Vonë po i përgjegji letrës s’ate të 29 shtatorit, por më fal fajin se plaku bahet pak pritues, sado qi zemra i hitatë (thotë) me shkrue shpesh e gjatë. Po të falem nderës, si unë ashtu djali i em për urimet e ditës së Engjëllit (ditës së emrit?). Shpresoj se shpejt ke për me më diftue fejesën e motrave t’uja e edhe tanden se zemra më dishron me ndie mirë për vajzat e për djalin e dais s’em – Zoti ma baftë nafakë me vllazën.
Prej nji letre që më dërgoi Z. Zef Duoda, u gëzova që paske gjetë një punë të mirë në Mirditë, e Zoti e ruejt edhe e ndihmoftë, për të gazmue prindërit e tij.
Po më the se më ke shkrue edhe dy letra të tjera, e po çuditem qi përgjegja ime nuk paska mrritë, ndoshta pse postat e katundit, ku gjindemi, janë porsi në kohë të Abdyl Hamidit! Kryetari i postës që kemi këtu në Hadet asht mejhanexhi, shet venë, raki, ufull, spirto e duhan, e prej postet nuk fiton vetëm një gjysë groshi për francobollo qi shet, se nuk merr asnji rrogë…
Tash nji muej e gjysmë ministri i Postave ka ba nji ndryshim, posta e Hadetit hapet në stacion të udhës së hekurit, e letrat i marrin në stacion qi asht afër shtëpisë s’onë e kështu letrat nuk i hapin.
Të lutem më dërgo në letër një derhem farë perimesh, se nuk ka këtu, ndër këto ana, as në Misir. Prej sa letrave qi më dërgojnë miqt e mi prej Shkodre, kam marrë vesht se shtëpiat e mdhaja kanë ra poshtë e sot janë çue disa qi përpara nuk u ndihej emni i tyne; sot paska në qytet tonë malcorë qi përpara ishin me opanga e gjubleta, janë vesh allafranga e po sallnisen qi me t’u knaqë zemra; mo Zot ma keq!.. Por nuk asht për t’u çuditë: edhe në Liban, edhe në Syrie, në Palestinë e njeti, mbas luftës së madhe, shtëpiat pasanike kanë ra keq e janë mkamë vogjlia, ashtu ka ra Perandoria e Rusisë, e Gjermanisë, e Austrisë dhe e Turqisë. Sepse:
Bota rrokullon, dikë çon e dike rrëxon!
Questo mondo è fatto di scale – chi precipita e chi sale.
por, sikur thotë turku:
Shashkin zan eder – Bajram gelyr!
Veç i mjeri dauleti i turkut, priti se me gjahil-llek vjen prap me lule Bajrami!
Të lutem falmeshendet zonjës nanës s’ate, zojave, motrave tuja, Zojë Roza Duoda, Zefit e gjithë atyne q’i bje ndër mend për plakun e shkretë Filip Shiroken. N’e mram po të marr ngryk e po të puthi sytë e zez me gjithë zemër. Këtu po të dërgoj nji grimë letë për Zef Duoden, nji grimë për Z. Kolë Gugen (së po di drejtimin) e nji grimë për Z. Kol Shildinë, e me ju falë shndet e m’i thuej Kolës a e more letrën me fotografinë t’eme a jo?.. M’a fal fajin, o Zefi i em, me këto 3 letra qi po mbylli.
Hadet, me 9 Dhetuer 1930
Gjith i yti, F. Shiroka
Plazhi i Gjipesë apo siç njihet ndryshe Kanioni i Gjipesë është një ndër plazhet më të bukura të rivierës shqiptare.
Kanioni nis që nga rruga nacionale, mes fshatit Ilias dhe Jal dhe përfundon në bregdet, duke krijuar një oazë përrallor në bregun e jugut.
Disa thonë që e ka marrë emrin “Gjipe” nga përcaktimi si “Gjiri i Perëndive”, por gojëdhënat gjithmonë kanë vend për diskutim.
Vërtet është një vend përrallor që të ofron mundësi gjatë ditës për t’u larë në ujin e kristaltë, për të ecur në kanionin e saj ku herë pas here formacione të ndryshme shkëmbore krijojnë pamje mahnitëse, por është edhe vendi ideal që gjatë natës të shohësh dallgët e detit nën yjet vezullues.
Duke qenë se është një vend i veçuar, ku nuk ka zona të ndriçuara pranë gjirit dhe falë ajrit të pastër, mund të dallosh të gjitha kostelacionet yjore që mund të shikohen nga pozicioni i vendit tonë.
Nëse kërkoni që fundjava juaj të jetë një aventurë e bukur dhe plot gjallëri me emocione të bukura, me histori e gojëdhëna, ky është destinacioni dhe vendi i duhur.
Çdo fundjavë grupe të ndryshme vizitorësh, nga Tirana apo qytete të tjera të Shqipërisë, turistë të huaj nisen drejt këtij vendi befasues kundrejt çmimeve konkurruese dhe një udhëtimi komod. Gjipea është njëri prej perlave detare të jugut, shkruan ata. /KultPlus.com
Premiera e filmit dokumentar “Rrënjët shqiptare-dheu danez”, për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Danimarkë, do të shfaqet më 22 korrik në Prizren.
Regjisori Ixhet Lutfiu duke qenë pjesë e ekipit të radio televizionit “Zëri i Kosovës” që nga viti 1991 ka arritur të grumbullojë materialin e nevojshëm dhe të shfrytëzoj në mënyrë profesionale arkivin e këtij mediumi të rëndësishëm kombëtar për të realizuar këtë dokumentar.
Dokumentari përshkruan kronologjikisht (që nga viti 1965) veprimtarinë historike dhe kulturore të shqiptarëve të Danimarkës dhe është i ndarë në dy pjesë: pjesa e parë, që po promovohet tani, përfshin vitet 1965-1999 dhe trajton mbi 20 tema, kurse pjesa e dytë që përfshin vitet 2000-2018 trajton rreth 40 tema të fushave të ndryshme si psh arsimi, kultura, sporti e muzika, shkruan ata.
Ky film dokumentar ka për qëllim nxitjen edhe të shqiptarëve në vendet e tjera perëndimore për të bërë edhe dokumentar të tjerë që të mos harrohet kontributi i mërgimtarëve.
Premiera e filmit do të jetë në Kino Lumbardhi më 22 korrik, duke filluar nga ora 20:30./KultPlus.com
Këto ditë u çua shumë pluhur për (mos)ngritjen e bustit të Anton Çettës para Institutit Albanologjik të Prishtinës. Kolegët e Antonit paskan thënë që busti i tij nuk duhet të ngrihet para Institutit, por diku tjetër, ndërsa këta të tjerët insistojnë që busti duhet të ngrihet vetëm para Institutit. Kështu, edhe pse Anton Çetta është simbol i pajtimit, kësaj here u bë shkak i përçarjes.
As ata që e refuzonin bustin, as ata që e mbronin, nuk e thanë atë kryesoren: A është Anton Çetta shkencëtar?
Të dy palët thanë se Antoni ka qenë burrë i mirë, ka mbledhur përralla, ka pajtuar gjaqe, prandaj sipas njërës palë busti (më mirë do të ishte një përmendore) duhet të ngrihet në një shesh, kurse sipas palës tjetër – vetëm para Institutit. Kjo palë e lidh refuzimin me përkatësinë fetare (katolike) të Anton Çettës, por nuk merret me kontributin e tij shkencor.
Unë personalisht, jo si shkrimtar, por si profesor dhe si doktor i shkencave filologjike, do të ndihesha i ofenduar nëse para një instituti shkencor do të vendosej figura e një pleqnari, në vend se e një shkencëtari. Anton Çetta ka bërë një gjest madhështor në pajtimin e familjeve shqiptare (kosovare), por ai s’ka bërë asnjë punim shkencor me vlerë. Është mbledhës dhe kompilator i folklorit, por s’ka pasur as metodë, as qasje, as terminologji shkencore dhe këtë e them me kompetencë të plotë. Kjo duhet thënë. Pse të kemi frikë nga e vërteta, kur Kosova tashmë, edhe falë kontributit të madh të Anton Çettës, është e çliruar?
Anton Çetta është pleqnar i madh (ka ndenjur me pleqnarë dhe ka marrë tiparet e tyre) dhe meriton një përmendore të madhe në Prishtinë, por jo para Institutit. Sepse para Institutit aq sa ai, e meriton bustin edhe Xhemail Abria.
Kujdes ku i vendosni bustet dhe përmendoret! Ibrahim Rugova është vendosur pranë Benettonit sikur të kishte qenë dizajner mode; Fehmi Agani është vendosur para Fakultetit të Filologjisë, edhe pse kurrë s’është marrë me filologji (do ta kenë ngatërruar me vëllain e tij, Hilmiun). Mund t’i tolerojmë përmendoret e figurave të fazës sonë parainstitucionale, siç i lejon gjithë bota, por jo këta të pas Luftës së Dytë Botërore.
Duhet të bëhet debat racional para se të vendoset një përmendore, që mos të hiqet pastaj nga brezat e ardhshëm. Anton Çetta ka marrë rrogë në Institut, por nuk është Vladimir Propp. Ai thjesht ka mbledhur (më shumë ka kompiluar) përralla e anekdota. Më tutje, dorën në zemër, lidhje me shkencë s’ka pasë.
Mos u çartni, vlerësojeni njeriun e urtë për atë që është, jo për atë që nuk është! E për atë që është, simbol i pajtimit, ai meriton një permendore larg institucioneve./KultPlus.com
Kanë mbetur pak ditë nga koncerti live nga Elvana Gjata në Parkun e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë. Edhe DJ Gamblemania do të jetë pjesë e koncertit.
Ky koncert tashmë është bërë edhe traditë e bankës ProCredit e cila është mbrapa tërë këtij organizimi madhështor.
Elvana Gjata ka filluar përgatitjet për këtë koncert e këtë e mësojmë nga fotot që ajo ka postuar në rrjete sociale.
Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmi’ me skenar e regji të Lorena Sopit, është shpallur fitues i trefishtë në Five Continents International Film Festival në Venezuelë, shkruan KultPlus.
Filmi ‘Përjetësisht Fëmi’ në Edicionin e 16-të të këtij festivali, në kategorinë e filmit të shkurtër, ka fituar çmimin Filmi më i mirë fantastik (Best Fantastic Short Film), pastaj Çmimin për aktorin më të mirë (Best Lead Actor Short Film) për Xhevat Qorraj dhe Çmimin për regjisorin e ri më të mirë (Best Young Director).
‘Përjetësisht Fëmi’ ka qenë pjesë e më shumë se 40 festivaleve të ndryshme ndërkombëtare dhe deri më tani ka fituar katërmbëdhjetë çmime kinematografike.
Filmi ‘Përjetësisht Fëmi’ trajton raportin e rrënuar familjar mes babës autoritar dhe fëmiut të tij të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi supet e veta fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyrë, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur ,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.
Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj, ndërsa në rolin e fëmiut, Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.
Drejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Kompozitor – Naim Krasniqi. Montazhier – Nexhmi Mehmeti. Kostumografe – Samka Ferri. Mjeshtër zëri – Gëzim Rama. Skenograf – Uran Duli. /KultPlus.com
Përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Yll Rugova, ka njoftuar se Shtëpia e Herticëve – Shtëpia Shkollë në periudhën e sistemit paralel të shkollimit e cila gjendet në Kodrën e Trimave, do të kthehet në Muze, shkruan KultPlus.
Shtëpia e Herticëve në periudhën 1992-1999 shërbeu si shtëpi-shkollë. Këtë shtëpi, në të cilën janë shkolluar rreth 10 gjenerata të gjimnazit që sot njihet si gjimnazi “Sami Frashëri”, në kohën e sistemit paralel në Kosovë.
Ndërsa ky muze sipas Rugovës, do të bëhet edhe në përkujtim të zemërgjerësisë dhe sakrificës së familjeve që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla.
“Shtëpia e Hërticëve do të kthehet në muze qysh edhe e meriton. Periudha e sistemit paralel të shkollimit ka rëndësi shumë të madhe për popullin e Kosovës dhe si e tillë duhet të kujtohet dhe shpjegohet si duhet për vetë neve që mos ta harrojmë, por të tregohet edhe për gjeneratat e reja që fatmirësisht nuk e kanë pëtjetuar atë.
Gjithsesi ky muze duhet të bëhet edhe në përkujtim të zemërgjerësisë dhe sakrificës së familjeve që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla. E këtu duhet veçuar familjen Aliu që e ka ruajtur këtë ndërtesë dhe po vë ate në dispozicion të Komunës për muze.
Faleminderit edhe Emanit për ndihmën që po e jep në këtë iniciativë, së bashku me shumë studiues e qytetarë që s’po e lënë idenë e arsimit paralel të zbehet në harresë”, ka shkruar Rugova./ KultPlus.com
Sikurse shumë adoleshente, Maedeh Hojabrit i pëlqente të vallëzonte në dhomën e saj, ta incizonte dhe ta postonte klipin në Instagram.
Megjithatë, Hojabri jeton në Iran, ku gratë nuk lejohet të vallëzojnë, të paktën jo në publik.
19-vjeçarja ishte arrestuar pa zhurmë në muajin maj dhe faqja e saj ishte hequr, me 600 mijë ndjekës që u brengosën ku është.
Përgjigja erdhi tek të martën, ku disa fansa e njohën përmes një fotografie të turbullt ku quhej “Rruga e Gabuar” dhe që pranonte se “vallëzimi është krim” dhe se familja e saj nuk ishte në dijeni për videot me këngën “Bonbon” të këngëtares shqiptare Era Istrefi.
"Dünyanın hangi yerinde, 17 – 18 yaşında genç kızların mutlu bir şekilde dans ettikleri için tutuklandığını, çocuk tecavüzcüleri serbestçe gezerken onların ahlaksızlıkla suçlandığını söylerseniz, size gülerler. Çünkü onlara göre bu durum akıl almazdır!" https://t.co/r4GqTV5lRj
Kjo ka kthyer menjëherë reagimet e përkrahësve të Hojabrit që kanë nisur një iniciativë në rrjete sociale duke postuar video të kërcimeve e fotografi në Instagram.
Shefqet Gjocaj do t’i rikthehet karriges së drejtorit të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, nëse pas rizgjedhjes së tij të dytë për mandatin e dytë, Ministria e Kulturës dhe Këshilli Drejtues i Ansamblit nuk kanë bërë shkelje të procedurave të rekrutimit.
Pasi kishte marrë mandatin e radhës, në prill të këtij viti, procedura nëpërmjet së cilës ishte zgjedhur kishte rënë në kundërshtim me Ligjin për shërbimin civil, shkruan sot “Koha Ditore”.
Asokohe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte detyruar Ministrinë e Kulturës që të anulonte krejt procedurën dhe konkursi për këtë pozitë të kthehej në pikën zero.
Por Gjocaj, sipas njoftimit të cilin MKRS-ja e ka bërë publik të hënën, ka dalë i pari në garë me 88.5 pikë. Kundërkandidatë të tij kësaj radhe ishin Agron Gërguri, Ylber Asllanaj, Haki Mulliqi, Arta Mulliqi, Mehmet Xhemajli, Blerinë Rracaj.
Gjocaj ka thënë se pret që kësaj radhe përfundimisht do të zgjidhet çështja e drejtimit të “Shotës” për katër vjetët e ardhshëm.
Sherri i Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit Drejtues të “Shotës”, ky institucion është tash e gati shtatë muaj pa drejtor./ KultPlus.com
Qendra Kulturore e Fëmijëve “Peja” është rikthyer në qytetin e Pejës nga Festivali Ndërkombëtar “Luajmë dhe Vallëzojmë” që u mbajt në Durrës, si fituese e çmimit “Best Folk Dance 2018”, shkruan KultPlus.
Fëmijët nga Peja të cilët i kushtohen traditës dhe sidomos valleve janë shpërblyer për punën dhe prezantimin që kanë bërë në Durrës, ka njoftuar Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë.
“Jemi shumë të lumtur me suksesin e arritur dhe shprehim mirënjohje dhe falënderim për fëmijët që performuan shkëlqyeshëm dhe na bën krenar si dhe e falënderojmë z.Tasim Dajçin dhe zonjën e ti Irmen për punën e palodhshme dhe profesionale që po e bëjnë me fëmijët e Pejës”, është shkruar në njoftimin e Drejtorisë së Kulturës.
Pjesëmarrja e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “ Peja” është mbështetur edhe nga Komuna e Pejës. /KultPlus.com
Janë thuajse të pangjashme ato raste, kur një shkrimtar flet pa dorashka për nënën e vet. Jemi mësuar zakonisht me figura të ëmbla, të dhembshura, të sakrifikuara.. Shumëkush është përpjekur ta tregojë shumë më shumë nga ç’ka qenë në të vërtetë, edhe pse me gjasë asnjëherë nuk ka një kut matës në atë ç’ka është nëna për ty.
E megjithatë, Kadare flet ndryshe.. Tek e fundit, ashtu si ka bërë në gjithë sa ka shkruar përgjatë gjithë karrierës së tij si shkrimtar. “Kukulla” është shembulli i përshkrimit të tjetërllojtë për figurën e nënës.
Një nga ato raste që janë të rralla, jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe në atë botërore. I tillë, i pangjashëm me një të dytë, është edhe rrëfimi i tij, në një bisedë konfidenciale me drejtuesen e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Lili Sula. Si vjen “Kukulla” në letërsinë shqipe dhe cila ishte marrëdhënia e shkrimtarit me të ëmën.
ISRAEL-ALBANIA-LITERATURE-NOBEL-KADARE
LILI SULA
“Kukulla” është një nga rrëfimet më delikate e mbresëlënëse të prozës suaj. E botuar më 2014, në “Mëngjeset në kafe Rostand: motive të Parisit”, romani u publikua shumë shpejt si libër më vete e më pas në frëngjisht, italisht, spanjisht etj., duke tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës. Po, çfarë është “Kukulla” për ju?
Për “Kukullën”, në radhë të parë, nuk u nisa të jap ndonjë risi për figurën e nënës në letërsi, se figura e saj në letërsi, duhet pranuar, është ndoshta konceptuale, si shqetësim i shkrimtarëve, si dëshirë për të shkruar, si romantikë, si gëzim ose hidhërim ndonjëherë, në rastet kur ata kanë pasur marrëdhënie jo fort të mira me nënat. Në këtë kuadër, do të thoshim se është e njohur marrëdhënia që shkrimtarët kanë me nënat e tyre.
Pothuajse të gjithë kanë qenë të prirur që të shkruajnë për to, madje edhe në rastet kur marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë edhe aq të mira, siç e përmenda më lart. Po, kjo çuditërisht është e vërtetë! Për këtë kam shkruar hapur edhe unë. Nga shkrimtarët modernë që kanë shkruar për marrëdhëniet jo të mira me nënën do të përmendnim, për shembull, Xhek Londonin, i cili kishte një acarim të vazhdueshëm me nënën e tij. Biografitë profesionale e përmendin këtë, madje e pranonte edhe vetë shkrimtari. Edhe Balzaku kishte një marrëdhënie jo të mirë me nënën, – jo deri në këtë shkallë, – por edhe ai ka shkruar hapur për të. Nëna e Balzakut e qortonte: – Ti s’di të shkruash! – Ti je dështak! E si mund të imagjinohet kjo! Përse nënat nganjëherë, me bijtë e tyre, shkrimtarë gjenialë, të tërë të talentuar, të silleshin në këtë mënyrë?! Tek-tuk mund të qëllonte që biri të sillej keq me nënën, pa ndonjë arsye.
Pra, është vështirë të gjenden në letërsi rastet kur bijtë silleshin keq me nënat e tyre. Arti i nxiste ata që të shkruanin të vërtetën. Po shtroj një pyetje në lidhje me këtë gjë: A kërkon letërsia botërore apo morali botëror, apo kurioziteti kulturor botëror në përgjithësi, të vërtetën apo të pavërtetën për nënën? Kjo është një pyetje naive për letërsinë. Letërsia nuk merret me kërkesa të tilla. Ajo s’ka nevojë për asgjë nga këto. Nuk ka nevojë as për nënë, as për babë, as për nip, as për mbesë [qesh]…
Letërsia është letërsi dhe mbetet e tillë. Ajo ka nevojë për vetveten. Fakti tregon se letërsia e madhe, ajo botërore, shpreh vetveten. Letërsia ka ligjet e saj. Dhe, mbi të gjitha, bukuria dhe hyjnia e saj e brendshme është ajo çka të nxit, prandaj unë nuk u nisa të jap ndonjë të vërtetë për nënën. – Jo! Kam sjellë ndër mend nënën time, me një intuitë letrareartistike. Kam kuptuar se figura e saj të jep dorë për letërsi. Figura e nënës sime ishte e pazakontë e kjo më ndihmoi. Po të mos ishte ashtu, nuk do të shkruaja fare për të, por do ta krijoja vetëm në mendjen time.
Ato të dhëna që kam gjetur te nëna ime ishin të tilla… Thuajse nuk e kam përmendur fare nënën në veprën më përpara. I shmangesha gjithmonë përshkrimit të saj. I shmangesha se e ndieja që donte një sqarim kjo gjë; për të thënë të vërtetën e saj. Për shembull, për gjyshen kam shkruar me shumë dashuri, gjithashtu, edhe për gjyshin nga nëna, babazotin, po ashtu edhe për ungjërit, tezet, për të gjithë…
Domethënë, vetiu e kam shmangur gjithmonë nënën, se ishte e komplikuar për t’u shkruar; ishte jashtë skemave. Siç thashë, kjo nuk është e rëndësishme për letërsinë, pra që të shkruaj si ishte nëna ime. Fundja, janë çështje private. Nuk është parim ky. Por është një rastësi në jetën e shkrimtarit. Fillova të shkruaj për figurën e saj të komplikuar se është bukur për letërsi. Nëna ime, Hatixhe quhej, ishte e lindur për letërsi, me atë mendjen e saj të kufizuar. Unë e kam thënë, pa e fshehur, që s’ishte as e zgjuar shumë e as e pazgjuar [qesh]. Ajo e dinte këtë, e pranonte. Dhe ne bënim humor me të. Ajo ishte e tillë që përjashtonte skemën: nënë e mirë ose nënë e keqe; nënë e kujdesshme ose e pakujdesshme. I përjashtonte këto të gjitha. Do të shkruaj thashë. Në këtë rast nuk kam ndonjë tjetër shtysë sesa të respektoj letërsinë, jo nënën, as familjen.
Mund të na veçoni ndonjë prej shkrimtarëve botërorë, që ka lënë gjurmë te ju, në qendër të veprave të të cilëve është figura e nënës?
Plot kam lexuar. Nuk ka vepra kush e di se çfarë për nënën. Ka edhe libra ku trajtohet nëna me tone paksa groteske… Ja, përse e kam marrë zët “Nënën” e Gorkit. Është thuajse e neveritshme! Nëna e tij jepte vetëm këshilla revolucionare. Gorki ishte shkrimtar i madh, të themi të drejtën. Po, si ka rënë ai në këtë personazh?! Nëna e tij qe model për revolucionarët e rinj. Prandaj edhe për letërsinë tonë, ajo [‘Kukulla’] është një arritje. Është një pjekuri që nuk pritet nga një vend ballkanik. Pritej nga Balzaku, për shembull, që të shkruante diçka për nënën, diçka jo të mirë, negative. Por nuk shkroi, vetëm la tek-tuk ndonjë kujtim. Po nëna e Xhek Londonit? Hapi furrë buke vetëm për të turpëruar të birin. Ai filloi të bëhej i pasur nga botimet, ndërsa ajo donte t’i fitonte vetë të ardhurat, kështu u bë furrtare. Siç janë të mira nënat, janë edhe të këqija ndonjëherë. Dhe mua Zoti më dha, si të thuash fati, një nënë që nuk më detyronte as nga njëra anë e as nga ana tjetër që të shformoja gjurmët.
Si mendoni, a përkon titulli “Kukulla” me pjesën e pazakontë të një nëne të çuditshme, pak koketë e artificiale?
Po, e ka këtë lidhje me kukullën si krijesë artistike, artificiale. E kam thënë se ishte pak artificiale si njeri, në kuptimin që nuk ishte e zakonshme. Dhe, në të vërtetë, është një Kukull krejt e veçantë dhe pikërisht këtu qëndron origjinaliteti i saj. Është e thjeshtë! Nëna ime ka vdekur vonë; njëzet vjet pas babait. Dhe më kujtohet, ishte shumë naive. Kishte vërtet një naivitet të theksuar e gati të tepruar. Vuante se mos nuk e merrnim seriozisht. Dhe mirë e kishte, se nga naiviteti thoshte gjëra që të vinte për të qeshur. Ishte gati si fëmijë… Babai im ka qenë i pashëm, ndërsa nëna ka qenë grua e mesme. Në tërë këtë konceptim duhen thënë gjërat që janë… Vërtet lexuesit mund të shfaqin habi për nënën time. E vërteta është se ishte naive, tepër naive, për këtë, jo vetëm babai, por edhe ne, si të thuash, e vinim në lojë. Mospëlqimi i familjarëve për mënyrën se si e kam përshkruar nënën erdhi pa dramaticitet.
Në letërsinë bashkëkohore, “kukulla” luan rolin e çelësit modern në interpretimin e rrëfimit. Po te ju, si vjen ajo?
Vetë figura e saj, e kukullës, është moderne. Një çelës që të kujton njeriun, sendërgjimin e tij. Është ai a s’është ai. I shkon letërsisë, për të thënë se i shkon shumë bukur. Dhe për çudi, ne kështu e perceptonim, edhe fëmijët e mi, si një kukull. Lozte rolin e kukullës edhe me vajzat. Ndoshta nga kjo e lidha edhe në subkoshiencë. Vajzat e mia i vinin tela, ajo rrinte, se ishte e durueshme dhe e urtë. – Nëna rri kështu tani, – dhe ajo rrinte. Ato e zbukuronin, e kur vinim ne ajo thoshte: – Ç’të bëj unë, më vjen keq t’ua prish vajzave. Kështu ishte tipi i saj [qesh].
Ishte naive. Ajo donte, në kuptimin, i pëlqente dhe ëndërronte të bëhej e famshme, me naivitetin krejt si të fëmijëve, të cilët duan të bëhen mbreti/mbretëresha ose princi/princesha. Ngaqë dëgjonte që unë u bëra i famshëm, me sa duket e ngacmonin gratë dhe me mendjen e saj fare naive mendonte se ç’bëjnë shkrimtarët. Kisha shkruar diku që shkrimtarët e famshëm ndërrojnë nënat, si ndërrohen gratë [qesh]. Nëna ime kujtonte se kjo mund të ndodhte me të vërtetë [qesh]. Nuk e dinte! Dinte ndërrimin e grave, më vonë, që martoheshin e rimartoheshin…
Mirëpo, si të ndërrojë njeriu nënën?! [qesh] Po ishte aq naive, saqë arrinte ta besonte këtë. Me siguri e nxiste fakti që unë isha i dëgjuar, shumë i dëgjuar, dhe ajo e përjetoi këtë gjë; e shijoi si të thuash. Ia thoshin të gjithë: djali yt është i dëgjuar, i famshëm. Dhe i pëlqente që të trajtohej si nëna që ka lindur një fëmijë të famshëm, por edhe këtë e shprehte me naivitet. Gjatë shkrimit të “Kukullës” doja që ajo të më koincidonte me një përfytyrim të bukur të nënës dhe thuajse të gjithë e kanë kapur këtë sens origjinal.
Thënë ndryshe, më nxiti edhe ana e saj artificiale, çka thashë, ana prej manekine, më ndihmoi ai gjaku i saj që ishte pak i ngrirë, në kuptimin statik. Më falte atë përjetësi. Afër statujës. Diçka origjinale që më ka shkuar në mendje është, se më dukej që ajo pagoi një taksë për mua. Pati një mendje të thjeshtë. Nuk do ta besonte njeri që një shkrimtar që quhet i shquar, i madh, e ku e di unë, të ketë një nënë kaq naive e të pamençur, të flasim realisht.
Nga ana tjetër, ju e keni sofistikuar e modernizuar figurën e saj, duke përmbysur gjithë imazhin e nënës në letërsinë tonë.
Mirëpo, e pranoi publiku botëror. E kam vënë re, se ka me qindra artikuj për të. Askund nuk ka diçka jo të mirë ose si të thuash një negacion për të. Përkundrazi, çmohet! Është një nënë e vërtetë dhe e pavërtetë, një nënë e vërtetë për letërsi. E sakrifikuar për letërsinë. Kam përshkruar Izmini Kokobobon, jo vetëm në këtë vepër, por edhe në vepra të tjera, kështu e kishte emrin në të vërtetë.
Ajo kishte studiuar në Itali. Nëna ime pati një rivalitet të hapur me të. Izmini e ngacmonte dhe krijonte situata humori në shtëpinë tonë, duke i thënë: – Ti je nëna e një shkrimtari të famshëm. – E, ashtu jam!, – ia kthente nëna, por me të e kishte si me inat, si të thuash. – Po si nuk del të flasësh në ndonjë konferencë…, – vazhdonte Izmini. Nëna qëndronte pa folur dhe vetëm e dëgjonte, sepse nuk arrinte ta kuptonte a e kishte me të vërtetë apo jo. Unike, në letrat tona, figura e Kukullës-nënë, krijim i fantazisë dhe i kujtesës, që tkurr format trupore për t’i lënë vend lehtësisë së grafikës me tone karikatureske e portretit të zbrazët. Po! E vërtetë është. Nëna ime nuk ishte trupore, njerëzore. Unë nuk e mbaj mend, për shembull, dhe e them me të vërtetë këtë, nuk e mbaj mend ta shihja të hynte ose të dilte nga tualeti. I shmangej kësaj. Por jo vetëm kësaj… Kaq shumë përjashtohej ana trupore tek ajo. Është e çuditshme! Kishte një prudencë, një vetëpërmbajtje, në kohën që unë nuk isha ndonjë i turpshëm [qesh]…
Siç e përmendët, janë të njohura dy forma kryesore marrëdhëniesh mes fëmijëve, (shkrimtarëve të famshëm) me prindërit e tyre. Ç’mund të na thoni për rolin e kujtesës në sendërtimin e Kukullës-nënë?
Është një nga pakënaqësitë e mia! Kam edhe pakënaqësi të tjera, për të cilat kam shkruar edhe gjetkë, siç janë, për shembull, bisedat e tyre në mëngjes, të cilat nuk më pëlqenin fare, për arsye thjesht egoizmi. Mendoja se ata duhet të mendonin të më martonin mua [qesh], e jo të flisnin për ato gjepura; jo nuk na dalin paratë, jo kështu e jo ashtu… Në të vërtetë, unë kisha marrëdhënie të mira me prindërit. Babai dhe nëna ishin njerëz krejt të kundërt. Babai (Haliti) ishte serioz e i heshtur. Kur kam shkruar se babai bënte gjyqe në shtëpi, nuk është trillim, por e vërtetë. Babai im ishte ftues gjyqi. Ftues gjyqi është postier i gjyqit, postier special që dërgon dokumentet gjyqësore.
Pra, ishte një postier i besuar. Një pjesë të kohës e kalonte në sallën e gjyqit. Tërë jetën ka dëgjuar sekrete gjyqësore, që janë të pafundme në një qytet si Gjirokastra; sekrete intime nga ndonjëherë, sekrete që kishin lidhje me trashëgiminë, me tradhtinë bashkëshortore, me tapitë, me ndarje pasurish e të tjera si këto. Ai nuk tregonte asgjë lidhur me to. Ishte institucional, respektonte shtetin, ashtu siç ishin burrat gjirokastritë në përgjithësi.
E siç po thosha, bisedat e tyre të mëngjesit ishin përgjithësisht për anën ekonomike, por unë e kisha mendjen se si nuk më martojnë, të mendojnë për martesën time. Isha dymbëdhjetë–trembëdhjetë vjeç dhe doja të martohesha [qesh]. Të gjithë ne të vegjlit ishim me ëndërrime të tilla. Ëndërronim si është trupi i femrës dhe thoshim ç’bëjnë këta prindërit tanë, duhet të mendojnë të na martojnë [qesh]. Ishim idiotë nga mendja. Ka sinqeritet [te ‘Kukulla’], por kryesorja është që kam respektuar artin. Kam gjetur një personazh në familjen tonë, që ishte e lindur për letërsi, shkruan Panorama./ KultPlus.com
Në një ekran gjigant të ngritur në një amfiteatër, fotografitë rrëshqasin nëpër të kaluarën. Lumi “Yangtze” në Kinë duket toksik nën mjegullën e mëngjesit, derisa oxhaku i një fabrike lëshon një grumbull tymi drejt qiellit.
Sipërfaqet e asfaltit në një hekurudhë në Irak, janë shkatërruar nga bombat. Trupi i vdekur i një foshnje, shihet po ashtu. Thuajse të gjitha fotografitë shpërfaqin kriza: gati se të gjitha janë tmerrësisht të bukura. Kur përfundoi shfaqja e tyre, plasën duartrokitjet. Ngjarja zuri vend për të shënuar edicionin e dhjetë të “Prix Pictet award”, si pjesë e rëndësishme e festivalit të përvitshëm të fotografisë “Rencotre d’Arles”, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e New York Times. Çmimi është një kombinim i çuditshëm kontrastesh: është një prej më të pasurve në aspekt monetary, duke përfshirë 100 mijë franga, që sigurohen nga një bankë private zvicerane: dhe vë theksin e vëmendjen në qëndrueshmërinë ambientale, çështje kjo që jo gjithmonë lidhet me financier të pasur. Derisa fotografët gjithnjë e më shumë janë fascinuar me konceptualizmin, ky çmim shpërblen nocionin e dalë mode, që detyra parësore e fotografëve është ta shfaqin botën ashtu siç është – dhe mundësitë ta ndryshojnë atë.
Stephen Barber, njëri prej atyre që e ka themeluar çmimin më 2008, duket i befasuar sesi kanë ecur gjërat deri këtu. “Është zhvilluar në mënyra që s’kemi mundur t’i presim a parashikojmë”. Por a e kishte parashikuar ai qëllimin e çmimit, si art apo aktivizëm? “Të dyja” thotë ai. “Ose mbase asnjërën”.
Gara zgjat 18 muaj, dhe në këtë dekadën e fundit ky çmim ka nxjerrë shtatë fitues. Fillimisht, organizatorët e kanë shpallur që tema lidhet me qëndrueshmërinë – temat e mëparshme kanë përfshirë ujin, tokën, kaosin, hapësirën etj – dhe pas kësaj një gamë prej 300 kuratorësh, galeristë, gazetarë e ekspertë të tjerë rekomandojnë një listë që shpeshherë përfshin rreth 600 fotografë. Kjo pastaj reduktohet në listën e ngushtë me 10 veta. Pas një viti apo më shumë së kaq, fituesi më në fund shpallet dhe vepra e përzgjedhur shkon në një turne botëror.
Në dhjetë vjetët e fundit, veprat fituese të “Prix Pictet” janë ekspozuar në më shumë se 40 qytete dhe janë parë nga 400 milionë njerëz. Në Mexico City, këtë vit, 86 mijë njerëz e kanë vizituar ekspozitën e fundit të çmimit.
Sado që disa prej emrave më me nam të fotografisë janë përfshirë në listën e ngushtë, mes së cilëve Edward Burtynsky, Andreas Gursky dhe Thomas Struth, juritë zakonisht kanë befasuar duke zgjedhur fitues më pak të njohur. I pari ishte fotografi pak i njohur kanadez, Benoit Aquin, i cili kishte triumfuar me një seri të imazheve sureale të stuhive të pluhurit në Kinë. Katër vjet më vonë, çmimin e kishte marrë Luc Delahaye, një fotoreporter, i cili ka realizuar imazhe që eksploronin kufirin ndërmjet raportimit për luftën dhe një peizazhi arti.
Sado që çmimi ka për qëllim të shpërfaqë tema aktuale – fituesi i vitit 2017 ishte fotografi irlandez Richard Mosse, që fitoi me imazhet nga kampet e refugjatëve – jo të gjitha veprat e prezantuara aty janë epike. Fituesi i para disa viteve ishte artistja Valerie Berlin, e cila kishte ilustruar përdorimin e tepruar të plastikës në një seri fotografish.
Sam Stourdzé, fitues i “Arles festival”, ka thënë se cilido qoftë debati mbi formën apo ambiciet e “Prix Pixtet”, ato që kanë rëndësi janë kualiteti dhe thellësia e fotografëve.
“Ka shumë punë fotografike që pasqyrojnë botën: çmimi ‘Prix Pictet’ e thekson këtë”, ka thënë ai.
“Nuk është e thënë të jesh fotoreporter për t’u brengosur se çfarë po ndodh përreth”. Pak minuta pas prezantimit të fotografive në kuadër të festivalit, është prezantuar edhe tema e sivjetme e garës: “shpresa”. /KultPlus.com
Në krejt dasmat, në krejt atë grumbull zhurmash, nuk ka gjë ma neveritëse sesa kur e këndojnë “kallma cigaren”. Burri ulet në mes, gruaja ia ndez cigaren ndërkohë që këngëtari vazhdon “me ma idhnu nanen, guhen ta shkurtoj”. Ma shumë se gjysma e dasmave, këtë varg e marrin shumë seriozisht.
Këtu, pa pasë nevojë me shku më tutje, e gjeni krejt simbolikën e një sistemi shtypës ndaj gruas. Shtypje për të cilën e përgatisin qysh “natën e festës”. Poshtërim publik pa fijen e konsideratës.
“Po t’jemi bashkë ne të dy”, është një këngë popullore që sapo fillon ta dëgjosh, do të rrëmbehesh në rrjedhën e tekstit, pasi që është dëgjuar aq shumë herë përmes zërave më të njohur shqiptar, shkruan KultPlus.
Rëndom kjo këngë është kënduar në duet dhe është një dialog mes dy të dashuruarve që ëndërrojnë për bashkim. Përmes ndërlidhjes se hijeve të natyrës, perëndimit të diellit e shuarjes së etjes nga krojet, njëri është në kërkim të zërit të tjetrit. Ky interpretim përmes dueteve të ndryshme ka ngjallur emocione tek dëgjuesit shqiptarë.
KultPlus ju sjellë katër versione të kësaj kënge të kënduar nga këngëtarë të njohur shqiptar.
https://www.youtube.com/watch?v=KLjavFqFPA4
Mbeta gjithë ditën hijeve
se m ‘thanë hijeve rri…
Etjen e shova krojeve
krojeve ku pin ti…
Plasa u rafte o hijeve
qe s’mujten me më fresku…
Po ashtu uji i krojeve
qe etjen s’ma ka shu…
Po t’jemi bashkë ne të dy
do t’na shikojnë me zili
E do t’na flasin nder sy
sa duhemi unë e ti…
Kur p’rendon dielli majave
e muzgut rrugë i lëshon…
E ngrohtë asht rrahja e zemrave
kur vajzës nisa e i knoj…
Besa u plaka ne k’ta kroj
te flas e kurrë s’më flet…
Un zanin tan du ta nigjoj
por ti përgjigje s’jep..
Po t’jemi bashkë ne të dy
do t’na shikojnë me zili
E do t’na flasin sytë
sa duhemi un e ti…
Po t’jemi bashkë ne të dy
do t’na shikojnë me zili
E do t’na flasin sytë
sa duhemi un e ti…
Po t’jemi bashk ne te dy
do t’na shikojn me zili
E do t’na flasin sytë
sa duhemi unë e ti…
Sapo të lexoni për këtë qytet, do të mendoni se ai ekzistoi shumë kohë më parë, por jo.
Ekziston ende një vend në botë ku mund të jetoni, të themi jo për shkak të pamjes së tij, por për shkak të idealeve të shoqërisë që jeton aty, shoqëri kjo që nuk i ndjek standardet me të cilat jemi mësuar.
Në këtë qytet nuk ka para, nuk ka fe dhe nuk ka politikë. Ky qytet është me të vërtetë një parajsë për të jetuar. Ky vend ekziston me të vërtetë dhe quhet “Auroville”. Qyteti ishte themeluar më 1968 dhe është nën mbrojtjen e UNESCO-së, dhe banorët e tij janë të 50 nacionaliteteve dhe kulturave të ndryshme.
Ata bashkëjetojnë pa asnjë problem, pasi që aty nuk ka sistem politik, nuk ka fe, dhe mbi të gjitha, ata nuk e përdorin paranë por jetojnë përmes sistemit të shkëmbimit.
Auroville ndodhet në Indi Jugore, 150km nga Chennai në Madras. Në këtë qytet epik, ndërtesat janë bërë bazuar në një arkitekturë eksperimentale, pasi që ndryshojnë vazhdimisht.
Personi që e projektoi këtë dhe ia doli ta realizonte këtë qytet të mrekullueshëm ishte: Mirra Alfassa, e njohur si “Nëna”.
“Duhet të ekzistojë një vend në Tokë të cilin asnjë komb nuk mund ta quajë të tijin; aty ku të gjitha qeniet njerëzore të vullnetit të mirë që kanë aspirata të sinqerta do të mund të jetonin të lirë si qytetarë të botës, duke iu nënshtruar një autoriteti të vetëm, e që është e vërteta supreme. Një vend i paqes dhe harmonisë, një vend ku nevojat shpirtërore dhe kënaqësia shpirtërore tejkalon kënaqësinë materiale”, ishte ideja e Alfassa-së.
Nga kjo hipotezë, del se në Tokë tani ekziston një qytet ndërkombëtar.
Sondazhe të ndryshme politike, por që në thelb kanë zgjedhjet e brendshme të LDK-së, janë pjesë e faqes zyrtare të “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”, institucion ky shtetëror që është në varësi të Muzeut të Kosovës, shkruan KultPlus.
Në këtë faqe zyrtare të këtij institucioni kulturor, që dikur ishte vatra e vendimeve më të mëdha të Kosovës, pasi që në këtë objekt/institucion kishte vepruar Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, nuk mund të gjeshë shumë informacione mbi Muzeun, apo për gjësendet që janë brenda këtij institucioni, apo edhe orarit të vizitave, pasi që dihet që tashmë është periudha e diasporës dhe do të mund të ftonin vizitorë, në këtë faqe, postimi i fundit që është bërë është një sondazh se nëse duhet të kthehet në krye të LDK-së, Fatmir Sejdiu, apo edhe një sondazh tjetër i ngjashëm, se nëse do të ishte më i përshtatshëm të marr timonin e LDK-së Vjosa Osmani apo Lutfi Haziri.
Faqja e këtij institucioni kulturor, që emblemë ka Ibrahim Rugovën më shumë i ngjanë një portali jo serioz se sa të një institucioni të rëndësishëm, ashtu sikur edhe e mbanë emrin ky institucion, duke përfshirë edhe shumë lajme të tjera që nuk i shërbejnë funksionit të Muzeut.
Përshkrimin i vetëm në këtë faqe shkruan se ky objekt dikur objekti i selisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës që tash mban mbishkrimin Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”, sikurse është adresa e faqes së këtij institucioni, por nëse klikohet mbi të, edhe ajo faqe është jashtë funksionit http://muzeu.rks-gov.net/planifikoni-viziten-tuaj/shtepia-e-pavaresise/
Ka përfunduar edicioni i 8-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, në Pogradec. Një festival i cili zgjati plot 7 ditë me radhë ku u shfaqen mbi 70 filma të ndryshëm artistikë, dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër.
Me çmim të parë u nderua filmi “Dita zë fill” i Gentian Koçit , ndërsa çmimet e tjera shkuan për Bullgarinë, Slloveninë, Maqedoninë, Greqinë etj. Për organizatorin e këtij festivali Eno Milkani edhe ky vit ishte një sukses, ndërsa ka ende disa sfida për tu përmirësuar në festivalin e ardhshëm.
Ndërsa për Presidentin e Nderit të këtij festivali Viktor Zhusti ky edicion ka qenë një sukses i vërtetë, kombinimi e krijimtarisë me natyrën dhe turizmin kanë krijuar një atmosferë mjaft interesante dhe frymëzuese në Pogradec për këta krijues.
Pjesë e festivalit edhe këtë vit ishte Mish –Mash Production ku të rinj nga gjithë Ballkani prodhuan mini reportazhe për çështje të ndryshme sociale si dhuna ndaj fëmijëve apo edhe paqja .Çmimi i parë ka shkuar për “Let me Hug You” ,një mini reportazh i krijuar nga fëmijë nga Kosova e Serbia të cilët përcollën kështu mesazhin e paqes dhe dashurisë.
Studiuesi Gjon Keka ka zbuluar në një kronikë evropiane, një stemë të vitit 1687 që tregon se si shtëpia e Kastriotëve dhe stema e tyre kishte shqiponjën e kurorëzuar dhe yllin në stemën e tyre, shkruan KultPlus.
Kjo stemë tregon qartë se si dukej atëherë flamuri i Gjergj Kastriotit dhe shqiponja e kurorëzuar dhe si duket sot flamuri pa kurorat mbi kokën e tyre dhe yllin lartë.
“Nuk dihet pse flamuri që sot mbajmë me shqiponjën nuk ka kurorat mbi kokat e shqiponjave dhe yllin ashtu sikur e kishte ngritur Gjergj Kastrioti ne Krujë. Sidoqoftë kjo stemë, kjo shqiponjë e kurorëzuar dhe yllin lartë është stema dhe flamuri origjinal i identitetit tonë kombëtar arbnor evropian”, thotë Keka./ KultPlus.com
Ju ka marrë malli për kukullat, por keni nisur pushimet? Këtë verë janë kukullat që do të vijnë pranë jush, aty ku po pushoni.
Kësulëkuqja është vetëm një nga personazhet e shumtë që do të udhëtojë në 10 qytete të Shqipërisë për të argëtuar jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit.
Kalendari turistik i aktiviteteve verore të Teatrit të Kukullave nisi në Ksamil me shfaqjen “Çufo dhe Tipi, një aventurë me verdhushka”, ku u bashkuan fëmijë dhe të rritur në skenat e hapura, ku artistë dhe spektatorë ishin pjesëmarrës të aventurave të Çufos dhe Tipit, orëve me muzikë, teatër, kërcim.
Turi lëvizës i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe personazhet e Teatrit të Kukullave gjatë gjithë muajit korrik do të jetë pranë jush, ne bregdet dhe vendet ku ju do të pushoni.
Shfaqjet e kukullave do të mbahen jo vetëm në sheshet e qyteteve bregdetare në Sarandë, Ksamil, Vlorë, Durrës, por edhe në Përmet, Korçë e Gjirokastër, për të kënaqur të gjithë fëmijët gjatë gjithë muajit korrik./ ata
Stefan Cvajg (Zweig), është një nga shkrimtarët më të njohur në botë, i viteve 20-të dhe 30-të. Ai shkroi novela dhe tregime, si edhe shumë biografi të figurave të njohura të historisë së botës, ndër të cilat më e famshmja është biografia e Maria Stjuart, si edhe ajo e perandoreshës Mari Antuanete.
Cvajg u bë i njohur fillimisht si poet dhe përkthyes (ai zotëronte 5 gjuhë të huaja, përveç hebraishtes, latinishtes dhe greqishtes së lashtë) dhe më pas si biograf, tregimtar dhe novelist.
Ai njihet si intelektuali i parë që hodhi idenë e një Evrope të Bashkuar, në vitin 1908.
Po të bëjmë listën e veprave të Cvajg është shumë e gjatë dhe ju e dini tashmë këtë, por ne kemi përzgjedhur disa fraza brilante nga këto libra, që mbeten të papërsëritshme…
1.
“Vetëm fatkeqësia e mërgimit mund të jua japë thellësisht kuptimin dhe pasqyrimin e realiteteve të kësaj bote.”
“Shpirti i lirë dhe i pavarur, i cili nuk beson në dogma dhe nuk vendos në favor të asnjë partie, nuk mund të gjejë shtëpi në këtë botë.”
“Vetëm personi që e ka provuar dritën dhe errësirën, luftën dhe paqen, ngritjen dhe rënien, vetëm ai e provuar vërtetë jetën.”
“Kisha mbërritur në një moshë në të cilën të tjerët tashmë veç ishin të martuar për kohë të gjatë, kishin bërë fëmijë dhe mbanin pozita të rëndësishme dhe që kishin qenë të obliguar ta prodhonin më të mirën që ka qenë brenda tyre, me energjinë e tyre të plotë.
Ndërsa unë ende e konsideroja veten të ri, një amator që e kishe kohën e pakufishme, dhe që hezitoja për çfardo vendimi përfundimtar.”
– Nga vepra “Bota e djeshme”
2.
I tronditur në thellësitë e shpirtit tuaj, e dini që dikush është duke pritur për ju ditë dhe netë, duke menduar për ju, duke u përgjëruar me psherëtim për ju – një grua, një e huaj.
Ajo të kërkon, ajo të dëshiron me secilën fije të qënies së saj, me trupin e saj, me gjakun e saj.
Ajo i dëshiron duart e tua, flokët e tu, buzët e tua, natën dhe ditën tënde, emocionet e tua, ndjenjat e tua dhe gjithë mendimet dhe ëndërrat e tua.
Ajo dëshiron të ndajë çdo gjë me ju, të marrë gjithçka nga ti, dhe ta tërheq atë brenda me frymën e saj.
Prandaj, që këtej e tutje, ditën dhe natën, pavarësisht nëse jeni mashkull i fjetur apo i zgjuar, ekziston diku në botë, një qënie që është zgjuar për ju, dhe ju jeni qendra e zgjimit dhe ëndrrës së saj.
Është i kotë tentimi i juaj si mashkull për të mos menduar për të, për atë që mendon gjithmonë për ju.
Më kotë ju tentoni të arratiseni, sepse ju nuk rroni më tek vetja e juaj, por tek ajo.
Nga vepra: Kujdes dhe Keqardhje
3.
Forca e një dashurie nuk mund të matet kurrë saktë, kur njeriu e vlerëson atë nga forca që e lind dhe jo nga tensioni që ndjehet më parë, nga ajo hapësirë e zgavërt dhe e errët zhgënjimi e vetmie, që u paraprin të gjitha ngjarjeve të mëdha të zemrës.
Edgarin e mundonte prej kohësh pesha e tejrëndë e ndjenjave të pakonsumuara dhe tani ai u derdh krahëhapur drejtë njeriut, të parë, që dukej se e meritonte dashurinë.
Nga vepra “E fshehta përvëluese”
4.
Unë nuk e di, në e më njeh me të vërtetë.
Nuk besoj.
Gjithmonë mendoj se ti më mbivlerëson.
Unë nuk jam ndonjë njeri i madh dhe nuk bëj pjesë tek ata që… që e sundojnë jetën të kënaqur dhe të sigurtë në vetvete.
Do të desha të isha si ata, por nuk jam.
Unë i përshtatem jetës, unë jam nga ata që lakmojnë atë që duan.
Thjesht jam si të gjithë burrat; kur dua një grua, unë nuk kënaqem vetëm duke e adhuruar, por unë… unë edhe e dëshiroj atë…
Dhe… unë nuk dua të të gënjej me gjëra që janë të huaja për mua.
Nuk dua që ti të më përbuzësh.
Ti më je shumë e shtrenjtë. Nuk dua të të humbas.
Nga vepra “Dashuria e Erikës”
5.
Ajo ishte në atë momentin kritik, kur një grua fillon të pendohet që i ka qëndruar besnike një burri të cilin nuk e ka dashur vërtetë, atëherë kur ngjyrat shkëlqyese të bukurisë së saj i ofrojnë asaj një zgjedhje urgjente të fundit, mes dashurisë amënore dhe asaj femërore.
Në momente të tilla, vihet edhe një herë në pikëpyetje rruga e një jete, e cila ishte menduar se moti është përcaktuar.
Për herë të fundit gjilpëra e kompasit të vullnetit rri pezull mes dorëheqjes përfundimtare dhe shpresës për një përvojë erotike.
Nga vepra “E fshehta përvëluese”
6.
Njerëzit më braktisnin, gratë vinin dhe shkonin, nuk ndihesha aspak ndryshe, nga ai që rri në dhomë dhe e sheh shiun në xhama, mes meje dhe ngjarjeve të papritura gjendej diku një mur i qelqtë, të cilin nuk kisha forcë ta shembja me vullnet.
Megjithëse e ndjeva qartë këtë tani, kjo njohje nuk më solli asnjë shqetësim, meqenëse, e thashë pra, që unë dhe gjërat që më përkisnin i merrja me indiferencë.
As për të vuajtuar nuk më kishin mbetur më ndjenja.
Me mjaftonte që ky defekt shpirtëror ishte shumë pak i dukshëm jashtë, pak a shumë si impotenca fizike e një mashkulli që kuptohet vetëm në çastet intime, dhe unë qëndroja shpesh në shoqëri duke e demostruar admirimin përmes një pasioni artificial, përmes ekzagjerimeve spontane të mallëngjimit për të fshehur, se sa i thatë dhe sa mospjesmarrës isha përbrenda.
Ne dukje jetoja përsëri jetën time të vjetër, të këndshme, të shpenguar, pa e ndryshuar drejtimin e saj; javë, muaj, shkisnin lehtë dhe ktheheshin ngadalë në vite pa e kuptuar.
Nga vepra “Natë fantastike”
Stefan Zweig (1881-1942) ecrivain autrichien, ici vers 1912 — Stefan Zweig (1881-1942) austrian writer, here c. 1912
7.
Kur një grua i reziston një pasioni të paftuar, ajo është duke iu bindur plotësisht ligjit të gjinisë së saj; veprimi fillestar i refuzimit, në mënyrë që ato të flasin, është instikt i lashtë në çdo femër dhe nëse ajo e refuzon madje edhe pasionin më të zjarrtë, ajo nuk mund të quhet jo-njerëzore.
Por, sa shkatërruese është atëherë kur, fati e ç’rregullon balancën, kur një grua e mposht modestin e saj natyrale, duke ia zbuluar pasionin e saj një mashkulli, atëherë kur pa qenë e sigurt se pasioni do t’i kthehet, ajo e ofron dashurinë e saj, ndërsa ai, mbetet i ftohtë dhe në mbrojtje.
Një lëmsh i pazgjidhshëm ky, gjithmonë, sepse të mos ia kthesh dashurinë një gruaje, do të thotë të ia thesh krenarinë, ta dhunosh modestinë e saj.
Mashkulli, i cili nuk i pranon përparësitë e një gruaje, e plagos atë në ndjenjat e saj më fisnike. Rezistenca e tij, në mënyrë të padukshme, bëhet mizori.
Nga vepra “Kujdes dhe Keqardhje”
8.
“Asgjë nuk e zgjon më shumë inteligjencën se sa dyshimi pasionant, asgjë nuk i zhvillon më shumë aftësitë e një mendjeje rinore, se sa gjurmët që ikin drejt errësirës.”
Nga vepra: “E fshehta përvëluese”
9.
“Duket pothuajse një hakmarrje e ligë e natyrës ndaj njeriut kur vë re se tërë arritjet e teknologjisë, falë të cilave ai ka mundësi të bëhet zot i forcave më misterioze të saj, çorodisin njëherazi shpirtin e tij.
Teknologjia s’na ka hedhur mallkim më të keq se sa duke mos na lënë, qoftë edhe për një çast të vetëm, të shkëputemi nga e tashmja.
Në kohë katastrofash, brezat e mëparshëm mund të iknin larg e të strukeshin sërish në vetmi, ndërsa ne jemi të detyruar të dimë e të ndiejmë brenda orës, madje brenda sekondës, çdo gjë të keqe që ndodh në planetin tonë.”
Nga vepra “Bota e djeshme”, shkruan supershendeti.
10.
“Duhej luftuar kundër luftës! E kisha njohur kundërshtarin që do ta luftoja – heroizmi i rremë, që preferon t’i dërgojë të tjerët drejt vuajtjes e vdekjes, optimizmi bajat i profetëve të pandërgjegjshëm, politikë dhe ushtarakë, të cilët, duke premtuar pa skrupuj fitoren, zgjatin kasaphanën dhe pas tyre kori i paguar i tërë atyre “fjalshumëve të luftës”, siç i damkoste me turp Verfeli në poezin e vet të bukur.
Kushdo që shprehte ndonjë dyshim, i bezdiste në allishverishin e tyre patriotik; këdo që paralajmëronte për ndonjë rrezik, e quanin pesimist dhe talleshin me të; këdo që dilte kundër luftës, nga e cila ata nuk vuanin fare, e stigmatizonin si tradhëtar.
Ishte gjithnjë e njëjta klikë, ajo klika e përjetshme përmes epokave, klika e atyre që quajnë frikacakë të kujdesshmit dhe të dobët humanët, për të mbetur pastaj edhe vetë të hutuar në çastin e katastrofës që e kanë shkaktuar me mendjelehtësin e tyre.”
– “Ai brez të cilit morali i’a ndalonte çdo shpjegim ose çdo afrim të padjallëzuar me seksin tjetër, qe njëmijë herë më i dhënë pas erotizmit se sa rinia e sotme, që ka liri më të madhe në dashuri.
Kjo ndodhte sepse, vetëm gjëja e refuzuar e nxiste dëshirën, vetëm e ndaluar e shtonte lakminë, dhe, sa më pak të shihte syri, sa më pak të dëgjonte veshi, aq më shumë ushqehej mendimi me ëndërrime.
Me një fjalë, ajo trysni mbi rininë tonë bëri që të ngjizej tek ne jo një moral më i lartë, por vetëm mosbesim e zemërim kundër tërë atyre instancave të shoqërisë.”
Boutuesi i OSMCA 1, Luan Pengili thotë pa asnjë hezitim që është libri më i mirë i Nesturit në gjininë e tregimit, por gjithashtu është edhe një pasurim i letërsisë shqipe me një botim cilësor, shkruan KultPlus.
Ky libër përfshin tetë tregime të shkruara plot finesë ku ndeshen e takohen fate njerëzore, e ku secili prej tyre dallohet për origjinalitetin dhe ngjyrën që përcjell.
“Edhe në këtë libër, tek Nesturi spikatin ndjeshmëria artistike dhe mprehtësia krijuese, të cilat vijnë në një shkallë më të lartë. Ngjarjet e tregimeve të përfshira në këtë vëllim, rrokin një dimension të madh kohor, duke i përkitur epokave të ndryshme historike dhe sociale në jetën shqiptare përgjatë një shekulli. Në to, është fati i njeriut shqiptar, pavarësisht vendit ku është ndodhur dhe kohës. Rrëfimet karakterizohen nga nota dramatike, të cilat nuk vijnë si qëllim në vetvete, por si bashkudhëtare të zakonshme të jetës sonë. Edhe në këtë vëllim, Kliton Nesuri paraqitet si një autor i mprehtë ndaj temave sociale dhe shoqërore. Ai arrin të depërtojë thellë brenda botës psikologjike dhe shpirtërore të personazheve të tij, duke mundur t’i zbërthejë ata, mjedisin shoqëror dhe epokën në të cilën jetojnë në mënyrë sa më të plotë”, shprehet botuesi i librit./ KultPlus.com
Përsëri Qafë-Shtama është në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj që vizitojnë qytetin e Krujës dhe bukuritë natyrore të Parkut Kombëtar.
Këtë radhë janë një grup të rinjsh nga Belgjika që kanë ngritur kampingun e tyre në Parkun e Qafë-Shtamës ku do të rrinë rreth një javë. Gjatë kësaj kohe do të angazhohen dhe specialistë të natyrës në AdZM Durrës, që së bashku me grupin e të rinjve belgë, të tjerë pushues që ndodhen në këtë park si dhe të rinj vendas, do të zhvillojnë pastrime, shenjime shtigjesh, dhe ngjitje në maja të ndryshme.
Para disa ditësh këtë park e vizitoi edhe një grup motoristësh nga Polonia që kaluan disa orë aventure në masivin pyjor të parkut.
Qyteti historik i Krujës, Kështjella e Skënderbeut, pazari mesjetar i qytetit si dhe natyra e Parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës, presin vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj./ ata
Nga Virginia Woolf (letra e shkruar para aktit të vetëvrasjes, dedikuar burrit të saj, Leonard Woolf).
Përktheu Elona Caslli
“Jam e sigurt se do të çmendem përsëri. E ndiej se nuk mund t’i përballojmë edhe një herë kohët e tmerrshme. Dhe unë nuk mund të bëhem më mirë kësaj radhe. Kam filluar të dëgjoj zëra dhe nuk mund të përqendrohem. Ndaj do të bëj gjënë më të mirë. Ti më ke dhënë lumturinë më të madhe që mund të ekzistojë.
Ti ke qenë gjithçka që një Njeri mund të jetë. Unë besoj se dy njerëz nuk mund të kishin qenë më lumtur derisa kjo sëmundje e tmerrshme u shfaq. Unë nuk mund të luftoj më gjatë.
Unë e di se po e dëmtoj jetën tënde dhe pa mua ti mund të punosh. Dhe e di se do të punosh. E sheh as ta shkruaj siç duhet këtë letër nuk ia dal dot. Dua vetëm të të them se lumturia e jetës sime është falë teje.
Ti ke qenë tejet i duruar me mua dhe jashtëzakonisht i mirë. Dua të ta them këtë – kushdo e di. Nëse dikush do të mund të më shpëtonte ai do të ishe ti.
Gjithçka është larguar nga unë veçse siguria për mirësinë tënde jo. Nuk mendoj se dy njerëz mund të jenë më të lumtur nga sa ishim ne”, shkruhej në letër.
Festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint nisi mbrëmjen e 8 korrikut e do të vazhdojë deri më 14 korrik duke sjellë disa shfaqje në skenën antike me aktorët shqiptarë dhe të huaj, përcjellë KultPlus.
Këtë herë vijnë trupa nga Maqedonia, Ukraina, Greqia dhe Shqipëria. Për publikun do të shfaqen vepra të autorëve të njohur botërorë dhe nuk mungojnë veprat e antikiteti grek.
Festivali nisi me komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit që e solli në skenë Teatri i Metropolit, vepër me regji nga amerikani Justin Anderson. Më datë 9 korrik në skenë do të vijë shfaqja performancë “Personazhet e dramës së antikitetit grek” nga regjisorët Dinos Koubatis, Pandelis Garios.
Vijon në festival dhe shfaqja “Njeriu dhe zjarri” bazuar mbi mitin e Prometeut me regji nga Dejan Projkovski nga Maqedonia, ndërsa më 12 korrik do të vijojë shfaqja “Monger” nga artistët e TOB me koreografinë e izraelitit, Barak Marshall.
Shfaqja e fundit në festival do të jetë “Kopshti i qershive” nga Anton Chekhov, që e sjell në skenë trupa e teatrit të Ukrainës me regji nga Yaroslav Fedoryshyn. Por festivali do të vijojë dhe me një natë tjetër mbrëmjen e datës 14 korrik.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” është cilësuar si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik./ ata