Norma Jean Baker u lind si vajza e prerëse filmit pamartuar Gladys Pearl Baker. Nëna e saj punësuar e ka shit në fillim për pak para te fqinjët, Bolenders. Pas një përpjekje dështuar, rritet ajo në familja kujdes dhe një shtëpi fëmijëve. Më vonë Marilyn punon në një fabrikë municioneve dhe si fotomodele.
Marilyn Monroe ishte martuar tre herë. Pas një martesës rinore me James Dougherty 19 qershor 1942-1946 tani 1954 me bejsbollistin Joe DiMaggio dhe 1956-61 me shkrimtarin Arthur Miller. Së pari herë u martua ajo me 16 vjet. Edhe dy martesët e mëtejshme përmbushjet e shpresuar nuk iu sjell. Me shumë mundësi e kërkoj ajo në burrët e saj gjithherë babain, që ajo kurrë nuk e ka pasur.
“Vazhdo të buzëqeshësh. Është një gjë e bukur dhe ka shumë gjëra për t’iu buzëqeshur.”
“Nëse do të ndiqja të gjitha rregullat, kurrë nuk do të arrija atë që doja.”
“Vetëm pse ke dështuar një herë nuk do të thotë që do të dështosh në çdo gjë.”
“Të gjithë jemi yje, dhe e meritojmë të shkëlqejmë.”
“Karriera është e mrekullueshme, por nuk mund ta përqafosh në një natë të ftohtë.”
“Një gruaje nuk i nevojitet dikush që nuk i nevojitet ajo.”
“Ndonjëherë gjërat e mira shkatërrohen, për t’iu lënë vend gjërave edhe më të mira.”
“Të gjithë duhet të fillojmë të jetojmë para se të plakemi. Frika është e parëndësishme. Mirëpo pendimet janë reale.” /KultPlus.com
Fotografi Kevin Carter ka bërë një nga fotografitë më historike duke kapur pamjen e një vajze të vogël e cila ishte tejet e uritur. Ajo në këtë fotografi paraqitet duke u zvarritur për të arritur deri tek ushqimi dhe jo shumë larg saj ndodhet një shpend grabitqar i cili pret për ta gllabëruar vajzën, përcjellë KultPlus.
Kevin Carter e shkrepi këtë fotografi në Sudanin Jugor në vitin 1993 derisa po mundohej të paraqiste urinë e njerëzve atje, në mënyrë që të shtoj përpjekjet ndërkombëtare në ndalimin e saj. Ai më pas kishte treguar që pas marrjes së fotografisë e kishte larguar shpendin, mirëpo nuk e kishte prekur fëmijën.
Kur fotografia u paraqit për herë të parë në The New York Times, ajo u pasua me shumë reagime që përfshinte urime dhe mllef në drejtim të fotografit Carter, i cili me këtë fotografi fitoi edhe Çmimin Pulitzer, përcjellë KultPlus.
Jo shumë kohë pas marrjes së çmimit, ai kreu vetëvrasje ndërsa la pas një shënim në të cilin thotë se ka një kohë të gjatë që ai po jeton në depresion dhe se ndihet i lodhur nga trauma që kishte përjetuar nga karriera e fotografit i cili kishte kapur pamjet dhe situatat më të tmerrshme. /KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për drejtësi në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, shkruan KultPlus.
Në profilin e saj në Facebook, Osmani ka publikuar një video në të cilën shpalosen fotografi të fëmijëve që u ndanë nga jeta gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Gjatë luftës së fundit, 1133 fëmijëve, disa prej tyre foshnje disajavëshe, iu pre jeta ende pa e nisur mirë. ‘Faji’ i vetëm i tyre qe ëndrra e tyre, bota e tyre e çiltër dhe shpresa për ta jetuar jetën në një botë të lirë. E, ata kishin lindur në një vend në të cilin liria ishte e kërcënuar dhe përkatësia etnike e familjare trajtohej si argument i mjaftueshëm për t’i ndarë ata nga jeta. 109 fëmijë sot e kësaj dite rezultojnë ende të zhdukur. Fëmijët e vrarë në Kosovë, më shumë se në çdo luftë tjetër në hapësirat e ish-Jugosllavisë, po të krahasohen me numrin e përgjithshëm të viktimave, janë thirrja e vazhdueshme e ndërgjegjes për mizorinë ndaj qenieve më të pafajshme në botë, fëmijëve. Secili emër i tyre, të cilin ne e sollëm në kujtesë sot në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, na e rrëfen një histori më vete, e të gjithë së bashku jehojnë si thirrje e përhershme për ta kujtuar të kaluarën, ëndrrën e këputur, nga e cila, megjithatë, lindi dhe po rritet Republika jonë. Por, nëse Republika po lëshon shtat, nëse pavarësia e Kosovës është mbërritur, bashkë me moshën e republikës po rritet edhe distanca me përjetimin, me historinë tone, gjurmët e së cilës mund të treten një ditë. Prandaj, bashkë me shtatin e Republikës, duhet të rritet edhe vetëdija për themelet e saj, për dhimbjen e përhershme mbi të cilën lindi ajo. Thirrja e 1133 fëmijëve duhet të kumbojë çdo ditë në veshët tanë, që shtetin ta bëjmë strehë të sigurt dhe vend në të cilin fëmijët e Kosovës do ta ndërtojmë të ardhmen e tyre. Ne nuk mund ta shfletojmë faqen e së nesërmes nëse nuk sigurohemi se e kemi lexuar vëmendshëm dhe e kemi mbajtur në mend mësimin e së djeshmes. Liria nuk do të ketë kuptim pa drejtësi për njëmijë e njëqind e tridhjet e tre fëmijët që i morën nga ne”, ka shkruar Osmani. /KultPlus.com
Disa qindra njerëz në Zyrih, ndoshta edhe 2 000 sipas ATS, dolën në rrugë për të protestuar kundër racizmit dhe ndërhyrjes së policisë amerikane që vrau afrikano-amerikanin George Flyod, i cili vdiq një javë më parë, në Minneapolis.
Demonstrata u zhvillua përgjatë Langstrasse. Zyrtarët e zbatimit të ligjit ishin të pranishëm në vend, por nuk kishin pse të ndërhynin. Sidoqoftë, rregullat e distancës fizike nuk janë respektuar, e lëre më kufizimin për 30 persona për tubime, në fuqi që nga e shtuna.
Procesioni është pjesë e protestës – e cila prek Shtetet e Bashkuara, por edhe qytetet e tjera në të gjithë botën – për vdekjen e 46-vjeçarit afrikano-amerikan që vdiq në 25 maj pas një arrestimi. Derek Chauvin, agjenti i akuzuar për vrasjen, pritet në gjykatë sot, e hënë. /KultPlus.com
Anëtarët e këshillit të qytetit kanë vendosur të votojnë mbi një propozim për ndalimin e aktivitetit të këtillë, pasi që bazuar në disa hulumtime, një numër i madh i njerëzve po kontrollojnë telefonat përgjatë ecjes, raportojnë mediet e huaja.
Sipas mediumit japonez Sora News 24, hulumtuesit vështruan gjashtë mijë njerëz në dy stacione treni duke ecur. Ata gjetën se 12 për qind e tyre po kontrollonin telefonat.
Sipas anëtarëve të këshillit të provincës japoneze, kjo ka çuar në rritjen e numrit të lëndimeve në mesin e banorëve japonez.
Nëse votimi tejkalon në qershor, Yamato do jetë qyteti i parë në Japoni që ndalon kontrollimin e telefonit duke ecur në publik.
Në rast aprovimi, ligji do futet në fuqi më 1 korrik. /KultPlus.com
(Recension për librin “Gosti në natën e parë të vjeshtës” të Gëzim Aliut)
Nga: Qëndresa Kuleta
Romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës” i autorit Gëzim Aliu shfleton përpara lexuesit shumë ngjarje e personazhe, lojë,erotizëm, ironi e trishtim.Një roman i gjatë që degëzohet në disa gjëra tjera.
Ideja apo vizioni i autorit na shfaqet pa tituj por me një ndarje, të cilat shfaqen si storie në mes të romanit, një rrjetë fabulare që lexuesi mund ta sheh se ku fillon një ide e ku po mbaron tjetra.
Një roman që përmes protagonistit Cen Berisha shpreh një distancim të autorit nga ngjarjet e treguara, qoftë ajo për luftën e fundit në Kosovë, qoftë lufta me vetveten.
Një lidhje ideore e ndarë në tri periudha paraluftës, gjatëluftës dhe pasluftës ,që shkëputen në ndërkohë për t’u bashkuar më vonë në lexim e tutje –një fiksion në mënyrë kronologjike .
Organizimi i lumtur në natën e stinës plot surpriza, protagonistin kryesor Cenin, së bashku me gruan e tij Anitën i gjenë si një biom i një rrëfimi me plot gjendje emocionale e psikologjike.
Anita një juriste dhe artiste e pastër që kujdeset tepër për veshjen e për pamjen e jashtme, organizon “Gostinë kulturore”, ku hahej, pihej, flitej e filozofohej me fantazmat e kulturës, artit e të letërsisë.Ndërsa, Ceni skenaristi kryesor ishte ai që e përjetone këtë furishëm që përkundër vullnetit të tij bëhet nikoqir i artistëve, gjysmë-artistëve, pak-artistëve dhe asnjëtrohë artistëve të këtij organizimi kulturor.
E vendimi i prerë i Cenit për ta djegur dorëshkrimin e tij në këtë organizim,të cilin assesi nuk po mund ta botonte është ideali i tërë romanit. Gjuha e pastër e qartë, rrëfyese, emocionale e ironike është ajo që sjell tek lexuesit kuptimin e këtij romani, e që rrëfimtari arrin saktë të depërtojë thellë mbrenda duke i mbështetë idetë autoriale. Autori personazhet e gostit, i seleksionon me mbiemra të paqartë, por i vlerëson si njerëz të dashur, intelektual ,vizionar e me një qëndrim dinjitoz. Një ndërlidhje ironike në mes përshkrimit të tyre dhe profesionit që kanë. Shpesh herë ai i ironizon për punën e tyre dhe shfaq një kritikë për artin në përgjithësi. Pra, janë personazhe që pajtohen se arti është subjektiv. Duke kritikuar edhe tenorët e piktorët, pasi sipas tyre arti shihej si pasuri materiale e jo artistike. Nuk mungon as bota poetike, ku përmes vargjeve interesante personazhi Gazmendi, na i shpalos disa poezi klasike .
“Po të ishe ti Kishë/ e po të isha unë/ Besimtar/ do të vija të lutesha/ në gjunjë te ti/ por ti nuk je Kishë/ as unë Besimtar.”[1]
Tregimet, e rrëfyera në gosti, qoftë përmes Cenit ose vetë narratorit
reflektojnë, shoqërinë, luftën, politikën, krimin, njeriun e zakonshëm dhe atë të pazakonshmin. Janë ato tregimet që vijnë si episode filmike, por që në thelb përbëjnë një vijë fabulare të romanit. “Pëllumbat e luftës” është një nga tregimet dramatike ku përveç sakrificës për t’i vrarë pëllumbat, vjen edhe sakrifica për të nxjerrë kafshatën e gojës –një fat i shkatërruar nga lufta.
Një gërshetim rrethanash e ngjarjesh që ndodhin fatkeqësisht, por përfundojnë me një fund të mbarë e të lumtur, autori e rrëfen edhe në sinopsisin e një skenari të gjatë, midis dajës së Cenit, Skënderbegut dhe Shehides, me të cilën bën lojra sa për të shkuar kohën, mirëpo nuk don ta martoj . Ndikimi i ushtruar me forcë nga vëllau i Shehides dhe nga sulmi me thikë nga policia serbe , Skënderbegun e kthen në hero, patriot ,duke martuar atë dhe duke ndihmuar atdheun.
Lufta, marrëzia e dashuria janë edhe disa nga temat që autori na i servon në tregimet “Heronjtë”,”Ujku” ,”Njeriu i zakonshëm” që autori herë fshihet në personazh e herë shfaqet në mendimet e tyre duke i seleksionuar me disa nga citatet qëllimore në eksperiencën e rrëfimit.
“Nëse veprën letrare nuk e ngroh gjaku i vërtetë i autorit , ajo nuk është e gjallë” [2]
“Nëse grimcat elemtare i kemi të njëjta ,ato do të duhej të bashkoheshin .Ndarja jonë dëshmi se ligjet e kozmosit janë ligje të kaosit “[3]
Aliu është realist në vizatimin e ngjarjeve, jo duke gjykuar, por duke rrëfyer dhe jo atë me zërin e vet , por me anë të atyre që përbëjnë gostinë e përditshmërinë, jetën e romanit.
Duke prekur pikën kulminante autori arrinë të na jap njëkohësisht edhe përfundimin e romanit, me vendoshmërinë e Cenit për ta djegur dorëshkrimin. Siç e thotë edhe vetë vepra….kishte ardhur momenti i ekzekutimit. Kishte ardhur pika kur duhej nisur fundi. Kishte ardhur çasti kur do ta braktiste shkrimin [4]…Distancimi i protagonistit nga dorëshkrimi shfaqet në një vijë me distancimin e autorit nga skena e shthurur pseudoelitash ,që në realitet ky distancim demaskon gënjeshtrën si në art, ashtu edhe në jetë.
Shpejt, tha me vete. Kur vjen çasti , çdo gjë ndodh shpejt. Jeta është e këtillë. Fat dhe rastësi që rrjetëzohen pakëputur, mendoi [5]
Pasqyrimin e komikes të kthyer tashmë në gjendje tragjike, Aliu e zbërthen,në momentin kur personazhin kryesor e lënë me dorëshkrimin e tij, tashmë të lagur e të nxirë, ani pse çdo gjë rreth tij ishte djegur nga zjarri i ndezur, vetëm arti-dorëshkrimi i kishte mbetur në duar , pa dyshi, një gjendje pa rrugëdalje që vjen nga mospërputhja ndërmjet synimeve të protagonistit e mundësisë së realizimit. Përmes këtij akti brutal autori na dokumenton pushtetin e artit dhe pafuqinë e artistit.
Si përfundim mund të themi se sinteza e fjalive në fillim të romanit “Jeta është rrëfim …..i shkatërruar …bërë copë-copë brutalisht….Nuk mund të jetë ndryshe! Është fenomeni i tërë natyrës teorike që autori parashtron , duke na bërë me dije që duhet të rrëfejmë për jetën. Përndryshe ajo mbetet ashtu siç është, duke u zhvilluar pa dëshmitar. Ashtu siç arrin Aliu që përmes rrëfimeve postmoderniste të na jap tri dimensione kohore të ndryshme në një rrëfim filozofik duke kuptuar e përjetuar pa ndjeshmëri të tepruar, pa frikë e vuajtje. Një ndërlidhje e kohës moderne me atë të shkuar, një pasqyrë e rrëfimeve sociale, psikologjike e erotike të jetës
Vepra “Gosti në natën e parë të vjeshtës” kërkon një lexues të palodhur dhe mjaft të përgatitur si nga ana psikologjike e realiste, pasi që nuk janë minimizuese rrëfimet e jetës së narratorit, ngjarjet e vitit, dimensioni kohor, kulturor e social.
“ Gosti në natën e parë të vjeshtës” është një roman i rëndësishëm në prozën e sotme shqipe.
[1]Gëzim Aliu: “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, Koha, Prishtinë, f. 64.
[2]Aty, f.198.
[3]Aty, f. 223.
[4] Aty, f. 230.
[5] Aty, f. 232.
(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë)./KultPlus.com
Ajo ka aso buzëqeshje që m’i sjell para syve të gjitha kujtimet fëmijërore, atëherë kur gjithçka qe e freksët dhe qielli blu ndriçonte sipër nesh.
Kur e sodis fytyrën e saj tani honepsem dhe largohem nga këtu, ajo më dërgon atje tej drejt një vendi krejt të veçantë, por kam frikë ta sodis gjatë nga frika se mos thyhem dhe më njomen sytë.
Oh, fëmija im i ëmbël e ëmbla dashuri e imja…
Sytë e saj janë ngjyrë blu e dendur ashtu sikur qielli më blu, por po ta mendonin shiun do e urreja t’i shikoja dhe dhimbja do të ishte e madhe.
Floknaja e saj ma kujton një vend ku buron ngrohtësia dhe gjithçka është e sigurtë, aty ku porsi fëmijë do të fshihesha duke u lutur që të ndalen bubullimat e shiu, dhe qetësia të pasojë…
Fëmijë i ëmbël, e ëmbla dashuri, më thuaj.
Ku po shkojmë? Tani, kah do të shkojmë? /KultPlus.com
Duke mos i marrë si të rëndësishme disa gjëra të imëta në dukje të jetë – krijimtarisë së shkrimtarëve, shpesh kemi injoruar atë që mban në vete një vërtetësi dhe madje një domosdos- mëri për njohje dhe shpjegi m të veprës së atij.
Kështu, pseudonimet, ose emra letrarë, siç quhen përgjithësisht, janë krijuar nga hershmëria te krijuesit, që mendojmë se kanë në vetë një histori, e cila shpjegon diçka të domosdoshme për subjektin krijues dhe raportin e tij me krijimin e vet. Pseudonimet, pra, vihen ndonjëherë si arsye e dashurisë, e atdhedashurisë, e frikës, e modestisë, e modës, e krenarisë, e dyshimit të autorit.
Këso radhe po e elaborojmë vetëm njërën nga këto arsye të firmosjes me pseudonime nga krijuesit letrarë, atë të frikës, ngase shkrimtarët kanë një botë specifike, e cila vazhdimisht lakmon në atë që ende nuk është parë, pra realitet i mëveshur me fantazi. Kjo edhe krijon pakënaqësinë me aktualitetin dhe pastaj pasojat ndaj asaj. Kjo i afrohet bindshëm mendimit të studiuesit meksikan Karlos Funetos, se në çdo shoqëri dhe në çdo ideologji, shkrimtari është njeri jasht ligjit. Ai kështu është i pakënaquri dhe i mospajtuari i gjithmonshëm.
Frika nga politika, pushteti, përkatësisht nga ideologjia, ishte e pranishme për një kohë të gjatë, dhe madje mjaft krijues kishin pësuar si personalitete, duke u ndjekur, persekutuar ose edhe burgosur deri në dënime me vdekje, vetëm për shkak të fjalës së shkruar, përkatësisht mendimit të thënë siç e mendon mendja e akëcilit. Kështu, në veçanti, një gjysmë shekulli i shkuar la shembuj tepër tragjik të kësaj natyre, kur me qindra intelektualë, ndër të cilët shumica shkrimtarë, përjetuan dhunën e natyrave më bizare deri në asgjësim. Andaj, jo të gjithë nga këta krijues, vunë emra të dytë, emra letrarë, për t’u fsheh nga syri i ciklopit shtetëror, në mënyrë që të shpëtojnë ata si qenie njerëzore, e, ç’është më e rëndësishmja, krijimi i tyre, që u barazohej me idealin, arsyen e ardhjes në këtë jetë.
Kjo, do thoshim, vlen për krijuesit e përkushtuar.
Disa nga shkrimtarët, pra, krijuan emra të dytë, të tretë, të katërt e deri te i njëzeteshtati, vetëm që askush mos t’u bie në fije identitetin zyrtar sa për t’i ndaluar si qytetar dhe si krijues, pra në mënyrë që mendimi të thuhet e ata t’i shpëtojnë dënimit, kurse veprat e tyre asgjësimit ose anatemimit.
Do materializuar këto mendime të posathëna, në mënyrë që të bëhet më e kapshme objektivi i kësaj parashtrese.
Vepra e parë që mua më ka intriguar vite më parë në këtë drejtim, është ‘T’nnollunat e Shcypniis’, autor i së cilës ishte prei gni Geget qi don vennin e vet. Kjo vepër e kishte të trilluar madje edhe vendbotimin, Skenderie, e mbase edhe vitin e botimit, 1898. Kjo në të vërtetë ishte një libër histori shqiptare modeste e shtypur në Vjenë të Austrisë. Kjo fshehje edhe për emrin e autorit sa edhe për vendbotim, ishte bërë ngase nuk e duronte shqiptarësinë shkrimore – dokumentare pushteti aktual në Shqipëri. Fare vonë, kur kaloi rreziku, u muar vesh se autor ishte shkodrani Stefan Curani, i njohur edhe si Tefë Curani, që kishte studiuar ekonominë në Vjenë, kurse veprën e kishte hartuar i shtyrë prej dëshirës që ta orientoi drejtë popullin e vet që kishte humbur kahen e identitetit.
Pra këtu, vetëm përmes një emri – pseudonimi, mësohet për shumëçka si nga fati i shkruesit, si nga rrethanat politiko-historike të një popullate të tërë.
Edhe Naim e Sami Frashëri, dy krijuesit dhe eruditët shqiptarë, fillimisht veprat e plota i botuan në Rumani, herë me iniciale – sigla N.H.F. ose S.H.F., e herë edhe pa autor ose me tre yllëza, sa kishte rrezik edhe të humbet përjetë autori, vetëm që ata mos të rrezikoheshin nga pushteti otoman, ku shërbenin, sa edhe vepra e tyre të mos ndalohej për shkak të tyre, pra ta marrin udhën e atdheut dhe ta kryejnë misionin e paracaktuar. Duhet të përmenden veprat madhore ‘Istori e Skënderbeut’ e Naim Frashërit që së pari qe botuar pa autor, ashtu si dhe vepra e Sami Frashërit ‘Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet’. Përndryshe Naimi kishte firmos edhe me siglën D. dhe me pseudonimin Bir’ i Shqipërisë, për vjershën ‘Nga na dolli shqipëtari’ që u botua në gazetën ‘Iris’ në Bukuresht, më 1884.
Dihet madje fati i krijimeve letrare të Millosh Gjergj Nikollës, i cili vetëm si Migjen kishte mund t’a bëjë publike krijimtarinë letrare, sepse për politikën shtetërore të kohës mendimet e tij ishin jo të dëshirueshme, ngase mendohej se nxitnin revoltat për padrejtësitë sociale të kohës.
Por, nuk është vetëm ky. Madje, në vitet ’30 kishte më së shumti krijime letrare, si në prozë si në poezi, që botoheshin në të përkohshmet e shumta, në mos edhe vëllime të tëra, me pseudonime, si dhe më vonë, duke heq dorë, jo pa dhimbje, nga autorësia, vetëm që krijimi të mund të komunikojë me lexuesit, përkatësisht që t’i zgjatej jeta e veprës.
Është mirë të përmenden emrat e Musine Kokalarit që firmoste me Muza,; Nexhat Hakiut si Ali Dëralla; Lazër Radi – Lazaredi, Malësori, Ushtima e Sharit etj.; Astrit Delvina që la eshtrat burgjeve, firmoste me Astor, Hallë Remja, Zoti Koçija, Lek Copa etj.; Arshi Pipa – Ars e Surgens dhe Homo; Nonda Bulka: Chri – Chri; Thoma Frashëri –Tom Furioso; Dom Mark Dushi – Alphes, Shapi; Gjikë Kuqali – Amicus Litterarum, Dajti etj.; Mustafa Greblleshi – Lini i Cakës, Grëb e Saj, Memli Mano etj.; Mark Gurakuqi – Arbnori, Ma – Gu; Xhemal Broja – Beatus, Plaku dhe Bromi; Pashko Gjeçi – Pa Gje, Pax dhe Surgens; Tahir Dizdari – Bishtiqindija, Tadis, Hjekakeqi etj.; Atë Danjel Gjeçaj – Pal Duka -Gjini etj.; Marin Sirdani – Clementinus; Mustafa Kruja njihej si Asim Xhenan ose edhe Shpend Bardhi; Vinçens Prennushi – Epri, Vallja popullore etj.; Sejfulla Malëshova – Arbana, Laze Kaleshi, Trebeshina, Lame Kodra etj.; Tahir Kolgjini – Lok Limthi; Vasfi Samim Visoka – Mimoza, Agim Shkëndija, etj., si dhe një dyzinë të tjerësh.
Pos në Shqipëri, edhe në Kosovë, pseudonimet si kushtëzim i frikës pushtetore – ideologjike, u manifestuan gjatë atij gjysmë shekulli socialist jugosllav, kur për hir të krijuesit e pësonte edhe vepra, ose në raste për hirë të veprës e pësonte autori i saj.
Për ta konkretizuar mendimin edhe kësaj radhe, do përmendim emra autorësh dhe pseudonimet e tyre, që janë bërë të njohur vetëm kur ata i kanë deklaruar vetë, pas zhdukjes së lubisë ideologjike.
Një poet që nisi krijimtarinë në vitet ’30 dhe i vazhdoi deri në vdekje (pushkatim më 1945), Emrush Myftari, i firmoste ato krijime letrare poetike me pseudonimet Emrush Rugova, Qytelija e Kosovës dhe Dyç Muslia; pastaj poeti Esat Mekuli shkrimet poetike një kohë i fshehu pas emrave Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha; poeti e shkencëtari Mark Krasniqi, gjatë viteve ’40, kishte botuar me emrin Dushk Dukagjini.
Mureza (Xajë) Nura nga Gjakova, një intelektual e krijues që përjetoi edhe vite burgu për bindjet e tij politike, disa poezi i kishte botuar në të përkohshmet shqipe në Kosovë, me emër të së shoqet, Ganimete Nura.
Poeti Zeqir Gërvalla, që tashti jeton në Kanada, poashtu kishte firmos me pseudonime të shumta, sa për një punim kishte mbase vetëm një pseudonim, që për konkretësi do i përmendim disa, si: pseuginimin Hanemshahe Bajrami (emri i bashkëshortes), Zeqir Gurra, Lalush Shijaku, Sokol Llapi, etj.
Janë pastaj një numër studentësh të kohës, që në organin e tyre ‘Bota e Re’, duke u fshehur pas emrave të rrejshëm – pseudo- nimeve, donin ta thoshin mendimin që i mbyste në brendi, për padrejtësitë shqiptare që u bëheshin në këto vise të Kosovës, edhe pse ende ata nuk kishin biografi të dyshimtë te sigurimi shtetëror, si të ri që ishin.
Pra, vënia e një pseudonimi, nuk qenka thjeshtë një emër tjetër ose dëshirë e autorit, por mbaka në vete shumë gjëra që pastaj kanë shpjegimin e tyre, në mos të shpijnë te cytja për shpjegim, si diçka e natyrës politike, ideologjike, etatiste, emocionale, sociale, psikologjike etj.
Duke e vënë në spikamë këso radhe vetëm pseudonimet, si ‘jashtësi’ të krijuesit, për ta njohur drejt dhe bindshëm një autor, në veçanti ata të shekullit të XX, duhet studiuar edhe disa të quajtura imtësi, që shpjegojnë dhe plotësojnë gjykimin dhe vlerësimin tonë.
Studiuesit e popujve tjerë veç e kanë mbaruar këtë mënyrë studimi, si për kaligrafinë e veprës, kur ajo bëhej me dorë, që edhe ajo rrëfen diçka, si edhe për ngjyrën e shkrimit të përdorur, vendin e shkrimit, kohën, e tjerë.
Le të shpresohet se edhe na do ta kompletojmë këtë njohuri – vlerësimin për ta. /KultPlus.com
Eli Lilly ka njoftuar të hënën se ka filluar fazën e hershme të testimeve për tretmanin potencial për COVID-19, studimin e parë në botë për një tretman me antitrupa kundër sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi i ri.
Lilly është një prej disa kompanive farmaceutike që po punojnë në vaksina, antiviral dhe tretmane tjera për të ndihmuar të infektuarit nga COVID-19, ndërsa koronavirusi i ri po përhapet me shpejtësi dhe ka shkaktuar vdekjen e mbi 370 mijë personave në mbarë botën.
Një ilaç antiviral i Gilead Sciences, i quajtur remdesivir, ka treguar shenja premtuese kundër COVID-19 dhe i është thënë pacientëve në disa shtete.
Lilly ka njoftuar se në fazat e hershme të studimit do të vlerësohet siguria dhe toleranca te pacientët e hospitalizuar me COVID-19 dhe rezultatet pritet të dalin në fund të qershorit.
Trajtimi eksperimental, LY-CoV555, është zhvilluar në bashkëpunim me AbCellera Biologicst, me të cilin Lilly ka krijuar partneritet në mars.
Tretmani i Lillyt është me antitrupa të drejtuar për të bllokuar hyrjen e virusit në qelizat njerëzore, duke neutralizuar kështu virusin.
Kompania ka thënë se tretmani me antitrupa është zhvilluar pasi është identifikuar nga një mostër e gjakut e marrë nga një pacient në SHBA që është rikuperuar nga sëmundja e mushkërive e shkaktuar nga koronavirusi i ri.
Lilly pret që të vazhdohet në fazën tjetër të testimeve, studimit potencial të tretmanit te pacientët me COVID-19 që nuk janë të hospitalizuar, nëse ilaçi tregohet se është i sigurt. /KultPlus.com
Gjatë kohës së pandemisë, për dy muaj rresht, teatrot e Kosovës ofruan shfaqje online për qytetarët, me qëllim që t’ua lehtësojnë kohën e izolimit, shkruan KultPlus.
Përmes një videoje në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Kosovës në facebook, ata kanë falënderuar qytetarët për shoqërimin gjatë kësaj kohe të vështirë.
“Për dy muaj pandërprerë gjatë pandemisë, teatrot e Kosovës ofruan shfaqje teatrore online për qytetarët e Kosovës, dhe jo vetëm. Falenderojmë gjithë ata që duke shikuar shfaqjet, edhe pse virtualisht, ishin së bashku me aktorët dhe teatrot tona. Falenderojmë të gjithë ata që me mesazhe dhe komente na përkrahën dhe na falenderuan. Ne, Teatrot e Kosovës, gjatë këtyre dy muajve të vështirë përmbushëm detyrën dhe obligimin tonë ndaj publikut, me shpresë se u kemi bërë më të lehtë karantinën. Njëkohësisht, bëjmë thirrje organeve kompetente, në veçanti IKSHP dhe Ministrive të Shëndetësisë dhe Kulturës, të bëjnë të mundur hapjen sa më të shpejtë të teatrove dhe kinemave të Kosovës duke përcaktuar protokollet përkatëse. Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përgjithmonë”, shkruhet aty. /KultPlus.com
PriFest në bashkërendim me institucionet përgjegjëse, si dhe duke pritur protokollet e veprimit të mëtutjeshëm për respektimin e masave mbrojtëse, ka vendosur që edicioni i 12 i festivalit të mbahet nga data 14 deri më 19 korrik.
Festivali është paraparë të mbahet komplet në ambiente të jashtme, kinema në qiellin e hapur, në dy-tri lokacione në qendër të Prishtinës.
Pasi nuk do të ketë shumë mysafirë të huaj që mund të udhëtojnë në Kosovë, pjesa e platformës regjionale të industrisë së filmit – PriForum, do të mbahet online, në mënyrë që ekspertët e ndryshëm dhe mysafirët e huaj të jenë prezent, pa marrë parasysh situatën.
Po ashtu është vendosur që këtë vit festivali t’i shfaqë filmat gratis për publikun, transmeton kp.
Gjatë ditës në hapësirën e festivalit para Teatrit Kombëtar do të realizohen biseda, debate, panele e kyҫje online me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtar, si dhe workshopet e PriForum të cilat mund të ndiqen online apo në hapësirën e festivalit.
PriFest tanimë ka hapur thirrjet për Best Pitch aplikim projektesh filmike, Prishtina Kino Kabaret, Green Film Project, etj.
PriFest do të mbahet në data 14-19 korrik, kurse PriForum më 17-19 korrik. /KultPlus.com
Dante Aligieri ka qenë poet, shkrimtar dhe politikan italian, shkruan KultPlus.
Emri “Dante”, sipas dëshmisë së Jacopo Aligieri-t, është shkurtimi i emrit Durante; në dokumentet emri shoqërohet nga patronimi Alagherii ose nga emri i fisit de Alagheriis, ndërsa varianti Alighieri u krijua vetëm me ardhjen e Boccaçio-s.
Ai shquhet si ati i gjuhës italiane; fama e tij është kryesisht për shkak të krijimit të veprës “Komedia” (italisht: Comedìa), dhe më pas e quajtur Divina nga Bokaço duke u bërë e famshme si Komedia Hyjnore (italisht: Divina Commedia), dhe në përgjithësi konsiderohet si vepra më e madhe e shkruar në italisht dhe një nga kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore.[3] Një shprehje e kulturës mesjetare, e filtruar përmes lirisë së Dolçe stil novo, është gjithashtu një mjet alegorik i shpëtimit njerëzor, i cili arrihet duke prekur tragjeditë e dënimeve, ndëshkimet purgatore dhe lavdat qiellore, duke i lejuar Dantes t’i ofrojë lexuesit një pasqyrë të moralit dhe etikës.
Një gjuhëtar i rëndësishëm, filozof dhe teoricist politik, Dante filloi të lëvizte brenda diturisë njerëzore, duke shënuar thellësisht letërsinë italiane të shekujve të ardhshëm dhe të njëjtën kulturë perëndimore, që të quhej “Poeti i Madh” ose, “Poeti”. Dante, eshtrat e të cilit ndodhen pranë varrit në Ravennë të ndërtuar në vitin 1780 nga Kamillo Morixha, u bë një nga simbolet e Italisë në botë, falë emrit të trupit kryesor të përhapjes së gjuhës italiane, “Shoqata Dante Aligieri”, ndërsa studimet kritike dhe filologjike mbahen gjallë nga “Shoqata Dante”.
Nga shekulli XX dhe në vitet e hershme të shekullit XXI, Dante u bë pjesë e kulturës masive, ndërsa puna e tij dhe figura e tij frymëzuan botën e vizatimeve komike, mangave, video-lojrave dhe letërsisë. /KultPlus.com
Sot në mbarë botën shënohet Dita botërore e prindërve, datë kjo e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 17 shtator 2012.
Në një rezolutë të miratuar thuhej se 1 qershori shpallet Dita botërore në nderim të Prindërve në të gjithë botën.
Rezoluta fton shtetet anëtare të OKB-së të festojnë Ditën botërore të prindërve në kuadrin e marrëdhënieve të partneritet të gjithanshëm me shoqërinë civile, në veçanti me pjesëmarrjen e të rinjve dhe fëmijëve, për të marrë pjesë në veprimtaritë kushtuar kësaj dite. /KultPlus.com
Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi, Samiu përbëjnë trinomin e veçantë të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Kontributi që këta tre frashëriotë i kanë dhënë kombit e Atdheut pa dyshim se është kontributi më i çmuar dhe më i rëndësishëm i kohës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare
Abdyl Frashëri lindi në vitin 1839 në fshatin Frashër të Shqipërisë, në një familje të gjendjes së mesme ekonomike. Ishte djali i Halit dhe Emine Mirahorit-Frashëri. Vdiq më 23 tetor të vitit 1892 në Stamboll, të Turqisë. Avdyli ka qenë atdhetar i përkushtuar e çështjes kombëtare shqiptare një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qeveria dhe shteti shqiptar e ka shpallur Hero të Popullit.
Lindi në Frashër të Përmetit në familjen e një vëllai i madh i Naim Frashërit dhe Sami Frashërit, fis Dakollarësh nga Dera e madhe Frashëri. Abdyl Frashëri e kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane. Por shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e Perandorisë Ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështuan gjithashtu mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të Pavarur në kufijtë e saj etnikë.
Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stamboilit). Si kryetar i tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatif të Shën Stefanit. Sipas tezës së Abdyl Frashëri në kushtet e krijuara nga prirjet ekspansioniste të Rusisë cariste, nga interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur më këmbë Perandorinë Osmane dhe nga synimet e monarkive ballkanike fqinjë për ta copëtuar Shqipërinë, zgjidhja më e përshtatshme (një zgjidhje kjo e përkohshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suverenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.
Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit, të cilën Abdyl Frashëri e parashtroi publikisht edhe me anën e artikujve që botoi në disa organe të shtypit evropian gjatë pranverës së vitit 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri. u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i koinisionit të punëve të jashtme të saj. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. Abdyl Frashëri, ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme. Ai udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur.
Abdyl Frashëri, e mbrojti programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët e vet kosovarë, vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vint 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm né përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane.
Pas shtypjes së Lidhjes, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike patriotike. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor të vitit 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978. (Vikipidia)
Kastriot Bezati: Vëllezërit Frashëri
Frashëri, vendlindja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, ka qenë dhe është kryeqendra e Dangëllisë. Emrin e tij, fshati, Frashëri, e ka marrë nga pema pyjore “Frashër”, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marër emrin nga fjala turke “Dag-ili”, që do të thotë “Malësi”, – ka shkruar Sami Frashëri. Emrin krahinës ia dhanë osmanët në fillim të shekullit XVII. Më parë, në shekullin XIV, krahina quhej “Malakas” dhe qendra e saj ishte fshati “Malakas”, i cili ndodhej jo shumë larg Frashërit, në shpatin perëndimor të malit Radomir, – thotë Kristo Frashëri. Emërtimi turqisht “Dangëlli” është një përkthim i emrit “Malakas”, që në rrënjë ka fjalën shqipe “Mal” në kuptimin “Malësi”.
Dangëllia, si hapësirë gjeografike, në ecurinë historike ka ndryshuar, herë ka pasur më shumë dhe herë ka pasur më pak fshatra, si përshembull: më 1850 përfshinte 48 fshatra, më 1896–28, në vitet ’40 të shekullit XX kishte 22, ndërsa sot Komuna e Frashërit ka 12 fshatra: Frashëri, Miçani, Zavalani, Gostivishti, Ogreni, Kreshova, Vërçishti, Gostomicka, Suropulli, Koblara, Kostreci dhe Selenica.
Frashëri ngrihet rrëzë malit të Kokojkës, 1030 metra mbi nivelin e detit, me hapësirë relievi 15.5 km2. Frashëri, përmendet për herë të parë si vendbanim në Regjistrin ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, hartuar në vitet 1431-1432, me emrin Fraxhili, ndërsa ashtu si e shqiptojmë sot, Frashëri, del për herë të parë në vitin 1506, në Defterin mufasal të Vlorës. Popullsia: më 1431 – 12 shtëpi, më 1506 – 41, më 1583 – 58 shtëpi. Në mesin e shekullit XX kishte 22 lagje dhe një treg prej 20 dyqanesh. Në këto vite kishte jo më pak se 300 shtëpi, sipas historianit Kristo Frashëri, dhe jo më shumë se 350 shtëpi sipas shtetarit Medi Frashëri. Ishte “një qytet i vogël malor”, – shkruan Sami Frashëri në veprën e tij Kamus-ul-Alam. Lagjet: Sulejmanbellinjtë, Dukollarët ose Dulellarët, Skënderajt, Lahçenjtë ose Haxhillarët, Velibellarët, Kasollarët, Dhamellarët, Karafilbejtë, Cërrasit, Bakasit, Vilakët, Lopësit, Begmeçasit apo Begasit, Qyrasit, Arapasit, Aliçkasit apo Çokllarët, Liçollarët, Rasetasit, Kisha apo Ninkat, Panollarët, Çobenët dhe Beçllarët. Më 1912 ishte rreth 1180 banorë. U dogj tërësisht më 6 maj 1914 nga okupacioni i Greqisë. Më 1923 kishte 302 banorë, më 1990 – 91 familje me 432 banorë dhe më 2009 kishte 53 familje me 186 banorë. Më 2008 si komunë kishte 1555 banorë. Sot, më 22.07. 2012, fshati ka realisht 7 shtëpi me 32 banorë, shumë më pak seç kishte në shekullin XV.
Dulellarët apo Dukollaret
Dukollarët apo Dulellaret janë vendas apo të ardhur në Frashër? Të dy këto mendime janë të ngritura dhe të parashtruara në punimet e botuara historike si dhe në publicistikë e masmedia. Idea se janë të ardhur është sjellë nga Mit’hat Frashëri në jetëshkrimin e Naim Frashërit, Sofie, 1901, botuar me emrin Mali Kokojka, ndërsa ideja se janë autoktonë është mbrojtur më 1982 nga Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982, dhe, sidomos, nga Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”, Tiranë, 1984.
“Bejlerët e Frashërit rrjedhin nga një i quajtur Ajaz Bej dhe tani përbëhen nga 40 – 50 shtëpi”, – shkruan Sami Frashëri në veprën “Kamus ul Alam”, Vëll. V, Istanbul, 1896. Ajaz Beu,- vazhdon më tej Sami Frashëri, – është nga Tomorica, të cilin Porta e Lartë e internoi familjarisht nga Tomorica në Stanimakë, sot Asenovgradi i Bullgarisë. Kur u bë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane Mehmet Pashë Qypriliu nga Roshniku i Beratit, i cili qeverisi në hapësirën e viteve 1656 – 1661, familja e Ajaz Beut u lejua të kthehej ne Shqipëri duke iu dhënë si timar Frashëri në Dangëlli dhe disa fshatra në Myzeqe dhe, fëmijët e Ajazit, zgjodhën si vëndbanim Frashërin e Përmetit. Këto thotë Sami Frashëri dhe nuk thotë që familja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, e ka prejardhjen nga Ajaz Beu i Tomoricës. Edhe në autobiografinë e vet, botuar në “Serveti Funun”, Istanbul, 19.06.1896, edhe kur trajtoi biografinë e vëllait të madh, të Abdyl Frashërit, Kamus ul Alam, Istanbul, Vell.V, 1896, Sami Frashëri nuk thotë se familja e tij rridhte nga Ajaz Beu i Tomoricës, – thotë Kristo Frashëri.
Mit’hat Frashëri, në jetëshkrimin mbi Naim Frashërin, Sofie, 1901, shkruan: “Më 1570 Hamza Beu, i pari i Tomoricës, desh të shtojë urdhërin e tij dhe të marrë në mproje Skraparin, Oparin, Vërçën …U zu i gjallë dhe me gjithë fëmijë u dërgua në Stanimakë, ku ndenji 70 vjet. Më 1656 në kohën e Mehmet Pashë Qypriliut, kushëri i tyre, u fal Ajaz Beu, i nipi i Hamzait dhe ju dha në mprojë Frashëri, Mërtinja, Xhanjani, Topojani dhe në Vlorë Kudhësi, Armeja dhe ca fshatra në Myzeqe, po Ajazi pëlqeu Frashërin për të ndënjur se është vënd i fortë. Kur erdhi Ajazi në Frashër atje gjeti fëmijë parësie: Aliçkajt, Cërasit, Bregasit dhe Bakasit”. Më tej Mit’hat Frashëri shkruan se nga fisi i Ajaz Beut e kane prejardhjen edhe Dulellarët e Frashërit.
“Ky pohim, i cili është marrë në fakt nga mjaft studimtarë, nuk është i saktë”, – shkruan Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”. “Nuk del që Dakollarët , siç quhen Vëllezërit Frashëri të jenë pasardhës të Ajaz Beut … Një bej i shek XIX, ndofta i frashëriotit Tahir Nasibiu, që jetoi përpara Naimit, me Ajazin lidh vetëm dy familje të Frashërit, Sulejmanbellinjtë e Vilakët”, – thotë Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”. Tahir Skënderasit i referohet ndër të tjera edhe Kristo Frashëri, i cili shkruan: “Në një poemë shqipe kushtuar Frashërit prej 82 katrorësh (328 vargje) që la në dorshkrim Tahir Skënderi apo Tahir Dedej, një frashërlli i kulturuar nga lagjja Skënderas, i cili vdiq më 1834, … poema që ne sot kemi në dorë katër katrorë, në njërin nga të cilët trajtohen si familje të ardhura nga Stanimaka vetëm Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët”. Vite më vonë, në librin “Frashëri – Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, Tiranë, 2010, Kristo Frashëri shkruan: ”Emrin e Ajaz Beut nga Frasheri … e ndeshim në Kodeksin e Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë. Aty thuhet tekstualisht se: “1728: në kohën e igumenit Niqifor, Bondua, biri i Ajaz Beut nga Frashëri, vrau Theodor Paskalin nga Voskopoja në çifligun e tij në Barç” dhe, ndër të tjera, po në këtë kodik, thuhet ”1731: sulltan Mahmuti .. vrau Ajaz Beun nga Frashëri dhe Bondon”. Të dhënat e këtij kodiku flasin se nuk është viti 1650 viti i largimit të Ajaz Beut nga Stanimaka e vendosja e tij në Frashër, nuk është koha e Mehmet Pashë Qypriliut por koha e Veziratit të Qyprilinjëve, e cila vazhdoi deri më 1735: pas Mehmet Qypriliut, i cili e mori mbiemrin “Qyprili” nga qyteza “Qypry” në zëmër të Anadollit, kemi: Fazil Ahmet Pasha (1661-1676), Kara Mustafa Pasha (1676-1683), Fazil Mustafa Qypriliu (1689-1691), Hysen Qypriliu (1697-1702), Numan Qypriliu (1710-1711) dhe Abdullah Qypriliu (1723-1735).
Kristo Frashëri dhe Dhimitër Shuteriqi, nisur kryesisht nga shkrimet e Sami Frashërit në “Kamus ul Alam” dhe “Serveti Funun”, nga vargjet e poemës së Tahir Nasibiut kushtuar Frashërit dhe nga të dhënat e Kodikut të Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë, konkludojnë se Vëllezërit Frashëri nuk janë me prejardhje nga Ajaz Beu i Tomoricës por bij të mëdhenj të familjes autoktone të Dukollarëve apo Dulellarëve të Frashërit të Përmetit.
Prindërit e Vëllezërve Frashëri
Shënimet gjenealogjike të famijes së Dulellarëve, të cilat të mikrofilmuara ndodhen në Institutin e Historisë në Tiranë, shkojnë deri te Beqiri, katragjyshi i Vëllezërve Frashëri, i cili ka jetuar në shekullin XVIII. Studiuesi turk A.S.Levend, në librin “Semsettin Sami”, Ankara, 1969, thotë se ai ka qenë spahi, por nuk thotë se ku ndodhej timari i Beqirit. Djali i parë i Beqirit ishte Fejzullahu, i cili në fshat thirrej shkurtimisht Duko, ndaj dhe fëmijët e tij u quajtën Dukollarë. Djali i tij i dyte ishte Muhtari, i cili thirrej në fshat me emrin Tare dhe fëmijët e tij u quajtën Tarenj. Studiuesi, Alfred Frashëri, në librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007, thotë se Beqiri kishte edhe tre djem të tjerë, që ishin: Kajmaku, Jakupi dhe Mahmuti. Fejzullahu, sipas traditës gojore, kishte një djalë, që u quajt Abdullah Hysni, shkurtimisht Dule, i cili pati dy djem, Halitin dhe Durmishin, – shkruan Kristo Frashëri. Familja që krijoi Halit Frashëri u njoh në Frashër me emrin e Dules – familja e Dulellarëve, kurse pasardhesit e Durmish Frashërit ruajtën emrin e mëparshëm, vazhduan të thëriteshin familja e Dukollarëve, ashtu si thirreshin më parë edhe fëmijët e pasardhësit e Fejzullahut.
Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Abdulla Hysni, Dulja, u vendos me familje në Janinë, ku më 1797 lindi Haliti dhe më 1801 Durmishi. Dy vëllezërit pas disa vitesh u kthyen në Frashër. Haliti në vitet ’20 të shekullit XIX hyri në shërbim të Mehmed Reshid Pashës me detyrën e serçeshmes, intedentit, ndihmës i serqedes, komandant i reparteve bashibozuke, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. III, 1891. Me këtë detyrë ai mori pjesë, nën urdhërat e Mehmd Reshidit, më 1824, në luftimet që u zhvilluan në territorin grek ku edhe u plagos, – vazhdon Sami Frashëri dhe më tej, Sami Frashëri, thotë se i ati, Halidi, tregoi simpati për reformat centralizuese osmane dhe përkrahu Mehmed Reshid Pashën për t’i zbatuar këto reforma në Shqipëri. Halidi nuk u bë oficer i karrierës por mbeti i lidhur pas ofiqit të serçeshmes, që e detyronte të shkonte në luftë me harxhe sa herë e thërriste Porta e Lartë. Më 1854, ai shkoi me harxhe në Thesali, ku mori me vete edhe djalin e madh, Abdylin, dhe, tre vjet më vonë, më 1857, Halidi u nis së bashku me Abdylin në Janinë, ku dhe u nda nga jeta më 19 janar 1859.
Halitit, gruaja e parë nuk i dha asnjë fëmijë dhe, me vdekjen e saj, u martua me Eminenë nga familja përmetare e Mirahorëve që banonte në Korçë. Emineja lindi në Korçë më 3 maj 1814. I ati i saj, Islam Mirahori, ishte biri i Hysen Mirahorit, i cili i takonte brezit te dhjete pasardhës te Iljaz Bej Mirahorit, dhëndrit të Sulltan Mehmetit I, themeluesit të qytetit të Korçës. E ëma e Eminese, Zymbylja, ishte e bija e Mehmet Pashë Plasës, edhe ky pesonalitet i trevës së Korçës, në shek. XIX. Iljazi u lind në hapësirën e viteve 1408 – 1420 në fshatin Panarit, i cili në atë kohë bënte pjesë në Kazanë e Përmetit. U muar peng nga Murati II, sulltan në vitet 1421 – 1451. U martua si cilësuam me të bijën e sulltan Mehmetit II, 1430-1481, i cili hipi në fron më 1451 pas vdekjes së të atit Muratit II. Iljaz Mirahori luftoi për marrjen nga turqit të Konstandinopojës më 29 maj 1453. Në kohën e mbretërimit të Bajazitit II, 1481 – 1512, u emërua sanxhakbej i Janinës. U kthye në Korçe më 1484 dhe, në periudhën midis viteve 1484 – 1495, iu dhanë si pronë private nga Sulltan Bajaziti II disa fshatra, si: Panariti, Trebicka, Treska, Vodica, Stratobërdha të Kazasë së Përmetit dhe Leshnja, Vithkuqi, Boboshtica të Kazasë së Korçës, shkruan historiani Ferid Duka, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëll.II, 2008. Më pas në vënd të Treskës dhe Panaritit iu dha nga sulltani fshati Peskopje dhe, me marrjen në pronësi të këtij fshati, si dhe te fshatit më të vogël Gjoricë, të cilët ndaheshin nga ujërat e lumit të Moravës, në relievin e këtyre fshatrave, sidomos të fshatit Peskopje, në vitet 1494 – 1496, hodhi themelet dhe filloi ndërtimin e qytetit te Korçës. Iljaz bej Mirahori ndërtoi xhaminë, tyrben, hane, hamame, imaretin, pazarin dhe hapi institucionin arsimor me veprimtari fetare e shkencore – Medresenë e Korçës. Qyteti i Korçës është themeluar dhe ndërtuar nga Iljaz Bej Mirahori në periudhën e Sulltan Bajazitit II, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. V, 1896. Iljaz bej Mirahori vdiq më 1512, ndërsa stërmbersa e tij, Emine Mirahori, gruaja e Halid Frashërit, u nda nga jeta në Frasher më 28 prill 1861.
Emine dhe Halit Frashëri patën tetë fëmijë: gjashtë djem e dy vajza dhe të gjithë lindën në Frashër. Djali i parë lindi më 29 gusht 1839 dhe i vunë emrin e gjyshit, Abdullah Hysni, por në fshat u thir shkurtimisht Abdyl, kurse në familje akoma më shkurtimisht Dule. U nda nga jeta më 23 tetor 1892 në Stamboll. Dy vjet më vonë, më 1841, lindi fëmija e dytë, një vajzë, të cilën e quajtën Nefise. Më 13 dhjetor 1843 lindi Sherifi, i cili u nda shpej nga jeta, më 8 maj 1874 në Janinë. Më 25 maj 1846, Emineja lindi dy binjakë, njëri nga të cilët vdiq në shpergënj, ndërsa tjetri, që ishte gjithashtu i dobët, i vunë një emër ogurmirë, e quajtën Naim, që në arabisht do të thotë i fuqishëm, i cili u nda nga jeta më 20 tetor 1900 në Stamboll. Fëmija i pestë lindi më 1848, ishte vajzë dhe i vunë emrin Shahnisha, e cila jetoi vetëm 23 vjet, u nda nga jeta më 1871. Samiu ishte fëmija i gjashtë, lindi më 1 qershor 1850 dhe u nda nga jeta në Stamboll më 18 qershor 1904. Tre vjet më vonë, më 27 janar 1853 lindi Tahsini, i cili jetoi sa Shanishaja, 23 vjet, u nda nga jeta në Janinë më 23 prill 1876. Fëmija i fundit, djali i gjashtë, ishte Mehmeti, u lind më 26 tetor 1856 dhe u nda nga jeta në Tiranë më 21 dhjetor 1918.
Shtëpia e Halit Frashërit ndodhej në shpatin e Kokojkës, në mes të fshatit, në lagjen Dulellarë. U rënua më 1892. U ringrit mbi themelet sipas projektit të hartuar nga Xhovalin Kroqi dhe u kthye në muze memorial kushtuar vëllezërve Frashëri më 16 qershor 1974. Ishin te pranishëm në këtë ditë të përurimit, ndër shumë të tjerë, edhe mbesa e Naimit, Naime Rusi, si dhe nipi i Samiut, Emin Ereri. Shtëpia është me dy kate, ndërtuar me gurë të zinj dhe çati me rasa guri. Ka dhjetë dhoma. Përbëhet nga dy korridore me përmasa të mëdha, në çdo kat janë nga tre dhoma të rreshtuara në vijë të drejtë në të majtë kur hyn në ndërtesë, nga një dhomë si poshtë e lart përballë hyrjes e në tërë gjerësinë e korridorit dhe e pesta e katit të parë dhe e dhjeta e katit të dytë, ndodhen në të djathtë kur hyn në shtëpi e ngjitur me fasadën e ndërtesës. Nga kati i parë në të dytin ngjitesh nëpërmjet shkallëve të drunjta me parmak. Përballë shtëpisë, mbi podiume, lartësohen pranë njëri tjetrit ashtu si kanë qënë në jetë, me vështrim nga fshati e lindja e diellit dhe me shpinë nga mali i Kokojkës, bustet e tre vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, punime të skulptorit të madh, përmetarit Odise Paskali. /KultPlus.com
Që nga fillimi i pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19, Kryqi i Kuq i Kosovës ka përqendruar të gjitha aktivitetet për të ndihmuar komunitetet në nevojë në tërë Kosovën. Për shkak se mirëqenia e të gjithëve është prioriteti kryesor, Kryqi i Kuq i Kosovës vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me palët e interesuara për të ofruar shërbimet e tyre në mënyrë të sigurt dhe të koordinojë aktivitetet me partnerë në mënyrë që ndihma të arrijë tek të gjithë ata që kanë nevojë.
“Çdo ditë, njerëzit kërkojnë mbështetjen nga Kryqi i Kuq i Kosovës për t’i ndihmuar në zbutjen e vështirësive të tyre. Për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë gjatë kësaj krize të shëndetit publik, Kryqi i Kuq i Kosovës me mbështetjen e partnerëve të ndryshëm ka bërë përkrahjen e familjeve në nevojë me pako ushqimore, higjienike, dhe jo vetëm familjet në nevojë, por edhe institucionet shëndetësore me tenda, qendrat e azil kërkuesve, karantinat e improvizuara, komunitetet dhe grupet e tjera në nevojë. Kryqi i Kuq i Kosovës është mirënjohës për të gjithë stafin dhe mbi 300 vullnetarë që punojnë pa u lodhur për t’u ndihmuar atyre që u shërbejmë. Gjithashtu Falënderim të veçantë për të gjithë mbështetësit, partnerët dhe donatorët të cilët me kontributin e tyre e kanë lehtësuar përmbushjen e misionit të Kryqit të Kuq të Kosovës. Një nga këta donatorë është Coca-Cola Foundation të cilët me kontributin e tyre kanë bërë të mundur që të përkrahen 830 familje me 4,150 anëtar, me pako ushqimore dhe higjienike”- deklaroi Agron Humolli, Sekretar Gjeneral i Kryqit të Kuq të Kosovës.
Coca-Cola System ka qenë një nga përkrahësit dhe partnerët e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë kësaj krize dhe ka ofruar mbështetje me dhurimin e produkteve për vullnetarët e saj
dhe gjithashtu donacion financiar që do të përdoret për të ndihmuar përpjekjet e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë pandemisë Covid-19.
“Coca-Cola System po operon në 28 tregje dhe kudo që ndodhemi ne po mundohemi të jemi një partner i vlefshëm për komunitetin ku jetojmë dhe punojmë. Coca-Cola System është këtu për t’a mbështetur komunitetin e Kosovës, veçanërisht stafin mjekësor dhe vullnetarët, të cilët janë në linjat e para të luftës me Covid-19. Duke dhuruar produktet tona për ta, ne jemi duke u përpjekur t’i bëjmë ditët e tyre pak më të lehta dhe deri më tani kemi dhuruar 43,000l të produkteve tona për punëtorët mjekësorë, vullnetarët dhe qytetarët në nevojë. Për më tepër, ne jemi duke ndihmuar përpjekjet e Kryqit të Kuq të Kosovës përmes një donacioni financiar prej 50,000 USD, i cili do të përdoret për të ndihmuar komunitetet dhe familjet në nevojë nëpër qytete dhe fshatra rreth Kosovës me pako ushqimore dhe higjienike” deklaroi Ilir Cakolli, përfaqësues i Coca-Cola System. / KultPlus.com
Djaloshi 11-vjeçar Thomas Ormond, me origjinë shqiptare, ka organizuar shfaqje muzikore nga ballkoni i shtëpisë së tij në Highgate të Britanisë së Madhe, në shenjë falenderimi për të gjithë mjekët që po luftojnë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19.
Gazeta britanike “Ham and High” ka shkruar se 11-vjeçari shqiptar përmes shfaqjeve të tij me violinë, ka arritur të grumbullojë 1000 paund, fonde të cilat do t’u dhurohen mjekëve.
Ai shprehet se ndihet shumë i lumtur ndërsa thekson se do të vazhdojë nismën e tij që të mbledhë para për të gjithë personelin mjekësor gjatë periudhës së izolimit.
Për një gjest kaq human nëna e 11-vjeçarit shqiptar shprehet se ndihet krenare që djali i saj po shfrytëzon kohën dhe talentin e tij për t’u ardhur në ndihmë njerëzve gjatë kësaj krize të pandemisë Covid-19.
“Ndihem shumë krenare që ai po përdor kohën dhe aftësitë e tij për të bërë diçka në të mirë të njerëzimin”, është shprehur Kim.
Ndërsa për Thomasin mbledhja e fondeve në mënyrën e vetme që ai ka mundësi është e bukur, sepse do të ndihmojnë vërtet shumë njerëzit dhe mjekët që të jenë të sigurt në këto ditë të vështira, prandaj ai ndihet i lumtur për këtë fakt.
“Mendova se do të ishte një gjë e bukur të mbledhësh para për NHS. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që po e bëj këtë për NHS”, ka thënë ai. / KultPlus.com
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka zbatuar projektin “Hulumtimi dhe dokumentimi i ish-burgut në ndërtesën e QRTK-së Prizren.
Synimi i veçantë i këtij projekti ishte hulumtimi dhe grumbullimi i shumë materialeve, përfshirë dokumente arkivore, fotografi, intervista me dëshmitarë të kohës, ish të burgosurit politik dhe familjarët e tyre, duke dokumentuar dhe faktuar rrëfimet për ish burgun e OZN-ës në Prizren gjatë viteve 1945-65.
Gjatë procesit të punës, ekipi fillimisht është angazhuar në grumbullimin e materialeve të ndryshme arkivore të siguruar nga Agjencia Shtetërore e Kosovës, Arkivi Ndërkomunal i Prizrenit, Shoqata e të burgosurve politik shqiptar – dega në Prizren, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Biblioteka e qytetit të Prizrenit, etj. Pos materialeve arkivore, informata të rëndësishme janë siguruar edhe nga botimet e ndryshme shkencore të cilat janë prezantuar nëpër konferenca të ndryshme në të kaluarën. Gjatë hulumtimit, paralelisht janë realizuar edhe intervista me dëshmitar të kohës, kryesisht të moshës së shtyrë, intervista me të burgosurit, të cilët janë akoma gjallë, intervista me familjarët e të burgosurve politik, intervistë nga historianët, të cilët kanë rrëfyer për ngjarjet e periudhës së viteve 1945-1965
Bazuar në të gjitha dëshmitë e dokumentuara, së shpejti do të finalizohet edhe dokumentari televiziv i cili do të paraqet përjetimet dhe dëshmitë rrëqethëse të dënuarve politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore.
Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren theksoi se referuar dokumenteve të shumta arkivore të cilat janë grumbulluar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore është përgatitur propozimi i projektit “muzeu i dhunës”, i cili do të propozohet për zbatim në të ardhmen e afërt nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me funksionalizimin dhe shndërrimin e ndërtesës në hapësirë muzeore, do të shpalosen dhe vizualizohen pamjet e shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte shtypjen e popullit tonë me dekada të tëra, ka theksuar drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha. / KultPlus.com
Drejtoresha e Komunës së Prishtinës, Blerta Basholli është takuar sot me tenorin Ramë Lahaj.
Një tenor që ka performuar në skenat më të mëdha botërore, është kthyer në Kosovë me ide të reja.
Basholli, përmes një statusi në Facebook ka njoftuar që në këtë takim është biseduat që koncerti “Ramë Lahaj & Friends” që u mbajt vitin e kaluar në Sheshin “Skënderbeu” po pretendohet të bëhet tradicional, kjo për arsye që ky koncert është pëlqyer shumë dhe shikueshmëria ka qenë e lart.
“Është shumë interesant dhe i bukur fakti që artistët Kosovarë shkojnë kah të shkojnë, por përsëri kthehen në Kosovë të bëjnë projekte dhe kam përshtypjen se ndjehen shumë më mirë se kudo . Kjo i ofron mundësi edhe audiencës për të parë punën e jashtëzakonshme që ata bëjnë jashtë vendit, por edhe promovon vendin tonë në mënyrën më të bukur të mundshme. E siç e kemi thënë shumë herë, kush mund t’a promovojë më mirë vendin se sa artistët?
Një tenor i talentuar që ka perfomuar në skenat më të mëdha botërore e me artistët më të mëdhenj të operas, Ramë Lahaj përsëri kthehet me ide të reja në Kosovë”, ka shkruar Basholli.
Krejt për fund ajo ka thënë që është kënaqësi që bashkë më Ramën të bëjnë bashkëpunime të reja.
“Kënaqësi gjithmonë me u taku e me bisedu për mundësitë që të bëjmë bashkëpunime të reja, e ato të vjetrat t’i kthejmë në tradicionale me Ramë Lahajn.”
Si duket bashkë me ditët e nxehta të verës do të vijë edhe një koncert nga tenori Ramë Lahaj të cilin padyshim që do ta mirëpresin qytetarët e Kosovës me shumë entuziazëm. / KultPlus.com
Artisti Christo, i njohur për realizimet e tij të përmasave të mëdha që konsistonin në mbështjelljen e jashtme të monumenteve si Pont-Neuf në Paris dhe Reichstag-un e Berlinit, vdiq sot në moshën 84-vjeçare, njoftuan bashkëpunëtorët e tij.
”Artisti Christo Vladimirov Javacheff, i lindur në Bullgari, vdiq për shkaqe natyrore më 31 maj 2020 në shtëpinë e tij në Nju Jork”, sipas një mesazhi të postuar nga zyra e tij në faqen Facebook.
Ky njeri, me siluetë hollake, me flokë gjysmë të gjatë të bardha, formonte me bashkëshorten e tij një prej çifteve më të mediatizuar të artit kontemporan që ata shënuan me veprat e tyre në vend.
Së bashku me bashkëshorten, Jeanne-Claude Denat, artisti ka qenë një nga protagonistët e vlerësuar, po aq sa i diskutuar, veçanërisht me instalacionet e tij madhështore, që në disa raste ndryshonin përkohësisht peizazhin e qyteteve dhe zonave të përzgjedhura.
Shpikës i një lloji të ri artistik “mbulimi i hapësirës” Christo kishte realizuar mbështjelljen e Pont-Neuf në Paris (1985) dhe të Reichstag-ut në Berlin (1995).
“Christo e jetoi jetën e tij plotësisht, jo vetëm duke imagjinuar atë që dukej e pamundur, por duke e kuptuar atë. Puna e Christo dhe Jeanne-Claude mblodhi njerëz në përvojat e përbashkëta në të gjithë botën dhe puna e tyre vazhdon në zemrat dhe kujtimet tona”, shkruajnë bashkëpunëtorët e tij në mesazhin e tyre./ atsh/ KultPlus.com
Kolegji Universum lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë dhe staff për shkëmbim semestral, këtë po e dëshmon fakti se deri tani këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë i janë aprovuar 114 marrëveshje me universitete në 26 shtete të Evropës dhe Turqi. Së fundmi, gamës së bashkëpunimeve i është shtuar edhe projekti tjetër për BURSA ndërkombëtare në Belgjikë.
Studentët e Kolegjit Universum do kenë mundësinë të studiojnë për një semestër në institucionin më të madh të shkencave të aplikuara në “Thomas More University of Applied Science” në Belgjikë.
Të gjithë studentët përfitojnë shkollim falas, kompenzim mujor 850 euro dhe 275 euro kompenzim për shpenzime të transportit.
Kolegji Universum, mbetet lider për mundësitë ndërkombëtarë për studentët! Deri sot 247 studentë të Kolegjit Universum dhe 105 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi.
Së shpejti do të shpallet thirrja për aplikim për shkëmbim semestral në këtë universitet me bursë të plotë.
Kam me dalë nga gzhoja e bronztë nji natë të ftoht’ kur as hana nxenë zap kam me i ba djemtë e Arbnit katër vilajetet me i shti nën stemë.
N’Fushë t’Kosovës me ju rreshtue në eskadrone të luftës, në vijë t’parë Garda e Arbnit ka veç nji shpirt, ka veç nji kryekomandant, tjerët ushtarë.
Kot asht m’u krenue me emnin tim derisa n’toka të Arbnit luhet bixhoz jeni ba pikë e pesë si zogjt e qyqes në t’gjitha vilajetet jeni mbyllë n’kafaz.
Pa le dielli hingëllima e hamshorit Gjumin e randë beft’ ka me ua nxjerrë Pesëqind vjet ishin dimna të gjatë N’terr të Topkapisë truni ynë ka fjetë.
Në Kosovë, n’djepin e shqiptarisë vojvodët e heshtun ende janë n’pritë nën sjetull me kryet e Car Lazarit natën pa hanë me vrap kanë me ikë.
Kur jeni ngushtë m’thirrni Gjergj Kur lëvdoheni m’thirrni Skënderbe Me dy ftyra toka e Arbnit s’mbrohet Jetohet dhe vdiset për Atme e Fé. / KultPlus.com
Pas tërmetit të datës 26 nëntor, këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Bebe Rexha vizitoi fshatin e Bubqit në të cilin premtoi rikontrukturimin e një prej shtëpive të dëmtuara, me paratë e mbledhura në një kohë rekord.
Së fundmi me anë të një postimi në ‘Instagram’ ka qenë Bes Kallaku ai i cili ka zbuluar se puna për rindërtimin e shtëpisë ka nisur.
“Ka nisur ndërtimi i shtëpisë së Musait.
U shemb një shtëpi e larë me lot dhe dhembje prej fatkeqsive dhe me bekimin e zotit po ngrihen themelet e reja mbi guret e buzëqeshjes dhe gëzimit të zemrës. Faleminderit @beberexha bekuar qofsh”, ka shkruar Kallaku krah pamjeve në ‘Instagram’.
Kujtojmë se shumë emra të njohur dhanë kontributin e tyre gjatë tragjedisë së orëve të para të mëngjesit më 26 nëntor, duke ndihmuar të gjithë ata që kanë pasur nevojë. / KultPlus.com
Përpara nesh është një koleksion i suksesshëm dhe i pazakontë i poezive, autori i të cilit Lulzim Tafa është shumë i njohur dhe i pranuar në rajon dhe më gjerë, dhe tani është mundësia për të paraqitur cilësitë e tij krijuese dhe artistike para lexuesve të gjuhës rome. Ai ka botuar një duzinë librash me poezi dhe ka marrë shumë çmime të vlefshme ndërkombëtare.
Poeti Lulzim Tafa trajton një repertor ideo-tematik shumë të larmishëm dhe unik, i cili, në të shumtën e rasteve, ka të bëjë me jetën e tij personale dhe detajet rrëfyese intime, nga dashuria dhe vuajtja, atdheu dhe natyra, nga vrojtimet metafizike e deri tek ato filozofike dhe gjithçka që përbën udhëtimin tonë dhe të tij të përditshëm.
Ky poet ka një biografi dhe reputacion të lakmueshëm letrar, kështu që koleksioni i tij pa dyshim se do të ngjall interesimin e lexuesve dhe të kritikëve letrarë në gjuhën rome. Të gjitha këto poezi janë të ngjashme me njëra-tjetrën dhe në një farë mënyre janë të lidhura, ashtu që mund të lexohen me një frymë dhe me të njëjtin interes.
Tafa është një lirik delikat dhe i ndjeshëm, i cili shkruan për mjedisin e tij, për jetën dhe dashurinë intime, për atdheun dhe natyrën, për patriotizmin dhe universin dhe tema e motive të tjera pak a shumë të zakonshme. Aq sa është kombëtar dhe patriotik (“Teuta”, “Skënderbeu”), po aq është edhe humanist dhe kosmopolitan në solidaritet dhe tolerancë, duke treguar dashurinë dhe besnikërinë e pafshehur jo vetëm për të vetin, por edhe për të gjithë kombet e tjerë përreth.
Vargu i tij është i disiplinuar dhe i kujdesshëm dhe nuk është i ngarkuar nga epikja. Në këtë thjeshtësi dhe lapidaritet shprehës, gjendet thelbi i poetikës dhe bukurisë së kësaj poezie, me të cilën është e lehtë të vendosësh një komunikim të vlefshëm. Edhe pse ka të bëjë me një marrëdhënie dhe qëndrim kompleks ndaj jetës, botës dhe në përgjithësi ndaj gjithçkaje që ekziston në habitatin e jashtëm dhe të brendshëm (emocional, etik dhe psikologjik), kjo sigurisht që nuk nënkupton një dozë të hermetizmit, njëfarë konstruksioni artistik apo variacioni modern, e as të cilat nuk janë të huaja për këtë poet.
Ky libër në mënyrë ilustruese dhe të qartë tregon se si letërsia në këtë moment universal të globalizmit dhe multikulturalizmit me kohë bëhet destinacion /strehim, dhe mund të thuhet edhe topos, në të cilën krijuesi mund të thotë qartë dhe hapur gjithçka që mendon dhe ndjen, pa asnjë kufizim dhe ndikim. për fatin e tij. Duke demistifikuar dhe dekonstruktuar disa stereotipe të vjetruara, poeti Tafa avokon për ndërkulturalizmin si një qasje etike dhe krijuese të bazuar në shkëmbime, takime, marrëdhënie dhe marrëdhënie personale dhe kolektive midis letërsisë, gjuhës dhe kulturave. Në këtë, ndër të tjera, gjendet kuptimi dhe cilësia e poezisë së tij dhe e angazhimit krijues, i cili gjithashtu kontribuon në zhvillimin e ndërkulturës, tolerancës dhe vetëdijes për përhapjen e të mirave civilizuese, pra vlerave dhe arritjeve.
Tema dhe lënda e këtyre poezive është, në të vërtetë, njeriu si një individ i kryqëzuar në vështirësitë mizore dhe ekzistenciale të botës moderne, ku ai përballet me shembjen e vlerave shpirtërore, tjetërsimin
dhe rrezikimin jo vetëm të subjektit lirik, por edhe të shoqërisë në tërësi. Nga ana tjetër, kjo flet edhe për një dozë të caktuar të angazhimit të poetit dhe dëshirën për të mos pajtuar me situatën ekzistuese rreth tij, sepse ai dëshiron të jetë aktiv, krijues dhe etikisht konstruktiv.
Këto poezi, në të vërtetë, edhe një herë konfirmojnë lidhjen e pashmangshme midis letërsisë dhe globalizmit si të qenësishme në letërsinë moderne botërore, dhe gjithnjë e më shumë të pranishme edhe në skenën vendore letrare, pra edhe në përkthime. Nga libri në libër, ky poet ambicioz dhe i talentuar zgjeron shkallën ideo-tematike të këndimit dhe përshkrimit lirik, duke i siguruar asaj një dozë shtesë reflektimi, spiritualiteti, angazhimi dhe atdhetarizmi vendor.
Marrë në tërësi, poezitë e tij, janë shumë të qarta dhe të kuptueshme me një integritet të thjeshtë logjik e konceptual të fjalëve dhe metaforave, të cilat në transformimin sintetik të parimeve moderne poetike duken shumë origjinale dhe impresive.
Nuk është e vështirë të vihet re që Tafa, si poet, është shumë i rreptë dhe rigoroz, ai nuk është një harxhim i fjalëve dhe i ideve. Ai është i përmbajtur dhe i ndjeshëm kur shkruan për gjithçka që është në fokus të interesit dhe përjetimit të tij, duke mos harruar që ndonjëherë të luajë me pamjen grafike të këngës, me shenjat e pikësimit dhe përcaktuesit e zhanrit. Ky mozaik poetik është kompozuar me shkathtësi dhe me frymëzim, me një rritje të lehtë në intonacionin retorik dhe emocionaliteti eterik, gjë që tregon qëndrueshmërinë gjuhësore dhe energjinë e kondensuar të narracionit melodramatik.
Lulzim Tafa, Bersa e Roslipeimaske, poezi, botim në gjuhen rome, Romani Emancipacia, 2020, fq 100
(Autori është shkrimtar dhe studiues i njohur Rom)