Po me Gretën ç’dreqin patët o shqiptarë?

Nga Mentor Kikia

Po me Gretën ç’dreqin patët o shqiptarë?

Që një adoleshente, aktiviste mjedisi, si Greta e Suedisë, nuk shkoi fillikat në pallatin e madh të OKB-së, kjo nuk do shumë mend. Por të shikosh pas saj teori konspirative sikur Greta ka marrë përsipër të përmbysë botën kapitaliste, që e kemi kaq të mirë, kjo më duket një lajthitje me përmasa globale. Nejse, do të ndalesha tek shqipot…., shqipot e rrjeteve sociale. Ata që nuk lënë gjë pa sharë e përgojuar.
Kam lexuar sot kaq shumë sharje, e ndava mendjen, i lexova sa plasa. E sëmurë mendore, psikopate, histerike, kurvë, debile, egoiste, agresive, e dhunshme, depresive, prostitutë, që duhet të shkojë në spital, mjerë familja që e ka… madje edhe komuniste. Këtë të fundit se mora vesh pasi komunistët nuk dallojnë nga pamja e jashtme.
Lukunia e sharjeve, një dukuri kolektive shqiptare kjo, shpërthente pas çdo postimi që buronte nga mediat e huaja, lidhur me modelin e alarmit për mbrojtjen e klimës dhe planetit.
Edhe unë mendoj se planeti nuk shpëtohet me patetizma. Dakord! Por ku ishte e keqja, pavarësisht mënyrës se si u prezantua, që një adoleshente bëri që përmes saj në gjithë botën të flitet për këtë rrezik.


Me ju shqiptarë e kam, ju që jeni mësuar vetëm lepe-peqe, nga ju buron tërë ai vulg ndaj një adoleshteje? A nuk e shprehni dot ndryshe mosaprovimin me dikë dhe diçka? Nuk dini të thoni: Jo, nuk jam dakord. Ju dini vetëm të pështyni dhe të lëpiheni, nuk keni rrugë të mesme?
E pra, unë nuk jam dakord me mënyrën se si një vajzë e vogël u shndërrua në “heroinën” e ambientalistëve. Nuk jam dakord as me mënyrën se si po përdoret ajo, as me menyrën se si ngrihen cështjet e klimës. Por unë jam me Gretën para se të jem me ata që heshtin e fusin kokën nën tavolinë. Jam me Gretën para se të jem me ata që vetëm shajnë, gjithkënd dhe gjithëçka që gre kokë, pa arritur të japin e prodhojnë asnjë ide vetë.
Shani ju, ju që nuk keni dalë njëherë në protestë për shkatërrimin e pyjeve, shkatërimin e bregdetit, shkatërrimin e gjithckaje në këtë vend.
Doni ta dini pasojën e ndryshimit të klimës? Ja ku e keni: Bën 6 muaj thatërisë e të përcëllon, dhe shirat e dy muajve bien në një natë e të bëjnë gjëmën.
Jam me Gretën, sepse me ka lodhur ky mjedis ku të gjithë thonë: Po si nuk flet njeri more aman, si nuk reagon njeri këtu? E kur dikush flet, vrapojnë të pështyjnë: Po kur u bë edhe ky! Po ky nga na doli? Po ku merr vesh ky!

Nga 5 tetori shqiptarët në Kroaci bëhen me Shtëpi Kulturore

Ministria e Diasporës në Shqipëri ka kohë që është angazhuar për diasporën në mënyrë intenzive përmes themelimit të institucioneve të ndryshme edukativo-kulturore. Në vazhdën e këtij angazhimi, nga 5 tetori shqiptarët në Kroaci do të bëhen me Shtëpi Kulturore, shkruan KultPlus.com

“Më 5 tetor në Karllovc, Kroaci nis punën Shtëpia Kulturore Shqiptare, misioni i së cilës është promovimi i kulturës kombëtare dhe mbështetja e shqiptarëve në shoqërinë kroate”.

“Aty do të realizohen aktivitete të ndryshme nga Bashkësia Shqiptare e Prefekturës së Karllovcit së bashku me Këshillin e pakicës kombëtare shqiptare në këtë qytet. Gjatë ceremonisë së hapjes do të diskutohet për pozitën e pakicës kombëtare shqiptare në këtë qytet”, ka shkruar në Facebook Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko.

Më 1 tetor organizohet marsh për 22 vjetorin e protestës së studentëve të Universitetit të Prishtinës

Në 22 vjetorin e protestës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, mblidhemi te ish ndërtesa e rektoratit të Universitetit të Prishtinës në Velani për ta vazhduar marshin e ndërprerë të studentëve në vitin 1997 nga forcat e regjimit të Millosheviqit.

“ORCA dhe Admovere ju ftojnë që të martën, 1 tetor 2019, nga ora 12:00, të mblidhemi para shtëpisë ku në vitet ‘90 ishte rektorati i Universitetit të Prishtinës, për ta nderuar familjen Shoshi dhe të gjitha familjet që mundësuan arsimin gjatë atyre viteve kur ai ishte ndaluar për shqiptarët nga regjimi i Millosheviqit. Pastaj, do të vazhdojmë rrugëtimin e studentëve, që atëkohë u ndërpre nga dhuna brutale e policisë serbe, për të mbërritur te kampusi i sotëm i Universitetit të Prishtinës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e organizatorëve. / KultPlus.com

Meta i jep Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’ personalitetit arbëresh, At Antonio Belushi

Presidenti, Ilir Meta, vlerësoi sot me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, një personalitet të jashtëzakonshëm arbëresh, At Antonio Belushi, për kontributet e dhëna në përhapjen, njohjen, studimin, ruajtjen dhe pasurimin e historisë, gjuhës, zakoneve dhe kulturës së rrallë arbëreshe, si dhe asaj arvanitase. / KultPlus.com

Si prift famullitar, publicist, studiues, mësues, etnolog, historian dhe akademik, Meta thotë se  At Belushi prej më shumë se gjysmë shekulli, me urtësi, pasion dhe përkushtim, ka punuar dhe punon për njohjen, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe zakoneve të popullit arbëror.

“Mirënjohje ndaj vlerave të çmuara si autor i shumë studimeve e veprave për njohjen dhe lidhjen e shqiptarizmës kudo në botë, duke spikatur si veprimtar i paepur në përçimin dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar ndër arbëreshët e Italisë” shkruan Meta në facebook.

Filharmonia e Kosovës e hapë sezonin në mungesë të sallës koncertale

Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me koncertin e hapjes së sezonit 2019/2020.

Në këtë konferencë theks i veçantë iu dha mungesës së sallës koncertale, ku u tha se për 20 vjet, koncerte të tilla mbahen në salla të improvizuara, siç është Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë.

Baki Jashari, drejtor i këtij institucioni, dha detaje rreth programit vjetor  të Filarmonisë së Kosovës, teksa shtroi nevojën që të ndërmerret diçka për ndërtimin e sallës koncertale, e cila do të lehtësonte punën e këtij institucioni.

“Ky sezon fillon me koncertin e nesërm në sallën e kuqe. Është koncert inaugurues për të gjitha programet që do të jenë për 10 muaj, e që zgjat deri në qershor të vitit të ardhshëm. Viti 2020 shënon 20 vjetorin e themelimit të Filarmonisë së Kosovës. Veçanti e këtij koncerti janë dy performues që janë, Lule Elezi, piano dhe Bojan Videnoff dirigjent. Edhe për 20 vjet pas themelimit ky institucion nuk ka sallë koncertale”, ka thënë Jashari.

Lule Elezi, pianiste me përvojë të madhe në këtë drejtim ka thënë se është e përgatitur maksimalisht për këtë koncert.

“Jam e kënaqur që marr pjesë në këtë koncert si pianiste. Për mua është hera e dytë që performoj në Filarmoninë e Kosovës. Nesër mbrëma kam kënaqësinë që të luaj në piano me një dirigjent si Vidennoff. Jam përgatitur mjaft për këtë koncert dhe shpresoj që publiku do ngelet i kënaqur”, ka thënë Elezi.

E dirigjenti Bojan Videnoff ka thënë se është kënaqësi për të që e dirigjon një koncert të madh në Prishtinë. / EkonomiaOnline / KultPlus.com

Psikologu: Në vend që të mbajë fjalime, Greta duhet të trajtohet

Një psikolog i shquar australian është shprehur i shqetësuar për shëndetin mendor të aktivistes së klimës, adoleshentes Greta Thunberg.

16-vjeçarja suedeze tërhoqi vëmendjen e mediave botërore me fjalimin e saj plot pasion në samitin e Kombeve të Bashkuara që u mbajt në Nju Jork. Por, opinioni publik u nda më dysh, me disa që janë dakord me mendimet e saj për ndryshimet klimaterike dhe disa të tjerë që thonë se ajo është “kukull politike”.

Ndërkohë, Dr. Michael Carr-Gregg mendon se Greta Thunberg ka nevojë për trajtim: “Kam frikë se do të përfundojë si yjet e vegjël të televizionit, që digjen shpejt dhe pastaj kanë probleme psikologjike. Të them të drejtën, nuk jam nga ata që e mohojnë ndryshimin klimaterik. Në fakt, mendoj se duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur planetin. Më bezdis fakti që përdorim një fëmijë në këtë mënyrë, që duhet të trajtohet në vend që të bëjë fjalime. Ajo e ka thënë vetë që vuan nga anoreksia dhe ka vuajtur nga depresioni. Si prind, nëse do të ishte fëmija im, nuk do ta vija në qendër të vëmendjes në atë mënyrë”.

Psikologu ka edhe një shqetësim tjetër: “I dërgon një mesazh të keq adoleshentëve të tjerë, që ata mund t’i drejtohen të rriturve me ton përçmues”. /KultPlus.com

Nënshkruhet Rregullorja mbi Punën e Këshillit Drejtues të Institutit Arkeologjik të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Z. Kujtim Gashi, ka nënshkruar Rregulloren mbi Punën e Këshillit Drejtues të Institutit Arkeologjik të Kosovës, shkruan KultPlus.com

Plot 16 vite pas themelimit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Këshilli Drejtues i këtij institucioni i emëruar nga Ministri Gashi në Mars të vitit 2019, ka përgatitur Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues të IAK-ut.

 “Jam i lumtur që ky Këshill i emëruar në mars të këtij viti, ka bërë një punë të jashtëzakonshme në përgatitjen e Rregullores së Punës së Këshillit Drejtues të IAK-ut”. tha ministri Gashi. 

 “Instituti Arkeologjik i Kosovës që nga themelimi i tij, ka pasur mungesë së infrastrukturës ligjore. Rregullorja është hapi i parë drejt kompletimit të infrastrukturës ligjore të këtij institucioni shumë të rëndësishëm të Trashëgimisë Kulturore të vendit tonë. 

U informova nga Këshilli Drejtues, që janë në përfundim edhe të Statutit të IAK-ut, kurse unë si ministër i inkurajova anëtarët e Këshillit që të vazhdojnë punën shumë të mirë që po e bëjnë”, theksoi ministri Gashi. 

Më tej ministri Kujtim Gashi shtoi se “Do të jem gjithmonë në përkrahje të profesionistëve, të cilët punojnë me përkushtim në ngritje të nivelit institucional, në bazë të ligjeve të shtetit tonë”. 

Duhet theksuar që Instituti Arkeologjik i Kosovës deri më tani nuk ka pasur Rregullore të Këshillit Drejtues dhe as Statut të IAK-ut. Është hera e parë kur një ministër i MKRS-së i kushton vëmendje dhe përkrahje të pa kursyer një trupe profesionistësh, siç është Këshilli Drejtues i IAK-ut që të punojnë dhe të përgatitin dokumente të domosdoshme për funksionimin ligjor dhe të drejtë të Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Me moton “Për kon t’rreh zemra”, më 10 tetor organizohet Parada e Krenarisë në Kosovë

Më 10 tetor, në Prishtinë, nga komuniteti LGBTI, përkrahës dhe aktivistë, do të organizohet Parada e Krenarisë në Kosovë.

Paradës do t’i paraprijnë aktivitete të shumta të Javës së Krenarisë që do të zhvillohen në datat 7, 8 dhe 9 tetor. Parada e Krenarisë do të mbahet me 10 tetor me fillim nga ora 11:30 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë duke u përmbyllur me një koncert.

Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është: “Për kon t’rreh zemra”.

Këtë vit, na rreh zemra për drejtësi.

Na rreh zemra të kemi lirinë të jemi vetvetja dhe të shprehemi lirshëm. Na rreh zemra që të kemi siguri në rrugë, shkollë e institucione shtetërore. Për një shtëpi të sigurt në të cilën trajtohemi me dinjitetin që e meritojmë. Na rreh zemra për Dashni. Na rreh zemra për njëri-tjetrin.

Të zëshëm e të dukshëm, sikurse dy vitet e kaluara, edhe këtë vit Java e Krenarisë do të adresojë çështje të gjendjes aktuale të personave LGBTI në shoqërinë kosovare, e cila vazhdon të mos i trajtoj personat LGBTI si të barabartë. Parada e Krenarisë synon të fuqizoj personat LGBTI për tu përballur me diskriminimin e përditshmen në Kosovë. Qëllimi jonë është të qëndrojmë të bashkuar ndaj çdo sfide.

Organizatorë janë Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Liri dhe Barazi (CEL) me organizatat partnere Civil Rights Defenders (CRD) dhe Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS). Organizatorët ftojnë institucionet, përfaqësuesit e shoqërisë civile, aktivistët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkëngjiten në Paradën e Krenarisë që kjo paradë të shërbejë që shoqëria jonë të jetë më tolerante, pranuese, të çmojë diversitetin në mënyrë që çdo person të ndjehet i\e lirë pavarësisht racës, etnisë, ngjyrës, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, gjuhës, fesë ose të tjera.

“Të jetë zëri jonë, zëri i të gjithëve!”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Imazhet e atdhetarëve të shquar në pulla postare

 

Posta e Kosovës sot ka emetuar tri pulla postare me imazhet e atdhetarëve Shtjefën Gjeçovi, Ahmet Gashi dhe Mehmet Gjevori.

Ky emetim u bë në kuadër të tematikës ’’Personalitete të shquara” dhe në shenjë nderimi për figurat që dhanë kontribut të pazëvendësueshëm në lëmin e arsimit, shkencës dhe çështjes kombëtare.

Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu u lind në Janjevë, në vitin 1874.  Studimet teologjike i kishte mbaruar në Bosnjë, ndërkaq si famullor shërbeu në Pejë, Kurbin, Gomsiqe etj. Në Arbënesh të Zarës punoi për një kohë si mësues i shqipes. Mori pjesë në kryengritjet shqiptare kundër osmane në vitet 1909-1912 dhe më pas në Luftën e Vlorës më 1920. Gjeçovi ishte shkrimtar, etnolog dhe arkeolog i shquar i etno-kulturës shqiptare. Ai përgatiti veprën kapitale “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që paraqet një monument të së drejtës zakonore të shqiptarëve. Gjithë veprimtaria arsimore dhe kulturore e tij përshkruhet me patriotizëm, për të cilën edhe vihet në shënjestër të shovinistëve serb, të cilët organizojnë vrasjen e tij më  14 tetor 1929.

Ahmet Gashi u lind në Prishtinë në vitin 1888, në një familje muhaxhirësh të dëbuar me dhunë nga Jabllanica. Pasi mbaroi studimet për histori dhe gjeografi në Universitetin e Stambollit,  kthehet si mësues në Prishtinë dhe me nxitjen e Hasan Prishtinës u zgjodh sekretar i Klubit Shqiptar të Prishtinës. Në vitin 1913, Gashi u emërua drejtor në shkollën qytetëse qendrore në Elbasan, profesor në Normalen e Elbasanit e pastaj drejtor i saj në vitet 1929-33. Ishte autor i shumë teksteve mësimore të gjeografisë e të historisë dhe hartave të Shqipërisë. Nga viti 1936 ishte anëtar nderi i Shoqatës Kombëtare Gjeografike të Amerikës. Vdiq në Tiranë, më 1977.

Mehmet Gjevori u lind në vitin 1910 në Elbasan. Pas përfundimit të Normales, ishte njëri prej mësuesve që iu përgjigj ftesës së ministrit të atëhershëm të Arsimit Shqiptar, Ernest Koliqi për të shërbyer në Kosovë që nga viti 1941, ku në këtë periudhë rreth 90% e popullatës në Kosovë ishte analfabete. Në Kosovë, Gjevori fillimisht emërohet drejtor shkolle në Prizren, pastaj inspektor arsimit, redaktor dhe kryeredaktor në shtëpitë dhe ndërmarrjet botuese të teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Ishte autor i Abetares së parë shqipe në Kosovë, autor i botimit “Frazeologjizmat e gjuhës shqipe dhe shpjegime”, si dhe autor i shumë librave të ndryshme. Kontributi i tij vazhdoi deri në përfundim të jetës në 2007./21Media/ KultPlus.com




Promovohet fjalori online shqip-serbisht, me qëllim përmisërimin e komunikimit mes dy komuniteteve

Bujar Meholli

Kultura dhe arti i bashkon popujt, e për ta njohur kulturën e një populli duhet ta njohësh gjuhën e tij. 26 shtatori, njihet si Dita Evropian e Gjuhëve dhe në këtë ditë në Prishtinë u promovua një fjalor i gjuhës shqipe dhe serbe, shkruan KultPlus.

Në Bibliotekën “Pjetër Bogdani” u mblodhën shumë njerëz të komunitetit shqiptar dhe serb për ta kurorëzuar një punë me mjaft interes për të dyja vendet.

Bëhet fjalë për fjalorin elektronik shqip – serbisht – shqip “Voc up” i cili u promovua para audiencës me qëllim të përmirësimit të komunikimit mes shqiptarëve dhe serbëve.

Mirëseardhjen të pranishmëve jua urojë Komisioneri i Gjuhëve Slavisa Mladenovic, ndërsa hapjen e kësaj ngjarjeje e bëri Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën Zahir Tanin i cili u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje të rëndësishme.

I pranishëm ishte edhe Ambasadori Britanik në Prishtinë Nicholas Abott, i cili përkrahu këtë iniciativë dhe përgëzojë organizatorët.

Më pas, para audiencës u prezantua një dokumentar i shkurtër me titull “With Throat in Strawberries”, në të cilin u paraqitën personazhe nga të dyja komunitetet që veprojnë në Kosovë, dhe afërsia mes tyre përmes gjuhës. Pjesëtarët e komunitetit serb shpalosën përvojat e tyre për mësimin e gjuhës shqipe dhe bashkëjetesën me shqiptarët, kurse shqiptarët shpalosën përvojat e tyre me serbët, me të cilët deklaruan se përpiqen të gjejnë kompromis dhe të jetojnë se bashku brenda Kosovës në paqe.

Pas dokumentarit, radha i erdhi Panelit të diskutimit me autorët e fjalorit, të cilët i moderojë Komisioneri i Gjuhës.

Në panel ishin Ana Sivacki, Merima Krijezi, Qemal Murati, dhe Hysen Matoshi të cilët folën për gjërësisht për këtë fjalorë, i cili është projektuar për ta lehtësuar komunikimin mes dy komuniteteve.

“Në vitin 2016 kemi bërë planin strategjik për procesin e përfshirjen e gjuhëve të komuniteteve në procesin arsimor formal në Kosovë si një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme” tha Mladenovic.

Tutje ai vijoi “Kemi paraparë edhe mënyrën joformale të mësimit të gjuhëve dhe përfshirjen e teknologjisë në këtë proces. Një prej akterëve që ka kontribuar në këtë proces ka qenë Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, e cila ka ndihmuar procesin e ndërtimit të platformës për mësimin e gjuhëve shqipe dhe serbe” tha ai.

“Gjatë procesit kemi pas më shumë se 900 aplikacione dhe besoj se ka ende shumë njerëz që janë të interesuar. Mbi 22.000 njerëz kanë përdorur platformën dhe ky është një ilustrim shumë i mirë dhe tregon se vlerat janë gjallë dhe se duhet të reflektohen edhe prej politikës” përfundoi ai, derisa profesor Q u shpreh se “Planifikojmë të përfshijmë 40.000 deri në 60.000 fjalë dhe ky do të jetë fjalori më i madh i kësaj natyre dhe do të botohet në të dy vendet” potencoi ai.

Raporti i pavarur i këtij projekti është iniciuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim IOM dhe nga Ambasada Britanike në Prishtinë, kurse është hartuar nga Qendra për Iniciativa Sociale, e cila ka bërë hulumtimin ku shihen në përgjithësi marrëdhëniet shoqërore mes dy vendeve përmes prizmit të gjuhës dhe komunikimit. /KultPlus.com

“Fridays for future” edhe në Prizren

Kjo javë do të jetë historike. Nga 20 deri më 27 shtator miliona të rinjë në mbi 150 vende të botës janë duke u mbledhur në mbështetje të protestuesve që kërkojnë ndaljen e emetimit të gazrave, shkruan KultPlus.com

“Kriza klimatike nuk do të ndalet, ashtu që edhe ne nuk duhet të ndalemi.
Të rinjtë e kanë zgjuar pjesën më të madhe të botës me protestat e tyre të fuqishme të Premteve për të Ardhmën
Tani, miliona të rritur po bashkohen në një valë të madhe që do të fillojë me veprime në të gjithë botën.

Urgjenca e krizës klimatike kërkon një qasje të re dhe një përgjigje të drejtë të përqendruar në të drejtat e njeriut, barazinë dhe drejtësinë.
Të interesuarit mund të na bashkohen për takimin planifikues, të Mërkurën më 25 shtator në ora 15:00 në Kinemanë Lumbardhi.
Prizreni do t’i bashkohet lëvizjes globale #FridaysForFuture të Premtën më 27 shtator, me fillim në ora 12:00.

Ju ftojmë qëtë vini edhe s’bashku t’i konkretizojmë idetë, edhe me u përgaditë për protestën e së Premtës dhe që së bashku t’i përgadisim pankartat në letër të recikluar me sa ma shume fakte në to”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

‘Galaktika e Andromedës’ i More Raçës fiton çmimin Glocal in Progres

Filmi debutues i More Raçës “Galaktika e Andromedës” fiton çmimin Glocal in Pogress në kuadër të festivalit ndërkombëtar të San Sebastianit në Spanjë, përcjellë KultPlus.

Filmi Galaktika e Andromedës ka për subjekt Shpëtimin, një baba të vetëm, mbi të cilin rëndojnë problemet sociale dhe dilema të mbetet apo jo kujdestar i vajzës së tij.

Me rastin e marrje së çmimit regjisorja u shpreh: “Filmi është prit jashtëzakonisht mire nga producentët dhe kompanitë me prestigjioze të filmit. Jemi shumë të kënaqur nga kjo pjesëmarrje, është një konfirmim i madh për vlerën e filmit dhe rrugëtimin e suksesshëm në festivale.”

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena me producent Sunaj Raçën, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

Çfarë fshihet pas Petra-s, qytetit të mistereve

Më 1812 siti arkeologjik u rizbulua nga studiuesi europian, Johann Ludvig Burckhardt, i cili kishte kaluar shumë vite duke studiuar arabisht dhe historinë e Islamit. Gërmimet arkeologjike në zonë kanë treguar se zona u banua për herë të parë më shumë se 9000 vjet më parë.

Emri i sitit quhet “Petra”, që vjen nga fjala greke “Shkëmb”, sepse qyteti ishte gdhendur brenda shkëmbit ranor me trëndafila të kuq. Qyteti i Petra është i përbërë nga qindra varre, shtëpi, një teatër që mund të merrte më shumë se 3000 njerëz. Në brendësi të qytetit ka tempuj dhe altarë ku kafshët flijoheshin për të kënaqur perënditë e zemëruara ose për t’u kërkuar atyre favore. Hyrja në qytet është përmes një shtegu shumë të ngushtë rreth 1 km të gjatë me shkëmbinj të thepisur nga secila anë dhe gjëja e parë që shihni kur hyni është Thesari i gdhendur (Al Khazneh). Shkencëtarët nuk pajtohen me titullin duke theksuar se ‘Thesari’ në fakt është një varr ceremonial. Vetëm 15% e qytetit është zbuluar dhe ende 85% e tij kanë mbetur të paprekur nën tokë.

Qyteti që është ende i mbuluar nga hije të shumta misteri ishte e banuar nga shumë fise të ndryshme gjatë historisë së tij. Bazuar në tregimet tradicionale, fisi i parë i njohur që pushtoi zonën ishin Edomitët, për të cilët dihet shumë pak. Më vonë, rreth vitit 300 pes, një fis arab politeist me emrin Nabateans migruan në zonë. Pas kësaj kohe Petra lulëzoi dhe u bë kryeqyteti i mbretërisë së tyre. Nabateans konsiderohen si ndërtuesit e Petrës, një fis i famshëm që përmendën nga shumë civilizime të ndryshme në antikitet. Dokumente që përmbajnë referenca për ta u gjetën në Greqinë e lashtë, Kinë dhe Perandorinë Romake. Megjithatë edhe për Nabateanët dhe shoqërinë e tyre dihet shumë pak, dhe shumica e asaj që ne dimë vjen nga shkrimet e Strabonit. / KultPlus.com

“Rruza t’zemrës”, ekspozita shitëse nga viktimat e mundshme të trafikimit prezantohet nesër

Qendra për Art dhe Komunitete – Artpolis, me qëllim të mbledhjes së fondeve, organizon ekspozitën shitëse “Rruza t’zemrës”, përcjellë KultPlus.

Aksesorë të ndryshëm, të punuar me dashuri dhe energji shumë të mirë nga  viktima të mundshme të trafikimit, nën mentorimin e artistes Njomëza Luci, do të prezantohen të premten, më datë 27 shtator tek Menza Ramiz Sadiku, në orën 13:00 – 15:00.

Fondet e mbledhura nga shitja e produkteve punëdore, do t’iu dedikohen grave që i kanë punuar këto aksesorë.

Pije, ushqim, muzikë, shoqëri do të jenë pjesë e ekspozitës. “Ejani dhe merrni pak dashuri me vete”, thuhet në komunikatë.

 Projekti “Fuqizimi Socio-Ekonomik dhe Psikosocial i Viktimave të Trafikimit dhe Viktimave të Mundshme të Trafikimit” financohet nga projekti i BE “Lëvizja Përpara: Promovimi i Efikasitetit dhe Efektivitetit më të Madh në Luftë Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.” Projekt i zbatuar nga konzorciumi i udhëhequr nga Family and Childcare Centre (KMOP). / KultPlus.com

Buxhovi kujton Referendumin për Pavarësinë e Kosovës më 26 shtator 1991

Historiani dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, ka kujtuar Referendumin për Pavarësi të Kosovës më 26 shtator të vitit 1991, të cilin e ka vlerësuar si akt sublim të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.com

Këtu keni statusin e tij të plotë:

“Përkujtesë historike:

REFERNDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS – AKT SUBLIM I VULLNETIT POLITIK TË POPULLIT TË KOSOVË

Më 26 shtator të vitit 1991 është mbajtur Referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.
Në këtë ditë, qytetarët me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës me ç’rast u vërtetuan edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u patën miratuar një vit më parë dhe u pasuan me mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, parlamentare e presidenciale, të vitit 1992.

Qeveria e Beogradit edhe pse përdori represionit të madh policor ndaj qytetarëve të Kosovës, nuk ishte më gjendje ta pengojë Referendumin.
Si e tillë, kjo ditë historike mbetet themel i shtetformimit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008″, ka shkruar Buxhovi në Facebook.

Sot shënohet Dita Europiane e Gjuhëve, shqipja me histori të lashtë

26 shtatori është Dita Evropiane e Gjuhëve e përcaktuar nga Komiteti Evropian, teksa edhe gjuha shqipe ka një historik të madh, si një ndër gjuhët më të vjetra të Europës, shkruan KultPlus.com

Historia e promovimit të gjuhës shqipe krahas gjuhëve të tjera evropiane, nga diaspora shqiptare, i ka fillesat shumë herët. Ja disa nga shembujt e shtypit shqiptar që kanë promovuar kulturën, traditën e mbi të gjitha gjuhën shqipe:

“Flamuri i Arbërit”, gazetë e botuar në gjuhën shqipe dhe italiane më 1883 dhe me një jetëgjatësi deri në vitin 1887, nën kujdesin e Jeronim De Radës, do të shënonte fillesat e shtypit shqiptar.

“Sqipëtari”, gazetë e botuar nga shoqëria e Bukureshtit “Drita”. Numri i parë i gazetës doli më 7 Gusht 1888, me një format dygjuhësh, shqip dhe rumanisht, drejtuesi i saj ishte Nikolla Naço.

“L’Albania- Albania” ishte revistë dygjuhëshe (shqipe dhe frënge) e drejtuar nga Faik Konica që ishte edhe kryeredaktor i revistës me pseudonimin Trhank Spirobeg. Numri parë i saj u botua më 25 mars të vitit 1897. Ishte e përmuajshme politike, kulturore e letrare, që u bë tribunë e mendimit të atdhetarëve përparimtarë shqiptarë jashtë Shqipërisë ( Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Andon Zako, Çajupi, Hilë Mosi, Fan Noli). Kjo revistë deri në vitin 1901 u botua në Bruksel dhe nga viti 1902 e më pas në Londër.

“Lajmëtari i Shqipërisë”, gazetë e përjavshme në gjuhën shqipe dhe italiane. Kjo gazetë e pa dritën e botimit në Romë, në vitin 1904 nën drejtimin e Gasper Jakova Mërturi.

Fëmijët në Selanik vazhdojnë mësimin në shqip

“Mësojmë shqip në Selanik”, është slogani që Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, e ka përdorur për ta njoftuar publikun se edhe këtë vit fëmijët shqiptar në Selanik do të mësojnë në shqip, shkruan KultPlus.com

“Mësojmë shqip në Selanik”, për të tretin vit fëmijët e komunitetit shqiptar në Selanik vazhdojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe, i cili fillon më 13 tetor. Këtë vit fëmijëve do t’i dhurohen abetare dhe tekste të tjera mësimore falas, të cilat janë shpërndarë pak ditë më parë nga Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Postën Shqiptare.

Fjalimet e aktivistes Greta Thunberg vijnë të përmbledhura në një libër

 “No one is too small to make difference”, titullohet libri i aktivistes së njohur suedeze, 16 vjeçarës Greta Thunberg, shkruan KultPlus.

Ky libër është një përmbledhje e fjalimeve të kësaj vajze, e cila është duke  inspiruar mijëra njerëz në tërë botën.

Thunberg mban fjali dhe aksione për ndryshimin klimatik. Ajo e nisi e vetme një protestë në muajin gusht në Suedi dhe është themeluese e lëvizjes “Youth Strike for Climate”.

Ajo gjithashtu është nominuar për çmimin Nobel për Paqe, vetëm një ditë para aksionit më të madh global për ndryshimet klimatike. / KultPlus.com

“Të mjerë nuk janë ata që e kanë portofolin bosh, të mjerë janë ata që e kanë shpirtin bosh”

Njerëzore, intensive, reale, melankolike. Ishte 7 mars 1908, dhe një nga aktoret më të mëdha të kinemasë italiane lindi në Romë: Anna Magnani.

Jeta e saj u bë menjëherë e vështirë: nëna e saj, një rrobaqepëse nga Ravenna, e braktisi atë që fëmijë, ndërkohë që ajo kurrë nuk e njohu babanë e saj të biologjik.

Anna u rrit me gjyshen e saj, duke studiuar Artin Dramatik dhe gjithmonë duke sjellë me vete dhimbjen që e kishte shoqëruar nga një moshë shumë e hershme.

Një përvojë jetësore që e çoi shumë larg: në vitin 1926 ajo debutoi në skenë dhe u bë e famshme në vitin 1945.

Nga ai moment karriera e saj njohu vetëm rritje: së bashku me Aldo Fabrizi dhe Alberto Sordi, ajo u bë një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë romake të shekullit të njëzetë.

Ne të gjithë e kujtojmë Magnanin (ajo vdiq në Romën e saj më 26 shtator 1973) për talentin e saj të madh, por edhe për intensitetin dhe thellësinë që e bënte jo vetëm të ndryshme, por unike.

Siç kuptohet nga frazat e saj më të famshme:

“Mos më hiqni asnjë rudhë. I kam paguar shtrenjtë të gjitha.”

“Nuk e di nëse jam aktore, aktore e madhe apo një artiste e madhe. Unë nuk e di nëse jam e aftë të veproj. Unë kam kaq shumë figura brenda meje, kaq shumë gra, dy mijë gra. Unë vetëm duhet t’i takoj. Ato duhet të jenë të vërteta, kjo është e gjitha “.

“Pasionet e mëdha nuk ekzistojnë: ato janë fantazitë e gënjeshtarëve. Ka vetëm disa dashuri të vogla që mund të zgjasin pak ose një kohë të gjatë”.

“Fakti është se gratë si unë lidhen me njerëzit me një personalitet superior ndaj tyre: dhe unë kurrë nuk kam gjetur një njeri me një personalitet të aftë për të minimizuar timin. Gjithmonë kam gjetur burra, si t’i definoj ato? Përkëdhelës. Zot: edhe ne qajmë për këta Përkëdhelësit, por mos harro, ata janë që s’vlejnë as gjysëm lire”.

“Dashuria? Hiqni gjithçka prej meje, por dashurinë jo, mos e largoni prej meje: dashuria është shiu dhe era, është dielli dhe ylli. E pranoj, kam një karakter të tepruar dhe të pamatshëm. Unë nuk e di se si të frenoj, sa herë që dashuroj ajo më mbërthen deri në majë të flokëve. S’e merrni me mend, çfarë dhimbje të dilja e gjallë prej, çfarë tragjedie ishte t’i shpëtoje! Dhe një mëngjes zgjoheni në shtrat dhe nuk keni më pikë gjaku. Por pastaj fillon përsëri dhe është e mrekullueshme.”

“Të mjerë nuk janë ata që e kanë portofolin bosh, të mjerë janë ata që e kanë shpirtin bosh.”

“Sigurohuni t’i keni duart e pastra para se të prekni zemrën e dikujt.”

“Mos kini besim tek njerëzit që qelben nga përsosmëria, sepse jeta përbëhet nga gabime dhe lëndime!”  / KultPlus.com

Letrat më të famshme të dashurisë: Nga Tolstoy deri te mbreti Henry VIII i Anglisë

Vincent Van Gogh, artisti i famshëm holandez i shkruan Theos, vëllait të tij, duke i përshkruar dashurinë për kushërirën e tij Kee, e cila nuk e pranoi kurrë, 1881.

I dashur Theo. Jeta është bërë shumë e dashur për mua, dhe jam shumë i lumtur që kam rënë në dashuri. Jeta ime dhe dashuria ime tani janë një. “Por ti je përballur me një ‘kurrën e kurrës’, më përgjigjesh ti. Përgjigjja ime për ty është: “Çunak i vjetër, tani për tani unë shikoj në ‘kurrën e kurrës’ një bllok akulli, të cilën zemra ime mund ta shkrijë.

Mark Twain, letër për Olivia Langdonin – bashkëshorten e tij të ardhshme, 1869

Përtej thellësive të zemrës sime të lumtur rrjedh një rrymë dashurie dhe lutjeje për këtë thesar të paçmuar që i është lënë në mirëbesim gjithë jetës sime. Ti nuk mund t’i shohësh valët e saj të pakapshme që rrjedhin drejt teje, e dashur, por në këto rreshta ti do ta dëgjosh valëzimin e largët të sipërfaqes.

***

Shkrimtari rus, Leo Tolstoy,, për të fejuarën e tij Valeria Arsenev, 1856

Tashmë unë dashuroj bukurinë tënde, por ky është vetëm fillimi i dashurisë në ty në atë çfarë është e përjetshme në zemrën dhe shpirtin tënd. Për bukurinë, njerëzit mund të bien në dashuri brenda një ore, dhe po aq shpejt kjo dashuri mund të mbarojë. Por shpirtin, njerëzit duhet të mësojnë ta njohin.
Besomë, asgjë në botë nuk fitohet pa punë, madje as dashuria, ndjenja më e bukur dhe më e natyrshme.

Johann Wolfgang von Goethe u njoh me Charlotte von Steinin, në vitin 1775, teksa jetonte në Vajmar. Ajo u bë frymëzimi për shumë heroina të veprave të tij, si dhe bashkëshortja e tij, 1784

Letrat e mia duhet të kenë treguar se sa i dashuruar jam. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe çdo vend i bukur që shoh ma shton dëshirën që ti të ishe aty. Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për afërsinë ndaj teje, prezenca jote nuk largohet asnjëherë.

Në ty, unë kam masën e çdo gruaje, për çdo njeri. Në dashurinë tënde, kam masën e gjithçkaje. Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi, dashuria jote ma qartëson. Kuptoj qartë se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh. Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato.

Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë. Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë.

***

James Joyce i shkruan të dashurës që do të bëhet gruaja e tij, disa muaj takimit, 1904

E dashura ime Nora. Thjesht, më ka goditur. Erdha në 11 e gjysmë. Që atëherë jam i ulur në një karrige të thjeshtë si i budallepsur. S’mund të bëj asgjë. Nuk dëgjoj asgjë tjetër, përveç zërit tënd. Jam si një budalla duke të dëgjuar ty që më thua “i dashur”. Ofendova dy burra sot, duke i lënë në të ftohtë.

Doja të dëgjoja zërin tënd, jo të tyrin. Kur jam me ty e lë mënjanë natyrën time përçmuese dhe dyshuese. Do të doja të ndjeja kokën tënde në shpatullat e mia. Besoj tani do shkoj në krevat. Kam gjysmë ore duke shkruar këtë letër. Do të më shkruash diçka? Shpresoj që po. Si do ta nënshkruaj emrin tim? Nuk do ta nënshkruaj fare, sepse nuk di çfarë të nënshkruaj.

***

Shkrimtari francez Honore de Balzac, letër për konteshën polake Ewelina Hanska, 1836

Engjëlli im i dashur. Po çmendem për ty, aq sa një njeri mund të çmendet. Nuk mund t’i bëj bashkë dy ide pa qenë ti në mes të tyre. Tashmë s’mendoj dot asgjë për ty. Pavarësisht nga dëshira ime, imagjinata më sjell tek ty. Të shtrëngoj, të puth, kujdesem për ty, një mijë përkujdesje dashurie më kapin. Sa për zemrën time, aty do jesh gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme të të pasurit ty atje.

Por, Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja? Kjo është mania që më ka terrorizuar këtë mëngjes. Çohem çdo moment duke i thënë vetes: “Hajde të shkojmë atje”. Më pas, ulem përsëri nga detyrimet e mia. Është një konflikt i frikshëm. Kjo s’është jetë. S’kam qenë kurrë më parë kështu. Ti ke gllabëruar gjithçka. Ndjehem i budallepsur dhe i lumtur sapo mendoj për ty. Sillem vërdallë në një ëndërr të këndshme në të cilën në një moment jetoj mijëra vjet. Çfarë situate e tmerrshme!

I mbuluar me dashuri, duke ndjerë dashuri në çdo gjë, por, duke jetuar vetëm për dashurinë, duke parë veten të konsumuar nga brengat, e gjej veten të kapur në njëmijë rrjeta merimangash. O, Evë e dashur, ti nuk e di. E mora kartolinën tënde. Është këtu para meje dhe unë flas me ty sikur t’i të ishe aty. Të pashë ty, si dje, të bukur, mahnitërisht të bukur. Dje, gjatë gjithë mbrëmjes i thashë vetes sime “ajo është e imja!” Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, siç isha unë dje!

***

Mbreti Henry VIII i Anglisë u divorcua nga bashkëshortja e tij Chatherine, për t’u martuar me Anne Boleyn, 1528

E dashura dhe shoqja ime. Unë dhe zemra ime e vendosim veten tonë në duart e tua, duke t’u lutur që ti të kujdesesh për ne me mirësinë tënde dhe të mos lesh mungesën të zvogëlojë dashurinë tënde për ne. Për mua sëmbimi që më shkakton mungesa është shumë i madh, dhe kur mendoj për rritjen e asaj që më bën të vuaj, do të ishte krejt e patolerueshme nëse s’do ishte shpresa ime e vazhdueshme për të pandryshueshmen dashurinë tënde.

***

Shkrimtari i famshëm francez, Gustave Flaubert. i shkruan bashkëshortes së tij, Louise Colet, 1846

Do të të mbuloj me dashuri kur të të shoh herën tjetër. Me përkujdesje, me ekstazë. Dua të të mbush me gjithë gëzimet e mishit, aq sa ty të të bjerë të fikët e të vdesësh. Dua që ti të mahnitesh nga unë, dhe t’i thuash vetes tënde që as nuk i ke ëndërruar ngazëllime të tilla… Kur të plakesh, dua që ti t’i kujtosh ato pak orë. Dua që kockat e tua të thata të mbushen me gëzim kur të mendosh për to.

***

Dramaturgu irlandez, George Bernard Shaw, aktores Beatrice Campbell së cilës i drejtohet me pseudonimin “Stella”, 1913

Për Stelën,
Dua vagabondin zuzar brenda meje,
Dua zonjën time të errët
Dua engjëllin tim, joshjen time
Dua dritën e shtatë llambave: të bukurisë, të nderit, të qeshurës, të muzikës, të dashurisë, të jetës dhe të pavdekshmes…
Dua frymëzimin tim, marrëzinë time, gëzimin tim
hyjninë brenda meje, çmendurinë time, egoizmin tim
mendjen time të shëndoshë, shenjtërimin tim,
shpërfytyrimin tim, purfifikimin tim,
dritën time në mes të detit,
palmën time në mes të shkretëtirës
kopshtin tim me lulet e dashura
një mijë gëzimet e mia të paemërta
dërdëllitjet e mia të ditës,
ëndrrat e mia të natës
të dashurën time dhe yllin tim… Filzofial.al / KultPlus.com

“Gjëja më interesante në këtë kohën tonë interesante, është se vazhdojmë të mos mendojmë”

Martin Heidegger lindi në Messkirch, në një familje të borgjezisë së ulët e në gjendje të mirë ekonomike, gjë që i mundësoi shkollim solid në universitetin e Freiburg-ut ku kreu teologjine dhe filozofinë, ndoqi mësime të matematikës, të shkencave natyrore si dhe histori. Emërohet profesor dhe më 1927 shkruan veprën kryesore « Qenia dhe koha » (Sein und Zeit). Gjatë vitit 1933, kyqet në krahun e social-nacionalistëve mirëpo pas disa muajësh tërhiqet dhe për shkak të kësaj, i ndalohen tekstet dhe mësimdhënia.

Nga kjo kohë, ai do të kthehet në univerzitet vetëm pas luftës, më saktësisht, në vitin 1950/51. Heidegger është themeluesi i egzistencializmit e filozofia e tij, i ka themelet e veta në çështjen e qenies e këtu nën « qenie » nuk bëhet fjalë për njeriun si që mendohej gjer vonë por për të qenunit – jam – egzistencë, që edhe është epiqendra e persiatjeve dhe platformës filozofike të tij.

Hapat e para në qarkun e njohurive më të thella që do ti japin kahje themelve të tij filozof i kapi me leximin e veprës së parë të mendimtarisë duke lexuar Aristotelin. Duke u larguar ngadalë nga funkcioni fetar që i përgatitej, kryen gjimnazin dhe si që u permend më parë, fakultetin në Friburg dhe fillon të lexoj Husserl-in, Nietsche-n, Dilthey-n, Höderlin-in, Dostojevski-n , Hegel-in… Më 1915 kyen tezën e vet « Trakata mbi kategoritë dhe sinjifikimet tek Duns Scot-i » dhe bëhet asistent i Husserrl-it kurse më 1923 bëhet profesor univerziteti në Marburg.

Këtu edhe publikon veprën e tij të parë madhore Sein und Zeit që bëri bujë me mënyrën e thurrjes dhe parashtrimit të problemeve mbi të cilat flet dhe par largohet dukshëm nga stili i kohës e kjo ka një ndikim të madh në opinion. Viti 1929 njihet si përfundim i një kariere të zakonshme intelektuale në Gjermani. Ky vit krize shoqërore në tërë Europën bëri që shum mendimtarë të kërkojnë zgjidhje radikale për dalje nga nyja e dekandencës ekonomike dhe shoqërore.

KultPlus sjellë një thënie të Heidegger:

“Gjëja më interesante në këtë kohën tonë interesante, është se vazhdojmë të mos mendojmë” /KultPlus.com

21 vjet nga masakra e Abrisë së Epërme

Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh e deri në 94 vjeçare.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe.

Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia dhe ishin masakruar derisa po përpiqeshin të iknin nga sulmi.

Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane./Insajderi/ KultPlus.com

Sot promovohet fjalori i parë online shqip-serbisht-shqip

Me një ceremoni të veçantë që mbahet prej orës 11:00 në Bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani”në Prishtinë, sot do të promovohet fjalori i parë në internet shqip-serbisht-shqip.

Meqenëse barrierat gjuhësore janë identifikuar si një nga pengesat kryesore për përfshirjen dhe bashkëveprimin midis komuniteteve të ndryshme në Kosovë, IOM ka filluar të zhvillojë mjete dhe burime të reja për të mësuar gjuhë zyrtare.

Në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit të Gjuhëve, Ambasadën Britanike në Prishtinë dhe UNMIK-ut, IOM vazhdimisht mbështet aktivitete për të promovuar shumëgjuhësinë dhe rëndësinë e mësimit të gjuhës.

Pas zhvillimit të platformës së mësimit VocUp, fjalori i parë në internet apo online shqip – serbisht – shqip është përfunduar, duke angazhuar ekspertë akademikë nga Prishtina dhe Beogradi për herë të parë në më shumë se 30 vjet.

Për këtë rast, një dokumentar i shkurtër është përgatitur për të nxjerrë në pah përpjekjet e individëve të përkushtuar për të promovuar rëndësinë e shumëgjuhësisë. / KultPlus.com

Vaçe Zela dhe zëri i saj i artë në këngën “Më ka zënë meraku”

KultPlus ju sjellë këngën “Më ka zënë meraku” të kënduar mjaft bukur nga këngëtarja e njohur shqiptare Vaçe Zela.

Më ka zënë meraku
me një cucë matjane 
Si  lule zambaku 
Moj vetull gajtanë
fol o fol me goje
lule malësore 

O  moj cucë matjan 
Zemrën seç ma more

Besën kur ta dhashë moj 
Fjalën se të due 
Ditën kur ti pash moj 
Nja ta sytë e shkrum 

Fol o fol me gojë
Lule malësore 
O moj cucë matjan 
Zemrën seç ma more. /KultPlus.com