Ekspertë të huaj së bashku me ata shqiptarë do të punojnë, për ashpërsimin e luftës kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve të pasurisë sonë kulturore, transmeton KultPlus.
Kjo bëhet me dije nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, që shprehet se grupi i ekspertëve do të ndihmojnë dhe për ngritjen e kapaciteteve teknike e profesionale në vendin tonë. “Së bashku me skuadrën e ekspertëve të B&S Europe do të punojmë në ashpërsimin e luftës kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë sonë kulturore.
Përpos ndihmës në qasjen e legjislacionit shqiptar me kërkesat e Bashkimit Europian, ekspertët do të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve teknike e profesionale, në trajnimin e stafit të Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe të institucioneve të tjera, që lidhen në mënyrë direkte e indirekte në trajtimin e kësaj çështjeje, si doganat, policia etj”, shprehet ministrja e Kulturës për këtë takim të zhvilluar së fundmi.
Sipas ministres Margaritit, pjesë e këtij projekti është edhe sensibilizimi qytetar për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, duke nisur që nga brezi më i ri, nëpërmjet edukimit përmes kulturës. Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, është institucion kombëtar i specializuar i trashëgimisë kulturore në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.
IKRTK-ja ka për mision krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore, në formë elektronike dhe të shkruar. IKRTK po ashtu ka për detyrë regjistrimin, katalogimin informatik, dokumentimin, vlerësimin, promovimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin e respektimit të të drejtave të pronësisë dhe të lëvizjes së pasurive kulturore kombëtare. IKRTK monitoron dhe koordinon punën me njësitë territoriale në fushën e pasurive kulturore. Në vijim të aktivitetit, IKRTK ka për kompetencë të regjistrojë dhe të dokumentojë të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jomateriale, si dhe pasuritë e peizazhit në pronësi publike e private në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Të hartojë platformën për regjistrimin e të gjitha pasurive kulturore të luajtshme e të paluajtshme, që ruhen nga rrjeti muzeor i vendit, nga galeritë e artit, personat privatë, institucionet e specializuara vendore e kombëtare dhe bashkësitë fetare të regjistruara me ligj, për krijimin dhe përditësimin e regjistrit kombëtar të pasurive kulturore, etj. /sot/ KultPlus.com
Jam kosovar pra jam shqiptar: Zot e krenar, – Zot e bujar mbi këtë Dhe q’e e kam si fe;
E kam Vatan! e kam Atdhe! Që gjysh stërgjysh, që brez pas brezi, që gjithëmon!
Ti shkja thërret, ti shkja bërtet,- gjer lart në retë; se jam barbar.
Jo, s’jam! si bërtet ti, si buçet ti, ti Mal i Zi.
Po Vendin tim e dua, lirinë e dua,- e s’dua zot mbi mua.
Se jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi as fqinjëri, as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi ish Iliri; Kur nga një det në tjatrin det Isha zot vet!
Unë jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën fushë e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem -dem baba dem- sa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri!
Kënga e dytë: Durimi
Ma thonë emrin Asim Qerim mbetur jetim që vogëli.
Jam si më sheh e si më njeh; kësulë-bardh e krye-lidh, krye-lidh me një shami, me tri shami; për trimëri!
Jam eshtër-madh, i vrazhdë jam e bojalli- jam’ plot shkëndi, si batërdi. Dhe kam uri -Si s’ka njeri- Për drejtësi e për Liri!
Si gjithë Asimët e gjith Qerimët e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim, mbetur jetim që vogëli; Se babën tim ma vranë naçallnikët, podporuçnikët dhe gllavnikët.
ma vranë, Se urdhër dha Vojvodi e Krali- vetë; Të vritet. Se ishte Kosovar! Dhe se ish zot mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba nga Gjyshi – rrënjë pas rrënje- prej qindra vjet, prej mijra vjet! ma muarr. Ah! ma muarr Vatanin q’e desha si xhanin!
Ma muarr me armë në duar, – me gjak nëpër duar- Agrarët! Xhandarët! Tyxharët! Të gjithë tok, u bënë shokë; si sorrat! për kërmë!
Oborrin ma muarr gjer në shtëpi dhe ngrehnë për vete shtëpi në sytë e mi!
Dhe unë, ja, unë! që isha zot që qëmot; mbeta pa dhe, – bujk pa dhe, bari pa kope- këtu, në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk, Hambari m’u myshk… …………………………… Po shpresa s’m’u vyshk! Durova, durova,- Sa nuk duron njeri, as perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik e mynafik i Kombit tim.
Më dhanë armë të vras vëllanë sipas kanunit të gjakut…, Po s’desha! Dhe në e bëra, ma falni; Se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik ku qielli puthet me dhenë; Stamboll, Anadoll, e më tej! Se vetëm andej paska për ne -Popull pa zot- vend boll…
Po malli i Tokës s’më la, po malli i Fushës s’më la, as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu, i huaj, – si qen!- në vendin tim, të Babës tim…
Mbeta raja, ndënë raja si për hata;
në uri në qesëndi, në skllavëri të shkjaut të zi.
Më thanë të ik n’Allbani, – Vatan i ri i Kombit tim- si shkoi Selmani, Hasani e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava, Dhe mbeta të jem, ku jam e ku do të jem!
Më thanë të shkoj në sheher të shkjaut të madh me sharrën më krah, me kryet përdhe, jaban e beter; portë më portë derë më derë i mjerë e zemër- sterrë; për një kotherrë bukë,
Po malli i Vendit s’më la e mbeta këtu, raja ndënë raja të ha një bukë- zeher lagur me lot, njomur me vrer dhe të pres! një tjatër mëngjes.
E dit për dit, e net pas net, e vjet pas vjet rrojta e vojta kaba ndënë shkjash; raja ndënë raja, si në hata si tjatër s’ka!
Po prita dhe prita të vijë dhe për mua dita!
Tani, tani, Liri!
Kënga e tretë: Sulmi
Ta shemba shkjah kufinë që ngrite ti në Vendin tim e përmbi varr të Babës tim.
Ta shemba ta dogja; me zjarrin e shpirtit të vojtjes dhe të urrejtjes.
Me zemërim me vrull të madh, e bubullim që s’ka mbarim.
Se vjete ti më çave më ndave më vrave! armik- lugat! armik- xhelat!
Ti bëre azape:- s’u tremba, Ti ngrite kufire me gjemba fortesa ti ngrite; t’i shemba!
Tani, tani! atje ku ti o Mal i Zi! ngrite kufi që ndanin e çanin vëllazëri; Hej!
sot! shkon, e valon parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë dhe ty gjurma t’u zhduk si në ujë.
Ta shemba armik kufinë -derë burgu- dhe është tani si ish! -si do të jetë;- përjetë; Lëndinë!
Kënga e katërt: Ndërtimi
I bje arës mes për mes e gjer në brez, e përmbi brez humbas me gas në grurin tim, të Dheut tim, të Babës tim, të Birit tim; sot e përpjet, jetë pas jet!
Dhe ndje qysh flet me zë të qet im Atë vet nga balta posht;
Të mbroni Dhenë ku eshtrat kam, ku hi e tokë e pluhur jam…
Të mbroni Dhenë që e ushqe’ dhe sot si dje; me kurmin tim…
Ta mbroni Dhenë, me zjarr ta mbroni, me gjak ta mbroni. Të derdhni gjakun me grushte plot- po kurrë lot! as sot, as mot!….
Se loti është robëri, Gjaku: Liri!
Jam eshtër-madh e bojalli e me japi, si më sheh ti, si më njeh ti.
Po kam një zemër në gjoksin tim që pa pushim më rreh si Drim. Dhe Babën tim kur e kujtoj Lotoj…. Të pash të vrarë, or Baba, e pa qefin si për hata, rreth e përqark me xhandërma.
Desha të qaj e s’qava dot, e të bërtas, s’bërtita dot. pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot.
Kënga e pestë: Qëndrimi
Tani, tani, unë jam gati! të vdes që sot- se rroj përmot; mbytyr me gjak por jo me lot, për këtë Dhe që e kam si fe e përmbi fe. E kam Vatan! E kam Atdhe!
Hej! po buças me zë kaba sa të dëgjohet në qiell la sa të dëgjojë fund e krej kush gjak shqiptari ka në dej.
Shaban- vëlla! Destan- baba! Hej!
Komb i lirë kosovar, ti komb shqiptar, ti Zot krenar ti djalëri- ti pleqëri bëju gati! Bëhu gati për vrull të ri; ta djegësh botën ta bësh hi; për Liri! Për Shqipëri!
Tani tani! -O Mal i Zi- ja un, ja ti! Po un- jo ti, se jam këtu kur s’kish njeri dhe as kufi as fqinjëri…
Un jam këtu kur Mal i Zi Me Shumadi, Me Dallmati- Sa mban e gjitha Shqehëri, Ish Iliri! Kur nga një det në tjatrin det isha Zot vet!
Se jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën – fushë e malin mal.
Un jam këtu e do të jem – dem baba dem- Sa mali të bëhet hi E hiri mal përsëri!
Autoritete serbe e kanë dekoruar shkrimtarin austriak dhe laureatin e Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke për, siç thuhet, “kontributin e jashtëzakonshëm për përfaqësimin e Serbisë në sferën e kulturës”.
Ky veprim pritet të ngjallë reagime në vendet fqinje të Serbisë për shkak të përkrahjes që ky shkrimtar ia kishte ofruar “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.
“Për Serbinë, ai është një mik i vërtetë, i dëshmuar edhe gjatë momenteve më të vështira”, tha kryetari i Komisionit të Dekoratave, Sima Avramoviq.
“Ai përzemërsisht e mbrojti të vërtetën serbe edhe atëherë kur atij kjo gjë i shkaktoi shumë mosmarrëveshje dhe shqetësime, edhe pasi e fitoi Çmimin Nobel”, shtoi Avramoviqi.
Vendimi i akademisë suedeze për t’ia dhënë çmimin prestigjioz këtij shkrimtari ishte kritikuar ashpër nga disa shtete dhe nga shumë figura të njohura, shkruan “Free Europe”.
Në shenjë proteste, ceremonia e dhurimit të çmimit ishte bojkotuar nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.
Handke është akuzuar për justifikimin e krimeve të Millosheviqit gjatë luftërave në Ballkan në vitet e tridhjeta. /syri/ KultPlus.com
Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë një nga sekretet e Europës, me bukuri të bollshme natyrore, plazhe mahnitëse dhe ujëra të pastra si kristal, shkruan Aaron Gerry për ”The Calvert Journal”, faqe e njohur kulturore kushtuar Ballkanit dhe Europës Lindore.
”Vendi është gjithashtu destinacion i klasit botëror për alpinizëm, ashtu si Italia dhe Greqia. Është një nga vendet më shkëmborë në Europë, me terrene malore që përbëjnë 70% të territorit. Sot, në Shqipëri ka më shumë se 80 rrugë për alpinizëm, me mundësi për mijëra të tjera shtesë. Megjithatë, krijimi i rrugëve të reja ka qenë disi i kufizuar.
”Duke pasur një komunitet të vogël si dhe duke jetuar në një vend me ekonomi të dobët, ka qenë gjithmonë sfiduese për të marrë buxhet për ndërtimin e rrugëve të reja për alpinizëm”, thotë Elion Çikopano, një nga zhvilluesit kryesorë të rrugëve të alpinizmit në Shqipëri.
Krijimi i rrugëve të sportit kërkon materiale që përfshijnë bulona dhe spiranca prej çeliku inoks dhe pajisje sigurie. Çikopano vlerëson se krijimi i rrugëve të reja kërkon 100-150 euro vetëm për pajisje, shumë jo e vogël për një vend ku rroga mujore mesatare është 425 euro.
Si rezultat, alpinistët vendas i kanë kërkuar komuniteteve ndërkombëtare të ndërgjegjësohen për alpinizmin në vend dhe të ndihmojnë në përpjekjet e zhvillimit.
”Pesë vitë më parë, vendosëm të krijonim një festival vjetor alpinizmi”, shton ai, një nga bashkorganizuesit e Festivalit Shqiptar të Alpinizmit, një organizim vjetor treditor, i mbushur me alpinizëm, lojëra me ekuilibër në litar, seanca joge dhe bukuri të mrekullueshme natyrore.
”Paratë që fitojmë nga biletat shkojnë në fondet tona dhe na kanë dhënë mundësinë të ndërtojmë vetë rrugë të reja”, shton ai.
Si rezultat i pesë festival që kanë zhvilluar deri më tani, ata kanë shtuar 50 rrugë të reja alpine.
Pjesa më e madhe e vendosjes së litarëve është bërë nga alpinistët vizitorë, shumica prej të cilëve mësuan për vendin përmes festivalit. Ngjarja e parë e zhvilluar në 2015 tërhoqi mbi 400 të pranishëm dhe mblodhi shtypin ndërkombëtar, gjë që çoi në rritjen e turizmit të alpinizmit.
”Tirana, një qytet i bukur, është i rrethuar me male të mrekullueshëm me gurë gëlqerorë”, tregon Adam Ondra, i cili konsiderohet sot alpinisti më i mirë, në një postim në instagram nga udhëtimi i tij në vitin 2018.
“Deri më tani, janë rregulluar vetëm zonat në Brar dhe Bovillë, me rreth 20 rrugë secila, por me potencial zhvillimi që shkon në qindra rrugë”, shton ai.
Është e rrallë sesi kaq pak territor i prekur, i përgjigjet sporteve të natyrës, qoftë për alpinizëm, ecje, xhiro me biçikletë në mal e tjerë. Gjithashtu sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm është thelbësor për qëndrueshmërinë afatgjatë.
Fatkeqësisht, projektet ilegale të hidrocentraleve kërcënojnë shumë zona për alpinizëm, duke synuar lumenjtë që kalojnë përmes tyre. Vjosa dhe Valbona konsiderohen disa nga lumenjtë e fundit të paprekur në Europë dhe janë shtëpi e rreth 70 llojeve endemike peshku, së bashku me specie të rrezikuara, si rrëqebulli i Ballkanit.
Për të ndihmuar në luftën kundër shfrytëzimit të papërshtatshëm, alpinistët po kërkojnë të përdorin sportin si mënyrë për të kultivuar turizëm të qëndrueshëm, siguruar punë për vendasit dhe për të mbrojtur tokën në vitet e ardhshme.
“Në Brar, një bar restorant i vogël familjar ka rritur xhiron e biznesit që kur Adam Ondra e publikoi në llogarinë e tij. Numri i restoranteve në Bovillë është rritur dhe kampet në Gjipe qëndrojnë të hapura gjatë gjithë vitit për shkak të vizitave të alpinistëve”, thotë Çikopano.
”Për shumë fshatarë, turizmi po kthehet në burim kryesor të të ardhurave”, thekson Wolfgang Schussler, një alpinist gjerman, aktivist pro zhvillimit të Valbonës në veri dhe kundër ndërtimit të hidrocentralit, pjesë e organizatës për ruajtjen e alpeve shqiptare, ”Toka”.
“Në planin afatgjatë, ata po kuptojnë se kanë pasuri të mëdha natyrore dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre”, shton ai.
Për një sport që po arrin kulmin në të gjithë botën, edhe shqiptarët po zbulojnë gëzimet e alpinizmit. Sot, ju mund të gjeni mbi 60 fëmijë që praktikojnë alpinizmin në palestrën e parë të vendit për këtë sport, “Rock Tirana”, që u hap në vitin 2012 dhe tani drejtohet nga Çikopano, Enis Shehu, Irida Nallbani dhe Olbiano Xhaferaj.
“T’i shohësh ata të rriten fizikisht, mendërisht dhe në aftësitë e alpinizmit është një nga arritjet tona më të mëdha për të ardhmen e alpinizmit në Shqipëri”, tregon Çikopano.
Falë disa alpinistëve të paduruar, shqiptarët po prezantohen me alpinizmin dhe bota po riprezantohet me Shqipërinë.
Bovilla
Ngjituni nëpër shkëmbinjtë sipër ujërave të kaltër me pamje kodrash dhe vargmalesh në Bovillë. E gjendur rreth një orë nga Tirana, zona e parë e alpinizmit në vend ka një bollëk rrugësh të arritshme në kategoritë 5b-7c. Zhvillimi fillestar filloi në vitin 2010 dhe u ndërtua ngadalë nga vendasit dhe të huajt e asaj kohe. Në verë, pranë lumit ndodhet një kafe e vogël ku mund të freskoheni duke u lagur në ujë dhe me një pije freskuese në dorë.
Brar
Këtu nuk ka rrugë të lehta. Ne fakt, kanioni ka rrugët më të vështira në Shqipëri, kategoria 9b. Një alpinist profesionist francez, Seb Bouin, e ngjiti rrugën me një herë, para Krishtlindjeve në 2019. Terreni këtu është i përbërë nga pjesë të pjerrëta dhe nga gurë gëlqeror me vija të verdha, portokalli dhe gri.
Nëse jeni të zotë, Tirana është shumë mirë e pozicionuar si bazë, sepse shkëmbinjtë gjenden vetëm 20 minuta me makinë larg qytetit. Pasi të kenë kaluar muret në këmbë, alpinistët do të gjejnë rrugë të kategorive 6c dhe të tjera më shumë se 7a. Nga vendasit konsiderohet si terreni më i mirë për alpinizëm, gjë që është e dukshme nga profesionistë nga e gjithë bota, të cilët marrin përsipër këtë sfidë.
Gjipe
Vendndodhja ideale përgjatë rivierës shqiptare. Duke qëndruar në grykën e kanionit të Gjipesë, plazhi i izoluar është pamja më piktoreske e Shqipërisë. Litarët për ngjitje dalin nga stacioni i zbardhur nga dielli, si shkëmb koralor, ndërsa valët lëvizin butësisht si ajri që hyn në një rezervuar peshku. Rëra e bardhë që shtrihet rreth pesë metra, ju ndan nga uji dhe, nëse vjen ndonjë dallgë e madhe do shihni këmbët tek ju lagen.
Riviera shqiptare konkurron atë franceze dhe italiane, me luksin e të qenit shumë më pak e vizituar. Për të mbërritur atje, është katër orë rrugë me makinë nga Tirana.
Përmet
Alpinizëm, pastaj qetësohuni në banjat termale. Kanioni Lengarica, i ndodhur afër Përmetit, është më i njohuri për banjot termale të shumta, megjithatë nuk duhen anashkaluar mundësitë që ofron për alpinizëm. Humnera ndodhet brenda parkut kombëtar “Bredhi i Hotovës”, më i madhi në llojin e tij në vend dhe është rreth katër orë rrugë me makinë në juglindje të Tiranës. Kanioni është afërsisht 4,5 kilometra i gjatë. Ngjitja e veçantë përbëhet nga litarë të varur dhe shpella dramatike, në të cilat thuhet se ka mbetje njerëzore mbi 4000 vjeçare. Më pas, qetësohuni në ujërat e ngrohtë kurues të lumit Lengarica, që kanë një temperaturë prej rreth 30°C gjatë gjithë vitit.
Përmeti, një ish-fshat osman i shekullit XV, ka në qendër të tij një shkëmb të veçantë të mbushur me legjenda. Është 42 metra i gjatë dhe në majë ndodhet një sit arkeologjik që mund të datojë në shekullin IV.
Theth
“Chamonix”-i i Shqipërisë, Thethi është një luginë me dredha, ndoshta shkëmbi më i gjatë në gadishullin e Ballkanit. Mali i Arapit, ose “I errëti”, është 2217 metra i lartë dhe përmban një shpat që ngrihet 800 metra mbi tokë. Në vitin 2010, një ekspeditë gjermane përfundoi ngjitjen e shpatit që përbëhej nga një rrugë e kategorisë 7a.
Rruga deri në Theth është gjysma për në destinacionin e famshëm Valbonë-Theth. Ecja për atje është 17,5 kilometra dhe ju duhen rreth shtatë orë. Në të vërtetë, bëhet më shpejtë sesa me makinë, që duhen përafërsisht 10 orë. Nisja e udhëtimit nga Shkodra është mënyra më e lehtë për të arritur në Theth, megjithatë mund të arrini në luginë edhe duke u nisur nga Tirana, për rreth katër orë me makinë. Duhet të dini se do ju nevojitet një makinë e madhe për të përshkuar rrugët e vështira.
Edhe pse ka një potencial të pakufishëm, vendi nuk është zhvilluar shumë. Në mjedisin alpin të paprekur ndodhen masivë gëlqerorë, shpellat horizontale më të gjata në vend dhe fusha me gurë. Nëse po kërkoni një vend për alpinizëm dhe një rrugë sportive më të shkurtër në një zonë alpine, Thethi është destinacioni juaj i duhur./atsh/ KultPlus.com
Nesër në 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit do të organizojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve për letërsi për vepër jetësore dhe çmimet tjera vjetore për vitin 2019, shkruan KultPlus.
Juria profesionale e cila ka bërë vlerësimin ka vendosur që çmimet t’u ndahen si vijon:
-Çmimi Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” t’i jepet znj. Sabile Keçmezi – Basha;
-Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” t’iu jepet z. Rrahman Paçarizi për veprën “Shtatë udhë” dhe znj. Albina Idrizi për veprën “Përsëri mars”;
-Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” t’iu jepet z. Xhevdet Bajraj për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” dhe z. Nexhat Rexha për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde”;
-Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” t’i jepet z. Berat Daka (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes”;
-Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” t’i jepet z. Isa Memishi për përkthimin e romanit“Guaska” të Mustafa Halifas; dhe
-Çmimi për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” t’i jepet z. Januz Fetahaj për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”.
Ceremonia pritet të fillojë në orën 13:00. / KultPlus.com
Regjisori shqiptar Pluton Vasi, i njohur për individualitetin e tij në krijimtari, si në filmin dokumentar edhe në atë artistik është shpallur fitues i çmimit “Regjisori më i mirë”, në “London International Film Fest”.
Projekti kinematografik që i mundësoi Vasit fitoren e çmimit në fjalë ishte filmi artistik “Ndërkombëtarët”.
Filmi është një komedi e zezë, ku roli kryesor interpretohet nga Eni Shehu, personazhi i Roshit, aktori Ardian Cerga vjen në rolin një britaniku, Hervin Çuli po në rolin e një ndërkombëtari, Karafil Shena ka rolin e kryetarit të Sindikatës, për të vijuar dhe me Rovena Lule, Kastriot Çaushi, Alfred Trebicka, Lulzim Zeqja, Eriona Kakeli, Alert Çeloaliaj, Adele Gjoka, e të tjerë. /tch/ KultPlus.com
Në kishën Shën Nikolla në Porto Palermo, Himarë, janë ndërprerë punimet restauruese, pasi gjatë verifikimit në terren janë konstatuar zbulime arkelologjike.
Instituti Kombëtar i Kulturës Kombëtare bën të ditur se “si pasojë e gjetjeve u pezulluan punimet deri në një vendim nga ana e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale”.
Në Porto Palermo gjendet kisha e Shën Nikollës, e cila më parë ndodhej në zonën e Kalasë. Ali Pasha ishte një figurë diktatore e egër, por kishte një adhurim të veçantë për kultet e krishtere dhe prandaj e ndërtoi kishën që prishi pak më tej. Ishte viti 1818 kur Pashai i Janinës, ndodhej në kulmin e sundimit të vet. Pushteti i tij nuk njihte kufij. Himara, ishte krahina që ai kishte për zemër. Prandaj dhe një kështjellë-dhuratë për Vasiliqinë, që, sipas historianëve e donte shumë, do të përbënte edhe një simbol domethënës.
Por, sipas një historie që tregohet nga të moshuarit e Himarës, ndërtimi i kishës ishte edhe pjesë e një marrëveshjeje të Ali Pashës me “kapitanët” e Himarës, bashkë me atë të ndërtimit të kështjellës.
Përmes kësaj marrëveshjeje, lundërtarët himariotë do të shfrytëzonin falas limanin që ndodhej pranë kështjellës për anijet e tyre, ndërkohë që do të kishin edhe një objekt kulti më shumë për t’u falur.
Po ashtu, në këtë mënyrë, Ali Pasha, përveçse i kushtonte një objekt kulti dhuratë zonjës së vet, vendoste marrëdhënie mjaft të mira me himariotët në kuadrin e realizimit të objektivave të tij./atsh/ KultPlus.com
Blerim Grubi, ka njoftuar së fundi se ka refuzuar subvencionin e Ministrisë së Kulturës në Maqedoninë e Veriut, në lidhje me projektin ‘Skupi Kamerfest”, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë violinisti përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku ka deklaruar se shumë e mjeteve të ndara për projektin në fjalë është qesharake.
Ai ka thënë se as në dy vitet e kaluara kjo ministri nuk e ka përkrahur festivalin, i cili mbahet edhe në Kosovë me bashkëpunëtoren e Grubit, violinisten Sihana Badivuku.
“Njohtoj opinonin e gjërë se unë Blerim Grubi violist nga Shkupi me keqardhje të madhe vendosa ta refuzoj vendimin e Ministrisë së Kulturës për dhënien e fondeve për proektin nga OJQ Muza “Skupi Kamerfest” në shumë prej 1954 euro. Pasi që në dy konkurset e mëparshme për vitet 2018 dhe 2019 ky projekt nuk ishte perkrahur fare nga dy ministrat shqiptar të Ministrisë së Kultrurës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse kësaj rradhe kjo përkrahje erdhi por me një shume qesharake prej 120 mijë denarëve, kam vendosur të mos e nenshkruaj kontratën me Ministrin zotëri Hysni Ismaili”, ka shkruar ai.
Tutje, Grubi ka thënë që këtë përkrahje e ndjen si një denigrim për personalitetin e tij dhe të bashkëpunëtores së tij Sihana Badivukun, me të cilën kanë pasur në plan ta realizojnë festivalin e muzikës klasike në Shkup.
“Kështu, ishin planifikuar 8 koncerte me artistë të muzikës klasike, emra të njohur botëror dhe shqiptar si dhe seminare-master klasë për nxënës dhe student të artit muzikor. Nga rezultati i konkursit që kemi lexuar në faqen e Ministrisë, jemi te indinjuar dhe të fyer për mos vlersimin e projektit tonë nga ana e komisionit vlerësues”, ka përfunduar Grubi. / KultPlus.com
“L’Univers israélite” ka botuar, me 16 maj 1886, në faqen n°42, një shkrim në lidhje me organizimin e një feste nga Pashko Vasa, asokohe guvernator i Libanit, për nder të shkollave të Aleancës Izraelite, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“—Një festë e shkëlqyer, nën patronazhin e Vasë Pashait, guvernator i Libanit, u mbajt në Bejrut për nder të shkollave të Aleancës Izraelite.
Të gjitha personalitetet politike, ushtarake dhe administrative e nderuan ballon me praninë e tyre, ashtu si dhe disa konsuj evropianë e tridhjetë emirë nga Libani, të ftuar posaçërisht nga guvernatori.” / KultPlus.com
Grupi “Oda”, një prej bendeve më të pëlqyera kosovare, është formuar në vitin 1994 në Londër dhe është një rock band shqiptar i viteve ’90. Që nga viti 1998 kur edhe u publikua albumi i fundit, i titulluar po me këtë emër “1998”, grupi u shpërnda në të katër anët e botës, duke lënë pas vete hitet e pavdekshme të cilat i shoqëruan adhuruesit e tyre deri më sot.
Një ndër këngët e tyre të pavdekshme, është kënga “Beso në diell” e cila edhe sot dëgjohet me shumë nostalgji.
Anëtarët e Grupit “Oda” kanë qenë pothuajse të gjithë ish-anëtar të grupeve të njohura gjatë viteve të 80-ta në rock skenën kosovare si: Dukagjin Lipa, Labinot Krasniqi, Besim Hajdini, Asdren Rrahmani, Petrit Riza, Florent Boshnjaku, Besim Gashi-Babuka, Valon Gashi, Marcus McIrneney.
Në vitin 1995, Oda publikojnë albumin “Rrugë E Mbarë”. Ndërsa në vitin 1998, ata publikuan albumin “1998”.
Grupi Oda kanë qenë edhe pjesë e Top Fest 3 dhe 4
Në vitin 2010, 12 vite më vonë, formacioni i dikurshëm bashkon përsëri forcat, duke iu rikthyer skenës me këngën më të dëgjuar dhe më e kërkuar në radiot kosovare ‘Era’.
KultPlus më poshtë ju sjell këngën “Beso në diell”. / KultPlus.com
Filozofja franceze ka lënë gjurmë të rëndësishme në ekzistencializëm, letërsi, dhe diskursin feminist, duke kundërshtuar normat e ngurta patriarkale të kohës.
Sipas filozofes, pas çdo historie dhe sjelljeje femërore mund të kuptohen ndikimet e patriarkatit. Idetë feministe të de Beauvoir-it u vlerësuan dhe vijuan nga brezat më pas, veçanërisht ato të viteve ’70.
Më poshtë, disa prej thënieve më të mira të shkrimtares, shkëputur nga veprat e saj kryesore.
Seksi i Dytë, 1949
“Dikush nuk lind, por bëhet grua.”
Force of Circumstances Vol. III, 1963
“Vetëdija nuk e garanton lumturinë, por është më pranë asaj që të shtyn të luftosh për lumturinë.”
Seksi i Dytë, 1949
“Burri përkufizohet si qenie njerëzore ndërsa gruaja si femër – sa herë që ajo sillet si njeri, thuhet se imiton burrin.”
Gruaja e Thyer, 1967
“Çfarë është një i rritur? Një fëmijë i transformuar nga koha.”
All Said and Done, 1972
“U largova prej rehatisë së të sigurtës drejt dashurisë për të vërtetën – dhe e vërteta ma shpërbleu.”
Seksi i Dytë, 1949
“Duhet kuptuar fakti se femra ekziston brenda species njerëzore, si gjysma e saj. Dhe megjithatë, na thuhet se feminiteti është në rrezik. Në këtë kuptim gruaja duhet të bëhet e tillë, të jetë e tillë dhe të qëndrojë e tillë. Por, duket se jo çdo qenie femërore është patjetër “grua”. Për t’u konsideruar kështu ajo duhet të zhytet në atë realitet misterioz që quhet: feminitet.”
Etika e Ambiguitetit, 1947
“Nëse çdo njeri do të bënte çfarë të mundej, ekzistenca do të ruhej në secilin pa pasur arsye të ëndërrojmë për një parajsë ku çdo gjë do të ngushëllohej me vdekjen.” /KultPlus.com
Përvjetori i 12-të i Pavarësisë së Kosovës do të përshkohet me aktivitete kulturore dhe artistike shkruan KultPlus.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me
rastin e këtij përvjetori organizon ekspozitën “Kujtesa e Kosovës: Jeta nën
qiell e najlon”.
Në kuadër të kësaj ekspozite do të paraqiten për publikun
dhe të interesuarit fotografi të pa publikuara të fotoreporterit Ridvan
Slivova, të cilat shfaqin pamje nga jeta e shqiptarëve të Kosovës përgjatë
periudhës së viteve 1999.
Ekspozita do të hapet në Hollin e Bibliotekës më datën 19 shkurt nga ora 11. /KultPlus.com
Sot është ditëlindja e 111-të e gazetës “Dielli”, të vetmes gazetë që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në print SHBA, dhe e përditshme online e rrjetet sociale.
Me 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së Gazetës”Kombi”, e cila pushoi së botuari me 10 Janar 1909, nisi të ndriçoi Dielli i shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli-Kryetar, Goni Katundi-nënkryetar, Angelo Stefanson(Katundi)- arkëtar , Nini Fani Katundi- sekretar, ndërsa:John Gjoka, Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Kozma dhe Lambi Josif, përbënin Komisionin e pleqësisë. Shumë prej bordit drejtues ishin me origjinë nga Katundi. Menaxher i Diellit ishte George Konda Gjoleka (Gjergj Konda).
Editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli (edhe pse emri i tij si editor nuk u shkrua ne faqet e gazetes derisa DIELLI u bë prone e Federatës VATRA)- është se Faik Konica, u lakua për tu emëruar drejtor i Diellit shumë kohë më pas se sa Dielli nisi botimin. Kjo ndodhi në mbledhjen e Shoqatës Besa-Besë të datës 14 Mars 1909, pra një muaj pasi kishte nisë botimi i Dielli, ai mberriti 8 muaj me vone; numri i parë i gazetes i edituar prej tij do të dilte me 22 tetor 1909, pra 8 muaj gazeta doli me Fan S Nolin. Emri i Faik Konicës u publikua në Diellin me numër rendor 30, dhe i takon 22 tetorit 1909. Numerikisht 29 numrat e parë i drejtoi Fan S. Noli. /KultPlus.com
Nata e ndarjes së çmimeve “Oscars”, të dielën e 9 shkurtit, i kishte pak nga të gjitha.
Yjet arritën të vinin ndryshe e jo vetëm kaq, pasi shumë prej tyre kanë shkaktuar më shumë bujë, transmeton KTV.
Si mund të shkruajë Billie Eilish me këta thonj?
E veshur e gjitha me Chanel, Billie Eilish për të kompletuar “look-un” e saj kishte realizuar thonjtë shumë të gjatë, ndoshta më të gjatët në event.
Me bukë me vete në rast emergjence
Aktorja 10-vjeçare Julia Butters e “Once Upon a Time in Hollywood” ishte siguruar të kishte një sandwich të vogël me vete në çantën e saj 2.500-dollarëshe!
Të ftuar të vegjël, por shumë specialë
America Ferrera dhe Ciara u shfaqën në Tapetin e Kuq me barkun e rrumbullakosur e nuk kishte gjë më të bukur!
Një homazh për Kobey Bryant
Regjisori Spike Lee bëri homazhin më të ndjerë e më të veçantë në Tapetet e Kuq të këtij viti, në nder të basketbollistit Kobe Bryant.
Në kërkim të autografëve
Në ditët e sotme shumica e njerëzve kur takojnë një personazh të famshëm kërkojnë të bëjnë një foto selfie me të. Por disenjatorja Sandy Powell, e nominuar për filmin “The Irishman” donte të kishte sa më shumë autografe të yjeve të pranishëm në ceremoni.
Një protestë e vogël
Ndoshta nuk e dini, por në “Oscars” këtë vit nuk ishte nominuar asnjë grua në kategorinë “Regjisorja më e mirë”. Ndaj Natalie Portman vendosi të protestonte në mungesë të emrave të tyre e zgjodhi t’i shkruajë ato në xhaketën e saj Dior.
Më të vegjlit shkëlqejnë njësoj Roman Griffin Davis dhe Archie Yates patën momentin e tyre në Tapetin e Kuq dhe shkëlqyen njësoj si të mëdhenjtë.
Riciklimi është në modë
Disa prej yjeve zgjodhën të vishnin një veshje të mëparshme, me të cilën kanë parakaluar edhe më herët një Tapet të Kuq
Veshje për çdo stinë
Nëse meshkujt në evente të kësaj natyre u qëndrojnë besnikë kostumeve të zeza ose të bardha, Elton John tërhoqi vëmendjen me xhaketën lejla dhe atletet me ngjyrë të ndryshme
James Corden dhe Rebel Wilson u shndërruan në mace
Aktoret e “The Cats” James Corden dhe Rebel Wilson u ngjitën në skenë me kostumet e tyre në film.
Billy Porter vazhdon të surprizojë
Nëse ka Tapet të Kuq atëherë ka edhe Billy Porter që vesh diçka surprizuese.
Me qenin me vete.
Ndoshta nuk e keni idenë se kush është Charles Annenberg Weingarten por ama qeni i tij me vete në after party-n e Oscars rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve. /KTV /KultPlus.com
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.
Se ç’e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.
Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Arratisur, syrgjynosur, Raskapitur e katosur, brohoras me bes’ e shpresë, anës Elbë-s, anës Spree-së.
16 Finalistet e Miss Germany do të vishen me kreacionet e kreatores shqiptare, Flora Suldashi dhe do të fascinojnë publikun elitar gjerman me veshje moderne, me bukurinë e tyre dhe programin e përgatitur nga profesionalistë të korporatës Miss Germany.
Finalja mbahet sipas traditës 40 vjeçare në Europapark -(zonën turistike), në prani të afër 2500 mysafirëve dhe shumë mediave gjermane. Kujtojmë se koorporata Miss Germany është koorporatë 90 vjeçare dhe se bashkëpunimi i Flora Suldashit me këtë koorporatë vazhdon tash 7-8 vjet. Me këtë Flora dëshmon lojalitetin dhe profesionalizmin dhe vendos themelet për një traditë të re.
Për Bota Sot, Flora tregon se vajzat do të prezentojnë dy vija të modës të brendit të saj “Flora S” në hapje me kostume të femrave (të prodhuara në Kosovë) dhe në mbylljen e programit me fustana artistik, të gjithë unikat. Finalja mbahet me datën 15.02 dhe mund të përcillet drejtpërdrejtë në Youtube dhe Facebook. /KultPlus.com
Mihal Grameno është një ndër figurat e atdhetarizmit shqiptar, publicist, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike. Mihal Grameno lindi në Janar të vitit 1871 në Korçë. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Në moshë të re emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku u lidh me shoqërinë patriotike shqiptare “Drita”.
Në vitet 1907-1908 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe së bashku me luftëtarët e çetës kombëtare luftuan në Shqipërinë e Jugut për çlirimin kombëtar. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, punoi për lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Më pas vazhdoi veprimtarinë si publicist duke mbrojtur idealet demokratike.
Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Kështu përmendim novelat e tij “Oxhaku” (1909), “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”. Ai shkroi dy veprat: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906), të cilat trajtojnë tema patriotike. Gjithashtu, Mihal Grameno drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926). Vdiq në Korçë më 1931. /KultPlus.com
Qytetet në Kinë, në vendin më të populluar në botë, janë shndërruar në qytete fantazmë pasi qeveria u kërkoi banorëve të mos dilnin për shkak të koronavirusit.
Reutersi ka përgatitur një listë fotografish të disa qyteteve në Kinë, ku shihen rrugët, baret, parqet, metrotë e qendrat – krejt bosh, transmeton Koha.net.
Koronavirusi -COVID 19- deri tash ka lënë të vdekur mbi 1 mijë e 400 persona, derisa mbi 5 mijë raste të reja janë raportuar me koronavirus.
Jo vetëm Pekini, por edhe Shanghai, Qiao, e shumë qytete ndër më të populluarat në botë, janë shndërruar në qytete fantazmë kohët e fundit. Pak njerëz më të guximshëm, shihen me maska në fytyrë rrugëve e bareve.
Bizneset, përfshirë dyqanet, baret dhe restorantet, janë goditur rëndë nga epidemia pasi qeveria ka ndaluar tubimet në masë të njerëzve, madje edhe të ushqyerit në grup, për ta shmangur koronavirusin. /KultPlus.com
Diaspora shqiptare në Itali sot feston Ditë e Pavarësisë së Kosovës.
MPJD ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Bashkimi Kombëtar”, sot, më 15 shkurt 2020, në Bassano del Grappa të Italisë do të mbajë aktivitetin me program kulturor dhe artistik me këngë, valle dhe poezi nga nxënësit e shkollës shqipe në Bassano të Italisë, për të shënuar 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, shkruan albinfo.ch.
“Festa e pavarësisë” është një projekt i rëndësishëm dhe në frymën organizative të ministrisë, me anë të cilit vlerësohet roli dhe kontributi i diasporës shqiptare në Itali, në ruajtjen e vlerave të trashëguara nga atdheu i tyre, si dhe mbahet gjallë fryma e atdhedashurisë, duke kremtuar festat e rëndësishme, siç është 17 Shkurti. /KultPlus.com
Mora me qira dy fëmijë të vegjël afrikanë dhe një grua turke. Pas disa vitesh, ajo deshi të kthehej në vendlindjen e saj për të krijuar një familje. – Familje me lidhje gjaku. Për t’u hakmarrë ndaj kurrnacërisë sime, ajo mund të më akuzonte për përdhunim, kështu që për t’i dalë të keqes përpara i dhashë një sasi parash. – Nuk m’i ke borxh këto para. – Kështu ndjehem më i qetë. Detyrimi për të ndarë të njëjtin shtrat qe i shënuar në kontratë, por kishte një saktësim: çdo përpjekje për marrëdhënie seksuale nga ana e klientit do të denoncohej e zgjidhej në gjykatë. Për t’i bërë ballë mungesës së kënaqësisë seksuale, më duhej të vizitoja vajza trotuaresh, ose t’i bija me dorë në banjo, pak para se të shtrihesha pranë saj. Pas largimit të saj vendosa të shkoja tek zyra që ma kishte gjetur. S’kishin asnjë gjë më të mirë të propozonin se sa disa gra nga Subsaharaja, të rrënuara e të rrudhura. – Është thatësira që i ka rrudhur. – Jo, preferoj më tepër të mbetem prind i vetëm. Pa një nënë që t’i drejtonte, fëmijët u bënë shpejt të rrëmujshëm dhe e bënë lëmsh gjithë apartamentin. Kur kjo gjë o mor vesh nga agjencia që na e kishte dhënë me qira, na e mori menjëherë. Tashmë jam beqar. Kam filluar të bëhem tapë, të paktën tri herë në javë, herë me shokë të punës e herë me miq të gjimnazit. Por nga që m’u dukën egoistë, mendjemëdhenj, të gatshëm të talleshin, u largova shpejt prej tyre. Mora me qira një shok. Një djalë me inteligjencë pak më të ulët se e imja, por që të mund t’i kuptonte arsyetimet e mia bukur të vështira, por jo aq sa të kishte zotësi të m’i rrënonte ato. Desha që të ishte tërheqës aq sa për t’i bërë vajzat e dehura t’i afroheshin tavolinës sonë. E zgjodhi një nga tufa e vajzave që po dilnin nga zyrat, e hipnotizoi si të ishte gjarpër, e bëri të na ndiqte në restorant e po flet me të gjatë gjithë drekës, ndërsa unë i nxis të pijnë sa më shumë, me qëllim që t’i deh. Pasi paguajmë, i jap çelësin e apartamentit tim, e bëj sikur zhdukem. Pas njëzet minutash kthehem si hajdut, zhvishem në mesoren e errët e futem në dhomë. Ai largohet pak nga trupi i vajzës dhe unë zë vendin e tij drejt e mbi këmbët e hapura. Akti vazhdon sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Kur kënaqem, nuk e ndez dritën, as që shqiptoj ndonjë fjalë, nga frika se ajo mund ta marrë vesh se çfarë ka ndodhur. Pasi hedh rrobat e saj jashtë derës i jap udhët, si të ishte një fundërrinë. Kam marrë me qira shumë familje gjatë jetës sime, por pa qenë i lumtur asnjëherë. Do kisha dashur të martohesha me dashuri e të kisha fëmijë. S’jam aq i hijshëm, kështu që kjo ëndrrër ndoshta s’do të më realizohet kurrë. Nëse pas zhgënjimeve të mundshme profesionale do të gjendem pas të gjashtëdhjetave pa ndonjë mundësi jetese, do të bie në pozitën e trishtueshme të jepem me qira si gjysh, të duroj talljet e fëmijëve e shpërthimet e dhunshme të të rriturve, të kënaqur t’i shfryjnë nervat mbi një të punësuar, krejtësisht të paaftë për t’ua thyer turinjtë.
Shqipëroi nga frëngjishtja: Arbër Ahmetaj/KultPlus.com
“Le Figaro” ka botuar, të enjten e 18 majit 1916, në faqen n°3, një fakt të paditur dhe personal për Ismail Qemalin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
— Në kishën Notre-Dame de Montluçon u celebrua, të martën, martesa e kolegut tonë zotit Maurice Levet, drejtor i “L’Evolution politique”, me zonjushën Marguerite Troubat, vajzën e industrialistit montluçonnais.
Dëshmitarët ishin, për nusen : Zotërinjtë Georges dhe Jean Troubat, industrialistë, vëllezërit e saj; për dhëndrin: z. Maurice Raynaud, deputet, ish-ministër i kolonive dhe Shkëlqesia e Tij, Ismail Qemal beu, ish-president i Këshillit të Shqipërisë.E.L. /Shqiptarja.com /KultPlus.com
Thuhet shpesh se “dashuria e bën botën të vijë vërdallë”. Por në dallim nga disa aforizma, kjo është çuditërisht e saktë. Dashuria përshkon çdo aspekt të jetës sonë, nga filmat dhe librat, deri tek ekzistenca jonë. Dhe ajo nuk është një dukuri e kohëve të fundit. Shumë njerëz përgjatë historisë kanë diktuar zhvillimet në botë, vetëm për t’i bërë përshtypje një vajze. Ja cilat janërastet më të famshme.
Adolf Ajhman, u kap pasi djali i tij i foli me mburrrje mbi të, të dashurës së tij hebreje
Përgjegjës për vrasjen e miliona njerëzve gjatë Holokaustit, Adolf Ajhman ishte një nga kriminelët më të kërkuar të luftës për më shumë se një dekadë. Si të gjithë nazistët, ai fshihej diku në Amerikën e Jugut. Dhe mund ta kishte shmangur arrestimin, po të mos të ishte për të birin.
Nikolas Ajhman nisi një lidhje me argjentinasen Silvia Herman. Duke mos e ditur që ajo ishte hebreje, Nikolasi iu mburr një ditë për rolin e të atit në Holokaust. Ai madje u shpreh, se donte që nazistët ta kishin “përfunduar punën e nisur”. Siç mund të pritej, kjo fjali shkaktoi një debat tëashpër mes të dyve.
Por budallallëku më i madh i Nikolasit, ishte përdorimi i mbiemrit Ajhman. Babai i Silvia Herman, një i mbijetuar nga Holokausti, kishte lexuar në gazeta mbi historinë e Adolf Ajhmanit.Ai telefonoi menjëherë shërbimin sekret izraelit, Mosad, që përmes një operacioni special e arrestoi Adolfin, dhe e çoi në Izael, ku ai u nxorr në gjyq.
Gjyqi i viteve 1961–1962 ndaj Ajhmanit, ishte një moment historik për Holokaustin. Ai ishte gjyqi i parë që u transmetua në televizion, duke ndryshuar kështu rrënjësisht diskursin rreth Holokaustit. Për herë të parë, miliona njerëz dëgjuan dëshmitë e të mbijetuarve nga kampet e vdekjes.
Një muaj mjalti, e shpëtoi qytetin japonez të Kiotos nga shkatërrimi i bombës bërthamore
Hiroshima do të jetë gjithmonë sinonim i një sulmit bërthamor që rrafshoi një qytet të tërë. Më shumë se 100.000 japonezë, vdiqën nga shpërthimi fillestar dhe rrezatimi. Ngjarja është edhe më tragjike, për shkak se ata njerëz humbën jetën e tyre një zgjedhje të diktuar nga pushimet e njëamerikani disa vjet më parë.
Në vitet 1920, Henri Stimson, asokohe guvernatori i përgjithshëm i Filipineve, shkoi në qytetin japonez të Kiotos për muajin e tij mjaltit me gruan e tij. Aty Stimson ra në dashuri me qytetin.Në vitet 1940, ai mbante postin e Sekretarit amrikan të Luftës.
Në këtë funksion, atij iu dorëzua për ta firmosur një memorandum me 5 shënjestrat e mundshme të bombës bërthamore. Numri një në atë listë ishte Kioto, kryeqyteti i vjetër i Japonisë, dhe qendra e thesareve historike dhe artistike. Sulmi ndaj këtij qyteti, do ishte qenë absolutisht demoralizues për Japoninë, duke e bërë atë shënjestrën e përsosur.
Por Henri Stimson i dërgoi presidentit Truman një memorandum tjetër, në shenjë protesteste ndaj përzgjedhjes së Kiotos. Stimson nuk mund të lejonte që SHBA-ja të shkatërronte qytetin ku ai dhe gruaja e tij kishin bërë muajin e mjaltit. Trumani ra dakord, dhe kështu shpëtuan qytetarët e Kiotos, si dhe thesaret e pazëvendësueshme kulturore të Japonisë.
Segregacioni racial në SHBA mbaroi, kur një gjyqtar tradhëtoi gruan e tij
Si djalë i një veterani të Konfederatës dhe një vendas i Çarlestonit në Karolinën e Jugut, gjykatësi Uotis Uoring, ishte në eskstremin e kundërt me qasjen e figurave të njohura të të drejtave civile në vitet 1940. Dhe do të vijonte qëndronte në atë pozitë, po të mos ishte për Elizabet Hofmanin.
Pasi u njohën në një festë, Uoring dhe Elizabet patën një lidhje intime për muaj të tërë. Uoring u nda nga gruaja e tij jugore pas 32 vjetësh martesë, për gruan e re nga Detroiti. Banorët e Çarlestonit nuk ishin vetëm kundër faktit që ai e kishte tradëhtuar gruan e tij, por edhe sepsegruaja e tij e re ishte një Janki.
Për më tepër, Elizabet ishte shumë aktive në lëvizjen e të drejtave civile. Pasi u martua me të, gjykatësi Uoring nisi të kishte të njëjtin interes si ajo për lëvizjen e të drejtave civile. Ai u bë një kritik i hapur i segregacionit racial, dhe një kampion i barazisë racore. Qyteti iu kthye kundër. Disa banorë e kërcënuan më vdekje, dogjën kryqe druri në oborrin e shtëpisë së tij, dhe madje pështynë mbi gruan e tij.
Por Uoring nuk ndryshoi qasje. Ai ishte një nga gjyqtarët e parë nga jugu i SHBA-së, që anuloi segregimin në sallën e gjyqit. Ishte ai që e nxiti Turgug Marshall të dërgonte këtë çështje në Gjykatën e Lartë, në gjyqin historik të vitit 1954 Braun kundër Bordit të Arsimit.
Huver injoroi paralajmërimet mbi Pearl Harbour, pasi spiuni ishte qejfli femrash
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dushko Popov ishte spiun i ushtrisë gjermane. Ose të paktën, kjo ishte mbulesa e tij. Në të vërtetë, ai ishte një agjent i dyfishtë që punonte për MI6 britanike. Nëkëtë rol, ai kishte zbuluar komplotin japonez për të bombarduar Pearl Harbour.
Në gushtin e vitit 1941, shkoi në Nju Jork për t’ja transmetuar këto të dhëna FBI-së amerikane.Ai ua tregoi komplotin disa agjentëve, të cilët pasi e kuptuan rëndësinë e situatës, e këshilluan tëtakonte personalisht shefin e zyrës, J.Edgar Huverin. Popov dhe e dashura e tij Terri Riçardson u kthyen në hotelin e tyre për një mision “të fshehtë”.
Por Huver e urrente faktin që ky i huaj kishte marrë një grua nga Florida në Nju Jork për të kryer seks me të. Ai tha se kjo ishte një shkelje e Aktit Man, dhe e kërcënoi Popov me burg. Por ky i fundit ia doli të rikthehej në shtëpi, ndërsa Huver i refuzoi të gjitha të dhënat e Popov. Disa muaj më vonë, Pearl Harbour u bombardua nga japonezët.
Stalini e humbi humanizmin e tij, kur i vdiq gruaja e tij e parë
Në vitin 1899, Josif Stalini ishte ende një djalë i ri, që shkonte në një shkollë fetare. Por nëpamundësi për të vazhduar studimet, ai nisi të kryente krime të vogla në Tbilis. Ndërsa ishte një kriminel i vogël dhe njëherazi një revolucionar marksist, ai u njoh me Ekaterina Svanixen.
Një bashkëpunëtor i Stalinit, u tregonte të tjerëve i habitur se si Stalini, që ishte aq i egër në punën e tij, por dhe në marrëdhënie me shokët e tij, mund të ishte aq i butë, i dashur dhe i vëmendshëm ndaj gruas së tij. Por ajo mirësi nuk zgjati shumë, pasi Ekaterina vdiq 1 vit pasi ata ishin martuar nga sëmundja e tifos.
Stalini u trondit shumë. Kur dëgjoi lajmin e vdekjes së saj, ai tentoi të vriste veten, ndërsa njerëzit që u ndodhën aty mezi ia hoqën pistoletën nga dora. Gjatë funeralit, Stalini u hodh brenda varrit të Ekatrinës duke qarë si fëmijë, derisa e tërhoqën me forcë disa burra. Para se të largohej, ai tha:”Kjo krijesë e zbuti zemrën time prej guri. Ajo vdiq, dhe me të vdiqën edhe ndjenjat e mia të fundit të ngrohta për njerëzimin”.
Pol Poti synoi shkatërrimin e demokracisë në Kamboxhia, pasi e dashura e la për rivalin e tij politik
Para se të urdhëronte vdekjen e miliona njerëzve në Kamboxhia, Pol Pot ishte një mësues i letërsisë franceze, i quajtur Salot Sar. Në vitin 1949, ai ra në dashuri me princeshën e bukur,
Son Mali. Ata u lidhën bashkë. Por 5 vjet më vonë, ajo e la për një përkrahës të famshëm tëdemokracisë dhe rivalin e tij politik, Sem Sari.
Ndarja ishte shkatërruese për Pol Potin. Ajo e pengoi që të dashurohej me gra të tjera. Më e rëndësishmja, urrejtja e tij ndaj Sem Sarit u shndërrua në një urrejtje ndaj demokracisë. Pasndarjes me Son, Pol Pot u end lart e poshtë nëpër Kamboxhia pa bërë asnjë punë.
Gjatë kësaj kohe, mentori i tij, Keng Vansak, i tregoi një histori tradicionale kamboxhiane, ku princat mësojnë të luftojnë në xhungël. Ai e përdori këtë si një manual udhëzues, dhe u nis për në xhungël. Atje u takua me revolucionarët marksistë, që e konvertuan në kauzën e tyre. /bota.al /KultPlus.com
Komuniteti i shqiptarëve në Winnipeg të Kanadës, po planifikonin të festonin 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, mirëpo kjo gjë ka nxitur reagim të madh nga komuniteti serb i këtij qyteti, shkruan KultPlus.
Komuniteti serb ka shprehur pakënaqësinë duke u ankuar në Bashkinë e Qytetit të Winnipeg-ut, duke lajmëruar se do të mbajnë edhe protestë në shenjë kundërshtimi për flamujt që pritet të ngriten me rastin e festimit të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Kjo është hera e parë që komuniteti serb publikisht ka kundërshtuar ceremoninë e ngritjes së flamurit kosovar në Kanada.
Zv.Drejtoresha e Komunitetit të Shqiptarëve në Kanada, Albiana Bugujevci, ka treguar për KultPlus se është mëse e kënaqur që për herë të parë flamuri kosovar ngritet në provincën e Manitoba-s të Kanada-së.
”Shumë familje që kanë ardhur këtu, janë familje që kanë ikur nga lufta e fundit në Kosovë dhe kanë qenë gjithmonë në paqe me të gjitha komunitetet këtu. Kosova është një shtet multi-etnik. Prandaj ne ftojmë të gjithë të reflektojnë mbi luftën e Kosovës dhe të përqafojnë vlerat kanadeze mbi paqen, pranimin e shumëllojshmërisë dhe të drejtën e secilit që jeton në Kanada”, deklaroi Bugujevci për KultPlus.
Bugujevci ndër të tjera tregoi se Komuniteti i Shqiptarëve në fillim nuk e dinte se kush po kundërshtonte ngritjen e flamujve, por shumë shpejt u kuptua nga mediat se këtë gjë po e bënte kisha ortodokse. Për të cilën Bugujevci thotë se përcjellë regjimin e Miloshevicit.
‘Jam lodhur duke dëgjuar serbët tek shtiren si viktima të luftës edhe pse e gjithë bota e din se Serbia është përgjegjëse për katër lufta në Ballkan. Të shtiren si viktima është qesharake. Ata duhen të pranojnë dhe paguajnë për dëmin që kanë bërë. Bota e din mirë se kush janë ata. ”, deklaroi ajo për KultPlus. / KultPlus.com