Mbi 40 persona mbetën të lënduar dje nga shpërthimi i një bombole gazi, ngjarje kjo që ndodhi brenda një restauranti në Ferizaj.
Pesë persona janë në gjendje më të rëndë, derisa Komuna e Ferizajt, po bën përpjekjet maskimale që të njëjtit të dërgohen sa më shpejtë në Turqi për shërim.
Por, ka nisur një nismë, iniciativë kjo nga shoqëria civile për grumbullimin e fondeve, pasi që familjarët e të lënduarve janë në gjendje të rëndë psiqike.
Ky është postimi (pa ndërhyrje), i Arta Hoxhës, qytetarës që nisi këtë iniciativë:
Familjaret e te lenduarve jane te tronditur dhe s po dihet a po nisen apo jo per Turqi. Plot informacione te ndryshme po sillen verdall, jo po nisen jo s po nisen…. Te lenduarit jane ne gjendje shume te rende, une personalisht po filloj grumbullimin e fondeve per nisjen urgjente e gjithe grupit per Stamboll , sepse si duket Ministria ka procedura me te gjata, e ata s kane kohe mi prit.
Numri i llogarise time 1110304408000167 Aferdita Hoxha ne Procredit Bank Kosove Me keto fonde te lënduarit do t mundohemi ta nisim urgjent per Stamboll t’i dhashte zoti jetë derisa t mbrine atje, e poashtu edhe Enverin, Farukin, Fatimen Edonin e Fidanin sa me shpejte te jete e mundur.
Meqenese gruja dhe familjaret jane te tronditur dhe te hutuar me shume deklarata, ne shoqeria po shpresojme te bejme dicka Lutuni, lutuni, lutuni dhe ndihmoni kush t mundet./ KultPlus.com
A t’kam treguar, babë? Nata e rrugëve më rrëqethë. Hijet zgjasin gishtat, më grisin fustanin që kam veshë.
Dritat e natës kokën kthejnë, kur duar të huaja, të padëshiruara, vend ku s’duhet gjejnë. Dritat e natës kokën kthejnë, kur thirrjet e egra dridhin dhenë. Ditën dritat nuk kuvendojnë. Nuk panë gjë- kështu së paku tregojnë.
A nuk e ke ditur, babë? Djemtë që ti nuk i rritë në hije natën rrinë. Ujq të uritur hënës i këndojnë, Ditën diellit fajin nuk ia pranojnë.
Shqyejnë fustana se qenë fustana, fije floku mes gishtash ngatërruara. Reflektim i fytyrës shihet në sy të vdekur qelqor, e ty, babë, të shohin, në pasqyrë të skuqur me njollë.
Kanë harru me të mësu, babë, që qika nuk është më pak se djalë. Ke harru, babë, me e mësu djalin, që nuk është më shumë se qikë.
E babë, kur natën rrugëve hapat e tu të qojnë, kur të duket sikur fije floku të kanë mbetur në gojë, kur e sheh se llambat e rrugës përsëri drejtësi nuk kuvendojnë, ktheje dritën kah hijet që vështrojnë./ KultPlus.com
Objekt kulti dhe trashëgimie kulturore. Xhamia e Plumbit, në Shkodër, klasifikohet si monument kulture i kategorisë së parë. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit (Xhamia e Plumbit) u ndërtua në vitin 1773-1774, nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës.
Në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara në takimin e sotëm në Ankara, mes Shqipërisë dhe Turqisë është dhe restaurimi i Xhamisë së Plumbit në Shkodër.
Ministrja shqiptare e Kulturës, Margariti, sqaron se konstruksioni do të prekë sistemin e mbrojtjes nga përmbytjet të Xhamisë në Shkodër.
Për të, Xhamia e Plumbit nuk është thjesht objekt kulti, por pjesë e trashëgimisë kulturore. Margariti thekson se, kjo marrëveshje është e shumëpritur jo vetëm nga banorët e Shkodrës, besimtarët myslimanë, por edhe gjithë shqiptarët.
“Do ta quaja një fillim të mbarë dhe një ogur të mirë, që një nga punët e para të këtij viti të ri lidhet me restaurimin e shtëpisë së Zotit. Por Xhamia e Plumbit nuk është thjesht një objekt kulti. Ajo është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.
Ndaj dhe Marrëveshja që nënshkruam sot në Ankara, mes Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, përfaqësuar nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Z. Mehmet Nuri Ersoy dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë synon “Restaurimin dhe Konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës” merr një rëndësi të veçantë. Një marrëveshje e shumëpritur jo vetëm nga banorët e Shkodrës, apo besimtarët myslimanë, por edhe për të gjithë shqiptarët, që e kanë të gdhendur në memorie pamjen e xhamisë së përmbytur nga ujërat. Kësaj kohe po i vjen fundi dhe ato imazhe do të jenë vetëm një kujtim“, ka shkruar ajo.
Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë. Ajo renditet në vendin e 37 para xhamisë Vahsiz Khan në Lahore të Pakistanit dhe pas xhamisë Jami Ul Alfar në Sri Lanka. Në vendin e 31-të, renditet Xhamia Blu në Stamboll, Turqi, ndërsa dhjetë vende pas xhamisë shqiptare, është Xhamia e Madhe në Paris.
Në fund të listës, renditen xhamia e Lindjes së Diellit në Melburn, Australi, si dhe Xhamia Kombëtar e Abujas, në Nigeri.
Por cila renditet në vendet e para? Është pikërisht xhamia Mashkhur Jusup në Kazakistan dhe në vend të dytë, Xhamia e Kristaltë në Malajzi. Vendi i tretë i takon një xhamie në vendet e ftohta të Europës. Është xhamia e Nusrat Djahan, në Kopenhagen, Danimarkë. Në Islamabad, në Pakistan, gjendet xhamia e katërt më e bukur në botë, Shah Faisal Masjid dhe fill pas saj, renditet Xhamia Pakirin në Stamboll.
Historia e Xhamisë së Plumbit
Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë, në qytetin e Shkodrës. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774, nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës, si dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë, deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit” e me këtë emër, njihet edhe sot.
Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish-pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjera, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të pasur një element të tillë, vetëm ata.
Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmërrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht, kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistentë ndaj erozionit.
Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe në brendësi, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën shqiptare, shërbimet e monumenteve të kulturës, u kujtuan t’i vinin një mbulesë me çimentoje për ta shpëtuar këtë thesar, jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor. Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil, haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj.
Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Madhëria i veprave bamirëse dhe bujare, Mehmet Pasha e ndërtoi këtë xhami madhështore në vitin 1773 Administratori i kësaj xhamie, Haxhi Mahmut Berberi, data e rinovimit 1863. Riparimi i saj është bërë para vitit 1865, periudhë kur në Shkodër ndodhi përmbytja e madhe që shkatërroi një pjesë të mirë të Shkodrës së vjetër. Mbas kësaj, kujdestarinë e kësaj xhamie e mori familja e njohur shkodrane e Myftijve të Tabakëve, në fillim nga Hafiz Isuf Tabaku dhe vazhdoi brez pas brezi, deri në ditët e sotme. Brezi i ri i këtij trungu, amanetin e të parëve e ka mbajtur edhe kur xhamia është lënë pas dore nga pushteti i kuq.
Xhamia e Plumbit në mes të ujit
Fotoja që i referohet klasifikimit të gazetës së njohur The Huffington Post, e paraqet Xhaminë e Plumbit në mes të ujit. Ndonëse disa prej xhamive më të bukura janë thuajse në mes të ujit, nuk dihet nëse gazetarët e huaj e kanë kuptuar faktin se, uji që rrethon xhaminë shqiptare nuk ka të bëjë fare me një stisje arkitekturore.
Legjenda
Ndërsa po ndërtohej xhamia, vetë Mehmet Pasha mori pjesë në punimet; ky gjest shpjegohet me përkushtimin e tij fetar dhe me qëllimin për ti treguar popullit se puna është e madhërishme, aq më tepër në vepra publike. Në lidhje me pjesëmarrjen e Mehmet Pashës në këto punime ka një anekdotë: Një fshatar donte t’i paraqiste një ankesë personale Pashës; mori vesh se ndodhej mes punëtorëve, por nuk e dallonte, sepse ai ishte i veshur thjeshtë. Rastisi që vetë personi ta pyeste vetë (vetë Pashën) se ku gjendej Pasha dhe mori përgjigje që të priste pak. Pas përfundimit të punës, Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli para hallexhiut që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij./ KultPlus.com
Nuk mund të ketë shqiptar, të madh a të vogël, që jeton brenda apo jashtë trojeve shqiptare, të mos ketë parë së paku një herë në jetë filmin “Nëntori i Dytë” dhe portretizimin real që aktori Sandër Prosi i ka bërë plakut mjekërbardh, Ismail Qemali.
Sot ndoshta nje pjesë e madhe e njerëzve e kanë të pamundur të shkëpusin karakterin e realizuar mjeshtërish nga Prosi, nga babai i kombit.
Por një tjetër figurë ikonike e kinemasë shqiptare, Dhaskal Todri do të ketë sërish portretin e aktorit të madh, i cili do të arrijë të pamundurën për gjuhën shqipe.
Një personazh i ngulitur fort në kujtesën kolektive të publikut. Ky aktor do të krijonte mbi 85 role në teatër në 75 vepra të autorëve shqiptarë si si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj”, shkruan teatri.
Sandër Prosi interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me urdhra e medalje.
Sandër Prosi lindi në Shkodër, më 6 janar 1920. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjërë dhe e larmishme artistike.
Ndërsa roli i tij i parë ka qenë ai i Shaqir Agës në komedinë “Prefekti” të Besim Lëvonjës, që u prit mjaft mirë, dhe ku aktori luajti krahas Loro Kovaçit, Mihal Popit, Marie Logorecit etj. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film si drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”. Në filmin “Vitet e para” ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Sandër Prosi vdiq atëherë kur mund t’i jepte akoma role të bukura skenës dhe ekranit. U vlerësua me çmime, tituj e medalje, si dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit”. U nda nga jeta duke xhiruar metrat e fundit të filmit “Pranverë e hidhur” më 24 mars 1985. Dhe pranvera i hidhur ishte vërtet për të./ KultPlus.com
Astronomja kosovare, Pranvera Hyseni ka publikuar një pamje magjepsëse të Mjegullnajës së Orionit të shkrepur në janar të këtij viti, shkruan KultPlus.
Hyseni ka treguar se imazhi është shkrepur me 5 janar të këtij viti nga teleskopi 17 inç në Kili, nëpërmjet platformës Slooh.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Këtë vit dua ta filloj me një imazh të Mjegullnajës së Orionit, e njohur gjithashtu si Messier 42, të cilën e kam shkrepur me 5 janar 2021 nga teleskopi 17 inç në Kili, nëpërmjet platformës Slooh.
Mjegullnaja e Orionit është njëra ndër objektet më të popullarizuara në hapësirën qiellore, e cila ndodhet rreth 1,350 vite dritë larg Tokës. Ajo është gjithashtu ndër mjegullnajat më të studiuara, e përbërë nga re gazi dhe pluhuri që formojnë yje të reja., si dhe është ndër mjegullnajat më të ndritshme, e cila shpeshëherë mund të spikatet me sy të lirë në konstelacionin e famshëm të Orionit. / KultPlus.com
Prokuroria e Shtetit ka ngritur kallëzim penal ndaj personit që godet në kokë gruan në karrocë, përderisa ishin duke dalë nga spitali
Burimet të Indeksonlinet brenda prokurorisë kanë bërë të ditur se pas publikimit të videos, që fillimisht u publikua në IndeksOnline, prokuroria në bazë të provave filmike ka ngritur kallëzim penal, ndaj personit që godet me një grua në karrocë.
Mbrëmë nga kamerat e mediave është kapur një burrë, duke goditur bashkëshorten e tij në dalje të Emergjencës te Qendra Klinike Universitare të Kosovës.
Me të dalë nga dera, ai e kishte goditur gruan e tij mbrapa kokës.
E për këtë rast, Policia e Kosovës, tashmë ka nisur hetimet dhe ka identifikuar personat e përfshirë në këtë rast.
Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnlinen, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti./ indeksonline/ KultPlus.com
Veprimi joserioz i këngëtares Rita Ora në kohë pandemie, i ka kushtuar shumë edhe financiarisht.
Ylli i njohur i muzikës që i pati thyer rregullat e vetizolimit duke organizuar ndejë në një restorant në Londër, në kohën kur i gjithë vendi ishte i karantinuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19, besohet se më nuk është fytyra reklamuese e fushatës së fundit të operatorit telefonik anglez “EE” dhe kompanisë “Apple”.
Bukuroshja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, ishte pjesë e reklamës digjitale e cila kishte për qëllim ta promovojë lansimin e telefoni mobil “Apple 12 Pro”, në muajin nëntor, por morri vëmendje negative në mediat botërore si pasojë e shkeljes së masave anti-Covid dy herë, dhe si pasojë kompania “Apple” e ka shkarkuar atë nga detyrat në fushatën e tyre reklamuese.
Në një shkrim të fundit të publikuar në gazetën “The Daily Mirror”, thuhet se: “Operatori ‘EE’ i merr shumë seriozisht masat anti-Covid dhe nuk kanë dashur të duken sikur po mbështesin veprimet e gabuara të këngëtares, dhe kështu kanë vendosur se është më mirë të mos e kenë Orën fytyrë të markës së tyre”.
Ylli i hitit “Hot Right Now” shkeli rregullat e karantinës dy herë. Një herë me t’u kthyer në shtëpi nga një udhëtim në Egjipt dhe nuk u vetizolua, dhe një herë duke e festuar ditëlindjen në një restorant e shoqëruar nga 30 të ftuar.
Nga atëherë, pop ylli 30-vjeçar përveç se kërkoi falje publike përmes një postimi në rrjetet sociale, po ashtu doli vullnetare për ta paguar shumën maksimale të shkeljes së masave anti-COVID, që e kap shifrën prej 10 mijë funtesh.
Reklama digjitale me titull “Rita Ora Skyline”, e shfaq atë duke vallëzuar dhe kënduar hitin e saj, “Let You Love Me”. Rita shfaqet edhe në formë të avatarit, e veshur me një kostum ngjyrë ari, derisa pjesë e reklamës është edhe aktori i njohur hollywoodian, Kevin Bacon./ KultPlus.com
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Bebe Rexha ka treguar gjithmonë në intervista se sa krenare është për origjinën e saj. Së fundmi, ajo ka realizuar një video të veçantë për “Esquire”, ku ka folur për gjërat e preferuara që ka në shtëpinë e saj, si çmimet e fituara në evente muzikore apo dhurata të ndryshme.
Ndër të tjera, Rexha ka ndarë me fansat edhe një nga erëzat më të veçanta që ka në shtëpi. Bëhet fjalë për vegetën, e cila është pjesë e thuajse çdo gatimi te shqiptarët dhe vet këngëtarja e theksoi një gjë të tillë. Jo pak herë, artistja me origjinë nga Dibra ka folur për preferencat e saj për kulturën dhe kuzhinën tradicionale shqiptare.
“Kjo këtu quhet vegeta, nëse je shqiptar, ti duhet ta kesh këtë. Kjo është si diçka që duhet të jetë në të gjitha gatimet tuaja si shtesa më e preferuar. Kjo është si erëz, nëse gatuani ushqim shqiptar. Do të bëj ndonjë supë të shijshme me këtë dhe unë nuk e di pse jam duke e reklamuar”,– ka thënë Bebe Rexha.
Ndër të tjerash, përgjatë videos, 31-vjeçarja ka veçuar si një nga gjërat më me vlerë në shtëpinë e saj certifikimin “Diamond” për hitin e saj “Meant to be”, si dhe çmimin e fituar në MTV Video Music Awards 2019./ KultPlus.com
Princesha e ndjerë Diana është më e njohur për të qenë një figurë rebele por frymëzuese në Mbretërinë britanike. Ajo ka shkelur më shumë protokolle mbretërore se sa mund të mbështetemi në të dyja duart.
Megjithatë, këtu jemi, dekada pas vdekjes së saj, ende duke e mbrojtur dhe duke e përdorur atë si një shembull amë.
NëBright Side po ndajmë me ju rregullat mbretërore të prindërve kundër të cilave u rebelua princesha Diana dhe që ende po mishërohen nga djemtë dhe nuset e saj.
Ajo lindi në një spital.
Ajo u dha përparësi fëmijëve mbi detyrat e saj.
Ajo i dërgoi djemtë e saj në një shkollë.
Ajo i mori djemtë në udhëtime zyrtare.
Ajo u foli fëmijëve në sy.
Ajo i ekspozoi princat në jetën e zakonshme.
Ajo mbeti një nënë praktike mbi të gjitha.
Nga gjidhënia e fëmijëve të saj në lindje e deri te marrja e tyre gjatë udhëtimeve dhe rregullimi i orarit të saj sipas atyre të djemve të saj, Princesha Diana është mishërimi i nënës moderne praktike. Një nga citimet e saj të famshme thjesht thotë: “Mos më thirr ikonë. Unë jam vetëm një nënë që përpiqem të ndihmoj”./ KultPlus.com
Firmat piramidale në Shqipëri zënë fill në ditët e para të demokracisë shqiptare. Mungesa e bankave private, padituria bëri që pas vitit 1994 të fillojë lulëzimi i vërtetë i firmave piramidale. VEFA, Gjallica, Sudja, Populli, Xhaferri, Silva dhe dhjetëra firma të tjera, u krijuan në të katër anët e vendit.
Në publik u krijua ideja se kapitalizmi paska qenë i bukur edhe i lehtë. Biznese të reja, njerëz të lumtur. Ishte një lumturi e frikshme. Biznesi i piramidave dalëngadalë po kulmonte. Njerëzit filluan të shisnin shtëpitë, emigrantët investuan të gjithë kursimet, edhe qindarkën e fundit, duke i lënë peng tek firmat piramidale. Bosët e këtyre firmave nuk u mjaftuan vetëm me paratë e popullit, por investuan fuqishëm nëpër biznese të ndryshme. U zhvilluan edhe evente kulturore, siç ishte ardhja e grupit të famshëm La Bouche në Shqipëri.
Përjashtim nuk bëri as sporti. Reklamat e këtyre firmave do të qëndronin edhe në pistat e Formula 1. Por, padyshim një nga ngjarjet që do të mbetet në kujtesën kolektive është edhe ekipi i futbollit të Lushnjës; ekip që kishte për president Rrapush Xhaferrin, bosin më të madh të firmave piramidale. Duke parë efektin që ka futbolli te njerëzit, bosët vendosën që të investonin edhe aty. Partizani, Flamurtari, Besa apo edhe Lushnja kishin sponsor kryesor firmat piramidale.
Carlos Eduardo Alvesh De Souza Edu. Një, 25-vjeçar nga Brazili, i cili do të ishte blerja e parë e Lushnjes në vitin 1996, ka hyrë në historinë sportive si futbollisti i parë i huaj që ka luajtur në Kampionatin Kombëtar të Futbollit, të periudhës së pasçlirimit. Ishte paguar me një shumë prej 50.000 dollarësh, për një vit, ku në anën tjetër Lushnja i pagoi një dëmshpërblim skuadrës Anorthosios të Qipros, e cila kishte kartonin e brazilianit. Pas disa ditë negociatash, një të dielë shtatori, në Rinas mbërrin braziliani i shumëpritur. Në aeroport, një grup tifozësh myzeqarë që kishin dalë për ta pritur, mbetën të zhgënjyer. Edu, i shkurtër dhe i hutuar, ishte jashtë pritshmërive të një futbollisti që mund të ndryshonte historinë e klubit.
Pasi u mbyllën procedurat burokratike me ekipin qipriot dhe pasi mori këstin e parë prej 30.000 dollarësh, Edu do të debutonte më 28 shtator 1996, në ndeshjen me Librazhdin. Edu (i cili me transferimin në Shqipëri u bë i njohur në të gjithë Evropën), në Lushnjë shihej si një hero. Kishte një shtëpi të mirë, në hyrje të qytetit, makinë në dispozicion. Çdo gjë që kërkonte të blinte, tregtarët ia dhuronin, pa e ditur se ishin vetë ata që e kishin “blerë”. U ambientua me njerëzit, pasi ftohej edhe në aktivitet familjare, duke mësuar disa fjalë shqip. Tani që rruga duket se ishte hapur, shumë ekipe të tjera, të sponsorizuara nga firmat piramidale, kërkonin që të transferonin futbollistë të huaj. Lushnja nuk u mjaftua me vetëm një të huaj, por solli edhe brazilianin tjetër Dos Santos dhe 18-vjeçarin nigerian, Leonardo Nosa. Flamurtari nga ana tjetër, kishte transferuar brazilianin, Marco Bedagur.
Por te Lushnja diçka mungonte. Ekipi nuk kishte ecurinë që pritej dhe Xhaferri pasi pa që ëndrra për titull ishte zbehur, kishte dëshirë që Lushnjen ta shihte në Europë. Edhe këtë herë paratë nuk ishin problem, sepse nuk i nxirrte nga xhepi i tij. U tentua Jay-Jay Okocha i Fenerbahçes, por shifra që kërkonte ishte e frikshme. Pas lojtarëve, radha ishte e trajnerit. Pas shumë bisedash, telefonatash dhe faksesh, drejtuesit ranë në kontakt me një zyrë menaxhimi në Londër, e cila dërgoi në Tiranë listën e trajnerëve që kishte në menaxhim. Në një listë prej 100 emrash, binte në sy emri i kampionit të Botës 1978, golashënuesit më të mirë të atij edicioni, Mario Kempes.
Në atë kohë i papunë, pas një periudhe diskutimesh, argjentinasi zbarkon në Shqipëri. Niset direkt në Lushnjë, ku për nder të tij ishte organizuar një festë e madhe. Turmë e madhe njerëzish festonin si të çmendur, kush e kush ta takonte i pari. Kempes, i mahnitur nga kjo pritje do të deklaronte: “Një pritje të tillë nuk e kam përjetuar as kur kam fituar Botërorin.”
Pritja nuk ishte asgjë, para asaj që do përfitonte nga kontrata me “fondacionin bamirës”. U vendos që puna të niste më 4 janar 1997, ku do të përfitonte 350.000 dollarë për dy sezone. Duke parë që Shqipëria “ofronte” pazar të mirë, ai thërret edhe të vëllanë, Hugo, i cili në rolin e përgatitësit atletik do të përfitonte 50.000 dollarë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Kempes do të ishte i ftuar në Festivalin e Këngës si dhe mori pjesë në ceremoni të ndryshme.
Përpos dëshirës dhe planeve, aventura e tij në Shqipëri do të zgjaste vetëm tri ndeshje. Një fitore me Librazhdin dhe 2 fitoret me Teutën në kupë. Revoltat popullore dhe rënia e firmave piramidale bënë që “prurjet” e reja të largoheshin shpejt, sa hap e mbyll sytë, pa zhurmë, pa bujë. U larguan duke marrë paratë, por me premtimin që do riktheheshin sapo gjendja të normalizohej. Kempes premtonte që do respektonte kontratën, madje do të vinte me Pasarelën dhe Maradonën. Kampionati u ndërpre dhe vetëm pas disa muajsh, rifilloi me Tiranën që u shpall kampione./ KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme ka vdekur në moshën 57 vjeçare, këngëtarii njohur Kujtim Prodani, cili ditë më parë kishte njoftuar se gjendej në spitalin e Sanatoriumit, shkruan KultPlus
Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti i ka shprehur ngushëllime familjes Prodani për humbjen e madhe. Ajo shprehet se një lajm i tillë është shumë i trishtë dhe se e ka shumë të vështirë që të gjejë fjalët.
“Nuk gjej fjalë të përshkruaj trishtimin që ndjej nga humbja e parakohshme e kantautorit Kujtim Prodani. Djali që i këndoi Tiranës, dashurisë, jetës sot iu bashkua prindërve të tij të nderuar Anita e Agim Prodani… Është shumë herët për t’u ndarë nga ky mik i mirë i të gjithëve. U prehsh në paqe”, ka shkruar Margariti./ KultPlus.com
Ylli i njohur, Gwen Stefani, është rikthyer te rrënjët e vjetra të muzikës me këngën e fundit, “Let Me Reintroduce Myself”, që e shënon solo projektin e parë të lansuar në katër vjetët e fundit.
Para pak ditësh këngëtarja e publikoi edhe videoklipin e kësaj kënge, dhe na bëri nostalgjik për vitet e para të karrierës së Stefanit, e cila shquhej anembanë botës për stilin e saj të guximshëm dhe të veçantë.
Gwen ka vendosur që në videoklipin e këngës së fundit, t’i rikrijojë disa prej dukjeve më ikonike të saj ndër vite. I gjithë projekti vjen me shumë ritëm e energji, ku ajo shfaqet duke performuar dhe vallëzuar, dhe mund të themi lirisht se është mirëpritur nga adhuruesit e këngëtares e kanë mirëpritur atë.
Brenda katër ditëve të lansimit, “Let Me Reintroduce Myself” ka arritur t’i marrë më shumë se 2 milionë klikime.
Vjetëve të fundit këngëtarja ishte fokusuar më shumë në krijimin e këngëve të zhanrit country, duke i sjell disa projekte muzikore me të fejuarin e saj Blake Shleton, si “Happy Anywhere”, “Go Ahead and Break My Heart”, “Nobody But You” dhe “You Make It Feel Like Christmas”.
Ndërkaq në fillim të këtij viti, Stefani kontribuoi edhe në albumin e këngëtares kosovaro-britanike Dua Lipa, “Club Future Nostalgia: The Remix Album”, duke u bërë pjesë e versionit remix të hitit “Physical”.
Ylli 51-vjeçar gjatë karantinës ka qenë mjaft e zënë duke punuar në realizimin e projekteve të reja, si dhe e pranon se ka qenë një proces mjaft terapeutik për të, në tejkalimin e situatës së shkaktuar nga pandemia.
“Po ndihem shumë e lumtur. E dini, muzika është jeta ime. Ajo shërben si terapi për mua dhe më vjen mirë që kam pasur mundësi të shkruaj sërish këngë. Nganjëherë ndihesh e bllokuar nga ana kreative, dhe herëve të tjera të kthehet inspirimi dhe të hapet një derë në trurin tënd ku mund të ndalesh duke shkruar. Për momentin, kjo gjë po më ndodhë mua dhe t’iu them të drejtën është një ndjenjë shumë e mirë. Prandaj mezi pres ta ndajë muzikën e re me të gjithë ju. Diçka e re do të vjen së shpejti”, ka deklaruar Stefani.
Albumi i fundi i Gwenit si solo këngëtare u lansua në vitin 2017. Me titull “You Make It Feel Like Christmas”, ky incizim përmbante këngë dedikuar festave të fundvitit. / KultPlus.com
Covid19 ka marrë një tjetër jetë nga radhët e artistëve! Kantautori Kujtim Prodani, fatkeqësisht nuk ia ka dalë të fitonte betejën me koronavirusin.
Ai prej disa ditësh ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por nuk ia doli ta mposhte COVID-in, ose siç ai vetë e quante flamë e keqe.
Ishte vetë ai që bëri me dije se ishte infektuar nga COVID, ku publikoi një foto nga spitali teksa shkruante “Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe! Klinika “Shefqet Ndroqi”.
Kujtim Prodani është këngëtar i njohur dhe autor i 57 teksteve këngësh. Në Nëntor 2003, Kujtim Prodani merr pjesë në Kënga Magjike 2003 dhe që prej atëherë aktiviteti i tij artistik nuk është ndalura për asnjë çast.
Ai është djalë i artistëve të mirënjohur Anita Take dhe Agim Prodani. Kujtojmë që ai i ka dedikuar një këngë COVID-in me titull ‘ju flet Corona’. / KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare këngëtari i njohur Kujtim Prodani, i cili njoftoi pak ditë më parë se ishte i shtruar në spitalin e Sanatoriumit.
Pak ditë më parë, konkretisht në datën 30 dhjetor, Prodani njoftoi të gjithë miqtë e tij që ishte duke u përballur me Covid në spitalin e Sanatoriumit.
Nuk dihet nëse Prodani ka pasur sëmundje shoqëruese që të mund të kenë çuar në përkeqësimin e gjendjes së tij, dhe në humbjen e jetës.
“Sa miq e sa te aferm na more ; o flamë e keqe! (Klinika “SHEFQET NDROQI”)”, shkruante Prodani në postimin e tij të fundit ku tregonte ngjarjen e tij. / KultPlus.com
Jurgen Bala, koreograf dhe balerin i njohur shqiptar është bërë pjesë e Arthur Murray NYC Broadway në Nju Jork si një kërcimtar dhe instruktor profesionist.
Ai është fitues i Vendit të Parë (kategoria ritmike) dhe Vendin e Tretë (kategoria e lehtë) që u zhvilluan në Uashington në dhjetor të 2019.
“Duke shkuar nga Tirana në Nju Jork mendova se do të ishte e vështirë si fillim, por e gjeta veten në shtëpi në Artur Murray Broadway. Unë kam një respekt dhe një admirim të madh për Arthur Murray, një mënyrë e mrekullueshme për tu lidhur dhe ku balerinët aspirojnë të shprehin talentin e tyre profesionalisht. Në përgjithësi, përvojat këtu në Nju Jork dhe në SHBA në përgjithësi më kanë ndihmuar të rritem si artist, duke parë vende të reja, duke bërë miq të rinj dhe duke pasur role të ndryshme”, tha Bala për gazetën “Dielli”, transmeton KultPlus.
Karrierën e kërcimit profesional Jurgeni e nisi me balet por ai ka qenë kërcimtar me kompani danci si në SHBA dhe në Shqipëri. Jurgeni është diplomuar në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë në Koreografi.
“Baleti dhe klasat e kercimit krijojnë një mjedis të sigurtë që nxit këdo të lëvizë në një mënyrë që lidhet thellësisht me zgjuarsinë e mendjes dhe trupit. Jemi të lumtur që ofrojmë pasion, mbështetje dhe disiplinë në Arthur Murray Dance Center në Nju Jork. Unë jam shumë i lumtur të ndajë pasionin tim për kërcimin me nxënësit në Arthur Murray”, vijon ai. / KultPlus.com
Njeriu që i dha drejtim frymës së kohës, me kredo në gjendjen e edukimit të artit nëpërmjet filtrit të së vertetës dhe kënaqësisë. Njeriu që i bëri të gjithë për vete me urtësinë që e karakterizonte; zërin dhe sytë e paqtë.
Aleksandër Prosi, njeriu që i dhuroi i pari teatrit ndërsjelljen gjegjëse të gjëndjeve: planeve logjike dhe monologjeve të brendshme.
Udha për te njeriu është e vështirë, por Sandri e gjeti shtegun për të mbetur i pavdekshëm tek të gjithë vdekatarët. Ai kristalizoi individualitetin e tij të spikatur në mbi 100 role. Gama e gjerë e personazheve të cilat ai jetëzoi kanë mbetur aty; jo vetëm në arkivën e artë të Teatrit Kombëtar, por dhe në sirtarin sekret të kujtesës sonë emocionale.
Në shënimet e tij të fëmijërisë, shkruante: ‘’Më pëlqen të ndjek filmat. I adhuroj! Sidomos ato të Charlie Chaplin. Më pëlqen shumë kinemaja. Ëndërroj të bëhem violinist…’’
Lindur në Shkodër më 1920. Pas mbarimit të gjimnazit në Tiranë nga ku merr dhe pjesë në dramën ‘’Vilhem Teli’’, do të shkonte në Austri për të ndjekur studimet për stomatologji. Por duket se i la në gjysmë, për të përfunduar atë çka donte: Artin.
Ndaj dhe kthehet për të marrë pjesë në konkursin që asokohe mbahej në Teatrin Popullor më 1947 dhe e fiton atë, për të nisur kështu me përgjegjshmëri profesionin e aktorit, kontributi i të cilit përçon dhe sot mesazhe të qarta duke na bërë thirrje mes rikuptimësimesh; edukimin e të bërit dhe të qenët artist. Nga ku në fakt, sot, druaj kjo tokë nuk pjell më…
Të gjithë filmat e tij, i kemi parë. Janë rreth 30, por shumë prej kolegëve dhe artdashësve veçojnë: ‘’Përballimi’’ – 1976, ‘’Udha e Shkronjave’’ -1978, ‘’Gjeneral Gramafoni’’- 1978, ‘’Njeriu me top’’ – 1977, ‘’Nëntori i dytë’’- 1982, ‘’Dora e ngrohtë’’- 1982, me interpretime të një mjeshtërie të lartë njërzore, filmike dhe skenike.
Në teatër ka shkëlqyer në rolin e Otellos. Nuk iu deshën pak, por plot katër vjet për të arritur magjinë e këtij personazhi, duke punuar veçmas me vetveten, për të arritur ndjesitë komplekse të kësaj figure. Shumë teatro në fakt, e trajtojnë si tragjedi të xhelozisë, por Sandri rezulton ndryshe; duke i mëshuar nderit dhe besës, veçori këto që e ndoqën deri në fund të jetës, duke e lënë dënimin e pabesisë për në fund.
Ka interpretuar gjithashtu në “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Fytyra e dytë”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Familja e Peshkatarit”, “Epoka para Gjygjit”, “Revizori”, “Xhaxha Vanja”, etj… / KultPlus.com
Një burrë është kapur mbrëmë nga kamerat duke goditur bashkëshorten e tij në dalje të Emergjencës te Qendra Klinike dhe Universitare të Kosovës. Ai shihet duke i dhënë një goditje me dorë prapa kokës, derisa reagimi i gruas nuk dallohet qartë, raporton Express, transmeton KultPlus.
E për këtë rast, Policia e Kosovës, tashmë ka nisur hetimet dhe ka identifikuar personat e përfshirë në këtë rast.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Referuar pamjeve në fjalë, policia menjëherë në përputhje me autorizimet saj ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes si dhe hetimit të rrethanave që karakterizojnë rastin.
Në kontekstin e kësaj menjëherë ka identifikuar palët, ka proceduar me intervisitimin e të njëjtëve dhe ka koordinuar veprimet e mëtejme me prokurorin e shtetit, për të nxjerrë në pah nëse ka elemente të veprës së inkriminuar”, ka thënë Ahmeti. / KultPlus.com
Ndër këngët më të njohura për krishtlindje, është edhe kënga ‘Last Christmas’, një këngë tejet e këndshme pa të cilën festat e fundvitit nuk do të ishin të njejta, shkruan KultPlus.
Deri në ditën e fundit të 2020-ës kënga mbante rekordin e shitjes së 1.9 milion kopjeve, por pa qenë asnjëherë në krye të klasifikimit britanik. Mirëpo, në ditët e para të 2021-shit, falë 9.2 milion dëgjimeve online, kënga arrin objektivin e pritur prej 36 vitesh, vendin e parë në klasifikim.
Kjo nuk ishte hera e parë që kënga i afrohej vendit të parë, sepse gjatë këtyre viteve të fundit, i ishte afruar gjashtë herë. / KultPlus.com
Shtëpia filmike ‘Armadale Landing’ ka ftuar të gjithë kandidatët e interesuar t’i përrgjigjen thirrjes për audicion në interpretimin e rolit kryesor në filmin e metrazhit të shkurtër ‘Koagulim’. Filmi është nën regjinë dhe skenarin e Noar Sahitit, përcjellë KultPlus.
Materialet e mëposhte për audicion, duhet të dërgohen në [email protected]
-Emri i plotë, data dhe vendi i lindjes
-3 fotografi (1 foto frontal, ku shihen kthejllët atributet fizike të kandidatit; 1 foto nga profili dhhe 1 foto nga një kënd i lirë. Fotot mund të realizohen me telefon)
-Një video xhirim (max:1 minut), ku djaloshi flet për një temë të preferuar (një aktivitet që i pëlqen të bëjë, apo temë që e entuziasmon. Klipi mund të xhirohet me telefon dhe të ngarkohet në link privat në Youtube apo Vimeo, ose të dërgohet si attachment)
Roli është me pagesë. Filmi do të xhirohet në Prishtinë.
Materialet duhet të dërgohen deri më 22 janar të këtij viti. Ndërkaq, brenda dhjetë ditësh pas këtij afati, kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë do të ftohen për një lexim para kamerës (cold reading)
E obligueshme: Materialet e mësipërme pranohen vetëm nga prindi, kujdestari/ja ligjor/e, apo në rast se fëmija përfaqësohet nga një shkollë/kurs aktrimi, nga agjenti përkatës. Ju lutem në e-mail të bashkangjisni edhe emrin e juaj, relacionin me kandidatin dhe numrin e juaj të telefonit.
Për çfarëdo pyetje, ju lutem drejtohuni në adresën [email protected] ose në Whatsapp: +383 44 103 386. / KultPlus.com
Mësonjëtorja e parë shqipe është një arsye më shumë për të vizituar Korçën.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti bën me dije punët që çojnë përpara, ku një prej tyre është dhe Muzeu i Arsimit. “Pas restaurimit të plotë do të përfundojë muzealizimi i Muzeut të Arsimit, Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë. Një arsye më shumë për të vizituar Korçën!”, shprehet ministrja e Kulturës, në një status të saj për muzeun.
Mësonjëtorja e Korçës u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muzeum dhe ndodhet në veri të bulevardit “Shën Gjergji”.
Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare përbrenda Perandorisë Osmane.
Mësonjëtorja përbëri një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, rëndësia e saj është e një vlere të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si “Dita e Mësuesit”.
Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet, u mbyll në vitin 1902 për t`u riçelur në vitin 1908.
U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh, më 1917. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Naum Naçi, Thoma Avrami, familja Qiriazi, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë, që ata kishin për të përhapur dijen në popull.
Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit.
Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit dhe e librit shqip, abetareve të gjuhës shqipe si dhe alfabeteve të përdorura në kohë të ndryshme, deri në alfabetin që kemi sot vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908.
Ndërtesa e muzeut ka dhe mjedise ekspozimi. Në shtator të 2019 u bë me dije se kishte nisur puna për restaurimin e godinës së Mësonjtores së parë shqipe. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim alpinisten Mrika Nikçin.
Ministrja Vlora Dumoshi gjatë këtij takimi e përgëzoi alpinisten Mrika Nikçi për sukseset e saj duke thënë se “është kënaqësi e veçantë për mua si Ministre që t’i ndaj mirënjohje një alpinistje të suksesshme siç jeni ju, vajza e parë në botë e cila i ka pushtuar 7 majat më të larta në 7 kontinente ende pa i mbushur 18 vite”.
“Puna dhe angazhimi juaj është një motivim i madh për rininë e vendit tonë sepse ju keni arritur të dëshmoni se me punë dhe angazhim gjithçka arrihet. Andaj unë po ju dorëzoj këtë mirënjohje si shenjë motivimi shtesë për ju që të vazhdoni tutje dhe të arrini suksese tjera të njëpasnjëshme në të ardhmen”–tha ministrja Dumoshi.
Ndërkaq alpinistja Mrika Nikçi u shpreh e lumtur për marrjen e mirënjohjes dhe tha se: “Vlerësimi i punës dhe angazhimit tim nga ana e Ministrisë për mua do të thotë shumë, kjo mirënjohje është një motivim shtesë e cila me shtyn të vazhdoj më tutje”- tha alpinistja Nikçi. / KultPlus.com
Këto ditë PEN Qendra e Kosovës e botoi veprën më të re të Sali Bashotës, me ese dhe studime letrare, me titullin “Esenca e ligjërimit letrar”. Në këtë vepër, autori trajton probleme të ndryshme të letërsisë shqipe, si në rrafshin kritik, po ashtu edhe në rrafshin teorik dhe estetik.
Fusha e interesimit të këtij studiuesi përqendrohet kryesisht në temat që ndërlidhen me autorë dhe vepra të ndryshme letrare, kryesisht prozë, poezi dhe kritikë letrare, por edhe shkrime të tjera të ndryshme me karakter problematizues, siç janë: “Skënderbeu i historisë dhe Skënderbeu i letërsisë”, “Santori në 200-vjetorin e lindjes”, “Vetëdija për shkrimin dhe shkrimtarinë”, për veprën e nobelistit Elias Kaneti. etj.
Po kështu, në veprën e tij më të re, Bashota ka shfaqur mendime kritike dhe për veprat letrare të autorëve: Esad Mekuli, Rifat Ismaili, Demë Topalli, Ibrahim Berisha, Basri Çapriqi, Virion Graçi, Lulzim Tafa, Gëzim Aliu, Meliza Krasniqi, etj.
Përmes këtyre shkrimeve autori ofron një mundësi të komunikimit me vlerat e letërsisë shqipe, por edhe më gjerë. Esetë dhe vështrimet kritike të Bashotës, shquhen përmes qasjes analitike me një këndvështrim mjaft interesant, pikërisht në zbërthimin e esencave të ligjërimit letrar, të paraqitura dhe të trajtuara me pikëpamje origjinale, sa i përket metodës, gjuhës, stilit, etj.
“Esenca e ligjërimit letrar”, pa dyshim, është një vepër e rëndësishme, e cila shquhet me qenësinë e saj estetike, pastaj me llojllojshmërinë e tematikës që trajton, me faktet dhe argumentet letrare, si dhe me artikulimin e veçantë kritik. Gjithsesi, është një vepër kritike, që e pasuron kritikën letrare shqipe sot.
Sali Bashota është autor i mbi dyzet veprave me poezi, prozë poetike dhe kritikë letrare. Në fushën e kritikës, deri më tani ka botuar veprat: “Shqipshkrimi krik” (1997),”Kuteli poet, prozator, kritik” (1999), “Domethënia e ideve letrare” (2001),”Proza e filleve të moderniteti” (2006), “Studime letrare”(2008), “Enigma e shkrimit”(2018).
Veprat e Bashotës janë përkhyer në shumë gjuhë të botës, ndërsa autori është nderuar me çmime të larta kombëtare për letërsi. / KultPlus.com
Me këto fjalë nisë refreni i këngës “Asaj” kënduar nga Grupi Humus.
Sot po sjellim pak kujtime nga grupi në fjalë, i cili na ka sjellë disa këngë të cilat i dëgjojmë edhe sot dhe kujtojmë kohën kur jeta ishte më ndryshe, e ndoshta edhe muzika dhe emocioni që vinte prej saj.
HUMUS vijnë nga Prishtina, ndërsa janë formuar në vitin 2002. Nuk ka shumë informacione rreth grupit por megjithatë, refrenin si ai i këngës “Humus” e kemi të njohur për veshin, shkruan KultPlus.
Grupi ka qenë ndër më të mirët e kohës kur ka qenë pjesë e muzikës, me zhanrin rock-alternative por edhe me këngët më të qeta në formën e baladave.
Pjesë e grupit kanë qenë Adnan Dragaj, Nderim Ramadani, Blerim Azizi dhe Patriot Neziri, ndërsa mes këngëve tjera të njohura dhe të dëgjuara janë edhe “Ninulla”, “Ameba” e “Dyfishohem”. / KultPlus.com