Evropa është e pandjeshme ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve

“Excelsior” ka botuar të shtunën e 26 prillit 1913, në faqen gjashtë, intervistën e Ismail Qemalit, zhvilluar në Champs-Elysées (Paris), pak kohë para se të nisej për në Konferencën e Londrës me qëllim mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Intervistën mund ta lexoni si më poshtë:

Në dekorin modern dhe luksoz të një pallati të Champs-Elysées, Ismail Qemal Beu ngjason me një nga mjekët tanë të zonave rurale, me një fytyrë energjike, e rrethuar nga një mjekër e bardhë.

Kreu i qeverisë së përkohshme shqiptare, i cili u ndal disa ditë në Paris, para se të shkojë në Konferencën e Londrës, ende është nën ndikimin e emocioneve të shkaktuara nga lajmi i rënies së Shkodrës:

“Vërej me hidhërim, na thotë ai, se admirimi evropian shkon për malazezët, të cilët morën kryeqytetin tonë.

Dhe akoma më shumë, na fajësojnë për kërkesat tona! Unë e di se, në çdo kohë, mendimi i masave ka qenë në favor të fituesve, por ndjenja e së drejtës sonë duhet të mbizotërojë në mesin e diplomatëve.

Duhet të keni parasysh se na janë dashur vite për të shkundur zgjedhën turke, të cilës ne i kemi shkaktuar dhe shpejtuar humbjen e saj, për tu gjetur sot përballë çlirimtarëve më të zellshëm (etur) sesa shtypësit tanë të vjetër!

Në emër të lirisë së racave, malazezët hynë në luftë; A duan ata të na grabisin sot kryeqytetin tonë në emër të të njëjtit parim?

Megjithatë, Evropa qëndron e pandjeshme ndaj shkeljes së drejtave tona: ajo duket se na konsideron si disa fise sudaneze, të paaftë për tu qeverisur.

Gjithsesi, ne kemi dhënë prova të shkëlqyera për energjinë e racës sonë. Për shekuj me radhë, turqit kanë rekrutuar midis nesh zyrtarët më të mirë dhe ushtarët e tyre më të guximshëm.

Sot, të vetëm, të rrethuar nga ushtritë aleate, ne kemi ruajtur rendin, mbledhur taksat, formuar një milici, shkurtimisht, kemi siguruar jetën tonë të brendshme me burimet tona.

Ajo që na duhet tani është pavarësia e të gjithë territorit dhe kryeqytetit tonë, në mënyrë që, pa ardhur për të lypur në Evropë, të bëjmë Shqipërinë një shtet modern.

Natyrisht, ne do t’u kërkojmë vendeve fqinje këshilltarë dhe specialistë; ne do të jemi mirënjohës ndaj tyre për të na udhëzuar në fillimet tona, por ne duam të jemi vetëvetja, dhe nuk do të lejojmë që të ruhemi nga ndonjë fuqi.

Më akuzojnë se bëj lojën e njërës prej këtyre fuqive, por nuk është e ndaluar, mendoj, të tregoj ndonjë simpati për ata që na ndihmojnë, edhe nëse është për hir të interesit.” /darsiani//KultPlus.com

Alban Muja u jep zë refugjatëve të Kosovës në Bienalen e Venecias

Alberina Haxhijaj
Fotografitë: Arben Llapashtica

Artisti Alban Muja me vite ka mbajtur distancë nga përjetimet që ka pasur gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke mos dashur që këto të fundit të ndikojnë në punën e tij. Si artist ai njihet për trajtimin e Kosovës si një hapsirë territoriale, mirëpo duke mos u fokusuar tek historia që ka prapa vendlindja e tij. Mirëpo,  Bienalja e Venecias këtë vit e ka thyer këtë trajektore të punës së artistit pasi që ai në projektin e tij të ri të realizuar për Pavijonin e Kosovës e që u hap sot në Venecia rikthehet tek e kaluara e vendit të tij,  si një thirrje për të mos e harruar atë. Përmes tri videoinstalcioneve ai solli një retrospektivë të tri ngjarjeve që kanë ndodhur 20 vite më parë,  e që përveç se janë histori personale, zbërthejnë edhe memorien kolektive duke vënë në pyetje edhe ndikimin që kanë imazhet dhe mbulimi medial, sidomos gjatë luftërave dhe konflikteve.

Ideja për këtë projekt, artistit Alban Muja i kishte filluar në kohën kur ai ishte duke shfletuar albumin e tij familjar dhe kishte gjetur një fotografi të tij së bashku me kryeministrin e Spanjës (Jose Maria) Aznar, në vitin 1999. Mirëpo,  sipas tij, përdorimi i kësaj fotografie mund të shihej si një projekt politik pasi që babi i tij ishte një ish i burgosur politik si dhe mund të ishte subjektive. Në anën tjetër, në atë kohë kryeministri i Spanjës kishte ofruar përkrahje për kosovarët ndërsa tani rrethanat politike janë të kundërta. Prandaj projekti mori një drejtim tjetër, mirëpo duke mbajtur lidhje me përjetimet që vet artisti kishte si refugjat. Muja në hapje të Paviljonit theksoi se “Albumi Familjar” nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën por edhe me të sotmen.

“Shpresoj që kemi arritur të sjellim diçka, jo vetëm për ta treguar një realitet të kaluarës së Kosovës, por edhe të sotmen. Shpresoj që kemi arritur t’i justifikojmë taksapaguesit e Kosovës që e kanë paguar këtë. Ne jemi shumë të nderuar dhe ndoshta herën e ardhshme mund edhe të rritemi, por tash e kemi bërë një përvojë të mirë që t’u ndihmojmë edhe artistëve tjerë”, ka thënë Muja.

Kosova përmes Mujës u prezantua për herë të katërt në Bienalen e Venecias, ku prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017).  Mirëpo, sipas presidentit të Bienales së Venecias, Paolo Baratta  i cili po ashtu ishte i pranishëm në hapjen e Pavijonit të Kosovës, në këtë edicion të 58-të e që si titull ka “Jetofsh në kohëra interesante” – pjesëmarrja e vendeve të reja në Bienale, ashtu siç është Kosova nënkupton që akoma ka besim në punën që bëhet në këtë Bienale.

“Është shumë mirë kur shtetet e reja marrin pjesë në Bienale, pasi që kjo nënkupton që ata po besojnë në atë qe ne po bëjmë. Të ardhurit në Bienale nënkupton një gjë të vetme e ajo është se ne dëshirojmë që të bisedojmë përmes artit dhe jemi gati që ta bëjmë këtë, jemi gati që të pranojmë sfidën”, tha presidenti Baratta.

Në fillim të Pavijonit të Kosovës që është vendosur në Arsenale vizitorët mund të dëgjojnë historinë e Besës e cila tregon sesi fotografi Damir Sagolj kishte fotografuar nënën e saj duke i dhënë gji Besës, gjersa ecnin në kolona për të kaluar kufirin. Për më shumë se 24 orë nëna e Besës, Sherife Luta kishte ecur me vajzën e saj në krah për të arritur në Bllacë, madje në një moment ajo kishte menduar se vajza e saj (Besa) kishte vdekur nga të ftohtit,  pasi që nuk po lëvizte. Ky mendim e kishte tmerruar atë dhe asaj i kishte rënë të fiktë,  derisa vajzën e saj një fqinje e ka vendosur në furrë për disa sekonda e pastaj Besa kishte filluar të qajë.

REUTERS/Damir Sagolj 

Videoja e dytë zbërthen fotografinë e fotografit Peter Turnley. Besimi dhe Jehona për 14 minuta tregojnë historinë e babit të tij, përjetimit që ai kishte pasur si i burgosur. Turnley e kishte fotografuar atë duke mbajtur në duar dy fotografitë e fëmijëve të tij në momentin kur ai ishte ndarë nga kolona pasi që ai i kishte ndihmuar një të moshuar, për këtë arsye atë e kishin lidhur për një dritë në rrugë dhe të gjithë të burgosurit është dashur që ta godasin, fytyra e tij e skuqur vërehet edhe në imazhin e shkrepur nga gazetari amerikan i cili pastaj edhe e kishte ndihmuar atë. Besimi dhe Jehona tregojnë sesi nuk kanë ditur për njëri-tjetrin nëse janë gjallë.

Photo Peter Turnley

Në videon e tretë, Agimi tregon sesi ia kanë vendos emrin e xhaxhait i cili kishte vdekur aksidentalisht. Pikërisht për shkak të emrit, lidhja e tij më gjyshin dhe gjyshen ka qenë më e madhe dhe Carol Guzy, fotografja e vetëm me të cilin artisti Muja nuk ka arritur që të komunikoj, ka kapur momentin kur ai është në duar të djalit të axhes duke kaluar në mes të telave në mënyrë që gjyshi dhe gjyshja ta puthnin,  pasi që ata nuk ishin lejuar që të hynin në kamp.

Carol Guzy/The Washington Post/Getty Images

Këto tri videoinstalacione i japin një pamje të thjeshtë Pavijonit të Kosovës, mirëpo gjithashtu ju lënë hapësirë vizitorëve që të eksplorojnë tutje historitë e këtyre katër personazheve, pasi që pikërisht tri fotografitë emblematike nuk zbulohen në Pavijon.  Pikërisht këtë thjeshtësi e vuri në pah edhe kuratori i ekspozitës Vincent Honore.

“Jemi krenarë për shkak të substancës dhe jemi krenarë edhe me minimalizmin e veprës. Është pavijon shumë i thjeshtë, sepse duam të koncentrohemi në veprën, në artistin, në rrëfimet dhe subjektet dhe duam të koncentrohemi në Kosovën, që është një vend fantastik me shumë artistë të mirë që vijnë prej atje”, ka thënë Honore.

Sipas ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit ky prezantim i denjë i Kosovës në Bienale ka ardhur si rezultat i punës së mrekullueshme që ka bërë ekipi punues.

 “Padyshim që Albani,  bashkë me këtë ekspozitë, me këtë projekt, bashkë me Arta Aganin dhe kuratorin kanë paraqitur disa përjetime të refugjatëve kosovarë në luftën e viti 98-99. Na kanë dhënë mundësi që të shohim atë pjesën që për ne është ende e freskët,  ndërsa ata që nuk kanë qenë pjesë e luftës së Kosovës, veçanërisht vizitorët do të kenë se çfarë të shohin e të përjetojnë”, tha ai. I pranishmen në hapje të Pavijonit ishte edhe kryeparlamentari Kadri Veseli , i cili theksoi se Muja përmes “Albumit Familar” ka sjellë një pjesë të realitetit kosovar.

Bienalja e Venecia do të hapet për vizitorë më 11 maj dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor. Vitin e kaluar mbi 275 mijë veta e kanë vizituar Bienalen që nënkupton se po kaq njerëz edhe këtë vit do të kenë mundësinë që të eksplorojnë historinë e Kosovës dhe të refugjatëve të saj, të kaluarën e Kosovës duke shikuar edhe nga e tashmja./ KultPlus.com

Titanik, kjo është arsyeja pse Rose e la Jack-un të vdiste

Me rastin e pervjetorit te 20 të filmit, regjisori më në fund zbulon pse personazhi i luajtur nga Leonardo DiCaprio vdes në fund. Cameron gjithashtu zbulon se ai ishte grindur me Harvey Weinstein natën kur fitoi Oskarin, duke e goditur pothuajse me statujën.

James Cameron shpjegon pse Jack vdes në Titanik

Disa vjet më parë ishte vetë Kate Winslet e cila kishte thënë se si Jack mund të kishte shpëtuar veten, duke konfirmuar tezën tani famëkeqe të “Ka pasur vend për dy” te tifozëve më të zjarrtë. Regjisori i Titanikut shpjegoi se, mjerisht, e vetmja gjë që ka rëndësi është fakti se fati i DiCaprios ishte i shënuar.

Përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse në faqen 147 [të skenarit] thuhet se Jack vdes. Natyrisht ishte një zgjedhje artistike, dera ishte mjaft e madhe për ta mbajtur. Mendoj se është ide e çmendur që ne flasim për këtë përsëri pas 20 vjetësh. Por kjo tregon se filmi ka arritur të bëjë Jack-un një personazh kaq të dashur, që të lëndon tek e sheh që vdes. Nëse ai do të kishte jetuar, fundi i filmit do të kishte qenë i pakuptimtë. Filmi ka të bëjë me vdekjen dhe ndarjen; ai duhej të vdiste në atë mënyrë ose të goditej nga një objekt i anijes, ai duhej të vdiste. Quhet art, gjërat ndodhin për arsye artistike, jo për arsye të fizikës.

Ndër temat e trajtuara nga Cameron në intervistë,  edhe një takim me Harvey Weinstein, nuk përfundoi veçanërisht mirë për këtë të fundit. Producenti në qendër të një skandali gjigant të ngacmimit, abuzimit dhe dhunës, në fakt kishte një debat me regjisorin në natën e 31 marsit 1998, kur “Titaniku” fitoi 11 Oscar. Cameron u afrua për ta goditur atë me statujën e sapo fituar.

Kjo ndodhi në katin përdhes [të teatrit]. Muzika po luante, për të na ftuar të ktheheshim dhe të uleshim në vendet tona. Njerëzit rreth nesh thoshin: “Jo këtu, jo këtu!” Pse debatuam? Është një histori e gjatë që ka të bëjë me Guillermo del Toro dhe asaj që është trajtuar keq nga Miramax (shtëpia e themeluar nga Weinstein dhe vëllai i tij Bob) për filmin “Mimic”. Harvey erdhi tek unë për të më përgëzuar, duke thënë se sa i respektuar isha nga artistët. Aty shpërtheu grindja./KultPlus.com

Ekspozita “Frida Kahlo” në Muzeun e Bruklinit

Një ekspozitë e madhe kushtuar artistes meksikane Frida Kahlo u hap kohët e fundit në Muzeun e Bruklinit në Nju Jork.

“Pamjet mund të mashtrojnë” është ekspozita më e madhe në Shtetet e Bashkuara në një dekadë që i kushtohet piktores ikonë. Piktura, vizatime, madje edhe veshjet dhe sendet personale të saj janë shfaqur në Muzeun e Bruklinit në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri në mes të majit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mikhail Gutkin sjellë hollësitë.

Piktorja meksikane Frida Kahlo tallej me normat shoqërore të kohës së saj. Ajo ishte një ikonë e modës dhe një komuniste e përkushtuar, ishte gjithashtu me aftësi të kufizuara.

Në ekspozitën e Muzeut të Bruklinit, ka fotografi, vizatime dhe skica, rroba dhe sende të tjera personale nga shtëpia e saj në Meksiko Siti, të quajtur Casa Azul.

“Ajo duhet të ketë qenë një fëmijë shumë i vështirë për prindërit e saj, sepse ishte e lirë, ajo largohej nga shtëpia dhe shkonte në treg vetëm, e veshur me rroba meshkujsh”, thotë Carlos Olmeda, Drejtor Ekzekutiv i Muzeut Frida Kahlo në Casa Azul.

Piktorja u prek nga virusi i poliomelitit kur ishte e vogël. Ajo filloi të pikturonte kur ishte 25 vjeç, pas një aksidenti të rëndë automobilistik që e detyroi të qëndronte në shtrat për një kohë të gjatë.

Ajo ishte qendra e eksperimenteve të saj artistike. Kur Kahlo bëri një autoportret, ajo u përqendrua qëllimisht tek vetullat e trasha dhe të errëta.

“Paraqitja e fytyrave të saj të ndryshme ishte një pjesë shumë e rëndësishme e mënyrës se si ajo e shikonte veten. Sot mendojmë se është shumë moderne, gjë që e bën Frida Kahlo-n një personalitet tërheqës të artit, të gjithë e njohin atë, shumë njerëz kanë të njëjtat mendime dhe ndjenja si ajo”, thotë kuratorja e Muzeut të Bruklinit, Lisa Small.

Qyteti i Nju Jorkut ishte pjesë e rëndësishme e jetës së piktores Kahlo. Në vitin 1931 ajo erdhi në qytet për herë të parë, pasi bashkëshorti i saj, Diego Rivera, ishte ngarkuar me detyrën e krijimit të muraleve në Qendrën Rockefeller që sapo ishte ndërtuar.

“Asaj i pëlqente Nju Jorku dhe shumë gjëra rreth qytetit, si filmat, asaj i pëlqente King Kongu, pastaj teatrot dhe muzetë. Ajo shkonte shpesh në Harlem. Por kjo ishte koha e Depresionit të Madh. Në mbrëmje ajo hante darkë me familjen Rockefeller ndërsa në mëngjes rrinte në radhë për të blerë bukë”, thotë Catherine Morris, kuratore në Muzeun e Bruklinit.

Fustanet e Frieda Kahlos ishin të frymëzuara nga traditat meksikane, të pazakonta dhe të ndritshme. Ajo donte të bafasonte të tjerët, por edhe të fshihte papërsosmëritë e saj fizike. Aksidenti automobilistik i shkaktoi dhimbje të rënda piktores, prandaj ajo mbante korse për ta lehtësuar atë.

“Njerëzit shpesh e quajnë atë delikate apo të dobët, por Frida Kahlo është ndoshta një nga njerëzit më të fortë që unë kam njohur. Ishte me aftësi të kufizuara fizike, dhe ky është një element i rëndësishëm i ekspozitës sonë.”

Bukuria, stili dhe pikëpamjet e saj të veçanta për botën, së bashku me kufizimet e saj, e bënë punën e piktores Frida Kahlo argëtuese dhe befasuese ashtu si ajo vetë./KultPlus.com

27 thëniet më të bukura të Umberto Ecos!

“Ne kemi një limit, një limit shumë shkurajues dhe poshtërues: vdekjen.”

“Tani kam arritur në përfundimin se e gjithë bota është një enigmë, një enigmë e padëmshme që bëhet e tmerrshme prej përpjekjes sonë të çmendur, për ta interpretuar sikur të ketë një të vërtetë që fshihet nën të.”

“Ti vdes, por pjesa më e madhe e atyre që ke akumuluar nuk humbet. Ti lë prapa një mesazh në shishe.”

“Të lexosh një libër të shtypur është një përvojë krejt tjetër: mund ta bësh në anije, në degë të një peme, në shtrat, edhe kur nuk ka fare drita.”

“Funksioni i kujtesës është që të ruajë, por edhe të hedhë tutje. Nëse do të mbanit mend gjithçka, nga e gjithë jeta juaj, do të ishit të sëmurë.”

“Kur njerëzit pushojnë së besuari në Zot, nuk është se ata tashmë nuk besojnë në asgjë: tani ata besojnë në gjithçka.”

“Njerëzit janë të lodhur nga gjërat e thjeshta. Ata duan të sfidohen.”

“Problemi me internetin është se ai të jep gjithçka, materiale të besueshëm dhe materiale të çmendur. Kështu që, problemi është, si të bësh dallimin?”

“Shteteve të Bashkuara iu desh një luftë civile, për t’u bashkuar ashtu si duhej.”

“Hero i vërtetë është gjithmonë gabimisht hero; ai ëndërron që të jetë burracaku i ndershëm, ashtu si gjithë të tjerët”

“Interneti është si një bibliotekë pa filtrim. E mira e bibliotekave, ashtu sikurse dhe e enciklopedive, nuk është vetëm që ruajnë kujtesën, por edhe që hedhin tutje ato gjëra që një kulture nuk i duhen.

Nëse nuk do të hidhnim poshtë asgjë, do të ishim si “Funes el memorioso”, tek një tregim i Jose Luig Borges. Ky personazh kujtonte gjithçka: ishte një njeri me kujtesë totale, i paaftë të arsyetonte, sepse ishte i paaftë të filtronte.

Interneti është si Funesi: përmban gjithçka, të vërtetën dhe të gënjeshtërtën, gjë që është një risk i madh, mbi të gjitha për të rinjtë.”

“Kur dikujt i duhet të ndërhyjë për të mbrojtur lirinë e shtypit, atëherë ajo shoqëri është e sëmurë.”

“Më mirë realiteti, se sa një ëndërr: kur një gjë është reale, atëherë ajo është e vërtetë dhe për këtë nuk është faji yt.”

“Unë e kam humbur lirinë e të mos paturit një opinion.”

“Nëse njerëzit i blejnë kot librat e mi, unë këtë e konsideroj një taksë mbi idiotësinë.”

“Mendoj se një libër duhet gjykuar dhjetë vjet më vonë, pasi e ke lexuar dhe rilexuar.”

“Druajuni profetëve dhe atyre që janë të përgatitur të vdesin për të vërtetën, sepse si rregull ata bëjnë shumë të tjerë që të vdesin me ta, shpesh herë para tyre, ndonjëherë edhe në vend të tyre.”

“Ka të pavërteta që prodhojnë rezultate pozitivë dhe të tjera që prodhojnë rezultate negativë. Mes këtyre të fundit janë Protokollët e Pleqësisë së Sionit, me të cilët jam marrë në librin tim të fundit.

Më ka tërhequr gjithmonë teksti fals që, për shkak se të tjerët e besojnë apo për shkak se shfrytëzohet politikisht, ndikon në histori. Falë Dhuratës së Konstantinit, të paktën deri në vitet Pesëqind, ideja që zotërimet e përkohshëm të Perëndimit i janë dhuruar Papës nga Perandori shkakton rezultatet e mëdhenj që i dimë”

“E dashuroj aromën e bojës së librave në mëngjes”

“Mungesa është për dashurinë, ashtu si era është për zjarrin: shuan flakët e vogla, por ndez të mëdhatë”

“Monstrat ekzistojnë sepse janë pjesë e një plani hyjnor, dhe tiparet e tmerrshme të atyre monstrave, zbulojnë fuqinë e krijuesit”

“Nuk e kuptoj dot për se duhen 80 milionë njerëz online, kur, ajo që ata bëjnë në fund, është që t’u flasin fantazmave në periferi.”

“Den Braun është një personazh nga “Lavjerrësi i Fukoit”. Unë e kam krijuar. Ai ndan me personazhet e mi magjepsjen për botën e komploteve të Masonëve, Jezuitëve. Rolin e Kalorësve Tempullarë. Sekretin hermetik. Parimin që gjithçka është e ndërlidhur. Madje dyshoj që Den Braun të ekzistojë vërtetë.”

“Asgjë nuk i jep një njeriu të frikësuar më shumë kurajë, se sa frika e një tjetri”

“Cfarë është dashuria? Nuk ka asgjë në botë, as njeri, as Djall, asgjë tjetër, që ta konsideroj aq të dyshimtë sa dashuria, sepse ajo penetron në shpirt më shumë se cdo gjë tjetër.

Nuk ekziston asgjë që ta mbushë dhe lidhë kaq shumë zemrën, sa dashuria. Kështu që, nëse nuk i keni ato armë që e nënshtrojnë atë, shpirti zhytet përmes dashurisë, në një humnerë të paanë”

“Unë besoj se, ajo që ne bëhemi, varet shumë nga ajo që etërit tanë na mësojnë, në momente të cuditshëm, atëherë kur nuk po përpiqen fare të na mësojnë dicka. Ne formohemi prej copëzave të vogla të urtësisë”./KultPlus.com

Pamja e re e katedrales Notre Dame po i mahnitë të gjithë

Katedralja e Parisit ‘Notre Dame’ mund të pajiset me një çati të re që e bën të aftë të prodhojë energji elektrike të mjaftueshme, sa që të furnizojë me rrymë të gjitha ndërtesat afër saj.

E ndërtuar nga panele xhami në formë diamanti, çatia e projektuar nga kompania arkitekturale ‘Vincent Callebaut Architectures’ do mundësojë që katedralja e apostrofuar të bëhet ndër katedralet më moderne ndonjëherë, transmeton lajmi.net.

Kulmi gjithashtu do të kishte një kopsht që do t’iu dhuronte fruta dhe perime të varfërve dhe të pastrehëve të qytetit.

Seksionet e qelqit në tavan që ndajnë kulmin nga brendësia do të lejonin që drita natyrale t’i jepte një pamje të bukur katedrales.

Ky është një nga një sërë numër projektesh të paraqitura, pasi qeveria franceze njoftoi një konkurs ndërkombëtar për të hartuar një çati të re pasi çatia e vjetër e drurit u dogj nga zjarri këtë vit./KultPlus.com

Është vonë të më mungosh

Ilirian Zhupa

Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.
Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.
Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha
Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.

Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?
Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,
Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,
Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.

O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,
Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.
Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,
Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.

Pi një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,
Mbështesin kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.
Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,
Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.

Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.
Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.
Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe
E ndihem demiurg dhe pre i dashurive.

Është vonë të më mungosh, e dashura ime!/KultPlus.com

Letra e Leonard Cohen drejtuar Marianne Ihlen, në orët e saj të fundit..

Letra e kantautorit drejtuar Marianne Ihlen, në orët e saj të fundit në jetë, është e mrekullueshme dhe poetike.

“Ti e di se unë të kam dashur gjithmonë për bukurinë dhe diturinë tënde, por nuk dua të them asgjë më shumë në lidhje me këtë sepse ti e di tashmë. Tani, unë dua vetëm dua të të uroj një udhëtim shumë të mirë. Mirupafshim mike vjetër. Dashuri e pafund, shihemi gjatë“.

Një lamtumirë e shkurtër. Disa fjali. Por fjalë me një të tillë qartësi, thjeshtësi dhe bukuri.

Shumë prej nesh tani e kanë lexuar letrën që Leonard Cohen i ka shkruar një gruaje që ai dikur e donte, Marianne Ihlen, e cila është në shtratin e vdekjes. Ata që nuk e dinë tashmë po mësojnë se Cohen është një burrë klasi, nga ata njerëz që nuk i takojmë çdo ditë. Ai mësoi se ajo ishte duke vdekur dhe dy orë më vonë i shkroi se “edhe ai ishte shumë i vjetër dhe se trupi i tij po binte”. Ai, natyrisht, kishte shkruar për të edhe më parë, në tekstet e këngëve “”So long Marianne” dhe “Bird në Wire”.

Këtë herë ai i tha asaj këto fjalë: “Dije di se unë jam shumë afër teje dhe nëse e shtrin dorën, mendoj se do prekësh dorën time.” Në gjendjen e saj të pavetëdijes, një shoqe tha se Marianne shtriu dorën në kërkim të së tijës. Në letrën e tij Cohen shrkuante po ashtu se nuk është e nevojshmetë flasim “për bukurinë dhe urtësinë tënde, për shkak se ti i di di të gjitha tashmë”.

10 vitet që ishin së bashku, intimiteti i tyre, pasionet e tyre, fundi i tyre, ato – pavarësisht nga këngët – janë të gjitha pjesë e historisë së tyre personale. Tani ai i uron asaj dashurinë e pafundme në udhëtimin e saj – drejt vdekjes. Është udhëtimi i gjithëkujt, por pak flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë për të, madje as nuk pëshpërisin në dhomat e pritjes.

A ishte Marianne muza e tij më e madhe? Çfarë rëndësie ka? Ai e donte atë për një kohë. Ai donte katër shishet e tij të verës ditë para se e çoi veten në një manastir budist, ku iu dha emri Dharma e Jikan që do të thotë “heshtje”. Ai e di gjithçka në lidhje me heshtjen, madje di po ashtu edhe për këngën. Vdekja është takuar aq shpesh me heshtjen ose me ndjenjat që janë një mërmërimë pakuptim për të mbushur një boshllëk. Mbishkrimet dhe epitafet kërkojnë pikëllim. Si të shkruajmë për humbjen? Si mund ti shkruani një personi që ju kurrë nuk do ta shihni përsëri?

“Marianne, është koha që ne qeshim e qajmë dhe qajmë dhe qeshim përsëri”. Cohen një herë tha: “Poezia është vetëm prova e jetës suaj. Nëse jeta juaj është djegur mirë, poezia është vetëm hiri. Çfarë hiri? I ngrohtë, i shenjtë, që na çon ne në vallëzimi deri në fund të dashurisë; pasione të reja, trupa të vjetër, një lamtumirë e rrallë dhe e dhembshur. Sa kohë, Marianne. Faleminderit, zoti Cohen./KultPlus.com

Kur Edith Durham i shkruante George Bernard Shawit, për krimet serbe në Kosovë

Historiani serb, Aleksandar Rastoviq, në librin e tij ‘Velika Britanija i Srbija 1903 – 1914’ (Britania e Madhe dhe Serbia, 1903-1914), një kapitull ia kushton Edith Durhamit. Në këtë kapitull, sikur edhe në tjerët, libri përmban mjaft pallavra dhe gënjeshtra. Por, çuditërisht, ka edhe disa trajtime të ngjarjeve dhe interpretime të fakteve që bëhen në mënyrë reale apo shkencore.

Shembull i trajtimit real është letra e titulluar ‘Common sense about the war’ të cilën Edith Durham më 1914 ia dërgon dramaturgut të njohur botëror, George Bernard Shaw (fitues i Çmimit Nobel për Letërsi më 1925). Në këtë letër Durham i shpjegon masakrat serbe ndaj shqiptarëve që ndodhën gjatë luftërave ballkanike, më 1912-1913. Ky është interpretimi i Rastoviqit:

‘Një hapësirë të letrës Durham ia kushton Kishës Pravosllave (Ortodokse) Serbe duke bërë me dije se kjo kishë është ndër më të përgjakshmet dhe më jotolerantet ndër të gjitha kishat për shkak se i ka detyruar myslimanët dhe katolikët që të konvertohen ose të vdesin. Ajo [Durham] ka shkruar që myslimanët e mjerë nuk kanë patur mbrojtje dhe u janë nënshtruar torturave, terrorit dhe therjeve. Ajo ka sjell edhe rastin e priftit françeskan të Gjakovës të cilin e kanë zhveshur lakuriq, e kanë rrahur dhe në fund e kanë therr me bajoneta për shkak se ka refuzuar të heqë dorë nga feja e tij. Ajo ka vënë në pah se austriakët kanë insistuar që të hetohet ky rast. Trupi është zhvarrosur dhe është vërtetuar tregimi i dëshmitarëve për këtë vrasje. Katolikët dhe myslimanët e shkretë kanë mundur të shpëtojnë jetët e tyre vetëm nëse e pranonin fenë pravosllave. Në vazhdim të letrës, në mënyrë që ta vërtetojë tezën e saj për qëllimet që kishte Serbia për të shkaktuar luftë botërore, ajo i citon fjalët e disa banorëve të Malit të Zi dhe Shkupit me të cilët ka biseduar: ’Ne jemi serfbofilë dhe i kemi mundur turqit. Ne jemi fuqi. Ne jemi rrezik për Evropën. Ne dëshirojmë ta djegim tërë Evropën. Do të fillojmë në Bosnjë me Sarajevën. Do të marshojmë deri në Vjenë. E kemi përkrahjen e plotë të Rusisë’ (faqe 344-5).

Ky libër do të ishte serioz sikur t’i trajtonte të gjitha rastet sikur këtë letër të Durhamit. Por, për fat të keq, pjesa dërmuese është joshkencore. Shumica e historianëve serbë, por edhe shqiptarë, mendojnë të jenë edhe shkencëtarë e edhe patriotë./KultPlus.com

Ç’është Dita e Verës – Nga Faik Konica

“Dita e Verës” është shumë e lashtë për nga koha dhe mënyra e kremtimit. Është festë pagane, jo fetare, që rrjedh nga lashtësia, atëherë kur njerëzit besonin tek Dielli, Hana, tek Planetët etj. dhe atyre i faleshin e i luteshin, që të sillnin shiun për të mbjellat, diellin që të piqeshin gruri, misri frutat e tj.

Ja si shkruante me stilin e vet elegant, gati 100 vjet më parë, Faik Konica.  

“Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shelgjevet.

Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.

Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë “./KultPlus.com

 

10 filmat amerikan me te vleresuar ne kohera

Cili është filmi më i mirë amerikan i të gjitha kohërave? Pas një sondazhi të BBC-së, filmat e vjetër ende tërheqin vëmendjen e të rinjve. Sipas 62 kritikëve ndërkombëtarë të filmit, të cilët kanë përpiluar listën, në krye të saj renditet filmi “Citizen Kane“, me regji të Orson Uellsit.

Po veçojmë 10 filma nga lista e ndër më të vlerësuarve:

“Citizen Kane” (Orson Uells, 1941)

“The Godfather II” (Frensis Ford Kopola, 1974)

“Casablanca” (Majkwl Kurtis, 1942)

“Psycho” (Alfred Hiçkok 1960)

“Singin’ in the Rain” (Stenli Donen dhe Xhin Keli, 1952)

“Sunrise” (F. V. Murno, 1927)

“The Searchers” (Xhon Ford, 1956)

“2001: A Space Odyssey” (Stenli Kjubrik, 1968)

“Vertigo” (Alfred Hiçkok, 1958)

“The Godfather” (Frensis Ford Kopola, 1972)/KultPlus.com

Një poemë…

Charles Bukowski

Një poemë është një qytet i mbushur me rrugë dhe kanale
me shenjtorë, heronj, lypës, të çmendur,
me banalitet dhe dehje sarhoshësh,
me shi dhe bubullima dhe periudha
thatësire, një poemë është një qytet në luftë,
… një poemë është një qytet që i kërkon përsenë një ore,
një poemë është një qytet në flakë,
një poemë është një qytet në armë
berberhanet e saj për burra të mbushura me pijanecë cinikë,
një poemë është një qytet ku Zoti kalëron lakuriq
nëpër rrugë si Lady Godiva,
ku qentë lehin natën, dhe përndjekin
flamurin ; një poemë është një qytet poetësh,
shumica mjaft të ngjashëm
dhe ziliqarë e idhnakë…
një poemë është ky qytet tani,
50 milje larg nga askund,
në 9.09 të mëngjesit,
shija e alkoolit dhe cigareve,
pa polici, pa të dashuruar, duke ecur nëpër rrugë,
kjo poemë, ky qytet, që i mbyll dyert,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
funebër pa lot, që mplaket pa mëshirë,
malet prej shkëmbi të ashpër,
oqeani si një flakë lavande,
një hënë pa madhështi,
një muzikë e vogël e ardhur nga dritare të thyera…
një poemë është një qytet, një poemë është një komb,
një poemë është bota…
dhe tani po e fus këtë nën gotë
për shqyrtimin e hollësishëm të botuesit të çmendur,
dhe nata është gjithandej
dhe ca zonja të zbehta të thinjura mbajnë radhën,
një qen ndjek një qen deri në gji,
trompetat thërrasin trekëmbëshin,
ndërkohë që ca njerëz të vegjël dërdëllisin mbi gjëra
që s’mund t’i bëjnë./KultPlus.com

Fjalimi madhështor i Skenderbeut, nga Marin Barleti!

Marin Barleti

Ju epirotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe të aspiratave tuaja, sepse, në këtë vend, s’kanë munguar mendjet e ndritura. Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit. Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë…

Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart, ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më keni bërë tani aq rob, sa edhe të lirë.

Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat, dhe si kujdestarë të pashoq, të lënë nga ati im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin, që ma ruajtët gjer në këtë ditë, dhe më bëtë përsëri, me mundin e punën tuaj të papërtuar, zotërues të mbretërisë së të parëve të mi, pa derdhur gjak…

Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar, krahina e gjithë është jona, Dibrat dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fusha; mbeten qytetet.

Po të mendoj gjendjen e tyre të vështirë, duke parë se të gjitha janë të rrethuara nga ne, të zëna në befasi, se të rrethuarve u kanë mbetur vetëm muret e zhveshura, kam shpresa të mira. Po të marr parasysh vështirësitë që paraqitin këto vende dhe trupat që janë vendosur brenda nga Tirani, duket se do të jetë nevoja të përdorim ndonjë zgjuarsi apo këmbëngulje shumë të madhe.

Por këto do t’i gjykojmë më mirë, kur të ndodhemi në vend e të kemi përpara armikun e kur të mbajmë shpatën në këtë të djathtën tonë shkrumbuese, sesa për së largu e në tym. Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.

Megjithëkëtë, duhet t’ia nisim, para së gjithash, nga Petrela, jo sepse kjo kështjellë mbetet prapa të tjerave për nga vështirësia e pozitës apo nga mbrojtja natyrore, por sepse është më afër këtij qyteti.

Unë besoj se ne do t’a gjejmë atje emrin dhe frikën e fatit të Krujës më të madhe, sepse ata i panë me sy edhe trimëritë tuaja, edhe fatkeqësitë e veta. Këto do të mund t’u kallin atyre një frikë ndoshta jo të vogël e, në mos ua kallshin tamam këtë, atëherë do të veprojë sigurisht këmbëngulja jonë. Një gjë vetëm duhet të na ngulet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja; në mos u pushtoftë ai qytet e në mos qofshim të aftë t’i plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi sepse të kthehemi prapë në shtëpi.

Na duhet të provojmë çdo mjet, mundin, durimin, shpatën, arin dhe argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej…Në qoftë se do të na jepet mundësia që ta shtiem qytetin në dorë pa derdhur gjak, duke na e dorëzuar vetë vendasit, atëherë do të na duhet që të gjithëve të veprojmë me urtësi të madhe si publikisht ashtu dhe privatisht, me qëllim që të nxitim kështu edhe të tjerët për dorëzim.

(Nga Marin Barleti: “Historia e Skënderbeut”, përkthyer nga Stefan J. Prifti)/KultPlus.com

Ai që ka një mik të mirë, nuk ka nevojë për një pasqyrë

KultPlus ju sjellë disa mesazhe frymëzuese nga autor të ndryshëm

1. Kuptimi i vërtetë i gjërave gjendet duke thënë të njëjtat gjëra me fjalë të tjera. – CharleChaplin

2. Fjala është si bleta që ka edhe mjaltin, edhe thumbin. – Ismail Kadare

3. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd. – Fjodor Dostojevski

4. Ai që ka një mik të mirë, nuk ka nevojë për një pasqyrë. – Rumi

5. Është një produkt i imagjinatës tonë, duke na frikësuar për gjëra që nuk janë të pranishme dhe që nuk ekzistojnë. Mos më keqkuptoni rreziku është i vërtetë, por frika është një zgjedhje.- Will Smith  

6. Nëse vërtet doni ta zgjeroni jetën tuaj dhe ta motivoni veten për sukses, bëhuni një mendimtar optimist. – Steve Chandler.

7. Njerëzit thonë gënjeshtra, vetëm atëherë kur ka diçka që tremben se mund ta humbasin. – Orhan Pamuk

8. Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë.- Ernest Heminguej

9. Ditën që pushteti i dashurisë do të mbizotërojë ndaj dashurisë për pushtet, atëherë bota do të njohë vërtet paqe. – Mahatma Gandi

10. Doja ta thoja me zë të lartë atë që ndieja, por qëndrova i heshtur nga frika se nuk do të më kuptonin.- Charles Bukowski / Kulplus.com

Në “Dea Open Air 6”, publiku vlerësoi filmin arbresh “Arbëria”

Në “Dea Open Air 6” çmimi i publikut shkoi për një film ndryshe, të parin në gjuhën arbëreshe dhe që quhet “Arbëria”.

Regjisorja e re kalabreze Francesca Olivieri, deshi t’i sjellë publikut një film që heton lidhjet e forta të trashëgimisë kulturore të komuniteteve arbëreshe që ende mbijetojnë në disa fshatra të Kalabrisë.

Filmi trajton, nëpërmjet protagonistes Aidës, një kulturë që rrezikon të zhduket në peshën e një kulture globale homologe.

“Është i pari film fiction në gjuhën arbëreshe. U  ndjemë të mirëpritur. Fituam çmimin e publikut dhe jemi shumë të lumtur të kthehemi në Itali me të. Për ne ishte një etapë thelbësore për shpërndarjen e filmit , që shpresojmë që së shpejti të shihet në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit”, tha regjisorja Francesca Olivieri.

Konflikti i vjetër sa jeta mes traditës dhe modernitetit bëhet e dukshme në një zonë gjeografike dhe sentimentale, në atë të Arbërisë, e cila në fakt nuk ekziston. Dhe për prodhuesit ky film nuk ka qenë një ndërmarrje e lehtë.

“Vështirësia më e madhe ishte të rikuperonim historinë, sepse arbëreshët e Italisë kanë qenë për shumë kohë të harruar. Filmi kërkoi të rikuperojë identitetin e tyre. Të ngjallë pasionin e për origjinën e tyre shqiptare”, u shpreh producenti Francesco Mollo.

Filmi do të ketë rrugëtimin në festival të tjera, duke e njohur publikun, jo vetëm me Kalabrinë, por edhe me realitetin e kinemasë kalabreze./KultPlus.com

Del lista e artistëve që do të performojnë në Glastonburry

Festivali i famshëm muzikor, Glastonbury, do të rikthehet edhe këtë qershor.

Organizatorët e këtij festivali tashmë e kanë publikuar listën me artistët që do të performojnë, ku në mesin e tyre vërehet një laramani zhanresh.

Performuesit kryesorë sivjet do të jenë yje si Stormzy, The Cure dhe The Killers.

Mirëpo gjithashtu do të ketë edhe befasi, si këngëtarja e famshme amerikane, Miley Cyrus, si dhe ylli britanik, Liam Gallagher.

https://twitter.com/GlastoFest/status/1106465023684198405/photo/1?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1106465023684198405&ref_url=https%3A%2F%2Fklankosova.tv%2Fdel-lista-e-artisteve-qe-do-te-performojne-ne-glastonburry%2F

Presidenti i Bienales viziton Pavijonin e Kosovës

Alberina Haxhijaj

Presidenti i Bienales së Venedikut, Paolo Baratta ka qenë i pranishëm sot në hapjen e Pavijonit të Kosovës. Ai vizitoiPavijonin e Kosovës dhe tha se është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e shteteve të reja pasi që kjo dëshmon se akoma ka besim në punën që bëhet në bienale. Alban Muja këtë vit prezanton Kosovën me projektin multimedial “Albumi familjar”, shkruan KultPlus.

Sot në hapjen e Pavijonit të Kosovës përveç ministrit të kulturës Kujtim Gashit, kryeparlamentarit Kadri Veselit , artistit Alban Muja dhe kuratorit Vincent Honore i pranishëm ishte edhe presidenti i Bienales Paolo Baratta. Ai tha se është nder që në mesin e shteteve që marrin pjesë është edhe Kosova.

“Është shumë mirë kur shtetet e reja marrin pjesë në Bienale pasi që kjo nënkupton që ata po besojnë në atë qe ne po bëjmë. Të ardhurit në Bienale nënkupton një gjë të vetme e ajo është se ne dëshirojmë që të bisedojmë përmes artit dhe jemi gati që ta bëjmë këtë, jemi gati që të pranojmë sfidën”, tha ai.

Artisti Alban Muja përmes “Albumit familjar” ka theksuar se dëshiron që të vë në pah historinë e Kosovës dhe luftën e fundit si një thirrje për të mos harruar atë që ka ndodhur por njëkohësisht edhe për të vënë në vëmendje gjendjen e refugjatëve tani./ KultPlus.com

Kosova prezantohet në Bienale me pamjet dhe rrëfimet rrënqethëse të luftës

Alberina Haxhijaj

20 vite më parë kur Kosova ishte në luftë, fotoreporter të njohur vizituan këtë vend dhe realizuan fotografi që preken gjithë botën.

Një nënë me gjirin jashtë duke ushqyer të bijën (të cilën e kishte menduar të ngrirë dhe e kishte vendosur në shporet për ta ngrohur), një babë i cili tregon fotografin e djalit dhe vajzës së tij (për të cilët nuk dinë se a janë gjallë) dhe një fëmijë duke kaluar mes telave me gjemba, ishin në mesin e fotografive të realizuara 20 vite me parë e që akoma të ngjallin mornicat në trup.

20 vite pas, këta katër personazh të këtyre fotografive kanë rrëfyer për artistin Alban Muja ato çfarë kujtojnë nga kjo periudhë. Rrëfimet e tyre janë bërë pjesë e projektit multimedial “Albumi Familjar” me të cilin Muja po përfaqëson Kosovën në ngjarjen më të madhe të artit pamor, Bienalen e Venedikut.

Për artistin ishte e rëndësishme që të mësonte sesi  i kujtojnë këto momente pas 20 viteve këta fëmijë. Mirëpo projekti “Albumi familjar” shkon përtej të treguarit se çfarë ka ndodhur në Kosovë pasi që po ashtu vë theksin te ajo se çfarë po ndodh sot dhe vë në fokus çështjen e refugjatëve edhe në ditët e sotme.

Republika e Kosovës merr pjesë në Bienalen e Venecias me një pavijon kombëtar që nga viti 2013. Prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017). /KultPlus.com

Tinejxherët e shpëtojnë botën në filmin “Rim of the World”

Fëmijët që luftojnë kundër kërcënimit nga një botë tjetër në një mjedis rural. Krahasimi me serinë e popullarizuar të Netflixit, “Stranger Things” nuk mund të shmanget, por shpresojmë që filmi i ri fanta-shkencor, “Rim of the World”, megjithatë do ta sjellë një frymë të veten.

Trileri i parë, të cilin tani kemi mundësi ta shohim, na sjell përgjigjen në këtë pyetje.

Ngjarja e filmit na dërgon në kampin veror Rim of the World, në të cilin katër tinejxherë – Alex (Jack Gore), ZhenZhen (Miya Cech), Dariush (Benjamin Flores, Jr.) dhe Gabriel (Alessio Scalzotto) – e kuptojnë se para tyre qëndron një problem më i madh se lundrimi dhe ngjitja në litar kur ndodhen përpara një invadimi alienësh.

Katër fëmijët papritmas mbeten vetëm në kamp dhe papritmas e gjejnë çelësin që e mban sekretin për të ndaluar invadimin. Pa të rritur dhe pa elektronikë për t’i ndihmuar, është e qartë se çfarë duhet të bëjnë: t’i bashkojnë forcat, ta kapërcejnë frikën dhe ta shpëtojnë botën, shkruan KOHA Ditore

Regjinë e ka bërë McG, ndërsa skenarin e ka shkruar Zack Stentz. Se a do t’ia dalin fëmijët të kenë sukses në shpëtimin e botës këtë do ta mësojmë më 24 maj, kur filmi do të shfaqet në Netflix.

Më të bukurës që është në Strigar

Poezi nga Zef Serembe

Nga katundi u largova posi i bjerrë,
Vajta në luftë e u gjeta i vetmuar:
Atje, larg nga ty, rrinja zemërçjerrë,
Midis të huajve u gjeta i shkretuar:
E zëmra ty keq fort të dëshironte
Edhe pika më ra se s’të takonte.

Gjaku rridhte në truall si ujë kroi
Dhe fare jetën time s’e mendova,
Mbi mua vapa e madhe e bora shkoi,
Me nxitim tërë honet i kaptova
Dhe dënuar si hutaq në gjithësi
Për ty mendonja plot me dashuri.

Përnatë, tash që u mblodha në shtëpi,
Te dera jote si bilbili këndoj.
O faqemollë, o vash‘ me synë e zi,
Ta shkoj jetën me ty un‘ dëshiroj,
O mollë e ëmël, që në degëz rri,
O gozhdëz ari, që më vjen në gji.

E pse më bën të qaj me psherëtime?
Vërtet, zemër nuk ke, o ti moj vashë?
Mbaje, se lule e rrallë ësht‘ zëmra ime,
Dhe mirë e di se tyja krejt ta dhashë.
Shumë e keqe më duket mua kjo jetë,
Po jetova pa ty me të vërtetë.

O vashëz faqekuqe, qysh aherë
Unë po qaj me lot e me dënesë,
Se pa ty e ndjej veten krejt të mjerë,
Nuk di ç’ësht‘ paqa dhe po rroj pa shpresë,
Dhe vetëm varri do më jetë i lehtë,
Kur i harruar do të jem në jetë.

Studio kineze krijon mikro bibliotekën për biçikletat e braktisura

Studio kineze e arkitekturës “LUO Studio” ka krijuar një mikro bibliotekë për fëmijët, e cila është e projektuar t’i bashkëngjitet biçikletave të braktisura, e të papërdorura.

I dizajnuar për fëmijët, ky objekt synon të dëshmojë se si mund të krijohet diçka funksionale nga diçka e papërdorshme, transmeton Ndërtimi.info.

“Gjatë procesit të ndërtimit ato kanë konsumuar mjaft materiale të papërpunuara industriale,  që janë shkelur në hapësirën e paktë publike urbane dhe janë hedhur në grumbuj të tmerrshëm materialesh jo të përdorshme”  u shpreh themeluesi i studios  “LUO”, Luo Yujie.

“Si një projektues që jeton në qytet, unë kam menduar për mundësinë për ripërdorimin miqësor të këtyre bicikletave të braktisura”, shtoi Luo.

Studio LUO mori një biçikletë të braktisur dhe e ktheu atë në një objekt të përforcuar me katër rrota.

LUO Studio designs a children's micro library from recycled abandoned bicycles

Kur është e palëvizshme, guaska metalike në anën e pasme të biçikletës hapet dhe ngjason me një insekt, duke mundësuar kështu të gjenden të gjitha librat që ruhen brenda.

E rafti i parë nga poshtë ka hapësirë të mjaftueshme që fëmijët të ulen dhe të lexojnë.

LUO Studio designs a children's micro library from recycled abandoned bicycles

E mira e këtij projekti inovativ është se lehtësisht mund të transportohet kudo./Ndërtimi.info/

LUO Studio designs a children's micro library from recycled abandoned bicycles
LUO Studio designs a children's micro library from recycled abandoned bicycles
LUO Studio designs a children's micro library from recycled abandoned bicycles
LUO Studio designs a children's micro library from recycled abandoned bicycles
LUO Studio designs a children's micro library from recycled abandoned bicycles

Filmi “Delegacioni” shfaqet në Gjermani, i pranishëm edhe aktori Kasem Hoxha

 

Këtë vit shoqata “URACult” nga Köln-i, për ditëlindjen e sajë të pestë, për artdashësit ka përgatitur një projekt me pesë organizime të ndryshme, shkruan KultPlus.

 Organizimi i parë është projekti  i cili titullohet “URA 5“, e që është mbrëmja e filmit ku do të shfaqet filmi “Delegacioni“ i regjisorit Bujar Alimani. Aktorët kryesore në këtë film janë: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha. Në filmin i cili është një bashkëpunim i Shqipërisë, Kosovës, Francës dhe Greqisë, nga Kosova paraqiten aktorët: Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Smajli, Gani Morina, Arta Selimi, Imer Loshi.

Për filmin i cili ka fituar Çmimin e Madh në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit “Warsaw Film Festival”, për shkak të interesimit të madh, filmi do të shfaqet të shtunën në “Filmclub 813”. Me këtë raste do të jetë i pranishëm edhe aktori Kasem Hoxha me të cilin pas filmit do të zhvillohet një bisedë por edhe shikuesit do të kenë mundësinë e bisedës me aktorin i cili është protagonist i shumë projekteve filmike edhe në Gjermani.

Ndërsa  në muajin e ardhshëm “URACult” do të organizoj për të tretën herë mbrëmjen letrare “URACult Literae” ku do të lexojnë disa autorë interesant.        

  “URACult” është shoqatë nga Köln-i i Gjermanisë  misioni i të cilës është prezantimi i artit ndërkombëtar. Po ashtu vizion i tyre është  përhapja e një harku artistik nga Ballkani ndërkombëtar dhe për të kombinuar më të mirën e të gjitha drejtimeve artistike.

 “URACult” sheh veten si një forum për të gjitha llojet e formave të artit, të tilla si  Muzika, teatri, piktura, vallëzimi dhe çfarëdo tjetër është atje.   / KultPlus.com     

                                                           

Gjendet një shkrim më i lashtë se “Formula e pagëzimit”

Gazetari Albert Nikolla “zbulon” gjurmët e para të shqipes, të shkruara me shkronja pellazge. Ai flet për studimet shkencore që vërtetojnë se shqipja mund të jetë një nga gjuhët më të vjetra në botë.

Albert V. Nikolla

Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, nuk është “Formula e pagëzimit”, por shkrimet “Hettite”. Do të mjaftonte një vështrim i shkurtër në Fjalorin Shpjegues Hettitisht-Anglisht, dhe në transkriptimet e bëra shkrimeve të kësaj gjuhe, që është më e vjetër sesa Gjuha Sanskrite, për të kuptuar këtë të vërtetë. Por dokumenti qartësisht i dallueshëm i gjuhës shqipe është një shkrim i vjetër gdhendur në gur i gjuhën Maobite, e cili çuditërisht është i shkruar me Shkronja Pellazge që njihen nga të gjithë, dhe që gjenden në formën e tyre të parë primitive tek dorëshkrimet Vincan, 14 km në veri të Beogradit, por edhe gjetjeve arkeologjike në Shqipëri, Rumani, Greqi dhe Bullgari…. (Emri pellazg, vjen nga Pella, që ishte kryeqyteti Paleolitik që ishte ndërtuar mbi kënetën në Maliq (Korçë) , dhe i ka fillesat nga 45 mijë vite deri ne 6.5 mijë vite para Krishtit kur filloi Epoka Megalitike (E gurit) dhe që mendohet të jetë vendbanimi i parë i Homos-Sapinsit të sedentarizuar në Evrope dhe në botë.

Në Shkrimin maobite, flitet për mbretin Balak, që përshkruhet në Testamentin e Vjetër të Biblës. Emri i gjuhës Maobite, është bashkimi i fjalëve të një fjalie Gege: Ma-o-bi-te, (ma=mba, o bi= është mbi, dhe te=të) (në kuptim semantik : është mbi të( mbi gurë e shkruar=lavdia).  Asnjëherë nuk thuhet se për deshifrimin e shkrimeve të lashta, të gjitha studiuesit kanë njohje dhe përdorin gjuhën gege… Guissepe Crispi, (xhaxhai i Françesko Crispi, Kryeministrit të parë të Italisë së Bashkuar), profesor i Universitetit të Palermos, më 1931, në veprën e tij “Memorie mbi gjuhën shqipe”, pat vërtetuar shkencërisht lidhjen mes gjuhës Shqipe dhe asaj Kaldaike dhe Akkadiane (Hebraike e Vjetër), dhe pat deklaruar se Gjuha Shqipe i ka të gjitha elementët që e bëjnë atë Gjuhë të Parë të njerëzimit… Ky pohim vërtetohet nga gjetjet arkeologjike rreth liqenit të Prespës dhe Trumave të Maliqit në Korçë. Në gjuhën e vjetër hebreje: מוֹאָב Moabit’h;: Μωάβ Moabib; në Akkadishte Mu’aba, Ma’ba, Ma’ab; dhe egjiptiane Mu’ab, është emri i një regjioni malor në Jordani, që shtrihet përgjatë bregut të Detit të Vdekur, dhe përmendet gjatë epokës së Hekurit. Ka ekzistuar përkrah mbretërisë së Izraelit, të Judës dhe të Ammonit. Në shekullin e VIII para Krishtit ra nën pushtimin Assirian. Në Bibël , mohabitet janë, të-të njëjtën prejardhje me Hebraikët, që i kanë fqinj, por bënin jo rrallë luftëra për territore me ta. / KultPlus.com

Mbahet manifestimi letrar dhe konkursi letrar për mërgatë “Azem Shkreli 2019”

Lidhja Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë ne Gjermani për të trembëdhjetën herë me radhë organizon Manifestimin Letrar, si dhe Konkursin letrar për mërgatë “Azem Shkreli”.

“Ftojmë të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar shqipe nga mërgata të marrin pjesë në këtë manifestimin kulturor dhe letrar. Manifestimit tonë letrar i paraprinë fjalët përshëndetëse dhe konkurrimi me poezi përkushtuse për Azem Shkrelin qe do të shpërblehet poezia fituese. Prezantojmë tri vëllimet e fundit të veprës  “Kosova” dhe Dosja B të shkrimtarit dhe historianit tonë të njohur Jusuf Buxhovi”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.

Nga juria e zgjedhur do të shpërblehen dy librat më të mirë të botuar vitin e kaluar me poezi dhe prozë dhe që kanë konkurruar për Konkursin letrar për mërgatë “Azem Shkreli 2019”.

Promovohen edhe dy veprat e fundit të shkrimtarit dhe luftëtarit për liri, Martin Çuni “Universi i jetës” poezi dhe “Lulet e jetës” letra nga burgu, Sead Ramadani me veprën poetike “Malli për Tokën”, si dhe Mr. Sc. Murat Ajvazi me librin e tij “Skënderbeu në Historiografinë Zvicerane”.

Të ftuarit e nderit të këtij manifestimi janë: Përfaqësuesit e shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, gjegjësisht nga përfaqësuesit e ambasadave dhe konsullatave të tyre. Shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, biznesmeni i suksesshëm shqiptar, Lazim Destani, si dhe Prof. Dr. i muzikës Bekim Ramadani nga Tetova.

Manifestimin tonë do ta zbukurojë ekspozita të artit pamor nga artisti ynë Ben Kamili, thuhet tutje në njoftim nga organizatorët.

Do të ketë edhe të ftuar të tjerë nga shtetet tjera evropiane dhe politikanë nga spektrat e ndryshme politike lokale dhe shtetërore gjermane.

Të pranishmit me disa pika muzikore do ti argëtojnë vëllezërit Kurtishi dhe nxënësit e shkollës shqipe me disa valle popullore shqiptare. Për të ftuarit do të kemi edhe drekë imbis.

Manifestimi mbahet me datën 26 maj 2019, duke filluar nga ora 12:30.

Adresa: “Haus Ennepetal” Gasstraße -10, 58256 – E n n e p e t a l