Stuhia tropikale Eta nxjerr në sipërfaqe mbetjet e anijes së viteve 1800

Në fillim të këtij muaji, gati e gjithë Amerika Qendrore dhe Florida u goditën nga stuhia tropikale Eta, që shkaktoi dëme të shumta materiale dhe të lënduar, si pasojë e përmbytjeve, erërave të forta dhe erozionit.

Rrëshqitjet e dheut kanë bërë që në bregun e plazhit Shën Agustin, në Floridën Veriore, të zbuloheshin mbetjet e një anije të vjetër.

Zbulimi u bë rastësisht, teksa nëpër dunat e rërës u vunë re disa lëndë drusore, të cilat i përkisnin një anije të vjetër, që sipas ekspertëve daton që nga vitet 1800. Një ekip studiuesish nga Programi Arkeologjik Detar, të cilët edhe më parë kanë identifikuar disa anije të mbytura në këtë zonë, nisën inspektimin dhe dokumentimin e kësaj gjetjeje.

Anëtarët e ekipit besojnë se lëndët drusore kanë të ngjarë t’i përkasin një anijeje tregtare amerikane, ndonëse kjo nuk është konfirmuar ende.

“Gjithçka që kemi parë deri më tani i përshtatet kësaj hipoteze; dërrasa druri, lëndë druri, elemente hekuri. Këto duken mjaft të ngjashme me anijet e tjera të viteve 1800 që kemi zbuluar”, u shprehën ekspertët e kërkimit. \ A2news/ KultPlus.com

Dashunia âsht shoqni e rrallë

Poezi nga Fernando Pessoa

Përktheu Halil Matoshi

Shoqni e rrallë asht dashunia

Me ecë udhëve i vetëm nuk di ma,

Se vetëm nuk mundem.

Një mendim i dukshëm më nxit me shpejtue hapin

Shoh gjithnji e ma pak dhe njikohesisht zjarmishëm lakmoj me pa  çdo gja.

Madje edhe mungesa e saj asht me mue,

Dhe e puth aq sa nuk di si me e dishirue…

Nuk e shoh mbase, e përfytryroj, dhe i fortë jam përballë lisave të gjatë

N’tuebamësi, dridhem dhe nuk e di  çka ndodh në njat heshtje në mungesën e saj.

Me tanë qenien time ndjej diqysh fuqinë që po më lë

E tanë vërtetësia vështon  si luledielli me fytyrën e saj midisdisi…/ KultPlus.com

Sqepori në rrezik për zhdukje, shkaktar është degradimi i habitateve

Shkencëtarët australianë kanë hasur në sqeporin apo shtazën e quajtur “platypus”, pas disa kërkimesh të thella në habitatet gjysmë-ujore.

Sqepori ishte zhdukur tash e disa kohë ndërsa këtë e ka shkaktuar thatësira e rëndë, ndryshimet klimatike dhe ndërtimi i digave ujore.

Studiuesit e Uellsit Jugor kanë thënë se kjo specie është në rrezik të zhdukjes nga disa prej lumenjve australianë nëse vazhdohet degradimi i lumenjve dhe habitateve ku sqeporët qëndrojnë.

Kjo kafshë ,që pjesën më të madhe të jetës e kalon në ujë, nuk mund të jetojë në ambiente të thata dhe nëse degradimi do të vazhdojë, zhdukja e tij është evidente. Si zgjidhje po shohin krijimin e lumenjve artificialë./ KultPlus.com

https://www.reuters.com/video/watch/idOVD5SMTT7

Përgatiten dokumentet për aplikim për UNESCO për kërcimin e Tropojës, ritualin e shtegtimit, xhubletën dhe Eposit të Kreshnikëve

Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim AADF nënshkruan sot në Razmë, Shkodër, memorandumin e mirëkuptimit për përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jo-materiale shqiptare në “Listën Përfaqësuese të Dukurive Jo-Materiale të Njerëzimit” të  UNESCO-s.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “kemi rrugë të vështirë përpara, por të bindur t’ia dalim me sukses, lidhur ngushtë me komunitetin lokal”.“Rrethuar nga natyra e mrekullueshme, në Razëm, nënshkruam sot Memorandumin e mirëkuptimit për përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jomateriale shqiptare në “Listën Përfaqësuese të Dukurive Jo-Materiale të Njerëzimit” të UNESCO-s. Bëhet fjalë për katër pasuri të jashtëzakonshmë shqiptare, me të cilat ne krenohemi e fëmijët tanë nuk do të na e falnin nëse nuk do t’ua trashëgonim. E jo vetëm kaq, por ta ndanim edhe me botën”, – tha Margariti.

Ministrja Margariti bëri të ditur se këto pasuri janë “K’cimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, pasuri e folklorit koreografik, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare, rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”, ritual shumë i vjetër, që zhvillohet nga Veriu në Jug të Shqipërisë, “Xhubleta”, kjo veshje e rrallë, e mrekullueshme, si teknologji dhe ribërje artizanale unikale dhe të formave të përdorimit të saj dhe “Eposi i Kreshnikëve”, i kënduar dhe shoqëruar në lahutë, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore jo materiale shqiptare”./ atsh/ KultPlus.com

Nesër nënshkruhet memorandumi për Atashetë Kulturorë të Kosovës

Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj gjatë ditës së nesërme do të nënshkruajnë Memorandum të Bashkëpunimit për Atashetë Kulturorë, shkruan KultPlus.

Nënshkrimi i këtij memorandumi do të bëhet në objektin e ministrisë të punëve të jashtme dhe diasporës në orën 11./ KultPlus.com

Për nder të 28 Nëntorit nesër hapet ekspozita “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë”

Për nder të 28 Nëntorit, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë hapin nesër (e martë), ekspozitën “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë”, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë” mbahet në lapidariumin e Muzeut të Kosovës në Prishtinë me fillim në ora 13:00.

Ekspozita do të jetë e hapur prej nesër e deri me 28 Nëntorë./KultPlus.com

Nesër lansohet fushata për mbjelljen e 1.8 milion drunjve “T’i japim vendit ngjyra”

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën jo qeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën”, do të lansojnë nesër (e martë) fushatën më të madhe kombëtare “T’i japim vendit ngjyra”.

Fushata parasheh që brenda 10 viteve në të gjithë Kosovën të mbillen 1.8 milion drunj.

Fushata lansohet tek Këndi Olimpik, që ndodhet në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me fillim në ora 10:30.

Në lansimin e fushatës, krahas drejtuesve të lartë të KOK-ut dhe ‘Ta pastrojmë Kosovën’ do të marrin pjesë edhe figura të larta të sportit, politikës dhe artit.

E pranishme do të jetë edhe kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, medalistja e bronztë e Evropës, po ashtu në xhudo, Distria Krasniqi, trajneri kampion Olimpik Driton Kuka, pastaj ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Deva Bakija, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Imri Ahmeti, Ulrika Richardson, koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe përfaqësuese e UNDP-së, etj.

Mbjellja e 18 drunjve në lansimin e fushatës do të jetë vetëm simbolikë për mbjelljen e 1.8 milion drunjve brenda 10 viteve./ indeksonline/ KultPlus.com

Nën tingujt e këngës “Të desha me hakikat” i jepet lamtumira e fundit Ismet Pejës

Gjakova, Kosova dhe mbarë shqiptaria, i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit, doajenit të këngës popullore e qytetare, njërit prej ikonave të fundit të gjeneratës së artë të muzikës gjakovare, këngëtarit Ismet Peja.

Në ceremoninë e varrimit organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini, në mesin e shumë qytetarëve, morën pjesë edhe përfqaësues të institucioneve qendrore e lokale dhe personalitete të shumta nga jeta kulturore e aristike.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, mes tjerash ka thënë se humbja e këngëtarit Ismet Peja është humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, adhuruesit por edhe tërë vendin tonë, megjithatë, me kontributin e tij, Ismet Peja ka bërë që humbja e tij të jetë vetëm fizike, pasi ai do të jetojë gjatë për breza të tërë tek populli ynë.

Nga ana tjetër, ministrja e ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, duke folur në emër të qeverisë së republikës së Kosovës, ka thënë se Ismet Peja do të kujtohet dhe do të vlerësohet gjithmonë, falë veprës së lënë përmes këngëve të tij, të dashura e të dëgjuara nga tërë adhuruesit e muzikës.

Në emër të komunitetit artistik, një fjalë rasti e ka mbajtur këngëtari Shkëlzen Jetishi, i cili ka rikujtuar se i ndjeri Ismet Peja, me profesionalizmin dhe dashurinë për këngën, ka qenë shembull që është ndjekur nga të gjithë brezat e këngëtarëve që kanë ardhur pas tij, ndërsa në emër të familjes Peja, në këtë ceremoni mortore ka folur, kushëriri dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërm të këngëtarit të ndjerë, Masar Peja i cili ka rikujtuar kontributin dhe trashëgiminë artistike që Ismet Peja e ka lënë pas vetes.

Varrimi i këngëtarit Ismet Peja, është përciellë në sfond nga kënga “Të desha me hakikat”, njëra prej këngëve të para që këngëtari pari regjistruar në fillet e karrierës së tij më shumë se 60 vjeçare./ KultPlus.com

Dhjata e Re e përkthyer në shqip nga Konstandin Kristoforidhi, domethënie të madhe historike për shqiptarët

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës që zhvilloi dje në Dibër të Madhe ishte edhe në bibliotekën e jashtëzakonshme të Manastirit të Shën Gjon Pagëzorit në Mbigur.

Meta u shpreh i lumtur që në këtë bibliotekë pa për herë të parë në origjinal, Dhiatën e Re, të përkthyer në shqip me gërma latine, në vitin 1872, nga Konstandin Kristoforidhi, një nga figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare.

“Ky libër, pavarësisht përmbajtjes fetare, ka një domethënie të madhe historike për ne shqiptarët, sepse është një pararendës i gjuhës letrare shqipe, që do të shkruhej me Alfabetin e njehsuar, të miratuar dekada më vonë në Kongresin e Manastirit”, tha Meta.

Meta falënderoi përzemërsisht vëllazërinë e murgjëve të këtij manastiri, që kujdeset për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore në rajon, pavarësisht përkatësisë kombëtare.

“Mirënjohje për At Dositej, i cili më shoqëroi në këtë vizitë dhe në veçanti për faktin se e fliste shumë mirë gjuhën shqipe”, theksoi Meta./atsh/ KultPlus.com

“Tana art” realizon lexim skenik të dramave shqipe nën regjinë e Iliriana Arifit

Organizata për kulturë dhe teatër “Tana art” realizon leximin skenik të dramave të shkruara nga dramaturgët që janë ndër më të rëndësishmit të letërsisë shqipe në Kosovë. Leximi skenik do të bëhet nën regjinë e regjisores së teatrit, Iliriana Arifi.

Bashkëpunëtorët profesionalë të “Tana art”, në koordinim me regjisoren Iliriana Arifi, për lexim skenik i kanë përzgjedhur këto drama: “Molla e Adamit”- Fadil Hysaj, “Përralla klaustrofobike”- Haqif Mulliqi, “Vorbulla”- Besim Rexhaj, “Poetika e turpit”- Jeton Neziraj, “Ifgjenia kukull”- Arian Krasniqi, “N’dry”- Arta Arifi dhe “Shkumësi”- Naser Shatrolli.

Gjatë këtij eventi do të lexohen dramat e shkruara nga emra dramaturgësh, që janë ndër më të rëndësishmit në letërsinë e sotme shqipe që shkruhet dhe botohet në Kosovë.

Ndërkaq, leximi artistik dhe skenik do të bëhet nga aktorët mjeshtërorë të skenës sonë teatrore, siç janë: Melihate Qena, Aurita Agushi, Afrim Muçaj dhe Artan Gecaj.

Eventi do të mbahet të enjten (26/11/2020), ora 16:00, në KultPlus Caffe Gallery që ndodhet në lagjen Ulpiana të Prishtinës (Rr. “Isa Boletini”, Soliteri 3/2-1, te fontana në Ulpianë)

Organizata për kulturë dhe teatër “Tana art” dhe regjisorja Iliriana Arifi ju urojnë mirëseardhje në këtë aktivitet kulturor! / KultPlus.com

A ndikon karantina e shkaktuar nga koronavirusi tek shëndeti mendor i fëmijëve?

Pandemia e COVID-19 po vazhdon ende anembanë botës, duke shënuar viktima në numër të lartë. Dhe rritja e rasteve të shënuara me koronavirus në shtete të ndryshme, ka bërë që njerëzit të karantinohen sërish në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit.

Efektet që kjo situatë i ka në shëndetin mendor, janë vetëm një prej mënyrave të shumta që koronavirusi ka ndikuar tek njerëzit, transmeton Koha.

Vala e parë e vetizolimit në pranverë të këtij viti, shkaktoi probleme të mëdha në shëndetin mendor të njerëzve, duke bërë që të rriturit të kenë më shumë mendime vetëvrasëse. Grup moshat prej 18-24 vjeç konsiderohen më të prekurat prej këtij fenomeni.

Ekspertët mjekësorë kanë bërë të ditur se izolimi shoqëror, papunësia, brengat financiare dhe mungesa e shkollave, konsiderohen ndër faktorët kryesor për shkaktimin e stresit në këtë kohë të pandemisë.

Përveç adoleshentëve dhe tinejxherëve, pandemia ka ndikuar edhe në shëndetin mendor të fëmijëve të vegjël. Sipas hulumtimeve të fundit në Amerikë është zbuluar se vizitat në departamentin e urgjencës në lidhje me shëndetin mendor të fëmijëve 18-vjeçare dhe më të rinj, janë rritur dukshëm këtë vit.

Krahasuar me vitin 2019, përqindja e vizitave në lidhje me shëndetin mendor për fëmijët e moshës 5-11 dhe 12-17 vjeç, është rritur afërsisht për 24-31 për qind.

Mjekët deklarojnë se gjatë kësaj kohe ne duhet t’i njohim dhe t’i adresohemi ndikimit që karantina dhe mbyllja e shkollave e ka në shëndetin mendor të fëmijëve.

Shumë prindër po raportojnë probleme në sjellje të fëmijëve të tyre, të cilat nuk i kanë shfaqur në herët. Kjo mund të jetë si rezultat i vetmisë, ankthit dhe zemërimit, të cilat po i përjetojnë shumë fëmijë.

Po ashtu është vënë re se prej fillimit të pandemisë, tek shumë fëmijë janë shfaqur probleme me gjumin.

Të vegjlit shpesh e kanë më të vështirë se të rritur që t’i shprehin emocionet e tyre, dhe kjo po i shkakton këto manifestime fizike dhe psikike, të cilët lidhen me mirëqenien mendore të fëmijëve.

Fëmijët me probleme ekzistuese mendore janë më të rrezikuar për t’u prekur nga sëmundje serioze psikike.

Prandaj, mjekët si mënyrat kryesore për t’i ndihmuar fëmijët të përballen gjatë këtyre kohërave të pasigurta, i rekomandojnë garantimin e sigurisë fizike dhe emocionale, ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të shëndosha, si dhe mbështetjen dhe rregullimin e aftësive mësimore. / KultPlus.com

| Fatkeqësisht, fjalët ‘magjup’ dhe ‘gabel’ janë ende pjesë e shoqërisë kosovare |

Emrah A Cermjani asnjëherë nuk është pajtuar me mentalitetin që lëndon të tjerët. Si drejtor ekzekutiv i ‘Roma in Action’, Cermjani angazhohet edhe sot në përmirësimin e jetës së komuniteteve në Gjakovë, dhe më pas në mbarë Kosovën. Ky është tregimi i tij.

Kjo video është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.

Besian Mustafa: Mos-dënimi i vrasësve mbetet dështimi themeltar i sistemit të drejtësisë në Kosovë

Teksa janë bërë 20 vite nga vrasja e gazetarit Xhemail Mustafa në hyrje të apartamentit të tij, djali i tij Besiani ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook, duke e quajtur të dështuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, shkruan KultPlus.

Besian Mustafa, i cili tanimë është edhe Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar për mos vënien e drejtësisë për vrasjet e atdhetarëve pas luftës, duke shpërndarë një fotografi të babait të tij, Xhemail Mustafës bashkë më Ibrahim Rugovën.

KultPlus ua sjell reagimin e plotë:

Mos-zbardhja e vrasjeve të atdhetarëve pasluftës dhe mos-dënimi i vrasësve dhe, mbi të gjitha, urdhërdhënësve mbetet dështimi themeltar i sistemit të drejtësisë në Kosovë, që nga UNMIK-u e deri sot. Pa zbardhjen e këtyre vrasjeve dhe atentateve të panumërta, nuk mund të ketë drejtësi në këtë vend, e pa drejtësi, as liri të plotë. / KultPlus.com

U nënshkrua memorandumi cili do të dokumentoj historinë e krimeve serbe në Krushë të Madhe

Medina Pasoma

21 vite pas luftës së fundit në Kosovës, u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bibliotekës Kombëtare për projektin i cili do të dokumentoj historinë e krimeve serbe në fshatin Krushë e Madhe, “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport Vlora Dumoshi, kryetari i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku, kryetari i Komunës së Rahovecit dhe ai i fshatit Krushë e Madhe, rektori i Universitetit të Prishtinës dhe profesorë të tjerë kishin zënë vendet e tyre në ambientet e Bibliotekës Kombëtare për të dëgjuar për projektin i cili do të mbledh dhe dokumentoj rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, në 300 intervista që priten të realizohen nga Biblioteka Kombëtare dhe Universiteti i Prishtinës, gjegjësisht dega e Antropologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik.

I pari që morri fjalën ishte kryetari i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, për të folur për projektin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, nismëtare e iniciativës të së cilës ishte Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës.

Gajraku tha se projekti i mbledhjes dhe ruajtjes së rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe është një pjesë thelbësore e ndjeshme dhe e ngutshme e punës së tyre.

“Rrëfimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të Krushës së Madhe do të japin pamjen më të drejtpërdrejtë dhe më të pandërmjet të dëshmitarëve që me sy panë mizoritë e forcave serbe ndaj banorëve të urtë e paqësor të Krushës së Madhe”, u shpreh Fazli Gajraku.

Ndër të tjera, kryetari i Bibliotekës Kombëtare bëri të ditur për ata të cilët do të merren me këtë projekt, ku përmendi se Gresa Maliqi do të jetë drejtuese, Rudina Tahiraj, Liridon Zekaj bashkëpunëtorë, këshillues profesional dhe mentor Arsim Canolli dhe si asistentë të këtij projekti do të jenë Shemsi Krasniqi dhe Tahir Latifi.

Në fjalimin e tij kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh se ky projekt është një përpjekje e madhe që i ka munguar dokumentimit dhe kujtimit të luftës së Kosovës.

“Ky projekt për mbledhjen e rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe i jep frymë të veçantë një qendre të kujtesës të Kosovës këtu në Bibliotekën Kombëtare, e cila tash e disa vite mbledh, i dokumenton dhe promovon historitë e Kosovës, në veçanti rrëfimet e ngjarjeve dhe periudha më të veçanta, më të trishta por edhe më të mëdha të historisë së popullit të Kosovës”, theksoj kryeministri i vendit.

Në anën tjetër, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e cilësoj masakrën e Krushës së Madhe si një ndër më mizoret e historisë së Kosovës dhe e quajti si një të arrirë këtë iniciativë për dokumentimin historik.

“Përveç dhënies zë të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të Krushës së Madhe, do t’u jepet jetë dhe përjetësi historive të të vdekurve dhe të të zhdukurve të Krushës së Madhe. Gjithë çfarë la pas kjo masakër është pasqyrë e një historie të trishtë, e një dhimbje dhe pritjeje të pafundme”, u shpreh ministrja.

Dumoshi falënderoi çdo krushian që do të pranoj të ndaj rrëfimin e dhimbshëm të tyre për masakrën, teksa bëri thirrje që iniciativa të tilla të merren edhe nga Muzeu Kombëtar, Arkivi Kombëtar, bibliotekat, muzetë dhe arkivat e tjera komunale.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Ismajl Latifi theksoj se dëshmitë gojore për masakrat e Kosovës kanë rëndësi të madhe kur vien nga ata që i kanë parë, përjetuar dhe mbijetuar mizoritë e luftës.

“Krimi serb në Krushë të madhe është i egër, aty njerëzit tanë u vranë, u dogjën, u hodhën në Drinin e Bardhë, e një numër i tyre u zhdukën diku në Serbi. Nga 241 sa i vrau Serbia, 64 ende janë pa varre e pa shenja, ende nuk dihet se ku janë, në mesin e tyre është edhe profesori Ukshin Hoti”, theksoi kryetari Latifi.

Ai u shpreh optimist për këtë projekt dhe e vlerësoi si një nismë të mirë për të dokumentar vuajtjet, tmerret dhe tragjeditë, varret me emër e pa emër, hirin e trupave të djegur, shtëpitë e djegura nga okupatori serb.

“Të mbijetuarit e masakrave nuk janë të shumtë. Ata pak që i mbijetuan, dita ditës po mbesin edhe më pak, ka prej atyre që vdiqën pa ua dëgjuar rrëfimin, nuk i pyeti askush dhe nuk i thirri ndonjë institucion që ka për qëllim të ndaj drejtësi për viktimat”, tha Ismajl Latifi.

Shemsi Krasniqi morri fjalën për të shpalosur procedurat nën të cilat do të kaloj ky projekt, teksa njoftoi se një punë intensive dy vjeçare do të kurorëzoj dokumentimin e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe.

Ai theksoi se fillimisht do të bëhet rekrutimi i një stafi profesionist, të cilët do të trajnohen për të intervistuar këtë kategori dhe se kjo procedurë do të filloj tash dhe do të përfundoj deri më 15 janar 2021. Periudha mars-korrik 2021 do të jetë koha kur do të merren rrëfimet e drejtpërdrejta të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të përzgjedhur për ta ndarë historinë e dhimbshme të tyre. 250 deri në 300 intervistat e parapara si audio-vizuale, do të përkthehen në gjuhën angleze dhe serbe, si dhe do të organizohen promovime dhe shpërndarje digjitale të tyre.

I fundit i cili foli për këtë projekt ishte kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti i cili theksoi se dokumentimi i kësaj masakre ishte kërkesë e tij e kamotshme.

“Fatkeqësisht Krusha e Madhe nuk është masakra e vetme ku u vranë fëmijë, mbetën mbi 148 gra të veja, mbi 550 fëmijë ngelën jetimë por, fatkeqësisht plaga e cila kullon në Krushë janë të pagjeturit”, theksoj Selami Hoti

Nga të gjitha përpjekjet e tij për vëmendje ndaj kësaj masakre, ai veçoi takimin me ish-ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kossnet, i cili ishte përlotur kur kishte dëgjuar rrëfimet e të mbijetuarve.

“Një nga pyetjet e z. Kosnett ishte se “pse kërkon ta bësh këtë?” dhe “pse kërkon ta bësh edhe në gjuhën serbe?”. Arsyeja e vetme është se në Kosovë nuk janë vrarë vetëm shqiptarë por, janë vrarë edhe komunitete tjera. Në Krushë të madhe i kemi edhe 14 ashkali të cilët vazhdojnë të mbesin të zhdukur e ata asnjëherë nuk u ndanë nga ne. Në gjuhën serbe për faktin se edhe serbët duhet ta dinë historinë, gjeneratat e reja, shkencëtarët dhe historianët ta bëjnë të vërtetën të dijshme, të kapshme dhe të pranueshme”, u shpreh kryetari i Krushës së Madhe.

Në fund u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” nga ministrja Dumoshi dhe kryetari i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku nën praninë edhe të kryeministrit të vendit, Avdullah Hotit. / KultPlus.com

Paris Hilton shkëlqen në fustanin e disenjatorit shqiptar në American Music Awards

Paris Hilton u duk mahnitëse në një fustan të argjendtë si me efekte të pasqyrës, fustan ky i dizajnuar nga Valdrin Sahiti.

Fustanin e disenjatorit kosovar, Hilton e kombinoi me bizhuteri diamanti nga Lara Heems dhe një palë taka të argjendta, që shkonin fiks me gjithë veshjen, gjatë paraqitjes së saj në American Music Awards 2020.

Ajo u ngjit në skenë për të prezantuar çmimin e mbrëmjes, “Artisti më i mirë i ri i 2020-ës”.

Sahiti ka depërtuar përtej Kosovës me krijimet e tij, që u modeluan nga yje botërore, në evente më të rëndësishme të botës së argëtimit. /Insajderi.com/ KultPlus.com

Kryeministri Hoti e ministrja Dumoshi bënë homazhe për Ismet Pejën

Në nderim të figurës së këngëtarit të njohur Ismet Peja, Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kanë bërë homazhe, për artistin e këngës, përpara objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku është vendosur fotografia e këngëtarit të ndjerë.

Kryeministri Hoti dhe ministrja Dumoshi janë nënshkruar në librin e kujtimeve duke e vlerësuar lart jetën dhe veprën e Ismet Pejës, i cili u nda sot nga jeta në moshë 83 vjeç.

Kryeministri Hoti tha se bashkë me ministren Dumoshi bënë nderime për ikonën e muzikës popullore gjithëshqiptare, Ismet Peja. “Ismet Peja do të mbahet mend për këngët e tij të cilat nuk ka shqiptar që nuk i di, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare. Ai ka hyrë në historinë artistike të Kosovës, sepse ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij”.

Kryeministri tha se sot është një ditë e dhimbshme për familjen e tij dhe tërë komunitetin artistik shqiptar. “Ne do ta kujtojmë gjithmonë”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa ministrja Vlora Dumoshi, ka thënë se lajmi i mëngjesit për vdekjen e Ismet Pejës, ishte i trishtë sepse u nda nga kjo jetë doajeni i muzikës popullore. “Unë si ministre kam kontaktuar me familjen e tij dhe ne si ministri do të përkujdesemi për ceremoninë në Gjakovë. Në orën 14:30 do të jenë homazhet dhe në ora 15:00 varrimi”, sqaroi ministrja.

“Ndonëse kohë pandemie, ne po tregojmë respektin institucional për artistin e madh e cili ka dhënë shumë për kultivimin e këngës së mirëfilltë popullore”, tha ministrja. / KultPlus.com

U ndanë shpërblimet “Latin Grammy Awards”

Emrat më të mëdhenj të muzikës latine u bënë bashkë kryesisht në formë virtuale, për ta shënuar edicionin e 21-të të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “Latin Grammy Awards”.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit kjo ngjarje u organizua në formë më ndryshe, derisa shou mbante titullin “Music Makes Us Human”, transmeton Koha.

E transmetuar drejtpërdrejt nga Miami, ndër yjet të cilët e hijeshuan skenën virtuale të ceremonisë ishin, Mark Anthony, Pitbull, Ricky Martin dhe të tjerë.

Ndër fituesit kryesor të mbrëmjes ishin: Alejandro Sanz i cili për të dytin vit radhazi u nderua me çmimin “Incizimi më i mirë i vitit”, për hitin e tij “Contigo”, J Balvin, e fitoi çmimin “Albumi më i mirë urban” për incizimin e tij “Colores”, Natalia Lafourcade u shpërblye me çmimin “Albumi më i mirë i vitit” për “Un canto por Mexico”, Rosalia e nderua me çmimin “Kënga më e mirë urbane”, Bad Bunny e fitoi shpërblimin “Performanca më e mirë reggaeton” për hitin e tij “Yo Perreo Solo”, dhe Mike Bahia e fitoi shpërblimin “Artisti më i mirë i ri”.

Këngëtarët Victor Manuelle, Carlos Rivera, Ana Brenda Contreras dhe aktorja Yalitza Aparicio, ishin prezantuesit e ceremonisë sivjet. Derisa, këngëtarja spanjolle Natalia Jimenez gjatë mbrëmjes e nderoi legjendën e muzikës spanjolle, Julio Iglesias. / KultPlus.com

20 vite nga vrasja e intelektualit Xhemail Mustafa

Xhemail Mustafa, gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, u vra mizorisht në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan.

Vrasja e tij tronditi Kosovën e pas luftës dhe mbetet një nga çështjet e pa zgjidhura dhe më misterioze që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë.

Xhemail Mustafa lindi në fshatin Gllamnik të Komunës së Podujevës. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa diplomoi për gazetari në Universitetin e Prishtinës. Nga fundi i viteve 70-ta punoi në gazetën Rilindja si redaktor i kulturës  dhe më pas në vitin 1992, punoi në Qendrën e Informimit të Kosovës (QIK) deri në fund të jetës se tij ku dha kontribut të jashtëzakonshëm.

Kolegët e kujtojnë Xhemailin si njeri me vlera të larta intelektuale dhe guximin e tij në vitet e luftës në Kosovë. Gjatë viteve të 90-ta ishte një nga antarët e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa,  nga viti 1997 e deri ne vitin 2000 kur u vra, shërbeu si këshilltar i lartë politik i presidentit të Kosovës Dr.Ibrahim Rugova dhe zëdhënës për media. Xhemail Mustafa ishte i përndjekur politikisht nga UDBA që më vonë ky shërbim famëkeq u njohë me emrin BIA. Në vitin 1999 si gazetar kishte denoncuar pushtetin serb për krimet çnjerëzore, ai morri pjesë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2000 duke marrur shumë vota. I shpëtoi luftës dhe përndjekjes policore dhe ushtarake dhe aktivitetet i vazhdoi duke u bërë edhe anëtar i kryesisë LDK-së ku u dallua si intelektual i shquar dhe një nga figurat më të spikatura të kësaj partie. Po ashtu Xhemaili është i njohur edhe si autor në vitin 1999 botoi edhe veprën e tij me titull “Një lutje për Prishtinën”.

Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë. Deri sa po hynte në banesën e tij ai u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dy persona ku si pasojë të plagëve të marra vdiq në kliniken spitalore. Ai ndërroi jetë në moshën 47 vjeçare, la pas gruan dhe fëmijët e tij. Në rastin e vrasjes së tij u mbajt ditë zije dhe shumë njerëz e politikanë, familjes së tij i shprehen ngushëllime. Vrasja e Mustafes ishte vrasja e tretë politike e pas luftës së Kosovës dhe tronditi skenën politike e cila si shumë vrasje të pas luftës së Kosovës mbeti e pa zgjidhur. Kjo ishte vrasja e tretë e intlektualeve të shquar që shumica ishin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, autorët e të cilëve ende nuk janë kapur. Në vitin 2014 familjarë të Xhemail Mustafes kërkuan me ngulm zbardhjen e rastit dhe kapjen e kësaj vepre makabër e cila tronditi vendin i cili sa po kishte dalur nga lufta. / KultPlus.com

RrGK i dërgon letër Kryeministrit Hoti për shkarkimin e Selmanajt

Pas deklaratës së deputetit Driton Selmanaj për çështjen e të pagjeturve, Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një letre dërguar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Abdullah Hotit, ka kërkuar shkarkimin e Selmanajt.

KultPlus ju sjell letrën e plotë të RrGK:

I nderuar Kryeministër Hoti,

Çështja e personave të pagjetur është çështje e të drejtave të njeriut. Për më tepër, ashtu siç kanë treguar hulumtimet, duke përfshirë këtu edhe hulumtimin e ardhshëm të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Ku është vendi im në tryezë”, çështja e të pagjeturve është ndër çështjet më të rëndësishme që qytetarët e Kosovës duan të adresohet nga qeveria, drejt arritjes së paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon. Andaj, kjo është një çështje e rëndësishme për RrGK-në dhe anëtaret e saj.

Që nga përfundimi i luftës, populli i Kosovës dhe veçanërisht familjet e të pagjeturve vazhdimisht kanë kërkuar që të adresohet çështja e të pagjeturve, nga qeveria si dhe nga akterët ndërkombëtarë që ndërmjetësojnë proceset paqeruajtëse. Pa adresuar këtë çështje kyçe, nuk mund të ketë paqe të vërtetë për qindra familje që nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre.

Familjet e të pagjeturve nuk u ndalën asnjëherë. Që nga përfundimi i luftës, ata vazhdimisht kanë protestuar, demonstruar dhe kanë ngritur zërin duke kërkuar përgjigje nga qeveria. Ne kemi qëndruar me ta, duke dëgjuar rrëfimet dhe thirrjet e tyre për të vërtetën.

Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i dha prioritetin e merituar kësaj çështjeje. Përkundrazi, për dy dekada, kemi dëgjuar një kaskadë premtimesh boshe që mbajnë pak të vërteta.

Madje, në vitin 2009, Thirrjet e Nënave – organizatë kjo që përfaqëson nënat e Gjakovës që ende nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre, të lodhura nga premtimet e zbrazëta të qeverisë, nisën grevën e urisë. Ato kërkonin të vërtetën. Edhe pse qeveria premtoi, kjo çështje nuk u zgjidh as atëherë.

Në mesin e udhëheqësve tanë politikë, Saranda Bogujevci ka shërbyer si një nga zërat më të fortë që kemi pasur, duke qenë vetë e mbijetuar e mizorive çnjerëzore. Që nga momenti kur u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës, ajo ka përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës duke ngritur çështjen e rëndësishme të të pagjeturve. Ajo ka përmbushur detyrën e saj si deputete, për të përfaqësuar interesat tona dhe për të adresuar këtë shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Për dallim prej saj, në anën tjetër, kemi një zyrtar qeveritar, zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, i cili jo vetëm që nuk i përfaqëson plotësisht interesat e qytetarëve të Kosovës, por madje po fyen drejtpërdrejt ata dhe përfaqësuesit e tyre si Saranda Bogujevcin, e cila ka përfaqësuar zërat tanë. Si zëvendëskryeministër, deklaratat e tij nuk përfaqësojnë thjesht atë si individ, por ato përfaqësojnë Qeverinë e Kosovës. Kështu, përmes tij, qeveria po ofendon qytetarët e saj.

Në vitin 2015, Jabllanoviç, atëherë Ministër i Qeverisjes Lokale, si përfaqësues i qeverisë ofendoi familjet e të pagjeturve. Populli i Kosovës u ngrit dhe kërkoi shkarkimin e tij. Pas kësaj, kryeministri i atëhershëm, Mustafa, e shkarkoi atë. Kjo është hera e dytë që një ofendim i tillë vjen nga qeveria, dhe rezultati tani nuk do të duhej të ishte ndryshe.

Andaj, ne u bashkëngjitemi mijëra qytetarëve, duke përfshirë ata që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt. Kjo është e drejtë e popullit: të kërkojë përgjegjësi nga udhëheqësit tanë politikë për të përfaqësuar interesat tona.

Duke qenë se grumbullimet e njerëzve dhe protestat masive nuk janë të lejuara me masat për luftimin e pandemisë COVID-19, unë personalisht kam marrë vendim që të qëndroj para qeverisë për një orë, çdo ditë pune, duke filluar nga sot në ora 12:00, derisa Selmanaj të shkarkohet. Pas shumë viteve mbështetje për zërat e të pagjeturve, nuk do të isha besnike ndaj vetes dhe bindjeve të mia si aktiviste për të drejtat e njeriut, nëse do të rrija duarkryq dhe të shikoja në heshtje teksa qytetarët ofendohen mu nga njerëzit që janë zgjedhur për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat tona. Unë do të qëndroj në heshtje, në solidaritet me familjet e personave të pagjetur, si dhe me shumë qytetarë të Kosovës që mbështesin thirrjet e tyre për të vërtetën dhe për veprim nga qeveria jonë.

Derisa zërat tanë të dëgjohen! / KultPlus.com

Osmani për vdekjen e Ismet Pejës: Lamtumirë mjeshtër i këngës, t`u dëgjoftë zani përherë

Vdekja e doajenit të muzikës popullore shqipe, Ismet Pejës ka lënë të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e deshën muzikën e tij.

Për vdekjen e Pejës, ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Për Osmanin, Ismet Peja e ka kultivuar me pasion muzikën e vjetër qytetare, e cila sot mbeti pa zërin e saj unik.

Tutje Osmani ka vlerësuar opusin e çmuar që ai ka lënë prapa vetës.

““Robi s`plaket kur vje mosha, robi plaket kur do vetë”. Ky varg i këngës së njohur përmbledhë më së miri ecurinë jetësore të doajenit Ismet Peja, i cili sot mbylli sytë përgjithmonë.

Ai qëndroi për 63 vjet të tëra në skenën muzikore, duke e kultivuar me pasion muzikën e vjetër qytetare, e cila mbeti pa zërin e saj unik.

Këngët e tij do të mbeten një opus i çmuar për brezat, kurse vargu i kënduar nga ai “Për me le e për më vdekë, zoti ditën ta ka shkru”, do të jetë i përbotshëm!

Lamtumirë mjeshtër i këngës. T`u dëgjoftë zani përherë!” / KultPlus.com

Personazhet e preferuara të animuara Tomi dhe Jerry, rikthehet në ekran të madh

Një rivalitet ikonik e krijon një aleancë jo të zakonshme, në trilerin e parë të filmit të ri “Tom and Jerry”.

Projekti i cili përzien jetën reale me animacion, vjen me regji të Tim Storyt, ndërsa në të luajnë aktorë të njohur si: Chloë Grace Moretz, Michael Peña, Rob Delaney, Colin Jost dhe Ken Jeong, transmeton Koha.

“Tom and Jerry” i sjell në ekran të madh personazhet klasike dhe të preferuara të publikut në New York City, teksa Jerry shpërngulet në një hotel të qytetit pak para se një dasmë e madhe të zërë vend në këtë lokacion. Kështu organizatorja e dasmave e portretizuar në film nga aktorja Chloë Moretz, vendos ta punësojë macen Tom për ta larguar Jerryn nga hoteli.

Sidoqoftë, kur dy personazhet e animuara bahen me një armik të përbashkët, i cili në film portretizohet nga aktori Michael Peña, ata detyrohen ta bëjnë të pamundurën dhe të punojnë së bashku për ta shpëtuar veten.

Filmi “Tom and Jerry” i realizuar nga studioja e famshme “Warner Bros.”, pritet të lansohet nëpër kinema nga 5 marsi i vitit 2021. / KultPlus.com

“Këndo o zog i malit se sot jam mërzitë” (VIDEO)

Qamili i Vogël, Mazllom Mejzini dhe Ismet Peja janë tre emrat më të spikatur të muzikës popullore shqiptare që ndër vite kanë sjellë këngë që mbesin të pavdekshme, shkruan KultPlus.

Tre këngëtarët shpesh kanë sjell interpretime të përbashkëta. “Këndo o zog i malit”, “Prej mallit të bukurisë” e “Dil njëherë moj vajzë e bukur”, janë disa nga këngët që mbesin vlerë e trashëgimisë sonë muzikore.

KultPlus, në nderim të jetës dhe veprës së këtyre artistëve, e në veçanti sot si homazh për veprën e Ismet Pejës që sot u nda nga jeta, ju sjell interpretimin e këngës “Këndi o zog i malit”:

I: K’ndo o zog i malit
Se sot jam mërzitë. :I
I: K’ndo kangën e djalit
E m’shëro në shpirt. :I
Zemra ime e shkreta
Asht tuj vujtun zi.
M’bahet porsi bleta
T’shof at djalë të ri.
Prej së largu ndjeva
Zogun tuj këndu’.
Menjëher u ktheva
Me mall me e ndëgju’.
At’her zemra ime
Si lule n’mëngjes.
U mbush me kujtime
N’dashuni u ndez. / KultPlus.com

Seanca e Kuvendit nis me një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së Ismet Pejës

Seanca e sotme (e hënë) në Kuvendin e Kosovës ka filluar punimet me një minutë heshtje për nder të ikonës së muzikës shqipe, Ismet Peja.

Doajeni i muzikës sonë ka ndërruar jetë në orët e hershme të ditës së hënë (23 nëntor), ndërsa lajmin e konfirmoi djali i tij, Visar Peja.

Peja, i cili lindi në vitin 1937 ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare, ndërsa është ndër artistët me përvojë më të gjatë në skenën tonë muzikore.

Në fillim të seancës, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë çuar në këmbë dhe kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së Ismet Pejës.

Ndryshe, është bërë e ditur se artisti legjendar do të varroset gjatë ditës së sotme (e hënë, 23 nëntor) në orën 15:00 në varrezat e qytetit në Gjakovë. /Telegrafi/ KultPlus.com

Pelikani Kaçurrel, atraksioni kryesor për turistët e natyrës dhe vëzhgimit

Pelikani Kaçurrel ka gjetur tashmë oazin e qetësisë në Parkun Kombëtarë të Divjakë Karavastasë, duke u kthyer dhe në një emblemë të këtij parku dhe atraksioni kryesor për turistët e natyrës dhe vëzhgimit.

Gjatë vitit 2020, u regjistruan 85 çifte pelikanësh kaçurrel, shifra më e lartë e 40-viteve të fundit në vendin tonë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka publikuar një video nga Parku i Divjakë-Karavasta, të disa Pelikanëve Kaçurrel të cilët shijojnë ujërat e kësaj lagune, ku thekson se kjo specie e rrezikuar ka gjetur strehën e saj në vendin tonë.

“Pelikanët, kjo specie e rrezikuar, banorë të përhershëm të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta atraksioni kryesor dhe emblema e këtij parku”,- nënvizon Klosi.

Në Parkun e Divjakë Karavastasë, referuar një artikulli të publikuar këtë verë nga AOS Albania, janë regjistruar 85 çifte pelikanësh Kaçurrel. Kolonia është e ndarë në tri nën-koloni të vogla, dhe po prodhon rreth 65 të vegjël të aftë për të fluturuar. /atsh/ KultPlus.com