Letra e 93 vjeçares që ka përlotur të gjithë: Kam frikë, jetoj vetëm dhe s’kam asnjë pranë

Zhvillimi i teknologjisë, dëshira për të kërkuar një mundësi më të mirë jetese dikund tjetër, por edhe ritmi frenetik i jetës së përditshme po na bën gjithnjë e më shumë asocialë.

Dhe sigurisht që këtë e vuajnë më së shumti personat e moshës së tretë, të cilët janë të detyruar të mbyllin jetën në vetmi, larg familjarëve që i kanë braktisur dhe miqve të cilët në rastin më të keq mund të kenë ndërruar jetë. Por nevoja për t’u ndjerë e mbrojtur, për të patur dikë pranë është ajo që çoi një grua të moshës 90-vjeçare, të quajtur Wanda t’i shkruante fqinjës së saj Marleen Brooks.

Letra emocionuese nis me këto fjalë: “E dashur zonja X! Do të donit të bëheshit shoqja ime Jam 93 vjeç dhe jetoj vetëm pasi të gjithë miqtë e mi kanë vdekur. Ndihem kaq e vetmuar dhe kam frikë. Lus që dikush të më përgjigjet .’’

Kjo letër jo vetëm që përloti fqinjen e re, e cila nuk nguroi aspak që t’i shkonte pranë dhe të bëhej mikja e saj, por do të bënte xhiron e web-it pasi u publikua në redaksinë Frank Somerville KTVU dhe pati me dhjetëra mijë shpërndarje në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.

Wanda, gruaja 93 vjeç është nënë e tre fëmijëve, një prej të cilëve ka humbur jetën si pasojë e kancerit vitin e shkuar, kurse dy djemtë e tjerë e kanë braktisur plotësisht duke e detyruar të jetoj mes izolimit dhe vetmisë.

Sipas studimeve të fundit të bëra nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), të moshuarit që jetojnë vetëm rrezikojnë me 42% të vdesin më herët se bashkëmoshatarët e tyre që jetojnë me familje. / KultPlus.com

Shqiptari bëhet baba i katërnjakëve në Gjermani

Katërnjak kanë lindur në Klinikën e Gjinekologjisë në spitalin e Augsburgut, gjë që ndodh një herë në 100 vjet mesatarisht pa terapi të fertilitetit, transmeton KultPlus.

Së pari erdhi Leoni pastaj Luis, vazhdoi Aroni dhe në fund Beni. Lindja e katërnjakëve të Michaela Seidl dhe partnerit të saj Valmir Bytyqit në spitalin e Augsburgut zgjati tre minuta. Dhe gjëja më e mirë e kësaj është se katër djemtë janë shumë të shëndetshëm, të gjithë kishin peshë 1.300 gramë dhe po merrnin frymë në mënyrë të pavarur që nga fillimi.

Por për shkak se ata duhej të vinin në jetë me prerje cezariane dy muaj më herët, ata janë në kujdesin intensiv për fëmijë të parakohshëm dhe më pas dolën.

Lindja e katërnjakëve pa terapi për fertilitet është jashtëzakonisht e rrallë. Ekspertët vlerësojnë se ka lidhje të katërnjakëve në 1.853 raste.

Për momentin Leon, Luis, Aron dhe Ben janë ende në stacionin e monitorimit të klinikës së fëmijëve. Nëna Michaela dhe babai Valmir vijnë çdo ditë për të përqafuar fëmijët e tyre, për t’i ndjerë ata. Të katërt ushqehen ende përmes një tubi gastrik, por gradualisht ata kalojnë në një formulë speciale të shishes. Prindërit e tyre ndoshta do të jenë në gjendje t’i marrin ata në shtëpi. / KultPlus.com

Roberts: Po plakem me dinjitet dhe qetësi, nuk bëj botoks dhe e di që po rrezikoj karrierën time

Nga Julia Roberts

Po plakem me dinjitet dhe qetësi. Nuk bëj lifting ose botoks dhe e di që bazuar në standardet e Hollivood-it, po rrezikoj karrierën time.

Nëse ata nuk duan të më japin një rol sepse dukem e vjetër, do të thotë që do e prodhoj vetë projektin dhe do zgjedh kë të dua. E rëndësishme është të mos e marr shumë seriozisht këtë profesion.

Njoh shumë nëna që përpiqen t’ia dalin deri në fund të muajit. Këto janë probleme serioze, këto janë gratë që admiroj, të cilat janë të bukura dhe të mira edhe kur gjithçka duket dhe është e vështirë. Sinqerisht, kam frikëra të tjera. Frikë për fëmijët e mi, se nuk mund t’i mbroj nga askush që dëshiron të përfitojë prej tyre.

Për mua është më e rëndësishme të ndihem mirë dhe ta bëj familjen time të jetojë mirë. Jam me fat dhe vlerësoj gjithçka që kam. Falënderoj burrin tim dhe fëmijët e mi çdo ditë.

Për këtë arsye, për mua momentet më të rëndësishme të ditës nuk janë kurrë ato që kaloj në xhirime, por ato në të cilat ha mëngjes me familjen time sepse flasim për gjithçka.

Është një moment magjik. / KultPlus.com

Mërgimtari e regjistron Ferrarin e tij me fjalën ‘Gërrnaq’

Një mërgimtar ka “regjistruar” veturën e tij Ferrari me tabela shumë të veçanta. Ai në tabelat gjermane ka shkruar fjalën “gërrnaq”, duke e marrë me sportivitet fjalën që ishte trend për një pjesë të mërgimtarëve javëve të fundit.

Në dy javët e fundit të muajit dhjetor fjala “gërrnaq” ishte bërë hit në rrjetet sociale, krejt kjo pas një debati që ishte ngjallur nga gazetari Valon Syla.

Syla fjalën “gërrnaq” e përdori për një pjesë të diasporës, që kuptimi i fjalës sipas tij është për atë pjesë të diasporës, që jetojnë në mes të Kosovës, Zvicrës dhe Gjermanisë.

Ka pasur shumë persona nga diaspora që e kanë marrë për të keq këtë fjali, duket mos e ditur se për kë saktësisht është bërë ky cilësim. Mirëpo ka pasur edhe prej atyre që e kanë marrë me sportivitet, ku edhe kanë shfaqur kreativitetin e tyre.

Së fundi është një person nga diaspora që ka bërë diçka të veçantë në veturën e tij Ferrari.

Ai në tabelat e veturës e ka shkruar fjalinë “gërrnaq”.

Fotografia është publikuar në grupin “Marakli t’kerreve” derisa nuk dihet se fotografia a është montazh apo e vërtetë. / KultPlus.com

Video-komunikimi i dy qenve që s’janë parë moti, moment tejet emocionues

Një moment ulërimash, që të prekin në zemër. Një video, e nxjerr nga “Daily Mail”, tregon dy qen se si komunikojnë e çmallen mes vete, pasi nuk janë parë tash e një kohë, transmeton KultPlus.

Qeni Jax, që tash jeton në Oak Bluff të Manitobas në Kanada, u xhirua duke ulëritur gjatë një komunikimi me video me një shok të tij, po ashtu të racës “husky”, të quajtur Birdie.

“Jax dhe Birdie, i cili është qeni i vajzës sime, janë miqtë më të mirë, por kur vajza ime dhe Birdie u larguan, atyre u mungonte njëri-tjetri”, tha pronari i Jaxit.

Gjatë videos 12-sekondëshe, Jaxi shihet duke shikuar drejt në tabletë ku shfaqet shoku i tij, Birdie. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=1W7FibYzZuQ&feature=emb_title&ab_channel=Tonight%27sEntertainment

Halili letër të hapur institucioneve: Nuk i ka hije librit të Anton Pashkut të trajtohet në atë formë makabre

Nga Ervina Halili

I nderuar z. Zyberaj,

Me datë 8 Maj 2020, kemi verpuar shumë shpejt në tërheqjen e materialeve të Rilindjes të cilat po qëndronin në kontenjerin e Pallatit të Shtypit, e konsideroj bashkëpunim të suksesshëm. Sot, me datë 8 Janar 2021, gjej shkas përvjetorin e ditëlindjes së Anton Pashkut, një shkrimtar i madh por jo shumë i respektuar sa i përket arkivës së tij, të adresoj një problem tjetër po aq të rëndësishëm e për të cilin do të na duhej bashkëpunim pak më i angazhuar.

1. Kati përdhesë i shtypshkronjës Rilindja, i menaxhuar nga AKP, ka një magazinë të errët dhe të lagësht me libra të shtypshkronjës Rilindja, nga autorë të botuar që nga vitet e 70-ta, të cilat dergjen nëpër lagështinë e dyshemesë. Këto libra do të duhej të ishin pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare e cila do të duhej ta shpërndante në biblioteka rajonale, duke qenë se këto libra, shumica prej të cilave ende janë libra që obligohen si libra leximi nga programet e lëndëve mësimore, të cilat unë vetë gjatë studimeve më është dashur t’i blej me vështirësi se nuk është se janë ribotuar, është e rëndësishme t’i kthehen qytetarit në shërbim.

Biblioteka Kombëtare do të ishte shumë falenderuese (supozoj) nëse do të mund të bashkëpunonit mbi këtë aksion që parimisht është profesional dhe institucional, dmth ju takon ta bëni, dhe së dyti është shumë i rëndësishëm dhe dinjitoz, sepse nuk i ka hije librit të Anton Pashkut të trajtohet në atë formë makabre. Do të ishte shumë mire po ta shihja pak edhe Ministrinë e Kulturës, (Zyra për Trashëgimi Kulturore) të interesohej për këtë trashëgimi. Në anën tjetër, ju i njihni mirë ligjet mbi Arkivat, por po e rikujtoj Ushëzimin Administrativ Nr. 09/2007, Neni 15, që ju obligon të shkoni dhe të interesoheni për këtë material, së bashku me Bibliotekën Kombëtare, dhe zyren për trashëgimi te Ministrisë se Kulturës, mundësisht, e ta vlerësoni nëse ia vlen ta keni apo ta lini në terrinat e mykura.

2. Në hapësirën ku dikur ishte KosovaLive, dmth brenda shtypshkronjës Rilindja, është raportuar që ruhet ende një fond i gjerë i gazetës Rilindja të cilat janë marrë privatisht pas mbylljes së pallatit, thuhet të jenë marrë duplikatet, mesiguri me qëllim të mirë, për t’u mbrojtur. Ky material është arkivë shtetërore. Biblioteka Kombetare poashtu, do te ishte mirë ta shpërndajë këtë material edhe në bibliotekat e tjera rajonale (besoj). Nuk ka të drejtë askush, materialet e lidhura institucionalisht të cilat kanë qenë pjesë e arkivit të gazetës publike, t’i bëjë pronë private. Duhet të gjurmohet ky rast dhe materialet te kthehen sa me shpejt.

A do të kishit mirësinë që stafi juaj ta vazhdonte këtë proces së bashku me Bibliotekën Komëbtare të Kosovës dhe me Ministrinë e Kulturës? – Prishtina nuk është rajoni i vetëm që do të duhej ta kishte këtë arkivë.

Unë jam shumë optimiste që së shpejti ky aksion do të përfundojë tërësisht.

U pafshim për lajme të mira!

Ervina

p.s. Kjo letër është dërguar publike vetëm që aksioni të ketë efekt me të shpejtë dhe transparent. / KultPlus.com

Hikmete Imeraj, truproja më e famshme në Kosovë

Nuk ka asnjë punë që burrat mund ta bëjnë e gratë jo.

Me këtë maksimë Himkete Imeraj e nisi rrugëtimin e saj profesional. Një ide si kjo e guximshme për kohën, i hapi rrugën që të thyejë çdo barrierë dhe sfidë që jeta mund t’ia sillte përpara.

“Gjithmonë më ka pëlqyer të thyej akullin për femrat tjera, të rrezikoj dhe asnjëherë të mos frikësohem për asgjë”, tregon Hikmetja për revistën ZA, me vendosmërinë që përçohet nga sytë e saj.

Himete Imeraj ishte policja e parë grua në Njësinë e Mbrojtjes së Afërt në Policinë e Republikës së Kosovës, e njohur për publikun edhe si truproja e Presidentes së Kosovës gjatë vitit 2011-2016, Atifete Jahjagës.

E lindur në Ucë të Istogut, Hikemtja është rritur me dashuri dhe përkushtim të madh nga prindërit e saj në një familje me nëntë fëmijë. Kujdesin ndaj saj Hikmetja u mundua tua kthente prindërve që e vogël. Me pesë vjet ajo filloi të kontribuonte në të gjitha punët e fushës dhe shtëpisë. Nuk i kishte lënë vetes zgjedhje. Donte t’i ndihmonte prindërit e saj.

Shkolla ishte gjithmonë e rëndësishme për të dhe mbështetja për këtë nuk i kishte munguar asnjëherë. Shkollare në vitet e 90-ta, Hikmetja e kishte provuar sistemin arsimor paralel. Tetë vjet i kishte vijuar mësimet në shtëpitë shkolla dhe vështirësitë e shkollimit në këtë sistem veçse e motivonin që të mësojë më shumë.

Sfidat e shkollimit shpejt u harruan kur Hikmetja pa tmerrin e luftës. Ajo ishte vetëm 15 vjeçare kur ishte dëshmitare e vrasjes së kushëririt të saj nga forcat e armatosura serbe. E pa me sytë e vetë aktin. Përvojat e tilla traumatike thyejnë shumë njerëz. Por jo Hikmeten.

Të gjitha këto përjetime në një mënyrë e drejtuan Hikmeten drejt Policisë së Kosovës.

Ky institucion po rekrutonte gjeneratën e dytë të policëve. Hikmetja ishte gati. Për t’iu bashkuar uniformë-kaltërve, asaj iu desh ta kalonte një test shumë të vështirë fizik.

“Asokohe”, rrëfen Hikmetja, “mendohej se puna në polici u takonte vetëm meshkujve, madje kishte edhe raste kur të arrestuarit rezistonin duke mos treguar respekt ndaj një femre police si pasojë e paragjykimeve të shumta që kishin”, i përshkruan ajo ditët e para nën uniformë.

Këtu e gjeti mundësinë t’i thyente stereotipet gjinore të rreshkura në shoqërinë kosovare.

“Mirëpo, kur kanë has, po flas personalisht te unë, 100% e kanë ndërru mendimin e tyre. Thoshin që ne kurrë nuk kemi mundur të mendojmë që një femër mund ta kryejë punën kështu. Madje edhe më kanë zgjedhur mua më parë se ndonjë burrë për arsye të profesionalizmit dhe gatishmërisë sime”, tregon ajo me tone krenarie. 

Hikmetja kishte filluar punën si police e patrullimit fushor, për të vazhduar si police në Gjykatën Kushtetuese. Më pas ajo iu bashkëngjit Njësisë së Mbrojtjes së Afërt. Kjo njësi ka mision specifik brenda Policisë së Kosovës, i cili është mbrojtja e personave me rëndësi të veçantë të cilët janë më të rrezikuar dhe Hikmetja donte të bënte pikërisht këtë. Fakti që nuk kishte asnjë grua tjetër në këtë njësi nuk e stepi. Kjo veçse e motivoi më tutje.

Puna në këtë njësi kërkon përgatitje dhe strategji të jashtëzakonshme. Mbrojta e afërt duhet të jetë në gjendje gatishmërie gjatë gjithë kohës, t’i paraprijë çfarëdo rreziku dhe në rast nevoje edhe t’i menaxhoj ato duke reaguar shpejtë. Dhe tërë këtë ata duhet ta bëjnë në qetësi dhe në prapaskenë, larg çfarëdo vëmendje të publikut.

Por, për Hikmeten ishte e vështirë të mbetej e padukshme. Në momentin e emërimit të Presidentes Jahjaga, qytetarët vërejtën edhe një fenomen tjetër – truproje grua. Hikmetja ishte mbrojtje e afërt e Presidentes Jahjaga edhe në kohën kur ajo ishte Gjenerale në Policinë e Kosovës, por atëherë publiku nuk e njihte. Por tashmë ajo ishte truproje e Presidentes. 

Me flokë të shkurta dhe të bardha, qëndrim të fortë dhe gjithnjë vigjilente, Hikmetja dallohej kudo që shkonte. Por, kjo asaj nuk i bënte aspak përshtypje. Ajo kishte përgjegjësi që të kujdesej për sigurinë e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe kjo detyrë ishte fokusi i saj.

Kohën gjatë të cilës kishte shërbyer si mbrojtje e afërt e Presidentes Jahjaga, Hikmetja e kujton me shumë krenari.

“Një gjë që me ka bërë përshtypje kur kemi udhëtuar jashtë vendit, që më ka bërë ndoshta edhe të qaj, është momenti kur e kam parë flamurin e Kosovës dhe përcjelljen e Presidentes me mbrojtje te afërt të shtetit nikoqir dhe pritjen me tepih të kuq. E kam përjetu ndjesinë e të qenit shtet”, shprehet edhe tash përplot me emocion për këto momente.

Këto momente janë të paharrueshme për Hikemten sepse ndjeu krenari, emocion dhe dinjitet. Ajo kishte punuar gjatë që të kontribuojë në një formë në forcimin e shtetit të Kosovës dhe në këto momente e shihte se si Kosova trajtohej me respektin që i takon.

“Ajo ka qenë një ndjenjë e veçantë që nuk mundem me përshkru për arsye të sfidave të mëdha që kemi pasur për t’u bërë shtet, gjatë luftës dhe para luftës, gjatë kohës se rezistencës ku shumë njerëz e kanë humbur jetën për liri. Përveç kësaj edhe ndjenja e përgjegjësisë me përfaqësu shtetin në një vend tjetër ka qenë perfekte”.

Puna në polici kërkon shumë përgatitje fizike, të cilat janë të domosdoshme për të qenë në krye të detyrës, veçanërisht në njësi si ajo e Hikmetes. Përvoja me sporte të ndryshme i ka ndihmuar në këtë. Me vite ajo është stërvitur në futboll dhe karate, anipse rrethi vazhdimisht i ka thënë që nuk janë sporte për vajza.

“Unë kam luajtur futboll me djem edhe në shkollë, e arsimtarët më thonin eja luaj basket me vajza e mos luaj futboll me djem. Por, unë kisha më shumë dëshirë të luaja futboll”.

Pavarësisht komenteve të tilla, ajo vazhdoi të luante dhe madje u ndihmoi vajzave të reja të luanin këtë sport për të cilin mendohej të ishte vetëm për djem. Për më tepër, bashkë me ato nisi të luante futboll në fusha të hapura dhe pastaj edhe u bashkangjit në klubin e Prishtinës.

Stërvitjet për karate, që i kishte filluar gjatë vitit të fundit të studimeve, i kishin ndihmuar që ta kalonte testin pranues për t’ju bashkangjitur Policisë së Kosovës. Edhe pse, sipas Hikmetes, zakonisht testet fizike për gra janë më të lehta me qëllim që të arrihet një mesatare, testi në Policinë e Kosovës asokohe ishte i njëjtë si për gra ashtu edhe për burra. Madje ndoshta edhe më i vështirë.

Testi i rekrutimit s’ishte e vetmja provë ku Hikmetja duhej ta dëshmonte veten. Gjatë punës brenda njësitit ajo ishte sfiduar nga instruktorët burra sa herë që ka pasur ushtrime. Hikmetja thotë se ata e kanë përdorur “forcën e vërtetë” për ta thyer moralisht. Por tentativat e tyre ishin të pasuksesshme. Kjo metodë e ka bërë Hikmeten edhe më të fortë dhe më këmbëngulëse drejt arritjes së qëllimeve të saj – të ushtronte edhe më shumë dhe të mos dorëzohej.

Vendosshmërinë si njërin ndër tiparet më të veçanta të karakterit Hikmetja e ka të trashëguar nga babai i saj. Në fakt, ai e kishte ndikuar më së shumti ndërtimin e karakterit të saj.

“Baba më ka ndihmu shumë. Ka qenë punëtor shumë i madh, e kam pas si model. Kam punu shumë se kam mendu se ashtu duhet”.

Një ditë e zakonshme për Hikmeten fillon në orën tetë të mëngjesit. Dita zakonisht ka orarin standard prej tetë orësh, mirëpo “në raste kur jemi në gjendje gatishmërie apo mbrojtje e afërt e ndonjë VIP-së, atëherë orari varet prej orarit të asaj apo atij VIP-i”, tregon Hikmetja. Kur punonte me Presidenten Jahjaga orari ishte deri në 13 orë.

“Mirëpo, polici është në punë 24 orë, gjithmonë duhet me qenë në gjendje gatishmërie për të mbrojtur qytetarët”.

Asgjë nuk është e paarritshme në sytë e Hikmetes. Ajo lobon fort që të gjitha vajzat që duan të veshin uniformën e Policisë së Kosovës të mos hezitojnë. Madje tregon se ofrohen trajnime të veçanta për secilin departament në polici dhe të gjitha sfidat kalohen me punë.

Tash, pas 21 vitesh pune në Policinë e Kosovës, ajo është mishëruar me profesionin. Asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja të largohej. Por, përkundër natyrës kërkuese të profesionit të saj, Hikmetja ka energji dhe dëshiron të bëjë ende më shumë për vendin.

Duke besuar në veprën e Sokratit, i cili e kishte shembur shtetin për t’i ndihmuar rinisë, Hikmetja dëshiron ta ndihmojë rininë e vendit jo duke shembur shtetin, por përmes sportit. Në një të ardhme të afërt planifikon të krijojë një palestër sportive për fëmijë. Sportet të cilat ajo do t’iu mësoj fëmijëve janë gjimnastika dhe karateja.

“Kjo do t’u mundësojë vajzave dhe djemve të kuptojnë botën e njëri tjetrit. Të rriten të barabartë. Dhe pastaj kur të rriten dhe ballafaqohen me sfidat e jetës, nuk do ta kanë ndjenjën e superioritetit apo inferioritetit, do të janë të barabartë”.

“Vajzave të reja u sugjeroj të merren sa më shumë me sport, e në veçanti me karate”,va porosit Hikmetja, “pasiqë u shërben për vetëmbrojtje si dhe për t’iu ndihmuar atyre që t’i përballojnë sfidat e jetës më lehtë”.

Hikmetja është dëshmi e gjallë se gratë e burrat janë të barabartë edhe aty ku kërkohet forca fizike, anipse kjo barazi nuk reflektohet në statistikat gjinore të këtij njësiti ku edhe sot janë vetëm dy gra dhe rreth 100 burra. Por, përkundër kësaj, Hikmete Imeraj nuk është ‘gruaja anëtare’ e Njësisë së Mbrojtjes së Afërt të Policisë së Kosovës. Ajo është ANËTARE e këtij njësiti. Dhe deri më sot – truproja më e famshme në Kosovë. /jahjagafoundation/ KultPlus.com

Përfundon faza e dytë e restaurimit të filmit ‘Vitet e Pritjes’

Përfundon faza e dytë e restaurimit të filmit “Vitet e Pritjes”.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi e cila është entuziaste për finalizimin e procesit të restaurimit të këtij filmi dhe vazhdimin gjithashtu të punës me restaurimin e të tjerë titujve të filmave shqiptar të para viteve “90”.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka restauruar filmin “Skënderbeu”, komedinë “Përrallë nga e Kaluara” dhe të tjerë tituj të rëndësishëm që përfaqësojnë si vlera profesionale të nivelit të lartë por edhe element të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar.

Ky projekt i iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe AQSHF ka gjetur edhe mbështetjen e “ACP” dhe gjithashtu edhe me ndihmën e arkivistit zviceran Reto Kromer në laboratorin e tij që konsiderohet shumë i përshtatshëm për këto projekte.

Premiera e filmit të restauruar totalisht “Vitet e Pritjes” është menduar të shfaqjet për publikun menjëherë pas tejkalimit të situatës nga pandemia ku të bëhet e mundur rihapja e kinemave. /atsh/ KultPlus.com

‘Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun’

Anton Pashku: Poema simfonike, 1958

Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun
ne shkretinën e paanë të vetmis.
Rrin dhe rrënkon e flet me gjuhën e heshtjes…
Nji barkë u nis prej limanit, atëherë kur deti ishte
plot valë.
Stuhi! Stuhi…

N’at barkë lundronte nji zemër, zemër …
Stuhi…Barka hepohet, barka anohet…
Barka dhe vala…
Ej, oj…Zemra mbi barkë…
Stuhi…

Vala mbi barkë e zemër…
Oj…Zemra u fundos…
Ej, mbi det nji deshirë…
Ah…Valet e muerën… / KultPlus.com

Sot 84 vjetori i lindjes së Anton Pashkut

Më 8 janar të vitit 1937, lindi shkrimtari Anton Pashku, shkruan KultPlus.

Sot pra është 84 vjetori i lindjes së këtij shkrimtari me emrin e të cili lidhet letërsia bashkëkohore shqiptare.

Bënte pjesë në brezin që hodhi themelet e prozës shqiptare në letërsinë shqipe në Kosovë, së bashku me Adem Demaçin dhe Ramadan Rexhepin.

Anton Pashku është autor pa paramodel në letërsinë shqipe, por njëkohësisht është vetë model specifik, thyes e konsolidues i traditës letrare shqipe. Anton Pashku, specifikisht, është ndër të parët shkrimtarë të letrave bashkëkohore shqipe, i cili veçohet për trajtimin e temave të vogla, rrëfimin prej perspektivave të ndryshme, observimet psikonarrative, shpërfilljen e normave të zakonshme të shkrimit letrar.

Anton Pashku vdiq më 31 tetor të vitit 1995, ndërsa la pas vetës shumë tregime, drama e romane të cilat i mbetën lexuesit shqiptarë më shumë se një kujtim nga shkrimtari i madh.

Fotografitë që e krijuan ikonën David Bowie

Pioneri i muzikës pop ishte i mahnitës para kamerës, aq sa ishte edhe pas një mikrofoni. Për të shënuar pesëvjetorin vdekjes së tij, Laura Studarus ka biseduar me ata që e fotografuan David Bowien.

Edhe pse muzikant me profesion, David Bowie ka lënë trashëgimi të madhe – sa vizuale aq edhe muzikore. E, teksa i afrohemi pesëvjetorit të vdekjes së tij, ajo trashëgimi është më e fortë se kurrë.

Kalimi nëpër zhanre – rock, funk, industrial e avangardë … – gjithmonë shënohej me imazh të ri. Stili i tij evoluues – nga alieni me flokë të kuqe Ziggy Stardust e deri tek i verbëri me kostum në kopertinën e albumit “Heathen” më 2002 – është deklaratë e fuqishme sa edhe muzika e tij, duke krijuar kështu një model për ata që mund të bëhen nesër të famshëm.

Gjatë gjithë karrierës së tij, këto ndërrime eksperimentale të personit lanë gjurmë para një kamere. Siç është dokumentuar në librin e porsabotuar, “David Bowie: Icon” – që përmban foto të yllit nga 25 fotografë të ndryshëm – Bowie e kuptonte fuqinë që fotografia kishte në botën e tij. Edhe fotografët e dinin se po bëjnë diçka të veçantë me të.

Foto e vitit 2002, e realizuar nga Markus Kinko

Markus Klinko, i cili disa herë e fotografoi Bowien, e përshkruan atë si një subjekt ideal.

“Ishte shumë bashkëpunues, por gjithçka niste me një ide të fortë që ai e kishte”, thotë Klinko. “Kur e sheh kopertinën e albumit ‘Heathen’, ai është njeri i verbër me sytë e zbardhur. Është ky një efekt special. Por, edhe ashtu donte që këtë ide specifike ta vinte në këndin e duhur e sytë të jenë ashtu të zbardhur. Ishte një si frymëzim i marrë nga Man Ray. E, kostumi i stilit të viteve 1940 ishte diçka që po ashtu e donte … Kur punon ndonjëherë me artistët tjerë, që janë të bukur e tërheqës, ata nuk i kanë mendimet e tij. Janë mësuar të duken mirë, pa marrë parasysh se si … Por, Bowie ishte krejt ndryshe”.

Përshtypja e Kinkos për vendosmërinë kreative të Bowiet ka jehonë te fotografët e shumtë që kanë punuar me të. Bowie ishte i qartë për imazhin e tij dhe për mënyrën se si donte ta paraqiste atë . Por, ishte po aq i zgjuar që t’i zgjidhte bashkëpunëtorët që mund ta arrinin këtë. Mick Rock ishte një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Foto e vitit 2003, e realizuar nga Mick Rock

“Nuk bënim shumë diskutime”, thotë ai. “Kjo sepse, siç mund ta shihni te të gjitha fotografitë, ai e shijonte procesin. Ai vinte të luante”.

Por, teksa Bowie e përdori aftësinë për ta treguar një histori përmes fotografëve, Janet Macoska beson se ai gjithashtu e dinte efektin që e kishte tek njerëzit. Kur e ka parë për herë të parë Bowien duke performuar më 1974, thotë se fillimisht ishte e frikësuar nga intensiteti i pranisë së tij në skenë dhe nga sytë me dy ngjyra. Por, kur më 1976 ishte në një turne që nuk i lejonte fotografët, asaj iu dha mundësia ta fotografonte skenën e tij. Në këmbim të kësaj, u lejua të futej në shfaqje e të rrezikonte ta thyente rregullin e vendosur nga menaxhmenti.

“Dilja kohë pas kohe, për të shkrepur disa fotografi, por Davidi kishte dy djem të trupmëdhenj në skenë, një në secilën anë”, kujton ajo. “Nëse do ta shihte një aparat fotografik, do të bënte me gisht dhe ata do të vinin e do ta merrnin filmin. Kështu, më zuri. E tundi dorën me një ‘jo mos e bëjë këtë, turp të kesh’! E pastaj buzëqeshi dhe i largoi ata tipat. E fotografova tërë koncertin! Ndjehesha si të isha e bekuar”

Foto e vitit 1974 e realizuar nga Janet Macoska

Historia e Macoskas është e zakonshme, sepse shumica e fotografëve të koncerteve i shkelin rregullat e për të bërë një fotografi të përsosur. Sidoqoftë, rrëfimit të saj i shtohet një pjesë tjetër, gjatë turneut të Bowiet me grupin Nine Inch Nails, më 1995, kur ajo mundi t’ia dhuronte një foto në kornizë nga nata kur ai e shpëtoi të mos hidhnin jashtë. Disa javë më vonë, ai u përgjigj.

“Erdhi një letër nga Zvicra e unë nuk e njihja askënd në Zvicër”, thotë ajo. “Ishte nga Davidi që u falënderua për dhuratën time. ‘Ju lus të më falni për vonesën time për t’u përgjigjur’ … Ishte diçka e mrekullueshme. Një letër e shkruar nga David Bowie, që më falënderonte për dhuratën”.

Teksa shumë fotografë e kanë fotografuar ikonën, Geoff MacCormack thjesht po i bënte foto mikut të fëmijërisë. Shoku i shkollës luajti shumë role në rrethin e gjerë të Bowiet. “Jam një mashtrues, nuk e meritoj të jem në këtë libër”, shkruan ai në parathënien e veprës, meqë më 1976 ai e kishte humbur interesimin për fotografi.

Foto e vitit 1973 e realizuar nga Geoff MacCormack

Imazhet e tij mbulojnë banalitetet e turneve. MacCormack thotë se nuk kishte skemë në punën e tij, përveç të kapte atë që kalonte para objektivit të tij.

“Kurrë nuk kam thënë: ‘Oh, më duhet të zgjohem herët në mëngjes. Nuk duhet të pi shumë sonte, se duhet të çohem herët në mëngjes për të bërë foto”, konfirmon ai.

Ai qeshet kur i thonë se Bowie ishte subjekt perfekt fotografik. “Kam foto ku nuk duket shumë mirë, kështu që nuk do t’i përdori”, thotë ai. Por, duhet cekur se MacCormack i pëlqente fotot e papërsosura, të stilit dokumentar. E, po ashtu edhe Bowie.

Pesë vjet pas vdekjes së tij, statuti i Bowiet po rritet edhe më shumë në kulturën pop.

“Gjithmonë e kam pasë një nevojë për të qenë diçka më shumë sesa njerëzor”, ka thënë dikur ai.

Fotot e lëna pas, shumë nga të cilat janë në galeri të arteve, flasin për suksesin e projektit të tij artistik. Duke e parë punën e tij, është e vështirë të kuptosh se ku mbaron ikona e ku fillon njeriu. Siç thekson Klinko, kjo është çështja!?

“Albumi i tij i fundit ‘Blackstar’, e gjithë mënyra se si u lansua, mënyra se si vdiq një ditë më vonë, e gjithë jeta e tij ishte orkestruar në një mënyrë të bukur e shumë artistike”, thotë ai. “Ai ishte shumë i vetëdijshëm për ato që po bënte” /telegrafi/ KultPlus.com

Mbi 60% e njerëzve e gjejnë çlirimin nga stresi i COVID-19 në natyrë

Kërkimet e kryera nga Fondacioni i Shëndetit Mendor kanë zbuluar se 62% e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar gjetën çlirim nga stresi i shkaktuar nga COVID-19 vetëm duke bërë shëtitje.

Gati gjysma e të anketuarve thanë se kalimi i kohës në hapësira të gjelbra i ka ndihmuar ata të përballen me rritjen e ankthit lidhur me pandeminë.

Edhe nëse distanca e koha nuk ishin të mëdha, dalja jashtë ka pasur një ndikim pozitiv në mirëqenien mendore të tyre.

Për këtë studim, Fondacioni i Shëndetit Mendor është bashkuar me Fondin Botëror për Natyrën për të krijuar një udhëzues për shëndetin mendor. Udhëzuesi i titulluar “Lulëzo me natyrën”, eksploron këtë marrëdhënie midis botës natyrore dhe mirëqenies mendore të njerëzve. Udhëzuesi tregon se si natyra mund të mbështesë mirëqenien pozitive mendore por gjithashtu tregon se si njerëzit mund ta ndihmojmë natyrën.

Si mund ta ndihmojmë ne natyrën?
“Përfitimet shpesh lidhen me mënyrën se si shqisat tona na lidhin me mjedisin, nga format në natyrë që shohim tek aromat që japin pemët dhe magjepsja e butë që natyra mund të stimulojë, e cila e ndihmon mendjen tonë të pushojë”, thuhet në udhëzues.

Nuk duhet të jetë një shëtitje nëpër shkretëtirë, madje të dy organizatat po i inkurajojnë njerëzit të gjejnë pushim dhe lehtësim në hapësirat e gjelbra.

Nga Fondacioni i Shëndetit Mendor, guida e quajtur “Të rritesh me natyrën”, ka sugjerime për aktivitete sezonale si kultivimi i perimeve vetë apo kryerja e “ushtrimeve të gjelbra”, që mund të jenë xhirot me biçikletë apo xhirot në ambiente të gjelbëruara.

Pos rekomandimeve praktike ka dhe sugjerime të tjera që ndihmojnë në stresin dhe ankthin duke ju inkurajuar t’i kushtoni vëmendje asaj që mund të shihni, dëgjoni, ndjeni, shijoni dhe nuhatni./agroweb/ KultPlus.com

Michelle Obama thotë se rrjetet sociale duhet ta bllokojnë Trumpin përgjithmonë

Ish-zonja e parë e SHBA-së Michelle Obama përmes një deklarate në Twitter rreth trazirave të djeshme në Kongres u ka bërë thirrje mediave sociale të bllokojnë presidentin Trump përgjithmonë nga platformat e tyre.

“Tani është koha që kompanitë e Silicon Valley të ndalojnë mundësimin e kësaj sjellje monstruoze – dhe të shkojnë edhe më larg sesa kanë bërë tashmë duke ndaluar vazhdimisht këtë njeri nga platformat e tyre”, tha ajo.

Deri më tani Trumpin e kanë bllokuar rrjetet sociale përkohësisht. /Express/ KultPlus.com

“M’përqafo n’dritë njashtu si n’terr, hanë e përhershme do t’bahem”

Poezi nga Xhejlane Tërbunja

Mos u tjetërso,

m’buzëqesh n’dritë,

njashtu qysh m’buzëqesh natën.

Edhe pa dritë, krejt n’terrinë ,

e ndjej cepin e buzës tek të zgjatet drejt moll’zave, e frym’marrja tek të nd’rron në krahnor.

Mos u tjetërso!

M’përqafo n’dritë njashtu si n’terr,

e unë, hanë e përhershme do t’bahem! / KultPlus.com

Kënga e Bebe Rexhës merr 1 miliardë dëgjime në platformën e famshme muzikore

Nëpër vende të ndryshme të botës, këngëtaret me origjinë shqiptare janë duke arritur suksese duke iu dëgjuar këngët në shifra rekorde, shkruan KultPlus.

Një lajm të mirë në këtë drejtim ka ndarë edhe artistja Bebe Rexha me artdashësit e saj.

Së fundmi, Rexha ka njoftuar opinionin e gjerë se kënga e saj “In the name of love”, e cila është një bashkëpunim me Martin Garrix, ka arritur të dëgjohet një miliardë here në platformën muzikore “Spotify”.

“Në ditën kur e kam bërë këtë këngë, e kam ditur se është speciale”, ka shkruar Bebe.

Ajo ka falenderuar bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e saj. / KultPlus.com

Dy njësi të FSK’së do të marrin pjesë në misionin jashtë vendit

Forca e Sigurisë së Kosovës, pritet që në mars 2021, të zbarkojë në misionin e parë paqeruajtës, që nga shndërrimi i saj në ushtri në dhjetor të vitit 2018.

Kontingjenti i ushtarëve të Kosovës do të jetë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas të Ushtrisë amerikane dhe destinacion i parë pritet të jetë Kuvajti. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka zbuluar më 6 janar se në shqyrtim janë dy vende.

“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën”, ka deklaruar Rama.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë shtetërorë se opsioni i Irakut është më pak i mundshëm, pasi ky shtet ende nuk e ka njohur Kosovën.

Këto detaje janë zbuluar një ditë pasi Kuvendi i Kosovës me 92 vota për dhe asnjë votë kundër, miratoi vendimin e 31 dhjetorit 2020 të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Çfarë njësish do të marrin pjesë?

Zyrtarisht ende nuk dihet se sa do të jetë numri i kontingjentit të Kosovës në këtë mision, edhe pse përgatitjet për të ka shumë kohë që kanë nisur. Besa Kabashi -Ramaj, eksperte në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, tha Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrja pritet të jetë simbolike, por e një rëndësie të veçantë.

“Është konfirmuar se njësitë që kanë për të shërbyer bashkë me Forcat e Ushtrisë së SHBA-së, do të jenë nga Mirëmbajtja dhe Logjistika, pra këto janë dy fushat në të cilat FSK-ja do të ndihmojë në kuadër të misionit të përbashkët me SHBA-në”, tha Kabashi-Ramaj.

Por kjo sipas saj, nuk e zbeh rëndësinë dhe rrezikshmërinë e misionit.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë se kjo vjen me rreziqe, por të gjithë oficerët, nënoficerët e FSK-së e kanë këtë parasysh në momentin që bëhen anëtarë të kësaj force. Kështu që ata janë shumë mirë të përgatitur që të marrin përsipër edhe rreziqe të tilla”, shtoi ajo.

Pjesëmarrje simbolike, hap historik

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se misioni mund të jetë simbolik, por i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin.

“Është lajm i mirë, historik, neve tani na mbetet të kryejmë obligimet tona në aspektin profesional. Ne qysh në start kemi punuar në bazë të standardeve të NATO-s, dhe vetë fakti që e kemi NATO-n brenda institucionit tonë, kjo e ka rëndësinë e vet”, tha gjenerallejtënant Rama duke rikujtuar se NATO-ja ka qenë pjesë aktive e zhvillimit të FSK-së që nga viti 2009.

Për Besa Kabashi-Ramajn, vendimi për dërgimin e FSK-së në misione jashtë vendit, që është marrë me partnerin kryesor strategjik, dëshmon se “Kosova ka ndërtuar një forcë që e ka standardin dhe besueshmërinë paralel me ushtarët e Ushtrisë më të fuqishme në botë”.

“FSK-ja ka filluar transformimin si rezultat i Rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë në vitet 2012-2014, dhe aty ka filluar edhe qëllimi FSK-së për zbarkimin jashtë vendit si shenjë e profesionalizmit, por edhe dëshirës së Kosovës për të dhënë për të tjerët, atë që partnerët e Kosovës e kanë dhënë në vitin 1999 e tutje. Kështu që ky është kontributi i Kosovës për botën dhe për partnerët e saj strategjik”, tha ajo.

Vendimi ka hyrë në fuqi

Një ditë pas miratimit në kuvend, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës.

Ajo i ka uruar paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët do të marrin pjesë në këtë mision.

“Si presidente në detyrë dhe Komandante Supreme e FSK-së, i uroj paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët bënë historinë dhe do të jenë në funksion të paqes krahas SHBA-së, aleatëve tanë strategjik”, ka thënë Osmani.

Edhe Ambasada e SHBA-së e ka mirëpritur vendimin.

“Votimi unanim i kuvendit për lejimin që Forca e Sigurisë së Kosovë të ketë partneritet me Ushtrinë e SHBA-së në misionet e ardhshme paqeruajtëse, demostron se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj të përbashkët për paqen dhe sigurinë në botë” thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.

Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Turqinë e kanë mbështetur FSK-në me pajisje ushtarake dhe trajnimin e kuadrit të saj profesional.

Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.

Aktualisht, FSK-ja ka 2,747 ushtarë aktivë, ndërkaq synimi është që kjo forcë të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një forcë rezervë prej 3 mijë vetash.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet. /express/ KultPlus.com

Mentor Gjurgjiali: Unë jam autor i të gjitha këngëve të Grupit “403”, Hektori vetëm i ka kënduar

Medina Pasoma

Nga të gjitha këngët e grupit 403, të cilat mbeten vlerë në skenën muzikore shqiptare, kënga “Akoma po të pres” u bë mollë sherri në mes vëllezërve Gjurgjiali, shkruan KultPlus.

Solisti i këtij grupi, Hektor Gjurgjiali në intervistën e fundvitit për KultPlus, foli ekskluzivisht edhe për rrugëtimin e kësaj kënge, duke thënë se kënga “Akoma po të pres” është keqpërdorë nga vëllai i tij, Mentor Gjurgjiali.

Sipas tij, vëllai i tij e kishte marë kopjen e kësaj kënge nga makina, dhe të njëjtën ia kishte ofruar Mihrije Brahës. Dhe këtë gjë e kishte kuptuar vetëm pasi e kishte dëgjuar këngën e tij të këndohej nga Mihrije Braha.

Por kjo intervistë e Hektor Gjurgjialit ku akuzon vëllain e tij për keqpërdorimin e këngës, nuk i ka lënë një shije të mirë Mentor Gjurgjialit. Në një intervistë për KultPlus ai tregon anën tjetër të medaljes për këto akuza, i cili thotë se kënga “Akoma po të pres” e mban autorësinë e Mentorit dhe jo të Hektorit, dhe se këtë këngë e kishte realizuar në fund të viteve të 80-ta, dhe sipas tij ishte shkruar për Mihrije Brahën.

“Kënga “Akoma po të pres” sipas zhanrit nuk ishte këngë rok por folk dhe nuk ishte fare në stilin e Grupit 403. Ajo nuk është kënga e vetme e shkruar për Mihrije Brahën”, thekson Mentor Gjurgjiali.

Tutje teksa thekson se ai ka edhe shumë këngë tjera të kompozuara edhe për artistë tjerë, Mentor Gjurgjiali ka edhe një përgjigje se pse pikërisht në këtë kohë, Hektori doli në medie dhe shpërfaqi këtë histori, sipas tij jo e qëndrueshme.

 “E tërë kjo storie, “spektakël” të cilën e bëri Hektori rreth këngës “Akoma po të pres” doli tani,  sepse unë, si themelues dhe udhëheqës i Grupit 403 që nga fillimi i ekzistimit të tij, për 40 vjetorin e themelimit të grupit, në tetor të vitit 2020, e përgatita albumin e ri dhe e vendosa në një web faqe në të cilën shpaloset historia e vërtetë e grupit”, shprehet Gjurgjiali, i cili ka edhe një përgjigje për akuzën tjetër të Hektorit se Mentori ishte vetëm basist i grupit 403.

“Unë nuk isha vetëm basisit, por isha themelues, udhëheqës. Unë e emërova grupin si “Grupi 403” dhe jam autor i të gjitha këngëve të asaj kohe. Ai nuk e ka themeluar, nuk e ka udhëhequr por vetëm i ka kënduar këngët të cilat i kam punuar unë”, thekson Mentor Gjurgjiali.

Ai thekson se emërtimi i grupit lindi gjatë kohës së tij studentore përgjatë viteve të 80-ta.

“Grupi 403 nuk e mori emrin nga gjuajtjet e zareve si e trillon Hektori nëpër intervistat e tij, por nga dhoma e hotelit në të cilën qëndrova unë gjatë takimeve të studentëve të Fakulteteve Juridike në Slloveni”, shprehet ai.

Mentori tashmë akuzon vëllain e tij edhe për publikimin e disa këngëve në emër të grupit 403, dhe se sipas tij, për këto publikime nuk ka pas unifikim të grupit.

“Hektori fshehurazi dhe pa lejen time dhe te anëtarëve të grupit, incizoi disa këngë me ca instrumentalistë tjerë dhe i publikoi si këngë të Grupit 403, edhe pse të gjithë anëtarët e Grupit 403 ishin në Kosovë në vitet 1986-87”, tha Gjurgjiali.

Ai shton se solisti i këtij grupi, Hektor Gjurgjiali “e ka shfrytëzuar famën e grupit për nevoja të promovimit vetanak”. Në anën tjetër, Mentori vlerëson se grupi 403 ka pushuar së vepruari që nga shkuarja e tij në mërgim.

“Çdo këngë e incizuar në ndërkohë në emër të Grupit nuk ka lidhje dhe nuk pranohet si e Grupit 403. Të gjithë anëtarët e Grupit vazhduan karrierat e veta jashtë skenës muzikore”, u shpreh Mentor Gjurgjiali.

Ai akuzon vëllain e tij për fshehje të autorësisë të këngëve, teksa në platformën YouTube këngët e këtij grupi, sipas tij, paraqiten sikur të jenë të Hektor Gjurgjialit.

Ndërkohë, Hektor Gjurgjiali në fundin e vitit 2020 publikoi dy videoklipe të këngës “Akoma po të pres” si dhe origjinalin e vitit 1995. / KultPlus.com

Eventet Virtuale rikthehen në RAVE me Geri Gruda

RAVE po vazhdon me eventet virtuale, teksa kësaj radhe do të ketë të ftuar artistin nga Shqipëria, Geri Gruda, shkruan KultPlus.

Koncerti që do të filloj të dielën në ora 21:00, do t’i sjell dëgjuesve një energji pozitive në kohë pandemie.

Gruda është DJ dhe arkitekt, i cili e sheh muzikën si një udhëtim midis tingujsh e ngjyrash.

Gjithçka filloi me deshirën per të shprehur stilin e tij nëpërmjet miksimeve, si Còrdoba, Before The Sunrise, Elegance, Miami House, Kamomil, Purple Shadow, Traditional Spirits etj. 

Zhanret që ai luan variojnë nga Oriental Deep House në Progressive Dub Tech. Gjatë viteve të fundit e ka ndarë skenën me artistë botëror si Alex Kennon, Heidi, Roy Rosenfeld, etj duke performuar kështu në festivale, street parties dhe klube të ndryshme në Shqipëri, Kosovë dhe Itali. / KultPlus.com

“Do të doja që sonte flokët e tua, të shtrihen mbi jastëkun tim” (VIDEO)

Një ndër këngët e vjetra, e që vazhdon të dëgjohet me mallëngjim edhe ditëve të sotme është “Do të doja” nga Naser Berisha, shkruan KultPlus.

Kjo këngë lirike me përplotë emocion është një thirrje artistike për dashuri.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Do të doja”:

Do të doja që sonte flokët e tua
të shtrihen mbi jastëkun tim
do të doja që sonte ta shijosh romantikën
Nën dritën e qiririt tim.

Do të doja që sonte t’kem pranë vetes
do të doja sonte t’jem me ty
do të doja që kjo natë pa fund të na takoj
vetëm mua… mua dhe ty.

Dhe do të doja çka s’do doja
të bëj sonte me ty
që në rrugën e gjatë të avanturave tua
une të jem i pari njeri.

Kur premierës i erdhi fundi
Dhe mëngjesi filloj të agoj
më puthe njëherë në faqe e më the
“këtë natë kurrë s’do ta harroj”.

Më vjen mirë që ma besove
këtë gjë kaq me rëndësi
që nga sonte me mua e dashura ime
ti hyrë në botën plot dashuri.

Do të doja çka s`do doja
të bëjë sonte me ty
që në rrugën e gjatë të avanturave tua
unë të jem i pari njeri. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=RDebWx3kYCQ

Gibran: Të kthehesh pas në ekzistencë është e pamundur

Fragment nga Khalil Gibran:

Thuhet se përpara se të hyjë në det, një lumë dridhet nga frika.

Ai kthen kokën dhe vështron rrugën në të cilën ka udhëtuar, nga majat e maleve, pyjet dhe fshatrat që përshkojnë rrugën e gjatë dredha-dredha.

Dhe tani, para vetes ai sheh një oqean kaq të gjerë, sa që për të hyrë hrenda tij, nuk duhet asgjë më shumë sesa të zhduket përgjithmonë.

Por nuk ka asnjë mënyrë tjetër.

Lumi nuk mund të kthehet pas.

Askush nuk mund të kthehet.

Të kthehesh pas në ekzistencë është e pamundur.

Lumi duhet të marrë rrezikun për të hyrë në oqean, sepse vetëm atëherë frika do të zhduket, sepse aty lumi do të kuptojë se nuk ka të bëjë me zhdukjen në oqean, por për t’u bërë oqean. / KultPlus.com

Një grua tenton të vjedhë në shtëpinë e Johnny Depp

Shtëpia e aktorit Johnny Depp është vënë nën shënjestrën e një gruaje, me shumë gjasë e pastrehë, por tentimet e saj për të hyrë në shtëpinë e tij dhe për të vjedhur u penguan nga sistemi i sigurisë në ndërtesë që lajmëroi policinë.

Burime i thanë TMZ se gruaja mund të ketë përjetuar panik kur alarmi ra sepse ajo kishte ikur para se policia të arrinte.

Megjithatë, atë e gjetën afër vendbanimit të tij dhe doli që ajo kishte lidhje edhe me disa vjedhje të tjera në atë zonë.

Mbetet e paqartë nëse gruaja arriti të vidhte diçka nga shtëpia, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

57-vjeçari nuk ishte në shtëpi në kohën kur u krye vjedhja. /Koha/ KultPlus.com

Letrat e dashurisë iu kthehen marrëses pas më shumë se 100 vjetësh

Një pako letrash dashurie, të shkruara nga një ushtar britanik gjatë Luftës së Parë Botërore, do t’i kthehen familjes së marrëses origjinale, më shumë se 100 vjet pas dërgimit të tyre.

“Është me të vërtetë e mahnitshme që njerëzit gjetën kohë për të më kërkuar dhe për të më gjetur”, u citua nga agjencia britanike e lajmeve PA të thoshte David Bambrough, stërnipi i vëllait të Mary Fortune, së cilës iu drejtuan letrat.

Letrat u zbuluan në një sirtar të një dyqani të dorës së dytë, në qytetin verior të Sunderland-it, që më pas nisi një fushatë për të gjetur pasardhësit e Mary Fortune.

Përdoruesit e faqes së internetit të gjenealogjisë “Ancestry” gjetën 53-vjeçarin Bambrough dhe e kontaktuan atë përmes postës elektronike.

Ai do t’i marrë letrat së shpejti.

Burri i Mary George Fortune ia kishte shkruar letrat asaj ndërsa shërbente si ushtar gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ai më vonë u vra në aksion. /ervo/ KultPlus.com

Edith Durham për Shqipërinë: Këtu shpëtova nga fanatikët dhe zotndjekësit

Fragment nga “Brenga e Ballkanit” (1905) të Edith Durham

Kur kaloja në Rumeli pyesja njerëzit: «Ç’je ti?»

– Katolik – përgjigjej njëri.

– Protestant, përgjigjej tjetri.

Në Bullgari pyesja: «Ç’je ti?»

– Ortodoks.

Në Serbi pyesja: «Ç’je ti?»

 Ortodoks…

Kështu teksa po mbytesha e tëra nga dogmat idiote të njerëzve, hyra në Shqipëri e pyeta: «Çfarë jeni ju këtu?»

– Shqiptarë – m’u përgjigjën të gjithë prerë e qartë.

 «Më në fund», thashë, «këtu shpëtova nga fanatikët dhe zotndjekësit.» / KultPlus.com

“Dashuria si lufta ka kushtrim, të ndjek pas për pendimin që s’e the kurrë”

Poezi nga Sadete Tërnava Osmani

FJALËT S’KE PSE I PESHON TANI

Mjafton ta dish se jeta shpesh është tempull lutjesh
Një vend ku qahet për trupin e shpirtin
Për bregoret pa emër dhe për dashurinë e djegur si llambë
Mund të falesh për këngët dhe heshtjet e mia
Askush përveç teje nuk do t’i dëgjojë krahët e pëllumbit
Kur të lutesh për letrën me degë ulliri
Ulu gjunjësh e nxiti detërat ta nxjerrin frymën me hov
Lutu bora ta shkrijë e fryjë Drinin
Mëkatet të t’i lajë

Nga malet që digjen natën sytë e mi ke për t’i parë
Fjalët s’ke pse i peshon tani
Gjithçka ka ikur me baltën e vjeshtës
Bërtit dhe fitoje davanë me veten
Kujtohu se edhe dashuria si lufta ka kushtrim
Të ndjek pas për pendimin që s’e the kurrë
As si djalë e as si burrë

Tash nga ky tempull flake zemërimin
Atë ego prej t ‘padituri vëre në kapistër
Kur mësuar të kesh se pjerrtësitë s’janë për të gjithë
Alpinistët e dashurisë një maje mund edhe të ta falin
Ik atje dhe mbaje vath në vesh
Mëkatarin e fodullin unë s’e honeps / KultPlus.com