Përparim Rama përsëri pjesë e jurisë së WIN Awards

Arkitekti i suksesshëm nga Kosova, Përparim Rama është përzgjedhur që përsëri të jetë pjesë e jurisë së World Interiors News Awards, shkruan KultPlus.

“Të jesh pjesë e jurisë së WIN Awards ka qenë një nder i madh dhe një eksperiencë frymëzuese. Në kuadër të tij janë prezantuar projekte të jashtëzakonshme dhe kreative nga studiot inoative të dizajnimit në mbarë botën. Në fund të ditës së vlerësimit, ndihesh edhe më energjik”, ka shkruar arkitekti Rama lidhur me këtë eksperiencë.

Në anën tjetër Wolrd Interior News Awards në faqen e tyre zyrtare në Facebook kanë shkruar se ndihet të nderuar të njoftojnë se arkitekti Përparim Rama ( themelues dhe udhëheqës i 4M Group) do të jetë pjesë e panelit të jurisë. / KultPlus.com

Balerina e vogël heziton të vallëzoj në skenë, babai ngjitet që të vallëzoj me të (VIDEO)

Koncertet me fëmijë të vegjël shpesh mund të jenë të paparashikueshme. Një rast i ngjashëm vjen edhe përmes nj video mjaft të përhapur në internet që tregon momentet kur një balerinë e vogël heziton të vallëzoj para publikut, ku edhe fillon të qaj.

Për t’i ofruar asaj siguri, babai i saj ngjitet në skenë me një fëmijë tjetër në krah dhe fillon të vallëzoj në skenë derisa balerina e vogël vazhdon të ndjek lëvizjet e tij deri në fund të performancës. KultPlus ju përcjellë videon e këtij momenti./ KultPlus.com

Në shpellën e Pëllumbasit, natyra tërheq turistët e huaj (VIDEO)

Fshati i Pëllumbasit ndodhet 23 km larg Tiranës dhe rreth 1 orë larg tij gjendet shpella, e cila mban të njëjtin emër.

Por për të shkuar në shpellën e Pëllumbasit është e nevojshme edhe zgjedhja e këpucëve kundër rrëshqitjes si dhe duhet të bëni kujdes qe te hidhni hapin e duhur.

Ngjitja është sa sfidë aq edhe kënaqësi sidomos për turistët. Nga lart në freskinë e erës duket edhe lumi i kaltër i Erzenit. Kristiani është gjerman por jeton prej dy vitesh në Shqipëri, dhe natyrën e bukur këtu po ua tregon e dy miqve të tij. Vështirësia e rrugës harrohet kur shikon shpellën.

“Nëse ke pajisjet e duhura dhe je i stërvitur atëherë hajde , është qejf…por nëse jo, mos e bëj është shumë e rrezikshme. Shumë nga aksidentet që kam dëgjuar në TV, radio apo kam lexuar në gazeta ndodhin së shumti sepse njerëzit ndërmarrin shumë rreziqe dhe nuk është natyra ajo që I vret njerëzit, është budallallëku”, thotë ai.

“Erdha nga Gjermania për të vizituar shokun, dhe ai na solli në këtë shpellë. Është vërtetë shumë shumë interesante këtu”, shprehet Manfrid, turist gjerman.

E ndërkaq, ndjesia që të lë kjo shpelle, e cila formon një tunel diku 70-80 metra të gjatë, të shoqëron edhe kur del prej saj.

“E shijova vizitën në shpellë, është mrekulli që pas një rruge sfiduese të zbulosh këtë shpellë dhe të mendosh për mënyrën se si kanë jetuar këtu njerëz vite më parë”, u shpreh Ikah./ Top Channel

Nesër publikohet “Prisoner” e Era Istrefit (VIDEO)

“Prisoner” titullohet kënga më e re nga këngëtarja e njohur Era Istrefi. Ajo sonte ka publikuar një video të shkurtër, si paralajmërim për publikimin e këngës.

Po ashu këngëtarja Era Istrefi po arrin me sukses të ngjitet edhe në skenën ndërkombëtare. Ajo do të jetë zëri i himnit të Kampionatit Botëror, ndërsa do të këndoj përkrah artistëve të njohur Ëill Smith dhe Nicky Jam. Videoklipi i këngës “Live it Up” është paralajmëruar të dal sonte.

Kujtojmë se Era Istrefi ka arritur sukses ndërkombëtar me hitin e saj të sukseshëm “Bon bon”./ KultPlus.com

Albin Kurti viziton Panairin e Librit: Të jep shpresë kur sheh se sa shumë qytetarë vërshojnë në panair

Në Pallatin e Rinisë po vazhdon të mbahet Panairi i 20-të i librit, duke mbledhur shumë vizitorë rreth vetes. Në mesin e tyre sot ishte edhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Ai ka treguar se vizita e tij tashmë është e përvitshme dhe se është shpresdhenës fakti se sa shumë qytetarë të të gjitha moshave, vërshojnë në panair për të zgjedhur mes qindra titujsh, nga shtëpi të shumta botuese.

“Jo çdo libër ka vlerë, ama libri i mirë është skulptori më i talentuar i mendjes së njeriut, pas mësuesit kuptohet, sepse duhet një mësues për të të mësuar se nga t’ia fillosh. Më të rinjtë ndonjëherë mund të pyesin se pse duhet të lexojmë, pse të thellohemi në dije, kur shumë nga njerëzit që falë medias e rrjeteve sociale shiten si “të suksesshëm”, nuk janë të ditur, por thjesht të pasur. Vërtet, industria e spektaklit pasuron shpesh njerëz për shkak të atributeve e talenteve fizike, e industria e medias shpesh i bën jehonë provokimit që rrjedh prej arrogancës e injorancës. Megjithatë, rruga e vetme për përparimin e qenies dhe të shoqërisë njerëzore, është dija. E kjo rrugë e përpjetë që duhet të ngjisë mendja, është e shtruar me libra”, shkruhet në postimin e Kurtit./ KultPlus.com

Veliaj: Ambicia jonë është që Tirana të kapë 1 milion turistë këtë vit

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është kthyer në një destinacion mjaft të rëndësishëm turistik, ku mund të gjesh përditë turistë nga rajoni, Europa si dhe mbarë bota.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak theksoi se në 4-mujorin e parë të këtij viti kryeqyteti është vizituar nga 300 mijë turistë dhe se qëllimi i bashkisë është që të arrihet deri në 1 milion të tillë në fund të vitit.

“Vetëm në 4-mujorin e parë kemi pasur 300 mijë turistë në Tiranë, pra ende pa filluar stina e verës. Ambicia jonë është që Tirana të kapë 1 milion këtë vit. Pra, të kemi aq turistë sa kemi edhe banorë”, – tha Veliaj.

Në funksion të turistëve dhe banorëve të kryeqytetit bashkia do të vendosë në përdorim nga dita e nesërme edhe 4 mijë biçikleta të reja.

“Qyteti do të fillojë të transformohet duke filluar nga nesër. Nesër do të kemi një lançim të madh të 4 mijë biçikletave për qytetin e Tiranës. Siç e keni parë, ka filluar pilotimi i disa qindra të parave dhe nesër do të shohim një mënyrë të re mobiliteti, ku mjafton përdorimi i celularit për ta futur Tiranën në listën e qyteteve pararendëse sot në çështjen e përdorimit të biçikletës”, – shtoi Veliaj. /ata

Deputeti arvanitas numëron emrat arvanitas në parlamentin grek: Fqinjët nuk mund t’i përzësh (VIDEO)

Deputeti arvanitas i “Syriza”-s, Emanouil Glezo është ngjitur në podiumin e parlamentit grek duke i kërkuar Ministrit të Arsimit të tregoj për prejardhjen e tij nëse është grek apo jo pasi që mbiemri i tij thotë se ai është arvanitas, shkruan KultPlus.

Ai në duar mbante një katalog për të cilin thotë se ka bërë një studim të veçantë nga i cili ka kuptuar që nga 36 emra që përmban katalogu, 13 janë të huaj.

“Nga 36, 13 kanë emra që nuk janë grek dhe janë të gjithë të huaj. Bëra një studim të veçantë dhe rastisa që 13 nga 36 emrat janë të huaj. Jemi dy popuj që jetojmë pranë njëri-tjetrit dhe dhe siç kam thënë më parë njerëzit fqinjë nuk mund t’i përzësh. Fëmijën tënd mund ta ndjekësh nga shtëpia, nga shtëpia e babait tënd mund të ikësh, gruan ta lësh por njerëzit fqinjë nuk mund t’i përzësh”, është shprehur ai gjatë fjalimit të tij.
Ai tutje ka thënë se nëse i ndjekin festat e njëri-tjetrit do e kuptojnë se kanë vallet e njëjta. KultPlusju përcjellë këtë video/ KultPlus.com

Këtë vit Kosova u vizitua më së shumti nga shqiptarët, turqit dhe amerikanët

Sipas anketës “Statistikat e Hotelerisë TM1-2018” të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tre muajt e parë të vitit në 187 hotele të Kosovës kanë qëndruar mbi 64 mijë persona, dhe më shumë se gjysma e tyre ishin vizitorë të huaj.

“Në tremujorin e parë të vitit 2018 (TM1 2018) pjesë e anketës ishin 187 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës. Pjesa më e madhe e hoteleve gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, Prizrenit, etj. Sipas anketës, kapaciteti i shfrytëzuar në nivel vendi ishte 12.38%”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e parë 2018, në këto hotele ishte 64.501. Prej tyre, 42.69% ishin vizitorë vendorë, kurse 57.31% ishin vizitorë të jashtëm.

Ndërkaq, numri i bujtjeve në TM1 2018 ishte 86.227 bujtje, ku 40.70 % e bujtjeve ishin nga vendorët dhe 59.30% nga të huajt. Sipas ASK-së, numrin më të madh të vizitorëve dhe netëqëndrimet e tyre e ka rajoni i Prishtinës me 29.487 vizitorë dhe 41.224 netëqëndrime.

Përveç vizitorëve nga Shqipëria, ASK radhit vizitorët nga Turqia dhe ShBA.

“Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Turqia, ShBA, etj.”, thekson ASK.

Vjen filmi biografik për Bob Marley

Një film biografik për këngëtarin xhamajkan, Bob Marley po përgatitet, theksoi studio “Paramount Pictures”, një projekt, të cilit i është bashkuar edhe djali i tij i madh Ziggy, sipas faqes së specializuar ”Deadline”.

Gjiganti i reage-s, i cili ka rritur popullaritetin e kësaj rryme muzikore në mbarë botën, është bërë pjesë e disa dokumentareve, si “Marley” (2012), por kurrë i një filmi me aktorë.

Robert Nesta Marley, emri i tij i plotë, vdiq në moshën 36-vjeçare në vitin 1981, pas një tumori.

Personazh shumë karizmatik, Bob Marley ndiqte filozofinë rastafari (sekt mesianik xhamajkan – shën i përkth.) shumë e përqëndruar mbi Afrikën në përgjithësi dhe Etiopinë në mënyrë të veçantë.

Albumi “Legend”, i dalë në vitin 1984 dhe që grupon sukseset kryesore të njeriut me rastat legjendare me grupin e tij “The Wailers”, u shit në më shumë se 15 milionë kopje./ KultPlus.com

Figura e Skënderbeut, rol vendimtar në identitetin arbëresh

At Antonio Bellusci, i vlerësuar për veprën e tij si historian, folklorist dhe etnograf shumë i rëndësishëm i traditës arbëreshe dhe arvanite, mbajti ditën e djeshme një leksion të hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet.

“Skënderbeu ndër Arbëreshët” ishte tema e ligjëratës dhe gjithashtu ai bëri dhe promovimin e tre librave me titull “Ricerche e studi tra gli Arberori dell’Ellade”; “Gli Arberori-Arvaniti un popolo invisibile” dhe libri “Antologji Arbëreshe – prozë dhe poezi gojore”.

Në aktivitetin e organizuar morën pjesë At Antonio Bellusci, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, Brizida Gjikondi dheErion Kristo.

Në fjalën e tij Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, ndër të tjera tha se, “muzeu Historik Kombëtar është i nderuar të ketë sot At Antonio Bellusci. Muzeu Kombëtar ka në misionin e tij të promovojë trashëgiminë kulturore dhe historinë e Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit. Arbëreshët jo vetëm e ruajtën gjuhën dhe kulturën, por kultivuan një histori të lavdishme politike, fetare, letrare, artistike dhe gjuhësore”,u shpreh Koçi.

”Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka luajtur një rol vendimtar në kujtesën historike dhe në rrënjët identitare të popullit arbëresh. Ajo është ura lidhëse mes arbëreshëve dhe shqiptarëve dhe është një nga pikat e referimit që ka sot dhe që ka pasur gjithnjë kultura arbëreshe. Me mitin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, arbëreshët prodhuan një kulturë përtëritëse, pasi përmes figurës së tij u ndërtua dhe jetësua kultura dhe e gjithë kujtesa e kësaj popullate”, theksoi drejtori i muzeut kombëtar Dorian Koçi.

“Përfundimisht, mund të themi se figura e Skënderbeut për kombin tonë dhe për arbëreshët përfaqëson figurën, që i jep kuptim të shkuarës dhe është themel për të ardhmen”,përfundoi Koçi.

At Antonio Bellusci tha se “arbëreshët janë si një muze ku lëviz shpirti i Skënderbeut. Identiteti i arbëreshëve është një fenomen, fenomen i cili është një realitet. Arbëreshët e Italisë kanë ruajtur identitetin e Arbërisë. Komunitetet kanë ruajtur kujtimin historik të origjinës së vendit-nënë”.

”Jam shumë krenar që kam nënshtetësinë shqiptare dhe jam qytetar i vendit nënë të arbëreshëve”, do të përfundonte At Antonio Bellusci.

Për të pranishmit u shfaq, për herë të parë në Shqipëri, dokumentari “Miti i Skënderbeut – Heroi kombëtar i shqiptarëve”.

Gjithashtu, të pranishën në këtë aktivitet ishin dhe shumë personalitete të historisë dhe arkeologjisë, si edhe të interesuar të tjerë. Në fund të takimit të pranishmit i drejtuan pyetje At Antonio Bellusci duke treguar një interes të madh për dijet e tij.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut./ KultPlus.com

Adriana Matoshi shpërblehet me çmimin “Aktorja më e mirë” në Paris

Aktorja e njohur Adriana Matoshi tashmë e dëshmuar në shumë role dhe e shpërblyer për shumë prej tyre, sapo ka rrëmbyer edhe një çmim të radhës, shkruan KultPlus.

Ajo është shpërblyer me Çmimin “Aktorja më e mirë” në South East European Festival në Paris. Këtë çmim e ka marrë me rolin e saj në filmin “T’padashtun” i cili është punuar me regji të Edon Rizvanollit.

Juria përbëhej nga: Patricia Corbett, Emmanuelle Galabru, Frederic Fappani dhe Hazis Vardar dhe kryesuesi i jurisë, Max Azoulay. / KultPlus.com

U promovua libri “Ilirët dhe Iliria”, një përmbledhje e kumtesave nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtar është mbajtur në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Në kudër të ditës së tretë të Panairit të Librit në Prishtinë është bërë edhe promovimi i librit “Ilirët dhe Iliria”, një përmbledhje e kumtesave nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare e mbajtur në Prishtinë më 3 qershor 2009, shkruan KultPlus.

“Ilirët dhe Iliria” është një vëllim i veçantë në të cilin lexuesit mund të gjejnë kumtesat nga pjesëmarrësit e Konferencës Shkencore “Ilirët dhe Iliria”, organizuar nga Kolegji Iliria. Në mesin e pjesëmarrësve kumtesat e të cilëve edhe gjenden brenda librit janë, Beqir Meta, Aleksandar Stipçeviq, Niko Stylos, Jahja Drançolli, Edi Shukriu, Mixhait Pollozhani, Nebi Dervishi, Exhlale Dobruna – Salihu, Faik Drini, Naser Ferri, Flora Sela – Kastrati, Skënder Asani, Muhamet Mala, Shpresa Hoxha, Luan Përzhita, Ilmi Veliu e të tjerë.

Sipas historianit Muhamet Malaj rëndësia dhe vlera e ilirëve dhe Ilirisë mund të gjendet pikërisht në mesin e këtyre kumtesa. Për të dëshmuar këtë ai lexoi disa nga konkludimet që kishin sjellin studiuesi pjesëmarrës.

“Aleksandar Stipçeviq konkludon se shkenca e të ardhmes do të vërtetojë se shqiptarët e sotshëm pavarësisht turbulencave të mëdha etnike e kanë ruajtur më së shumti elementin e ilirëve në qenien e tyre etnike dhe sot vetëm ekspertët e mbuluar nga urrejtja mund ta vënë në pikëpyetje prejardhjen ilirë të popullit shqiptarë”, tha ai duke zbuluar pastaj edhe detaje nga studiuesit e tjerë pjesëmarrës.

Sipas tij ky libër edhe pse merret me të kaluarën e hershme pretendon që të ketë edhe dimensionin aktual nisur nga gjendja e sotme e Ballkanit dhe përpjekjet e tij për t’u integruar në Evropë. Sipas tij pikërisht këto punime e pasqyrojnë të kaluarën e Ballkanit si një pjesë të pandashme të Evropës por edhe të civilizimit të saj ku një rol të rëndësishëm e kanë luajtur edhe ilirët.

E rëndësinë e këtij libri e çmoi shumë edhe redaktori i libritIsak Shema, ndërsa në anën tjetër Drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Gjon Berisha, vlerësoi lartë edhe punën e kolegjit Ilira dhe të pjesëmarrësve pasi që sipas tij trajtimi i temave që kanë të bëjnë me ilirët dhe me historinë janë shumë të rëndësishme edhe pse kërkojnë shumë investime.

Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Libri biografik për Thaçin edhe në panairin e Prishtinës

Libri i gazetarëve britanikë, Roger Boyes dhe Suzy Jagger, “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography”, i cili përshkruan jetën e Presidentit të Kosovës, nga sot është vendosur edhe në Panairin e Librit në Prishtinë.

Ky libër, i cili deri më tash është shitur kryesisht në platformën online “Amazon” dhe në librari të Britanisë së Madhe, të Amerikës dhe të shteteve tjera, tash ka ardhur edhe në tregun kosovar përmes shtëpisë botuese “Dukagjini”.

Ndonëse libri për presidentin Thaçi nuk është përkthyer ende në gjuhën shqipe, tashmë janë shitur kopjet e para të tij në panairin e hapur dje.

Vetëm pak muaj pas publikimit të librit biografik për Hashim Thaçin, sipas Amazon, ai tashmë renditet në vendin e 140-të si libër më i shitur në kategorinë e tij. Ky libër tashmë është prezantuar në Londër, Berlin, Vjenë, Paris, Hagë dhe kryeqytete të tjera të botës.

Kujtojmë se me 5 qershor për të 20-të herë më radhë, është hapur Panairi i librit “Prishtina 2018”. Ky jubile ka mbledhur sot më shumë se 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora, shkruan 21Media./ KultPlus.com

“Skopje Calling” mbledh emra të mëdhenj të muzikës botërore

Tashmë kanë mbetur vetëm dy javë që Shkupi do të jetë nikoqiri i festivalit të tretë me radhë “Skopje Calling” që nisë me 21 qershor e përfundon me 24 të këtij muaji.

Në një konferencë për media të organizuar nga “Avalon Production” u bë e ditur se në këtë festival të ftuar do të jenë një numër i konsiderueshëm i artistëve botëror përfshirë këtu, Axwell and Ingrosso, Nouveue Vacue, Morcheeba,Texas, Darko Rundek si dhe Alan Walker.

Me të marrë fjalë, Krenar Sadiku tregoj se qëllimi i konferencës ka qenë komunikimi më i drejtpërdrejtë me publikun e Kosovës për të cilët ai theksoi se e ndjekin hap-pas-hapi në secilin prej organizimeve që ka bërë “Avalon Production” në Maqedoni.

Ai tha se Festivali i Tretë “Skopje Calling” do të mbahet nga data 21 deri më datën 24 qershor, dhe do të organizohet në stadiumin “ARM” në Shkup duke shtuar se bëhet fjalë për një spektakël madhor ku mund të përmendim, Morcheeba, Nouveue Vacue, Texas, Darko Rundek si dhe Axwell Ingrosso, të cilët do të jenë disa nga emrat që do t’i ndiqni në këtë spektakël.

Sadiku shtoi se kompania “Avalon Production” tashmë në agjendë ka edhe festivalin “OHRID CALLING” që do të mbahet nga data 1 deri në 4 gusht e ku do të mund të ndiqni yje botërore elektronike apo edhe të tjera si Dimitri Vegas dhe Like Mike pastaj bëhet fjalë për Armin van Buuren, Jax Jones si dhe me atë që ai e ka quajtur legjendën e gjallë të muzikës house, Roger Sanchez.

Në konferencën për shtyp fjalën e mori edhe përfaqësuesi i “Avalon Production”, Denis Ilijoski i cili tregoi se është hera e dytë për të që po vjen në Prishtinë dhe shtoi se kompania që ai përfaqëson është shumë e gëzuar për të gjithë përkrahësit (fansat) në Kosovë duke thënë se kanë edhe statistika që për çdo vit, shumë e më shumë fansa nga Kosova shkojnë në koncertet e organizuara nga ta.

“Kjo është hera e dytë që unë po vij këtu. Dhe është kënaqësi për kompaninë tonë të jemi këtu, dhe jemi këtu sepse ky vit për kompaninë tonë është shumë i rëndësishëm. Këtë vit kemi 25-vjetorin e themelimit të kompanisë sonë dhe ne filluam me idenë deh tashmë duam t’i bëjmë 25-shfaqje.

Këtë vit, artistë botërorë – do të fillojmë me Maqedoninë për të mbërritur në festivalet e mëdha. Kemi ardhur këtu për të mbajtur një konferencë me mediat sepse kompania jonë është shumë e gëzuar për të gjithë përkrahësit (fansat) në Kosovë dhe kemi statistika që për çdo vit kemi shumë e më shumë fansa që vijnë në koncertin tonë.

Dhe po ashtu i kemi shërbimet e hapura për shitjen e biletave në Prishtinë dhe ajo çka dua të them është faleminderit të gjithë fansave të muzikës së mirë në Prishtinë. Dhe faleminderit të gjithë juve që keni ardhur në këtë konferencë shtypi.” – ka thënë Iljoski.

Në konferencë u bë e ditur se “Avalon Production” ka vendosur që të nxjerrë një lloj të bletës “Block” e cila do t’i mbulojë të gjitha mbrëmjet e këtij festivali. Bëhet fjalë për biletë e cila do të kushtoj diku 33 euro (konvertim denar -euro) dhe “Fan Pitt” është diku rreth 50 euro. Pra, me këtë lloj bilete do të mbulohen të gjitha mbrëmjet e këtij festivali.
Të pyetur se çka do të bëjnë si kompani për Kosovën, Iljoski tregoi se ka vite që e kanë si ide por kanë pasur probleme më parë, kur kanë dashur të punonin me artistët botërorë, veçanërisht ka qenë problemi me transportin, shkruan “Blic”, transmeton Klan Kosova.

Ai tha se tani Kosova është e gatshme për një koncert të madh dhe shtoi se shpreson, që ndoshta jo këtë vit por vitin tjetër, kompania e tyre të nisë të bëjë koncerte edhe në Kosovë.

“Ardhja jonë këtu në Prishtinë nuk ka qenë vetëm që t’i shohim gazetarët dhe të shohim se sa fansa të muzikës së mirë i kemi në Kosovë, por një nga idetë tona ishte të nisnim kërkimet në Kosovë. Dhe kjo ide po na vjen për çdo vit, dhe viteve të kaluar ka qenë një problem kur kemi dashur të punonim me artistët botërorë, veçanërisht ka qenë problemi me transportin. Tani Kosova është e gatshme për një koncert të madh. Shpresoj, ndoshta jo këtë vit por vitin tjetër kompania jonë shpresoj që do të nisë të bëjë koncerte në Kosovë.” – ka thënë ai./ KultPlus.com

Rikthehet Nexhmije Pagarusha, sjellë këngën “Mbushni gotat” (VIDEO)

Mbretëresha e muzikës kthehet me këngën “Mbushni gotat” në bashkëpunim me Violetë Kukaj.

Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullorë, e të tjera.

Bëhet fjalë për ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, e cila është rikthyer me një projekt të ri muzikor, në bashkëpunim me Violetë Kukaj- Retkoceri.

Projekti titullohet “Mbushni gotat” dhe e sjell Nexhmije Pagarushën pas një kohe të gjatë në skenën muzikore. Muzika dhe teksti i këngës “Mbushni gotat” është punuar nga Fahri Beqiri , ndërsa videoklipi nga produksioni XL Films./ KultPlus.com

Besnik Mustafaj, promovoi librin me poezi “Harrimi i dashurisë” në Panairin e Librit në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë po vazhdojnë promovimet e librave. Dita e sotme e këtij panairi u hap me promovimin e librit “Harrimi i dashurisë” nga Besnik Mustafaj, shkruan KultPlus.

Shtëpia botuese “Buzuku” e cila tashmë riradhitë edhe botime të mëparshme të punës së shkrimtarit Besnik Mustafaj, duke e cilësuar atë si njeriun e letrave të dashurisë, përkrahu edhe botimin e librit më të ri të shkrimtarit “Harrimi i dashurisë”.

Pikërisht Abdullah Zeneli nga shtëpia botuese u shpreh se janë të lumtur që pikërisht “Buzuku” realizoi botimin e këtij libri.

“Më vjen mirë që keni ardhur këtu në promovimin e librit të njeriut të letrave, të njeriut të fushës së diplomacisë shqiptare që ka ndikuar shumë në tranzicionin dhe në zhvillimet që ka bërë shteti i Kosovës. Kur ai i botonte librat në Francën e i gëzoheshim sukseseve të tij dhe tani jemi të lumtur që patën mundësin që të botojmë pikërisht librat e tij edhe ne si shtëpi botuese”, tha ai.

I pranishëm në promovim të librit ishte edhe aktori Çun Lajçi i cili edhe interpretoi dy poezi nga libri i botuara.

/…kërkojë tokën e lagësht/ dheun e butë që nuk më vret brinjët/ shikojë plot durim qiellin/ pres renë e vogël që sjellë shiun/ a qoftë edhe pak njomësi/ ky ajër i thatë hyn e del nëpër ujë/ me një vërshëllim të shurdhër/ a thua se ish në një mushkëri të huaj/ duke të pritur ty unë jam si kërmilli/ i harruar në hapësirën time të mjaftueshme/ për të pritur edhe kur s’ka vend për ty/ ti ndoshta do të vish/ eja unë të pres../

Në promovim të librit fjalën e mori edhe shkrimtari Adem Gashi, mik i shkrimtarit Mustafaj. Ai u shpreh se shkrimtari e filloi krijimtarinë e tij me poezinë e cila siç edhe ka thënë edhe Mustafaj nuk është një lum që rrjedh po një vullkan që bënë sikur flenë që të të zgjojë vrullshëm dhe papritur.

“Mua mu bë e papërballueshme që nga krijimtaria e tij të bëjë një përmbledhje të poezive dedikuar pikërisht dashurisë ndoshta duke u bazuar në faktin se lirika me këtë tematikë kap një volum të gjerë të krijimtarisë së tij”, tha Gashi i cili edhe ka zgjedhur poezitë e shkrimtarit dhe i ka radhitur ato në librin më të ri të tij.

Sipas Gashit kur të lexohet ky libër lexuesit do të pyesin se ku është dashuria, të cilën sipas tij lexuesit mund ta gjejnë pikërisht të mungesa e saj, e cila mund të vërehet edhe tek vargjet unë po të pres ty si kërmilli, i strukur në lëvozhgën time…

Shkrimtari Besnik Mustafaj u shpreh se për të më të rëndësishmit janë lexuesit. Ai tha se pikërisht në Kosovë ka ardhur në kërkim të lexuesve të tij.

“Kur e lash politikën para 10-të viteve në mënyrën me spontane thash se tani nuk jam më në kërkim të votuesve por jam në kërkim të lexuesve dhe mund të ju them se në këtë rrugën e aventurës është më e vështirë të gjesh lexues sesa votues. Të pasurit e kaq shumë njerëzve këtu me bën të lumtur pasi që dëshmon se njerëzit janë të interesuar për të lexuar shkrimet e mia”, u shpreh ai.

Poezitë e librit të botuar “Harrimi i dashurisë” nuk janë shkruar gjatë një periudhe të caktuar mirëpo janë përmbledhje e poezive të cilat poeti i ka shkruar gjatë viteve. Pikërisht këto poezi ai i konsideron si një trashëgimi të cilat ai ka vendosur t’ua lë lexuesve edhe kur të mos jetë më.

Ky edicion i Panairit të Librit në Prishtinë do të vazhdojë edhe për katër ditë. Kujtojmë se shkrimtari Besnik Mustafaj ishte shpallur autori i vitit, në edicionin e kaluar të Panairit. Shoqata e Botuesve e vlerësoi atë me këtë çmim për librin “Ëndrra e doktorit” botimet Toena./ KultPlus.com

Gashi: Epoka e Gjergj Kastriotit ishte dhe është histori e mbijetesës, e luftërave për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve

Me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakulteti i Edukimit dhe Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kanë organizuar manifestimin “Ditët e Skënderbeut”.

Në këtë manifestim të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili fillimisht foli rreth historisë dhe studimit të ngjarjeve duke theksuar se “kthimin për studim të ngjarjeve, historive të cilat me shekuj janë prapa nesh, e bëjmë jo për simbolikë por për ta njohur të kaluar”.

“Historia e jonë kombëtare, në djepin e të cilës u lindë krenaria, pavarësia e kombit, në veçanti i njeh katër data fatbardha: vitin 1444 kur Gjergj Kastrioti mblodhi në Lezhë Kuvendin e prijësve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, vitin 1878, katërqind vjet pas , kur në Prizrenin historik, Abdyl Frashëri tuboi krerët e mbarë Shqipërisë, vitin 1912 kur lindi shteti shqiptar, Shqipëria dhe vitin 2008, kur u shpall shteti i pavarur i Republikës së Kosovës”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu shtoi se “historia jonë edhe nga Epoka e Gjergj Kastriotit ishte dhe është histori e mbijetesës, e luftërave për ruajtjen e identitetit kombëtar, për ruajtjen e territoreve të hapësirës jetike shqiptare, për faktorizimin e elementit shqiptar. Gjithsesi, edhe për faktin se, për ne shqiptarët, historia e qytetërimeve nuk ishte aq e mëshirshme, aq miqësore, ne u detyruam që, rrugën e mbijetesë sonë ta hapim edhe me fuqinë e shpatës dhe të plumbit. Jo se ashtu deshëm, por, ngase sunduesit, veçmas ata sllavë në vend të paqes e të mirë fqinjësisë, na imponuan luftëra. Kështu rrodhi historia e jonë kombëtare, sikur lumi i madh i epokave që rrjedh pa u ndalur, pra, nga Epoka skenderbegiane, deri te Epoka e UÇK-së së lavdishme me kryekomandantin Adem Jasharin”.

Në fund të fjalës së tij ministri Kujtim Gashi foli për rrugët e integrimeve euro-atlantike.

“Ne, pasardhësit e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Nënë Terezës, Adem Jasharit, jemi përballë thirrjeve të qytetërimeve të reja. Sërish, me emblemën skenderbegiane, po trokasim në portat e Evropës së Bashkuar, në djepin e kulturës, aty ku janë gjurmët, rrënjët tona, qytetërimi dhe historia shqiptare”, përfundoi ministri Gashi.

Ndërkaq rektori Dema, tha “kemi tentuar që frymën kastriotiane ta rijetojmë duke vendosur interesin e përgjithshëm para interesit personal, ashtu siç ka bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe kur Universiteti i Prishtinës është mirë atëherë edhe Kosova është mirë”./ KultPlus.com

Bashkim Kërqeli sonte në Rockuzinë

Gjilanasi Bashkim Kërqeli i cili ishte edhe pjesëmarrës në The Voice of Albania e ku performancat e tij të shkëlqyera bënë që ai të komentohet si një zë shumë i veçantë në muzikën Rock, sonte një performancë të tillë do të keni mundësi të dëgjoni në Rockuzinë, përcjellë KultPlus.

Bashkim Kërqeli do të performojë sonte në Rockuzinë, përderisa Rinor Ukeimeri do të jetë në kitarë dhe Faton Aliu – Cajon. Performanca e tyre nisë në ora 21:00. / KultPlus.com

Arjeta Mala me ekspozitë personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Më 13 qershor në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Tensione të Dukshme dhe të Fshehta” e autores Arjeta Mala.

Kjo ekspozitë me vizatime e cila ndahet në dy cikle, për autoren Arjeta Mala, paraqet gjithashtu dy botë, atë të “macros” dhe të “micros”. Kallamet ishin ato që Arjeta Mala i zgjodhi nga natyra si pikënisje e botës “macro”. Për Arjeta Malën, fillimi i këtij projekti shënon periudhën e mërgimit të miliona njerëzve nëpër botë, gjë e cila u përjetua emocionalisht nga autorja e kësaj ekspozite.

Këto vizatime të realizuara në letër, akril dhe tush, paraqesin pastaj evoluimin në një dimension të ri të krijimtarisë artistike të saj. Botën e saj të re, të vogël, “botën micro”, e cila është më intime, më e lehtë, thuajse minimaliste dhe pa ngarkesa.

Arjeta Mala (1964) u lind në Pejë. Ka mbaruar Fakultetin e Arteve, drejtimin e dizajnit grafik, në Universitetin e Prishtinës. Për shkak të luftës së vitit 1999, mërgon në Holandë ku edhe punon sot si artiste e lirë. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit si në Rotterdam, Piershil, Binnenmaas, Hagë, Eindhoven, Dordrecht, Bochold, Prishtinë, etj.

Ndërkaq ekspozita personale ka realizuar në Galerinë e Ambasadës së Shqipërisë në Hagë (2017), në Piershil (2006), pastaj në Galerinë e Arteve të Komunës së Pejës (2017), në Rotterdam (2017), si dhe tani në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (2018). Jeton dhe vepron në Holandë. Ndryshe, kjo ekspozitë financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, drejtohet nga Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është Zeni Ballazhi./ KultPlus.com

12 Prefektët e Shqipërisë nesër në Prizren në kuadër të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Nesër me fillim nga ora 12:15, në Prizren do të shkojnë 12 Prefektët e Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Krejt kjo bëhet në kuadër të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku Prefektët e Shqipërisë do të takohen me kryetarin e Komunës Mytaher Haskuka.

Takimi do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë ndërsa më pas do të vizitohet Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe disa objekte të tjera të qytetit të ndërtuara në shek XIV./ KultPlus.com

ASHA

ASHA është kompani që është e përbërë nga katër degë: Marketing, Dizajn, Produksion dhe Print. Produksioni është një nga degët më të rëndësishme të kompanisë.

ASHA Production është kompani që dëshiron të kontribuoj në rritjen e cilësisë së kinematografisë dhe xhirimit te reklamave, videspoteve, dokumentarëve etj. Produksioni është një nga aspektet biznesore që e bënë të dallohet kompaninë ASHA nga kompanitë e tjera.

Videot përshkruese, filmat, dokumentarët, video spotet, video reklamat pregaditen në mënyrën me profesionale duke fituar publikim, njohje dhe kritika pozitive.

Adresa : Rr. Str. Delvina nr.2 Veternik (2.23 mi) Pristina 10000

Telefoni : +381 38 602 888 +386 49 940 300

Email : [email protected]

Website : www.ashagraphics.com

Facebook : https://www.facebook.com/ashagraphic2/

Instagram : ashaofficial_

“Martesa” e Blerta Zeqirit nesër në Sydney Film Festival

Filmi “Martesa: nga regjisorja Blerta Zeqiri nesër do të shfaqet në “Evropa! Zëri i grave në filma”, në Sydney Film Festival.

Filmi merr pjesë në këtë festival falë Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Evropës Kreative, shkruan KultPlus.

Edicioni i 65-të i festivalit të filmit ne Sidnei “Sydney Film Festival” (6-17 Korrik), në partneritet me “European Film Promotion” dhe “Screen International” pati shpallur programin “Europe. Voices of Women in Film”.

“Evropa! Zëri i grave në filma”, është një program i 10 filmave të ri nga regjisoret e suksesshme të Evropës, në me e tyre do të jetë edhe filmi “Martesa” nga regjisorja kosovare Blerta Zeqiri.

Festivali do të këtë edhe tetë mysafire filmbërëse të cilat do t’i prezantojnë filmat e tyre dhe do të marrin pjesë në një diskutim publik rreth hendekut gjinorë në industrinë e filmit.

Krahas filmit të Zeqirit, do të jenë edhe EmilyAtef me “3 DAYS IN QUIBÉRON” nga Gjermania, Isabella Eklöf me “HOLIDAY” nga Danimarka, Nanouk Leopold me “COBAIN” nga Holanda, Fanni Metelius me “THE HEART” nga Suedia, Katharina Mückstein me “L`ANIMALE” nga Austria, SinéadO`Shea me “A MOTHER BRINGS HER SON TO BE SHOT” nga Irlanda, Virpi Suutari me “ENTREPRENEUR” nga Finlanda, Jagoda Szelc me “TOWER. A BRIGHT DAY” nga Polonia dhe Ana Urushadze me “SCARY MOTHER”nga Gjeorgjia./ KultPlus.com

Fjala e parë shqipe është e Skenderbeut, jo e Pal Engjëllit

FJALA E PARË SHQIPE ËSHTË E SKENDERBEUT, JO E PAL ENGJËLLIT

Shkruan Ag Apolloni

Në të gjitha tekstet mbi historinë e gjuhës shqipe, si data më e vjetër e dokumentimit të gjuhës shqipe konsiderohet “Formula e pagëzimit” e këshilltarit të Skenderbeut, Pal Engjëllit. Kjo formulë, e përkthyer nga latinishtja në shqip, në dialektin gegë, në të folmen e Matit, është gjetur në një epistulë të datës 8 nëntor 1462, të shpërndarë për nevoja praktike pas vizitës që Pal Engjëlli ia bëri Kishës së Trinisë së Shenjtë në Mat (manasterium S. Trinitatis de Emathia).

A e shkroi Pal Engjëlli? Çabej në shkrimin “Kuvendi kishtar i Matit i vitit 1462 dhe Formula e pagëzimit” (botuar në “Arësimi popullor”, Nr. 1/1963, viti XIX, Tiranë) nuk ia atribuon autorësinë Pal Engjëllit (kryepeshkop i Durrësit, me prejardhje nga Drishti i Shkodrës), por thotë se “shkrues i parë i këtij dokumenti ka qenë ndonjë prift i atyre anëve (anët e Matit e të Lurës – A. A.)”.

Pra, Pal Engjëlli nuk e shkroi formulën e pagëzimit, por e organizoi kuvendin e parë kishtar dhe kërkoi nga priftërinjtë që t’i pagëzonin fëmijët shqiptarë në gjuhën amtare. Ai me shumë gjasë, do t’ua ketë thënë priftërinjve formulën e pagëzimit në gjuhën shqipe, por për ta shkruar e shkroi dikush nga ana e Matit dhe Lurës, zonë e principatës së Skenderbeut, (Pal Engjëlli ishte kryekëshilltar i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe në kohën kur e përktheu këtë formulë, po priste të emërohej kardinal nga Papa Piu II, i cili gjithashtu kishte planifikuar ta emëronte mbret Skenderbeun.

Por, siç dihet, vdekja e Papës në vitin 1464, ua preu shpresat kryetrimit shqiptar dhe kryekëshilltarit të tij.), prandaj “Formula e pagëzimit” u përkthye dhe u shkrua, siç hamendëson Çabej, me shumë gjasë me urdhrin (shtysën) e Skenderbeut. Pra, s’ka arsye që “Formula e pagëzimit” t’i atribuohet Pal Engjëllit, kur ai s’e shkroi, por e tha, sigurisht, i nxitur nga Skenderbeu, i cili do t’ia ketë thënë më parë se ai t’ua thoshte priftërinjve të tjerë.

Por, a është e vërtetë që gjuha shqipe fillon me këtë formulë?

Para 50 vjetësh, një historian (T. Geci), në një studim për sfragjistikën (vulën) e Skenderbeut (shih: “Simpoziumi për Skenderbeun”, Prishtinë, 1969, f. 240), shkruan se në një dokument të vitit 1450, pra 12 vjet para “Formulës së pagëzimit”, në një letër që Skenderbeu e kishte nisur për Raguzë (Dubrovnik), në fund të dokumentit kishte shkruar muajin qershor në gjuhën shqipe [në trajtën e kohës së tij “çereshinar” (“čerešinar”), që më vonë do të ketë ardhur duke u transformuar: çershenar, qershar, qershor]. Studiuesit do të duhej të tregoheshin më vigjilentë ndaj këtij fakti, që e shtyn për 12 vjet më herët dokumentimin e gjuhës së shkruar shqipe.

Edhe një dokument tjetër, nga një peshkop dhe kushëri i Pal Engjëllit, sjell një fjalë shqipe, e cila vjen si urdhër luftarak i Skenderbeut. Është fjala për urdhrin “Embetha!” (“Mbi ta!”), që Skenderbeu ua thoshte bashkëluftëtarëve të tij kur hidhej në sulm. Këtë e dokumenton Dhimitër Frangu në librin me titull të gjatë: “Gli illustri e glorioisi gesti et vittoriose imprese contra Turchi del S. Don Giorgio Castriotto detto Scanderbeg, principe di Epiro”. Fjala “embetha” (e shkruar si “scripta continua”) pa dyshim që është fjali: Embetha, embeta, mbe ta, mbi ta!

Kjo fjali duket që ishte mjaft popullore që kur Skenderbeu e mori Krujën dhe pastaj të gjitha betejat i fillonte me këtë urdhër. Dhimitër Frangu e shoqëroi Skenderbeun që nga kthimi i tij në Krujë, më 28 nëntor 1443.
Pra, “qershori” dhe “embetha” janë dy fjalë shqipe të kohës para “Formulës së pagëzimit”. “Qershori” është e shkruar me dorën e Skenderbeut dhe mban vulën e tij, ndërsa “embetha” është thënë me gojën e Skenderbeut dhe është shkruar nga Dhimitër Frangu më 1480.

Është interes kombëtar që me këto dy fjalë, që e lëvizin vjetërsinë e gjuhës shqipe, të merren seriozisht historianët e gjuhës dhe historianët e periudhës skenderbegiane. Për ta vërtetuar fjalën “qershor”, si fjala më e vjetër shqipe, mjafton të shkohet në Arkivin e Dubrovnikut, të fotografohet (për t’u konfirmuar, ose demantuar) dokumenti me nr. 794 dhe, pastaj, të pranohet pa kurrfarë dyshimi Skenderbeu si shkrues i parë i gjuhës shqipe.

Për t’u bindur për këto që thashë, nëse s’u besoni dokumenteve, lexojeni veprën time “Skenderbeu: Manuskripti i Marlout”, se, siç ka thënë Joseph Conrad, letërsia është më e vërtetë se historia. Librin e gjeni deri me 10 çereshinar 2018, në Panairin e Librit në Prishtinë, pastaj edhe në principatat e tjera shqiptare./ KultPlus.com