Ndalohen veturat për në Gërmi për shkak të “Sunny Hill Festival”

“Sunny Hill Festival” do të nisë sonte në Prishtinë, me Dua Lipën që udhëheq ditën e parë të këtij festivali.

Ky festival do të mbahet në Parkun e Gërmisë, dhe KP raporton se veturat do të jenë të ndaluara, dhe ata që duan të shkojnë në festival duhet ta përdorin transportin publik.

Për tre ditë në Prishtinë do të interpretojnë yje të mëdha të muzikës botërore si Dua Lipa, Martin Garrix, Action Bronson, Gashi etj. E nuk do të mungojnë as yjet e muzikës shqiptare të zhanreve të ndryshme. / KultPlus.com

Ikona Cher sjellë hitin e njohur të grupit ABBA (VIDEO)

Këngëtarja e njohur Cher ka lansuar versionin e saj të këngës së njohur nga ABBA.

Në shtator ajo do të lansojë një album me versionet e saj të këngëve të njohura të ABBA.

Megjithatë, ikona Cher nuk na ka lënë të presim, duke na sjellë “Gimme gimme gimme” nga ABBA.

200 mijë klikime ka marrë vetëm nga dje kënga në Youtube, e cila do të jetë pjesë e albumit “DANCING QUEEN” – njëjtë sikur kënga e njohur e ABBA.

Në album do të jenë edhe “Fernando”, “Sos”, ‘Waterloo”, “The Winner Takes it all” dhe këngë të tjera.

ABBA mbetet një prej grupeve më të mira evropiane, me origjinë nga Suedia. Ata u formuan në Stokholm në vitin 1972, nga Agnetha Fältskog, Björn Ulvaeus, Benny Andersson dhe Anni-Frid Lyngstad. / KultPlus.com

Lexoni shtatë thënie të Konicës për shqiptarët

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Po ju sjellim 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34). /KultPlus.com

‘Your story is my story’ solli abuzimet seksuale ndaj burrave dhe grave gjatë luftës në Kosovë

Alberina Haxhijaj

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, tregimet e torturës dhe abuzimit seksual vazhdojnë të mbeten të heshtura dhe të padiskutueshme.

Sot përmes performancës “Your story is my story” u tregua nevoja që ka kjo shoqëri për të dëgjuar këto tregime duke iu ofruar përkrahje grave dhe burrave viktima në Kosovë, shkruan KultPlus.
“… Unë isha e plagosur në këmbë dhe krahëror. Ata nuk më kursyen. Nuk kishin konsideratë… Nga krahërori më rridhte shumë gjak. Nuk mbaj mend shumë… Kur m’u kthye vetëdija, mbaj mend se pashë dy burra përmbi mua; njëri po më mbante me forcë, tjetri po më… të gjitha u shkatërruam”, është vetëm një pjesë nga tekstet të cilat u lexuan sot të Ura e Arastës në Prizren, në kuadër të performancës emocionuese “Your story is my story”.

Performanca mëton sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi ngjarjet të cilat i kanë përjetuar gratë dhe burrat e Kosovës si të mbijetuar të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga regjimi serb.

Sipas regjisorit të performancës, Besim Ugzmajlit, më e rëndësishmja e performancës është fakti se rrëfimet të cilat janë përdorur janë reale dhe të treguara nga gratë të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.
“Këto rrëfime përmes leximit skenik jemi munduar që t’ia ofrojmë publikut në mënyrë që të krijojmë një lloj kujtimi të asaj që ka ndodhur në luftë dhe njëfarë sensibilizimi me atë që ka ndodhur. Mirëpo përtej saj po bëjmë thirrje për destigmatizimin e grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës”, u shpreh ai për KultPlus.

Sipas tij është shumë e rëndësishme që në shoqëri të diskutohet për këto tema e kjo sipas tij lidhet shumë edhe me vendin ku u shfaq performaca, në urë, e ku të gjithë kalimtarët mund të bëheshin pjesë e saj.

“Nëse i lexon tregimet e sheh se aktet që u kanë ndodhur atyre janë jashtëzakonisht të dhunshme, të organizuara dhe që në njëfarë forme kanë pasur një impakt jashtëzakonisht të madh në personalitetin e tyre, në familjet e tyre dhe në mbarë shoqërinë tonë”, theksoi ai.

Lexues në këtë performancë ishin: Melihate Qena, Gresa Pallaska, Jeta Krasniqi, Arben Ahmeti, Jeta Berisha dhe Xhejlane Tërbunja.

Aktorja Xhejlane Tërbunja tregoi për KultPlus se përmes kësaj performancë kanë dashur që të ndanin me njerëzit një pjesë nga ajo se çfarë u ka ndodhur grave dhe burrave të mbijetuar të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Shpresoj që jemi duke ndihmuar në këtë drejtim pasi që ne si artistë kaq edhe mundemi me bo mirëpo, ata të cilët janë kompetent dhe kanë mundësi të bëjnë akoma më shumë, duhet ta bëjnë. Shpresoj që përmes kësaj performance të ju ndihmojmë edhe këtyre grave që të shprehen dhe të tregojnë se çfarë ka ndodhë, sepse nëse këto gjëra mbahen brenda janë edhe një lloj vetëvrasje e ngadalshme”, u shpreh ajo.

Sipas Jeta Berishës, pjesë e shoqërisë civile, përmes performancave artistike mund të arrihet shumë mirë përçimi i mesazheve vetëdijesuese dhe kjo perfomancë do të shërbejë si e tillë.
“Shoqëria jonë ka filluar që të vetëdijesohet se këto gra dhe burra janë pjesë e shoqërisë sonë dhe e familjes. Sot ne u bëmë në një formë zëri i këtyre grave dhe ndamë tregimet e tyre personale, në këtë mënyrë ne po tregojmë që jemi përkrah tyre dhe do vazhdojmë që t’i përkrahim”, u shpreh ajo.

Kjo performancë leximi është organizuar nga OJQ THY në bashkëpunim me Forum ZFD, Integra, UN Women dhe DokuFest. / KultPlus.com

Demi Lovato anulon turnetë muzikore

Demi Lovato vazhdon rrugën e saj të rikuperimit pas varësisë me narkotikë.

Vetëm disa ditë pasi këngëtarja është vendosur në rehabilitim, zëdhënësi i saj konfirmoi për anulimin e një sërë turneve të planifikuara.

Koncerti i paraparë për muajin e ardhshëm në Meksikë, si dhe koncertet në nëntor në Kili, Argjentinë dhe Brazil po ashtu janë anuluar, transmeton KosovaPress.

Lajmi vjen vetëm pak kohë pasi Lovato theu heshtjen e saj në Instagram, gati javë pasi u raportua për probleme me mbidozë.

“Ekipi i Demit shpreson se ajo do të përfundojë datat e koncertit, por rikuperimi i saj është në radhë të parë”, tha një burim për E! News./KultPlus.com

‘Gruaja shqiptare është inteligjente, të drejtat e saj janë mohuar’

Nga Mit’hat Frashëri

Më vjen keq t’a them prapë, po në të metat që ka Shqipëtari, përgjegjesija më e madhe i bie Shqipëtarkësë. Në qoftë se njerëzit tanë nukë janë aq aktifë, aqë patriot, aq të mëshirshim dhe të drejtë sa dëshironim që t’i shohim, cila grua u dha gjirin e saj, cilamotrë, cila grua, cila mëmë i këshilloj?

Në qoftë se vendi ka mbeturë kështu në varfëri dhe populli vuan në mos-kamje e në smundje, në qoftë se foshnjat tona i korr mortja e keqe, çë bëri gruaja jonë për këtë Shqipëri, çë kujdes morri për të shëruarë plagët morale dhe fizike të saja?

Kur është pra çështja për lumtërinë dhe interesin e përbashkët, a mund që gruaja jonë të rrijë akoma indiferente, si një e huaj e ftuarë në shtëpi të huaj? A nukë duhetë, për të mirët e përgjithsme, të bëhetë një sforcim i përbashkët, në kolaborim dhe harmoni, duke mbledhurë tok fuqinë a po duhetë që të dy palët të shikohenë armiq, dhe pjesa më importante e njerëzisë, mëma, motra dhe shoqeje të rrinë të larguara, duke parë mjerimin dhe plagën?

Burri në verbëri të tij mashkullore, i kërrususr nënë barrën e kalbëzuarë të fanatizmësë dhe paragjykimit që e shtyjnë të shikojë si një faj, si një turp, jo vetëm kolaborimin e gruasë, po sa edhe të zërë ngoje emërin e saj, burri them, munt që të dojë të bëjë një vetëvrasje , se s’i pëlqen të shkundetë prej pluhërit dhe të shpëtojë nga çimkat e idevet të mykura. Po a duhetë që gruaja të rrijë indiferente përpara rezikut, të mos bëjë asnjë çap, asnjë zhest, dhe të vejë drejt vdekjesë?

E dashurë këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortonj, po të akuzonj pse nukë bën no një shërbim, dhe jo pse ke no një faj. Jam sigur që edhe ti e kupëton mirë se, ky popull i varfrë kurrë s’ka për të përparuarë në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin ë mëmësë, të motrësë dhe të shoqesë dhe nuk merrë piesë active në edukatë të fëmijërisë, në shërim të plagëvet që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit.

Roli yt sot është të vuash dhe të shohsh të tjerët të vuajnë , pa nxjerë zërin. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga kjo pasifëri, të marrësh një detyrë aktife, si me teprë e interesuarë që duhet të jesh.

Them që burri duhet të punojë, të stërvitetë, të marrë edukatë dhe arësim. Po harojmë sa kohë vdierrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm gravet të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes të math për qytetërimin dhe begatinë e këti vëndi, për shëndetësinë dhe mirëshkuarjen fizike të këti populli dhe harojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gysma që munt t’a quanj me e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizma jonë brutale, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruasë vetë që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.

A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpië dhe squka e fëmijërisë të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rritenë vetëm si kuklla? A pandehim se një çupë, një grua e ka mbushurë gjithë detyrën e saj kur të dijë të hollinj petë për lakror dhe të bëjë qofte me thërime?

Themi se palët e thella të kombit duan nxejrë nga errësiar, duanë shkulurë nga balta. Po si munt të hyjnë pakërrëzat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen të mbajmëgruanë në tym dhe në pluhur të shekëlvet të vdekurë?

Duamë që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonëprej lëngatavet, të kmi një popull të shëndoshë,një Shtet të fuqishmë dhe harojmë që rolin më të math do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjëlit, për rrojtjen e të varfrëve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë. Duhet të kupëtojmë bukur e mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie, nukë bëhetë gjë e mundurë, por që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrinë më një shkallë inteligjence dhe kulture që të bëhenë me të vërtetë zonjë shtëpie dhe mprojtëse të folesë.

Mejtohemi qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që siell injoranca dhe përtimi; po s’duamë të gjykojmë njëherë se shpëtimi nukë munt të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk munt të na jetë e dukshme po që gruaja s’morri pjesë në të, duke diturë qeverinë e shtëpisë, duke kupëtuarë rëndësin e ikonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrësë.

Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjera. Liri e saj është e plotë në viset e vendit tënë ku s’ka hyrë pseudoqytetërimi i Asisë.

Gruaja Shqiptare është inteligjente dhe s’i mundojnë cilësitë qytetare të larta. Është vërtet se të drejtat e saj janë mohuarë. Po edhe do kujtuarë kurdoherë se, të drejtat fitohenë prej atyre që janë denjë t’i marrin, prej atyreve që dinë përdorimin e mënyrësë për t’i fituarë. Dhe më teprë akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarët.

Duhetë pra që gruaja Shqipëtare të përpiqetë dhe të rrëfehetë e denjë për të drejtatë njerëzore. Lipsetë që të bëjë forcime për t’u lartësuarë intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohurë vendin e vërtetë që i ka hie të okupojë.

Atëhere do të bindetë gruaja shqipëtare se, në ringjallje të këtij vëndi duhet të marrë pjesë, të kolaborojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë duke siguruarë jetën dhe fatin e bardhë të djemvet dhe të burravet, të kenë sigurarë dhe rrojtjenë fatmire të tyre vetë. Atëhere, sikundrë që çdo shqipëtar sado i pasurë, i diturë dhe I lumturë të jetë e ka për detyrë që të kujdesetë për të mirët, për ata që janë fatzes, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë sado që t’i qeshnjë fati në bukuri dhe lumturi duhetë që të bëjë pakë therori nga koha dhe dëfrimet e saj , të kujdesetë për grat e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.

Rolin më të math që pres prej grave tona është përhapja e parimevet të higjienësë dhe të mirërrojtëse fizike. Burii s’vvete do në shtëpi kur një e varfërëdergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë . Një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me dorën dhe zërin e saj të njomë munt të lehtësojë plagët fizike dhe morale të shpjerë gushëllimin, të ngrerë një fëmijë afrë fikjesë, të shpëtojë një tjatrë që mënt rrëzohetë.

Ca më pak se nga burratë do të gjendetë një grua që të rrëfehet indiferete në gjallëninë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi Shtet. Ca më mirë nga burratë gratë do të dijnë, se jeta dhe lumtëri e tyre është varurë në jeta dhe lumtëri e Shqipërisë, që pa shëndoshurë të gjithë palët dhe shkallët e kësaj popullisje , vet s’munt të quhetë jashtë rrezikut.

Prezantohet skena e festivalit “Sunny Hill” (FOTO)

Na ndan vetëm një ditë nga festivali i madh “Sunny Hill”, i cili organizohet në Prishtinë.

Artistë të shumtë do të perfomrojnë për tre netë me radhë në datat 10, 11 dhe 12 gusht 2018.

Yjet ndërkombëtarë si të ftuar specialë këtë vit për këtë event janë: Dua Lipa,
Action Bronson dhe Martin Garrix.

Punimet për skenën e festivalit janë thuajse drejt fundit, dhe gjithçka pritet të jetë gati për natën e parë të festivalit.

Në rrjetet sociale, festivali ka publikuar fotografi të skenës gjigante, e cila është ngritur në parkun “Gërmia”, në Prishtinë.
https://www.instagram.com/p/BmQ6kEVBQKe/?taken-by=sunnyhillfestival
Sot ishte mundësia e fundit për gjithë adhuruesit që dëshironin të blinin biletat, pasi 2000 të fundit kanë qenë të disponueshme deri më sot.

Ky festival është cilësuar nga organizatori i tij, Dukagjin Lipa, si një ndër festivalet më të mëdha në Evropën Juglindore. /KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BmQPkgWBmPz/?taken-by=sunnyhillfestival

Gazeta franceze: Aleksandër Moisiu, ky bir shqiptari e komedian i shquar do të luajë në “L’Atelier”

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “La Semaine à Paris”, ka botuar, më 14 tetor 1927, në faqen n° 24, një shkrim kritik për aktorin e famshëm me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiun, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë në vijim për publikun shqiptar:

Nëse jo shumica, shumë nga spektatorët që do të marrin pjesë në shfaqjet e dhëna në Atelier nga Z. Aleksandër Moisi, e njohin atë vetëm prej reputacionit të tij. Nuk ka dyshim për mua se jo të gjithë që dalin nga salla e teatrit, bëhen admirues të tij.

Ai është një komedian shumë i madh. A është loja e tij specifikisht gjermane ? Më duket se jo ; në fakt, ai anon po aq në aktorët gjermanë (që e rrethonin atë në shfaqjen e parë që ai luajti) sa në tanët (që i dhanë pastaj replikën).

Nuk e di nëse ky bir shqiptari dhe italianeje (gjuha amtare e të cilit është italishtja) flet një gjermanishte të përsosur. Në çdo rast, ai shprehet shumë mirë në frëngjisht. Ai na u shfaq në dy vepra të Tolstoit, dhe kam përshtypjen se rusi i madh i përshtatet temperamentit të tij. Do t’ju tregoj herën tjetër në lidhje me interpretimin e tij të Hamletit – të cilin ai do ta bëjë në momentin kur ky numër i “La Semaine à Paris” do të arrijë te abonentët tanë.

Analiza e tepërt e lojës aktori rrezikon sterilizimin e saj në kujtesën e tij. Rrjedhshmëria e artit skenik kërkon që t’i përmbahemi përshtypjeve. Ajo që prodhohet nga Z. Moisi është e thellë, dhe nga vetë fakti i thellësisë së shfaqjes së tij. Ajo që e karakterizon është mprehtësia e rezonancës përmes përçmimit të dukshëm.

Trupa gjermane që rrethon Aleksandër Moisi (një nga përkthyeset, Znj. Rosa Bertens luan pastaj në frëngjisht, shumë mirë), është e mirë. Ajo të bën që të shtrëngosh jetën nga afër.

Ndoshta, mund të fajësohet tendenca për të luajtur shumë para publikut. Nga dhimbja akute e lojës së saj, përkthyesja kryesore, Léontine Sagan, më kujtoi të pakrahasueshmen Elisabeth Bergner-in në “A qui la faute ? – Faji i kujt ?”, filmi prekës i shfaqur aktualisht në Ursalines.

Dekoret skematike: një kanavacë, një tavolinë, janë vënë me mjeshtëri, falë lojës së dritave, – ndriçime “à la Rembrandt”. Në tërësi, një përpjekje shumë fisnike dhe një rezultat i mrekullueshëm.

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-semaine-%C3%A0-paris-1927-aleksander-moisiu-ky-bir-shqiptari-e-komedian-i-shquar-do-te-luaje-ne-l-atelier/.

Pse ka dalë ajo çikë aq vonë në lagje?

Pse ka dalë ajo qikë aq vonë në lagje?
Mire Prenaj

Ishte mbrëmja e së dielës dhe porsa isha kthyer me familje nga kampingu. Pas një udhëtimi të kujdesshëm dhe koxha të gjatë, fëmijët ishin të uritur, dhe sa hymë brenda, unë fillova të përgatis shpejt diç për darkën. Duhej edhe buka, dhe njërin prej fëmijëve e dërgova në furrën e lagjes të blejë një bukë.
Pas vetëm dy minutave fëmija im u kthye, por çfarë të shihja në fytyrën e tij. Ishte zbehur, dukej i trishtuar dhe madje e kishin përfshirë të dridhura. Shpejt pastrova duart dhe vrapova drejt tij, drejt derës. Nuk dija çfarë kish ndodhur. Cka ndodhi, bir, e pyeta.
Mami, më tha më frymën të zënë, bukën nuk mora se rrugës për në furrë, në atë banesën që po ndërtohet, një vajzë kërkontë ndihmë, qantë bërtiste. Mami të lutem, ta ndihmojmë!
Po zemër, menjëherë, ia ktheva dhe në ato fjalë kapa telefonin dhe thirra policinë. Mund edhe nga trishtimi, por polici mezi më kuptoi.
Andej receptorit, ai më tha: Qetesohu zojë!
Si të qetësohem, të lutem dërgone sa më shpejt një patrullë! Ju lutem!
Polici më kërkoi adresën. Më tha: Mbërrijmë për 5 minuta,.
Ju lutem, i thash, sa më shpejt ndihmone vajzën.
Mbylla telefonin dhe po flisja për ta qetësuar djalin. Nuk përmbahem, thërras sërish pas dy minutave policinë. Djali më bënte presion; Duhet ta ndihmojmë. Të shkojmë vetë ta ndihmojmë.
E pyes policin; Dërguat dikend?
Zojë më tha, çka e ke marr për ngutë.
Humba: Është në pyetje jeta e njeriut, si po thoni ashtu. Ndërsa unë po filsja, ai ndërpreu lidhjen.
Për mua e fëmijët e mi trishtimin e shtoi edhe më shumë sjellja e policit. Provova sërish të marr lidhjen, por nuk kishte përgjigje.
Më në fund, ndërsa po shikoja nga dritarja për të kapur pamjen me vajzën e sulmuar apo policët, mora edhe një herë lidhjen.
Asgjë nuk shoh, nuk ka policë këtu, thash.
Zojë, më tha, sa kërkesat për ndihmë i kemi, nuk kemi mundësi me i mbulu. Po ti çka e ke marrë kaq afër zemrës? Pse ka dalë ajo qikë aq vonë në lagje e vetme?
Ai po flise ndërsa unë shikoja vajzat e mia, shoqet e tyre, gratë që edhe ato në mbrëmje duhej të lëviznin, se kishin punët e tyre.
A kështu qenka puna, i thash, dhe mbylla lidhjen e trishtuar.
Ulem dhe shikoja se si duhej mbrojtur një vajzë një gura, nëse këtë nuk e bënë policia, e cila është e obliguar me ligjet. Nga duhej pritur mbrojtjen. Arma?! Kjo fatkeqësi që merrë jetë njerëzish nuk është zgjidhja. Shteti ka armët dhe forcën gjithë çfarë duhet për të mbrojtjur qytetarin e tij, por shteti është edhe polici që thotë aq papërfillshëm: Pse ka dalë ajo qikë aq vonë në lagje?

Ngjarje e vërtetë.

Producenti shqiptar i cili jeton në Londër thotë se u rrah nga një polic në Merdare

Producenti shqiptar Jimi Tihofsi, i cili jeton në Angli, një pjesë të pushimeve të tij në vendlindje po e kalon nëpër institucione policore.

Ai rrëfen se të mërkurën e javës që shkoi në pikëkalimin kufitar në Merdare pa asnjë arsye u godit pas shpine nga një polic kufitar në mes të zonës neutrale.

Kjo goditje, që thotë se ishte e rëndë, ndodhi derisa ai po priste familjarët t’ia sillnin kartonin e gjelbër, pasi që pala serbe nuk e lejonte pa atë të kalonte kufirin.

Sipas tij, policia kufitare e ka mbajtur dy orë në arrest, madje polici i njëjtë nuk i ka kursyer sërish goditjet me këpucën e tij, kur ai ishte brenda zyrave të policisë kufitare.

Ndërsa, thotë se për këtë nuk kanë hapur rast fare.

Atij gjithashtu i kishin kërkuar që të mos ankohej për goditjen e marrë pas shpine, ndryshe siç thotë, nuk do ta linin të dilte nga aty.

Për krejt këto trajtime jonjerëzore siç i quan ai, dhe sjelljen e policit kufitar, ai të hënën u ankua në Inspektoratin Policor.

Në këtë institucion thonë se do t’i ndjekin procedurat e rregullta. Marrjes së intervistës së ankuesit dhe pastaj rasti do të shqyrtohet. Pas kësaj procedure, ankesa do të kategorizohet dhe vlerësohet se a ka pasur elemente të veprës penale”, ka thënë Arben Vrajolli nga Inspektorati Policor. /KultPlus.com

Studentja kosovare Alma Çoçaj fiton bursën e PriFest dhe Sarajevo Film Academy

Është studentja e regjisë Alma Çoçaj nga Ferizaji, që fiton bursën për studime bachelor të cilën Sarajevo Film Academy dhe PriFest ndajnë tashmë për herë të dytë.

Vitin e kaluar ishte studenti Sovran Nrecaj që e fitoi të njëjtën bursë.

Me iniciativën e PriFest dhe në marrëveshje me Sarajevo Film Academy (SFA), edhe një student tjetër i filmit nga Kosova do ta ketë rastin e veçantë të studiojë në një shkollë të mrekullueshme filmi, me mësimdhënës të nivelit më të lartë në industrinë e filmit dhe në ambiente e kushte të jashtëzakonshme për mësimnxënje. Bursa e fituar mundëson studimet e plota bachelor tre vite për studenten Çoçaj, në këtë institucion prestigjioz të filmit që gjendet në Sarajevë, Bosnje e Hercegovinë dhe shuma e plotë është 25,500.00 EUR.

Me të pranuar lajmin për pranimin në SFA Alma Çoçaj deklaroi: “Isha në kërkim të dritares, të cilën PriFest e hapi për mua. Lajmi se u pranova të vazhdoj studimet në Sarajevë dha tek unë shpresën se duhet të vazhdoj këtë rrugëtim dhe të mos ndalem. Poashtu, më dha ndjenjën se në Kosovë ka njerëz të cilët dëshirojnë të na përkrahin me vullnetin dhe punën që bëjnë, PriFest është Festivali që gjithmonë reflekton energji pozitive tek unë. Andaj ndihem shumë Falënderuese! Tani është një hap i ri, dhe një përvojë e re e cila më pret, e të cilën do e shfrytëzoj në aspektin produktiv! Nga Sarajeva pres shpërthimin e asaj që është dhe do të gatuhet brenda këtyre 3 viteve që më ofrohen përmes kësaj burse!”.

Ndërsa Emina Ganic, drejtoresha e Sarajevo Film Academy me këtë rast tha: “- Bashkëpunimi ynë me PriFest ka rëndësi të madhe për ne. Kosova është një vend përplot artistë të rinjë të talentuar dhe të motivuar, por të cilëve shpesh i’u mungojnë mundësitë për të shprehur talentin, njohuritë, aftësitë apo dhe të shprehin mendimin e tyre para një audience më të gjerë. Bursa komplete e studimeve që ne e ofrojmë në bashkëpunim me PriFest, na mundëson ne që të zbulojmë dhe t’i kultivojmë më tutje këto talente. Jemi shumë të entuziazmuar që do ta mirëpresim fituesen e bursës për këtë vit, Alma Çoçaj, dhe i gëzohemi faktit që do të kemi mundësi të realizojmë filma së bashku.”

Vjosa Berisha, drejtoresha e PriFest, që sapo përfundoi me sukses edicionin e 10-të të festivalit, lidhur me këtë lajm të mirë u shpreh si vijon: “- Jam e lumtur që për të dytin vit radhazi kemi studentë nga Kosova që fitojnë këtë bursë shumë të vlefshme. Jam shumë krenare që misioni i PriFest për mbështetjen konkrete industrisë së filmit të Kosovës po përmbushet çdo vit shumë e më shumë. Ndërsa posaçërisht më bën krenare fakti që sivjet fituese e bursës është një regjisore femër. Këtë që ne po përpiqemi të bëjmë për industrinë vendore dhe të rinjtë tanë, do të kenë një ndikim pozitiv në afat të gjatë. Presim nga Alma e Sovrani jo vetëm filma të mirë që do të bartin emrin e Kosovës në botë, por edhe të sjellin në Kosovë përvojat e reja të mësimdhënies dhe ta bartin përvojën e tyre tek gjeneratat që vijnë”.

Përfituesi i kësaj burse do të ketë mundësi të ndjekë ligjërata nga profesorë me renome nga mbarë bota, të prodhojë filma gjatë studimeve, si dhe të ndjekë shumë punëtori speciale të organizuara nga Akademia me mysafirë profesionistë, emra shumë të njohur të kinematografisë botërore. Në vitet e kaluara ligjërues në seminare kanë qenë: Juliette Binoche, Tilda Swinton, Bella Tarr, Gael Garcia Bernal, Agnieszka Holland, Gus Van Sant, Abel Ferrara, e shumë të tjerë.

Sarajevo Film Academy është pjesë e Universitetit Sarajevo School of Science and Technology (SSST), që është një institucion privat jo-fitimprurës i shkollimit superior, i krijuar në vitin 2004. Universiteti është i përbërë nga tetë departamente akademike, shtatë institucione kërkimore dhe një Qendër të Medias Digjitale. Sot, Universiteti SSST njihet si një ndër platformat kryesore akademike të Europës Jug-Lindore. Universiteti është themeluar nga MET Foundation, një organizatë gjithashtu jo-fitimprurëse, e krijuar në vitin 1998 për të ndihmuar në përparimin dhe financimin e projekteve akademike, kërkimore dhe zhvilluese në rajonin e Ballkanit.

Studimet e nivelit bachelor të cilat zgjasin tri vite (6 semestra), janë të dizajnuara në atë formë që studentët në vitin e parë do të mësojnë aspektet elementare të filmbërjes si koha dhe hapësira filmike, teknikat e audios dhe montazhës, dhe produksioni. Të gjitha këto do të mësohen nëpërmjet punës praktike pasiqë studentëve u kërkohet të prodhojnë 4 filma përgjatë vitit me kohëzgjatje maksimumi 5 minuta secili, që trajtojnë temën e hapësirës, kohës, tregut dhe udhëkryqit.

Derisa në vitin e dytë studentëve përveç prezantimit me formatin e filmit fiction (artistik – të luajtur) atyre do t’u kërkohet të prodhojnë një film dokumentar 10-30 minuta, ndërsa kurset do të fokusohen më shumë në ndërlidhjen e literaturës me film, adaptimi i saj në film, mësimi i strukturave të ndryshme dramaturgjike dhe perfeksionimi i elementeve kyçe i narrativit kinematografik, si përgatitja e skenarit, shesh-xhirimit, montazhi dhe postproduksioni, ndërtimi dhe paraqitja e karaktereve, puna me aktorë etj. Prodhimi i një filmi artistik deri në 10 minuta, nënkupton edhe përfundimin e studimeve të vitit të dytë.

Viti i tretë dhe i fundit për nivelin e studimeve bachelor, vazhdon të investojë drejt zhvillimit personal artistik të studentëve dhe rritja e aftësisë së shprehjes së tyre në gjuhën dhe stilin e filmit. Varësisht nga nevojat e studentëve, këtyre do t’u ofrohet mentorim individual i cili do t’iu ndihmojë të përgatiten tutje në prodhimin e filmit të tyre të diplomimit. Mentorimi i cili do të bëhet nga profesionistë ndërkombëtarë, do të udhëheq studentët drejt pavarësimit të tyre profesional, pasiqë filmin e diplomimit do ta përgatisin sipas zhanrit dhe zgjedhjes së tyre, me mbështetje edhe të mentorëve, derisa buxheti dhe stafi profesional për realizim të filmit janë të siguruara nga akademia.

Bukuritë dhe kulturën e Bosnjës dhe Hercegovinës, studentët kosovarë do të kenë mundësinë t’i përjetojnë bashkë me studentë të më shumë se 30 vendeve të botës, pasiqë Akademia e Filmit në Sarajevë çdo vit pranon studentë nga Australia, Brazili, Kolumbia, Kroacia, Franca, India, Japonia, Meksiko, Portugalia, Emiratet e BashkuaraArabe, Britania e Madhe, SHBA, Itali, etj.

PriFest së shpejti do të publikojë datat e edicionit të 11-të, që do të mbahet në korrik të vitit 2019./KultPlus.com

Flaka Haliti, pjesëmarrëse në Bienalen e Busan në Kore të Jugut

Busan Biennale ka zbuluar emrat e artistëve për edicionin e radhës.

Janë 65 artistë nga 34 shtete ata që u zgjodhën të jenë pjesë e Bienales.

Artistja Flaka Haliti do të jetë pjesëmarrëse në Bienalen e njohur në Korenë e Jugut.

Flaka do të krijojë rreth konceptit të Bienales – Divided we stand – ose Të ndarë qëndrojmë. Muzeu i Artit Bashkëkohor në Busan dhe ish Banka e Koresë janë dy objektet në të cilat këtë vit zë vend Bienalja, në edicionin e nëntë të saj.

Në mes të fokusit do të jetë edhe koha e Luftës së Ftohtë dhe prezenca e saj edhe sot, njëjtë sikur edhe territoret e ndara dhe reflektimi i artistëve mbi to. Ballafaqimi me realitetin dhe me vakuumin që prodhojnë ndarjet territoriale janë pjesë e mirë e kësaj bienaleje.

Bienalja do të hapet me 8 shtator e do të zgjasë deri me 11 nëntor.

Në anën tjetër, Flaka Haliti është një artiste nga Kosova e njohur për punën e saj aktive. Fituese e disa çmimeve artistike, përfshirë këtu Sallonin e Tetorit në Beograd, Flaka vazhdon të sfidojë ekspozitat e ndryshme artistike me inspirimin e saj multidimensional. / KultPlus.com

Bill Clinton arrin miliona shitje nga libri “Presidenti është i zhdukur”

Bill Clinton është tashmë një novelist që ka bërë miliona shitje.

“Presidenti është i zhdukur”, një melodramë e shkruar së bashku me James Patterson ka arritur më shumë se 1 milionë shitje në Amerikën e Veriut që prej 4 qershorit. Ky është libri i parë i tij me thriller, por me Patterson arriti të krijojë një prej romaneve më të suksesshme në botë.

Ka patur reagime të ndryshme për librin, por pronari i kompanisë së shitjeve “Barnes & Noble”, Sessalee Hensley tha në një deklaratë të mërkurën se “Presidenti është i zhdukur” ka pasur shumë ndikim.

Edhe shkrimtari Patterson bëri një deklaratë, ku thoshte se bashkëpunimi me Bill Clintonin ka qenë kulmi i karrierës së tij dhe se ish-presidenti do t’u sjellë lexuesve nga një këndvështrim i brendshëm se ç’do të thotë të jesh president./a.a/ KultPlus.com

Bekim Berisha dhe Bedri Shala në pulla postare në 20 vjetorin e rënies

Posta e Kosovës ka promovuar të enjten pullat postare për heronjtë Bekim Berisha – Abeja dhe Bedri Shala, në përvjetorin e 20-të të rënies së tyre në betejën e lavdishme në Junik.

Bekim Berisha dhe Bedri Shala ishin dy prej luftëtarëve dhe eprorëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me trimërinë dhe shkathtësinë e tyre ushtarake ata motivuan të rinj e të reja që t’u bashkohen radhëve të UÇK-së. “Bekimi dhe Bedriu erdhën nga mërgimi për t’i dal zot atdheut në përballje me regjimin e egër serb.

Pushka e tyre jehoi në beteja anekënd Kosovës deri në flijimin e tyre heroik në mbrojtje të Junikut, më 10 gusht 1998”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha. Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dëshmorët e saj janë themeli i lirisë dhe shtetit tonë. “Bekim Berisha- Abeja mori pjesë edhe në luftën në Kroaci dhe në Bosnje duke u bërë pjesë e pashlyeshme e historisë së popullit kroat dhe boshnjak.

Shtëpia e Bedriut dhe vëllezërve të tij ishte çerdhe e UÇK-së që nga fillimi i viteve të 90-ta”, ka thënë Hoxha.

Bekim Berisha – Abeja u lind më 15 qershor 1966 në Graboc të Pejës ndërsa Bedri Shala u lind në Gjergjicë të Drenasit më 2 qershor 1969. Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dy gjeneralët e UÇK-së janë dekoruar nga presidenti i Kosovës me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Në shenjë nderimi, kryeshefi Sejdi Hoxha u ka dorëzuar familjes Berisha, familjes Shala dhe kryetarit Lladrovci pullat postare të punuara në bronz si dhe pullat postare në kornizë. Për emetimin e pullave postare, Postën e Kosovës e kanë falënderuar motra e Bekim Berishës, Zyrafetja dhe nipi i Bedri Shalës, Xheladini./KultPlus.com

Ermal Meta: Fama nuk më ka ndryshuar

Pavarësisht se nga ana artistike gjithçka po shkon shumë mirë për Ermalin, duket se ditët e fundit diçka tjetër e ka shqetësuar lidhur me koncertet e tij.

Duket se ndonjëherë Ermali nuk ka kohë për të komunikur shumë me fansat apo të bëjë foto e t’i takojë ata gjatë mbrëmjeve, e për këtë ata kanë filluar ta quajnë mendjemadh, madje shkruajnë se pas famës ai ka ndryshuar.

Por Ermali nuk mund ta pranonte një gjë të tillë, e kështu nëpërmjet një “Live” në faqen e tij në Facebook me fansat, u ka treguar atyre arsyet se pse nuk ka shumë kohë dhe mundësi për të folur drejtpërdrejtë me ta.

“Koncertet e përmasave të tilla janë shumë të lodhshme për artistët dhe sigurisht që ka net që janë shumë të ngarkuara. Nëse ndonjëherë nuk ndaloj të bëj foto apo t’ju përshëndes personalisht, nuk do të thotë se jam mendjemadh. Unë jam si të gjithë ju dhe dua që në skenë të jap maksimumin duke i kënaqur njerëzit që vijnë aty për mua. Unë i përgjigjem të gjithëve dhe sigurisht që ndonjëherë mundem dhe ndonjëherë jo, e kjo ka të bëjë me çështjet fizike. Nuk dua t’i jap rëndësi atyre që flasin fjalë të pavërteta, por dua t’i them atyre që më mbeshtesin që unë jam dhe do të jem gjithmonë për ju”. – ka shpjeguar Ermali, për të treguar se edhe ai, si të gjithë të tjerët është një njeri normal që ndonjëherë e ka të pamundur fizikisht./KultPlus.com

“Gratë e harruara në animacion” vijnë në Anibar përmes prezantimit të Nancy Denny-Phelps

“Gratë e Harruara në Animacion” në kuadër të festivalit Anibar është prezantim i shkurtër i 10 grave që morën pjesë në historinë dhe zhvillimin e artit të animacionit duke u koncentruar në karrierën e animatores britanike Joy Batchelor, bashkë-themeluese e studios së famshme britanike të animacionit Halas & Batchelor.

Biseda do të shoqërohet me klipe dhe fotografi të shumta filmash, njofton Anibar.

Nancy Denney-Phelps është një gazetare që shkruan rreth animacioneve dhe festivaleve evropiane, si dhe një producente muzike për animacion. Së bashku me burrin e saj kompozitor / muzikant Nik Phelps, ajo bashkë-themeloi “Sprocket Ensemble” të dedikuar për prezantimin e shfaqjeve të drejtpërdrejta të muzikës origjinale me shfaqje të animacioneve bashkëkohore nga e gjithë bota.

Shkrimet e Nancy janë shfaqur në botime të tilla si CARTOON dhe ANIMATOON, si dhe në blogun e saj të rregullt për AËN (Animation World Network). Ajo është gjithashtu një korrespondente e rregullt për ASIFA / San Francisco dhe një anëtare e Bordit Ndërkombëtar të Drejtorëve të ASIFA.

Nancy ka shërbyer në juritë e shumta të Festivalit Ndërkombëtar të Animimit dhe ka mësuar menaxhimin e kohës për animatorët në Universitetin e Shkencave dhe Arteve të Luzernit, Shkollën e Artit dhe Dizajnit. Interesimi i saj i fuqishëm në historinë e animacioneve e ka çuar atë të paraqesë programe në historinë e animacionit të gjurmuar përmes muzikës në shumë festivale dhe konferenca të animacionit në mbarë botën. Ajo gjithashtu punon si këshilltare e disa festivaleve të animacionit.

Këtë prezantim mund ta shikoni me 18 gusht duke filluar nga ora 12:00 në kino Jusuf Gervalla./KultPlus.com

Serri e Brathu vizitë në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore

Me kërkesë të udhëheqësit ekzekutiv të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Isuf Koci, sot u zhvillua takim zyrtar me Riccardo Serri, ushtrues detyre i udhëheqësit të Zyrës së BE-së, i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Integrimit në BE, si dhe ndaras edhe me shefin e ambasadorin e OSBE-së në Prishtinë, Jan Brathu.

Sipas njoftimit për media nga KKTK-ja, Serri u njoftua për rolin dhe mandatin e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore , sfidat që është duke kaluar trashëgimia kulturore e Kosovës si pasojat e mos respektimit të ligjeve të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, si dhe mundësin e bashkëpunimit në të ardhmen.
“Në këtë takim Koci, njoftoi Serri për rekomandimet drejtuar Ministrisës së Administratës Publike për reformat në administratën shtetërore dhe të agjencive të pavarura. Serri, shprehu përkushtimin e BE-së për të përkrahur Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore si institucion mjaft i rëndësishëm për trashëgimin kulturore në Republikën e Kosovë”, thuhet në njoftim.

Sipas po të njëjtit njoftim, në takimin e Kocit me Brathun, u bisedua për mundësinë e bashkëpunimit për çështje të që lidhen më zonat e veçanta të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe mos respektimin e ligjeve të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës.

Edhe Brathu u njoftua për sfidat që është duke kaluar trashëgimia kulturore e Kosovës si dhe reformat në administratën shtetërore dhe të agjencive të pavarura./KultPlus.com

Turistja angleze për Kalanë e Rozafës: Unike (VIDEO)

Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një rritje të konsiderueshme të turistëve në monumentet e kulturës në gjithë vendin.

Kalaja e Rozafës në Shkodër, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas.

Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik, i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës.

Një turiste angleze e cila vizitoi Kalanë e Rozafës dha përshtypjen dhe disa nga ndjesitë e para duke u shprehur se ,”më pëlqeu shumë ,nuk e kam parë asnjëherë dhe ishte vërtetë unike. E pashë është interesante po është e vështirë për tu mbajtur mend por mund të shikosh dhe të ecësh. Gjithashtu vizitova dhe pjesën poshtë të qytetit dhe kalanë dhe kjo vizitë zgjati rreth 40 minuta”.

Kalaja e Shkodrës në periudhën janar- korrik 2018 është vizituar nga 58,241 turistë, nga të cilët 16.105 përfituan nga hyrjet falas në ditët e përcaktuara nga Ministria e Kulturës.

Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar , ku kalaja u vizitua nga 22,823 turistë./a.a/ KultPlus.com

‘Qendra Multimedia Showcase 2018’ vjen në muajin tetor

Qendra Multimedia nga Prishtina do të bëjë bashkë disa prej shfaqjeve të saja më të suksesshme.

Kësisoj, në muajin tetor do të organizohet Qendra Multimedia Showcase 2018, ku vijnë katër shfaqje të prodhuara nga kjo Qendër.

Nga 19-21 tetor, në Prishtinë do të vijnë “Peer Gynt from Kosovo”, “55 shades of gay” dhe “A play with four actors and some pigs and some cows and some horses and a prime minister and a milka cow and some local and international inspectors”, përfshirë këtu edhe një shfaqje të re që vjen premierë.

Kjo do të jetë një mundësi e mirë për shikuesit të njoftohen me shfaqjet të cilat kanë pasur suksesin e tyre nëpër Evropë. Të gjitha shfaqjet do të kenë përkthim në gjuhën angleze. / KultPlus.com

Foto: Jetmir Idrizi

“Elita 5”, feston tri dekada në skenë me një koncert në Tiranë

Një “Tornado” e ka quajtur kryebashkiaku i Tiranës, ardhjen e tyre në Tiranë mbrëmjen e 7 shtatorit. Por nuk bëhet fjalë për një tornado të vërtetë.

Ata janë 5 pjesëtarët e grupit aq të famshëm nga Tetova “Elita 5”, krijuar në vitin 1978 e që këtë vit mbushin plot 30 vite karrierë.

Tre dekada krijimtari, banda e rokerëve ka vendosur t’i festojë në Tiranë përmes një koncerti madhështor në Amfitetarin e Liqenit, një ngjarje e rëndësishme, të cilën kanë vendosur ta kremtojnë pikërisht në Tiranë, ku do të këndojnë për publikun shqiptar këngët e tyre më të mira ndër vite.

“Elita 5” në 30 vite karrierë numëron më shumë se 120 kënge, ku “Al Capone”, “Nuk jam unë diktator” “Fol vetëm fol”, janë vetëm disa nga hitet më të njohura të cilat do të këndohen në Amfitatrin e Tiranës për gati 2 orë.

Krahas 30 vjetorit të krijimit ‘Elita 5” ka edhe arsye tjetër për festuar: lancimin e albumit te ri, duke e çuar në 8 totalin e albumeve të këtij grupi. Këto dy ngjarje të rëndësishme do të sjellin në Tiranë bandën shqiptare nga Maqedonia, në datën 7 shtator në ora 20.00, në një koncert live në Amfitetarin e Liqenit./ KultPlus.com

Lence Zdravkin dhe Omer Kaleshi, fituesit e çmimit shtetëror të Maqedonisë “Nëna Tereza”

Lence Zdravkin dhe Omer Kaleshi, janë fituesit e çmimit shtetëror të Maqedonisë “Nëna Tereza”, për vitin 2018, shkruan KultPlus.

Zdravkin humaniste dhe Kaleshi piktor janë nderuar me këtë çmim me vendimin e miratuar nga këshilli për ndarjen e çmimit nën kryesimin e akademikut Alajdin Abazi.

Ky çmim jepet për të arriturat e rëndësishme në interes të shtetit në sferën e humanitetit dhe solidaritetit njerëzor dhe nxitje, avancimn të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillim të bashkëpunimit mes popujve dhe mes pjesëtarëve të bashkësive të ndryshyme, kulturave dhe besimeve.
Ky çmim di të ndahet në Kuvendin e Maqedonisë, më 26 gusht, në ditën kur edhe ka lindë Nëna Terezë./KultPlus.com

“Një histori e vërtetë” rreth krimit të sajuar në komunizmin e Shqipërisë

Alberina Haxhijaj – Prizren

Mbrëmë në kuadër të DokuFest-it erdhi dokumentari “Një histori e vërtetë” nga Viron Roboci. Filmi solli Shqipërinë gjatë diktaturës, parë përmes historisë së një familje, gjykuar për vrasjen që nuk e bënë kurrë, shkruan KultPlus.

Shkurorëzimi i një vajze të re që nuk pranohet mirë dhe zhdukja e saj e papritur, nxit autoritetet që katër vjet më pas të hapin një rast, duke kërkuar vrasësit. Peripecitë, torturat, presioni i pafund në dhomat e marrjes në pyetje dhe vuajtja e anëtarëve të familjes të cilët në vend që ti mohojnë akuzat, përpiqen ti tregojnë vetes së tyre se janë “autorët e vrasjes”, i bën ata të përshkruajnë në detaje vrasjen që nuk ekziston.

Kjo histori e cila zë vend në Shqipërinë e vitit 1950, i ka lënë mbresa skenaristit dhe regjisorit Viron Roboci që në momentin e parë kur ai e dëgjoi.

“Më ka lënë përshtypje kjo histori që në momentin e parë dhe kam shfletuar edhe dosjet e Bashkisë për këtë ngjarje. Edhe në dokumentet reale është pak a shumë e njëjta gjë. Këtu e kemi kuptohet edhe pjesë e fiksionuar, aty ku ne e kemi parë të nevojshme, në mënyrë që ngjarja të jetë e kapshme edhe për audiencën e sotshme”, u shpreh ai.

E veçanta e këtij dokumentari sipas regjisorit është përshkrimi i detajuar i një krimi dhe pyetja e cila e preokupon shikuesin gjatë gjithë filmit – Cila është e vërteta e kësaj historie?

“Dokumentari është një histori e cila flet për totalitarizmin në tersi. Kemi zgjedhur një rast shumë të rrallë pasi që diskutojmë në detaje për përshkrimin e një krimi i cili nuk ka ndodhur kurrë, përshkruar nga vet autorët hipotetikë pas presionit që kishin pasur”, tregon ai.

Pasi që dokumentari është i lidhur me materialet historike të asaj kohe regjisori Roboci, në premierën e dokumentarit në Kosovë, u shpreh se i kanë kushtuar një kujdes të veçantë edhe gjuhës që është përdorur në film.

“Jemi përpjekur të kujtojmë një gjuhë filmike disi historike, pra goxha klasike dhe ndryshe nga ajo që zakonisht shohim”, theksoi ai.

Dokumentari edhe pse i bazuar në ngjarje të vërtet, është vështirë i besueshëm në një shoqëri normale. Prandaj edhe sjellë emocione interesante te shikuesit dhe nxit reflektimin e tyre rreth të drejtave të njeriut dhe respektimin e tyre.

“A true Story” do të shfaqet edhe nesër në kuadër të DokuFest-it duke filluar nga ora 22:00 në Kino n’lum. / KultPlus.com

Fustani i Dua Lipës i punuar nga kjo kreatore kosovare

Dua Lipa po vazhdon qëndrimin e saj në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, shkuran KultPlus.

Ajo mbrëmë është paraqitur në një konferencë për media, para koncertit të saj para publikut prishtinas në kuadër te festivalit “Sunny Hill”, që fillon nesër e vazhdon deri te dielën.

Dua Lipa sot është shfaqur e veshur nga kreatorja kosovare, Krenare Rugova ndërsa duket se po ndihet mjaft elegante në fustanin ngjyrë të zezë.

“E punuar me dashuri nga Prishtina. Faleminderit Krenare Rugova”, ka shkruar Dua Lipa në postimin e saj në “Instagram”.

Made with love from Prishtina. Thank you @krenarerugova

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on

Kjo është hera e dytë që Dua Lipa vjen në Prishtinë për të performuar para publikut të Prishtinës./ KultPlus.com

Kuratorja italiane flet për veprën e Sislej Xhafës

Kuratorja e nohur italiane Cristiana Colli ka folur për mediet italiane për instalacionin më të fundit të Sislej Xhafës.

Ajo është shprehur se “obbobobbobo dul peshku’ me të cilën artisti u prezantua në “Demanio Marittimo Km-278”, në Itali, është një “instalacion site specifik” që flet për Kosovën, e cila bëhet një fjalë që përshkruan të zezën në hapësirën e detit që është një rrugëtim, një kapërcim, një platformë, një autostradë likuide. “Artisti matet me komunitetin: atë që jeton në këtë bregdet me rast të eventit”. Bëhet fjalë për një maratonë në plazh dedikuar artit, arkitekturës dhe dizajnit, që zgjati për 12 orë dhe u kurua nga Colli. Ndërkohë që ajo rrëfen se artisti shqiptar është njohur me bregdetin e “Marzocca di Senigallia” një vit më parë gjatë edicionit të shtatë të “Demanio Marittimo Km-278”, duke bërë një farë leximi të peizazhit.

“Në një farë mënyre Sislej ka kapur sensin poetik të kësaj panorame”, është shprehur ajo për instalacionin e inauguruar në 21 korrik të vitit 2018. Sislej Xhafa me këtë instalacion të pazakontë ka kapur shpirtin e vendit duke e lidhur me shpirtin e kohës, në një dialog ideal midis komuniteteve që gjenden mes Adriatikut dhe Kosovës. Instalacioni është realizuar falë zhvillimit teknologjik të një software-i. “Një monument tingujsh në transit që pret dhe redukton, përfshin, mirëpret, lidh dhe shoqëron njerëzit, komunitetin, format dhe ekzigjencën. Treni që kalon paralelisht me linjën e detit vizaton peizazhe, mundësi, limite, përkatësi të përkohshme. Vizaton magjinë dhe nevojën, prek lehtë ujin e kripur, hyn në tokë, takon SS16, vëzhgon A14, ecën drejt Jugut, Mesdheut. Dhe shikon Lindjen”, shprehet kuratorja italiane.

Zhurma e një treni që kalon, pasohet me aktivizimin e një duartrokitjeje, e cila është regjistruar në një teatër të Prishtinës gjatë muajit qershor të këtij viti. “Janë shumë të rëndësishme, në fillim deti, treni dhe pastaj vendi, plazhi i zakonshëm, i thjeshtë, modest, pa eskluzivitet. Inkluzivitet…” shprehet vetë Sislej, ndërsa në sfond të instalacionit dëgjohet zhurma e detit dhe treni pritet të kaloj përsëri. “Në Luftën e Kosovës, trenat janë përdorur për dëbimin masiv të njerëzve, ndërsa gjatë komunizmit në Shqipëri njerëzit nuk janë lejuar të peshkojnë. Shteti nuk e lejonte një gjë të tillë”, shprehet artisti. Duartrokitjet dhe treni përsërisin ciklin e tyre. “Por trenat kanë qenë gjithashtu si një sinjal progresi, një dëshirë për liri si peshkimi. Kur njerëzit shikonin peshqit nuk mund t’i preknin dhe ndaj bërtisnin ‘obbobobbobo dul peshku”’, shpjegon Xhafa./ KultPlus.com