Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë. Është viti 1941…, Pejë!
“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.
Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.” / MekuliPress/ KultPlus.com
Ndonëse historia jonë është e kurorëzuar me ngjarje të rëndësishme falë veprimtarisë së individëve të shquar, një rol tejet të madh ka edhe Parashqevi Qiriazi. Pikërisht për të vlerësuar figurën e saj të madhe, në Bibliotekën Kombëtarë të Kosovës në Prishtinë u promovua ditari i saj si dhe u shfaq dokumentari për të, shkruan KultPlus.
Parashqevi Qiriazi e cila tanimë me kontributin e madh për arsimin, kulturën dhe diplomacinë shqiptare është kthyer në mësuese të mbarë popullit, kësaj here i erdhi publikut kosovar përmes dorëshkrimeve të saja, nën titullin “Ditari i Parashqevi Qiriazit, Ditët e mia në Konferencën e Versajës” dhe fjalëve të të tjerëve për të.
Holli i Bibliotekës Kombëtare mirëpriti profesor universitar, përfaqësues institucionesh e kontributdhënës të kulturës për të ndjekur aktivitetin kushtuar Qiriazit në 50 vjetorin e vdekjes së saj. Përderisa të pranishmit morën ulëset, Valdeta Kasapi filloi moderimin, duke i uruar pjesëmarrësve shikim të mbarë për dokumentarin i cili shpalosi jetën dhe veprën e Qiriazit.
Figura të rëndësishme dhe njohës të kontributit të saj, kishin përzgjedhur fjalë të veçanta për të kujtuar Qiriazin në dokumentarin e përgatitur nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve dhe Instituti për studime shqiptaro-protestane në Tiranë.
Dokumentari i cili përveç fjalimeve, përbënte fotografi që nga fëmijëria e deri në moshën më të vonshme të Qiriazit, dokumente e dorëshkrime të saj, nuk mbeti vetëm nën hijen e syrit të publikut kosovar. Pikërisht në ato momente, kjo përmbledhje po shfaqej edhe në Paris, përkatësisht në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-së.
Pas dokumentarit, foltorja u hap për organizatorët për të nderuar figurën e ndritur të Qiriazit. Kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur, Jahjaga Lluka theksoi rëndësinë e unifikimit të shqiptarëve dhe punës së vazhdueshme për faktografimin e individëve dhe ngjarjeve të rëndësishme të historisë kombëtare.
Në anën tjetër, kryetari i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve, Skender Asani theksoi se mos bërja mjaftueshëm për figurën e kësaj gruaje të madhe shqiptare e shtyu këtë institucion që të publikonte ditarin e Qiriazit.
“Ne sot përmes ditarit dhe filmit dokumentar po prezantojmë një episodë të shkurtër nga jeta e Parashqevi Qiriazit sepse emri i saj është shumë më i madh dhe mbetemi me shpresë që profili i plotë i kësaj gruaje shqiptare do të studiohet nga ekipet e specializuara”, u shpreh drejtori i Institutit.
Ai shtoi se familja Qiriazi paraqesin shiritin e çmueshëm të memories kombëtare, duke përmendur mësonjëtoren, Kongresin e Manastirit dhe përpjekjet shekullore për Pavarësi.
“Familja Qiriazi me përpjekje titanike ishte prej flakadanëve kryesor që kësaj ngjarje i hapi udhën dhe shtigjet e errëta të historisë”, tha Skender Asani.
Tutje, drejtori i Institutit shprehi dëshirën e tij që Parashqevi Qiriazi të shndërrohet në pasaportë kulturore e diplomatike për shtetin e Kosovës.
Në anën tjetër, për të folur në cilësinë e kritikut letrar i pranishëm ishte edhe publicisti Emin Azemi. Ai tha se Ditari i Qiriazit “Ditët e mia në Konferencën e Versajës” shpalosin angazhimin e drejtpërdrejtë të një gruaje shqiptare në ngjarje madhore të kohës.
“Ditari që tanimë kemi në duar dëshmon që një prej hallkave që lidhte gjithë ato ngjarje të bujshme në prag dhe pas Konferencës së Versajës ndodhi në duart e brishta të Parashqevi Qiriazit, që atëherë as që e dinte se po e shkruante diplomacinë shqiptare”, theksoi Emin Azemi.
Tutje, publicisti shtoi se shënimet e marra nga Qiriazi nga 1 janari e deri më 26 tetor të vitit 1990 janë përmbledhje e një kronike autentike mbi zhvillimet në prag të Konferencës së Versajës dhe pas saj.
“Pasi ta kemi lexuar këtë ditar do të mbetemi për një çast të fikësuar me një pyetje: “Si ka arritur kjo grua e shquar, e rrethuar me vetminë e dilemave delikate që shtronte koha kur nuk mjaftonte as fuqia e dhjetëra burrave për të ça akullin e refuzimit ndaj çështjes shqiptare?”, vlerësoi Azemi.
Emin Azemi tha se ky ditar i shkruar me shkrim dore dhe e konceptuar si një agjendë ngjarjesh ditore, do të shërbej për hulumtim dhe frymëzim për studiues, historian, shkrimtarë e skenaristë të shumtë, duke qenë se Parashqevi Qiriazi arriti të përhapte zërin e kombit shqiptar.
“Ajo arriti të bëhej zëdhënëse e kauzës shqiptare në një konferencë ndërkombëtare ku logjika e ftohtë e gjeopolitikës ishte më e ashpër se dëshirat dhe aspiratat e shqiptarëve për të jetuar brenda një sovraniteti të pacenuar territorial e kombëtar”, tha për fund Azemi.
Parashqevi Qiriazi përbën një ndër personat më të rëndësishëm të historisë, e që dëshmon edhe për fuqinë dhe përkushtimin e grave pavarësisht periudhave kohore. / KultPlus.com
Libri “A Promised Land” që në shqip përkthehet “Një tokë e premtuar” ku ish-presidenti amerikan, Barack Obama ka shkruar kujtimet e tij është shitur në mbi 3 milionë kopje, pavarësisht se ka vetëm një muaj që ka dalë në treg.
Shtëpia botuese “Crown” ka njoftuar se shitjet e “A Promised Land” kanë arritur në 3.3 milionë në SHBA e Kanada dhe se libri përparon drejt rrugës për t’u bërë një prej kujtimeve të ish-presidentëve që është shitur më shumë në kohët moderne.
Në “A Promised Land” i cili është një nga dy vëllimet e planifikuara, trajtohet zgjedhja e Obamas si president në vitin 2008 dhe periudha e parë e tij.
Ndërkohë që ende nuk është deklaruar ndonjë datë për botimin e vëllimit të dytë, përcjell tch.
Librat “Dreams from My Father” dhe “The Audacity of Hope” që Barack Obama ka shkruar para se të bëhej president kanë arritur shitje në mbi 1 milion kopje.
Ndërsa librat e ish-presidentëve “My Life” i Bill Clinton dhe “Decision Points” i George W. Bush arritën shitje nga 3.5 deri në 4 milionë kopje.
Libri “Becoming” i ish-zonjës së parë, Michelle Obama, bashkëshortes së Obamas është shitur në mbi 8 milionë kopje në Amerikën e Veriut që nga viti 2018 kur ai doli në treg. / KultPlus.com
Lidhja e Kombeve, si një Organizatë Ndërkombëtare erdhi fill pas Konferencës së Paqes të Parisit në vitet 1919–1920. Qëllimi i kësaj Lidhjeje ishte çarmatimi dhe parandalimi i luftërave bazuar në një siguri të përbashkët. Grindjet midis vendeve të ndryshme do të zgjidheshin nëpërmjet bisedimeve, mjeteve diplomatike dhe përmirësimit të mirëqenies globale. Filozofia e Lidhjes ishte e ndryshme me atë çfarë njerëzimi kishte bërë ndër shekuj. Ajo nuk do të kishte ushtri, prandaj mbetej të mbështetej tek forca e armëve e Fuqive të Mëdha, në mënyrë që të detyronte zbatimin e rezolutave të saj, të impononte sanksione ekonomike në raste të caktuara ose të mobilizonte forca ushtarake po ta kërkonin interesat e përgjithshëm.
Në të vërtetë një përpjekje e pasuksesshme ishte bërë në vitet 1899 dhe 1907 për të themeluar një organizatë ndërkombëtare të quajtuar Konfederata e Shteteve të Hagës siç e kishte pagëzuar pacifisti neo-kantian Walther Schücking’. Kjo ide ishte frymëzuar nga Emanuel Kanti në një vepër të tij filozofike të njohur me emrin “Paqa e Përjetshme” – një skicë filozofike e vitit 1795. Ky projekt dështoi për t’i lënë vendin një përpjekjeje tjetër, të ndërmarrë nga Sekretari i Jashtëm Britanik, Eduard Grey në vitin 1915. Ideja e këtij të fundit u përkrah menjëherë nga Presidenti Amerikan Woodrow Wilson dhe këshilltari i tij. Koloneli Eduard M. House. Qëllimi ishte të parandalohej gjakderdhja që po ndodhte në Luftën e Madhe. Formimi i një Lidhjeje të tillë pati në themel të saj Katërmbëdhjetë Pikat për Paqen të formuluara nga Presidenti Amerikan, mbi Vetëvendosjen e Kombeve, nga të cilat pika e fundit thoshte se, duhej të formohej një Organizatë e Përgjithshme Ndërkombëtare bazuar në një marrëveshje të veçantë, me qëllim që të sigurojë garanci reciproke për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të shteteve qofshin ato të mëdha apo të vogla. Kjo organizatë u mishërua në atë që njihet si Lidhja e Kombeve, anëtare e 42–të e së cilës u bë Shqipëria, falë mbështetjes së pakursyer të britanikëve.
Roli i Britanisë në anëtarësimin e Shqipërisë
Për të ardhur deri tek anëtarësia e vendit tonë në Lidhjen e Kombeve duhej të ishin patjetër në mbështetje Britania e Madhe dhe SHBA. Ndërsa Eduard Grey e kishte treguar interesin e tij për Shqipërinë në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913, në Londër, do të duhej Presidenti Amerikan Wilson që të siguronte ekzistencën e shtetit tonë në Konferencën e Paqes në Paris, 1919. Në këtë akt, rol të rëndësishëm kanë luajtur Vatranët e Amerikës nëpërmjet të delegatit të tyre në Konferencë, Reverend Charles Telford Erickson-i, pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Turhan Pasha. Kjo jo vetëm do të ruante kufijtë e 1913-ës, por do të hapte rrugën për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhje. Për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombëve kanë ndikuar dy elementë shumë të fuqishëm:
· Presidenti Wilson, i cili e mbrojti Shqipërinë në Paris, duke e shpëtuar nga copëtimi që i kishte rezervuar Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915;
· Lobimi i fuqishëm i anglezit Aubrey Herbert, me delegacionin britanik të përbërë ose alternuar prej Lordit Robert Cecil, Lordi Balfour dhe historianit M. Fisher.
Kështu veprimi i parë e ndihmoi të dytin. Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësi në dhjetor të vitit 1920. Raportin e nënkomisionit për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë, e mbajti Lordi Robert Cecil, përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar, mik i afërt i Aubrey Herbert-it. Ai në argumentet e veta rreth Shqipërisë tha se, ndonëse kufijtë e Shqipërisë ende nuk janë përcaktuar përfundimisht, fakti që vendi ekziston prej disa vitesh brenda këtyre kufijve, e vërteton ekzistencën e tij si shtet. Ndonjë rregullim i mëtejshëm mund t’i lihej së ardhmes. Lordi Cecil tha se Shqipëria duhej pranuar pasi:
“Ajo prej virtytit përbënte një komb me dëshirë të njëzëshëm të banorëve të vet.”
Ajo çfarë Lordi Robert Cecil kërkoi në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve nuk gjeti përkrahje për shkak të lakmive të fqinjëve dhe shteteve që i mbështesnin ata. Megjithatë, ai lëshoi një apel të fuqishëm për anëtarësimin e Shqipërisë, i cili pati një efekt të jashtëzakonshëm. Në fjalën e tij ai deklaroi:
“Njohja fillimisht e sjell shtetin e ri në familjen e kombeve e më pas, ai vazhdon të ekzistojë që mos të zhduket prej ndonjë pushtimi apo ndonjë marrëveshjeje të përgjithëshme të atyre që e lakmojnë atë; Qeveritë herë pas here ose i arrijnë qëllimet, ose dështojnë t’i arrijnë, por kur ekziston shteti si shtet, ai mbetet.”
Falë kësaj këmbënguljeje të Lordit Robert Cecil në Komisionin e Pestë të Asamblesë u deklarua si më poshtë:
“Në tërësi ne jemi të mendimit se megjithëse Qeveria e Shqipërisë nuk është tërësisht në pozitën që i takon, prapëseprapë ajo është një qeveri e cila ka një shkallë të caktuar autoriteti në të gjitha pjesët e vendit dhe padyshim përfaqëson një ndjenjë shumë të fortë kombëtare, e cila shpërfill dallimet fetare. Duket gjithashtu se vendi është i banuar prej një race të pastër shqiptare që flet një gjuhë të përbashkët, atë shqipe.”
Argumentet e Lordit Cecil, si dhe puna e delegacionit shqiptar dhe veçanërisht paraqitja e çështjes shqiptare nga Fan Noli, bënë që Shqipëria të pranohej në Lidhjen e Kombeve më datën 17 dhjetor 1920. Ai në mënyre të veçantë theksoi faktin se:
“Kufijtë e Shqipërisë ishin po ata të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve dhe ajo konferencë nuk ishte abroguar. Ai theksoi faktin se shqiptarët ishin në zotërim të tërë territoreve, përveç një zone në Korçën e liruar nga francezët dhe pushtuar nga grekët.
Në ndihmë të Shqipërisë nga delegacioni britank doli edhe Mr. H. A. L. Fisher, i cili mbështeti fort ruajtjen e integritetit të Shqipërisë dhe gjeti argumente shumë të forta ligjore ndërkombëtare, se përse Lidhja e Kombeve dhe Konferenca e Ambasadorëve, si dy trupa ndërkombëtarë nuk duhet të ndërthureshin në veprimtarinë e tyre në çështjet e kufijve të Shqipërisë, siç kërkonin fqinjët lakmitarë të vendit tonë. Ai deklaroi tekstualisht:
“Këshilli i Lidhjes së Kombeve e vlerëson si të pakëshillueshëm që të merret njëherësh me të njëjtën çështje”.
Ai shtoi se marrëveshja midis shteteve anëtare e përjashtonte ipso facto marrjen me çështjen e kufijve të Shqipërisë nga ana e Lidhjes së Kombeve.
Më 4 korrik 1921, Kryeministri shqiptar Vrioni, paraqiti në Asamblenë e Lidhjes një apel ku i kërkonte Lidhjes të mos njihte asnjë shmangie nga kufijtë e caktuar prej Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913. Më datën 2 shtator 1921, u miratua një raport i përgatitur prej Lordit Balfour, ish Sekretar i Jashtëm i Britanisë dhe një ndër arkitektët e Lidhjes së Kombeve. Ai i doli zot Shqipërisë, duke e përmbledhur në tri fraza të përgjithshme tërë thelbin e kësaj çështjeje. Andaj ai udhëzoi:
· Asamblesë t’i kërkohej nga Shqipëria që të vepronte për përcaktimin e kufijve, ndërsa Këshilli të ndalonte dhunimin e tyre;
· Çështja e statusit të Shqipërisë të zgjidhej përfundimisht me pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve;
· Trajtimi i pakicave rridhte jo nga Traktati i Paqes, por nga Rezoluta e Asamblesë së Lidhjes.
Këto ide të Lordit Balfour u pranuan dhe kjo pati një ndikim shumë të madh në mbarëvajtjen e punëve të mëpastajme të Shqipërisë.
Me 4 tetor, në komisionin e gjashtë të Lidhjes, u paraqit një rezolutë nga prej Lordit nga Afrika e Jugut, Robert Cecil për kufijtë, e cila pas shumë debatesh, pas kuintave, kaloi e plotë duke i bërë një shërbim tjetër të madh çështjes shqiptare. Një kombinim i britanikëve Balfour – Fisher – Cecil nën ndikimin e kolonelit Aubrey Herbert, në Lidhjen e Kombeve, zgjidhi shumë probleme që nxirrnin herë grekët, herë jugosllavët, e herë italianët në forma të ndryshme, sa për pretendime territoriale, ashtu edhe për trajtim të pakicave. Kështu u ra dakord për dhënien e shtetësisë çdo banori të Shqipërisë që kishte mbi dy vjet që jetonte aty pa dallim feje apo etnie. Po kështu lejohej përdorimi i çfarëdolloj gjuhe, por shqipja do të ishte gjuha zyrtare. Gjuha amtare sigurohej të përdorej në gjykata dhe fëmijët e minoriteteve të mësonin gjuhën e nënës së tyre.
Shqetësimet në kufi me Jugsllavinë bënë që kabineti qeveritar britanik t’i kushtonte rëndësi të madhe çështjes së Shqipërisë. Është kjo arsyeja pse britanikët shpallën njohjen e Shqipërisë si qeveri de jure e të gjithë shqiptarëve. Këtë akt e pasuan edhe fuqitë nënshkruese të Konferencës së Ambasadorëve: Franca, Italia, Japonia, duke e njohur qeverinë e Tiranës si një shtet konstitucional të pavarur dhe sovran.
Por siç dihet, telashet me fqinjët Shqipërisë nuk iu ndanë asnjëherë. Është përsëri Lordi Balfour, i cili më datën 12 mars të vitit 1922, paraqet në prani të përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre të Komisionit të Lidhjes raportin e mbikëqyrjes së kufijve, në të cilin thotë se:
“…komisioni edhe pse ka vënë re se ka një pakicë greke, (në Korçë) prapëseprapë, vëren se “qyteti është substancialisht i banuar nga shqiptarët dhe është pjesë e tokës shqiptare.”
Anëtarësimi i Shqipërisë mban padyshim vulën e përpjekjeve të patriotëve shqiptarë, por si në çdo moment tjetër të zgjidhjes së çështjeve të mëdha të kombit tonë në shekullin e njëzetë, britanikët gjenden aty. Se si vajti puna me Lidhjen e Kombeve dhe ecurinë e shtetit shqiptar është një temë shumë e gjerë, por nuk mund të lihet mënjanë për asnjë çast kontributi i jashtëzakonshëm i britanikëve dhe pikërisht: Aubrey Herbert, themelues i Komitetit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Edith Durham, Lordit Robert Cecil, Lordit Balfour dhe delegatit britanik H.A.L Fisher.
Përfundimi i Lidhjes së Kombeve
Lidhja e Kombeve funksionoi deri në vitin 1945, kur vendin e saj e zuri Organizata e Kombeve të Bashkuara e themeluar në Konferencën e San Franciskos më datën 24 tetor 1945. Kjo është edhe data kur festohet themelimi i OKB-së. Shqipëria nuk u ftua të merrte pjesë në atë konferencë. Megjithatë, “Vatra” si përherë iu gjet atdheut në krahë dhe dërgoi amerkanin Charles Telford Erickson, i cili gjatë gjithë jetës së tij aq aktive pro-shqiptare, e “bombardoi” me letra Presidentin Truman për të drejtën e Shqipërisë që të ishte pjesë e kombeve të qytetëruara. Shqipëria, u pranua vetëm më datën 14 dhjetor 1955 si anëtare e Kombeve të Bashkuara. Sot objektivi kryesor i diplomacisë shqiptare dhe i tërë shtetit shqiptar është anëtarësimi i shtetit tjetër shqiptar, Republikës së Kosovës në këtë organizatë. / KultPlus.com
Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC) në raportin e tij të fundit përcaktoi rekomandimet globale në lidhje me sigurinë e pasagjerëve për të rritur kërkesën për udhëtime, për të përshpejtuar rikuperimin e sektorit nga efektet e pandemisë dhe për të përgatitur këtë industri për krizat e ardhshme.
Ky këshill shprehet se zgjidhja për udhëtime të sigurta dhe të sigurta të pasagjerëve është në teknologjitë inovative të tilla si biometria e pasagjerëve dhe se në këtë mënyrë rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës mund të inkurajohen më tej.
Këshilli sheh një zgjidhje në krijimin e një identiteti dixhital unik për secilin pasagjer. Secili identitet do të përmbajë të dhënat e tyre themelore biografike, si dhe të gjitha informacionet shtesë të nevojshme si historia e udhëtimit, prova e imunitetit ose karta e vaksinimit, shkruan Tumagazine, transmeton Gazeta Express.
Përdorimi i identiteteve biometrike dixhitale përmirëson efikasitetin dhe eliminon nevojën për kontrolle të shumëfishta manuale, të cilat jo vetëm që zvogëlojnë mundësinë e mashtrimit, por lejojnë lëvizjen më të shpejtë, të pandërprerë dhe efikase të më shumë udhëtarëve përmes infrastrukturës ekzistuese. / KultPlus.com
Kryeparlamentarja dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim sot në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga atje ajo rrëfeu një histori që ndërlidhet me familjen e saj. Osmani rrëfeu se si xhaxhai i nënës së saj është varrosur për së gjalli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Ajo tha se si historia e familjes së saj, ka edhe me mijëra të tilla të familjeve tjera shqiptare.
“Përgjatë historisë sonë shumë familje janë ndarë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, pra vëllai tjetër Sylejman Vuçitërna kryetar i Akademisë Ushtarake në Shqipëri kishte mbetur këtu në Shqipëri por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjes në të dy anët e kufirit është histori e qindra familjeve shqiptare e mijëra familjeve shqiptare”, ka thënë ajo. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Projekti Maat është themeluar në vitin 2013 me qëllim që të mobilizojë shoqërinë për të luftuar varfërinë e skajshme në Kosovë. Ky projekt bashkëpunon me institucione arsimore, biznese vendore dhe donatorë individual për të mbledhur fonde, produkte ushqimore dhe produkte higjienike për familjet që jetojnë në varfëri të skajshme. Çdo fundvit, të gjitha produktet e mbledhura dhurohen për familjet e regjistruara në Kryqin e Kuq të Kosovës.
Që nga viti 2013, Projekti është organizuar çdo fundvit duke rritur numrin e familjeve që kanë përfituar pako humanitare nga 13 familje në vitin e parë në 250 familje në vitin 2019!
Si mund të kontribuojë për Projektin Maat?
Të gjithë të interesuarit mund t’i bashkohen Projektit Maat duke dhuruar fonde për familjet skamnore përmes platformës GoFundMe.
Projekt Maat ka mbledhur rreth 3,700 EUR nga anë e mbanë bota gjatë viteve. Këtë vit ekipi i Projektit Maat shpreson që më shumë persona do t’i bashkohen qëllimit të projektit për të lehtësuar jetët e familjeve në stinën e ftohtë të dimrit.
Si funksionon Projekti Maat në institucione edukative?
Në shkolla private dhe publike vendoset një bredh i Vitit të Ri i cili është i dekoruar me karta të Projektit Maat ku shënohen produktet e nevojshme (qumësht, supë, miell, sapun, etj). Nxënësit marrin nga një kartë nga bredhi i shkollës dhe sjellin produkte të ndryshme në baza vullnetare. Këtë vit produktet do të mblidhen prej datës 07 Dhjetor deri me datë 18 Dhjetor 2020.
Qëllimi i projektit është i dyfishtë:
– Të lehtësojmë vuajtjet e familjeve skamnore në Kosovë në stinën e ftohtë të dimrit, dhe
– Të mobilizojmë fëmijët dhe nxënësit e Kosovës në luftën kundër varfërisë së skajshme duke i frymëzuar për qytetari më aktive dhe ndryshime pozitive në shoqëri.
Si mund të dhurojnë bizneset vendore për Projektin Maat?
Bizneset vendore mund të bëhen partner të Projektit Maat duke dhuruar produkte të ndryshme ushqimore dhe higjienike për familjet skamnore në Kosovë. Kompani të ndryshme si Union, Lesna dhe Fresh kanë dhuruar miell, oriz, fasule, detergjent, dhe mobilje për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë. Gjithashtu, bizneset shërbyese mund të dhurojnë fonde në platformën e lartëpërmendur GoFundMe.
Partnerët e Projektit Maat në vitin 2020: Kryqi i Kuq i Kosovës, GEKOS, Sach Pizza / Sach Caffe, British School of Kosova, Shkolla Finlandeze, Gjimnazi Loyola, Kolegji Universum, American School of Kosova, JonaMed, Akademia e Fëmijëve Loja, Montessori School of Kosova, Maarif School, AMA Kopshti, Innovation Centre Kosova, Meridian Express, Digi Print, Lesna Max, Sogody, IPKO, 4-H, Rotaract, donatorë individual. / KultPlus.com
Përderisa arti në Kosovë shpesh bie ‘pre’ e mentalitetit dhe nuk arrin të jetë fushë tërësisht e lirë shprehëse, disa nga artistët po vazhdojnë t’i sfidojnë këto ‘stagnime’ nëpërmjet krijimtarisë së tyre. I tillë është edhe Artan Hajrullahu, i cili nëpërmjet ekspozitës së tij “Kashta e Kumtrit” në Paper Gallery shfaq dimensione të cilat mbesin nën pluhurin e mbulimeve moralistike, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet pikturave të tij në kartone të vogla, artisti Hajrullahu depërton thellë në shoqërinë shqiptare, veçse duke e sjellur atë me një pamje krejtësisht ndryshe. Përderisa vet krijimi i familjes kalon nëpër procese intime, përbrenda mentalitetit vazhdojnë të ekzistojnë gjykime se nuk duhet të flitet e paraqitet publikisht këto relacione. Mirëpo, Artan Hajrullahu e ka bërë të kundërtën, duke e përdorur artin për të sjellur natyrshmërinë e jetës njerëzore në kombinim me seksualen, të cilën ia sjelli syve të publikut që nga 4 dhjetori në Paper Gallery të Gazmend Ejupit.
Për të marrë më shumë detaje për qëllimin dhe mesazhet e kësaj ekspozite, KultPlus ka realizuar një intervistë me kordinatoren e kësaj Galerie, Rina Statovci.
Për ekspozitën, kurimin e së cilës e kryen Galeria, Rina shprehet se bashkëpunimi me artistin ka qenë tejet i lehtë.
“Gjithë procesi i kurimit të pikturave nuk ka qenë aspak i vështirë dhe me Artanin e kemi një bashkëpunim tejet të mirë. Koncepti e titulli që e kemi vendosur ka ardhur si fryt i këtij bashkëpunimi”, thekson Statovci.
Kordinatorja e Galerisë Paper ekspozitën “Kashta e Kumtrit” përtej si thirrje artistike, e sheh edhe si një ndërlidhje me aktualitetin global.
“Diçka që na ka munguar tepër shumë këtë vit ka qenë intimiteti, prekja e përqafimi me njerëz. Këto piktura shfaqin këtë ndjenjë sepse për shkak të Covidit është pak më e vështirë ti realizojmë këto ndjenja”, thotë ajo.
Në pikturat e varura në muret e Paper Gallery shohim protagonistë tërësisht të zhveshur, të cilët përveç që janë lakuriq fizikisht, kanë edhe lakuriqësi ndaj tabuve shoqërore, duke ardhur si një natyrshmëri artistike e realitetit shqiptar.
“Në disa prej pikturave e sheh një shporet, një grua dhe e ke një burrë të zhveshur. Janë dy pjesë që nuk i kanë menduar se do të lidheshin sidomos në botën e artit në Kosovë”, thotë Statovci.
Ndërlidhjen e nostalgjisë shqiptare me erotizëm ajo e vlerëson si të veçantë, e që sipas saj janë dy tema që nuk përputhen edhe aq shumë në Kosovë. Në anën tjetër, edhe titulli i ekspozitës është tërheqës dhe ka një simbolikë përbrenda saj.
“Këto piktura ta dhurojnë një ndjesi shpirtnore kur i sheh dhe lidhet me temën tradicionale shqiptare, andaj kemi vendosur ta gjejmë një fjalë të vjetër shqiptare që mundet me iu përshtat kësaj ekspozite”, sqaron Rina Statovci.
Tutje ajo thotë se emërtimi në gjuhën angleze e kësaj ekspozitë është “Millky Way” apo “Rruga e Qumështit”, mirëpo mishërimi me traditën shqiptare bëri që këto vepra të kenë vetëm titullin autentik shqip.
“Kashtra e Kumtrit” me definicion është “Milky Way” dhe për shkak që pikturat janë të vogla dhe galeria është hapësirë pak më e madhe, atëherë këto konsiderohen si yje që i shohim nga Rruga e Qumështit. Kjo ka qenë ideja pse e kemi lënë këtë titull, për shkak se ashtu siç janë yjet të ndritura ashtu edhe i vlerësojmë pikturat e Artanit”, tha Statovci.
Rina e çmon mënyrën e shprehjes artistike të Artan Hajrullahut, për të cilin thotë se arrin të pikturoj në kartone aq të vogla, saqë nuk praktikohet i njëjti stil nga ndonjë artist tjetër në Kosovë.
Ekspozita e cila ishte 18+ pavarësisht mentalitetit të shoqërisë kosovare, u prit tejet mirë nga publiku dhe këtë Statovci e sheh si një shpresë për edukimin e mëtutjeshëm nëpërmjet artit.
“Ne duhet ta edukojmë shoqërinë më shumë përmes artit, të vijnë ta shohin ekspozitën, ta lexojnë konceptin, të dëgjojnë rrëfimin e autorit. Nëpërmjet këtyre ne arrijmë që dalëngadalë të largohet kjo tabu në Kosovë, sidomos që po përfshihen dy tema që nuk ndërlidhen shumë me njëra tjetrën dhe janë të çuditshme, tradicionalja shqiptare me seksin”, thotë kordinatorja e Galerisë Paper.
Në anën tjetër një kombinim tjetër ndërmjet ekspozitës dhe Galerisë erdhi nëpërmjet emrit që ka ky institucion kulturor, “Paper” si dhe përdorimit të letrës nga ana e Artan Hajrullahut për të shprehur pikëpamjet artistike.
“Është përshtatur Paper Gallery me mënyrën e pikturimit “laps në letër” të artistit. Kjo ka qenë diçka që e ka bërë edhe më të veçantë dhe ka sjell më shumë vlerë për neve si galeri”, theksoi Rina.
“Kashta e Kumtrit” do të jetë e hapur për syrin e publikut deri më 4 shkurt, ndërkaq
Paper Gallery do të vazhdoj të hap dyert edhe për ekspozita e instalacione tjera artistike si dhe me performancat e artistëve. / KultPlus.com
Albumi “Gentivs II” i këngëtarit Genc Prelvukaj po shpalos me radhë këngët e tj përbërëse, shkruan KultPlus.
“Apokalipsa” është projekti i radhës që Genci e ka sjell për publikun.
Një këngë krejt e veçantë, me një tekst të fuqishëm dhe shoqëruar me pamje rrëqethëse e përgatitur në Black Fish Entertainment.
“Premierë Apokalipsa. Është hera e parë gjatë karrierës që shkruaj një temë si kjo. Ju ftoj ta dëgjoni deri në fund. Kjo këngë po ashtu është pjesë e albumit ‘Gentivs II’. E keni në YouTube”, ka shkruar Genci teksa ka shpërndarë këngën e ndjekësit e tij në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Maskat duhet të mbahen vetëm një herë dhe të hidhen më pas, por ka shumë njerëz që i mbajnë maskat shumë herë. Studimi i ri ka treguar se çfarë saktësisht ndodh nëse një maskë mbrojtëse përdoret më shumë se një herë dhe sa e keqe është në të vërtetë.
Gjegjësisht, shkencëtarët nga Universiteti Lowell në Massachusetts dhe Universiteti i Kalifornisë Baptist pohojnë se rezultatet e hulumtimit të tyre treguan se përdorimi i përsëritur i një maske mbrojtëse është më i keq sesa mosmbajtja e maskës.
Sipas Daily Mail, shkencëtarët përdorën maska kirurgjikale me tre shtresa, lloji më i zakonshëm i maskave të disponueshme. Kur përdoren siç duhet, domethënë një herë, ato mund të filtrojnë deri në tre të katërtat e grimcave që zakonisht gjenden në ajër dhe që janë kryesisht vendimtare për infeksionin.
Sidoqoftë, nëse këto maska përdoren më shumë se një herë, ato mund të filtrojnë vetëm një të katërtën e pikave. Kjo ndodh sepse maskat deformohen, thonë ekspertët.
“Shumica e njerëzve mendojnë se çdo maskë është më e mirë se asnjë, por kjo nuk është e vërtetë”, tha bashkëautori i studimit, Dr. Jinshang Shi, profesor në Universitetin Lowell.
Ai vuri në dukje se një maskë e disponueshme, nëse përdoret më shumë se një herë, mund të filtrojë grimca më të mëdha se pesë mikrometra, por jo më pak se kaq.
Ky hulumtim u botua në revistën mjekësore Physics of Fluids, dhe shkencëtarët u morën me çështjen e lëvizjes së aerosolit. Shkencëtarët monitoruan saktësisht se ku dhe si bien aerosolet në maskë dhe nëse ato hyjnë në hundë dhe mushkëri.
Shkencëtarët kanë mësuar se kur njerëzit kanë maska në fytyrë, kjo ndryshon mënyrën e lëvizjes së ajrit rreth fytyrës së tyre, në mënyrë që ajri të mos hyjë direkt në hundë ose gojë, por të kalojë nëpër sipërfaqen e të gjithë maskës me shpejtësi të ulët.
Kur maskat e disponueshme janë të reja, ato filtrojnë rreth 65% të grimcave. Sidoqoftë, nëse vendosen përsëri, ato mund të filtrojnë vetëm 25%. Prandaj, përfundimi i shkencëtarëve është se maskat e disponueshme kirurgjikale ofrojnë mbrojtje shumë të mirë – por vetëm nëse ato përdoren siç duhet, dmth vetëm një herë. /Express/ KultPlus.com
Esad Mekuli lindi në Plavë më 17 dhjetor të vitit 1916. Ishte poet dhe përkthyes shqiptar. Më 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoratën në Beograd më 1959.
Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.
Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare.
Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Esad Mekuli vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993./ KultPlus.com
‘Jeta nuk është asgjë tjetër, veçse një shfaqje teatrale’– Mixha Ramë
“Babi ka qenë njeri i një tjetër konteksti shoqëror, ndryshe ka operu” fillon rrëfimin e saj Besa Domi.
“Një fëmijë i lazdrum, ndoshta i lazdrum prej shoqnisë e dashnisë, mirëpo shumë pak e dijnë që si Fitim e ka pasë një jetë shumë të rënduar. Për mua sot osht krenari si Besë me u identifiku me humorin e tij, e mbaj në ballë identitetin prej tij. Të gjithë ata që e kanë njohur babin edhe si Fitim edhe si Mixha Ramë, e më flasin për të me shumë dashni e respekt, unë ndihem skajshmërisht e përkëdhelun”.
Besa Domi e ka një tregim plot bukë të ëmbël e kripë me shije tmerri, kur flet për babain e saj, Mixhën Ramë.
Artisti e humoristi i njohur, i cili me mjeshtëri gërshetoi satirën, ironinë e talentin, e krijoi karakterin e Mixhës Ramë, një prej personazheve më të dashura për shqiptarët, të cilët ishin të etur për të qeshura e për batuta e mesele nga më të mirat. Humoristi sot njihet më pak prej gjeneratave të reja, por prindërit tanë e njohin edhe e kujtojnë mirë Mixhën Ramë, humorin e tij, kasetat e kaltërta prej nga jehonte zëri i Mixhës Ramë në shtëpitë e çdo shqiptari. Jeta e Mixhës Ramë nuk njihet shumë për publikun, dhe këtë jetë e shpalosë me përjetimet e saj Besa Domi, vajza e Fitim Domit – Mixhës Ramë.
*
Nëna e Fitim Domit ishte Zyhra Mula, një ndër themelueset e Radio Prizrenit. Zyhraja, gjyshja e Besës, me të cilën do të udhëtojmë nëpër jetën e Mixhës Ramë, ishte asokohe shoqe e mirë me Nexhmije Pagarushën. Një grua avangarde për kohën e saj, Zyhraja ishte martuar me Qamil Domin, ky me shërbim në Shqipëri. Kësisoj ndodhë që Fitim Domi, fryti i dashurisë së Zyhrasë dhe Qamilit, të lindë në Tiranë, në vitin 1939.
Zyhra Mula
Fatkeqësia e parë që godet jetën e familjes Domi, është një dramë disi e kamufluar, kur edhe Qamil Domi vdes, ndërsa Zyraja, tanimë e vejë, vendosë që Fitimin, djalin e vogël 2 vjeç, ta braktisë.
“Gjyshen nuk e njoh shumë si karakter, por tregojnë që ka qenë një prej grave të para që ka luftu për të drejtat e grave. Feministe. Për çfarëdo arsye, për mua të pakuptueshme, ajo ka vendosë ta lë babin në Prizren, në strehimoren për fëmijët që i kishin humbur prindërit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, babi, për dallim prej të tjerëve që i kishin humbur prindërit, e ka pasë nanën gjallë” tregon Besa, sytë me lot.
Fitimi e përfundon më pas shkollën fillore në Prizren, ndërsa në Prishtinë vjen në shkollën e mesme normale.
“Mendoj që babi ka pasë përjetime të rënda në jetë dhe mekanizmat e tij mbrojtës e kanë detyru atë me e lumturu veten, e kështu është shndërru më pas në një njeri, që i ka lumturu krejt rreth vetes”
Besa Domi, e veshur si Mixha Ramë
Besa tregon se Mixha Ramë nuk ishte pranuar në Akademinë e Arteve në Beograd në atë kohë, edhepse një vit më vonë e kishin ftuar të vijonte studimet atje. Ai refuzoi.
“Babi ka pasë inat të madh dhe shpesh një ego vetë-shkatërruese, që e trashëgoj sot edhe unë fatkeqësisht, dhe nuk ka pranuar të shkojë në Akademi. Më pas ai filloi studimet në gjuhë angleze, dhe kësisoj babi kishte mbetur një aktor i padiplomuar. Në rolin e tij si Mixha Ramë është veshur qysh në moshën 17 vjeçare, me tirqi, pra shumë herët, dhe për mua është shumë mëkat që e ka pasë veç atë rol. Njëra prej dhuntive më të mëdha të aktorëve osht imitimi, jeta, përjetimi dhe mishërimi me rolin, dhe babi e ka pasë këtë dhunti super të veçantë. Kudo që babi ka shkuar, e kanë dashur shumë, edhepse shpesh e mendoj që aktorët profesionalë ndoshta nuk e kanë pranu asnjëherë plotësisht, sepse ai ’nuk ishte i diplomuar’ në aktrim” pohon Besa.
*
Besa tregon se babai i saj ishte njëfarë Don Zhuani, posaqërisht në raport me gratë e jetën.
Martesa e parë e Mixhës Ramë ishte me një serbe të Beogradit. Me dashurinë si shkas, gruaja kishte ardhur të jetojë në Kosovë dhe nga ajo martesë lindin dy fëmijë: Eliza dhe Genci. Çifti nuk kalojnë mirë mes vete, probleme plot, dhe gruaja largohet për në Serbi bashkë me fëmijët, që situata të qetësohet. Pas disa muajsh, pas lutjeve që Mixha Ramë ia bën gruas së tij të kthehet nga Serbia, ajo i merr fëmijët dhe dy prindërit e saj dhe nisen për në Kosovë.
Dhe fatkeqësia e dytë godet jetën e Mixhës Ramë. Ishte tronditur krejt Kosova, asokohe kur del lajmi se të pesë udhëtarët e së njëjtës veturë nga Beogradi për në Kosovë pësojnë aksident, dhe vdesin që të gjithë. Mixhës Ramë jeta ia rrëmben të dy fëmijët dhe gruan e parë.
“Shumë vonë i kam analizu edhe kam reflektu mbi krejt këto ngjarje të jetës së babit. Babi më vonë është njoftu me nanën, Violetën, dhe nga kjo martesë jemi unë edhe motra, Hana. Une gjithmonë e kam ngucë babin se e ka dashtë nanën veç pse ka ka qenë Miss Kosova. Po po, në vitin 1974, me sa më kujtohet nana jeme ka qenë Miss” tregon Besa pa modesti.
Rrëfimi i Besës të ngjan në një ‘llunapark emocional’. Ngjarje, rrëfime e tregime plot ngjyra, edhe nga ato më të errëtat. Periudha kur ajo kaplohet nga ndjenjat, më së shumti, është kur prindërit e saj kishin vendosur të shkëputnin martesën.
“Isha vetëm 5 vjeçe. Për mua nuk ishte Mixha Ramë. Ishte babi im. Dhe ai një ditë vetëm shkoi dhe nuk u kthye më në shtëpi” tregon Besa plot mall e mllef.
Mixha Ramë më vonë ishte martuar një grua nga Maqedonia, e cila tani jeton në Amerikë.
“Po, e kam edhe një motër e një vëlla në Amerikë: Elizën dhe Gencin. U trashëguan emrat e fëmijëve nga martesa e parë, pas tragjedisë. Në këtë banesë ku sot po e zhvillojmë intervistën, babi kishte jetu për disa vjet, e unë me nanën e motrën kemi jetu shumë afër. Pas divorcit, gjyqeve, letrave, jeta jonë ndryshoi komplet” tregon Besa, 38 vjeçare.
Edhe nëna e Besës, si nënë e vetme me dy vajza, mbeti pa punën e saj në Radio Televizionin e Prishtinës, kur regjimi nisi t`i largonte shqiptarët nga vendet e tyre të punës.
“Nana, me gjithë vuajtjet e saj, neve asnjëherë nuk na ka ndaluar kontaktin me babin. Kemi jetuar praktikisht në një mahallë. Pavarësisht nervozave të saj, ajo nuk na ka ndaluar. Në këtë banesë ku jemi tash kam kujtime shumë të çmueshme. Drejt prej shkollës vijsha këtu te babi. Nana nuk na ka ngarku asnjëherë me ndarjen, por mu çka m`ka lodhë e mundu gjithmonë, ka qenë fakti që nana ka qenë e pikëllume edhe e përlotur çdo ditë. Duke mos e anashkalu asnjëherë presionin e shoqërisë së asaj kohe, ajo e ka pasur tejet të vështirë ta përballojë dhimbjen e asaj ndarje. Unë si fëmijë, si çdo fëmijë, kam dashtë me qenë aty ku ka pasëjetë e gjallëri. Një kohë bukur të mirë e kam kalu këtu te babi si fëmijë. Babi nuk ka qenë shumë prezent shkaku i angazhimeve të tij, e nana në anën tjetër është lënduar çdo ditë më shumë” rrëfen Besa.
Mixha Ramë shquhej në opinionin shqiptar të ish-Jugosllavisë si humorist i metaforave. Një kohë të gjatë punoi si redaktor përgjegjës i programit humoristik në ish Radio Prishtinë, ndërsa ishte angazhuar si redaktor në programin kulturo-arsimor në Radio Kosovë.
Paraqitjen e parë para publikut, Mixha Ramë e pati në Gjakovë, ndërsa talenti i ishte zbuluar nga shkrimtari Rifat Kukaj. Kukaj, për një kohë të gjatë i ka shkruar skenaret për skeçet humoristike të Mixhës Ramë, duke e veshur kësisoj një djalë të ri me një rol e petk, të cilin ai do ta mishëronte e do ta performonte deri në ditët e fundit të jetës së tij.
“Përderisa aktorët profesionistë kanë pasur role në filma e teatër, dhe dihet se jo e gjithë Kosova kishte qasje në teatër e film, babi këtu e ka përdorur mjeshtërinë e tij dhe ka arritë me u futë në çdo shtëpi me meselet e tij, përmes radios. Komunikim masiv qysh atëherë. Është e mahnitshme e pothujse magjike, se si babi dhe axha Rifat kanë arritë me e përvetësu karakterin e Mixhës Ramë. Në një botë ideale, edhe aktorit edhe autorit duhet me i flejtë në shpirt roli. Dhe si duket ky kombinim perfekt kishte ndodhur. Ajo çka ka pasuar më vonë, kur babi edhe ka dalë në publik, ka qenë art e aktrim shumë specifik. Stand up komedi? Jo. Nuk ishte stand up komedi. Sepse babi nuk ngjitej në skenë vetëm për të bërë humor. Kishte mesele aty. Kishte mesazhe. Kishte këshilla. Kishte mishërim të çdo teme me pak humor e shumë satirë. Unë këto analiza i kam bërë tash vonë, sepse si fëmijë nuk e kuptoja se çka po flitet, çka po ndodhë. Këto meselet me kunxha nuk i kam kuptuar asnjëherë. Deri shumë vonë, në fakt” tregon Besa.
Në vitin 1994, Besa bashkë me nënën e saj dhe me motrën ishin larguar për në Zvicër, ndërsa Fitim Domi kishte vazhduar të jetojë në Kosovë edhe për një kohë.
“Babin për herë të parë para publikut e kam përjetuar në vitin 1996, në një turne me plot artista nga Kosova. Babi ishte fascinues dhe shumë i dashtun për publikun. Unë atëherë 14 vjeçare. Duartrokitjet për babin nuk kishin të ndalur. Çfarë përjetimi për mua! Një adoleshente me një babë superstar. Nuk e harroj asnjëherë se si publiku gjuante dhurata nga më të ndryshmet në drejtim të babit. Prej zinxhirëve të artë, deri tek orat më të shtrenjta” tregon Besa.
Fitmi kishte një veti interesante dhe të veçantë. Besa tregon se si ai pas koncerteve ndalonte me orë të tëra për ta takuar secilin nga publiku, për ndonjë fotografi dhe për t’ua kthyer gjërat me vlerë. “Oh bab ju kthejsha se mendojsha qe i bijnë pishman e kthehen e i lypin” citon Besa babin e saj duke qeshur me zë.
Në këtë kohë, anipse edhe ajrit i vinte era luftë e barut, Mixha Ramë po vazhdonte me turnetë e tij nëpër Kosovë e diasporë me satirën e tij, e cila po e mahniste popullatën shqiptare, dhe i largonte ata bile për pak çaste nga ankthi, depresioni e frika e luftës.
“Marrëdhënia ime me babin tim ndahet në tri etapa: periudha e fëmijërisë deri te ndarja e prindërve, pastaj periudha post-ndarje, dhe periudha kur babi është kthyer nga Amerika në vitin 2007. Kjo e fundit është më kuptimplotë. Deri sa babi ka jetuar në Amerikë, kontaktin e kishim sporadik. Në vitin 2007 veç kur më thirri, e më tha që po kthehet me jetu në Kosovë. Dhe papritmas, unë në moshën 25 vjeçare e përjetova ndjenjën me pasë babë. E kisha vuajtur mungesën e tij në heshtje” tregon Besa.
Fitim Domi u shpërngul në Amerikë diku në mes të viteve 90-ta, me Bukurijen, gruan e tij të tretë dhe fëmijët. Në vitin 2007 ai kthehet në Kosovë, mirëpo pa Bukurijen. Rrugët me gruan e tij të tretë ishin ndarë poashtu.
“Ndodhi si një kthesë e madhe në jetën time kur babi erdhi nga Amerika. Për mu, atë ditë kur ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës, gjithçka është ndalë. Krejt jetën e kom qitë në pauzë. Për mu ka ekzistu veç babi. Vazhdimisht kom qajtë prej gëzimit, prej ndjenjave. Sa mllef, sa mall, sa vite të humbuna. I thojsha –o bab, nuk po muj me besu që po i thom dikujna bab-. I lashë anash edhe studimet e masterit. 24 orë isha me babin, smujsha me u ngi. Nuk isha e vetme këtu. Edhe publiku kishte pasë etje për të. Krejt mundoheshin me ma marrë babin, e unë e dojsha veç për veti. 2 milion pyetje i kisha për të. Isha e uritur për muhabet, për përgjigjje. Shumë më gjykonin pse unë po e pranoja kaq lehtë babin, se me demek ai na ka braktisë, por unë kisha nevojë me e njoftu babin edhe me e ndëgju atë se çfarë kishte për t’më treguar” thotë Besa.
“Babi, në Amerikë, ka punuar në një fabrikë që prodhonte autopjesë. Kur ka pasë ngjarje që janë organizuar nga shqiptarët, e di që shpesh edhe ka refuzu me shku. Puna fizike e ka lodhë dhe thujse e ka gërryer shpirtin e tij bohem. E kishte lënduar edhe gishtin në fabrikë, dhe sa herë që ia hidhte një sy gishtit, sytë i përloteshin” tregon Besa e mallëngjyer.
“Oh! Unë besoj tani që roli i Mixhës Ramë ishte goxha politik. Vonë e kam kuptuar që babi e ka dashtë shumë Rugovën, dhe përderisa Rugova i fliste ndoshta pjesës intelektuale e diplomatike, babi komunikonte mesazhet e tij, në gjuhën e popullit” sqaron Besa.
*
E kam të pamundur ta thjeshtëzoj tregimin për jetën e Mixhës Ramë, por më duhet që edhe momenteve më të rëndomta dhe atyre më të pezmatuara t’u jap një dozë të humorit, të thumbimit, njëjtë si bënte Mixha Ramë me rolin e shfaqjet e tij para publikut. Gati se njëjtë, e kam të pamundur edhe ta drejtoj e linjëzoj jetën e Mixhës Ramë, prandaj po shëtisim me Besën nga një periudhë e jetës në tjetrën, për ta shoshitur mirë një humorist të kalibrit siç ishte Mixha Ramë.
Mixha Ramë ka lexuar shumë, poashtu e ka studiuar çdo tekst, skeç a tregim që e pranonte.
Për t’iu kthyer edhe pak jetës së tij private, Besa tregon se si nëna e saj, për dallim prej Fitimit të relaksuar, fleksibil, burrit që nuk i dihej ku është në drekë a në darkë, ishte më autoritative, më strikte.
“Nana gjithmonë ka qenë e veshun shumë mirë, gjithnjë e përmbajtun, dhe patjetër: gruaja e Fitim Domit, derisa ishte gruaja e tij” rrëfen Besa për nënën e saj me humor.
“Nanën e adhuroj për menaxhimin e situatës, sepse edhe nëse në shtëpi ka qenë e lodhun dhe e mërzitun, jashtë ajo gjithmonë ka shkëlqyer. Edhe pas ndarjes me babin” tregon Besa.
Kah fundi i tregimit, që është i paktë për jetën e plotë të Mixhës Ramë, sikur kthehemi prapë në fëmijërinë e Fitimit.
“Për gjyshen kishte shumë akuza, por megjithatë babi është kujdesur për të, derisa ka shku në Amerikë. Zyhraja, gjyshja, ka mbetë këtu, deri në vitin 1995 kur ka ndërruar jetë. Mixha Ramë ka qenë shumë i dashtun, për të gjithë, e më së paku për familjen e tij të ngushtë. Kjo mund edhe të tingllojë absurde për shumicën, mirëpo babi ka pasur shumë përjetime të rënda në jetë, e poashtu edhe ka bërë shumë gabime. Unë besoj fuqishëm, pa dashjen e tij. Babit nuk kishte kush t’ia mësonte dashninë e ngrohtësinë e familjes. Atë e kishte gjetur gjetiu. Në shoqni, në publik e në skenë. Dhe atyre pikërisht iu ka falur më së shumti dashni. Ai ka qenë vetëm një produkt i jetës së tij. Mua më dhemb shumë, që as ne ndoshta nuk kemi mbërri me i tregu se sa shume e kemi dashtë” tregon Besa, vajza e Fitim Domit – Mixhës Ramë.
Më 9 qershor 2014, Besa Domi gjatë një pauze të drekës në qytet, pranon telefonatën më të kobshme: që babai i saj kishte ndërruar jetë po atë mëngjes, në banesën e tij.
“Raporti i autopsisë thotë që ishte sulm në zemër. Unë katër ditë para se babi me ndërru jetë, u ndëgjova me të, edhe ashtu si me humor ankohej nga reuma” rrëfen Besa, e përlotur për të buzëqeshur prapë, kur e kujton telefonatën e fundit me babain e saj. “S`po më kujtohet mjeku a m`tha me i shti këmbët në ujë të nxehtë a të ftohtë”, citon Besa babin e saj duke shtuar se asnjëherë nuk e kishte konsideruar serioze ndonjë ankesë nga ai.
”Krejt i kthente në humor. Pastaj ka qenë shume vital. Vdiq 74 vjeçar. Për mua shumë i ri. Sot, dhimbjet më vijnë valë valë. Herë e akuzoj pse më la, e më shpesh kam kujtime të bukura. Ndoshta tingëlloj pak si e çmendur, por unë ende flas me të. Në këtë banesë unë e ndjej praninë e tij, është një vend i sigurtë për mua edhe për djalin tim. Thujse na mbron Aleksandrin edhe mua” tregon Besa.
Nuk preferojmë as Besa, e as unë të bëjmë teatër e dramatizojmë gjërat, por po flasim për jetën e ikonës Mixha Ramë, me humorin që lexohet mes rreshtave të mërzisë dhe jetës së plagosur, që e shoqëroi nëpër vite Fitim Domin.
Besa, dashuri të veçantë ka edhe për këngët e tekstet e këngëve të Fitim Domit. Mixha Ramë edhe kishte kënduar.
“Më së shumti e du ‘E dehun jam’. Babi e ka përkthy, pershtatë e shkru këtë tekst per tezen Nexhmije”.
Në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së Fitim Domit, Besa thotë se pjesa më mbresëlënëse për të ishte prezenca e shokëve e shoqeve të babait të saj, që ishin rritur me të në strehimoren e Prizrenit. Kjo i mjafton Besës, përtej respekteve institucionale nga figurat e politikës.
“Diku në një intervistë babi e tregon një përrallë: Shkon njoni me peshku shpesh dhe vazhdimisht e sheh një tjetër peshkatar, të zemëruar e mërzitun krejt kohën. Ky i pari i thotë të dytit: pse je kaq i mërzitun, nuk po flet me askënd. Hajde me mu shkojmë te njoni që po na bën të qeshim të gjithëve. Peshkatari insiston disa ditë rresht, me e marrë këtë burrë të mërzitur e të vuajtur, për me e argëtu. Dikur i kthehet burri në vaj dhe i thotë: O unë jom ai që po i bëj me qeshë të tjerët.’ Kjo përrallë e babit më shoqëron gjithmonë dhe mendoj që është bukur e thellë edhe i përshtatet saktësisht jetës së Mixhës Ramë” përfundon rrëfimin e saj Besa Domi.
(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)
Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, njëherësh edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës në vizitën dy ditore në Shqipëri ka takuar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçin.
Gjatë takimit me të Osmani ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të marrë qëndrim për krimet e Serbisë në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
“Duhet ndiqet shembulli i Kuvendit të Kosovës, i cili ka miratuar një Rezolutë, me të cilën kërkohet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka theksuar rolin e Kuvendit të Kosovës në bashkëpunimin me atë të Shqipërisë, ndaj ka kërkuar mbështetjen dhe ndarjen e përvojave në procesin e integrimit evropian.
“Duhet ta rrisim bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet të të dy Kuvendeve në funksion të shkëmbimeve ndërparlamentare dhe zhvillimit të diplomacisë parlamentare”, është shprehur Osmani.
Ajo pritet që nga ora 12:30 të mbaj një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Tinka Kurti, artistja e madhe e skenës dhe e kinemasë shqiptare feston sot përvjetorin e 88-të të lindjes.
Kurti lindi më 17 dhjetor te vitit 1932 në Sarajevë. Ajo ka lindur dhe është rritur në një familje artëdashëse pasi nëna e saj në rininë e vet ka qenë aktore kryesore në Teatrin Kombëtar të Sarajevës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Arsimin bazë 7-vjeçar ajo e mori në Sarajevo dhe kur ishte vetëm 13 vjeç familja e saj u shpërngul për në qytetin e Tiranës ku vazhdoi edhe studimet në Politeknikumin e Tiranës.
Sikurse e thotë shpesh edhe vetë Tinka Kurti, ajo rastësisht u regjistrua për të studiuar në degën e Dramës në shkollën e mesme të Dramës së asaj kohe. Shumë pak kohë pasi kishte filluar të ndiqte studimet në këtë specialitet, ajo u përjashtua nga shkolla me motivacionin “shfaqje të prirjeve liberale”.
Ishte pikërisht regjisori Andrea Skanjeti ai që pikasi talentin e saj të jashtëzakonshëm për ta rikthyer Tinkën edhe njëherë tjetër në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane”. Pas themelimit të Teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës ajo bëhet pjesë e trupës si aktore gjysmë profesioniste dhe ishte gjithashtu ndër 10 aktorët që themeluan institucionin e qytetit të Shkodrës.
Ishte çmimi “Aktorja më e mirë e Republikës” dhe kupa e festivalit në Festivalin e parë të Teatrit Shqiptar që e ngjitën aktoren Tinka Kurti në kategorinë e aktorëve profesionistë me rolin në shfaqen “Toka Jonë” me regji të Kol Jakovës.
Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi.
Në 1994 ajo hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.
Roli i saj më i fundit do të ishte në kinematografi në filmin “Bota” (2014).
Tinka për karrierën e saj artistike është vlerësuar me Çmime dhe Tituj të tjerë si Artiste e Merituar & Artiste e Popullit 1961, me urdhërin “Grand Master” i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike. /atsh/ KultPlus.com
Si sot, 100 vjet më parë, Shqipëria u pranua anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve.
Presidenti Ilir Meta, duke kujtuar këtë datë të shënuar, u shpreh se, “ky akt unik në historinë e kombit tonë, sanksionoi shtetin shqiptar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, por mbi të gjitha përforcoi sovranitetin, rikonfirmoi pavarësinë dhe vendosi garanci për kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913”.
“Mundi, sakrificat dhe luftërat e popullit shqiptar, sidomos përpjekjet diplomatike të patriotëve, kudo ku ndodheshin, veçanërisht të Federatës Patriotike “Vatra” dhe kryetarit të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, Fan S. Noli, u kurorëzuan nëpërmjet këtij akti jashtëzakonisht të rëndësishëm, që e pranoi Shqipërinë, edhe pse të lodhur e të copëtuar nga Lufta e Parë Botërore, si të barabartë mes të gjitha kombeve, me të drejtat dhe detyrimet, që buronin nga anëtarësimi në këtë organizatë”, tha Meta.
Presidenti shprehu, “mirënjohje për kontributin e spikatur të Presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson, i cili nëpërmjet planit të tij prej 14 pikash hodhi themelet e një paqeje të barabartë në Europë, krijimin e konceptit të kombeve me të drejta të barabarta, pavarësisht madhësisë së tyre dhe vizionin për një organizatë të sigurisë kolektive si Lidhja e Kombeve”. /ata/ KultPlus.com
Nuk e di sa guxoj Të them që ky vend është Një shportë bërllogu E madhe. Nuk e di a guxoj Të shprehem lirshëm, Dhe prandaj ky vend është shportë e madhe e bërllogut. Të pariciklueshëm. Pra, kur roja te spitali; T’i qet trutë; Kur alarmi i policisë lëshohet Prej eskortave të dreqit e t’birit Dhe ti ndihesh e mashtruar që ua lëshove udhën: Hajnave; Kur shitet me pare jeta Dhe vdekja vjen falas; Kur m’i lanë xhamat e kerrit nji vajzë e mërdhirë; Dhe unë i gjej 20 cent për t’ia dhënë; Pas lutjeve e lutjeve që mos të m’i lajë xhamat e mallkuar Se s’kam çka shoh përveç bërllogut; Dhe prapë i marr 20 cent të mutit për ta mbështetur me gjasë një bandë mafioze; Kur një qen endacak rrmin tokën, tek shenja e prishur e kampusit universitar; Që prishet bashkë me universitetin përditë; Kur nji plak me dorën shtrirë ma jep fatin e tij, më sheh në sy dhe pa fjalë më thotë se kjo botë është një shportë e madhe e bërllogut; Kur një patriot Më thotë që vendin duhet ta duash përkundër erës së fëlliqur Kur një doktore më bërtet Se i thashë zonjë, e jo doktoreshë dhe më smun; edhe njëherë më smun me mëri. Kur vrasja e gruas është ‘aksident’ në një vend, ku veç liria është aksidentale; kur një poet i harruar vjen me valixhe librash në dorë; Duke kërkuar me dhunë kujtesë e njohje; Kur një rraqkë han mut për gjithçka dhe gjithkënd e ne e këqyrim, e na dhimbet; veç na dhimbet asgjë më shumë; kur pshurri n’to dhe dikush ma gërryen veshin duke m’thënë që gjanat s’janë aq keq sa duken; them a jam verbu komplet; a përnjimend; ky vend është nji shportë e madhe e bërllogut.
Edhe sot ka vazhduar debati lidhur me këngën e publikuar nga Shkurte Fejza dhe vajza e saj, Gresa Behluli, me titull “Nuse, mësuese”.
Liridona Sejarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në emisionin #gjesi në T7, ka thënë se këngët e tilla nuk do të duheshin të këndoheshin në një vend si Kosova ku dhuna ndaj grave është në përmasa shqetësuese.
Kjo, sipas saj, është cenim i të drejtave të grave.
“Këngët e tilla përfaqësojnë në një farë forme normën. Nuk do të duhej me u riprodhu e me këndu, kur e dimë se dhuna ndaj grave është ekuivalente dhe ndihmohet prej këtyre normave. Për neve me u portetizu sot kjo është cenim i të drejtave të grave, për ne këto kanë qenë nëse muj me thanë çështjet më problematike. Gjuha, kënga e folklori kanë rëndësi në shoqërinë tonë, sepse deri vonë e kemi ushqy gjuhën përmes folklorit dhe përmes këtyre këngëve që i kemi pa si shumë të rëndësishme”, thonë nga kjo qendër.
Ajo ka pasur një mesazh edhe për tekstshkruesin, Ilir Berani.
“Problemi qëndron në atë se kush i shkruan tekstet, tekstshkruesi është një burrë, është Ilir Berani, e ai duhet me kërku falje. Kjo mundet me qenë një alarm më shumë për ta sesa për interpretuesit. Ata vetëm i dëgjojmë. Fenomeni i seksizimit e gjuhës së urrejtjes e përfshin krejt estradën tonë. Na kemi me vazhdu edhe me këngët e tjera, për këtë që ne duhet me pas sukses, duhet me na u bashkëngjit edhe mediat”, ka thënë Sejarina.
#Gjesi ka kontaktuar edhe tekstshkruesin e këngës, Ilir Berani.
Në një përgjigje për T7, ai ka treguar porosinë që ka kënga.
“Teksti e ka porosinë “Zgjedhi fjalët me mjaltë”, për me i afru njerëzit, ky është qëllimi i këngës”, ka thënë ai. /KultPlus.com
Qyteti i New Yorkut, 5 qytet-lagjet e tij, sot për herë të parë në këtë session, panë edhe borën e parë. Një borë e lehtë kjo me një “mantel të hollë” që është ende duke rënë, dhe pritet të bjerë edhe nesër sipas metereologve.
Po sipas parashikimeve të fundit nga Shërbimi Kombëtar i Motit, thuhet se me nisjen e dimrit bora është në rrugën e natyrshme, dhe pritet simbas tyre për të rënë deri në 12 inç dëborë, të mërkurën dhe të enjten.
Kryebashkiaku Bill de Blasio dha një azhurnim të martën pasdite mbi parashikimin e motit, duke u referuar metereologve, ai ka permendur parashikimin e NWS të, se trashësia mundet të jet 8-12 inç dëborë, pra midis të mërkurës dhe të enjtes, megjithëse ai theksoi se ky numër mund të ndryshojë në 24 orët e ardhshme.
Bora e cila fillojë sot rreth orës 1:00 pm(1:00 pasdite) nesër, e enjte në mëngjes, thane meterologët mund të ketë “kushte të ngjashme me stuhinë”, pra shoqëruar me erë të fortë dhe dëborë të fortë.
Shërbimi Kombëtar i Motit “ka lëshuar një “Snow Alert” që në dimër paralajmëron për ardhjen e një stuhie dimërore; “kjo është një stuhi serioze”, tha kryetari i bashkisë, së qytetit të New Yorkut, de Blasio, duke iu lutur njujorkezëve që të jenë më të kujdesshëm në planet e tyre për të mërkurën dhe të enjten.
“Për fat të mirë ne nuk kemi pasur shumë stuhi,në vitet e fundit,si kjo që pritet, të vijë, falë Zotit … kështu që kjo mund të jetë stuhia më e madhe në disa vjet,” tha kryebashkiaku i New Yorkut.
Automjetet e pastrimit të rrugve që bëjnë zakonisht dhe hedhjen e kripës, janë gati, ato filluan të dalin sot nëpër rrugët e qyteti, pak përpara mbërritjes së borës, dhe do të vazhdojnë të pastrojnë rrugët e hedhin kripë deri në mbrëmje vonë.
Rregullat alternative të parkimit anësor pezullohen për të mërkurën dhe të enjten, pra mund të parkoni pa pagesë. Shkollat do të jenë të hapura të Mërkurën dhe të Ejten, për të mësuar personalisht dhe për të mësuar në distance( nga shtëpia), tha ai.
Kryebashkiaku Bill de Blasio, paralajmëroi se njujorkezët të bëjnë kujdes me daljet e tyre nga shtëpia “njerëzit të qëndrojnë në shtëpi nëse nuk kanë të domosdoshme për të dalë” tha ai..
Po ashtu Kryebashkiaku tha se MTA, ka njoftuar se trenat, autobusët dhe tragetet, do të funksionojnë për sa kohë që është trashësia e leht deri tani çka nuk e vështërson lëvizjen, por nëse në vazhdim rritët trashësia e dëborës, metrot do të mbyllen përkohësisht. /express/ KultPlus.com
Albumi “Madama butterfly” i sopranos së njohur shqiptare, Ermonela Jaho renditet nga “Sunday Times” në 100 regjistrimet më të mira të vitit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë sopranoja e njohur, e cila e ka shpërndarë njoftimin në rrjetet e saj sociale.
Kanë qenë të shumtë miqtë e saj, të cilët e kanë uruar për këtë arritje të saj.
Mes atyre që e kanë uruar ka qenë edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim. Ndërsa ka shpërndarë postimin e Ermonelës, Kim shkruan bashkëngjitur “Ti je një thesar.”/ KultPlus.com
Për të arritur në një nga tempujt më të lartë të botës pelegrinët e devotshëm budistë duhet të ngjisin 9,000 shkallë që më pas të luten në lartësinë 2600 metra.
Pas ngjitjes në majën e malit Fanjing, ata gjejnë aty dy tempuj të lashtë budistë, të gdhendur në majën e rrezikshme të shkëmbit.
Mali Fanjing, më i larti i vargmaleve kineze Wuling, është kthyer në vend trashëgimie botërore të UNESCO në 2018.
Malet mahnitëse ndodhen në luginën Fanjingshan, e cila ndryshon lartësinë e saj nga 50 deri në 2,570 metra mbi nivelin e detit, në provincën e Guizhou.
Besimtarët budistë kinezë e konsiderojnë atë të shenjtë, pasi besohet se është ‘bodhimaṇḍa’ e Budës, ose “vendi i iluminimit”.
Sipas traditës budiste, Buda do të kthehet në tokë në të ardhmen për të ndihmuar të tjerë njerëz që të arrijnë iluminimin.
Tempulli i Budës dhe Tempulli Maitreya ndahen nga një kenion i thellë, por janë të lidhur nga një urë e hollë guri.
Tempulli i Budës i dedikohet adhurimit të Sakiymuni, i cili pëfaqëson të ardhmen.
Këto dy struktura të lashta budiste datojnë sipas komentatorëve, që prej dinastisë kineze Tang, në shekullin e 7-të.
Komentuesit thonë se teksa ngjit shkallët e tempullit mund të admirosh “mbishkrimet e lashta nga dinastitë Ming (1368-1644) dhe dinastia Qing (1644-1911)”.
Në kulmin e lulëzimit të tij, Fanjiang kishte me qindra tempuj budistë, por shumë prej tyre u rrafshuan në vitet 1500-të, gjatë rebelimit Bozhou.
Perandori Wanli (i 14-ti i dinastisë Ming) urdhëroi rindërtimin e malit me dy tempujt Maitreya.
Megjithse pelegrinët duhet të ngjisin 9,000 shkallë drejt majës, gjatë rrugës ata kanë pika ndalese me ushqime dhe pije karakteristike./ KultPlus.com
Ai që njihet si “ariu më i vetmuar në botë” pasi ka jetuar gjithë jetën e tij në kafaz, është tashmë i lirë të dalë dhe të takohet me arushë të tjerë, pasi është shpëtuar nga cirku ku duhet të performonte.
Jambolina, 11 vjeçare, u shpëtua nga organizata e të drejtave të kafshëve ‘Four Paws’ pasi mbahej në një garazh të vogël në Ukrainë. Ajo është mbajtur e mbyllur dhe ka performuar në cirk gjatë gjithë jetës së saj, teksa shpëtimi duket se i erdhi pas mbylljes së shfaqjeve të cirkut prej pandemisë së Covid-19.
Ajo ka tashmë shanset të takohet me kafshë të tjera që jetojnë pranë shtëpisë së saj të re, rezervati i arinjve të shpëtuar të organizatës.
Katharina Braun, e grupit Four Paws International, tha: “Arusha mbahej në një kafaz të vogël që kur ishte këlysh. Nuk ka qenë kurrë me arushë të tjerë”.
Ajo u mor javës që shkoi nga shtëpia e vjetër për të kryer udhëtimin kater ditor prej 1,500 miljesh drejt rezervatit të arinjve ‘Arosa Bear Land’ në Zvicër.
Qendra e kafshëve ‘Four Paws’ në Ukrainë ishte në kapacitetin maksimal prej 22 arushësh, kështu që Jambolina duhet të vendosej tjetërkund. kreu i degës së Four Paws në Ukrainë, Taras Boiko, tha se shpëtimi i saj ishte një udhëtim kompleks që kalonte mes Polonisë, Gjermanisë e Austrisë, në kohë kufizimesh udhëtimi prej koronavirusit./ KultPlus.com
Kënga “Nuse, mësuese”, që gjatë ditë së sotme morri një vëmendje të madhe dhe u kritikua për përmbajtjen e tekstit të saj si promovim i nënshtrimit të grave është shkruar nga kompozitori i njohur kosovar Ilir Berani, shkruan KultPlus.
Kompozitori Berani deri më sot ka kompozuar një numër të madh të këngëve të cilat ndër vite kanë qenë disa prej hiteve më të mëdha e më të dëgjuara të kohës.
Mirëpo kënga e fundit e kënduar nga Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli ka marrë një vëmendje të madhe dhe një numër të madh të komenteve negative pasi që konsiderohet që nxitë nënshtrimin e grave.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore gjatë ditës së sotme ka reaguar nëpërmjet një statusi ku ka shkruar se këngë të tilla i kontribuojnë vazhdimësisë së thellimit të pabarazisë gjinore dhe përjetimit të grave si dytësore dhe lehtë të dominueshme.
Kurse vetë këngëtarja, Gresa Behluli ka reaguar duke shkruar se nëpërmjet kësaj kënge kanë tentuar që nëpërmjet këtij teksti të bëjnë satirë dhe të ironizojnë me botëkuptimet e ndryshme mes gjeneratave.
A keni menduar ndonjëherë pse gjysma e parë e kësaj kompanie gjermane ka një emër të dhënë nga femra?
Në fund të shekullit të 19-të, Emil Jellinek do të blinte automjete Daimler dhe do t’i modifikonte ato për gara.
Ai i dha makinat e veta Mercedes, i quajtur me emrin e vajzës së tij, Mercédès, e lindur nga gruaja e tij franko-algjeriane, Rachel Goggmann Cenrobert. Daimler i pëlqente ndryshimet aq shumë sa që filloi makinën e parë të quajtur Mercedes në vitin 1900.
Daimler dhe Benz u bashkuan në vitin 1926, duke krijuar Daimler-Benz, automjetet e të cilëve do të quheshin Mercedes-Benz. Daimler-Benz AG u bë DaimlerChrysler pasi bleu firmën amerikane në vitin 1998; pas shitjes së Chrysler në vitin 2007, u riemërua thjesht nga Daimler AG.
Mercedes vdiq me trishtim nga kanceri në vitin 1929, vetëm 39 vjeç dhe nuk e ndau dashurinë e të atit për makinat./ KultPlus.com