Bardha Islami, studentja kosovare tregon përvojën e saj gjatë mësimit online

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës në lidhje me pezullimin e mësimit në të gjitha nivelet arsimore në Kosovë me qëllim të parandalimit të Corona Virus (COVID-19), Kolegji Universum ka vazhduar me ligjërata online.

Sot është dita e katërt që profesorët dhe studentët tanë po ndjekin mësimin online përmes video konferencave interaktive, detyrave individuale dhe grupore. E sipas studentës Bardha Islami ato janë po aq atraktive sa ishin në kampus.

Tutje Bardha thotë “Mendoj që ajo që po bën Kolegji Universum gjatë kësaj periudhe për vazhdimin e studimeve online është e mahnitshme. Tek ligjëratat në të vërtetë nuk po shihet ndonjë ndryshim po vazhdojmë me mësime, video konferenca interaktive. Pra po vazhdojnë të jenë mjaftë atraktive sa ishin kur merrnim pjesë fizikisht në kolegj, vetem se tani po i ndjekim online”. 

Për më shumë informata rreth platformave online që përdor Kolegji Universum dhe aktiviteteve në vijim ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.  

(Shkrim i sponsorisuar nga Universum)

Këngëtarja kosovare bën thirrje për rrëzimin e presidentit Thaçi

Këngëtarja kosovare Vjollca Robelli -Mripa ka reaguar përmes një statusi në Facebook pas zhvillimeve të fundit politike në vendin tonë, shkruan KultPlus.

Ajo prej kohësh jeton në Londër, por dëshira e madhe që të shoh vendin e saj me zhvillime pozitive e ngacmon kudo që është.

Përmes këtij statusi ajo ka kërkuar rrëzimin e presidentit Thaçi dhe bojkotimin e secilës konferencë që vjen nga ana e tij.

Postimi i plotë i Vjollca Robelli – Mripa:

Popull i dashun osht koha me Rrzu presidentin !!!!! Mos te ankohem..
Gazetarë bojkotoni konferencat qesharake te nje krimineli që do me shit Kosoves në kohen ma te keqe!!!! Nuk muj me kuptu qysh nje qytetar kosovar mundet me votu e perkrah nje person si ky 🤮
#poshtthaci
#nekarantineprapagrilave

Ne e kemi fuqine… / KultPlus.com

Flamuri shqiptar në Rio de Janeiro, solidaritet botëror ndaj COVID-19 në statujën e Krishtit

Statuja e Krishtit Shpëtimtar, monument emblematik i qytetit të Rio de Janeiro dhe i Brazilit, është ndriçuar me flamujt e vendeve të prekura nga pandemia globale e COVID-19. Mes tyre është edhe flamuri shqiptar! 

“Solidariteti botëror, frymëzues dhe shpresëdhënës!”, shkruan Presidenti Ilir Meta teksa shpërndan foton. / KultPlus.com

Rihapet kinemaja e parë në Kinë që nga shpërthimi i koronavirusit

Pas dy muajve izolim, Kina tashmë e ka rihapur kinemanë e parë, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Kinemaja “Zhongying Golden Palm” në Urumqi, i ka hapur dyert për publikun në fillim të kësaj jave. Kinemaja kishte qëndruar e mbyllur nga 26 janari, transmeton Koha.

Në uebfaqen e tyre zyrtare, kinemaja i ka informuar adhuruesit e filmit se planifikojnë t’i shfaqin katër filma kinez në 22 orare të ndryshme. Megjithatë, në ditën e parë të hapjes nuk pati fare vizitorë.

“Ne nuk mund të qëndrojmë të mbyllur përgjithmonë. Krejt çka mund të bëjmë, është të bashkëpunojmë me njoftimet dhe rregullat e shtetit dhe ta testojmë situatën me kujdes. Po ashtu, në fillim do të shohim se si po reagon publiku ndaj rihapjes së kinemasë. Nëse nuk do të ketë filma të ri të cilët mund t’i shfaqim, atëherë nuk ka ndonjë ndryshim nëse e mbajmë kinemanë të hapur apo jo. Për momentin i posedojmë vetëm këta pak filma, dhe duhet të presim për ta parë nëse situata do të ndryshojë dhe do të lansohen projekte të reja,” citohet të ketë thënë udhëheqësi i kësaj kinemaje për “Sohu Entertainment”.

Një numër i madh i filmave dhe projekteve televizive i kanë shtyrë datat e lansimit për shkak të pandemisë së koronavorusit, në mesin e së cilëve: “No Time To Die”, “Fast and the Furious 9”, “A Quiet Place 2”, “Mulan”, “Black Widow”, “The NeW Mutants”, “Antlers”, “Peter Rabbit 2: The Runaway”, “The Lovebirds”, “Blue Story”, “The Artist’s wife”, “The Truth”, “Antabellum”, “Spiral: From the Book of Saw”, “Run”, “The Personal History of David Copperfield” dhe “The Woman in the Window”. / KultPlus.com

Amazon e ndalon me në fund shitjen e ‘Mein Kampf’ të Hitlerit

Amazon ka ndaluar shitjen e “Mein Kampf”-it të Adolf Hitlerit (“Lufta Ime”) dhe librave të tjerë të propagandës naziste, e kjo pas një dekade fushate nga Shoqata e Familjeve të Holokaustit, transmeton KultPlus.

Kopje të shumta në gjuhët e huaja të “Mein Kampf”-it janë aktualisht të disponueshme në librarinë e Amazon në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë atë në gjuhën gjermane, botuar në vitin 2016, raporton “Guardian”-i britanik.

Ditët e fundit, shitësit e librave janë informuar se ata nuk do të jenë më në gjendje të shesin libra të tjerë me temë naziste, përfshirë dhe autobiografinë e Hitlerit dhe librat për fëmijë që përhapin ide antisemitike.

Në një e-mail për të cilin “Guardian” ishte në dijeni, individëve që shesin kopjet e përdorura të librit të “Mein Kampf”-it përmes shërbimit të Amazon, u tha që kompania nuk mund të ofronte më librin sepse ishte në konflikt me një kod sjelljeje në internet.

Organizatat kryesore të Holokaustit dhe grupet hebreje kanë mbrojtur që nga fundi i viteve 1990 idenë e ndalimit të shitjes së kopjeve të “Mein Kampf”-it përmes Amazon, megjithatë, tregtarët kanë bërë thirrje për të drejtën e fjalës së lirë dhe nevojën që brezat apo studentët të kuptojnë mendimin e Hitlerit.

Shumica e botimeve të lidhura me nazistët janë në dispozicion në internet, ku ato mund të shkarkohen falas. / KultPlus.com

‘Mos lejo shpirti të më thehet, a e di Prishtinë ku e kam dashurinë’

Prishtinës i kanë kënduar shumë këngëtarë e këngëtare. Secili në mënyrën e vetë, ku shpesh përmes muzikës i kanë dhënë shpirt këtij qyteti.

Gili, si një ndër këngëtaret, muzika e së cilës ka dhënë çdoherë emocion, Prishtinës i ka kënduar qysh moti, shkruan KultPlus.

Sot, KultPlus ju sjell këngën ”Prishtina” të Gilit, këngë kjo që vazhdon të dëgjohet sot e kësaj dite.

Bashkangjitur gjeni tekstin dhe videon e këngës

https://www.youtube.com/watch?v=T7DlOFsqH9M

Pas shumë vitesh
unë po kthehem më përqafo Prishtinë
dhe mos lejo shpirti të më thehet
a e di Prishtinë ku e kam dashurinë

Rrugëve të këtij qyteti, unë e pata dashurinë
fshehtësinë e di Prishtina
te Fontana në Ulpianë
e pata puthjen e parë
turp më erdhi nga Prishtina

Sa shumë kishim dashuri
ato ditët studentore
kur dilnim fshehuraz në shi
edhe gjatë orës policore

Prishtinaa.. dashuria ime
Prishtina… sjellë kujtime
Prishtinaa… dashuria ime

Ishim të rinj e lozonjarë
të dashuruar e të marrë
ende flet për ne Prishtina
në banka shkruam veq dy emra
vizatuam veq dy zemra
sa të na kujtojë Prishtina

Sa shumë kishim dashuri
ato ditët studentore
kur dilnim fshehuraz në shi
edhe gjatë orës policore

Prishtinaa.. dashuria ime
Prishtina… sjellë kujtime
Prishtinaa… dashuria ime

Kishim shumë dhembje
e pak vjet, si jetuam, e dimë ne vet
kishim rini, s’kishim liri
ku gjenim aq dashuri
Do vijnë të reja breza
do t’na kujtojnë me lule mbi varreza
do ëndërrojnë ardhmërinë
ti, kerkoju dashurinë
mos i lëndo Prishtinë

Prishtinaa.. dashuria ime
Prishtina… sjellë kujtime
Prishtinaa… dashuria ime /KultPlus.com

Flaka Goranci magjeps publikun çek me një nga rolet më eminente për soprano

Fotografitë: Martin Popelar

Pak para përhapjes së Koronavirusit, shkak i të cilit u ndalën edhe të gjitha aktivitete kulturore e artistike, Flaka Goranci ka pasur një paraqitje të mahnitshme në Çeki.

Në Teatrin e Operës në qytetin Ostrava të Çekisë, Goranci ka realizuar debutimin e dyfishte duke interpretuar një nga rolet më eminente për soprano, atë të Amelias në Operën ”Un Ballo in Maschera”, shkruan KultPlus. 

Roli i Amelias, konsiderohet si një nga rolet më të vështira për soprano që kompozitori italian Giuseppe Verdi ka shkruar.

Teatri i Operës në Ostrava qëndron në rangun e tre teatrove më të suksesshëm në Ceki.

Deri më tani, Flaka ka realizuar role të ndryshme në Austri, vendin ku edhe jeton, pastaj në Gjermani, Belgjike, Israel, Shqipëri dhe së fundi edhe në Ceki.

Për vet Flakën kjo eksperiencë e fundit ka qenë një sfidë e madhe për dy arsye kryesore.

“Është hera e parë që realizoj një rol kaq impenjues për soprano, meqenëse deri më tani kam kënduar vetëm repertor për Mezzo-soprano. Përpos kësaj, ka qenë poashtu edhe projekti im i parë pas lindjes, duke ditur që pas lindjes për çdo grua është e vështirë të kthehet në formën e mëhershme e sidomos për këngëtaret meqë tashmë shumë gjëra kanë ndryshuar”, ka thënë Goranci për KultPlus, duke treguar tutje se kjo ka qenë një nga sfidat më të mëdha në karrierën e saj të deritanishme.

“Sfidë e cila më bëri të realizoj një nga rolet më kërkuese të repertorit Verdian në një nga teatrot më të mira që ka Çekia”, ka përfunduar Flaka Goranci. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=5wgw9lh15U0

“Tradhtarët” në kohën e Murtajës

 

Nga Jusuf Buxhovi

Rremë Kusari rrinte dyfish i mbështetur për trapazanin e kullës. Dukej i thyer fare dhe tjetër nga ai burri i ngjeshur me pamjen e një fisniku, që e njihte i gjithë shehri.
“Kam mendue se jemi ma ndryshe”, foli si me zor.
Desha t’i thosha se jemi po ata që ishim, dhe se, sëmundja kishte nxjerrë në pah ato që nuk shiheshin. Sikur ta kishte blerë mendimin tim, tha se nuk kishte parasysh ndonjë trimëri, meqë në kohë të tilla ato janë të padobishme, por fjalën e kishte për punët e liga të disave që në vend se të ndihmojnë, merren me thashetheme dhe shpifje ndër më të ulëtat, që i shkojnë për lale së keqes…
“Këto i kanë kohë e liga, vëlla…”
Një copë herë heshti. Dukej edhe më i ngrysur. I thash se murtaja nuk do të ishte murtajë pa ata që janë pjesë e saj, që shesin fytyrën për një cikërr…
Këto sikur e qëlluan edhe më shumë.
“I kuptoj hyzmeqarët që punojnë për kafshatë të gojës, por nuk i kuptoj ata që neve që po përpiqemi ditë e natë për me i ba ballë kësaj virane, po na quajnë tradhtarë…”
E dija se ku e kishte hallin. Kishte ditë që në shehër ishte shfaqur njëfarë Qosaleshi, që sillej si fakir dhe nëpër çarshi hapte fjalë se ata që vepronin kryenveti kundër murtajës, ishin tradhtarë, hafije dhe çmos. Ai, fliste gjithë tallandi, se me veprime të tilla po e përhapnim sëmundjen, se ishim vrasës e çmos, meqë po të kishte ilaç, atëherë këtë do ta bënte padishahu dhe jo druvarët, siç e kishte quajtur Rremë Kusarin…

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,1982) / KultPlus.com

Sikur në vitet e 90-ta, me çelësa e tenxhere do të protestohet nëpër ballkonet e Prishtinës

‘Protestojmë në ballkon’ kështu kanë bërë thirrje një grup aktivistësh për qytetarët e Kosovës, shkruan KultPlus.

Një faqe e krijuar në rrjetin social Facebook nën emrin ‘Replikë’, përmes një njoftimi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që sonte duke filluar nga ora 20:00, të dalin nëpër dritaret dhe ballkonet e tyre dhe të krijojnë zhurmë me mjete të ndryshme, të cilat nuk janë të rrezikshme si tenxhere, lugë etj.

“Revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolikë të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës. Gjatë viteve të 90-ta, qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe”, thuhet në njoftimin, transmeton KultPlus.

Sot, thuhet tutje në njoftim, qytetarët e Kosovës në kohë pandemie po përballen me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës.

“Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit. Sot më 19 mars përmes daljes të secilit prej neve në ballkon ose dritare në ora ‪20:00 për 5 minuta në të gjithë Kosovën po krijojmë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë) për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucional në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës”, përfundon njoftimi. / KultPlus.com

“Veproni me vendosmëri dhe pranoni pasojat, me hezitim s’është bërë kurrë gjë e hajrit”


Thomas Henry Huxley ishte një biolog dhe antropolog anglez i specializuar në anatominë krahasuese. Ai njihet si “Darwin’s Bulldog” për mbrojtjen e tij nga teoria e evolucionit të Charles Darvinit.

KultPlus ju sjell katër thëniet e tij më të njohura:

“Veproni me vendosmëri dhe pranoni pasojat, me hezitim s’është bërë kurrë gjë e hajrit.”

“Vështirësitë më të mëdha të një njeriu fillojnë kur ai është i lirë të bëjë ç’të dojë.”

“Pasojat logjike janë gogoli i budallenjve dhe feneri ndritës i njerëzve të zgjuar.”

“Është fati i zakonshëm i shumicës së të vërtetave, të nisin si herezi e të përfundojnë si besëtytni.” / KultPlus.com

‘Ku e lam e ku na mbeti filloi korona, sa na la tërmeti’ (VIDEO)

Virusi që tashmë ka lëshuar rrënjë në shumë shtete të botës, duke bërë kështu që të gjithë të mbyllen në karantinë, disa nga artistët kanë shpalosur kreativitetin e tyre në mënyra të ndryshme, shkruan KultPlus.

Ditë më parë qarkulloi një version më ndryshe i poezisë së Agollit ‘Kur të jesh mërzitur shumë’, ndërsa tashmë është publikuar një version ndryshe i poezisë së famshme të Nolit ‘Anës lumenjve’, që përmes zërit të këndshëm të Eda Zarit dhe nën tekstin e Anisa Kushtës, vjen si ‘Anës karantinës’.

Bashkangjitur gjeni tekstin dhe videon e këngës.

Anës karantinës

Frikësuar, çakërdisur
herë kthjellët
herë dalldisur

I laj duart pa përtesë
të vij fundi
menzi pres

Ku e lam e ku na mbeti
filloi korona, sa na la tërmeti
Anës diellit dot s’po ngrohem
nga kolltuku mezi çohem

Dua kafe si çdo ditë
se ndokujt do i nxjerrë sytë
se ç’u enjta, se ç’u mpiva
edhe pse dremita
prapë u shtriva

Pranë familjes e larg punës
mbaj alkool kot afër hundës

Por kam zot
e kam shpresë
ndaj e lumtur lirinë pres

Por një zë më zgjon nga gjumi
më thotë- mami shko merr qum’shtin

Sepse ora po afrohet
dhe fshatari do largohet
shtohet ankthi, me vrap çohem
nuk kam kohë të dezinfektohem

Ndaj qetësohuni
dhe pak duroni
se shumë shpejt do më takoni

Se kam zot e kam shpresë
Nja ca ditë, më shumë s’do të pres
se pas marsit do vijë prilli
Te kafja lagjes pres
të më vini. / KultPlus.com

Bebe Rexha ka një lutje për të gjithë njerëzit pasi i vdes miku nga koronavirusi

Këngëtarja e njohur shqiptare me fame botërore, Bebe Rexha, ka dhënë një mesazh për të gjithë njerëzit në botë, pas lajmit se një mik i saj ka humbur jetën nga koronavirusi.

Përmes këtij mesazhi, Bebe Rexha ka bërë një lutje për të gjithë që mos ta marrin si shaka virusin COVID-19 i cili ka përfshirë botën.

“Kjo nuk është një shaka. Një mik i një miku sapo vdiq nga koronavirusi në moshën 45 vjeçe. Qëndroni të sigurt në shtëpi dhe bëni detyrën tuaj. Ju lutemi”, ka shkruar Bebe duke kërkuar tutje që qeveria amerikane t’i marrë disa hapa të tjerë shtesë për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Qeveria amerikane duhet të ndalojë pagesat me qira, pagesat e hipotekave dhe pagesat e shërbimeve, të paktën derisa virusi korona të jetë nën kontroll. Miliona Amerikanë janë të shqetësuar për mbajtjen e punëve të tyre dhe shtëpitë e tyre në vend që të qëndrojnë të sigurt”, shkruar Rexha. / KultPlus.com

Karantina – Replikë me jetën dhe dashurinë

Nga Elizabetë Qarri

Të bëhesh pjesë e një ankthi global dhe një pafuqie njerëzore për ta dominuar atë, të bën të replikosh me jetën dhe dashurinë, të bën të besosh në fuqinë e të besuarit, pa u orvatur ta kërkosh objektin e tij, ndërlikueshmërinë e tij. Mbyllja, izolimi e vetmia padyshim janë antitezë e qëllimeve pozitive të jetës, por ndryshimi i kushteve të jetës për shkak të rrethanave që mund të imponojnë krizat e ndryshme shoqërore, shpeshherë ndërgjegjësojnë vetëdijen njerëzore, na bëjnë t’i shohim gjërat më ndryshe, na bëjnë të mendojmë më ndryshe, madje shumë më ndryshe se që mund të kemi menduar qoftë edhe një ditë më parë.

Pritja e heshtur përballë një tragjedie globale si kjo pandemi e trishtë, që dita ditës po tronditë gjithë globin, nuk amnistoi as shqiptarët. Nga çasti në çast, të njohur e të panjohur po solidarizohemi e bëhemi bashkë, për tu përballur me pritjet e hidhura të lajmeve të rënda, duke radhitur ç’do ditë numrat rendorë, që pamëshirë listës së viktimave i shtohen një nga një.

Të bësh pakt me frikën është pothuajse e pamundur, sepse nuk mposhtim dot frikën me pakte. Por, frikën duhet mposhtur me përballje, e të përballesh me të do të thotë të kesh zbuluar sekretin tënd madh, forcën e guximin.

Në këtë periudhë rraskapitjeje morale e shpirtërore, të gjendur në mes lajmesh të virusit famëkeq Korona, në mes tjerash, u gjendëm në rrethana të një reflektimi të thellë social, padashje.

Më shumë se kurrë, të zbrapsur e të rënduar nga dinamika e egër për një jetë ekzistenciale, kuptuam se me sa shpejtësi ikin çaste të bukura të jetës. Sa egoistë ishim bërë duke harruar të mendojmë në vlerat më sublime të jetës, në virtyte të cilat në ç’do rrethanë komode ose jo, mbajnë gjallë shpirtin njerëzor.

Kishim harruar se e humbur quhet ç’do ditë, në të cilën nuk kemi falur dashuri. Kishim harruar se e humbur quhet edhe një ditë e vetme që nuk kemi njohur respektin për njëri tjetrin. Kishim harruar t’i jemi mirënjohës secilit mëngjes të zbardhur, që nis ditën tonë të re. Kishim harruar se jemi me fat që merremi me problemet e përditshmërisë sonë, e njësoj mendova edhe unë sot për veten time, po thoja: “sa me fat jam që kam problemet e mia të ditës” punën, miqtë, familjen. Thënë ndryshe, kishim harruar të jetojmë të sotmen duke menduar se çfarë na pret të nesërmen.

Të dashurosh, do të thotë të jesh mirënjohës edhe ndaj gjërave të vogla, të ridimensionosh qoftë edhe një mirësjellje kurtoazie, që nis nga përshëndetja e mëngjesit me fqinjin tonë të parë, pra një “mirëmëngjes” që ngrys ditën tonë, tek jemi nisur për në punë.

Të dashurosh do të thotë t’i falësh buzëqeshje edhe një fëmije në rrugë, një riu a një të moshuari të panjohur, ndoshta buzëqeshja jonë i zbukuron ditën, e lumturon atë.

Të dashurosh do të thotë akoma më shumë, të ndjesh, të përjetosh, të kuptosh se shkëlqimin e jetës duhet sublimuar tek dashuria e pakushtëzuar ndaj atyre që nuk duan kthim për atë që falin, ndaj atyre që me dashurinë e tyre na kujtojnë përse ndjehemi me vlerë, prindërve, fëmijëve, familjes e miqve, ndaj atyre që pohimin për dashurinë nuk e masin me kufijtë e egos së tyre, por me dashurinë e manifestuar që lartëson e ngroh shpirtin tonë njerëzor.

Të dashurosh do të thotë të pohosh këndvështrimin e drejtë që mbart fjala dashuri, të pohosh aftësinë tënde për të bindur se ne lindim të barabartë edhe pse të ndryshëm. Të mos turpërohemi kurrë pse qajmë, por të krenohemi kur kemi kuptuar se lotët tanë nuk i meritojnë ata që na bënë të qajmë. Të dashurojnë ia dalin vetëm ata që kanë mësuar kuptimin e vetëm të saj, vërtetësinë.

Të shprehësh dashurinë nuk është kurrë vonë. Nuk është vonë të shprehësh edhe mirënjohjen. Sot, ndërkaq po reflektojmë të mbyllur në karantinë, një armatë njerëzish humanë e guximtarë, po dëshmojnë në vepër betimin e tyre të shenjtë kur i thanë “po” profesionit të tyre fisnik e human.

Mjekë e infermierë që prej kohësh kishim harruar t’i bëjmë vendin meritor në shoqëri, më shumë se kurrë dëshmuan se ka diçka më të shtrenjtë se sa injoranca shpërfillëse e cila harroi ata për dy dekada me radhë. Mësuam leksionin më të mirë se ndërgjegjja e lartë njerëzore bashkë me dinjitetin e dashurinë për punën, sfidojnë ç’do betejë e paaftësi njerëzore.

Me zellin e tyre par excellence, këta profesionistë humanë na mësuan se çfarë do të thotë ta duash njeriun tënd e popullin tënd, t’i dalësh ballë premtimit tënd dhe betimit të dhënë, siç bëjnë heronjtë e vërtetë.

Në një të nesërme të afërt, do të dalim më të fortë e të ndërgjegjshëm për të kuptuar mesazhin më të madh që mund të na mësojë jeta, e ajo është forca e dashurisë njerëzore, kjo forcë që shfaqet në paqe dhe në beteja të rënda të jetës, na bën pjesë të saj dhe nuk pushon kurrë së ekzistuari. Por, të dalësh i fortë nga betejat, do të thotë të kuptosh mesazhin e madh për jetën atë që mund ta gjesh edhe në dromcat e dashurisë, sepse aty nis gjithçka dhe përfundon në një të nesërme të papritur, që mund të mos e kemi më kurrë.

Unë dua që nesër të më zgjojë dielli i mëngjesit, të takoj njerëzit e mi, e t’i përqafoj ata. Jetën time të thjeshtë, nuk dua ta këmbej me asgjë, këtë jetë që nis me ritualin modest të kafes së mëngjesit, e me problemet e mia të ditës. Dua të sodis lindjen e perëndimin e diellit dhe t’i gëzohem natës me hënë. Dua të nis e mbaroj punën time me nder, pastaj në mbrëmje të kthehem sërish në “karantinën” time, e të bëj replikë me jetën e dashurinë! / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës sot shpërndan shujta të ngrohta për njerëzit në nevojë

Prej sot rifillon shpërndarja e shujtave të ngrohta për gjithë ata që kanë nevojë. Ushqimin do të shpërndahet në dy pika duke filluar nga ora 12:00, në Tophane dhe Aktash, njofton Komuna e Prishtinës.

‘Gjellë, sallatë, pemë dhe bukë do ketë dyfish më shumë sesa zakonisht për gjithë ata që kanë nevojë. Ushqimin vetëm mund ta marrin me veti. Ne e kemi blerë një numër të madh të pajisjeve plastike përmes së cilave mund të bartet ushqimi, mirëpo i inkurajojmë të gjithë që të marrin pajisje me vete. Jemi kujdesur që të gjithë ambientin ku do shpërndahet ushqimi ta kemi të dezinfektuar dhe brenda një niveli të lartë higjienik. Njëkohësisht, bëjmë thirrje që të gjithe përfituesit e shujtës se gjatë procesit të marrjes së ushqimit të mbajnë distancë në mes tyre gjatë pritjes në rend’, thuhet ndër të tjera në komunikatën për media. / KultPlus.com

‘Politikanët janë kudo të njëjtë, ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku s’ka lumë’

Harry S. Truman: Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se të jesh president është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet!

Vaclav Havel: Nuk ka më komunist se ish-komunisti që e lufton komunizmin!

Voltaire: O Zot! Më shpëto nga miqtë e mi, se nga armiqtë mbrohem vetë!

John F. Kennedy: Nëse jemi të fortë, forca jonë flet vet. Nëse jemi të dobët, fjalët s’na ndihmojnë!

Robert Frost: Liberali është ai që është aq tolerant sa që mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje!

Friedrich Nietzsche: Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: në vegla dhe në armiq!

Charles de Gaulle: Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që e thotë, befasohet kur të tjerët e besojnë!

Margaret Thatcher: Çdo grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti!

Ronald Reagan: Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër!

Stanley Kubrick: Shtetet e mëdha kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta!

Mason Cooley: Tre njerëz të braktisur në një ishull të izoluar, do të shpiknin shumë shpejt politikën!

James Clark: Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një burrështetas mendon për brezin e ardhshëm!

Ely Culbertson: Politika, një emër diplomatik për ligjin e xhunglës!

Will Rogers: Sa më shumë lexoni për politikën, aq më shumë arrini të kuptoni se çdo parti është më e keqe se tjetra!

Pierre Trudeau: Në pikëpamje akademike përpiqeni ta pohoni të vërtetën absolute; në politikë kërkoni që të vërtetën t’ia përshtatni fakteve përreth jush!

Alexis de Tocqueville: Në politikë, një bashkësi e njerëzve që urrehen është pothuaj gjithnjë baza e miqësisë!

Jesse M. Unruh: Paraja është për politikën si nëna që ushqen me qumështin e saj!

Georges Pompidou: Një burrështetas është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes!

Bernard Baruch: Votoni për njeriun që premton më pak, se ai do të jetë më pak zhgënjyes”!

Winston Churchill: “Politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë ju vriteni veç një herë!

Soren Kierkegaard: Tirani vdes dhe sundimi i tij merr fund; martiri vdes dhe sundimi i tij fillon!

Harold Wilson: Në politikë një javë është kohë shumë e gjatë!

Boris Mashalov: Kongresi është i çuditshëm. Dikush ngrihet të flasë e nuk thotë asgjë. Askush s’dëgjon, pastaj të gjithë bien dakord!

Johann Wolfgang von Goethe: Nacionalisti më i mirë është ai që i dallon të metat e popullit të vet!

Marie Ebner: Ne botë do të kishte më pak çaste të kobshme, nëse të këqijat s’do të bëheshin në emër të ndonjë të mire!

Adolf Hitler: Sa fat për sundimtarët që njerëzit nuk mendojnë!

Faik Konica: Ati ynë që je në Qiell, na ndihmo ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi asgjë për të thënë!

Sydney J. Harris: Tri detyrat më të rënda të kësaj bote janë: Ta shpërblesh urrejtjen me dashuri, pranimi i të pamundshmes dhe thënia – unë isha gabim!

Konrad Adenauer: Jetojmë të gjithë nën një qiell, por askush s’ka të njëjtin horizont. / KultPlus.com

Soviet Premier Nikita Khrushchev makes a point during a press conference at the National Press Club.

Ja si duket bota në karantinë (FOTO)

Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit, shtetet e ndryshme të botës kanë vendosur shumë kufizime në lëvizjen e e lirë të njerëzve, shkruan KultPlus.

Ajo që këto ditë vazhdimisht lexojmë dhe ndëgjojmë, janë të bëhet pastrimi i duarve, kryesisht të mbahet higjiena e distancimi social.

Ndëkaq, për të paraqitur jetën në karantinë, revista e njohur ‘The Atlantic’ ka sjellur një fotoreportazh nga vendet të ndryshme të botës, aty gjendet edhe një foto nga Tirana në Ditën e Verës. / KultPlus.com

Vargjet e këngës së Dua Lipës bëhen hit, si një thirrje kundër koronavirusit

Vargjet e këngës së Dua Lipës, “Don’t Start Now” janë bërë hit nepër rrjetet sociale për shkak të përmbajtjes se tyre.

Duket se producentët e Dua Lipës kanë bërë një parashikim kur kanë prodhuar këngën “Don’t Start Now” të këngëtares.

Vargjet “Don’t show up, Don’t Come Out, Don’t start caring about me now, Walk Away, you know how, Don’t Start caring about me now”, janë bërë hit dhe po përdoren që njerëzit të vetizolohen dhe të mos dalin jashtë gjatë pandemisë së koronavirusit.

Në shqip këto vargje përkthehen pak a shumë kështu: “Mos u shfaqni, mos dilni, mos filloni tani të kujdeseni për mua, largohu, e di pse, mos fillo tani të kujdesesh për mua”.

Pasi ky varg është shpërndarë, ka qenë edhe vet Dua Lipa që i ka shpërndarë ata duke shkruar: “Nuk i bëj unë rregullat”.

Kujtimet se kënga “Don’t Start Now” ka më shumë se 180 milionë klikime në rrjetet sociale për momentin. /GazetaExpress/ KultPlus.com

“Kisha dasht diçka me ndrrue te kta njerz qe diellin, diellin ma kan nal” (VIDEO)

Troja, është pothuajse grupi i vetëm në vend i cili pjesë të muzikës së tij e ka kritikën, në veçanti kritikën ndaj politikës në vend, shkruan KultPlus.com

Amaneti është një nga këngët më të njohura të këtij grupi, tekstin e të cilit po ua sjellim këtu:

Janë do vjet që kanë kalue neper mue
Mrena n’shpirt me forcë po më shtyn me thanë..
Kush janë këta njerz që s’janë shkollue
Nuk kan msu qe njeri nuk ban
Shpin e vet me vjedh
Janë do fjalë që nuk po muj me i thanë

Janë kta njerz qe kan teprue
Shumë kanë kushtu rrenat e tyne
Janë tu m`qu atje ku veten nuk muj ma me gjet

Edhe sa vjet duhet me shkue
Me i duru kta njerz qe krejt forcen ma kan marr
Janë kta njerz që trunin ma kanë la
Janë kta njerz që vet nuk muj me i nal

AAAAHHH(scream)

Kisha dasht diçka me ndrrue
Te kta njerz qe diellin diellin ma kan nal
Sa shum vjet kam andrrue
Kam besue.. zotit ju kam lut dielli me dal
Po jan kta njerz qe diellin ma kan nal
Jan kto vjet qe kurr nuk muj me i marr

Churchill: Nuk kam ndërmend të kem të bëj më me politikën ose politikanët, kur kjo luftë të mbarojë, unë do të merrem vetëm me shkrime dhe pikturë

Winston Leonard Spencer-Churchill (1874-1965) ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, në momentet më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte oficer, por njihet si historian dhe një nga oratorët më të njohur në histori. Më 1953 fiton Nobelin për Letërsi, “për mjeshtërinë e tij të përshkrimeve historike dhe biografike, si dhe për oratorinë brilante në mbrojtje të vlerave njerëzore”. Më poshtë mund të lexoni 30 thënie të tij.

• Shakaja është një gjë shumë serioze!

• Gënjeshtra ka shkuar deri në gjysmë të botës, përpara se e vërteta të ketë mbathur pantallonat!

• Njeriu bën çfarë duhet bërë – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe kjo është baza e gjithë moralit njerëzor.

• Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi; një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.

• Politikani ka aftësinë të parathotë se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe, e ka aftësinë pastaj të shpjegojë pse të parathënat nuk ndodhën!

• I burgosuri i luftës është një njeri që përpiqet të të vrasë ty dhe pastaj të kërkon ty të mos e vrasësh atë!

• Edhe pse unë jam krejt i kënaqur me eksplozivet ekzistuese, e ndjej se nuk duhet të ecim në drejtim të përmirësimit të tyre.

• Ndonëse isha i përgatitur për martirizim, parapëlqeva ta lë për më vonë!

• Paqebërësi është ai që përpiqet ta ushqejë krokodilin, duke shpresuar se ai do ta hajë atë të fundit!

• Sjellja është një gjë e vogël që përbën një ndryshim të madh!

• Betejat janë fituar me masakra dhe manovra. Gjenerali i madh, sa më shumë që i jep përparësi manovrës, aq më pak lë vend për masakrën!

• Trimëria me të drejtë është vlerësuar si cilësia e parë njerëzore… sepse ajo është cilësia që i garanton të tjerat!

• Kritika mund të mos jetë e pranueshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin funksion që ka dhimbja në trupin njerëzor. Ajo tërheq vëmendjen ndaj gjendjes jo të shëndoshë të gjërave!

• Vështirësitë e mposhtura janë mundësi të fituara!

• Mos lë hapësira të mëdha për një botë të re, kënaqi energjitë tua së shpëtuari çfarë ka mbetur nga e vjetra!

• Ngrënia e fjalëve nuk m’i ka bërë asnjëherë keq tretjes!

• Çdokush e ka ditën e tij dhe disa ditë zgjatin më shumë se të tjerat!

• Sa për mua, mendoj se do të ishte shumë më mirë për të gjitha palët t’ia lëmë të shkuarën historisë, sidomos përderisa kam qëllim ta shkruaj historinë vet!

• I madh dhe i mirë janë rrallë i njëjti njeri!

• Ai i ka të gjitha virtytet që nuk më pëlqejnë dhe nuk e ka asnjë nga veset që unë i admiroj!

• Qytetarët e shëndoshë janë pasuria më e madhe që mund të ketë çdo vend!

• Historinë e shkruajnë fitimtarët!

• Sado e bukur të jetë strategjia, unë herë pas here vështroj rezultatet!

• Unë gjithmonë shmang dhënien paraprake të profecive, sepse është shumë më mirë të profetizosh pasi një zhvillim ka ndodhur tashmë!

• Jam gjithnjë gati të mësoj sado që asnjëherë nuk më pëlqen të më japin mësim!

• Sigurisht që nuk jam një nga ata që kanë nevojë të më nxitin. Në fakt, nëse diçka jam, atëherë jam vetë nxitja!

• Unë kënaqem lehtë me të bukurën!

• Më pëlqejnë derrat. Qentë na shikojnë ne nga lart. Macet na shikojnë nga poshtë. Derrat na trajtojnë si të barabartë!

• Perandoritë e së ardhmes janë perandori të mendjes!

• Nuk kam ndërmend të kem të bëj më me politikën ose politikanët. Kur kjo luftë të mbarojë, unë do të merrem vetëm me shkrime dhe pikturë!

Gjergj Fishta: “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë”

Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.

– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!

– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!

– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!

– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!

– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!

– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!

– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,

– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!

– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…

– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…

– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…

– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…

– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!

– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!

– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Një tragjedi amerikane’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë romanin në dy vëllime “Një tragjedi amerikane”, me autor shkrimtarin amerikan Teodor Drajzer. Ky është romani më i njohur i tij.

Teodor Drajzer ka qenë shkrimtar dhe gazetar amerikan, i cili i përkiste shkollës natyraliste, shkollë kjo që i dha letërsisë amerikane fytyrë moderniste.

Drajzeri është renditur në mesin e 100 shkrimtarëve më të shquar të shekullit XX, i cili pati ndikim të madh me letërsinë e tij. Romani i tij “Një tragjedi amerikane” u përkthye kohë më parë, ndërsa duke parë interesimin e lexuesve, përkthyesit vendosën që ta përkthejnë në shqip një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij. I pari që e përktheu në shqip ishte Bujar Doko, në vitin 1957.

Por, ç’e bën të veçantë pendën e këtij shkrimtari?

Drajzeri arrin ta skanoi jetën dhe mentalitetin amerikan me përmasat e saj sociale dhe morale. Në vitin 1925, ai botoi vëllimin e parë të romanit “Një tragjedi amerikane”, që është i bazuar në një histori vrasjeje. Me këtë libër, ai arriti të ketë sukses të madh brenda dhe jashtë tokës amerikane.

“Një tragjedi amerikane” kritikon sistemin ligjor amerikan që ishte kthyer në model për reformat sociale në SHBA.

Kur ndodhi Depresioni i Madh në SHBA, Drajzeri përfundoi edhe vëllimin e dytë, te i cili shquhet forcimi i angazhimit të tij social për modelin që po prodhonte kapitalizmi në Amerikë.

Romani “Një tragjedi amerikane” rrëfen historinë e korrupsionit dhe të shkatërrimit të njeriut, krye personazhit Clyde Griffiths, i cili humb shpirtin dhe gjithçka tjetër derisa është në kërkim dëshpërues të suksesit. Ai dëshiron medoemos të jetë njeri i rëndësishëm dhe i suksesshëm. Për ta arritur këtë i hynë një rruge qorre që në fund e sjellë kapitullimin e tij.

Në nivel tjetër, më të thellë, romani paraqet portretin e vlerave të shoqërisë amerikane. Ambiciet e mëdha të Clyde-it janë ato që në fund e nënshkruajnë fatin e tij kur dënohet me vdekje në karrigen elektrike, pasi që kishte kryer vrasjen e Robertës, vajzës të cilën ky e kishte lënë shtatzënë por që tani e braktiste meqë donte të futej në shoqërinë e lartë, aty ku  e priste bukuroshja e pasur Sondra, të cilën e dashuronte. Por në vend të kësaj, ai zhytet thellë në një jetë plot frikë e ankth, pas krimit të kryer derisa në fund kapitullon i tëri.

Ky roman është i jashtëzakonshëm në zbulim dhe fuqi, i gjallë në kuptimin e zhbërjes së vlerave njerëzore, i pandalshëm në dhembshuri. Padyshim, “Një tragjedi amerikane” është arritja më e lartë e krijimtarisë së Drajzerit, i cili konsiderohet pionier i letërsisë moderne amerikane.

Romanet e tij kanë sukses në akumulimin e detajeve realiste dhe fuqinë e integritetit me të cilin përcaktojnë aspektet tragjike të jetës.

Ndaj, ju rekomandojmë që t’i futeni sa më parë leximit të kësaj kryevepra drajzeriane. /KultPlus.com

Piri, Epiri, Gjergj Kastrioti prijësi i Albanias dhe Epirit

Piri ishte një qytezë malore që nga lashtësia e tej largët e deri kur hordhitë osmane të Eerrësirës u derdhën mbi trojet arbërore. Vendndodhja e tij është afër fshatit Zhulat të Gjirokastrës (…)

Tani qyteza e Pirit është e mbuluar nga ferrat, drunjtë dhe bimësia. Muret me gurë të saj kanë vulat e kohëve të ndërtimit të tyre. Aty ka mure me gurë të stërmëdhenj që mbarteshin nga nëfillimët gjigandë dhe ndërtuar sipas mënyrës dalluese të kohëve tej të lashta. Aty gjenden edhe mure shtëpiash me gurë të vegjël që i përkasin kohëve të vona.

Shkatërrimi i qytezës së Pirit filloi prej hordhive bizantine në shekullin XI dhe u përfundua nga hordhitë osmane në shekullin XV. Barbarët osmanë, që vinin prej Errësirës dhe sillnin Errësirë, i zhvendosën banorët e mbetur në fshatin Zhulat aty pranë. Një garnizon ushtarak osman i vendosur qëllimisht në fshatin Zhulat u kujdes që Qyteza E Pirit të harrohej dhe banorët të mos ktheheshin më atje.

Qyteza e lashtë arbërore E Pirit bashkë me ndikimet e saja njiheshin në Gadishullin Ilirik si hapësirat E PIRIT. Historitë e prijësit Pirro (318-272 p.e.s.) që mbretëronte në tokat E Pirit dhe që kreu fushata ushtarake në jug të Gadishullit Apenin dhe Sicili janë përcjellë deri në kohët e tanishme. Senati dhe perandoria romake krijuan provincën e quajtur E-PIR-US. Prapashtesa -US e fjalës tregon se emërtimi EPIR-US ishte në latinisht e i dhënë prej perandorisë romake në Perëndim. Hapësira E Pirit të Vjetër (Epirus Vetus) i përket periudhës së viteve 67 – 285 e.s. dhe përafërsisht mbulonte tokat nga Gjini i Artës deri në Vlonë. Me riorganizimin e ri perandorak romak në vitet e mëpasme mbi hapësirën E Pirit të Vjetër u shtua hapësira E Pirit të Ri (Epirus Nova) që shtrihej deri në Lezhë. Midis shekujve IV-VII e.s., hapësirat E Pirit qenë pjesë e Prefekturës Pretoriane të Ilirisë (Praefectura Praetorio per Illyricum). Në vitet 318-379 e.s., Prefektura Pretoriane e Ilirisë përfshinte tokat që nga Austria e sotme e deri në Kretë, Detin Egje, ndërsa në lindje kufizohej nga Lumi i Shtruar (Danubi) dhe Thraka.

Në 1000 vitet në vazhdim tokat E Pirit arbëror përballuan ngjarje e dallgë të ndryshme dhe tokat arbërore filluan të njihen edhe si Albania. Prandaj në mesin e shekullit XV e më pas Gjergj Kastrioti Skënderbeu njihej edhe si Prijës i Epirit edhe si Prijës i Albanias edhe si Prijës i Albanias dhe Epirit. Botimet e shumta i thurin lavde atij si pasardhës i Pirros së Epirit dhe e krahasojnë me të tjerë prijës europianë të shquar. Si shembull, libri i At Dhimitër Frangut për Gjergj Kastriot Skënderbeun i botuar fillimisht në latinisht në Venecia në 2 Prill 1480 u pasua nga 18 ribotime të tjera aty vetëm deri në vitin 1679. Shembuj botimesh për të jepen më poshtë.

Njohuria e trashëguar në Europë për mbretërinë arbërore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut shihet edhe në këtë hartë të vitit 1705 që paraqet pjesën jugore të Gadishullit Ilirik me rajonet e rëna nën pushtimin e perandorisë osmane. Këtu janë përvijuar qartë rajonet e Albanias së Epërme (Haute Albanie, fr.) dhe E Pirit ose Albanias së Poshtme (Epire ou Basse Albanie, fr.). Kjo hartë e bën me dije qartë se ç’domethënë Epir dhe Albania.

Kjo hartë me autor Nicolas de Fer dhe paraqitur në pallatin mbretëror francez në Paris në vitin 1705 titullohet: Grece Moderne ou Partie Meridionale de la Turquie en Europe. Divisee en Beglerbeglics ou Grands Gouvernements – Greqia e kohës ose pjesa jugore e Turqisë në Europë. E ndarë në Bejlerbejet ose Qeverimet e Mëdha. Dhe, sepse përrallat detare të mitologjisë (shkencës së gënjeshtrës) “greke” ishin në veprat romancierëve apo piktorëve europianë, “Greqia” në këtë hartë është vendosur në ishujt e Detit Egje. (Një shtet me emrin “Greqi” me 1/6 e sipërfaqes që është sot do të krijohej prej fuqive perandorake europiane për herë të parë në vitin 1830.)

Që nga shekulli XIII, zotërimet e Republikës së Venedikut shtriheshin përgjatë bregut lindor të detit Adriatik, Detit Jonë, si dhe në tërë Detin Egje duke përfshirë Morenë, Kretën dhe Qipron. Domethënë se venedikasit, që ishin të lidhur ngushtë me Europën qendrore e perëndimore, i njihnin mirë popullatat e Gadishullit Ilirik. Kjo gjë lexohet e dokumentuar, bie fjala, në librin “Arbërit e Jonit – Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII” me autor Pëllumb Xhufi ku 1440 faqet e tij janë të mbushura me të dhëna arshivore venedikase, ose në librin “Arvanitët – Historia e shqiptarëve të hershëm në Greqi në shekujt XIII-XIX” me autor Irakli Koçollari.

Në shekullin XV, për shembull, Morea që ndodhet më e larguara nga Albania e Poshtme (Tokat e Pirit) kishte të paktën 88% të fshatrave që dokumentoheshin drejtpërdrejti si fshatra arnaut-arbërorë-arbanas-arvanitas. Ose, udhëtarët e ndryshëm europianë të shekullit XVII në ditarët e tyre të botuar e kanë përshkruar Athinën me rrethina si fshatra shqiptar. Në ato kohëra trashëgimia për Gjergj Kastriot Skënderbeun rrezatonte fort. Prandaj edhe muzikanti i madhërishëm Antonio Vivaldi hartoi dhe vuri në skenë më 22 qershor 1718 në Teatrin Pergola të Firences operën Scanderbeg.

Arbërit–Arbanitët–Arvanitët-Shqiptarët kanë qenë aty në tërë të shkuarën, veç arbërve të ardhur aty herë pas here si për shembull në fund të shekullit XX. Ata janë aty edhe sot. Ata dallohen drejtpërsëdrejti në të paktën 700 fshatra të kudondodhur në Greqinë e sotme. Ata flasin Shqip, këndojnë dhe hedhin valle Shqip. Ata janë kudo në Gadishullin Ilirik, e përtej/ Saimir Lolja, Koha Jonë. / KultPlus.com

Rrëfimi i mjekes shqiptare në Milano: Jemi në një situatë lufte, kam një muaj që s’kam përqafuar fëmijët e mi

Në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live”, Eni, mjeke shqiptare në Milano raportoi gjendjen aktuale të spitaleve në Lombardi.

“Aktualisht janë 31,506 të prekur dhe 2,503 viktima. Kemi shumë mungesa në personal, specialistët që kemi janë aktivë 24 orë në 24. Nuk ia dalim dot të mbulojmë të gjitha rojet e natës. Në spitalin tim nuk po bëhen operacione, kemi hyrë në një qark urgjence ne të rrethit të Lombardisë, vetëm operacione urgjente, persona që kanë nevojë për shembull për bypass ose infarkt. Jemi në një moment tragjik, situatë lufte”, rrëfeu mjekja.

Më tej shtoi:

“Në këtë moment po punojmë vetëm me urgjencat. Kemi të shtruar me Covid-19, kemi edhe të infektuar nga radhët e mjekëve dhe infermierëve. Kam një muaj që nuk kam përqafuar fëmijët e mi. S’është e vërtet që është një grip i thjeshtë, që ne e kemi kaluar, nuk ekzistojnë terapi për të kuruar këtë lloj gripi.” Express / KultPlus.com

Apeli i ekspertëve: Largojini të gjitha unazat nga gishtat gjatë kohës së koronavirusit, me to kot i lani dhe i dezinfektoni duart

Në hovin e epidemisë bartja çdo ditë e stolive është e keqe për shëndetin dhe higjienën tuaj, ka treguar një studim

Hulumtimi i bërë në Universitetin e Gjeorgjisë, ka treguar që personat të cilët bartin stoli nuk munden të mbajnë mirë higjienën, sepse lëkura nën stoli mbetet e mbrojtur nga dezinfektimi dhe bëhet vend ideal për zhvillim të baktereve, transmeton Telegrafi.

Veç kësaj, kanë konstatuar që personat të cilët nuk bartin unaza më mirë i lajnë duart e tyre se ata të cilët e bartin këtë stoli.

Mjeti i dezinfektimit gjithashtu është më pak efikas për shkak të stolisë.

Hulumtimi i mëparshëm ka treguar që personat të cilët bartin unaza, pas përdorimit të mjeteve dezinfektuese, kanë më shumë baktere në duar, se ata të cilët nuk e bartin këtë stoli.

Mirëpo, duhet të dini që nuk është e mjaftueshme vetëm të hiqet stolia gjatë kohës së larjes dhe dezinfektimit të duarve.

“Nëse stolia juaj është e infektuar me baktere dhe ju vetëm e ktheni në gisht pas larjes së duarve, duart tuaja sërish do të jenë të infektuara”,…

“Nëse nuk do ta dezinfektoni stolinë tuaj, atëherë as mos e hiqni dhe sërish ta vini”.

Megjithatë, nëse nuk dëshironi ta hiqni stolinë tuaj, ekspertët rekomandojnë që gjatë larjes së duarve me sapun dhe ujë të ngrohtë lani edhe stolinë në mënyrë që të jeni të sigurt që e keni dezinfektuar nga të gjitha bakteret.

Mirëpo, assesi mos e lani me mjet dezinfektues, sepse do ta shkatërroni. Express / KultPlus.com