hardh Fest po rritet çdo vit e më shumë. Nga edicioni i XV-të, i cili u mbajt vitin e kaluar, Hardh Fest arriti të ndërkombëtarizohet, duke sjell rock bende dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Ndërsa këtë vit, me përkushtimin dhe vullnetin e stafit të Hardh Fest dhe duke marr parasysh se Hardh Fest është duke e bërë Kosovën destinacion për shumë turistë, këtë edicion festivali i rrushit arriti t’i hap 17 zyre në shtetet Evropiane dhe ato të Amerikës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media, transmeton Koha.net.

Këto zyre, për qëllim kanë promovimin e festivalit Hardh Fest, e që koordinator të zyrës deri në këto momente janë:

1. Pegi Kurti dhe Eva Haxhi ( Tiranë / Shqipëri)

2. Fexheri Selami ( Shkup / Maqedoni)

3. Flutura Mustafadhe (Ulqin / Mali i Zi)

4. Albana Dedvukaj (Tuz / Mali i Zi)

5. Xhenisa Merdani (Thessaloniki / Greqi)

6. Sedat Haxhijaha (Zurich / Zvicër)

7. Murat Pista (Lausanne / Zvicër )

8. Sabit Alirifa ( Bern / Zvicër)

9. Elton Shtavica (Boras / Suedi)

10. Lirim Meholli ( Holsenborg / Suedi)

11. Adri Bugari (Austri)

12. Besart Bugari ( Duseldorf / Gjermani)

13. Getoar Hasani (Munchen / Gjermani)

14. Elona Kapllani dhe Çelik Ruplli ( Milano / Itali)

15. Ardian Hajrizi (Varshav / Poloni)

16. Arina Veseli ( Dublin / Irland)

17. Djellza Jaha (Oklahoma – ShBA)

promovimit të festivalit, pothuajse në të gjitha këto qytete, koordinatorët kanë arritur të bëjnë marrëveshje edhe me agjencione turistike për sjelljen e turistëve të huaj në Rahovec, gjatë kohës së Festivalit.

Këtë vit, Hardh Fest do të mbahet më datë 7, 8, 9 dhe 10 shtator, ku këtë vit do të sjellë edhe shumë risi dhe do të vijë edhe më i fuqishëm se edicionet e kaluara. Ndërsa lista e qyteteve ku po përfaqësohet Hardh Fest, dita ditës po vazhdon të rritet.

Ty…

Poezi e shkruar nga Flamur Maloku.

Ty
Me t’dashunue ty asht shkreti e davaritun për tan’ jetën
Me t’dashunue ty asht me vdekun pa nder n’fushë t’betejës
Me t’dashunu ty asht me i marr’ udhët e gjata krejt n’vetmi
Me t’dashunue ty asht me u shkri ngadalë pa troh kuptimi
Por dije
Ty nuk duhet me t’dashunu, sepse dú m’i shpëtue ndëshkimit.

Nadire Dida: Në zyre te Rankoviqi kërkova lirimin e burrit nga burgu

E nisëm dje një shkrim për mësuesen e njohur dhe një edukuese gjeneratash në Kosovë, Nadire Didën.

Dida, kjo grua e madhe e shqiptarëve, ishte e martuar me Sedat Didën. Sedati, kryeredaktor i Rilindjes, gjatë jetës së tij u burgos disa herë prej regjimit të asaj kohe.
Mësuesja Nadire jo gjithmonë ka qenë e heshtur dhe e bindur para regjimit që nuk e la rahat burrin dhe bashkëudhëtarin e jetës së saj.

“Sedatin e dënuan me 5 vjet burgim të rëndë. Tashti shkova te Fadil Hoxha. Pas një pritjeje, hyra Brenda. Po, nuk më la të flisja fare, më tha me zë të ulët: Nadire, për Sedatin dorën e fus në zjarr, po unë jam kurkushi!” tregon mësuesja në librin ku e rrëfen historinë e saj, “Ecje nëpër kujtesë” nga Sanije Gashi.

Burgosja e Sedatit në Beograd ishte ndoshta kulmi i padrejtësive. Hoxha i jep mësueses një emër i cili do të mund të ndihmonte në këtë proces. Emri ishte: Nenad Prvanoviq.

Mësuesja shkon në Beograd, në zyrën e këtij avokati, me idenë se do ti shkonte deri në fund kësaj pune, për ta liruar burrin e saj i cili me të tjerë po akuzohej për spiunazh kundër Jugosllavisë, shkruan KultPlus.

“Nuk doja të kthehesha pa kryer punë. Këmbëngula të shkoja vetë te Rankoviqi! Më thanë jo shko andej, jo këtej, por unë shkova te njëfarë shefi i UDB-së….. Rankoviqi, ulur në krye. U ula në ndenjësen karshi, pa u trembur fare. Në një zarf kisha marrë me vete disa dokumente…. Rankoviqi, pasi më shikoi më tha “Rastin e kemi të njohur, ai është liruar”. Mund të ktheheni bashkë në shtëpi!” vazhdon tregimin mësuesja.

Sedati vuajti 33 muaj në burg, 27 prej të cilëve në vetmi. Bashkëshortja e tij nuk u dorëzua kurrë, dhe historia lartë e tregon më së miri dashurinë e saj. / KultPlus.com

40 vjetori i vdekjes së Elvis Presley, mijëra fansa kujtojnë artistin

Ish-bashkëshortja e Elvis Presley dhe vajza e tyre iu bashkuan mijëra fansave të tij në rezidencën “Graceland” në Memphis – Tennessee gjatë mesnatës të ditës së martës, për të kujtuar 40-vjetorin e vdekjes së tij.

Priscilla Presley, sot 72 vjeç, është parë teksa përshëndeste fansat përpara se të niste ceremonia e së martës, në momentin kur ata mbërritën në ish-pronën e këngëtarit.

Ndërsa Lisa Marie Presley, 49 vjeç, ndezi qirinjtë për të pranishmit, që sipas organizatorëve, i kaluan 50 mijë fansa për të përkujtuar mbretin e “Rock ‘n’ Roll”-it. Ceremonia vijoi deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Kjo ceremoni zhvillohet çdo vit në ditën e përvjetorit të vdekjes së Presleyt. Por këtë vit pati edhe disa shqetësime, pasi vizitorët duhej të paguanin 28.75 dollarë për të marrë pjesë në ceremoni, hera e parë që paguhet për një ngjarje të tillë, pasi zakonisht pjesëmarrja ka qenë falas.

“Në mënyrë që të siguronim qetësinë, sigurinë dhe kënaqësinë e kujtdo nga të pranishmi, ne bashkëpunuam me autoritetet lokale të sigurisë, ato shtetërore dhe federale, për të implementuar procedura të reja që janë parë të zbatohen anembanë Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga organizatorët.

Disa fansa e kundërshtuan vendimin për të paguar për hyrjen në një ceremoni të tillë, duke thënë se kjo mund të ishte një ofezë për ta. Por fakti që numri i të pranishmëve ishte kaq i lartë nënkupton se shumë të tjerë nuk e vranë mendjen për shumën e paguar.

Priscilla dhe Lisa Marie falënderuan më pas turmën për dashurinë dhe dedikimet ndaj ish-legjendës së muzikës “Rock and Roll”.

Priscilla u martua me Elvisin në vitin 1967, përpara se të divorcohej në vitin 1973. Lisa Marie, vajza e tyre, u lind në vitin 1968. Elvis Presley ndërroi jetë pas një ataku kardiak më 16 gusht të vitit 1977, në “Graceland”, në moshën 42-vjeçare./ KultPlus.com

Postimi antiracist i Obamës është bërë më i pëlqyeri deri tash në Twitter

Një postim i ish-presidentit amerikan, Barack Obama, pas tubimit të së djathtës ekstreme në Virgjinia, është bërë mesazhi më i pëlqyer i të gjitha kohërave në rrjetin Twitter.

“Askush nuk është lindur me urrejtje ndaj personit tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij, për prejardhjen e tij apo për religjionin e tij…”, ka shkruar Obama në rrjetin Twitter më 12 gusht, duke e cituar liderin e Afrikës Jugore, Nelson Mandela, i cili ka vdekur para disa vitesh.

Ky postim ishte bërë pasi femra 32 vjeçare, Heather Heyer, nëpunëse në fushë të drejtësisë, që protestonte kundër tubimit të nacionalistëve të bardhë, në qytetin Sharllotsvill, ishte vrarë kur një shofer me makinën e tij e kishte sulmuar turmën e demonstruesve.

Ky postim i Obamës është pëlqyer më shumë se 3 milionë herë, deri sot në mëngjes, duke e bërë kështu shkrimin më të pëlqyer të të gjitha kohërave në rrjetin Twitter.

Ky shkrim është ripostuar më tepër se 1.2 milion herë. / KultPlus.com