Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në partneritet me UNHCR, organizoi aktivitetin e dytë për Menaxhimin e Stresit, me vajza dhe gra të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Komunën e Pejës.
Ky aktivitet u mbajt në tri sesione ku morën pjesë 12 vajza. Çdo grup ishte i përbërë nga 4 persona, duke respektuar rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për Covid-19.
Pjesëmarrëset janë prezantuar me faktorët stresues që ballafaqohemi çdo ditë dhe mënyrën e ndryshme të manifestimit nga një person tek tjetri.
Gjithashtu janë informuar rreth dëmeve dhe pasojave që stresi shkakton në shëndetin tonë fizik dhe psikologjik.
Gjithashtu pjesëmarrëset u njohën dhe punuan me teknika të ndryshme të menaxhimit të stresit. / KultPlus.com
(Brahim AVDYLI, MUZAT E VARGJEVE, poezi, Botimet MESHARI, Prishtinë 2020)
Poeti nëpër vargje e shqipton dramën e tij. Dramën e vargjeve dhe dramën e kohës. Është ajo përpjekje prometheike për ta mbajtur shpirtin e vargjeve si ndriçues e feniks kohësh, ripërtëritjesh nëpër kaq shumë dhimbje, ndjekje, fatkeqësi. “Jam vjeshtë e trishtë e pikëllimeve të vargjeve!…” ligjëron një protagonist lirik i kësaj poezie.
1. Mesazhet e mëdha të vuajtjes dhe dramës së jetës
Nëpërmes këndimit të tillë lirik, poeti pikësynon ta zgjojë intuitën, ta ofrojë mençurinë e jetuar, t’i pohojë frymëzimet e tij, t’i shquajë thëniet motivuese. Thuhet se poezia i ngjet rrëfimit të njeriut të sinqertë: të flasë për pamjet e përjetimet e vërteta në kohë fatkeqësish. Duke njohur humbjet, zhgënjimet e vuajtjet në jetë, nuk është e habitshme përse kjo poezi depërton kah thellësitë, kah kuptimet që e mbushullojnë gjallimin, kah shqetësimet e thella që shqiptojnë dashurinë ndaj njeriut, botës dhe qenieve më të dashura. Dhe, kur t’i biesh së lexuari vargjeve në fund, mund të pyesësh: a ka mbaruar ende kjo stuhi jete?
Po të mos kishte qenë kjo stuhi e dalë bese me vetëtima të kobeve e stërkala të tmerrshme nuk do të përplaseshim në det me pamëshirën e dhembjes
Shkrimtari japonez Haruki Murakami, do të vlerësojë: “Por një gjë është e sigurt. Kur të dilni nga stuhia, nuk do të jeni i njëjti person që keni hyrë brenda. Kjo është ajo që ka të bëjë me këtë stuhi. “
le të degdisem ku të duam me dhembjen përdore,
Në fakt, folësi lirik i kësaj poezie takohet shpesh me këto humbje, drama jete e fatkeqësi qofshin ato individuale apo nacionale; përbirohet shpesh nëpër disfata:
I zhgënjyer përplasem nëpër cepat e mjerimit
Por ai qëndron, nuk bie. Gjithnjë kërkon rrugëdaljen, sidomos në situatat kur shprishet identiteti ynë nacional. Brahim Avdyli është poet i këndimit të qenies sonë identitare.
ai merrej me të keqen kur përpiqeshin ta shprishin shqiptarinë,
Ky këndim shqip vrujon nëpër vargje përgjatë gjithë librit.
Këto përjetime e vuajtje janë edhe bekimi i qenies. Janë sprovime të shpirtit në kohë e nëpër kohë. Gabime gjenden edhe në parajsë. Së këndejmi, edhe në atmosferën e një jete të tillë, ai apelon:
hapeni zemrën tuaj siç e thotë qenia e gjallë dhe lëshoni ngadalë e bindshëm dashurinë e shumëzuar!…
Jetën duhet ta duam, ashtu siç është. Ta ndjesh të bukurën edhe në trishtim. Kjo përbën sfidën e vërtetë për ta kuptuar bukurinë e jetës dhe për ta ndjerë atë.
Porse poeti i ka betejat e tij. Sprovat e sprovimet e shpirtit e të jetës. I ka vështirësitë që e forcojnë së brendshmi. Në këto ndeshje ai gjen çaste të errëta, por aty e zbulon dritën dhe rrugën drejt mirësisë dhe të vërtetës. Aty, te kët përballje me fatkeqësinë, gjendet fara përvojave dhe mësimit të rëndë të jetës. Mendimi shfaqet në shumë ngjyra (cikli “NGJYRAT E MENDIMIT”). Aty ku ka një lojë jete, aty ka edhe një dramë.
kthehem në rifillimin e dramave të pafatësisë që përsëritet prej Trübbach-it, Kreuzlingen-it, Zürich-ut apo Surses, e të tjera…
Poeti e heton hilen e njerëzve toksikë, njerëzve negativë, njerëzve të ligj që luajnë me tjetrin, kurse ilaçin e gjen të ikën prej tyre.
Kur ik nga njerëzit më rrok vetmia e nuk mbetet vend për këngë!
Dhe kur dëshiron të afrohet me njerëz besnikë, me të cilët do ta gjente zgjidhjen e problemeve, shfaqet paradoksi i rëndë i jetës:
Kur afrohem te njerëzit më ikin të gjithë nga sytë e më lënë të lidhur me trishtimin e fjalëve!
Poeti e ndien këtë flakë kënge, këtë përvojë sfiduese për të ndërtuar raporte flake/ zemre/me qeniet njerëzore. Këtu, te kjo djegie “në mesin e qenieve” (asociacion i vetëflijimit) gjendet ajo forca për të bashkëbiseduar me vetminë, për të udhëtuar me vuajtjen, për të bërë miqësi me fatkeqësinë… për hir të dhuratës e blatës për qenien: siç është kënga e poetit:
A ka vend tjetër për Këngë pos flakës së fjalëve- të digjem në mesin e qenieve duke kënduar!
Vërtet, a është i vetmuar poeti në rrugëtimet e tij, në betejat e tij? A ka bashkëvëllezër fjale, fatkeqësie, miq betejash? Lord Bajroni do të thoshte se fatkeqësia është rruga e parë drejt së vërtetës. Kurse folësi lirik këtu ligjëron:
Më në fund dhembja pëlcet kuq si gjaku në mjedis të ndjenjave le të bjerrë ngadalë kupola e mendimeve e të reshë me to gjethe të thara jete!…
Duket sikur vetë këto rrethana fati e jete, siç janë vuajtja, dhembja, fatkeqësia, janë partnerë të poetit. Aty, në atë errësirë, aty ai e ka edhe shkëndijën e zjarrit hyjnor, shkëndijë që ndizet mu në vorbullën e çastit të rëndë të dhembjes, që flakëron në orën e rëndë të zhgënjimit.
Nganjëherë zgjimi i kësaj vetëdije është i hidhur. Sigurisht që lexuesi do ta ketë parasysh pamjen e heroit të jetës nëpër vepra arti që ndeshet me të ligën e me fatin e rëndë; janë njerëzit e mëdhenj që ndeshen kundër së keqes. Ata e kanë guximin që i jep energji e gjak ekzistencës dhe jetës. Poeti nuk dëshiron ta ndiejë lidhjen, por mposhtjen e së ligës. Kurse plaga merr tiparet e urtisë së jetës. Dhembja shndërrohet në djegie të qenies, në vetëflijim. Secila vuajtje, secili zhgënjim, secili trishtim a pikëllim, secili mjerim, është një mesazh i madh.
2. Poezia dhe vetmia
Kahdo që të shtegtojë, kudo që të jetojë, tek alpet shqiptare apo ato zvicerane, ai e sheh se bota është një skenë e madhe e sprovave njerëzore.
Njerëzit ende përqafohen me marrëzinë, kur mendojnë se shkatërrimi i jetës së tjetrit, qenka mirëqenie vetjake! Kjo skenë bote sikur e dërgon Njeriun e Mirë drejt çmendurisë, kurse heroin e jetës e gjunjëzon! Porse në brendinë e poetit ka një zë që rri gjithnjë zgjuar, i ndezur, për të ligjëruar, për ta shqiptuar atë që e mundon, për ta shfaqur dritën e shpirtit të tij. Protagonist i kësaj drame, antagonist i saj, spektator i saj dhe udhërrëfyes i saj, është vetë folësi lirik.
Poeti gjithnjë shtegton me vetminë: e nuk i numëroj sa të djeshme kanë kaluar me vetminë e këngëve të mia…
Kurse Henry Miller, shkrimtar amerikan, do të thoshte: “Një artist është gjithmonë i vetëm – nëse është një artist. Por ajo që i duhet artistit është vetmia.” Do të thoshim: vetmia krijuese. Vetmia, posi mendimi, shfaqet në shumë ngjyra, vetmi durimi a pikëllimi:
e shpërndahet në qindra ngjyra vetmia e durimit (…) Atëherë vetmia bëhet kurorë pikëllimi-
Poezia shfaqet si sinonim i përsosmërisë, pastërtisë së ndjenjës, sinqeritetit, virtytit, veprimit të drejtë. Krijimi poetik tërheq vijat e veta nëpër hartën e jetës, nëpër hartën e atdheut e nëpër labirintet e historisë. Dhe kudo shfaqet e bukura që lëviz nëpër kthesa, nëpër rrëpira jete e ekzistence; që shqiptohet si magji e çliruar nga bashkat e gënjeshtrës. Është ai çasti kur ndien nevojë t’i rimendosh gjërat, botën, faktet, realitetin; çasti për t’u ndjerë i frymëzuar për ta rimarrë vetveten. Për ta shijuar vetminë duke qenë vetvetja. Për t’i trajtuar gjërat i vetëm, po ashtu përbën një sfidë guximi. Të qëndrosh i vetëm, përbën edhe një sfidë guximi. Do të jesh i ndryshëm nga të tjerët. Jo pse poeti nuk e dëshiron qëndrimin me të tjerët, por pse ka njerëz që të bëjnë të ndjehesh i vetëm. Te poezia “Bregorja e vetmisë” poeti këndon:
çuditërisht kam mbetur në bregoren e vetmisë zërin e këngët i ndjej përtej shpirtit të vargjeve
e sillen vetëm rreth një pishtari të Dritës!…
herën tjetër te vetmia i gjen kikat e mendimit për fatin e njerëzimit në trajektoret e fatit:
Ka marrë fund apo nuk ka marrë fund mbyllja në vetmi nuk ka rëndësi,
ne nuk i dimë trajektoret e fatit,
janë ato paste esullimi ku poeti e shtron pyetjen se nga duhet të shkojë njerëzimi, kombi, atdheu; ku duhet t’i kërkojmë vlerat e thesaret tona të brendshme. Kush duhet të jemi? Është ai çasti i përjetimit të emocionit të thellë por edhe i thellësive të mendimit. Pa mbufatje po e themi se ky vëllim poetik është një ekzemplar i rrallë mendimi për këto trajektore fati (metaforë e poetit). Sado që ai reshtet pas vetmisë, megjithatë ai nuk e do situatën e tillë, sepse të kërkosh vazhdimisht veçimin na shoqëria, ti shndërrohesh në fantazmë, në hije të tmerrshme:
A jemi përherë viktimat e shfrimeve satanike që kalojnë nëpër vdekjen tonë,
apo hije të tmerrshme nëpër errësirë,
3. Poezia dhe thellësia e përsiatjeve
Me vetminë ndërlidhet ngushtë kundrimi i thellë i përsiatjeve. Janë ato situata kur poeti ndjen e mendon thellë, mu si para pasqyrës së rruzullimit, duke shtruar pyetje e shpesh duke marrë përgjigje të pakëndshme. Janë ato gjendje, ku ai thellohet nëpër hapësirat e skajet e vetvetes e të botës. “Gjithsesi heronjtë e vërtetë nuk janë njerëzit që bëjnë gjëra; heronjtë e vërtetë janë njerëzit që vërejnë gjëra, duke i kushtuar vëmendje” (John Green). Brahim Avdyli është kundrues i vëmendshëm i vëzhgimit të rrugëve të shpirtit dhe rrugëve të të vërtetës. Në këso çastesh, shpirti poetik shpalos fletët e tij të frymëzimit,
prej njërës formë kalon në tjetrën formë materia e jetës e një flluskë e energjisë është vetë shpirti!…
më saktësisht të muzës së tij që i ligjërojnë nga thellësi fshehtësie:
Në radhë të parë ta japim një këshillë mos e shiko botën asnjëherë për gjykim
Në këtë kundrim ai kërkon blatën e tij të brendshme që t’i realizohet si vlerë ekzistence e jete. Poezia është medium i tillë, ku folësi lirik ka një botë të pasur ndjesish, meditimesh, sintezash të përsiatjeve. Aq gjatë poeti e pret këtë blatë shpirti:
duke pritur vite të tëra shpërblimin e merituar të përsiatjeve
Dhe çka i ndodh:
në vend të tyre vjen ironia e mospajtimit.
Janë, këto, shtresime shpirti, të ardhura nga përvojat e jetës. Janë kërkime brenda jetës, dhe vetës. Janë gjendje çekulibruese, por poeti resht ta gjejë këtë drejtpeshim midis shpërblimit dhe ironisë së mospajtimit: aty ku jeta gjendet e fshehur. Nuk është thënë më kot se u dashka vuajtje e madhe për të depërtuar në brenditë e shpirtit, për ta hapur, mandej atë, në përmasat e madhështisë. Ngjet mu si kundrimi i një peme, së cilës nuk ia shohim rrënjët që e mbajnë të fortë atë.
4. Arti i fjalës
Vargjet vijnë si rrjedha burimesh nga brendia e frymëzimeve të muzës, derdhen nëpër delta drejt një deti që quhet këndim poetik. Poeti kundron këto rrjedha, i kundron njerëzit, por e thotë të vërtetën e tij.
Poeti e ndien jo vetëm së thelli artin e fjalës, por e ndien edhe peshën e tij:
peshoni fjalët tuaja me peshoren e artit
Te poezia “Stacioni i poezive të mia” ai u thur himn vargjeve të tij, frymëzimeve të tij, i zhdrivillon poetikisht procedimet e tij të gjykimit, vlerësimit, gdhendjes së fjalës, mençurisë së saj, raporteve art-jetë, raportet e komunikimit artistik me rrafshet e domethënies. Edhe shumica e titujve të cikleve e sugjerojnë mendimin poetik mbi frymëzimin, muzën dhe vargjet. Së këndejmi, ky vëllim ka një strukturim serioz, ku secili varg, secila poezi de secili cikël, gjejnë vendin e tyre dhe ndërtojnë ngrehinën poetike. Ato formojnë një tërësi të vetme, harmonike dhe domethënëse. E përbërë nga ciklet: PARAFJALA, NGJYRAT E MENDIMIT, SIMBOLIKA E DHEMBJES, NË KONTEKSTIN E IRONISË, PARADOKSET E KOHËS SONË, NËN PLAFIN E TRISHTË, IKJE NGA DHEMBJET dhe MBI FJALA, ndërtojnë atë që quhet arkitekturë e veprës letrare, pra thurin strukturën e formuar dhe të plotë midis fjalës, vargut, poezisë, ciklit dhe gjithë librit. Mesazhi poetik jepet me koncizitet që buron nga vargjet e nga tërësia poetike. Kur poeti dëshiron të këndojnë tema serioze, atëherë vargu i tij është i shtrirë, me përmasa epike, me reliefë alpinë. Ndërsa lirizmi, një tjetër vlerë e këtij libri është si ai shpirti që tërhiqet kah regjione e hapësira të panjohura të thënies lirike, kah nyjat e padukshme të lidhnisë së këtij shpirti poetik:
Të mbeti peng një vullnet i përhershëm në shpirtin e vargjeve deshe t`ua ngjallësh shpresën e madhe të diellit të vegimeve tua
(Vegimet e përmallshme të gëzimit)
Poeti ndahet me këtë peng vargjesh nga muza e tij e vargjeve.
Fotografi shqiptar Ilir Çuko përzgjidhet në listën e ngushtë të çmimit prestigjioz “The New East Photo Prize”.
Çuko mbulon çështjet sociale dhe politike, me një theks të veçantë në historitë e emigracionit duke bashkëpunuar me fondacione të ndryshme. Punimi i tij: “Duke filluar nga e para: Nga Donbass në Çernobil ai fokusohet tek miliona njerëz të zhvendosur nga lufta e vazhdueshme në Ukrainën lindore të detyruar të vendosen në fshatrat përreth zonës së përjashtimit në Çernobil.
Fotografi ka lindur në Shqipëri në vitin 1990 dhe është rritur në Athinë, Greqi. Ai punon mes Gjermanisë dhe Greqisë dhe është fokusuar në projekte afatgjata si fotoreporter dhe foto dokumentare.
Punimet e Ilirit janë botuar në Gjermani, Greqi, Angli, Zvicër, Austri, Novergji dhe vende të tjera evropiane. Gjithashtu fotot e tij janë ekspozuar në Universitetin e Plymoth Portland Square duke shënuar fundin e Javës së Refugjatëve 2016 dhe në Berlin në Beloskiy Galerie.
Çmimi është një projekt i fondacionit “Calvert 222” mbështetur nga revista online The Clavert Journal.
“Çmimi synon të zgjerojë perceptimin e Lindjes së Re përmes fotografisë. Në dy edicionet e tij të mëparshme ka pasur mbi 1700 projekte nga 25 vende të Lindjes së Re”, thonë organizatorët.
Fituesi i çmimit do të publikohet në “The Calvert Journal” dhe do të fitojë një çmim prej 1 mijë paund për të krijuar një koleksion të ri të punës së tij. Gjithashtu do të marrë dhe pajisje të fotografisë. Përveç kësaj do të ketë dhe çmimin “Mentorship” që është një bursë e plotë studimi në Spazio Labo Photography për të ndjekur një kurs nga Davide Monteleone dhe Spazio Labo./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka njoftuar se ka rivendosur kontaktet me sondën e saj hapësinore Voyager 2, e cila ka qenë duke lundruar në hapësirë që prej gushtit 1977.
Inxhinierët kanë dërguar një seri komandash në valë radio për Voyager 2 me anë të një antene gjigande, që ishte fikur për riparime që prej marsit.
Voyager 2 i ka marrë thirrjet dhe ka ekzekutuar komandat, thanë shkencëtaret, megjithëse është më shumë se 11.6 miliardë milje larg tokës.
Ata thanë se distanca është aq e madhe sa që për të marrë përgjigjen e komandave u nevojitën 35 orë.
“Ajo që e bën këtë detyrë unike është fakti se po punojmë në të gjitha nivelet me antenën. Ky test komunikimi me Voyager 2 na tregon se gjërat janë në binarë sa i përket punës që po bëjmë”.
Mes përmirësimeve të bëra ne antenën satelitore të quajtur DSS43 me vendndodhje Australinë, janë shtimi i dy radio-transmetuesve.
Këto të fundit nuk ishin zëvendësuar prej 47 vjetësh, por tashmë pritet të hyjnë në funksion në shkurt 2021.
Që prej fikjes së pjatës gjigande satelitore, operatorët kishin vetëm disa të dhëna mbarëvajtjeje nga Voyager 2, por nuk mund të jepnin komanda për të.
“Antena DSS43 është një sistem shumë i specializuar. Vetëm dy të tilla janë në botë dhe mbajtja e saj fikur për gati një vit ishte e rëndë për Voyager dhe misione të tjera të NASA,” tha Philip Baldëin, menaxher operacionesh i NASA.
Përveç kontakteve me Voyager 2, riparimet e antenës do të shfrytëzohen dhe për misionet e ardhshme në planetin Mars.
Me të do të komandohet sonda kërkuese në Planetin e Kuq, e cila do të kërkojë për fosile dhe do të ngrejë një dron për pamje dhe mostra ajrore. / KultPlus.com
Në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me 5 nëntor të 2016-ës, në rrethana ende të pasqaruara, vdiq aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
E sot në katër vjetorin e vdekjes së tij, Vetëvendosje duke filluar në ora 09:30 do të bëjnë homazhe tek varri i Astrit Deharit në Zllatar.
Ndërkohë që në ora 12:00 Vetëvendosje do të mbajë konferencë për media për rastin Dehari.
E në ora 20:00 të gjithë aktivistët, anëtarët e simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje por edhe qytetarët janë ftuar që të ndezin qirinj në ballkonet e shtëpive e banesave në përkujtim të jetës dhe veprës së aktivistit Astrit Dehari. / KultPlus.com
Grupi i njohur shqiptar ”Elita 5”, erdhën në tregun shqiptar në fillim të viteve të 90-ta, duke mbetur kështu ndër grupet më të njohura e më të dëgjuara në vendet shqipfolëse, shkruan KultPlus.
Njihen për tekstet e vecanta, ku përmes tyre i këndonin dashurisë, mallit, jetës etj.
Ndryshe, grupi Elita 5 ndër vite kanë sjellë hitet si “Al Kapone”, “Çmendem”, “Çka më ka syri”, “E urrej shiun” e shumë të tjera.
Në vijim, KultPlus ju sjell ”Vitet ikin”, një këngë që ishte dhe vazhdon të mbetet shumë e dashur për publikun shqiptarë e sidomos për adhuruesit e grupit.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës. / KultPlus.com
Vitet ikin por në shpirt i ri po ndjehem dashuri si ti nuk gjeta në vite unë prapa kur kthehem
Erdhe vonë o dashuri sikur të isha dhjetë vjet më i ri kjo këngë si një roman tragjik të don ty një mik pa fund pa pikë
Kanë kalu vitet tani nuk u bë atëherë kur isha më i ri njëzetë e pesë në lule të rinisë ndërsa unë në prag të pleqërisë
Vitet janë numra të tjerët thonë ngushëllim për mua në shpirtin tim jeton qëmoti të urrej se shumë të dua
Erdhe vonë o dashuri sikur të isha dhjetë vjet më i ri kjo këngë si një roman tragjik të don ty një mik pa fund pa pikë
Kanë kalu vitet tani nuk u bë atëherë kur isha më i ri njëzetë e pesë në lule të rinisë ndërsa unë në prag të pleqërisë
Ekipi i femrave të Real Madrid-it është renditur mjaft mirë këtë sezon, ku padyshim meritë ka pasur edhe loja e futbollistes shqiptare Kosovare Asllani. Në një intervistë në Suedi, ku ajo ka përfaqësuar ekipin e Real Madridid ka folur për objektivat e grupit.
Sulmuesja Asllani është shprehur se ekipi nuk do të jetë i kënaqur vetëm me mbylljen e një sezoni. “Për Real Madrid qëllimi është fitorja. Ky është viti i parë që ne kemi zyrtarisht një ekip që synon triumfin. Megjithatë, qëllimi është që të përpiqemi të fitojmë sërish. Personalisht, qëllimi im është për të zënë një nga vendet e “Champions League” këtë vit “, u shpreh Asllani në një intervistë për gazetën suedeze “Aftonbladet”.
Kosovare Asllani gjithashtu ka folur për situatën e koronavirusit në Spanjë. “Jemi në një fazë të vështirë, nuk mund të largohemi nga shtëpia ose hoteli dhe kjo situatë shkakton trishtim. Mund të qendrojmë vetëm në hotel dhe të stërvitemi është pak monotone. Herë pas herë bëjmë teste Covid-19 dhe mundohemi të mos neglizhojmë masat anti-covid, por tani jam mësuar me maska sepse në Spanjë, sepse ato janë të detyrueshme”.
Sa i përket përgatitjes së saj për ndeshjet, ajo është gjithmonë shumë e sigurt në vetvete. “Për sa kohë që jam përgatitur dhe ndihem mirë, jam shumë e qetë. Është diçka që e kam mësuar gjatë karrierës time. Kur isha e re mendoja se të gjithë po më shikonin, por tani e di që nuk është kështu”, shpjegoi lojtarja e ekipit të femrave të Real Madrid./ KultPlus.com
Katër filma shqiptarë do të prezantohen në Festivalin e Filmit Evropian në Leçe. Në këtë edicion të 21, filmi “Derë e hapur” i Florenc Papas do të jetë në garë, si një ndër filmat më të mirë evropianë.
Në këtë periudhë të vështirë që po kalon mbarë bota, përmes prodhimeve më të mira filmike europiane shfaqet dhe zbulohet qëllimi i kinematografisë, për të qenë një busull i domosdoshëm, që argëton dhe informon publikun mbi situata ekzistenciale. Nën këtë moto organizatorët festivalit të filmit europian në Leçe kanë përzgjedh për të shfaq për publikun në këtë edicion të 21-të, edhe katër filma bashkëkohorë shqiptarë.
“Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit, “Dita zë fill” i Gentian Koçit dhe “Portreti i pambaruar i Klara Belinit” i Namik Ajazit do të jenë pjesë e seksionit Ballkanik gjatë netëve të këtij festivali. Ndërsa, “Derë e hapur” i Florenc Papas, i përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në OSCAR është gjithashtu edhe një ndër pretendentët në garë, për trofeun si filmi më i mirë evropianë.
Në këtë edicion i 2020-s, i cilësuar si një gëzim i shtyrë nga pranvera në vjeshtë, përkatësisht në datat 31 deri në 7 nëntor për shkak të emergjencës së covid 19 do të konkurrojnë dymbëdhjetë filma evropianë për trofeun e festivalit.
Sikundër çdo vit, në qendër të festivalit është një nga mjeshtrat e mëdhenj të kinemasë europiane, kësaj here homazhet janë për regjisorin francez Oliver Assayas. Ndërsa, 30 vjet pas vdekjes do të kujtohet edhe Aldo Fabrizi, protagonist i neorealizmit dhe i komedisë italiane./shqiptarja/ KultPlus.com
Poeti Petrit Ruka u nderua sot me titullin “Doctor Honoris Causa”, për kontributin e veçantë me anë të krijimtarisë poetike, me poezitë e të cilit përjetohen motivet e Shqipërisë së dikurshme, por dhe të kohës modern.
Për krijimtarinë poetike, që një gjymtyrë e ka të zhytur në traditën polifonike dhe tjetrën në poezinë e kultivuar, vargu i të cilit prehet tek tradita dhe pikëtakimi me bashkëkohësinë.
Në ceremoninë e zhvilluar për dhënien e titullit ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama vlerësoi krijimtarinë e tij, duke e cilësuar se bëhet fjalë për një autor që krijon në vazhdimësi vlera që janë origjinale e burimore e të lidhura me shumë gjëra, që në mos i dimë, i ndjejmë si pjesë e kësaj shoqërie e vazhdues të një historie edhe pas nesh.
“Petrit Ruka është një poet, shkrimtar, skenarist, një qenie e rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë, një autor të cilin nuk e gjen me lehtësi siç i gjen të famshmit e të gjitha llojeve, që nga ata të llojit që meriton famën, te ata që famën e kanë të pamerituar apo sponsorizuar, stimuluar a vetëkrijuar”, tha Rama.
Rama theksoi se në qenien dhe në biografinë e qenies së tij si autor, ka një tipologji shumë të veçantë. “Jo se është i vetme apo i pari që përpiqet të shtrihet në të gjitha fushat ku krijuesi shtrihet me fjalë, por se ka një kapacitet transformues të jashtëzakonshëm në qenien e tij, duke kaluar nga një zhanër në tjetrin e duke i dhënë çdo zhanri diçka që është vërtet origjinale e për t’u admiruar”, vlerësoi Kryeministri.
“Dua t’i uroj Petriti që të vazhdojë të ketë sa më shumë energji, kohë e dëshirë për të vazhduar të jetë ai që është në këtë tokë, që siç thotë Petriti, është një teatër tragjedish ku të gjithë janë njëkohësisht dramaturgë e autorë e ku nuk ka shikues, suflerë dhe regjisor”, tha Rama.
Do të mbetet për një herë tjetër, mbase do të na jepet mundësia, vijoi Rama, për një bisedë, nëse kjo tokë është një tokë tragjedish apo komedish, apo të dyja bashkë.
Poeti, Petrit Ruka në fjalën e tij vlerësoi se botimi “Andej baltë e këtej erë” sjell disa balada arbërore që janë mbase, thesari më i madh që ka arritur të grumbullojë në shekuj gjuha shqipe dhe të cilat, theksoi Ruka, prej vitesh kam dashur t’i risjell të veshura artistikisht në kohërat tona moderne./atsh/ KultPlus.com
Sapo është lansuar produkti më i ri i brendit Gheg-Tosk në New York, të cilët tashmë janë të njohur për veçantinë e tyre të krijimeve, që kanë për fokus aksesorë me motive shqiptare, shkruan KultPlus.
Orges Kokoshari, krijuesi i këtij brendi sapo ka njoftuar për këtë krijim të ri, dhe poashtu ka specifikuar se këtë helmetë e ka quajtur “Illyrian Queen”.
Brendi Gheg-Tosk ka shumë realizime të ndryshme me motive shqiptare, duke nisë prej helmetës së Skënderbeut, aksesorë të shumtë me shqiponjë dhe aksesorë të tjerë që kanë për bazë kulturën e lashtë të kombit shqiptar./ KultPlus.com
San Marzano është një nga komunat arbëreshe në Jug të Italisë, ku janë ruajtur me gjuha, traditat dhe këngët shqipe. Në vitet ’70 të shekullit të shkuar profesor Carmine de Padova, i cili është personazhi kryesor që rrëfen për videon e mëposhtme të RAI-t, kishte hapur një klasë në shtëpinë e tij, ku shkonin fëmijë e të moshuar për të mësuar shkrimin e gjuhës mëmë. Bashkëpunëtor i ngushtë me profesor Tullio de Mauron, që gjithashtu shpjegon në video fenomenin e ruajtjes mbi 5-shekullore të gjuhës nga komuniteti arbëresh, ai është angazhuar në projektet të ndryshme artistike dhe shkencore.
Ka ngritur zërin shpeshherë për harresën në të cilën po lihej gjuha e komunitetit ku bënte pjesë, duke mos e përfshirë si pjesë e kurrikulave shkollore deri ditën që vdiq në vitin 1999. De Padova ishte themeluesi i Qendrës së Kërkimeve Arbëreshe C.R.I.A. (Centro Ricerche Italo Albanesi), atribut për të cilin u ftua të merrte pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës më 1978, ku i shoqëruar nga një grup arbëreshësh të San Marzano-s, mbajti edhe një fjalë përshëndetëse. Në Gjirokastër, arbëreshët u prezantuan me programin e tyre artistik dhe me veshjet e veçanta që mbajnë sanmarzanezët, të realizuara më së shumti me katër ngjyra, të zezën, të kuqen, të bardhën dhe të artën./ KultPlus.com
Fatmir Spahiu, aktori i njohur kosovar ka reaguar pas zhvillimeve të fundit nga Gjykata Speciale, i cili ka tërheqë një paralele mes lavdisë së UÇK-së, dhe keqpërdorimit të kësaj vlere, pas qershorit të vitit 1999.
Fatmir Spahiu ka përmend vjedhjen, pasurimin e jashtëligjshëm, ikjen e rinisë si pasojë e këtyre zhvillimeve, si dhe ka kërkuar sqarim për 60 mijë veteranët e luftës.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tij, pa asnjë ndërhyrje nga ana e redaksisë.
Nje femije ne USA kur takon nje veteran apo invalid, i drejtohen me respekt me fjaline “Thank you for your service” “Falemnderit per sherbimin e juaj” pavarsisht kohes se sherbimit apo diferences ne moshe!
Kur ta kujtoni UÇK, le te ju bije ne mend dalja saj e pare dhe deshmort e kombit. Se tu u mar me 20 vjet paslufte kemi harru lavdine dhe krenarine qe na ka sjell kjo ambleme.
Jane dy krenari qe na permbushin dhe pas cilave kurr nuk eshte marre me u rreshtu. Revolta qytetare nga viti ‘68, ilegalja ma vone UÇK-ja dhe levizja paqesore apo “Fryma Rugoviane”
A u vjedh ne emer te ketyre dy vlerave? Shume!
A jane pasuru jashteligjeshem me te madhe ne emer te ketyre dy vlerave? Shume!
A na kane qit hi syve ne emer te ketyre dy vlerave? Shume!
A e kane zbraze Kosoven nga rinia, shume!
Por keto jane pas Qershorit 1999.
Eshte shume me rendesi me i nda ne kete menyre gjerat. Eshte shume me rendesi, femijeve tane me ju tregu, se kur nuk kishte ma shprese e ishim thy ne cdo menyre, disa qika e gra, djem e burra, kishin mare guximin per me dal perballe nje ushtrie te fuqishme e barbare.
Keta duhen me u akuzu se pse nuk arriten me ba nje sistem gjyqesor te drejte dhe te pavarur.
Keta duhen me na sqaru punen e 60.000 veteranve.
Keta njerez, gjeneratave te reja e kane per obligim me ja sqaru se pse jena vra mes veti pas lufte. Jane dhjetra familjar qe presin pergjigjje per me te afermit e tyre. A deri ne Qershor 1999 dhe luften, vetem lavdi.
Arrestimi i Jakup Krasniqit per mua eshte sikur me arrastu Xhejmi Shian. Dyt kane qene zedhenes lufte, dyt e kane luftu serbine, dyt kane pas fletearrest serb.
Nejse, Gjykata speciale eshte marifet i joni dhe i bere prej nesh. Por narracioni i krijuar, negativ per vlerat tona, per historine tone eshte i padrejte dhe shpesh i krijuar qellimshem ne Kosove e serbi apo edhe pa dashje nga deshperimi per keto 20 vite te renda!
Me kete trend, gjeneratave qe vine do te ju vije turp kur te flitet per luften tone! Gjenerata e jone duhet ti spjegoj sakt dhe drejt gjenerates pasuese per ate qe ka ndodh.
Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar se do t’i ashpërsojnë masat.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj tha se në takimin me komandatin e KFOR-it, Gjeneral major Michele Risi ka diskutuar lidhur me luftimin e koronavirusit.
“Duke u bazuar në rritjen e rasteve pozitive në dy javët e fundit, do të jemi të detyruar që edhe më tej t’i ashpërsojmë masat. Është vlerësim i përbashkët që para së gjithash, për siguri, duhet ta ruajmë shëndetin publik, andaj edhe duhet të veprojmë për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes”, ka shkruar Zemaj.
Kujtojmë se në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 546 raste me COVID-19 në Kosovë./ KultPlus.com
‘Mësuesja e muzikës në shkollë fillore, para krejt klasës thoshte ”Defi ka ardhur nga magjuptë’, kjo më ka bërë të ndihem shumë keq. Pastaj më kujtohet se i kam thënë që jo nuk është kështu, dhe se ti nuk ke njohuri në këtë drejtim. Kjo gjë bëri që ajo të më largonte prej klasës dhe të mos më pranonte më’, kështu fillon rrëfimi i Gazmend Qyqallës, që tash ai vetë është mësues dhe dashurinë që ka për profesion e tij nuk e krahason me asgjë tjetër.
Qyqalla, i cili jeton dhe vepron në Fushë Kosovë ka gjashtë vjet që ushtron profesionin e mësimdhënësit, në kuadër të Organizatës Jo Qeveritare ‘Balkan Sunflowers’. Njëra nga arsyet që ai ka vendosur të ndjekë drejtimin e Pedagogjisë, ka të bëjë me dëshirën e madhe që ka për të ndihmuar komunitetin pakicë drejt zhvillimit dhe edukimit.
Ai tregon se këto gjashtë vite për të kanë qenë një eksperiencë tejet e mirë, pasi ka marrë shumë njohuri edhe nga fëmijët të cilët i ka mësuar përgjatë viteve.
‘Fëmijët të duan pa marrë parasysh se cilit komunitet i përket, ata nuk dine të diskriminojnë’, thekson Qyqalla.
BSFK është një OJQ lokale e themeluar në vitin 2007 duke trashëguar vizionin dhe misionin nga Balkan Sunflowers International e cila operon në Kosovë që nga viti 1999. SUNFLOWERS BALLKAN KOSOVA (BSFK) ndërton jetë aktiviste për ndryshime shoqërore. Kjo OJQ frymëzon dhe përfshihet në veprime të komunitetit për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, duke punuar në arsim, shëndetësi, kulturë, qytetari, punësim dhe respekt për diversitetin.
BSFK e ka përqendruar punën e saj kryesisht në fushat e arsimit dhe në çështjet që u përkasin romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në Kosovë. Aktualisht, BSFK operon pesë qendra mësimore në 4 komuna të Kosovës. Përmes këtyre qendrave të të mësuarit, BSFK shërben afërsisht 500 fëmijë në ditë. Përveç qendrave të të mësuarit, BSKF ka programe që synojnë të rrisin përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në arsim dhe në jetën qytetare në Kosovë.
Të jesh pjesëtar i komunitetit pakicë në Kosovë nuk është aspak e lehtë, sfidat me të cilat duhet të përballesh qysh në hapat e parë të fëmijërisë janë barrë e rëndë për secilin, e sidomos për një fëmijë që klasën e parë e njoftimin me shokë e shoqe të reja e pret me gëzim të madh. Gazmendi tregon se duke qenë se ishte pjesë e gjeneratës së parë që filloi shkollën fillore menjëherë pas luftës së fundit, ka ekzistuar një presion i madh në drejtim të tyre. Ai tregon se ka shkuar gjithmonë me frikë në shkollë, shpesh edhe janë keqtrajtuar nga nxënësit e mësimdhënësit, janë ulur gjithmonë në bankën e fundit dhe më e keqja nga të gjitha shumica prej tyre edhe kishin braktisur shkollën.
E Gazmendi, një karakter shumë i fort dhe i vendosur drejt arritjes së qëllimeve të tija, nuk ishe dorëzuar asnjëherë me gjithë presionin e frikën e madhe që kishte pasur përgjatë shkollës fillore. Fatmirësisht, siç tregon tutje ai, në shkollë të mesme kishte pasur një trajtim krejt ndryshe ku kishte pasur raporte të mira me të gjithë.
‘Kam aplikuar në shumë vende të punës dhe më thonin që është mbyllur afati për aplikim edhe pse afati nuk ishte i mbyllur’, e këtu Qyqalla kishte hasur në racizëm të drejtpërdrejt, të cilin e kishte përjetuar mjaft rëndë.
Për një periudhë të shkurtë, Qyqalla tregon të ketë punuar edhe në Ideas Partnership, ku ka treguar se edhe aty është hasur drejtpërdrejt me racizëm, ku edhe pse ka pasur marrëdhënie të mira me kolegët e punës, e njëjta qasje shpesh ka munguar nga ana e prindërve, fëmijët e të cilëve ndiqnin aktivitete të ndryshme në këtë organizatë.
“Kam marrëdhënie të mirë me komunitetin shumicë. Kjo gjë më ka ndihmuar edhe në avancimin tim profesional. Kjo gjë është shumë e rëndësishme në realizimin e qëllimeve drejt një karriere, pasi nëse vazhdimisht diskriminohesh e bën pothuajse të pamundur avancimin në aspektin profesional. Njëherë me 1 qershor kemi pasë aktivitet me fëmijët e komuniteti shumicë, ka pasur prind që nuk i kanë lejuar fëmijët të vijnë tek ne që ishim me ngjyrë, edhe pse pas një kohe ku fëmijët u mësuan me ne, vinin tek ne pa asnjë ngurrim’, tregon Qyqalla.
Rruga drejt suksesit dhe ndërtimit të një karriere kurrë nuk është e lehtë, sidomos kur kjo rrugë vështirësohet nga indikator të palogjikshëm si diskriminimi e paragjykimi. E tillë ka qenë kjo rrugë edhe për Gazmend Qyqallën, i cili shtysë të madhe për të mos u dorëzuar duket ta ketë pasur vullnetin dhe motivin e madh, së pari për të ndihmuar në komunitetin e tij e më pas edhe motivin personal drejt ndërtimit dhe avancimit. Qyqalla potencon se është fare mirë në dijeni që racizmi nuk mund të zhduket kurrë 100%, mirëpo, çfarë ai kërkon është që të punohet më shumë në institucionet përkatëse drejt ‘zbutjes’ (siç e quan ai) të këtij fenomeni.
‘Fatkeqësisht racizmi ekziston edhe në vendet më moderne se Kosova. Racizmi është kur ti e mbivlerëson veten dhe e nënçmon tjetrin, për diçka që tjetri mendon që ke më shumë sesa të tjerët. Ndoshta nuk është racizmi tek ne siç ka qenë më herët, por akoma është prezent’, shprehet ai.
Ai flet me një pasion të madh për punën e tij, për fëmijët që i mëson, për aktivitet që zhvillojnë bashkë e për shumë gjëra të tjera që e mbushin një ditë të tij të zakonshme, për të nuk ka aspak rëndësi se cilit komunitet i përkasin fëmijët që ai i mëson. ‘Ata janë qenia më e dashur që ekziston’, pohon Qyqalla.
E në përfundim të bisedës sonë, Gazmendi ka vetëm një mesazh për të gjithë, ai nuk kërkon asgjë më shumë se të shohim njëri tjetrin vetëm si njerëz.
‘Kur unë dhe ti takohemi e bisedojmë, ti e vërën se ne jemi të njëjtë e ajo çfarë dallojmë është vetëm pamja apo gjinia. Ne të gjithë jemi njerëz dhe vetëm nëse e trajtojmë njëri tjetrin si të tillë, do të zhvillohemi si shoqëri’, deklaron Qyqalla.
(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)
Alkent Pozhegu i cili është i njohur për rekordet e Guines, i cili ka realizuar shumë portrete me drithëra, tashmë është në vëmendjen e medieve prestigjioze të botës, i cili ka realizuar së fundi portretin e kandidatit për president te SHBA-ve, Joe Biden, shkruan KultPlus.
Ai përpos që ka promovuar punën e tij me Biden, në të njëjtën kohë ka promovuar edhe shtetin e Kosovës, pasi që The Guardian përshkrimin e kësaj fotografie e ka bërë që se kjo fotografi është realizuar nga Alkent Pozhegu, e që është realizuar në Gjakovë të Kosovës.
Për këtë punim kanë shkruar edhe shumë medie të njohura në botë, pikërisht në momentin kur jemi në prag të betejës për udhëheqjen e SHBA-ve nga Biden dhe Trump./ KultPlus.com
Të shtunën me 7 nëntor në teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, do të jepet shfaqja premierë “Allo, allo”, e regjisorit Ilir Bokshi, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, në faqen zyrtare të Teatrit të Qytetit Hadi Shehu. Në njoftim tregohet se premiera do të jepet në orën 19:00, si dhe do të respektohen të gjitha masat e nevojshme kundër Covid/19.
“Për arsye të respektimit të masave të përcaktuara për mbajtjen e aktiviteteve kulturore, numri i publikut do të jetë i limituar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Premiera e shfaqjes “Allo, allo”, njëherish shënon edhe përkujtimin e artistit dhe mikut të regjisorit, Gurakuq Dobruna.
Në këtë shfaqje luajnë Bujar Ahmeti, Albulena Kryeziu – Bokshi, Besfort Berberi, Vlora Dervishi e shumë të tjerë./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, për të diskutuar planifikimin dhe programet e punës për vitin 2021.
Ministrja Dumoshi në takim, drejtuesve ua kumtoi lajmin se nga viti ardhshëm institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore do të kenë kodet e veta buxhetore, veprim ky i rëndësishëm drejt pavarësimit financiar të institucioneve.
“Më lejoni t’ju informoj se kam zhvilluar takim me drejtuesit e Ministrisë së Financave dhe Transfereve që institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore të pajisjen me kode buxhetore”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
“Krahas kësaj dhe në përputhje me aktet ligjore në fuqi, do të angazhohemi që të hartohen statutet e institucioneve, si dhe rregullimin e përhershëm të marrëdhënies së punës për performuesit dhe profesionistët e fushave specifike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore”, njoftoi ministrja.
Këto janë disa nga punët që i kemi shtyrë përpara sqaroi tutje ministrja, kurse falënderoi drejtuesit e institucioneve që me kohë kanë dorëzuar planifikimet e tyre për vitin 2021, në përputhje me kërkesat e reja.
Në këtë kuadër ministrja u zotua se do të ndërmarrë veprime në shpalljen e procedurës për rekrutim për pozitat udhëheqëse, për institucionet e kulturës të cilat aktualisht janë me ushtrues detyre.
Gjithashtu, ministrja i falënderoi drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore për angazhimet e tyre edhe në rrethana të pandemisë.
Ministrja foli edhe për Euroimazhin, ku përmendi që bashkë me QKK-në janë duke shtyrë përpara procesin dhe theksoi se do të ketë edhe aktivitete tjera deri në fund të vitit me institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore.
Nga ana tjetër, drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore mirëpritën lajmin për kodet buxhetore dhe se kjo do t’ua lehtësojë punën dhe efikasitetin. Ata thanë se kjo është një prej gjërave më të mira që do të mund t’u ndodhte institucioneve që drejtojnë, pasi që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e performancës së institucioneve.
Ata e falënderuan ministren Dumoshi për këtë angazhim dhe thanë se krahas kësaj nisme do të angazhohen dhe bashkëpunojnë ngushtë me MKRS-në drejt avancimit të fushave të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, si dhe duke ngritur përgjegjësinë dhe llogaridhënien./ KultPlus.com
Burrat që dhunojnë gratë apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa duke filluar që nga data 18 nëntor 2020. Kështu parashikojnë ndryshimet në ligjin për masat kundër dhunës në familje, miratuar nga Parlamenti në datën 15 tetor 2020. Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen pas datës 18 nëntor 2020. Konkretisht, ligji i ndryshuar parashikon që, Policia e Shtetit, para se të vihet në lëvizje gjykata, urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën.
Me ligjin e ri, një burrë që dhunon gruan, do të largohet në kohë rekord nga banesa. Po ku do të strehohen burrat dhunues pas largimit nga banesa me anë të policisë? Qeveria do të bashkëpunojë bashkitë për të siguruar strehë për burrat dhunues. Ndërkaq, pas ndërhyrjes së policisë, do të vihet në lëvizje gjykata, e cila sipas ndryshimeve të reja ligjore, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa, për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Pra, më pas do të jetë gjykata që do të vlerësojë vendimin e policisë për largimin e dhunuesit nga banesa.
Gjykata do të shprehet edhe në vendimin emergjent apo edhe në vendin për mbrojtjen e viktimës, i cili do të jetë më i plotës dhe i arsyetuar. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin e dhunuesve për të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale dhe në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private. Ky detyrim do të vendoset nga gjykata në urdhrin e mbrojtjes. Sipas rasteve, gjykata urdhëron që dhunuesi të trajtohet në qendra të shëndetit mendor si dhe që të marrë shërbime të alkoologjisë, nëse është përdorues alkooli. Në këto programe mund të marrin pjesë edhe dhunuesit, të cilët po vuajnë dënimin me burg. / shqiptarja/ KultPlus.com
50 aforizma dhe citate që njerëz të shquar kanë thënë për politikën dhe politikanët.
Janë shprehje të thëna nga njerëz që e kanë provuar shijen e pushtetit, siç është rasti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhejms Buhanan, teksa i dorëzonte detyrën pasardhësit Abraham Linkoln: “Nëse ju zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi jini po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jini njeriu më i lumtur në botë”.
1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” -Gore Vidal.
2- Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla.- Honorè dë Balzak
3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. –Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit
4- “Çdo burrë për të qenë do të turpërohej nga qeveria që drejton vendin e tij”- H.L.Mencken
5- “Është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria është gabim”, -Volteri
6- “Në kapitalizëm, njeriu shfrytëzon njeriun. Në komunizëm është thjesht e kundërta”.-John Kenneth Galbrait
7- “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, pas gjithë të tjerave”-Winston Churchill
8- “Çfarë është qeveria? Shumë thjesht, është një agjenci shtrëngimi. Sigurisht që ka dhe agjenci të tjera force, siç është mafia. Për të qenë më i saktë, qeveria është agjencia e forcës, e cila ka më shumë flamuj në zyrat e saj”-Harry Browne
9- “Sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më shumë ligje ka”-Cornelius Tacitus
10- “Nëse shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk”. –Paul Valery
11-“Votoni për njeriun që premton më pak, sepse ai do t’iu zhgënjejë më pak”- Bernard Baruh
12- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”-Stenlej Kabrik
13-Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”- Fridih Niçe
14-“Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë“- Charles de Gaulle
15- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”.-Margaret Theçër
16- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”-Napoleoni
17- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. –Dejvid Llojd Xhorxh
18- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. –Nikita Hrushov
19- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin.-Valsav Havel
20- Mendoj se politika është një gjë tepër serioze për t’ua lënë në dorë politikanëve.-Sharl de Gol
21- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”.-Uilliam F. Baklej, i riu
22- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”.- Robert Frost
23- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”.-Talejrand
24- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”.-Ronald Regan
25- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”.- Platoni
26- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme.-Sharl De Gol
27– Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm.-James Clark
28- Ngrënia e fjalëve nuk m’i ka bërë asnjëherë keq tretjes- Uinston Çurçill
29- Nuk duhet të hysh në luftë me dikë (median) që ble bojën me fuçi apo shiritin e regjistrimit me arka.- Lord Akton
30- “Sa më shumë lexoni për politikën, aq më shumë arrini të pranoni se çdo parti është më e keqe se tjetra”. –Uill Roxhers
31- Atje ku shtypi është i lirë dhe ku çdo njeri mund ta lexojë, gjithçka është e sigurt.- Tomas Xhefërson
32- “Nuk do të ketë ndonjë burrë shteti evropian që do të bashkojë Evropën. Evropa do të bashkohet nga kinezët”. –Sharl de Gol
33- “Një politikan që ankohet nga shtypi është si një marinar që ankohet se e zë deti”.- Sharl de Gol
34- “Me qëllim që të bëhen zotërinj, politikanët pozojnë si shërbëtorë”.-Sharl de Gol
35- “Politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë ju vriteni vetëm njëherë”. -Uinston Çurçill
36- “Nëse doni të dështoni në politikë… flisni me popullin sinqerisht”.- Benxhamin Franklin
37- Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara dhe përpara dhe përpara duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë mëndore të tyre.-Faik Konica
38- “Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet”.-Oskar Uajlld
39- Politika nuk ka lidhje me moralin-Makiaveli
40- “Ç’fat për sundimtarët që njerëzit nuk mendojnë!”-Adolf Hitler
41- “Në politikë…kurrë mos u tërhiq…kurrë mos u tërhiq…kurrë mos prano një gabim”- Napoleon Bonaparti
42- “Njerëzit që kafshojnë dorën e atij që i ushqen, zakonisht lëpijnë këpucët e atyre që i godasin“.-Erik Holar
43-“Ati ynë që je në qiell, na ndihmo ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi asgjë për të thënë”.-Faik Konica
44-“Diktatura është një vend ku politikën e kanë nxjerrë jashtë politikës”. -Sem Himel
45-Politika është shumë e ngjashme me luftën, madje nganjëherë ne mund të përdorim gazin helmues. Politika është eksituese sa lufta, pothuaj aq e rrezikshme. Politika nuk është lojë, është biznesi më serioz. -Uinston Çurçill
46- Politika nuk është një profesion i keq. Nëse keni sukses ka shumë shpërblime, në qoftë se dështoni ju gjithmonë mund të shkruani një libër.- Ronald Regan
47- Kur ke e ke këmbën jashtë greminës, është e lehtë të japësh këshilla.-Faik Konica
48- Karakteristikat e politikanit popullor: një zë i tmerrshëm, një edukim i keq dhe një sjellje vulgare. –Aristofani
49- Gënjeshtra ka shkuar deri në gjysmë të botës përpara se e vërteta të ketë mbathur pantallonat. – Uinston Çurçill
50- Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. – Faik Konica/KultPlus.com
Duka dhe dukesha e Sussexit janë përballur me reagime të furishme gjatë muajve të fundit, pasi ata u shprehën lidhur me zgjedhjet në SHBA, duke shkelur kështu traditën shekullore, se anëtarët e familjes mbretërore duhet të mbeten politikisht neutral.
Megjithatë, Meghan Markle duket se nuk do të ndikohet nga kjo gjë, dhe sipas asaj që ka zbuluar zëdhënësi i saj, “aktivizimi politik i Meghan Markle nuk do të mbarojë pas zgjedhjeve në SHBA sepse ajo ndihet se inkurajimi i njerëzve për t’u përfshirë në politikë është i rëndësishëm”.
Një tjetër zëdhënës i Sussex-it tha se, “të qenit një anëtar aktiv i shoqërisë, është të marrësh pjesë në procesin demokratik. Pra, inkurajimi i njerëzve për t’u përfshirë në politikë është diçka e rëndësishme”.
Ndërsa Harry nuk është në gjendje të marrë pjesë në zgjedhje, sepse ai nuk është një shtetas amerikan, Meghan mezi priste të hidhte votën e saj, gjë që ajo e bëri me postë./ KultPlus.com
Xhoni Athanas ishte një nga zërat e rrallë të lirikës shqiptare, një artist i kompletuar që do të kishte fatin dhe përgjegjësinë të ngjiste për herë ta parë personazhet klasikë të operave ndërkombëtare dhe heronjtë e veprave shqiptare. Me një repertor të gjerë të shtrirë në mbarë botën, që nga koha e studimeve në Rusi, e deri në daljen në pension në vendlindjen e tij në Amerikë ai ka realizuar më shumë se 1100 koncerte dhe 450 shfaqje operistike.
Ndonëse mjeshtëria e tij artistike ishte nga më të arrirat e kohës, ( studio me Sergei Baturin solistin e parë në Teatrin Balshoi, në Rusi) me interpretime të denja për tu krahasuar me kolosët e lirikës botërore, Athanasi përjtësoi emrin e tij në historinë e arit shqiptare me interpretimin e Gjergj Kastriot Skëndërbeut, në opërën me të njëjtin titull të kompozitorit Prenk Jakova, e cila u dha me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Kompozitori Jakova, i cili e vlerësonte Xhonin si tenor dramatik, e shkroi operën “Skënderbeu” posaçërisht që roli i Gjergj Kastriotit t’i përshtatej zërit, tesiturës dhe figurës së artistit.
Historia e jetës së tij është një histori të denjë për skenarët e Hollywood-it. U lind nw Brokton, Massachusetts, me 4 nëntor 1925. Prindërit e tij emigruan në Amerikë rreth viteve 1915. Si shumë emigrantë të tjerë të asaj kohe, ata punuan disa vjet rresht në shtetin Massachusset (ku edhe jetuan) duke u munduar të përmirësonin gjendjen e tyre ekonomike. Xhoni ishte në moshë fare të vogël kur familja e tyre u kthye sërish në Shqipëri për disa arsye familjare, me mendimin për të ardhur përsëri në Amerikë në rastin më të parë. Por me fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas me vendosjen e komunizmit, u bë i pamundur kthimi i tyre në Amerikë. Xhoni që në moshë të vogël filloi të këndonte psalmet bizantine në kishën ku i ati ushtronte profesionin e klerikut (prift ortodoks).
Pjesëmarrja në këndimin e psalmeve të kishës e ushqeu Xhonin që në atë moshë me pasionin për muzikën dhe këngën dhe shërbeu si një bazë për edukimin vokal të tij. Jo vetëm në kishë, por edhe në shkollën fillore-tetëvjeçare Xhoni merrte pjesë në grupet vokale të shkollës. Ndër kujtimet e tij të fëmijërisë është i rëndësishëm një rast kur ai dhe motra e tij, Katerina, kënduan një duet në një takim të shkollave të rrethit të Bilishtit më 1933, me pjesëmarrje të personaliteteve lokale. E kënduar ëmbëlsisht prej tyre, “Kënga e Mullirit”, e kompozuar nga Thoma Nasi, banues në Boston në atë kohë, i dha Xhonit dhe së motrës një vlerësim simbolik me disa dhurata. Në vazhdim të jetës së tij Xhoni, gjithmonë i apasionuar pas muzikës dhe këngës, shpesh herë merrte pjesë në festa të ndryshme duke kënduar këngë popullore korçare si “Te plepi i Bilishtit”, “Tatëpjetë bregut vinje”, “Ftujke moj”, “O moj korçare”, së bashku me orkestrat e rrethit, aq sa i ati i thoshte me shaka: “Do të të bëj sazexhi”.
Më 1940 Xhoni pati rastin të takonte profesor Konden, një nga personalitetet artistike më të nderuar të asaj kohe në qytetin e Korçës, i diplomuar në Athinë. Profesor Konda e vlerësoi shumë zërin e tij dhe i rekomandoi të fillonte menjëherë mësime profesionale muzikore. Kështu Xhoni filloi mësimet e para të muzikës me pr. Konden, i cili më tej e pranoi si solist në korin e Kishës së Mitropolisë, që profesori e drejtonte. Edukata muzikore që mori nga Konda, i shërbeu Xhonit për t’u pranuar si solist në grupin koral “Lira” të qytetit të Korçës me drejtues Kristo Konon. Xhoni tashmë ishte bërë i njohur si solist i qytetit të Korçës. Deri në vitin 1947 Xhoni vazhdoi një jetë artistike koncertale në gjithë rrethin e Korçës me grupin “Lira”, dhe gjithashtu ai aktivizohej me të gjitha grupet artistike që ishin në atë kohë në këtë qytet. Xhonin do ta shikoje afër këngëtarëve Gaqo Jorganxhi, Tole Adhami, Pavlina Nikaj, Gaqi Konomi.
Do ta shikoje duke mësuar bashkë me Dhora Lekën këngët e saj partizane. Në vitin 1947, me kërkesën e Gaqo Avrazit, në atë kohë dirigjent dhe udhëheqës artistik i korit të Ushtrisë Popullore, Xhoni bëhet pjestar i këtij ansambli duke u radhitur si solist bashkë me Ibrahim Tukiqin, Mentor Xhemalin, Avni Mulën, Ndrek Gjergjin, Lluk Kacajn, Maliq Herrin etj. Në atë kohë Ansambli i Ushtrisë ishte më i kualifikuari dhe gjatë viteve 1947-1952 kishte një aktivitet artistik shumë të pasur. Një sukses i madh i ansamblit ishte turneu që bëri në Rusi (BS) në vitin 1949, gjatë së cilës ai u vlerësua shumë nga media dhe publiku rus. Xhoni ka kënduar me ansamblin si solist në të gjitha rrethet e vendit dhe me shumë sukses, në reparte ushtarake, në kufi, fshatra e qytete, në tribuna me raste festash etj. Në vitin 1952, Xhoni, me propozimin e Komandës së Ushtrisë dhe Ministrisë së Kulturës, së bashku me kolegët dhe shokët e tij solistë të Ansamblit artistik të Ushtrisë, u nisën për studime në Konservatorin e Moskës, BS. Artistët e ardhur nga Shqipëria e vogël u vlerësuan shumë nga trupa pedagogjike e Konservatorit “Çajkovski”.
Secili nga pedagogët më në zë të Degës së kantos (këngës) donte me çdo kusht të kishte në klasën e vet njërin prej këtyre këngëtarëve shqiptarë. Xhoni filloi mësimin e teknikës vokale me një nga pedagogët e vjetër në Konservator dhe solist i parë në Teatrin Balshoi, Sergei Baturin. Gjatë këtyre viteve, Xhoni, krahas studimeve në shkollë, ka pasur edhe një aktivitet artistik koncertal shumë të madh. Ai me shokët e tij kanë paraqitur me dinjitet artistik për publikun artdashës rus muzikën shqiptare dhe botërore. Kaq e njohur u bë muzika shqiptare, sa edhe sot kur takon njerëz të moshave të vjetra të asaj kohe (rusë), kujtojnë me nostalgji këngët: “Hajde moj”, “Lule bore”, “Vajta në Elbasan” etj. Në mbarim të studimeve të konservatorit, në vitin 1957 Xhoni mori pjesë si konkurues në Festivalin Botëror të zërave të rinj që organizohej ne atë kohë në Moskë.
Aty përfaqësoheshin 110 këngëtarë nga e gjithë bota. Zëri i Xhonit, me nje teknikë të kulluar dhe vokal skenik tërhoqi vëmendjen e gjithë konkuruesve. Xhoni Athanasi u vlerësua me çmim të dytë ndërkombëtar në atë festival dhe u quajt “Laureat” me Çmim të Lartë të festivalit. Ky ishte një stimul i shkëlqyer për fillimin e karrierës së tij, por gjithashtu një kujtim i paharruar, sepse Çertifikata e Diplomës ishte firmosur nga këngëtari i mirënjohur italian Tito Skipa, që ishte dhe kryetar i jurisë së festivalit. Në vitin 1957, pas studimeve, Xhoni u emërua si solist i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Ishte një sukses i madh për artin operistik ardhja e këngëtarëve të rinj që u diplomuan në Moskë.
Krahas këngëtarëve të vjetër si Marije Kraja, Jorgjia Truja, Gj. Kosturi, K. Antoniu, H. Pelingu, tani u shtuan edhe M. Xhemali, A. Mula, I. Tukiqi, M. Herri, L. Kacaj, N. Mula, Xh. Athanasi, G. Cako, Gj. Heba, G. Zdruli etj. Teatri i Operës në vitet ’58-‘65 kishte në repertorin e tij 25 shfaqje artistike nga veprat më të vështira klasike të kompozitorëve Verdi, Puçini, Çajkovski, Leon Kavallo, Maskanji, Glinka, Bize, Masnet, një jetë shumë të pasur koncertale në të cilat Xhoni Athanasi ishte pjesëmarrës. Rolet në të cilat ai u shqua gjatë këtyre viteve kanë qenë:
Turidu tek “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit
Kanjo tek “Pagliaci” i Leonkavallos
Lenski tek “Eugjen Ognegin”
Shonari tek “Bohema” e Puçinit
Don Bazilio tek “Dasma e Figaros” e Moxartit
Dhimitri tek “Lulja e kujtimit” e K.Konos
Bash Murgjini tek “Borana” e A. Mulës
Kuestori tek “Heroina” e V. Noves, Doda tek “Mrika” etj.
Gjatë viteve që punoi si solist në Teatrin e Operës ai ka përfaqësuar disa herë Shqipërinë në aktivitete koncertale jashtë vendit si në Rumani, BS, Kinë, Mongoli, Kore, Vietnam, Bullgari, Ukrainë, Lituani, Jugosllavi, Hungari etj. Kudo që ka shkuar, është vlerësuar nga spektatori dhe media si një këngëtar me zë të fuqishëm dhe shumë komunikues me spektatorin. Midis të tjerash gazeta “Kultura” e Moskës, më 1959 shkruante: “Me një këngëtar të tillë si Xhon Athanasi mund të mburret çdo teatër në botë”. Pedagogu i konservatorit të Bullgarisë Brymorov e ka vlerësuar zërin e Xhonit si “zë i rrallë botëror”. Todi dal Monte, këngëtarja italiane, pasi e dëgjoi në një studio, tha: “zëri i Xhonit është një zë i rrallë tenori dramatik”.
Nuk ka qytet apo fshat, fabrikë apo shesh ku Xhoni bashkë me kolegët e tij të mos ketë dhënë shfaqje operistike dhe koncerte të ndryshme për masat e gjera artdashëse. Nga ditari i tij personal i shkruar gjatë vitit 1957-1993, mund të radhisim 1100 koncerte dhe 450 shfaqje operistike (pa numëruar këtu koncertet para studimeve). Por ai që i dha vlerat e artistit kombëtar shqiptar ishte roli i Skënderbeut në operën me të njëjtin emër të kompozitorit Prenk Jakova, e cila u dha me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.
Kompozitori Jakova, i cili e vlerësonte Xhonin si tenor dramatik, e shkroi operën “Skënderbeu” posaçërisht që roli i Gjergj Kastriotit t’i përshtatej zërit, tesiturës dhe figurës së artistit tonë. Ky ishte një vlerësim shumë i lartë dhe Xhonit i duhej të kryente një detyrë shumë të madhe për të realizuar figurën e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Xhoni tregon: “M’u desh të mendoja ditë e natë se si do të mund të realizoja këtë rol kaq të dashur dhe të imagjinuar nga publiku ynë artdashës…” Por me ndihmën e regjisorit të mirënjohur Pirro Mani, i cili vuri në skenë operën, së bashku krijuan një spektakël madhështor që u mirëprit nga spektatori. Opera “Skënderbeu” e ngriti Xhonin në piedestalin e arritjeve të tij artistike. Ai jo vetëm e interpretoi rolin e Gjergj Kastriotit, në mënyrë të shkëlqyer nga ana teknike vokale, por krijoi një figurë të Skënderbeut të studiuar aq mirë prej tij, sa, kur vinte përkrenaren, pelerinën dhe shpatën, dukej si një Skënderbej i vërtetë, si një hero madhështor kombëtar. Madje fotografitë e marra nga shfaqja janë përdorur edhe si ilustrime historike.
Në vitin 1973, pa u shkëputur asnjëherë nga aktiviteti i tij si këngëtar në Teatrin e Operës dhe Baletit, Xhoni filloi njëkohësisht punën si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e kantos. rezultatet e punës së tij si pedagog u dukën që në vitet e para, kur një brez i tërë këngëtarësh të rinj mbaruan me rezultate shumë të mira. Nga studioja e Xhonit debutuan si solistë në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe u bënë të njohur edhe jashtë atdheut këngëtarët: Agim Duro, Ruzhdi Karaj, Suzana Frashëri, Nikolin Gurakuqi, Irini Nikolla, Kaman Aliko, Luan Sula si dhe shumë të tjerë. Krahas punës si këngëtar dhe pedagog, Xhoni e ka afirmuar veten si artist në kompleksitetin e plotë të një muzikanti të gjithanshëm, p.sh., si regjisor ai ka vënë në skenën e Teatrit të Operes disa fragmente nga veprat operistike “Norma”, “Rigoleto”, “Toska”, “Madama Batërflaj”, “Karmen”, të cilat u pritën shumë ngrohtë nga spektatori edhe për arsyen tjetër, sepse u vunë në skenë menjëherë pasi fitoi demokracia në Shqipëri, mbas një periudhe të gjatë kohe që në TOB, që nga 1967-1990, ishin çensuruar veprat e autorëve të huaj.
Njëkohësisht ai ka bërë edhe disa kompozime, sidomos për fëmijë. Ka punuar për krijimin e një albumi shkollor, me vepra operistike shqiptare, për t’u përdorur në Akademinë e Arteve si material studimi, duke parë me imtësi çdo frazë muzikore, për t’iu përshtatur sa më mirë studentëve në programin mësimor. Dy nga studimet e tij me rëndësi janë edhe “Të kënduarit si mjet shprehës dhe komunikimi” dhe “Teknika e frymëmarrjes së këngëtarit.” Ka përgatitur një album me përmbledhje këngësh popullore të rretheve të ndryshme të Shqipërisë. Ka marrë pjesë në përgatitjen e festivaleve të ndryshme artistike-vokale të këngëtarëve lirikë të Gjirokastrës dhe të fëmijëve, ku shpeshherë ka qenë edhe kryetari i jurive. Për merita artistike shumëvjeçare Xhonit i është dhënë nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë titulli i lartë “Artist i Merituar”. Emri i Xhonit është i shkruar në Enciklopedinë Botërore të Artit, një vlerësim i rrallë ky që i bëhet një artisti.
Mbas vitit 1994 Xhoni bashkë me familjen e tij u rikthye në Amerikë, në vendin ku kishte lindur, në Boston. Ardhjen në Amerikë ai e kishte ëndërruar prej kohësh dhe ëndrra u bë realitet ndoshta me shumë vonesë. Megjithatë, edhe këtu, megjithëse në moshë të thyer, ai e tregoi veten dhe vërtetoi se një artist i apasionuar, edhe me kalimin e viteve, gjithmonë e dashuron skenën dhe asnjëherë nuk e braktis atë. Kështu, Xhoni vazhdon aktivitetin e tij për komunitetin shqiptaro-amerikan në raste festash dhe pritjesh zyrtare, duke dhënë shumë koncerte në Boston dhe në qytete të tjera përreth. Ai është mirëpritur dhe vlerësuar nga spektatori i këtushëm si një këngëtar i nivelit të lartë. Me zërin e tij Xhoni ka marrë pjesë në të gjitha festat shqiptare dhe takimet me personalitete zyrtare të Shqipërisë që kanë vizituar Bostonin. Zëri i Xhonit ka tingëlluar shumë herë në sallat e restorantit “Pier 4” dhe pronari i tij, Anton Athanasi, ka thënë: ”Në këto sallat e mia kanë kënduar shumë këngëtarë të mëdhenj, por Xhoni është më i miri nga të gjithë.” Me zërin e tij të mrekullueshëm e të pakrahasueshem, Xhoni mbush sallën ku komuniteti shqiptar zhvillon festën e përvitshme të 28 Nentorit. Himni i Flamurit shqiptar dëgjohet çdo nëntor në Boston nëpërmjet zërit të Xhonit.
Xhoni Athanas vazhdon të japë koncerte në komunitetin rus dhe ate Italian, por gjithmonë prezantohet si këngëtar shqiptar. Si një artist lirik i kompletuar, me një vokal elegant skenik Xhoni Athanas ka tërhequr vëmendjen e artdashësve amerikane, të cilët e kanë duartrokitur në çdo koncert ku kanë qenë të pranishem. Ndër koncertet më të rëndësishme përmendim atë me temë Kosovare, në vitin 1999, i cili u shfaq në një nga sallat më të njohura e më antike të Massachusettsit në Kembrixh, “Sanders Theater”. Koncerti u përgatit nga regjisorja italiane Luiza Marino, me trupën e këngëtareve të ardhur nga Italia. Xhoni përgatiti dhe mori pjesë me një vepër vokale, me tekst për Kosovën dhe i kushtohej vuajtjeve të vajzave kosovare gjatë luftës. Zëri i Xhonit me një tingëllim emocional dhe veshja e tij me kostumin e Malësisë së Madhe e kompletuan veprën vokale, e cila u mirëprit dhe u vlerësua nga spektatori si pjesa më e mirë dhe më aktuale për atë koncert.
Xhoni ka dhënë gjithashtu një numër koncertesh të tjera në shtetin e Massachusettsit dhe jashtë tij, në Nju-Jork, Nju-Xhersi etj. Në çdo aktivitet, bashkë me argëtimin e pjesëmarrësve, Xhoni, me mjeshtërinë e të kënduarit e të interpretuarit emocionalisht, ka sjellë edhe krenari kombëtare. Me 1998 ai mori pjesë në një koncert me vepra klasike në Nju-Jork, organizuar nga “Motrat Qiriazi”. Koncerti, ku merrnin pjesë këngëtarë shqiptarë e kosovarë, u organizua për të ndihmuar financiarisht fëmijët kosovarë. Ky ishte një takim shumë i rëndësishëm sepse kontribuoi në njohjen dhe miqësinë midis artistëve shqiptarë e kosovarë.
Një aktivitet tjetër muzikor i Xhonit në Massachusetts është dhe ushtrimi i profesionit të pedagogut. I njohur në komunitet se “Profesor Xhoni” ai vazhdon akoma të japë mësime kantoje për studentë shqiptarë, rusë etj, duke organizuar shpesh koncerte me ta. Në vitin 1999 Xhoni organizoi korin e parë të fëmijëve ne Boston, kryesisht me femijët emigrantë kosovarë, të ardhur në Amerikë si refugjatë nga lufta. Kori i fëmijëve mori pjesë në festimin e 28 Nëntorit të atij viti dhe së bashku me Xhonin interpretoi himnin shqiptar dhe atë amerikan, të pritur me brohoritje nga të pranishmit. Gjithashtu më 2001 Xhoni ka përgatitur një kor special të fëmijëve me psalmet e imzot Fan Nolit për festat e mëdha të kishës, gjatë pashkëve dhe krishtlindjeve. Ky kor ka kënduar në të tria kishat ortodokse shqiptare që ndodhen në South Boston.
Xhoni Athanas si gjithnjë është i rrethuar nga dashuria e kujdesi i të afërmve dhe familjes së tij. Për komunitetin shqiptaro-amerikan të Massachusettsit do të mbetet e paharruar mbrëmja e ngrohtë e organizuar në “Pier 4”, Boston, në vitin 2001, për festimin e 75-vjetorit të lindjes së artistit tonë të dashur. Ishte një mbrëmje domethënëse, e merituar dhe e dëshiruar. Pranë Xhonit, si gjithmonë, e bukur, besnike e zemërdhembshur qëndronte bashkëshortja, Sekinja, artiste edhe ajo, një nga balerinat e mirënjohura shqiptare. Më kujtohet, 50 vjet të shkuara në Tiranë, kur ky çift i mrekullueshëm shpalli fejesën. Ardhur që të dy nga besime të ndryshme fetare, ajo, e bija e klerikut musliman, drejtorit të Medresesë dhe ai, i biri i priftit korçar.
Por dashuria e tyre që u kthye në mit, shkeli mitin e fanatizmit dhe të zakoneve të prapambetura. Çifti Athanas ose çifti i emancipimit, u bë idhull dhe shembull për shumë fejesa të tjera midis të rinjve me besime fetare jo të njëjta. Xhoni ka ditur të vlerësojë e të nderojë familjen e të çmojë shoqërinë. Gjatë jetës së tyre bashkëshortore motoja e tij ka qenë devotshmëria dhe sakrifica për artin. Pa u lodhur kurrë, gati të rrezikojë edhe shëndetin, për të çuar deri në fund punën dhe premtimin e dhënë. Kurrë egoist, jo vetëm në jetë, por as në art, ku në disa raste, ky egoizëm është i nevojshëm. “Çdo shfaqje e koncert, – tregon Sekinja, – ka qenë me emocione të forta jo vetëm për Xhonin, por edhe për të gjithë pjesëtarët e familjes.
Xhoni thotë: “Kur unë kam emocion, këndoj më mirë”. Xhoni – artist, koleg, pedagog, bashkëshort ideal, baba shembullor dhe gjysh i dhembshur. Vajza e dyteë, Edlira, e përshëndeste të jatin me rastin e 75-vjetorit: “I dashur babi!, kur hyj qetas në shtëpi dhe të gjej ulur në piano, duart e tua në tastierë i bien një melodie të njohur dhe sytë e tu e fiksojnë për një çast notën “do” dhe “do diez” sikur aty të kesh gjetur një rrugicë të vogël kalimi ku më pas të nxjerr në një qiell të pastër e të mbushur me kujtime. Gjej zërin tënd të formohet, t’i përshtatet përpikmërisht idealit që Verdi apo Puçini kishin patur kur hidhnin notat në pentagram.
Të gjej në ato çaste kur më krihje flokët me dy bishtaleca, kur, pa përtuar, me çoje përditë me biçikletë në shkollë… Të gjej gjysh…, të gjej në agoninë e operacionit by pass në zemër… Si do të ishte, vallë, jeta jote që ti kishe ëndërruar me stil perëndimor? Ndoshta do të kishe famën e Pavarotit, ndoshta dhe peshën e tij, por unë nuk do të te ndërroja kurrë me njeriun, shqiptarin e njohur Xhoni Athanas…Vajza e madhe, Mirela, i kushton të atit vargje: “/ Babi im i mirë…/ Me duket sikur zërin tënd të bukur,/ E kam dëgjuar e para unë/ Me nina-nanat e ëmbla/ Kur më vije në gjumë./ Ndërsa mbesa, Xhulia, i dhuron gjyshit tingujt e pianos luajtur nga duart e saj të vogla.
Ishte mesditë e bukur e 23 nëntorit 2004 kur në sheshin para Bashkisë së Bostonit ishin mbledhur qindra shqiptarë, burra, gra, fëmijë, djem të rinj, vajza, disa me kostume kombëtare. Gjithsecili e quante privilegj të madh të ndodhej në këtë manifestim të ngrohte festiv, gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit shqiptar në Boston, për herë të parë në histori. “Mos harroni flamurin!” pat thënë dikur Faik Konica — flamurin, simbolin e qëndresës, simbolin e bashkimit, simbolin e ardhmërisë.
Ishte mallëngjyes çasti kur këngëtari ynë i mirënjohur Xhoni Athanas i këndoi e i ndjeu thellë këto “simbole” gjatë interpretimit të himnit të flamurit shqiptar. “…Kur fillova të kendoja vargun e parë, “Rreth flamurit të përbashkuar”, – tha me një zë prekës artisti Athanas,- m’u duk sikur këndoja për herë të parë në jetën time. Kam kënduar në opera e në qindra koncerte brenda e jashtë atdheut, kam dhënë shfaqje në komunitetin e Bostonit e rrethinat për vite me radhë, por emocionin e ditës së sotme nuk e kam ndier kurrë! Të këndosh në sheshin më të rëndësishëm të Bostonit, ndërsa flamuri ynë kombëtar nderohet nga flamuri amerikan, është një tejndjeshmëri për cilindo, është një nder për mua si artist.”- tha ai i entuziazmuar.
Koncerti i paharruar që ka marrë pjesë Xhoni është ai i qershorit 2005, titulluar “Buqetë këngësh dhe vallesh shqiptare” me pjesëmarrjen edhe të grupit të valleve “Bashkimi” të Bostonit, përgatitur nga mjeshtëri i valles, Bashkim Braho. Koncertin e Massachusettsit e nderoi me pjesëmarrjen e saj edhe këngëtarja e mirënjohur e komunitetit shqiptaro-amerikan, Merita Halili. Koncerti u dëgjua nga më shumë se 500 spektatorë e u vlerësua si një sukses i arritjeve të artistëve shqiptarë në Boston. Mbresa të veçanta në këtë koncert la kënga “Lulebore”, e cila u këndua nga Xhoni dhe Merita dhe u shoqërua me duartrokitje të gjata.
E cilësuar si “Kënga e shekullit” Xhoni Athanas ruan kujtimet më të bukura për këtë këngë shkodrane. “Më kujtohet, – thotë ai,- kur kam ardhur në Tiranë në vitin 1948, dhe kënga e kompozitorit Simon Gjoni, “Lulebore” sapo kishte mbërritur nga Shkodra. Pa dyshim, kënga “Lulebore” u bë menjëherë shumë e dashur për spektatorin shqiptar, – vazhdon Xhoni. – Ne, solistët e Ansamblit të Ushtrisë e këndonim në çdo koncert tonin, në rrethet e ndryshme të Shqipërisë. Kjo këngë i kaloi edhe kufijtë e atdheut. “Lulebore” u këndua në festivalin e Berlinit me 1949-1950 nga A. Mula dhe në festivalin e Bukureshtit më 1953, nga Tukiçi-Mula. Por kënga “Lulebore” është bërë e njohur më shumë në Rusi. Gjatë viteve studentore, 1952-1957, ne, grupi i “Lulebores”, Mula-Tukiçi, Xhemali-Athanas, etj. e kemi kënduar me dhjetëra herë, në koncerte të ndryshme në sallat më të rëndësishme në Moskë, S. Petërsburg, Kiev, Odesa, Minsk, etj. Shpesh herë, kur ne këngëtarët e “Lulebores”, shëtisnim në një nga rrugët kryesore të Moskës me emrin “Gorki”, shumë qytetar dhe sidomos vajzat, na përshëndesnin, duke na thërritur, “Podsnjezhnik”,- përfundon Xhoni.
Sot, në ceremoninë e dorëzimit të Medaljes së Mirënjohjes dhe festimit të 80-vjetorit të lindjes, do të dëshironim t’i dhuronim artistit tonë të dashur një buqetë me lulebore shqiptare me urimin: “Rrjedhtë e mos pushoftë kurrë kënga jote, Xhoni!”
“Medalja se Mirenjohjes”
Presidenti i Republikës e dekoroi “Artistin e Merituar” shqiptar Xhoni Athanas më 12 dhjetor 2005, me motivacionin: “Për karrierë të gjatë artistike në skenën e Teatrit të Operas e të Baletit, për prezantimin me dinjitet të muzikës shqiptare brenda e jashtë kufijve, për interpretimin e parë të figurës së Gjergj Kastriotit në operën “Skënderbeu” të kompozitorit Prenk Jakova.”
Burimi:www.shkoder.net Kuinsi, Mass, 5 nëntor, 2006 Rozi Theohari, Boston / KultPlus.com
Një ajsberg gjigand në Antarktik po shkëputet drejt territorit të Gjeorgjisë jugore. I njohur ndryshe si A68a, gjigandi i akullit është në një madhësi të ngjashme me ishullin e Atlantikut Jugor. Shkencëtarët thonë se ekziston një mundësi e fortë që ai të ankorohet në det të hapur, duke rrezikuar pinguinët dhe fokat e Arktikut.
“Ekosistemet mund dhe do të lëvizin përsëri natyrisht, por ekziston një rrezik që nëse ky ajsberg qendron, mund të jetë aty për 10 vjet,” tha Prof Geraint Tarling nga Anketa Britanike e Antarktikut (BAS). “Dhe kjo do të bënte një ndryshim shumë të madh për faunën”, nënvizon ai. Rrugët normale të kërkimit të kafshëve mund të bllokohen, duke i penguar të ushqejnë siç duhet të vegjlit e tyre. Dhe është e vetëkuptueshme që të gjitha krijesat që jetojnë në fund të detit do të shtypen aty ku prek A68a.
A68a ka pamjen e një dore me një gisht drejtues dhe gjendet në këtë “rrugicë ajsbergu” që kur u lirua nga Antarktida në mes të vitit 2017. Tani është vetëm disa qindra km në jugperëndim të Gjeorgjisë Jugore. Përafërsisht me madhësinë e qarkut anglez të Somerset (4200 km katrore), ajsbergu peshon qindra miliarda tonë.
Territori britanik ngjan me një varrezë për ajsbergët më të mëdhenj të Antarktidës. Kur kolosi A38 u vendos në Gjeorgjinë Jugore në 2004, zogjtë e vegjël të pinguinëve të vrarë dhe këlyshë fokash u gjetën në plazhet lokale./ KultPlus.com