Tekstshkruesi i këngës “I Love Rock ’n’ Roll” ndërron jetë për shkak të koronavirusit

Tekstshkruesi dhe këngëtari i këngës “I Love Rock ‘N’ Roll”, Alan Merrill, ka ndërruar jetë për shkak të koronavirusit.

Lajmin e hidhur e ka bërë me dije vajza e tij, Laura nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Ju nuk e mendoni se do të ndodhë me ju apo familjen tuaj të fortë. Qëndroni në shtëpi nëse jo për vete për të tjerët” shkruan ajo.

Në postimin e saj, Laura shkruan se Alan ishte duke u mjekuar për ftohje por më pas e kuptoi se ishte infektuar nga virusi vdekjeprurës.

Mendohet se ai mund të jetl infektuar në një koncert që mbajti disa javë më parë.

Këngët e artistit janë kthyer në frymëzim për brezat e rinj dhe në internet ekzistojnë shumë kovera të këngëve të tij. /KultPlus.com

Odhise Paskali, skulptori që skaliti historinë e shqiptarëve në vepër pavdekësie

Odhise Paskali lindi në në fshatin Kozhan, Përmet më 22 Dhjetor 1903. “Artisti i Popullit”, Odhise Paskali mund të cilësohet pa mëdyshje si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar. Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Familja u vendos në Koblarë dhe Paskali i ri, mori mësimet e para nga i ati, që ishte prift dhe mësues në atë fshat. Shkollën fillore e përfundoi në Përmet, por edhe qyteti i Përmetit ishte i vogël për të. Pas shumë vështirësive ekonomike dhe pengesave të tjera, me ndihmën e një miku arbëresh, në vitin 1916, u nis në Itali. Pasi kreu liceun, në vitin 1920, filloi studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin e Torinos dhe më pas, në vitin 1927, mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit me historianin e njohur A. Venturi. Gjatë viteve që ishte në Torino, krahas studimeve në universitet, Odhise Paskali gjendej çdo ditë në studion e artistit italian Rubino, ku mësoi mjeshtërinë e skulpturës, që e tërhiqte veças. U bë i njohur që me krijimet e para, kur ishte ende student. “I Urituri” është vepra e parë në skulpturë e Odise Paskalit dhe një nga kryeveprat e skulpturës shqiptare. U realizua në 1924 në Torino. Deri në 1939 vepra gjendej në Pallatin Mbretëror. Më pas u mor nga Italianët si plaçkë lufte dhe ende gjendet atje.

Për këtë vepër me vlerë vet Odise Paskali tregonte:“Jam frymëzuar nga plaku, që pashë të vdiste nga uria, në ullishtat e Vlorës, në vitet kur shqiptarët iknin nga Pogradeci, Përmeti e qytetet e tjera dhe gjenin strehim në Vlorë, nga ku kishin shpresë të kalonin në Itali. Po punoja këtë portret, që është me madhësi reale, kur nga porta që ishte gjysmë e hapur mu afrua një vajzë 5-vjeçare. Ajo u afrua te puna që po punoja dhe më pyeti:

-Ç’ka ky plak që është kështu?

-Është i uritur, i thashë, nuk ka të hajë.

Nuk tha asnjë fjalë dhe doli. Pas pak u kthye me një copë bukë në dorë dhe tha:

-Jepja ta hajë, dhe doli.

Ngela i emocionuar me copën e bukës në dorë, por me kënaqësinë se ishte një ogur i mirë për rrugën e artit që kisha zgjedhur”

Odhise Paskali qysh herët shkroi artikuj, poezi dhe tregime; përktheu novela dhe ese për artin dhe artistët. Në vitin 1929, nxori numrin e parë të revistës “Studenti Shqiptar”, të cilën e drejtoi derisa u mbyll, pas shtatë numrash. Krahas krijimeve letrare, aty botoi foto nga punimet e tij në skulpturë, si dhe nga tablotë e kolegëve artistë si: Abdurrahim Buza, Vangjush Mio, Kristaq Sotiri, etj. Në vitin 1935, nga biblioteka e njohur Argys në Tiranë u botua një libër me tri novela të përkthyera nga Odhise Paskali. Për disa vite, artisti i ri u end midis letërsisë dhe artit, ende pa e përcaktuar drejtimin e ardhshëm të krijimtarisë së tij. Viti 1928 shënon kthesën dhe përkushtimin e plotë ndaj skulpturës. Bashkia e Korçës e porositi për një monument kushtuar luftëtarëve të lirisë. Skulptura “I urituri” e kish bërë të njohur si një talent që rrezatonte dritë për artin kombëtar, ndërsa pas realizimit të monumentit “Luftëtari Kombëtar” në qytetin e Korçës (1932), Odhise Paskali do të bëhet skulptori më i njohur në Shqipëri. Në të njëjtën ditë, u përurua edhe statuja tjetër e tij “Flamurtari” në qytetin e Vlorës. Më pas u ngritën edhe tri vepra të tjera në bronz po nga Paskali: “Mihal Grameno” (Korçë, 1932), “Çerçiz Topulli” (Gjirokastër, 1934) dhe “Skënderbeu” (Kukës, 1939). Me statujat e Odhise Paskalit, disa nga qendrat në qytetet kryesore shqiptare morën një pamje të re, duke fituar edhe një identitet të tyre. Pas vitit 1927, Odhise Paskali angazhohet plotësisht në jetën artistike shqiptare dhe për disa vite do të jetë në krye të shumë veprimtarive të rëndësishme kombëtare. Në vitin 1931, bashkë me akuarelistin Qenan Mesareja, themeloi shoqërinë “Miqtë e Artit”, ku u mblodhën artistë të të gjitha fushave që jetonin në Tiranë. Po atë vit, Odhise Paskali organizoi Ekspozitën e Parë Kombëtare të Artit në Shqipëri, që u hap në Tiranë, në maj të vitit 1931. Ekspozita ndikoi edhe për themelimin e Shkollës së Vizatimit. Odhise Paskali, që në fillim, ishte një ndër mësimdhënësit kryesorë, ndërsa më vonë u caktua drejtor i saj dhe luajti rol të rëndësishëm në konsolidimin e shkollës, si dhe në zbulimin dhe përgatitjen e artistëve të rinj. Pas vitit 1944, ndaj Odhise Paskalit në fillim u mbajt një qëndrim i rezervuar. Nuk u ftua të merrte pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Pasçlirimit, në prill të 1945-ës, meqenëse kishte realizuar më parë statujën e mbretit Zog, si dhe buste të figurave të tjera të mbretërisë. Por, duhet thënë se punimet kryesore te tij, vlerat e statujave në bronz, të ngritura në sheshet e qyteteve, e ruajtën të pacenueshme figurën e Odhise Paskalit dhe ndikuan që ai të rikthehet përsëri në art.Rifilloi krijimtarinë në skulpturë me bustet e heronjve “Misto Mame” (1948), “Vojo Kushi” (1949), që u vlerësuan midis punimeve më të bukura të atyre viteve. Më pas, realizoi disa monumente si “Partizani Çlirimtar” dhe “Ndihmë Shokut” (Përmet, 1964), “Partizani Fitimtar” (Mathausen, Austri, 1968), “Skënderbeu” (Bashkautor Janaq Paço, Andrea Mano, Tiranë, 1968), bustet “Dy Heroinat” (Gjirokastër, 1974) “Vëllezërit Frashëri (bashkautor Thoma Thomai, Tiranë, 1978), “Idriz Seferi”, (Prishtinë, 1980), etj. Në vitin 1965 realizoi variantin më të arrirë të bustit të Enver Hoxhës, që u riprodhua në qindra e mijëra kopje. Ajo u çmua si vepra që pasqyroi dhe i shëmbëllente më mirë figurës së udhëheqësit komunist të Shqipërisë. Për Odhise Paskalin u ngrit studioja e parë, më e madhe në Tiranë, për skulpturë dhe, gjatë gjithë kohës, ai ka qenë një nga artistët më të vlerësuar në Shqipëri. Studioja e tij u kthye në një shkollë për artistët e rinj, si dhe për studiuesit dhe historianët e artit, pasi Odhise Paskali ka qenë gjithashtu edhe një njohës i mirë dhe studiues i zhvillimeve artistike botërore. Punoi pak vite si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe në pjesën më të madhe të kohës ka qenë në krijimtari të lirë. Gjithnjë i angazhuar në realizimin e statujave dhe monumenteve. Vazhdoi të shkruante artikuj dhe ese për artin. Duhet thënë se edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami). Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë. Odhisea, duke iu kushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë Jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.

Odhise Paskali , modest, përsëriste shpesh:

“- Unë nuk jam skulptor në kuptimin profesional të fjalës; as jam poet në kuptimin tradicional; dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës. Jam njeri. Çdo gjë njerëzore më ka tërhequr.

– Linda, jetova dhe do të vdes i varfë!”

Ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave, i pari për shumë vite nga fusha e arteve dhe ndër të parët artistë që mori titullin e lartë “Skulptor i Popullit”. Krijimtaria e Odhise Paskalit, ndonëse përshkohet e gjitha nga e njëjta frymë romantike, nga studiuesit ndahet në dy periudha. Në periudhën e parë, para vitit 1945 (ku veç statujave që përmendëm më lart, bëjnë pjesë edhe disa buste dhe figurina në bronz) veçohet për vlera më të spikatura artistike. Statujat dallohen për siluetat e bukura, modelim harmonik sipas konceptimit skulpturor të antikitetit klasik. Në bustet e asaj periudhe gjen trajtim më të thelluar të psikologjisë së personazheve, më shumë interpretim artistik nga autori. Me ato vlera të çmuara, Odhise Paskali përcaktohet si themelues i skulpturës realiste shqiptare. Edhe për periudhën e dytë, pas vitit 1945, ai vlerësohet midis skulptorëve më të shquar të vendit. Në disa nga krijimet e kësaj faze, vërehet pasurim i shprehjes artistike, ndërkohë që në disa të tjera gjen edhe skema pompoze të realizmit socialist, skema që kushtuan edhe skulpturën e atyre viteve, sidomos ato monumentale, ku mund të përfshijmë edhe disa punime të Odhise Paskalit. Në krijimtarinë e pasur të këtij mjeshtri, monumenti “Luftëtari Kombëtar” i Korçës, është vlerësuar si një ndër statujat më të bukura të së gjithë skulpturës shqiptare. Në zhdërvjelltësinë e figurës së luftëtarit, ndihet më shumë jetë dhe madhështi, ndërsa ritmi që krijohet nga palat e gjera të gunës, flokët e hedhura dhe lëvizja e kokës, në kontrast me lartësinë e figurës, i japin më shumë jetë dhe dinamizëm. E realizuar në përputhje me përfytyrimin popullor për luftëtarët e lirisë, ky monument, si dhe sheshi ku është vendosur, është kthyer prej vitesh në një simbol të përpjekjeve për liri. Në vitin 1986, statujën e zhvendosën në një shesh tjetër të Korçës, për të ngritur në vendin e saj monumentin e Enver Hoxhës. Por, pas vitit 1990, “Luftëtari Kombëtar” u vendos po atje ku ishte, në krye të bulevardit, ku qëndron edhe sot.

Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të vendit. Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë. Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i OP me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave. Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali. Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet. Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 Shtator 1985 i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme. Skulptori i Popullit Odise Paskali është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat:

“Monumenti i Pavarësisë, Vlora”

“Gjergj Kastrioti”, dhuruar më 1968-n qytetit arbëresh Hora e Arbëreshëve, Siçili

“I urituri”,

“KETI”,

“Malësori”,

“Luftëtari Kombëtar”, Korçë;

“Themistokli Gërmenji”, në Korçë;

“Ushtari i panjohur”,

“Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968;

“Naum Veqilharxhi”, bust në bronc , në Korçë;

“Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968;

“Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”

“Isa Boletini”

“Fan Noli”

“Onufri”

“Jeronim De Rada”

“Pashko Vasa”

“Zef Skiroi”

“Çerçiz Topulli”

“Naim Frashëri”

“Vojo Kushi”

“Migjeni”

“Enver Hoxha”

“Idriz Seferi”

“Ahmet Zogu”

e shumë vepra të tjera.

Për të gjithë ata që e kanë vlerësuar, vepra e tij mbetet një shkollë e vërtetë arti.

Këto mund te nxirrja përmbledhtas nga interneti dhe botimet për skulptorin e madh nga Admirine Peçi, Shaban Cakelli, Dashnor Kaloçi, Stilian Adhami etj. /Albert Vataj /KultPlus.com

Polici në Indi që del rrugëve me helmetë “koronavirusi”

Me helmetë në kokë në formë të koronavirusit, polici Rajesh Babu del për të inspektuar rrugët e Indisë.

Kjo po ndodh derisa India po zbaton një bllokim mbarëkombëtare, për shkak të pandemisë së koronavirusit Covid-19.

Është një polic i cili ka zgjedhur një formë interesante për t’i kontrolluar qytetarët që dalin rrugëve, njofton CNN, transmeton Koha.

India, madje është vendi ku qytetarët edhe rrahën me kamxhikë nëse hasen rrugëve, pa ndonjë nevojë.

Helmeta e policit Babu është e mbuluar me thumba të kuqe, ashtu si imazhi mikroskopik i koronavirusit. / KultPlus.com

165 vjet nga vdekja e shkrimtares së shquar, Charlotte Brontë

Charlotte Brontë ka qenë noveliste dhe poete angleze, e njohur në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Romani i saj më i njohur është “Xhejn Er”, të cilin ajo e botoi nën emrin artistik Currer Bell.

Një jetime e vuajtur ngrihet në rangun e një heroine, e cila, guximtare, e çiltër dhe krenare, na tregon se si integriteti i një shpirti të dëlirë nuk komprometohet përballë asnjë tundimi, as atij që premton lumturinë. Libri, i kritikuar nga bashkëkohësit si një roman që përmbante nxitje revolucionare, të pamoralshme dhe antifetare, “Xhejn Er”, është sot një nga veprat më të kremtuara të të gjitha kohërave. I ekranizuar më shumë se çdo klasik i shekullit XIX, “Xhejn Er” solli një revolucion në artin e rrëfimit.

Falë tij, autorja Charlotte Brontë konsiderohet si “një nga historianet e para të ndërgjegjes individuale” dhe pararendësja letrare e shkrimtarëve si Joyce-i dhe Proust-i.

Kjo është historia e një jetimeje të zgjuar dhe plot temperament, megjithëse trupvogël e

shëmtaraqe. E abuzuar dhe e braktisur nga të afërmit e saj, heroina jonë lufton e patundur për një jetë të pavarur e dinjitoze. Xhejni do të kërkojë lumturinë me ngulmin e një shpirti rebel, por pa pranuar kurrë të bëjë kompromis me moralin e saj. Rrëfimi i apasionuar rrotullohet rreth historisë së dashurisë së Xhejn Erit me punëdhënësin e saj, zotin Roçester, një aristokrat arrogant dhe hijerëndë.

Romani përshëndeste një figurë heroike të panjohur më parë; një figurë e cila, falë integritetit virtuoz, intelektit të mprehtë dhe këmbënguljes së palodhur, arrinte të çante përmes barrierave të klasave sociale për të fituar një pozicion të barabartë me njeriun që dashuronte. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz e duan Xhejn Erin: ata mund të identifikohen me të. Ajo nuk është e bukur, shtatlartë apo e hijshme. Ajo është një vajzë fare e rëndomtë, nga ato që nuk bien në sy. E megjithatë, ajo gjen lumturinë romantike. Është një përrallë për të pasigurtët, për të gjithë njerëzit e zakontë. I lavdëruar nga William Makepeace Thackeray si “kryevepra e një gjeniu të madh”, romani “Xhejn Er” konsiderohet ende sot, më shumë se një shekull më vonë, një nga veprat më të hijshme të letërsisë angleze. /KultPlus.com

Fshati në veri të Italisë pa asnjë rast me koronavirus, çfarë thonë banorët dhe legjenda për trupat e Napoleon Bonapartit

Banorët e Montaldo Torinese, një fshat në rajonin verior të Piemontes në Itali, deri më tani janë kursyer nga koronavirusi, duke bërë që disa të besojnë se mbrohen nga “uji i mrekullueshëm” që, sipas legjendës, shëroi trupat e Napoleon Bonapartit nga pneumonia.

Montaldo Torinese shtrihet rreth 11 milje (19 km) nga Torino, kryeqyteti rajonal ku deri të shtunën 3,658 njerëz ishin të infektuar nga virusi. Përtej Piemontes, rajoni i katërt i prekur më keq në Itali, pati 8.206 raste që nga e diela.

Uji nga pusi në Montaldo Torinese, një fshat me 720 banorë, besohet se ka ndihmuar në kurimin e trupave të ushtrisë Napoleonit, të cilët kishin ngritur kampin në fshat në qershor të 1800 para një beteje në Marengo.

“Sipas historisë gjeneralët e Napoleonit ishin të sëmurë me pneumoni”, tha Sergio Gaiotti, kryetari i Montaldo Torinese, për “The Guardian”. “Dhe falë ajrit të pastër dhe fshatit të pacenuar, por edhe me ujin e pusit, ata u shëruan. Gjatë asaj periudhe, uji me siguri ka ndihmuar. Por sot, pusi është mbyllur dhe uji i tij përdoret vetëm për të ujitur fushat. Ju nuk mund të pini prej tij”.
Napoleoni dhe trupat e tij më pas shkuan për të fituar betejën kundër forcave austriake në Marengo.

Montaldo Torinese ka një popullsi të madhe të moshuar, por është gjithashtu shtëpi e familjeve të reja, me njerëz që vijnë në Torino për punë.
Gaiotti tha se arsyet më të besueshme për mungesën e koronavirusit mund të jetë ajri i pastër dhe mënyra e jetesës së shëndetshme, si dhe përpjekjet e tij për të paralajmëruar njerëzit për rreziqet e koronavirusit dhe shpërndarjen e maskave të fytyrës për të gjitha familjet.

“Pothuajse nuk ka asnjë industri këtu, ajo përbëhet kryesisht nga artizanë”, tha ai. “Që nga fillimi, kam vënë njoftime në kutitë e letrave të njerëzve që rendisnin gjërat që duhej të bënin për të qëndruar të sigurt, të tilla si larja e duarve rregullisht dhe shmangia e kontaktit të drejtpërdrejtë, dhe postova njoftime zyrtare në faqen tonë të internetit. Ne ishim qyteti i parë në zonë që shpërndanim maska për të gjitha familjet, dhe ne akoma po shpërndajmë maska”, deklaroi ai. /KultPlus.com

“Kush pështyn pjatën e lirisë, lëpin sahanin e robërisë”

Thënie të pavdekshme nga Dritëro Agolli:

“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.

“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.

“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.

“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.

“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.

“U zumë të dy aq shumë për punën
Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë!
Eh, budalla!
Edhe dhëmbët zihen me gjuhën,
Zihen dhe bashkë rrinë”.

“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”.

“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”.

“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”.

“E vërtetë e pabesueshme
E mbajta në krah tërë ditën
Edhe zemër i dhashë:
‘Mbahu!’
Të nesërmen ne fshat kur arritëm,
U tha te tjerëve:
‘Më rrahu!’”

“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”. /KultPlus.com

Fjalët e Nesrete Kumnovës për të birin: Më kanë mbuluar rrudhat e jetës, por s’jam lodhur së kërkuari zbardhjen e fatit tënd


Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, Nesrete Kumnova, ka kujtuar 20 vjetorin e vrasjes së djalit të saj Albionit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kumnova shkruan: “Biri im i dashur, mbi dy dekada të kam kërkuar rrugëve të vendlindjes sate, Gjakovës dhe Kosovës, që u çlirua me gjakun tënd dhe të gjithë të rënëve, por askund nuk të gjeta!

Nuk arrita të gjej asnjë shenjë që të çmallem me ty, të flas me ty! Me kënd të flet nëna, që për dy dekada më kanë mbuluar rrudhat e jetës por asnjëherë nuk jam lodhur e as nuk kam ndaluar së kërkuari zbardhjen e fatit tënd, bir!”

Përpos të birit, në shtëpinë e familjes Kumnova u rrëmbyen edhe nipi i Nesretes, Artan Efendija, dhëndri Gëzim Deva, fqinjët Lutfi e Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi.

Postimi i plotë:

Sot është 31 marsi, biri im Albion, dita kur shënon njëzetë e një vjetorin e kobshëm, të rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes tënde nga duart kriminale të policisë serbe.
Biri ynë, Albion, në shtëpinë tonë ku ndodheshin të strehuar, bashkë me ty, u rrëmbyen, vranë dhe zhdukën, nga policia serbe edhe nipi im Artan Efendija, dhëndri Gëzim Deva, fqinjët, Lutfi e Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi!
Biri im i dashur, mbi dy dekada të kam kërkuar rrugëve të vendlindjes sate, Gjakovës dhe Kosovës, që u çlirua me gjakun tënd dhe të gjithë të rënëve, por askund nuk të gjeta!
Nuk arrita të gjej asnjë shenjë që të çmallem me ty, të flas me ty! Me kënd të flet nëna, që për dy dekada më kanë mbuluar rrudhat e jetës por asnjëherë nuk jam lodhur e as nuk kam ndaluar së kërkuari zbardhjen e fatit tënd, bir!
Dhe sot, 21 vjet më pas, sërish nuk mund të dalim as tek pragu i derës, nga një tjetër armik i padukshëm që sërish na mbylli në shtëpitë tona e që po merr jetë të pafajshme në mbarë globin!
Mbase shpresonim se më në fund do të përfundoj çështja e zbardhjes së fatit tënd por nga ky armik I padukshëm, mbase u ndal edhe procesi i kërkimit të fatit tënd dhe të gjithë atyre që rezultojnë të zhdukur!
Sot e çdo ditë më shumë, jam e zhgënjyer nga të gjithë ata që janë përgjegjës dhe nuk u angazhuan mjaftueshëm sa për të na qetësuar zemrat tona të plagosura, të sjellin më në fund trupin tënd dhe të të vizitoj tek varri yt i cili të pret vite me radhë!
Nuk e kuptoj si mund të vazhdoj jetën pa ty, pa asnjë gjurmë, por ja që nënën e mban krenaria për qenien tënde, për gëzimet që na i dhurove, për sukseset sa ishe në jetë!
Biri im, Albion, vetëm krenaria që të patëm dhe që u flijove për lirinë e Kosovës, e mund dhembjen tonë të madhe!
Albion, biri im, sot nëna nuk mund të dalë as në qendër të qytetit dhe të protestoj, të flas botërisht për dhembjen dhe pikëllimin, pritjet dhe zhgënjimin!
Atdheut ia fale jetën, atdheu të pret të prehesh i qetë në tokën e lirë! / KultPlus.com

Erdogan: Pagën time për 7 muaj do t’ia fali popullit tim

Presidenti i Republikës së Turqisë sot në një komunikatë për media e hapi kampanjën ” Solidariteti Kombëtar”.

Situata në Turqi po vështirësohet dita ditës për shkak të koronavirusit, i cili po ndikon edhe në rënien e ekonomisë.

Turqia duke marrë masa parandaluese për mospërhapjen e pandemisë sot e ka filluar kampanjën “Solidariteti Kombëtar”

Këtë e ka bërë të ditur presidenti Erdogan në një komunikatë për media.

” Në këto ditë të vështira duhet të solidarizohemi me njëri tjetrin, të mbrohemi dhe të qëndrojmë në shtëpi, unë sot para juve po e bëjë hapjen e kampanjës “Solidariteti Kombëtar” duke sfiduar të gjithë zyrtarë e tjerë. Unë këtë kampanjë po e fillojë duke falur rrogën time për 7 muaj atyre që kanë nevojë dhe janë në kushte të rënda ekonomike” tha Erdogan. / KultPlus.com

Më 31 mars të vitit 1889 hapet Kulla Eiffel

Kulla Eifel ose siç e quajnë ndryshe francezët “La Tour Eiffel” është një nga monumentet më të njohura në botë.

Kjo kullë është projektuar si pjesa më e mirë e koleksionit të panairit botëror në Paris më 1889 dhe kishte për qëllim të përkujtonte 100 vjetorin e Revolucionit Francez.

Më 1 prill 1889 Kulla Eifel përurohet.

Tashmë është monumenti më i njohur dhe më i fotografuar në botë.

Dhe të mendosh pastaj se shkrimtarët Guy de Maupassant dhe Alexandre Dumas e kritikuan atë duke e cilësuar një “makth të tmerrshëm” në zemër të Parisit.

Kulla mori emrin e projektuesit dhe arkitektit të saj, Alexandre Gustave Eiffel, i cili e ndërtoi strukturën për ekspozitën ndërkombëtare të Parisit, 1889.

Këtu do të gjeni 10 fakte që nuk i keni ditur më parë për të.

1- Në majë të saj gjendet një apartament sekret. Në majë të kullës gjendet një bar ku mund të pini shampanjë.

2- Kulla Eiffel ka një lartësi 324 metra, pra, sa një pallat 81-katësh. Në kohën e përfundimit, ka qenë struktura më e lartë në botë. Ajo ka qenë struktura më e lartë deri në vitin 1930, kur ia kaloi ndërtesa e Chrysler në Nju Jork. Sot, Kulla Eiffel është struktura e dytë më e lartë në Francë.

3- Vizitorët kanë mundësi të ngjiten me shkallë ose me ashensor. Ka tre ashensorë, megjithëse vetëm dy janë të hapur në të njëjtën kohë. Ashensori i tretë ngjitet nga kati i dytë në të tretin. Duhet të dini se këta ashensorë mund të jenë shumë të ngarkuar, sidomos gjatë sezoneve turistike dhe radha e pritjes për t’u ngjitur në ashensor mund të jetë shumë e gjatë

4- Ju rekomandojmë gjithsesi të keni durimin për t’i vizituar të tria katet. Në katin e parë do të mësoni rreth historisë së Kullës, së kaluarës e së tashmes së saj. Këtu do të mësoni për rolin që luan kulla në teknologjinë moderne, si dhe do të mund të shikoni pajisje që kanë qenë pjesë e kullës origjinale. Këtu përfshihet një pjesë e shkallëve spirale origjinale (që nuk përdoren më), një nga pompat hidraulike të përdorura në sistemin e ashensorit, si dhe “FerOScope”, pajisja që përdoret për të krijuar shfaqje drite nga kulla.

Në katin e dytë mund të shijoni një pamje 360 gradë të qytetit.

Fotot që do bëni këtu, mbeten kujtime të paharrueshme. Gjithashtu do të gjeni një restorant dhe një bar të vogël.

Kati i tretë është i jashtëzakonshëm. Do t’ju duket vetja si në majë të botës. Do t’ju pëlqejë si platforma e brendshme ashtu edhe e jashtme, si dhe do t’ju duket shumë interesante një model i zyrës origjinale të inxhinierit Gustave Eiffel.

5- Në këtë kullë ka një zyrë postare.

6- Mahnitëse dhe e bukur, Kulla Eiffel është kthyer në një klishe filmash kinematografikë. Pjesa më e madhe e filmave të xhiruar në Paris tregojnë pamje të Kullës Eiffel dhe shikuesit mund të besojnë se ajo është e dukshme nga të gjitha këndet e qytetit. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e ndërtesave në Paris nuk janë më të larta se 7 kate, kështu përveç ndërtesave pranë saj, shumë pak të tjera mund ta shohin kullën nga dritaret.

7- Kulla Eiffel është e mbushur me emra shkencëtarësh.

8- Bëhet një punë shumë e madhe që kulla Eiffel të duket bukur.

9- Poshtë kësaj kulle gjendet një bunker ushtarak.

10- Kulla Eiffel është e hapur për vizitorët çdo ditë, nga ora 9:30 deri më 23:30. Nga mesi i qershorit, deri në fund të gushtit, Kulla hapet në orën 9:00. Ka tri kate për t’u vizituar dhe kostoja e biletës varet nëse doni të shkoni në katin e tretë apo të dytë dhe nëse doni të shkoni me ashensor apo në këmbë nga shkallët. Çmimet variojnë nga 3 deri në 13 euro, në varësi të moshës së vizitorëve dhe dëshirës për të eksploruar. /KultPlus.com

Aktori Vasjan Lami, “Monolog për Karantinën”: Një heshtje e kobshme, paralajmëruese

Aktori i njohur Vasjan Lami ka krijuar një monolog pas futjes në karantinë si pasojë e koronavirusit.

Duke e konsideruar një heshtje të kobshme dhe paralajmëruese atë që po ndodh, Lami thotë se po ta dinte se do vinte ky virus që i rrezikon jetën do bënte shumë gjëra më mirë në jetën e tij.

KARANTINA

Nuk mund ta besoja,
nese do të me thonin dikur,
se do të binte një epidemi,
që gjithë njerrëzimin do ta mbyllte në shtëpi.
Se do te ish aq e frikshme,
sa dhe emrin do e ndërronte rrugës;
nga Epidemi, në Pandemi…….
Pallate të heshtura…..
Rrugë të braktisura, si mbas kortezheve…..
Cicërima zogjsh të harruar…..
Guguftu që qajnë heshtjen…..
Ndonjë çjerrje makine hallemadhe…..
Dikush që lëviz cepave, kuturu……
Në ballkon, trishtim dhe tym dyhani gjithashtu.
Qentë e rrugëve lodhen se nuk kanë ç’të hanë.
Duket sikur edhe njerrëzit po krijojnë Mutacione….
Një jetĕ e këputur me gërshërë, fare pa pritur.
Vakum…
Vakum ne ëndrra.
Vakum mes njerëzish.
Vakum te e nesërmja.
Globi rrotullohet pa zhurmë.
Një heshtje e kobshme, paralajmëruese.

Njeriu i fortë, çudibërës, i plotfuqishĕm, i vetkënaqur,
i mundur nga një Virus.
Nuk e dija,… nuk e shoh,… se po ta dija, dija unë ç’ti bëja.

Bëja pra !

Sillu tani në kafaz, siç i ke bërë kafshëve dje !
Kafsho hekurat !
Bëj sherr, e lëpiu me të tutë!
Analizo ç’ke bĕrë mirë a keq, deri tani.
E kupton që nuk do të jetosh aq gjatë sa mendoje ?
…..
Të vjen keq tani, që je lodhur dhe je bërë pis për vogëlima ?
Që nuk ke thënë sa herë e ke ndjerë; “Të dua. Me pëlqen” ?
Që fjalën e fundit e thoje të parën, se të pëlqente vetja ?
Që nuk e ke parë edhe tjetrin siç shihje veten ?
Doje veten më shumë se çdo gjë ?….
Rri vetëm atëherë !
Shijoi virtualisht të gjitha bëmat e tua !
Sa je lodhur, i ziu ti !
Shikon tjetrin që ikën fare lehtë, e trembesh për veten.
Sepse nuk besoje që mund të ndodhte edhe kështu!

Dhe ndjehesh komplet i pafuqishëm, për të djeshmen dhe të nesërmen !
Ah ta kisha ditur….thua
….
Çfarë do të bëje? /KultPlus.com

Për Gjergj Fishtën dhe Ndre Mjedën

Nga Bedri Islami

Fishta, ndoshta më shumë se të tjerët, kishte lindur për të qenë shqiptar.

Gjergj Fishta është njëri ndër poetët e ndaluar të kohës së rinisë sime.

Çuditërisht, edhe pse nuk kishte qenë ministër në një qeveri fashiste, si do të ndodhte me bashkëvendasin e tij, Koliqin, ai ishte më i ndaluar se ky, edhe pse kishte vdekur në një ditë të acartë të 30 dhjetorit të vitit 1940.

Në ditëvarrimin e tij do të mbanin fjalët e rastit edhe prelatë të lartë katolikë, që u takonte, edhe klerikë të lartë muslimanë, që e kishin pjesë.

Do të mbylleshin të gjitha dyqanet, muezinët do të heshtnin në shenjë nderimi dhe do të dëgjoheshin vetëm kambanat e kishave si një lajm shpirtëror dhe përhapës i kujës.

Duke ikur viti 1940, largohej figura mistike e një njeriu të çuditshëm, me tunikën e tij si të prerë nga mjegullat e lashta dhe që kishte qenë një Zot i pashpallur.

Kishte qenë një mundim i kotë ndalesa e tij e përkohëshme publikisht, por e hapur në shtëpitë e vjetra të qytetit.

Është ndër poetët që duhej njëlloj e njihej njëlloj, si në lagjet e krishtera, të mbledhura rreth disa kishave të njohura, në njërin skaj të qytetit, ashtu edhe në lagjet e besimit islam, të mbledhura në skajin tjetër, në një hapësirë gjithnjë e më shumë drejt ujrave, ndërsa të parat, të krishterat, kishin synuar përherë drejt maleve.

Të ndalosh Fishtën do të thotë të mundohesh të gardhosh një perandori letrare, publicistike, një jetë të përkryer, aspak mistike, të përshfaqur denjësisht dhe kryeulur, të denjë për të qenë një shenjt e në të njëjtën kohë njeriu më i zakonshëm, dhe ky është një mundim i kotë. Mund të gardhosh një arë, një kopësht, një rrafshirë, mund të djegësh libra apo t’i kyçësh ato nëpër do rafte të hekurt, por është punë e pamenduar dhe absolutisht e pamundur të gardhosh , aq më tepër në genin e tij, një perandori të letrave.

“Të gjitha gjërat duan të qëndrojnë në të qenurit e tyre”, ka shkruar Baruh Spinoza, e, edhe Fishta, ashtu si është, më tepër një patriark se sa një françeskan, sado që librat e tij u damkosën me hekur të nxehtë, ai do të kishte patjetër ringritjen e tij. “Të qenurit e tij” – ishte gjëja më normale në botë, e kundërta ishte e pabesueshme dhe e pakohëshme.

Është ndër rastet e pakta kur poezia e tij më shumë shijohet në të dëgjuar, se sa në të lexuar; si duket, për të ndjerë magjinë e poezisë së tij duhet përherë më shumë se një njeri, ose, më saktë, duhen një shumësi njerëzore.

Ndoshta nga që poezia e tij nuk ka qenë kurrë e salloneve, e mjediseve të mbyllura nëpër arkapijat e vjetra apo pas mureve me sharmashekë.

Ka patur shpesh herë dilema të ndalimit të tij, ashtu si edhe është synuar , në mos përmendorizimi i figurës së poetit, të paktën ringritja e avashtë. Por asnjëherë nuk ishte deri në fund e qartë pse po ndalohej.

Regjimi i ri ishte antizogist, sa që ia kishte ndaluar hyrjen edhe vetë familjes së mbretit të ikur; Fishta kishte qenë fanolist në një periudhë të jetës së tij dhe, në fakt, kurrë nuk u bë zëdhënës i një mbretërie; qeveria që kishte ardhur në pushtet ngrinte ndër monumentet e para edhe atë të Avni Rustemit dhe, në varrimin e Avniut, në Vlorë, njëri ndër fjalimet më të fuqishme kishte qenë pikërisht ai i Fishtës; pas vitit 1948 regjimi kishte shpallur armiqësinë e tij me shtetin fqinj jugosllav dhe me këtë term nënkuptonte shtetin serb, dhe poema madhore e Fishtës, “Lahuta e Malcis” do të kishte qenë konfirmim i asaj që kishte ndodhur; megjithëse pas prillit të vitit 1939 Fishta ishte bërë akademik i Italisë, kjo nuk ishte shoqëruar asnjëherë me zellin e tij ndaj pushtimit, koha kishte qenë e pamjaftueshme për të dhe si duket, pikërisht kjo pamjaftueshmëri kishte lënë hapur shumë shtigje që synonin të mbylleshin, sëbashku me jetën , pra edhe artin e tij.

Njohja e tij me sunduesin e ri kishte qenë e shkurtër, në një ballkon a terracë të vogël, disa vite më parë, kur njëri, ende i ri, kishte mbajtur një fjalë të thukët në nderimin e Çerçiz Topullit, ky i fundit kishte qenë në fakt miku i poetit, dhe, ndërkohë, poeti, që e kishte falenderuar djalin e ri për fjalët, as që i kishte shkuar ndër mend se pak vite më vonë , pikërisht nga ai ose njerëzit rreth tij, do të ndalohej. Nëse do i kishte shkuar ndër mend , me siguri do të thonte diçka më tepër se sa frazën e famshme biblike , “Fali, oh Zot, se nuk e dijnë çka bajnë”!

Ndoshta ishte i vetmi poet i madh që ndalohej për dy arsye të gjendura njëkohësisht, por që asnjëra nuk ishte e saktë: dënohej si poeti i madh i Veriut, pro austriak i njohur dhe antisllav edhe më i njohur, dënohej si njeri politik, kur asgjë politike antikombëtare nuk kishte patur në qëndrimin e tij? Absurdi nuk ka arsye!

Ndalimi i Fishtës ishte parathënia e parathënieve të largimit, ndalimit dhe pastaj linçimit të një plejade të shkëlqyer të prelatëve të kishës katolike, meshtarë të zakonshëm apo të ngjitur në shkallaret e religjionit të tyre, të cilët, ashtu të ditur si ishin, të panjollë, të mishëruar në besimin e tyre dhe në përkushtshmërinë ndaj vendit, ishin në të njëjtën kohë në elitat më të shkëlqyera të vendit. Mendimi filozofik shqiptar, entografia, publicistika shqiptare, kultura dhe artet në përgjithësi, arsimi dhe drejtimi i mendimit politik drejt perëndimit, të gjitha këto nuk mund të kuptohen pa këtë plejadë të shkëlqyer, që në thelbin e tyre ishin dishepujt e padër Gjergjit.

Si thashë, Fishta ishte poeti i ndaluar dhe kur e lexova për herë të parë, në trapazanin e shtëpisë së madhe të Gjylbegajve, ku ndodhej biblioteka e pazakontë, isha po ashtu në një çast të ndaluar.

Por që shijonte më shumë. Gjithçka bëhej më misterioze, enigmë e pashpallur dhe në portretin e tij dukej si një perandor i harruar, mistik dhe i legjendshëm, jetësor dhe kumbues, njohës i shpirtit dhe brymosës i tij, gjëmues dhe cinik, i dashur dhe i larguar, aspak ledhatues , por edhe kurrë përjashtues, i guximshmi që të ngjallte besim, ishte Fishtiani që kishte lindur për të qenë një shqiptar i madh, kleriku që njihte mbi vete fe e Atdhe, i mohuari që e donin me zjarr, duke pritur ditën e riardhjes së tij.

Ai ishte i nëmuri që duhej; i përjashtuari që afrohej; i leçituri që lexohej; i ndaluari që i hapeshin dyert, i mallkuari që nuk mallkonte; i huaji që ishte më shumë se i shtëpisë; në fund ai ishte Homeri i Iliadës shqiptare, por që në ncdryshim me bardin plak, nuk ishte as i verbër dhe përsonazhet e tij nuk ishin as zotër e as perëndi që ziheshin me njëri tjetrin, por vendas, njerëz të njohur dhe të zakonshëm, bajraktarë dhe djem të rinj, heronj që linin pas një emër të pëjetëshëm, si Oso Kuka, ishin prijës dhe burra me mend, agallarë si të kishin dalur nga cikli i Muji e Halilit; kokëshkretë që e kishin më lehtë të vdisnin se të jepnin mikun, pavarësisht se me atë mik kishin qenë hasëm; burra që e dinin se emëri i tyre nuk duhej të shuhej; pinjollë të shtëpive të mëdha që i dinin themelet e tyre, toskë që kishin vendin e duhur të nderit; më pas mbretër dhe kancelarë, sulltanë e pashallarë e mbi të gjitha gjithëfarë knjazësh , qofshin në një cep të humbur që quhej Cetinë a në një qytet të njohur që quhej Beograd.

Ai priste i qetë të kthehej një ditë, ai nuk ishte shtergu që largohej nga vendlindja dhe që e përjetonte ringjalljen jo si një martir, por si një i legjendshëm, duke e ditur se , mes të tjerave, ai kishte vendin e tij edhe në cepin tjetër të atdheut, aty ku fillonin ujrat e Drinit, buzë një liqeni dhe që përfundonin në qytetin e tij, po ashtu në një liqen. Lazgush Poradeci do të jetë sozia e tij, por në një trajtë tjetër.

Në orët e gjata të leximit, kur axha i nënës sime, Mësuesi i Popullit, Rakip Gjylbegaj, më lejonte të ngjitesha në bibliotekën e stërmadhe të tij, ku ishin të gjitha botimet e viteve, të lidhura mrekullisht, revista dhe gazeta, libra, shumë prej tyre të ndaluara dhe epistolari i familjes zëmadhe, vëreja se nuk isha i vetmi që tërhiqesa prej tyre dhe se shpesh herë, në raftet e mëdha krijoheshin zbratësi të ndjeshme. Në bibliotekë nuk mund të ngjitej kushdo. Rakip begu më thonte se një pasdite ishte ngjitur edhe babai im dhe , pasi kishte qëndruar gjithë natën, e kishte qenë një natë me shira të gjatë dhe rrëmujën e vetëtimave, në mëngjes ishte ulur i tronditur dhe nuk e kishin ditur se si kishte dodhur: nga lodhja apo nga tronditja e atyre që kishte lexuar.

Një natë, kur po rrija në çardakun e madh, në oborrin e trëndafiltë ,ku ishin edhe dy blire të mëdhenj, po rrinte njëri nga djemtë e Hamdi Bushatit, profesorit të nderuar, autorit të Veprës Monumentale, “Shkodra dhe Motet”. Një çarçaf i bardhë, i madh, kishte mbuluar diçka të rëndë, që ai mezi e mbante në duar. Hamdi Bushati ishte nip i familjes Gjylbegaj, nëna e tij kishte qenë motra e Muharrem beg Gjylbegut, kryetarit të parë të Bashkisë së Shkodrës, që edhe e kishte ndërtuar atë shtëpi.

Të nesërmen, kur u ngjita në bibliotekë revistat dhe librat e Fishtës, të mungonin një natë më parë, kishin ardhur në vendet e tyre.

Fishta ishte në orët e qarkullimit të tij.

Në moshën time më shumë më tërhiqte “Mrrizi i Zanave” , se sa “Lahuta e Malcis”. Nuk e di pse, megjithëse të parën e dija në shumë pjesë përmendësh. Si duket, gjithçka ka kohën e saj, edhe “Lahuta” kërkonte një kohë tjetër dhe jo kohën e rinisë së parë, kur të duket se hëna krahëthyer fshihet në çerdhen e ujrave dhe përditë nxiton drejt diçkaje që mbush një jetë.

“Gomari i Babatasit”, një mrekulli satirike dhe e zhdërvjelltë më ishte më e këndshme, së bashku me “Anzat e Parnasit”.
Duhet një kohë e caktuar për të ndjerë në vete eposin e Fishtës në 15 mijë e 613 vargjet e saj , të ndarë në 30 këngë. “Lahuta” kishte qenë vepra e fundit e Fishtës, botuar për herë të parë e plotë në vitin 1937, por që kishte zanafillën më të herëshme.

Është ndoshta poema epike e parë në botë, pas atyre të bardëve të lashtë, që më parë këndohej, deklamohej, bëhej e njohur, ishte pjesë e ndërgjegjes së kombit e më pas botohet.
Pas saj nuk besoj se do të ketë më një rast të dytë.
Eposi i Herojve të Fishtës është vepra e tij monumentale dhe më rrënqethëse. Është e pazakonshmja e popullit e sjellë përmes një njeriu.

E kam shijuar mrekullisht në kohën e luftës së Kosovës. E mbaja me vete, sëbashku me tragjeditë e Shekspirit. Kshte shumë gjëra shekspiriane në atë epos, megjithëse mrekullia e artit e anglezit mistik nuk ishte aty.

Në Zvicër, kur shkoja tek miku im Mehmet Bislimi, poet, publicist e prozator i shkëlqyer, në dhomën e vogël ku flija, përmbi shtratin e zakonshëm, gjeja gjithmonë “Lahutën e Malcis”. Atëherë e ndjenim më fort.

Riardhja e Fishtës ishte e natyrshme, e domosdoshme dhe e pritur. Thuaj pesë dekada, jo rastësisht, nuk ia zbehën lavdinë. Ai ishte i panjohuri i njohur. Më shumë, mijra herë më shumë i njohur, se sa i panjohur.

Dhe si me të drejtë thotë Vatican News: “Për Fishtën nuk duhet shkruar. At Gjergj Fishta duhet lexuar! Sepse vetëm duke e lexuar, mund ta njohësh Fratin e veshur me zhgun, të ngjeshur me konop nëpërmjet e me këmbë të zbathura verë e dimër… Mund të njohësh humanistin, atdhetarin, burrin e madh, pa varr, por jo pa lavdi. Poetin, veprat e të cilit u flakën njëmijë herë në baltë nga kundërshtarët, e u ngritën njëmijë herë në qiell nga dashamirët. E sidomos, Lahutën! E ndaluar, e pështyrë, e djegur, e fshehur në skutat më të errëta të shtëpive të moçme e në kujtesat e njerëzve, ajo doli e del përsëri në dritë, për t’i folur Shqipërisë e edhe botës…”

Ndryshe nga shkencat e ekzakte, arti nuk  i nënshtrohet vlerësimeve të padiskutueshme. Për gjithësecilin njeriu mund të ketë mendimin e tij. Kjo nuk ulë vlerën e tyre të përgjithshme dhe as i zbeh ato. Përkundrazi i nxjerr n shumë dritëzime dhe më njerëzorë.Fishta nuk ka bërë përjashtim. Për të është shkruar shumë e do të vazhdojë të shkruhet, ka pasur të kundërta dhe kundërshti, arti i Fishtës ka qenë ndjellës, por, në të njëjtën kohë, edhe përcëllues. Koha ka bërë rrjedhën e saj në përcaktimin e poetit . Në etapa të ndryshme edhe mendimi i secilit, si qasje vetjake, ka qenë i ndryshëm. Poezi të Fishtës, të cilat dikur na linin pa gjumë, sot i kalojmë pa i vënë re; ndërsa publicistika e tij, që dikur na dukej e largët, sot hapet në një dritë të re. Dikur isha i marrosur pas hymneve të tij poetikë, ndjenjës së shquar kumbuese atdhetare, edhe tani i ndjej ato; kjo është e natyrshme për çdo moshë, por tani, tërheqja është më e fuqishme drejt satirave të tij apo tragjedisë „Juda Makabe“. „Është shumë e vështirë, në mos e pamundur që, në fillimin e mbrëmjes së jetës të kujtosh dhe të kuptosh mëngjesin e saj“ – shkruan Erenburg;përceptimi është ndryshe, bëhet më i vështirë rendja pas disa gjërave dhe qëndron më shumë ngulmimi në të tërën,  ndryshon ndriçimi, pasqyrimi i asaj që sheh, loja e dritë-hijeve; ata që na kanë pëlqyer dikur na lënë tani indiferentë. Leon Tolstoi, për shembull, nuk e duronte dot Shekspirin. Stendali thonte shumë vite më parë se ” Meriton të hidhet në letër vetëm ajo që mbetet interesante dhe pasi historia e ka thënë fjalën e saj”. Mjeshtrat e vërtetë nuk kanë nevojë për mëshirë dhe gjithëherë gabohen kur nguten të çkurorëzohen idhujt e djeshëm. Nga ana tjetër, idhujt që synohen të shemben, bëhen përsëri perëndi..çka ndodhi edhe me Fishtën. Në botën e artit ka pasur gjithnjë raste të tilla, por mjeshtrat e vërtetë e gjejnë gjithnjë kohën e tyre, pengesat i rritin, sepse përballimi i të papërballueshmes i rrit ato. Bota e artit është e ylbertë dhe ka vend për të gjithë, për mendimet, keqkuptimet, mëritë,grindjet, ndasitë, kohrat..

Fishta, ndoshta më shumë se të tjerët, kishte lindur për të qenë shqiptar.

Të jem i sinqertë, megjithë hyjnizimin e Eposit të Fishtës, lirikat e tij më kanë tërhequr më fort, i kam më për zemër dhe i ndjej si një kujtesë të vazhdueshme dhe të domosdoshme.

Nuk mund të thuhet më bukur se kjo që po sjell në mbylljen e kësaj ese-je të shkurtër për njeriun që vuri dorë mbi kohrat dhe i bëri të kenë edhe emërin e tij.

“Pra, mallkue njai bir Shqyptari/ qi këtë gjuhë të Perëndis’/ trashigim, që na la i pari/ trashigim s’ia len ai fmis/ edhe atij iu thaftë, po, goja/ që përbuzë këtë gjuhë hyjnore/ qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja/ flet e t’veten e lén mbas dore.

Për Ndre Mjedën

Për të gjithë ata që janë përpjekur të bëhen pjesë e botës së artit, qoftë edhe pjesë e përkohëshme, Ndre Mjeda, poeti i shquar, ka qenë edhe parajsë , edhe shkollë.

Ditët kur lexoja në dhomën time deri pas mesnate Mjedën ishin ndër më të lumturit e jetës sime. Nga ajo botë që më shpalosej para meje, tingëlluese si një gjë magjike, bindesha se arti nuk bëhet me të tekur, nuk është një çast e as nuk është zbukurim, ai është i pamtshëm nga ditët e kalenderuara; përpiqesha të kuptoj pse kur lexoja vargjet e Mjedës më lindte dëshira të këndoj, pse me të mund të bashkëjetoja si një gjë krejt e natyrshme.

Më ndodhte si me dashurinë, me çastin kur pandeh se ke zbuluar një botë të panjohur deri asaj dite, por përdëllitëse, lumturuese, e pashmangshme në përtëritjen e parreshtur dhe ngazëlluese.

Mjeda të bën të ndjehesh poet edhe nëse nuk ke shkruar asnjë varg; të bën të këndosh me vete si në një çast të lumtur, adhurimi për të nuk është si për një të huaj, por të pranishëm, të qenësishëm; para poezisë së tij mund të falesh, mund ta ndjesh, ato janë si një breg i palëvizshëm; ai të sjell në mendje tabllot e Botiçelit, në harmoninë e tyre të përkryer, por edhe përshfaqja demoniake e Mikelanxhelos; e gjithë vepra e tij letrare është pasqyrimi i jetës së tij martire, bashkërendim i ngazëllimit jetësor me pikëllimin,” Vaji i bylbylit”, lirizmi i një jete pranë njerëzve dhe besimi se Liria është më së pari ndër zemrat….

Mjeda, i cili botën e ka parë në dy pamjet e saj, përmes syrit të poetit lirik, dhe, më pas, përmes konceptit tragjik, ka arritur të shprehë atë si një përmasë të re, të panjohur më parë dhe askush nuk mund të zhbëjë rikrijimin besnik të jetës, të idesë, të mendimit, të vuajtjes, të shpresës, të dëshirës, të ekzistencës, të pritshmërisë, të realizmit. Në veprën e tij është ajo që quhet dukuria e jetës, harmonia e kohës, në çdo drejtim e qartë dhe e dashur, dhe, në kalimin e viteve, e kupton se është mahnitëse.

E pyes shpesh herë veten pse Mjeda na bën kaq shumë përshytpje, përse e kemi të pamundur të harrojmë vargjet e tij, përse ai është më i thjeshtë, më i drejtpërdrejtë dhe më harmonik se bashkëkohasit e tij; si është e mundur që kjo ndjenjë e përkryer në një harmoni aspak të ndërlikuar mund të kapet vetëm nga një artist i madh, i cili, në të njëjtën kohë , ka meshuar, ka rendur pas plugut, ka mbledhur dije të shumta, është përplasur në parlamentin e kohës si deputet, është ngritur në majën e mendimit të kohës dhe nuk ka rënë kurrë nga andej, pavarësisht kohrave që kanë ardhur?

Mjeda është poet i papërsëritshëm nga askush tjetër. Nuk është më i madhi poet i letrave shqipe, por më i papërsëritshmi, më harmoniozi, dhe, gjithçka që më ka mahnitur e më mahnit në poezinë e tij është afërsia e tij me njerëzit, mundësia ekzistenciale për të kapur shekujt.

Ai është realist i ashpër – jo denoncues si Migjeni; ai ka njëkohësisht zotësinë e paepur të shprehë zemërimin e papërmbajtur dhe shprehjen mahnitëse të vuajtjes njerëzore, është realist, por i përkorë; poeti është futur nën petkun e prelatit, dhe ishte nga një familje e prelatëve të lartë katolikë, që bartën , sëbashku me rrason edhe kujtesën kombëtare, ndaj rrjedh ndjenja e së mirës, e në të njëjtën kohë, në shpirtin e poetit është i pranishëm, ndonëse jo i dukshëm, njeriu që jetën ia përkushtuar Zotit, por duke kaluar përmes përdëllimit njerëzor.

Thashë se poezitë e tij ke dëshirë t’i këndosh. Por kjo ndodh edhe me përkthimet e pakta të tij. Nganjëherë ai i ngjet një titani tjetër të letrave shqipe, Nolit, që përkthimet e tij janë aq të fuqishme, në mos më të fuqishme, në tingëllimin e tyre shqip, se sa në origjinalin e vjetër.

Mjeda ka një përkthim të poezisë së poetit më të shquar gjerman, Gëte. Nuk është përkthyesi i vetëm i kësaj poezie të njohur, “Mbreti i Tulës”; ajo ka joshur poetë dhe përkthyes të njohur, të cilët e kanë sjellë në variante të ndryshme. Mes tyre , më të arriturat janë të Mjedës dhe të Jorgo Bllacit.

Nuk di t’i ndaj nga njëra tjetra, si duket shpirti poetik i Mjedës dhe i Jorgos, si askund më parë, janë shkrirë tek njëri tjetri.

E kam lexuar disa herë këtë poezi në origjinalin e saj dhe është e përkryer, por dëshirën për ta kënduar atë, harmoninë e pashoqe, muzikalitetin mrekullibërës, asgjë nuk ta jep si këto vargje :

MBRETI I TULËS

Deri n’dekë besnik ke s’thohet
Ishte n’Tule ‘j padisha,
Diq e dashtuna mbas do kohet
E ‘j got’ arit shej i la.

Mund të provosh të mos e këndosh, por e ke të pamundur…

Ose në krijimin famoz „ Gjuha shqype“, njëra nga perlat e mëdha të poezisë shqipe, gjithçka është e madhërishme, përjetësuese, e dhimbshme, imazhet e shfaqura në vargje janë të shenjta, kujtesa universale ka zbritur përmes fjalëve dhe është, po ashtu e pamundur, që, krahas zemrës poetike të mos ndjesh ritmin frymëzues, njëjtë si ndodh tek „ Kori i të Burgosurve „ të Nabukos të Verdit…është i njëjti frymëzim, e njëjta ndjenjë marramendëse që e sjell një poet i madh, njeri i të gjithë shekujve, i përkushtuar i pashoq dhe atdhedashës sublim:

Po sjell vetëm disa strofa:

Gjuha Shqype

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
…………………………..
Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Të pamata janë fushat ku ishte vemendja e Ndre Mjedës. Më mirë nga të gjithë ato i ka studjuar Mentor Quku, dishepulli i madh i Mjedës.

Poezia e Mjedës është në ato rastet madhore që thyen muzgun e kohës dhe bëhet dritë. /KultPlus.com

Interesim i jashtëzakonshëm për pjesëmarrje në konferencën online “Bankat në kohën e pandemisë”


Në këto ditë izolimi ku të gjithë po qëndrojmë në shtëpi dhe po kujdesemi për shëndetin, Kolegji Universum po organizon konferencë të hapur online me Z. Robert Wright, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank me temen “BANKAT NË KOHËN E PANDEMISË”. Deri tani mbi 2400 të interesuar të jenë pjesë e kësaj konference.

Konferenca do të mbahet të mërkuren me 1 Prill nga ora 14:00 online, regjistrimi bëhet përmes këtij linku http://tiny.cc/5l1xlz dhe mbetet i hapur deri neser.
Eventi i konferencës në facebook https://www.facebook.com/events/2714384418789806/
Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian.   
Për më shumë informata rreth pjesëmarrjes dhe detajeve për konferencën kontakto [email protected] apo +383 44 144 062;  

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

Për shkak të virusit korona, “The World Scholar’s Cup – WSC” është shtyrë për në qershor

Këtë vit konkursi do të zhvillohet nga 4 deri më 6 Qershor. Dy ditët e para gara do të mbahet në SHMP “Jahja Kemal” kurse dita e fundit do të mbahet në sallën gjigande të filharmonisë. 

Kupa Botërore e Dijes (The World Scholar’s Cup – WSC) është një program akademik ndërkombëtar për nxënësit nga mbi 65 shtete. Qëllimi i këtij konkursi është t’i tërheqë nxënësit që janë të interesuar për të mësuar jashtë kurrikulës tipik edhe t’u mundësojnë studentëve nga kultura të ndryshme të diskutojnë çështje dhe ide që lidhen me ditët e sodit.

(The World Scholar’s Cup – WSC) është një atmosferë argëtuese, frymëzuese dhe një mundësi e shkëlqyeshme për nxënësit që të zhvillojnë aftësitë e tyre të të menduarit kritik në temën e këtij viti – Një Botë e Rinovuar (A world Renewed).

Në këtë garë të dijes që do të zhvillohet në gjuhën angleze do të mund të aplikojnë ekipe të përbëra nga tre nxënës nga e njëjta shkollë ose shkolla të ndryshme. Ekipet do të garojnë në katër degë kryesore: sfidë studentore, shkrim në ekip, debat në ekip dhe kuiz. Përveç katër degëve kryesore, aktivitete shoqërore dhe akademike të njënatyre jo konkurruese janë mbajtur gjithashtu për të arritur një atmosphere miqësore midis pjesëmarrësve

Ekipet do të garojnë në dy kategori: të rinj (junior) dhe të moshuar (senior), në varësi të moshës së nxënësve. Pjesëmarrësit që janë 14 vjeç ose më të vjetër konsiderohen të moshuar. Në raundin rajonal në Shkup, juniors do të garojnë më 4 Qershor, kurse seniors më 5 Qershor. Finalja e Madhe për të dy kategorive do të zhvillohet më 6 Qershor në sallën gjigande të filharmonisë.

Nxënësit do të kenë mundësinë të kualifikohen për një raund global në Pragë, dhe në fund do të kenë mundësinë të kualifikohen në turneun e kampionatit që mbahet në Universitetin Yale në SHBA.

Vitin e kaluar në këto gara morrën pjesë mbi 450 nxënës nga e gjithë rajoni i Maqedonisë. Ekipet që kaluan pragun e pikave rajonale shkuan në raundin global. Në raundin global që u zhvillua në Pragë, ShF “Pestaloci” fitoi tre medale të arit, edhe nxënësit e ShMP “Jahja Kemal” gjithashtu 3 medale të arit dhe 3 argjend.

Për më shumë klikoni në faqen e internetit: https://www.scholarscup.org/

‘Muret e spitaleve kanë dëgjuar më shumë lutje sesa muret e çdo kishe apo xhamie’

Bota po kalon në një periudhë mjaft të vështirë, me një pandemi fundi i së cilët nuk dihet akoma, me njerëz që infektohen vazhdimisht dhe me një izolim total, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, sonte KultPlus ju sjell një thënie shumë të njohur, autori i së cilës nuk dihet saktësisht. Një thënie që sqaron më mirë se çdo gjë tjetër atë që me të vërtetë po ndodhë kudo në botë.

‘Muret e spitaleve kanë dëgjuar më shumë lutje sesa muret e çdo kishe apo xhamie’/ KultPlus.com

UEFA po shqyrton mundësinë e anulimit të Champions League dhe Europa League

Anulimi i Champions League është opsion shumë real.

UEFA të mërkurën do të mbajë një videokonferencë me sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave nacionale, anëtare të saj.

Në konferencë do të shkëmbehen informata për përparimin e bërë nga dy grupet punuese që janë formuar dy javë më parë.

Aty do të diskutohet për datat e mundshme të rinisjes së ligave, afatin kalimtar dhe kontratat e futbollistëve, njofton Goal përcjell Klan Kosova.

Ka mundësi që të diskutohet për anulimin krejtësisht të UEFA Champions League, e ndoshta edhe Europa League, pas krizës që ka kapluar botën për shkak të COVID-19.

“Prindërve nuk u tregova dot…”, flet një nga 30 mjekët që shkuan në Itali: Kjo është jeta ime…

Ermal Pashaj është një nga 30 mjekët që morën vendimin për të shkuar në Itali për të ndihmuar atje në luftën kundër CoVid-19.

Ermali ka thënë se nuk u ka treguar prindërve për vendimin e tij pasi nuk mund të përballej me reagimin e tyre. Më tej ai ka shtuar se jeta e mjekëve kjo është dhe vendimin e ka marrë menjëherë.

“Vij nga Tirana, Jetoj në Tiranë. Origjinën e kam nga jugu. Jam i diplomuar me një universitet që ka lidhje me Italinë. Kam bërë dy universitete. Kam pasur një lidhje të veçantë me popullin italian. Por edhe nëpërmjet punës. Na japin edhe fuqi këto falenderimet na bëjnë edhe pak të hutuar  se nuk jemi mësuar me këtë vëmendje. Në realitet na vë pak…”

Si e merr vendimin për të shkuar në spitali ku rrezikohet jeta?

“Unë prindërve të mijë nuk u thash se po vij në Itali. e mendova të pamundur përballjen me ta. Është viti i 17 në këtë degë. Dhe kjo është jeta ime dhe vendimi që kam marrë. Ka një mision që nëse nuk e jep diçka të mbetet bosh. Për ta është më e vështirë se sa për ne.” tha Ermali.

“Unë punoj pranë një strukture private spitalore. Aty jam rritur dhe kam marrë eksperiencat. Por edhe ne Romë që kamë gjetur mbështetje. Më vinte mall të mos i përgjigjesha.”

“Një pjesë e jona ka studiuar në fakultete italiane dhe janë të aftë të licensuar për të punuar në Itali.  Është bërë një punë në përkthimin e CV dhe gjithë natën jemi marrë me këto. Edhe për kapacitetin për të dhënë ndihmë. Ne nuk do të bëjmë mrekullinë se ka mjekë dhe mendje. Por duhen në linjën e parë.” tha Ermali.

Top Channel

Karantina mbyll restorantet, çifti bëhet kreativ (FOTO)

Një çift gjeti një mënyrë kreative për të ngrënë jashtë, duke respektuar në të njëjtën kohë edhe rregullat e distancimit social.

Pandemia e koronavirusit ka mbyllur të gjitha kafenetë dhe restorantet që në 23 mars në Brisbane, Australi.

Por kjo nuk e ka ndaluar çiftin australian që të kalonte kohë së bashku, duke ngrënë në ajër të pastër

Ata e arritën këtë duke lidhur një tavolinë dhe dy karrige mbi makinën e tyre, duke krijuar kështu restorantin e tyre personal. / KultPlus.com

Unë, biri yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimaj

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.

/KultPlus.com

Nga rënia e krimit tek solidariteti, efektet pozitive që nxisin katastrofat tek njerëzimi

Nga Rob Henderson

Në përgjithësi, ekziston një besim i shumëpërhapur, se recesionet ekonomike dhe katastrofat prodhojnë krim dhe kaos. Por të dhënat konkrete, nuk e mbështesin këtë ide. Pavarësisht se pandemia e Covid-19, ka futur në karantinë miliarda njerëz, ka sëmurur qindra mijëra, dhe i ka marrë jetën deri tani dhjetëra mijëra njerëzve, kjo emergjencë e rëndë shëndetësore, ka sjellë edhe efekte pozitive. Ja cilat janë ato:

Kriminaliteti po bie

Ndërsa koronavirusit po përhapet me shpejtësi në mbarë botën, dhe është i pritshëm një recesion i madh ekonomik global me pasoja negative të paparashikueshme, shkalla e kriminalitetit po bie. Gazeta amerikane “The Washington Post” shkroi një ditë më parë:”Javët e para të pandemisë në qytetin më të madh të SHBA-së, nxitën një rënie 2-shifrore të krimit, pasi njerëzit e këqij duket se janë po aq të frikësuar nga koronavirusi i ri, sa të gjithë të tjerët…

Javën e kaluar, Nju Jorku regjistroi vetëm 1 vrasje, krahasuar me 8 javën e kaluar.

Kanosjet dhe sulmet e dhunshme, kanë rënë me rreth 18 përqind, krahasuar me javën e kaluar”. Ndërkohë kriminaliteti po bie edhe në Britaninë e Madhe, por edhe në shumë vende të tjera nën karantinë. ”The Guardian” raporton:”Kriza e koronavirusit, ka çuar në një rënie të krimit, deri në 20 për qind në disa zona”.

Shkalla e kriminalitetit, ra edhe gjatë recesionit të madh të 2008-ës

“The Wall Street Journal”, raportoi se edhe pas recesionit të madh në vitit 2008, niveli i krimit në SHBA pësoi një rënie të ndjeshme. Në vitin 2009, FBI-ja raportoi një rënie prej 8 për qind të shkallës së grabitjeve në të gjithë vendin, dhe një rënie me 17 për qind të nivelit të vjedhjeve të makinave nga 1 vit më parë. Për më tepër, midis viteve 2008-2010, Nju Jorku raportoi një rënie prej 4 për qind të grabitjeve, dhe një rënie prej 10 për qind të vjedhjeve. Edhe Bostoni, Çikago dhe Los Angeles, raportuan rënie të ngjashme.

Shkalla e kriminalitetit, ra edhe gjatë Depresionit të Madh

Kur mendojmë për fillimin e viteve 1930, shumë prej nesh imagjinojnë një dyshe si ajo e Bonit dhe Kjadit. Por gjatë Depresionit të Madh, fakt është se niveli i krimit ra. National Public Radio shkruan:“Vitet e Depresionit, kishin shumë pak krime. Me problemet aktuale ekonomike, shumë njerëz supozojnë se do të nisë një valë e re krimesh. Por kriminologët thonë se ky është vetëm një mit amerikan”.

Dhe në fakt një studim i Universitetit të Kalifornisë:”Por krimi në përgjithësi gjatë Depresionit ra. Vasjet ranë ndjeshëm, pavarësisht nga Prohibicioni dhe roli që pati krimi i organizuar në kontrabandën e alkoolit. Pra, periudha më e keqe ekonomike e Amerikës, nuk prodhoi shtim të krimeve”.

Solidariteti social, rritet gjatë kohërave të vështira

Komunitetet që pësojnë katastrofa, zhytën rrallë në kaos. Në fakt, shumë shpesh ndodh që solidariteti shoqëror rritet. Në një studim të reagimeve sociale ndaj katastrofave natyrore në SHBA, sociologu Çarls Fric nuk gjeti asnjë shembull të një paniku të qëndrueshëm pas një katastrofe të madhe.

Sipas tij, fatkeqësitë krijojnë një “komunitet vuajtësish”. Përpjekja për të kapërcyer rreziqet

e një fatkeqësie, dhe për të ri-stabilizuar jetën sociale, na ofron një strukturë dhe një synim për veprimtarinë njerëzore, që na mungon në jetën e përditshme. Në këto kushte, njerëzit e përdorin tragjedinë si një kornizë të zakonshme reference. Dallimet bëhen më pak të rëndësishme.

Njerëzit evoluan për t’i kapërcyer vështirësitë

Lidhja midis kërcënimit dhe solidaritetit të shfaqur, nuk është e rastësishme. Bashkëpunimi për të kapërcyer kërcënimet, është një tipar përcaktues i Homo sapiens. Juval Harari, autor i ”Sapiens”, vëren se tek për tek, një shimpanze do ta mposhte një njeri.

Por 1.000 njerëz, do t’i mposhtnin 1000 shimpanze. Kjo për shkak se aftësitë bashkëpunuese të njerëzve, i tejkalojnë ato të shimpanzeve. Majkëll Tomazelo, ekspert mbi aftësitë njohëse të shimpanzeve thotë:Është e pakonceptueshme, që të shihni ndonjëherë dy shimpanze të bashkëpunojnë mes tyre për diçka”.

Ndërkohë, njerëzit dëshirojnë kapërcimin e pengesave. Politikologu i njohur amerikan, Frensis Fukujama shkroi dikur:”Nëse burrat nuk mund të luftojnë dot për një kauzë të drejtë, atëherë ata do të luftojnë kundër një kauze të drejtë. Ata do të luftojnë për hir të luftës.

Pra ata do të luftojnë për shkak të një lloj mërzie:sepse ata s’mund të imagjinojnë dot të jetojnë në një botë pa luftë”. Kjo gjë sugjeron që kur të mbarojë lufta aktuale, ne do t’i rikthehemi fabrikimit të krizave të reja, që duhet t’i kapërcejmë. Por tani për tani, kemi përballë një krizë të vërtetë. / bota.al/ KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: “Unë jam e kuqja”

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Këtë mbrëmje, KultPlus u rekomandon librin e autorit turk, Orhan Pamuk, “Unë jam e kuqja”.

Romani “Unë jam e kuqja” është shkruar më 1998, vepër kjo e cila do t’i jepte autorin çmimin Nobel në letërsi në vitin 2006.

Një grup i zgjedhur miniaturistësh të oborrit të Sulltan Muratit III, janë ngarkuar të përgatisin librin që i plotpushtetshmi i Lindjes do t’ia bëjë dhuratë një të plotpushtetshmi në Perëndim. Libri duhet të shprehë fuqinë e perandorisë dhe forcën e miniaturës orientale për ta dhënë atë. Gjithçka është diskrete, por në punën e drejtuar nga Enishte Efendi ka diçka ndryshe nga e zakonshmja e miniaturës së asaj kohe, ajo po kërkon të ndryshojë, të marrë detaje të reja të panjohura dhe t’u përqaset elementeve perëndimorë të pikturimit, veçanërisht të Rilindjes italiane.

Të dyja format e artit janë të arrira, të dyja kahet janë perfekte. Gjë që i vendos palët në mëdyshje. Presioni ndaj tyre është i madh. Fillon karavani i kundërshtisë së heshtur, miniaturistët vriten njëri pas tjetrin dhe të tjerët pas tyre janë të kërcënuar duke bërë kështu, që të ngrihet gjithçka në pikëpyetje. Simbolet e përdorura mjeshtërisht nga Pamuk e mbajnë dramën gjer në fund, bashkë me një linjë dashurie të Zezit dhe Shekures, personazhit më fin të romanit, që mban peshën e saj në bartjen e këtyre simbloleve. Unë jam e kuqja është një mister vrasjeje, por edhe një meditim për dashurinë dhe dovotshmërinë artistike.

Orhan Pamuk nuk mban anë kur shkruan nën presionin e të dyja anëve, por mban qëndrim. Përplasja e kulturave në Turqi është çështje kryesore. Ai nuk zgjedh njërën apo tjetrën palë të favorizojë por përplasjen e tyre.

Vepra është e ndarë në 59 kapituj dhe ngjarjet janë të vendosura në qytetin e Stambollit në fund të shekullit të 16 (viti 1591) në perandorinë e Sulltan Murati 3 gjatë dimrit.

Tregimi nis me të vrarin i cili rrëfen nga kënveshtrimi i tij ngjarjen sesi u vra dhe përfundoi në fund të një pusi nga vrasësi i tij, veprim i kryer për të humbur gjurmët. Eleganti nuk na tregon se cili është ky vrasës, por ai e lë në dorë të lexuesit për ta zbuluar në vijim.

Bukowski: Pa letërsi, jeta është një ferr

Charles Bukowski është një nga emrat më të njohur të letërsisë botërore, autor i dhjetra librave shumë të lexuar, shkruan KultPlus.com

Ndër vite nga librat e tij më të njohur janë shkëputur disa thënie të cilat KultPlus i ka përzgjedhur për ju:

• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?

• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.

• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.

• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.

• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.

• Pa letërsi, jeta është një ferr

• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.

• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë

• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.

• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë.

• Të pirit është një gjë emocionale. Të nxjerr nga rutina e jetës së përditshme, nga të qenit çdo ditë njësoj. Të vendos me shpatulla pas murit. Kam ndjesinë se të pirit është një formë vetëvrasjeje ku të lejohet të kthehesh në jetë dhe ta fillosh jetën nga fillimi. Është si të vrasësh veten e më pas të ringjallesh. Besoj se deri tani kam jetuar 10-15mijë jetë

• Mbahu për birra. Birra është një gjak i përhershëm; një dashnore e përjetshme…

• Mendoj që kemi nevojë për një pije. Pothuajse të gjithë kanë nevojë, thjesht nuk e dinë.

• Më pëlqen t’i ndryshoj shpesh dyqanet e pijeve sepse nëpunësit fillojnë t’i dinë zakonet e tua nëse ke shkuar çdo natë dhe ke blerë sasi të mëdha alkooli. E ndjej tek mendojnë se si ka mundësi që nuk kam vdekur akoma dhe kjo më bën të mos ndjehem rehat. Mbase ata nuk e mendojnë diçka të tillë, por kjo më është kthyer në paranojë

• Të deheshe ishte diçka e mirë. Vendosa se gjithnjë do më pëlqente të bëhesha tapë.

• Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë… por, tek të gjithat shkruhej: pas buke!

• Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.

• Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.

• Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.

• Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.

• Jam i sigurt që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.

• Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.

• Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.

• Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!

• Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.

• Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.

• Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.

• Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng. / KultPlus.com

‘A e man n’men a e manë? O sen s’kem pasë, po jena dashtë’

Troja, është pothuajse grupi i vetëm në vend, këngët e të cilin shfaqin haptazi revoltën kundër sistemit, shkruan KultPlus

Sonte KultPlus ju sjell këngë ‘A e man men’ nga grupi Troja.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

A e man n’men a e manë?
Udhën deri ktu qysh kemi ardhë!

A e man n’men a e manë?
A e man n’men kush jemi kanë?
A e man n’men a e manë, a e manë ti, venin tone?
A e man n’men a e manë, a e man n’men ç’farë jete kemi ba?
A e man n’men a e manë?
O send s’kem pasë
Po jena dashtë

A e man n’men a e manë?
Vajin e fmijëve, n’men a e man?
A e man n’men, kur kemi thanë:
A ka nje Zot, Zot që na del krahë?
A e man n’men a e manë?
A e man n;men ate kohë venin tanë?
A e man n;men a e manë?
Kur u hap qielli engjujt me i pa

E Kush kish thanë, kush kish thanë?
E Kush kish thanë, Kush kish thanë…
që n’kët dite kemi me ardhë!! / KultPlus.com

Nga sot ka filluar mësimi online edhe në gjuhët e pakicave etnike në Kosovë

Në kuadër të procesit të zbatimit të mësimit në distancë për nxënësit kosovarë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se nga e sot ka filluar transmetimi i përmbajtjes mësimore edhe për nxënësit me arsimim në gjuhën turke dhe boshnjake.

“Prej orës 12:30 në RTK 2 do të ketë video-ligjërata për lëndët Gjuhë Turke dhe Matematikë për klasat 1 – 5.  Ndërsa prej orës 15:30 në RTK 2 do të ketë video-ligjërata për lëndët Gjuhë Boshnjake dhe Matematikë për klasat 1 – 5”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.

“Këto materiale mësimore do të transmetohen  edhe përmes ueb faqes zyrtare  https://emesimi.rks-gov.net, përmes së cilës shkohet në kanalin e MAShTI-t në Youtube edhe ne gjuhet turke dhe boshnjake”.

MAShTI iu uron të gjithë nxënësve mësim të këndshëm dhe shumë shëndet, dhe kërkon nga prindërit dhe mësuesit bashkëpunim në realizimin me sukses të mësimit nga distanca! / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Projektet të trajtohen me prioritet

Minitrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, së bashku me zëvendësministrin Yll Rugova, kanë zhvilluar sot një takim pune me drejtorët e Departamenteve të MKRS-së, shkruan KultPlus.com

Ministrja Dumoshi, ka kërkuar që të vazhdohet me kryerjen e detyrave në fushën e kulturës.

Këtu keni njoftimin e plotë të MKRS-së:

“Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendësministrin Yll Rugova, kanë mbajtur takim pune me drejtorët e Departamenteve të MKRS-së, me të cilët ka diskutuar për planet dhe punët që priten të realizohen këtë vit si dhe për propozimin që është dhënë nga Qeveria e Kosovës për një fond shtesë për MKRS-në, gjithnjë duke konsideruar rrethanat aktuale respektivisht gjendjen emergjente. Ne këtë kuadër, u diskutua për funksionimin me staf te reduktuar ne ministri dhe institucione.

Ministrja Dumoshi ka kërkuar që te vazhdohet me përmbushjen e obligimeve, duke realizuar kështu obligimet buxhetore të vitit 2019 si dhe angazhim maksimal për projektet kapitale në fushën e kulturës, rinise, sportit dhe trashëgimisë kulturore, që ato të trajtohen sipas prioriteteve dhe të njëjtat të finalizohen dhe procedohen pa vonesa.

Ministrja Dumoshi theksoi se secili projekt që kërkon mbështetje nga MKRS duhet të analizohet me kujdes pasi që kemi një numër të madh të organizatave dhe individëve të cilët implementojnë projekte të cilat i përfitojnë përmes thirrjeve publike të ministrisë, derisa ne fushën e sportit, sipas legjislacionit, do të nënshkruhen memorandumet me federatat sportive.

“Do të kujdesemi dhe angazhohemi që organizatat kulturore e sportive të kenë mbështetje edhe në këtë vit të vështirë që do ta kemi përpara”, u shpreh mes tjerash ministrja. Ajo theksoj se pas marrjes së vendimit për ndarjen e fondit emergjent për MKRS-në, do të themelohet grupi punues, ne përbërje të të cilit do të ketë edhe njohës të fushave përkatëse. Grupi do të përcaktojë kriteret për mënyrën e mbështetjes që mund t’i ofrohen organizatave dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë kulturore”.