Djali që humbi babanë në tërmetin e 2002-tës në Gjilan: Ku ishit atëherë, apo ndoshta atëherë nuk ekzistonte like, për t’i bërë marketing vetes



Tërmeti që në vitin 2002 goditi qytetin e Gjilanit, la një person të vdekur, derisa pati edhe shumë pasoja materiale.

Djali i burrit që vdiq vite më parë në Gjilan, ka bërë një postim prekës, duke kujtuar kohën e atëhershme.

Gyner Muja, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ka kaluar nëpër sfidat që momentalisht kanë banorët e Shqipërisë.

Ai shton se është i kënaqur që sheh njerëzit duke ndihmuar popullin pas tërmetit shkatërrues në Durrës.

Megjithatë, Muja ka kujtuar edhe se në vitin kur kishte ndodhur tragjedia në Gjilan, biznesmenë, politikanë, e këngëtarë nuk i dolën në ndihmë të prekurve, e as familjes së tij. Ai tutje, ka thënë se kishte mbetur pa u shkolluar, derisa, ishte detyruar që të punonte qysh në moshë të re për të siguruar jetesën.

Gyner Muja ka shkruar se në vitin 2002 ishte organizuar edhe një koncert bamirësie për familjen, por, thotë se të hollat e mbledhura nuk ju ishin dorëzuar asnjëherë.

Postimi i plotë i Gyner Muja:

I gezuar apo i hidheruar?

Termeti dikur ne Kosove e tani ne Shqiperi. Nuk jam i sigurt me kete shkrim se eshte koha adekuate te shkruaj apo jo,por i bindur ne mirkuptimin tuaj te pakten per te besuar se ne diqka te tille kam kaluar dhe une.
I kenaqur, madje i perlotur nga gezimi me ato qe po shohe keto dit popullim tim te organizuar ne maksimum per ti dalur ne ndihme popullit ne shqiperi te prekur nga termeti qe ndodhi pak dite me pare ne Durres.
I merzitur shum me jetet qe mori ky termet i kobshem,madje duke shuar edhe familje e duke shkatruar gjithqka qe kishin para vetes.
Ndihmat po vazhdojn qdo dit,qdo moment pa asnje dyshim bravo bravo. Mirpo mund te ju pyes ju biznesmen, politikan, vipa, kengetar etj eti ku ishit ju ne 2002 kur Gjilani u perfshi nga termeti, sa i dolet ndihme vendit dhe qytetarve tuaj. Nuk keni pas nevoj me pagu as taksen prej 5 eurove, as me hargju derivate per furgona, madje as me kalu ndonje kufi
Per ju qe keni harruar ne termetin e 2002 ishte vetem nje viktime (BABI IM) te me falni ku ishit ju. Apo ndoshta ateher nuk egzistonke Like, folloë, sponsored,facebook e instagram per ti be marketing vetes.
Faleminderit qe fale ( ndihmes ) tuaj une mbeta mbes 2 deshirave SHKOLLIM APO PUNE. Faleminderit per (ndihmen) tuaj qe une ne vend se te shkollohesha e te mbaja mendjen te mesimi une u desh te kujdesesha per kameren timen qe mbaja nen bank qe pas mesimit te shkoja ne pune.
Faleminderit edhe atyre qe perdoren foton time u ulur ne lagjen time kur isha duke pritur te dergoja Babin tim per ne varreza ata organizuan koncert bamiresije per familjen time e qe ne fund as ata e as ato para nuk i kemi par kurre.
PER FUND VAZHDONI NDIHMONI BASHK ME JU DHE UNE. E MOS HARRONI SE NE SHQIPERI ISHIN EDYE DY DJEM NGA GJILANI QE U VARROSEN SOT.

Tërmeti me i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit më datë 24 prill 2002, kur një person humbi jetën dhe u shënuan dëme të mëdha materiale me Magnituda 5.7 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 8 ballë të Merkalit./ KultPlus.com

Shqipëria më 1801 e më 1901

Nga: Faik Konica

Ahere Shqipëria, sundimërisht, ish po thua më vete. Kara Mahmuti sipër, Ali Tepeleni poshtë, e sundojin Shqipërinë pa kërkuar urdhëra nga Stambolli. Sot kemi mi krye ca Anadollakë qi nuk kanë tjatër mendim e tjatrë punë. Ahere, emri shqipëtar ish i njohur kudo n’Evropë si i një populli me gjuhë, me zakone, me mendime, të veta. Sot për kundrë, erësia ku na ka lidhur Stambolli, e ku na mban poshtërsia e karakterit t’onë, u dhanë sy e forcë kombeve fqinje të na kllasin djallëzit e tyre e t’i japin të besojë botës se komb shqipëtar nukë ka

Si ish vëndi ynë qint vjet më parë e si është sot? Ndryshim i madh, të cilin d t’jua rrëfejmë në pakë fjalë.

Ahere Shqipëria, sundimërisht, ish po thua më vete. Kara Mahmuti sipër, Ali Tepeleni poshtë, e sundojin Shqipërinë pa kërkuar urdhëra nga Stambolli. Ata vetë i emërojin gjithë nënurdhërit e guvernës, të cilët ishin të gjithë shqipëtarë.

Sot kemi mi krye ca Anadollakë qi nuk kanë tjatër mendim e tjatrë punë, përveç të dobësojën vëndin e të shuajnë kombësinë t’onë. Ahere, emri shqipëtar ish i njohur kudo n’Evropë si i një populli me gjuhë, me zakone, me mendime, të veta. Librat e shkronjëtorëve t’asaj kohe janë plot me dëftime të tilla.

Sot për kundrë, erësia ku na ka lidhur Stambolli, e ku na mban poshtërsia e karakterit t’onë, u dhanë sy e forcë kombeve fqinje të na kllasin djallëzit e tyre e t’i japin të besojë botës se komb shqipëtar nukë ka. Ashtu, ne qi njëqint vjet më parë ishim kombi m’i gjall e m’i fuqishëm i Ballkanikut, jemi sot për sot kombi m’i sëmur e m’i dobëti. Ahere gjuha shqipe flitej kudo në Shqipëri: rreth vatrës, në trek, në shtëpi të guvernës (huqumet); edhe sikur të kishin patur mënt të parët t’anë, pa farë vështiret kishin bërë qindëra shkolla në gjuhë shqip.

Tani, prapë shumica e Shqipëtarëve të ndershëm shqip flasin e Shqipëtarë mbahen. Po ca harbutë, ca zuzarë të lindur prej nënash shqipëtare, po prej Atësh a Anadollakë a fare të panjohur, bëjnë sikur e harruan shqipen, kërkojnë me pahir të na kllasin gjuhën e mundësit dhe i ndihin armikut të na e shuajë gjuhën t’onë. Nuk u ndryshua vetëm puna e sundimit e e gjuhës. U ndryshua aq, edhe më tepër, puna e begatimit.

Një qint vjet më parë, tregëria, bujqsia, ishin në lulëzim të bukur. Të marëdhënat ishin të lira – jo si sot që Anadollaku i ndalon shumë tregëtarë të venë e të vijnë, duke rënduar pagat e bakshishet, duke kërkuar pasaporte e tezqerera, duke pyetur ku vete e pse vete e mos ke ndonjë mendim të pshehtë. Bota e punonin dhenë; i varfëri kish tokën e tija e e shtrëngonte t’i nxjerë grur e bukë. Sot një mij shkake, një mij ndalime, e shkretuan bujqsinë; Shqipëtari nukë punon më dhen e tija; arat janë kudo të shkreta, e një erë përjashtimi po i fryn qi i shtyn përjashtë Shqipërisë, në vise të huaja, më të mirët punëtorë.

Më 1801, Shqipëria kish nja pesëdhjetë shtëpi bejlerësh të vjetër e disa oxhakë të krishterë, qi kishin dashurin’ e vëndit, jetojin në Shqipëri, e mbajin kudo si një vatër rreth e rreth së cilës mblidheshin e ngroheshin të varfërit edhe të tjerët. Tani oxhakësia u prish e u shua. Të paka shtëpi të vjetëra kanë mbetur. Zuzarësia edhe harbutëria i largon bejtë e i heq në Stamboll. U vjen më mirë të venë e t’u lëpijnë këmbët Anadollakëve, të bëjnë poshtrësira edhe të fitojnë ca ergjënt, se të rojnë në Shqipëri të vobekë por me nder e me hie.

Ashtu ka qënë. Kështu është.

Ne, Shqipëtarët e anës kombëtare, nukë kemi tjatër mendim përveç t’a heqim Shqipërinë nga balta. Kërkojmë të jetojë kombi yn me gjuhë të tij, me mendime e me nder të tija. Sa Shqipëtarë janë të ndershëm, do të mbajnë të gjithë me anën kombëtare. Ata qi janë zuzarë, shpirtrobër, e bij kurvash, le të mbajnë me anët e tjera.

“Albania”, 1901 /KultPlus.com

Biznesmeni Samir Mane dhuron 1.2 milion euro për të dëmtuarit nga tërmeti

Biznesmeni shqiptar, Samir Mane, ka vendosur të dhurojë 1.2 milionë euro për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të 26 nëntorit, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Gjithashtu, presidenti i Grupit Balfin, Mane, së bashku me Bordin Drejtues dhe kompanitë përkatëse, kanë vendosur që, përveç kësaj shume, t’iu vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti edhe me mjetet e nevojshme e baza ushqimore.

“Bordi Drejtues i Grupit Balfin nën kujdesin e veçantë të presidentit Samir Mane, dhe kompanitë përkatëse të Grupit vendosen sot që të akordojnë shumën prej 1.2 milion eurosh për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.

Përveç kësaj shume të akorduar, kompanitë e Grupit Balfin, si Spar, Neptun, Jumbo, etj, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës, e kështu me radhë, që në ditën e parë, i kanë qëndruar pranë banorëve të pastrehë, duke u ardhur në ndihmë me mjetet e nevojshme dhe bazën ushqimore. Grupi Balfin bën të ditur se ndihmat e Grupit do të vijojnë çdo ditë”, thuhet në njoftim. /BW / KultPlus.com

Kurti në ‘vatrën’ e tragjedisë në Durrës: Jemi një komb, ndihmën e kemi obligim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti mëngjesin kësaj të premte ka vizituar nga afër të prekurit e tërmetit në Durrës. Në një prononcim për “News24”, kreu i VV-së tha se të gjithë janë tronditur nga kjo fatkeqësi natyrore, ndërsa theksoi se të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin duke shtuar se ndihma është një obligim kombëtar.

“Të gjithë shqiptarë jemi tronditur nga ky tërmet i tmerrshëm që ka goditur zonën e Durrësit. Fillimisht ishim të përfshirë nga ankthi i kërkim shpëtimit, të atyre që kishin ngelur nën gërmadhe, por tani duhet të kemi sa më shumë solidaritet për jetën e vështirë, për jetë shumë të rëndë të atyre që shpëtuan, qofshin familjarë të viktimave ose të tillë që nuk kanë pësuar. Jetesa është shumë e rrezikshme në këto ndërtesa, të cilat janë kaq të brishta pas dy valëve të fora të tërmeti, këtij të fundit por edhe atij të shtatorit”, tha Kurti.

Ai gjithashtu tha se “Kemi një sensibilizim shumë të madh të qytetarëve të Kosovës edhe për t’i marrë qytetarët e Durrësit, por edhe zonat e tjera ku ka pasur dëmtime, është kjo një rikthim të asaj çfarë shqiptarët kanë bërë, do ta shikojmë në këtë formë apo është thjesht një detyrim moral dhe kombëtar?”.

“Pavarësisht se çafër ka ndodhur në të kaluarën, shqiptarët gjithmonë e ndihmojnë njëri-tjetrin, sepse jemi një komb dhe besoj që kjo përkrahje që bëjmë, e japim dhe marrim është një detyrë kombëtare, prandaj këtu duhet të bëjmë më shumë punë se sa falënderime, sepse ta ndihmojmë njëri tjetrin e kemi obligim. Ndihma për njëri tjetrin nuk është dhuratë, por është obligim, por është e rëndësishme që të jetë sa më e organizuar. Unë dje kam pasur një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozin dhe me komandantin e FSK, gjeneral lejtnant Rrahman Ramën, dhe ky i fundit ishte i gatshëm dhe i interesuar që FSK ta marrë përsipër aspektin organizativ dhe logjistik, meqenëse kjo ndihmë nuk bën të shkojë dëm, por duhet të ketë efikasitet në grumbullim dhe në shpërndarje”, përfundoi ai. / KultPlus.com

Përvetësuan ndihmat për banorët e prekur nga tërmeti, arrestohet Shefi i Rendit në Rinas, një efektiv dhe një zjarrfikës

SHÇBA arreston 2 punonjës policie, 1 punonjës të shërbimit zjarrfikës, si edhe procedon penalisht 2 shtetase për veprat penale të “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar mbrëmë në flagrancë shtetasit: 

– A.Z., me detyrw Shef i Seksionit të Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, për veprën penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”.

– E.H., me detyrë Komandant skuadre në Seksionin e Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

– A.T., me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë PMNZSH Kombinat, për veprën penale të “Mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V.Z. dhe Sh.T. për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim. 

Procedimi i tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.

Materialet hetimore proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të mëtejshme.

SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë në numrin jeshil 0800 90 00, për çdo rast abuzimi të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke garantuar reagim të shpejtë e në kohë. /Shqiptarja.com / KultPlus.com

Letra e një çami: Sot mbetëm me turp, ata na thonë “vëllezër e motra”, po ne si i trajtojmë kosovarët?

Më poshtë gjeni një letër të shkruar nga një çam, autor që është pronar i një hoteli të rrënuar në Shqipëri.

Letra:

Fjalia qe kam patur me shume tmerr te artikuloj ka qene “pushuesit kosovare”! Me kane pyetur jo pak here se cfare jane pjesa me e madhe e pushuesve qe na frekuentojne, gjithnje u jam pergjigjur “te huaj dhe shqiptare te kosoves” madje edhe regjistrimin e pashaportes se tyre ne sistemin e hotelit e kam bere “shqiptar” asnjehere “kosovar”! Kohen e luftes ne shtepi kemi mbajtur nje familje me plot halle,kemi ndare gezimin tone me ta dhe ata hidherimin e tyre me ne,kemi ndare buken bashke ne nje tryeze! Degjoja shpesh “aman mos me trego mua kosovaret se jane te pabese,do i mbani me buke por do ikin e as emrat tuaj nuk do kujtojne me”!

Sot ata erdhen ne heshtje, pa buje pa kamera,pa lajmerime,erdhen per te ndare sot me ne dhimbjen tone…Po ne sot mbetem pa fjale perballe tyre dhe plot turp: ata edhe pushimet i kalojne tek ne per te mos ia dhene dikujt tjeter ato para,ne cfare bejme???? Ata edhe ne stadiumin e tyre ngrejne flamurin kuq e zi, po ne cfare bejme???? Ata na thone “vellezer e motra” po ne cfare u themi atyre???? Shpirtmadhesia jone vdiq pas viteve ’98-’99, njerezit u bene si kafshe dhe nisen te shqyhen mes tyre per nje mur,per nje oborr,per dy rrenje ullinj…Nxorrem dhembet ndaj vellait,motres,femijes,mikut,komshiut…u transformuam ne armikun e gjakut tone,disa zgjodhen te ikin larg Shqiperise per te mos rene ne kete kategori njerezish se me keqardhje e them:po behej mese e natyrshme te ishe kesisoj njeriu!!!

Ne shkaterrojme vendin tone,pronen tone,perdhosim emrin tone neper bote,madje ne te shumten e rasteve u beme Maria nga Mejreme dhe mohuam origjinen tone per nje vend pune,per nje grusht para…Kjo eshte gjeja me e shemtuar qe dikush i ben vetes dhe kombit te tij-te mohosh gjenezen eshte sikur te mohosh nenen qe te lindi!!! Ja,kesisoj njerezish u beme ne- lepijme doren e atij qe na trajton si kafshe e qe na pi gjakun ne pune dhe kafshojme doren e atij qe na mban me buke e qe na ofron strehe! Ne po pranojme mbi kurrizin tone lloj-lloj mashtrimesh,padrejtesish,ligesish,vjedhjesh,etj etj etj, po i pranojme dhe nuk po ngreme krye as per te pare driten e diellit! Po na shkulet zemra vendit tek shohim femijet tane qe mezi i rritem,te ikin neper bote ne kerkim te nje jete me te mire…dhe heshtim,pranojme cdo lloj dhimbjeje dhe mallkimi! Ne jemi bere si ai uji i ndenjur qe qelbet e vjen ere,e Zoti lart po zemerohet kaq shume me ne dhe me mendjet tona!!!

Me falni o njerez,por personalisht mendoj se keto jane sinjale te Zotit per reflektim,per vetegjykim,per veteveprim! Shikoni brenda vetes me shume me teper dashuri dhe besim,sepse dashuria lind nga brenda vetes dhe reflektohet tek te tjeret! Mos dashuroni makina,çanta,shtepira dhe bizhuteri- dashuroni njeriun!!! Mos e zemeroni Perendine me shume se dite me te keqija mund te perjetojme nese vazhdojme keshtu! Pse duhet te kemi nevoje per nje tragjedi te tille,qe te tregojme miresine qe kemi brenda nesh???? Perse duhet te perjetojme dite tmerri si keto per te treguar qe sic dime te duam ne askush ne bote nuk di ta beje???

Perse duhet ta shohim vdekjen me sy qe ta kuptojme vleren e vertete te jetes? Ata qe na vjedhin cdo dite,ata qe nuk kane miresi ne shpirt,ata qe nuk kane as din e as iman,sot bejne sikur qajne por nga xhepat e tyre nje cent s’e dhane!!! Shqiptare kudo qe jeni neper bote,vetem nje gje te dini te beni: te doni me shume dhe cdo dite njeri-tjetrin,me pas Zoti serish do na doje me shume neve! Me lot ne shpirt,me gur ne zemer,ju themi qe hapim dyert e hotelit per te ofruar strehe per familjet ne nevoje! Zoti na ndihmofte!

Autori eshte pronari i nje hoteli ne Shqiperi (Marrë nga “Gazeta Shqiptare”) / KultPlus.com

Arrestime e procedime penale për lajme të rreme në medie dhe rrjete sociale

Krahas telasheve me tërmetin dhe tragjedisë njerëzore nga humbja deri tani e 49 viktimave, policia e shtetit është në punë të shtuar duke bërë hetime se kush media, portal apo person në rrjetet sociale po krijon panik apo poston lajme të rreme.

Pas procedimit penal ndaj ndaj administratorëve të  portalit popullor “Jeta Osht Qef”, Ereland Dalliu dhe Gentian Çengeli, policia njofton se ka arrestuar arrestuar një person në Durrës për përhapje paniku . Drejtoria e Antiterrorit arrestoi në flagancë shtetasen Xhuljana Aliaj, 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Ja njoftimi i plotë i policisë:

Policia e Shtetit

Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit në vijim të masave të marra për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të atyre personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese, ka vijuar intensivisht punën në evidentimin, dokumentimin dhe ndëshkimin ligjor të çdo rasti.

Në këtë kuadër, Drejtoria e Antiterrorit arrestoi në flagancë shtetasen Xhuljana Aliaj, 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Gjatë monitorimit të burimeve të hapura (rrjeteve sociale) nga struktura të Drejtorisë së Antiterrorit është konstatuar se shtetasja Xhuljana Aliaj, ka postuar nga profili i saj në rrjetin social “Facebook”, në linkun https://www.facebook.com/xhulja.aliaj shkrime me përmbajtje të rreme dhe jo të vërteta, duke kryer kështu përhapje të panikut nëmërmjet efekteve të këtyre lajmeve.

Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me strukturat e tjera të specializuara në Policinë e Shtetit kanë evidentuar edhe raste të tjera për të cilat në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve përkatëse po vijon  me procedimet penale dhe për çdo rast do informohet media e publiku.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të lajmeve  që shpërndahen në rrjete sociale, të cilat krijojnë panik dhe fton cilindo që has në të tilla njoftime paniku të njoftojë menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 112, apo në Komisariatin Digjital. /KultPlus.com

“Mos më nxirrni jashtë, unë dua të vdes në krahët e vajzës sime”, fjalët e fundit të Diena Karaxhës

Media britanike “Mirror” i ka kushtuar një artikull Diena Karanxhës, 30-vjeçaja nga Durrësi e cila mbeti viktimë nga tërmeti bashkë me vajzën e saj 8 vjeçe.

“Një nënë e goditur nga tërmeti në Shqipëri iu lut ekipeve të shpëtimit që ta linin të vdiste në krahët e së bijës, pasi vogëlushja u vra gjithashtu”, e nis kështu artikullin “Mirror”.

“Diena Mecaj Karanxha, 30 vjeç, thuhet se u gjet në rrënojat në qytetin e Durrësit në Shqipëri pasi një ndërtesë gjashtë katëshe u rrëzua gjatë tërmetit të 26 nëntorit. Diena u raportua se u gjet me trupin e vajzës së saj të vdekur Esiel, e cila kishte ndërruar jetë 12 orë më parë. Ajo thuhet se u ishte lutur ekipeve të shpëtimit, duke thënë: “Mos më nxirrni jashtë, unë dua të vdes në krahët e vajzës time”.

Mediat lokale raportojnë se Diena vdiq nga një hemorragji gjatë rrugës për në spital.

Burri i saj, Dorian Karanxha ka vdekur nga një sulm në zemër në vitin 2015 dhe ajo i kishte kushtuar jetën e saj për të rritur vetëm vajzën e tyre.

Diena postoi foto të tij me titullin: “Dita e babait. Sa do të doja që të ishe këtu me Esielin tonë të dashur, të cilës i mungon kaq shumë”.

“Shumë njerëz quhen” baba “por ti ishe nga të paktët që me të vërtetë meriton të quhesh baba. I mirë, i dashur, i ëmbël, ke pasur një zemër shumë të madhe. Unë do të të dua përgjithmonë”.

Sipas mediave lokale, të dy nëna dhe vajza do të varrosen në fustane nusërie”, është ky artikulli i plotë nga Mirror. / KultPlus.com

“Shumë kemi rezistuar e vuajtur, shumë do rezistojmë, por as do thyhemi as do dorëzohemi as do zhdukemi”

Nga: Darien Levani

Sot më doli gjumi pak herët. Si të gjithë ne, fle pak dhe fle keq. Shtrihem i shqetësuar, çohem i frikësuar se mos ça ka ndodhur ato pak orë që gjumi i merr jetës. Për ironi, është edhe 29 nëntori: është festë, por nuk është festë. Akoma përgjumshëm, pashë lajmet, e pashë këtë fotografinë: nuk e di se kush e ka bërë e më vjen keq që nuk e citoj dot.

E më bëri të mendoj se kush jemi e pse jemi. E më bëri të mendoj çfarë kemi hequr e çfarë kemi fituar. Ditën e parë që nazistët hyjnë në Shqipëri, pushkatojnë 8 fshatarë. Kot, sa për të treguar që nuk e përtojnë fare. Është flamuri që Dedë Gjo Luli ngre në Malësi në vitin 1911, pastaj i ngulin thikën pas shpinës. Mu kujtuan dy luftanije britanike që ndalen para Ulqinit e bombardojnë qytetin, sepse ne nuk dorëzojmë as Pllavën e as Gucinë, e as nuk u ulim këtë të bekuar. Është flamuri që ngre Gjergj Kastrioti kur nis një luftë, kundër perandorisë më të madhe që ekziston. Pa asnjë mundësi fitore, pa asnjë shpresë që do ja dali, thjesht sepse është e drejtë e sepse është shqiptar. E që pastaj, kur humbasim, rri fshehur nën sunduqe për disa shekuj, sepse të gjithë e dimë që herët a vonë do e ngremë përsëri. Ja edhe një shekull, ja edhe një tjetër, iku edhe ky, por herët e vonë, herët a vonë, do e ngremë, posi jo. “Ata hiq, e ti vur, kështu ka qenë qëkur” (Cit.)

I kemi parë të gjithë nëpër shekuj: nga romakët me shpatat e gjata dhe pelerinat e purpurta, tek gjermanët me armët modern e me luftën rrufe. Na kanë sharë, na kanë therur, na kanë vrarë e na kanë prerë. Na kanë mohuar edhe gjuhë edhe komb edhe flamur edhe emër. Por, si përfundi, ne aty ishim e aty ngelemi. Të gjithë kanë ardhur me shamatë e me projekte të gjata se nuk e dinin se çfarë halli po i hapnin vetes, e të gjithë kanë ikur me bisht nëpër shalë. Jo se kemi luftuar gjithmonë, jo se kemi rezistuar gjithmonë, por të gjithë kanë ikur e kush nuk ka ikur i ka lënë kockat aty.

Ka diçka te ne si shqiptarë, diçka të ashpër e naive që nuk duron e nuk dorëzohet kurrë, se nuk dorëzohet dot. Nuk thyhemi, thjesht përkulemi për momentin. Nuk shitemi e as nuk blihemi, thjesht pranojmë e presim. Nuk dorëzohemi, thjesht e lëmë një sekond mënjanë atë muhabetin e betejës. Herët a vonë, gjërat do shkojnë ashtu si i duam ne. Quajeni kokëfortësi, quajeni budallik, quajeni krenari, quajeni si të doni, por është në gjakun tonë.

Shumë kemi rezistuar e vuajtur, shumë do rezistojmë e do vuajmë përsëri. Por as do thyhemi as do dorëzohemi as do zhdukemi. Gëzuar 29 nëntorin. Gëzuar Shqipërinë. /KultPlus.com


Humbi njerëzit e dashur nga tërmeti, këngëtarja Evi Reçi përlot me fjalët plot dhimbje

Tërmeti që tronditi Shqipërinë mëngjesin e së martës, rrënjosi dhimbjen në zemrat e njerëzve, pasi la pas shumë viktima.

Këngëtarja e njohur Evi Reçi, u përball me humbjen e familjes së xhaxhait, e cila fatkeqësisht u shua nën rrënoja.

Xhaxhai i saj Eduard Reçi bashkë me të shoqen, Dolorën dhe dy fëmijët Kristi dhe Klaus, u nxorrën të pajetë nga një pallat 6 katësh i shembur në Durrës.

Përpos familjes së xhaxhait, Evi ka humbur dhe mikeshën e saj.

Bëhet fjalë për piktoren Diene Karanxhaj, e cila fatkeqësisht nuk i mbijetoi dot katastrofës natyre, bashkë me të bijën 8 vjecare, Esielën.

“Të pranosh të papranueshmen. Me ndodhi dhe mua. I ndodh kujtdo. Sa e çuditshme! Në momente të vështira dhe të dhimbshme, të rikthehen në mendje kujtimet më të bukura… Ashtu mu kujtua dhe Kristi im, që kërcenim dhe këndonim bashkë, ashtu dhe Klausi që qante që se merrnim me vete se ishte i vogli e ne të “mëdhenjt”, ashtu dhe Axha Edi që humori verior ishte në çdo fjalën e tij, ashtu dhe Dolora që dedikoi jetën për familjen e saj.

Po ashtu me rikthehu kujtimet dhe Diena, shoqja ime e fëmijërisë… dilnim, bënim thashetheme, ndanim sekretet. Siç ishte në fillim dhe ‘sekreti’ për dashurinë tënde, për Dorin që me pas të pikturoi jetën me portretin e Esielës e vogël që tu bë motivi i jetes. Ishit të gjithë bashkë. Një pse e madhe, një boshllek i madh.. Zemrën e kam plagë! Një faleminderit për të gjithë ju që më keni shkruar dhe me keni qëndruar afër çdo moment me dashurine dhe dashamirësine tuaj. Zoti ju bekofte” shkruan në postim Evi duke treguar dhimbjen e madhe. /KultPlus.com

Në Prizren vihet guri themeltar për shtatoren e Skënderbeut

Autoritetet komunale të Prizrenit bashkë me përfaqësuesit e institucioneve, të organizatave dhe veprimtarë të ndryshëm të enjten kanë vendosur gurin themeltar për ndërtimin e shtatores së Skënderbeut, në rrethin afër Stacionit të Autobusëve në Prizren.

Në të njëjtën kohë, kanë paralajmëruar se në këtë lokacion në muajin mars të vitit të ardhshëm do të vendoset shtatorja dhe se do të nisë procedura që ky shesh të marrë emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, para gazetarëve ka deklaruar se “më 28 nëntor në mënyrë simbolike vendosëm gurin themeltar të shtatores së Skënderbeut, së bashku me organizatën ‘Trojet e Arbrit’, që bashkë me artistët do ta realizojnë këtë shtatore”.

“Jemi dakorduar që këtu të bëhet sheshi Skënderbeu, pasi Prizreni ka nevojë për një shesh tjetër. Në mars të vitit 2020 do ta kemi shtatoren gati dhe do ta vendosim këtu”, ka thënë Haskuka.

Ndërsa kryetari i shoqatës “Trojet e Arbrit”, Nue Oroshi, ka theksuar se Gjergj Kastrioti po kthehet në Prizren dhe ka falënderuar autoritetet lokale që kanë marrë një vendim të tillë. /Koha.net /KultPlus.com

Foto nga Shqipëria që u bë lajm në mediet botërore


Pikërisht një foto e Reuters, agjencisë britanike të lajmeve, është bërë virale në rrjetet sociale e mediat e huaja.

Ajo tregon një punonjës të ekipeve të shpëtimit teksa ngre flamurin shqiptar mbi rrënojat e një godine në Durrës pikërisht me 28 Nëntor 2019, që është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo është bërë foto hit në botë nga të gjitha agjencitë e lajmeve dhe disa media kryesore. / KultPlus.com

Ky është i moshuari që Edi Rama e quan shqiptarin më të pasur në botë

Kryeministri i Shipërisë, Edi Rama, në një lidhje direkte, tha se atë e kishte prekur shumë një qytetar nga Medvegja i cili i kishte dhuruar 10 euro nga pensioni i tij.

Rama e quajti të moshuarin nga Medvegja si pasanikun më të madh, duke shtuar tutje se ai e ka vendin në parajsë.

“Unë lodhjen e kam fizike nuk e kam mendore, ju e keni mendore se rrini në studio. Unë kam pas fatin sot që të njoh njeriun më të pasur të shqipërisë dhe këtij kombi është një burrë i cili fliste nga Medvegja, më ka lënë pa zhurmë dhe jam shumë i lumtur dhe do shkoj ta takoj në Medvegjë atë njeri, ai kishte kyrsuer 10 mijë lek nga pensioni i tij. Ua them biznismenëve që është rasi i tyre i jetës që ti bëjnë vetës një paraqitje më dinjitoze kur shkojnë tek Shën Pjetëri. Unë paratë do i nxerrë nga dheu i këtij kontinenti dhe i kontinenteve tjera. Patriotët janë pikësisht ata që bëjnë në atë moment që bëri ai, pasaniku më i madh është ai, e ka vendin në parajsë”.

Qytetari nga Mevegja, i cili kishte ardhur në Prishtinë për të dhuruar 10 euro nga pensioni i tij, kishte bërë bujë gjatë ditës së djeshme për solidaritetin e tij. /KultPlus.com

Kryeministri Rama kërkon ndihmë nga Turqia dhe Arabia Saudite

Ku do të kërkojë mbështetje financiare Shqipëria për të rindërtuar banesat e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit?

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është shprehur në emisionin Open se ka komunikuar me presidentin e Turqisë Erdogan dhe i ka kërkuar atij një konferencë donatorësh në lindje dhe perëndim.

“Europa? Është Arabia Saudite, Turqia ku drejtojnë miqtë e mijë. I jam drejtuar edhe Australisë edhe Izraelit.

Kam folur me presidentin turk për një konferencë donatorësh me vendet e lindjes, një konferencë donatorësh me vendet e perëndimit”. /KultPlus.com

Profesori amerikan flet për tërmetin në Shqipëri

Profesor Ross Stein, drejtor ekzekutiv i kompanisë Temblor Incorporated, thotë se tërmetet nuk mund të parashikohen por në vend të kësaj është e nevojshme të përcaktohen prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Profesor Stein tha se rajonet rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe janë zonat ku duhet përqendruar vemendja. Puna e kompanisë Temblor në Shqipëri dhe Ballkan financohet nga zyra amerikane e ndihmës për fatkeqësitë ndërkombëtare.

Profesor Stein, a ishte tërmeti në Shqipëri diçka që shkencëtarët e kishin parashikuar në një farë mënyre?

Profesor Ross Stein: Në një kuptim të gjerë, po. Nga pikëpamja sizmike, kjo është pjesa më aktive e rajonit të Ballkanit dhe në fakt ka një histori tërmetesh më të mëdha e më të shpeshta, edhe më të shpeshta se sa Italia. Për nga aktiviteti vjen ndoshta vetëm pas Greqisë veriore në Evropë.

Si do ta krahasonit tërmetin e tanishëm me tërmetet që kanë goditur Ballkanin në të kaluarën?

Profesor Ross Stein: Natyrisht, tërmeti i vitit 1963 që goditi Shkupin, rreth 165 kilometra në lindje të këtij tërmeti, ishte shumë më shkatërrimtar megjithëse ishte mjaft më i vogël. Ai ishte sa një e pesta në përmasa, por mori 10 herë më shumë jetë dhe pothuajse e shkatërroi plotësisht Shkupin. Pra, fatmirësisht, ky tërmet, ndonëse më i madh, bëri më pak dëme, ndoshta sepse ishte më larg qëndrave të mëdha të banuara.

A ka Shqipëria një histori të pasur me tërmete?

Profesor Ross Stein: Shqipëria ka qenë mjaft aktive gjatë kohërave dhe ekzistojnë të dhëna për tërmete që datojnë nga viti 1000 i Erës Sonë, të cilët tregojnë se ky është një rajon ku, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, mund të presim tërmete të mëdhenj në të ardhmen.

Çfarë tregojnë rrudhat e terrenit apo vijat tektonike që përshkojnë këtë rajon?

Profesor Ross Stein: Më lejoni të kthhem pak prapa. Arësyeja që Shqipëria është kaq e bukur është sepse ajo ka një topografi të mrekullueshme me kodra dhe lugina dhe kjo ndodh nga që rajoni ka pësuar shtypje nga lindja dhe perëndimi. Është njëlloj si një qilim, që kur e shtyn nga të dyja anët, ai krijon rrudha. Këto janë ishujt e Kroacisë dhe kodrat apo luginat e Shqipërisë. I tërë rajoni është i shtypur dhe janë krijuar linja tektonike poshtë shumë prej këtyre rrudhave, duke përfshirë atë që u trondit disa ditë më parë.

Besoj se këto janë shenja shumë të rëndësishme për të kuptuar se çfarë mund të sjellë e ardhmja për Shqipërinë, apo jo?

Profesor Ross Stein: E vërtetë. Shkencëtarët kanë kuptuar relativisht vonë se këto rrudha mund të fshehin linjat aktive tektonike poshtë tyre. Pra, këto tërmete ndodhin përgjatë një rrudhe që vjen duke u ngritur me një gjatësi prej rreth 100 kilometrash. Kjo rrudhë fsheh linjën tektonike poshtë saj. Gjatë 10 viteve të fundit, gjeologët kanë filluar të bëjnë hartat e këtyre rrudhave, për të gjetur me përafërsi vendndodhjen e linjave tektonike, gjë na lejon të shpjegojmë më mirë tërmetet që historikisht kanë goditur rajonin dhe të parashikojmë më saktë se ku mund të ndodhin ato në të ardhmen në një kuptim të gjerë.

 Ju thoni “në një kuptim të gjerë”, por njerëzit duan të dinë se kur do të ndodhë tërmeti i radhës. Kjo është një pyetje mjaft e zakonshme që bëhet sot në Shqipëri.

Profesor Ross Stein: Dhe kjo është një pyetje që bëhet kudo. Shpresoj që shkencëtarët të mund të ndihmojnë ose të parashikojnë tërmetin tjetër. Por ne nuk mundemi. Ka një variacion tepër të madh sa i përket përmasave, periudhës nga njëri tërmet te tjetri. Në një farë mënyre, tërmetet ndodhin në mënyrë rastësore në gjithë globin tonë dhe jo rregullisht. Prandaj, asgjë nga ato që kemi gjetur nuk na zbulon se kur do të ndodhë tërmeti tjetër. Edhe ky tërmet u parapri nga 4 ose 5 paragoditje. Ju mund të pyeni: Nëse kishte paragoditje, përse të mos e parashikojmë tërmetin e madh? Mirëpo, nëse shohim këto paragoditje, atë i ngjajnë çdo tërmeti tjetër. Në vend të kësaj, ajo që mund të bëjmë ne është të flasim se cilat janë zonat më të rrezikuara në Shqipëri dhe si duhet t’i ndërtojmë prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet. Rajoni rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe kjo na tregon se pikërisht këtu duhet të përqendrojmë vemendjen tonë.

Si i shpjegoni kaq shumë pasgoditje? A mund të pritet që ndonjëra nga këto pasgoditje të jetë aq e madhe sa të sjellë të njëjtën shkallë shkatërrimi?

Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje e rëndësishme. Nuk është e pazakontë që pas një tërmeti të madh të vijë një tjetër, siç ndodhi me tërmetin e Izmitit në 1999. Prandaj ne duhet t’i themi vetes: Edhe pse ndodhi ky tërmet, rreziku nuk është pakësuar. Në fakt rreziku është shtuar për një fare periudhe të rëndësishme kohe.

Dhe natyrisht pyetja është se për çfarë periudhe kohe bëhet fjalë. Njerëzit duan të dinë. Pyetja tani për tani është nëse duhet të kthehen nëpër shtëpitë e tyre apo të qëndrojnë jashtë dhe të presin deri sa të ndërtohen banesa më të mira.

Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje me shumë rëndësi dhe përgjigja varet nga cilësitë e ndërtesave, sa të forta janë ato. Përgjigja e shkurtër është: Sa më gjatë të qëndrosh jashtë një ndërtese të dobët, aq më mirë. Nuk mund të ketë një moment kur shkencëtarët të thonë: Në rregull, rreziku tani ka kaluar. Rreziku do kohë që të kalojë, kjo kohë mund të jetë një dekadë por mund të shkojë deri në 100 vjet. Këshilla ime është: Ajo që duhet të bëjnë njerëzit tani është të marrin specialistë për të inspektuar ndërtesat e tyre. Nëse cilësia e ndërtimit është e mirë, kthimi nëpër banesa është ndoshta gjëja më e sigurtë. Përndryshe, nëse ndërtesa është e dobësuar, duhet qëndruar jashtë sepse ekziston rreziku që ajo të shembet nga një pasgoditje. /VOA /KultPlus.com

Me rastin e 330-vjetorit të vdekjes së Bogdanit do të mbahet konferencë shkencore

Me rastin e 330-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit do të bëhet rivarrimi simbolik i tij, për të cilin Ipeshkvia e Prishtinës dhe e Prizrenit do të organizojnë konferencë shkencore, shkruan KultPlus.

Pjetër Bogdani është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë filobiblike, i cili i parapriu shumë shkrimtarëve tjerë pas tij.

Bogdani është autor i veprës monumentale “Çeta e profetëve”, me të cilën dha kontribut të madh në teologji dhe letërsi.

Kjo konferencë që i dedikohet atij do të jetë mjaft e pasur me kumtesa nga studiues e njohës të mirë të veprës së tij.

Konferenca do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë me datën 6 dhjetor, kurse me kumtesa do të paraqiten profesor dhe studiues. Këto kumtesa do të jenë të ndara në Filologji, Teologji, dhe Histori, fusha këto ku Bogdani dha kontribut të çmuar.

Anila Omari, Anton Berishaj, Evalda Paci, Kujtim Shala dhe Aljula Jubani do të prezantohen me kumtesa nga Filologjia, për të vazhduar me Don Robert Kolën dhe Don Shtjefën Dodesin në Teologji, kurse në fushën e Historisë do të prezantohen Don Lush Gjergji, Gjon Berisha dhe Mirie Rushani. /KultPlus.com

Lord Bajron: Shqiptarët raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre

Bajroni lindi më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Më 1801 e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Më 1805 Bajroni hyri në Universitetin Cambridge.

Jeta e trazuar e Bajronit e bëri atë arketip të shkrimtarit “romantik” dhe aktualisht shumë besojnë se është pikërisht kjo lloj jete që peshon dhe e bën atë një personazh të paharrueshëm.

Kur më 1798 trashëgoi nga xhaxhai pronën e Newstead Abbey, afër Notingamit, djaloshi Bajron u bind se të qenët pjesëtar i aristokracisë së Regencës (Mëkëmbësisë), do t’i lejonte të merrte revanshin për poshtërimet e pësuara në fëmijëri.

Sidoqoftë ai kërkonte tashmë të afirmohej me të gjitha mënyrat. Në makthet nga pamja fizike, më 1810 arriti të thotë, pasi kishte kapërcyer me not Helespontin, se ajo ishte ndërmarrja më e madhe e jetës së tij. I çliruar nga vargonjtë e varfërisë, u lëshua në një karrierë ngashnjyesi, çdo episod i së cilës dukej si një sfidë ndaj koncepteve të kohës.

Lidhjet e tij të më pasme godasin gjithnjë e më shumë shoqërinë e mirë, në të cilën, pa u kujdesur për skandalet, poeti gjeti të dashura pasionante të personazhit të tij.

Çmimi i paguar nga Bajroni për këtë rebelim të vërtetë e personal seksual do të jetë egzili:

Ai e la  Anglinë për në Itali në prill 1816, dhe nuk u kthye më kurrë. Por u ngushëllua shumë shpejt me kënaqësitë dashurore që iu dhuronte Venecia.

“Shtegtimi i Çajlld Harolldit” është puna letrare më e madhja e Bajronit. Vetë autori thotë në dedikimin e këngës së katërt se është “më e gjata, më e menduara dhe më e kuptuara nga hartimet e mia”. Ai vizitoi shumw vende duke pwrshkrua karakteristikat e tyre, por Shqipwria i la mbresa të thella Bajronit.

Te shqiptarët ai pa një shpirt të veçantë, i cili ndezi imagjinatën e tij poetike për tema ekzotike. Në shënimet e mbajtura, kur ishte në Shqipëri, për poemën “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, ai shkruante për shqiptarët: “Më tërheqin shumë me atë ngjashmërinë e tyre me Hajlanderët e Skocisë, në veshje, në pamje dhe në mënyrën e jetesës. Si kujtim ai mori një kostum tradicional shqiptar, ky kostum ka një histori më të gjatë. Ai aktualisht është i ekspozuar në Bowood Estates, Angli. /KultPlus.com

Rita Ora ndihmon familjen Sala për t’u riparuar, fton shqiptarët që të kontribuojnë

Këngëtarja shqiptare Rita Ora, ka publikuar një status në Facebook përmes së cilit bën të ditur se ka zgjedhur bashkë me kryetarin e Tiranës Erion Veliaj që t’i ndihmojë familjes Sala, pas dëmeve që i shkaktojë tërmeti i fundit.

Ajo fton gjithë shqiptarët që të mobilizohen për t’ju dalë në krah të prekurve nga kjo fatkeqësi natyrore.

Postimi i plotë i Rita Orës:

Gëzuar ditën e flamurit Shqipëri, Ditëlindjen time të fundit e

Bashkë me kryetarin Erion Veliaj kemi vendosur të zgjedhim një familje që ta ndihmojmë për rindërtimin e shtëpisë pas dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i fundit në Shqipëri.

Erioni është udhëheqës i vërtetë dhe unë e respektoj çdo udhëzim të tij. Sugjeroj që kushdo që të mundet ta gjejë një familje për ta ndihmuar.

Familja që unë e kam zgjedhur është familje Sala, të cilën do ta ndihmojmë për t’u riparuar.

Ju lus që të klikoni në këtë link. https://e-albania.al/donate/ 

Me krejt dashurinë, Rita /KultPlus.com

Flamuri gjigant nga Fieri i jep ngjyra kuq e zi Mitrovicës

Një flamur kombëtar gjigant kuqezi, e ka mbuluar ndërtesën përballë urës së Ibrit në Mitrovicë. Flamujt kombëtarë valojnë gjithandej, megjithëse mbretëron qetësi që nuk është karakteristikë e festës kombëtare.

Në rrethana tjera, në një ditë si kjo, ky shesh do të gumëzhinte nga muzika. Por, nën dhimbjen e tragjedisë së Durrësit, festa është e zymtë, raporton KTV.

Të gjitha aktivitetet e planifikuara janë anuluar. Por, Kristaq Ziu mendon se asnjë fatkeqësi e çfarëdo lloji nuk mund ta ndalë kombin shqiptar që t’i kujtojë ditët historike. Ai solli flamurin nga Shqipëria dhe e vendosi në sheshin e Mitrovicës.

Ngjitur me përmendoren e Isa Boletinit, është vendosur një portet i Ismail Qemajlit.

Për të parën herë pas 1912-s, ata qëndrojnë kështu afër, kësaj radhe në gur.

Autori i kësaj vepre thotë të jetë emocionuar derisa po vinte në Kosovë, kur në Rrugën e Kombit pa qindra kamionë duke dërguar ndihma për të prekurit e tërmetit.

Kjo temë është diskutimi kryesor për qytetarët e Mitrovicës, që kanë zgjedhur ta kalojnë mesditën e 28 Nëntorit në këtë shesh, ku kryesisht shfrytëzojnë rastin për fotografi me simbolet kombëtare.

Mitrovica, si çdo qytet tjetër, ka hapur pikën e grumbullimit për ndihma. Ndërsa qytetarët janë shprehur të gatshëm t’i strehojnë ata që kanë zgjedhur të vijnë në Kosovë në këto ditë krize. /Koha ditore /KultPlus.com


Qyteti i Durrësit po zbrazet nga njerëzit

Pasojat e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit dhe lëkundjet e ditë së sotme kanë rritur shqetësimin e banorëve të Durrësit. Në banesat që janë prekur nga tërmeti qytetarët kanë nisur të largohen, nga frika e dëmeve të mëtejshme.

Fotoja është dërguar në redaksinë e “Koha Jonë” nga qytetarë të Durrësit, të cilët po largohen nga qyteti në zona më të sigurta. Një pjesë kanë zgjedhur të shkojnë te familjarët në qytete të tjera. Gazetarët në Durrës raportojnë se në lagjet e prekura ka një qetësi apsolute nga mungesa e njerëzve. /KultPlus.com

Inter reagon me një mesazh prekës pas tërmetit në Shqipëri

Pas Lazios, Romës, Napolit dhe Milanit, edhe Interi ka reaguar dhe me postim në faqen zyrtare Twitter ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për momentin tragjik që po kalon Shqipëria.

“Në Shqipëri ka shumë tifozë të Interit. Për ata, të dashurit e tyre dhe gjithë popullin shqiptar shkojnë mendimet tona në këto ditë shumë të vështira”. /KultPlus.com

Dua Lipa reagon, do ta ndihmojë Shqipërinë personalisht dhe me anë të një aksioni humanitar

Gjatë tërë ditës Dua Lipa në Twitter po kritikohej për neglizhencën e saj ndaj tërmetit në Shqipëri.

Para pak minutash, në Instagram ajo ka treguar se çdo moment që kalon është humbje e madhe, prandaj ka vendos të reagojë.

“Përpos donacionit tim dhe të familjes sime, jam bashkuar me Kujtimin dhe Arbenin nga BOND.NYC që të krijojmë rrobat dhe materiale të cilat do të shiten në tërë botën dhe i tërë fitimi do të shkojë për ata që janë prekur nga tërmeti. Të gjitha të hollat do të shkojnë në llogaritë zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë, me të cilët ishim në kontakt falë shoqërisë sonë në Prishtinë” ka reaguar në Instagram këngëtarja Dua Lipa.

View this post on Instagram

This 28th of November, OUR National Flag Day, finds us in the middle of pain for the lost lives of the devastating earthquake in Albania and being proud of the solidarity that our brothers and sisters in Kosova and all around the world are showing towards this tragedy. As always we are all united and we are all looking for the best ways to help the affected families, children who lost their parents, parents who lost their children, and friends looking to find each other and be there for their loved ones. Every moment wasted looks like a moment too late in raising worldwide awareness of this tragedy, and that is why I can not wait any longer. Apart from mine and my family’s personal donations I am teaming up with my friends Kujtim and Arben from @bond.nyc to create materials that will be sold worldwide and 100% of the proceeds will go towards the affected families of the earthquake in Albania. All the proceeds will go directly to the official accounts provided by the Government of Albania with whom we were in contact through our friends in Prishtine. We have proved to be strong and at the moments like this we come together as a nation of brothers and sisters UNITED. Pray for Albania and for the lives lost. Join the best way of helping the cause or do your own thing. The time is always right. 🇦🇱❤️

A post shared by Dua Lipa (@dualipa) on

BOND.NYC është kompani që merret me veshmbathje dhe kryesisht maica apo duksa dhe veshmbathje tjera që kushtojnë shtrenjtë.

Bebe Rexha ka mbledhur mbi 200 mijë dollarë me anë të aktivizmit të saj ndërsa pritet që të gjitha personalitetet e njohura në botë nga Kosova e Shqipëria të ndihmojnë në këto momente ankthi për shqiptarët kudo . /KultPlus.com

“Ne s’bëjmë gjumë kur dridhesh, se veç ty të kemi nanë Shqipëri” (VIDEO)

Interpreton: Reshat Arbana

Artistët e mëdhenj në të dy anët e kufirit i janë bashkuar njëri tjetrit dhe kombit në këtë fatkeqësi të madhe kombëtare si tërmeti i fundit.

Futbollistët, emigrantët, ushtarët dhe policët që ndihen shqiptarë, sot si kurrë më parë, po bëjnë vepra solidariteti, përkushtimi, shqiptarësie unike. Të gjitha këto janë dëshmi se një komb i madh si yni s’vdes kurrë.

Gazetari Shpëtim Nazarko i telefonoi një tjetër figure të madhe si Reshat Arbana që ta recitonte me zërin e tij shungullues. U ngrit nga shtrati ky zë më i fortë se ushtimat e natyrës, dhe në studion e regjistrimit të Edmond Zhulalit, kompozitorit të njohur sipas motiveve të një kënge të njohur të poetit të madh Agim Doçi, na dha këtë mrekulli.

Është urim për 28-Nëntorin, thirrje për ringritje, thirrje për bashkim! Çfarë emocioni! Konica.al /KultPlus.com

Rrëfimi i zjarrfikësit që i gjeti 7 familjarët e tij të vdekur nën rrënoja

Arben Cara, ishte mbi rrënojat e vilës Palma, në krye të operacionit për shpëtimin e Klajdi Qatos, kur kolegët e lajmëruan se duhet të nisej drejt Thumanës.

Kur mbërriti atje, mësoi se mbi rrënoja ishin edhe familjarët e tij.

Arben Cara, rrëfen për “Abc News”, se ishte e vështirë dhimbja për 7 familjarët e tij, që i gjeti të vdekur nën rrënoja, por në misionin e zjarrfikësit, të gjithë i sheh njësoj, me të njëjtën dhimbje, e me të njëjtin përkushtim për t’i shpëtuar.