Hapet Pavijoni i Kosovës në Festivalin e Kanës

Për të shtatin vit me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës vazhdon prezencën në festivalin e Kanës me pavijon në tregun më të madh të filmit në botë ‘Marche Du Film’.

Dje ka filluar edicioni 71 i Festivalit të Kanës dhe Kosova ka pavijonin e përbashkët me Shqipërinë i cili do të jetë i hapur deri me 18 maj 2018 në lokacionin të ri në “Village International” i cili është afër Greqisë, SHBA-së, Çekisë, Sllovakisë, Bulgarisë dhe vendeve tjera të ish-Jugosllavisë.

Qendra Kinematografike e Kosovës në treg do të promovoj filmat e fundit Kosovar në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit, gjithashtu do të ketë shumë takime me partner ndërkombëtar të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të mëdha ndërkombëtare dhe producent e distributor të ndryshëm.

Gjatë kësaj kohe përveç përfaqësuesve nga QKK, pavijonin e Kosovës pritet ta vizitoj edhe Ministri i Kulturës, z.Kujtim Gashi.

Qendra Kinematografike e Kosovës së bashku me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë do të organizojnë një koktej rasti për të gjithë bashkëpunëtorët e fondeve të filmit, producent, distributor e përfaqësues të festivaleve./KultPlus.com

‘Një kujtim, mbi mua le një puthje’ (VIDEO)

Elida Kryeziun e kujtojmë për një këngë të mrekullueshme të cilën na e dhuroi vite e vite më parë.

Shumë prej nesh e kujtojnë edhe videoklipin e këngës “Një kujtim” nga Elida, e cila edhe sot është një muzikante profesioniste.

Kënga ‘Një kujtim’ vjen sonte pikërisht si një kujtim i një kohe të bukur muzikore për shqiptarët, një melodi e veçantë për një dashuri të humbur për të cilën nuk humb shpresa.

‘Një kujtim’ ka rreth 12 vite jetë dhe mbetet një prej këngëve më të dashura të kësaj kohe në muzikën shqipe. Po e sjellim sonte këtë këngë dhe një videoklip të këngës, duke kujtuar Elidën dhe zërin e saj unik të mishëruar në këta minuta. / KultPlus.com

Naté e voné unê gjumé nuk kam
në syté e mi në syté e mi
hije më vjen edhe me ngjan
në ty më ngjan në ty
ti nuk vjen
dité pas ditesh t’më largohesh
ti nuk vjen uné e di
jo ti nuk vjen
një trëndafil që mbané në doré
ështê tharë nuk ka aromê
sërish kërkon prit për të qel
ësht von për te ësht von
ti nuk vjen
dit pas ditesh tmë largohesh
ti nuk vjen un e di

Refreni:
Një kujtim mbi mua le një puthje
nat për nat papritur ti u shduke
është von për të haruar
sa shum më ke munguar

Një kujtim mbi mua le një puthje
nat për nat papritur ti u shduke
është von për të haruar
sa shum më ke munguar sa shum

Jo ti nuk vjen e di
Jo ti nuk vjen e di

Tenori Ramë Lahaj, nesër me masterklasë në Prishtinë

Duke filluar në ora 15:00, nesër në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë tenori Ramë Lahaj do të mbajë një masterklasë.

Lahaj, i cili këtyre ditëve po qëndron në Kosovë me ftesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, nesër do të mbajë një ligjëratë dhe një masterklasë në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Evropës 2018.

Lahaj sonte po e mban koncertin e tij në kryeqytet e nesër në këtë ligjëratë e masterklasë të hapur do të ketë mundësi të njoftohet me fansat e tij nga Kosova.

Tenori Ramë Lahaj po bën karrierë të bujshme muzikore jashtë Kosovës me paraqitjet e tij edhe krahas yllit të madh Placido Domingo.

Lahaj është dekoruar këto ditë nga Hashim Thaçi. / KultPlus.com

Sipas basteve, Eurovizionin do ta fitojë shqiptarja Eleni Foureira

Sonte do të mbahet gjysmëfinalja e parë e Eurovizionit – festivalit të madh muzikor që këtë vit mbahet në Portugali.

Do të jenë gjithsej 19 këngë që do të ngjiten në skenë, ndërsa vetëm dhjetë prej tyre në fund të natës do të kualifikohen për në finale të festivalit.

Para se të nisë nata, vëmendja fokusohet tek bastet e ndryshme.
Eleni Foureira – shqiptarja që këtë vit këndon për Qipron në Eurovizion, është momentalisht e para në baste për të fituar edhe gjysmëfinalen e parë edhe festivalin në tërësi. Deri dje këtë pozitë e ka pasur Netta nga Izraeli, por tani e para është ngjitur në listë Eleni.

Sonte Eleni performon e fundit në listë.

Në gjysmëfinale sonte këndon edhe Eugent Bushpepa për Shqipërinë. Në bastet momentale, Eugenti renditet në pozitën e 15-të dhe nuk ka shansa të kualifikohet, gjithmonë sipas basteve.

Nëse bastet kanë të drejtë, atëherë sonte drejt në finale shkojnë Qipro, Izraeli, Estonia, Lituania, Çekia, Greqia, Austria, Belgjika, Armenia dhe Bullgaria. / KultPlus.com

Idlir Azizaj promovon librin ‘Armiku i popullit pa emër’

Në ambientet e Fakultetit Filozofik është bërë promovimi i librit “Armiku i popullit pa emër” nga Idlir Azizaj, botuar nga Pika Pa Sipërfaqe, shkruan KultPlus.

Libri rrok një temë krejt aktuale, por pa qenë ekskluziv në aktualen, në të njëjtën kohë, të përbotshme e universale. Identiteti e të huajësimi me një rrjet referencash prej eruditi, dramaturgu, përkthyesi, autori Idlir Azizaj, sjell te lexuesi një «përrallë therrëse» apo, siç e quan vetë ai «përrallë politike», me shkas deportimin e një shqiptari jashtë Kosovës me vulën ‘i huaj’.

I gjendur në ‘tokën e askujt’, B.A., motivi, personazhi kryesor dhe narratori i veprës, fillon të meditojë rreth temës/ave që e preokupojnë…

Të gjitha kopjet që ishin në promovim u shitën dhe po e njëjta gjë ndodhi edhe në librarin Buzuku. Pas dy ditësh, të interesuarit do të mund ta gjejnë librin përsëri në librarinë Buzuku./ KultPlus.com

Kur të vdes, i dua duart e tua mbi sytë e mi

Poezi nga Pablo Neruda, përktheu nga anglishtja Enkeleda Suti.

Kur të vdes, i dua duart e tua mbi sytë e mi
Dua dritën dhe ngrohtësinë e duarve të tua të dashura
Që ta përcjellin freskinë e tyre përmbi mua, edhe një herë
Dua të ndjej butësinë që më ndryshoi fatin

Dua që ti të jetosh, ndërsa pres për ty, i fjetur
Dua që veshët e tu të dëgjojnë ende erën,
Dua që ta nuhasësh aromën e detit që e deshëm bashkë
Dhe të ecësh mbi rënën që ku ecëm bashkë

Dua që ajo që dua, të vazhdojë të jetojë
Dhe ty që të dua
Dhe të këndoj mbi çdo gjë tjetër
Të vazhdosh të lulëzosh
Me boçe të plota

Që të arrish çdo gjë që dashuria ime e sjell te ty
Që hija ime të udhëtojë me flokët e tu
Që çdo gjë të mësojë përsenë e këngës sime./ KultPlus.com

19 vite nga shuarja e Yllka Domit

Janë bërë 19 vite nga rënia heroike e luftëtares 17 vjeçare, Yllka Domi, e cila ra dëshmore në Betejën e Çabratit, më 7 maj të vitit 1999.

Yllka u vra bashkë me disa bashkëluftëtarë dhe ushtria serbe, për të fshehur gjurmët, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë, për t’u gjetur e rivarrosur më 23 dhjetor 2003 në Kodrën e Çabratit, në Gjakovë.

Në kohën kur ajo u vra, ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme “Mazllom Këpuska” dhe nuk arriti ta përjetonte diplomimin e saj. Por, Yllka ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte poete që premtonte të sillte një frymë të re në poezinë shqiptare.

Sipas profesorëve dhe njerëzve që e njohën, vdekja e Yllkës ishte humbje e një kuadri intelektual, e një atdhetareje dhe poeteje, e cila do të ishte prijatare e proceseve te ndërtimit të shtetit, por edhe shtyllë e kulturës dhe letërsisë.

Yllka u rrit në një frymë atdhetare dhe po përballej gjithmonë me padrejtësitë që po i bëheshin atë kohë kombit shqiptar. Prandaj, ajo ishte e interesuar gjithmonë që të informohet saktë se si po lëvizin gjërat. Kudo ishte aktive, në shkollë, në grupe humanitare, në ndihmë banorëve të zhvendosur dhe aty ku e kërkonte nevoja. Si e tillë, ra në kontakt me shumë të rinj e të reja, të cilët ishin kyçur në bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka kryer kurset për ndihmë të plagosurve në luftë dhe ka ushtruar përdorimin e armëve dhe pastrimin e tyre.

Pop star: Rita Ora duket si një princeshë mesjetare (FOTO)

Këngëtarja shqiptare, Rita Ora mbrëmë ka marr pjesë për të gjashtën herë me radhë në mbrëmjen e njohur të modës “Met Gala 2018”, shkruan KultPlus.

Ajo atje u paraqit me një fustan të errët e kurorë të veçantë, po ashtu ngjyrë të zezë. Ylli ndërkombëtarë gjatë ditës së sotme është komentuar mjaft pozitivisht për dukjen e saj, duke u cilësuar si një nga yjet më me stil.

Pop Star sot i ka dhënë një hapësirë të veçantë këngëtares nga Kosova, duke e cilësuar dukjen e saj si të një princeshe mesjetare.

“Rita Ora di si të paraqitet dhe as këtë vit në Met Gala 2018, dukja e saj nuk të zhgënjen, duke bartur një kurorë të madhe ngjyrë të zezë, mbi flokët e bardha e të gjata”, shkruhet në artikullin e Pop Star dedikuar Rita Orës./ KultPlus.com

Ekspozita “Baballarët e Kosovës”, vjen në Ditën Ndërkombëtare të Familjes

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, hapet ekspozita “Baballarët e Kosovës” me qëllim të shfaqjes së realitetit të baballarëve aktivë kosovarë me fëmijët e tyre, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë organizohet nga “Super Babai”, ndërsa hapet më 15 maj duke filluar nga ora 15:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë./ KultPlus.com

Jam i gjetur edhe unë

Poezi e shkruar nga Teuta Haxhimusa.

I pagjetur nuk jam,
pse një gur varri se patëm fat të çmallemi të dy,
babë e bijë!

Në ankthin e pritjes tënde të pafund,
udhëtar i lirisë edhe unë gjëllijë!
Në qurgun e lotëve të lumturisë sate,
isha aty kur linde secilin fëmijë, o bijë!

Oh, ta dish se në grimcën e fundit të shpresës tënde kapem fort bashkë me ty, i paepur!
Në ambicien e çdo beteje të drejtë, jam i gjetur!
Ta dish se në ballin tënd krenar prehem qetësisht!
Në emrin e nipit dhe sytë e mbesës – jam i gjetur!

Hej, jam i gjetur, jam i gjetur edhe unë!
Unë dhe ti takohemi çdo tik-tak të zemrës sate!
Kalorës i përjetësisë jam i gjetur dhe unë, aty!
I pagjetur nuk jam, pse një gur varri se patëm fat të çmallemi të dy!

(Këto vargje shprehin dhimbjen dhe mirënjohjen e përjetshme për sakrificën e të gjithë atyre kosovarëve që regjimi vrastar serb nuk ju dha as edhe një varr! Gjithashtu, shprehin bashkëndjenjën për të gjithë familjarët e këtyre martirëve të lirisë së Kosovës, e në veçanti këto vargje ia përkushtoj veprimtarit të dalluar, Alishefik Spahiut dhe bijës së tij, Arjetës!)

“Këngë dashurie me korba” vjen para publikut shqiptar

“Këngë dashurie me korba”, shfaqja e cila vjen si teatër muzikor i gërshetuar me atë fizik do shfaqet më 11 maj në sallën Goethe, shkruan KultPlus.

Prania e 4 instrumentisteve live që ndërveprojnë me aktorët dhe publikun shton ngjyrat e spektaklit. Ndërsa këngët interpretohen live nga aktorët e shfaqjes.

Vepra “Këngë dashurie me korba” ka marrë çmimin “Aleksandër Moisu” më 1997.

“Njerëzit nuk i vlerësojnë kurrë fjalët e korbave! Ata më lehtë besojnë gënjeshtrat e pëllumbave!”, thuhet në njoftim. Autor është Bashkim Hoxha, regjia nga Laert Vasili, skenografia dhe kostumet nga Joni Peci ndërsa As. Regjisore, Evisa Budina.

Aktorë do të jenë: Laert Vasili, Arjola Basho, Jaho Guma, Artemisa Kusi dhe Josif Sina.
Muzika live – Jetmir Alku, Yllnor Kurti, Roni Kapllani dhe Fisnik Kurti.

“Këngë dashurie me korba” vepër e autorit Bashkim Hoxha pritet të vijë premierë për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahiviogli” më 11, 12 dhe 13 maj./ KultPlus.com

Letërsia shqipe në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino

“L’Albania dei giovani scrittori”. Me këtë titull, histori shqiptare do të rrëfehen në Torino, krijimtaritë e autorëve të rinj. Ministria e Kulturës në bashkëpunim me departamentin e Kulturës së Rajonin të Pulias, me Fondacionin “Gramsci” dhe Qendrën Shqiptare të Torinos organizojnë prezantimin në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino të pesë autorëve të rinj nga Shqipëria, fitues të projetit “Fondi për mbështetje të krijimtarisë letrare, 2017”, të mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Ministria e Kulturës në zbatim të politikave për promovimin e letërsisë shqipe ka krijuar tashmë disa programe vjetore në mbështetje të letrave shqipe, si brenda dhe jashtë vendit. Një nga projektet që ka ndihmuar në realizimin e veprave dinjitoze të letërsisë shqipe është dhe “Fondi në mbështetje të krijimtarisë letrare”, përmes së cilit mbështeten autorët në procesin e tyre krijues. Vitin e kaluar iu dha përparësi mbështetjes së letërsisë së krijuesve të rinj, me qëllim evidentimin e zërave të rinj në letërsinë shqipe. Përmes këtij fondi u mbështetën 5 autorë shqiptarë deri 35 vjeç.

Ministria e Kulturës përveç mbështetjes në realizimin dhe botimin e veprave, ka ndihmuar edhe në promovimin e autorëve të rinj në panaire dhe festivale si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Në vijim të kësaj nisme, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Rajonin e Pulias, me Fondacionin “Antonio Gramsci” dhe shtëpinë botuese “Salentobooks” do të organizojnë prezantimin e pesë autorëve të rinj nga Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Është e para herë që hartohet një progam i posaçëm për autorët e rinj, me qëllim përkthimin dhe botimin e veprave më të mira në gjuhën italiane. Projekti i titulluar “Albanian Storytelling” synon të shtrihet në kohë dhe të vende të ndryshme.

Autorët pjesmarrës:

Saimir Muzhaka, përfitues i Fondit të Krijimtarisë Letrare me romanin “Qyteti plak”.
Eris Rusi, përfitues i Fondit të Krijimtarisë Letrare me vëllimin me tregime “Ëndrra e fundit e natës”.
Manjola Nasi, përfituese e Fondit të Krijimtarisë Letrare me vëllimin me poezi “Një udhëtim e gjysmë”.
Elona Çuliq, përfituese e Fondit të Krijimtarisë Letrare me vëllimin me poezi “Rranjët e kangës” .
Belfjore Qose, përfituese e Fondit të Krijimtarisë Letrare me vëllimin me poezi “Aurat e natës”./Ata

Interes nga hoteleritë botërore për të investuar në Shqipëri

“Jemi duke u përballur me një fluks në rritje të turistëve dhe për të adresuar nevojën e akomodimit, është hartuar paketa e lehtësirave për hotelet me 4 dhe 5 yje, e cila ka rritur ndjeshëm interesimin e emrave të njohur të hotelerisë botërore për të investuar në Shqipëri”, – deklaroi sot zv.ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrullah Çeku.

Gjatë llogaridhënies publike përpara qytetarëve të Lezhës, ai tha se në kuadër të projektit të “100 fshatrave”, kanë nisur procesin e certifikimit të njësive të agroturizmit bashkë me paketën e lehtësirave fiskale dhe skemën kombëtare të mbështetjes përmes granteve të bashkë investimit.

Ai tha se aktualisht janë duke i shqyrtuar aplikimet për certifikim dhe Shqipërisë shumë shpejt do t’i shtohen dhjetëra njësi të reja agroturizmi në të gjithë territorin e vendit.

Më tej, Çeku tha se për t’ju përgjigjur në mënyrë më të mirë kërkesave të turistëve, është zhvilluar programi “1 mijë të rinj dhe të reja të punësuar gjatë sezonit të verës”, një nismë që synon punësimin e të rinjve, pastrimin e vendit dhe informimin e turistëve mbi aktivitetet rekreative që zhvillohen në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ai tha se kalendari turistik 2018, i cili përmbledh të gjitha aktivitetet dhe ngjarjet artistike të kulinarisë, sportive dhe rekreative e veçanërisht festat tipike lokale që zhvillohen nga janari në dhjetor, nga veriu në jug të Shqipërisë.

Zv.ministri tha se janë certifikuar 50 udhërrëfyes të rinj turistikë që do të jenë të angazhuar për të pritur dhe informuar turistët e huaj gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Duke u ndalur në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, Çeku tha se kanë zhvilluar një numër programesh të reja si, brendimi i produktit të kulinarisë, që synon të shndërrojë produktet bujqësore dhe gatimet tradicionale në ambasadorin më të fuqishëm të turizmit dhe zhvillimin e portaleve dhe kanaleve të reja të promovimit të Shqipërisë turistike nëpër gjithë botën.

“Për kundër të gjitha këtyre zhvillimeve, ne jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka mjedisi dhe në ndikimin që ka mjedisi në forcimin e perceptimit të çdo turisti gjatë qëndrimit në Shqipëri. Ka qenë programi ynë i madh mjedisor me synim një Shqipëri turistike të pastër dhe të gjelbër, që ka mobilizuar dhjetëra e mijëra në betejën kundër papastërtisë, e veçanërisht kundër burimeve të ndotjes. Programi ynë ka qenë operacioni më i madh i pastrimit dhe gjelbërimit në Shqipëri dhe deri tani ka pastruar tonelata mbetje dhe synon 20 milionë pemë të reja deri në vitin 2020”, – deklaroi ai. /Ata/ KultPlus.com

Poezia e Fahredin Shehut publikohet në Pangolin Literary Review në Mauritius

Poezia e Fahredin Shehut është publikuar së fundmi në edicionin e tretë në Pangolin Litetary Review në Mauritus, shkruan KultPlus.

The Pangolin Literary Revieë është një revistë online e poezisë në Mauritius. Poezia e poetit nga Kosova, Fahredin Shehu që është publikuar në këtë revistë, titullohet “Let us celebrate”.

Po ashtu kjo revistë ka publikuar edhe biografinë e shkrimtarit Shehu./ KultPlus.com

Nesër lëshohen në qarkullim pullat postare për Ditën e Evropës

Për nder të Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës nesër lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa 2018 – Urat”.

Urat e punuara me blloqe guri me harqe, që shfaqen në këto pulla postare, janë ndërtime arkitekturore të Kosovës që i përkasin shek. XVI-XX.

Në pullën me vlerë nominale 2 euro është paraqitur Ura në Grykën e Rugovës e ndërtuar gjatë Mesjetës, mbi Lumëbardh që kalon në kanionin e bjeshkëve piktoreske të Pejës.

Ndërkaq, pulla me vlerë nominale 1 euro bartë imazhin e Urës së Vjetër të Gurit në qendrën e qytetit të Prizrenit, e ndërtuar mbi shtratin e Lumbardhit në fund të shekullit XV ose në fillim të shekullit XVI.
Të dy këto ura janë ndër destinacionet më atraktive të turistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ndërtimet karakteristike të këtyre urave u punuan nga mjeshtër të kohës të ndihmuar edhe nga banorët vendas, me material të po atij lokaliteti.
Për madhështinë e tyre me vlerat kulturore e arkitektonike që bartin, ato sot janë në listën e trashëgimisë kulturore të Shtetit të Kosovës.

Filatelia e Kosovës çdo vit emeton pulla postare me pamje të trashëgimisë kulturore të vendit tonë me qëllim të promovimit të saj./ KultPlus.com

Në Kanada u promovua libri “Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999”, i autores Sanije Gashi

Në Toronto, në qendrën kulturore të shqiptarëve të Kanadasë, më 6 maj, u bë promovimi i librit “Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999”, i autores Sanije Gashi.

Fjalën e hapjes në këtë promovim e mbajti presidentja e nderit e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, Ruki Kondaj, e cila shpalosi rrëfimet, të cilat paraqesin një ndër periudhat më të trishta të popullit shqiptar të Kosovës, protagoniste kryesore të të cilave janë gratë që përjetuan llahtarin në shtëpitë e tyre gjatë luftës së viteve 1998/1999, nga forcat okupuese serbe. Përveç adhuruesve të librit, për herë të parë në një ngjarje kulturore, ishte e pranishme edhe zonja Laura Albanese, Ministre e Migracionit dhe e Shtetësisë së shtetit të Ontarios, të Kanadasë, e cila librin e cilësoi një testament, vepër me fakte për krimin e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Po ashtu, në këtë event ishte e pranishme përfaqësuesja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanada, Besa Ademi, e cila librin “Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999”, e vlerëson krahas monumentit të heroinave në Prishtinë.

Ndërkaq, kohë më parë, kryeministri Kanadez, Justin Trudeau, pas marrjes së librit “Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999”, pati shkruar: ‘Zonja Gashi, e vlerësoj jashtëzakonisht botimin e këtij libri, ju faleminderit që keni gjetur kohë ta shkruani.’

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe personalitete të tjera të njohura shqiptaro – kanadeze, në mesin e të cilëve ishte edhe shkrimtarja e njohur, Eglantina Mandia, ku u promovua veprimtaria e saj shumë cilësore./ KultPlus.com

Publikohet promoja e performancës së Dua Lipës në finalen e Ligës së Kampionëve (VIDEO)

UEFA përmes një videoje të shkurtër ka paralajmëruar se ylli nga Kosova, Dua Lipa, do të performojë në ceremoninë e finales së Ligës së Kampionëve.

Kurse gjatë ditës së sotme, këngëtarja Dua Lipa ka publikuar një video të shkurtër që paralajmëron performancën e saj në finalen e Ligës së Kampionëve.

“Shumë e emocionuar që të bashkëpunoj me Pepsin për të përformuar në ceremoninë hapëse të finales së Ligës së Kampionëve”, ka shkruar Dua Lipa në përshkrimin e videos derisa shihen sekuenca të interpretimit të këngës së saj hit “New Rules”./ KultPlus.com

Sonte nis edicioni i 71-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kanë

Sonte do të hap siparin për herë të 71-të një ndër festivalet më prestigjioze botërore të filmit ndërkombëtar.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kanë do të filloi sonte me shfaqjen e filmit nga regjisori iranian, Asgard Farhadi, ndërsa deri më 19 maj, 21 shfaqje do të garojnë për Palmën e Artë.

Ndër filmat në garën për çmimin kryesor të festivalit janë arritjet e veteranëve të kinemasë botërore, si regjisori Jean-Lik Godar dhe Spike Lee, të cilët kthehen në këtë festival pas 27 vjetëve, kur për herë të fundit morën pjesë me “Jungle Fever”.

Festivali do të hapin aktorët Javier Bardem dhe Penelope Cruz me një triller psikologjik “Todos lo saben”, regjinë e së cilit e ka bërë iraniani Farhadi, i cili është në xhirimet e filmit të ri në gjuhën spanjolle.

Kujtojmë se organizatorët u kanë ndalur artistëve të marrin me vete telefonat celular në qilimin e kuq duke mos i lejuar që të bëjnë ‘selfie’.

Theksojmë se presidentja e jurisë nëntë anëtarëshe është aktorja australiane Kate Blanchett. /Telegrafi/ KultPlus.com

Kori i Filarmonisë së Kosovës u prezantua suksesshëm në Britani

Kori i Filarmonisë së Kosovës, për herë të parë u prezantua në një turne në Britaninë e Madhe me projektin “Kthim në të kaluarën: Një rrugëtim muzikor”, ku mbajti tri koncerte. Koncertet u mbajtën me 5 dhe 6 maj në Hasting në bashkëpunim me Korin dhe Orkestrën e Hastingun dhe ndërkaq koncerti i tretë më 7 u mbajt në Londër.

Dirigjenti Rafet Rudi turneun në Britani të Madhe e konsideroi mjaft ambicioze pasi që Filarmonisë së Kosovës iu mundësua të paraqitet para auditoriumit britanik me një program të pasur me muzikë korale shqiptare. Turneu sipas Rudit ka paraqitur një program që ka përfshirë shumë nga fusha e krijimtarisë tonë.

Ndërsa Adelina Paloja, soliste soprano, tha se jemi munduar të prezantohemi sa më mirë dhe ta përfaqësojmë Kosovën në Britaninë e Madhe.

Në këto paraqitje në Britani të Madhe, Kori i Filarmonisë së Kosovës prezantoi vepra të kompozitorëve, si Lorenc Antoni, Gjergj Danush Llapacaj, Jan Kukuzeli,Rexho Mulliqi, Rafet Rudi, Baki Jashari, Thomas Simaku e Mendi Mengjiqi. Ndërkaq, u interpretuan edhe vepra të kompozitorëve të huaj si Tomas Luis de Victoria, Benjamin Britten, John Dowland dhe Jake Runestad.

Në këtë prezantim të Korit të Filarmonisë së Kosovës në Britani të Madhe mori pjesë edhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, në shoqërim të ambasadorit të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Lirim Greiçevci.

Në fjalën e tij përshëndetëse zëvendësministri Hoti e konsideroi se pjesëmarrja e Korit të Filarmonisë së Kosovës në Britaninë e Madhe, konkretisht zëri i Korit të Filarmonisë është prezantimi më i mirë i Republikës së Kosovës si shtet i ri.

Hoti e vlerësoi se Kori i Filarmonisë së Kosovës është në nivelin e koreve që mund të konkurrojnë secilin kor në Evropë dhe është njëri ndër koret më të kompletuara në Ballkan.


Në bisedat që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Filarmonisë, zëvendësministri premtoi se çështja e pagave do të përfundojë ashtu siç janë pajtuar edhe nga ana e ministrisë. Hoti premtoi se MKRS-ja do të bëjë çmos që zëri i Korit të Filarmonisë të jetë prezent në të gjitha qendrat evropiane e botërore sepse janë një kolektivë artistësh që i bën nder artit muzikor, e veçmas shoqërisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Zëvendësministri dhe ekipi i Korit po ashtu pas turneut u takuan edhe me bashkatdhetarë të cilit kishin përgatitur një organizim në lokalet e njohura të Rita Orës.

Promovohet në Bern të Zvicrës romani “1803” i autorit Besim Xhelili

Romani “1803” i autorit shqiptar nga Vjena Besim Xhelili, pas promovimit nëpër disa qytete të ndryshme në Europë, ndaloi në stacionin e radhës në “Zentrum5” në Bern të Zvicrës. Ky roman është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2016, kurse në janar 2018 u botua në gjuhën gjermane dhe atë suedeze.

Me ftesë të Qendrës për Integrim “Zentrum5” në kryeqytetin e Zvicrës Bern, të cilën e udhëheq Brikela Andrea Nune, autori shqiptar nga Austria Besim Xhelili prezantoi para lexuesve romanin e tij me një tematikë interesante të dashurisë, me titull “1803”. Ky aktivitet letrar dhe kulturor u bë në bashkëpunim me Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, ku në cilësinë e kryetarit i pranishëm ishte shkrimtari Dan Kosumi dhe të shoqatës “Përshefca”, e përfaqësuar nga kryetari Fadil Hasani dhe anëtari i kryesisë Bujar Imeri. Me pjesëmarrjen e tyre e nderuan organizatorin dhe autorin, Fatmire Musliu nga Ambasada e Kosovës në Zvicër, krijues shqiptarë të sferave të ndryshme në Zvicër, artdashës dhe dashamirë të librit.

Në një bashkëbisedim me autorin mbi krijimtarinë e tij të deritanishme dhe me fokus tek romani në fjalë, znj. Brikela me një shije të theksuar udhëhoqi bisedën e ngrohtë, duke përçuar tek të pranishmit një kërshëri për mysafirin para tyre. Në anën tjetër z. Xhelili tregoi për aktivitetet e tij në Vjenë të Austrisë, bashkëpunimet me krijuesit e tjerë në Austri, në vendlindje dhe në diasporë, dha disa informata mbi shoqatat e ndryshme shqiptare në Austri, për të dalur tek tematika e shtjelluar në romanin e tij me titullin e mjaft sekret “1803”.

Meqë moderatorja paraprakisht kishte lexuar romanin “1803”, si zakonisht pyetja e parë ishte nëse autori identifikohet me figurën kryesore në roman dhe çfarë do të thotë titulli i romanit. Në përgjigjen e tij autori Xhelili u shpreh mjaft i përmbajtur, duke thënë se lexuesit do ta marrin vesh titullin në fund të pjesës së tretë të kësaj trilogjie, duke pasur parasysh se ai ka në përgatitje e sipër edhe dy pjesët e tjera, por pa dhënë ndonjë detaj se kur do të dalin nga botimi. Ndërsa sa i përket asaj nëse ai identifikohet me personazhin kryesor, ai u shpreh se romani ka në fillim disa të dhëna autobiografike, por në përgjithësi materia në vazhdim është një pjellë e imagjinatës, ka disa gërshetime të reales dhe joreales, mirëpo përparësi i është dhënë mendimit të lirë dhe lirisë së shprehjes. Për autorin me rëndësi është që romani ta argëtojë lexuesin, ta bëjë kureshtar të mendojë, të analizojë nëse e gjen veten diku tek ndonjë personazh dhe të pret me plot kënaqësi e kureshtje vazhdimin dhe përfundimin e ngjarjes me dy pjesët e tjera që ai ka në dorëshkrim.

Me dy melodi intrumentale me motive burimore shqiptare, këtë aktivitet e zbukuran me gjallëri dhe ndjenjën e vendlindjes disa anëtarë të SHKA “Bashkimi” nga Berni. Për fund u shtrua një koktej i vogël rasti dhe autori me shumë kënaqësi nënshkroi librat për lexuesit e tij. Promovimi i radhës i kësaj vepre në gjuhën suedeze do të bëhet me 19 maj 2018 në Stockholm të Suedisë./ KultPlus.com

Shqiptarët ‘pushtojnë’ Eurovizionin, Eugent Bushpepa dhe Eleni Foureria interpretojnë sonte në Lisbonë (VIDEO)

Eugent Bushpepa do të ngjitet i treti në skenë me këngën “Mall”, në gjysmëfinalen e parë të Eurovizion-it që mbahet sonte në Lisbonë të Portugalisë.

Kujtojmë që këngëtari shqiptar i Rock-ut ka marrë vlerësime të mëdha për performancën e tij gjatë provave, kryesisht për vokalin, që duket se është pika e tij më e fortë.

Në skenë Bushpepa do të shoqërohet nga instrumentistët Denis Hima, Gerti Hima, Besnik Nikolli dhe vokalistet Erinda Agolli e Greta Radovani.

Në këtë gjysmëfinale të parë konkurrojnë 19 shtete: Azerbajxhani, Islanda, Shqipëria, Belgjika, Republika Çeke, Lituania, Izraeli, Bjellorusia, Estonia, Bullgaria, Maqedonia, Kroacia, Austria, Greqia, Finlanda, Armenia, Zvicra, Irlanda dhe Qipro.

https://www.youtube.com/watch?v=0KJQlXBROwI

Vlen për t’u theksuar fakti që për herë të parë tre shqiptarë garojnë për tre flamuj të ndryshëm, Bushpepa për Shqipërinë, Ermal Meta për Italinë, dhe Eleni Foureria për Qipron./ KultPlus.com

Ramë Lahaj: Është kënaqësi që sonte performoj në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Sonte do të mbahet koncerti i titulluar “Evropa në zemrën e tij, krenaria e Kosovës”, në të cilin do të paraqitet tenori Ramë Lahaj pas disa viteve mungesë në skenën kosovare. Gjithë kjo pas sukseseve të panumërta që ai po arrin nëpër skenat më të mëdha operistike nëpër botë.

Tenori Ramë Lahaj në konferencën e cila u mbajt sot për media, shpalosi disa detaj për koncertin ndërsa tregoi se sa e rëndësishme është për të koncerti por edhe masterklasa që do të mbajë.

Fillimisht Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian tregoi se qendra ka pasur disa organizimi gjatë këtyre ditëve për të shënuar Ditën e Evropës. Mirëpo sipas saj mysafiri kryesor i këtyre organizimeve është tenorin Ramë Lahaj.

“Kemi një nderë të veçantë që ambasadorja Nataliya Apostolova ka vendosur që këtë vit Ditën e Evropës ta shënoj duke na e mundësuar që Ramë Lahaj përkundër agjendës së tij shumë të ngarkuar të performojë sonte në Prishtinë dhe të mbajë edhe masterklasë”, tha ajo.

Në anën tjetër përveç tenorit Ramë Lahaj në Prishtinë ka ardhur edhe pianisti, Alessandro Amoretti, i cili tashmë punon rregullisht së bashku me tenorin shqiptarë.

“Jam i lumtur që jam këtu për të shoqëruar mikun tim të cilin nuk ka shumë kohë që e kam takuar. Jemi takuar fillimisht në Rusi dhe menjëherë jam mahnitur nga zëri i tij. Unë punoj si trajner i zërit dhe mund ta them këtë pa pasur asnjë ngurri. Jam i lumtur që jam këtu dhe që e shoqëroj këtë këngëtar i cili ka shumë për ti dhënë botës”, tha ai.

E tenori Ramë Lahaj u shpreh së ardhjen në Prishtinë e kishte në mendje që një kohë të gjatë. Tutje ai kujtoi edhe fillimin e karrierës së tij ndërsa u shpreh se akoma ndjehet si një parashutistë në këtë profesion.

“Është kënaqësi që jam këtu pasi që është bërë mjaft gjatë që nuk kam qenë këtu. Jo për shkak se dëshira nuk ka ekzistuar mirëpo sepse kam qenë në fillim të hapave të karrierës sime dhe kam qenë mjaft i zënë. Mirëpo duke e parë që ishte një kauzë e cila më të vërtetë më pëlqeu u shkëputa për pak nga puna dhe jam këtu. Gjithmonë kam pasur dëshirë që të ketë një arsye të veçantë dhe jo thjeshtë të vi dhe të jap një koncert”, tha ai duke shtuar se Prishtina sado që i jep një kënaqësi të veçantë njëkohësisht i jep edhe një lloj stresi të cilin nuk e gjenë çdo kund.

Programi i cili do të jetë në koncert ka qenë i sajuar në momentet e fundit. Kështu tenori Ramë Lahaj sonte do të sjellë vepra të repertorit të cilat i ka punuar më parë mirëpo edhe disa vepra në të cilat është duke punuar aktualisht.

Në kuadër të ardhje së tij ai do të mbajë edhe një mastërklasë, nesër, në ora 15:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

“Masterklasa është pjesa e preferuar e imja sepse është shumë e veçantë se sa shumë talente ka ky vend. Është vërtetë e vështirë, duke përfshirë këtu të gjitha vendet që kam udhëtuar nëpër botë, me arrit me gjete vokale që kanë një veçanti si kjo e zonës tonë. Në përgjithësi gjithë Ballkani por veçanërisht në Kosovë e Shqipëri. Jam shumë interesuar dhe kam bërë edhe disa punëtori të vogla pasi që gjithmonë kërkoj për talent të reja. Talent të cilin kisha mundur me i sugjeruar ose me i orientuar diku dhe jam i kënaqur që nesër do kemi mundësi të punojmë pikërisht me talent të rinj”, thekso ai duke shtuar se shpreson që liberalizimi i vizave të ndodhë më shpejtë në mënyrë që studentëve të ju ofrohen sa më shumë mundësi.

Koncerti do të jetë sonte në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitar. Biletat të cilat janë shpërndarë falas në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian, tashmë kanë mbaruar./ KultPlus.com

Sot 5 vite nga vdekja e piktorit Budim Berisha

Më 8 maj të viti 2013, kishte vdekur mjeshtri i njohur i pikturës Budim Berisha.

Sot mbushen plotë 5 vite që ky piktor i madh u nda nga jeta e të cilin sot e kujtoi miku i tij Fahredin Spahija.

Spahija, përmes rrjetit social Facebook, ka përkujtuar Budim Berishën, duke theksuar se shoqëria do të duhej të përkujdesej për këtë autor të veçantë vepra e të cilit është, pa asnjë dyshim, trashëgimia më e pasur nga fusha e arteve pamore në Kosovë, shkruan KultPlus.

Po sjellim të plotë shkrimin e Fahredin Spahisë:

“Përkujtim
Për Budimin…
U bënë 5 vjet nga vdekja e piktorit emblematik, Budim Berisha. Si piktor e kisha njohur qysh kur isha student i Akademisë së arteve figurative në Universitetin e Prishtinës kurse nga afër e njoha në vitin 2010 kur nisi idea për ekspozitën e tij retrospektive në Galerinë e Arteve të Kosovës. Kjo njohje me artistin e madh dhe, për mua, ma të veçantin në trojet shqiptare u shndërua në një miqësi të sinqertë dhe të thellë…
Me Budimin kam shumë kujtime të bukura dhe të vlefshme. Ishte njohës i shkëlqyeshëm i historisë dhe teorisë së artit prandaj orët e kaluara me te dukeshin si minuta që fluturonin. Për fat të mirë, prej kohës së miqësisë me te kanë mbetë gjirime filmike dhe inçizime disa orëshe të cilat mund të shfrytëzohen për ndonjë dokumentar dhe për një monografi të mirë për te. Kjo shoqëri e hutuar dhe e mbytur në halle të shumta do të duhej të përkujdesej për këtë autor të veçantë vepra e të cilit ështe, pa asnjë dyshim, trashëgimia jonë më e pasur nga fusha e arteve pamore. Mendoj se përkujdesi ndaj kësaj trashëgimie do të duhej të niste nga Prizreni i tij i cili ka obligim moral që veprën e gjërë e shumë të vlefshme të Budim Berishës ta strehojë e ta ekspozojë nën kulmin e nje muzeu që do të bartte emrin e tij të ndritur! Pushofsh në paqe miku im i shtrenjtë në begatitë e Perëndisë ku vargjet e Rumit dhe muzika e Pink Floyd do të shoqërojnë përjetësisht!”, ka shkruar ai./ KultPlus.com