Një rrugë në Tiranë merr emrin e gazetarit italian që shkroi për shqiptarët

Një rrugë e re në Tiranë do të mbajë emrin e një shkrimtari dhe gazetari të njohur italian, i cili ka shkruar e rrëfyer jetën dhe peripecitë e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj.

Tabela me emrin e Alessandro Leogrande-s u zbulua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, miq dhe kolegë të gazetarit dhe shkrimtarit të njohur, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar pranë Parkut të Liqenit.

“Jam shumë krenar që me miratimin e Këshillit Bashkiak kemi vendosur të emërtojmë ‘Alessandro Leogrande’ një nga rrugicat më të bukura të Parkut të Liqenit, si një shenjë mirënjohje për të gjithë kontributin e tij në gazetari, po mbi të gjitha për humanizmin e tij, sidomos në çështje të shqiptarëve, të emigrantëve, të të huajve, të atyre që janë më të dobët dhe që kanë nevojë për një avokat, siç ishte ai”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se kjo rrugë dhe zona e parkut të Liqenit është edhe një vend për reflektim, për meditim, për lexim, për të menduar idetë progresive, se si qytetet e shtetet mund të bëhen bashkë. “Ky është parku më popullor në Tiranë dhe zona më e frekuentuar nga qytetarët, ndaj jam i lumtur që ky vend, i cili shërben si hapësirë reflektimi, meditimi e leximi do të ketë emrin e Leogrande-s. Ky është një vend ku meditojmë, ecim, kalojmë kohë të lirë dhe besoj është një moment dhe një hapësirë ideale reflektimi për mikun tonë”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se janë pikërisht njerëzit ata që afrojnë më shumë qytetet dhe popujt me njëri-tjetrin, ndërsa theksoi se përmes veprës së tij, Alessandro Leogrande i la një pajë të rëndësishme shoqërisë. “Jam i sigurt që miku im Alberto bie dakord kur themi se është shumë e rëndësishme që shtetet të bashkëpunojnë, që qytetet të binjakëzohen, por në fund të ditës e kuptojmë se janë njerëzit ata që bëjnë diferencën, janë ata që realisht afrojnë popujt. Miku ynë, gazetari i njohur italian Leogande, i jetoi 40 vitet me shpejtësinë e një Ferrari, bëri distanca që shumicës prej nesh nuk i mjaftojnë as 100 vjet për t’i përshkuar. E teksa unë i afrohem 40-vjeçarit tim, mendoj, kam bërë kaq punë, kam dhënë këto ide, kam shkruar, kam lënë një pajë, dhe besoj se është apel për këdo prej nesh për të reflektuar mbi jetën e vet, çfarë bëjmë me ditët tona”, shtoi Veliaj.

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, e vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për të nderuar gazetarin e njohur përmes emërtimit të një prej rrugëve ku e gjithë Tirana takohet dhe jeton. “Jam shumë i lumtur dhe i prekur që jam këtu me kryetarin e bashkisë dhe me të gjithë ju sot. Për mua, Alessandro Leogrande që e njoh nëpërmjet veprave të tij, është një personazh që simbolizon këtë afërsi mes dy popujve tanë, mes dy vendeve tona. Mund të them se do të ndihej shumë i kënaqur të dinte se emri i tij, figura e tij, janë sot të lidhura me këtë rrugë, këtë park të mrekullueshëm dhe mbi të gjitha, siç po thoshte kryebashkiaku, një vend ku e gjithë Tirana takohet dhe jeton jetën e saj”, u shpreh Cutillo.

Themeluesi i revistës “Lo Straniero”, Goffredo Fofi dhe një nga miqtë e tij më të mirë, u shpreh se një prej gjërave që ka mësuar prej tij ka qenë pikërisht dashuria ndaj Shqipërisë. “Një nga gjërat që kam mësuar më shumë nga Alessandro, ka qenë dashuria për Shqipërinë. Dua t’ju falënderoj juve të gjithëve, edhe në emër të familjes së tij. Jam vërtet shumë i emocionuar për këtë nismë. Mendoj se sot Alessandro jeton, nuk ka ikur nga gjithçka. Është këtu për gjërat që ka shkruar, për ato që ka bërë, ka thënë, apo edhe për takimet që ka patur në Puglia, Itali, Shqipëri e kudo tjetër; për pasionin e tij për t’u pozicionuar gjithmonë në anën e të mundurve, të poshtëruarve, të shtypurve, të varfërve, dhe padyshim edhe në anën e emigrantëve, pasi ky ka qenë edhe interesi i tij kryesor, në vitet e fundit të jetës së tij”, tha Fofi.

Alessandro Leogrande, një nga zërat më autoritarë të medias italiane, ishte shkrimtar dhe gazetar, por mbi të gjitha një intelektual që zotëronte virtytin e rrallë për të rrëfyer realitetin dhe historitë me kthjelltësi, analizë dhe në të njëjtën kohë në mënyrë poetike. Drejtor i të përmuajshmes “Lo Straniero”, mbulonte gjithashtu rubrika të përjavshme në “Corriere Dell Mezzogiorno” dhe “Il Fatto Quotidiano”. Ai ishte reporter i problematikave të ndryshme të aktualitetit, si lëvizjet e protestës, shfrytëzimit të punës së papaguar të emigrantëve në Itali etj. Gjithashtu, ai është autor i shumë librave, si: “Mbytja e anijes”, “Adriatiku” dhe “Kufiri”, emblema të vërteta të romanit-reportazh, të përkthyera edhe në shqip./ ata

Themeluesi i ArchDaily-t, David Basulto do të ligjërojë në Kosovë

Më 12 Shtator në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në kuadër të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë do të ligjërojë David Basulto, themelues dhe udhëheqës i ArchDaily-t, shkruan KultPlus.

ArchDaily eshte portali më i klikuar në bote qe i dedikohet arkitekturës, dizajnit dhe planifikimit urban, me mbi 13 milion klikime në muaj. I themeluar ne vitin 2008 brenda vitit Archdaily u bë portali ku arkitektet, dizajnerët dhe urbanistet gjejnë inspirimin për projektet e tyre.

Ligjërata do të fillojë në ora 20:00.

Per më shumë rreth David Basulto’s dhe ArchDaily mund të mësoni përmes këtyre uebfaqeve:

www.archdaily.com/content/about / www.kosovoarchitecture.com/david-basulto-archdaily-ceo/

Cikli i ligjëratave të Festivalit te Arkitekturës do vazhdoj më 21 dhe 22 Shtator ku ne program do jenë ligjëratat e ekipit prapa Paviljonit Shqiptarë ne Bienalen e Venecia’s 2018 si dhe Francisco Fonseca nga Skrei, Porto i cili do të mbajë edhe punëtori./ KultPlus.com

“Kam falur gabime gati të pafalshme, kam provuar të zëvendësoj persona gati të pazëvendësueshëm…”

“Kam falur gabime gati të pafalshme, kam provuar të zëvendësoj persona gati të pazëvendësueshëm dhe kam harruar persona të paharrueshëm. Kam vepruar sipas momentit. Jam zhgënjyer nga njerëz që nuk mendoja kurrë që mund të zhgënjehesha… por edhe unë kam zhgënjyer. Kam mbajtur dikë mes krahëve të mi për ta mbrojtur; jam bërë mik përjetë. Kamqeshur kur nuk ka qenë e nevojshme.

Kam dashuruar, më kanë dashuruar, por edhe më kanë refuzuar. Më kanë dashuruar dhe unë nuk kam ditur si tua kthej dashurinë. Kam bërtitur dhe jam hedhur përpjetë për kaq shumë gëzime. Kam jetuar për dashurinë dhe kam bërë premtime në emër të saj.
Kam qarë duke dëgjuar muzikë e duke parë fotografi të mbushura me kujtime.

Kam telefonuar thjesht për të dëgjuar një zë. Jam dashuruar vetëm me një buzëqeshje. Kam pasur frikë se mos humbisja një person shumë të veçantë, të cilin gjithsesi e kam humbur, por kam mbijetuar dhe jetoj akoma! E rëndësishme është të luftosh me vendosmëri, ta përqafosh jetën me pasion dhe ta jetosh atë.

Humbi betejat me klas, por guxo të fitosh, sepse bota u përket atyre që guxojnë të jetojnë! Jeta është shumë e shkurtër për të qenë e parëndësishme.” – Charlie Chaplini

Dua Lipa në vendin e parë në botë në iTunes charts

Superylli shqiptar, Dua Lipa, po vazhdon vazhdon depërtimin e saj të suksesshëm në skenën muzikore ndërkombëtare.
Këtë po e dëshmon edhe suksesi që po i sjellë kënga e saj më e fundit e titulluar “Electricity”, shkruan KultPlus.

Ky bashkëpunim ka arritur që të mbledhë për vetëm dy ditë katër milionë klikime në YouTube, kurse projekti po shënon suksese edhe në top listën e iTunes.

Dua përmes një postimi në Instagram ka treguar se ndihet tejet e emocionuar që ka zënë vendin e parë në iTunes charts për gjithë botën.

Dua Lipa vetëm një muaj më parë, pati një paraqitje të jashtëzakonshme pranë publikut shqiptarë në kuadër të Sunny Hill Festival që u mbajt në Prishtinë./ KultPlus.com

HardhFest spektakolar në natën e parë me Trojën, sonte performojnë Kee Marcello dhe Eugent Bushpepa

HardhFest filloi të premtën mbrëma më 7 shtator me performancat e disa prej yjeve të muzikë vendore dhe ndërkombëtare. përcjellë KultPlus.

Në skenën e madhe të HardhFest u mblodhën mijëra adhurues për të përjetuar spektaklin që sjell çdo vit ky festival në vendin e rrushit dhe të verës.

Në natën e parë performuan Troja, ku rock grupi është rikthyer në skenën e HardhFest me paraqitje spektakolare dhe hitet e tyre të vjetra që u kënduan një zëri nga publiku.

NouveauBeats nga Holanda u përkujdes për muzikën më të mirë elektronike duke elektrizuar publikun deri në orët e hershme të mëngjesit.

Ndërkaq, skenën e pushtuan edhe rokerët suedezë, Madmans Choice, të cilët ishin një prej befasive ndërkombëtare të festivalit, ashtu sikurse Rahoveci All Stars, rock grupi i themeluar enkas për këtë festival.

Në natën e dytë (sonte) performojnë legjenda e grupit Europe, Kee Marcello me bend dhe Eugent Bushpepa i cili ekskluzivisht mban koncertin e parë pas suksesit në Eurovision.

HardhFest është ndër të vetmet festivale që kultivon muzikën rock me performanca live. /Telegrafi/

Ekspozita e Flaka Halitit “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje”, u hap mbrëmë

Dje, më datë 7 shtator 2018, në Galerinë Kombëtare të Arteve eshte bërë ceremonia e hapjes së ekspozitës së parë personale të artistes Flaka Haliti në Shqipëri, shkruan KultPlus.

“Jemi shumë të lumtur që një publik i gjerë nga Shqipëria dhe Kosova iu përgjigj ftesës sonë për të na u bashkuar në këtë prezantim të parë të Halitit në Galeri. Për ne ishte një moment i bukur të shihnim të rinjtë, artistët, artdashësit, profesionistët e kulturës etj. nga të dyja vendet të cilët së bashku me vizitorët e ardhur nga jashtë dhe ndërkombëtarët që jetojnë në Shqipëri, bisedonin me njëri-tjetrin në kontekstin e një ngjarje artistike të rëndësishme në fushën e arteve pamore në Tiran”, shkruhet në njoftimin e GKA-së.

Ekspozita u vizitua edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, si dhe Ministri i Kulturës së Maqedonisë Asaf Ademi.

Gjatë fjalës hyrëse, Drejtori i Galerisë, z. Erzen Shkololli falenderoi të gjithë të pranishmit që ishin mbledhur për këtë ceremoni, si edhe artisten Flaka Haliti dhe kuratoren Leonie Radine të cilat pranuan ftesën e Galerisë Kombëtare të Arteve për të sjellë në Shqipëri këtë ekspozitë të përmbledhjes së punës 5-vjeçare së Halitit, pas shfaqjes së saj në Kunsthalle Lingen dhe Kunsthaus Hamburg, Gjermani.

Shkololli theksoi se kjo ekspozitë, në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë reflekton shumë mirë këtë bashkëpunim të frytshëm të të dy qeverive në fushën e arteve pamore dhe promovimin e artistëve pamorë nga Kosova dhe Shqipëria.

Më pas fjalën e mori Leonie Radine, kuratorja e ekspozitës “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje”. Ky titull sipas kuratores është “ngacmimi” i parë për publikun për të ardhur dhe vizituar ekspozitën, pasi refuzon përcaktimet e ngurta mbi hapësirën dhe shtyn vizitorët të kuptojnë veprat e artistes përtej vendndodhjes ku kjo ekspozitë shfaqet. Znj. Leonie falenderoi Drejtorin e Galerisë që i besoi kurimin e ekspozitës së parë të Halitit në Shqipëri, ekspozitë e cila shenjoi dhe bashkëpunimin e parë midis artistes dhe kuratores në fjalë.

Falenderimet e Leonie-së shkuan edhe për Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës. Flaka Haliti përmbylli fjalën hyrëse duke shprehur emocionet e saj për hapjen e kësaj ekspozitë, dhe falenderoi edhe një herë Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës që bënë të mundur realizimin e “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje” në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Artistja e sheh këtë bashkëpunim midis dy qeverive si një mundësi shumë të mirë për artistët nga Shqipëria dhe Kosova për të ndarë përvojat e tyre në fushën e arteve pamore dhe për tu prezantuar tek publiku i të dy vendeve. Për të gjithë stafin e Galerisë ishte një kënaqësi e madhe të dëgjonin Flakën teksa përmendte emrat e gjithësecilit për t’i falenderuar për punën e tyre dhe dedikimin maksimal në këtë ekspozitë. Më pas, të gjithë të pranishmit hynë në sallën e ekspozitave të përkohshme për të vizituar ekspozitën, ndërkohë që në fund të saj u shërbye edhe një koktejl në tarracën e Galerisë.

Jeni të ftuar të vizitoni ekspozitën “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje” nga Flaka Haliti/kuruar nga Leonie Radine çdo ditë jave nga ora 09:00 deri në orën 19:00./ KultPlus.com

Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla: Njeri ku je

I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982. Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.

E di fort mirë, se nuk do t’shkruaj rima,
kjo penë që pahir m’ka mbetur n’dorë,
shërbëtorët e djallit s’mund t’i quaj dasmorë,
po t’njëjtë do t’mbesin, këto vargje do t’i marrë fryma.

Sa m’përket mua pra, le të rrënohet,
Piramida e Keopsit,
le t’i ndërrojnë vendet Parisi e Moska,
le të vjellë plot vrer me vrull Vezuvi.

Le t’u bjerë pluhuri ligjeve të Njutn-it,
Lizës s’DaVinçit le t’i zbresë çmimi,
Me simfoninë e nëntë të Bethoven-it,
le t’merren xhelatët në gijotina.

E në pallate e larta t’ kulturës,
le t’ bredhin qentë, mos e teprova,
n’ ekuator le t’ rrëshqasë Antarktiku,
brenda një nate le t’ bashkohet Berlini.

Sikur për s’ dyti të lindej Sokrati,
do t’ia besonim një kope derrash,
i zhgënjyer do të ngiste pas qejfesh e shqerrash,
e dimë sa fort i donte i ngrati.

Pas tij Diogjeni me fener në dorë,
do të shëtiste duke reviduar,
mos emisionet propagandistike,
të dobëta sallamat i kanë ekspozuar./KultPlus.com

Hapet konkursi letrat për organizimin “Vjeshta poetike në Obiliq-Kastriot”

Me mbështetje të DKRS-së, Komuna e Obiliqit-Kastriotit, organizon edicionin e tretë më radhë kulturor “Vjeshta poetike në Obiliq-Kastriot”, shkruan KultPlus.

Ky edicion organizohet në mbështetje të rrjetit global të poetëve, “100 Mijë Poetë Për Ndryshim Iniciativa Globale” me moton “Lexojmë Një Poezi Për Një Fëmijë”.

Me rastin e mbajtjes së këtij manifestimi kulturor poezitë e lexuara nga poetet-poetët, do të botohen në një libër të veçantë për edicionin e vitit të ardhshëm. Ky vit është i rëndësishëm për të theksuar rëndësinë e fëmijëve në botë.

Për poezi ndahen këto katër çmime letrare:
1. Çmimi i parë
2. Çmimi i dytë
3. Çmimi i tretë
4. Çmimi motivues për krijuesin e ri
( Ky çmim ndahet pas leximit të disa krijuesve të ri, për të cilin vendos juria e cila do formohet ditën e mbajtjes së orës letrare).

Kriteret e konkursit:

Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë krijuesit letrarë, nga gjeografia e atdheut, dhe nga mërgata e jonë, pa dallim moshe. Krijimet duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe, ( gjatësi e një faqe A4 me shkronja 12 pikëshe). Konkurruesit kanë të drejtë pjesëmarrje vetëm me një poezi, e cila nuk është publikuar në revista, gazeta apo portale elektronike.
Poezia nuk duhet të kalojë më shumë se 30 vargje dhe duhet të jetë e lektoruar dhe me emër e mbiemër të plotë të autorit, ndërsa autorësia dëshmohet me kopje të poezisë së printuar, ditën e mbajtjes së manifestimit. Dërgimi i poezive bëhet në emalin: [email protected]

Afati i dërgimit të poezive është nga data: 08.09.2018 deri më 20.09.2018

Shpallja dhe publikimi i rezultateve bëhet nga juria profesionale ditën e mbajtjes së manifestimit, më 29.09.2018. Ora letrare fillon në ora 14h dhe mbaron në ora 15:30h, në sallën e Kuvendit Komunal të Kastriotit.
Për krijuesit nga Shqipëria, Maqedonia, dhe komunat e tjera, është siguruar transporti falas me autobus, ardhje-vajtje para bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Autobusi me krijuesit nga Prishtina, nga Biblioteka Kombëtare për Kastriot niset në ora 13:30h. / KultPlus.com

Artisti japonez performon në Muzeun Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë, do të zhvillojnë sot në sallën e UNESCO ora 19.00, një performancë “Shakuhachi” nga Yosuke Irie.

Artisti Yosuke Irie, do të performojë në Shqipëri për herë të parë. Ai do të luajë muzikë tradicionale, gjithashtu edhe moderne.

Yosuke Irie është një instrumentist i njohur japonez i “shakuhachi” i cili deri tani ka performuar në shumë vende, duke promovuar kulturën japoneze, por edhe paqen midis kombeve gjatë vizitave që bën në vende të ndryshme. Stili specifik i Irie është i tillë pasi ai kombinon teknikat tradicionale dhe moderne të lojës në instrument, duke krijuar një tingull unik dhe duke komunikuar mesazhe specifike.

Shakuhachi është një flaut tradicional japonez që u soll në këtë vend nga Kina në fillim të periudhës Edo, shekulli i 17-të. Instrumenti përdoret ndonjëherë prej priftërinjve budistë në meditim. Instrumenti prodhohet prej drurit të bambusë. /j.p/a.t.a/ KultPlus.com

Erë trëndeline

Poezi nga Lasgush Poradeci.

Sesí m’ju lëndon dashurija!
Sesì m’ju lëndon pa pushim!
O lotët e syve të mija!
O klithmëz e tingëllit t’im!

Ju shoqe të kohës mitare…
Mikesha… motriçka… pa faj!
Ju humbtë në mjegull përfare,
Dh’u solla ndër mënd e po qaj!

As flak’ e shkëndijës q’u shua,
As syri që nxihet e plas,
Nuk lanë-o ju vasha për mua
Vuratat e errëta pas:

Haj! flutur e zënë me duar
Një flutur sicila prej jush,
Më la në gishtrinj dyke shkuar
Pluhùrin që ndrin posi prush…

Sot çela pëllëmbën e dorës
Q’ u çiku gazmore dikur –
Si pah verbimtar i dëborës
Së-rish po më ndrin një pluhúr…

Përse nuk m’u shojte përherë,
Të hesht të pushoj për kurdo,
Ti mall që nër to pate lerë
Dh’u rite dh’u ndrite nër to!

Ju shoh përtej mjegullës s’uaj
E shpirtin prej jush e kam plot,
Pa s’mund si t’a them, si t’a shuaj
Ah! këngën e mbushur me lot.

Së koti-u larguat mënjanë,
Më vajttë më kot aqe larg,
Kur sumbullat lot që më ranë
Si ruázat i shkova në varg…

Dh’i ndrita me syrin e fshehur…
Dh’i vela me zërin mitar…
Dh’i skuqa me buzën e dehur…
Me shpuzën e flogut si ar…

Oji! trëndelin’ e venitur
Ju fali gjith erën e saj… –
Pse rreh kaq me hov të çuditur,
Haj! zemëra ime ti haj?…

Ju lule q’u leu parëvera,
Dh’u çika me gas një mëngjes!…
Së largu prej jush më ra era,
E desha prej mallit të vdes! / KultPlus.com

“Këndi i Buxhovit” në Bibliotekën e Qytetit të Gjakovës

Në Bibliotekën e Qytetit të Gjakovës “Ibrahim Rugova”, në kuadër të “Këndit të autorit”, sot u përurua veprimtaria letrare e shkrimtarit Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.

Me këtë rast autori i dhuroi Bibliotekës rreth 300 vepra letrare, në të cilat përfshihen veprat origjinale të autorit si dhe një numër tjetër që i janë dhuruar autorit nga shkrimtarët shqiptarë.

“Këndi i autorit” do të pasurohet edhe me dokumentet letrare si dhe ato historike që lidhen me veprimtarinë e gjatë letrare të autorit, po ku do të zënë vend edhe dokumentet autentike rreth Gjakovës në histori, ku një vend të rëndësishëm do të zënë ato që lidhen me veprimtarinë politike dhe patriotike të LIDHJES shqiptare të Prizrenit, në të cilën, si drejtues të saj politik dhe ushtarak unë shquan shumë gjakovarë.

Me këtë rast autori Buxhovi pati edhe një takim me krijuesit gjakovarë./ KultPlus.com

Festivali “Nrrot Fest” gati për edicionin e dytë

Alberina Haxhijaj

Komuna e Gjilanit për herë të dytë do të mirëpres festivalin “Nrrot Fest”, festival ky i cili ka karakter social, shkruan KultPlus.

Edhe këtë vit në Festivalin “Nrrot Fest” i cili do të fillojë më 29 shtator dhe do të përfundojë në mëngjesin e 1 tetorit, do të perfomojnë artist të njohur nga Kosova dhe rajoni, emrat e të cilëve mbesin akoma një mister. Menaxheri i Projektit Qëndrim Kqiku, për KultPlus ka konfirmon se janë në përgatitje të edicionit të dytë si dhe ka ndarë me ne disa detaje.

“Do të performojnë 6, eventualisht 7 artistë nga vendi dhe rajoni, ndërsa ky event social këtë vit mbështet fëmijët me sindromin Down në Qendrën ‘Pema’ në Gjilan”, tregoi Kqiku.

Tutje ai u shpreh se një risi tjetër e këtij edicioni është edhe ndërrimi i lokacionit, pasi që ky edicion do të mbahet prapa Interxit-ish Stop Club.

Në anën tjetër ideatori i festivalit, Albert Fazliu, u shpreh për KultPlus optimist për edicionin e sivjet.
“Presim pjesëmarrjen të njerëzve pasi që ata përveç festës dhe argëtimit, përmes pagesës për hyrje mund të ndihmojnë sadopak në lumturinë e fëmijëve”, u shpreh ai.

Organizatorët po ashtu kanë njoftuar se konkursi për vullnetarët e këtij festivali vazhdon të jetë i hapur deri më 15 Shtator 2018. Për të mësuar më shumë për festivalin por edhe për mënyrën e aplikimit për të qenë pjesë e vullnetarëve, ju mund të vizitoni faqen e tyre në Facebook.

Kujtojmë se edhe edicioni i parë i festivalit ka pasur karakter social ku fitimet e projektit të festivalit janë ndarë për Familjet Sociale për nder të festave të fundvitit me moton: “Ti ke, dikush nuk ka”./ KultPlus.com

Ura e Golikut, vepra e rrallë inxhinierike merret në mbrojtje

Në Urën e Golikut, Pogradec specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, së shpejti fillojnë fazën e parë të restaurimit.

Ura e Golikut në rrethin e Pogradecit, një vepër e rrallë inxhinierike, merret në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, ndërsa shumë shpejt, priten ndërhyrje strukturore dhe disiplinuese për prurjet e ujit që rrezikojnë këtë urë me vlera historike dhe arkitekturore.

Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare, bën të ditur se specialistë të IMK kanë parë nga afër gjendjen e urës së Golikut dhe mundësitë e mbrojtjes së saj. “Së bashku me specialistët e IKM, për të filluar shumë shpejt fazën e parë të ndërhyrjeve strukturore dhe disiplinimin e prurjeve të ujit”, thotë ai, raporton a.t.a

Ura e Golikut në lumin Shkumbin, pjesë e rrugës Egnatia, vlerësohet si një atraksion turistik për të apasionuarit e trashëgimisë kulturore.

Ura ndodhet në zonën e Mokrës, reth 40 km larg qytetit të Pogradecit. Ajo është ndërtuar në periudhën e pushtimit romak. Ka një gjatësi 17 metra, gjërësi 3 metra dhe 10 metra lartësi. Me statusin monument kulture i kategorisë së parë, Ura e Golikut ka pësuar dëmtime të shpeshta nga faktorë njerëzorë dhe natyrorë, që pas shekullit XVII kur u ndërtua. /KultPlus.com

Britanikët, realizojnë dokumentar të animuar për Skënderbeun

Një dokumentar i ri për Skënderbeun është publikuar këtë javë në kanalin më të madh të videomaterialeve, në Youtube.

Është kompania britanike e filmave të animuar, King And Generals, që ka realizuar një dokumentar për heroin e shqiptarëve dhe rezistencën ndaj sundimit otoman.

Dokumentari i animuar flet jo vetëm për betejat, luftërat dhe diplomacinë e Gjergj Kastriot Skënderbeut, por edhe për detaje të njohura të jetës së heroit të shqiptarëve, shkruan vizionplus.tv

Edhe pse dokumentari është publikuar më 2 shtator dhe për pesë ditë në kanalin zyrtar të Kin gand Generals në You Tube, ky dokumentar ka arritur thuajse 170 mijë shikime dhe 7 mijë pëlqime.

Animacioni është një nga teknikat që zgjedh kjo kompani kinematografike në Britani për të afruar të rinjtë dhe fëmijët me historinë dhe për t’i bërë më të njohura ngjarjet më të rëndësishme në botë./ KultPlus.com

Rita Ora blen shtëpi të re në Prishtinë

Superylli botëror, Rita Ora, ka investuar në vendlindje.

Bukuroshja duket se është kujdesur për një shtëpi të re për të dhe familjen e saj.

Lajmin e ka konfirmuar vet babai i këngëtares, Besnik Sahatçiu, i cili ka postuar fotografi në Facebook me një përshkrim që konfirmon blerjen e shtëpisë.

“Të lumtur për shtëpinë tonë të re në vendlindjen tonë në Prishtinë”, u shpreh babai i Ritës në postimin e tij në Facebook.

Prindërit e Rita Orës si duket po qëndrojnë në Prishtinë, pasi edhe kaluan pushimet në bregdetin shqiptar në Sarandë.

Rita Ora vazhdon me angazhimet e saj, por tash si duket ajo ka një shtëpi të re në Prishtinë. /Telegrafi/KultPlus.com

Inva Mula nesër performon në Ulqin

Ulqini do të mirëpresë sopranon me famë ndërkombëtare, Inva Mula, në Festivalin Ndërkombëtar “Belcanto Dolcinio”, shkruan KultPlus.

Festivali ka filluar në Ulqin me datën 7 shtator dhe do të zgjasë deri më 9 shtator, ndërsa sopranoja do të performojë natën e fundit së bashku me pianistin virtuoz Genc Tukiçi, në pjesën e vjetër të qytetit turistik. Aty ku edhe do të kenë mundësi shumë qytetarë ta përcjellin koncertin e Inva Mulës, që do fillojë në ora 20:00.

Mula ka lindur në vitin 1963 ndërsa ka fituar disa konkurse të rëndësishme, përfshirë Operalia, Butterfly në Barcelonë dhe çmimin “Këngëtarja Shqiptare” në fund të viteve 80-të.

Jeta e saj është e ndarë më së shumti mes Francës dhe Shqipërisë. / KultlPlus.com

Sot mbahet simpoziumi “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”

Simpoziumi ka filluar sot në ora 9.00 dhe do ndahet në dy sesione, të para ditës dhe pas ditës, i cili do të mbahet në Institutin Albanologjik në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Simpozium: Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, synon të prezantoj gjendjen e këngës epike sot dhe në të kaluarën. Hulumtuesit do të referojnë hulumtimet e tyre për pasardhësit e lahutarëve të njohur Avdo Megjedoviq, Salih Uglla (Uglanin), dhe të tjerëve.
Këngët shqiptare të Eposit të Kreshnikëve janë cikël këngësh epike heroike legjendare. Ato radhitën ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të kulturës shpirtërore të shqiptarëve. Nuk janë të panjohura këngët e kreshnikëve të cilat u kënduan jo vetëm te Shqiptarët por që u bartën edhe te boshnjakët. Në përhapjen e këngëve epike, te Boshnjakët ndikuan lahutarët e Sanxhakut siç ishin Avdo Megjedoviq, Salih Uglla (Uglanin),Murat agë Kurtagaj (Kurtagić), Husë Qorri Husoviq (Ćor Huso Husović), Ashir Qorraj (Ćorović), Kasum Rebronja, Xhemajl Arnauti (Arnautoviq), Ibro Musiqi, Xhyl Bahu (Bahović) etj. Në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, Milman Parry ka koleksionin e vet me këngë të viteve ’30, kryesisht të letërsisë gojore të traditës myslimane-boshnjake dhe shqiptare.

Simpoziumi do të tuboj hulumtues nga të gjitha Universitet dhe institutet prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilët me hulumtimet e tyre do të ndriçojnë këngën epike shqiptare në Sanxhak , me theks të veçantë ndriçimin dhe përmirësimin e gabimeve që janë bërë në të kaluarën.

Projekti do të ndikoj në njohjen e opinionit vendor dhe ndërkombëtar më të kaluarën kulturës dhe traditën e popullit shqiptarë në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe më gjerë. Rolin e këngës epike në ruajtjen historisë kombëtare. Hulumtimet që do të prezantohen në këtë simpozium do të botohen. Kontributi i simpoziumit do të jetë i madh për shkencën në përgjithësi sidomos në shkencën e albanologjisë.

Simpoziumi do të sjellë studiues nga shumë universitete prestigjioze dhe do të tubojë njohësit më të shquar të epikologjisë, kjo do të jetë një ngjarje që do të zgjojë interesim të madh edhe të publikut dhe të studentëve tanë në përgjithësi nga trojet shqiptare e edhe me gjerë. Simpoziumi do të ndikoj në masë të duhur te studentët e aktual dhe te ata që vijnë që të merren me këtë lami shkencore, e cila jep kontribut të madh të ngritjes së vetëdijes kombëtare te viset shqiptare që janë pothuajse të asimiluara.
Ky simpozium organizohet nga Shoqata “ Kosova për Sanxhakun” , me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sporteve të Republikës së Kosovës. Më poshtë mund të gjeni programin e plotë për këtë simpozium./ KultPlus.com

Programi:

9.00 Seanca e parë

Kryesia e punës: prof. dr. Zymer Neziri, prof. dr. Sabahajdin Cena, ma. sc. Ismet Azizi, prof. dr. Redžep Shkrijelj

Fjala e mirëseardhjes: Ma.sc. Ismet Azizi, kryetar i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”
Fjala përshëndetëse: z. Kujtim Gashi, ministër, MASHT
Fjala e hapjes: Prof. Dr. Adem Zejnullahu

• Prof. Dr. Nicola Scaldaferri, Universiteti i Milanos
“Muji and Gavran Kapetani”, by Salih Ugljanin (Sali Uglla). Remarks
about the musical performance
• Prof. Dr. Rigels Halili,Universiteti i Varshavës
Sanxhaku si nje zonë ndërkufitare – gjeografia, historia dhe tradita e këngës epike
• Prof. Dr. Zymer Neziri, Instituti Albanologjik, Prishtinë
Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri në Koleksionin e Millmen Perit
në Universitetin e Harvardit
• Prof. Dr. Redžep Shkrijelj, Pazari i Ri (Novi Pazar)
Biligvalni guslari iz Sandžaka
• Prof. Dr. Sabahajdin Cena, Universiteti i Prishtinës
Roli i interpretve bilingual në ruajtjen e trashëgimisë epiko-lirike:
Fatima Biberoviq e Koleksionit të Millmen Perit në Harvard
• Prof. Dr. Hamit Xhaferi, Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë
Realiteti autentik në trashëgiminë e Eposit të Kreshnikëve te lahutarët shqiptarë dhe boshnjakë në Sanxhak
• Diskutime

12,00-13.30: dreka

13, 30 Seanca e dytë

Kryesia e punës: prof. dr. Adem Zejnullahu, prof. dr. Rexhep Doçi,
prof. as. dr. Shefqet Hoxha, prof. dr. Hamit Xhaferi

• Prof. Dr. Mazllum Baraliu, Universiteti i Prizrenit
Vështrim i shkurtër recensional përkitazi me disa rapsodë të njohur shqiptarë të Sanxhakut
• Prof. Dr. Rexhep Doçi, Instituti Albanologjik, Prishtinë
Onomastikë shqiptare-boshnjake e Sanxhakut të Pazarit të Ri, sipas këngëve të Koleksionit të Millmen Perit (Milman Parry) në Universitetin e Harvardit
• Ma. sc. Ismet Azizi, Gjilan
Popullarizimi i Sanxhakut të Pazarit të Ri nëpërmjet lahutarëve të tij,
në Koleksionin e Millmen Perit (Milman Parry) në Universitetin e Harvardit
• Dr. sc. Harun Crnovršanin, Pazari i Ri (Novi Pazar)
Poznati sandžački guslari, sa posebnim osvrtom na Džemaila Arnautovića (1925-2017)
• Ma. sc. Fitim Veliu, Prishtinë
Kryelahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, Salih Uglla dhe Avdullah Zeneli, në studimet e deritashme të Zymer Nezirit
• Prof. Dr. Adem Zejnullahu, Instituti Albanologjik, Prishtinë
Tragjika e vëllezërve Kastrati dhe e vëllezërve Muriqi në dy balada historike
• Prof. as. Dr. Shefqet Hoxha, Tiranë
Jemin Zeneli (Ukperaj), bartës i njohur i Eposit të Kreshnikëve në krahinën e Hasit të Brinjës
• Ma. sc. Izet Duraku, Tiranë
Portreti i Qamil Hoxhës (1908-1989), bashkëpunëtor i studiuesit amerikan Albert Lord

Fjala e mbylljes: Prof. Dr. Zymer Neziri

*Leximi i kumtesës: deri në 10 minuta.
*Diskutimi: deri në 3 minuta.
*Versioni për shtyp: 1 tabak autori (28 mijë karaktere), dorëzohet deri më 8.12.2018./ KultPlus.com

Opera e famshme italiane sonte në ODA

Me fillim nga ora 20:30, në Teatrin Oda në Prishtinë shfaqet opera e famshme italiane ‘Katër i Radës’, shkruan KultPlus.

E prodhuar nga Cantieri Teatrali Koreja – Lecce, opera ka qenë e komisionuar nga ‘Biennale di Vennecia’. Nga koha kur është prodhuar, kjo operë është dhënë në dhjetëra festivale të rëndësishme evropiane, përfshi edhe në festivalin e mirënjohur MESS të Sarajevës.

‘Katër i Radës’ nuk është veç një operë e kujtesës. Është një përpjekje, që përmes muzikës, të shkarkohet universi i njeriut i cili shkoi për të takuar një nga shumë tragjeditë e Mesdheut: atë të një anijeje të vogël të stërmbushur me burra, gra dhe fëmijë, që u fundos, në mars të vitit 1997 në bregdet të Italisë. Në turmën e një akti të vetëm, të Fundosurit dhe të Shpëtuarit, ata që u shpëtuan dhe ata që vdiqën, zërat e tyre, mendimet e tyre, e posaçërisht udhëtimi i tyre drejt errësirës, plot me ankthe dhe dëshira të vogla, ëndrra dhe frikë, devijime, ndarje, kujtime të rastësishme…

Muzika: Admir Shkurtaj, Libreto: Alessandro Leogrande, Regjia: Salvatore Tramacere, Skena dhe dritat: Michelangelo Campanale dhe Kostumet: Stefania Miscuglio./ KultPlus.com

Adhuruesit pohojnë që Jackson është gjallë dhe se ia kanë falsifikuar certifikatën e vdekjes

Adhuruesit nuk po pajtohen me vdekjen e këngëtarit Michael Jackson, i cili më 29 gusht do ta kishte ditëlindjen e tij të 60-të. Ata pohojnë se ekzistojnë prova të forta se ai është gjallë, shkruan The Sun.

Janë shfaqur disa teori konspirative për ‘mbretin e popit’, ndërsa njëra prej tyre është emri i tij i shkruar gabimisht në certifikatën e vdekjes.

Në videon të cilën e postuan adhuruesit, në pasaportën e Jacksonit është i shkruar emri i mesëm “Joe”, ndërsa në certifikatën e vdekjes është shkruar ‘Joseph’. Adhuruesit përmes rrjeteve sociale e pyetën motrën e Michael, këngëtaren La Toya Jackson (62), ndërsa ajo e konfirmoi se emri i saktë është “Joe”.

Para kësaj u diskutua për ‘gjurmën’ në këngën ‘The Great Forever’ të motrës së tij Janet Jackson (52) e cila daton nga viti 2015. Adhuruesit e ngadalësuan ritmin e këngës dhe thonë se ajo e përmban zërin e ‘mbretit të popit’.

“Nuk më vjen mirë që po gërmoni, jam zënë duke e jetuar jetën time”, – thuhet se këndon Jackson. Adhuruesit në teorinë e tretë pretendojnë se Michael vitin e kaluar ishte maskuar në martesën e muzikantit Siggy Jackson.

Thuhet se bëhet fjalë për një njeri të madh me syze të diellit, i cili qëndroi jo shumë larg Prince (21) dhe Paris Jackson (20), fëmijëve të tij. Adhuruesit theksuan se “mbreti i popit” në xhirim ngjan shumë në personazhin, i cili në vitin 1996 luajti në filmin e shkurtër ‘Ghosts’. koha.net/ KultPlus.com

Në festivalin e filmit në Washington, edhe një histori e trishtë nga Kosova

Këto ditë, prej datës 6 deri në 16 shtator në Washington DC zhvillohet festivali i filmave me metrazh të shkurtër, një ngjarje artistike që zhvillohet prej 15 vjetësh dhe ku shfaqen filmat më të mirë të këtij zhanri në botë.

Këtë vit, do të shfaqen mbi 130 filma, mes tyre dhe filmi me metrazh të shkurtër “Bini” i regjisorit Erblin Nushi, i cili është dhe një prej finalistëve të “Student Academy Awards”, krijuar nga akademia e çmimeve Oscar, prej vitit 1972, me qëllimin për të përkrahur dhe inkurajuar përsosmërinë në bërjen e filmave në nivel studentor.

Filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë, trajton një nga periudhat më të trishta të historisë së Kosovës, shpërthimin e luftës parë nga sytë e një fëmije. Vetë regjisorit në fakt, eksperiencën traumatike të tij dhe familjes së tij. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai flet për filmin dhe karrierën e tij si regjisor./KultPlus.com

Vuante nga sëmundja e rëndë, Avril Lavigne i kthehet muzikës pas 5 vitesh mungesë

Para disa vitesh Avril Lavigne u diagnostikua nga sëmundja e rëndë lyme dhe u shkëput krejtësisht nga bota e muzikës. Bëhet fjalë për periudhën kur ajo ishte vetëm 17-vjeçe, para 5 vitesh.

Mirëpo idhulli i adoleshencës tuaj do t’i rikthehet botës së muzikës shumë shpejt, duke linçuar këngën e re “Head Above Water” në Shtator, me datë 19-të dhe lajmin e ka dhënë shumë e entiuziazmuar për fansat e saj.

Sëmundja Lyme është një infeksion bakterial që mund të çojë në probleme të rënda mendore dhe fizike, nëse nuk trajtohet shumë herët. Ajo është një sëmundje infektive e shkaktuar nga bakteri Borrelia burgdorferi. Shfaqet në formën e njollave të kuqe në formë vezake që shkaktohen në lëkurë nga pickimi i një lloj insekti të quajtur ‘Ixodes scapularis’./KultPlus.com

OSCAR heq dorë nga “filmi popullor”

Para pak kohësh bëri bujë vendimi i Akademisë së çmimeve OSCAR për krijimin e një kategorie të re të quajtur filmi më popullor.

Por tani organizata ka bërë një hap pas, duke lajmëruar se kjo kategori nuk do të përfshihet në edicionin e ardhshëm të çmimeve OSCAR të parashikuar për në 24 Shkurt 2019.

Nuk bëhet fjalë për anulim të kategorisë, por mbase për një pezullim në pritje të një rivlerësimi në të ardhmen.

Drejtoresha ekzekutive e Akademisë, Dawn Hudson, në një deklaratë tha se çështja do të hidhet në diskutim pas reagimeve të shumta mbi kategorinë e re.

Ajo shtoi se në vite ka pasur ndryshime në çmimet OSCAR dhe do të ketë edhe në të ardhmen, por pa prekur trashëgiminë e jashtëzakonshme të 90 viteve të fundit./KultPlus.com

“Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet”

Po ju sjellim disa thënie të njohura për bukurinë.

Aristoteli: Bukuria është dhuratë e Zotit.

Shën Agustini: Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të ligë.

Grigori i 1-rë: Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëherë ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.

Platoni: Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.

Ovidi: Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.

Shën Joan Klimakusi: Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditëse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t’i drejtohej Zotit me përdëllim.

Safo: Ç’ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.

Horaci: Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet.

Plutarku: Kur në mesnatë kandili shuhet, të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.

Sokrati: Të lutem o Zot, më bëjë të bukur përbrenda.

Arkimedi: Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim. /Shqipëroi: Ilia V. Ballauri/KultPlus.com