Ditët e kobshme për shqiptarët po vazhdojnë. Njerëz të vdekur e të gjallë po nxirren nga rrënojat e tërmetit të madh që ndodhi në Shqipëri para pak ditësh.
Duke sikur nuk ka festë, prandaj një zymtësi ka kapluar
gjithandej çdo zemër shqiptare.
Duke mos pasur asnjë arsye për festë, po e sjellim një këngë
të mishëruar e emocionuese nga Jericho.
“Kur do të pushojë kjo këngë” është këngë për një kauzë tjetër, por që na kujtohet sot sikur për ti thënë tokës “kur do të pushojnë këto lëkundje”.
Shpresojmë në sa më pak viktima të tërmetit i cili preu në mes plot ëndrra
Kur do të pushoj ma kjo kangë Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë
2x Sytë mu kan ronu Zemër rri me mu
Në vena gjaku i djallit po më lëviz Duart i hap e muret po i grithë
Billie Eilish mendon se do të kthehet në shtëpi duarthatë nga çmimet “Grammy 2020” – përkundër që i ka fituar gjashtë kandidime.
Kur u shpall lista e kandidimeve gjatë javës së kaluar (24 nëntor), ylli i hitit “Bad Guy” hyri në histori si artistja më e re që fitoi kandidime në të katër kategoritë më të mira të Akademisë së Regjistrimeve – Album of the Year, Record of the Year, Song of the Year dhe Best New Artist, shkruan KOHA Ditore.
Pavarësisht se i fitoi edhe dy kandidime, për Best Pop Solo Performance dhe Best Pop Vocal Album, ylli nuk mendon se ka gjasa për sukses.
Kur u pyet në radio-emisionin britanik “Capital Breakfast” të mërkurën, “Nga gjashtë, sa mendoni se do të mund t’i fitosh?”. Ajo u përgjigj: “Oh, asnjë.
“Jo, jo, jo. Betohem, nuk po përpiqem të jem pesimiste dhe nuk po përpiqem ta marr një reagim, si p.sh. ‘Por do t’i fitosh!’ Sepse unë vërtet… nuk do të fitoj dhe kjo është në rregull.”
17-vjeçarja vazhdoi: Unë jam mirënjohëse për kandidimet. Çmimi, “Grammyt” janë… e gjithë familja ime e ka shikuar “Grammyn” çdo vit. Por është qesharake që arrini në një pikë ku duket sikur më në fund ia keni dalë dhe më pas keni konkurrencë me të gjithë të tjerët që ia kanë dalë.”
Në favoritët e saj kryesore, këngëtarja e Bury A Friend mendon se Ariana Grande është më e merituara për suksesin gjatë mbrëmjes.
“Ajo i bëri të gjitha këto ndërsa e kishte vitin më të keq të jetës së saj dhe kjo është shumë mbresëlënëse”, tha Billie për hit-albumet e yllit Sweetener dhe Thank U, Next, plus turneun e saj botëror. “Vetëm ta marrësh mikrofonin dhe të shkosh në skenë pas disa prej vështirësive që i ka kaluar, është për mua joreale.”
Ceremonia e 62-të e “Grammy Awards” do të mbahet në Staples Center, në Los Angeles, më 26 janar 2020. /KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ishte nevoja për ndihma të tjera ushqimore, pas situatës së rëndë të krijuar nga tërmeti i ditës së martë. “Ju lutem mos dërgoni më ndihma ushqimore dhe rroba.
Kanë ardhur pafund dhe hapësirat e magazinimit po shterren. Në Portin e Durrësit s’ka më kapacitet për depozitimin e tyre dhe nevoja është përmbushur e tejkaluar, falë shumë njerëzve, sipërmarrjeve, organizatave, institucioneve brenda e jashtë! Gjynah nga Zoti të skadojnë a të kalben nga mospërdorimi”,- deklaroi kryeministri Edi Rama paraditen e sotme.
Kjo deklaratë e kreut të qeverisë duket e pavend kur sheh edhe fotot e mëposhtme të agjencisë LSA të Gent Shkullakut që janë marrë nga kampi ku ndodhen banorët e prekur nga tërmeti në Durrës.
Ose mundet nënteksti kryeministror ishte që duhet të sjellin para dhe projekte për të ndërtuar shtëpitë e të prekurve nga tërmeti. /KultPlus.com
Fan S. Noli lindi më 6 janar 1882 me emrin Theofanes Stylianos Mavromatis në fshatin shqipfolës İbriktepe, në Trakinë Lindore, jo shumë larg nga Edreneja.
Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve.
I ati, Stilian Gjergj Noli, ishte psallt në kishën ortodokse të fshatit; e ëma, Marie Gollaqi, ishte shtëpiake. Theofani ishte i dyti ndër trembëdhjetë fëmijë, shtatë prej të cilëve vdiqën në foshnjëri. Familja rronte me tokat që kishte si pronë. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Në fshatin e lindjes kreu shkollimin fillor greqisht, më tej prindët e dërguan në gjimnaz grek ku qëndroi katër vjet.
Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet ndë përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Afria që kishte me gjuhët e huaja e aftësoi ta bënte shqipen në një gjuhë të stërholluar dhe elegante, ndonëse pak folklorike.
Noli përktheu mjaft autor amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.
Më poshtë njëra nga thëniet e tij të famshme:
“Njeriu mund të ketë cilëndo fe që ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tinë, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”. /KultPlus.com
Sot është prezantuar edhe logoja dhe brendi kreativ i Festivalit Evropian të Këngës – Eurovision.
Festivali i cili do të mbahet në maj të vitit 2020-të,
edicionin e radhës do ta festojë me sloganin ‘Open Up’ apo Hapu.
Festivali me dizajnin e ri të vitit do të festojë secilin shtet që merr pjesë në garë, dhe flamuri i secilit shtet është shkrirë në logon kryesore.
Edicioni i radhës do të jetë i 65-ti me radhë, ku do të
marrin pjesë përfaqësuesit e 41 shteteve nga kontinenti, përfshirë edhe Shqipërinë.
Është interesante të përmendet se Hungaria është larguar nga gara e Eurovizionit sepse, sipas burimeve të The Guardian, për këtë vend ku politika e djathtë po bëhet kryesorja, kjo garë është “shumë homoseksuale” dhe në të nuk ia vlen të merret pjesë e të harxhohen para, shkruan KultPlus.
Shqipëria merr pjesë në Eurovizion që nga viti 2004 ndërsa pozita e pestë në finale është më e mira deri sot për shqiptarët në këtë garë.
Eurovizioni 2020 do të mbahet në Roterdam, në Holandë. / KultPlus.com
Me dhjetëra emra të famshëm shqiptarë janë sensibilizuar për të bërë diçka për viktimat dhe të prekurit e tërmetit me magnitudë 6.4 që goditi vendin mëngjesin e të martës.
Të shumtë kanë qenë ata që kanë dhuruar vlera monetare, ndihmë për strehim, gjithashtu ka pasur nga ata që kanë parë situatën nga afër.
Por të gjithëve u ka rënë në sy indiferenca që tregoi Dua Lipa.
Këngëtarja me origjinë shqiptare u mjaftua vetëm me një postim në Instastory dhe ka vazhduar normalisht me postimet e saj.
Kjo gjë nuk u ka pëlqyer ndjekësve, të cilët ia kanë vënë në dukje këtë gjë.
“T’ia kishe kushtu’ një postim Shqipërisë në këto kohë të vështira…” shkruan dikush. “Përdore platformën tënde! Ndihmo njerëzit e tu,” shton dikush tjetër. /KultPlus.com
Shqipëria është në zi dhe dhimbje për viktimat e tërmetit shkatërrues të së martës. Numri i viktimave ka arritur në 42 ndërsa të plagosur me qindra.
Këtë të enjte prej hotel ‘Mira Mares’ në Durrës u nxor dhe trupi i fundit që gjendej nën gërmadha. Fatkeqësisht, trupi që doli në barrelën e forcave të shpëtimit ishte i mbuluar. Mbi të qëndronte trupi i pajetë i 41 vjeçarit Sotiraq Mishaj, viktima e 41 e tragjedisë që ka mbështjellë mbarë Shqipërinë.
E teksa vendi iu largua dje zisë kombëtare, sot festa e Pavarësisë pak është festuar për shkak të tragjedisë.
Mbi gërmadhat e hotelit që mori disa jetë shqiptarësh në Durrës, sot është ngritur flamuri kuqezi. /KultPlus.com
Ambasada e SHBA ka reaguar përmes një postimi në facebook në kuadër të 107 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“Në këtë përkujtim solemn të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh keqardhjen më të thellë për shkatërrimin dhe jetët e humbura nga tërmeti i 26 nëntorit.” thuhet në postimin e ambasadës amerikane ku ndër të tjera shprehet mbështetje për vendin tonë në situatën e krijuar pas lëkundjeve të forta të tërmetit.
Postimi i plotë: Në këtë përkujtim solemn të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh keqardhjen më të thellë për shkatërrimin dhe jetët e humbura nga tërmeti i 26 nëntorit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me vendosmëri në krah të vendit tonë mik dhe aleat, Shqipërisë. Ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet e vazhdueshme të ndihmës humanitare dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo hapësirë tjetër në nevojë. /KultPlus.com
Papa Françesku është sensibilizuar me gjendjen e rëndë që ka përfshirë Shqipërinë, pas tërmetit 6.4 ballë të së martës.
Ai ka dhuruar 100 mijë euro në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i fuqishëm.
“Të shprehim afërsinë shpirtërore me të prekurit. Dhurojmë 100 mijë euro për Shqipërinë. Paratë do të shkojnë për të ndihmuar popullin shqiptar”, thotë Papa.
Kujtojmë që edhe një ditë më parë Papa shprehu ngushëllimet për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar.
“Dëshiroj t’i dërgoj përshëndetjen dhe afërsinë time popullit shqiptar që ka vuajtur aq shumë këto ditë. Shqipëria ka qenë vendi i parë i Evropës që kam dashur të vizitoj. Jam afër viktimave, lutem për të vdekurit, për të plagosurit dhe për familjet. Zoti bekoftë këtë popull që e dua aq shumë”, thuhej në letrën e ngushëllimit./ KultPlus.com
– Peja,
Gjakova e Prizreni, në këto momente ua kanë hapur dyert e shtëpive të gjithë
qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, pa dallime.
– Ama
bukvalisht, pa dallime!
– Ajo që më
ra në sy nga hotelet dhe shtëpitë që i kanë strehu viktimat, një numër i madh i
takon komunitetit romë, ku unë tani e bëra këtë “dallim” me tregu që:
SOLIDARITETI nuk njeh racë e as fe!
– Pasi që u
bë akomodimi i qytetarëve të Shqipërisë në hotele dhe shtëpi të Gjakovës (një
pjesë e madhe prej tyre rome), tani më nuk ka vend për pjesën tjetër të
familjarëve, por zgjidhja menjëherë për ata u bë që të strehohen në një kamp
ushtarak të Prizrenit.
– Prandaj, në
këto ditë të vështira, ju lutem që mos të bëni komente të tipeve raciste, ashtu
siç po flitet për Gjakovën që kinse nuk ka dashur t’i pranoj romët!
– JU LUTEM,
keni kujdes se çfarë postoni në Facebook.
– KOSOVE,
Evropa dhe e gjithë BOTA, mund t ‘kenë zili për dashurinë, respektin dhe mikpritjen
pa kufi dhe pa dallim!
Ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhuruar sot 1 milion Euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Për këtë ndihmë të madhe të Pacollit kanë reaguar të gjithë
qytetarët, të lumtur që viktimave të tërmetit po ju vijnë në ndihmë të gjithë.
Por i befasuar është shprehur edhe kryeministri i Shqipërisë,
Edi Rama. Ai ka uruar më të mirat për Pacolli.
“RROFSH e QOFSH me fëmijët, gruan, vëllezërit dhe kë të do e
bardha zemër O BEHGJET PACOLLI🙏”, ka shkruar Rama.
Ky donacion sipas Pacollit shkon për rindërtimin e zonave të
prekura nga tërmeti.
”Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt. Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur. Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet. Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”, ka thënë Pacolli. / KultPlus.com
Emri më i ndritur në panteonin e figurave arbëreshe dhe një nga më të mëdhenjtë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në shek. XIX.
Kjo figurë nuk është simbol vetëm në botën e letrave shqipe por edhe në qarqet intelektuale europiane duke kontribuar për çështjen e Shqipërisë që asokohe gjendej në pushtimin e perandorisë osmane.
Nëse hedhim një vështrim mbi dokumentet e shek. XIX një pjesë e mirë e vendeve Ballkanike kishte dalë nga errësira e dominimit otoman. Pavarësia e këtyre vendeve kishte ndezur te shqiptarët iniciativën e kryengritjeve anembanë vendit duke kulmuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Ҁështja më kryesore që shtrohej në platformën e Lidhjes shihej jo vetëm në suazën e një autonomie të varur nga Porta e Lartë, por gjithashtu paralelisht jepej prioritet aspektit kulturor –arsimor por mbi të gjitha Identitetit Kombëtar. Me gjithë rëndësinë që Lidhja pati dhe vendimet që ajo ndërmori, nuk mundi të mbijetonte pasi arriti të shtypej egërsisht nga politika represive e sulltan Abdylhamitit.
“ Në kushtet e obskurantizmit kulturor dhe të shtypjes së egër që ushtronte regjimi osman ishte thuajse e pamundur që lëvizja e rilindjes kombëtare shqiptare të lindte në Shqipëri. Ishte meritë e diapsorës sidomos asaj arbëreshe,që shfrytëzuar rastin e Lidhjes së Prizrenit (1878) arriti të lidhej organikisht me lëvizjen patriotike mbarëshqiptare me synimin e përbashkët për t’iu kundërvënë poilitikës ekspanioste të shteteve ballkanike e për të kërkuar autonominë politike e administrative të Shqipërisë” Francesko Altimari – Urat e Arbërit f.31
Një tjetër goditje kundrejt Shqipërisë ishte edhe Kongresi Berlinit, që me vendimet e mara në dëm të territoreve shqiptare, pra me copëtimin e tyre për t’iu dhuruar si trofè vendeve fqinje veriore Malit të Zi dhe Serbisë, do të provokonte te shqiptarët si brenda territoreve etnike por edhe atyre jashtë kufijve, një zemërim por dhe një vetëdije kombëtare. Kjo jo vetëm në popullatat por edhe në individë të veçantë, personalitete europiane, qarqe intelektuale duke denoncuar me anë të shkrimeve, pamfleteve kongresin në fjalë dhe politikat e monarkive europiane në dëm të çështjes shqiptare. Një prej këtyre zërave të fuqishëm ishte edhe Jeronim De Rada!!
“Ndarja ( copëtimi) i territoreve shqiptare, që iu dhanë veriut në Mal të Zi dhe Serbisë, si dhe në jug Greqisë, provokoi të De Rada një kundërshtim të hapur por aq edhe të fortë dhe zëri I tij nuk ngeli pa u dëgjuar. Shqiptarët e Shqipërisë, të stimuluar nga ai zë që vinte përtej bregut, e ripërtërinë dashurinë e tyre për mëmëdheun dhe shtuan nevojën për pavarësi. Diplomacia evropiane duhej të merrte në konsideratë fatin e ri. Është vërtet një fakt i paimagjinueshëm por real që një njeri i vetëm, një poet që jetonte I lidhur në një vend të vogël të Kalabrisë, arriti që me anë të veprës së tij personale, me betejën e tij të vazhdueshme, bëri që ti dëgjohej zëri për të drejtat e atdheut të origjinës pranë oborreve dhe diplomacive europiane” MICROPROVINCIA “ Revistë Kulturore, v.2003 FRANCESCO Solano f.218
Po kush ishte Jeronim De Rada?
I lindur në Macchia Albanese, Itali, në 29 nëntor 1814 që në hapat e para të rinisë së tij djaloshi De Rada do formohej jo vetëm në aspektin letrar por edhe atë filozofik dhe duke qene edhe një adhurues i iluminizmit. Gjatë studimeve në Napoli ( 1834) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore. Në 1848 ai nxjerr gazetën e parë shqiptare. Që nga viti 1861 Ai u bë një nga figurat më të spikatura në zë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Kryengritjet e armatosura të viteve ’30 të shek. XIX,do të nxisnin te De Rada një iniciativë në mendimin dhe përqasjen e tij karshi zhvillimeve politike që po ndodhnin në Shqipëri. Këtë Ai do ta përçonte dhe aktualizonte me anë të veprës së tij “ Erdhi dita e Arbërit” De Rada lëshoi i pari kushtrimin e atdhetarit të vërtetë për fatin e vendlindjes.
“ Për zgjimin e krenarisë kombëtare ai përdori historizmin. Evokoi dy moment: lashtësinë dhe luftën një shekullore të shqiptarëve kundër osmanëve. Në punimin “ hyjnitë e pellazgëve” 1843, poeti u përpoq të shpjegonte se një varg emrash të mitologjisë greke në të vërtetë ishin shqip, masi ato shpjegoheshin nëpërmjet shqipes dhe se pellazgët I kishin dhënë hua kulturës së lashtë greke një varg elementesh. Këtë ide Ai e rimori dhe e plotësoi në veprën “ Lashtësia e Kombit Shqiptar (1864) – Petrika Thëngjilli, Historia e popullit Shqiptar, v.2000, f.428
Epopenë e popullit shqiptar De Rada e evokonte në shkrimet e artikujve por edhe në bisedat që Ai bënte me njerëz të ndryshëm. “ I nisur nga devotshmëria për Shqipërinë e mjerë dhe të braktisur – siç do të deklaronte Ai vetë; bëri që të çelej një traditë që u ndoq nga gjithë letërsia Rilindjes, duke vënë si epiqendër figurën e Skëndrbeut si simbol të lirisë dhe shpirtit luftarak.
De Rada ishte ndër të parët që hodhi bazat e iluminizmit. Ai ishte i vetëdijshëm se pa arsim e pa kulturë, pa letërsi kombëtare nuk mund të ecej përpara, nuk mund të kishte të ardhme të kombit. Iluminizmi I De Radës ishte në shërbim të synimeve politike të rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai vetë pohonte se “ me një punë që vazhdon prej më tepër se gjysëm shekulli, ka rimëkëmbur gjuhën shqipe, me qëllim që të përgatisë ringjalljes ose rilindjen e pashmangshme të popullit të vet”.
“ Ndërkohë është në kontakt me studiuesit më të mëdhenj dhe njerzit më të ndritur, të kohës, si gjuhëtari i mirënjohur Stier, që ishtë edhe përkthyesi i tij i parë në gjuhën gjermane; poetesha e njohur e letrave shqipe Dora D’Istria, gjuhëtarët dhe etnologët Mayer, Benlow, Buchholtz, me poetët francezë Lamartine e Viktor Hygo dhe në mënyrë të veçantë me Federiko Mistral poetin e njohur që poeti nga Macchia e ndjente shumë afër shpirtërisht” ”MICROPROVINCIA “ Revistë Kulturore, v.2003 FRANCESCO Solano f.218
“ Në shtatë studimet për veprën e De Radës sërish nyja themelore është ura: ura midis romantizmit europian…urat midis letërsisë së De Radës dhe mendimit poetik – letraro europian…urat midis rilindësit arëbëresh dhe lëvizjeve të mëdha kombëtare në vëndet fqinj dhe rolin e vetë shqiptarëve për shpalljen e ideve themelore të tij… urat midis ideologjisë albaniste pararilindëse dhe lëvizjes kombëtare të shek.XIX . Të gjitha keto ura kishin bërë që shqiptarët tashmë të kuptonin se ishin të vetët” Francesco Altimari – Urat e Arbërit f. 14
Me botimin e veprës “ Rapsodi të një poeme shqiptare” ( 1866) De Rada synonte të afirmonte kombin shqiptar në botën e jashtme. Ky botim i vlejti shumë çështjes shqiptare në opinionin e Europës pasi bëri të njohura virtytet më të shëndosha të popullit shqiptar. Gjithashtu me vargun e famshëm “ Erdhi Dita e Arbrit “e shkëputur nga poema “ Këngët e Milosaos” u transformua në një manifest nga Rilindja Kombëtare në ndërgjegjësimin e shqiptarëve për lirinë e vendit.
Figura e De Radës nuk mund të merret thjesht si një figurë simbol i një etniteti o një popullate! De Rada nuk është një mit, De Rada është një figurë emblemë e dy vendeve, dhe e një Populli! Ai çmohet për pragmatizmin e tij dhe themeluesin e ideve përparimtare gjë që bëri të mundur falë veprave letrare dhe kontributin e ti në veprimtaritë politike. / KultPlus.com
Ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhuruar 1 milion Euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Ky donacion sipas Pacollit shkon për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, njofton Klan Kosova.
”Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri.
Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale.
Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.
Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt.
Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur.
Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet.
Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”.
Jam e shtatëmijëta Vlorë e Kosovës. Dashnia e mbramë e babës, andrra e parë e shtrueme me dekë! Shtatë mijë herë emni më asht thirrë prej se trungun ma kanë coptue tue m’ba mbasardhëse të luftës.
Shtatë mijë kangë i kam përkundë në shtatëqind shpresa valavitun në shtatë nahi tue lypë strehën e besës.
Jam e shtatëmijëta Vlorë e Kosovës e Vlorë në bajrak nuk kam. Nën mangën e fustanit t’nanës po tkurrem mbas çdo vjeshte. Konak i vjershnuem me dëshira t’humbuna, andrra t’arratisuna, emna t’lirisë.
Shatë mijë të masakruem në nandorin e lirisë. Shtatëqind palë eshtna n’Batajnicë prej shtatë viseve t’ Kosovës ku Vlora veç emën s’ asht!
Asht tapia e zemrës tem e tandës asht e nesërmja, e mbrama dashni!
Marigo Pozio, mbiemrin e vajzërisë e kishte Poçi, lindi në Korçë, me 2 shkurt të vitit 1882. Marigoja shkruante dhe botonte në shtypin e kohës mjaft poezi, si psh poezi kushtuar Avni Rrustemit: “Ti vrapove porsi plumbi/ Ti u bëre erë e hije/ Shkele, shkove dhe e shove/ Shqipërinë e shpëtove…”, shkruan KultPlus.
Marigoja, vajza që tashmë ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e
gjithë shqiptrëve, vuante nga turbekulozi, sëmundje e pashërueshme për kohën.
Po ashtu ajo humbi edhe shikimin gjatë viteve të fundit të jetës.Familja vuajti
nga një sërë fatkeqësish, së pari me fëmijët e tyre, dhe më vonë me shëndetin e
Marigosë për shkak të tuberkulozit.
Sipas Zhaneta Poçit , mbesë e Marigo Pozios, Marigoja e qendisi
flamurin kombëtar sipas një modeli të Dom Mark Vasës, për pajën e saj, qëkurse
ishte çupë. Këtë flamur ajo ja dha Ismail Qemalit.
Marigoja e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga
një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë
valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 – 40 cm, me shkabë në
mes dhe anash me shkrimin: “Rroftë Shqipëria”.
Në vargun e madh të rilindësve shqiptarë një vend
të rëndësishëm ndër ata që ju kushtua çështjes së atdheut në ato çaste që po
kalonte vendi ka qenë dhe patriotja me zemër të madhe nëna e kombit siç e
quanin bashkëkohësit Marigo Pozion. Marigoja.
Marigoja
ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe
pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe
që nëpërmjet këtij shkrimi nuk mund të shpaloset me kompleksitetin e vet gjithë
madhështia e kësaj figure, sublimiteti i jetës dhe veprës së saj për
identitetin kombëtar dhe shoqëror për vlerat dhe karakterin e gruas shqiptare
dhe emancipimin e saj në të gjithë Shqipërinë.
Në të gjithë veprimtarinë e saj spikati akti sinjifikativ i
qëndisjes së flamurit që u valëvit në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe si i
tillë mbeti simbol duke u dekoruar me dekoratën më të lartë Flamuri i Kombit
(Dekreti 3292 i datës 15. 04. 2002).
Marigoja filloi një veprimtari të gjerë politike atdhetare dhe
emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë
atdhetarizmi ku zhvilloheshin biseda, qaheshin halle dhe hartoheshin thirrje e
dërgoheshin letra për ta bërë Shqipërinë të lirë të pavarur dhe të përparuar.
Dokumentet flasin se në shtëpinë e çiftit Pozio shumë veteranë të çështjes
kombëtare si Murat Toptani, Dervish Hima Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Mihal
Grameno etj.
Pas
shpalljes të pavarësisë, ajo lufton për krijimin e shoqërive patriotike dhe
mirëbërëse dhe ia arrin qëllimit në muajin mars të vitit 1914 duke themeluar
shoqërinë Shpresa Kombëtare, në të cilën ajo, siç shkruan gazeta “Populli”, se
më e ditura grua e qytetit zgjidhet sekretare.
Lufta e Parë Botrore paralizoi veprimtarinë e
shoqatës Shpresa Kombëtare dhe, për këtë arsye, më 23 janar të vitit 1921,
rifilloi aktivitetin e kësaj shoqate duke pasur në krye Marigo Pozion, e cila
kreu detyrën e drejtoreshës të përgjithshme të gazetës Shpresa e Kombit, gazeta
e parë e gruas shqiptare, e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë
kombëtar, dhe ku qëllimi kryesor ishte të grumbullonte rreth vetes të gjitha
gratë dhe vajzat të cilat me bindje e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e
atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me
veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike shkollimin dhe lartësimin e
femrës shqiptare.
Në
motivacionin e dekorimit të parë më 7 Mars 1960 pohohet pikërisht fakti se ka
punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës dhe për çlirimin dhe emancipimin e
gruas shqiptare, duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare.
Dekorata është me urdhrin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e
muzeut të pavarësisë në Vlorë.
Kjo
grua e vyer e zhvilloi aktivitetin e saj patriotik e kombëtar si një nga
anëtaret e Klubit politiko –patriotik dhe kulturor Labëria si dhe përkrahëse
aktive e luftës së Vlorës të vitit 1920.
Fryma
e lartë atdhetare e kishte pushtuar të gjithë familjen e saj e cila shërbente
si shembull për çështjen kombëtare. Ajo gëzonte jo vetëm respektin e përkrahjen
për burrin e saj Jovan, por edhe të fëmijëve të saj, të cilët dalloheshin për
veprimtari shoqërore dhe atdhetare.
Sëmundja e pashërueshme tuberkulozit ia
merr të tre fëmijët dhe vetë ajo sëmuret po nga e njëjta sëmundje dhe me gjithë
mjekimet dhe me gjithë dhimbjet që provonte në trup gjeti forca për të biseduar
me aktorin e madh Aleksandër Moisiu për të kujtuar Shqipërinë e
shqiptarët.
Në gusht të vitit 1932 mbylli sytë
shqiptarja e shquar Marigo Pozio. Atë do ta varroste me nderim populli fisnik i
Vlorës që kurrë nuk e ka harruar por i ka dhënë vendin që i takonte si
përfaqësuesja më e denjë e femrës shqiptare.
Shtëpia e rikonstruruar ku ka banuar Marigoja falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj Violeta Posio me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë u kthye në një shtëpi muze dhe mirëpriti e mirëpret vizitorë shqiptarë nga e gjithë bota. / KultPlus.com
Shqipëria u godit nga një tërmet me 6.4 shkallë të Rihetrit mëngjesin e së martës.
Ky tërmet mori jetën e shumë njerëzve, lëndoi shumë të tjerë dhe nën
rrënojat e ndërtimeve të shkatërruara vazhdojnë të jenë ende shumë njerëz.
Thumana dhe Durrësi ishin dy qytetet më të prekura nga lëkundjet e tokës,
të cilat vazhdojnë edhe sot por me Rihter më të ulët.
Për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë në këtë situatë shumë të vështirë për t’u
përballur nga Kosova shkuan shumë policë, ushtarë e zjarrfikës, duke mos harruar
edhe njerëzit vullnetarë.
Një gjë e veçantë ndodhi me njërin nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të
Kosovës, shkruan Indeksonline.
Hasan Mulaj është pjesëtari i PK-së që në vitin 1999 ishte refugjatë në
Kukës, aty ku kërkoi ndihmë përderisa Kosova po përballej me gjendje lufte.
Dyert e mikpritjes dhe mirësisë Hasanit iu hapën në vitin 1999 në Shqipëri,
ndërsa ai këtë herë shërbeu në Thumanë, për të kthyer të mirën 20 vjet më vonë.
“I njëjti destinacion, i njëjti qëllim. Dora për ndihmë. 20 vjet më parë për ta kërkuar, 20 vjet më pas ta kthyer. Gjithmonë mirënjohës”, u shpreh Mulaj nga Skenderaj./KultPlus.com
Një instrumental rrëqethës ju është dedikuar viktimave të tërmetit në Shqipëri nga kompozitori Blond Krasniqi.
24 vjeçari, përmes kësaj
melodie shpreh gjithë dhimbjen e tij shpirtërore për këtë fatkeqësi që e ka përthekuar
shtetin shqiptar.
“Shqiperi toka fort si
djep te përkundi, por dashurinë tonë ndaj jush dot nuk e lëkundi”. Një melodi
nga unë, nga dhembja e madhe per tragjedinë ne Shqipëri”, ka shkruar ai në
Facebook.
Krasniqi është
kompozitor i ri, veprat e të cilit kanë qenë pjesë e shumë festivaleve e
koncerteve.
Në vitin 2018, ai është shpërblyer me çmimin vjetor të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), për kategorinë e veprave solistike dhe duo për vitin 2017. / KultPlus.com
Një tërmet i rëndë shkatërroi Durrësin në vitin 1267. Për këtë ngjarje apokaliptike, albanologu i ndjerë Robert Elsie na ka lënë pas një rrëfim interesant. Bëhet fjalë për rrëfimin e historianit dhe studiuesit George Pachymeres, i lindur në vitin 1242 dhe i vdekur rreth vitit 1310. Ai lindi në Nikea dhe mbajti detyra të larta në Kostandinopojë.
Libri i tij “Historia” flet për periudhën e sundimit të Mikael Paleologut VIII dhe Androniku II. Ai përbën burimin kryesor për periudhën. Në të është edhe një përshkrim prekës i tërmetit të tmerrshëm që goditi qytetin e Durrësit. Historiani francez Alain Sucellier e daton këtë ngjarje tragjike në korrik të vitit 1267
Pas disa kohësh, një ngjarje e rëndë dhe e përlotshme ndodhi në Durrës. Gjatë muajit korrik, disa zhurma të pazakonta bënin që toka të dridhej vazhdimisht, zhurma që normalisht do t’i quanim rënkime. Ato po i paraprinin diçkaje të tmerrshme që do ndodhte.
Një ditë, zhurma ishte më e vazhdueshme dhe më e fuqishme se herët e kaluara. Frika që kaploi njerëzit bëri që ata të shkonin dhe të gjenin strehim jashtë qytetit, pasi kishin frikë se gjërat do përkeqësoheshin.
Nata ra mbi rënkimin e një ditë më parë dhe bashkë me të nisi një tërmet i fortë, më i dhunshëm se çdo gjë tjetër në kujtesën e gjallë. Nuk ishte, siç mund ta përshkruajnë disa, një dridhje e tokës në formën e një lëkundjeje, por një lëvizje e tillë kaq e fortë, sa dukej sikur i gjithë qyteti u kthye me kokë poshtë dhe u përplas fuqishëm në tokë.
Shtëpitë dhe godinat e larta nuk rezistuan për një sekondë, duke u rrënuar e duke varrosur brenda banorët. Ata nuk kishin kohë të shpëtonin sepse godinat ishin ndërtuar pranë njëra-tjetrës. Në të vërtetë, kishte më shumë shans që të mbijetonin ata që qëndronin brenda shtëpive sesa ata që dilnin nga shtëpitë që ishin kursyer pjesërisht nga shembja.
Asnjë nga ndërtesat nuk mbijetoi e paprekur. Ato u rrëzuan mbi njëra-tjetrën dhe çdo godinë që kishte rastisur të rezistonte ndaj fatit të shkatërrimit, ishte prishur nga rrëzimi i të tjerave.
Katastrofa ishte e papritur dhe e jashtëzakonshme për të lejuar që dikush të mbijetonte duke u arratisur. Për shumë njerëz, ishte si një ëndërr: ata nuk e zbuluan kurrë se në çfarë ngjarje u zhdukën. Fëmijë të vegjël dhe bebe, që nuk e kuptonin se çfarë kishte ndodhur, u varrosën nën rrënoja.
Zhurma e fortë dhe tmerri ishin të atilla, sa të mbijetuarit që e gjetën veten përballë dallgëve të rritura ndjeshëm në det, imagjinuan se ky nuk ishte vetëm fillimi i agonisë, por në të vërtetë fundi i botës.
Për shkak se qyteti ishte buzë detit dhe tërmeti i tmerrshëm kishte ndodhur kaq papritmas, ata që e gjetën veten jashtë, dhe që ishin zhurdhuar praktikisht, u përballën ashtu siç ishin me një trullosje të tillë nga shpërthimi i shtëpive njëra pas tjetrës, sa nuk mund të parashikonin asgjë tjetër veçse se ky ishte shkatërrimi i tërë universit.
Tërmeti zgjati për aq kohë sa asgjë nuk mbeti në këmbë. Gjithçka brenda qytetit ishte shembur dhe banorët ishin mbytur, me përjashtimin e vetëm të akropolit, që qëndronte i fortë dhe i mbijetoi tërmetit.
Kur agoi dita, banorët e zonave përreth nxituan menjëherë në qytet dhe nisën të gërmojnë, duke përdorur gjithçka që mund të merrnin në duar: sfurqet, kazma dhe çdo mjet pune që gjenin.
Nga të katër anët, ata nisën të gërmojnë, duke u përpjekur sigurisht që të shpëtonin çdo viktimë të pafat që mund të ishte ende gjallë, por ç’është më tepër, në përpjekje edhe për të shtënë në dorë çdo lloj pasurie që mund të nxirrnin nga brenda rrënojave.
Siç ndodhi, bashkë me të rriturit vdiqën dhe trashëgimtarët dhe nuk ishte askush që të pretendonte pronën. Kështu, pas disa ditësh, pasi kishin marrë flori dhe gjëra të tjera që kishin gjetur, shqiptarët rreth e rrotull Durrësit e braktisën këtë qytet të lashtë në vetminë e tij, një qytet tashmë i panjohshëm, i cili numërohej mes qyteteve ekzistues jo prej ekzistencës së tij, por thjeshtë prej emrit.
Peshkopi i tij, Niketas, që kish qenë aty gjithë kohës, mbijetoi, ndonëse në të gjithë trupin tashmë kishte plagë të fatkeqësisë. Përballë një katastrofe të tillë, që askush nuk do të kish menduar ndonjëherë se ishte e mundur, atë e kapi paniku dhe ia mbathi, duke e lënë metropolin të privuar jo vetëm nga personi i tij, por edhe nga banorët, shkëlqimin e ndërtesave dhe gjallërinë e dikurshme. /syri.info/ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka paralajmëruar të gjitha portalet e kanalet e informimit, që nëse vazhdojnë të publikojnë lajme të rreme, të cilat hapin panik, do ti mbyll ato.
Rama ka bërë të ditur se në kuadër ligjorë të Gjendjes së Jashtëzakonshme, të shpallur në Shqipëri, ai do të jetë i detyruar që me forcë ti mbyll ato, transmeto Koha.net.
“Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se nê kushtet dhe kuadrin ligjor te Gjendjes së Jashtezakonshme, do jem i detyruar te nderhyj forcerisht per mbylljen e tyre deri ne fund te kesaj faze dramatike, nese vazhdojne me lajme te rreme qe hapin panik!” / KultPlus.com
Mbrëmë në Black Nights Film Festival në Tallin të Estonisë u shfaq premiera botërore e filmit të gjatë artistik ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji nga Fatos Berisha. Filmi pati një pritje dhe reagim jashtëzakonisht të mirë nga publiku.
Ky është filmi i parë i gjatë i regjisorit Fatos Berisha i cili shënon një sukses të madh me premierë botërore në konkurencë kryesore në këtë festival kaq të njohur. Regjisori Berisha në fjalimin e tij para shfaqjes shprehu pikëllimin me tragjedinë që po përjeton populli shqipëtar këto ditë dhe kërkoi nga publiku nderim për viktimat e tërmetit në Shqipëri; “Është një moment i veçantë në karrierën time. Jam i lumtur që filmi im i parë është në këtë festival. Faleminderit që na keni ftuar këtu. Kjo shfaqje është premierë edhe për aktorët e filmit të cilët do ta shohin filmit këtu bashkë me ju për herën e parë“ u shpreh në vazhdim Berisha.
Cirku fluturues është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të 90tave e një grupi aktorësh nga Kosova të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërise për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.
Prezent në premierë në Tallin ishte edhe një pjesë e ekipt të filmit e përbërë nga producentja Vjosa Berisha, aktorët Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani, Maylinda Kasumovic dhe Vedat Bajrami.
‘Cirku Fluturues’ është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë, dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore.
Pas shfaqjes seë filmit, ekipi u rikthye në skenë për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta. Të shtunën do të mbyllet festivali, ku dhe do të ndahen çmimet. / KultPlus.com
Si sot, 107 vite më parë, më 28 nëntor 1912, Shqipëria u shpall shtet i pavarur.
Ismail Qemali, në një konferencë që mbajti para personaliteteve shtetërore dhe publike të Vlorës disa ditë pas nënshkrimit të koncesionit për themelin e “Bankës Kombëtare të Shqypërisë”, më 4 tetor 1913, parashtroi shkurt platformën e tij rreth veprimtarisë bankare në Shqipëri. Ai tha ndër të tjera: “Mbetet tani për të shpjeguar një nga punët që bëri më në fund qeveria shqiptare, për të cilën shumë gjëra janë thënë dhe shumë njerëzve u kanë trazuar mendjen. Kjo punë është Banka Kombëtare e Shqipërisë, e cila u themelua disa ditë më parë. Ashtu si çdo njeri, i cili sado i pasur të jetë ka nevojë për kredi, madje sipas kredive që ka kuptohet se sa është nderi i tij. Kështu dhe shtetet kanë nevojë për kredi dhe lavdërohen me kredinë që kanë në gjirin e bursave të përgjithshme. Ju e dini fort mirë se fuqia më e madhe në këtë jetë është Anglia; edhe më i pasuri komb është ai anglez. Po kjo fuqi kaq e madhe, ky popull kaq i pasur a mund të rrojë pa kredi? Jo!”. (shkëputur nga vepra “Monedha, krediti dhe banka në Shqipëri gjatë shekujve”, e Prof. Dr. Kristo Frashërit).
Përmes serisë së monedhave numizmatike: 200 Lekë, 100 Lekë dhe 50 Lekë, me tematikë “100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë”, përkujtojmë këtë datë të shënuar për vendin tonë. Monedhat paraqesin simbolet e kësaj ngjarjeje: portretin e Ismail Qemalit, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, si dhe shqiponjën e flamurit që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912. /ATSH / KultPlus.com
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, është shprehur se do të qëndrojë pranë popullit shqiptar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ndër të tjera delegacioni i BE-së është shprehur se vëmendja më e madhe në ditë të tilla do të fokusohet tek ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe familjet e tyre.
“Sot, në Ditën e Pavarësisë, mendimet tona janë për popullin shqiptar, dhe në veçanti për ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe familjet e tyre. Bashkimi Evropian, më shumë së kurrë, i qëndron pranë popullit shqiptar”, thuhet në shkrimin e tyre. / KultPlus.com
Adem Jashari, simboli i lirisë dhe i çlirimit të Kosovës, sot do të festonte ditëlindjen e tij të 64-t, po të mos ishte për sakrificën dhe flijim që ai dhe e gjithë familja e tij e bën për vendin tonë, shkruan KultPlus.
Adem Jashari lindi në Prekaz të Drenicës më 28 nëntor të vitit
1955. Ai ishte ndër themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë kështu edhe kryekomandanti i kësaj
ushtrie.
Adem Jashari së bashkë me vëllain e tij Hamzë, kanë marrë pjesë në shumë sulme kundër forcave policore-ushtarake serbe.
Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup kryengritës të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy. Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-quonë. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve e tij kundër Forcave Federale ushtarako-policore Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991.
Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Jasharajt me shokët, thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe të policisë. Adem Jashari në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale më 22 janar të vitit 1998, por me trimërinë e tij e përballoi sulmin me sukses.
Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u
sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore.
Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të
policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi.
Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre
ditë dhe dy netë.
Forcat policore filluan sulmin pa asnje paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjërë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.
Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsejt pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëronte për 69 pjesëtarë të vrarë të policisë dhe ushtrisë. Dhe disa anëtarë të familjes Jashari ende jetojnë.
Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë. Kështu shumë prej tyre veshën bluza me fotografinë e tij pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj të dielën, më 17 shkurt të vitit 2008. Mbishkrimi në bluzat ishte ″Bac u kry”, duke iu referuar shprehjes së përdorur gjatë homazheve në varrin e tij me rastin e shpalljes së pavarësisë, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së Adem Jasharit. / KultPlus.com