Vdes komediani Eddie Large, ishte prekur nga koronavirusi

Komediani Eddie Large, i njohur për aktrimin e dyfishtë tek “Little and Large”, ka vdekur pasi u prek nga koronavirusi.

Ylli, 78 vjeçar, ishte një fytyrë e njohur e televizionit në vitet 1970 dhe 80’ta, si dhe ishte i famshëm për partneritetin e tij me Syd Little.

Familja e tij konfirmoi lajmin me shumë trishtim përmes Facebook, duke thënë se ai kishte vuajtur nga dëmtimi i zemrës dhe se kishte kontraktuar virusin në spital.

Familja e komedianit thanë që nuk kishin mundur ta vizitonin në spital për shkak të kufizimeve rreth koronavirusit, por të gjithë familja e tij dhe miqtë e afërt i flisnin çdo ditë.

“Neve do na mungojë ai tmerrësisht shumë dhe jemi krenarë për gjithçka që ka arritur në karrierën e tij me Syd. E dimë që ai ishte shumë i dashur nga miliona njerëz që i shikonin ata çdo javë” ka thënë familjari i Large. Klan Kosova / KultPlus.com

Kurti ndez një dritë të kaltër në ballkonin e Qeverisë në përkrahje të personave me autizëm

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ndezur një dritë të kaltër në ballkonin e Qeverisë në përkrahje të personave të prekur me autizëm.

Për shkak të izolimit nga koronavirusi sot është bërë thirrje që qytetarët ta shënojnë Ditën Botërore të Autizmit nga ballkonet e tyre duke ndezur një dritë të kaltër, njofton Klan Kosova.

Kurti që iu bashkua kësaj thirrje tha se shteti duhet ta ketë mendjen te ata.

““Më jepni hapësirë edhe unë mundem” është thirrja për Ditën Botërore të Autizmit të cilës unë iu përgjigja duke e ndezur një dritë të kaltër në ballkonin e Qeverisë. Çrregullimi i Spektrit të Autizmit te fëmijët vërehet para moshës dy vjeçare. Fëmijët e duan vëmendjen e prindërve, kurse shteti duhet ta ketë mendjen te ta. Ashtu sikur prindërit i duan njësoj fëmijët e tyre edhe ne si shoqëri duhet t’i pranojmë e t’u japim mundësi secilit pa dallim. Barazia nuk është koncept abstrakt, por është mundësia dhe trajtimi i njëjtë që u ofrohet e bëhet të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Kurti.

“O sa bukur të jenë bashkë zemrat tona prore, këndojnë e dashur për ne melodi rinore”

Haki Misini vazhdon të mbetet figura kryesore që solli një frymë të re në historinë e muzikës rok në Kosovë, shkruan KultPlus.

Haki Misini është vrarë nga forcat serbe gjatë vitit 1999, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-së në Kosovë, duke e lënë një zbrazëti të madhe në familjen e tij dhe në artin kosovar.

Këngët e tij më të njohura janë: ‘Fuqia e dashurisë’, ‘Në syrin tënd pashë një lot’, ‘Dashuri e humbur’, ‘Moj e mira te pojata’ etj. Këngë këto që dëgjohen edhe sot e kësaj dite që kanë kaluar më shumë se 20 vite prej publikimit të tyre,

KultPlus ju sjell njërën ndër këngët më të pëlqyera të Haki Misinit. “Dashuri e humbur”, këngë kjo që i këndon dashurisë me emocion e nostalgji. /KultPlus.com

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘I huaji’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Albert Kamy lindi në 7 nëntor 1913 në Mondovi ku studioi letërsinë dhe filozofinë. Për shkak të sëmundjes nga tuberkulozi nuk ndoqi karrierën universitare, por filloi të punojë si gazetar. Në vitin 1941 botoi romanin  “I Huaji”. Botoi edhe shumë vepra të tjera. Në vitin 1950 Albert Kamy u shpërblye me çmimin “Nobel” për letërsi. Vdiq në 4 janar 1960 në një  aksident.

Në romanin “I Huaji” shkrimtari francez rrëfen historinë e një njeriu i cili bëhet vrasës.  Në pjesën e parë personazhi, një beqar i moshës së mesme përshkruan ditët e mërzitshme  derisa ndodhet në një vrasje. Ai vret një arab. Në pjesën e dytë, Merso rikujton kohën e kaluar në burg, procesin gjyqësor dhe dënimin me vdekje. Ky roman i shkurtër ndahet në tre vdekje.  Fillon me vdekjen e nënës së personazhit kryesor në azilin e pleqve në Marengo. Pason likuidimi i arabit dhe në fund vdekja e Mersos. Albert Kamy portretizon një njeri me  pak kontakte sociale që jeton larg njerëzve dhe që nuk i lejon këta të fundit t’i afrohen. Ai  mbetet i huaj ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve.

Merso përfaqëson njeriun absurd të Kamysë. Ai jeton në botën e absurditetit, në të cilën del në pah gremina qe e ndan atë nga shoqëria, idealet, mundësitë. Jeta dhe vdekja e tij janë kundërthënie të papajtueshme në raport ndaj rrethit shoqëror. Mersoja nuk është në gjendje të harmonizojë dëshirat dhe marrëdhëniet e tij me shoqërinë në të cilën jeton, sepse as bota nuk e pranon. Këtu e ka burimin e vetë ajo ndjenjë e thellë që e shoqëron si hije gjatë  gjithë jetës. Ai e ndjen veten si të huaj.

Fragment nga libri

Nga thellësitë e së ardhmes gjatë kësaj jete absurde që kisha bërë, një frymë e pakuptueshme ngjitej drejt meje duke kapërcyer vitet e pa jetuara dhe kjo frymë rrafshonte në udhë e sipër gjithçka më shtrohej përpara në ato vite po aq të zbrazëta që po jetoja.

Ç’rëndësi kishin për mua vdekja e të tjerëve, dashuria e një nëne, ç’rëndësi kishin për mua Zoti i tij, fatet që zgjedh kur unë zgjidhem nga një fat i vetëm dhe bashkë me mua edhe miliarda të privilegjuar që, njësoj si ai vetë, quheshin vëllezërit e mi. A e kuptonte, a e kuptonte ai këtë?

Të gjithë ishin të privilegjuar. Kishte vetëm të privilegjuar. Edhe të tjerët do të dënoheshin një ditë prej ditësh.

Romani “I huaji” është përkthyer në 68 gjuhë të ndryshme, në gjuhën shqipe në disa variante, nga Ferid Perolli dhe Gani Luboteni (1961, 1978), Ali Podrimja (1986), Nasi Lera (2009), Raimonda Vuçini (1991, 2018), Entela Karaj (2004) dhe Aurel Manushi (2010).

Është romani i tretë frankofon më i lexuar në botë, pas ‘Princit të vogël’ të Antuan de Sent-Ekzyperi dhe ‘Njëzet mijë lega nën det’ të Zhyl Vern. Një përshtatje filmike e veprës u realizua nga Lukino Viskonti më 1967. /KultPlus.com

Metallica i bashkohet luftës ndaj Covid-19, dhuron 350 mijë dollarë

Fondacioni bamirës i rok grupit Metallica “All Within My Hands”, vazhdon të japë kontributin e saj në kohëra të krizave, shkruan LoudWire.

Derisa bota është duke u ballafaquar me pandeminë Covid-19, Metallica ka konfirmuar se ka dhënë donacion 350 mijë dollarë për katër organizata për të luftuar koronavirusin, transmeton KOHA.

“Derisa përhapja e koronavirusit po vazhdon, njerëzit më të rrezikuar në komunitetet tona kanë nevojë më shumë se kurrë për ndihmën tonë”, ka deklaruar grupi, teksa ka konfirmuar se fondacionet që pranuan këtë ndihmë financiare janë Feeding America, Direct Relief, Crew Nation, dhe USBG National Charity Foundation.

Grupi edhe më parë ka pasur bashkëpunim me Feeding America.

Derisa Direct Relief u është përgjigjur krizave në 22 vende, duke siguruar më shumë se 40 tonë pajisje mbrojtëse personale për punonjësit e kujdesit shëndetësorë që janë në vijën frontale. Koha.net / KultPlus.com

Divorci i papritur

Tregim nga Binak Kelmendi

Ditë për ditë Ulkija shkonte nëpër dyer të ofiqarisë dhe nëpër dyert e shoqatave të grave,  të nuseve e të vajzave që ishin krijuar pas luftës. “Gratë në të Zeza”. “Vejushat”. “Nënat e vetmuara”. “Besataret e beqarisë së grabitur”. “Mbamendja shëron”. “Motrat pa vëllezër”. “Nuset e pamartuara”. “Jetimet”. “Të falim”. “Mos të harrojmë”.

Në zyrë herë e priste ndonjë zonjë e grimosur e herë ndonjë zotëri me kollare. Që të dy, rëndom, nuk kishin fjalë për të thënë dhe në më të shumtën e rasteve, duke kërcitur gishtërinjtë, vetëm heshtnin. Ulkija nuk prante së foluri, së kërkuari dhe së dhëni sqarime, pothuaj për çdo gjë. Ata, me shumë keqardhje, sa nuk qëndronin gatitu, e dëgjonin me shumë vëmendje e me shumë dhembshuri, por kjo gjë asgjë nuk i ndihmonte Ulkijes. Ajo donte dhe kërkonte diçka tjetër.

“Është hera e nëntë që jap shënime, dhe gjithmonë të njëjtat, besoj t’i keni mbajtur edhe ju pasi ua kam thënë edhe juve”, tha në njërën nga ditët që vizitoi zyret Ulkija. “Është hera e nëntë dhe të njëjtat pyetje m’i bëni dhe të njëjtin proces, më duket, e përpiloni, ose e nxirni të njëjtin nga dosja e njëjtë”.

Ata, ai dhe ajo, mbajtën vesh.

“Unë jam Ulkija. Ulkije Bardhoshi. Lindur në vitin … e keni të shënuar? Po. Në fshatin … e kemi të shënuar. Komuna … e kemi të shënuar. E martuar … e kemi të shënuar. Gjashtë vjet para luftës … e kemi të shënuar. Me burrin … e dimë, e kemi të shënuar… E ndjekur dhe e deportuar gjatë luftës. Edhe e përdhun… nuk dua ta them atë fjalën që poashtu e keni të shënuar. … E kemi… Kam ardhur të di nëse keni ndonjë shënim ose ndonjë informacion të shkruar a të pashkruar për familjen time. Natyrisht pikësëpari për fëmijët e pastaj edhe për burrin. Ose vetëm ndonjë pistë për ta që t’iu shkoj pas për t’i parë  Ndonjë informatë nga ju ose të tjerët që ju mund të dini se e kanë. Çfarëdo që të jetë ajo informatë. E mirë ose e keqe. Për të gjallë a për të vdekur. Nuk ka më rëndësi. Jam regjur me të gjitha e me çdo gjë dhe tani jam e gatshme të pres e të përballoj të gjitha dhe çdo gjë. Edhe më të keqen”. 

“A mund të vish edhe nesër, për çdo rast. Ndoshta na arrin ndonjë informacion që tregon ndonjë pistë që po e kërkon ti dhe ne”, ia tha ajo femra.

“Jo”, u përgjigj Ulkija, “nuk do të vij, ose dhe mund të vij nëse më garantoni vërtet për ndonjë fjalë të paktën, qoftë dhe vdekje ose vrasje ajo fjalë”.

Ajo shikoi pastaj nga ai burri me kollare që po shfletonte një dosje të verdhë.

Ulkija e vërejti me sy të hapur.

“Po”, tha, i skuqur e pas një heshtjeje të gjatë, burri me kollare pas insistimit shumë këmbëngulës të Ulkijes. “Kemi shënime dhe kemi njohuri për familjen tënde. Në të vërtetë kemi një pistë vetëm për burrin tuaj”.

Ulkija u ngazëllua.

“Burrin ta quajnë Ujkan?”, e pyeti zyrtari me kollare që kishte filluar të fshinte djersët me një copë letre të bardhë.

Po, u përgjigj tërë gëzim dhe pothuaj me padurim Ulkija.

“Ujkani është shëndosh e mirë. Ai ka lënë një letër për ty”, tha me zë të prridhur zyrtari. 

“Ka lënë një letër?”, pyeti Ulkija

“Po”, u përgjigj zyrtari.

“Ndoshta jo testament””, pyeti sërish Ulkija.

“Do ta lexosh”, tha burri me kollare dhe bëri të hapte një dosje të verdhë.

“Ta lexoj këtu?”, pyeti Ulkija.

“Po deshe edhe këtu”, i tha ai burri duke ia zgjatur letrën.

Ulkija nisi të lexonte.

“Ulkonja ime… e dikurshme…,

Pastaja Ulkija u ndal pënjëherë te fjala “e dikurshme” duke shikuar nga burri me kollare që nuk ia shqiste sytë.

“Ulkonja ime e dikurshme”, e ngriti zërin duke e mbajtur shikimin nga gurja dhe burri që nuk ia hiqnin sytë.

“Të lutëm, vazhdo të lexosh, ose merre letrën dhe lexoje në ndonjë vend tjetër”, ia bëri burri me kollare duke fshirë syzet me këndin e kollares.

Ulkija vazhdoi të lexonte. 

“Më vjen shumë keq për këtë që do ta lexosh ose që ndoshta do të ta lexojnë. Por, më beso, pas shumë e shumë mundimesh e mendimesh e hamendjesh e dilemash, më duket se nuk pata rrugë tjetër, gruaja ime. Më saktë, ish – gruaja ime, megjithatë shumë shumë e dashur dikur”,  dhe këtë “dikur” sa nuk e lexoi me zë Ulkija duke u përmbajtur për të marrë vesh të gjitha ç’kishte thënë Ujku.

Dhe e vazhdoi leximin:

“Pas gjithë asaj që të ka ndodhur ty, e tani po them pas gjithë asaj që më ka ndodhur edhe mua bashkë me ty, nuk mund të të pranoj më për grua”.

Ulkija fshiu ballin dhe nuk u ndal së lexuari:

“Më vjen keq që e kam bërë këtë, dhe që ta thash kaq troç. Ishte tepër e vështirë, por kështu është. Ta them këtë dhe ti e di temperamentin tim: Thjesht, dhe për të vetmen arsye, nuk mund ta gëlltis atë që të ka ndodhur ty e më pas edhe mua me ty. Më vjen keq, prapë të them, shumë shumë keq, por kështu është … dhe nuk mundem… nuk mundem … ta duroj këtë që të ka ndodhur dhe të të kem prapë. E di, ka qenë luftë etj. Por megjithatë e kam shumë të pakëndshme dhe po ashtu shumë të pamundshme. Dhe kuptoje të lutëm: Ky është vendimi im më i vështirë që kam marr ndonjëherë një jetë. Dhe besoj shumë se do ta respektosh”.

“Do ta respektoj”, bëri Ulkija e djersitur duke vazhduar leximin.

“E marr me mend, do të thuash, ka qenë përdhunim seksual, u ka ndodhur kështu edhe të tjerave, pastaj ndoshta do të thuash edhe më të rëndën: Ku ishe ti, pra në atë kohë. Edhe kjo akuzë që qëndron pak gjë ndryshon, sepse ti më njef …unë nuk jam si të tjerët. Dhe ndoshta më kupton për aq sa të kam shkruar. Dhe nuk po di si të ta them… më fal, ndoshta, prapë nuk më kupton”

Ulkija dërgoi njërin gisht në tëmth duke e lexuar tri herë fjalinë ”ndoshta, prapë nuk më kupton” dhe, shumë e befasuar, vazhdoi më pas:

“Pavarësisht kësaj, të lutëm, kuptoje dhe dije, ky është fundi që nuk e kam dashur dhe që nuk e kam menduar për asnjë çast të jetës. As në rrethanat më të këqija dhe më të vëshira të luftës. Me ty e pa ty. Fundja, siç e di, unë kam qenë në front, për luftë kam qenë i gatshëm për çdo gjë, edhe për ta dhënë jetën, por jo, nuk kam qenë i gatshëm për këtë që të ka ndodhur ty, e edhe mua. Fundja, ti vetë e ke bërë aq publike dhe aq të madhe atë që të ka ndodhur ty, e edhe mua me ty, sa që unë më nuk mund të dal as në rrugë dhe as askund. Se si më shikojnë. Ose se pse më duket se të gjithë bëjnë me gisht nga mua. Thua se vetëm jam unë fajtor dhe thua se vetëm je ti fajtore. Prandaj, kam vendosur të ik sa më larg nga ky vend, nga kjo botë, dhe që po më duke më së vështiri, të ik edhe nga ti, e edhe nga fëmijët tanë. Më fal, por tani nuk kam më dëshirë as të të shoh, lëre më të tjerat…”

Ulkija shumë e skuqur dhe e kapluar nga djersët u kollit, ndërsa ai burri me kollare e pyeti në kishte nevojë edhe për ndonjë gjë tjetër.

“Jo”, tha, “vetëm nëse mund ta vazhdoj këtu leximin ose do ta marr me vete letrën”.

“Si të duash”. “Ne e kemi edhe një kopje të kësaj letre”, tha ai burri.

“Megjithatë do ta lexoj këtu. Pastaj mund ta marr kopjen e ju mbajeni origjinalin, mund të ju duhet”, tha Ulkija.

“Lexoje”, i tha ai burri.

Ulkija vazhdo të lexonte pa zë, vetëm me drithërimë buzësh.

“Unë e kam përgatitur të gjithë dokumentacionin për divorc. I kam dhënë të gjitha arsyet dhe nënshkrimet e mia. E kam autorizuar edhe avokatin tim për këtë çështje, nëse ka nevojë dhe nëse ti kundërshton. Ti ke të drejtë ta bësh kundërshtimin. Edhe për këtë pjesë të procesit i heq shpenzimet. Gjatë kohës që nuk u ktheve, e të prita aq gjatë, jam përpjektur që edhe për fëmijë tanë të bëj një zgjidhje. Ndosha nuk është më e mira dhe ti mund ta kundërshtosh. Fëmijët, pra, i kam dorëzuar në Dorf Kinder SOS. I kam vizituar dhe janë mirë, por rriten.

Nëse nuk pajtohesh me këtë zgjidhje timen, që e kam menduar të përkohshme, mund t’i marrësh fëmijët. Është një procedurë në të cilën mund të të ndihmoj përmes avokatit tim. Mund t’i marrësh, të paktën t’i kesh ata. Por mua, më fal, sesi nuk po më duken më as fëmijë të mij. As fëmijët tanë. Aq e poshtër qenka lufta. Që na ndau mua e ty edhe me fëmijë. Ose dhe unë që po ndahem kështu nga ti.

Më falë, shumë shumë më falë, Ulkonja ime e dikurshme.”

Ulkija e shikoi edhe një herë letrën e shkruar bardhë në të zezë: Ishte shkrimi i burrit të saj, i Ujkanit, me të cilin, o Zot, sa këngët dhe sa poezitë i kishin bërë dikur për lirinë, për jetën, për fëmijët, por edhe për luftën. Ishte aty edhe nënshkrimi i tij me shkronja të mëdha, ato me të cilat ai i skuqur dhe pa fjalë, ia shfaqte dashurinë kur shkruanin trakte për atdheun dhe për çlirimin: “UKI”.

Pastaj u kthye të shikonte në zyrë. Ajo gruaja dhe ai burri, paksa të zberë, ishin heshtur pothuaj krejtësisht.

“Do ndonjë gjë tjetër?”, e pyetën gati përnjëhërë.

“Asgjë nuk dua. “Më falni, ta marr kopjen apo origjinalin e letrës?, vazhdoi pas pak Ulkija e hutuar duke fshirë lotët. 

“Cilën të duash”, i thanë pothuaj njëzëri ata nga zyra që ngjanin paksa të çliruar.

“Ditën e mirë”, bëri pastaj Ulkija me një gaz të bardhë në fytyrë./KultPlus.com

Dumoshi: Qendra Kinematografike e Kosovës do të shfaq filma përmes plaftformave të ndryshme

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se Qendra Kinematografike e Kosovës së bashku me filmbërësit kosovarë, do të shfaq filma me plfatforma të reja pas situatës së krijuar, shkruan KultPlus.com

“Këto prodhime dhe bashkëprodhime kosovare do të transmetohen për publikun gjatë këtyre ditëve dhe javëve të ardhshme”, thuhet ndër të tjera në postimin e saj në Facebook.

Këtu keni postimin e plotë:

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia dhe në pamundësi të shkojmë në kinema, Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me filmbërësit kosovarë, të cilët i ka mbështetur viteve të fundit, do të sjellin premiera të ndryshme filmike të cilat do të shfaqen në platforma të ndryshme televizive dhe mediume online.
Këto prodhime dhe bashkëprodhime kosovare do të transmetohen për publikun gjatë këtyre ditëve dhe javëve të ardhshme, duke filluar këtë të diel, nga ora 20:30 në KTV, me filmin T’PADASHTUN nga Edon Rizvanolli dhe në ora 21:00, në TV21 filmin NJË TREGIM PRISHTINE të regjisores Burbuqe Berisha.

Ju dëshirojmë shikim të këndshëm”.

Qiriu dhe tulla

Përrallë nga Hans Andersen

Një qiri u shkëput një ditë nga shandani ku ishte ngjitur dhe u përplas përmbi një tullë. Atje kuptoi se tulla ishte më e fortë se ai.
— O mike — i tha — jam shumë i gëzuar që rashë përdhe dhe të njoha ty! Dua të të pyes si bën që je aq e fortë: dëshiroj dhe unë të bëhem i fortë si ti dhe të mos thyhem të mos shtrembërohem as të
mos shkrihem.

Dhe tulla iu përgjigj:

— Të të them troç të vërtetën: njeriu që me bëri prej balte argjili më futi në një furrë ku flakëronte një goxha zjarr. Dhe, ashtu e rrahur dhe e pjekur në zjarr, u bëra e fortë si guri.
— Vërtet flet apo tallesh? — ia preu qiriu, i cili në fillim nuk i besoi.
— Po, po, të betohem se kështu është; këtë e dinë të gjithë, të mëdhenj e të vegjël.

Qiriu, gjithë gëzim, duke mos ditur ndryshimin që ka dylli nga tulla, mendoi të përfitonte nga këto fjalë të tullës dhe tha me vete: “Do të hyj dhe unë në furrë. Sa do të habitet zonja e shtëpisë kur të më
ndezë dhe të verë re se nuk do të shkrihem. Pastaj do të inatoset, do të më përplasë për tokë dhe do të habitet akoma më shumë kur të shikojë se nuk do të thyhem as do të shtrembërohem si më parë”.

Kështu qiriu i papjekur nga mendja ruajti çastin kur ishte ndezur furra e kuzhinës dhe kur e zonja nuk ndodhej aty. Me një të hedhur hyri brenda në furrë që të forcohej si tulla. Pas pak minutash, në vend që të bëhej më i fortë, u shkri i tëri, ndërsa tulla që e vuri re kur po mbaronte fare, e ngushëlloi me këto fjalë:

— Ti s’e paske ditur se natyra na ka bërë të ndryshme. Ti ndriçon shtëpinë me dritën tënde, unë ngre mure; po ti s’ngre dot mure, as unë s’ndriçoj dot shtëpinë. Çdo send ka cilësinë dhe natyrën e vet. /KultPlus.com

Me teknologjinë 5g, nuk do të ketë siguri dhe privatësi absolute më askund në planet

Nga: Emrush T. Shkodra

Teknologjia 5G trendi më i ri në botë, është hapur një konkurrencë rapide në mes gjigandëve dhe kompanive teknologjike.
Me instalimin e 5G që pritet të behët gjatë vitit 2020-2021, bota do të ndryshojë për gjithçka, dhe nuk do të jetë më si më parë.
5G rrjeti është gjenerata më e re e lidhjeve të internetit mobil, duke ofruar shpejtësi më të mëdha dhe lidhje më stabile në smart telefonat dhe pajisjet e tjera, si kurrë më parë. 

Lidhja 5G pritet që shpejtësia për të zbritur të dhëna nga interneti nga 1GB(ps) për sekond të bëhet normë e zakonshme, dhe do të jetë për 100 qind herë më i shpejt se 4G e LTE.

Implementimi dhe instalimi i 5G, do të thotë kontroll mbi gjithçka, lidhje dhe ndërhyrje në të gjitha transmetimet e më hershme që operojnë si pajisje të instaluara nëpër vende të botës.
Spektri i tillë që do të instalohet do të përdoret për informata për vëzhgimin e gjendjes në tokë nga hapësira, parashikimin i motit, dhe kontrollin e sigurisë nacionale të shteteve që do ta instalojnë 5G.
Pajisjet autopilot siç janë: aeroplanët, dronët, dhe tërë teknologjia e cila është e lidhur me autopilotizëm do të kenë mundësi të transmetojnë sasi të mëdha të të dhënave për një kohë shumë të shpejtë.
Do të rrisë përdorimin e telekomunikimeve të radarëve, radio transmetimeve të hapësirës, astronomi, dhe lidhje mes satelitëve që operojnë në hapësirë!
Shfrytëzim i të dhënave për sistemin audio amazon, sistemet që monitorojnë sigurinë nacionale, ndriçimin rrugor, termostatet, kamerat e sigurisë së qendrave urbane dhe kufitare, pajisjet elektronike të instaluara nëpër shtëpi etj.
Madje do të përdorët edhe në pasaportë, ose ID ku përmes senzorëve të ndjeshëm ato do të transmetojnë të dhëna në adresën e instaluar.

Valët milimetrike që do të përdorën në teknologjinë 5G nuk do të jenë të dëmshme për shëndetin, dhe radio frekuenca sa më e lartë aq më pak depërton në lëkurën e njeriut.

Nuk do të ketë siguri dhe privatësi absolute më askund në planet, për shkakun se senzorët e antenave të vendosura nëpër qendra dhe vende të ndryshme do të depërtojnë edhe nëpër muret më të blinduara.
Smartphonet do të jenë e ardhmja e valëve milimetrike si transmetues të denjë dhe hyrje në privatësinë e secilit njeri që posedon një të tillë në shtëpi, punë e gjetiu.
Teknologjia 5G do të ingjizon zërin tuaj në një rreze prej 15.km, dhe do të gjejë dhe vendos lokacionin tënd në bazat e instaluara më një shpejtësi marramendëse.

E kush është problemi kryesor këtu?

Huaëei, një kompani Kineze në disa shtete Evropiane ka filluar instalimin e këtyre pajisjeve pasi ato kanë pranuar të instalojnë sistemin 5G tashmë. Më gjithë paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara mbi ketë kanosje të drejtët për drejt dhe humbjes së sigurisë së shtetit aty ku do të vendosen këto pajisje.

Kompanitë softëerike, prodhuesit hardëerik, provajderët telekomunikativ kinezë, sipas ligjit janë të detyruar tu shpërbejnë interesave të qeverisë Kineze dhe shërbimeve të tyre për zbulim.
Nëse Huaëei ose ndonjë prodhues tjetër kinez i pajisjeve e ndërton 5G infrastrukturën në një shtet, atëherë qeveria kineze do të ketë mundësi të kontrollojë atë rrjet, dhe si rrjedhojë do të këtë qasje në smartophone, sms, foto, video. Internet, TV etj. Për ketë arsye kompanitë Amerikane do të jenë me stabile, dhe lehtë të komunikueshme në marrëveshjet me shtetet që do të pranojnë ta instalojnë.

Atëherë e ardhmja e një shteti dhe siguria e tij do të varet kryesisht nga instalimi i teknologjisë 5G.

Pra kush instalon 5G, do të kontrollon familjen, shtëpinë, shtetin, do të kontrollon botën! /KultPlus.com

“Sundimtari” i Makiavelit dhe “Lufta ime” e Hitlerit – librat që tronditën botën!

Librat janë një prej pasurive më të mëdha të njerëzimit, por në shumë raste përgjatë historisë janë shkruar libra, të cilët kanë ngjallur polemika të forta, kanë nxitur ide publike të pavërteta apo nuk janë bazuar në fakte.

Librat janë një prej pasurive më të mëdha të njerëzimit, por në shumë raste përgjatë historisë janë shkruar libra, të cilët kanë ngjallur polemika të forta, kanë nxitur ide publike të pavërteta apo nuk janë bazuar në fakte. Ka pasur raste, kur libra të ndryshëm kanë shkaktuar vdekje masive, shkatërrim dhe regjime të egra qeveritare. Ka dhe nga ata që thjesht kanë shkaktuar polemika të forta shkencore, por pasojat e tyre s’kanë pasur impakt mbi njerëzimin, vetëm mbi autorin. Në këtë listë paraqiten dy nga dhjetë librat më të debatueshëm për arsye të ndryshme. Shumë prej tyre kanë pasur pasoja të rënda për njerëzimin, disa prej tyre nuk e kanë pasur këtë qëllim në momentin që janë shkruar, por më vonë janë përdorur nga njerëz të tjerë, të nxjerrë jashtë kontekstit.

“Princi”, Niccolò Machiavelli, 1532

Ka shërbyer si frymëzim i nxjerrë jashtë kontekstit për shumë tiranë, një ndër to është dhe Stalini. Machiavelli shpresonte të krijonte një revolucion në zemrat e lexuesve të tij dhe ai e arriti atë në njëfarë mënyre. Vetëm se në shumë raste, siç është rasti i shumë diktatorëve, jo në mënyrën më të mirë. Disa prej aplikuesve të teorive të tij kanë marrë fraza të shkëputura nga konteksti, si për shembull: “…nuk është e nevojshme që një princ të ketë të gjitha cilësitë e lartpërmendura (i mëshirshëm, besnik, human, i ndershëm dhe besimtar), por është e nevojshme që të duket se i ka ato. Disa prej njerëzve të frymëzuar nga ky libër janë Stalini, Hitleri, Musolini etj…

“Mein Kampf”, Adolf Hitler, 1925

Ndihmoi në shpërndarjen e gjenocidit antisemit të Hitlerit, në atë kohë. Në “Mein Kampf”, Hitleri theksoi planin e tij për Gjermaninë e re, i cili përfshinte vrasjen masive të hebrenjve, një luftë kundër Francës dhe Rusisë, për të krijuar hapësirë jetese për gjermanët. Në kohën e botimit të tij, libri u injorua nga lexuesit, por me të marrë pushtetin Hitleri kjo gjë ndryshoi. Mendohet se në vitin 1945, në qarkullim ishin 10 milionë kopje të librit. Libri thekson këndvështrimin racist, sipas të cilit njerëzit klasifikohen nga raca si superiorë dhe inferiorë./AlbertVataj / Filozofia.al / KultPlus.com

Europarlamentarët mirëpresin heqjen e taksës, presin nga BE-ja heqjen e vizave për Kosovën

Pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të hequr tërësisht taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina nga 1 prilli, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon-Taubadel dhe Kryesuesi i Delegacionit për marrëdhëniet Bosnje-Kosovë, Romeo Franz, thanë se shpresojnë që me këtë hap do të rinis dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, ata shpresojnë që me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, edhe BE-ja do ta mbajë premtimin e dhënë për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Jemi shumë të lumtur me vendimin e marrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës për të hequr tarifat 100 për qind. Është një sinjal shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit politik në rajon dhe hap vendimtar, i cili shpresojmë se do të çojë në vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës të normalizohen”, tha Viola Von Cramon-Taubadel, raporton KOHA.

Ndërkaq, Romeo Franz, tha se presin nga shtetet anëtare të BE-së “të realizojnë premtimin e tyre për t’iu dhënë qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht krizës aktuale politike”.

“Kjo mund të jetë një shenjë e rëndësishme e solidaritetit, veçanërisht për të rinjtë e Kosovës dhe për përkushtimin e vendit për të ardhmen e tij evropiane”, theksoi Franz.

Nëntorin e vitit 2018, qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, vendosi taksë 100% për të gjitha produktet nga Serbia dhe Bosnja ed Hercegovina.

Kurse më 1 prill, qeveria në detyrë e Kurtit, vendosi që kjo masë të hiqet dhe në vend të saj, Serbisë t’i vihet reciprocitet. Koha.net / KultPlus.com

Heinrich Müller, një nga përgjegjësit kryesorë të Holokaustit, thuhet se ka jetuar me një emër të rremë në Tiranë

Nga Aurenc Bebja

Ndërsa po bëja disa kërkime mbi historinë e Shqipërisë, gjeta rastësisht një shkrim, i cili mbase mund të përmbajë një informacion të rëndësishëm mbi një zyrtar të lartë nazist që supozohej se kishte vdekur ose ishte zhdukur më 29 prill 1945, në Gjermani.

Bëhet fjalë për Heinrich Müller, pseudonimi i të cilit ishte “Gestapo Müller”, pjesëtar i SS-Gruppenführer. Ai ishte një nga përgjegjësit kryesorë të Holokaustit. Sipas një artikulli të gazetës “Le Figaro”, të datës 31 tetor 2013, Mülleri u varros në 1945 në një varrezë hebraike në lagjen Mitte të Berlinit, gjithsesi ky lajm ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.



Është zbuluar vendi ku gjendet i strehuar i ligu Heinrich Müller, krahu i djathtë i Himmler-it.

Që nga viti 1956, ky administrator i kampeve të vdekjes naziste ka jetuar nën emrin e “Abedin Bekir Nakoschir” në Tiranë, ku ai ushtron funksionet e shefit të policisë sekrete shqiptare.

Sapo u informua, një organizatë e luftëtarëve të rezistencës nga Schleswig-Holstein i dërgoi një mesazh Walter Ulbricht, presidentit të Republikës Demokratike gjermane, duke i kërkuar atij të kërkonte ekstradimin e Muller në mënyrë që ai të jepte llogari për krimet e tij.

Letra është e datës 15 janar 1964. Deri më tani, nuk është marrë asnjë përgjigje.

Gazeta “Le Monde” gjithashtu ka shkruar mbi mundësinë që Mülleri mund të ketë jetuar gjatë asaj periudhe në Shqipëri, së pari në një artikull të 7 janarit 1964, duke shpjeguar ardhjen e tij në tokën e shqiponjave : …thuhet se Mülleri ka zbuluar identitetin e tij të vërtetë një inxhinieri të Gjermanisë Lindore vitin e kaluar në hotelin Adriatik në Durrës, në bregdetin shqiptar, gjatë një momenti kur të dy burrat gjendeshin të dehur… Sipas Der Stern (gazetë javore gjermane), thuhet se Mülleri është përdorur që nga viti 1945 nga autoritetet sovjetike, të cilat i dhanë atij një funksion në aparatin e policisë (spiunazhit) që drejtonte Beria. Pas vdekjes së Stalinit dhe arrestimit të Beria-s, Mülleri thuhet se ka emigruar në Hungari, pastaj në Shqipëri pas kryengritjes së vitit 1956. dhe së dyti, në një artikull të 8 gushtit 1967 ajo specifikon : …I kërkuar në të gjithë botën, SS-Gruppenführeri Heinrich Müller thuhet se jeton aktualisht në Shqipëri. Të paktën kështu ka thënë të shtunën, në gazetën Schwaebische Donau-Zeitung, e cila botohet në Ulm, një ish-agjent sekret, Helmut LUI, i cili pretendon se ka ndihmuar Heinrich Müller-in te strehohej në Shqipëri. Sipas LUI, ish-eprori i dikurshëm i Adolf Eichmann-it ka një emër të rremë “Jergj Kovoc” (ndoshta Gjergj) dhe thuhet se jeton në Tiranë. Ai gjithashtu pretendon se ishte ai që e përgatiti largimin e Müller-it në 1949, që sipas tij, ky i fundit gjendej i fshehur në Itali…

Meqenëse vdekja ose zhdukja e Heinrich Müller-it mbetet ende një mister, pista shqiptare duket se është e nevojshme të gërmohet më tej nëpër arkiva më qëllim vërtetimin ose rrëzimin e kësaj hipoteze që e lidh me Tiranën.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania) / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/heinrich-muller-nje-nga-pergjegjesit-kryesore-te-holokaustit-i-deklaruar-i-vdekur-ose-i-zhdukur-ne-1945-thuhet-se-ka-jetuar-dhe-punuar-me-nje-emer-te-rreme-ne-tirane/

Kreativitet në kushtet e izolimit nga COVID-19, Bashkia e Kavajës hap konkursin online

Bashkia e Kavajës hapi sot konkursin online me temë: “Së bashku për familje të shëndetshme e pa dhunë, edhe në situata emergjence!”, duke synuar nxitjen e kreativitetit.

Bashkia e Kavajës ftoi qytetarët të jenë pjesë e konkursit, përmes të cilit mund të japin mesazhe se si mund të kontribuohet për familje të shëndetshme e pa dhunë, në situatën në të cilën ndodhemi.

“Konkursi është menduar të zhvillohet qëllimisht në kushtet e vetëizolimit dhe të kufizimit të lëvizjeve për shkak të masave të ndërmarra për t’u mbrojtur nga COVID-19. Përjetimet tuaja negative, tensionin dhe frikën ju ftojmë t’i transformoni në mjete artistike për të përcjellë mesazhe sa më pozitive dhe optimiste, të cilat të synojnë të mbajnë larg dhunën dhe të ndikojnë në marrdhëniet e shëndetshme familjare, modelet pozitive të përballimit të stresit dhe prindërimin pozitiv”,- njoftoi Bashkia e Kavajës.

“Kalimi i kohës më fëmijët në mënyrë produktive, ndryshimi i mendësive patriarkale dhe steriotipeve gjinore mbi rolin e burrave/djemve dhe grave/vajzave në familje, nxitja e modeleve të përballjes me stresin dhe menaxhimin e frikës, forcimi i marrëdhënieve të shëndosha në familje, aplikimi i ndëshkimeve për këdo që dhunon pavarësisht kufizimeve të emergjencës, etj., – janë disa prej tematikave që mund të përzgjidhni të trajtoni në punimet dhe krijimtarinë tuaj artistike”,- bëhet me dije në njoftim.

“Ftojmë të gjithë individët mbi moshën 15 vjeç (banues në territorin e Bashkisë Kavajë), që të dërgojnë në adresën e e-mailit: [email protected], krijimet e tyre në fushat: prozë (ese), poezi, pikturë, art fotografik, spote/video të shkurtëra, deri në datën 30 Prill 2020 ora 17.00”,- theksohet në njoftim.

“Të gjitha krijimet e paraqitura deri në datën e caktuar, do të postohen më pas në faqen e internetit të Bashkisë ku nga data 1 Maj deri në datën 10 Maj do të hapet edhe votimi (on-line). Mënyra e votimit do të jetë nëpërmjet “Like”, “Koment” dhe “Share” vetëm nga dhe tek faqja zyrtare e Bashkisë Kavajë”, bën me dije Bashkia e Kavajës.

“Shpallja e fitueseve dhe fituesve do të bëhet në datën 15 Maj 2020.
Për secilën fushë të artit do të jepen tre çmime. Me përfundimin e periudhës së emergjencës, fituesit do të ftohen edhe në një takim ku do të marrin çmimet e caktuara për ta si dhe do të ndajnë me të gjithë ne eksperiencat e tyre”,- vijon njoftimi.

“Ky aktivitet organizohet nga Bashkia Kavajë në Bashkëpunim me UNDP Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara, “Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzve”, financuar nga Qeveria e Suedisë dhe që po zbatohet nga UNDP, UN Women dhe UNFPA, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë”,- përfundon njoftimi i Bashkisë së Kavajës. /Atsh /KultPlus.com

Durant “mund” Covid-19

Kevin Durant dhe anëtarët e tjerë të Brooklyn Nets, nuk kanë më simptoma të koronavirusit, njoftoi menaxheri i përgjithshëm Sean Marks.

Nets dy javë më parë njoftuan se katër anëtarë të tyre ishin pozitiv në koronavirus, por nuk treguan emrat e tyre, por vetë Durant njoftoi se ishte njëri prej tyre.

Ylli i NBA tani është shëruar nga koronavirusi.

Tani Durant dhe koleget e tij, nuk janë të vetmit nga NBA që janë prekur nga virusi “Covid 19” dhe kanë kaluar këtë vështirësi, pasi që më parë, Rudi Gober dhe Donovan Miçel, ishin në mesin e atyre që ishin të prekur nga pandemia “Covid 19”.

Rudy Gobert, i cili me veprimin e tij shkaktoi ndërprerje masive të të gjitha garave në ShBA, doli i shëruar javën e kaluar, ashtu si shoku i tij i skuadrës së UTE, Donovan Mitchell.

Me COVID-19 janë shënuar edhe dy lojtarët e LA Lakers. Tch / KultPlus.com

Hans Andersen, gjeniu i përrallave magjepsëse të një bote ëndërrimtare

Unë do të bëhem i famshëm’, shkruante ai në ditarin e tij. Asgjë veç këtij përkufizimi dëshirues dhe një jete andrallash nuk ishte në të mundshmet e djalit të një këpucari dhe një nënë analfabete. Por fati është gjithnjë me atë që beson në ëndrra. Ishte edhe me Hans Christian Andersen.Ne vërtetë jemi të rritur, por ndaj atij që na mësoj të ishim fëmijë i detyrohemi shumë më shumë se sa një mirënjohje, një ndërmëndje, riardhje në ato përjetime, të cilat u bënë çaste shkrepëtitëse në hovet fillimore për të krijuar botën tonë, botën e çiltërsisë dhe pafajsisë, shpengimit dhe dlirësisë. Mëkimi i një shpirti përfytyrimesh magjepsëse që Andersen na mëkoi , më shumë se një kolovitje në krahët e gjumit, ishte një predikim që diti të shenjtëronte shpirtin e përkorë të fëmijëve, të shpalonte në pamatësi botën e tyre imagjinare, të rrëmbente dhe miklonte ëndjen e tyre të dlirë dhe paqtimin e tyre engjëllor. Ai ishte zëri që zbriti deri thëllë në zemrat e shëlbyera prej mrekullimit të jetës, të shtangte ato sy të kthjellët e të trazonte me trillet ëmbëlake cohën e hollë ku strukej hutimi i tyre.

Më 2 prill 1805 erdhi në jetë Hans Christian Andersen, për t’u shuar më 4 gusht 1875 në moshën 70-vjeçare. Fëmija i një babai këpucar dhe nënës analfabete, punonjëse pastrimi, nuk ishte dhe aq e andshme. Por varfëria nuk e ndali lindjen e një ylli në këtë sentiment që nisi të gatuhej duke dëgjuar histori dhe rrëfenja të ndryshme nga të  moshuarat në një azil vendas, i cili i shërbente njerëzve me probleme mendore. Ai ishte kaq i vëmendshëm dhe i ndiqte ma kaq interes ndërsa ata flisnin për të shkuarën e tyre. Ky fëmij kureshtar, tek i cili ne mundemi të gjejmë copëza të asaj të shkuare, ndërsa koteshim duke ndjekur kuvendimet e prindërve. Është pikërisht ky tipar, e cila do ta rrëmbente Andersenin për ta përfshirë në një botë, që do të na rrëmbente duke na mrekulluar atëditë e sot.

Hans Christian Andersen që kur ishte ende i njomë, një afri me librin dhe leximin do të shënonte gurthemelin më të rëndë të shtatimit të kësaj përmendoreje, para të cilës në përulemi si para një altari. Antersen iu desh të punonte si shegert, të mbante mbi supet e tij të njoma barrën e familjes, kjo ngase i ati e braktisi shumë shpejt. Në moshën 14 vjeçare u nis për në Kopenhagen ku nisi të punonte si aktor në teatër. Asokohe ai shquhej për vokalin e tij. Krijimtaria do të vinte më pas. Tregimi “Një udhëtim në këmbë nga kanali i Holmen deri në anën lindore të Amagerit” i shkruar më 1829 ishte shkrepëtima e parë e suksesit për Andersenin. Në të njëjtën stinë botoi një shfaqje komike dhe një përmbledhje poemash. Më pas solli në jetë “Anjeta dhe Mermani”. Më 1833 vizitoi Italinë. Romani i tij i parë me titull “Parashikuesi” u botua më 1835 dhe pati sukses të madh. Në vitin 1835 Andersen botoi përrallat e tij të pavdekshme, të cilat janë përkthyer në më shumë se 125 gjuhë dhe ngulitur në vetëdijen kolektive të Perëndimit, lehtësisht të arritshme për fëmijët, por duke paraqitur mësimet e virtytit dhe elasticitetit për lexuesit e pjekur.

Anderseni ishte një shkrimtar me hambare të përplotura e larushitëse, ai shkroi kujtime udhëtimesh, novela dhe poezi. Por në kryerendje ai do të mbamendet për shpërfaqjen e magjishme, endjen plot dinamizëm dhe pasion, plot temp dhe ngjyresa, ankth dhe befasi, të botës së zanave dhe shtojzavalleve. Ajo që e bën unik këtë personalitet është se krijimtaria e Andersenit, bota imagjinare që e endi me kaq pasion e përkushtim, nuk mund të ishte pronë vetëm e fëmijëve, në krahët e këtij përfytyrimi, këtyre shpengimeve e trilleve bukurane do të magjepseshin edhe të rriturit.

Përrallat e tij janë krijimet më të bukura e më të lexuara të letërsisë botërore për fëmijë në shekullin XIX. Ato janë përkthyer e botuar në më shumë se 100 gjuhë. Në njërën nga këto përralla gjejmë një sintezë të shkëlqyer alegorike të jetës së tij: Na ishte njëherë një rosak i vogël, i shëmtuar e i ndryshëm nga të tjerët. Të gjithë e shanin dhe e përbuznin, prandaj dhe ai e ndiente veten aq fatkeq. Dhe kështu vazhdoi gjersa një ditë prej ditësh, befas e kuptoi se qe bërë mjellmë e bukur. Anderseni lindi në një qytet të vogël të Danimarkës, në Odensë, që ndodhet në ishullin Fyn, në familjen e një këpucari të varfër. E ëma, rrobalarëse. Shkollën thuajse nuk e ndoqi fare. Qe djalë i çuditshëm, aspak i pashëm, i cili ëndërronte e lexonte shumë. I vdes i ati duke e lënë familjen në gjendje të varfër ekonomikisht. Djali lë shkollën e zë punë në një fabrikë stofrash. Në moshën 14-vjeçare largohet e shkon në Kopenhagen. Provoi në qytetin e madh të futej si aktor në balet, në kor, por kudo provincialin e nxorën të paaftë. Mësoi vjersha përmendësh dhe i recitonte nëpër kafene, në rrugë. Në moshën 16-vjeçare paraqiti një tragjedi; nuk ia pranuan. Atëherë hyn në punë si zdrukthëtar. Por në Kopenhagen ai u njoh me Jonas Collins, drejtor i Teatrit Mbretëror, miqësinë e të cilit e ruajti gjatë gjithë jetës. Me ndihmën e tij fiton bursë studimi e hyn në klasën e dytë gjimnaz. Nxënësit 12-vjeçarë të klasës talleshin me djaloshin 18-vjeçar. Mbaroi gjimnazin “shkëlqyeshëm” dhe përsëri me ndihmën e Collinist hyri në universitet. Mori titullin shkencor “Kandidat filozofie”.

Gjatë kohës së studimeve shkruante vodëvile, vjersha humoristike etj., që të jetonte .Më së fundi arriti të shfaqte dramën e tij të parë dhe iu duk se kishte prekur qiellin me dorë. Gjithë jetën ashtu mbeti: një fëmijë i madh që entuziazmohej lehtë, por që prekej ende më lehtë; madje edhe kur ishte në kulmin e famës, mjaftonin vërejtjet e ndonjë kritiku pa vlerë që Anderseni të vuante aq shumë. Shkroi një sërë veprash. Romani “Improvizator”(1835), i pari dhe më i suksesshmi nga gjashtë romanet autobiografike, e bëri të njohur edhe jashtë Danimarkës. Ishte historia e fatit të një poeti italian të dalë nga populli, tragjedia e artistit në shoqërinë ku marrëdhëniet njerëzore janë nën pushtetin e interesit dhe të paragjykimeve. Sapo fitoi honorarin e parë, Anderseni që tani s’ishte më “rosaku i shëmtuar”, po “mjellmë e bukur”, nisi të udhëtonte nëpër Evropë. Gjersa vdiq, ai s’pati një vend të përhershëm banimi, një shtëpi në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Asnjëherë s’u martua, por që vazhdimisht në lëvizje nga njëri vend në tjetrin. U njoh e pati miqësi me Balzakun, Dikensin, Dymanë, Hajnen, Vagnerin, Shumanin, Mendelsonin, Rosinin, Listin dhe, siç i pëlqente të shprehej, shkëlqimi i mendjes dhe i shpirtit të këtyre njerëzve të shquar e mbushte edhe atë plot forcë e freski. Shkroi shumë drama, romane, shënime udhëtimi, poezi. Por, siç thotë një kritik, nëse romani “Improvizatori” e bëri Andersenin të famshëm, ishin përrallat ato që e bënë të pavdekshëm. U deshën të kalonin 10 vjet që ai vetë ta kuptonte këtë. Përrallën si formë artistike ai e zbuloi thuajse rastësisht. I ndodhte shpesh të sajonte, të improvizonte histori të çuditshme e fantastike për t’ua treguar fëmijëve. Më pas, në kohën e lirë, i hidhte në letër si për t’u zbavitur, por ato e bënë të madh. Përrallat e tij (1835) – Botimi i tyre nisi më 1835. Tri vëllime: “Përralla për fëmijë” (1835 – 1837), “Përralla të reja” (1845 – 48) dhe “Histori” (1852- 53). Nga viti 1835 – 72 botoi gjithsej 168 përralla. Këto mund të ndahen me disa grupe: I. Përrallat e para, si “Çakamaku”, “Klau i madh dhe Klausi i vogël” etj., e kishin zanafillën te përrallat popullore, të dëgjuara qysh në fëmijëri. Por të tilla shkroi edhe më vonë (“Mjellmat e egra”, “Sirena e vogël” etj). Këto janë përralla romantike. II. Përrallat që janë krijime të mirëfillta, shpesh transkriptime ndodhish reale të jetës daneze (“Hdger Danezi” etj.) Nganjëherë, – thotë autori, – më duket sikur çdo lule e vogël më thotë; Vështromë vëtem për një çast dhe historia ime do të hyje te ti… ” Dhe me tutje: “Në fillim më vjen një ide për të rriturit dhe pastaj nis të rrëfej një histori për fëmijë, por pa harruar asnjëherë se edhe babai me nënën janë duke dëgjuar dhe se edhe atyre u duhet dhënë diçka për të menduar. Pra, përrallat më të mira të Andersenit, ku gjejmë moral, po kurrë moralizim, janë njëlloj interesante si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit. Fëmijët i tërheq subjekti, kurse të rriturit domethënia, mendimi që fshihet thellë në to. III. Përralla të jetuara në jetën e autorit ( “Rosaku i vogël i shëmtuar”, “Bredhi” etj.). IV. Ekziston një nëngrup tjetër i vogël përrallash me motive të huajtura nga burimet letrare, si p.sh. “Rrobat e reja të mbretit”, për të cilën ka shfrytëzuar një burim të tillë Spanja. Por edhe ato mund të konsiderohen si krijime origjinale të mjeshtrit danez. Ç’gjë i bën përrallat e Andersenit të zënë një vend nderi në mes të krijimeve me të mira botërore? Anderseni nuk ishte një mbledhës i përrallave, si vëllezërit Grimm, as një përrallëtar i tipit romantik, që e krijonte përrallën si shmangie nga realiteti. Ai i ngrinte përrallat e tij mbi realitetin ekzistues. Në të jepen sinteza të anëve më thelbësore të kohës së vet. Siç thotë një studiues i tij, ai i kishte këmbët të mbështetura fort në truallin e Danimarkës, edhe atëherë kur koka i dilte sipër, mbi re. Veçori artistike të përrallave të tij:

1. Uniteti i ngushtë i dy planeve të narracionit: atij fantastik (alegorik) dhe atij real. Në vitet ’50 te Anderseni u thellua karakteri realist i artit. Përralla, sipas tij, duhet të sjellë edhe kënaqësi, edhe dobi. Thelbi i saj përmblidhet jo në fjalët, por në domethënien e brendshme të fshehur.

2. Natyra është mjet i personifikimit, i tipareve të shoqërisë së kohës së tij. Gjithë ata që e patën njohur Andersenin, vënë në dukje se ai gjer në fund të jetës mbeti një fëmijë i madh, ruajti atë shikimin e freskët fëminor të botës, të natyrës. Natyra zë vend të rëndësishëm pothuajse në të gjitha përrallat e tij. Ajo është gjithnjë në sfond, shoqëron heronjtë, ndikon mbi ta, amplifikon botën e tyre të brendshme, bëmat e tyre.

3. Nën maskën e sendeve apo të kafshëve arrihet një efekt i madh satirik e ironizues. Dhe satira e tij është mjaft e guximshme. Çdo send, – thoshte ai, – duhet ta quajmë me emrin e vërtetë; dhe në qoftë se kjo është e rrezikshme në jetë, atëherë ajo duhet bëre së paku në përrallë. Tek Anderseni kemi artistin demokrat në evoluim të vazhdueshëm. Në fillim kritikoi prapambetjen feudale, por besonte te monarku i mirë. Lëvizjet e medha shoqërore në Danimarkë dhe fitorja e kapitalizmit e bënë atë që të evoluonte. Në periudhën e parë, pra, kritikonte feudalizmin aristokratik (“Rrobat e reja të mbretit”, “Princesha mbi bizele”), kurse më pas kritika e tij përfshin edhe borgjezinë (“Hija”). Anderseni ishte poet i të varfërve, paçka se edhe mbretërit e quanin për nder të shtrëngonin dorën e tij të thatë, siç thotë një nga shkrimtarët e shumtë të dashuruar pas tij. /Albert Vataj /KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës me shfaqje livestream

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njofruar se do të fillojë me shfaqje livestream në pamundësi për t’i dhënë ato si më parë për shkak të situatës së krijuar nga Coronavirusi, shkruan KultPlus.com

“Në pamudësi për të qenë bashkë me ju çdo mbrëmje në sallën e teatrit, ne do të sjellim teatrin nëpër shtëpitë tuaja”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre në Facebook.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Njoftim për shfaqjet livestream nga Teatri Kombëtar i Kosovës

Të dashur publikë,
Me repertorin e pezulluar, premierat e shtyera, provat e anuluara, me mbylljen e teatrit për një kohë të pacaktuar, aktorët, punërtorët dhe menaxhmenti i Teatrit Kombëtar i Kosovës, ndihet në faj dhe i pafuqishëm që nuk është me ju në çdo mbrëmje në sallën e TKK-së. Nuk jemi bashkë që të ndajmë të qeshurat e hareshme nga komeditë e repertorit tonë, të ndajmë emocionet, përjetimet, dhimbjet, lotët, por edhe momente gëzimi, ashtu siç bënim përnatë. Të ndjerë gati të paforcë, por jo të dorëzuar, edhe ne edhe ju, jemi ngujuar nëpër shtëpitë tona duke respektuar shëndetin e njëri tjetrit por edhe shtetin në përgjithësi. “Mos pyet cfarë ka bërë shteti për ju, por cfarë keni bërë ju për shtetin?!”. Institucionet shtetërore nuk kanë kërkuar kurrë më pak prej nesh, vetëm të qëndrojmë në shtëpitë tona. Mirëpo le ta dijë COVID-19; le ta dijë edhe shteti por edhe secila forcë tjetër, se nuk mund ta ndalin teatrin. Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht.
Në pamudësi për të qenë bashkë me ju çdo mbrëmje në sallën e teatrit, ne do të sjellim teatrin nëpër shtëpitë tuaja.
Këtë të premtë (03.04.2020), në ora 20.00, në faqen e Facebook-ut, të Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të sjellim (livestream) superkomedinë “I ligu për mend”, nga Gjergj Fishta, me regji të Altin Bashës.
Ndërsa ditën e shtunë (04.04.2020), në ora 20.00 për ju do të shfaqim një nga produksionet tona më të mira të mjeshtrit të madh William Shekspeare “Tregtari i venedikut”, me regji të Mathew Lenton. Dhe kështu do të vazhdojmë edhe gjatë javëve që vijnë.
Jemi me shpresë se kjo praktikë të dështoj sa më shpejtë dhe së bashku t’i rikthehemi shtëpisë sonë të shënjtë, TEATRIT”.

Instituti i Medias në Kosovë letër Kurtit: Gazetarët të konsiderohen vijë e parë e frontit kundër Covid-19

Instituti i Medias në Kosovë, sot i ka dërguar letër Kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Ministrit të Financave Bislim Bislimi dhe Komisionit të Pavarura të Mediave të Kosovë.

Në të gjenden kërkesat e paraqitura në konferencën për shtyp të datës 1.4 2020 , ku kërkohet të ndihmohen mediat në Kosovë pas situatës së rënd që ka shkaktuar Covid-19, njofton Klan Kosova.

”KËRKESË

I nderuar kryeministër

Instituti i Medies së Kosovës, është një institucion perfaqësues i industrisë mediale të Kosovës.

Në emër të Radiove dhe televizioneve të licensuara në Kosovë, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të mbështetë mediat e Kosovës në kuadër të fondit të veçantë per bizneset dhe të punësuarit, për shkak se funksionimi i tyre është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Mediet në Kosovë jetojnë nga marketingu dhe në këtë kohë kur po përballemi me Virusin Korona, kompanitë tashmë kanë ndërprerë reklamimin e tyre në media. Rrjedhimisht, mediat (pos RTK-se që financohet nga buxheti i shtetit), gjate muajit Mars nuk kanë realizuar pothuajse asnjë të hyrë.

Në Kosovë janë 170 medie audio-vizuale, të licencuara nga Komisioni i Pavarur i Medieve i Kosovës, një pjesë e madhe syresh është rrezik që të mbyllen dhe punëtorët e tyre të largohen nga puna.

Siç e dini, punëtorët e mediave të Kosovës nuk e kanë ndërprerë asnjë ditë punën e tyre, dhe pronarëve të medieve u janë rritur shpenzimet edhe më shumë, duke krijuar kështu borxhe të shumta.

Duhet pasur parasysh, qe mediet gjysma e mediave janë kompani private dhe gjysma OJQ.

Mediet që funksionojnë si OJQ ligjërisht nuk mund as edhe të huazojnë, prandaj kercënohen me mbyllje imediate.

Muaji Qershor eshte afati perfundimtar per pagesen e takses vjetore te licenses, mjete këto që shkojnë në buxhetin e shtetit.

Kërkojmë nga Qeveria që:

1. Të udhëzojë Komisionin e Pavarur të Medies që të heqë taksën e licencës për këtë vit.

2. Të konsiderojë gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë si kategori e vijës së parë të frontit kundër COVID-19, si mjekët e policët.

3. Të ndihmojë financiarisht pronarët e medieve të licensuara, për të mbuluar shpenzimet e tyre për pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e tjera, nga shpallja e gjendjes emergjente e deri sa të zgjasë ajo.

Me respekt

Kryetari i Bordit të Institutit të Medias Kosovë

Fazli Veliu”

Sot Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë

2 prilli në mbarë botën shënohet si Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë.

Shënimi i Ditës së Librit për Fëmijë ka për qëllim zhvillimin e aktiviteteve të cilat kanë lidhje me shtytjen e leximit tek të vegjlit.

Këtë vit për shkak të pandemisë së COVID-19 nuk do të ketë aktivitete për shëmimin e 2 prillit, përveç atyre virtuale.

Që nga viti 1967 në mbarë botën 2 prilli shënohet si Dita ndërkombëtare e Librit për Fëmijë. Në këtë ditë shënohet edhe ditëlindja e shkrimtarit të njohur danez për fëmijë Hans Kristian Andersen. / KultPlus.com

Në karantinë zbulova se bashkëshortja ime qenka gruaja e ëndrrave të mia

Nga Marigona Krasniqi

Me gruan time u njohëm para gjashtë viteve. Ajo ishte pjesëmarrëse në çdo aktivitet që zhvillohej në universitet dhe gjithmonë e kisha admiruar për zellin dhe energjinë që nuk i shteronte asnjëherë.
Ishte e hareshme, punëtore dhe shumë modeste.

Anipse studionim në të njejtin drejtim nuk më rastiste shpesh të bisedoja me të, edhe atëherë kur mund të bisedoja asaj gjithmonë i dilte një punë. Thjeshtë ajo ishte e paarritshme për mua. E shihja si motiv dhe si të pathyeshme. Për mua ishte femra më e ndershme dhe njëherit më e sukseshme që kisha takuar ndonjëherë.

Me kalimin e ditëve na rastisi të punonim në të njejtin projekt. Projekt ky që u bë shkak i afrimit tonë. Rrodhi si rrodhi dhe pas tre muajsh unë e martova këtë vajzë të mirë. Por duke e parë si gruan time dhe duke e njohur akoma më shumë, filloj të zbehej në mua gjithë ai vlerësim i mirë që kisha për të.

Krahas gjithë asaj energjie pozitive që përhapte ndër të tjerët fshihej shëndeti i saj i dobët, krahas sukseseve të saja fshiheshin njëmijë dështime dhe krahas asaj fytyre të buzëqeshur fshiheshin qindra lotë. Dhe unë në vend se ta vlerësoja për forcën që e gjente nga nëntoka dhe për arritjet e saja, përkundër sfidave e sprovave të mëdha, unë fillova ta konsideroja si një femër të dobët dhe të padobishme.

Pata jetuar në një rreth të tillë shoqëror që mendoja se njerëzit e fortë nuk posedonin as edhe një pikë të dobët dhe nuk duhej të kishin ndjenja. Unë e doja shpirtin luf-tarak të saj por e vra-va atë.
E vra-va duke e izoluar nga xhelozia, duke e nënvlerësuar në çdo rast, duke mos vlerësuar përpjekjet e saja.

Dhe pasi ne u bëmë me dy fëmijë ajo veç u distancua nga profesioni dhe nga ambiciet e saja. Atëherë veç filluan edhe zënkat e shpeshta dhe të gjata. Nuk kujdesej aq shumë për vetën, nuk e shihja duke u marrur me librat e as duke bërë ndonjë punë tjetër, vetëm se pastronte gjithë ditën dhe merrej me fëmijët. Por përkundër kësaj unë sa herë kthehesha nga puna i gjeja dhjetra gabime si në mirëmbajtjen e shtëpisë ashtu edhe në kujdesin e fëmijëve.

Anipse i kisha thënë se unë e dua shpirtin e saj të mirë dhe se më pëlqente natyrale, unë lakmoja vajzat e tjera. Përderisa gruaja ime kujdesej për familjen, shtëpinë dhe nderin tim, unë nuk e vëreja për të mirë, por sa herë shihja arritjet e një femre thoja pse e imja nuk është e tillë, sa herë shihja femra të zbukuruara në rrugë dhe në rrjete sociale unë bëja krahasimin me gruan time dhe seç më dukej e shëmtuar.

Kështuqë fillova ta nënvlerësoja pothuajse totalisht. Edhe kur qëndroja në shtëpi unë rrija në telefon, ndërsa kur isha jashtë shtëpisë as nuk interesohesha në mund t’ia dilte. Megjithatë ajo nuk u ankua. Ishte shumë e durueshme me mua dhe asnjëherë nuk më rëndoi me fjalët që i meritoja të mi thoshte.

Kjo gjendje vazhdoi deri tani, kur në botë u përhap pandemia. Mua më liruan nga puna dhe po qëndroj më gjatë në familje. Zoti deshi të ma hap gjoksin dhe të ma kthjellojë mendjen time. Arrita ta shihja përsëri atë femren e fuqishme dhe të pathyeshme.

Gruaja ime zgjohet e para në mëngjes dhe fle e fundit. Ajo kujdeset për ushqimin tim, për pastërtinë time, për edukimin e fëmijëve të mi. Një ditë vendosa t’i analizoja më detajisht punët e saj.

Ajo u zgjua para orës gjashtë dhe pasi lau fytyrën doli dhe pastroi oborrin, erdhi brenda dhe na përgatiti kafet, e pastroi shtëpinë dhe e përgatiti mëngjesin, kur u zgjuan fëmijët i veshi, u dha për të ngrënë, pasi hëngrëm mëngjes na shërbeu me çaj, pastroi tavolinën dhe enët, pastaj i pastroi fëmijët dhe u ndërroi rrobat, nxori nga lavatriçja rrobat e lara dhe i vendosi për t’u tharë, futi rroba tjera për t’u larë. Pastaj i mësoi fëmijët matematikë, tutje i nxori në oborr për të luajtur. Më pastaj erdhi dhe i hekurosi rrobat e thara dhe i vendosi në dollap, ndërsa të tjerat i nxori për t’u tharë. Fëmijët të cilët ishin zhytur duke luajtur i pastroi dhe ua ndërtoi rrobat, pastaj i vuri në gjumë. Dhe gjersa fëmijët ishin në gjumë, ajo u mor me ca fatura të shtëpisë dhe kontrolloi ushqimet në kishim mjaftueshëm, ndërkohë e përgaditi një ëmbëlsirë të cilën ma shërbeu me kafe. Pasi pastroi enët e tortës dhe filxhanët e kafesë ajo u fut në kuzhinë për të përgatitur darkën. Dhe ende pa mbaruar darkën u zgjuan fëmijët. Meqë ishin djersitur ua ndërroi sërish rrobat, më pas rrobat e thara i hekurosi dhe i vendosi në dollap, futi të tjera për t’u larë.
Na shërbeu darkën, qajin, pastroi enët…

Më pas i ndërroi qarqafët dhe na shtroi për të fjetur. Dhe vetëm kur fëmijët i zuri gjumi ajo u mbyll në dhomën e punës. E përcolla nga tinëz pasi dera ishte gjysmë e hapur. Ajo u ulë në kolltuk, duke i mbajtur duart në mes nga dhimbjet, nxori një libër të cilin e kishte në përfundim dhe pasi e mbylli e nxori një fletore në të cilën shkruajti titullin e librit dhe kuptova që për një muaj kishte lexuar 11 libra.

Më mbërtheu vaji. E vështrova nga majat e gishtërinjëve gjerë në maje të kokës. Pas gjashtë viteve u dashurova në të sërish. Sa më shumë po e sodisja aq më e bukur më dukej. Fytyra e pagrimosur dhe e zbehur sikur bënte dritë, dritë kjo që mi kishte verbuar sytë dhe nuk kisha parë qartë.
Flokët e zeza që lëshoheshin supeve ishin sikur fije mëndafshi plotë hijeshi. E veshja e saj reflektonte modesti dhe pastërti.

U ndjeva kaq i turpëruar për vetën, për të. M’u duk kaq e paarritshme sikur dikur. Pata frikë se ishte mësuar me sjelljen time arrogante dhe kur të përmirësohesha nuk do të mund të më duronte. Sa situatë e sikletshme kjo, sa shumë distancë kisha krijuar me të duke e pasur kaq afër, sa shumë e kisha nënvlerësuar duke qenë kaq e ngritur.

Bashkëshortja ime qenka gruaja e ëndrrave të mia. Ajo qenka heroina e ditëve të mia të vështira dhe qetësia e ditëve të mia të zhurmshme. Ajo qenka nderi dhe krenaria ime. I kërkova falje shumë sinqerisht dhe falë Zotit e gjeta falëse dhe të mirëkuptueshme. E tillë është ajo, e tillë ka qenë gjithmonë. Por unë isha verbuar. Ah, sa pendohem.
Tani po përpiqem çdo ditë për të rregulluar gabimet e mia dhe për t’i zëvendësuar me kujdes dhe dashuri./supergrate.net/ KultPlus.com

Mother playing with daughter at home

Dasmë në kohë karantine, familja ndjek ceremoninë e martesës së djalit përmes “video-call”

Në shumë mënyra ishte ashtu si çdo dasmë tjetër.

Në ditën e ceremonisë, prindërit e dhëndrit u përgatitën herët në mëngjes, duke u veshur me rrobat e tyre më të mira të dasmës.

Kur ata ishin të gatshëm për të filluar shërbimin, ata hynë në dhomën e ndenjes dhe u bashkuan me anëtarët e tjerë të familjes për të parë një video të dyanshme, ndërsa djali i tyre u martua në Phoenix, Arizona – gati 8,000 milje larg.

Prindërit, gruaja ime dhe fëmijët (dhe unë) u zgjuam rreth orës 4 të mëngjesit, veshëm rrobat tona të dasmës dhe iu bashkuan dasmës në mënyrë virtuale. Ata mund të na shihnin dhe të bisedonin me ne,” vëllai i dhëndrit Nalin Mehta i tha CNN.

Ata nuk ishin të ftuarit e vetëm që e humbën dasmën. Rreth 150 njerëz ishin planifikuar të merrnin pjesë në ceremoni, por frika e koronavirusit dhe bllokimeve në të gjithë botën nënkupton që ajo përfundoi e kufizuar në rreth 20 miq dhe familjar të ngushtë.

Mund të duket e largët, por Mehta tha që i kishte bërë ata të ndjehen sikur ishin bashkë në ditën e veçantë. / KultPlus.com

“Comodita Home” ndihmon Qendrën e Studentëve me 1 mijë dyshekë dhe 5 mijë jastëkë

“Comodita Home” ka dhuruar donacion për Qendrën e Studentëve në Prishtinë, derisa tash ajo është duke u shfrytëzuar si karantinë pas shfaqjes së Koronavirusit në Kosovë.

Kësaj qendre i janë dhuruar 1 mijë dyshekë dhe 5 mijë jastëkë si donacion.

Granita Bunari Ferati nga Comodita ka treguar për KultPlus se në bashkëpunim me ministrin Arben Vitia, kanë vënë në dispozicion ndihmën e kompanisë së tyre duke i pajisur me 1.000 dyshekë, 5.000 jastëkë dhe 100.000 maska mbrojtëse për tek qendra e studentëve, që tashmë është kthyer në karantinë për të gjithë qytetarët që po rikthehen në Kosovë nga vendet jashtë shtetit.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, është shprehur falënderues për ndihmën duke shtuar se ka qenë shumë e nevojshme që të ndodhë pasi që sipas tij edhe rezervat që kanë pasur janë shpenzuar. / KultPlus.com

Pianistja Melisa Ibrahimi shpërblehet me çmimin e dytë në “International Music Competition”

Melisa Ibrahimi, studente e pianos e vitit tё II-tё, nё Fakultetin e Arteve Universiteti i Prishtinёs “Hasan Prishtina”, nё klasёn e profesoreshës Alberta Troni, është shpёrblyer me ҁmimin e dytё nё garat ndërkombëtare “International Music Competition” nё Beograd, Serbi, përcjellë KultPlus.

Melisa ёshtё studente dhe pianiste e dalluar, pjesёmarrёse nё shumё koncerte dhe fituese e disa ҁmimeve pianistike nё vend.

Nё njё garё internacionale e cila u mbajt nё mёnyrё virtuale pёr arsye tё rrethanave tё pandemisё, dhe me njё konkurencё tё madhe nga mbarё bota, e vlerёsuar nga nje juri profesionale prej gjashtё pianistёve botёrore nga Kina, Rusia, Serbia, Polonia, Gjermania dhe Franca, Melisa arriti tё fitoj ҁmimin e dytё nё kategorinё “Senior” (nga18 vjet e mё lartё).

Ky lajm i mirë vjen nё kёto ditё dhe rrethana qё jemi duke kaluar kundër luftёs me pandeminё Covid-19, kur tё gjitha aktivitetet dhe institucionet kulturore botёrore kanё anuluar ose shtyrë jetёn e tyre kulturore pёr data tё tjera. / KultPlus.com

Familja nga Peja ka mbetur në rrugë, qiramarrësi i dëbon pasi nuk kishin mundësi të paguanin shkaku i situatës aktuale

Situata e krijuar nga Covid-19, jo vetëm tek ne por në gjithë botën, ka bërë që shumë persona të mbesin pa punë e pa të ardhura materiale, shkruan KultPlus.

Duke pasur parasysh që ka familje ku punon vetëm një anëtarë dhe të ardhurat janë minimale, atëherë padyshim që kjo situatë ata i ka vënë para vështirësive të paparashikueshme.

Një familje nga Peja e cila jetonte me një shtëpi me qira, është dëbuar nga pronari i shtëpisë në pamundësi të pagesës së qirasë shkaku i situatës aktuale.

Familja Lajqi kanë mbetur në rrugë dhe po kërkojnë ndihmë nga qytetarët. Nëse dikush mund t’i strehojë, ju lutem kontaktoni në këtë numër: 045 524 667. / KultPlus.com

Duart i lajmë, po shpirtin?

Drejtuar: Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama

Nga Hervin Çuli

I nderuar z. Kryeministër! Jam mbyllur në shtëpi si gjithë të tjerët. Dëgjoj çdo këshillë mjeku, ndonjëherë edhe të shumë tipave që bëjnë mjekun. Ju dëgjoj çdo ditë JU, Z. Kryeministër, dëgjoj Ministren e Shëndetësisë, e para se të fle dëgjoj doktor Piperon e madh, që me thënë të drejtën këto kohë më është bërë më i dashur se babai. Rri në shtëpi dhe vuaj peshën e pafuqisë përballë kësaj të keqeje. 

E di tashmë që duhen larë duart edhe pse s’kam prekur gjë tjetër veç pultit, që duhet mbajtur distanca edhe kur jam vetëm në shtëpi, që nuk duhet dal pa arsye bindëse jashtë, di madje që do ishte mirë të mos i dëgjoja më shumë seç duhet mediat. Jam i sigurt që këto nuk të lënë të sëmuresh nga virusi, por di edhe që nuk mjaftojnë për të qenë i shëndetshëm. Por, Z. Kryeministër, një popull në karantinë është diçka e paparë. Një popull i burgosur brenda frikës së sëmundjes që e ka rrethuar, është i sëmurë sidoqoftë. Të dëgjoj dhe të kuptoj që shërimi i trupit do të vijë nga mjekët. Që ai i ekonomisë do të vijë nga qeveria, biznesi dhe puna, bankat, tregjet. Të gjitha janë sakatuar nga ky virus i mallkuar, por të gjitha do ta kenë patjetër kurën e tyre. Por, Z. Kryeministër, asnjë sakatim nuk ngjason me thyerjen e shpirtit. Mjeku i vetëm i shpirtit është arti dhe kultura. Me këtë yshtje në vete kam nxitur koleget e mi artistë që të kapërcejmë rolin e tellalit sado të dashur dixhital, të kapërcejmë detyrën e nderuar qytetare për tu bërë thirrje njerëzve që të rrinë në shtëpi. Ne, Z. Kryeministër, duhet të japim maksimumin në këtë situatë. Ne duhet jo thjeshtë të pushtojmë hapësirën publike me thirrje edukative, por të rigjejmë forma të reja artistike për të ushqyer dhe edukuar shpirtrat e ndrydhur në ngujim.

Me aktorët e Teatrit Kombëtar kemi disa ditë që punojmë deri natën vonë. Po punojmë për të ofruar krijimtarinë tonë virtualisht. “The show must go on” do të jetë një spektakël 25-30 minuta nga e enjtja në të diele në rrjetet sociale. Si fillim, në Prillin e Leximit me poezi, tregime, novela, intervista. Kemi ditë që punojmë. Shoh me admirim dhe me shumë emocion gadishmërinë e kolegeve që në mungesë të skenës po përshtatin kuzhinën, korridorin, dhomën e gjumit, ndonjëherë edhe ballkonin si ambiente pune dhe prodhimi artistik. E gjitha nga dashuria për artin dhe sidomos nga dashuria për njerëzit. E gjitha është zell, është pasion, është mision.

Por, vetëm kjo nuk mjafton. Nuk mjafton, Z. Kryeministër, sepse artistët veç telefonit dhe karikuesit (ndonjëri edhe laptop) nuk kanë asnjë mjet tjetër. Ne shfaqjen (programin on-line) do ta bëjmë sidoqoftë, por do jetë shumë dëshpëruese që cilësia të vihet në dyshim sepse nuk kemi asnjë mbështetje për produksione të tilla. Teatri Kombëtar, ndryshe nga çdo teatër serioz në Europë, nuk ka asnjë mundësi teknike për të lehtësuar produksionin. Ne na mungojnë studiot e post-produksionit që merren me montimin me cilësi të lartë artistike të imazhit, muzikës, titrimit, e të tjera e të tjera. Artistët edhe internetin e kanë të dobët, e nuk kanë mundësi të paguajnë operatorët për një internet më të fuqishëm që do na siguronte provat në grup. Dhe ndoshta muajin tjetër nuk do kenë para të paguajnë as atë që kanë. Për momentin, me një sforco të madhe që na harxhon një kohe të gjatë të përpunimit të produktit artistik, po e përballojmë vetë, apo me ndihmën e miqve të teatrit.

Por, Z. Kryeministër, mendoj që edhe qeveria i ka mundësitë të mbështesë këtë iniciativë të Teatrit Kombëtar, të mbështesë edhe institucionet e tjera publike të artit në iniciativa të ngjashme. Nuk behët fjalë thjeshtë për zhbllokimin e disa fondeve, bëhet fjalë për vullnet, për vizion. Qytetarët e ngujuar në shtëpi, do të mund të gjejnë programe edukative në lartësinë e krijimtarisë artistike të institucioneve tona, e do mund të shkëputeshin nga banaliteti i produkteve vulgare që shoqërojnë rëndom rrjetet sociale këto kohë.

Kryeministër, ne punën tonë gjithsesi do ta bëjmë edhe me ato mundësi që kemi. Por do mund të bëhej më shumë nëse do mbështesni konkretisht këtë iniciativë të artistëve të TK. Ka shumë kapacitete krijuese që “dremisin” në karantinë. Vetë qeveria duhet t’u kërkonte të prodhonin, ndaj mbështetja kur artistët e marrin vetë iniciativën është më e pakta. Si ne, mund te ndihmohet dhe opera, orkestra e RTSH-së, Cirku, Teatri i Fëmijëve për të krijuar një linjë cilësore të prodhimit artistik on-line. Të gjithë modestisht janë përpjekur t’i bëjnë, por do t’i bënin më mirë nëse do kishin mbështetjen tuaj. Ndaj mendoj, jo thjeshtë për t’i dhënë një dorë artistëve, por si një nevojë për spektatorin tonë, duhet një program mbështetjeje konkret. 

Një program që të nxjerrë nga dremitja çdo institucion të kulturës. Dhe nuk bëhet fjalë për shumë salltanete. Na zhbllokoni disa fonde nga zërat e projekteve artistike. Bllokimi total i veprimeve financiare po na merr frymën. Nuk po them për prokurimet, por për disa zëra artistike, që të kemi mundësi të kontraktojmë disa profesionistë që nuk i kemi në institucionet tona të na ndihmojnë në kohë dhe cilësi në këtë udhëtim ndryshe. Na ndihmoni me internet të fortë për aktorët e teatrit, që të kemi mundësi të lidhemi më mirë dhe të punojmë më shumë. Ndoshta tingëllon si luks i madh kjo thirrje e hapur për JU. Por unë kështu jam. Duke qenë krenar për ata mjekët që shkuan në Itali, kam dëshirën, së bashku me stafin e TK, të jemi sa më të vlefshëm, e nuk kemi pse të mos shpresojmë…

Kryeministër, shkurt fjala, nga ju kërkoj një paketë mbështetje kulturore, se për mua, nuk mjafton që laj duart. 

Me respekt, Hervin Çuli, Drejtor i Teatrit Kombëtar. / KultPlus.com