Erich Maria Remarque: Ajo buzëqeshi dhe për një moment m’u duk se bota u ndriçua

“Një spital i vetëm mjafton për të kuptuar luftën. Vdekja e një njeriu është thjesht vdekje; e 2 milionë njerëzve është statistikë”.

“Qëllimi i jetës nuk është të na bëjë perfektë. Kushdo që është perfekt e ka vendin në muze”.

“Pushteti është sëmundja më infektuese në botë”.

“Jeta është një sëmundje, vëlla. Vdekja nis që në lindje. Çdo frymëmarrje, çdo rrahje zemre është një moment vdekjeje”.

“Nuk jemi më të rinj; nuk duam më ta kapim jetën për brirësh. Ishim 18-vjeçarë që e donim jetën dhe na u desh ta bënim copash”.

“Ajo buzëqeshi dhe për një moment m’u duk se bota u ndriçua” / KultPlus.com

“Nostalgjia”, libri për arbëreshët e Italisë

Mario Caliva më herët ka publikuar librin “Nostalgjia” që flet për nostalgjinë e arbëreshëve që u larguan nga vendi i tyre më shumë se 500 vjet më parë, shkruan KultPlus.

“Një tregim në të cilin thelbi i ndjenjës është gërshetuar me historinë e mbarë njerëzimit. Ajo e Calivas është një përpjekje e suksesshme: teksti bëhet protezë e kujtesës, qëllimi i të cilit është të zbulojë ngjarjet e arbëreshëve, në mes të lëmshit të pafund të tregimeve njerëzore”, thuhet në recensionin e Giovanni Greco, në lidhje me këtë libër

Vetë Mario ka thënë për KultPlus se ky libër është një monodramë, dhe vetë autori i këtij libri e ka prezantuar më herët këtë monodramë në Berlin dhe Gjenevë.  

Mario Caliva është poet dhe dramaturg arbëresh dhe që nga viti 2012 ka vënë në skenë shfaqjet e tij në gjuhën arbëreshe. /KultPlus.com

Për herë të parë në histori, Eurovision vjen në një formë ndryshe

Këtë pasdite, Unioni Evropian i Transmetuesve ka njoftuar transmetimin e një shfaqje të re me titull “Eurovision: Europe Shine A Light” e cila do të transmetohet në vend të Konkursit të Këngës Eurovizion 2020 në të Shtunën, me 16 maj.

Me qëllim të nderimit të punës në konkursin e këngëve të Eurovizionit të anuluar  nga transmetuesit holandezë NPO, NOS dhe AVROTROS, “Eurovision: Europe Shine A Light” do të jetë një prodhim bashkëpunues midis këtyre transmetuesve holandezë dhe EBU. Përveç kësaj, shfaqja do të prezantohet nga Chantal Janzen, Edsilia Rombley dhe Jan Smit i cili ishte zgjedhur për të prezantuar në Eurovizion në Rotterdam Ahoy muajin e ardhshëm.

Sipas eurovision.tv, shfaqja e gjatë dy orë do të nderojë kryesisht të gjitha 41 hyrjet e zgjedhura për konkursin e vitit 2020. Për më tepër, ai synon të sjellë së bashku të 41 artistët nga Eurovision 2020, këngën hit të Eurovizion-it të vitit të kaluar, si këngë e përshtatshme për situatën sfiduese me të cilën po përballet bota.

Rreshtimi i saktë i shfaqjes, si dhe lista e transmetuesve të EBU që do të transmetojnë shfaqjen, do të konfirmohen në javët e ardhshme. Për më tepër, yjet e mirënjohur të Eurovizionit nga vitet e fundit gjithashtu do të ftohen të marrin pjesë në shfaqje ndërsa NikkieTutorials do të krijojë përmbajtje të veçantë në internet për transmetimin.

Shqipëri: Presidenca ndriçohet me ngjyrat e flamurit italian

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë ndriçohet me ngjyrat e flamurit kombëtar italian në shenjë solidariteti me Italinë që po kalon momente tepër të vështira për shkak të pandemisë COVID-19.

Së fundmi Italia ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit sa i përket të prekurve me Koronavirus. Numri i viktimave ka shkuar në 12428, që do të thotë janë 837 viktima në 24 orët e fundit.

Rastet janë shtuar me 4053 duke e çuar në 66889 numrin total të rasteve aktive. Numri i të shëruarave ka shkuar në 19259 dhe 5607 janë në gjendje kritike.

Ndërsa numri i të vdekurve në të gjithë botën ka shkuar në 40663. Ditën e djeshme numri i viktimave ishte 812 ku sot rezulton të jetë rritur me 25 humbje jete më shumë.

“Itali, ne jemi me ty! Të bashkuar do t’ja dalim! Gjithçka do të shkojë mirë” shkruan Meta./TCH / KultPlus.com

Vdes kampioni evropian i boksit për shkak të koronavirusit

Ish-kampion evropian i boksit, Angelo Rottoli, nuk ka mundur të përballojë sëmundjen e koronavirusit.

Ai vdiq në Bergamo të Italisë, në moshën 61-vjeçare.

Rottoli ndërroi jetë në spitalin Ponte San Pietr, derisa dy javë më parë nëna e tij dhe vëllai vdiqën për të njëjtën arsye, shkruan boxingscene.

Ai ishte dy herë kampion me Italinë, ndërsa në vitin 1987 u bë kampion i Evropës në kategorinë gjysmë të lehtë. / Klan Kosova / KultPlus.com

Karantina, historia e gjatë e izolimeve të njeriut për të luftuar me një armik të padukshëm

Shkruan: Albert Vataj

“Burgosja” e vullnetshme, më shumë se një masë parandaluese e përhapjes së CIVID-19, mbetet një sinjal i fuqishëm alarmi i njeriut për të dëshmuar paaftësinë e tij për tu përballur, jo vetëm me frikën por edhe me rolin inferior ne një botë ballafaqimi aftësishë. Përkundër gjithë atyre sfidave të paimagjinueshme teknologjike dhe asaj ngrehine të lartë të kapardisjes dhe luksit, parasë dhe fudullëkut, njeriu qëndron kokulur dhe I mundur përballë një armiku naiv, një rreziku, i cili nëse nuk është një produkt i mendjeve të errëta për qëllime po kaq mizore sa edhe vdekja, duhet pranuar si reagim i gjykimit të pamëshirshëm të natyrës, për të na kujtuar se sa të vegjël dhe të dobët jemi.

Sot po luftojmë me të njëjtat mjete, me të cilat zgjodhën të ndesheshin paraardhësit tanë të hershëm, thua se kaq qindravjeçarë të kaluara dhe aq arritje shokuese të kurorëzuara, thjeshtohen në asgjë para një coronavirusi, një armiku që arriti të gjunjëzonte botën dhe së bashku me të, të nënshtrojë madhështinë false të qytetërimit modern.

Cila është kjo mënyrë kacafytjeje me rrezikun, më shumë se sa t’ia mbathësh?

Karantina!

Nga vjen fjala “karantinë” dhe çfarë kuptimi ka?

Fjala “karantinë” vjen nga dialekti venedikas që në italisht nënkupton “quaranta giorni” dhe në shqip 40 ditë. Ky emër iu vendos procesit të izolimit që iu bëhej anijeve dhe njerëzve para se të futeshin në Venedik gjatë periudhës së prekjes së botës nga murtaja apo ashtuquajtura, “Vdekja e Zezë”. Kujtojmë se mes viteve 1348 dhe 1359, “Vdekja e Zezë” shfarosi 30% të popullsisë së Evropës dhe një përqindje të popullsisë së Azisë. Një dokument i arkivave të Dubrovnikut në Raguza, (Kroacia e sotme), që daton në vitin 1377 urdhëronte se para se të lejohej hyrja në qytet, të ardhurit e rinj duhej kalonin 30 ditë (a trentine) në një vend të izoluar, në ishujt aty pranë, për të parë nëse shfaqnin simptomae e sëmundjes.

Në vitin 1448 shteti venedikas e zgjati periudhën e pritjes (izolimit) në 40 ditë duke i dhënë kështu emrin karantinë ose quarantina. Ky afat rezultoi se ishte një formulë e mirë për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Karantina dyzetëditore dëshmoi se ishte një formulë efektive për trajtimin e shpërthimeve të murtajës. Sipas vlerësimeve aktuale, murtaja bubonike kishte një periudhë 37-ditore nga infeksioni deri në vdekje. Prandaj, karantinat evropiane do të kishin qenë shumë të suksesshme në përcaktimin e shëndetit të ekuipazheve nga anijet e mundshme tregtare dhe të furnizimit.

Sëmundjet e tjera i janë nënshtruar praktikës së karantinës para dhe pas shkatërrimit të murtajës. Ata të prekur nga lebra ishin të izoluar afatgjatë nga shoqëria, dhe u bënë përpjekje për të kontrolluar përhapjen e sifilizit në Evropën veriore pas vitit 1492, ardhjen e etheve të verdha në Spanjë në fillim të shekullit të 19-të dhe ardhjen e kolerës aziatike më 1831.

Venecia mori drejtimin në masat për të kontrolluar përhapjen e murtajës, pasi kishte emëruar tre roje të shëndetit publik në vitet e para të “Vdekjes së Zezë” (1348). Regjistrimi tjetër i masave parandaluese vjen në provincën e Modenas në vitin 1374. Venecia themeloi izolimin e parë (në një ishull të vogël ngjitur me qytetin) në vitin 1403. Më 1467 Genova pasoi shembullin e Venecia, në vitin 1476 spitali i vjetër i lebrozëve të Marsejës u shndërrua në një spital të murtajës. Izolimet e madhe e Marsejës, mbase më i plota në llojin e saj, u themelua në vitin 1526 në ishullin Pomègues. Praktika në të gjitha karantinat mesdhetare nuk ndryshonte nga procedura angleze në tregtinë në Levantine dhe Afrikën e Veriut. Me ardhjen e kolerës në vitin 1831 disa karantina të reja u ngritën në portet perëndimore, veçanërisht një institucion shumë i gjerë pranë Bordeaux , më pas ai u kthye në një funksion tjetër.

Një përmendje e hershme e izolimit ndodh në librin biblik të Levitikut, shkruar në shekullin e shtatë para Krishtit ose mbase më herët, i cili përshkruan procedurën e ndarjes së njerëzve të infektuar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes sipas Ligjit të Moisiut: Sipas të cilit: “Nëse pika e ndritshme në lëkurë është e bardhë, por nuk duket se është më shumë se lëkura e thellë dhe qimet në të nuk janë bërë të bardha, prifti do të izolojë personin e prekur për shtatë ditë. Në ditën e shtatë ai duhet të ekzaminoni atë, dhe nëse sheh se lëndimi është i pandryshuar dhe nuk është përhapur në lëkurë, ai do ta izolojë atë për shtatë ditë të tjera “.

Karantina si masë izolimi për të parandaluar rrezikun vjen gjithashtu edhe nga bota islame. Karantina e detyrueshme spitalore e grupeve të veçanta të pacientëve, përfshirë ata me lebër, filloi herët në historinë islame. Midis viteve 706 dhe 707 kalifi Al-Walid I, ndërtoi spitalin e parë në Damask dhe lëshoi një urdhër për të izoluar ata të infektuar me lebër nga pacientët e tjerë në spital. Praktika e karantinës së detyrueshme të lebrës në spitalet e përgjithshme, vazhdoi deri në vitin 1431, kur osmanët ndërtuan një spital lebrozësh në Edirne. Incidentet e karantinës kanë ndodhur në të gjithë botën muslimane, me dëshmi të karantinës vullnetare të komunitetit, në disa nga këto incidente të raportuara. Karantina e parë e dokumentuar e komunitetit të pavullnetshëm u krijua nga reforma e karantinës osmane në vitin 1838.

Praktikat e karantinimit gjejnë zbatim edhe në periudhat e mëvonshme. Epidemitë e etheve të verdha shkatërruan komunitetet urbane në Amerikën e Veriut, përgjatë fundshekullit të tetëmbëdhjetë dhe fillimshekullit të nëntëmbëdhjetë, shembujt më të njohur janë Epidemia e Etheve të Verdha në Filadelfia më 1793 dhe shpërthimet në Gjeorgjia (1856) dhe Florida (1888). Epidemitë e kolerës dhe të vegjëlve vazhduan gjatë gjithë shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe epidemitë e murtajës prekën Honolulu dhe San Francisko nga viti 1899 deri më 1901. Qeveritë e Shtetit në përgjithësi mbështeteshin në shërbimin e kordonit, si një masë gjeografike karantine për të kontrolluar lëvizjen e njerëzit brenda dhe jashtë komuniteteve të prekura. Gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918, disa komunitete u aplikua sekuestrimi mbrojtës (nganjëherë referuar si “kundërkarantinë “) për të mbajtur të infektuarit nga futja e gripit në popullatën e shëndetshme.

Në shekullin XXI, personat e dyshuar për bartjen e sëmundjeve infektive janë karantinuar, si në rastet e Andrew Speaker (tuberkulozi rezistent ndaj shumë ilaçeve, 2007) dhe Kaci Hickox (Ebola, 2014). Kalimi i pacientëve të infektuar në repartet e izolimit dhe vetë-karantina, e bazuar në shtëpi e njerëzve të ekspozuar potencialisht, ishte mënyra kryesore që përfundoi epidemia e virusit Ebola të Afrikës Perëndimore më 2016. Ekspertë e shëndetit kritikuan kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit, të vendosura gjatë epidemisë si joefektive për shkak të vështirësisë së zbatimit dhe u cilësua si kundërproduktiv pasi ngadalësuan përpjekjet për ndihmë. Dhe vjen përvoja e sotme e betejës me COVID-19 . Pak a shumë kjo është përvoja e historisë njerëzore me karantinimin, me të vetmen mundësi për tu ndeshur “urtësisht” dhe “trimërisht”.

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Xha Gorioi’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Honoré de Balzac ishte një shkrimtar francez i shekullit të 19-të. Balzaku ishte frekuentues i rregullt i salloneve, dhe shumë i apasionuar si pas jetës mondane ashtu dhe pas grave fisnike të oborreve të ndryshme, të cilat i përshtateshin më se miri snobismit të tij. Megjithëse ishte vazhdimisht i persekutuar nga njerëz të cilëve u detyrohej para, Balzac për një farë kohë arriti të realizonte ëndrrën e tij për të qenë njëri i pasur. Balzac pati idenë që të shkrinte të gjitha krijimet e tij në një vepër të vetme monumentale, një afresk i vërtete mbi shoqërinë francezë të asaj kohë nga perandoria e parë deri në monarkinë e korrikut, kështu publikoi të famshmen Komedia njerëzore.

Fillimisht vepra e tij duhet të përmbante 150 romanca të ndara në tre vija kryesore: Studim zakonesh, studim filozofik e studime analitike. Grupi i parë përbehej nga vepra të përfunduara prej kohësh dhe ishte i ndare në 6 skena të cilat përfaqësonin jetën : private, provincës, parisienë, politike, ushtarake dhe fshatit. Përfaqësuesi më i madh i realizmit në Evropën perëndimore. Balzaku dominon gjithë shekullin e XIX. Gazetar, industrialist i munguar, krijues i afërsisht njëqind romaneve në 20 vjet, figurë brilante e një shoqërie së cilës ai përfundon duke iu imponuar, Balzak përzihet me “fëmijën e shekullit” duke kontribuar në krijimin e një miti : një burrë aventurash dhe dëshirash në të njëjtën kohë edhe ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne. Në qoftë se Balzaku shpallte dy të vërtetat e tij, fronin dhe altarin, Hygo dallonte tek ai një shkrimtar revolucionar ; ndërsa bashkëkohësit e tij e merrnin për realist, Bodler e përshëndet si një vizionar të mrekullueshëm. Vepra e tij përshkohet nga tensione dinamike dhe kritike. Ajo jeton : Është ky kompleksitet i pabesueshëm që e bën Komedinë hyjnore një vepër madhore me përmasa botërore.

“Xha Gorio” është një nga romanet e tij më të njohura dhe më të lexuara në botë. Në këtë vepër Balzaku trajton një temë me tematikë shoqërore që prek shtresat e ulëta të popullsisë që si gjithmonë lidershipit shtetëror dhe aristokracisë nuk interesohen fare për to . Ngjarja vendoset në “Pensionin familjar” pronë e trashëguar e zonjës Voker e cila jetonte pa të shoqin e vdekur prej disa vitesh tashmë. Një atmosferë mortore kishte mbuluar Parisin tashmë. Atyre ditëve ndërroi jetë edhe Xha Gorio dhe Eugjeni nuk i realizoi ambiciet e tij për të qenë i pasur mirëpo gjeti diçka më tepër se ç’kërkone. Ai gjeti Delfinën, ndërsa për varrimin e Xha Gorioit morën pjesë shumë pak persona dhe asnjëra nga vajzat e tij nuk ishte aty. Delfina kishte mbetur pa vetëdije , kurse Anastasia nuk do të shkonte për të mos iu prishur grimi dhe teni i fytyrës, me arsyetimin se nuk e lejonte i shoqi.

Honoré de Balzak ka analizuar në mënyrën më të qartë jetën sociale dhe ndryshimet klasore të Francës së shekullit 19, duke e parë dhe paraqitur jetën parisiene me një vështrim prej guximtari pa asnjë zmbrapsje për t’i përplasur fytyrës realitetit sjelljen dhe moralin e sistemit të Francës të asaj kohe. Ai bëri analizën më realiste të vendit dhe kohës kur jetoi pa i tërhequr grushtet kurrë duke ravijëzuar mbi të gjitha se “qerrja e civilizimit, ashtu si qerrja e një kamioni të rëndë, ndërpritet thuajse lehtësisht nga një zemër që shtypet nga të tjerët në rrugën e saj. Ajo shpejt thyen këtë pengesë në timonin e saj dhe vazhdon kursin e rrugës triumfuese”.

Tragjedia e “Xha Gorioit”

Është ky një reflektim i zymtë me të cilin Honoré de Balzak fillon tragjedinë e tij të zemrës “Xha Gorio”. Në periudhën e post-Napoleonit në Paris, qyteti në të cilën Balzak jetoi, kishte shumë nga tiparet e ditëve aristokratike para revolucionit që përfshiu largimin e Luigjit XVI. Gjatë asaj kohe supozohej se tri shtresat nuk ekzistonin formalisht, por megjithatë nuk ishte një sistem i ngurtë kastash të shumta me fuqi në vend. Të gjithë kishin pozicionin e tyre. Dhe pozita sociale ishte ajo që kishte një rëndësi të madhe në këtë botë, mbi të gjitha sallonet luksoze dhe njerëzit që hynin në to dhe që gjykoheshin duke iu referuar rrethanave, pavarësisht revolucionit. Nëse dikush nuk ishte një anëtar i denjë i klasës së lartë, ai ishte krejt pa vlerë, duke bërë që jeta e njërit apo vdekja, lumturia ose mungesa e saj ishin pa pasoja. Një njeri si “Xha Gorioi ” që është edhe titulli i romanit, është si ajo qerrja e rëndë nga e cila Balzak flet i pamëshirshëm gjatë gjithë rrugës që do të lëvizë duke paralajmëruar në çdo centimetër që bën padrejtësinë e klasave. /KultPlus.com

“Ku u pam e ku u n’dam para konviktit numër 5” (VIDEO)

Sabri Fejzullahu është njëri nga emrat më të njohur të muzikës në vend dhe dhe në gjithë diasporën shqiptare, shkruan KultPlus.com

Sabri Fejzullahu vazhdon edhe sot të jetë shumë aktiv mirëpo disa nga këngët e tij të realizuara viteve të 90-ta, vazhdojnë të mbesin pa asnjë dyshim hitet më të mëdha të tij.

“Para konviktit nr. 5”, është njëra nga këngët e tij të realizuara kohë më parë, e cila flet për një dashuri të humbur. KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge. / KultPlus.com

“Ku më mbeti ky qytet
e shikoj por nuk e shoh.
Qdo i 2`ti n`rrug më flet
unë nuk i njoh, nuk i njoh.
Ku janë rrugët me kalldërm
shputat m`i kan puthur.

Ku mbet vajza që kam lënë
e nuk pat më të bukur.
I njejt paska mbet veq korriku
që e puthë për trupi kmishen.
Lumturia ime iku
ëndrrat u prishen.

[Ref.1x]
Mbrëm me lot të kam kujtuar
para konviktit nr.5.
Tjerë të ri të dashuruar
ënderronin plot me shpres.
Jo,jo hëna s`ka treguar
se ky shpirt ende dënes.
Ku u pam e ku u n`dam
para konviktit nr.5.

Ku janë rruget me kalldërm
shputat m`i kan puthur.
Ku mbet vajza që kam lënë
e nuk pat më të bukur.

I njejt paska mbet veq korriku
që e puth për trupi kmishen.
Lumturia ime iku
ëndrrat u prishen.

[Ref.1X]
Mbrëm me lot të kam kujtuar
para konviktit nr.5.
Tjerë të ri të dashuruar
ënderronin plot me shpres.
Jo,jo hëna s`ka treguar
se ky shpirt ende dënes.
Ku u pam e ku u n`dam
para konviktit nr.5.

Masat e domosdoshme të higjienës orale gjatë pandemisë

Kosova si shumë vende të tjera nëpër botë po përballet me pandeminë Covid-19.

Krahas rekomandimeve të përgjithshme për mbrojtje dhe parandalim të virusit, duhet kushtuar kujdes edhe higjienës orale.

Më poshtë ju sjellim  disa rekomandime te përgatitura nga Valon Berani, Specialist i Parodontologjisë dhe Mjeksisë Orale, për dhëmbët dhe gojën si shtesë e masave të rekomanduara deri më tani nga IKSHP-së.

Dezinfektoni furrçën e dhëmbëve nëse jeni të sëmurë.

Nëse dyshoni që ju apo ndonjë anëtarë tjetër i familjes është i infektuar me COVID-19, ju duhet rregullisht të dezinfektoni objektet ose sipërfaqet ku mund të ketë pika të pështymës. Furrça e dhëmbëve mund të ketë pështymë ose gjak në të, të cilat janë treguar që e bartin virusin.

Peroksidi i Hidrogjenit 0.5% në mënyrë efektive redukon virulencën e virusit korona për vetëm 1 minut dhe se është përbërës aktiv në produktet dezinfektuese kundër korona virus SARS-CoV-2. Që të përfitoni Peroksid të Hidrogjenit (H2O2) 0.5%, atëherë Peroksidi i Hidrogjenit H2O2 3% duhet të zbutet me ujë të destiluar.

No photo description available.
Image may contain: text
Image may contain: text

Përmirësoni shprehitë tuaja të higjienës orale.

Edhe gjërat e vogla kanë peshë. Praktiko higjienën e mirë orale që ta mbash vetën dhe të tjerët të shëndetshëm. Pastro dhëmbët edhe më shpesh gjatë kesaj kohe (të paktën 2 herë në ditë) me furrçë të dhëmbëve dhe me penje në mes të dhëmbëve. Gjithashtu ndërrojeni furrçën e dhëmbëve.

Image may contain: text that says 'Wash your hands often Pastroni duart me uje dhe sapun para dhe pas pastrimit te'
Image may contain: text
Image may contain: text

Mos i prekni gojën, buzët, dhëmbët, gingivën (mishin e dhëmbëve) apo gjuhën me duar të papastërta.

Kafshimi i thonjëve dhe gjesendeve të tjera është i keq jo vetëm për dhëmbët por edhe për shëndetin në pergjithësi. Mund të përhapen bakteriet dhe viruset.

Gjithashtu mos e përdorni të njëjtën furrçë dhëmbësh apo të njëjtat gjësende për t’u ushqyer.

Image may contain: text that says 'Don't bite your nails Mos kafshoni thonjet dhe mos mbani apo tjera goje.'
Image may contain: text
Image may contain: text that says 'Don't share your food Mos i perdorni te njejtat gota, pipa, pije dhe ushqim dhe tjera.'

Ministrja Dumoshi bisedoi me përfaqësues të skenës së pavarur kulturore të Kosovës

Sot, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të skenës së pavarur kulturore të Kosovës, shkruan KultPlus.com

Njoftohet se ata kanë zhvilluar diskutime lidhur me dëmet që po i shkakton coronavirusi në shtyerjen e aktiviteteve kulturore si dhe për qëllimin e Planit Emergjent pas situatës së krijuar nga COVID-19.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Sot, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, zhvilloi një takim virtual me përfaqësues të organizatave të skenës së pavarur kulturore, në kuadër të përgatitjeve për hartimin e Planit Emergjent për Kulturë, Rini dhe Sport, me qëllim të konsultimit rreth ndikimit të situatës së krijuar nga efekti i pandemisë globale COVID-19.

Në takim, ministrja Dumoshi i njoftoi pjesëmarrësit rreth qëllimit të Planit Emergjent dhe rëndësisë së planifikimit të një procesi transparent dhe objektiv të vlerësimit të përfituesve pas ndarjes së fondit shtesë për MKRS-në. Përveç hartimit të Planit Emergjent, ministrja shtoi që MKRS do të angazhohet për vlerësimin e aplikimeve për subvencionet e vitit 2020, në mënyrë që organizatat përfituese të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitete alternative apo të sigurojnë qëndrueshmërinë financiare.

Përfaqësuesit nga skena e pavarur Ares Shporta (Fondacioni Lumbardhi), Edonis Hashani (Termokiss), Florent Mehmeti (Teatri ODA), Nita Zeqiri (Fondacioni 17) dhe Veton Nurkollari (DokuFest) e njoftuan ministren rreth kërcënimeve që kjo gjendje i bën sektorit në afat të shkurtë dhe afat të gjatë, duke rezultuar në shterjen apo anulimin e programeve dhe festivaleve, duke rrezikuar vendin e punës të shumë punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve të skenës si dhe ekzistencën e shumë organizatave aktive të skenës që operojnë gjatë tërë vitit.

Palët po ashtu diskutuan për bashkëpunim rreth programeve digjitale dhe mënyrave alternative për vazhdim të jetës kulturore dhe përshtatje në rrethanat e reja. Pjesëmarrësit u pajtuan që ta koordinojnë komunikimin me organizatat tjera të skenës së pavarur dhe hisedarët kyç, duke ofruar një analizë të rreziqeve dhe kërcënimeve si dhe rekomandime për Planin Emergjent në kuadër të grupit punues”.

Nga Ditari i Drita Çomos

Nata e Vitit të Ri. Ora 2:20. Radioja transmeton muzikë. Kudo është qetësi dhe trishtimi i kitarës përhapet qetësisht në dhomë. Mami u shtri dhe gati e ka zënë gjumi. Ndërsa mua nuk më flihet. Sa njerëz në botë janë zgjuar në këto çaste. Kushedi. Njerëzit festojnë me kaq zhurmë largimin e një viti. Gëzohen. Iku edhe një vit. Po ç’ka këtu për tu gëzuar. Apo njerëzit shpresojnë se Viti i Ri do të jetë më i mirë me ta. Shpresojnë… Kurse unë ndiej një si frikë kur mendoj; kanë ikur kaq shumë vjet, është viti i njëzetë që jetoj dhe nuk kam bërë asgjë, të duket si ëndërr.

Po ç’mund të bësh? Po njerëzit e tjerë ç’bëjnë? Përse jetojnë? Rriten, martohen, bëjnë fëmijë, përpiqen, luftojnë, plaken. Po përse të gjitha këto? Sivjet më duket se nuk shkruajta asnjë kartolinë. Nuk di ç’të shkruash. E ç’duhen ca urime banale, standarte, me ca rreshta sentimentale, pa asnjë lidhje me jetën.

Megjithatë, njerëzit e duan kaq shumë festën. Edhe unë e dua. Jeta ka nevojë për festa, për gëzim. Edhe ne e festuam VItin e Ri. Çdo gjë duket e qetë në sipërfaqe, bile mundohesh ta bindësh edhe veten se po gëzohesh; ç’hipokrizi! Kurse në shpirt ke kaq shumë trishtim. Babai dhe daja sigurisht tani flenë. Na kanë kujtuar në mbrëmje, e kanë festuar edhe ata në njëfarë mënyre dhe tani flenë. Ndërsa Agroni as që dihet se ku është.

Edhe ti mbase më ke kujtuar. Po në mënyrën tënde. Në botë bashkëjetojnë gjëra kaq të kundërta. Kjo është e pamundur.

“Sa të marrësh frymë shpreso.” Lamartin

Se ç’mund të kemi tjetër veç Shpresës? Dhe si mund të jetonim pa të?

KFOR-i në Kosovë ulë flamurin e Italisë në gjysëm shtizë në shenjë nderimi për viktimat e COVID19

KFOR-i në Kosovë ka ulur flamurin e Italisë në gjysëm shtizë në shenjë nderimi për viktimat si dhe në shenjë vlerësimi për punën e atyre që po përballen me Coronavirusin, shkruan KultPlus.com

“KFOR është bashkuar rreth flamurit të Italisë”, thuhet ndër të tjera në postimin e tyre në Facebook.

“Sot të gjithë flamujt e Italisë janë në gjysmë shtizë për të kujtuar viktimat e # COVID19.
KFOR është bashkuar rreth flamurit të Italisë dhe vlerat e saj për të nderuar sakrificën dhe përkushtimin e të gjithë atyre që punojnë në vijat e para kundër virusit”.

Dashuria në kohën e koronavirusit: Epidemiologët martohen në spital (VIDEO)

Epidemiologët Jen Andonian dhe Matt Shearer kishin planifikuar të martoheshin në datën 20 mars.

Ata kishin menduar një ceremoni modeste dhe të thjeshtë prej 75 të ftuarish dhe pas celebrimit të shkonin diku të festonin, njofton Klan Kosova.

Këto plane ia prishi kriza e koronavirusit që ka përfshirë të gjithë botën. Ata u detyruar të anullojnë dasmën e tyre, por stafi i spitalit ku ata punojnë i ka bërë surprizën më të bukur.

Të gjithë miqtë ishin të pajisur me maska dhe doreza dhe sipas ora, po zbatonin distancimin shoqëror për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Çifti duket se e ka shijuar shumë këtë moment dhe në fund i kanë thyer rregullat duke u puthur. / KultPlus.com

AGK: Punojësit e mediave gjithsesi të përfshihen në Pakon Emergjente të Qeverisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë shprehur të shqetësuar për mospërfshirjen e punonjësve medial në Pakon Emergjente Fiskale, të miratuar nga Qeveria në detyrë.

“Përballë një pandemie globale, vlerësojmë se punonjësit medial duhet të mbështeten nga shteti, pasi gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, janë pothuajse në vijën e parë të frontit në këtë betejë”, thuhet në reagim.

AGK kërkon nga Qeveria në detyrë të marrë masa urgjente për të lehtësuar punën e kolegëve tanë në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë dhe mendojmë se këto masa mund të shkojnë në dy drejtime.

“Të alokohen fonde për çdo gazetar, kameraman, fotoreporter dhe punonjës tjetër medialë në vlerë të pagës minimale, dhe mediet apo kompanitë mediatike të lirohen nga pagesa e kontributeve në dy muajt e ardhshëm. Кërkojmë që parakushti kryesor për përdorimin e përfitimeve të jetë moslargimi i gazetarëve dhe punonjësve tjerë medialë nga puna, përderisa zgjasin këto masa. AGK-ja kujton se në vendet e rajonit, Maqedonia ka aprovuar pagën minimale nga shteti (afro 250 euro) përveç pagës tjetër për gazetarët dhe punonjësit medialë, ndërkaq të gjitha mediet janë liruar nga pagesa e taksave për mediet për muajin prill dhe maj. Në anën tjetër, Mali i Zi do të sigurojë ndihmë financiare në vlerë prej afro 265 mijë euro për median malazeze.

“AGK, që nga 28 marsi, ka provuar të kontaktoj me zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për të pyetur se si është paraparë çështja e gazetarëve dhe punonjësve medialë në Kosovë, por ende nuk kemi pranuar asnjë përgjigje. AGK është në dispozicion gjatë kësaj periudhe me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për të lehtësuar punën e kolegëve tanë.

Po ashtu AGK apelon tek pronarët e medieve që të tregojnë korrektësi në trajtimin e kolegëve tanë, ndërkaq u bënë thirrje gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve që ta lajmërojnë në AGK çdo padrejtësi që mund të iu bëhet atyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Libri për vetminë dhe solidaritetin fiton çmimin prestigjioz “Astrid Lindgren”

Artistja dhe autorja e njohur e librave me fotografi, koreano-jugorja Baek Heena është fituese e çmimit të njohur botëror ”Astrid Lindgren”, për vitin 2020.

”Librat e saj skenojnë histori për vetminë dhe solidaritetin”, tha kryetari i jurisë, Boel Westin.

Baek ka botuar 13 libra me fotografi. / KultPlus.com

Kujdes nga ky mesazh, ju bën thirrje për të shkuar në QKUK si të dyshuar për koronavirus

Një mesazh i rremë ka filluar të shpërndahet tek qytetarët e Kosovës.

Mesazhi që u dërgohet në celularët personal, nuk vjen nga IKSHPK-ja apo QKUK.

“Jeni i ftuar që të bëni analizat në QKUK, sepse Grupi i gjakut tuaj është shumë i prekur nga ky virus. Ftoheni nesër në ora 09:00 të jeni në QKUK. Gjitha të mirat”, thuhet në mesazhin që tashmë veç u është dërguar disa qytetarëve.

Zyrtarisht, nga Ministria e Shëndetësisë, kanë konfirmuar për Kohën që ky mesazh nuk është ofruar nga ta, porse është thirrje e rreme, ndonëse nuk dihet nga kush.

Edhe në një faqe në Facebook me emrin “Vullnetarët kundër Coronavirusit në Kosovë”, kanë nisur të shpërndahen këto mesazhe që po i marrin qytetarët, duke e quajtur edhe “shaka pa kripë”.

François Cheng: Vetëdija për vdekjen e kthen jetën në nevojë për dashuri

Shkrimtari i njohur François Cheng, anëtar i Akademisë franceze, poet e përkthyes i autorëve të mëdhenj francezë në gjuhën kineze, i ftuar në emisionin “La grande librarie” në televizionin “France 5”, është pyetur mbi këndvështrimin e tij ndaj vdekjes. Cheng, autor i esesë “Pesë meditime për vdekjen, thënë ndryshe, për jetën” (orig. “Cinq méditations sur la mort – autrementt dit sur la vie), botuar në 2013, në përgjigje të pyetjes së gazetarit, ka shpjeguar: “Është vdekja ajo që… e kthen jetën në një dhuratë. Me këtë jemi dakord? Të supozojmë sikur s’ka vdekje. Jemi të gjithë këtu, pafundësisht. S’do kishte më “me ne”, as impuls, dëshirë për të bërë çfarëdolloj gjëje. Si e bëjmë, si s’e bëjmë, e bëjmë sot apo nesër, njëlloj është. Në fakt, nuk ka as të sotme as të nesërme. Është vetëdija për vdekjen që e kthen jetën tonë në impuls, në nevojë për krijim, në nevojë për dashuri gjithashtu. Pasi nëse s’ka vdekje, mund të dashurojmë ose jo, asgjë nuk ndryshon. Në të vërtetë, ne nuk mund ta imagjinojmë një univers gjallues pa vdekjen. Vdekja nuk është diçka që i qëndron përballë jetës. Është një ligj i imponuar nga vetë jeta. Thënë këtë, jeta, rendi i jetës, ka nevojë për vdekjen për të operuar ringjalljen, transformimin dhe, përfundimisht, transfigurimin.” / Nga Klodiana Danaj / KultPlus.com

31 Aug 2008, Paris, France — Francois Cheng at “La Foret Des Livres 2008” exposition. — Image by © Eric Fougere/VIP Images/Corbis

Ne do të jemi të vetëdijshëm për shenjtërinë tonë

Poezi nga Dilan Tomas

Shqipëroi: Genc Muçollari

Ne do të jemi të vetëdijshëm për shenjtërinë tonë
Që piqet ndërsa përsosemi
Pejzat dhe qendrat lëndore,
Degëzat dhe gjethet hyjnore
Rrënjët tona, rrënjët e bukura
Sepse ato janë poshtë sipërfaqes,
Së hijeshisë sonë.
Jepna kënaqësinë e keqardhjes;
Lotët tanë duken më të mençur
Se qeshjet nëpër ajër;

Ne do të jemi të vetëdijshëm për hyjninë tonë
Kur koha të vijë,
Të paturpëruar, por jo me kënaqësi,
Bashkë me dhembshuritë tona besnike.

Ne do të lidhemi tek një etje finale.
Duke pritur për një zog që t’na thotë,
‘Kam ardhur t’ju ngre lart, t’ja u pres rrënjët
Pastaj do fluturojmë me flatra të shtrira
Dhe ta shtjellim ajrin,
Duke çarë lart në qiellin blu;

Ne do të jemi të vetëdijshëm
Për një vend të ri
Që do shfaqet në një re mbi kokat tona;
Ne do të jemi të vetëdijshëm për të madhen shenjtëri;
Dhe një të prekshme urtësi. /KultPlus.com

‘I bllokuari’ për disa ditë në aeroportet e Dubait e të Cyrihut, kthehet në Kosovë

Planifikoi të kthehej përmes Dubait në Shkup, por Maqedonia e Veriut nuk e lejoi. Nuk kishte as Schengen vizë e as ndonjë tjetër, e kosovari nga Kaçaniku kaloi disa ditë në aeroportin e Dubait, e disa në zonën neutrale në Cyrih të Zvicrës, derisa ambasada e Kosovës atje arriti t’i bindë autoritetet zvicerane t’ia mundësojnë kthimin në Kosovë.

Një kosovar nga Kaçaniku 10 ditë më parë alarmoi se ka mbetur i bllokuar në aeroportin e Dubait, në Emirate të Bashkuara Arabe, duke u kthyer nga Tajlanda, për shkak të masave për mbylljen të kufijve e të aeroporteve që u morën në situatën e krijuar nga virusi COVID-19.

Ambasada e Kosovës në Emirate të Bashkuara Arabe ka konfirmuar për Express se shtetasi kosovar ka arritur të kthehet pas disa ditëve të kaluara në zona neutrale.

“Prej 19-23 në Dubai, pastaj në Zurich ka qëndruar disa ditë në zonë neutrale, e tash sa e di unë është në karantinë në Prishtinë”, ka thënë ambasadori Avni Arifi.

Kaçanikasi kishte planifikuar të fluturonte përmes Dubait në Shkup, por kur Maqedonia e Veriut i ndaloi ardhjen e shtetasve të huaj, ai mbeti në aeroport të Dubait për katër ditë. Vetë shtetasi i Kosovës u lajmërua një javë më parë në një televizion, ku u ankua se autoritetet nuk po angazhohen për kthimin e tij.

Arifi tregon se Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën masa strikte për moslejimin e shtetasve të huaj për shkak të koronavirusit, e kosovari nuk kishte as vizë.

“Për të hyrë në EBA ai s’kishte vizë, e në të njëjtën kohë ishte vendim i prerë që askujt as mos t’i jepet vizë e bile, edhe atyre që u kishin dhënë vizë, por që gjendeshin jashtë EBA’s u ishin anuluar”, tha Arifi.

Shtetasi kosovar nuk ishte pranuar nga asnjë kompani ajrore, për shkak se nuk i posedonte vizat e nevojshme, e Turqia, ashtu si Maqedonia e Veriut, nuk kishte pranuar të fluturonte në shtetin e tyre.

Ambasadori tregon se qytetari nga Kaçaniku arriti të fluturonte për në Cyrih përmes një garancioni të Ambasadës së Kosovës në Zvicër se kur të aterojë në aeroport, do t’ia mundësojnë transportin për në Prishtinë.

“Ai arriti të fluturojë me aeroplanin e fundit që fluturoi nga Dubai për Zurich pas garancioneve që i dha ambasada në Cyrih se do të merrej me transportin e tij për në Prishtinë”.

Më 27 mars, 55 shtetas të Kosovës arritën nga Cyrihu në Prishtinë. Ata menjëherë u bartën në Qendrën e Studentëve, e cila po shfrytëzohet si karantinë. / KultPlus.com

Dashuri në kohën e koronës

Nga Arlind Farizi

Hej njerëz,
Dhe ti djali im, m’i miri, m’i bukuri, m’i dashtuni? Po bëhen dy javë që një virus piciruk kriminel, pos që në shpirt, po na futet dhe në ëndrra. Hap derën si një hajn me përvojë. I padukshëm dhe shumë i dëmshëm.
Të shoh dhe të vështroj kujdesshëm djali im, teksa luan nëpër dhomë dhe botën e mat me madhësinë e shtëpisë që rëndon djersë babe, tek ngjitesh me vrull shkallës që prek qiellzanën, të shoh tek i shkruan “imoj”-it në xhamin avulluar nga era e supës. Dera e dhomës gati në shkulje nga hyrjedaljet tua. Unë e di: ti s’do dyer dhe mure. Ta kam lexuar këtë dëshirë që herët, prej kur u ngrite nga përtokja, e bëre të ecësh me këmbët tua, dhe t’i thyesh majtas-djathtas të gjitha pengesat. Por, e di djali im se muret nuk janë krijuar për t’u rrezuar, ato thjesht duhen kapërcyer.
Po bëhen dy javë që jemi mbyllur në shtëpinë së cilës tash po ia njoh dhe skutat. Nuk e dija se një dritë qe djegur dhe duhej ndërruar, se çezma jashtë nuk po punonte. Larguar isha në punën e të tjerëve dhe harruar kisha ty dhe shtëpinë. Ra virusi dhe u pamë më gjatë. Unë dhe ti. Ti më sheh më gjatë dhe unë po aq. Listën e dëshirave të tua e di përmendësh, i do librat dhe fletoret, lapsat me ngjyrë, pastaj vjen niveli tjetër, ai i lodrave që fillova t’i urreja për shkak të Kinës. Racist i mallit kinez. Kina e virusit. Mall i dobët. Ti do lodra plastike dhe zemërohesh kur ato mbajnë aromë alkooli. Vetëm po mundohem të të hap rrugën e ngushtë që të gjesh vetveten dhe në kohë korone. E di që ty të duhen të gjitha, dhe dëshiron t’i njohësh të gjitha, por në kohë korone kjo është e gjitha. Në këto kushtet do ta gdhendim së bashku përsosmërinë; ti do të marrësh nga unë gjithë ato pjesë “pazëlli” që të duhen, e unë vetëm buzëqeshjet prej teje. Qeshu, djali im, edhe nën maskë qesh. Me zë a me sy. E bardhë dhe me shpresë do të jetë e nesërmja. Lajmet do të jenë ogurmira, me zbulime antivirusesh, vdekshmërish të vogla, tek-tuk dalje nëpër qytet dhe në fund një paqe për të gjithë.
Djali im, m’i miri, m’i bukuri, m’i dashtuni! Ti s’ke durim. As unë. Më ke ngjarë. Të durojmë bashkë! Do bëjmë plane. Do vizatojmë. Do lëmë gjurmë. Si zemrat që vizatove dje dhe më pyete nëse e kishe shkruar mirë dhe drejt emrin e mamit. Ji i drejtë si ajo shigjeta që e pret përmesi atë zemër të madhe sa ëndrra jote prej Ledri. Dhe unë për hir të orës së vizatimit, të vizatova me fjalë ty, sytë e tu, zërin dhe faqet e kuqe. Ji i qeshur! Përherë dhe duaji njerëzit. Afroja çibukun gjyshit, le ta ndezë edhe një në këtë ditë pa datë dhe tymnajë mërzie. Gjyshes jepja syzet, ta mbarojë jelekun që do veshësh ditën e daljes nga karantina, paçka se mund të jetë verë. Vetëm ti do ta veshësh për hatër të saj dhe vetes. Ngaqë do të dalim nga kjo kuti e betontë.
Djali im, m’i miri, m’i bukuri, m’i dashtuni! Ti s’guxon të sëmuresh. Assesi! Jap gjithçka në këmbim të shëndetit tënd! Flijoj të gjitha metaforat e botës në emër të shëndetit tënd. Ajri është i ndotur. Jashtë bën ftohtë. Rri në shtëpi, somnobuli im. Bjeri përçark shtëpisë deri në lodhje. Fli sa të duash. Ëndërro sa të duash.
Djali im, m’i miri, m’i bukuri, m’i dashtuni! Do rrimë në shtëpi. Të gjithë. Do bëjmë jetë në kuti shkrepësesh. Aty paluar e ngjitur, sepse jemi të frikësuar. Nga gjithë ai tur që ka marrë vranësia e një virusi piciruk. Po frikësohem edhe unë. Gjithë ai kolorit jete që kishim, na u bë sepie, edhe atë për dy javë! Lajmet çdoditshëm hedhin pikëpyetje të mëdha e të rënda plumb. Zgjidhja i ka hipur vonë një anijeje prej letre, e cila nuk dihet nëse vjen edhe te ne. Shpreso në anije, biri im. Në anije prej letre bojë shpëtimi. / KultPlus.com

Avokati dhe historiani anglez për shqiptarët: Njerëz të pastër, pasardhës të racës më të vjetër të Gadishullit Ballkanik

Edwin Pears ka qenë avokat dhe historian i njohur anglez, shkruan KultPlus.

Pears lindi në York të Anglisë në vitin 1835 ku dhe u arsimuar për të vazhduar më pas në Univesitetin e Londrës për jurisprudencën romake.

Në vitin 1873 ai vendoset në Konstadinopojë ku prakitkon gjykatat konsullore, dhe arrin të bëhet njëri nga udhëheqësit e kolonisë Britanike në Konstadinopojë.

Duke e njohur mirë Turqinë, si korrespodent i “The Daily News” ai dërgon letra në të cilat përshkruan mizoritë otomane dhe Kryengritjet e Prillit në Bullgari.

Kështu në vitin 1911, ai shkruan librin “” që është libri i tij më i dalluar, në të cilin shfaq tërë njohuritë e tij të Konstadinopojës Bizantine. Ky libër përmban material origjinale mbi kombësitë e perandorisë Osmane.

Ky intelektual i rrallë kur flet për shqiptarët tregohet mjaft dashamirës. Sipas tij, shqiptarët janë racë pastër dhe e vjetër. Madje, ai i përshkruan shqiptarët si racë ariane.

“Shqiptarët janë pasardhës të racës më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, gjegjësisht të racës arjane, duke e nxjerrë këtë fjalë nga dy rrënjët e fjalëve shqipe: Ar dhe Anë, që d.m.th. Njerëz të arit të pastër”, shprehet ai. /KultPlus.com

100-vjetori i lindjes së poetit Zef Zorba, botohet vepra gjithëpërfshirëse e autorit

Sot është 100-vjetori i lindjes së Zef Zorbës, që padyshim është një prej poetëve më të rëndësishëm të letrave shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, shkruan KultPlus.

Zef Zorba ka qenë poet, regjisor dhe përkthyes i shquar.

Poezia e tij është e veçantë, dhe si e tillë ka ngjallë interesimin e studiuesve. Zorba është autor i vëllimit poetik “Buzë të ngrira në gaz” që iu botua pas vdekjes, në vitin 1994.

Me këtë vëllim, Zorba është çmuar si poet i veçantë që është përfaqësues i modernizmit dhe hermetizmit.

“Buzë të ngrira në gaz” është shqiptim poetik i lartë, fryt i një kohe absurde që shfaq ironinë tragjike për të bëmat e atij shteti të asaj kohe, në një shoqëri të ndaluar dhe të shkëputur nga bota.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese ‘Princi’, dhe vajzat e poetit, ishte përgatitur të organizonte sot, një konferencë shkencore, ku Zorba do të shpalosej i plotë nën zërin e studiuesve…

Por situata e krijuar me virusin Korona e ka shtyrë këtë konferencë për një kohë tjetër.

Këtë 100-vjetor, sipas botueses Irena Buzi do të botohet vepra gjithëpërfshirëse e Zorbës.

Së shpejti do të botohet Vepra I: POEZIA, si dhe studime mbi veprën e tij. Libri “Vepra I: POEZIA”, është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, përfshihen krijimet e poetit, ku janë poezitë e botuara në vëllimin poetik “Buzë të ngrira në gaz”.

Këtij vëllimi i janë shtuar edhe disa poezi të panjohura deri më tani. Në pjesën e dytë përfshihen përkthimet e Zorbës nga vepra poetike e autorëve italianë të 900-ës, që ende nuk e kanë parë dritën e botimit. /KultPlus.com

Dua Lipa performon nga shtëpia: Dashuri nga shtëpitë tona, drejt tuajave (VIDEO)

Dua Lipa ka performuar së bashku me bandën e saj këngë nga shtëpia, si një nga nismat e marra nga artistët në mbarë botën, për të sjellë art nga shtëpitë e tyre drejt artdashësve. 

Këngëtarja me origjinë shqiptare nëpërmjet kësaj video dërgon mesazhin për dashuri dhe shëndet. / KultPlus.com

John Krasinski krijoi një program të ri i cili i dedikohet lajmeve të mira

Ylli i kinematografisë, John Krasinski, po i kërkon botës ta ndihmojë në prodhimin e emisionit të tij të ri në YouTube, të titulluar “Some Good News”.

Së fundmi, aktori dhe regjisori i njohur amerikan i kërkoi ndjekësve të tij në rrjetet sociale, që t’i dërgojnë tregime të mira të cilat më pas ai i shndërroi në një program të realizuar nga shtëpia, të shoqëruar me një logo të krijuar nga vajzat e tij, transmeton Koha.

Skenaristi, regjisori dhe aktori i filmit “Quiet Place” e hapi shoun e ri në YouTube, duke thënë: “pse nuk ekziston një emision i cili në tërësi i dedikohet lajmeve të mira?”. Tutje ai tha se të gjithë ne po kalojmë nëpër një periudhë të vështirë dhe sfiduese, por shpirti njerëzorë nuk duhet thyer asnjëherë. Dhe me një fjali të vetme, Krasniski i cili pëlqehet tej mase nga publiku mbarëbotëror, na bëri ta duam atë edhe më shumë.

Episodi i parë i emisionit përfshiu tregime të cilat fansat i kishin dërguar përmes hashtagut “#somegoodnews”, dhe ku shiheshin njerëz zemërgjerë duke i ndihmuar të tjerët gjatë pandemisë së koronavirusit.

Në mes të emisionit, Krasinski e realizoi një lidhje direkte me aktorin e njohur komik, Steve Carell, me të cilin e festoi 15-vjetorin e krijimit të serisë së tyre hit, “The Office”.

Ende nuk është konfirmuar nëse do të realizohet edhe episodi i dytë i këtij programi, por gjasat janë që një gjë e tillë të ndodhë.