Ushtarët zviceranë po përballojnë Covid-19 duke shërbyer në shtëpi

Për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së Covid-19 në kazermat e saj, ushtria zvicerane ka vendosur që disa mijëra rekrutë të saj do të fillojnë shërbimin e tyre ushtarak në shtëpi.

“Kjo është një gjë krejt e re”, pranon Daniel Reist, zëdhënësi i ushtrisë zvicerane, i cili shton se “kjo është zgjidhja ideale”.

E konsideruar si një shtyllë e kombit, ushtria zvicerane është e organizuar si një milici: e mbikëqyrur nga disa mijëra profesionistë, rekrutët duhet të kryejnë shërbimin ushtarak të paktën katër muaj përpara se të thirren çdo vit për të marrë pjesë në seancat e trajnimit.

Këtë vit, rreth 15 000 të rinj dhe të reja zviceriane u desh të bënin shërbimin e tyre ushtarak, të quajtur gjithashtu “shkollë rekrutimi”.

Por, në rast të një mbërritje masive midis këtyre të të rinjve të infektuar me Covid-19, ushtria kishte frikë se nuk kishte kapacitetin për t’u kujdesur për ta./ata/ KultPlus.com

Seri prezantimesh në Qendrën Hulumtuese për Islamin Global në Gjermani, prezantohet edhe gazetarja shqiptare Arta Ramadani

Përgjatë këtij muaji dhe pjesën e parë të muajit shkurt, FFGI- (Qendra hulumtuese për Islamin Global)  me seli në Frankfurt të Gjermanisë, organizon një seri prezantimesh mbi islamin global, shkruan KultPlus.

Në këto prezantime do të marrin pjesë folës të rëndësishëm të cilët do të moderohen nga Susanne Schroter nga Universiteti i Frankfurtit, ku do të prezantohet edhe gazetarja shqiptare në ZDF të Gjermanisë, Arta Ramadani.

Arta Ramadani do të prezantohet me temën “Kosova, Gjermania dhe Islami liberal”, temë e cila është pjesë e hulumtimeve që do të prezantohen dhe nëpërmjet romanit të saj të dytë, që është në përgatitje e sipër./ KultPlus.com

Kreshnikët në UNESCO, bëhet gati dosja e kandidimit të Eposit Shqiptar

Një interpretim nga Bjeshkët e Rugovës padiskutim që mund të konsiderohet si një kryevepër shpirtërore e shqiptarëve, por përse mos ta njohë e gjithë bota, magjinë e një eposi që shqiptarët e kanë interpretuar dhe që e trashëgojnë brez pas brezi?

Koha ka mbërritur dhe Këngët e kreshnikëve shqiptarë më në fund do të shkojnë në UNESCO.

Ministria e Kulturës ka njoftuar se dosja për konkurim po bëhet gati, transmeton a2news. Që nga viti 2009 studiuesi Zymer Neziri, vinte sa here nga Kosova në Akademinë e Shkencave në Tiranë për të sjellë në vëmendje rëndësinë e këtij konkurimi.

Puna për përgatitjen e dosjes së Eposit të Kreshnikëve nisi në 2009, për t’u ndërprerë pa shkak, por vetëm këtë javë Ministria e Kulturës lajmëron se këtë vit kjo dosje do të shkojë në Unesco. Nuk dihet ende nëse është një bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë, por ajo çka dihet është se Tirana zyrtare do ta nisë Eposin drejt UNESCO-s./ KultPlus.com

Piktori Arapi preket nga Covid 19, familjarët i drejtohen kryeministrit Rama: Arapi meriton vëmendjen maksimale të shtetit

Dorina Arapi, vajza e piktorit Mustafa Arapi i është drejtuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që i njëjti të ketë vëmendjen te artisti, pasi që Arapi së fundi është shtruar në spital si pasojë e infektimit nga Covid 19.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj.

Dje babi im, Mustafa Arapi, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Për shkak të kovidit, i është prekur një pjesë e mushkërive.

Mustafa Arapi, babai im, është baba e bashkëshort i shkëlqyer, mik, njeri i nderuar, piktor i nivelit botëror, restaurator i shkëlqyer me një kontribut prej 40 vjetësh në fushën e restaurimit. Nga puna e tij restauruese, sot brezat e rinj dhe kultura shqiptare trashëgon dhe admiron Onufrin, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske, ikona e studimeve e plot të tjera. Pedagog, artist, studiues, pjesëmarrës i lëvizjeve të dhjetorit ’90, Mustafa Arapi meriton vëmendjen maksimale të shtetit, pavarësisht të gjitha shërbimeve që mjekët e infermierët po i ofrojnë. I falënderoj shumë mjekët, infermierët e gjithëkënd në spital që po i dedikohen pacientëve në këto momente të vështira!

Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës shqiptare.

Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare.

Ju faleminderit nga zemra gjithëkujt për ndihmën e vëmendjen!

Shpërndajeni këtë mesazh,… kush dëshiron./ KultPlus.com

Premiera “Emigrantët” shpalosi përballjet e dy personazheve të kundërta në një tokë të huaj

Medina Pasoma

Pyetjes se cilat janë dallimet mes një intelektuali me përgatitje kulturore dhe synime jetësore, si dhe të një punëtori fizik që frymon për të mbijetuar mund t’iu përgjigjemi me një listë të gjatë. Por, premiera “Emigrantët” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dje i dha publikut përgjigjen e të përbashkëtave të këtyre dy protagonistëve, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Arianit Gecit dhe me paraqitjet artistike të Bashkim Ramadanit dhe Labinot Raçit, shfaqja “Emigrantët” shpalosi vështirësitë me të cilat përballen individët të cilët lënë prapa vetes atdheun dhe marrin rrugën e mërgatës, veçse në dy dimensione krejtësisht të kundërta.

Skenari i shkruar nga Slawomir Mrozek dëshmoi që edhe njerëzit i ngjajnë natyrës dhe se pavarësisht pse ekziston largësia lindje-perëndim, sërish gjithsecili në ekzistencë gjen një pikë ku takohet me dikë.

Një intelektual i përndjekur për shkaqe politike detyrohet të vazhdoj jetën në bodrumin e një ndërtese në një shtet të huaj. I vetmi ngushëllim për të është makina e shkrimit, dorëshkrimet dhe mendimet e tij, të cilat bien ndesh me mikun e tij të dhomës. Ai ndan hapësirën ku jeton me një punëtor fizik, i cili shpërfaq naivitetin njerëzor por edhe përpjekjen për një jetë më të mirë.

Njërin e obliguan që të largohet nga atdheu, e tjetrin jeta e obligon që të qëndroj larg familjes së tij, duke pasur përherë në kokë qëllimin e rikthimit në vend dhe të përmirësimit të jetës së gruas dhe fëmijëve të tij.

Në anën tjetër, këta dy protagonistë njeri me dëshirën e tij e tjetri pa të, lanë gjithçka në kërkim të diçkaje më të mirë. Mirëpo, të jetuarit kontestohet përbrenda kushteve të këqija, jetesës në një bodrum ku dëgjohet çdo zhurmë e banorëve në katet e sipërme dhe vetmisë përbrenda shpirtërave të të dyve.

KultPlus ka zhvilluar intervistë me aktorin Bashkim Ramadani, i cili i dha jetë intelektualit të përndjekur në “Emigrantët”, e që tha se kjo shfaqje mbetet e veçantë për të.

“Roli im ka qenë i një të përndjekuri politik, i cili ka ik një kohë prej sistemit për shkak që nuk ka pasur mundësi të vazhdoj me punën e tij me shkrime. Këto janë gjëra me të cilat janë ballafaquar shumë persona kur kanë vendosur të ikin dhe të shkojnë në mërgim”, tha për KultPlus Ramadani.

Normalisht, pas përndjekjes dhe ndërrimit të kushteve jetësore, asgjë nuk do të mbetet e njëjtë për këtë personazh.

“Telashja më e madhe e këtij personazhi mendoj që është se duhet të merret me diçka që nuk është e vetja, nuk ka pasur mundësi ta vazhdoj veprimtarinë që e ka bërë në atdhe, shkrimin. Atje iu është dashur të jetë murator”, shpjegon aktori Ramadani.

Tutje, ai e çmon lartë rrëfimin e kësaj shfaqje, teksa e vlerëson si ndër skenaret më të mira në përballje me dy personazhe.

“E mrekullueshmja e kësaj shfaqje është përballja e dy personazheve me qëndrime diametralisht të kundërta kulturore por që bashkohen nga shqetësimet preokupimet, telashet që i kanë pasur dhe vazhdojnë t’i kenë përgjatë emigrimit”, shprehet ai.

Në anën tjetër, si pjesën më të mirë të rrëfimit, Ramadani e sheh ballafaqimin e dy personazheve me njëri-tjetrin.

“Kjo shfaqje i ballafaqon këto dy botëra e përgjatë të cilave lindin edhe konfliktet të cilat dalin shumë bukur në skenë”, vlerëson Bashkim Ramadani.

Dëshira e aktorit i cili solli rrëfimin e kësaj shfaqje është vazhdimësia e saj.

“Ky është njëri prej roleve që më pëlqen në gjithë karrierën time prej fillimit deri në fund”, përfundon aktori Bashkim Ramadani.

Shfaqja “Emigrantët” ishte realizuar në vitin 2014 nga Qendra Multimedia, si pjesë e studimeve akademike të regjisorit, Arianit Geci. / KultPlus.com

CNN: Shqipëria, mikpritëse e shkëlqyer e turistëve amerikanë

Dokumentet më të fuqishme të udhëtimit në botë, fuqia e pasaportës amerikane është ulur si pasojë e pandemisë së koronavirusit, shkruan rrjeti i njohur informativ amerikan, CNN, përcjell KultPlus.

Pavarësisht se sa i duan fitimet nga turizmi, amerikanët nuk janë të gatshëm të marrin përsipër rrezikun e përhapjes së Covid-19 në vendet e tyre.

Ndërkohë, edhe pse shumë amerikanë po qëndrojnë në shtëpi, disa ende duan të shkojnë jashtë vendit. Vendet e ndryshme të botës i ndryshojnë rregullat në mënyrë dramatike në çdo kohë, transmeton atsh.

CNN jep edhe listën e vendeve ku mbajtësit e pasaportave amerikane të shkojnë për pushime dhe një ndër këto është edhe Shqipëria.

”E gjendur në detin Adriatik, Shqipëria mbetet e hapur dhe mikpritëse e shkëlqyer, shkruan tutje CNN.

”Faqja web e ambasadës amerikane thotë se nuk ka kërkesa për test Covid-19 ose karantinë. Ndërkohë janë vendosur rregulla për maskat dhe ka një orar të përcaktuar lëvizjeje”, përfundon CNN. / KultPlus.com

14-vjeçari nga Kosova mahnitë jurinë suedeze me zërin e tij (VIDEO)

Rejhan Sjunger, 14-vjeçari me prejardhje nga Kosova, ka marrë pjesë në garën artistike për fëmijë në Suedi, ku ka shkëlqyer në këndim.

I riu shqiptar ka mahnitur jurinë suedeze me zërin e tij gjatë performacës në skenë. Ai pritet të ketë një të ardhme të ndritur në fushën e këngës.

Teksa tregon për jetën e tij, Rejhan thekson se muzikën e ka pasion dhe pse nuk ka studiuar në një shkollë muzike. Dëshira e tij më madhe është të arrijë në finale.

Rejhan, ndihet krenar për vendlindjen e babit të tij Kosovën dhe do t’i tregojë botës se Kosova është një shtet i ri dhe i vogël por ka shumë talente ndërkombëtare. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=0EPc8bosJRE&feature=emb_title&ab_channel=RefinnejCire7

Humbi katër anëtarë të familjes, rrëfen djali i Blerim Avdijajt: Ndihem sikur jam në një film të keq horror

Katër anëtarë të familjes Avdijaj, por me qëndrim në Zvicër humbën jetën si pasojë e një aksidenti mbrëmjen e së enjtes në Rrugën e Kombit.

Djali i madh i Blerimit, Mirsadi, ka rrëfyer detaje për aksidentin tragjik nga i cili humbi katër anëtarë të familjes.

“Ndihem sikur jam në një film të keq horror!”, thotë Mirsad Avdijaj 26-vjeç, për të përditshmen zvicërane “Blick”, transmeton KultPlus.

“Ai është djali i madh i Blerim Avdijaj († 51) dhe lejon BLICK të tregojë fotografitë e të ndjerit dhe të japë emrat e tyre të plotë. Përveç babait të tij, gruaja e tij e dytë Anjeza (34 †) si dhe vajza e tyre Medina (6 †) dhe Klejdi njëmbëdhjetë vjeçar – djali i Anjezës nga martesa e sa e parë, gjithashtu patën një aksident”, vijon raportimi i Blick.

“Babai im ishte shoku im më i mirë”

“Unë i doja shumë të gjithë, Klejdi ishte si mishi dhe gjaku im,” thotë Mirsad Avdijaj.

Të Dielën e kaluar ai e çoi familjen në aeroport, “ai ishte miku im më i mirë, ende nuk mund të mendoj qartë ”.

Miqtë e Blerim Avdijaj ende nuk mund t’i besojnë lajmit të trishtuar. “Të gjithë jemi në shok. Unë e njoh Blerimin për njëzet vjet. Ai ishte një njeri kaq i mirë dhe i mirë. Gjithmonë shumë shoqëror dhe i lumtur ”, thotë një shok i të ndjerit për BLICK.

Fqinji Muamet R, është tronditur gjithashtu.

“Ne gjithmonë bënim grill së bashku dhe fëmijët tanë luanin në kopsht. Nuk u kam thënë akoma se miqtë e tyre kanë vdekur ”.

Varrimi i viktimave bëhet gjatë ditës së sotme në Prishtinë, ndërsa në aksident shpëtoi vetëm një vajzë e vogël 3-vjeçe, gjithashtu e lënduar rëndë. Ajo cila po trajtohet në Spitalin e Tiranës. / KultPlus.com

Kina, vendi me më së paku mbiemra në botë

Nëse e ndaloni një person në rrugët e Kinës, mundësitë janë që mbiemri i tij të jetë Wang, Li, Zhang, Liu ose Chen.

Këta janë pesë mbiemrat më të shpeshtë në Kinë të cilët i mbajnë më shumë se 433 milionë banorë, apo 30 për qind e popullatës, sipas të dhënave të Qeverisë kineze.

Kina, me 1,37 miliardë banorë ka popullsinë më të madhe në botë por njëkohësisht ka numrin më të vogël të mbiemrave, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Sipas Ministrisë së Sigurisë Publike, vetëm 6000 mbiemra janë në përdorim në të gjithë Kinën ndërkohë që 86 për qind e popullatës kanë 100 nga këta mbiemra.

Për të bërë një krahasim, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me më pak se një të katërtën e popullsisë së Kinës, raportohet se ekzistojnë 6,3 milionë mbiemra.

Për këtë dallim mes Kinës dhe SHBA-së ka megjithatë një sqarim logjik pasi Kina ka më pak llojllojshmëri raciale se SHBA-të. / KultPlus.com

Jusuf Gërvalla i shkruan nënës: Dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun

Në shtator të vitit 1980, Jusuf Gërvalla ishte larg nënës së tij. Dashuria e pastër e saj megjithatë e ka shoqëruar Jufusin në udhëtimet, tragjeditë e të mirat e jetës së tij.

Sot, në 39 vjetorin e vdekjes së tij, KultPlus ju sjell këtë letër mjaft emocionale të Jusuf Gërvallës.

“ Nanë e dashtun!
Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!

Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!

Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.

Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë.
Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?

Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun” . / KultPlus.com

553-vjetori i vdekjes, Meta: Skënderbeu, shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët

Me rastin e 553-vjetorit të ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka shkruar se ai është ‘shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë’

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të mbetet përgjithmonë ylli polar i kombit tonë, simboli më përbashkues, që diti të na unifikojë në një Besëlidhje të Madhe, kur qenia jonë ishte më e rrezikuar se kurrë, “shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë”, përcaktuesi kryesor dhe pasaporta më dinjitoze e përkatësisë sonë evropiane, Heroi ynë Kombëtar dhe i Europës së Bashkuar.  Krenaria, frymëzimi, fuqia dhe lavdia jonë”, shkruan Meta. / KultPlus.com

‘Trim mbi trima, ai Gjergj Kastrioti, fuqí t’madhe që m’i dhanë ka Zoti’

Filmi për Gjergj Kastriotin është një film historik që trajton jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, shkruan KultPlus.

Në film Gjergj Kastioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donika Kastriotin dhe duke organizuar Besëlidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamza Kastrioti, nipi i tij.

Filmi ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Është filmi i parë artistik, frut i bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik.

KultPlus ju sjell këngën e Gjergj Kastriotit, e cila është edhe kolona zanore e këtij filmi.

Bashkangjitur gjeni videon e shkëputur nga filmi dhe tekstin e këngës.

Trim mbi trima, ai Gjergj Kastrioti,
fuqí t’ madhe që m’i dhanë ka Zoti,
s’e djeg flaka e s’e djeg baroti,
shpata e tij than malin n’dysh e çán,
me nji t’ râme nji ushtrí perlán.

Lavd’ ô Gjergj, ô Skanderbe drangoi,
krahu yt çdo dit’ u përforcoftë,
gjithë ku janë armiqt ai i çfaroftë,
Lavdi yt, ô, brez mas brezi u knoftë. / KultPlus.com

Kur Jusuf Gërvalla i këndonte nënës: Sa fort më mundon vetmia, o nanë (VIDEO)

I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.

Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.

Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.

Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Sonte po ju sjellim këngën kur Jusufi i këndonte mallit për nënën.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

https://www.youtube.com/watch?v=tKdkIq-QVIQ&feature=emb_title

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votrën braktisa një ditë
N’vendlindje ështe vjeshtë
Tani është vonë
Më presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikimi përhera kah dera përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Kthehu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët një varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera e vjeshta o nanë
Që kur ti e ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se dikush një ditë do të trokllojë
Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com

Sulltan Mehmeti II për Gjergj Kastriotin: Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë

Të gjithë e dijmë historinë e heroit tonë kombëtar, ngjarjet e këtij heroi që lanë gjurmë të mëdha në historinë shqiptare dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu shumë shpejt u shndërrua në makthin më të tmerrshëm të Perandorisë Osmane.

Më poshtë, KultPlus ju sjell një thënie që Sulltan Mehmeti II e kishte thënë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në vitin 1467.

Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë’ KultPlus.com

Sot 39 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve.

Edhe pse kanë kaluar 39 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.

Atentati ka ndodhur derisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë pre tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit. Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur.

Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.

Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.

Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë:”Ka qenë UDB-ja”.

Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.

Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”, shkruan KP. Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite.

Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme./ KultPlus.com

Sot 553 vjet nga vdekja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Sot bëhen 553 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Skënderbeu gjithmonë e nënshkroi veten si Zot i Arbërisë, dhe nuk pretendoi tituj të tjerë përveç tij në dokumentet zyrtare.

Një anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme.

Ai u ngrit sipas gradave, duke kulminuar në emërimin si sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçit. Në vitin 1444, ai u emërua prijës i Lidhjes së Lezhës, që konsolidoi fisnikërinë në atë që sot është Shqipëri.

Përkundër vlerës së tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10,000 anëtarëshe e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara. Gjë për të cilën u admirua. / KultPlus.com

“Diku thellë ne ty e shoh një qershi, sa herë të shikoj në sy” (VIDEO)

Tekste të shumta lirike gjetën jetësimin në tingujt e muzikës, shkruan KultPlus.

E tillë është edhe kënga “Një grusht qershi” kënduar nga grupi Gjurmët.

Gjurmët janë grup kosovar i muzikës rok, të cilët shënuan periudhën e lulëzimit të tyre përgjatë viteve 1980-1986.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Një grusht qershi”:

Era ja përkdhelë hapin e…
E bëhet sikur nuk më sheh
Sa bukur i paska ra
Fustani i kuq o me dantela

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

Ç’të paska hije kjo gërshetë
Sdi pse behësh sikur nuk më flet
Sikur të të kisha pranë
Nji grusht qershi do a kisha dhanë

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o / KultPlus.com

Publikohet teaseri i filmit “Dita e Gruas” (VIDEO)

Është publikuar teaseri filmit “Dita e Gruas”, shkruan KultPlus.

Me skenar dhe regji të Goce Cvetanovski, producent Driton Ramadanit, produksion nga “Makedonska Krepost”, me drejtor të fotografisë Fejmi Daut, filmi “Dita e Gruas”, kishte filluar xhirimet në fillimin e tetorit të vitit 2020.

Në rolet kryesor të këtij filmi luajnë aktorët: Sladjana Vujosevic, Musa Isufi, dhe Ismail Kasumi. Kurse në rolet tjera janë: Avni Dalipi, Mendim Murtezi, Damjan Cvetanovksi, Osman Ahmeti, Egzona Salihu, Katerina Kocevska, Eleni Dekidis e të tjerë.

“Dita e Gruas” vie si një shprehje artistike për ironinë e shfrytëzimit të kësaj qenie, teksa në film ndeshen personazhet të cilët tentojnë të jenë shpëtim për gruan dhe ata të cilët i bëjnë dëm vazhdimisht asaj.

Filmi “Dita e Gruas” është xhiruar në Shkup dhe në Kumanovë. Në anën tjetër, ky film është realizuar me përfshirjen e tri gjuhëve: shqip, maqedonisht dhe anglisht. / KultPlus.com

“Përballë kësaj katrahureje që më bën të urrej veten, ka vetëm një njeri si dëshmi se Zoti më do”

Liridon Mulaj

Një natë, teksa ecnim rrugëve të zbrazura të qytetit, më pate pyetur : Sa më do!

Dhe unë mbaj mend që të pata thënë:

“E dashur, prej vitesh tashmë vuaj nga një simptomë e çuditshme, e tmerrshme dhe neveritëse po ashtu. Në mëngjes herët kur sapo jam zgjuar dhe në errësirën e dhomës rri e ngul sytë në asgjë, mendoj për ditën e mëparshme. Kam ndjesinë se gjithçka në ditët e mija të shkuara e kam bërë gabim. Gjithçka që i përket së shkuarës ka trajtën e një lëndë të qullët që merr forma të ndryshme. Nëse e godet merr formën e pëllëmbës e nëse e shkel , do mbeten gjurmët e këpucës dhe nis e urrej veten. Mengjesi më merr frymën dhe më bën të mendoj se gjithçka kam bërë nga e shkuara e deri në atë çast ka qënë e poshtër, e pasens dhe e pakuptimtë. Veten e imagjinoj të zhveshur para armiqve dhe më ngjan sikur gishtat e tyre janë drejtuar drejt meje dhe më tallin. Mëngjeset e mija jane mynxyrë, më kallin datën dhe mëndja gjithnjë, shkon e gjen skutat më të thella të nënvetëdijes sime perverse. Kjo nuk është aspak motivuese. Dhe përballë kësaj katrahureje që më bën të urrej veten, ka vetëm një njeri , një fytyrë, një qënie e ardhur ashtu papritur në jetën time, si dëshmi se Zoti më do apo si dhuratë. Mbase si kompensim te gjithë asaj kohe të jetuar në tunel që më bën të kapem pas saj, si pas një force të madhe dhe të papërshkrueshme. Dhe vetja më ngjan me një Jezu Krisht të ringjallur , si dikush që s’ka asnjë të përbashkët me atë të shkuar të zymtë. Në këtë çast unë nis e vërej rrezen e diellit që ka depertuar nga dritarja dhe jeta nis e merr formë në mua nëpërmjet kësaj qënie e cila je ti. Ja pra e dashur, nëse do ta dish, të dua sa ajo rrezja e vockël e dritës që bie mbi dysheme çdo mëngjes, ajo rrezja që më ndjell drejt jetës, drejt teje..” / KultPlus.com

Oprah Winfrey, së shpejti me dokumentar mbi jetën e saj

Personazhi mediatik, Oprah Winfrey, do ta ketë një dokumentar biografik, i cili do të transmetohet në platformën “Apple TV+”.

Kjo platformë ka njoftuar të premten se dokumentari dypjesësh do të përqendrohet në jetën e Winfreyt. Ky projekt do t’i paraqesë kronikisht 25 vjetët e historisë amerikane nëpërmjet syve të Winfreyt, “që ishte person i thjeshtë për t’u bërë më pas miliardere, filantropiste, aktore, personazh mediatik dhe agjente e ndryshimit social”, transmeton KultPlus.

Dokumentari i Winfreyt do të udhëhiqet nga regjisori që ka fituar çmim “Oscar”, Kevin MacDonald, dhe producentja e nominuar për çmimin “Emmy”, Lisa Erspamer, e cila ndryshe njihet për punën e saj në “The Oprah Winfrey Show” dhe “Whitney.”

Në vitin 2018, “Apple” dhe Winfrey kishin arritur marrëveshje disavjeçare për krijimin e disa programeve origjinale. Disa emisione tashmë janë publikuar në platformë, përfshirë “The Oprah Conversation,” “Oprah Talks COVID-19” dhe “Oprah’s Book Club.” / KultPlus.com

Amanda Gorman, poetja më e re në histori që do të lexojë poezi në inaugurimin e Biden

Poetja 22-vjeçare Amanda Gorman, është zgjedhur të lexojë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur Joe Biden, e cila ka histori të shkrimit në raste zyrtare. Leximi i saj të mërkurën e ardhshme, do ta vazhdojë traditën e presidentëve demokratë, për të cilët prezentë ishin poetë të njohur.

Poezia “On the pulse of morning” e shkruar në vitin 1993 në inaugurimin e presidentit Bill Clinton, shiti më shumë se 1 milion kopje kur u publikua në formën e librit.

Gorman do të jetë poetja më e re që ka marrë pjesë në inaugurime, ndërkaq ajo disa herë ka marrë edhe çmime si poetja më e mirë në Los Angeles, shkruan AP, transmeton KultPlus.

Gorman tha se ishte kontaktuar muajin e kaluar nga zyra e Bidenit. Ajo është takuar me figura publike të shumta, përfshirë Hillary Clinton dhe Michelle Obama, por asnjëherë me Bidenin. Poetja ka shtuar se zyrtarët nga zyra e tij i kishin thënë se zonja e parë në ardhje, Jill Biden, e ka rekomanduar atë.

Ajo e ka quajtur poemën e saj “The hill we climb”, ndërsa ka refuzuar të bëj publike ndonjë pjesë të saj.

Gorman tha se në poezi nuk do t’i referohet direkt ngjarjes që ndodhi në Capitol nga mbështetësit e Donald Trumpit, por se do të prekë nëpër të. / KultPlus.com

‘Sa më shumë lexoni për politikën, aq më shumë e kuptoni se çdo parti është më e keqe se tjetra’

Disa aforizma dhe citate që njerëz të shquar kanë thënë për politikën dhe politikanët.

Janë shprehje të thëna nga njerëz që e kanë provuar shijen e pushtetit, siç është rasti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhejms Buhanan, teksa i dorëzonte detyrën pasardhësit Abraham Linkoln: Nëse ju zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi jini po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jini njeriu më i lumtur në botë.

-Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës.

-Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla.

-Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë.

Çdo burrë për të qenë do të turpërohej nga qeveria që drejton vendin e tij.

-Është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria është gabim.

-Në kapitalizëm, njeriu shfrytëzon njeriun. Në komunizëm është thjesht e kundërta.

-Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, pas gjithë të tjerave.

-Çfarë është qeveria? Shumë thjesht, është një agjenci shtrëngimi. Sigurisht që ka dhe agjenci të tjera force, siç është mafia. Për të qenë më i saktë, qeveria është agjencia e forcës, e cila ka më shumë flamuj në zyrat e saj.

Sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më shumë ligje ka.

-Nëse shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk. / KultPlus.com

Gjilanasja Adriana Matoshi: Do ta kem numrin 60, nëse e lexoni mbrapsht numrin 60, është numri i Gjilanit tim

Sot u bë e ditur se në listën e kandidatëve për deputetë në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë edhe aktorja e njohur, Adriana Matoshi.

Ajo ka reagur përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka treguar se kësaj radhe me ftesën e Kurtit, do të kandidojë edhe ajo për deputete.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Matoshit.

Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë zgjedhje të zakonshme. Ato tashmë janë referendum. Zakonisht, deri tani, kontributi im nëpër zgjedhje ka qenë vetëm nëpërmjet votimit. Këtë herë, me ftesën e kryeministrit Albin Kurti do të garoj edhe unë.
Në këto zgjedhje, në listën fituese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do ta kem numrin 60. Nëse e lexoni mbrasht numrin 60, pra 06 është numri i Gjilanit tim.
Falemnderit që më keni qëndruar afër e uroj që të ua zbardhi fytyrën përherë.
E juaja,
Adriana. /
KultPlus.com