Në Kosovë krijohen maska me printer 3D për punëtorët shëndetësorë

Profesori universitar, Shaban Buza ka krijuar maska mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, të punuar me printer 3D.

“Për të ndihmuar punonjësit shëndetësorë, që janë në ballë të frontit me COVID-19 në Kosovë e Shqipëri, Prof. Dr. Shaban Buza, profesor në Universitetin e Prishtinës, mori nismën për prodhimin e një prototipi të pajisjes të emërtuar “Faceshield Mask – Second Line Protection for Hospitals” (Maska mbrojtëse e fytyrës – mbrojtja e linjës së dytë për spitale). Prototipi prodhohet në 3D Printer, bazuar në modelin e siguruar si rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetit Politeknik të Valencias nga Spanja”, ka shkruar Buza në Facebook, ku ka publikuar edhe fotot e këtyre maskave.

Ai ka shtuar se, “janë krijuar dy ekipe për këtë nismë humanitare: një në Kosovë i udhëhequr nga Shaban Buza dhe i dyti në Shqipëri i udhëhequr nga Dea Buza. Të dyja ekipet kanë prodhuar prototipin e pajisjes, dhe janë vendosur kontaktet me institucionet për të adresuar nevojat”.

Buza shton se mjekët dhe infermierët kanë nevojë sot më shumë se kurdoherë për ruajtjen e shëndetit të tyre që ta ruajnë shëndetin tonë.

“Pasi vlerësimet e para tregojnë se nevojitet një sasi e madhe e këtyre maskave, pra duhet material bazë (filament) shtesë për 3D Printer, poashtu edhe numër shtesë i 3D Printerëve. Andaj, ftojmë të gjithë vullnetmirët që të kontaktojnë udhëheqësit e ekipeve”, ka shkruar ai.

Image

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, për KOHA-n ka thënë se s’kanë ndonjë marrëveshje për këto maska.

Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media kishte deklaruar se produktet e tilla nuk janë pajisje medicinale.

“Ministria e Shëndetësisë, ndërlidhur me fillimin e prodhimit të maskave nga një biznes prodhues në komunën e Gjakovës, deklaron se produktet e tilla nuk janë pajisje medicinale (medical devices), prandaj edhe nuk kanë certifikatë që garantojnë standardet e cilësisë e të prodhimit si pajisje medicinale”, thuhej në deklaratën e MSH-së.

MSH-ja gjithashtu kishte thënë se nuk është në kompetencë të saj dhe as të njësive të saj vartëse ndërmarrja e ndonjë veprimi në raport me këtë veprimtari të subjektit prodhues.

“Çështja e subjekteve prodhuese është më tepër në përgjegjësitë e Ministrisë së Ekonomisë dhe mekanizmave mbikëqyrës e zbatues të saj. Prandaj, MSh shpreson që kjo çështje të adresohet në mënyrën adekuate në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa e cenuar afarizmin brenda kuadrit ligjor të subjektit afarist”, thotë MSH. / Koha.net / KultPlus.com

Edhe testi i dytë për koronavirus del negativ për Merkelin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dalë negative për koronavirus për herë të dytë ndërsa do t’i nënshtrohet edhe një testi në fillim të javës së ardhshme, ka thënë një zëdhënës qeverie në një komunikatë për media, raporton Reuters.

Merkeli ka qenë në vetëkarantinë dhe po punon prej shtëpisë pasi mori një vaksinë nga një mjek të premten i cili më pas doli pozitiv me koronavirus, transmeton KOHA.

“Kancelarja e vazhdon punën nga karantina në shtëpi”, shtoi zëdhënësi.

Po vdes e vetmuar qyteti im

Poezi nga Sibel Halimi

Po vdes e vetmuar qyteti im

Nëse sot vdekja e ka emrin
fund
fytyra ime dheut do t’i jap buqetë me lule

Nëse sot vdekja ime
ngjitet lartë
qiellit do t’i shtohen yjet

Nëse vdekja ime sot vdes
këmbët e mia
do të ngjiten n`shkallët
e teatrit të braktisur

Nëse sot jeta e ka kuptimin e saj
në dërrasat talias do të jemi bashkë
Unë do të dua
E ti do të mbetesh gjallë
Përjetësisht, qyteti im

Lamtumirë!

P/S Për qytetin e zbrazur dhe vdekjen e fytyrës së rritës sonë
Fotoja e marrë nga faqja e Ministres së Kulturës Vlora Dumoshi. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: “Idioti”

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë romanin “Idioti” të autorit rus Fjodor Dostojevskit.

Idioti është një roman i shkruar nga shkrimtari Rus i shekullit XIX Fjodor Dostojevski. Ky roman ishte publikuar fillimisht në mënyrë episodike në revistën ruse Russkiy Vestnik (Lajmëtari Rus) gjatë viteve 1868–9.

Titulli i librit është një referencë ikonike për personazhin kryesor të librit, Princin Lev Nikollajeviç Mishkin, një djalë i ri të cilit mirësia, zemërgjerësia, dhe çiltërsia e tij e bëjnë atë të duket në sytë e personazheve tjerë si njeri me mungesë intelegjence dhe mprehtësije.

Dostojevski i ka vendosur vetës detyrën që nëpërmjet këtij personazhi të përshkruaj “njeriun e bukur me natyrë të mirë.” Romani shtjellon pasojat e vendosjes së një individi të tillë unik në qendër të konflikteve, dëshirave, pasioneve, dhe egoizmit të shoqërisë.

Xhozef Frenk e përshkruan Idiotin si “librin më personal të Dostojevskit nder veprat e tij më madhore, libër i cili mishëron bindjet e tij më të dashura, intime, dhe të shenjta”

Romani përfshin përshkrime nga telashet më të mëdha të Dostojevskit, si epilepsinë dhe njoftimin për ekzekutim (i cili më vonë doli të jetë i rrejshëm), dhe hulumton tematikat morale, filozofike dhe shpirtërore që rrjedhin nga ato telashe. Motivi i tij parësor për shkrimin e këtij romani ishte nënshtrimi i idealit të tij më të lartësuar, ai i dashurisë së vërtetë Krishtere, në shoqërinë Ruse të asaj kohe.

Metoda e tillë artistike e testimit të ndërgjegjshëm të idesë së tij thelbësore nënkuptonte që autori jo gjithmonë mund ta parashikonte se si tematika që ai e shkruante do të zhvillohej. Romani është strukturalisht i vështirë, dhe shumë kritik letrarë kanë komentuar mbi organizimin kaotik të veprës.

Sipas Geri Saul Morson, “Iditoti shkel çdo normë mirëpo prapë ia del të jetë madhështor.” Vetë Dostojevksi ishte i mendimit që eksperimenti i tij nuk ishte plotësisht i sukseshëm, mirëpo romani mbeti nga më të parapëlqyerit nga veprat e tij.

Friedrich Nietzsche: Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: në vegla dhe në armiq

Harry S. Truman: “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se të jesh president është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”!

Nikita Khrushchev: “Politikanët janë kudo të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku s’ka lumë”!

Vaclav Havel: “Nuk ka më komunist se ish-komunisti që e lufton komunizmin”!

Voltaire: “O Zot! Më shpëto nga miqtë e mi, se nga armiqtë mbrohem vetë”!

John F. Kennedy: “Nëse jemi të fortë, forca jonë flet vet. Nëse jemi të dobët, fjalët s’na ndihmojnë”!

Robert Frost: “Liberali është ai që është aq tolerant sa që mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”!

Friedrich Nietzsche: “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: në vegla dhe në armiq”!

Charles de Gaulle: “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që e thotë, befasohet kur të tjerët e besojnë”!

Margaret Thatcher: “Çdo grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”!

Ronald Reagan: “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”!

Stanley Kubrick: “Shtetet e mëdha kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”!

Mason Cooley: “Tre njerëz të braktisur në një ishull të izoluar, do të shpiknin shumë shpejt politikën”!

James Clark: “Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një burrështetas mendon për brezin e ardhshëm”!

Ely Culbertson: “Politika, një emër diplomatik për ligjin e xhunglës”!

Will Rogers: “Sa më shumë lexoni për politikën, aq më shumë arrini të kuptoni se çdo parti është më e keqe se tjetra”!

Pierre Trudeau: “Në pikëpamje akademike përpiqeni ta pohoni të vërtetën absolute; në politikë kërkoni që të vërtetën t’ia përshtatni fakteve përreth jush”!

Alexis de Tocqueville: “Në politikë, një bashkësi e njerëzve që urrehen është pothuaj gjithnjë baza e miqësisë”!

Jesse M. Unruh: “Paraja është për politikën si nëna që ushqen me qumështin e saj”!

Georges Pompidou: “Një burrështetas është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes!

Bernard Baruch: “Votoni për njeriun që premton më pak, se ai do të jetë më pak zhgënjyes”!

Winston Churchill: “Politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë ju vriteni veç një herë”!

Soren Kierkegaard: “Tirani vdes dhe sundimi i tij merr fund; martiri vdes dhe sundimi i tij fillon”!

Harold Wilson: “Në politikë një javë është kohë shumë e gjatë”!

Boris Mashalov: “Kongresi është i çuditshëm. Dikush ngrihet të flasë e nuk thotë asgjë. Askush s’dëgjon, pastaj të gjithë bien dakord”!

Johann Wolfgang von Goethe: “Nacionalisti më i mirë është ai që i dallon të metat e popullit të vet”!

Marie Ebner: “Ne botë do të kishte më pak çaste të kobshme, nëse të këqijat s’do të bëheshin në emër të ndonjë të mire”!

Adolf Hitler: “Sa fat për sundimtarët që njerëzit nuk mendojnë!”

Faik Konica: “Ati ynë që je në Qiell, na ndihmo ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi asgjë për të thënë”!

Sydney J. Harris: “Tri detyrat më të rënda të kësaj bote janë: Ta shpërblesh urrejtjen me dashuri, pranimi i të pamundshmes dhe thënia – unë isha gabim”!

Konrad Adenauer: “Jetojmë të gjithë nën një qiell, por askush s’ka të njëjtin horizont”!

Para Teatrit Kombëtar mbahen homazhe për Leze Qenën

Para Teatrit Kombëtar janë mbajtur homazhe për Leze Qenën, e cila vdiq sot në moshën 85 vjeçare.

Kryeministri Albin Kurti e ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi vlerësuan lart kontributin artistik të Qenës.

“Sot në mëngjes e morëm një lajm mjaft të hidhur, ku vdiq e madhja Leze Qena që për ne është një humbje e madhe, por për ne mbetet një ikonë. Ajo theu të gjitha tabutë, duke u ngjitur në skenën e teatrit. Për në është dhimbje e madhe, dhe e ngushëlloj komunitetin artistik. E dini se po ballafaqohemi me koronavirusit dhe masat e ndërmarra nga Qeveria nuk na lejojnë që të ndërmarrim diçka”, tha Dumoshi, pas homazheve te Teatri Kombëtar.

Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se varrimi i saj do të bëhet nesër në ora 17:00 në Dragodan, transmeton KOHA. 

“Sigurisht se do të organizojmë diçka. Leze Qena ka merituar një përcjellje dinjitoze, ashtu siç na ka dhuruar dashuri me humorin e saj që na ka mbajtur shpirtërisht. Pasi që të kalojë kjo situatë me koronavirusin do të organizohemi dhe do të mbajmë një mbledhje komemorative”, ka thënë ajo.

Kurse kryeministri Kurti ka shkruar në Facebook se, “dëshiroj të ngushëlloj familjen dhe dashamirësit e aktores së shquar të Kosovës, Leze Qenës, për humbjen e madhe. Sot në orët e mëngjesit aktorja e dashur për publikun tonë, zonja Leze Qena, ndërroi jetë. Ajo gjatë jetës së saj ka patur një repertor të gjerë teatror, dhe ka luajtur shumë role në kinema e televizion”.

Ai thotë se kur artistët vdesin pikëllohen të gjithë.

“Një jetë kushtuar artit, është një jetë kushtuar publikut. Kur artistët vdesin, pikëllohemi të gjithë. Por dashurinë dhe respektin artistëve duhet t’ua japim gjatë kohës që janë gjallë, sidomos ne politikanët. I bashkohem përkujtimit të zonjës Leze Qena, i cili në kushtet e pandemisë, fatkeqësisht do të duhet të zhvillohet nga shtëpitë e banesat tona”, ka shkruar Kurti. Koha.net / KultPlus.com

KOMF: “Pusho e qetë e dashur Leze”

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta e aktores së famshme Leze Qena, shkruan KultPlus.com

Përmes një postimi në Facebook, KOMF ka vlerësuar anagzhimin e aktores në aktivitetet për fëmijë si dhe njëkohësisht ka shprehur dhimbjen për humbjen e saj.

Këtu keni statusin e tyre të plotë:


“Shprehim dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të ikonës së skenës teatrore, Leze Qena. Lezja do të mbetet në kujtimet tona për kontributin e madh që dha në botën e artit, buzëqeshjen dhe pozitivitetin që e përcolli në çdo kohë.
Ajo ishte pjesë e platformës avokuese të KOMF “Miqtë e Fëmijëve” ku kontribuoi në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Lezja ishte gjithmonë e gatshme të përkrahte dhe angazhohej në çdo iniciativë në mbështetje të fëmijëve.

Artistja e mirënjohur e skenës dhe teatrit Leze Qena për më shumë se 55 vite zhvilloi veprimtarinë si aktore e suksesshme në shumë shfaqje teatrale në Kosovë, e njohur dhe e admiruar nga publiku i gjerë përmes roleve shumë të dashura për publikun.

Faleminderit për momentet e bukura që i ke dhuruar publikut shqiptar ndër breza.

Përmes këtyre fotografive kujtojmë Lezen gjatë nënshkrimit të “Deklaratës së Zotimit” në KOMF, e cila është një përmbledhje e zotimeve të Miqve të Fëmijëve për tu angazhuar në çështjet që prekin apo cënojnë mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.

Pusho e qetë e dashur Leze!🌹”

Albin Kurti për Leze Qenën: Një jetë kushtuar artit, është një jetë kushtuar publikut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimin e tij për humbjen e aktorës së madhe, Leze Qena, shkruan KultPlus.com

Kryeministri Kurti, përmes një statusi në Facebook ka shprehur vlerësimin e tij për aktivitetin artistik të aktores Qena si dhe njëkohësisht ka shprehur indinjatën për humbjen e saj.

Gjatë gjithë ditës edhe personalitetet tjera nga fusha e kulturës e politikës kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e aktores Qena e cila vdiç sot. /KultPlus.com

Yllka Gashi: “Pusho e qetë gjyshe”

Aktorja e njohur nga Kosova, Yllka Gashi, ka përkujtuar figurën emblematike të Leze Qenës, e cila ka vdekur sot, shkruan KultPlus.com

Yllka Gashi ka qenë njëra nga aktoret e cila ka luajtur së bashku me Leze Qenën në emisionin e dikurshëm “Familja Moderne”.

Aktorja e njohur, Leze Qena, është përkujtuar sot edhe nga personalitetet më të rëndësishme të sferës kulturore dhe politike. / KultPlus.com

“Politikanët janë gjithandej të njëjtë, ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”

Njerëzit e mëdhenj, përgjatë historisë përveç që kanë krijuar vepra të mëdha, gjithashtu kanë lënë fjalë të cilat edhe sot i përdorim.

Janë shprehje të thëna nga njerëz që e kanë provuar shijen e pushtetit, siç është rasti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhejms Buhanan, teksa i dorëzonte detyrën pasardhësit Abraham Linkoln: “Nëse ju zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi jini po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jini njeriu më i lumtur në botë”. Por ka dhe xhevahire të tjera mendimi, ku duket se gjithë përvoja e një njeriu që ëndërron të merret me politikë përmblidhet në pak fjalë. “Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm”.

KultPlus, ju sjell disa nga thëniet më të famshme për politikën

1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams

2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken

3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit

4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër

5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman

6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni

7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh

8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov

9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel

10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson

11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi

12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu

13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi

14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington

15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark

16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost

17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe

18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand

19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol

20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson

21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung

22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër

24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson

25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol

26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan

27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik

28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni

29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol

30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn

31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger. / KultPlus.com

Kantautori i njohur Elton John feston ditëlindjen e 73-të

Elton John, emri i artit i Reginald Kenneth Dwight, mbush 73 vjet, shkruan KultPlus.

Nga “Rocket Man” tek “Sorry Seems To Be The Hardest Word” e më pas “Your Song”, “Don’t Let The Sun Go Down On Me” dhe ende “I’m Still Standing” dhe “Candle In The Wind” janë disa nga sukseset e pavdekshme të Elton John, i cila ka nxjerrë më shumë se 700 këngë në më shumë se 50 vite të karrierës së tij të shkëlqyer. /KultPlus.com

Për shkak të pandemisë, nuk do të organizohen aktivitete publike për aktoren Leze Qena

Për shkak të situatës së pandemisë së virusit SARS CoV-2 nuk do të organizohen aktivitete publik për ta nderuar të ndjerën, aktoren tonë të madhe Leze Qena.

Por, para Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, sot (25.03.2020), ora 16:30, do të bëjë homazhe për ta nderuar figurën e të madhes Leze Qena, ku njëherësh do ta ngushëllojë edhe vajzën e të ndjerës. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi konfirmon mbështetjen për xhudistët pas hyrjes së tyre në karantinë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, dhe drejtori i Departamentit të Sportit, Iber Alaj, kanë zhvilluar një video telefonatë me ekipin olimpik të xhudos, pas vendimit të tyre për të hyrë në karantinë, për të shfaqur mbështetjen e tyre për xhudistët e Kosovës.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Driton Kuka dhe xhudistët e Kosovës të cilët kanë pasur norma olimpike për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, pas konfirmimit që këto lojëra janë shtyrë për një vit, kanë marrë vendim që ndonëse kanë qenë në Kosovë, prapëseprapë do ty hyjnë në karantinë.

Ministrja Vlora Dumoshi përmes këtij komunikimi është shprehur se e përkrah dhe e mirëkupton vendimin që kanë marrë ekipi i xhudos dhe ka thënë se kanë përkrahjen e saj të plotë dhe i inkurajoi xhudistët se përkundër shtyrjes së lojërave olimpike ata të stërviten vazhdimisht ashtu që të jenë të motivuar e të fuqishëm kurdo që mbahen lojërat olimpike, të cilat janë ëndërr e çdo sportisti.

Trajneri Kuka është shprehur se ky propozim i tij është përkrahur nga ekipi ashtu që mos të kenë kontakt me njerëzit tjerë, as vet mos të rrezikohen dhe mos t’i rrezikojnë të tjerët, por që me xhudistët të jetojnë së bashku si familje, për arsye të stërvitjeve.

Trajneri Driton Kuka e ka falënderuar mes tjerash ministren për video telefonatën dhe për mbështetjen e qasjen që ka treguar karshi ekipit të xhudos. / KultPlus.com


“Mos rrnoni ma si hije, mos rrini ma pa drit, mos fleni mos i leni, hi syve me ju qit”




Troja, është pothuajse grupi i vetëm në vend i cili pjesë të muzikës së tij e ka kritikën, në veçanti kritikën ndaj politikës në vend, shkruan KultPlus.com

“Mbretnesha kohë” është një nga këngët më të njohura të këtij grupi, tekstin e të cilit po ua sjellim këtu:

Mbretnesha kohè dje boll mir na tregoj,
tha neser per neve shum ftoft ka me kan ,
nese t’bardhen prej te zezes na sot nuk dina me nda,
tha neser as shiu nuk munet me na lag..

Mbretnesha kohè dje boll mire na tregoj,
tha neser per neve ndryshe ka me kan ,
nese nyjen para syve na sot nuk dojna me zgidh
tha neser kjo nyje n’fyt ka me na u lidh..

Mos rrnoni ma si hije,
mos rrini ma pa drit,
mos fleni mos i leni,
hi syve me ju qit.
Mos leni ma me ndodh,
qysh ka ndodh deri tash,
mos fleni mos i leni,
se koha nuk kthehet mbrapsht..

Mos rrnoni ma si hije,
mos rrini ma pa drit,
mos fleni mos i leni,
hi syve me ju qit.
Mos leni ma me ndodh,
qysh ka ndodh deri tash,
mos fleni mos i leni,
se koha nuk kthehet mbrapsht..

Princi Charles, i infektuar me koronavirus

Princi Charles ka rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit. Mbreti i ardhshëm ka shfaqur simptoma të lehta ditën e dielë dhe ka kryer testin të hënën. Aktualisht gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe princi ndodhet i vetë izoluar në shtëpinë e tyre në Skoci.

Edhe bashkëshortja e tij, dukesha iu nënshtrua testit, por edhe pse ka rezultuar negative po qëndron e vetë izoluar pranë princit Charles.

Eshtë e vështirë të mësohet prej nga u infektua princi, duke marrë parasysh numrin e lartë të takimeve apo daljet në publik të javëve të fundit.

Mjekët mendojnë se ai mund ta ketë marrë virusin që prej datës 13 mars.

Pas këtij lajmi, përfaqësues të pallatit mbretëror bëjnë me dije se mbretëresha Elizabeth është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po ndjek këshillat e masat e marra. /KultPlus.com

‘Kur shoh fëmijë në karroca, shkoj e i përqafoj sikur të ishin lule’

Ç`është ajo që kësaj gruaje të këndshme ia plotësoi akoma më shumë jetën?

– Mua, thotë, Nëna Tereze më ka ndihmuar shumë. Unë, kur i kam parë njerëzit e hendikepuar disi jam vështiru, ndonëse më dhimbseshin. Mirëpo, kur ia kam parë nënës Tereze një gjysmë fëmije në dorë – atëherë e kam urryer veten! E tash, ku të shoh fëmijë të tillë, shkoj dhe i përqafoj, sikur të ishin lule. Kjo është gjëja më e shenjtë e njeriut. Ia di shumë për nder nënës Tereze, është e njerëzishme t`ua falësh dashurinë njerëzve, gjithkujt – dhe të falësh! A e di sa mirë e ndjej veten tani?! E pashë një ditë një fëmijë në karrocë ortopedike. Më shikonte, si duket më njohu. Shkova dhe e përqafova, a e di ti sa shumë u gëzua? A ka më mirë se ta gëzosh dikë? Kjo është zemra e mirë.

Pjesë e marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” i Sanije Gashit, ku Leze Qena flet në disa fjalë mbi rëndësinë e Nënës Tereze në jetën e saj dhe se sa e shenjtë është dashuria që falet, sidomos njerëzve në nevojë. /KultPlus.com

“Edhe sa vjet duhet me shkue, me i duru kta njerz që krejt forcën ma kan marr”

 

Troja, është pothuajse grupi i vetëm në vend i cili pjesë të muzikës së tij e ka kritikën, në veçanti kritikën ndaj politikës në vend, shkruan KultPlus.com

Amaneti është një nga këngët më të njohura të këtij grupi, tekstin e të cilit po ua sjellim këtu:

Janë do vjet që kanë kalue neper mue
Mrena n’shpirt me forcë po më shtyn me thanë..
Kush janë këta njerz që s’janë shkollue
Nuk kan msu qe njeri nuk ban
Shpin e vet me vjedh
Janë do fjalë që nuk po muj me i thanë

Janë kta njerz qe kan teprue
Shumë kanë kushtu rrenat e tyne
Janë tu m`qu atje ku veten nuk muj ma me gjet

Edhe sa vjet duhet me shkue
Me i duru kta njerz qe krejt forcen ma kan marr
Janë kta njerz që trunin ma kanë la
Janë kta njerz që vet nuk muj me i nal

AAAAHHH(scream)

Kisha dasht diçka me ndrrue
Te kta njerz qe diellin diellin ma kan nal
Sa shum vjet kam andrrue
Kam besue.. zotit ju kam lut dielli me dal
Po jan kta njerz qe diellin ma kan nal
Jan kto vjet qe kurr nuk muj me i marr.

“Gjyqi i vetvetes”, poema e jashtëzakonshme e Artur Rembosë

Nëse ju mundon dilema se çfarë jemi ne mund ta mësosh përmes kësaj “apologjie” të Arthur Rimbaud, këtij “manifesti” të dijes supreme, asaj që do të na shkundte prej pluhurit dhe plogështisë dhe hutimit. Ndoshta  për shumëkënd nuk vlen pyetja: “Ç’jemi ne?”, as solemniteti i poetikës rrëfyese përgjegjëse së poetit, por diçka rreket të na thotë përmes metaforave dhe simbolikës, ritmit shpues të jehonës së mendimit të tij. “Njih vetveten”, kushtronte zëri i kahmotshëm i Sokratit. Megjithatë kjo enigmë, më shumë se si të mos vuajmë, na mëson se si të mos jemi të lumtur. Ndaj përpiqu të dëgjosh zërin e poetit, ndoshta ka diçka të të pëshpërisë në vesh. Njohja e vetvetes të ndihmon të njohësh edhe të tjerët, e pse jo, të shtegton në dimensione të reja njohurish, të cilat ta kthejnë brenda teje Zotin… që ke refuzuar prej nevojës për t’u dukur dhe ndjerë si i gjithdijshëm.

Ç’jemi ne?

Viktima të njëri-tjetrit.

Ç’jemi ne?

Nxënës të ideve absurde.

Ç’jemi ne?

Vegime të turbullta në pellg.

Ç’jemi ne?

Fëmijë me arsyetime të mbrapsht.

Ç’jemi ne?

Pranga të mbetura jetime.

Ç’jemi ne?

Kometa të rritura në vazo.

Ç’jemi ne?

Polumbarë që zhytemi në tokë.

Ç’jemi ne?

Çelsa më të mëdhenj se dyert.

Ç’jemi ne?

Forma të gjalla të vdekjes.

Ç’jemi ne?

Vullkane të shuar instiktesh.

Ç’jemi ne?

nsekte që koleksionojnë shkencëtarë.

Ç’jemi ne?

Palaço të shfaqjeve ku qeshim e gajasemi vetë.

Ç’jemi ne?

Pula të mallëngjyera nga veza.

Ç’jemi ne?

Asketë të ëndërrave tona.

Ç’jemi ne?

Testamente të lënë pa trashëgimtarë.

Ç’jemi ne?

Plumba me objektiv kokën.

Ç’jemi ne?

Muskuj që urdhërohen nga pesha që mbajnë.

Ç’jemi ne?

Gjak i përgatitur në laborator.

Ç’jemi ne?

Lepuj që adhurojnë qentë.

Ç’jemi ne?

Proteza të ngulura e të mbetura mbi bukë.

Ç’jemi ne?

Ujë i papërfillshëm nga devetë.

Ç’jemi ne?

Aktorë të dështuar tragjikë.

Ç’jemi ne?

Lapsuse memecësh.

Ç’jemi ne?

Herkulë që vetëvaren se nuk i kundërshton njeri.

Ç’jemi ne?

Peshkatarë që i hedhin grepin vetes.

Ç’jemi ne?

Robër që luten për të mos u liruar.

Ç’jemi ne?

Ne jemi ata që bëjnë pyetjen:

E ç‘jemi ne?

Ne jemi:

Ura midis dy humnerave.

Ne jemi:

Dashuria midis dy epsheve.

Ne jemi:

Flakadanë zjarresh që trembin egërsirat.

Ne jemi:

Kështjellarë të rrethuar nga padrejtësia.

Ne jemi:

Lamtumira e fundit e majmunit.

Ne jemi:

Optimizmi i diellit në agim.

Ne jemi:

Kënaqësi e dhimbjes në lindje.

Ne jemi:

Orteqe të shndërruar në barrikada.

Ne jemi:

Shkallare që të çojnë te perënditë.

Ne jemi:

Karvane që vdesin nga etja për të vërtetën.

Ne jemi:

Ata që i bindën oqeanet të heqin dorë.

Ne jemi:

Ata që nga pema prodhuam letrën, ku u vizatua rrënja.

Ne jemi:

Ata që trupin prenë për ta shëruar.

Ne jemi:

Ata që shpikën pasqyrën për të parë të metat.

Ne jemi:

Ata që jetën e shndërruan në qëllim.

Ne jemi:

Ata që me ide e mbushën zbrazëtirën.

Ne jemi:

Ata pa të cilët toka do të ish anonime.

Ne jemi:

Bij të etërve tanë dhe etër të bijve tanë.

Ne jemi:

Njerëz, njerëz dhe ky fakt zhduk çdo dyshim. /KultPlus.com


Vdiq Bill Rieflin, ish-bateristi i bendit “R.E.M.”

Ish-bateristi i bendeve të njohur muzikore si “R.E.M.”, “Ministry” dhe “King Crimson”, Bill Rieflin, ka vdekur nga kanceri në moshën 59-vjeçare.

Vdekja e muzikantit është konfirmuar për publikun nga themeluesi i grupit “King Crimson”, Robert Fripp, i cili e nderoi kujtimin e mikut të tij në rrjetet sociale, transmeton Koha.

“E morra një telefonatë nga Tracy Rieflin në Seattle. Bill Rieflin ka ikur nga kjo botë në ora 18:50,” kishte shkruar Fripp.

Një mesazh emocionues e ka postuar edhe Michael Stipe nga grupi “R.E.M.”, i cili ka thënë: “Ai është në mesin e të gjitha pikave të shkëlqyera të yjeve dhe ne po shikojmë lart me shumë dashuri. Do ta nderojmë gjithmonë bukurinë, humorin, kureshtjen dhe talentin e tij të mrekullueshëm në muzikë. Koha që ai e ka kaluar me ne ka qenë e çmuar dhe e artë.” /KultPlus.com

Sonte ndizen qirinj në ballkone për të nderuar aktoren Leze Qena

Në mëngjesin e ditës së sotme  ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare aktorja e njohur për publikun shqiptar Leze Qena, shkruan KultPlus.

Për të nderuar figurën e shquar të artit shqiptar, është marr një iniciativë që sonte në orën 20:00 të gjithë të ndezin nga një qiri në ballkon.

“Unë do të ndez një qiri në ballkonin e banesës sime! Bashkohu edhe ti! Sonte prej orës 20:00. Pusho në paqe, Leze”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Në kohën e pandemisë, qendra ku mbahet festivali i Kanës hap dyert për të pastrehët

Qendra e kongresit “The Palais des Festivals” në Kanë, do të duhej të ishte duke u bërë gati t’i mirëpres disa prej emrave më të mëdhenj të showbizit mbi qilim të kuq.

Por në vend të kësaj, objekti ku mbahet festivali prestigjioz i filmit i ka hapur dyert për të pastrehët, të cilët nuk kanë ku të shkojnë gjatë kësaj periudhe vetizoluese për shkak të koronavirusit, transmeton Koha.

Festivali i përvitshëm në rivierën e bukur franceze planifikohet të mbahej nga 12 deri më 23 maj, por javën e kaluar organizatorët e bënë të ditur lajmin se po e shtyjnë të ngjarje për fund të qershorit.

“I kemi afërsisht 50 dhe 70 njerëz të cilët vijnë këtu çdo natë,” ka bërë të ditur Dominique Aude-Lasset, zyrtarë i bashkisë së qytetit të Kanës.

Në hyrje të ndërtesës “The Palais des Festivales”, një punëtorë i veshur me kostum mbrojtës ua matë temperaturën të pastrehëve, para se të lejohen brenda. Atje, ata shërbehen me ushqim, kanë mundësi të lahen si dhe të argëtohen duke shikuar televizion në një zonë të përbashkët. Ndërsa shtretërit e fjetjes janë vendosur në largësi të duhur nga njëri tjetri. Po ashtu, atyre u mundësohet t’i marrin me vete edhe kafshët.

“Ne e dimë se kafshët janë shoqërues të çmuar për të gjithë njerëzit që jetojnë në rrugë,” ka deklaruar Aude-Lasset. /KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Leze Qena do të jetë një shembull dhe referencë në historinë e artit shqiptar

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë një telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së aktores së madhe, Leze Qena, përcjellë KultPlus.

Dumoshi shprehet e pikëlluar për ikjen nga kjo jetë të Leze Qenës, por ajo shprehet se kujtimet për të do të jenë përherë në mesin tonë përmes veprës së pamohueshme që ajo ka lënë pas.

Telegrami i plotë i ministres Dumoshi:

E nderuar familja Qena,

Me pikëllim dhe me keqardhje të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta dhe nga ne e të dashurës, haresë tuaj e tonës, aktores tonë të madhe, Leze Qena.

Fizikisht më Lezja nuk do të jetë mes nesh por do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e saj të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas.

Rolet e panumërta dhe të papërsëritshme të saj do të mbesin gjurmë të gdhendura në botën e artit e të aktrimit. Me praninë e saj, ajo e ka pasuruar çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që ka zgjedhur t’i mishërojë në veten e saj.

Me korpusin e roleve të saj, Lezja ka depërtuar në mesin e secilit prej nesh, duke na dhënë frymëzim, krenari e forcë për të vazhduar e tejkaluar çdo sfidë që kemi kaluar qoftë si individë por edhe si popull.

Ajo do të jetë një shembull dhe referencë në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, se si me përkushtim dhe me shpritmadhësi, veçori të cilat e kanë karakterizuar Lezen, njeriu bëhet i dashur nga të gjithë dhe i pranuar nga secili.

Ndarja e Lezës është humbje e rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë e saj, por ikja e saj do të lërë një zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e saj të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Leze Qenës. / KultPlus.com