“Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë zemër të mirë”

Thëniet më të bukura të Anne Frank

  • Vërtetë është për t’u habitur se si nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia sepse duken shumë absurd dhe të pamundur për t’i realizuar. Megjithatë nuk tërhiqem nga ato, përkundër të gjithave edhe më tutje besoj se njerëzit janë të mirë.
  • Njerëzit mund të të thonë mbylle gojën, por kjo nuk të ndalon e as nuk të pengon që të kesh mendimin tënd.
  • Sa mirë është ajo kur askush nuk duhet pritur asnjë çast për ta bërë botën më të mirë.
  • Në shtigje të gjata, arma më e mprehtë nga të gjitha është shpirtmirësia dhe ndjeshmëria.
  • Kujto të gjitha bukuritë rreth teje dhe bëhu i lumtur.
Ditëlinda e 10-të e Anne Frank. E dyta nga e majta.
  • Fati meritohet duke bërë vepra të mira dhe duke punuar, duke mos spekuluar dhe duke mos qenë i mërzitshëm e i bezdisshëm.
  • Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi. Njerëzit janë vetëm njerëz dhe të gjithë njerëzit kanë mangësi dhe veti, por të gjithë ne lindim të mirë.
  • Mund të jesh i vetmuar madje edhe atëherë kur shumë njerëz të duan, nëse për askënd nuk je një dhe i vetëm.
  • Të gjithë jetojmë me dëshirë që të jemi fatlum dhe të lumtur. Jetët tona janë të ndryshme, por përsëri të njëjta.
  • Thellë në vetvete, të rinjtë janë më të vetmuar se të moshuarit.
  • Pse disa njerëz duhet të durojnë urie, përderisa ne viset tjera të botës ka tepricë? Oh, pse njerëzit janë ashtu të çmendur.
  • Nuk dua të jetoj kot, si shumica e njerëzve. Dua të jem e dobishme dhe t’u sjellë kënaqësi të gjithë njerëzve, madje edhe atyre të cilët kurrë nuk i kam njohur. Dua të vazhdoj të jetoj edhe pas vdekjes.
Dhoma e gjumit e Anne Frank
  • Kam kuptuar se bukuria gjithmonë diku ekziston-në natyrë, në rrezet e Diellit, në liri, në ty; e gjithë kjo mund të të ndihmojë.
  • Prindërit mund të japin këshillë të mirë ose ta orientojnë fëmijën në rrugë të drejtë, por përfundimisht formimi i karakterit të ndokujt qëndron në duart e tij.
  • Është vetëm një rregull që duhet mbajtur në mend: qeshu për gjithçka dhe harro të gjitha të tjerat! Tingëllon shumë egoiste, por ky është ilaçi i vetëm kundër vetëkeqardhjes (dëshpërimit).
  • Megjithëse jam 14 vjeçe, e di mjaft mirë se çfarë dua, e di çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara.
  • Kam opinionet e mia, idetë e mia dhe parimet e mia, dhe megjithëse mund të duket çmenduri për një adoleshente, ndihem më shumë person se sa fëmijë, ndihem më e pavarur se çdokush.
  • Secili që është i lumtur do ti bëjë edhe të tjerët të lumtur.
  • Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë.
  • Nuk e mendoj kurrë mjerimin, por bukurinë që ka ngelur ende. /KultPlus.com

Pantera e zezë

Nga: Visar Zhiti

Është e trishtë dhe e rrezikshme gjëndja, kur e mendon përmirësimin jo nga drejtësia dhe dashuria, nga morali, ndërgjegjia kombëtare, etj, por nga vdekja dhe urrejtja, nga vdekja e dikatorit, e vejushës së tij, e bashkëpunëtorëve të së keqes, etj, kur diktatura mbetet, e copëzuar, në mendësi, në veprime, në biseda, në qeverisje deri dhe në të ngazëllyerit në nekromani, duke harruar frymën e së keqes, kutërbimin kalbëzues të gjendjes. Mos jemi popull me kujtesë të gjymtuar, që të paktën të lexonte? Jo thjeshtë libra, por të kaluarën e vet, përsëdytjen e historisë në të tashmen ndryshe… Me interes janë bisedat e të burgosurve, përsiatjet e tyre. Gjejmë rastin dhe sjell grimca të tilla nga dy burgologjitë e mia, “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë”, të botuara 10-15 vjet më parë, për vejushën e diktatorit, për diktatorin dhe pasardhësin e tij, pra për vetë diktaturën e tyre, që pasi pllakosi mbi kryet dhe shpinat e një populli, pasi ra, u rrokullis dhe u shkri me gjithë aciditetin e saj në mendësinë kolektive, që siç thoshin në burg, nga P.P.SH. u bë ADN e së keqes.

1.
Ne dimë dhe ç’do të ndodhë, pse do të sundojë pas Enverit ai, Ramizi. Është dhe çështje grash. E shoqja e diktatorit, Nexhmija, e do Ramizin e ky patjetër duhej të mbetej vejan. Po Mehmet Shehu i tmerrshëm? Ai jo, kthen ai, ka kokë më vete, vjen ca si perëndimor. Po Enveri pse nuk do që ta vrasë Ramizin, për meritë të këtij të fundit, do të dijë ai të jetë dhelparak e ka për të mbijetuar, apo sepse është aq qullac sa s’ia vlen ta vrasësh? Të dyja. Që, duke mos pasur zotësinë e mjaftueshme për të sunduar, njerëzit do t’i marrë malli menjëherë për Enverin dhe do të kërkojnë hijen e tij, që t’i udhëheqë. Të shoqen? Panterën e zezë, siç e quajnë në burg? Të shohim, është ende shpejt.
2.
Rruga është e hapur për Ramiz Alinë. Që s’është i zoti për të qenë diktator. As liberal e reformator. Ky u duhet njerëzve të Enverit si pasardhës, që ta tërheqin prej hunde, e ndërkohë populli të zhuritet nga malli për madhështinë e Enverit. Gruaja e diktatorit, Pantera e Zezë, do të udhëheqë postmortum si tani. Enver Hoxha ka mbi 15 vjet që nuk është në gjendje. I sëmurë është dhe nga trutë. Dhe të burgosurit vazhdonin të rrëfenin se Mehmet Shehu vrau veten me 2–3 plumba kokës me revolen e Enver Hoxhës. Kanë arrestuar dhe të shoqen e kryeministrit, drejtoreshë e Shkollës së Partisë. Dhe dy djemtë ia kanë arrestuar, i treti vrau veten. Kush, më i vogli? Jo, jo. Jo ai shkrimtari. Do t’ia ndalojnë librin dhe atij. Nuk i sjellin këtu ata. Do t’i izolojnë, s’dihet se ku, e do t’i helmojnë.
3.
Rreshtat s’mbaronin, zgjateshin e zgjateshin si një gjarpër i madh, vinin nga të gjitha vendet, nga fabrikat dhe repartet ushtarake, nga universiteti, spitalet, çmendinat, akademia, Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, kooperativat bujqësore, i sillnin me autobusë, trena, me makina të rastit, zjarrfikëse, ambulanca, autoburg, më këmbë, me kuaj, me vig, nga shpellat, nga gërxhet, tunelet, llogoret, bunkerët, qanin me kuje, spikeri i televizionit, komandanti i burgut, kurajë, dhembjen ta kthejmë në forcë, siç porosiste Enveri. Partinë na e la të pastër dhe të fortë. Ngaqë iku vetë. Ta bëjmë Shqipërinë siç e donte Enveri. Foli dhe Pantera e Zezë, vejusha tashembrapa
e diktatorit, e mban veten, e zonja ajo, sa i shkon zia, po Ramiz Alia endet si zot shtëpie, kot e ka që e trash zërin, sa frikë ka nga arkëmorti, mortja atij, nuk shikon dot andej…
4.
– Po sikur dhe ju, edhe pse të burgosur, tanët jeni, – po na thoshte një uniformë oficeri, – t’i bëni një letër Enverit?
– Po ai s’është, – thanë ca nga ne.
– Jo, t’ia dërgoni vejushës së tij, Partisë, njerëzore është, njerëz jeni dhe ju, t’i shprehni ngushëllimet….
– Që jemi në burg, që po riedukohemi me mësimet e tij? Operativi, komisari, policë të tjerë po prisnin në këmbë miratimin. Rreshtat tanë heshtnin.
– Hë, fol ti. Ç’thua? – iu drejtuan më plakut.
– As dëgjoj nga veshët, – u tulat ai, – as shoh nga sytë. As në shtëpinë time nuk çoj më letra.
– Je apo s’je dakord?
– S’flas dot, s’kam dhëmbë të mitë, janë të shtetit e më kanë vrarë.
– Po ti ç’thua, – iu drejtua operativi një të gjati të zymtë.
– Kam 21 vjet që ha këtë gjellë burgu, – u përgjigj. – Po ti, i dënuar?…
– Jam i dënuar, s’di gjë.
– Po ti?
– Kur më vdiq baba, unë s’mora ngushëllime as nga Ramiz Alia as nga Komiteti Qendror, as nga Nexhmija e Enverit, prandaj s’kam si i prish zakonet, s’mund t’u çoj unë… S’jemi të një sëre. – Mjaft! Ju jeni armiq të pandreqshëm, s’keni ndjenja. Njëri thotë s’dëgjoj e s’flas dot, kur dëgjon ç’i thamë e përgjigjet… Kush qeshi? Shpejt në birucë! Këtu do të ngordhni, – ulëriu komisari
5.
Diktator është edhe ai, i vërtetë, tamam. I jep porosi Pantera e Zezë që të bëjë sikur diku po e zbut dhe diku tjetër, si gjakatar, ta forcojë. Ja, nuk po dënojnë më, hëpërhë ndoshta, për agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit, por po i vrasin ata që kapin në kufi, kur me ligj s’po e quajnë më tradhti ndaj atdheut, por shkelje pa leje të kufirit. I tërheqin zvarrë.
6.
Dhe në vendin e tij sollën një atentator, që, sipas akuzës, donte të vriste Ramiz Alinë. “E sheh? – duan t’i thonë zëvendësdiktatorit. – Armiku i brendshëm, i lidhur me atë të jashtmin, vepron.” Dhe Pantera e Zezë ia mpreh dhëmbë e kthetra e thonj bashkëluftëtarit të Enverit. Absolutisht të mos zbutet gjendja – Ke të drejtë. Ramiz Alia kërkon t’i mbushë mendjen Ramiz Alisë se Shqipëria ka nevojë prapë për diktator e diktaturë. Dhe burgjet të hapen, jo për të nxjerrë, por për të futur. /KultPlus.com

Klosi: Parku Kombëtar i Qafështamës, potencial për zhvillimin e guidave të sporteve në turizëm

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një takim me studentët e Masterit Profesional për Menaxhim të Sporteve në Turizëm, të Universitetit të Sporteve, Tiranë, të cilët po kryenin praktikën mësimore në ambientet Shkreli Resort, në zemër të Parkut Kombëtar Qafështamë.

“Bëhet fjalë për të rinj dhe të reja të specializuara për të bëjnë guida profesionale për tipe të ndryshme në turizmin tonë. Dhe kur këto vijnë nga Fakulteti i Sporteve padyshim që janë shumë të kërkuara dhe ky treg i ri që është hapur në Shqipëri treg i ri i shoqërimit, të tregimit të natyrës së vendit tonë edhe i sporteve të aventurës është realisht nga më të kërkuarit. Ne si ministri në bashkëpunim me operatorët turistik gjithmonë kemi shumë kërkesa për profesionin tuaj. Njerëz që dinë se çfarë është Shqipëria, dinë ta tregojnë Shqipërinë ashtu siç duhet, dinë të shoqërojnë në ambiente të ndryshme dhe në zona të caktuara si kjo e Qafështamës, turistët e huaj”, u tha ministri Klosi studentëve të këtij masteri.

Ata kërkuan një takim dhe prezantim me operatorët turistik të vendit, pasi dhe disa muaj dhe ata janë gati për të hyrë në tregun e punës. Diploma e studentëve të kësaj dege, është e njehsuar dhe njihet në Shqipëri dhe vendet e Rajonit. Në Parkun Kombëtar të Qafështamës mund të ushtrohen shumë mirë sportet e natyrës, sic janë ecje nëpër shtigjet e hapura enkas, hiking, çiklizëm, ngjitje në majat përreth, kamping dhe ski.

“Është një nga ato sfidat që ka Shqipëria dhe një nga ato politika që merret institucioni ynë që ta afrojmë turizmin me shqiptarët. Në flasim shumë për turizmin për miliona turistë që i ofrohen Shqipërisë, miliona turistë që kanë qenë vitet e fundit, rreth 7 milionë turistë pritet që të vijnë këtë vit, por ne na duhet ta promovojnë shumë më tepër për qytetarët shqiptarë. Pra, që ta njohin dhe ata shumë më tepër Shqipërinë dhe të ndihmojnë kaq shumë investime që po bëjnë në turizëm. Prandaj ajo që tha dhe profesori është që na duhet që përveçse të dine, të ketë edhe argëtim, të kenë arsye përse të qëndrojnë në një pikë kaq të bukur si Qafështama. Pra të bëjnë ecje në natyrë, ecje në bukuritë e kësaj zone, të njihen me aktivitete të ndryshme dhe pastaj të bëhet një komunikim më shumë për sa i përket kësaj hapësire”, tha ministri Klosi. Në fund të takimit ministri Klosi u dorëzoi administratorëve të “Shkreli Resort” certifikatën e kategorizimit, si resort në fushën e agroturizmit.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”. Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafështamës që ka një frekuentim gjithëvjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966. Ajo gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik. / atsh / KultPlus.com

Zvicra vendi më i shtrenjtë në botë, Kosova e 124-ta

Zvicra është zyrtarisht vendi më i shtrenjtë në botë për të jetuar, thuhet në një raport të revistës CEOWORLD.

Pas saj renditet Norvegjia, e pasuar nga: Islanda, Japonia, Danimarka, Bahamas, Luksemburgu, Izraeli, Singapori dhe Koreja e Jugut.

Revista CEOWORLD e bazon vlerësimin e saj në disa shpenzime për jetesën, përfshirë: strehimin, veshmbathjen, ushqimet, internetin, transportin dhe ngrënien jashtë.

Këto të dhëna pastaj futen në një indeks, duke përdorur Nju Jorkun – qytetin më të shtrenjtë në botë – si pikë reference.

Nju Jorku ka 100 pikë në indeks.

Rrjedhimisht, një vend me më shumë se 100 pikë është më i kushtueshëm se Nju Jorku, ndërsa me më pak sinjalizon se është më i lirë.

Në listën prej 132 vendesh, Kosova renditet e 124-ta.

Sipas kësaj liste, vendet më të përballueshme për jetesë janë: Pakistani, Afganistani, India, Siria, Uzbekistani, Kirgizia dhe Tunizia/REL / KultPlus.com

Pianoja e pavdekshme kërkon një blerës

Pas dekadash e fshehur nga syri i njerëzve, një piano me një histori aq të mrekullueshme sa edhe skulpturat që e zbukurojnë atë, është gati të rishfaqet në Izrael, ku mund të shitet në ankand këtë javë për më shumë se një milion dollarë.

Nga një pallat italian deri në Lindjen e Mesme, duke kaluar përmes Parisit dhe Nju Jorkut, pianoja e ashtuquajtur “Nga Siena”, udhëtoi nëpër kontinente, përpara se të përfundonte në veri të Izraelit, në duart e një koleksionisti.

“Kjo piano prej druri të errët, tingulli i lehtë i së cilës është si piano dhe klaviçembolo, është e mbuluar me skulptura kerubinësh, kafshësh, lulesh dhe instrumentesh muzikore duke e bërë atë një kryevepër pamore të vërtetë”, tha Moshe Porat, një akordues izraelit, që ka bërë kërkime për instrumentin.

Sipas Winner’s, Sebastian Marchisio, projektuesi i klaviçembolos, e filloi prodhimin e instrumentit në vitin 1799 në Torino, Itali.

Marchisio vdiq para se ta mbaronte këtë punë dhe ia la si detyrë pasardhësve të tij.

Pas një ndalese në Paris, për ekspozitën universale të vitit 1867, pianoja iu ofrua princit italian Humbert I, përpara se të përfundonte në duart e nazistëve, në rrethana mbeten të paqarta.

Instrumenti u rishfaq gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas betejës së El Alamein, në Egjipt.

Forcat britanike, që fituan betejën, e gjetën pianon në një kuti dërrase të zhytur në rërën e shkretëtirës.

Më pas, instrumenti kaloi në duart e një tregtari izraelit dhe më pas në ato të akorduesit Avner Carmi.

Ky i fundit, shkoi për të librin “Pianoja e Pavdekshme”, për të gjurmuar historinë e saj.

Winner’s njoftoi se instrumenti pritet të arrijë një vlerë shitjeje midis 1,5 dhe dy milionë dollarëve, këtë javë. /KultPlus.com

89 vjet më parë SHBA-ja u bë me himn kombëtar

Më 3 mars të vitit 1931 një akt i Kongresit shpalli këngën “The Star Spangled Banner” himn kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Kënga ishte tepër e dëgjuar për shumë dekada me radhë para se të merrte këtë status. Teksti i saj ishte shkruar nga Francis Scott Key gjatë luftës së vitit 1812 gjatë bombardimeve britanike të kështjellës Fort McHenry në Baltimorë të shtetit Maryland.

Autori i tekstit ishte vete dëshmitar i bombardimeve. Mëngjesin pas sulmit Key u frymëzua kur pa flamurin me 15 yje të valëvitej ende mbi fortesë.

Flamuri tregonte se fortesa nuk ishte dorëzuar dhe se ishte e gatshme të vazhdonte qëndresën. Flota britanike më pas u largua duke i dhënë kështu fund rrezikut për Baltimorën, përcjell ksp.

Fjalët e poemës së Key u kombinuan më vonë me muzikën e një kënge britanike që ishte shumë e dëgjuar më Shtetet e Bashkuara duke krijuar kështu atë që tani është himni kombëtar amerikan. / KultPlus.com

Dua Lipa lanson koleksionin e ri për “Pepe Jeans” (FOTO)

Dua Lipa ka një bashkëpunim të suksesshëm me markën e njohur të veshjeve “Pepe Jeans”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, këngëtarja me prejardhje shqiptare, Dua Lipa ka lajmëruar për lansimin e koleksionit të ri “pranverë/verë 2020”.

Ajo ka ndarë me ndjekësit e saj disa fotografi nga fushata reklamuese si dhe një video reklamuese.

Ky bashkëpunim mes Dua Lipës dhe “Pepe Jeans” ka qenë shumë i suksesshëm qysh në fillim dhe po vazhdon të mbajë këtë ritëm.

https://www.instagram.com/p/B9Q5au1h40j/

Koleksionet e kaluara #DUAFORPEPE përmbanin veshje më glamuroze dhe për mbrëmje, ndërsa koleksioni i ri përbëhet më shumë nga bluza, pantallona dhe fustane me ngjyra të lehta, të përshtatshme për veshje ditore dhe për stinët e pranverës dhe verës.

Koleksioni tashmë ka dalë në shitje, dhe gjithë të interesuarit mund t’i bëjnë porositë e tyre.

Ky është vetëm njëri nga bashkëpunimet e suksesshme që Lipa ka me marka të njohura botërore, madje ajo po cilësohet edhe si ikonë e modës. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B9Q4vWVBv1v/

8 vjet nga vdekja e piktorit të shquar shqiptar, Sotir Capo

Sotir Capo ka qenë piktor i shquar shqiptar, i cili u nderua me titullin “Artist i merituar”, shkruan KultPlus.

Lindi në qyetin e Beratit në qershor të vitit 1934, ku edhe i mori mësimet e para për të vazhduar studimet në Tiranë pranë Institutit të Lartë të Arteve.

Punoi si skenograf dhe mësues vizatimi, në shkollat tetëvjeçare të Beratit.

Capo është shquar si njëri nga portretistët më të njohur të Shqipërisë. Ai ka punuar portrete të figurave të shquara kombëtare, po ashtu punimet e tij janë zhgjedhur për të qëndruar në hapësirat e institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Pikturat e Capos janë vlerësuar nga shumë kritikë brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare.

Në vitin 1979 Capo mori titullin e lartë “Artist i merituar”.

Sotir Capo vdiq në po këtë datë, më 3 mars të vitit 2012 në Filadelfia. /KultPlus.com

Kjo pranverë

Poezi nga Erina Çoku

Kjo pranverë e marrë,
e ethshme,
mërmëritej që në dimër,
po vij, po vij, po vij.
Toka lëvizte
dhe përrenjtë e rinj të dritës
binin mbi lëkurë,
të ngrohtë,
të lëmuar,
të heshtur.

Kjo pranverë e epshme
që po vjen,
hijet shkul prej trupi
pa dhembje.
Gjaku i lehtë
rrjedh prej plagës së lëngët
në damarë,
e kuqe e fshehtë,
dalldisëse.

Kjo pranverë e dashur,
që duam të jetë e dashur
trupit gulfohet
e shpirtit shpërthen.
Rrjedhat e saj nën lëkurë
këndojnë,
harro, harro, harro.

Kjo pranverë e re
me kujtesë të re,
tundim i ëmbël
e ujë në syth,
i ka hyrë trupit
gjer në shpirt.

Përhapja e Koronavirusit, Greqia mbyll 28 shkolla

Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ministria e Arsimit në Greqi ka vendosur të mbyllë shkollat në Athinë dhe Selanik.

Në të gjithë vendin, autoritetet kanë vendosur mbylljen ose pezullimin të 28 institucioneve arsimore. Po ashtu me vendim të ministrisë janë pezulluar edhe të gjitha udhëtimet shkollore të organizuara jashtë vendit, të paktën deri në 13 mars.

Pas vlerësimeve të fundit të rrezikut nga Agjencia Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vlerësohet se rreziku i shpërthimit të COVID-19 në Greqi është i moderuar deri i lartë.

Duke marrë parasysh sa më sipër, Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Shëndetit Publik kundër koronavirusit COVID-19 rekomandoi pezullimin e shkollave që kanë grupe studentësh që janë kthyer nga udhëtimet e organizuara shkollore në zona me sëmundje të transmetueshme në Itali ose që mund të kenë pasur kontakt me persona të konfirmuara të koronavirusit. / KultPlus.com

Nga 5 marsi në Cineplexx do të fillojnë të shfaqen 4 super-filma të ndryshëm

Nga 5 marsi, në Cineplexx do të fillojnë të shfaqen 4 premiera të ndryshme botërore.

Nga data 5 mars, në Cineplexx do të keni mundësi t’i shihni disa nga premierat më të fundit botërore. Filmi më i pritur i kësaj jave është super-horrori The Invisible Man, i cili filloi shfaqjen këtë fundjavë në Amerikë, dhe u shënua si filmi me arkëtimet më të mëdha gjatë vikendit, me një notë perfekte nga kritikët dhe shikuesit, që e quajtën “Filmin e parë horror të vitit 2020 që nuk bën ta humbni”.

Katër filmat që do të fillojnë të shfaqen këtë javë janë:


1) The Invisible Man

Kur ish i dashuri abuzues i Cecilias vetëvritet dhe i lë asaj të gjithë pasurinë e tij, ajo nis të dyshojë se vdekja e tij është një rreng. Ndodhi të rastësishme e vdekjeprurëse bëjnë që Cecilia të përpiqet të provojë se ajo po përndiqet nga një person që askush nuk mund ta shikojë. Filmi vjen nën regjinë e Leigh Whannell, ndërsa në rol kryesor Elisabeth Moss.

2) The Way Back

Një ish-lojtari fenomenal basketbolli, në luftë të vazhdushme me alkoolizimin, i ofrohet një punë si trajner në shkollën ku ai ka studiuar. Teksa ekipi fillon të fitojë, atij i duhet të luftojë me demonët e tij të vjetër. Filmi vjen në regjinë e Gavin O’Connor, dhe me rol kryesor Ben Affleck.

3) Brahms: The Boy 2

Filmi flet për një familje e cila pasi zhvendoset në Rezidencën Heelshire, vërejnë që djali i tyre shumë shpejt miqësohet me një kukull të gjallë të quajtur Brahms. Miqësia me të del të jetë e rrezikshme për familjarët. Ky është filmi i dytë i zhanrit horror që do ta ketë premierën këtë javë në Cineplexx.

4) Onward

Të vendosur në një botë të fantazuar periferike, dy vëllezër adoleshentë elfë nisen në një mision për të zbuluar nëse ende ka magji nëpër botë. Një tjetër film i animuar që vjen si bashkëpunim i Disney dhe Pixar Animation Studio.

Për të gjithë ata që dëshirojnë të përfitojnë nga ofertat e ndryshme, Cineplexx në bashkëpunim me Raiffeisen Bank Kosova sjell një super ofertë për biletat që blihen në Cineplexx. Për çdo biletë që paguani me Gold dhe Bonus Cards, ju mund ta merrni 1 tjetër FALAS.

Biletat për këta filma mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx. Më shumë informata rreth filmave mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx. (lidheni me kete link: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/)

3 marsi, Dita Botërore e Shkrimtarëve

3 marsi është shpallur Dita Botërore e Shkrimtarëve dhe festohet çdo vit, që prej vitit 1986.

Dita Botërore e Shkrimtarëve është themeluar nga Kongresi ndërkombëtar i PEN Club, një shoqatë në gjithë botën e shkrimtarëve të themeluar në Londër në vitin 1921, për të promovuar miqësinë dhe mbështetjen intelektuale në mesin e shkrimtarëve nga të gjitha anët e botës. 

Emri për organizimin u krijua nga letra e parë të fjalëve “poetëve, eseistë dhe romancierëve”, por në të vërtetë ajo përfshin shkrimtarë të të gjitha formave të letërsisë, duke përfshirë gazetarët dhe historianët. Ideja për të krijuar organizatë të tillë i takon shkrimtarit anglez C.A. Daëson Scott dhe presidenti i saj i parë ishte John Galsëorthy. Në ditët e sotme PEN Club International ka qendrat e saj në mbi 130 vende.

PEN Club International është organizata më e vjetër globale letrare që thekson rolin e letërsisë në zhvillimin e kulturës botërore, duke luftuar për lirinë e shprehjes. Gjithashtu festohet edhe 23 prilli, Dita Botërore e Shkrimtarëve, Dita Botërore e Poezisë etj. / KultPlus.com

Këngëtari shqiptar, kandidat për të përfaqësuar Zvicrën në Eurovision

Përfaqësuesi i Zvicrës në Eurovision 2020 do të jetë artisti shqiptar me banim atje, Gjon Muharremi. Kënga titullohet “Repondez-moi” (Përgjigjmu mua) dhe interpretuesi është Gjon’s Tears.

Thuhet se autoritetet nga Zvicra do të njoftojë për përfaqësuesin e saj për në Eurovision 2020, më 4 mars. Transmetuesi SRF ka dhënë të dhëna për artistin dhe këngën, por tani tifozët e Eurovision-it kanë bërë disa gërmime dhe kanë zbuluar edhe një emër të mundshëm si përfaqësues të Zvicrës në Eurovision. Bëhet fjalë për artistin shqiptar, Gjon Muharremi.

Fansat kanë zbuluar një këngë të shtuar rishtas në listë dhe në bazën e të dhënave që regjistron kompozime nga kantautorë zviceranë. Kënga titullohet “Repondez-moi” (Përgjigjmu mua) dhe interpretuesi është Gjon’s Tears.

Vlen të theksohet se Gjon’s Tears është emri skenik i Gjon Muharremit. Ai gjithashtu interpreton në një grup me të njëjtin emër. Gjon është i lindur në Zvicër me një baba kosovar dhe nënë shqiptare.

Ai njihet në Shqiptari sidomos për paraqitjen e tij në ‘Albania’s Got Talent’ në vitin 2010 dhe së fundmi ai bëri emër në Francë vitin e kaluar duke u shfaqur në “The Voice”, shkruan kultplus.

Titulli i këngës së Gjonit, që po pretendohet për në Eurovision, është një frazë frënge “Repondez-moi” ose “Përgjigjmu mua”.

Ndërsa Shqipërinë në Eurovision, këtë vit do ta përfaqësojë Arilena Ara me këngën “Shaj”, të cilën do ta interpretojë në gjuhën angleze. /Albinfo.ch /KultPlus.com

Trashëgimia e Ulay, ikonës së artit konceptual

Frank Uve Lajsipen, i njohur si Ulay, njëri ndër pionierët e performansit artistik, ka vdekur në moshën 76 vjeçare, në Lubjanë, pas një sëmundjeje të rëndë.

Ai kishte eksperimentuar në sfera të ndryshme të artit vizual duke e përdorur polaroidin e tij të mirënjohur dhe duke insistuar në pjesëmarrjen e publikut gjatë performansave të tij.

Holandezi ishte partner shumëvjeçar intim dhe artistik i artistes së njohur Marina Abramovic, me të cilën kishin realizuar projekte të përbashkëta ku i sfidonin kufijtë e durueshmërisë njerëzore, prej vitit 1976 deri më 1988. / Klan Kosova / KultPlus.com

Ulaj dhe Abramovic ishin ndarë në vitin 1988 mbas performansit në Murin Kinez, pasi i kishin kaluar më shumë se 2.500 kilometra duke ecur drejt njëri-tjetrit nga këndet e kundërta. Punën e tyre të përbashkët e kishin dokumentuar në veprat “Relations Works”.

https://youtu.be/zaso0j9x098

Sërish ishin takuar gjatë performansit të saj “The Artist is Present”, në Muzeun e Artit Modern (MoMA), në New York, kur Ulay ishte shfaqur në galeri dhe ishte ulur para saj në tavolinë. Marina Abramovicit i ishin mbushur sytë me lot.

https://youtu.be/OS0Tg0IjCp4

Ajo ka deklaruar për të: “Ai ishte i jashtëzakonshëm si artist dhe si qenie njerëzore”.

Në vitin 2009, Ulay ishte zhvendosur nga Amsterdami në Lubjanë, ku edhe ka vdekur sot.

Aristoteli: Fatkeqësitë tregojnë se kush janë shokët e vërtetë

Aristoteli, një nga filozofët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Jetoi shumë kohë në Athinë, ku u edukua dhe mori mësimet e para të filozofisë në shkollën e filozofit të madh grek Platonit, shkruan KultPlus.com

Aristoteli gjithashtu ishte mësues i Aleksandrit të Madh. KultPlus ka përzgjedhur disa nga thëniet më të mira të thëna nga ai.

1.Ne jemi ajo çfarë bëjmë në mënyrë të përsëritur; shkëlqesia, pra, nuk është një akt, por një shprehi

2.Fatkëqesitë tregojnë se kush janë shokët e vërtetë

3.Dashuria është e përbërë nga një shpirt që jeton në dy trupa

4.Atij që si bënë dobi dituria, ai nuk është i mbrojtur nga dëmi i paditurisë

5.Të duash do të thotë të ngazëllehesh, ndërsa besojmë se mund të ngazëllehemi vetëm kur të na duan

6.Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës

7.Të gjithë njerëzit nga natyra dëshirojë dituri, por a punojnë për të?

“Heshtje e rëndë” e Burim Gashit shpërtheu pas 20 viteve, skulpturat e tij reflektojnë dhimbjen e luftës

Qendrim Badalli

Lufta e ka zënë pak mbi moshën 25 vjeçare, por traumat e përjetuara nga ajo periudhë, tek sonte kanë ardhë nga shpirti artistik i Burim Gashit, i cili nëpërmjet skulpturave nga çeliku, duke përdorë edhe pëlhurë e barishta ka shprehë trishtimin e asaj kohe.

Skulpturat e tij kishin zënë vend në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, dhe të pranishmit po merrnin artin e Gashit, por të njëjtën kohë, ata që kishin përjetuar luftën po reflektonin me kohën. 

Edhe ngjyra e këtyre skulpturave përkonte me kohën e para njëzet viteve, që Burim Gashi i ka sjell me mjeshtërinë e tij, për ti prezantuar para një numri të madh të mysafirëve.

Dhe pikërisht duke iu referuar moshës të Burimit, atëherë kur ishte dashur të shpërfaqte talentin e tij por një gjë e tillë ishte penguar nga lufta, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, njëherit nikoqire e kësaj mbrëmje ka potencuar se po Burimi i takon asaj gjenerate që ka qenë paksa e heshtur, gjeneratës së viteve të jo të lehta.

“Nuk ka pasur rastin ta zhvillojë artin e vet në fillet e karrierës, por tani shkëlqeu”, ka thënë Agani, e cila ka potencuar faktin tjetër se edhe përkundër asaj se Burim Gashi është zyrtar në Ministrinë e Arsimit, ai kurrë nuk e la anash artin e tij dhe skulpturat fantastike që i ka.

Kurse kuratorja e kësaj ekspozite, gjermania Many Gransch, duke pas parasysh se ky popull ka përjetuar luftën, që për pikënisje ka kjo ekspozitë, ajo tregoi se është me fat se nuk ka përjetuar një gjë të tillë.

Por fat e konsideroi punën me Burimin, që i mundësoi të jetë pjesë e këtij projekti.

“Falënderoj Burim Gashin për hapësirën e dhënë, dhe që ka ndarë me mua idetë e tij dhe për të gjitha përpjekjet dhe punën që ka bërë në këtë ekspozitë”, tha ajo para të pranishmëve.

“Siç e thotë edhe titulli i ekspozitë ‘heshtje e rënd’, tema për këtë ekspozitë është mjaftë e rëndë. Burimi ia ka dedikuar këtë ekspozitë viktimave të luftës, njerëzve të zhdukur, familjarëve të tyre të cilët po kërkojnë përgjigje”, tha ajo para të pranishmëve për këtë ekspozitë të dhimbjes e vuajtjes së popullit shqiptar.

 Kurse artisti që kishte heshtë për këtë vuajtje për 20 vjet, edhe në këtë mbrëmje nuk foli shumë, duke lënë hapësirë më shumë për punën e tij artistike.

“Jam munduar që përmes artit tim të protestoj, dhe besoj se këtë do ta përjetoni edhe ju pasi të hyni brenda ”, ka thënë Gashi, i cili edhe veshjen e kishte kombinuar me ngjyrat e skulpturave të tij, ku në secilën prej tyre reflektonte dhimbjen e madhe të popullit shqiptar. /KultPlus.com

Kamenica dhe vlerat e saj historike e kulturore

Kamenica ka mundësi të mira për të zhvilluar turizmin, veçanërisht rajoni i Anamoravës ka kapacitete të mëdha turistike me bukuritȅ e saj natyrore dhe me trashëgimi të pasur kulturore.

Photo/Ilustrim/Kamenica

Qyteza e Kamenicës dhe zona që e rrethon ka potenciale të konsideueshme për të qenë një destinacion turistik me mundësi të mira për turizëm veror dhe dimëror. Pozita e saj e mirë bën që të jetë tërheqëse për turistët, me shumë vende interesante të ndërtuara nga vetë natyra dhe ato nga dora e njeriut, shkruan albinfo.ch.

Kamenica është e pasur edhe me komplekse të bukura malore, atraktive dhe me natyrë të bukur. Ato që e bëjnë të veçantë në këtë aspekt janë: Mali KIKA, një ndër majat më të larta të maleve me pamje magjepsëse dhe tërheqëse për vizitorë, pastaj pejsazhe të natyrës me theks të veçantë Gryka e Gjyrishecit dhe monumenti karakteristik natyror, Guri i Madh.

Pamje nga maja e malit Kika, me një lartësi prej 1147 m

Meqë fusha e Anamoravës ka potenciale turistike, edhe qyteza e Kamenicës apo ndryshe e quajtur edhe qyteza e Dardanës, si pjesë përbërëse e saj ka vende tërheqëse, shkruan albinfo.ch.

Kamenica ka kapacitete edhe për alpinizëm, për të zhvilluar aktivitete të shumta në këto vise malore.

   Guri i madh, Monument natyre

Ky është një prej Monumenteve më karakteristik natyror në Busavatë të Kamenicës dhe quhet Guri i Madh, e ilusturar në foton më lart.

Bukuritë e këtij regjioni janë të shumta. Po ashtu është i pasur edhe burime të shumta hidrografike dhe që njëherësh imponohen me pamjen e tyre të bukur. Njëra ndër to është edhe Ujëvara” Qurreli”, e cila gjendet në fshatin Hogosht të Kamenicës, për të cilën albinfo.ch ka shkruar ditë më parë.

Trashȅgimia kulturore nȅ Kamenicë

Kamenica paraqet një thesar të pasur të trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore të periudhave të ndryshme historike. Arkitektura e kullave tradicionale, e xhamive, më pas dizajni i odave, artizanateve, bëjnë që veçoritë dhe karakteristikat e tyre të dallohen për nga shumëllojshmëria e cilësive, vlerave dhe rëndësisë së tyre historike.

Kulla e Kadri Zekës

Një ndër kullat më të vizituara në Kamenicë është ajo e Kadri Zekes, e cila ka njȅ arkitekturë të pasur si nga jashtë ashtu edhe brenda saj. Kjo kullë gjendet në fshatin Poliqkë, apo siç e quajnë edhe ndryshe, Fushëmali, vendbanim i cili shtrihet rreth 30 km në verilindje të Kamenicës. Në këtë fshat u vendosën shumë familje të cilat u dëbuan nga Sanxhaku i Nishit pas viti 1877/78, shkruan albinfo.ch.

              Pamje e shtëpisë muze “Kadri Zeka”

Ndryshimet që ka pësuar objekti vërehen në materialin e përdorur për ndërtim, po edhe për pamjen patjetër. Materiali kryesisht është gurë i gdhendur, nga jashtë me fuga që duken me shije, ndërsa në vend të hatullave dhe shtyllave vertikale janë të vendosura prej druri.

Kjo kullë ishte e veprimtarit dhe publicistit Kadri Zeka, i cili kishte rënë dëshmor në luftën për të mbrojtur atdheun. Ky vend ka një arkitekturë tradicionale të shtëpive të shek XX.

           Pamje brenda odësë së Kadri Zekës

Kulla “Kadri Zeka” është bërë muze pë vizitorët në vitin 2010. Kjo kullë është meremetuar pasi që kishte pasur disa dëmtime brenda. Në këtë shtëpi – kullë, ka edhe DVD, përmes të cilave vizitorët mund të dëgjojnë Kadri Zekën se si fliste, përkatësisht oratorinë e tij. Kjo Shtëpi-muze ja vlen të vizitohet dhe të mësohet nga afër një copëz historie e begatë e atdhetarit të devotshëm Kadri Zeka.

Muzeu historik-arkeologjik

Ky muze historik meriton një vizitë të hollësishme, sepse është i pasur me shumë vlera të trashëgimisë kulturore dhe artizanateve të ndryshme që e shquajn këtë vend.

Ky muze gjendet pranë Shtëpisë së Kulturës dhe ruan materiale, gurë dhe enë të cilat janë gjetur në viset ku besohet se kanë banuar paraardhësit. Bëhet fjalë për një koleksion gjetjesh të cilat kanë mundur t’i rezistojnë kohës. Muzeu nuk është i ndarë, por ka vetëm një hyrje dhe një sallë të madhe, në të cilin janë të ekspozuara gjëra të vjetra, shkruan albinfo.ch.

  Artizanatet-Veglat e trashëgimisë kulturore

Gjërat e ekspozuara janë kryesisht të shek. XX, të cilat janë përdorur në bujqësi. Gjenden edhe enë nga druri dhe bakri, të cilat në të kaluarën janë përdorur për të servuar ushqimin në tryezat rrumbullake.

Po ashtu në këtë muze organizohen edhe aktivitete të ndryshme kulturore, veçmas për festat kombëtare, duke mbajtur programe të ndryshme për ditën e flamurit dhe pavarsisë së Shqipërisë dhe Kosovës, me këng e valle dhe ekspozime të veshjeve kombëtare, shkruan albinfo.ch.

        Veshjet kombtare që janë përdorur edhe më parë në Kamenicë

Në foton më lart shihet se veshjet kombȅtare të këtij regjioni janë të veçanta për nga dukja dhe dizajni i tyre. Ngjyra e kuqe, e zezë dhe e bardhë mbizotërojnë në këto veshje, duke i bërë më të veçanta dhe të dallojnë nga veshjet e tjera.

Muzeu i Hogoshtit

Në Hogosht të Kamenicës gjendet edhe një muze i pasur me shumë vlera kulturore.

Në këtë muze janë grumbulluar enë e mjete të vjetra pune, kryesisht të viteve të 60-ta. Të gjitha gjërat antike janë grumbulluar nga banorët e fshatit. Ky muze filloi punën në vitin 2003, mirëmbahet nga vetë banorët edhe pse nuk ka shumë hapësirë të madhe për ekspozim, shkruan albinfo.ch.

       Enë, vegla dhe vegsha të trashëgimisë kulturore në Hogoshit

Eksponatet ishin nga lloje më të ndryshme të gjetjeve etnografike si dhe disa gjetjeve të pakta arkeologjike si: vegla të punës, vegla bujqësore, vegla për endje, vegsha të ndryshëm, veshje burrash e grash, etj.

Shumica prej tyre janë mjete të cilat në të kaluarën ishin përdorur për amvisëri në përgatitjen e ushqimit. Janë edhe disa vegla të cilat janë përdorur për të kryer punët në bujqësi si: lopatë prej druri për kapjen e ushqimit të kafshëve, etj.

Qilimat janë qendisur me ngjyra të lloj-llojshme kryesisht ka mbizotëruar ngjyra e kuqe dhe e zezë. Këta qilima janë përdorur si tepihë për shtëpitë e tyre.

Në mesin e shumë eksponateve, vlen të përmenden: një gur në formë të rrumbullakët, i cili është i dëmtuar, kryq prej guri, gur i vjetër mbivarrezor, mokra, peshore (kandar) i vjetër, fener, arkë nusëri, mangall prej dheu, kazan bakri, furkë (gaforkë) për konop, llambë karrabiti i xehetarëve, pjesë të vekut, zdrukth druri, parmenda, sharrë dore për shkurtimin trupave, disa lloje të qypave, mulli kafeje i punuar nga druri, qilim, libra fetarë etj. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Plisat: Ne të gjallë nuk do ta lejojmë Partizanin e Beogradit të luajë në Prishtinë

Tifo grupi “Plisat” ka reaguar pas disa lajmeve se drejtori sportiv i Klubit Futbollistik Flamurtari, Arbnor Morina, e ka ftuar Partizanin e Beogradit të luajë në Prishtinë në turneun “Fadil Vokrri”.

“Plisat” në reagimin e tyre kanë thënë se ata të gjatë nuk do ta lejojnë që klubi serb të luajë në Prishtinë. Klan Kosova / KultPlus.com

Reagimi i plotë i Plisave:

Fillon projekti i ri: Nxënësit maqedonas do të mësojnë gjuhën shqipe

Në 11 shkolla të mesme të Shkupit prej nesër fillon realizimi i projektit “Flas në gjuhën e shokut tim”, si një prej aktiviteteve kryesore të Strategjisë të Qytetit të Shkupit për integrimin ndëretnik dhe përfshirjen e qytetarëve.

Siç kumtoi Qyteti i Shkupit, në kuadër të këtij projektit do të realizohen kurse tremujore falas për mësimin e gjuhës maqedonase, shqipe dhe turke të dedikuar për nxënësit dhe mësimdhënësit gjuha amtare e së cilëve është e ndryshme prej asaj të kursit të zgjedhur.

“Duke i vizituar kurset nxënësit do të kenë mundësi të fitojnë mundësi të flasin në gjuhën në të cilën flasin bashkëmoshatarët e tyre, që do të kontribuojë për socializimin e tyre gjuhësor. Për këtë aktivitet interes kanë shprehur gjithsej 1.173 nxënës dhe 69 mësimdhënës. Prej tyre 769 nxënës (të ndarë në 20 grupet) do të zbatojnë kursin për mësimin e gjuhës maqedonase, 224 nxënës dhe 69 mësimdhënës (në 15 grupe) do ta vizitojnë kursin për gjuhën shqipe dhe 180 nxënës (në 13 grupe) do ta ndjekin kursin e gjuhës turke”, shtohet në kumtesë.

Kurset në aspektin logjistik dhe financiar do të mbështeten nga Qyteti i Shkupit, do t’i mbajnë mësimdhënësit e punësuar në shkollat e mesme ndërsa do të realizohen në shkollat “Zdravko Cvetkovski”, “Nikolla Karev”, “Vllado Tasevski”, “Arseni Jovkov”, “Dr. Pançe Karagjozov”, “Boro Petrushevski”, “Zef Lush Marku”, “Josip Broz Tito”, “Dimitar Vllahov”, “Georgi Dimitrov” dhe “Vëllezërit Milladinov”.//Zhurnal.mk / KultPlus.com

Adi Krasta, i ftuar nga Aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri

Gazetari i fashmëm shqiptar, Adi Krasta, do të jetë folësi rradhës në Teatrin Kombëtar në Shqipëri, për mbrojtjen e tij, i cili tash e një kohë është planifikuar të rrënohet, shkruan KultPlus.com

Ka qenë vet gazetari Krasta që përmes një njoftimi në Facebook e ka bërë këtë lajm të ditur.

“Me shumë gëzim kam pranuar ftesën dashamirëse të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që të bëj një prani publike në skenën e jashtëzakonshme të tij.

I’a dedikoj këtë mbrëmje të folur qytetarëve të lirë të Tiranës që hapur ose në heshtje e kanë mbështetur këtë kauze”, ka shkruar Krasta.

Sartre: “Ferri janë njerëzit e tjerë”

30 shprehje të Satrit për krizën tuaj ekzistenciale të radhës.

1- “Dua të largohem, të shkoj diku ku me të vërtetë është vendi im, ku përshtatem…por vendi im është askund, jam i padëshiruar”.

2- “Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qënit të përjetshëm”.

3- “Çdo gjë, çdo gjë do të ishte më mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje që të gërryen, por që nuk dhemb kurrë mjaftueshëm”.

4- “Ferri janë njerëzit e tjerë”.

5- “Ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi”.

6- “Çdo gjë është zbuluar përveç faktit se si jetojmë”.

7- “Çdo gjë që ekziston është lindur pa arsye, përzgjatet në gjendje të dobët dhe vdes rastësisht”.

8- “Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë”.

9- “Njeriu nuk është shumatorja e gjërave që ka, por shumatore e atyre që nuk kanë dhe atyre që mund të kishin”.

10- “Ora tre e natës është gjithnjë shumë herët ose shumë vonë për të bërë atë që ti do”.

11- “Dikush është çfarë ai do të kërkojë të jetë dhe çfarë do të bëhet”.

12- “Zoti është mungesa. Zoti është vetmia e njeriut”.

13- “Njeriu është një pasion i kotë”.

14- “Njeriu është i dënuar për të qenë i lirë, sepse sapo hidhet në botë, ai është përgjegjës për çdo gjë bën”.

Eleanor Roosevelt: “Është shumë më mirë të ndezësh një qiri se sa ta mallkosh errësirën”

“Duhet guxim për të dashuruar, por dhimbja përmes dashurisë është një zjarr pastrues gjë të cilën ata që dashurojnë në përgjithësi e dijn. Ne të gjithë njohim njerëz të cilët aq shumë frikësohen nga dhimbja sa që mbyllen brenda vetes dhe nuk japin asgjë, nuk marrin asgjë dhe në këtë mënyrë tkurren deri sa jetën e bëjnë thjeshtë një vdekje që jeton.”

“Pavarësisht se sa e thjeshtë është një femër, nëse e vërteta dhe ndershmëria janë të shkruara në fytyrën e saj, ajo do të jetë e bukur.”

“Unë besoj që secili mund ta mposht frikën duke i bërë gjërat që gjithmonë ka pasur frikë ti bëjë.”

“Është shumë më mirë të ndezësh një qiri se sa ta mallkosh errësirën.”

“Kurrë mos u mërzit dhe kurrë nuk do të bëhesh i mërzitshëm.” / KultPlus.com

Fragmente nga Ukshin Hoti

“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”

“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”

“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”

“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.”

– Ukshin Hoti

/KultPlus.com

Lotët e Niçes – trilli i kryeveprës “Kur qau Niçja”

Është tetori i vitit 1882 dhe Zhozef Brojeri, psikiatri i famshëm dyzetëvjeçar, mjek personal në Vjenë i arstistëve dhe filozofëve si Brahms, Brucke dhe Brentano, ndodhet në Kafe Sorrento në shoqërinë e një gruaje të re që nuk e njeh, por që e thirri për një “çështje urgjente” nga ku do të varet “fati i filozofisë gjermane”. Quhet Lu Salome dhe ka një bukuri të pazakontë: ballë i plotë, mjekër e skalitur, sy blu të shndritshëm, buzë sensuale dhe flokë biondë në platin.

Megjithëse bënte ftohtë, hoqi peliçen dhe duke e parë drejt e në sy i thotë se trembet për jetën e mikut të saj: Fridrih Niçes, mendimtarit gjerman i cili sipas kompozitorit Vagner i kishte dhuruar botës një vepër të pashoq.

“Shpirti i njeriut ndërtohet nëpërmjet zgjedhjeve të tij.”

Niçja pranon të kurohet nga doktor Brojeri, ama zgjedh një mënyrë krejt tjetër të trajtimit, ashtu si asnjë më parë. Vuan nga një migrenë e fortë, por që e ka burimin te stresi kronik dhe hipervigjilenca, që ia trazojnë shpirtin, por i nxisin mendjen për të shkruar ato që do të ishin më pas kryeveprat e filozofisë botërore. Niçja është i bindur se vepra e tij i përket një kohe tjetër, e në këtë mënyrë autori Irvin Yalom ka dhënë mesazhin se me të vërtetë vepra e Niçes ende nuk ka shteruar, pasi gjithmonë është temë debati në diskutimet mbi filozofinë.

“Ç’është miqësia? Dy njerëz që bëhen bashkë në kërkim të një të vërtete më të madhe.”

Dialogu imagjinar mes Zhozef Brojerit dhe Fridrih Niçes zhvillohet jo vetëm në zyrë, por edhe duke shëtitur apo duke pirë një kafe. Ata përfundojnë të bëhen pacientë të njëri-tjetrit, pasi për pikëpyetjet që ngrinin Niçja ofronte aspektin filozofik ndërsa Brojeri atë psikanalitik. Si do të ndryshonte psikanaliza nëse me të vërtetë Niçja do të pranonte të kurohej nga Brojeri dhe këta dy personalitete të viteve ‘800 do te takoheshin? Askush nuk e di, mund të bëjmë vetëm hamendësime.

“Jetoni kur ndiheni i gjallë. Vdekja e humbet tmerrin e saj kur njeriu vdes pasi e ka konsumuar jetën e tij. Vdis në kohën e duhur!”

Njohës i mirë i filozofisë, autori i librit Yalom nëpërmjet dialogjeve imagjinare mes dy personave realë si Niçja dhe Brojeri ku herë pas herë përfshihet në bisedë edhe djaloshi i ri Zigmund Frojd, zbërthen në mënyrë të thjeshtë filozofinë e Niçes mbi të vërtetën, mbi marrëdhënien tonë me tjetrin, mbi mendimet dhe veprimet, mbi gratë, mbi mënyrën se si duhet ta konceptojmë jetën dhe format me anë të së cilave duhet të kuptojmë vetveten.

Janë pafund pyetje që ngrihen në bisedat mes tyre, të cilat marrin përgjigje respektive nga filozofia dhe psikanaliza, por gjithmonë lënë një shteg për interpretimin e vetë lexuesit. Ajo që është e vërtetë, është se në fund të viteve ‘800 kur këto biseda imagjinare janë bërë, psikanaliza nuk kishte lindur ende. Niçja nuk ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e saj, por puna dhe njohja nga afër me Brojerin do të nxisnin Zigmund Frojdin që të zhvillonte psikanalizën.

“Është më e lehtë, shumë më e lehtë t’i bindesh dikujt tjetër se sa të komandosh veten.”

Në të vërtetë, Niçja për pjesën më të madhe të jetës vuajti nga një sëmundje e rëndë, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua në vitin 1889 nga sifilizi për të ndërruar jetë në vitin 1900. Mes miqve që takonte në Europë, me siguri dikush mund ta kishte bindur që të vizitohej te doktor Brojeri në Vjenë, por kurrë nuk ndodhi. Libri është ndërtuar mes letrave autentike që Vagneri i drejton Niçes dhe marrëdhënies reale që ky i fundit ka pasur me Lu Salomenë, një dashuri të parealizuar kurrë. Ashtu si edhe autori Irvin Yalom thotë në pasthënie, “Historia është trill që ka ndodhur. Trilli është histori që mund të kishte ndodhur.” / KultPlus.com