Publikohet raporti: Fëmijët që lexojnë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë

“Fëmijët që lexojnë për shkak se e shijojnë të lexuarit kanë mirëqenie psikologjike më të lartë; si dhe ata që lexojnë më shumë libra në vit kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë më të lartë emocionale”. Këto kanë qenë të gjeturat kryesore të raportit hulumtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të Kosovës”, publikuar sot në ambientet e Qendrës “Libart”.

Për gjashtë muaj me radhë organizata ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore (QHPSM), dhe Qendra për Afirmimin të të Rinjve (CSAY), kanë punuar në realizimin e këtij raporti hulumtues, të gjeturat e së cilit kontribuojnë në fushën e edukimit dhe psikologjisë.

Në fjalën e saj hyrëse, menaxherja e projektit Fatime Rrahmani, tregoi më gjerësisht për rrjedhën e projektit, arsyet dhe konceptet e tij si dhe punën e organizatave partnere. 

Rrahmani tha se pothuajse i tërë projekti është realizuar virtualisht për shkak të kushtëzimit nga pandemia COVID-19. Ndërsa tregoi se ky studim thekson rëndësinë që të lexuarit ka në zhvillimin mendor te fëmijët. Po ashtu, shtoi se studimi është valid dhe se, sipas saj, mund të përdoret për intervenime në fushën e psikologjisë dhe edukimit. Fatime Rrahmani ndër të tjera tha edhe se sipas të gjeturave motivi i brendshëm është faktori kyç për nxitjen e procesit të të lexuarit.

E për të treguar më shumë për metodologjinë, rezultatet, përfundimet e rekomandimet e raportit, foli Diar Hajrizi, hulumtues kryesor i projektit.

Hajrizi, the se pjesëmarrës në projekt kanë qenë rreth 980 nxënës të klasave 6-9 të moshave 10-15 vjeç, dhe hulumtimi është shtrirë në 68 shkolla të 20 komunave të Kosovës. 

Diar Hajrizi, po ashtu tregoi se ndër të tjera, më këtë hulumtim kanë synuar ta masin edhe se cilat lloje të leximit dhe zhanret të librit ndikojnë në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale. 

Për më tej, ai u shpreh se rezultatet tregojnë se fëmijët që lexojnë më shumë libra dhe janë të regjistruar në bibliotekë gëzojnë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë. 

 Nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), të cilët e kanë mbështetur financiarisht këtë projekt, Dajana Berisha u shpreh se përkrahja e studimeve të tilla është e nevojshme pasi e ngrisin nivelin e raportit të shkencës, dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme në raport me tregun e punës. Berisha, gjithashtu shtoi se duhet të fokusohemi në të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Sipas saj, faza e parë është të nxënit në mosha të reja, faza e dytë formësimi dhe krijimi i identitetit dhe faza e tretë kontributi që pastaj ia dhurojmë shoqërisë. 

Për t’i komentuar të gjeturat nga prizmi psikologjik, e pranishme në panel ishte edhe psikologja Saranda Rexha.

Ajo tha se leximi duhet të promovohet si diçka që nxit kënaqësi dhe kjo duhet të fillojë nga mosha e hershme, më saktësisht para se të fillojnë procesin mësimor.  

Ndërsa, sociologu Roland Peraj, tregoi për trajtimin e fenomenit të lexueshmërisë nga këndvështrimi sociologjik.

Ai tha se janë disa faktorë që sipas tij e pengojnë nxitjen e procesit të leximit. Peraj theksoi se ndër ta, fakti kryesor është mungesa e kulturës së leximit, ndërsa aspekti historik, kurrikulat dhe infrastkruktura shkollore ndikojnë në uljen e nivelit të motivit për lexim. Ndërsa, sugjeroi të krijohet një strategji nacionale për lexim dhe të bëhet digjitalizimi i librave.

Nga audienca, Besnik Peci, psikolog dhe sociolog u shpreh se me këtë hulumtim janë vënë bazat e evidencës për rëndësinë e lexueshmërisë. Peci, njëherish psikolog i SOS Fshatrave të Kosovës, tha se prindërit dhe mësimdhënësit duhet t`i shpërblejnë dhe inkurajojnë fëmijët që lexojnë, dhe po ashtu, të krijojnë alternativa që leximi për fëmijët të jetë i këndshëm dhe jo i imponueshëm. 

Panelistët, po ashtu bënë më dije se përveç produkti kryesor të projektit që është raporti hulumtues, ditëve në vijim do të përurohet edhe skulptura që ngërthen trurin dhe librin, në faqet e së cilës do të gravohen rezultatet kryesore të raportit. 

Fatime Rrahmani, prezantoi edhe rekomandimet e dala nga projekti, disa prej të cilave janë: aplikimi i Biblioterapisë (seanca grupore me lexim të librave) nëpër shkolla, të hartohen më shumë hulumtime nga organizatat e shoqërisë civile dhe prindërit të investojnë në krijimin e këndeve me libra sipas preferencave të fëmijëve të tyre. 

Ky hulumtim është pjesë e projektit “Ndikimi i leximit aktiv në shëndetin mendor të fëmijëve” dhe është  përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe INDEP me burim financiar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjithashtu ky projekt përkrahet edhe nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Dua Lipa publikon këngën e re në bashkëpunim më Madonnën dhe Missy Elliott (VIDEO)

Bashkëpunimi i shumëpritur i këngëtares shqiptare Dua Lipa me yllin botëror Madonna dhe Missy Elliott, tashmë është lansuar, shkruan KultPlus.

E titulluar “Levitating”, kënga të merr me vete qysh në dëgjimin e parë. Videoklipi gjithashtu është mjaft interesat ku Dua shfaqet me disa skena, madje edhe përkrah të dashurit të saj Anwar Hadid.

Ky bashkëpunim për Dua është një ëndërr e realizuar, siç është shprehu ajo kjo ende i duket e pabesueshme.

“Gjithmonë ka qenë një ëndërr e imja që të punoj me Madonna dhe Missy Elliott dhe të sjellim një këngë bashkë. Kjo më duket se pabesueshme,” ka thënë Lipa gjatë një paraqitjeje në ‘Ash London Live’.

Kënga, e cila sapo është lasuar është krijuar bashkë me DJ dhe producentin “The Blessed Madonna”. / KultPlus.com

Filmi ‘The Baby’ i Ben Apollonit selektohet në “Cine Film Festival” në Indi

Regjisori Ben Apolloni i cili përveç shfaqjeve, filmave e dokumentarëve që sjell për publikun, njëkohësisht është një ndër figurat aktive që ngreh zërin për shumë probleme shoqërore në vendin tonë. Puna e tij ka arritur të shfaqet në shumë festivale deri më tani dhe rrugëtimi po vazhdon, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe, filmi “The Baby”, me skenar dhe regji nga Ben Apolloni, është selektuar dhe do të shfaqet në Indian Cine Film Fest.

“India Cine Film Festival” i ka rrënjët pothuajse që një dekadë dhe qëllimi kryesorë i këtij festivali është t’i jepet vrull kinemasë së pavarur.

Regjisori Apolloni është shprehur i lumtur për këtë rrugëtim të filmit, dhe gjithashtu shpreson që gjendja e shkaktuar nga Covid-19 të kalojë dhe filmi të vazhdojë edhe me festivale të tjera.

“Mbrëmë më njoftuan që filmi “Bebja” është selektuar që të jetë pjesë e festivalit indian “Cine Film Fest”. Më erdhi mirë sepse “Bebja” pati nisur të ecë nëpër festivale por iu ndërpre rruga shkaku u pandemisë, ku shumica e festivaleve anuluan aktivitetin e tyre, Po shpresoj që kjo gjendje që shkaktoi Covid-19 të kalojë sa më parë dhe ky film të vazhdojë rrugën e tij por edhe të realizojmë filma e projekte të tjera që na kanë mbetur në sirtar”, ka thënë Apolloni për KultPlus.

I xhiruar në Shkup, ndërsa financuar nga Agjencia e Filmit të Maqedonisë së Veriut, filmi “The Baby” është i vendosur në kohë lufte. Një çift i ri bashkë me një bebe mbesin të ngujuar në banesën e tyre, pa ushqim, pa qumësht. E gjithë ngjarja pastaj ka të bëjë me dramën e individëve, të cilët janë në mëdyshje nëse duhet të ikin ose të qëndrojnë në atë vend të pasigurt. Katrahura nuk ndalet aty, ushtarët hyjnë në banesën ku gjejnë vetëm një bebe, pasi prindërit janë fshehur diku.

Në këtë film luajnë: Fatlume Bunjaku, Ismail Kasumi, Sami Mustafa, Abdullah Osmani, Vullnet Kuqi, Rrahim Ramadani etj. / KultPlus.com

Naser Ramadani jep lajmin: Viti i ri shkollor, fillon nëpër shkolla

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani ka thënë se viti i ri shkollor do të fillojë në shkolla.

Ai ka sqaruar se janë duke e shqyrtuar mundësinë që mësimi nga klasa e parë deri në klasën e pestë të zhvillohet në shkolla.

Ramadani tutje ka shtuar se nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë, po ashtu edhe në shkollat e mesme, mësimi do të zhvillohet në formë mikse. Ndërsa për mësimin në universitet, Ramadani ka thënë se do të zhvillohet online.

“Fillimi i vitit shkollor do të fillojë në të gjitha nivelet, por do të varet forma e zbatimit. Grupi i ekspertëve  të IKSHPK-së dhe MASH-it kanë punuar dhe po shihet mundësia për hapjen e shkollave për klasën e parë deri në klasën e katërt, eventualisht klasën e pestë si hapje fizike. Prej klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë dhe shkollën e mesme do të jetë një formë mikse. Në Universitet hapja do të online”, ka thënë Ramadani. / KultPlus.com

Kanionet e Osumit, perlë e natyrës dhe destinacion turistik

Kanionet e Osumit janë një perlë e natyrës, një destinacion turistik që duhet vizituar, ku të apasionuarit e turizmit të aventurës kanë mundësi të zhvillojnë edhe shëtitjet profesionale me rafting, ose hiking.

Zv/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, duke publikuar foto nga ky kanion, shprehet se “Kanioni i Osumit, është më i madhi në gjithë vendin dhe është emërtuar Grand Canyon i Shqipërisë”.

“Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 metra i gjerë, i thellë rreth 80 metra, me shpate vertikale.Koha e formimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë”,- thekson Çuçi.

Kanionet e Osumit gjenden në aksin Çorovodë–Hambull, të luginës së Osumit.Në këtë kanion, çdo vit udhëtojnë me mijëra turistë vendas e të huaj, të cilët shijojnë natyrën, kulinarinë dhe sportin e bukur të rafting. /atsh/ KultPlus.com

Homazh për Gjergj Xhuvanin, Rama: Një ndër çunat e rrallë që lindin si pleq e jetojnë si fëmijë

Kryeministri Edi Rama i ka kushtuar një mesazh prekës regjisorit dhe kineastit të madh shqiptar Gjergj Xhuvani, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta.

Në një homazh ku e sjell jetën e Xhuvanit në pak rreshta, kreu i qeverisë nuk i kursen fjalët e lavdueshme për regjisorin me të cilin thotë se ka ndarë një pjesë jetës. Ai e cilëson një ndër ata çunat e rrallë, të mençur e me norma, që lindin si pleq dhe jetojnë si fëmijë.

Ky është mesazhi i plotë i Edi Ramës

💐HOMAZH
Sot viti dëgjova lajmin e pabesueshëm të ikjes nga kjo botë të Gjergjit, Xhuvanit. Gjergji ishte superçun, qysh gjithnjë, një ndër ata çunat e rrallë, të mençur e me norma, që lindin si pleq dhe jetojnë si fëmijë. E mbaj gjithmonë mend të dashuruar pas Lizës, kur ishim në të njëjtat vite paralele në Akademinë e Arteve dhe ndanim një holl të përbashkët, mes atelieve të “Figurativit” djathtas e studiove të “Dramës” majtas.
Në të gjitha zboret na bashkonte një kapanon dhe një togë, në repartin legjendar të Mamurrasit, po mbi të gjitha një pagure me raki dhe copat e kaçkavallit të mëngjesit, mbledhur nëpër xhepa për bashkëbisedimet fluturake pas shkurreve të luftës imagjinare me imperializmin amerikan.
Gjergji u martua me Lizën dhe njëri flirtoi për vite të tëra me filmin, tjetra me teatrin, megjithëse në fakt Liza ishte një yll që shkëlqente qoftë në skenë, qoftë në ekran. Ishin një çift i bukur, që i dha shumë kinemasë e teatrit shqiptar dhe dreqi vetëm mund ta dijë, pse ata dy njerëz të mrekullueshëm e prindër të përkushtuar, duhet të vuanin ca goditje nga ato më të tmerrshmet, të cilat fati nganjëherë zgjedh të mos ia kursejë robit të shkretë! Po kjo është një histori tjetër.
Ndërsa historia krijuese e Gjergjit, edhe pse e prerë në mes brutalisht nga një sëmundje dërrmuese, që pasi i mori njërën këmbë, i mori edhe jetën, është një kapitull i pambaruar, shkruar me pasion e me inteligjencë të spikatur artistike, brenda librit të historisë së kinematografisë shqiptare. Filmat e tij e çuan emrin e Shqipërisë në plot festivale ndërkombëtare, madje njëri syresh arriti deri në seleksionimin e parë të filmave të huaj, që u gjykuan për nominimet e kandidatëve për Oscar në vitin 2010.
Gjergji i mbylli përgjithnjë sytë në një dhomë hoteli në Itali, ku shkoi të flejë natën vonë në fund të një dite të gjatë pune, pasi mbaroi montazhin e filmit të tij të fundit. Nuk u zgjua më.
Më duket habi akoma sot që nuk do ta takoj më dot në këtë jetë shokun e mirë, me të cilin shiheshim rrallë, por gjithnjë me shumë kënaqësi, e flisnim për sfidat tona krejt të ndryshme të radhës, ai me filmin që do të vinte e unë me këto të miat, po biseda prekte kinemanë, letërsinë, artin, mediat, shoqërinë shqiptare dhe sigurisht kohën e studimeve tona, ku komedia jetësore e zborit nuk mund të mungonte asnjëherë në bisedë, bashkë me paguren e rakisë që ishte arma armiqësore e disiplinës ushtarake në brezin e Gjergjit.
Gjergji ishte vërtetë njeri i rrallë, mik i mirë, artist që fliste me vepra e që fjalët i kursente bukur. Bukur kursehej edhe kur shijonte verën, i pëlqente të pinte dhe ishte kënaqësi e veçantë tavolina me të, sepse për ta mbaruar një gotë merrte kohë, teksa i merrte aromën, i komentonte përbërjen, i kërkonte ndihmën për të ngritur shëndetet.
E ngrita këtë tekst për ty Gjergj – sot një vit më parë nuk lidha dot as pesë fjalë bashkë! – me pikëllimin që s’mblidhemi dot më, për të folur e për të qeshur si dikur, po edhe me buzëqeshjen e përlotur që më jep kujtimi yt. Prehu në paqe shoku im!
TëPAHARRUESHËM🙏 / KultPlus.com

Mali i Zi hap kufijtë me Serbinë, kushtet për Kosovën mbesin njëjtë

Nesër do të hapet kufiri me Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Maqedoninë, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Boban Mugosha, Ai nuk ka folur për Kosovën, qytetarët e së cilës mund të hyjnë në Malin e Zi vetëm nëse kanë rezultat negativ për Covid 19.

Për të hyrë në Mal të Zi, një test negativ PCR ose një ELISA serologjike ka shumë të ngjarë të jetë e nevojshme, tha Mugosa.

Sipas tij, u vendos që të hapen kufijtë me kërkesë të industrisë së turizmit.

“Ne shohim që situata me Serbinë po përmirësohet, që do të thotë se kurba po barazohet,” shpjegoi Mugosa.

Ai tha se “kemi hyrë në një fazë në të cilën transmetimi lokal është ende i lartë, por ai është plotësisht i kontrolluar”.

“Jemi në fazën e rregullimit të kurbës, presim që ajo të shkojë më poshtë. Situata është një reflektim i sjelljes sonë. Të gjithë ne së bashku në këtë kohë nuk po sillemi mjaftueshëm me përgjegjësi. Të gjithë ne së bashku nuk veprojmë në mënyrë të përgjegjshme, sepse kemi 50-60 raste në ditë edhe pse testojmë shumë, rreth 450 mesatarisht. Kjo është në nivelin e 50,000 testeve në Gjermani, dhe ne jemi lider në rajon me Sllovenët “, tha Mugosha për TV Vijesti.

Ndërsa afrohen zgjedhjet e 30 gushtit në Malin e Zi, Mugosa thotë se nuk pret ndonjë rrezik të rritjes së numrit të pacientëve.

“Nëse respektojmë masat e veshjes, maskave, distancës, atëherë zgjedhjet nuk kanë një ndikim të madh, as nuk do të zgjedhin një arsye për sëmundje më të madhe të njerëzve,” theksoi Mugoša.

Ai theksoi se deri në fund të javës tjetër, ata do të kenë rekomandime konkrete për hapjen e shkollave, dhe që kopshtet pa dyshim do të fillojnë të punojnë në shtator. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandum për Qendrën e Sportit në Zubin Potok

Në kuadër të mbështetjes së komunave të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot ka nënshkruar memorandum me komunën e Zubin Potokut, për mbështetje financiare të projektit “Sigurimi i pajisjeve për Arenën në Qendrën Sportive në Zubin Potok”, në vlerë prej 100 mijë euro.

Memorandumin e nënshkruan ministrja Vlora Dumoshi dhe kryetari i komunës Stevan Vuloviç. 

“Ministria ka obligim që të investojë në të gjitha komunat e Kosovës dhe i trajton të gjitha njësoj. Për mua si ministre të gjitha komunat janë të barabarta, të gjithë janë qytetarët të Kosovës dhe do t’i mbështes të gjitha komunat pa përjashtim. Edhe ky projekt por edhe projekte tjera të cilat pritet të planifikohen për vitin e ardhshëm, si MKRS jemi të gatshëm dhe do të ndihmojë edhe Komunën e Zubin Potokut”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Ministrja e njoftoi kryetarin Vuloviç se fondi emergjent prej 5 milion për MKRS-në veçse është miratuar dhe porositi që t’i inkurajojë të rinjtë dhe organizatat që veprojnë në Zubin Potok që të aplikojnë në thirrjet që do të shpallen nga ministria, në mënyrë që të përfitojnë nga fondi.

Nga ana e tij, kryetari Vuloviç e falënderoi ministren për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen. Tha se mbështetja e ministrisë dhe gatishmëria e ministres për ta ndihmuar Zubin Potokun janë befasuese dhe e mirëseardhur. Është e nevojshme një ndihmë e tillë për komunitetin në Zubin Potok, tha Vuloviç, sepse komuna ka shumë të rinj e sportistë aktivë.

Palët u pajtuan që ditëve në vijim, ministrja të vizitojë Komunën e Zubin Potokut. / KultPlus.com

Dhuna në familje, shqetësimi i regjisorit Zgjim Terziqi që si rezultat solli filmin “Salon”

Suada Qorraj

Filmi i shkurtër katërmbëdhjetë minutësh “Salloni”, nëpërmjet komedisë së zezë sjellë para publikut dy tema që kanë hasur në diskutime, por jo në zgjidhje, sidomos në vendin tonë, shkruan KultPlus.

I tërë rrëfimi i këtij filmi zhvillohet në sallonin e bukurisë “Mata Hari”, ku nusja e cila po rregullohej për dasmën e saj, shoqërohet nga diskutimi i grave me versionet e tyre kontradiktore, të lexuara në media, rreth gruas që një natë më parë kishte vrarë burrin e saj.

Xhirimet e këtij filmi, skenari i të cilit kishte filluar të shkruhej qysh në nëntor të 2018-ës, nuk morën shumë kohë, mu në ditët e para të muajit mars, pikërisht në vitin që lam pas u shënua edhe përfundimi i kësaj pune, në qytetin e vogël, por po aq të madh të Prishtinës.

Regjisori Zgjim Terziqi në një intervistë për KultPlus ka thënë se rrëfimi i kishte lindur si nevojë për të diskutuar dy tema që, sipas tij, brengosin shoqërinë, por me të cilat mund të identifikohet e gjithë bota.

 “Rrëfimi ka lind si një nevojë e imja për t’i diskutuar dy tema të cilat më brengosin në shoqërinë tonë, por me të cilat mund të identifikohet edhe e tërë bota. Njëra ka të bëjë me dhunën në familje, dhe si ajo shpesh neglizhohet kur lajmërohet në institucionet përkatëse; ndërsa tjetra me gjendjen momentale mediatike dhe ndikimin e saj në formim të mendimit tek lexuesi/shikuesi”, ka thënë ai.

Regjisori ka treguar edhe për vështirësitë që ka hasur gjatë filmit, projekti i të cilit është vetëfinancuar nga ana e tij. Sipas Terziqit filmbërësit në Kosovë tashmë kanë krijuar një imunitet nga mungesa e përkrahjes financiare e shtetit.

“Vështirësi ka gjithmonë në Kosovë, në çdo repart të jetës, por na filmbërsit si duket kemi filluar të krijojmë imunitet nga mospërkrahja financiare e shtetit, edhe pse e përbëjmë ndoshta pjesën më të madhe të eksportit të kulturës dhe gjuhës tonë”, ka deklaruar Zgjim Terziqi.

Terziqi gjithashtu ka thënë se një nga dëshirat e tij që nga premiera e parë e këtij filmi ishte që ta shikonte së bashku me publikun kosovar, por ai shpreson që një gjë e tillë të ndodhë në muajt që vijnë. Filmi i metrazhit të shkurtër “Sallon” premierën botërore e ka pasur në Gusht të vitit të kaluar në Rhode Island në Amerikë. Ndërkaq tashmë është përzgjedhur në afro njëzet festivale të ndryshme. Ndërkaq në gusht të këtij viti filmi do të shfaqet edhe në Portugali, Itali, Kore të Jugut dhe Slloveni, kurse muaji shtator do ta gjejë “Salloni” përsëri përballë publikut Italian. / KultPlus.com

Zgjim Terziqi

Ngacmonte seksualisht nxënëset e tij, mësimdhënësi kosovar dënohet me tri vjet burg

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 3 vite burgim të pandehurin B.V, i cili në cilësinë e mësimdhënësit kishte ngacmuar seksualisht nxënëset e tij.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Gjykata ka bërë me dije se atij i është ndaluar ushtrimi i  profesionit të mësimdhënësit në kohëzgjatje prej 5 viteve, i cili do të filloj pas vuajtjes së dënimit të shqiptuar me burg.

“I pandehuri B.V në cilësinë e mësimdhënësit, i ka prekur me qëllime seksuale dhe duke shfrytëzuar moshën e tyre të ndjeshme, në mënyrë të vazhdueshme me veprime të pahijshme që bie ndesh me etikën e një pedagogu si mësimdhënës ashtu që i njëjti ka filluar ngacmimin seksual te nxënësit atë mënyrë që fillimisht me fjalë joshëse si: je e bukur, pse sot flokët i ke kap ne këtë mënyrë etj., e me pas duke i prekur ne pjesët të  ndryshme të trupit, e të cilit i është besuar edukimi, kujdesi dhe mbikëqyrja”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas gjykatës i pandehuri obligohet që në emër të shpenzimeve të  procedurës penale gjykatës t’ia paguajë shumën prej njëqindepesëdhjetë (150) €, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind (100) €, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej pesëdhjetë (50) €, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Komunikata e plotë:

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.V për shkak se:

Që nga muaji shtator e gjerë më datë 14.11.2018, i pandehuri B.V në cilësinë e mësimdhënësit, i ka prekur me qëllime seksuale dhe duke shfrytëzuar moshën e tyre të ndjeshme, në mënyrë të vazhdueshme me veprime të pahijshme që bie ndesh me etikën e një pedagogu si mësimdhënës ashtu që i njëjti ka filluar ngacmimin seksual te nxënësit atë mënyrë që fillimisht me fjalë joshëse si: je e bukur, pse sot flokët i ke kap ne këtë mënyrë etj., e me pas duke i prekur ne pjesët të  ndryshme të trupit, e të cilit i është besuar edukimi, kujdesi dhe mbikëqyrja.

Me këto veprime i pandehuri B.V ka kryer veprën penale sulm seksual nga neni 232 par. 3 nën par. 3.7 lidhur me piken 3.9 dhe lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Të pandehurit gjykata i ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej tre (3) vite, të cilin dënim do t’a vuaj menjëherë plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në këtë dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

I pandehuri obligohet që në emër të shpenzimeve të  procedurës penale gjykatës t’ia paguaj shumën prej njëqindepesëdhjetë (150) €, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind (100) €, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej pesëdhjetë (50) €, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Te pandehurit i është shqiptuar dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit të mësimdhënësit në kohëzgjatje prej 5 viteve, i cili do të filloj pas vuajtjes së dënimit të shqiptuar me burg.

Të njëjtit pas shpalljes së dënimit i është ndërprerë arresti shtëpiak deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Palët e dëmtuara janë  udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Kundër këtij aktgjykimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. / KultPlus.com

Para debutimit në Broadway, muzikali “Diana” do të transmetohet në “Netflix”



Muzikali “Diana” do të transmetohet në “Netflix”, duke filluar nga viti i ardhshëm, para se ta ketë debutimin zyrtar në Broadway.

Ky është një veprim i pashembullt në industrinë e filmit dhe argëtimit, i cili është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Teatrot e Broadwayt vazhdojnë të jenë të mbyllura shkaku i pandemisë dhe mund të mos hapen gjatë këtij viti, kanë bërë të ditur ekspertët.

Kësisoj, muzikali që bazohet në historinë e jetës së princeshës Diana tani nuk do të shfaqet në Broadway deri të paktën më 25 maj të vitit të ardhshëm. Versioni filmik i muzikalit, me kastën e njëjtë të origjinalit të Broadwayt, do të bëhet transmetohet pa praninë e publikut në New York. Ndërkaq, “Netflix” nuk ka paraparë ndonjë datë për transmetimin e saj në këtë platformë.

“Ndonëse nuk ka titrime për transmetime në teatro, jemi të nderuar të jemi pjesë e argëtimit cilësor që ‘Netflix’ po ua mundëson parapaguesve të tij nga e gjithë bota”, kanë thënë producentët e muzikalit “Diana”, përmes një deklarate të përbashkët.

Produksioni, i cili fillimisht ishte paraparë të mbahej gjatë këtij mars, ishte në fazën përgatitore kur kinematë dhe teatrot u mbyllën në SHBA.

Kjo është hera e parë që një shfaqje e Broadwayit është vënë në transmetim të drejtpërdrejtë në ekranin e madh, para debutimit teatror të tij. Edhe të tjerat shfaqje janë transmetuar në ekran. Mirëpo, pasi ato janë shfaqur më herët para audiencës.

Shërbimi “The Disney+” e filloi transmetimin e versionit filmik të Hamiltonit, hitin e Broadwayit, në fillim të kësaj vere.

Kompanitë prodhuese të filmave kanë ngurruar t’i lëshojnë versionet filmike të shfaqjeve gjersa ato po shfaqeshin në teatër. Shqetësimi ishte se nëse publiku e sheh versionin filmik në shtëpi, mund të mos shfaqë interesim për ta ndjekur versionin live në teatro. Por, industria po ndryshon qasjen dhe po i përshtatë mbylljet e teatrove me mundësitë online.

Ekspertët kanë thënë se versioni filmik mund ta vendosë shfaqjen para syve të publikut dhe të fitojë shtrirje globale.

Industria e filmit po përballet me dilemën e njëjtë, me ç’rast shumë studio po zgjedhin t’i lansojnë filmat direkt në shërbimet transmetuese, në vend të kinemave.

“Disney” ka vendosur që ta bëjë këtë me për projektin filmik veror “Mulan”, i cili do të debutojë në platformën online “Disney+”, duke i anashkaluar kinematë amerikane. / KultPlus.com

Zbulohen mozaikët e Linit nga koha e sundimit të Justinianit

Në Bazilikën e Linit, një prej siteve më të rëndësishme të trashëgimisë në Pogradec, pas Pastoforit është ekspozuar edhe pjesa e Narteksit.

Këto dy pjesë të këtij mozaiku, i cili daton në shek 4- 5 të kohës së sundimit të perandorit romak Justinianit do të qëndrojnë te ekspozuara dhe mund të vizitohen duke bërë të mundur që të njihen nga afër vlerat e rralla të kësaj bazilike, raporton TCH.

Pandemia vonoi zbulimin dhe aksesin në Bazillikën e Linit ku krahas ekspozimit bëhen edhe ndërhyrje konsoliduese për mirëmbajtjen e tij ndërsa do të qëndrojë e hapur deri në fund të shtatorit.

Por ndërsa për vite të tëra e vetmja pjesë që mund të shihej nga vizitorët janë pjesët e mureve të gurit, pasi mozaikët shumëngjyrësh mbulohen për të mos u dëmtuar, kanë nisur përpjekjet që në të ardhmen kjo bazilikë të mund të ekspozohet e gjitha.

Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit përbëhen nga motive që përfshijnë jo vetëm elemente të përdorura edhe në bazilikat e tjera por edhe motive që gjenden shumë rrallë. Dyshemetë e shtruara me mozaikë paraqesin motive gjeometrike, vizatime e kompozime të ndryshme nga flora e zonës dhe fauna e liqenit. / KultPlus.com

Cenolli propozon tre emra për çmimin “Nobel”: Kadare, Boxhovi dhe Starova tri kandidatura cilësore

Shkrimtari Ismail Kadare ka vite që propozohet për çmimin “Nobel” për letërsi, madje shpesh ai është parë në rrethin e ngushtë dhe shanset për të fituar kanë qenë të mëdha, por deri më tani diçka e tillë nuk ka ndodhur. E dëshira e popullit shqiptar që Kadare të bëhet fitues i çmimit Nobel, vazhdojnë të jenë të mëdha, shkruan KultPlus.

Madje profesori, Erget Cenolli përveç Kadaresë ka propozuar edhe dy emra të rinjë të cilët sipas tij e meritojnë të jenë kandidatë për çmimin “Nobel”. Bëhet fjalë për shkrimtarin dhe historianin Jusuf Buxhovin dhe Luan Starova. Cenolli shprehet se ka ardhur koha që shqiptarët ta marrin këtë çmim dhe se këta tre emra janë cilësor dhe kështu do të jemi në gjendje të kandidojmë denjësisht për çmimin “Nobel”.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Cenollit:

Përsëri dhe përsëri, për çmimin “Nobel”

E them për të shumtën herë se ka ardhur koha që shqiptarët ta marrin këtë çmim. Herët e kaluara kam proponuar që kandidat i dytë, përveç Kadaresë (tashmë kandidat i përjetshëm), të ishte zoti Moikom Zeqo, por meqë ndërroi jetë, atëherë vështrimi duhet drejtuar në të tjerë shkrimtarë shqiptarë. Midis tyre mund do të propozoja zotërinjtë Jusuf Buxhovi dhe Luan Starova, që jetojnë përkatësisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy këta kanë vepra cilësore, disa prej të cilave janë përkthyer në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, si edhe në disa prej gjuhëve ballkanike. Marrja pjesë në paraqitjen dhe mbrojtjen e këtyre kandidatëve duhet të jetë i plotë dhe aktiv prej Akademive të Shkencave të vendeve ku këta shkrimtarë jetojnë, punojnë dhe botojnë.
Si përfundim me tri kandidatura cilësore (Kadare, Buxhovi, Starova), do të jemi në gjendje të kandidojmë denjësisht për çmimin “Nobel”. / KultPlus.com

Si ta dekoroni shtëpinë në stilin minimalist, madje duke kursyer deri në 60%!

Stili maksimalist i dekorit nënkupton më shumë të çdo gjëje; kjo do të thotë më shumë prej ngjyrave tuaja të preferuara, më shumë materiale e më shumë aksesorë. Ky stil ka të bëjë me krijimin e një ambienti shtëpiak të ngrohtë, personal dhe, mbi të gjitha, unik!

Për ta dekoruar shtëpinë tuaj me stil maksimalist, ju mund t’i ndiqni hapat e mëposhtëm:

– Hijeshoni me aksesorë të ndryshëm. Pra mbusheni shtëpinë me kujtime të udhëtimeve, me vazo dhe me aksesorë të ndryshëm dekorativë.

– Kombinojeni të vjetrën me të renë. Një prej arsyeve të popullaritetit të trendit minimalist është se nuk keni nevojë t’i blini të gjitha gjërat menjëherë. Mjafton që mobiliet aktuale t’i kombinoni me gjëra të reja që i përzgjedhni me kujdes.

– Këshilla e fundit: Perdet! Për ta krijuar një dekor të bukur, jepni ndjenjë e pamje dhomës me perde të bukura.

Të gjitha këto këshilla dhe ndryshimin e mahnitshëm në shtëpinë tuaj tani mund ta bëni me 60% zbritje.

Kjo sepse duke filluar nga data 14 e deri më 27 gusht, JYSK sjell zbritje në një asortiment të gjerë të produkteve, i cili gjithashtu eshte vendi ideal ku mund ta shijoni frymën skandinave.

Ky shtet për një rast të vetëm infeksioni, shpall bllokim gjithëkombëtar

Mbretëria e Bhutanit në Himalaje ka vendosur një bllokim mbarëkombëtar pasi një grua e infektuar me koronavirus jashtë vendit, ka udhëtuar nëpër Mbretërinë e vogël, shkruan SRF duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

27-vjeçarja butaneze pas kthimit të saj nga Kuvajti, duke qëndruar në karantinën e detyrueshme, fillimisht kishte pasur rezultat negativ të testimit për virusin, thonë autoritetet, transmeton Albinfo.ch. Por, testi tjetër i bërë më vonë kishte dalë pozitiv.

Gjatë kësaj kohe, gruaja raportohet se ka qenë në kontakt me më shumë se 210 njerëz.

Pasi që një turist nga Shtetet e Bashkuara ishte testuar pozitivisht për virusin në muajin mars, vendi kishte ndaluar tërësisht hyrjen e turistëve të huaj në Bhutan, transmeton Albinfo.ch. Ndërsa vendësit e kthyer nga jashtë së pari duhet të karantinohen për tri javë.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, në Bhutan ka pasur gjithsej 128 raste të njohura të infektimit dhe asnjë vdekje të shkaktuar nga virusi.

Sipas një deklarate të qeverisë, të gjitha shkollat, institucionet, zyrat dhe kompanitë tregtare duhet të qëndrojnë të mbyllura aktualisht, përcjell Albinfo.ch. Bllokimi do të zgjasë ndërmjet pesë ditëve dhe tre javëve, njoftojnë mediat lokale. / KultPlus.com

T’isha një lule

Poezi nga Musine Kokalari

“T’isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të
rinjëve.
Prej frike,
të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
do të dhurohesha te njeri–tjetri
për shënjë kujtimi.”

Tirane Korrik 1946.Gjyqi i Sami Qeribashit.Muzine Kokalari perpara trupit gjykues.Foto:Atsh

“Ti e vrave dashurinë”, nga Elita 5 (VIDEO)

Elita 5 është pa asnjë dyshim grupi më emblematik i muzikës në Kosovë, veçmas rreth viteve 90-ta, shkruan KultPlus.com.

Elita 5 ka realizuar një mori këngësh, të cilat edhe sot e asaj dite vazhdojnë të mbesin shumë të kërkuara.

“Ti e vrave dashurinë”, është një nga hitet e vitit 2000 qe ky grup kishte lansuar në treg. KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“Me kot ti kerkon meshiren
Dhe pse vishesh me te bardha
Shpirti yt noton n’shkretire
Nuk je prape ajo e para.
Shpirti yt noton n’shkretire
Nuk je prape ajo e para

Tash vjen edhe ti me lutesh
Kerkon falje hic pa turp
Nuk e di ku merr guximin
Qe serisht te kthehesh tek une

(refren)
Se ti e vrave dashurine
Edhe shkove pas nje horrit
Paqe mes nesh s’mund te shtijne
As ushtaret e UNPROFOR-it
(x 2)

Se ti ndenjat tua i nxorre
mall pa vlere ne treg te zi
dashuria humb kuptimin
kur hyjne zemrat ne llogari

Jo, jo nuk po t’i dua,
lot’ e rende t’i shoh ne sy,
se ka vajza plot Tetova
e nuk mbahet veç me ty “

“Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës”

Thënie të njohura për nënën

Theodore Hesburgh: Gjëja më me rëndësi që babai mund të bëjë për fëmijën është ta dashurojë nënën e tyre!

Abraham Lincoln: Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!

Erich Fromm: Dashuria e nënës është paqja. Nuk ka nevojë të fitohet, nuk ka nevojë të meritohet!

William Makepeace Thackeray: Nëna është emri i Zotit në buzët dhe zemrat e fëmijëve të vegjël!

George Eliot: Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës!

Rumi: Kemi lindur nga dashuria; dashuria është nëna jonë!

Louisa May Alcott: I lumtur është djali besimi i të cilit te nëna mbetet i pandryshuar!

Robert Frost: Nuk keni nevojë të meritoni dashurinë e nënës; keni nevojë të meritoni dashurinë e babait!

Marion C. Garretty: Dashuria e nënës është karburanti që lejon një person të thjeshtë për të arritur të pamundurën!

Proverb irlandez: Burri e do të dashurën më së shumti, gruan më së miri, e nënën më së gjati!

Arlene Benedict: Në veshët e një fëmije, fjala “nënë” është magjike në të gjitha gjuhët!

Proverb bolivian: Ka mijëra gra, por vetëm një nënë!

Sophia Loren: Kur je nënë, nuk je kurrë vetëm në mendimet e tua. Një nënë gjithmonë duhet të mendojë dy herë. Një për vete dhe një për fëmijën e saj!

Osho Rajneesh: Në momentin që lind një fëmijë, lind edhe nëna. Ajo nuk ekzistonte më parë – gruaja ekzistonte, por kurrë nëna. Nëna është qenie e re!

Anonim: Nëna mban duart e fëmijës për pak… e zemrat përgjithmonë! /KultPlus.com

Vdes artisti Gurakuq Dobruna – Kuqi

Artisti Gurakuq Dobruna – Kuqi, ka vdekur sonte pasi ishte shtrirë në spital tash e gjashtë ditë dhe ishte në gjendje kritike.

Dobruna pati një sulm të papritur në tru para gjashtë ditëve, rrejdhimisht nuk ka arritur të rikuperohet.

Lajmin e ka konfirmuar Rilind Gërvalla përmes një shkrimi në Facebook.

Gërvalla i shprehu ngushëllime familjes së Dobrunës dhe në shkrimin e tij kujtoi mardhënjen shoqërore që kishin patur këta të dy.

Ai ka qenë dizajner i Teatrit të Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë teksa ka pasur edhe aktivitet në luftën e fundit në Kosovë. / KultPlus.com

Oktoberfest anulohet për herë të parë pas 70 vjetësh në Gjermani, por jo edhe në Kinë

Oktoberfest u anulua, në formën e tij origjinale dhe në një vend të njohur, në Mynih. Por ai ende ‘jeton’ në mënyra të ndryshme dhe në vende të ndryshme, dhe madje edhe në Kinë.

Oktoberfest në Mynih që mirëpriste më shumë se gjashtë milion vizitorë në vit, dhe ishte një faktor i madh ekonomik për qytetin dhe rajonin nuk do të mbahet këtë vit.

Edhe pse është anuluar 24 herë që nga fillimi i tij në vitin 1810 – ndër të tjera për shkak të luftërave dhe epidemive të kolerës – kjo nuk ka ndodhur në 70 vitet e fundit. Dhe pastaj erdhi COVID-19. Kryeministri i Bavarisë, Marcus Zeder njoftoi më 21 prill se Oktoberfest do të anulohej.

Një zëvendësim që nuk është në vend të kësaj, ngjarja e quajtur “Verë në qytet” po mbahet në Mynih për herë të parë këtë vit.

Përveç shumë stendave në të gjithë qytetin, janë ngritur pajisje të ndryshme argëtimi për panaire, karuselë dhe, të themi, mbajtësi më i madh i rrotullave të ujit në botë.

Nuk është një zëvendësim për Oktoberfest, thonë baballarët e qytetit, por një eksperiment.

Përkatësisht, “Vera në qytet” është e organizuar në mënyrë që të mund të respektohen rregullat e higjenës dhe distancës në kohën e koronës.

Vendet për argëtim, ushqim dhe pije janë shpërndarë nëpër qytet, në mënyrë që mbi të gjitha të mos ketë një turmë që është tipike për Oktoberfest.

Ngjarja, e cila filloi në 24 korrik dhe zgjat të paktën deri më 6 shtator, duhet të sigurojë gjithashtu mbështetje për pronarët e tendave dhe parqeve të dëfrimit që preken shumë nga pandemia – ata nuk kanë pse të paguajnë qiranë për hapësirën, që është një risi absolute për këto specie.

Oktoberfesti më i madh në botë në vitin 2020 në Qingdao

Kush do të mendonte se, për shkak të coronavirusit, Oktoberfesti më i madh në botë këtë vit nuk do të mbahet në vendin e origjinës së Oktoberfest, por në vendin e origjinës së virusit corona? Ju mund të thoni se është ironi e një pandemie.

Deri më tani, Festa e Birrës në qytetin lindor kinez të Qingtaos është cilësuar si Oktoberfesti i dytë më i madh në botë.

Meqenëse jo vetëm origjinali në Mynih u anulua këtë vit për shkak të coronavirusit, por edhe shumë të tjerëve në mbarë botën që organizohen pas Oktoberfestit të Mynihut, festivali në Qingtao me siguri do të fitojë titullin e Oktoberfestit më të madh në botë për herë të parë këtë vit.

Festivali më i madh i birrës në Kinë, të cilin organizatorët dëshirojnë ta quajnë “Oktoberfesti Kinez”, tashmë ka filluar dhe do të zgjasë deri më 23 gusht. Priten të marrin pjesë disa qindra mijëra njerëz.

Vizitorët duhet të regjistrohen, të vënë maska dhe temperatura e trupit matet në hyrje. Kjo nuk duket të ketë një ndikim negativ në numrin e vizitorëve. Sipas mediave shtetërore kineze, më shumë vizitorë erdhën në hapje sesa vitin e kaluar. Klan Kosova / KultPlus.com

Hitchcock: Për mua, arti vjen më përpara se demokracia

Alfred Hitchcock njihet si një prej përfaqësuesve absolut të artit. Ja disa prej frazave të tij më të njohura:

Ka diçka më të rëndësishme se logjika, imagjinata.

Drama është jeta së cilës i janë hequr pjesët e mërzitshme.

Edhe nëse do të xhiroja një film mbi Hirushen, publiku do të kërkonte ndonjë kufomë në karrocë.

Për mua, arti vjen më përpara se demokracia.

Dialogu duhet të jetë thjesht një tingull mes të tjerëve, vetëm diçka që del nga goja e njerëzve, sytë e të cilëve, si pjesë shprehëse vizive, tregojnë historinë.

Kam një kurë perfekte për grykën e skuqur; ta pres.

Nuk ka terror tek e shtëna, por vetëm te pritja e saj. /KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” me bashkëpunim artistik në Vjenë

Shkolla e muzikës Prenk Jakova në Gjakovë ka arritur bashkëpunim artistik me instrumentalistë të njohur në Vjenë, shkruan KultPlus

“Formacioni i harqeve nga shkolla e muzikës(mësimdhënës, nxënës dhe ish nxënës), do të paraqiten në Vjenë në sallën e njohur Vjeneze “MuTh”(shtëpia muzikore e korit të njohur “The Vienna Boys Choir’s”, Concert Hall”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.

Këtu keni njoftimin e plotë:

Europe United, Johannes Fleischmann&Friend in MuTh

Me datë 17.05.2021, formacioni i harqeve nga shkolla e muzikës(mësimdhënës, nxënës dhe ish nxënës), do të paraqiten në Vjenë në sallën e njohur Vjeneze “MuTh”(shtëpia muzikore e korit të njohur “The Vienna Boys Choir’s”, Concert Hall”), ku bashkë me instrumentistë të njohur Vjenez, do të interpretojmë këtë program:
Edvard Grieg: “From Holberg’s Time”, suitë për orkestër harqesh Op. 40.
Wolfgang Amadeus Mozart: Sinfonia Koncertante për violinë dhe violë in E dur, KV 364.
Felix Mendelssohn: Oktet për katër violina, dy viola dhe dy çello, Op. 20.
Para udhëtimit në Vjenë(instrumentistët tanë dhe ata Vjenez), bashkarisht do të mbajmë tri koncerte në Kosovë me programin e njejti të cilin do të paraqitemi në Vjenë.
P.S.po në të njejtën sallë është paraqitur edhe Filharmonia e Vjenës nën dirigjimin e Franz Leopold Maria Möst dhe Kori i njohur i fëmijëve të Vjenës”, The Vienna Boys Choir’s”. / KultPlus.com

10 filmat që thyen tabutë në kinematografi

Rrjeti prestigjioz BBC ka listuar dhjetë filmat që thyen tabutë në kinematografi.

Një ndër ta është edhe filmi me personazhin e parë gei. Homoseksualiteti ishte një fenomen jo i përdorur në filmat europianë dhe hollivudianë që nga vitet 20’,30’,40’ por sugjerohej që ato të jepeshin të koduar. Filmat eksperimentalë nuk kishin ndërmend të ekspozoheshin, por megjithatë, 20-vjeçari Kenneth Anger, një nga producentët më të mirë amerikanë, u dënua për prodhimin e filmit Fireworks në vitin 1947, një film për jetën e një të riu homoseksual. Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Në fund ata e liruan Kenneth Anger, duke i thënë se filmi ishte art dhe jo pornografi. Ndërsa skena e parë e seksit në një film i përket vitit të largët 1933. Një aktore austriake 18-vjeçare, Hedy Lamarr, e theu këtë tabu në filmin çek “Ecstasy” në vitin 1933. Dy skena në veçanti shkaktuan polemika. Në rastin e parë, kur Lamarr noton nudo në liqen. Dhe rasti i dytë, ajo kryen marrëdhënie seksuale me një mashkull, që besohet të jetë hera e parë e raportit seksual në një film jo-pornografik. Kamera merr plane detaj të fytyrës së saj gjatë skenës kur ajo është e pushtuar nga pasioni. Skena e parë seksuale shfaq për herë të parë orgazmën femërore në ekran.

1. Fjala e parë fyese

Shumë vetë besojnë gabimisht se thënia e fundit e Rhett Butler në ‘Gone with the Wind’ – I dashur Frankly, mua nuk më plas fare – është fjala e parë fyese e përdorur në një film të Hollivudit. Por ajo nuk është hera e parë sepse 14 vjet përpara këtij filmi, në vitin 1925, Mbreti Vidor në filmin e tij me luftë “Parada e Madhe” shfryhet kundra armiqve duke thënë – Mallkuar qofshin shpirtrat e tyre.

2. Skena e parë e seksit

Një aktore austriake 18-vjeçare, Hedy Lamarr, e theu këtë tabu në filmin çek “Ecstasy” në vitin 1933. Dy skena në veçanti shkaktuan polemika. Në rastin e parë, kur Lamarr noton nudo në liqen. Dhe rasti i dytë, ajo kryen marrëdhënie seksuale me një mashkull, që besohet të jetë hera e parë e raportit seksual në një film jo-pornografik. Kamera merr plane detaj të fytyrës së saj gjatë skenës kur ajo është e pushtuar nga pasioni. Skena e parë seksuale shfaq për herë të parë orgazmën femërore në ekran.

3. Personazhi i parë gej

Homoseksualiteti ishte një fenomen jo i përdorur në filmat europianë dhe hollivudianë që nga vitet 20’,30’,40’ por sugjerohej që ato të jepeshin të koduar. Filmat eksperimentalë nuk kishin ndërmend të ekspozoheshin, por megjithatë, 20-vjeçari Kenneth Anger, një nga producentët më të mirë amerikanë, u dënua për prodhimin e filmit Fireworks në vitin 1947, një film për jetën e një të riu homoseksual. Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Në fund ata e liruan Kenneth Anger, duke i thënë se filmi ishte art dhe jo pornografi.

4. Puthja e parë ndër-rracore

Kodi i Hollivudit në vitin 1934 ndalonte marrëdhëniet ndër-rracore. Por shumë filma filluan ta sfidonin Kodin gjatë viteve ‘50. Filmi “Killer’s Kiss” i Stanley Kubrick shfaqi puthjen e parë midis një femre të bardhë (Irene Kane) dhe mashkullit me ngjyrë (xhamajkanit Frank Silvera). Silvera kishte lëkurë të zbehtë, dhe nuk po luante rolin e një personazhi me ngjyrë në film, prandaj dyshohet nëse audienca ka qenë në dijeni të prejardhjes së tij afrikane. Më pas në 1957, erdhi filmi ‘Island in the sun’. Ai shfaqte romancën mes një vajze të Karaibeve (Dorothy Dandridge) dhe zyrtarit britanik (John Justin). Pas këtij vjen filmi “The Crimson Kimono” filmi i parë hollivudian që shfaq një puthje të vërtetë ndër-rracore.

5. Shpëlarja e parë e VC-së

Filmi ‘Psycho’ i Alfred Hitchcock nuk kishte asnjë shfaqje nudo gjatë skenës së dushit – por një tjetër dukuri në banjon e Motelit Bates tërhoqi vëmendje të madhe: zhurma e shpëlarjes së vc-së në një film Hollivudi. VC-ja është shfaqur edhe në filma të tjerë më parë, si në filmin e vitit 1928 ‘The Crowd’, por jo me zhurmën e shpëlarjes. Audiencës iu desh të priste 10 vjet pas filmit Psycho që ta shihte këtë skenë.

6. Femra e parë nudo

Filmi “Inspiration” (1915), rreth një artisti që kërkonte modelen perfekte që të ishte muza e tij, mund të ketë qenë shfaqja e pare e një femre nudo në ekran në një film jo-pornografik. Deri në vitet 30’ kjo gjë nuk lejohej, pasi censuroheshin. Filmi ‘Peeping Tom’ i Michael Powell e theu këtë tabu kur, personazhi i Pamela Green shkurtimisht ekspozoi gjoksin e saj. Karriera e Powell u mbyll pak kohë pas polemikave që u krijuan rreth filmit Peeping Tom. Pas ndryshimit të Kodit për moslejimin e personazheve topless, prodhimi i parë që u shfaq ishte “The Pawnbroker” i Sidney Lumet.

7. Vrasja e parë për vdekje

Kodi i Hollivudit në vitin 1934 thoshte se një vdekje nga të shtënat duhet të filmohet në dy pjesë: e shtëna e qitësit, dhe më pas viktima që bie. Filmi i Sergio Leones “A fistful of dollars” theu këtë rregull në skenat e mëparshme. Kamera është e pozicionuar pas personazhit të Cleant Eastwood, kur ai i qëllon një grupi kundërshtarësh të cilët rrëzohen njëri pas tjetrit. Ky ishte efekti i qitësit, i cili rrit identifikimin e dhunës tek audienca.

8. Plaga e parë me gjak

Shumë pak vdekje të shkaktuara nga të shtënat shoqëroheshin me plagë tek viktima. Kjo skenë u realizua nga regjisorët në filmat bardh-e-zi, veçanërisht nga Alfred Hitchcock, në skenat e tmerrshme të vdekjes në filmin ‘Foreign Correspondent’ (1940). Këto skena ishin më të rralla në filmat me ngjyra. ‘Bonnie and Clyde’ (1967) ndryshoi gjithçka kur tregoi viktimën e qëlluar në fytyrë nga dyshja vrasëse. Filmi përfundon me Bonnie-n dhe Clyde-n të mbytur nga plumbat, dhe me rrobat e tyre plot gjak.

9. Mashkulli i parë nudo

Producentët e filmave kanë qenë ngurrues për shfaqjen e lakuriqësisë së meshkujve se sa të femrave. Biles edhe kur regjisorët përfshinë plane të meshkujve pa rroba në vitet 60’ – si në filmin ‘This Sporting Life’ të Lindsay Anderson dhe ‘Seconds’ të John Frankenheimer. Shumë prej këtyre filmave janë censuruar përpara lançimit të tyre. Filmi ‘Women in Love’ i Ken Russell mund të jetë filmi i parë që paraqiti meshkuj nudo, një ndeshje mundjeje ku Oliver Reed dhe Alan Bates ishin nudo.

10. Vdekja e parë reale

Imazhe të vdekjeve aktuale kanë qarkulluar nëpër kronikat e lajmeve përgjatë viteve por një nga dokumentarët kryesorë që tregoi një vrasje ishte dokumentari i vitit 1970 nga Gimme Shelter, një tregim i koncertit të Rolling Stones në Kaliforni. Kulmi i filmit ishte vdekja e Meredith Hunter, afrikano-amerikanit që u përpoq të sulmonte skenën me një pistoletë në dorë. Alan Passarom një anëtar i Hells Angels, me përgjegjësinë e sigurisë, e goditi disa herë me thikë Meredith Hunter në kurriz. Video u përdor në gjyq, dhe e liroi truprojën për shkak të vetë-mbrojtjes. ‘The passenger’ i Michelangelo Antoninit konsideroi si filmi i parë që shfaqi pamjet e një vdekjeje: një burrë i dënuar që ekzekutohet nga skuadra e pushkatimit. / KultPlus.com

37 vjet nga vdekja e Musine Kokalarit, shkrimtares dhe veprimtares së shquar

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia”!

1. Jetëshkrimi
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri, në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më pas, Kokalarët vendosen në Tiranë.

Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”. “Muza” është pseudonimi letrar i përdorur nga Musine Kokalari në shtypin e këtyre viteve. Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.
Në vitin 1939, botoi librin e parë “Siç më thotë nëna plakë”, një rrëfim mbi jetën, doket e zakonet e qytetit të Gjirokastrës. Më 1942 punoi te shkolla “Nëna Mbretëreshë’.
Edhe pse e diplomuar në Itali, ajo nuk u pajtua me pushtimin italian të Shqipërisë. Në vitin 1943, themeloi Partinë Socialdemokrate. Aktiviteti i saj politik dëshmon se në krahun e rezistencës kundër pushtimit të vendit dhe të regjimit fashist, nuk e ishin vetëm komunistët por dhe forca të tjera të majta brenda vendit.

Një vit më vonë, nën drejtimin e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë “Rreth vatrës”. Më 12 nëntor 1944 vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari, u pushkatuan pa gjyq bashkë me 60 intelektualë e njerëz të shquar. Gogo Nushi në Pleniumin e Beratit do ta pranonte se ishin pushkatuar pa pasur asnjë faj. Më 16 nëntor 1944 Musinenë e arrestuan, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, Musine Kokalari u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e internuan në Rrëshen, punoi në ndërtim, doli në pension me gjysmë page.
Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri. Dy vjet më pas, më 13 gusht 1983, ndahet përgjithmonë nga jeta.

2. Kredo intelektuale

Si intelektuale antikomuniste e paepur mbetet ikona e opozitës shqiptare në kohën e diktaturës. Në gjyq me guxim qytetar e njerëzor të pazakontë ajo e ka formuluar kështu kredon e saj:
“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!” /KultPlus.com