Gati për edicionin e 19-të të Festivalit “Kënga Magjike”

Mbrëmë janë prezantuar edhe këngët e fundit konkurruese për edicionin e sivjetmë të Festivalit të Muzikës “Kënga Magjike”, dhe përgatitjet për mbrëmjet në skenë tashmë janë duke u finalizuar, shkruan KultPlus.

Festivali që shtrihet përgjatë tri mbrëmjeve, më 6, 7 dhe 9 dhjetor ka përfshirë emra të njohur të muzikës shqiptare, por edhe debutantë.

Kurse këtë edicion pritet ta moderojnë: Ardit Xhebrea, Besart Kallaku, Arjola Shehu, Erion Isai dhe Nevina Shtylla./KultPlus.com

Petrovci: Shpesh më quajnë edhe spiun serb

Aktori i njohur kosovar Enver Petrovci, në intervistën javore për gazetën nacionaliste serb “Kurir”, flet me nostalgji për ish-Jugosllavinë dhe kohën e kaluar si aktor teatri dhe filmi në Beograd. Në të njëjtën kohë shpreh pakënaqësi të madhe për jetën në Kosovë, për të cilën thotë se është “jetë në diktaturë”.

“Kushtet atje (në teatrin Atelie 212 në Beograd) ishin të mrekullueshme. Të jesh në bufe në një shoqëri të tillë. I njoftova njerëzit më të mençur të Beogradit dhe shkoja t’u blej cigare që të më pranojnë në shoqërinë e tyre. Natyrisht që më pranuan”, thotë Petrovci në intervistën për “Kurir”, shkas për të cilën është angazhimi i tij në serialin serb “Hijet mbi Ballkan”.
Për angazhimet e tij si aktor në Kosovë, Petrovci thotë se tek tani po e mëson shqipen. “Nuk e kam atë siguri si kur flas serbisht në skenë. S’do të kisha guxuar të improvizoj në shqip”.

I pyetur “si mund të ndërtohen urat e rrënuara” ndërmjet popujve të këtyre anëve, ai përgjigjet: “Mund të urrehemi me shekuj, por herëdo-kurdo duhet të kuptojmë se njëri pranë tjetrit duhet të kalojmë. Shembull duhet t’i kemi sportistët dhe artistët tanë. S’duhet t’i presim politikanët”.
Për jetën në Kosovë aktori thotë: “Jetojmë në diktaturë. S’ke siguri nëse flet diçka kundër pushtetit. Menjëherë gjendesh në listën e zezë, s’ke punë. Thjesht, nuk ekziston”.
Petrovci, siç transmeton Expressi, gjithashtu tregon se në Kosovë shpesh e quajnë “spiun të Serbisë”.

“Kur është nevoja, unë jam patriot, e kur s’është, spiun serb. Nëse i kritikoj, thonë se loboj për Serbinë. Këtë s’e bën populli. Ata më duan, më çmojnë. Dinë të thonë edhe se jam aktor dhe shqiptar i madh, kurse unë e di se çka jam. Kurrë askush s’më ka blerë. E kam folur gjithmonë atë që e kam menduar. Më ka kushtuar shumë herë dhe s’jam penduar. Kam folur se e kam pasur bukur në Beograd. Te ne ka politikanë të cilët kanë qenë të martuar me serbe, kurse këtë e fshehin. Dikur kemi qenë më të lirë, më të sigurt, punonim dhe fitonim më tepër”, thotë Petrovci për gazetën serbe.
Personaliteti më i çmuar publik në Kosovë për Petrovcin është kryetari i Federatës Futbollistike të Kosovës, ish-futbollisti i Partizanit të Beogradit Fadil Vokrri, për të cilin thotë se “gjithmonë është mbajtur si njeri”.

“Kurrë s’e kam dëgjuar që për dikë të flasë keq. Është politikan më i mirë se unë”, thotë aktori, duke shfaqur shpresë se skuadrat beogradase Partizan dhe Zvezda do të mund t’i shohë në Prishtinë. Këtu, sipas Petrovcit, këto ekipe ende i kanë tifozët e tyre./KultPlus.com

Rovena Dilo në Këngën Magjike me këngën “Ke le për mu” (VIDEO)

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare Rovena Dilo është prezantuar me këngën “Ke le për mu” në edicionin e sivjetmë të Festivalit “Kënga Magjike”, shkruan KultPlus.

Përgjatë interpretimit të saj, ajo është mirëpritur nga audienca. Mbetet të shihet për suksesin final të Dilos në këtë festival që sivjet sjellë shumë emra të muzikës shqiptare./KultPlus.com

Bredhit masiv me 900 stoli i ndizen edhe 70 mijë drita (VIDEO)

Qytetarët janë mbledhur në sheshin qendror të Vilnius të Lituanisë, ku janë ndezur dritat e bredhit të gjatë afro 30 metra.

Struktura prej metali, që është e mbuluar me degë pishash të mbledhura gjatë pastrimit në pyje, ka të vendosura edhe 900 stoli të ndryshme, transmeton Telegrafi.

Veçanti e këtij bredhi, që besohet të jetë më i madhi i këtij sezoni në Evropë, janë edhe 70 mijë poçe të vogla.

Me anë të këtij dekori, pritet që kryeqyteti lituanes të vizitohet edhe nga banorët e shteteve fqinje./ KultPlus.com

“Statment new generation 2018”, vjen nga disenjatorja Vjollca Llapashtica (FOTO)

Disenjatorja kosovare Vjollca Llapashtica, sjellë koleksionin e saj të ri “Statment new generation 2018”, shkruan KultPlus.

Në këtë koleksion Llapashtica, ka sjellë mbi 50 kreacione-fustane të llojllojshme, elegante dhe kryesisht dominon ngjyra e plotë dhe e fuqishme.
“Përveç që i kam përcjelle trendët e fundit në botë, sidomos ato vende ku më shumë është prezentë eleganca, gjatë këtij koleksioni, kam pas parasysh edhe kërkesat, nevojat dhe shijen e klientëve të mia duke filluar nga Prishtina, Tiranë e deri në SHBA”, deklaroi Vjollca Llapashtica.

Në këtë fotosesion të prezantuar nga modelja Alba Hoti, mund t’i shihni vetëm disa kreacione ndërsa të gjitha mund t’i gjeni në atelienë e saj në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Vjollca, ka paralajmëruar së gjatë muajit dhjetor do të sjellë koleksionin tjetër me pallto të shkurtra dhe të gjata, elegante dhe për të gjitha moshat./ KultPlus.com

Gati për dekorimin e qytetit të Prishtinës për Vitin e Ri, Komuna ka ndarë 58 mijë euro

Komunës së Prishtinës dekorimi për festa të fundvitit i kushtoi 58 mijë euro, ani pse për këtë Komuna kishte ndarë vetëm 50 mijë euro.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratën për dekorimin e qytetit me drita e stoli dekorative dhe bredha për festat e fundvitit, njoftimin e kontratës në vlerë 57 mijë e 940 eurove e ka publikuar ne faqën zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), shkruan insajderi. Kontratën e kanë nënshkruar më kompaninë “Anea” NPT./KultPlus.com

Musine Kokalari “kthehet” sot në Universitetin La Sapienza, Romë

Musine Kokalari “kthehet” sot në Universitetin La Sapienza, ku një ditë studimi i kushtohet një gruaje shqiptare që studioi në Itali.

76 vjet pas diplomimit të saj italian, Musinè Kokalari u “kthye” në Sapienza te Romës, citojnë mediat italiane.

Një ditë studimi kushtuar një shkrimtari të shekullit të-20, për një grua shqiptare që donte të shkruante të ardhmen e vendit të saj, por regjimi i Enver Hoxhës i mohoi lapsin dhe lirinë, shkruan ATSH. Në 1938 Kokalari ishte në Romë për t’u diplomuar në letra në La Sapienza. E përkushtuar për krijimin e një Shqipërie demokratike, u kthye në vendin e saj në vitin 1946, por u cilësua nga regjimi komunist si “sabotatore dhe armike e popullit” dhe u dënua me burg dhe izolim deri në vdekjen e saj në vitin 1983.

Faqet italiane të Musine Kokalarit janë rezultat i një pikëpamje dialektike, shqiptare dhe italiane, të një vajze që studionte në një Itali fashiste që pushtoi Shqipërinë e saj më 1939; dëshmi e dramave të jetuara nga autorja dita në ditë, në vitet që e panë atë të marrë pjesë në Sapienza./ KultPlus.com

170 vegla muzikore popullore: Tradita jashtë vëmendjes institucionale

Shkas nga çelja e një ekspozite dhe botimit të një albumi/Fatkeqësisht duket se nuk do kalojë shumë kohë kur vegla muzikore si lahuta, cyla dyjare, kavalli, bakllamaja, apo disa lloje të tjera si ciganë, daulle, lauri etj., do të pësojnë fatin e ungarit i cili ka kohë që nuk duket në skena. Ky është një rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë trashëgimi.

Nga Esat Ruka

Duke vizituar një ekspozitë me veglat muzikore të përdorura në territorin shqiptar në shek. XIX –XX, të çelur në sallat e Muzeut Historik Kombëtar, në nëntorin e vitit 2017, njihesh me një pasuri të çmuar të botës shpirtërore të kombit. Muzikanti koleksionist Ermal Sela iu është dedikuar me përkushtim e pasion promovimit të vlerave të trashëgimisë së kombit të vet me posedimin privat të një numri të konsiderueshëm veglash muzikorë tradicionale.
Emocionohesh teksa sheh eksponate të shumta veglash muzikore, të përdorura dy shekujt e fundit nga mjeshtra popullorë të trevave shqiptare apo mjetet e punimit të tyre, mjeshtrit e modelimit e prodhimit të tyre, elemente zbukurimi e pasurimi me simbolika me karakter historik, etnografik, mitologjik etj. Menjëherë bën përqasjen se si mundet që hapësirat territoriale të shqiptarëve janë kërcënuar të zvogëlohen apo tjetërsohen e deri rrënohen, ndërsa begatia, larmia dhe pasuria e kësaj trashëgimie tregon superioritet përmasash kulturore e historike?
E pamundur të bashkëjetojnë qetësisht idetë e deformuara qëllimshëm nga fqinjët ndaj një populli “pa qytetërim e pa aftësi kulturimi” ndërsa prania e kësaj trashëgimie “buçet e ulërin” me një shpërthim shpirtëror të dallgëzuar nëpërmjet kësaj begatie e larmie të pakrahasueshme mjeshtërish e krijimesh artistike.
Nuk kemi këmbëngulur se këto vegla muzikore janë pasuri e shpikur prej shqiptarëve. Ndoshta do të shkohet drejt etnogjenezës së vërtetë edhe të kësaj dileme. Por rrugëtimi artistik i produktit shpirtëror krijues, sa profesional aq edhe historik ka thadruar të drejtën dhe ka kalitur durimin se në përcaktimin e këtyre të vërtetave do të arrihet me “shpirt të vluem e me mendje të kullueme” do të shprehej Martin Camaj. Fakti se këto vegla muzikore kanë shoqëruar, ngazëllyer, inspiruar, argëtuar, motivuar e promovuar shpirtin krijues të një kombi në tallazet e jetës së tij, është një nga veçantitë e trashëgimisë që së paku i duhet injektuar gjeneratës së re. Këtë e bëjnë më së shumti e më së miri institucionet, njerëzit kompetentë, profesionistët, por edhe pasionantët e mjeshtrit e dijebërjes së tyre. Ekspozita paraqiste 170 vegla muzikore popullore. E sistemuar me kujdes tërhiqte vëmendjen e shikuesve të moshave e profesioneve të ndryshme, kryesisht të njerëzve që kishin lidhje shpirtërore me ‘to por edhe vizitorë të organizuar nga shkollat e Tiranës.
Kjo nismë e Ermal Selës shoqërohej edhe me një Katalog luksoz të titulluar “Midis shekujsh” i mbështetur nga Ministria e Kulturës. Katalogu me rreth 300 foto dokumenton një pjesë të madhe të korpusit të veglave muzikore përmbledhur në 125 faqe të përcaktuara në 99 instrumente muzikore. Ashtu sikundër shprehet edhe autori, ai është mbështetur edhe mbi një përvojë të mirënjohur institucionale e Akademisë së Shkencave të RSH. Kjo është një gjë shumë e mirë.
***
Ndoshta ishte mirë të ruhej raporti i pasqyrimit midis llojeve të veglave muzikore dhe aksesorëve të tyre si harku, penza, apo mënyrën e ekzekutimit edhe të ndonjërës prej tyre.
Çelja e një ekspozite të tillë me koleksionin privat të këtij artisti, që tashmë premton për një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm, mendoj se na sugjeron të gjykohet dhe të veprohet në bërjen e
një bilanci të vërtetë e të drejtë institucional ndaj kontributit 200-vjeçar e më tej të mjeshtërisë së dijebërjes dhe aftësisë së ekzekutimit, si pasuri të çmuara të konstitucionit shpirtëror dhe identitetit kombëtar. Ky mbetet një aspekt i gjerë e i thellë, por ne po cekim disa çështje.
Çfarë na sugjeron ekspozita? Praktika popullore e zejeve është mijëravjeçare. Ajo ka ndjekur etapat e zhvillimit të shoqërisë duke bartur shije të avancuara gjithnjë në mënyrë intuitive. Institucionet kulturore janë ngritur mbi përvojën popullore. Roli i tyre në progresin, dinamikën dhe shkëmbimin e përvojës ka klasifikuar, disiplinuar e normuar ligjësi e kode që përbëjnë aspektin programor dhe përmbajtësor të muzikës. Mund të themi se gjatë pjesës së dytë të shekullit XX në skenat shqiptare, por edhe jashtë Shqipërisë është dëshmuar një mrekulli artistike duke luajtur e zhvilluar në mënyrë profesionale melodi e suita popullore nga vatra më e vogël e zvetënuar e një instrumenti e deri në institucione qendrore të artit popullor, përfshirë edhe shkollat. Muzika solistike e shoqëruese me instrumente zë pjesën më të madhe të programit në skenë dhe si e tillë është e patjetërsueshme. Por përtej prezencës, a po kujdesemi që t’u rrëmbejmë atyre kapacitetin maksimal të aftësive të muzikimit? A garantojmë origjinalitetin e tingëllimit dhe funksionit të tyre? A duhet bërë diferenca midis llojeve e midis zhanreve dhe kush duhet ta bëjë? Është analizuar në mënyrë të përsëritur nëpër tryeza dhe sesione shkencore realiteti i zbehjes së jetës aktive në disa lloje veglash muzikore, ashtu sikundër është heshtur plotësisht nga disa formacione orkestrale në disa rrethe e institucione qendrore dhe lokale. Nuk gjejmë tjetër argumentim përveç zbehjes së punës institucionale, mungesa e kontakteve me bartës dhe lëvrues, mosvlerësim projektesh të specialistëve, mungesë llogaridhënie në organe të pushtetit lokal e mbi të gjitha mungesë akordimi për ‘to i mjeteve financiare. Jeta e tyre aktive ka kulmuar me lëvrimin e tyre në Festivalet Folklorike Kombëtare. Përvoja ka treguar se aty ku muzikantët e përgatitur me shkollë kanë dalë nga lëvizja amatore treguesit kanë qenë dhe mbeten mbresëlënës. Në krye të disa ansambleve folklorike në skenat e Festivaleve kanë udhëhequr muzikantë të mirënjohur nga Peshkopia, Puka, Mati, Mirdita, Tirana, Berati, Korça etj.,
Me keqardhje konstatohet se thuajse asnjë nga këto instrumente të ekspozitës së Ermal Selës nuk ishte në skenën e koncertit Gala të 60-Vjetorit AKKVP. Spektatori u dhuroi duartrokitje më së shumti sekuencave filmike para 45 vitesh në Dizhon të Francës se sa aspekteve të tjera në skenë aktualisht. Duket se po harrojmë se është filluar e pastaj mbështetur krijimtaria në muzikën dhe vlerat interpretative të këtyre veglave muzikore popullore. Dhe më keq akoma, tanimë përdorimi i tyre në skenat prestigjioze po gjykohet si “rraqe të vjetruara”!!. Dihet që pas atyre veglave muzikore popullore qëndron kontributi specifik i disa trevave dhe mungesa e tyre në skenë, cenon proporcionalitetin gjeografik të peizazhit të bukur artistik kombëtar. Edhe sa kohë do vazhdohet t’i referohemi festivalit të 11-ë si një goditje fatale politike që shmangu dihatjet e vrullshme të shpirtit të rinisë së kohës?
***
Ndoshta të njëjtën gjë do të bëjnë gjeneratat e ardhshme, kur me shumë të drejtë do të na etiketojnë si gjenerata e rendjes pas “magjes së huaj” pa respektuar vlerën e “magjes së vet”; Përse duhet të kërkojmë të na respektojnë të tjerët, kur ne nuk po e respektojmë veten? Fatkeqësisht duket se nuk do kalojë shumë kohë kur vegla muzikore si lahuta, cyla dyjare, kavalli, bakllamaja,apo disa lloje të tjera si ciganë, daulle, lauri etj., do të pësojnë fatin e ungarit i cili ka kohë që nuk duket në skena. Ky është një rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë trashëgimi që flet shumë. Nuk është vetëm argëtim. Është histori, qytetërim, shije estetike, shpresë. Me keqardhje prej gati tri dekadash në shkollat artistike jo vetëm nuk mësohet instrument popullor, por as nuk gjendet në mjediset e tyre një i tillë. U zhdukën kabinetet e folklorit të ngritur me pasion e përkushtim, u harruan formacione muzikore prestigjioze të ngritura në shumë shkolla e institucione qendrore e lokale. Qendrat Kulturore të Fëmijëve në qytetet e vendit po hapin dhjetëra kurse për gjuhët e huaja apo internetin (dhe mirë bëjnë), por për mësimin e instrumenteve popullore janë të pakët. Madje edhe aty ku ka (Rrëshen, Pukë, Burrel, Laç) drejtohen nga mosha të treta. Mediumet qendrore dhe lokale në mënyrë shumë periferike pasqyrojnë vlera të tilla. Qëndrimi i Drejtorisë së Trashëgimisë Kombëtare pranë Ministrisë së Kulturës flet për inkompetencë në mosfunksionim të një masterplani bashkëpunimi ndërministror dhe me institucione promovuese e shkencore në rigjallërimin e përvojave të njohura, por dhe problematikave që lindin lidhur me ndërhyrje abuzive për sa iu përket aftësive të tingëllimit dhe duke cenuar rëndë përputhjen toniko-modale në bashkëzanimin e joneve në orkestrinat popullore.
Nëse në KKTSH ky aspekt i trashëgimisë nuk shqyrtohet dhe trajtohet si pasuri kombëtare ku të dilet me një qarkore në shkallë vendi me përcaktime masash korrigjuese e mbështetëse nëpërmjet politikave efikase, shumë shpejt do të ndodhë si në katalogun e mbështetur nga Ministria e Kulturës, që në vend të emrit të artistit Ndue Shyti të vendoset artisti Dervish Shaqa.
Potencialet intelektuale dhe tradita popullore mendoj se janë më lart se aftësitë dhe përkushtimi që demonstrohet nga administratat e kulturës. Ky është një aspekt që kërkon drejtpërdrejt vëmendjen e shtetit shqiptar.

Kanada, gjendet shpella 15 mijë vjeçare

Në qytetin Montreal të Kandasë është gjetur shpella 15 mijë nën tokë për të cilën thuhet se i përket epokës së akullnajave.

Eksploruesit Daniel Caron dhe Luc Le Blanc, të cilët kishin hobi të zhvillonin hulumtime në shpellën Saint-Leonard në lindje të Montrealit, zbuluan një kalim nëntokësor të ri të papërfunduar, me stalaktikë dhe liqene.

Ata treguan se shpella e akullnajave, e cila ndodhet nën Parkun Pie XII të Montrealit, ka një formë të ngjashme me katedralen, Caron dhe Le Blanc. Sipas tyre rruga e kalimit për të arritur në shpellë, e cila parashikohet se është 15 mijë vjeçare, është në gjatësi prej të paktën 200 metrash, në lartësi prej 6 metrash dhe në gjerësi prej rreth 3 metrash.

Eksploruesit thonë se pjesa kryesore e shpellës është gjetur prapa murit të gurit gëlqeror, ndërsa se në pjesën kryesore kanë hyrë duke hapur një vrimë në madhësi prej rreth 1 metër, sa për të hyrë një njeri.

Carno dhe Le Blanc, të cilët e ndanë zbulimin e tyre me transmetuesin zyrtar të Kanadasë CBC, njoftuan se shpella vazhdon si një korridor i gjatë dhe se ende nuk e dinë se ku përfundon.

Duke bërë të ditur se në shpellë ndodhet një liqen nëntokësor në thellësi prej 5 metrash, eksploruesit Caron dhe Le Blanc thonë se “Njësitë gjeologjike, të cilat mund të depozitojnë ujë në një masë të madhe i quajmë akuiferë. Akuiferët janë shtresa të cilat mbajnë ujërat nëntokësore dhe të cilat kanë pore dhe depërtueshmëri të lartë. Mendojmë se edhe kjo është akuiferi i Montrealit”.

Gjithashtu eksploruesit thanë se me vite ishin në kërkim të një pjese të panjohur të shpellës St. Leonard, dhe se kjo shpellë u zbulua nëpërmjet këtij kërkimi.

Ata rikujtuan se pjesa kryesore e shpellës St. Leonard është e hapur dhjetëra vite më parë për qytetarët. Caron dhe Blanc thonë: “Por, askush nuk e dinte se një pjesë e madhe ndodhet e fshehur prapa murit gëlqeror”.

Planifikohet që shpella të hapet për qytetarët dhe eksploruesit në një të ardhme të afërt./ KultPlus.com

Yllka Gashi me fotosesion

Aktorja e njohur Yllka Gashi e cila ka disa vite që është tërhequr nga jeta publike, së fundi ka zgjedhur një formë tjetër që të jetë më afër adhuruesve të saj, shkruan KultPlus.

Fotografi Ilir Rizaj, i cili poashtu jeton në Amerikë dhe njihet për punën e tij profesionale në fotografi ka realizuar një fotografi me portretin e Yllka Gashit, fotografi që ka nxjerrë në pah bukurinë e aktores kosovare.

Edhe pse në Amerikë, për realizimin e këtij fotosesioni është angazhuar një ekip i tëri shqiptarë: flokët Noli, kurse griimin e ka realizuar Shqipe Namani./KultPlus.com

Në Prishtinë vjen një ekspozitë me punimet e nxënësve të verbër dhe me dëmtime në të parë

PEJA LIONS Club në bashkëpunim me Qendrën Burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” nga Peja dhe Leo Club Prishtina, nesër organizojnë një ekspozitë shitëse.

Bëhet fjalë për ekspozitën shitëse “Një ditë për ju”- kushtuar Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, në të cilën paraqiten punimet nga nxënësit e verbër dhe me dëmtime në të parë të shkollës në Pejë, thuhet në komunikatë.

Ekspozita është pjesë e projektit me të njëjtin emër që është financuar nga D4D/Ambasada britanike në Kosovë që ka për qëllim nxitjen e vullnetarizmit në Kosovë. Në ekspozitë janë të ekspozuara punime dhe animacione në pikturë, mozaikë, punime dore, etj. kurse të ftuar janë institucione, organizata vendore dhe ndërkombëtare, biznese, etj.

Me pjesëmarrjen tuaj në këtë ekspozitë ju shprehni respektin ndaj angazhimit të këtyre fëmijëve të verbër, kurse duke blerë punimet e tyre, ju dëshmoni se puna e tyre vlen, ashtu sikurse edhe ata vlejnë.

Ekspozita hapet të hënën, më datë 04 dhjetor 2017, në Kolegjin HEIMERER, Lagja Kalabri, (Rruga për Veternik), Veranda D4, Hyrja C dhe D në Prishtinë nga ora 13.00 dhe shoqërohet me aktivitete tjera të kushtuara kësaj date. / KultPlus.com

“The Remigrant” i Astrit Alihajdarajt në “This Human World Film Festival” të Vjenës

“The Remigrant” me regji të Astrit Alihajdarajt, është filmi 18 minutësh i cili do të prezantohet më 8 dhjetor në “This Human World Film Festival” të Vjenës, shkruan KultPlus.

“The Remigrant” është filmi i cili e sjellë për herë të parë në rolin e regjisorit aktorin e njohur Astir Alihajdari. Ky film flet për shumë tema në të njëjtën kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve, janë disa nga temat që jetësohen përmes aktorëve: Florist Bajgora, Ilire Vinca, Veton Osmani dhe Leze Qena./KultPlus.com

Filmi horror shqiptar “Bloodlands” fiton tre çmime në Festivalin e Filmit Horror në Sidnej të Australisë (VIDEO)

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Horror në Sidnej të Australisë , filmi i parë shqiptar i zhanrit horror është shpërblyer me tre çmimet më të rëndësishme të festivalit, shkruan KultPlus.

Ky projekt filmik që është realizuar nga produksioni australian “Kastlefilms” e me regji të Steven Kastrissios, është vlerësuar me çmimet: regjia më e mirë, filmi më i mirë autsralian, dhe filmi më i mirë ndërkombëtar.

“Bloodlands” shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj.

Atë e dëbojnë në mal, duke e quajtur shtrigë. E lënduar, e urryer dhe e dëbuar kjo grua vendos që të shndërrohet në një shtrigë të vërtetë dhe të marrë hakun për krejt dhimbjen që i kanë shkaktuar.
Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Suela Bako, Ilire Vinca, Gëzim Rudi, Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj, dhe ky film është prodhim australiano- shqiptarë. Ky film nga 7 dhjetori do të shfaqet në Kinemanë ABC, në terminin e rregullt prej prës 22:00./KultPlus.com

Përse të dua

Vargje nga Lasgush Poradeci.

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-

Prandaj.
Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.

Intervista e rrallë e mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë

Nga Aurenc Bebja, Francë

Gazeta franceze, « Paris-soir », ka botuar, të enjten e 20 korrikut 1939, në faqen n°1 dhe 7, një shkrim – intervistë, të çiftit mbretëror shqiptar, të sapo mbërritur asokohe në kryeqytetin suedez, Stokholm. Gazetarët kanë bërë pyetje pa fund. Fillimisht është përgjigjur mbreti Zog, ndërsa më pas, Mbretëresha Geraldinë e ka marrë situatën nën kontroll, ndoshta duke vënë re lodhjen e bashkëshortit të saj.

Çfarë është biseduar më konkretish gjatë kësaj interviste ? Si ka reagur çifti mbretëror ndaj pyetjeve të gazetarëve të huaj ?

(Nga korrespondenti ynë i veçantë në Stokholm, 19 korrik, nëpërmjet telefonit)

…Larisa, Selanik, Stamboll, Bukuresht, Varshavë, Gdynia, Riga.

Valixhet e blinduara, të mbuluara me etiketa me ngjyra të shkruara në të gjitha gjuhët e Evropës Lindore, janë grumbulluar në sallën e këtij hoteli të madh të Stokholmit.

Këto valixhe përmbajnë një kurorë mbretërore dhe të gjithë pasurinë e një burri pa atdhe.

Janë gjithçka që ka mbetur nga pasuria e atij që ishte Zogu I, mbret i Shqipërisë, i cili sapo ka mbërritur në kryeqytetin suedez. Ai është në fazën e parafundit të eksodit të tij. Së shpejti sovrani i rënë dhe suita e tij, pas një qëndrimi të shkurtër në Versajë, do të mbërrijnë në fund të udhëtimit të tyre, në Londër.

Që nga hyrja e trupave italiane në Tiranë, ish-mbreti nuk mund të ndalohej kudo. Që nga fillimi i prillit, ai ka udhëtuar nëpër Evropë në kërkim të një vendi që i përshtatet dhe e pranon.

MBRETËRESHA BUZËQESH

Mbretëresha e ndjek mbretin kudo. Që nga shërimi i mrekullueshëm i saj, pasi djali i saj – i lindur gjatë një dite fatale – nuk e shqetëson më, Mbretëresha Geraldine u ofron të gjithëve një fytyrë të qeshur. Në fakt, ajo hyri në Stokholm, me buzëqeshjen e saj, e shoqëruar nga këshilltarët dhe shërbëtorët e oborrit mbretëror. Kjo buzëqeshje e rëndë nuk do t’i hiqet më.

Nga hoteli i madh ku është vendosur oborri mbretëror i Shqipërisë, shihet, nën reflektimin e ujërave të qeta të Malarit, pallati mbretëror i Gustavit të V.

Këtu çdo gjë është e qetë, dritë paqësore.

Mbreti Zog i vështron me melankoli këto gjëra. Ai nuk do të gjejë këtu oazën në të cilën ai dëshiron që prej 7 prillit. Atij iu desht të anashkalojë, nëpërmjet Greqisë, Turqisë, Rumanisë, Polonisë, vendeve të aksit Romë-Berlin, në cilat ka vetëm armiq.

Nesër, do të gjendet në Londër. Në perspektivë, keqardhje të reja, shqetësime të reja.

SOVRANËT FLASIN PËR TË KALUARËN DHE PËR TË ARDHMEN

Gazetarët ndjekin hapat e tij, e ngacmojnë atë, i bëjnë pyetje pafund :

– Unë jam ende një fuqi politike, u përgjigj mbreti ëndërrimtar i mëparshëm.

Dhe ai shton :

– Asnjë popull, në këtë moment, sado i vogël, nuk mund të heqë dorë nga liria. Ashtu si të gjithë shqiptarët, unë mundohem, pa humbur kohë e pa pushuar, që ti risjell Shqipërisë pavarësinë e saj.

Përballë muzgut të pafund suedez, ish-sundimtari mysliman humbet përsëri në mendimet e tij.

Por mbretëresha Geraldinë endet përreth, e sigurtë dhe pothuajse e gëzuar.

Kjo grua, 23 vjeçare, është veshur e gjitha me të bardha, me një xhevahir të vetëm, të fiksuar në bluzën e saj, një klip me diamante. Ajo shprehet me një theks të fortë amerikan, e kënaqur për përfundimin e këtij migrimi të gjatë « rreth boshtit » :

– Ne do të zhvendosemi në Angli, por së pari do të shkojmë të jetojmë në vendin e ëmbël të Francës, pranë Versajës, ku tashmë jetojnë aty kunatat e mia.

– Në Francë, ne do të mund të jetojmë të lumtur dhe në paqe, vend ku jam rritur, gjithashtu dhe për faktin se bashkëshorti im flet në mënyrë të përsosur gjuhën frënge, më pas do të shkojmë në Angli.

Por Mbretëresha reagon menjëherë :

– Sigurisht, ne shpresojmë të mos qëndrojmë shumë gjatë. Shpresojmë të kthehemi së shpejti në Shqipëri. Burri im po punon për të rivendosur pavarësinë në Shqipëri. Ai do të kthehet dhe do të kurorëzohet atje.

« PRINCI TRASHËGIMTAR ËSHTË SHUMË I BUKUR »

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Këto fjalë janë thënë me emocion. Por dashamirësia e Geraldinës e detyron atë të bëjë një intervistë më të gjatë dhe ajo u shkon gjërave deri në fund.

– Më ka pëlqyer gjithmonë të udhëtoj, tha ajo, por nuk e kisha menduar se herën e parë që unë do të shoh Anglinë, të realizohej në kushte të tilla.

– Kur u largova nga pallati mbretëror i Tiranës, më duhej të braktisja gjithçka. Unë nuk isha akoma në gjendje të grumbulloj bizhuteritë e mia dhe mora vetëm dy ose tre gjëra që ishin veçanërisht të vlefshme për mua : dhuratat e burrit tim.

– Isha shumë e sëmurë gjatë gjithë rrugës dhe më duhej të qëndroja mbi një barelë. Pyesja veten se çfarë do të ndodhte. Foshnja ishte duke bërtitur (qarë) gjatë gjithë kohës, gjendja e tij dobësohej. Sëmundja po përparonte. Në një moment patëm frikë se e humbëm. Por ai u bë më mirë sa ndaluam udhëtimin tonë.

– Tashmë, mjekët suedezë thonë se djali është në gjendje të mrekullueshme. Ai shtoi peshë (u shëndosh) dhe nuk ulëret (qan) më.
AS KINEMA, AS LIBËR

Emri i Hollivudit, në mënyrë të pashmangshme, trajtohet para ish-sovranes :

– Jo, tha ajo, as që bëhet fjalë të shkojmë në Hollywood. Unë nuk e kam fare ndërmend të xhiroj një film dhe po ashtu burri im nuk ka ndërmend të shkruajë një libër.

– Mijëra shqiptarë besnikë ende shpresojnë se së shpejti do të kthehemi në fronin e Shqipërisë. Për ta, ne e kemi për detyrë të udhëheqim një ekzistencë (jetë) shembullore/ KultPlus.com

Monumentet e Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri të rrezikuara nga përmbytjet

Në kushtet e emergjencës civile për shkak të përmbytjeve që kanë prekur vendin, monumentet e trashëgimisë kulturore nuk mbeten jashtë hartës së dëmtimeve.

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve kanë publikuar një listë të monumenteve të cilat po monitorohen me kujdes ku më të rrezikuarat janë: Ura e Golikut në Korçë si dhe Kisha e Shën Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës, një monument kulture e cila është në zonë të përmbytur.

Forumi Bizantin (Macellum Forum), në Durrës për shkak të reshjeve ka rrëshqitje të dherave dhe disa gurëve të mbushjes së trotuarit. Janë marrë masat e menjëhershme për sistemimin dhe përforcimin e skarpatës.

Raportimet nga Butrinti dhe Parku Arkeologjik i Bylisit nuk lënë vend për alarm pasi nuk përbën rrezik dhe nuk ka dëmtime. Ndërsa nga drejtoria Rajonale në Vlorë raportohet se inspektimet në Manastirin, Parqet Arkeologjike (Orikum, Amantia, Finiq), gjendja e deritanishme është normale.

Ashtu si gjithë harta e përmbytjeve, qarku i Fierit ka disa problematika: – Kisha e Shën Kollit në Vanaj, Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë, Kisha e Shën Marisën e Bishtqethëm, Kisha e Shën Gjergjit në Suk, Strum, paraqesin probleme në çatinë e tyre, nga shirat e tepërt.

Në Vithkuq tek Kisha e Shën Mehillit ka pasur lëvizjet e rasave në pjesën e hajatit ku po merren masa për t’i sistemuar, në Vithkuq probleme paraqet Kisha e Shën Gjergjit të cilën e kanë izoluar me mjete provizore. Ndërsa gjendja është në kushte normale në Parkun Arkeologjik në Apolloni, në Muzeu e Pavarësisë në Vlorë reshjet e dendura të shiut kishin përmbytur oborrin.

Si rezultat i bashkëpunimit me Bashkinë Vlorë gjendja tani është normalizuar./ KultPlus.com

Tri premiera në muajin dhjetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Teatri Kombëtar i Kosovës, ka publikuar repertorin për muajin e fundit të vitit 2017-të.

Muaji dhjetor në TKK, sjellë gjithsej tri premiera. Dy shfaqje premierë do të jepen në skenën e vogël e vogël ndërsa do të vij edhe shfaqja e fundit premierë për këtë vit e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Më 13 dhjetor, e mërkurë, me fillim nga ora 20:00, në skenën e vogël e vogël vjen premiera “Të harruarit” me koncept dhe regji të Shkurte Alia.

Më 21 dhjetor, e enjte Baleti Kombëtar i Kosovës, sjellë premierën “New Born”, me koreografi të Jochen Roller. Shfaqja vjen me fillim nga ora 20:00.

Ndërsa më 25 dhjetor, me fillim nga ora 20:00, vjen premiera e shfaqja “Zoti i masakrës”, me regji të Besfort Idrizit. Kjo shfaqje jepet në skenën e vogël e vogël në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Ish-presidenti Bush viziton restorantin e refugjatit kosovar në Teksas

Jeton Haxhijaj emigroi nga Kosova 18 vjet më parë, gjatë luftës së vitit 1999. Më vonë, ai hapi restorantin “Luigi’s” në Main, McGregor, Teksas, që u shndërrua në një ndalesë të mirë për pica dhe pasta.

Më 19 nëntor, pronari po u shërbente klientëve në një të diele të qetë mbrëma, kur Shërbimi Sekret hyri në lokalin e tij dhe i dha lajmin.

“Thanë se presidenti George W. Bush po vinte në restorantin tuaj”, thotë Haxhijaj për KWTX, transmeton Koha.net.

Ai nisi të pastronte rrugën kah hyrja e pasme ku pritej të hynte Presidenti Bush, të rregullonte hapësirën për ushqim dhe i telefonoi gruas së tij që gjendej në shtëpi. I tha që të merrte një aparat dhe fëmijët dhe të vinin me shpejtësi në restorant.

“Është një rast që vjen një herë në jetë”, thotë ai.

Tridhjetë minuta më vonë, Bushi u ul në restorant bashkë me disa miq, dhe porositën ushqimin që përfshiu kallamari, kërpudha e pasta ‘fettuccine alfredo’.

Jetoni thotë se me ish-presidentin zhvilloi një bisedë të lirë dhe tha se ishte shumë i thjeshtë.

“Më tha se ushqimi ishte shumë i mirë dhe i pëlqeu”.

Ish-presidenti amerikan, George W. Bush, ishte i pari që e njohu Kosovën si shtet të pavarur nga Serbia pas konfliktit të gjatë vdekjeprurës. Ai po ashtu ka merita për ndihmën që i ka dhënë vendit që të mbijetojë dhe të merr njohje nga pjesë tjera të botës, transmeton Koha.net.

Jetoni thotë se nuk e di sigurt se çfarë deshi presidenti në atë kohë në zonën e restorantit të tij, por thotë t’ia ketë bërë me dije se është shumë i lumtur që e ka vizituar.

“Unë dhe familja ime jemi shumë krenarë dhe të nderuar me vizitën e tij në restorantin tonë”, shprehet Haxhijaj.

Gjatë intervistës, Jetoni i drejtohet kamerës dhe thotë “faleminderit” nëse rastësisht presidenti Bush është duke e shikuar, “ për të gjitha që ka bërë dhe për ndihmën që u ka dhënë shqiptarëve në Kosovë”.

Grupi i Bushit mësohet të ketë qëndruar rreth një orë e gjysmë, ku Jetoni shfrytëzoi rastin që me familjen e tij të bënin fotografi me ta, e po ashtu edhe klientët e restorantit.

“Shpresoj që të vijë sërish, në mënyrë që të kem mundësi të flas me të më shumë, të ulem e të ha me të”, qesh Haxhijaj./ KultPlus.com

Rita Ora joshëse e veshur si në vitet e 70-a (FOTO)

Këngëtarja e njohur me origjinë nga Kosova, Rita Ora, asnjëherë nuk dështon së dukuri joshëse, qoftë në apo jashtë tepihut të kuq.

Ora ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve mbrëmë me të arritur në ndejën e Krishtlindjeve “Burberry X Cara Delevingne”, e cila është mbajtur në Londër, transmeton Koha.net.

27 vjeçarja është dukur shumë joshëse e veshur sikur në vitet e 70-a . Ajo për këtë ndejë ka zgjedhur një bluzë të kaltër me fyt, syze të çuditshme, fustan të gjatë të gjelbër, një çantë të vogël të zezë, çorape të gjatë të argjendtë dhe sandale me taka të larta të dekoruara me disa lule./ KultPlus.com

Dans hungarez i orës shtatë

Poezi nga Ndriçim Ademaj.

Një nga një po ikin njerëzit e mi
Me autobusin e orës shtatë…

Sonte paska ikë edhe Hajra,
Kafexhiu i buzëqeshur i Rrugës së Farkëtarëve
Që në hungarisht dijë vetëm t’ia shajë nënën
Këtij vendi të poshtër…

Njerëzit po shkojnë
E ky qytet i ngjan një fushë korbash të uritur
Që s’kanë kokën e kujt ta hanë…

Jeta jonë po ikën ditë për ditë
Me autobusin e orës shtatë,
Unë endem rrugëve me një biletë në dorë
Dhe një brisk rroje në xhep…

Edhe kjo natë boshe ka marrë udhë,
Nesër mund të jetë një ditë e mirë
Për t’i rënë vetes
Ose qeverisë
E atëherë vnerin e njerëzve të mijë
As Danubi s’do të mund ta lajë…

Poezi nga libri “Këngë nga Rruga e Farkëtarëve”.

Nesër shpallet fituesi i çmimit të madh “Artistët e së Nesërmes”

Nesër më 4 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Klubin e Boksit në kryeqytet, do të shpallet fituesi i çmimit Artistët e së Nesërmes 2017-të, organizuar nga Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor, shkruan KultPlus.

Ekspozita që është hapur më 3 nëntor do të qëndroj e hapur deri nesër më 4 dhjetor, atëherë edhe kur shpallet fituesi i këtij çmimi.

Çmimi Artistët e së nesërmes është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuele – YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Juria e çmimit Artistët e së nesërmes 2017, e përbërë nga Charles Esche, drejtori i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Nataša Petrešin-Bachelez, kritike e artit dhe kuratore e pavarur, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Renaud Proch, Drejtor Ekzekutiv i Independent Curators International (ICI), Neë York, ka përzgjedhur finalistët bazuar në kriteret e inovacionit, praktikave të fuqishme dhe interdisiplinare, meritat e portfolios artistike, arritjet e mëparshme, ekspozitat si dhe potenciali i demonstruar deri më tani.

Finalisti i parë i çmimit Artistët e së nesërmes 2017 është Meriton Maloku i cili ka befasuar jurinë me vizionin e ndërthurjes së tamatikave më aktuale të përditshmërisë.

Finalistja e dytë është Enesa Xheladini, që dëshmon praktikë të theksuar vizuele e shprehur në formë të skeçeve dhe shënimeve për skulptura dhe instalacione publike, e gjitha si reuzultat i praktikës së saj në fushën e arkitekturës.

Finalisti i tretë është Jetullah Sylejmani që hulumton pyetjet civilizuese mbi burimet, luftën dhe demokracinë në një mënyrë të theksuar ambicioze vizuele./ KultPlus.com

Rugova drejtoi procesin e shtetndërtimit të Kosovës…

Historiani Jusuf Buxhovi shkruan me rastin e 73 vjetorit të lindjes së Ibrahim Rugovës.

Dr Ibrahim Rugova tashmë e ka vendin e sigurt në oltarin e shtendërtimit të Kosovës jo vetëm si presidenti i parë historik, i legjitimuar në zgjedhjet e para të vitit 1992 dhe i rikonfirmuar në ato parlamentare të vitit 2002, por pse i priu lëvizjes kombëtare e cila çoi te shteti i pavarur i Kosovës.

Roli i dr. Rugovës në këtë proces historik matet me atë se lëvizja kombëtare që e drejtoi, e koncipuar nga elita intelektuale e kohës ndër më të përgjegjshmet në historinë e shtetndërtimit shqiptare në përgjithësi, kaloi nëpër dy binarë paralel: atë të rrënimit të komunizmit, me çka shqiptarët treguan përcaktimin e tyre për demokracinë perëndimore dhe qytetërimin e saj si dhe të shkëputjes nga pushtimi serb, me çka krijoheshin rrethanat për shpalljen e shtetit të pavarur, ndër të cilat, domethënëse ishin Deklatata e Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kuvendi i Kaçanikut më shtatë shtator 1990 kur Kosova u shpall republikë si dhe Referendumi për pavarësi i 26 shtatorit 1991, me të cilin u shfrytëzua e drejta e vetëvendosjes për shtet të pavarur.

Por, krijimi i infrastrukturës me të cilën do të legjitimohej vullneti politik i shqiptarëve, do të ishte i pa kuptim, po që se ato nuk do të përcilleshin me veprimet konkrete, siç ishte organizimi i shtetit paralel (me të gjitha ministritë, duke përfshirë këtu edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme) edhe në rrethanat e pushtimit ushtarak serb dhe të terrorit të vazhdueshëm që ushtronte ndaj shqiptarëve, që ata të shkëputeshin nga ky përcaktim. Kështu, për tetë vite, pushteti paralel i shqiptarëve të Kosovës,u kthye në një armë të fuqishme kundërvënies serbe. Rezistenca insitutcionale, në të cilën u përfshi edhe ajo e armatosura (në fazën e fundit) kur për të u krijuan rrethanat, animoi faktorin ndërkombëtar që të përdor edhe ndërhyrjen ushtarake, siç ndodhi gjatë fushatës ajrore të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.

Në këtë zhvillim historik, roli i Rugovës ishte domethënës, ngaqë nuk iu nënshtruar as presionit ushtarak të Serbisë, që të heq dorë nga rezistenca insitucionale dhe shteti i pavarur, e nuk iu nënshtruar as prapaskenave të brendshme që i vinin nga grupet e ndryshme ideologjike të dirigjuar nga Tirana, Beogradi dhe Moska, të cilat luftonin për pushtet pa ngurruar që të përdornin metodat kriminale të kërcënimeve dhe të vrasjeve, që për pasojë patën likuidimin e disa bashkëpunëtorëve të dr. Rugovës gjatë dhe pas luftës …/ KultPlus.com