Rita Ora shkëlqen me kostumin e veçantë në “The Masked Singer” (FOTO)

Rita Ora përherë është dalluar për stilin e saj të veçantë, shkruan KultPlus.

Përderisa ka disa javë që këngëtarja shqiptare është anëtare jurie në “The Masked Singer”, ajo po vazhdon të merr vëmendje me mënyrën e veshjes.

Teksa pozoi në prapaskenë, Rita i solli pamje të magjishme artdashësve të saj.

E veshur me fustanin e saj bardh e zi dhe të kombinuara me çizme lëkura, Ora solli një elegancë në vete.

Këngëtarja shqiptare besohet të jetë paguar një milionë funta për t’u rikthyer në sezonin e dytë të “The Masked Singer”, përderisa Davina McCall dhe Jonathan Ross janë në vendet e gjyqtarëve së bashku me Rita Orën dhe Mo, i cili ka zëvendësuar yllin e “Hangover”, Ken Jeong./ KultPlus.com

Ministria e Arsimit të Shqipërisë lanson iniciativën “E premtja e leximit”

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë ka iniciuar nismën më të re në ditën ndërkombëtare të arsimit, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet lansimit të nismës “E premtja e leximit” nëpër shkolla, do të mundësohet krijimi i shprehisë së leximit, promovimi i autorëve vendas dhe shkrimeve të vet nxënësve dhe promovimi i letërsisë.

“Çdo të premte, leximi i poezive, prozave apo eseve nga nxënësit dhe për nxënësit, krijuar nga ata vetë apo autorë të njohur shqiptarë, do të jetë mbi të gjitha sensibilizim për zhvillimin e mëtejshëm të leximit”, tha ministrjaKushi.

Përgjatë aktivitetit, ministrja e arsimit, Evis Kushi sjelli edhe interpretimin e poezisë “Tetor” nga Ismail Kadare.

“Me leximin modest të poezisë “Tetor” të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, gjatë aktivitetit kushtuar Ditës Kombëtare të Rinisë në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, kam dëshirë të lançoj nismën më të fundit të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit për nxënësit në shkollat tona “E Premtja e Leximit”, theksoi Evis Kushi.

Ministrja shtoi se kjo nismë do të shërbejë edhe si një formë e thjeshtë për t’i kushtuar rëndësi më të madhe identitetit tonë dhe për të vlerësuar, ruajtur, përparuar dhe kultivuar gjuhën tonë të bukur dhe të ëmbël shqipe. / KultPlus.com

‘Shumica e fëmijëve janë inteligjentë, shumica e të rriturve janë budallenj. Diçka nuk shkon mirë me arsimimin’

Sot shënohet dita ndërkombëtare e arsimit, si një datë e përvitshme për të shënuar shtyllën emancipuese të njeriut, shkruan KultPlus.

E vendosur më 24 janar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2018, kjo ditë përkujton rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global.

Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, KultPlus ju sjell thënie që ndërlidhen me simbolikën e kësaj date:

Lumturia e njeriut përbëhet nga arsimi dhe edukimi, jo nga pasuria që fati i jep dhe i merr.

Sot e kam kuptuar se mësuesi më i mirë është ai që mëson nga nxënësi i tij.

Sa më i paarsimuar është një person, aq më e madhe është pikëpamja për veten e tij.

Është më e lehtë të gjykosh arsimin e një personi nga pyetjet e tij, sesa nga përgjigjet e tij.

Ndërsa përpiqemi për t’u mësuar fëmijëve tanë gjithçka për jetën, fëmijët tanë na mësojnë se çfarë është jeta.

Ndërsa shumica e fëmijëve janë inteligjentë, shumica e të rriturve janë budallenj. Pra, diçka nuk shkon mirë me arsimimin.

Mësojmë shumë, dimë pak, nuk pranojmë asnjë

Sa më pak të lexojmë, aq më e dëmshme është ajo që lexojmë.

Koha ideale për të filluar formimin e karakterit të një fëmije është njëqind vjet para lindjes së tij.

Mësuesi mediokër flet. Mësuesi i mirë shpjegon. Një mësues superior demonstron. Mësuesi i madh frymëzon. / KultPlus.com

Pesë vjeçarja që di ta ngasë skejtbordin më mirë se një i rritur

Pesë vjeçarja nga Australia, Paige Tobin është vajza më e re e cila bënë lëvizje me skejtbordin e saj që nuk mund t’i bëjnë as të rriturit.

Interesimi i saj për këtë sport ka filluar qysh kur ajo ishte vetëm tre vjeçare.

Kur nëna e saj i kishte blerë asaj skejtbordin ajo menjëherë kishte rënë në dashuri me këtë sport dhe kështu kishte nisur edhe të merrte mësime se si ta ngiste atë, shkruan PP.

Paige shkon në parkun e skejtbordëve në vendin ku ajo jeton, pesë herë në jave dhe praktikon lëvizje të ndryshme. Ajo thotë se argëtohet tej mase derisa kryen këtë aktivitet dhe se ka një talent të dukshëm për sportin.

“Dua të marr pjesë në lojërat Olimpike dhe dua të bëhem një skejtbordiste profesioniste”, ka shprehur Paige dëshirën kur është pyetur për planet e saj për të ardhmen./koha/ KultPlus.com

https://www.instagram.com/paigeetobin/?utm_source=ig_embed

Parkingu më i shtrenjtë në Britani vlen sa një shtëpi

Parkingu më i shtrejtë në Britani kushton 350 funta.

Ky parking mund të krahasohet me çmimin e një shtëpie të re në West Yorkshire.

“Vendi i parkingut lëshohet me qira afatgjate, ka një grilë për të parandaluar dëmet që mund të vijnë nga jashtë, një roje dhe kamera sigurie”, ka thënë agjenti i pasurive të patundshme, shkruan The Sun

Për 35,000 funte, blerësit mund të blejnë një shtëpi në fshatin Greetland afër Halifax, West Yorks.

Parkingu i cili gjendet në Knightbridge të Londrës është në zonën ku vetëm një apartament me vetëm një shtrat kushton 5.5 milionë funte. /express/ KultPlus.com

Xhaferi: Serbët nuk e pranojnë argumentin e arsyes, prandaj dhe sillen në mënyrë arrogante

Më 24 janar të vitit 1948 lindi Arbën Xhaferi.

Sot, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të tij.

– Me që jetojmë në një botë, kohë të ndërveprimit të kulturave kombëtare, duhet konstatuar se shqiptareve u mungon kryesorja: propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar.
– Në historinë politike shqiptare nuk ekziston, të paktën një broshurë propagandistike drejtuar kundër popujve të tjerë.
– Një popull që humb besimin te të gjitha autoritetet, siç ndodh me shqiptarët, e vë në dyshim qënien e vet, humb vetëbesimin, rezistencën ndaj asimilimit, kështu që përbuzja e vetvetes shoqërohet me adhurimin e tjetrit.
– Albanofobia manifestohet si grekofili, italofili, turkofili, sllavofili etj…
– Mjeshtëria që formon ose e deformon vetëdijen quhet propagandë.
– Shpeshherë më e vërtetë se e vërteta bëhet gënjeshtra, fjalët që paketohen bukur, sipas rregullave të propagandës.
– Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur.
– Nuk thuhet më se çdo mysliman është terrorist, por çdo terrorist është mysliman.
– Për të qenë të përçarë duhet të jenë të barabartë.
– Kushti i parë që një besim fetar të shndërrohet në religjion është: ndarja e shtetit, politikës prej fesë; pra respektimi i parimit të shekullarizmit.
– Disa analistë thonë se ideja e krijimit të Maqedonisë ka qenë vllahe, nga që vetëm kjo popullatë protoballkanike, nuk arriti të krijojë shtetin e vet.
– Faktori ndërkombëtar me vonesë do ta kuptojë gabimin, kur lejoi që luftërat në hapësirat jugosllave të përfundojnë pa emërimin e fajtorit.
– Serbët nuk e pranojnë argumentin e arsyes, prandaj dhe sillen në mënyrë arrogante.
– Autoritet jugosllave heshtazi e zbatonin marrëveshjen e fshehtë jugosllavo-turke, ngjashëm me atë turko-greke të Lozanës, për pastrimin etnik përmes shpërnguljeve masive të popullatës.
– Çdo njeri bën përpjekje që të largohet nga dimensioni i inferioritetit.
– Duhet lexuar për shkak se duhet kuptuar më mirë pse jetojmë, pse kemi ardhur në këtë botë, pse ndodhin fenomene të ndryshme dhe, mbi të gjitha, për të fisnikëruar veten dhe shoqërinë ku jetojmë.
– Gjuha standarde duke mbrojtur vetveten, mbron dhe kombin.
– Luajaliteti ndaj kombit është më e madhe se ndaj shtetit.
– Në dallim nga shqiptarët, serbët, por jo vetëm ata, më se një shekull hartojnë projekte, elaborate të studiuara mirë se si t’i shfarosim shqiptarët, t’i dëbojmë nga vendlindja, t’ua njollosim imazhin, t’u ngjisin bishta, të nxisin përçarjet e brendshme, t’i korruptojnë përfaqësuesit, prijësit e tyre etj.
– Në mes botës perëndimore dhe lindore ekziston një relacion i çuditshëm i këmbimit: perëndimi eksporton në lindje ideologji (dikur komunizmin sot demokracinë); ndërkaq nga lindja pranon religjionin.
– Çdo komb ka thesarin e vet të urtësive, rrjedhimisht dhe populli shqiptar.
– Çdo shoqëri ka heronj dhe oportunistë, flijues dhe utilitaristë. Gjithmonë oportunistët përpiqen të konsumojnë atë që kanë siguruar heronjtë.
– Grekët kanë vënë zapt mbi periudhën antike, sllavët mbi periudhën mesjetare, turqit për pjesën tjetër, ndërkaq qenia shqiptare, gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një të sëmuri paraplegjik, që nuk arrin të lëviz gjymtyrët qafë e tëposhtë.
– Kur religjionet e suspendojnë hyjnoren, atëhere zëri i këmbanës ose i muezinit, përjetohet si shpallje e luftës…
– Luftrat që përfundojnë pa fajtor, kurrë nuk përfundojnë as me paqe.
– Mjerisht, demokracia vetvetiu nuk e sjell lirinë, por liria hap shtegun për paraqitjen e demokracisë.
– Në rininë time, të qenit shqiptar shoqërohej gjithnjë me ndjenjën e prestigjit.
– Një popull shndërrohet në komb kur patriotizmi nuk është më çështje individuale, por çështje institucionale.
– Pluralizmi ka krijuar terren të përshtatshëm për relativizim të gjithçkaje.
– Serbët, por edhe të tjerët, i urrejnë shqiptarët për shkak të krenarisë së tyre.
– Si çdo njeri që synon të ketë një të kaluar të fisme, ashtu dhe çdo popull kërkon të ketë një të kaluar të lavdishme.
– Tipari kryesor i qytetërimit perëndimor, është dyshimi si metodë e zbulimit të së vërtetës, ndërkaq tipari kryesor i qytetërimit lindor është besimi i paluajtshëm ndaj autoritetit.
– Shqiptarët i kanë dhënë kontribut të madh pavarësisë së Greqisë, i kanë dhënë njerëz të shquar, politikanë, ushtarakë, shkencëtarë, krijues etj.
– Në politikë me rëndësi parësore është mjeshtëria e zgjedhjes së prioriteteve.
– Autonomia iu dha Kosovës për shkak të shqiptarëve e jo për shkak të serbëve.
– Një pjesë e madhe e popullit grek ka prejardhje shqiptare.
– Shpesh herë, paqja peshon si vlerë më shumë se interesat e tjera.
– Shteti i parë Serb është formuar në Rashkë dhe jo në Kosovë.
– Sot, në Kosovë dhe në vise, nuk mund të gjesh as 1% të shqiptarëve që janë pro serbë.
– Grekët, që nga koha antike e deri në ditët e sotme, kanë bashkëjetuar me shqiptarët duke u përzier me ta në vazhdimësi.
– Individi dhe komuniteti që nuk kultivon nevojën për pendesë, nuk arrin t’i korrigjojë gabimet.
– Maqedonia s’ka të ardhme, kështu siç po shkon.
– Popujt e Ballkanit vuajnë nga një strabizëm etno-politik që i bën të shohin shtrembër njëri –tjetrin.
– Propanganda serbe është mjeshtërore dhe nuk ka skrupuj moralë.
– Një VIP ( Very Important Person) nuk mund të pranojë lehtë të bëhet NIP (Non Important Person). / KultPlus.com

101-vjeçarja shqiptare mposhti COVID-19, merr vëmendjen e mediave italiane

Historia e një 101-vjeçareje shqiptare që jeton në Itali e që i ka mbijetuar koronavirusit, ka marrë vëmendjen e mediave italiane, përcjell KultPlus.

Bajame Goxhabelli është nëna e shtatë fëmijëve, gjyshja e 15 nipërve e mbesave dhe stërgjyshja dhe stërgjyshja e 25 stërnipërve e stërmbesave. Ajo pasi që u sëmur nga koronavirusi, pati probleme të mëdha me frymëmarrje, por ia arriti të shërohej.

“Bajame është një grua e lindur në Shqipëri në 12 Mars 1920 e cila jeton në Tricesimo për shumë vite. Por kur, në moshën gati 101 vjeç rezultoi positive me Covid-19, një shqetësim i madh përfshiu të gjithë familjen e saj të madhe. Por Bajamja, me këmbëngulje dhe forcë, iu bashkua jetës dhe arriti të mposhtte sëmundjen, e rrethuar nga dashuria e familjes së saj”, shkruan udinetoday.it.

Për gjendjen e saj ka folur edhe mbesa, Esmeralda.

“Gjyshja jonë 101 vjeçare i mbijetoi Covidit dhe për momentin është në shëndet të mirë fizik dhe mendor. Ajo madje kujton emrat e stërnipërve të saj”, ka thënë ajo. / KultPlus.com

Testi që Sokrati u bënte atyre që dëshironin t’i tregonin thashetheme

Në Greqinë e Lashtë, Sokrati kishte një reputacion prej njeriut të mençur dhe të gjithë këshilloheshin me të.

Një ditë prej ditësh, një burrë shkoi pranë tij dhe i tha:
“Zotëri, e di se çfarë dëgjova në shesh për një shokun tënd?”
Sokrati, ia ktheu:
“Mirë, ma trego, por para se të më tregosh, dua të të bëj testin e tre sitave (shoshave)

Burri i habitur, “Tre sitave? Ç’janë këto?”
Sokrati sërish ia kthen:

“Kushdo që më vjen dhe më tregon gjëra për të tjerët që nuk janë prezent, fillimisht unë ju bëj testin e sitave, dhe në fund do e kuptosh se për çfarë bëhet fjalë.

Unë e quaj testi i tre sitave.

Të parën e quaj, “sita e të vërtetës”.
Pra, ko që do më thuash, a është e vërtetë?”
Burri i përgjigjet, “Nuk e di, kështu dëgjova në shesh!”
“Mirë, pra ti nuk je i sigurt që është e vërtetë, kjo që do të më thuash. Gjithsesi vazhdojmë tek sita e dytë, këtë e quaj “sitën e mirësisë”.
Pra, këtë që do ma thuash për këtë shokun a është diçka e mirë?”, vazhdoi Sokrati.
Burri ia kthen, “Në fakt jo, ishin gjëra të shpifura ato që dëgjova për të.”
“Pra, ti do që të më thuash diçka për dikë që ke dëgjuar nga gojët e të tjerëve dhe që nuk është aspak gjë e mirë. Mirë! Vazhdojmë me sitën e tretë, të cilën unë e quaj “sita e dobishmërisë”.

Kjo që do më thuash, a i hyn kujt në punë, a është diçka e dobishme?”
Burri mendohet dhe thotë, “Jo, është thjesht një gjë e dëgjuar në shesh, që sapo dëgjohet, njerësit e harrojnë dhe merren me tjetër kënd. Nuk i hyn kujt në punë.”
Sokrati e sheh dhe ia kthen:
“Do të thotë…ti erdhe të më thuash diçka për dikë, që nuk është e vërtetë, nuk është diçka e mirë, dhe aspak e dobishme për askënd. Pse?” / KultPlus.com

Nikolin Xhoja, mjeshtri i roleve komike

Artisti i Popullit, Nikolin Xhoja, i konsideruar nga kritikët e teatrit si një individualitet i spikatur artistik, veçanërisht në realizimin e roleve komike, edhe 26 vjet pas vdekjes, vazhdon të jetë një nga figurat më të dashura për publikun durrsak dhe atë shqiptar në përgjithësi.

Sipas kritikëve të teatrit, ai ishte një aktor me diapazon të gjerë, nga rolet komike te ata thellësisht dramatike. Në “Historinë e teatrit shqiptar”, shkruhet se Xhoja, di të zgjedhë materialin dhe mjetet më të përshtatshme shprehëse, jo vetëm për të plazmuar personazhin, por edhe për të mbajtur një qëndrim të caktuar emocional ndaj tij.

Prof. Josif Papagjoni, kritik i njohur i teatrit, vlerëson se “Nikolin Xhoja është një ndër emrat më të mëdhenj të aktrimit shqiptar, një gur i rëndë dhe i pazëvendesueshëm themeli në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, emblemë e emrit dhe historisë së tij. Ishte aktor me një nur komik, tejet i natyrshëm e organik në interpretimin aktorial, tejet spontan, i atypëratyshëm dhe shpesh, improvizues”.

Ndërsa aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu”, e kujtojnë Nikolinin me shumë respekt. “Kam qenë përkrah tij në dhjetera spektakle, por kujtoj gjithnjë aktin e parë kur ai interpretoi Podgolisenin tek “Martesa e Gogolit”, tregon Artisti i Merituar, Lutfi Hoxha. Edhe pse ishim paraqitur disa qindra herë para publikut, ai kishte njëlloj emocione, e megjithatë, po aq mjeshtërisht, ai i përballonte ato duke sjellë në skenë kryerole”, rrëfen me tej artisti Hoxha.

“Publiku e adhuronte Nikolin Xhojen për talentin dhe përkushtimin e pamate. Nëpërmjet tij, publiku vilte nga skena harenë, gëzimin, gjithçka jep magjia e teatrit dhe në të njejten kohë, e shpërblente artistin me duartrokitje te pandërprera, me dashuri dhe miratim të plotë”, shprehet një nga kolegët e tij, Artisti i Merituar Vangjel Heba.

Roli i xha Beqos tek filmi “Kapedani”, është një nga dëshmitë e potencialit artistik të Nikolin Xhojës, e po ashtu edhe dy filmat e tjerë “Cifti i lumtur” dhe “Horizonte të hapura”, në të cilat ndjehet përvoja e madhe aktoriale dhe jetësore. Në tre dekada veprimtari artistike, ai krijoi 55 role në teatër, 11 premiera varieteje dhe 3 role në kinematografi.

Bashkëqytetaret e tij e kujtojnë gjithnjë Nikolinin mes shokësh dhe miqsh, me një humor thuajse disident, duke vërtetuar atë që buronte nga mbiemri i tij, që në gjuhën italiane do të thotë “gëzim”.

Për Artistin e Popullit Gjergj Vlashi, Nikolin Xhoja ishte padyshim aktori më i mirë i teatrit gjysmëshekullor të Durrësit dhe një ndër korifenjtë e skenës shqiptare, sidomos në gjininë e komedisë. “Ai nuk pati shkollë, por qe mësues i shumë breza aktorësh, nuk bëri pjesë në asnjë shkollë, por krijoi një shkollë të tijën të interpretimit skenik”, shprehet Vlashi.

Dhe vërtetë e nisi rrugën e përpjetë të skenës shumë i ri, duke interpretuar rreth zjarrit partizan. /urbannews/ KultPlus.com

‘Biblioteka Digjitale e Diasporës’, një hapësirë virtuale falas për lexuesin

Mësimi i gjuhës shqipe në Diasporë ka qenë gjithmonë boshti kryesor i cili ka mundësuar ruajtjen  së lidhjeve dhe kulturës e traditës në komuniteteve shqiptare me vendin e origjinës.

Por vetëm mësimi i gjuhës gjuhës shqipe dhe prezantimi i vlerave shqiptare te këta fëmijë nuk do të mjaftonin për të mbajtur dhe forcuar këtë lidhje kaq delikate. Njohja e gjuhës në mënyrë të paevitueshme është e lidhur me njohjen e letërsisë, të autorëve shqiptarë të cilët në veprat e tyre pasqyrojnë një Shqipëri shumë dimensionale, japin një panoramë të plotë të asaj çka ka qenë dhe është Shqipëria. Dhe vetëm duke i njohur, lexuar e studiuar këta autorë mund të krijohet një lidhje e fortë dhe e qëndrueshme.

Këta autorë, nga mesjeta, rilindja e kohët moderne tashmë gjenden në një hapësirë virtuale të përbashkët, falas, për çdo lexues shqiptar në “Bibliotekën Digjitale të Diasporës”, një projekt i realizuar nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

Bëhet fjalë për mbi 100 vepra, të autorëve të njohur shqiptarë klasikë e  bashkëkohorë dhe mjaft vepra të tjera në poezi, publicistikë, prozë dhe dramaturgji.

Ndër klasikët mund të lexohen në këtë format kryeveprat e rilindjes kombëtare, poema epike e At Gjergj Fishtës, “Lahua e Malësisë”, “Bagëti e Bujqësi” e Naim Frashërit, së bashku me “Lulet e Verës” dhe “Historinë e Skendërbeut”, vepra e plotë e arbëreshit Jeronim De Rada, etj.

Vepra të cilat përbëjnë themelin e letërsisë kombëtare shqiptare dhe që kanë ndikuar në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të cilat edhe sot mbartin mesazhe aktuale.

Autorët bashkëkohorë dëshmojnë një tjetër etapë të historisë së letërsisë shqiptare padiskutim e ndikuar nga realiteti shqiptar. Fatos Kongoli, Zija Cela, Fatos Lubonja, Bashkim Shehu, Azem Shkreli, Ali Pdrimja, Dritëro Agolli janë disa prej autorëve pjesë e këtij koleksioni digjital.

Ky projekt ambicioz synon të përmbushë një nevojë urgjente dhe të domosdoshme të mungesë së shumë veprave shqiptare në formatin digjital.

Hyrja në këtë bibliotekë virtuale të letërsisë shqiptare është falas dhe librat mund të shfletohen me lehtësi në të gjitha aparatet teknologjike, këtë e dëshmojnë edhe 6 mijë lexuesit e platformës.

Kliko ketu per te hyre ne Biblioteka Digjitale e Diasporës. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Vdes regjisori i njohur amerikan, Walter Bernstein

Skenaristi Walter Bernstein, ndër të mbijetuarit e fundit të listës së zezë anti-komuniste të Hollywood-it, ka vdekur, në moshën 101 vjecare, njofton The Guardian, transmeton KultPlus.

Gruaja e tij, agjentja letrare Gloria Loomis, tha se ai vdiq nga pneumonia.

Një korrespondent i dytë i luftës botërore për ushtrinë, i cili gjithashtu ishte botuar në New Yorker, Bernstein ishte në fillim të asaj që dukej një karrierë premtuese filmi kur lufta e ftohtë dhe paranoja anti-komuniste çuan në listën e tij të zezë në  vitin 1950, një fat i cili shkatërroi jetën e shumë bashkëmoshatarëve të tij dhe disa i çoi në vetëvrasje.

Ndërsa shumë ishin në listën e zezë vetëm për të mbështetur kauzat e krahut të majtë, Bernstein ishte në të vërtetë një anëtar i partisë Komuniste Amerikane dhe qëndroi i tillë deri në vitin 1956. / KultPlus.com

Zani Band publikon këngën më të re, ‘Ke ikur larg’ (VIDEO)

‘Zani Band’ ka publikuar këngën ‘Ke ikur larg’, ku përmes vokalit të mrekullueshëm të Bashkim Kerqelit i këndohet një dashurie të humbur, shkruan KultPlus.

‘Zani Band’, një grup i ri që premton shumë, tashmë ka fituar adhuruesit e vet, duke lansuar vazhdimisht projekte që prekin tema të ndjeshme.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më pare, grupi publikoi këngën ‘Muret’, këngë kjo flet për izolimin e shtetit të Kosovës.

Teksti i ‘Ke ikur larg’ është shkruar nga Anton Nrecaj.

Më poshte gjeni videon e këngës. / KultPlus.com

Produksioni francez me film artistik për jetën e Ismail Kadaresë

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare, në prag të 85-vjetorit të lindjes ka mbajtur një takim me të rinjtë e klubit letrar të Kavajës.  Gjatë bisedës me ta, organizuar nga Qendra Kombetare e Librit, ai ju përgjigj pyetjeve mbi të gjitha veprat e tij letrare duke nisur nga Pallati i Endrrave.

Shkrimtari i njohur tha se “Letërsia e ka të vërtetën me vete dhe sinqeritetin po ashtu. Kur është letërsi e mirë them, ajo ka sinqeritetin në vetvete. Ju flisni per “Pallatin e ëndrrave”, që është shkruar në kulmin e diktaturës dhe duhet të ishe shumë i cekët të mos e kuptoje se kishte të bënte e regjimin që jetonim ne”, tha ai.

Duke folur për letërsinë e të shkruarin gjatë regjimit komunist, ai foli për thyerje të ligjeve të shenjta.

“Letërsia ka ligjet e veta, që janë të shenjta e që shpesh shkojnë kundër ligjeve të jetës dhe kundër autoritarizmit shtetëror. Realizmi Socialist, binte ndesh me ligjet e letërsisë dhe po t’i bindeshe mësimeve të partisë ishte të vije duart në kokë”, tha Kadare.

I pyetur nga të rinjtë poër poezitë e tij dhe veccanërisht për poezinë ku i drejtohet Pushkinit, ai duke kujtuar vitet studentore rrëfeu ndihmën që kërkotne nga poeti rus.

”Ajo është një poezi që në mëyrë metaforike i jam drejtuar Pushkinit për ndihmë. doja ndihmë që të ruaja idetë e mia nga ato që dëgjoja në leksione, doja ndihmë të shpëtoja nga Parrullat e propagada”, tha ai.

Gjatë takimit me të rinjte dhe drejtoren e Qendrës së Librit, Alda Bardhyli, Kadare si rrallëherë foli edhe për lumturinë.

”Lumturia është e pagjendshme, e paarritshme. Ndonjëherë jemi të lumtur dhe e kuptojmë më vonë, sidomos kur shkruajmë letërsi”.

Kohët më të vështira për çiftin Ismail e Helena Kadare, kanë qenë ato të botimeve të “Dimrit te madh” , “Pashallarëve të kuq” dhe “Pallatit të ëndrrave” .

Sipas Helena Kadaresë sidomos pas Pallatit të Ëndrrave ata kaluan një torturë.

Në këtë 85-vjetor një lajm i mirë vjen nga Franca ku një produksion ka blerë të drejtat e librit me kujtime të Helenës, “Kohë e pamjaftueshme” për ta bërë film.

“Ju e dini që kam botuar një libër me kujtimet tona. Dhe na kanë kërkuar të drejtat për ta bërë film në Francë. Do jetë një film artistik. Po merren me gjetjen e aktorëve tani. Sigurisht ata e dinë si do e trajtojnë do zgjedhin vetë pjesët që duan”, tha Helena Kadare.

Takimi e të rinjtë u mbajt në Qerret, pranë shtëpisë ku prej muajsh çifti Kadare po kalon periudhën e pandemisë. /balkanweb/ KultPlus.com

Për herë të parë një shqiptar në gjysmëfinalen e Kompeticionit të Violinës në Lituani

Kompeticioni ndërkombëtar i violinës në Lituani, Jascha Heifetz ka shpallur ditën e sotme gjysmë-finalistët, ku pjesë e listës është edhe një shqiptar, edhe pse në këtë rast nuk përfaqëson Shqipërinë. Ai është Elvin Hoxha me origjinë shqiptare, i cili jeton në Turqi. Ai është djali i muzikantit shkodran Hajredin Hoxha.

Ky konkurs është i hapur për të gjithë violinistët nga e gjithë bota, të cilët janë nën 26 vjeç. Fituesi i çmimit të madh do të marrë 10,000 euro me vete. Juria e këtij konkursi përbehet nga violinistë të famshëm si Gidon Kremer, Isabelle Van Keulen, Sergej Krylov, Rūta Lipinaitytė, Svetlana Makarova dhe Rusnė Mataitytė.

Ndërkohë që gjysmë-finalistët janë 17 nga disa vende të botës, mes tyre edhe Shqipëria, një gjë e cila ndodh për herë të parë.

LISTA e fituesve
Yoshie Okura (Japoni)
Mayu Ozeki (Japoni)
Pauline Van Der Rest (Belgjikë)
Saulė Buikaitė (Lituani)
Leonard Toschev (Gjermani)
Qingzhu Weng (Kinë)
Amia Janicki (Zvicër)
Lorenz Karls (Suedi)
Giuseppe Gibboni (Itali)
Marija Pranskutė (Lituani)
Jevgēnijs Čepoveckis (Letoni)
Manon Galy (Francë)
Jackie Tso (Shtetet e Bashkuara)
Eva Rabchevska (Ukrainë)
Jason Moon (Shtetet e Bashkuara)
Javier Comesaña (Spanjë)
Elvin Hoxha Ganiyev (Azerbajxhan/Turqi). /shqiptarja/ KultPlus.com

‘Është botë e errët por jeta është e imja e më takon vetëm mua’

Nga Redon Makashi-Redi

Kohë e çudiçme!! Si ka mundësi që njerëzit me djallin në bark nuk reshtin së nxjerri vrer. Kanë plot halle në jetët e tyre dhe për çudi hallet e tyre i masturbojnë tek të tjerët, shfrynë dufin, qeshin kur hedhin helmin e zvarriten si gjarpnij pas rreshrave të… Për çudi me duken të shndërruar në atë qenre e tërbuar me dhëmbët e skerrnitur që kur i hedhin prehun kafshojnë ku të mundin, e pasi mbarojnë punë me të presin po me ata dhëmbë e jargët që i rrjedhin neveri, presin prehun e radhës…

Ehh e trishtueshme e qesharake. Po më the të drejtën nuk i urrej, po më keq, ndjej KEQARDHJE PER TA.. është botë e errët, e pisët, e humberave boshe, gjth në të kunërt mes vrerit, helmit, mllefit e kafshimit, unë ju dhuoj paqen, mirësinë dhe pakëz muzikë. JETA ËSHTË E IMJA E MË TAKON VETËM MUA. / KultPlus.com

Muzeumet e Gjirokastrës mirëpresin vizitorët edhe në dimër

Muzeumet në qytetin e Gjirokastrës edhe gjatë stinës së dimrit, po mirëpresin vizitorë vendas dhe të huaj.

Tashmë Muzeu i Armëve, Etnografik apo “Shtëpia Kadare” janë qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit.

Përgjatë vitit 2020 muzeumet u vizituan nga rreth 8 mijë turistë, kryesisht vendas, por edhe nga shtete të ndryshme.

Bashkia Gjirokastër ka në fokusin e saj, rivitalizimin e katër muzeve në shërbim të zhvillimit të turizmit.

“Sistemi i muzeve në Gjirokastër”, projekt i cili po zbatohet së fundmi në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit synon rikonceptimin e katër muzeve, për të qenë koherent me standardet bashkëkohore të zhvillimit turistik.

Ky sistem i ri novativ do të jetë në shërbimin e turistëve duke krijuar lehtësira prej marrjes së informacionit paraprak nga website, deri në përjetimin e eksperiencës së plotë të qytetit të Gjirokastrës, të kulturës dhe historisë të mbrojtur në muze dhe shtigje e rrugë me kalldrëm.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës. /atsh/ KultPlus.com

Nuk isha unë

Poezi nga Özdemir Asaf

Përktheu Rozana Belli

Një mbrëmje po vështroje nga dritarja
Terrin që binte rëndë-rëndë mbi rrugë
Përpara shtëpisë tënde kaloi dikush i ngjashëm me mua
Zemra filloi të të rrahë fort

Ai që kaloi nuk isha unë.
Një natë po flije në shtratin tënd
U ngrite vrikthi në botën e pazë
Ajo që t’i çeli sytë qe copëza e një ëndrre

Dhe mes errësirash dhoma jote
Ai që të pa nuk isha unë.
Unë qeshë shumë larg atëkohë
Sytë e tu iu qasën të qarës, të qarës pa arsye

Qëkur fillove të mendoje për mua
Veten e le të jetojë brenda dashurisë
Ai që e dinte këtë nuk isha unë.
Po lexoje përhumbtazi një libër

Njerëzit brenda tij dashuronin ose vdisnin
Në roman vranë një djalë të ri
U trembe, fillove të qaje me dënesë
Ai që vdiq nuk isha unë… / KultPlus.com

Flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

Identifikimi i një objekti me kaq rëndësi për kombin shqiptar,  nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo meriton një vëmendje të veçantë për nga rëndësia dhe unikaliteti që ajo mbart në vetvete.

Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka.

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e  10  shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë  të njeriut të madh.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane,  që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte  grykën e pushkës.

Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.

Dhe ashtu  u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar,  atëherë i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë  flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.

Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse  nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora 10:00. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër.  Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“MBRETNIJA SHQIPTQRE

PREFEKTURA MBRETNORE

VLONЁ

Nr. 172

Vlonë me 21. Kallnuer. 1933

P.T.

Ministris Arsimit

Tiranë

Këtu ngjitun kemi nderin me ju paraqit process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim të Flamurit që asht ngritun për të parën herë në Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit.

Gjithashtu në pako të veҫantë dhe po me këtë shkresë dërgohet edhe Flamuri në fjalë.

Shtojmë se me gjithëse  Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur asht ngritur për të parën herë në ndërtesën Qeveritare më dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur asht ngritur me të vërtet me 28 Nanduer 1912, por jo në ndërtesën Qeveritare,  por në Zyren e doganave në Vlonë.

Lutemi me na njoftue marrjen në dorëzim.

Prefekti

  1. Nepravishta”

Shkruar me dorë:

“T’i dërgohet ky

flamur Bibliotekës”

Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:

“asht këtu në bibliotekën t’onë”

28/10/33

Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:

“Marrë në dorëim me 29-X-933”.

Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:

“PROCES-VERBAL

Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shénjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqësis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe të Prefektit të Vlonës  Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri  i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.

Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arsimit Shk. tij Z. Hil Mosi për ta depozituar në Muzeun Kombëtar në Tirané.

Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënshkruem prej të gjithëve qe përmenden ma sipër.

Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“ MINISTRI E ARSIMIT

Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.

Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë

Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.

Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.

Ministr’i Arsimit, Mirash Ivanaj (firma)

Nisur me 6/XI/1933”

Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.

Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.

“M.A.

Nri 402/749

Flamuri i Vlorësë

Mënistërijës’ së Arësimitë

Q y t e t

Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:

Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.

Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë,  9 Vjesht’ e Tretë 1933 / Drejtori (Firma dhe vula )

Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa

e jonë Nri C. 208”

Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.

“Flamuri i Vlorës”

Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:

  • flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).
  • Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.
  • Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.

Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta  ndonjë  ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.

Tiranë, 10 shkurt 1936”

Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:

  • Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:

“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.

Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.

Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.

Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:

  • një verbal me ditë 28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’  vënë duarëtë:

Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,

Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,

Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,

Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.

Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë  Muzejës’ Kombëtare është muu ay  që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.

  • një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë  të Vlorësë.

Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:

  • flamurin’ që i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.
  • qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.
  • mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.
  • ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.
  • kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.
  • gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.
  • edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj  Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.

Tiranë, 10 Shkurt 1936”

Më poshtë, majtas,  është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.

Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtr i kaluan Instituit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe  Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.

Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.

Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!

Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.

Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit./Ariola Prifti /Frederik Stamati/ KultPlus.com

Në Foto: Kortezhi duke u ngjitur për në Kaninë 12 shkurt 1919.
Në foto:Ceremonia e rivarrimit, Sheshi i Flamurit, Vlorë më 28 Nëntor 1932.

102 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit

Sot janë bërë 102 vjet që kur ka vdekur kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës.

Ai vdiq në rrethana misterioze më 24 janar në Peruxhia të Italisë, ku edhe është varrosur. Nuk ka të dhëna të sakta por mendohet se Qemali është helmuar.

Më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria shpalli Pavarësinë dhe Ismail Qemali ishte kryeministër i parë i Shqipërisë. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi Qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali .

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë, si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë. / KultPlus.com

‘Më kalon pranë si një copë akull, nuk mund një puthje ta kujtoj’ (VIDEO)

Në mesin e viteve të 90’ta, muzika shqiptare kishte edhe një ‘adresë’ tjetër, shkruan KultPlus.

Grupi “Asgjë sikur dielli” kishte nisur rrugëtimin e tyre nën tingujt e parë, për t’u kthyer në një symbol tjetër të muzikës rok në vend me përbërje prej vokalit të Alban Nimanit, kitarës së Bujar Hundozit, timpanes së Fatos Berishës, bas kitares së Labinot Krasniqit dhe tastierës së Faton Dolakut.

Një këngë jo pak e njohur e grupit “Gjurmët”, e që vie edhe nën interpretimin e grupit “Asgjë sikur dielli” është “Mendoja Çdo Gjë Merr Fund Pa Ty”.

KultPlus jus jell tekstin dhe interpretimin e këngës “Mendoja Çdo Gjë Merr Fund Pa Ty”:

Vallë është e mundur
Më kalon pranë si një copë akull
Nuk mund një puthje ta kujtoj
Ishe ti ajo, duket më bëhet
Nuk di çfarë kam sot

Ledhatimet a thua ishin
Dhe ajo ëndërr
Një sheti s’më bie mend
Sa je larg nga unë, sa afër ishim
Të premtoja mrekulli
I marri thosha çdo gjë merr fund pa ty

2X Një grimcë ti një grimcë unë
Kështu fati e do këtë punë

Kthehem rrotull ndonjëherë
Ç’kanë këta njerëz shikojnë në qiell


Ledhatimet a thua ishin
Dhe ajo ëndërr
Një sheti s’më bie mend
Sa je larg nga unë, sa afër ishim
Të premtoja mrekulli
I marri thosha çdo gjë merr fund pa  ty

Një grimcë ti, një grimcë unë
Kështu fati e do këtë punë
Kthehem rotull ndonjëherë, ç’janë këta njerëz ç’shikojnë në qiell. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=44MSWSDZPNw

‘Armikja e dashurisë është krenaria, nuk na lë të kërkojmë ndjesë për fjalët e folura pa menduar’

Fragment nga Bukowski:

Ka dashuri që për ndonjë arsye të pashpjegueshme, në të vërtetë nuk mbarojnë kurrë. Ato digjen ende nën hi.

Ne vazhdojmë të duam edhe larg. Dikush mund të vazhdojë të dojë, edhe duke fshehur ndjenjat e vërteta. Në heshtje.

Ka dashuri e dashuri. Nuk janë Dashuri me një D të madhe, por duhet të lini të shkojnë. Dashuri që nuk ke pushuar kurrë së menduari.

Ka dashuri që duhet të heshtin për shkak të ngjarjeve më të mëdha dhe të pashpjegueshme.

Por a janë këto ngjarje, më të mëdha se vetë dashuria?

Sigurisht jo. Por ato janë ndoshta pasoja.

Ndonjëherë ju duhet të bëni zgjedhje pa ndonjë arsye të veçantë.

Herë të tjera ju bëni zgjedhje të padëshiruara vetëm për të mos bërë dikë të vuajë.

Ndjenjat janë shpesh një fushë në të cilat duhet të lëvizin me butësi për të pasur sa më pak “viktima”, që të jetë e mundur.

Dhe pastaj ka nga ato dashuri që nuk dinë si të japin dashuri. Lënia e tyre është një zgjedhje e domosdoshme për të shpëtuar veten.

Armikja e dashurisë është krenaria. Ajo që nuk na lë të kërkojmë ndjesë për fjalët e folura pa menduar, rezultat i zemërimit të momentit.

Në këtë mënyrë ne e duam njëri-tjetrin pa ia thënë njëri-tjetrit. Të kalosh netë pa gjumë për dhimbje dhe nostalgji, por pa e parë njëri-tjetrin përsëri.

Ka dashuri që janë dhe gjithmonë do të jenë të forta, përkundër krenarisë dhe ngjarjeve.

Dashuri që shkojnë përtej zemërimit dhe pakënaqësisë. Dashuri që nuk kemi dashur kurrë të përfundojnë, por që nuk mund të kemi pranë. Ka dashuri për të cilat nuk kemi pushuar asnjëherë së menduari. / KultPlus.com

Luljeta Aliu për deklaratën që reagoi Shoqata e të verbërve: Nuk ka qenë fjalë ofenduese

Pas reagimit të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Lulejta Aliu ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me deklaratat të cilat shoqata e përmendur i cilëson si fyese, shkruan KultPlus.

Aliu nëpërmjet një statusi në facebook ka thënë se fjala “qorrazi” gjindet në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe dhe nuk ka fare të bëj me ofendim.

“Nëse dikush e ka ndjerë veten të ofenduar, më vie keq! Por nuk ka qenë as qëllimi as fjala që unë e kam përdorë ofenduese”, ka shkruar Aliu.

Tutje, ajo ka thënë se ka respekt dhe ndjeshmëri ndaj personave që diskriminohen dhe paragjykohen nga të tjerët.

“Si duket unë qorrazi ja paskam qëlluar numrave”, është shprehur Luljeta Aliu përgjatë emisionit.

Në anën tjetër edhe ish-zëvendës ministri i arsimit, Jusuf Thaçi ka thënë: “Edhe qorri mundet me ja qëllu ndonjëherë por kjo nuk do më thën qe ai ka marrë në shenje mirë apo është i saktë”.

Edhe Jusuf Thaçi ka shprehur kërkimfaljen e tij publike. / KultPlus.com

Pranvera Hyseni fitoi çmimin e astronomisë nga një organizatë ndërkombëtare

Drejtoresha e “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera Hyseni ka fituar një çmim të rëndësishëm nga një organizatë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Hyseni ka shpërndarë në facebook një fotografi teksa në duar mban çmimin “Michael D. Reynolds” nga Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë.

Këtë çmim, Pranvera e mori në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e dhënë në popullarizimin e shkencës së Astronomisë.

“Organizata në fjalë gjithashtu ka dhuruar një shumë të konsiderueshme financiare për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në Kosovë”, ka bërë të ditur Hyseni.

Një asteroid në gjithësi ka marrë emrin e vajzës nga Vushtrria, që njihet si “Asteroid 45687 Pranverahyseni”. / KultPlus.com