Mbrëmë u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar, një ngjarje kjo që konsiderohet të jetë më e madhja në kinematografinë e filmave ndërkombëtar, shkruan KultPlus.
Në mesin e yjeve që fituan çmime, ishte edhe një artiste me origjinë shqiptare.
Liria Prishtina, ishte pjesë e ekipit fitues të filmit ”Little Women”, film ky të cilit iu nda çmimi për kostumografinë më të mirë.
Lajmin e ka bërë të ditur babai i artistes përmes një statusi në Facebook ku shprehet tejet krenar për arritjet e së bijës, ku me kënaqësi njoftoi se ishin modelimet e së bijës ato që e ndihmuan filmin të fitonte Oscar për kostumet.
Liria Prishtina (Pristine) ka studiuar në Londër, ku ka ndjekur studimet në drejtimin e Dizajnit të Modës.
Bashkangjitur gjeni tralierin e filmit. / KultPlus.com
Sot shënohet 103 vjetori i lindjes së disidentes shqiptare, Musine Kokalari. Ndërsa në anën tjetër Lasgush Poradeci mbetet njëri nga poetët më të shquar shqiptarë, shkruan KultPlus.
Në vijim mund të lexoni letrat që këta dy shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë shqipe shkëmbyen mes vete.
‘Zonjushës Musine Kokalari Via Garfagnano 8 int 12 Romë
Tiranë, më 24 Korrik 1940
Fort e ndritur dhe e dashur zonjushë,
Përgjigja Juaj më gëzoj shumë, ardhi shpejt siç e dëshironja dhe e kisha mendimin. Sapo e mora vajta në Durrës ta pyes Nafijen, ajo sgjodhi anglishten dhe më tha t’Ju shkruaj dhe të falat e saj. Mirë kini vënë istori në vend të latinishtes, për degën e pedagogjisë, edhe lëndët e tjera mirë janë vënë. Kështu Ju lutem të m’i dërgoni librat dhe dispensat, vetëm që nuk e di në Ju mjaftojnë të hollat, mua më thanë 20 fr, unë i bëra 25. Mos harroni të më shënoni mungesën.
Kur Ju shkrojta letrën e parë disa veta në kopshtin e Kursal-it, nuk Ju pranonin, i kundërshtova siç mendoja vetë, i-u bëri përshtypje kur muar vesh se ato mendime po botohen. Dje ishim në një mbledhje letrare edhe me ministrin e arësimit, Ernest Koliqi. Ra fjala për Juve, Koliqi foli mire, e dëgjuan dhe disa nga ata “mospranonjësit”. Një koleg i tha për recenzimin tim, Koliqit i ardhi mirë.
Pranoni të falat dhe mirënjohjet e mija nga zemra.
Juaji Lasgush
Romë, 30 korrik 1940.
I ndershmi Zoti Lasgush,
Pas letrës së fundit që mora këto ditë dhe në bazë të degës së zgjedhur Nafijes i bleva librat dhe dispensat e duhura.
Të shtunën në mëngjes libra shitësi postoi paketën. Duke marë parasysh se Tirana është e vogël dhe njihen njerëzit jam e qetë se pakua do të vijë edhe duke pasur adresën e shtëpisë gabim. Në vënd të 34 vuri 54. Ishte vonë kur e mora vesh. Sidoqoftë më lajmëroni marjen, mbasi dua të dal nga meraku.
Ju falem nderit shumë për mendimet e mira dhe për përkrahjen që tregoni për mua. Në çdo gjë sundon pjesa e mirë dhe e keqe. Një gjë e tillë ndodh edhe në mendime. Si thoni dhe vetë janë disa që më pranojnë dhe disa jo. Gjith se kush ka arësyet e veta sipas mënyrës që shikon shkrimet. Kjo gjë më gëzon shumë sepse mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe. Në Shqipëri siç e dini dhe vetë rallë mund të gjejmë një kritikë, e cila të jetë analitike edhe pa paramendim. Zakonisht për të mos prishur qejfin e njerit e tjetrit, çdo gjë që botohet kritikohet jo në bazë të veprës, po të personit që shkruan duke i shtuar një barë lavdime.
Letërsisë s’onë që sot po bje poshtë ose po humbet dal-nga-dal i mungon kritika letrare, nga shkaku se nuk ka patur as rymë as kundërshtim mendimesh.
Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dy palët më bëjnë një të mirë, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj positives. Më lejoni të mbaroj me kaq. Nafijes shumë të fala. Me respekt Musine Kokalari
(Marrë nga profili i Marie Lasgush Poradeci) / KultPlus.com
Gjilan. Është tetori i 1946-s. Po mbahen gjyqet ndaj veprimtarëve të organizatës ilegale patriotike të NDSh-së, Nacional Demokrates Shqiptare, e cila po e mbante bajrakun e rezistencës kundruall komunistëve jugosllavë në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Në mesin e shumë burrave aktivistë është edhe një vajzë e re.
Akuza e prokurorit famëkeq Ali Shukria e fajëson për strehim të Hamdi Berishës, një prej krerëve të NDSh-së, si dhe për fshehje në shtëpi të armatimit të organizatës. Ndonëse rrihet brutalisht në hetuesi, ajo nuk tregoi shokët. Në mungesë të provave, lirohet pas maltretimeve të shumta fizike e psiqike.
Ajo është vetëm 23 vjeçe dhe quhet Katarina Josipi. Të gjithë e njohin si Kati. Me prejardhje është nga Zymi i Hasit dhe atje kreu klasët e para në shkollën e atë Gjeçovit. Më pas jeton në Nish, ku babai i saj punonte si furrëtar. Pas luftës së prillit ’41, babai i saj kthehet në Ferizaj dhe këtu Kati nis hapat e parë të aktrimit amator… por edhe të veprimtarisë politike.
Në kohën sa jetonin në Ferizaj, vëllai i saj, Lazri, bëhet anëtar i NDSh-së, duke qenë nxënës i Gjon Serreçit, një prej udhëheqësve të saj. Në NDSh anëtarësohet edhe Katarina e re. Në vitin 1946 OZNA i arreston së bashku, motër e vëlla. Lazër Josipi u dënua me 12 vite burg.
Me t’i shpëtuar arrestimit, Kati fillon karrierën prej aktoreje në Teatrin e Prishtinës dhe për njëzet vite luajti në mbi 70 shfaqje teatrale – që prej Maricës në dramën “Personi i dyshimtë” më 1949 e gjer tek roli i shërbëtores në shfaqjen “Tri ditë të kiametit” më 1969. Ajo bëri emër si pioniere e skenës teatrore kosovare dhe u kthye në një primadona të Teatrit të Prishtinës.
Katarina u martua me Hilë Pjetrin, inxhinierin emigrant nga Kavaja. Në shenjë hakmarrjeje, UDB-ja vendos t’ia riatdhesojë burrin në Shqipëri, gjersa dy fëmijët e tyre katër dhe dy vjeçarë vdiqën nga një sëmundje e rëndë. Kati vendosi të mos martohej kurrë më.
Në vitin 1968, gjatë një vizite në Shqipëri, ajo e takoi edhe ish-burrin e familjen e re të tij. Ai kishte bërë dy fëmijë dhe ua kishte lënë emrat e djalit dhe vajzës së tyre të ndjerë. Pak muaj më vonë, në moshën 45 vjeçare, Katarina Josipi ndërroi jetë. Kati, e emërtuar sipas Shën Katarinës, po si në një shajni prej providencës, vdiq mu në ditën e Shën Katarinës së Sienës më 29 prill 1969.
Ajo u varros në Karashëngjergj të Hasit, ndanë varrit të atë Shtjefën Gjeçovit që serbët e vranë më 1929 për shkak se i mësonte fëmijët në gjuhën shqipe dhe ndanë varrit të atë Luigj Palës që malazezët e kishin vrarë më 1913 për shkak se i rezistoi konvertimit të dhunshëm të shqiptarëve katolikë.
Hamdi Berisha, për shkak të strehimit të të cilit ish arrestuar Kati, u dënua me pushkatim. 32 nga 37 aktivistët e arrestuar të NDSh-së morën dënime të larta, ndonëse disa prej tyre ishin akoma 16-17 vjeçarë e mosha mesatare e tyre mezi arrinte 30-shin. Të gjithëve së bashku iu shqiptuan 427 vjet burg.
Në dy vitet e ardhshme OZNA ia doli ta shtypte NDSh-në, por jo edhe gatishmërinë e vajzave dhe djemve shqiptarë për t’u organizuar dhe për të sakrifikuar për liri. Rrugën e Katarina Josipit dhe Marie Shllakut e vazhduan Xhevë Lladrovci, Hyrë Emini dhe qindra e mijëra vajza e gra të Kosovës.
Në nji vend ku djali rritet si mbret/princ/pasha, do a s’do, gruaja ka me qenë veç nji ‘copëzë mishi’ ose nji shërbëtore që i plotëson krejt nevojat e tij.
Në nji vend ku asht’ marre me fol e me i mësu fmijtë se dashnija s’ka kufi n’gjini e ditunia asht’ e shenjtë; ka me qenë gjithë e hidhun jeta.
Në nji vend ku nanat i mësojnë djemtë e tyne me fluturue e pastaj me i shkelun çikat e huaja; s’asht çudi kur këto t’fundit dhunohen sistematikisht.
Në nji vend ku arritja ma e madhe asht’ paraja, telefoni ose kerri/makina e shtrenjte, aty ku Instagrami ta dikton jetën dhe ku duhesh me u ly-ngjy për me ra n’sy: nuk ka fort shpresë për nesër!
Aty ku gratë e ulin kryet dhe e lshojnë dijen; ka me pasë vend për krejt t’kqijat… Aty ku gratë detyrohen me u futë n’dorën e t’fortëve s’kanë me çelun pranverat.
Atje ku burrat shesin mend se ‘pika ma e naltë me moral e nder asht motra’ e ka përthëkue e zeza oxhakun e konakut! / KultPlus.com
Izet Buco, si fëmijë ishte i lënduar gjatë luftës në Bosnjë ndërsa bashkë me familjen u largua nga Sarajeva për në Angli, për një jetë më të mirë dhe për të shpëtuar nga forcat serbe. Ai u largua me helikopterët e UN-it dhe jeta e tij ishte në rrezik.
Mbrëmë, Izet Buco fitoi një çmim Oscars për efektet më të
mira vizuele, për punën e tij në filmin ‘1917’.
Buco madje kishte qenë i plagosur si fëmijë, në Gorazde të Bosnjës në vitin 1994, dhe ja sot ku ja doli edhe të triumfonte në Oscars dhe të dilte në skenën e madhe të Akademisë së çmimeve më prestigjioze filmike në botë.
Buco jeton në Londër dhe është pjesë edhe e filmave të tjerë të njohur si ‘Cats’, ‘The Lion King’, ‘Wonder Woman’, ‘Life’, ‘Warcraft’, shkruan KultPlus.
Izet Bučo je 1994. godine bio teško ranjen u Goraždu. Evakuisan je iz Sarajeva UN-ovim helikopterom do Velike Britanije, te su njegove šanse za preživljavanje bile jako male.Uspio je da preživi.Započeo svoju filmsku karijeru,a sinoć je osvojio Oscara s ekipom filma “1917” pic.twitter.com/OLRRMQcico
“Është vështirë ta shpjegoj sa i privilegjuar jam që kam punuar në këtë film. Ta shoh filmin që po merr çmimet më të arritura të industrisë e bën këtë projekt edhe më të veçantë. I tërë filmi në vetëm një kuadër, është e çmendur. Këtë e bëjmë ne. Ne bëjmë filma që lëvizin gurët” ka shkruar Buco në LinkedIn. Bashkë me të, në efektet vizuele kanë punuar edhe Guillaume Rocheron, Greg Butler dhe Dominic Tuohy.
‘1917’ është film nga Sam Mendes ndërsa fokusohet rreth dy ushtarëve nga Britania në Luftën e Parë Botërore. Për njërin prej ushtarëve, ta dëgojë një mesazh në vendin e saktë ka shumë rëndësi sepse kështu mund ta shpëtojë edhe një familjar të vetin. / KultPlus.com
Të gjithë jemi rritur me macen dhe miun që jetonin në shtëpinë e njejtë e që krijonin komplote e telashe pa ndalur, shkruan KultPlus.
Tomi dhe Xheri kanë qenë ndoshta pjesa më e mirë e fëmijërisë së secilit prej nesh.
Ndërsa sot, Tomi dhe Xheri mbushin plot 80 vjet nga lansimi i tyre i parë në ekranet televizive.
Ndërtimi i duos ishte realizuar nga Departamenti i Animacionit i MGM, ku krijuesit Bill Hanna dhe Joe Barbera punuan në të. Ata kishin luftuar të imitonin suksesin e studiove të tjera, që kishin prodhuar karaktere si Porky Pig dhe Mickey Mouse, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Nga mërzia, animatorët, të dy nën moshën 30 vjeçe, filluan të shfaqin në pah idetë e tyre. Barbera tha se ai e donte shumë konceptin e thjeshtë të një karikaturë mace dhe miu, me konflikte dhe ndjekje, edhe pse ishte bërë për hera të panumërta më parë.
Për herë të parë ajo u publikua në vitin 1940. Debutimi u bë hit dhe u solli atyre një nominim Oscar për filmin më të mirë të shkurtër. Pavarësisht punës së tyre, animatorët nuk u besuan në punën e tyre.
Ndryshimi erdhi kur atyre iu arriti nga një figurë me ndikim në industri në Teksas, kur pyeste se kur ajo do të shihte sërish një tjetër episodë nga ato “vizatime të mrekullueshme të maceve dhe miut”.
Jasper dhe Jinx, siç u emërtuan për herë të parë, u bënë Tom dhe Xheri. Sipas Barbera nuk ka pasur ndonjë diskutim në të vërtetë për personazhe të heshtura, por pasi u rritën me filma të heshtur që Charlie Chaplin, krijuesit e dinin se mund të dilte qesharake filmi i animuar pa dialog. Muzika e kompozuar nga Scott Bradley nënvizoi aksionin si rrjedhojë.
Kryeveprat e vazhdueshme i ndihmuan dyshes së animuar të fitojnë shtatë çmime ‘Academy Awards’ dhe të ardhura astronomike nga filmat artistik. / KultPlus.com
PEN Qendra e Kosovës në kuadër të aktiviteteve të saj ka filluar projektin kulturor për promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Ditë më parë në Ulqin, në shenjë të 60- vjetorit të lindjes dhe 2- vjetorit të vdekjes së poetit, Basri Çapriqi, në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” të Ulqinit, për dy ditë me radhë, u organizua ora letrare ” Dritaren lëre hapur” dhe sesioni shkencor “Poeti i detit”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë letrare e shkencore të poetit dhe studiuesit Basri Çapriqi.
Në këtë manifestim kontributet dhe kumtesat e tyre i paraqitën: Zuvdija Hoxhiq, Bashkim Kuçuku, Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Sali Bashota, Entela Kasi, Arben Prendi, Binak Kelmendi, Nail Draga, Eljon Doçe, Liridona Sinishtaj, Sazana Çapriqi, Ismet Kallaba, Haxhi Shabani, Anton Gojçaj, Rrok Gjolaj, etj.
Gjithashtu, më 11, 12 dhe 13 shkurt 2020, në orën 18:00, aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës, do organizohen në bashkëpunim me portalin Kultplus, me ç’rast për tri net me radhë, do të prezantohet krijimtaria letrare e Martin Camajt, Ali Podrimjes dhe Teki Dervishit.
Kështu, studiuesit, kritikët letrarë dhe shkrimtarët: Milazim Krasniqi, Osman Gashi, Anton Berishaj, Blerina Gaxha, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Adil Olluri, Binak Kelmendi, Ibrahim Kadriu, Haqif Mulliqi, Qibrije Demiri, Flamur Maloku, etj., do t’i paraqesin kumtesat dhe kontributet e tyre studimore.
Projekti Promovimi i letërsisë shqipe, është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Azem Shkrelí ishte një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.
Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.
Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997. Vdiq në pranverën e vitit 1997.
Librat e tij me të njohur me poezi janë: Bulzat, Engjujt e rrugëve, E di një fjalë prej guri, Nga bibla e heshtjes, Pagëzimi i fjalës, Nata e papagajve , “Lirikë me shi, Zogj dhe gurë. Ndërsa në prozë ai shquhet sidomos me romanin e tij “Karvani i bardhë”.
Azem Shkreli u ngjit në maje të letrave shqipe dhe vazhdon të mbetet i tillë falë thesarit që ka lënë si pjesë e letërsisë shqipe. /KultPlus.com
Në Kolegjin Universum sot ishte në vizitë z. James P. Merz, Zëvendës Koordinator i US Assistance to EUR/ACE nga Ambasada Amerikane dhe përfaqësues nga Kosovo US Alumni.
Z. Merz zgjodhi të vizitoj Kolegjin Universum në mesin e të gjitha institucioneve në vend për të parë më afër rrjedhen e implementimit të projektit “Parandalimi i plagjiatures përmes teknologjisë” projekt ky i Kolegjit Universum dhe Platformes “Akademia” i financuar nga Ambasada Amerikane.
Softueri anti-plagjiaturë funksionon në 20 gjuhë të botës dhe ka në databazë miliarda hulumtime që do të ndihmojnë në saktësinë e softuerit dhe do të lehtësojnë identifikimin e plagjiaturës duke përmirësuar kështu nivelin e punimeve shkencore dhe të diplomave në vendin tonë.
Për më shumë informata rreth softuerit dhe projekteve të radhës nga Kolegji Universum ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.
Më 14 shkurt, Cineplexx organizon eventin Valentine’s Day, ku do të dhurojë një udhëtim në Dubrovnik për një çift.
Për ditën e Shën Valentinit, Cineplexx organizon eventin “Valentine’s Day”, ku në të dy kinematë, të gjithë ata që blejnë bileta mund të bëhen pjesë e lojës shpërbyese për të fituar një udhëtim për çift në Dubrovik. Biletat për këtë eventi tashmë kanë dalur në shitje, ndërsa kushdo që shikon film në Cineplexx gjatë asaj dite, mund të bëhet pjesë e kësaj loje shpërblyese.
Top filmat që mund t’i shikoni gjatë këtij eventi janë:
I Love Tropoja: Pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmit “2 Gisht Mjaltë”, i cili mbetet filmi më i shikuar në Cineplexx, Ermal Mamaqi sjell një komedi të re, me titullin “I Love Tropoja” mbajti premierën , më 6 shkurt në Cineplexx, dhe mbetet filmi më i pëlqyer momentalisht nga audienca jonë.
Filmi flet për një djalë me ambicie të mëdha për jetën, i cili shpreson që së shpejti do të vendoset në pozicionin që meriton në kompaninë ku ai punon, por cuditërisht ndodh e kundërta. Djali e gjen veten aty ku nuk e kishte menduar kurrë, në një qytet verior, në Tropojë, ku duket se shpresa ka vdekur bashkë me botën në mendjen e tij.
Birds of Prey: Pas ndarjes nga Joker, Harley Quinn bashkohet me superheroinat Black Canary, Huntress dhe Renee Montoya për të shpëtuar një vajzë të re nga një kriminel i ligë. Filmi vjen me aktoren Margot Robbie, e cila rikthehet në rolin e famshëm të Harley Quinn, ndërsa në role tjera vijnë aktoret Rosie Perez, Mary Elisabeth Winstead, etj
Bad Boys for Life Dyshja e njohur Will Smith dhe Martin Lawrence u rikthyen së bashku me filmin Bad Boys 3. Filmi flet për Marcus Burnett, i cili tani është një detektiv policie, dhe Mike Lowery, i cili është në krizë të jetës së tij, duke mos gjetur përmbushje në asgjë, të cilët bashkohen sërish kur një mercenar shqiptar, vëllau i te cilit ata vranë, u premton atyre nje bonus të rëndësishëm. Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen edhe filmat familjarë, Playing with Fire dhe Dolittle, që vazhdojnë të jenë përzgjedhjet kryesore të audiencave më të reja.
Për më shumë Cineplexx në bashkëpunim me Raiffeisen Bank Kosova sjell një super ofertë për biletat e këtij filmi. Për çdo biletë që paguani me Gold dhe Bonus Cards, merrni 1 tjetër FALAS. Biletat për këtë event mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx.
Më 10 shkurt të vitit 1917, lindi shkrimtarja e shquar shqiptare, Musine Kokalari.
Jeta e saj si një intelektuale dhe një grua që revoltohej kundër reformave të socializmit, e bënë atë disidentet e parë shqiptare, shkruan KultPlus.
Musineja kishte luftuar dhe shpresuar për një Shqipëri të lirë dhe revoltën e saj do ta pasqyrontë pa frikë në të gjithë krijimtarinë e saj.
Sot në 103 vjetorin e lindjes së njërës prej figurave të më të shquara të letërsisë shqipe, KultPlus ju sjell një pjesë nga ditari i saj, të publikuar nga ‘Muzeu Kokalari’
”Rrëshen, 31 Dhjetor 1972
Njëmbëdhjetë vjet pune “të lirë” në ndërtim kanë qenë për mua një zhgënjim, po të krahasohet me superioritetin e organizimit, intensitetin dhe rendimentin më të lartë të punës së detyruar të të burgosurve. Sa i fortë është një brigadier i “lirë” dhe sa abuzime bën! Sa e vërtit punëtorin e shkrete, kur ky merr guximin ta kundërshtojë. Sa lekë ha ai duke mos punuar, sa ditë shkruan jo për vete, por edhe për atë që e mbron dhe ka leverdi. Ai është një qehaja që vjedh punëtorët dhe shtetin, një tiran i vogël që ia helmon jetën përditë punëtorit, një nga diktatorët e vegjël të këtij shteti që e krijoi.
Punëtori është i pandihmuar dhe varet nga një brigadier dhe nga një teknik, që e paguan si dhe sa t’i pëlqeje. Punon me orë të zgjatura dhe kur kthehet ne shtëpi, nuk ka fuqi të rrijë në këmbë. Në socializëm, thonë se klasa punëtore është në fuqi, po punëtori mbetet gjithmonë në fund , si në dituri, ashtu dhe në pagesë…, i mbyllur brenda katër mureve të ndërmarrjes. Kultura, shtypi punëtor, nuk është një armë që të udhëheqë punëtorët, t’i frymëzojë ata të shprehin mendimet jashtë mureve të ndërmarrjes. Punëtori i krahut vuan për një moskuptim nga inteligjenca e shtëpive të kulturës.
Këtë njoha dhe ky është realiteti. Dhe po të mos kisha kaluar këtë rrugë, unë do ta quaja veten se kisha bërë një punë kushedi sa me rëndësi, po të merresha me letërsi. Talenti dhe kultura duan vërtet studim dhe punë të lodhshme, por ama punëtori i bujqësisë, i minierave, i ndërtimit, bëjnë punën më të rëndë. Ata luftojnë çdo ditë me kolektivin dhe me vetveten, me lodhjen e me pafuqinë. Bashkë me të gjitha këto, ka edhe familje për të mbajtur, ka fëmijë për të rritur…
Le ta mbyllim vitin 1972 me këto shënime. Nuk do ta harroj kurrë sa padrejtësi bëhen në kurriz të punëtorit, sa mbetet ai i pakulturuar dhe sa pak interesim ka inteligjenca, e cila bën reportazhe, shkruan romane, por asgjë nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit jetik të tij.
***
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917 në Adale të Turqisë, ndërsa në vitin 1921 familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari do të vendosej në Tiranë.
Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë, “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939. Ishte viti 1943 kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate.
Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, ajo botoi librin e dytë, “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit, “Sa u tund jeta”.
Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981 sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.
Çastet e fundit të jetës
Në dorëshkrimin, “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”
Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhej të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”. Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që jep qartë edhe në qëndrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konsekuente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe me konfiskim të pasurisë.
Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Pas punës ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, në bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat. E dërmuar nga vuajtjet dhe e rraskapitur nga punët e rënda, Musineja u sëmur nga kanceri.
“Ç’fat tragjik”, shkruan ajo. “Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime.”
E shtruar në spitalin onkologjik, ajo shkruan: “Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç’do të ngjasë?
Këtu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej.
Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’do me thënë familje.
Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë.”
Titulli origjinal: “Musine Kokalari: Tmerrësisht e vështirë jeta e punëtorit në socializëm” / KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Arbërie Nagavcin janë takuar me përfaqësues të organizatës “Thirrjet e Nënave”.
“Kur morën të prezentohen, ato s’identifikoheshin me atë se kush janë, por me ate se kush ju mungon. Në njërën anë, njëra s’kishte djalin; një tjetër s’kishte burrin, dy djemtë, dhe tre kunetët. Tjetra ishte pa dy djemtë; e katërta s’kishte burrin dhe kunetët. Në anën time tjetër, njëra kishte humbur burrin dhe dy djemë; tjetra burrin”, ka shkruar Osmani në llogarinë zyrtare në Facebook.
Kryetarja e Kuvendit ka deklaruar se do t’ua heqin barrën e përgjegjësisë për venie të drejtësisë.
“Privimi nga afërsia fizike me më të dashurit e tyre i kishte afruar shpirtërisht më afër tyre. Ato kishin pushuar të ekzistonin si njerëz të zakonshëm me ëndërra dhe frustrime; tash ndiheshin veç si mjet për të sjellë drejtësinë në vend për ta. Dy herë viktima, mendova. Njëherë viktima të privimit nga më të dashurit e tyre, e njëherë viktima të barrës së papërballueshme që kanë mbi supe për të sjellë drejtësinë në vend për ta. Dhimbjen për të dashurit do ta kenë gjithmonë, por nëse ne ua heqim barrën e përgjegjësisë për vënie të drejtësisë, ato do të ndihen më të lehtësuara. Ne si institucione duhet t’ua heqim këtë barrë. Ua kemi borxh”, deklaroi Osmani./KultPlus.com
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të PEN Qendrës së Kosovës, kryetar u zgjodh Binak Kelmendi.Në këtë mbledhje zgjedhore mori pjesë Entela Kasi,kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe anëtare e Bordin Insearch Committe të PEN International, në Londër.
Binak Kelmendi është prozator, përkthyes dhe publicist. Ishte redaktor përgjegjës i “Rilindjes”, që u botua në Perëndim, Zvicër. Në vitin 1998 u zgjodh kryeredaktor i gazetës “Bujku”, e cila, pasi iu rikthye emri “Rilindja”.
Botoi këto vepra: “Rozafa” (tregime, Rilindja 1990, Prishtinë ), “Vezët e Vdekjes”, (roman, Dukagjini, 2001, Pejë), “Ofelia e Dukagjinit” (tregime, Rozafa, 2004, Prishtinë), “Guri i Vashës”, (roman,Koha, Prishtinë, 2012), “Portat e Pejës” (roman, Koha, 2015). Ky roman në vitin 2014 mori Çmimin Rexhai Surroi për romanin më të mirë shqiptar në vitin 2014, Në vitin 2018, botoi romanin “Rruga 66 (PEN Qendra)
Ka përkthyer nga frëngjishtja: “Mirëdita Pikëllim”, Françoise Sagan, “Dashnori”, Marguerite Duras, “Ilirja”, Flora Dosan, “Hajni dhe qentë”, Nagib Mahfuz, “Kosova-rrëfime për ndërtimin një shteti”, grup autorësh francezë, etj.
Ka bashkëpërkthyer: “Akrobatët”, Kostas Valetas, “Figurat”, Gérard Genette.
Në vitin 1999 në Strasbourg është përfshirë si krijues nga Kosova në revistën letrare Mieteleuropa me tregimin “Formula alkimike”. / KultPlus.com
Nën tingujt e këngës së Nexhmije Pagarushës e cila na la këto ditë, diçka e re po jetësohej për një tjetër emër të fuqishëm të gruas shqiptare. Krijimtaria letrare dhe joletrare e Musine Kokalarit erdhi sot më e përmbledhur se asnjëherë, në një libër krejt të veçantë të autores Meliza Krasniqi, shkruan KultPlus.
Për të dëgjuar
nga afër se çfarë shpalos ky libër, numri i të interesuarve ishte i madh.
Profesorë, njerëz të artit e institucioneve kishin zënë vend në një nga sallat
e Institutit Albanologjik aty ku edhe pritej të mbahej promovimi.
“Vepra e
Musinesë” ka ardhur si rezultat i punës kërkimore, studimore e shkencore të
autores dhe sot kjo vepër u vlerësua si një kontribut i çmuar në studimet e
sotme shqiptare.
Për të folur
për librin, të pranishëm ishin dy recensuesit e librit: Sali Bashota dhe Gëzim
Aliu.
Bashota,
studimin monografik të Meliza Krasniqit e vlerësoi në radhë të parë, për
veçantitë e kërkimit, për përdorimin efikas të metodave të studimit, për
karakterizimet estetike, por edhe për cilësinë e mendimeve dhe të pikëpamjeve
teorike.
“Është me
interes trajtimi i fenomenit të minimalizmit, i cili nuk është trajtuar sa
duhet në studimet shqiptare, prandaj autorja ka bërë një përpjekje të
suksesshme dhe serioze në trajtimin e mozaikut minimalist në prozën e
Kokalarit, veçanërisht në veprën “Siç më thotë nënua plakë”, u shpreh Bashota,
teksa potencoi faktin se pikëpamjet kritike dhe letrare të Melizës përcaktojnë
një relacion krijues të autores së studimit me autoren e veprave.
“Fryti i një
relacioni dhe kërkimi të tillë, është vetë kërkesa për studim monografik, në të
cilin trajtohet vepra e Musinesë: proza, poezia, autobiografia, studimi i saj për
Naim Frashërin, pastaj ditari, letrat dhe kujtimet.”
Gëzim Aliu,
veprën e cilëson si përpjekjen e parë serioze për të trajtuar në tërësi veprën
letrare dhe joletrare të shkrimtares së parë shqiptare.
“Meliza
Krasniqi i është qasur veprës së Musinesë përmes gërshetimit të metodave
shkencore, nga analiza tekstuale e deri te metoda sociologjike. Studiuesja e ka
të qartë se pa e ndërtuar kontekstin e veprës së M. Kokalarit nuk është i lehtë
depërtimi në brendi të tekstit, prandaj edhe monografia, përveç një kapitulli
të pavarur që gjendet në fillim dhe që ndërton Musinenë në pesë pamje, ka edhe
pesë kapituj që lidhen me kontekstin, duke nisur nga Jeta e saj universitare e
deri te mendimet e kritikëve për Veprën e saj”, është shprehur Aliu, duke
vazhduar tutje të flas për kapitullin e dytë të librit, “Siç më thotë nënua
plakë”, ku Meliza merret me dhjetë prozat që e përbëjnë këtë vepër.
“Studiuesja
mendon se Kokalari shfaqet si dukuri në kultivimin e prozës, duke sjell risi
tematike, teknike e stilistike në letërsinë shqipe, madje ajo guxon të bëjë
edhe eksperimentime letrare. Krasniqi shprehet se Kokalari, përmes rrëfimit e
ndërton identitetin , psikologjinë, fatin dhe fatkeqësinë e grave shqiptare të
asaj kohe”.
Krejt në
fund, Aliu potencoi se gjuha përmes së cilës Krasniqi shpreh mendimet është e
qartë, e ndërtuar me fjali të shkurtra e koncize, pa ngarkesa teorizuese e
terminologjike të tepërta, kështu që, sipas tij, këtë monografi mund ta
lexojë edhe një lexues joprofesional.
Krejt në
fund, fjalën e mori autorja e librit, Meliza Krasniqi për tu shprehur në një
rrafsh personal.
Jo rastësisht,
ishte vendosur që libri të promovohet në këtë datë. 10 shkurti shënon 103
vjetorin e lindjes së Musinesë dhe përvjetorin e babit të Melizës. Kjo datë e rëndësishme
për autoren, nuk mund të kalonte thjeshtë. Ajo ka vendosur ta plotësojë në këtë
mënyrë, por lotët e tradhtuan qysh në fillim.
“E kush kish
mendu që Musine kish me festu ditëlindjen kështu sot në Prishtinë, apo që unë
do ta përkujtoja babin tim kështu sot. Të dy këta i kam udhërrëfyes e model, njëra
pse ishte një grua e guximshme dhe e fortë, intelektuale e shkrimtare, ndërsa tjetri,
heroi im me karakter të fuqishëm e zemërgjerë”, këto fjalë nuk e emocionuan vetëm
Melizën por edhe publikun.
Pasi mblodhi
veten pak, autorja tutje tregoi se për Musinenë për herë të parë kishte dëgjuar
gjatë studimeve Bachelor, ku në mesin e gjithë shkrimtarëve të atyre viteve, përmendet
kalimthi edhe emri i Musinesë si një fenomen letrar në gjininë e prozës. Një zë
i veçantë, jeta e secilës përfundoi tragjikisht.
“Historia e
letërsisë sonë, përgjithësisht është histori e letërsisë së burrave, aty nuk përmendet
as edhe një grua shkrimtare e vetme. Gjatë interesimit tim, pash që për Musine
Kokalarin ishte botuar një numër i veçantë në revistën “Jeta e Re” në vitin
1998, ndër të tjera, kishte shkruar Lasgush Poradeci e Ibrahim Rugova. Për mua
kaq mjaftonte. Kështu vendosa të shkruaj monografinë për Musinenë, sepse për të
ishin shkruar shkrime e kapituj por jo më shumë”, tregoi kështu autorja arsyen
dhe dëshirën për të shkruar për këtë figurë të rëndësishme shqiptare.
Pas përshëndetje e përgëzimeve, të pranishmit morën veprën në duar për të vazhduar tutje me një koktej rasti. / KultPlus.com
A dëshironi që fëmija juaj të testoj njohuritë e tij në fushën e teknologjisë dhe të shpërblehet me bursë për të ndjekur kurset më atraktive të programimit, animacionit dhe robotikës në Qytetin e Ferizajit?
+320 fëmijë në Qytetin e Ferizajit morën pjesë në kuizin e teknologjisë. Fëmijët pjesëmarrës përfituan bursa për kurse të programimit, animacionit dhe robotikës. Për fëmijët të cilët nuk ishin pjesë e kuizit në objektin e Universum Digital Academy, ju mundësohet ta plotësojnë kuizin online dhe të hyjnë në garë për përfitim të BURSAVE deri në 50%, për pjesëmarrje në Kurset e Universum Digital Academy. FITO 50% BURSE, BËHU PJESË E KURSEVE MË ATRAKTIVE TË UNIVERSUM DIGITAL ACADEMY. Linku i kuizit https://bit.ly/2GrkRYK
E rëndësishme është që përfitues do jenë të gjithë pjesëmarrësit! Përqindja e bursës që do fitoni varet nga përgjigjet e sakta që do jepni poashtu ju fitoni 10 pikë bonus për çdo shok/shoqe që e referoni të jetë pjesë e kuizit.
Universum Digital Academy ofron kurse 1 vjeçare të programimit, animacionit dhe robotikes për fëmijë të moshës 6-18 vjeç.Ndërsa mësojnë, fëmijët ndërtojnë mini-lojëra, zgjidhin enigma, krijojnë projekte kodimi dhe kompletojnë misione, kreativiteti është një nga aftësitë më të rëndësishme që ata zhvillojnë. Plotëso kuizin tani https://bit.ly/2GrkRYK PROGRAMI I AKADEMISË MBËSHTETET NË PROJECT-BASED LEARNING (PBL)
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, si asambleiste e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ka kërkuar sot që në mbledhjen e radhës të hyjë në rend të ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës, shkruan KultPlus.
Përmes një statusi në Facebook, Dumoshi ka thënë se Kosova dhe
Prishtina i kanë borxh Antonit, andaj duhet miratuar ky vendim për t’i gjetur
vend Antonit në Prishtinë.
Ky është postimi i plotë i Vlora Dumoshit:
Si asambleiste e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, kërkova që në mbledhjen e radhës të hyjë në rend të ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës.
Sivjet është 100 vjetori i lindjes së Antonit dhe po ashtu 30
vjetori i Lëvizjes së madhe të pajtimit të gjaqeve.
Kjo lëvizje e madhe, që bashkoi djem e vajza, të ri e të vjetër u bë shtytja
themelore për programin e mëvonshëm për liri, pavarësi dhe demokraci.
Për më tepër, kjo lëvizje bashkoi popullin shqiptar të Kosovës, që sot të jemi
të lirë dhe të pavarur.
Kosova dhe Prishtina i kanë borxh Antonit, prandaj sot kërkohet
prej nesh, që të miratojmë një vendim për t’ i gjetur vend Antonit në
Prishtinë.
Sepse kështu e ndreqim një gabim të madh.
Sepse kështu e bëjmë Prishtinën më të bukur.
Sepse kështu Prishtinës ia japim një monument, para së cilit secili shqiptarë
do të ndihet krenar dhe i lartësuar.
Figura e tij e humanizon Prishtinën dhe mund të bëhet një pikë orientimi për qytetin. Figura e tij e fisnikëron Prishtinën dhe i jep dimension etik kryeqytetit të Kosovës, për të cilën ai punoi me dashuri dhe përkushtim. Të dashur asambleistë, një monument për Antonin, duhet të na bashkojë të gjithëve në këtë jubile të dyfishtë për të dhe për trashëgiminë e tij të pasur e bashkuese. Kosova sot ka nevojë për frymën e tij. Prishtina sot ka nevojë për figurën e tij. Prandaj ju ftoj që të bashkohemi sipas filozofisë së Antonit dhe për të mirën e brezave që do të vijë. Me urti e mirëkuptim, për të mirën e përbashkët. Nëse sot i japim udhë kësaj pune, kryeqytetit tonë do t’ i japim një monument madhështor të urtësisë, dashurisë dhe përbashkimit. / KultPlus.com
Ylli i muzikë pop Bieber, e ka publikuar videoklipin e këngës së tij të fundit “Intentions”, e cila e përfshinë edhe reperin Quavo. Por ky projekt vjen pak më ndryshe dhe më i veçantë.
Klipi e paraqet historinë e tri femrave të mbështetura nga “Alexandria House”, një strehimore për femra me bazë në Los Angeles, transmeton Koha.net.
Justin dhe Quavo, po ashtu përfshihen në videoklipin e ri të këngës, ku në një moment e shohim këngëtarin kanadez Bieber, duke ia dhuruar një veturë njërës prej protagonisteve të këtij projekti.
Ndërkaq në fund të videoklipit shfaqet një mesazh, i cili i bënë thirrje publikut të dhurojnë të holla për një fondacion bamirës të themeluar nga dyshja, Justin dhe Quavo, të cilët tashmë kanë kontribuar me 200.000 dollarë për këtë kauzë.
Këngëtari 25-vjeçar, Bieber, vjetëve të fundit ka postuar mesazhe të shumta në rrjetet sociale, ku ka treguar për betejën e tij me depresionin, drogat dhe famën, ndërsa detajet rreth sfidave të jetës së tij, ai i ndau me publikun përmes dokumentarit disa pjesësh të publikuar në YouTube, “Justin Bieber: Seasons”.
Kënga “Intentions” është pjesë e albumit të ardhshëm të Bieberit, “Changes”, i cili do të dal në shitje më 14 shkurt dhe do të përcillet me një turne të pop këngëtarit nëpër Amerikën Veriore. Po ashtu, Justin dhe Quavo, e interpretuan hitin e tyre të ri këtë fundjavë në emisionin “Saturday Night Live”.
“Ekzistojnë dy lloj të njerëzve në këtë botë: ata që duan të
din dhe ata që duan të besojnë.” – Friedrich Nietzsche
“Ti japësh kënaqësi një zemre me
një veprim të vetëm është shumë më e mirë se sa njëqind koka të përulura duke u
lutur.” – Mahatma Gandhi
“Një pesimist është dikush që ankohet
për zhurmën kur mundësia troket në derë.” – Oscar Wilde
“Arti e pastron nga shpirti pluhurin e
jetës së përditshme.” – Pablo Picasso
“Kur njëra derë e lumturisë mbyllet, një
derë tjetër hapet; por shpesh ne shikojmë shumë gjatë në derën e mbyllur dhe
nuk e shohim që ka qenë e hapur për ne.” – Helen Keller
“Mos harroni se lidhja më e mirë është
ajo në të cilën dashuria për njëri – tjetrin e tejkalon nevojën për njëri –
tjetrin.”
– Dalai Lama
“Gjithmonë bëje atë që ke frikë ta
bësh.” – Ralph Waldo Emerson
“I dua ata që mund të qeshin në
vështirësi.” – Leonardo Da Vinçi
“Mos jeto me frikën e vdekjes, por jeto
me gëzimin që ke jetuar.” – Jim Morrison
“Paragjykimet janë ato që budallenjtë i përdorin në vend të arsyes.” – Voltaire. / KultPlus.com
Stuhia Kiara që po godet Europën me erëra deri në 160 kilometra në orë po shkakton shqetësime në shumë vende.
Për momentin
Britania e Madhe është më e goditura nga ciklona prej të cilit ka pasur shumë
dëme.
Dalja e
lumenjve nga shtrati ka shkaktuar përmbytje të mëdha.
Erërat kanë
shkaktuar gjithashtu ndërprerjen e energjisë elektrike për disa mijëra banorë.
Franca ka
vendosur të mbyllë Kullën Eiffel për shkak të erërave të forta dhe si masë
sigurie.
Në Britani,
prej reshjeve dhe erës së fortë shumë aeroporte kanë anuluar fluturimet.
Edhe
Belgjika, Gjermania dhe Holanda veç fluturimeve, kanë pezulluar lëvizjen e
trenave në distanca të gjata në disa shtete perëndimore.
Efektet e stuhisë kanë mbërritur edhe në Itali. Erërat e forta kanë prekur zonën veri perëndimore të gadishullit, sidomos në Tuskana, Emilia-Romagna dhe Marche. / Shqiptarja.com / KultPlus.com
Edhe këtë vit nuk munguan emrat e disenjatorëve kosovarë në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kinematografisë, njëherësh edhe të industrisë së modës.
Valdrin Sahiti, Dona Matoshi e Drenusha Xharra, janë disa prej kreatorëve tanë të suksesshëm të cilët arritën t’i veshin yjet në këtë ceremoni, me fustanet e koleksioneve të tyre.
Valdrin Sahiti e kishte krijuar një fustan sateni me ngjyrë të kaltër, për personalitetin televiziv dhe aktoren Kristine Cavallari, e cila më pas këtë veshje e kishte kompletuar me një qafore dhe vathë të theksuar prej diamanti.
Dress by: Valdrin Sahiti
Dona Matoshi, e kishte krijuar një fustan të zi kadifeje të ilustruar me gurë të kaltër në kraharorë dhe llëra, duke ia kompletuar veshjen personalitetit televiziv, Blac Chyna, e cila dukej elegante por në të njëjtën kohë edhe seksi, gjatë parakalimit të saj mbi qilim të kuq.
Dress by: Dona Matoshi
Ndërsa, disenjatorja Drenusha Xhara e kishte krijuar një fustan të përkryer sateni me ngjyrë të verdhë, i cili në ceremoninë “Oscar” u vesh nga gazetarja dhe prezantuesja e showbizit, Xixi Yang. Ky model, e shfaqte dekoltenë e Yangut në formë elegante dhe karakterizohej me një prerje të gjatë në njërën anë.
“Krahas asaj se, “Honeyland” (Toka e Mjaltë), nuk fitoi Oscar, jemi plotësisht të vetëdijshëm për madhështinë e këtij filmi, për rëndësinë e mesazhit që e transmeton, për fuqinë e tregimeve të pafundme që fshihen në këtë vend dhe për shumë aktorët tanë, të cilët dinë sesi këto tregime t’ia përcjellin publikut. Ne jemi të nderuar që jemi nominuar përkrah këtyre filmbërësve të mëdhenj me histori të guximshme, duke iu drejtuar njerëzve në të gjithë botën në gjuhën universale të kinematografisë”, njoftoi ekipi “Toka e Mjaltë” (Honeyland) në faqen zyrtare të filmit nw Facebook, pasi mbaroi ndarja e çmimeve Oscar.
Ata thonë se
nuk ishte e parashikueshme që filmi të hynte në historinë e Maqedonisë së
Veriut dhe në historinë e nominimeve për “Oscar”. “Toka e Mjaltë” u nominua në
dy kategori, për Filmin më të mirë dokumentar dhe Filmin ndërkombëtar më të
mirë
“Kur
promovuam filmin në Festivalin e Filmit ‘Sandans’ më shumë se një vit më parë,
ne nuk shpresonim që do të arrijmë kaq larg. Falënderojmë të gjithë ata që
besuan në filmin tonë të vogël dhe na mbështetën, e veçanërisht falënderojmë
distributorin ‘Neon’ për besimin e tyre në fuqinë e kinematografisë dhe
tregimit të guximshëm. Së fundmi, ne do të donim të falënderonim yllin tonë
kryesor, Atixhe Muratova që na la të hyjmë në botën e saj të mrekullueshme.
Filozofia e Atixhes – merr gjysmën, lëre gjysmën – është e thjeshtë, por e
thellë. Është mesazhi që çdo audiencë mund të gjejë. Jemi krenarë që jemi
lajmëtarët e asaj porosie”, kanë shkruar autorët e “Tokës së Mjaltë”.
Në postimin
në Facebook gjithashtu shtohet mesazhi që nga Los Anxhelosi e përcjell protagonistja
kryesore e dokumentarit, Atixhe Muratova:
“Jeta ime
pas xhirimeve të filmit ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Tani kam shtëpi të
re, dhe gjithçka po bëhet gjithnjë e më mirë. Dua që publiku të marrë vetëm një
mesazh nga filmi: siç unë ndaj me bletët e mia, gjithashtu dua që të gjithë
njerëzit të ndajnë me njëri-tjetrin”, thotë Atixhja.
Në kategorinë e filmave dokumentarëve, Oscar fitoi “Fabrika Amerikane”, ndërsa “Paraziti” i Koresë së Jugut u shpall filmi më i mirë ndërkombëtar, duke fituar katër statuja ari në total. / Flaka / KultPlus.com
Duket se shqiptarët çdo herë e më shumë po arrijnë suksese në diasporë, duke u bërë emra të njohur në shumë fusha studimi dhe duke zotëruar potencialitet në vendin ku ata kanë zgjedhur të jetojnë.
Njëri nga ta është
edhe Enris Qinami, i cili studimet e para i mori në Shqipëri dhe në Francë për
muzikë klasike.
Por, në një event në
Francë, Enrisi ka zgjedhur të bëhet një përfaqësues i muzikës tradicionale
shqiptare.
Me një instrumentit
muzikor krejt të veçantë si sharkia, me elementë të sazes dhe këngët me tekste
shqip, ai është i vetmi përfaqësues që interpreton e kultivon këtë lloj muzike
për publikun francez.
Ai është shprehur se
muzika e mirëfilltë shqiptare është vlerë e rrënjëve tona.
“Muzika tradicionale
është një shikim në pasqyrë e vetvetes. Ajo ruan memorien kolektive në disa
forma: së pari në tekstet dhe së dyti në melodi”, tha Enrisi.
Duket se artistët shqiptarë janë ambasadorë të kulturës në vendet ku jetojnë dhe punojnë dhe Enris Qinami është një i tillë, duke na përfaqësuar në Francë dhe shumë vende të tjera të Evropës. /Albinfo.ch. / KultPlus.com
“Trilogjia
gjermane” e Jusuf Buxhovit e cila është promovuar në KultPlus Caffe Galery, tashmë
do të nxis një bisedë të hapur, shkruan KultPlus.
Më datë 12 shkurt, në ora 18:00 në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë do të mbahet një bisedë e hapur me shkrimtarët Jusuf Buxhovi dhe Ramadan Musliu.
Temë e bisedës do të
jetë “Shekulli i mbrapsh shqiptar” në “Trilogjinë gjermane”
të Jusuf Buxhovit, që doli së voni nga shtypi. Biseda moderohet nga Iliriana
Hasaj.
Kujtojmë që kjo triologji përfshinë romanet: “Vdekjet e
kolonelit”, “Kujtimet e zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë” (fitues i
çmimit kombëtar për letërsi në vitin 2006).
Romanet veç e veç janë botuar në vitet 2005-2006. Ndërsa përfshirja e tyre në kuadër të “Trilogjisë gjermane” ka të bëjë me një përpunim letrar përbrenda një koncepti të përbashkët tematik që i ndërlidh. / KultPlus.com