Harrison Ford përsëri protagonist në vazhdimin e pestë të “Indiana Jones”

Rikthimi i madh po afron për aktorin e famshëm Harrison Ford. Ai do të jetë sërish në rolin e “Indiana Jones” në një kapitull të pestë të sagës së famshme kinematografike, që pritet të shfaqet më 19 korrik të 2019-ës.

Regjisori do të jetë sërish Steven Spielberg, që ka zhvilluar edhe episodet e mëparshme ndërsa xhirimet do të zhvillohen në muajt e parë të vitit që vjen në Britani të Madhe.

Ky njoftim u bë nga “Disney”, duke i dhënë fund një pritjeje prej gati një dekadë për fansat e arkeologut më të famshëm në botë.

Në fakt, filmi i fundit, “Indiana Jones and the Kingdom of the Crystal Skull”, përkon me vitin 2008, ndonëse nuk arriti të njëjtin sukses madhështor të kapitujve të mëparshëm, arriti të grumbullonte 786 milionë dollarë në botë, ndërkohë që ishin shpenzuar vetëm 185 milionë dollarë, transmeton atsh.

Nga ana e “Disneyt” lihet të kuptohet, sipas medias së specializuar në këtë sektor, nga “Variety” tek “Slash Film”, se ky kapitull do të zhvillohet në të ardhmen, edhe pse për momentin nuk janë dhënë detaje të tjera./ KultPlus.com

Oborri fiton çmimin për videoklipin më të mirë në Venecia (VIDEO)

Videoklipi i këngës “Gjuj me dritë” nga bendi nga Prishtina, Oborri ka fituar çmimin videoklipi më i mirë në festivalin “Ca’ Foscari Short Film Festival” në Venecia, Itali.

Klipi i këngës është realizuar nga Dritëro Mehmetaj, regjisor i ri nga Kosova, i cili për momentin studion në universitetin e filmit “FAMU” në Pragë.

Rolet kryesore në këtë videoklip i luajnë Andi Bajgora, aktori i cili ishte pjesë e çmimeve Oskar me filmin “Shok”, si dhe Rinesa Qeriqi, transmeton KP.

Kënga “Gjuj me dritë” është videoklipi i katërt nga albumi “Oborri”, i cili është lansuar në gusht 2017, dhe reflekton mbi ndjenjat intensive e kaotike të të rinjve që rriten në Prishtinë.

Xhirimet kanë ndodhur në deponinë e madhe të bërllokut në Mitrovicë, dhe pamjet sureale paraqesin një kontrast të fuqishëm në mes të rinisë së bukur me plot shpresë e ngjyra dhe të mbeturinave, pluhurit e kaosit që mbretëron përreth.

Gjuha shqipe 5000-vjeçare më e vjetra ndër gjuhët

Nga: Mili Butka

Origjina e gjuhës shqipe, është një nga çështjet më të diskutueshme në fushën e Albanologjisë. Çabej, në historinë e tij të gjuhës shqipe (1976c), argumenton se rrënjët e gjuhës shqipe duhet të gjendet në një nga gjuhët e lashta të Gadishullit Ballkanik.

Dy teoritë kryesore kanë qarkulluar në literaturën gjuhësore, në lidhje me shqiptarët. Gjuha: ajo që gjen rrënjët e gjuhës shqipe në gjuhën ilire dhe një tjetër, i cili i gjen ato në gjuhën thrakase.

Siç vëren Victor Friedman (1997), debate mbi origjinë trake kundrejt ilirëve, ka bazën e saj në prova serioze, dhe në çdo rast shqiptarët dhe gjuha e tyre janë:

1. Shqiptarët aktualisht jetojnë në disa nga territoret, të cilat ishin të banuara nga ilirët në kohët e lashta; nga ana tjetër, burimet historike nuk flasin çdo migrim shqiptar nga territoret e tjera në ato të tashme.

2. Një numër i elementeve gjuhësore siç janë emrat e gjërave, fiseve, njerëzve, etj, origjina ilire, shpjegohet në gjuhën shqipe.

3. Format toponimike të lashta nga territoret ilire, krahasuar me format korrespoduese të ditëve të sotme, tregojnë se ato kanë evoluar më pas modelet e krijuara nga rregullat fonetike të shqipes.

4. Marrëdhëniet midis gjuhës shqipe dhe Greqisë antike dhe latinit, sugjerojnë se gjuha shqipe mori formë dhe u zhvillua krah për krah me të, këto dy gjuhë fqinje në brigjet e detit Adriatik dhe Jon.

5. Gjetjet arkeologjike dhe trashëgimia kulturore (mit, muzika, kostume, etj), dëshmojnë për vazhdimësinë kulturore nga Ilirët e lashtë, deri në ditët e sotme shqiptarët./ KultPlus.com

33 vite nga vdekja e aktorit Sandër Prosi

Sot janë mbushur plotë 33 vite nga vdekja e aktorit të madh shqiptar Sandër Prosi.

U lind në Shkodër më 6 janar 1920. Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe katërmbëdhjetë vjeç, atje mbaroi shkollën fillore vazhdoi Gjimnazin e Tiranës[1].

Drama e parë në të cilën merr pjesë është “Vilhelm Teli”. Me bursë shtetërore shkoi për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike. Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”.

Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Levonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e më se 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të shikuesve. Krijimet e Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vend të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit.

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Sandër Prosi, Presidenti i Republikës e nderon me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në 24 shkurt 2017, aktori Sandër Prosi u nderua me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes.

Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në teatër ka interpretuar tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaja Vanja” etj. Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Horizonte të hapura” (1968), “Plagë të vjetra” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe “Pranverë e hidhur”, filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.

Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”./ KultPlus.com

Fotografitë nga shfaqja “Çifti Martin” me regji të Bekim Lumit, shiten për të ndihmuar atë (FOTO)

Vazhdon ndihma në forma të ndryshme për regjisorin e njohur kosovar Bekim Lumi.

Së fundmi fotografi Petrit Prenaj, ka nxjerrë në shitje dy fotografi të realizuara nga shfaqja e vetë regjisorit Lumi “Çifti Martin”, e inskenuar në vitin 2009 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Këto dy fotografi të realizuara me shumë mjeshtri nga Petriti sjellim pak nga arti i madh i Lumit. Petrit Prenaj, këto fotografi i ka nxjerrë në shitje përmes rrjetit social facebook, me mbishkrimin: “Le ta ndihmojmë me art Bekim Lumin. Duke blerë këtë dy foto, të cilat i kam realizuar nga shfaqja e tij “Çifti Martin”, më 2009, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ju mund të kontribuoni në shërimin e Bekimit. Çmimi për secilën nga fotot nis nga 120 Euro, me mundësi që atë ta rrisni vetë sa të doni. [email protected] ose 044 222 988”, shkruan Petrit Prenaj./ KultPlus.com

Intervista ekskluzive e Aleksandër Moisiut në lidhje me debutimin e tij në Paris

Gazeta parisien, Comoedia, ka botuar, të dielën e 9 tetorit 1927, në ballinë, intervistën ekskluzive të zhvilluar asokohe me aktorin më të madh gjerman me origjinë shqiptare – siç e quan ajo – Z. Aleksandër Moisiun, të cilën, Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”:

“Franca ka një stil”, “Gjermania është një laborator”, na tha Z. Aleksandër Moisiu

Aleksandër Moisi ka lindur në Trieste, nga një baba shqiptar dhe një nënë fiorentinase. Natën e kaluar, ai ishte duke luajtur “Hamletin” në Këln. Dje, ai mbërriti në Paris në orën pesë. Në orën gjashtë më priti në hotelin e tij.

Një sallon i vogël me një tavan të artë dhe kolltuqe të kuqe. Ca valixhe të mëdha në cep, pranë një tavolinë e stolisur vetëm me një telefon, shkurtimisht, një dekor në harmoni të përsosur me këtë njeri ndërkombëtar, i cili pas dhjetë ditësh, do të niset për në Amsterdam, dhe pastaj për Amerikë.

Moisi është gjerman i natyralizuar që prej 1918, dhe ai, pa dyshim, është aktori më i madh gjerman. E pyeta atë se cilat ishin situatat krahasuese të teatrit gjerman dhe atij francez.

Aleksandër Moisiu : – Franca është vendi i traditës. Gjermania, ajo e iniciativave moderne. Gjermania rrallëherë kthehet prapa. Ajo sheh të ardhmen. Franca ka dashurinë e së kaluarës. Ju keni një stil. Ne jemi një laborator provash dhe përpjekjesh të guximshme. Tradita juaj është gjithashtu një cilësi, një virtyt. Arti duhet të jetë i vazhdueshëm. Ne neglizhojmë traditën për të hapur rrugë të reja. Arti reflekton jetën. Jeta jonë është më e shpejtë, plot gulçim. Një shfaqje që zgjat tre orë e mërzit publikun tonë. Francezët ka më shumë durim !

Pierre Lagarde : – Është herë e parë që do të luani në Paris ?

Aleksandër Moisiu : – Po. E megjithatë, kam dhënë shfaqje, në vitin 1913, në Vaudeville, në një pantomimë të “Një mijë e një netë – Mille et une Nuits” që solli Max Reinhardt : “Sumurun”. Por kujtimet kanë vdekur, ashtu siç ka vdekur ky teatër…Të hënën në mbrëmje do të jetë dita e debutimit tim këtu. Do të luaj rolin “E kufomës së gjallë – Le Cadvre vivant” në gjermanisht dhe, në frëngjisht, një pjesë tjetër të Tolstoit. “E gjithë e mira vjen nga ajo – Tout le bon vient d’elle”, në të cilën mbesa e Tolstoit do të luajë një rol të vogël e të heshtur. Kjo është hera e parë që do të luaj në frëngjisht…

Pierre Lagarde : – Çfarë mendoni për teatrin tonë bashkëkohor ?

Aleksandër Moisi çohet. Shikimi i tij bëhet më i ndritshëm.

Aleksandër Moisiu : – Teatri juaj aktual ? Është shumë më cilësor se ai para lufte. Paul Raynal është po aq i madh sa dhe poetik. Më pëlqen Lenormand, Natanson, Jules Romains. Kur të kthehem nga Amerika, do të luaj në Vjenë “Varri në Harkun e Triumfit dhe Frikacaku – Le Tombeau sous l’Arc de Triomphe et Le Lâche”.

Pierre Lagarde : – Çfarë roli preferoni nga të gjithë ato që keni lujatur ?
Aleksandër Moisiu : – Varet. Ne nuk jemi çdo ditë i njëjti njeri. Jeta për ne lind çdo mëngjes. Por kam luajtur më shumë se 1.200 herë “Hamletin”, dhe më shumë se 1.000 herë “Kufomën e gjallë”.

Moisi u ul përsëri… Duket i shqetësuar :

Aleksandër Moisiu : – Mbi të gjitha, mos më bëni të them asgjë të pakëndshme. E dua Francën marrëzisht. Kanë thënë për mua shumë gjëra të çuditshme. A nuk kanë pretenduar, se gjatë luftës, kam fluturuar mbi Paris me një Fokker ? Çfarë absurditeti !

Aktori i madh u ngrit përsëri, i indinjuar. Ai ecën në dhomë, ndalet dhe më vështon drejt në sy.

Aleksandër Moisiu : – Nëse nuk do ta doja Francë siç e dua, me mendjen dhe zemrën time, a do të isha sot në Paris ?

Zilja e telefonit shkurton bisedën tonë. Z. Moisi duhet të përsërisë pas një çerek ore në Teatrin e Arteve. Duhet të na lë. Duke më shtrënguar dorën, ai shtoi :
Aleksandër Moisiu : – Ju jeni francezi i parë sot që është u interesuat për mua… Faleminderit…

“Lule Lule”, përmes zërave të mrekullueshëm të Arbëreshëve të Italisë (VIDEO)

Po sjellim sot një video interesante të Arbëreshëve të Italisë, teksa këndojnë këngë “Lule Lule”, shkruan KultPlus.

Video është publikuar nga faqja The Albanian, të cilët kanë bërë thirrje që kjo video e Arbëreshëve të shpërndahet sa më shumë duke i promovuar vlerat e mirëfillta shqiptare. / KultPlus.com

Konferenca Internacionale e Arkitekturës dhe Urbanizmit vjen në Prishtinë

Instituti Amerikan i Arkitekteve (AIA) dega për Evropë (AIA Europe) organizon konferencën Internacionale të Arkitekturës dhe Urbanizmit në Prishtinë më 5-8 prill 2018 (Youth Space & Urban Transformation – An AIA Europe Conference on Architecture and Urbanism – Pristina, Kosovo, shkruan KultPlus.

Është hera e parë që një event i tillë mbahet në Kosovë, dhe është privilegj për të gjithë ne që AIA Evropë ka zgjedhë Prishtinën të mbajë konferencën pranverore për vitin 2018.

Në kuadër të programit të konferencës, do të ketë edhe ligjërata mjaft interesante nga prezantues ndërkombëtare dhe vendor, prezantime, panele diskutimin, si dhe vizita në objekte të ndryshme dhe një vizitë qendrës së qytetit./ KultPlus.com

“Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”

Mit’hat Frashëri i ka renditur disa konkluzione për shqiptarët, që edhe sot janë po aq aktuale sa dukur. Më poshtë mund t’i lexoni thëniet më të veçanta të tij… për shqiptarët!

1. Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2. Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3. Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit.

4. Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5. Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6. Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës ti themi të bardhë dhe të zezës të zezë.

7. Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8. Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9. Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10. Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11. Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë… pak!”

12. Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë./ KultPlus.com

Francezi që jeton prej 15 vitesh në Shqipëri: Në Francë jam i huaj (VIDEO)

Erve Luazole (Herve Loiselet) është një shtetas francez që jeton e punon në Shqipëri. Kur ishte student në vitin 1987 dëgjon në një radio një lloj propagande në frëngjisht, anglisht e italisht. Ishte Radio Tirana.

“Ishte shumë e çuditshme dhe mendova: ku është ky vend? Vendosa të shkoja në Ambasadën Shqiptare në Paris të merrja informacion për këtë shtet”, tregon Erve.
U nis i vetëm me tren nga Nisa në Bari dhe nga Bari drejt Durrësit me anije.
“Isha i shokuar nga dy gjëra. Së pari, nga varfëria. Pyesja veten si ka mundësi që janë kaq afër Europës dhe kaq të varfër? Tronditja e dytë kishte të bënte me një ndjesi, se e njihja këtë vend. Më dukej shumë i afërt dhe mendimi i parë ishte se unë duhet të jetoja këtu”, shprehet Erve.

Më pas, shkonte e vinte, ndërsa në vitin 2003 vendosi të shpërngulej nga Franca. Bleu një shtëpi dhe mori me qira një zyrë, ku ushtron profesionin si “interior designer”. Fillimisht, mori leje 5-vjeçare qëndrimi dhe tani ka leje të përhershme.
“E kam në mendje që pse jo një ditë të marr pasaportë shqiptare, por unë nuk flas mirë shqip. Flas si një 5-vjeçar. Kam mësuar me vesh, por kuptoj mirë”, deklaron francezi.
Një francez mund të ketë disa shtetësi, nëse dëshiron. Në Francë, Erve ka prindërit dhe vëllanë. Këtu jeton i vetëm. Por, çfarë u thotë francezëve për shqiptarët kur shkon atje?
“Unë jam një ambasador i vërtetë. Shumë shokë dhe familjarë më vizitojnë në Shqipëri dhe mbeten të habitur. O Zot, sa mirë është këtu! Ata kanë dëgjuar shumë gjëra të këqija për Shqipërinë, por kur je këtu, ti je mirë, pasi natyra është e bukur, njerëzit shumë të këndshëm, kështu që ndihen rehat dhe të sigurt. Është një vend i përkryer për të jetuar”, thotë Erve.

Një i huaj mund të blejë shtëpi në Shqipëri, por jo tokë bujqësore. I magjepsur nga jugu i Shqipërisë, në vitin 2005, Erve bleu një shtëpi në fshatin Qeparo. Të bësh biznes me shqiptarët është pak orientale, thotë ai.
Sipas Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri jetojnë aktualisht rreth 12 mijë të huaj, të pajisur me leje qëndrimi.
Erve tregon se çfarë i pëlqen dhe çfarë jo në vendin tonë: “Mund të pish kafe, madje të firmosësh një kontratë në një kafene. Më pëlqen ky stil, pasi në Europë, në Francë, ne e harrojmë këtë mënyrë jetese. Atë mund ta gjejmë këtu, një jetë shumë natyrale.
Nuk më pëlqen fjala “me kismet”. Sepse “me kismet” do të thotë “ndoshta nesër”. Nuk ka “ndoshta”, ka “po” ose “jo”. Është e vështirë për një shqiptar të thotë “jo”.
Nuk më pëlqen edhe zhurma. Zhurmë në rrugë, boritë e makinave… As ata që bërtasin për Jemi këtu për lavatriçe dhe soba”./ KultPlus.com

Serbët protestojnë në Vjenë kundër sulmeve të NATO-s

Serbët po vazhdojnë të nxisin urrejtje kundër kosovarëve, kudo që ata janë.

Me rastin e 19 vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, qytetarë serbë dje kishin dalë në Vjenë të Austrisë duke protestuar kundër Kosovës, raporton Indeksonline.
Me pankarta ku shkruhet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova e Metohija është Serbi”, ata po protestonin kundër sulmeve që NATO-ja i bëri caqeve serbe më 24 mars të vitit 1999.

Kujtojmë se sulmet ajrore ndaj forcave serbe dhe malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kurse më 11 qershor të 1999-ës, ata u detyruan të largohen nga Kosova.
Sulmet e NATO-s kishin nisur me urdhrin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili tashmë njihet si miku më i mirë i Kosovës./ KultPlus.com

Ideja e tmerrshme për rrënim të Grand-it, mund të bëhet vetëm “për të mbuluar abuzimet”

Një nga objektet më emblematike të vendit, po synohet të rrënohet. Mendja e shëndoshë një gjë të tillë nuk e thotë. Por, një gjë e tillë po konsiderohet e “tmerrshme”, raporton Ndërtimi.info.

Fjalët në ditët e fundit se amerikanët ia kanë vënë syrin Hotel Grand-it kanë bërë bujë. Mirëpo kjo etapë filloi nga artikulli i New York Times për Hotel Grandin, ku presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se mund të bëhet në vend të Grandit një “Trump Tower”.

Në këtë rrjedhë, ish-drejtuesi i këtij hoteli, Zekë Çeku ka folur për portalin Infokus ku kishte thënë se ky hotel duhet rrënuar dhe të mjaftohet vetëm me shtylla, duke insistuar të ndërtohet një tjetër hotel që të investohet “seriozisht”.

Ndër të tjera ishte thënë se ka 230 lëshime në ndërtim dhe nuk ka pranim teknik, teksa një gjë e tillë ekziston. Madje, një nga njerëzit që ka prekur me dorë shumë dokumente të tilla, Arbër Sadiki, jep për Ndërtimi.info, faqen e fundit të procesverbalit për pranimin teknik të Grand-it. Madje në këtë dokument janë edhe nënshkrimet e komisionit që kishin kryer këtë process.

Arkitekti Arber Sadiki, i cili ka studiuar në shumë rrethe punën e arkitketit Bashkim Fehmiu, që e ka bërë edhe Hotel Grandin, thotë se “është punuar” që ajo hapësirë të degradohet dhe të shndërrohet në një hapësirë të braktisur, sikur ishte thënë në të përditshmën njujorkeze ditë më parë. Këtë gjë Sadiki e kishte thënë edhe disa netë më parë në një diskutim për “Hapësirat e Braktisura të Kosovës”, të organizuar nga CHwB.

Kjo gjë, sipas Sadikit, bëhet edhe më e bindshme, kur për këtë gjë flet edhe ish-menaxhuesi i këtij subjekti në sensin ekonomik.

Ai, për Ndërtimi.info, ka renditur disa arsye pse nuk duhet rrënuar Hoteli emblematik Grand.

“Grandi nuk mund të shembet për milion arsye.
Është i lidhur me memorien e secilit qytetar jo vetëm të Prishtinës, por të gjithë Kosovës.
Është një nga veprat e rëndësishme të periudhës arkitektonike të Modernës së vonë në Kosovë.
Është një nga veprat e pakta të realizuara nga arkitekti i parë kosovar, profesori Bashkim Fehmiu.
Të gjitha hotelet e ndërtuara pas luftës së fundit, kanë cilësi ndërtimore dukshëm më të dobët se Grandi. Këtë e dëshmon më së miri pjesa e “renovuar” e tij.
Objekti është në listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë arkitekturore”.
E ka vetëm një arsye pse duhet shembur, që Sadiki e thotë se është “Që shembja të mbulojë të gjitha abuzimet me të”./ KultPlus.com

Skënderbeu ideator i Bashkimit Europian

Është ky popull që, në mënyrë të paepur, me plot sakrifica të mëdha dhe me djersë e gjak ka mbrojtur rrënjët e tij, identitetin e tij dhe qenien e vet kombëtare. Familja Kastrioti e kishte famën e saj të madhe gjatë historisë dhe qeverisjes së Epirit. Kjo familje mbretërore ishte padyshim e shenjtëruar që në rrënjët e saj kombëtare. Ndaj, jo rastësisht, Kruja ishte metropol dhe kryeqytet i shtetit të Arbrit.

E vërteta është e patjetërsueshme, sado që gjatë proceseve dhe situatave të ndryshme të jetës së kombeve mundohen t’i vihet ndonjë shtesë apo ndonjë “por…”. Kurdoherë ajo mbetet e vërtetë në origjinalitetin dhe në bazën e saj burimore. Dhe kështu, kur ajo zbulohet përballë kombeve, e njeh gjuhën e saj të veçantë.

Gjergj Kastrioti ishte në moshën 29-vjeçare kur mori sërish në zotërim kështjellën atërore dhe brenda 33 ditëve e shtriu autoritetin e tij kushtetues në mbarë Shqipërinë. Shndërrimi i kështjellës së Krujës në një pikë strategjike të rezistencës heroike të kombit shqiptar europian, më pas të diplomacisë, artit luftarak dhe politikës parimore kundër pushtuesit barbar otoman përbënte, në fakt, edhe shndërrimin e kohës dhe të transformimeve të mëdha të Epirit, respektivisht të shtetit shqiptar europian, në rrugën e tij të zhvillimit dhe të ardhmërisë së tij të përbashkët europiane. Historia bëhet akoma më bindëse dhe më konceptuale kur shohim se si në këtë moshë arriti ta testojë gjithë personalitetin e tij përballë sfidave që i dilnin përpara, si të arritjes së çlirimit të vendit, ashtu edhe të pavarësisë dhe themelimit të institucioneve qeverisëse të shtetit të Arbrit. Po ashtu, faktet duket të bëhen edhe më bindëse që ai ishte një trashëgimtar besnik i traditave europiane të kombit shqiptar; dhe kjo tregon se ai e bëri këtë ashtu siç edhe do të duhej të ishte në të vërtetë, brez pas brezi.

Si princ i urtë dhe vizionar, ai instaloi në jetën politike dhe institucionale moralin dhe përgjegjshmërinë, vlerën e përbashkët të qeverisjes demokratike. Më pas theksoi identitetin politik,demokratik, si dhe rregullimin e shtyllave bazike dhe juridike të shtetit kushtetues. Politika në vetvete përmban një nga elementet thelbësore të moralit dhe të imazhit të pushtetit aktiv, efektiv dhe parimor. Nëse morali i saj (i politikës) ngjason me llambën që ndriçon sektorët e ndryshëm të dhomave të institucioneve të shtetit, atëherë ajo ka arritur shkallën më të lartë të ndërgjegjes kombëtare e politike dhe të identitetit të saj shtetëror, në dritën e historisë së zhvillimeve pozitive të kombeve.

Kombet, por sidomos ato që i kanë rrënjët e lashta, kanë pasur fatin të përfaqësojnë kombet më të sulmuara nga kthetrat e ujqërve barbarë, me gjithë përpjekjet e tyre për t’i nënshtruar, pastaj skllavëruar dhe shkulur rrënjët e lashta të kombit shqiptar.
Gjithmonë ky komb, si yll i zbritur nga qielli, ka pasur fatin të jetë i mbrojtur si nga dora e dashur e Atit qiellor ashtu edhe nga njerëzit, të cilët kanë pasur bekimin e tij që ta mbrojnë kombin nga shuarja e tij totale dhe nga deformimet prej demoni në fytyrën e
historisë së këtij kombi biblik. Një ndër personalitetet kryesore të kombit shqiptar europian, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e kombit shqiptar, si dhe në atë të historisë botërore dhe europiane në veçanti, është Gjergj Kastrioti, strateg, diplomat dhe lidership vizionar i kombit shqiptar. Gjergj Kastrioti, gjatë përpjekjeve të mëdha historike kishte dy objektiva strategjike-politike: e para, ajo çfarë vendi kishte
më së shumti nevojë ishte liria (e brendshme dhe e jashtme), çka nënkuptonte edhe pavarësinë e vendit. Ndërsa e dyta, rikthimi i kombit shqiptar në vendin e tij shpirtëror, kulturor e të natyrshëm, pra në familjen e gjerë europiane, që nënkuptonte rikthim në
identitetin europian të kombit shqiptar, pasi pushtimi barbar turk e kishte skllavëruar, deformuar dhe ndalur në kohë këtë komb në rrugën e tij drejt të ardhmes, në unitet me familjen e saj europiane. Shekulli XV është shekulli i diplomacisë së fitoreve të Gjergj
Kastriotit; shekulli XV është shekulli i përpjekjeve të tij historike në çlirimin e plotë të kombit shqiptar nga barbarët turq, si dhe i vendosjes së kombit shqiptar në kohën europiane dhe në dinamikën e përgjithshme të zhvillimit drejt të ardhmes së përbashkët si familje. Shekulli XV, po ashtu, është shekull i testit diplomatik dhe gjeopolitik të Europës në zhvillimin e politikës së saj të jashtme dhe të vendosjes së bazës së saj të fuqishme në ruajtjen dhe në jetësimin e vlerave të saj shpirtërore, kulturore etj., si dhe mbrojtja nga barbaria e egër turke dhe nga erërat ideologjike të kësaj perandorie barbare.Prandaj “kjo është ajo që më bën mua të pavdekshëm si shqiptar europian! Gjaku i Gjergj Kastriotit vlon i pastër ndër venat e mia, ndërsa shpirti i tij i madh e ruan qenien tonë kombëtare dhe europiane të palëkundur drejt rrugës së ardhmërisë”.

Gjon KEKA, Skënderbeu ideator i Bashkimit Europian, Botart Tiranë 2012.

“The Albanian Recruit” pjesë e festivalit ‘London Independenent Film Festival

Film “The Albanian Recruit” i regjisorit Sunaj Raça ështe selektuar në festivalin London Independenent Film Festival.

Filmi “The Albanian Recruit” flet për dukuritë negative në shoqërinë tonë. Filmi ka për subjekt të rinjtë e rekrutuar në grupe kriminale, të cilët shërbejnë për të kryer krime nga më të ndryshmet.

Në film luajnë Edon Mulaj, Don Raça, Bekim Mulaj, Sunaj Raça, Mirsad Ferati, Safete Rugova, etj. Në këtë festival është i nominuar aktori i ri Edon Mulaj për çmimin aktori më i mirë në film internacional. Ceremonia e ndarjes së çmimeve mbahet në Londër më 22 prill./ KultPlus.com

Adea Shabani besohet se është vrarë, i dashuri i saj kryen vetëvrasje pas ndjekjes së policisë

Aktorja ambicioze nga Maqedonia, Adea Shabani, e cila u zhduk në mënyrë misterioze në apartamentin e saj në Hollivud muajin e kaluar, besohet se është e vdekur – dhe burri i cili ishte në lidhje me të bëri vetëvrasje të enjten pas përndjekjes nga policia.

Adea Shabani, nga Maqedonia, shkoi në SHBA më pak se dy vite më parë për të ndjekur karrierën e saj në aktrim.
Ajo jetonte në Los Anxhelos, ku për herë të fundit ishte parë më 23 shkurt, afër shtëpisë së saj.

Policia e konfirmoi për FOX11 se familja dhe miqtë e saj besojnë se Adea ka vdekur. Chris Spotz, 33 vjeç, që gjithashtu ishte një aktor ambicioz, ishte në lidhje me Adean.
KTLA raportoi se ai dhe Adea ishin takuar në një shkollë të aktrimit. Zyra e Sherifit në Qarkun e Riverside tha se Spotz tentoi të ikte nga policia me një kamion të vjedhur.

Spotz raportohet se kishte një pasagjer në automjetin e vjedhur por u ndalua që ta linte personin të dilte jashtë, para se të vazhdonte ikjen e tij nga policia.
Shoferi më pas qëlloi veten në kokë, përderisa policia tentoi të krijonte një kordon bllokues në rrugë për ta ndalur atë, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet i thanë NBC Los Angeles se automjeti mund të jetë përdorur për vrasje. Detaje të tjera rreth vrasjes nuk u bënë publike. Policia beson se Shabani u vra në një rajon mes Hollivudit dhe Sakramentos.

Policia po vazhdon ta kërkojë trupin e Adeas dhe zhdukjen e saj misterioze. Nëna e Adeas tashmë ka angazhuar një hetues privat për të ndihmuar në kërkimin e saj.
Miqtë dhe familjarët e Adeas filluan të brengosen për të kur ajo nuk ishte më aktive në rrjetet sociale dhe as nuk e hapte celularin./ KultPlus.com

Vdes fituesja e parë e Eurovizionit

Fituesja e parë e garës së këngës në Eurovizion, Lys Assia ka vdekur në moshën 94 vjeçare.

Assia ka fituar këtë çmim për Zvicrën më 1956.

Organizatorët e garës kanë njoftuar për vdekjen e saj më 24 mars në Cyrih dhe kanë thënë se ajo është përballur me probleme shëndetësore vitet e fundit.

Eurovizioni e ka përshkruar atë si “zonjën e parë” të garës dhe ka thënë se do ta nderojë atë në ditët në vijim.

“Ne jemi shumë të pikëlluar me lajmin se Lys Assia, Dama Madhështore e Eurovizionit ka vdekur. Fituesja jonë e parë më 1956 dhe mbështetësja e garës sonë përgjithmonë”, është thënë në një postim në Twitter nga organizatorët e Eurovizionit./ KultPlus.com

Dua Lipa e Calvin Harris së shpejti me “One Kiss”

Dua Lipa dhe Calvin Harris do të sjellin një këngë të re bashkë. Kënga e dyshes së njohur do të titullohet “One Kiss”.

Në javën e shkuar, Harris e postoi një fotografi në faqen e tij në Facebook në të cilën ishte një kod për skanim. Pas skanimit, aty shfaqej “Calvin Harris & Dua Lipa – One Kiss”.

Detajet tjera nuk janë publikuar akoma. DJ i njohur ka qenë në lidhje dashurie me këngëtaren tjetër kosovare, Rita Ora./ KultPlus.com

“Dasma arbëreshe” opera e parë kosovare

“Dasma arbëreshe” është opera e parë kosovare, premiera e saj u bë në Prishtinë me rastin e 125 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Kjo operë shënoi krijimin e Operës Nacionale të Kosovës, shkruan KultPlus.

Opera e cila ndahet në tre akte, u kompozua nga Rauf Dhomi, regjisor ishte Milto Kutali, me koreografi të Gjergj Prevazit. Skenografia dhe kostumet u realizuan nga Agim Zajmi. Dirigjenti i operës ishte djali i kompozitorit të veprës, Arbër Dhomi.

Me rastin e premierës rolin e baronit e interpretoi baritoni shqiptar Agim Duro. Ndërsa rolin i Arbërit u interpretua nga tenori Kastriot Tusha.

Historia është se disa shqiptarë janë dëbuar në Napoli pas vdekjes së Skënderbeut. Arbëri është i trishtuar që është larg nga shtëpia, por i lumtur që do të martohet me nusen e tij. Mirëpo, baroni italian dëshiron të fle i pari me të, duke u thirrur në të drejtën fisnore. Arbëri duhet ta vras baronin pasi që nuk ka rrugëdalje tjetër.

Opera e parë në Kosovë “Dasma Arbëreshe” e autorit dhe drejtorit të atëhershëm të filarmonisë, Rauf Dhomi u inskenua në nëntor të viti 2002, ndërsa në vitin 2004 inskenohet Opera “Carmen”, e dyta me radhë në Kosovë. Po ashtu në vitin 2004 është themeluar Opera e parë e Kosovës, si sektor në kuadër të Filarmonisë së Kosovës./ KultPlus.com

Përfundon projekti i Manastirit të Mesopotamit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të diele duke promovuar anën kulturore të vendit.

Ai ka publikuar një video në Facebook, ku publikon pamje të manastirit të Mesopotamit në Sarandë.

Rama bën me dije se ka përfunduar projekti për ndërhyrjet e nevojshme mbrojtëse.

Kryeministri thotë se puna nis së shpejti, duke ruajtur pamjen historike të manastirit.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje fantastike të manastirit të Mesopotamit, për të cilin është përfunduar projekti për ndërhyrjet e nevojshme mbrojtëse dhe puna nis së shpejti, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

Sot 129 vite nga lindja e Mithat Frashërit

Në Janinë më 25 mars të vitit 1889, lindi Mithat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit, udhëheqës ushtarak i Lidhjes se Prizrenit – Mithati ishte, pra, nipi i Samiut dhe Naimit.

Mithati shkollohet në Stamboll, punësohet në administratën osmane. Ai kujtohet jo vetëm për prejardhjen, por edhe për librarinë, partinë (Balli Kombëtar), dhe kundërshtimin e komunizmit.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta, transmeton KP.

Në moshën 32-vjeçare u largua përfundimisht nga Stambolli dhe udhëtoi për në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në Qeverinë e Shqipërisë e krijuar nga Ismail Qemali ai u zgjodh ministër i botores. Më 30 mars 1913, dha dorëheqje nga detyra prej indinjatës kundrejt qëndrimit të kryeministrit ndaj rrethimit të Janinës.

Në janar 1923 filli detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Sipas Mehdi Frashërit: “Më 1924-1925 kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.

Në nëntor 1944, Frashëri ikën nga Shqipëria. Vdes papritur në një hotel në Nju Jork më 3 tetor 1949, si pasojë e goditjes në zemër – spekulohet se vdiq i helmuar nga KGB-ja, ndërsa Amerika kishte filluar përgatitjet për një operacion klandestin kundër regjimit komunist në Shqipëri, ku Mithati ishte zgjedhur me konsensus kryetar komisioni koordinues mbarë shqiptar në mërgimin për këtë operacion, prandaj edhe vdekja e tij e papritur hodhi hije dyshimi./ KultPlus.com

Sopranoja kosovare fiton dy çmime të rëndësishme në konkursin Glyndebourne Opera Cup (VIDEO/FOTO)

Në Glyndebourne të Anglisë, në një nga shtëpitë operistike më me nam, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi në një garë tejet të fuqishme, mbrëmë ka fituar dy çmime të rëndësishme në konkursin Glyndebourne Opera Cup, shkruan KultPlus.

Elbenita Kajtazi në këtë garë operistike në Londër ka marrë vendin e tretë si dhe çmimin e publikut.

Ndërkaq çmimi i parë shkoi në SHBA ndërsa i dyti në Francë.

Glyndebourne Opera Cup – është një konkurs ndërkombëtar për këngëtarë të operës i cili është projektuar për të nxjerrë në pah artistë të rinj të talentuar nga e gjithë bota, duke u ofruar atyre një çmim prej 15 mijë funtash dhe mundësi për nisjen e një karriere ndërkombëtare në operë./ KultPlus.com

Tri këngëtaret shqiptare me famë botërore në mesin e artistëve që përkrahën ‘March For Our Lives’ (FOTO)

Dje qindra protestues kanë qenë pjesë e organizimit “March For Our Lives” në Washington D.C., protesta e dytë më e madhe gjatë këtij muaji kundër dhunës me armë. Në mesin e protestues pati edhe shumë artistë duke përfshirë edhe dy këngëtaret shqiptare Rita Ora dhe Bebe Rexha, shkruan KultPlus.

Bebe Rexha iu është bashkangjitur protestuesve të cilët kanë marshuar në rrugë në Washington D.C. Në anën tjetër Rita Ora ka shfaqur përkrahjen e saj duke performuar para protestuesve në Los Angeles. Pjesë e kësaj ka qenë edhe Dua Lipa, e cila përkundër që nuk ishte në marshin “March For Our Lives” përmes një postimi në Instagram ka mbështetur këtë iniciativë të nxënësve.

Ajo ka bërë thirrje që të mbrohen fëmijët dhe të ndalohet dhuna.

“E trishtuar që jam në anën tjetër të botës kur kjo është duke ndodhur, por shumë e lumtur që shoh kaq shumë njerëz që janë mbledhur dhe qëndrojnë për atë çka besojnë. Duhet t’i vjen fundi dhunës me armë dhe kolektivisht duhet të sigurohemi për këtë. Le të mbrojmë fëmijët, të mbrojmë të ardhmen tonë”, ka Lipa, që momentalisht është në Australi.

Këtij organizimi i janë bashkangjitur edhe artistë të tjerë si :Paul McCartney, Jennifer Hudson, Common, Lin-Manuel Miranda, Miley Cyrus, Vic Mensa, Ben Platt, Ariana Grande, Andre Day, Demi Lovato e të tjerë.

The March For Our Lives është organizuar nga lëvizja “Never Again” e cila është krijuar nga një grup i studentëve (të cilët i kanë mbijetuar sulmit të 14-të shkurtit në shkollën e mesme në Parkland të Floridës) dhe nga organizata për kontroll të armëve e cila udhëhiqet nga ish-kryetari i bashkësisë së New York-ut, Michael Bloomberg./ KultPlus.com