Zgjidhja e çështjes së ndryshimeve klimatike do të ishte “gjëja më e jashtëzakonshme që njerëzimi ka bërë ndonjëherë”, ka thënë njëri prej personave më të pasur në botë dhe themeluesi i Microsoftit, Bill Gates.
Krahasuar me këtë, përfundimi i pandemisë është “shumë e lehtë”.
Libri i ri i Gatesit, “Si ta luftojmë katastrofën klimatike”, është udhëzues për luftimin e çështjes së njohjes globale, shkruan BBC.
Ai ka thënë se nuk bën të nënvlerësohet shkalla e kësaj sfide.
“Ne kurrë nuk kemi bërë një tranzicion si ky që po flasim për të bërë në 30 vjetët e ardhshme. Nuk ka precedent ndaj kësaj”, ka thënë Gates. / KultPlus.com
Nuk është çdo herë e lehtë për një të huaj që t’ia dalë mbanë dhe të nisë një biznes kur është më shumë se 7 mijë kilometra larg nga vendlindja.
Shqiptari Valon Dalipi, 27-vjeçar për herë të parë kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para shtatë vjetëve si një student ndërkombëtar.
Vite më vonë, në mars të vitit 2019, Dalipi dhe vëllai i tij, Hasan Dalipi, zhvilluan talentin e tyre dhe interesimin për realizimin e artit në kafe dhe në shërbimet ushqimore. Kështu nisi udhëtimi.
“Stop Cafe” në 255 Park Ave. në Worcester – një kafe tradicionale shqiptare që shërben të gjitha llojet e artit në kafe, pica dhe hamburger – i tërheq vizitorët e po ashtu edhe shqiptarët që janë nga Bostoni apo regjioni.
“Ne po përpiqemi që të bëjmë një brend dhe të provojmë diçka ndryshe”, ka thënë Valon Dalipi. “Po shkon shumë mirë dhe marketingu dhe mediat sociale po na ndihmojnë shumë”.
Javë më parë, “Stop Cafe” është njohur si kafeneja më e mirë për të marrë kafe dhe ka rangimet me të larta sipas “Yelp”.
I dhënë pas vizatimit dhe dizajnit, Valon Dalipi e ka mësuar vetë artin në kafe. Ai asnjëherë nuk ka ndjekur ndonjë kurs për këtë.
“Ma merr mendja se është talent”, ka thënë Valon Dalipi. “Nëse je i mirë ne vizatim, mund të vizatosh kudo”.
Mace, qen, arusha, lule, logo, karaktere të animuar, detaje për pushime. “Stop Cafe” mund të krijojë çfarë arti në kafe që ju dëshironi. Valon Dalipi ka thënë se për artin është kryesisht nga komunitetit përreth në Worcester.
“Ne shohim se çfarë po ndodh përreth në Worcester dhe përpiqemi që të bëjmë diçka që ka lidhje me ngjarje dhe pushime”, ka thënë Valon Dalipi. “Ne po ashtu ndonjëherë kërkojmë në internet për ndonjë ide dhe pastaj do dalim më dizajnin tonë unik”.
Ai ka treguar se myshterinjtë po ashtu mund të kërkojnë vetë figurën, pa paguar ekstra, edhe si logo të biznesit.
“Disa vizatime të komplikuara mund të marrin 10 deri në 15 minuta dhe kafja mund të jetë e ftohtë”, qesh ai. “Por përsëri ka pamje të mirë”.
Valon Dalipi ka thënë se ata bëjnë po ashtu edhe dizajne për ditëlindje – “shkruajmë “Happy Birthday”, emra, moshën, dhe disa vizatime të vogla si zemra, torte dhe çokollata”.
Ajo që e bën “Stop Cafe” unike nuk është vetëm arti delikat dhe dizajni, por gjithashtu edhe menyja tradicionale shqiptare. Valon Dalipi ka thënë se shumë njerëz vijnë këtu për të provuar posaçërisht picën e tyre shqiptare me erëza susami në kore pica.
“Definitivisht ka shije si askund tjetër”, ka thënë Dalipi me krenari.
“Stop Cafe” është zgjeruar dyfish krahasuar me lokacionin e mëparshëm 377 “Park Avenue”, kur u vendos në gusht në 255 “Park Avenue”. Fillimisht ishte afër “Clark University”, por pasi që u zhvendosën, tërhoqën më shumë studentë nga “WPI” dhe “Worcester State University”.
Valon Dalipi ka thënë se vendi fillestar ishte më i vogël dhe i limitonte ata në ëmbëlsira dhe kafe. Por, tani që kanë më shumë hapësirë dhe pajisje, ata kanë mundësi që të zgjerojnë opsionet në ushqim, por gjithashtu të mbajnë artin e tyre në kafe.
“Ne kemi shtuar pica, hamburgerë dhe sandviçë. Ne e bëjmë brumin, asgjë nuk është e parapërgatitur”, ka thënë ai. “Gjithçka bëhet këtu”.
“Stop Cafe” është duke u zgjeruar dhe padyshim qëllimi është që të kenë edhe lokacione të tjera në pjesën tjetër të qytetit dhe të njihen kudo.
“Fillimisht vinin për artin në kafe”, ka thënë Dalipi. “Tani njerëzit po vijnë më së shumti për ushqimin, ambientin dhe për diçka më ndryshe se më parë”.
Folegj: Në mars të vitit 2019, Dalipi dhe vëllai i tij, Hasan Dalipi, zhvilluan talentin e tyre dhe interesimin për realizimin e artit në kafe dhe në shërbimet ushqimore. Kështu nisi udhëtimi. /Telegram&Gazette/ KultPlus.com
Tenori i njohur shqiptar dhe shumë i dashur për publikun, Ramë Lahaj ka reaguar sot përmes një statusi në facebook duke shprehur urimet e tij për zgjedhjet e djeshme dhe njëkohësisht duke shpresuar në ndryshimin që pritet të ndodhë në vendin ton, shkruan KultPlus.
Ndër të tjera ai shpreson që ky mobilizim i qytetarëve të sjell rezultate e mbi të gjitha të ndëshkojë të gjithë ata kaubojtë e kapadaitë që sillen si pronarë institucionesh e jo si udhëheqës të tyre.
“ Urime ndryshimi që e deshëm të gjithë!
Çka më gëzon tej mase, është forca dhe mobilizimi qytetar për t’i ndëshkuar të gjithë kaubojtë e kapadaitë që sillen si pronarë institucionesh e jo si udhëheqës të tyre, për të mirën e qytetarit dhe kombit.
Një falenderim i veçantë për mergaten tonë të mrekullueshme që gjithmonë dhe çdo kohë tregon se është pjesa më e rëndësishme e kombit, duke e dhënë kontributin më të madh në luftë e paqe.
Gëzuar të gjithëve e na priftë e mbara”, ka shkruar Lahaj. / KultPlus.com
Më shumë se një e katërta – 26 për qind – e të rriturve në SHBA, e pranojnë se nuk kanë lexuar qoftë edhe një pjesë të një libri gjatë vitit të kaluar. Kjo sipas statistikave që dalin nga Qendra Kërkimore Pju. Nëse jeni pjesë e këtij grupimi, dijeni që shkenca mbështet idenë se leximi është shumë pozitiv për ju në disa aspekte.
Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Torontos, pjesëmarrësit në studim që lexonin histori të shkurtra, përjetuan shumë më pak nevojë për “mbyllje konjitive” krahasuar me homologët që lexojnë shkrime jo letrare. Në thelb, ata rezultuan në teste si më mendje-hapur, krahasuar me lexuesit e shkrimeve jo letrare.
“Edhe pse leximi i materialeve që nuk janë letërsi, i jep mundësi studentët të mësojnë lëndën, ai nuk mund t’i ndihmojë gjithmonë ata të mendojnë për të. Një mjek mund të ketë një njohuri enciklopedike të subjektit të tij ose të saj, por kjo nuk mund të parandalojë atë të kapë një diagnozë, kur simptomat shtesë flasin për një sëmundje tjetër”- shkruajnë autorët.
Njerëzit që lexojnë libra, jetojnë më gjatë
Kjo sipas studiuesve të Universitetit të Jeilit, që studiuan 3.635 njerëz më të mëdhenj se 50-vjeç, ku zbuluan se ata që lexonin libra për 30 minuta në ditë jetonin mesatarisht 23 muaj më gjatë sesa lexuesit e revistave.
Me sa duket, praktika e leximit të librave,sjell një angazhim konjitiv që përmirëson shumë gjëra, përfshirë fjalorin, aftësitë e të menduarit dhe përqendrimin. Ajo gjithashtu mund të ndikojë në ndjeshmëri, perceptim shoqëror dhe inteligjencë emocionale, shuma e të cilave ndihmon njerëzit që të jetojnë në planet më gjatë.
Leximi i 50 librave në vit, është diçka që në fakt mund ta arrini
Ndërsa rreth një libër në javë mund të tingëllojë si një mision i vështirë, ajo është ndoshta e mundur edhe nga njerëzit më të ngarkuar me punë. Shkrimtarja Stefani Hjuston thotë se mendimi i saj se nuk kishte mjaftueshëm kohë për të lexuar, doli të ishte një justifikim i kotë.
Tani që ajo i ka vendosur vetes synimin për të lexuar 50 libra brenda një viti, thotë se ka humbur shumë kohë me telefonin e saj gjatë kohës që rrinte shtrirë në shtrat, në trena, gjatë pushimeve pas të ngrënit, apo duke pritur diku në radhë. Dy muaj pas sfidës së saj, ajo raporton të ketë më shumë paqe dhe kënaqësi dhe e ka përmirësuar ndjeshëm gjumin, ndërsa mëson më shumë nga sa mendonte se ishte mundur.
Njerëzit e suksesshëm, janë lexues të rregullt
Njerëzit e suksesshëm janë të etur për vetë-përmirësim. Qindra drejtues të suksesshëm, kanë ndarë me mua librat që i kanë ndihmuar të arrijnë atje ku janë sot. A keni nevojë për ide se nga t’ia filloni? Titujt që shfaqen në mënyrë të përsëritur tek listat e tyre:“The Hard Thing About Hard Things” nga Ben Horovic; “Shoe dog” nga Fil Najt; “Good to Great” nga Xhim Collins; dhe “Losing My Virginity” nga Richard Branson. /inc.com/ KultPlus.com
Ka vdekur sot kitaristi i njohur Valton Berisha, shkruan KultPlus.
Berisha ishte pjesë e grupit “Purgatory”, që në gjeneratën e tyre njiheshin si djemtë e guximshëm që po sillnin ndryshime në rininë shqiptare.
Ky grup shpejt u bë i njohur duke krijuar hite dhe duke treguar guxim si me përmbajtjen e këngëve te tyre ashtu edhe me paraqitje.
Po thyenin tabu dhe po dilnin nga kornizat e një gjenerate të shtypur e të izoluar.
Historia e tyre ngeli në kujtesën e kohës pasi të gjithë anëtarët ishin në diasporë. Fillimisht pas largimeve masive të rinisë kosovare bendi u shua në Kosovë, por u ripërtërirë në Zvicër, pikërisht me iniciativën e Valton Berishës, ku edhe për një kohë vazhduan të performojnë në diasporë.
Ndryshe, “Purgatory” që sot mbeti pa njërin anëtarët e grupit, është një prej rock bendeve kosovare më të pëlqyera të viteve 1990-ta. Hitet e tyre me të pelqyera të asaj kohë kanë qenë, ‘Largësia’, ‘Unë dhe ti’, ‘Jakup Ferri’, ‘Do t´i lutem qiellit’, ‘Shqiponjat’, ‘Sadija’, ‘Nëna’, ‘No Place for me in Heaven’, ‘Chaos – Kaosi’ dhe ‘Në stilin tonë’. / KultPlus.com
Në kuadër të iniciativës që ka ndërmarrë “Ministria e Kulturës” për ta konsideruar muajin shkurt si “Muaji i Kujtesës”, në respekt të figurave të shquara shqiptare dhe klerikëve të cilët u torturuan dhe u ekzekutuan nga regjimi komunist në Shqipëri, sot përkujtohet artisti Mihal Luarasi.
Mihal Luarasi lindi në qytetin e Korçës më 16 shtator të vitit 1929. Studimet bazë dhe atë të mesëm e kreu në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë ndërsa studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.
Pas kthimit nga studimet fillojë punë menjëherë pranë Teatrit Popullor, sot TK dhe shfaqjen e parë që vuri në teatër ishte vepra e Shilerit “Intrigë dhe Dashuri” shfaqje që edhe sot vlerësohet për rekordin e saj pasi qëndroj në repertorin e teatrit për shtatë vjet rresht duke u shfaqur për publikun 300 herë. Gjatë karrierës së tij vuri në skenë shumë vepra të suksesshme në shumë teatro të vendit, me të cilat ka fituar shumë çmime në festivalet e organizuara.
Në kohën e komunizmit ai sikurse edhe shumë artistë të tjerë, u dënua nga sistemi me tetë vjet burg dhe pas lirimit të tij në vitet 80 ai punoi si bojaxhi deri në fund të sistemit komunist në vitin 1990. /atsh / KultPlus.com
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka zhvilluar koncerte në skena të ndryshme të vendit tonë.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka publikuar disa fakte për jetën artistike. Në këtë material të institucionit publikohen materiale të Ansamblit Popullor gjatë katër viteve të fundit.
“21 janar 2017- Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore performoi në Lushnjë, me rastin e 97-vjetorit të Kongresit të Lushnjës. 23 shkurt 2017, me ftesë të Bashkisë Mirditë, Ansambli dhuroi një shfaqe të larmishme me këngë popullore të trevave të ndryshme të Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të Abat Doçit.
22 prill 2017 – Ansambli Popullor në qytetin e Përmetit me rastin e “Çeljes së sezonit turistik Përmet”, ku u zhvilluan aktivitete të ndryshme dhe Ansambli performoi me këngë e valle të krahinave të ndryshme të vendit dhe në fund të koncertit dy numra me këngë lirike së bashku me sazet e Përmetit”, shkruan institucioni në materiale.
Në 6 maj 2018, Ansambli Popullor performon në Vaun e Dejës në festën tradicionale të “Ditës së Luleve”, në 28 maj 2018 merr pjesë në “Javën e Ali Pashës” në Tepelenë, 15 qershor 2018 mban koncert në Rrëshen, 22 qershor 2018, koncert i 60 vjetorit të Ansamblit Popullor në Llogara në kuadër të “Opera Summer Tour”.
Më 22 qershor 2018, Ansambli Popullor vijoi me koncertin e 60- vjetorit të Ansamblit në Sarandë. 23 korrik 2018, Ansambli Popullor performoi në “Sokakun e të marrëve”, në sheshin e shëtitores në Himarë. Në 17-18 tetor 2018, Ansambli Popullore mbylli natën e fundit të festivalit “Oda Dibrane” në Dibrën e Madhe dhe vijoi me koncertin në Peshkopi.
Në 28 tetor 2018 performon me koncertin “60 vjet Ansambël Popullor”, në Elbasan. Në datë 21 janar 2019 zhvillon koncertin në Lushnjë, me rastin e 99 -vjetorit të Kongresit të Lushnjës dhe në 24 shkurt po të këtij viti trupa e madhe e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, orkestra e TKOB, artistët më të mirë të muzikës shqiptare, çuan në Shkodër grand galanë “Të gjithë e duan Agim Krajkën”.
Ansambli shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. /sot/ KultPlus.com
Maria Merope (emri i vërtetë Maria Dragan) është diplomuar në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Franceze në Universitetin e Bukureshtit dhe në Fakultetin e Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare, në Akademinë e Studimeve Ekonomike në Bukuresht.
Në vitin 2005 fitoi titullin Doktor i Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare. Deri në vitin 2008 ishte profesor universitar në ASE. Profesionalisht botuar 10 libra (3 si bashkëautor), në frëngjisht, mbi komunikimin në biznesin ndërkombëtar dhe në frëngjishten si gjuhë të specializuar (komerciale, bankare, financiare).
Vepra “Korrespondenca financiare dhe bankare” u dekorua në 2001, me titullin “Merita e Publicitetit” nga Shtëpia Botuese Tribuna Economică. / KultPlus.com
Seriali i njohur do të fillojë së shpejti xhirimet dhe do të përmbajë 10 episode.
Kush mendoi se seriali i famshëm “Game of Thrones” përfundoi e ka shumë gabim. Vazhdimi këtë herë do të quhet “House of the Dragon” dhe do të nisë xhirimet së shpejti duke u nisur edhe nga situata e Covid-19.
Sikur ka ndodhur edhe herët e tjera, seriali do të transmetohet në platformën e njohur HBO MAX. Në serial do të përshkruhen tregimet e mbretërve “Targaryen” që kishin sunduar prej kohësh në “Westeros”.
Seriali është vendosur 300 vjet para ngjarjeve të Game of Thrones dhe tregon historinë e “House Targaryen”. Nëntë familje fisnike bëjnë luftë kundër njëra-tjetrës në mënyrë që të fitojnë kontrollin mbi tokën mitike të Westeros. Ndërkohë, një forcë po rritet dhe kërcënon ekzistencën e burrave.
Ende mbetet e paqartë se kur do të dali në kinema pasi gjithçka do të varet nga koronavirusi. Paddy Considine do të interpretojë mbretin Viserys Targaryen. Emma D’Arcy do të luajë rolin si trashëgimtare e Mbretit, ndërsa Olivia Cooke është gruaja e dytë e Mbretit, Mbretëresha Alicent Hightoëer.
“Game of Thrones” ka fituar shtatorin e vitit 2018 çmimin Emmy si seriali dramatik më i mirë. Edhe ky serial do të përmbajë 10 episode. / Klan News / KultPlus.com
Pavarësisht se ishin të veshur me kostumin special kundër koronavirusit, Michele dhe Antonella, i dhuruan një puthje njëri-tjetrit duke shpërndarë dashurinë e tyre në të gjithë botën.
Ata u dashuruan në repartin e koronavirusit në poliklinikën e Barit dhe ditën e Shën Valentinit spitali zgjodhi ata për të dhënë një mesazh shprese përmes fotografisë që i portretizon së bashku.
“Dashuria lindi në pavion”, lexohet ngjitur me foton. Dy infermierët u takuan dhe u dashuruan gjatë izolimit të parë të muajit mars, kur ishte e ndaluar dalja përveçse mund të shkoje në punë.
“Poliklinika më dha atë që të gjithë ëndërrojnë dhe veçanërisht në një periudhë kaq të vështirë për të gjithë”, thotë Michele Bonasia, i cili e nisi punën marsin e kaluar në poliklinikë. / KultPlus.com
Në mundesh të ruash arsyen Kur bota e humbet fillin E fajin ta hedhin, e vetes t’i besosh Sa here për ty dyshojnë, e s’të përfillin Por dhe dyshimet drejtë t’i gjykosh.
Në mundesh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur E kur të urrejnë, urrejtje të mos ushqesh Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…
Në mundesh të mendosh, por jo gjer në shkatërrim Të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh E të trajtosh njëlloj e pa dallim Ngadhënjim e shpartallim, burim mashtrimesh.
Në durofsh dot që thëniet e tua të drejta Në kurthe për trutharët, kopukët do t’i kthejnë, Të thyejnë gjërat më të shtrenjta, e prapë t’i ndërtosh Me vegla pune që nuk vlejnë!
Në mundesh, fitoret qe ke korrur, t’i flijosh Si në kumar, në një të vetme lojë Të rrezikosh, të humbësh, e prapë te fillosh Dhe humbjet kurrë të mos i zësh me gojë!
Në i detyrofsh dot muskul, nerv, dhe puls e zemër Të të shërbejnë edhe kur gjithçka të duket e kotë E të qëndrosh, kur s’ka asgjë veç vullnetit, Që veç një fjalë, ‘qëndro’ gjithnjë të thotë.
Në mundesh të flasësh me maskarenjtë Por nderin tënd ta ruash E të ecësh përkrah mbretit pa krenarinë që të verbon Nëse armiku ose miku s’të bëjnë dot të vuash Dhe gjithçka në e çmon, përveç sa e meriton.
Në mundesh të mbushësh ti minutat, Aq të rënda, me vepra që peshojnë, Dije, dhe mos ki asnjë dyshim E jotja do jetë bota me ç’ka brenda Dhe burrë do jesh, o biri im…. / KultPlus.com
Grupi “Troja” ka hyrë në historinë e muzikës rok në shqip përmes revoltës së tyre ndaj aktualiteteve kohore, shkruan KultPlus.
Një këngë e cila mbetet e veçantë dhe që përherë pasqyron rrugëtimin e popullit tonë është “Mbretëresha Kohë”.
KultPlus ua sjell videoklipin dhe tekstin e këngës:
Mbretnesha kohè dje boll mir na tregoj, tha neser per neve shum ftoft ka me kan , nese t’bardhen prej te zezes na sot nuk dina me nda, tha neser as shiu nuk munet me na lag..
Mbretnesha kohè dje boll mire na tregoj, tha neser per neve ndryshe ka me kan , nese nyjen para syve na sot nuk dojna me zgidh tha neser kjo nyje n’fyt ka me na u lidh..
Mos rrnoni ma si hije, mos rrini ma pa drit, mos fleni mos i leni, hi syve me ju qit. Mos leni ma me ndodh, qysh ka ndodh deri tash, mos fleni mos i leni, se koha nuk kthehet mbrapsht..
Mos rrnoni ma si hije, mos rrini ma pa drit, mos fleni mos i leni, hi syve me ju qit. Mos leni ma me ndodh, qysh ka ndodh deri tash, mos fleni mos i leni, se koha nuk kthehet mbrapsht.. / KultPlus.com
Aktorja e njohur shqiptare, Yllka Gashi nëpërmjet rrjeteve sociale ka uruar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, shkruan KultPlus.
Ajo ka përmendur se këto zgjedhje kanë qenë të qeta dhe pa incidente.
“Edhe njëherë e dëshmove që përkundër vështirësive, Ti nuk dorëzohesh!”, ka shkruar aktorja e filmit “Zgjoi”.
Në anën tjetër, Gashi s’ka lënë pa falenderuar edhe diasporën, të cilët kanë marrë pjesë masovikisht në këto zgjedhje.
“Falemnderit mërgatë që nuk qove dorë prej Kosovës edhe kur u njollose e u përbuze, po me vendosmëri e sakrificë e kallxove edhe njëherë që je pjesë vitale e vendimmarrjes!”, ka përfunduar Yllka Gashi. / KultPlus.com
Këngëtaret shqiptare po vazhdojnë të na bëjnë krenarë, duke përfshirë këtu edhe Dua Lipën, shkruan KultPlus.
Me anë të postimit të fundit, artistja bëri të ditur se platforma Spotify, e renditi atë si femrën më të dëgjuar për vitin 2021 deri tani dhe ka tejkaluar 61.9 milionë dëgjues brenda muajit.
“Dua Lipa është artistja më e dëgjuar femër në botë në Spotify, aktualisht ka tejkaluar 61.9 milionë dëgjues brenda muajit”, thuhet në një njoftim të publikuar në Instastory.
Artistja e muzikës pop solli së fundmi këngën “We’re Good”, e cila rezultoi të jetë e suksesshme. / KultPlus.com
Shqipëria njihet si një zonë sizmike dhe në historinë e saj janë regjistruar një sërë tërmetesh shkatërruese. I tillë ishte dhe ai i Korçës i vitit 1922.
Prej vitesh një kontribut të madh për vendin kanë dhënë dhe shqiptarët jashtë vendit, të cilët nuk u kursyen as në këtë rast.
Në korrespondencën e publikuar online nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shihen ndihmat e dhuruara nga shoqata e shqiptarëve të Amerikës, “Vatra”.
Ata ofruan ndihma materiale, veshje dhe ilaçe per spitalet ku mjekoheshin te dëmtuarit, për të prekurit nga tërmeti në Elbasan e në Tepelenë.
Në vitin 1922 u krijua dhe Kryqi i Kuq Shqiptar, dhe MPJ nëpërmjet përfaqësuesit te saj ne Gjeneve koordinoi dhe vendosi komunikimin e tij me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar në Gjenevë. Njësoj vepruan edhe përfaqësuesit diplomatik shqiptarë në shtetet e tjera duke i krijuar hapësira aktivitetit bashkëpunues të Kryqit të Kuq Shqiptar në rast fatkeqësish. Rastet ishin të shumta kur shqiptarë jashtë vendit, të cilët individualisht kërkonin të ndihmonin në këtë fatkeqësi, i drejtoheshin përfaqësive shqiptare jashtë vendit ose direkt MPJ. Kjo e fundit koordinonte të gjithë procesin me institucionet shqiptare derisa ndihma mbërrinte në destinacion.
E prekur disa herë nga fatkeqësite natyrore, në qershor të vitit 1927, qeveria shqiptare, miratoi “Rregullore mbi mënyrën e mbledhjes së ndihmave në rast fatkeqësish”, ku si ditë donacioni u caktuan ditët e festave kombëtare, festat fetare dhe ditët e shpalluar si “Dite Solidariteti”. /dp/ KultPlus.com
Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli.
Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.
Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.
KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit. Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.
Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit. / KultPlus.com Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.
Alban Skenderaj është i njohur për vargjet lirike në jetësimin e tij të tingujve, shkruan KultPlus.
Në ditën kushtuar dashurisë, 14 Shkurtin, rikujtojmë këngën e tij për këtë datë.
KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Çdo ditë një Shën Valentin”:
Pse më sheh ashtu e vrenjtur me kokën mënjanë? “Të dua më pak se muzikën”, unë kurrë s’ta kam thënë Pse më sheh ashtu përgjumur dhe me kaq çudi? Me një këngë për ty gjithë natën kam bërë dashuri Prit pak se po bëj shaka por është e vërtetë Nuk mjaftonte një buqetë për datën 14 Ndaj më lejo mëngjesin sot të ta sjell unë në shtrat Një këngë për ty, më lejo ta këndoj si dhuratë
Sonte do ngrejmë dolli për dashurinë Për vitet që ikën dhe ata që do t’vijnë Por një herë në vit për dashurinë Nuk do mjaftonte shpirti im Se jeta me ty është çdo ditë një Shën Valentin
Unë jam romantik në vargje ti je në të vërtetë Me ty unë kam kuptuar çfarë vlen në t’vërtetë në këtë jetë Ndaj me lejo dhe një herë të të them sesa ndihem me fat Një këngë për ty, më lejo ta këndoj si dhuratë
Sonte do ngrejmë dolli për dashurinë Për vitet që ikën dhe ata që do t’vijnë Por një herë në vit për dashurinë Nuk do mjaftonte shpirti im Se jeta me ty është çdo ditë një Shën Valentin Oh oh (një Shën Valentin) Se jeta me ty eshte çdo ditë (një Shën Valentin) Sonte do ngrejmë dolli për dashurinë Për vitet që ikën dhe ata që do t’vijnë Por një herë në vit për dashurinë Nuk do mjaftonte shpirti im Se jeta me ty është çdo ditë një Shën Valentin Por një herë në vit për dashurinë Nuk do mjaftonte shpirti im Se jeta me ty është çdo ditë një Shën Valentin / KultPlus.com
Fragment nga letërkëmbimi mes Sadije dhe Dritëro Agollit në vitet 1964-1965:
Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh , të qeshësh . E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare fare . E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo ? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty , e humb gjakftohtësinë . Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija. / KultPlus.com
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana mëngjesin e sotëm është ‘zgjuar’ ndryshe, e mbuluar nga bardhësia e dëborës.
Tirana nën madhështinë e dëborës ofron sot me pamjen e saj një kartolinë perfekte ku çdo cep i saj duket i zbukuruar në të bardhë dhe në këtë ditë Shën Valentini, simbol i dashurisë atmosfera në kryeqytet është mjaft e bukur.
Fotoreporteri i ATSH-së, Agim Dobi ka sjell në fokusin e aparatit pamje përmes një fotogalerie ku duket bukuria e Tiranës së ‘bardhë’, e ku qytetarë të shumtë dhe të vegjlit kanë shijuar momente të bukura duke u argëtuar e lozur me njëri-tjetrin me topa bora. / KultPlus.com
Për nder të Pavarësisë së Kosovës, të mërkurën Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bodani” hap dyert e saj nëpërmjet një ekspozite, shkruan KultPlus.
“Kujtesa e Kosovës: rambouillet” ekspozon fotografi të pa-publikuara të fotoreporterit Asllan Krasniqi që japin pamjet e ngjarjeve nga Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit në vitin 1999.
Nëpërmjet kësa ekspozite që hapet në ora 11:00 më 17 Shkurt, kremtohet 13 vjetori i Pavarësisë së Kosovës. / KultPlus.com
Luis de Bernieres: Dashuria është një çmenduri e përkohshme, ajo shpërthen si vullkan dhe më pas qetësohet. Dhe kur qetësohet, ti duhet të marrësh një vendim. Duhet të zbulosh nëse rrënjët e tua janë të gërshetuara në një mënyrë që është e papërfytyrueshme t’i ndash. Sepse kjo është ajo çfarë është dashuria. Dashuria nuk është e pafrymë, nuk është kënaqësi, nuk është shpallje e premtimeve të pasioneve të përjetshme, nuk është dëshira të rrokësh çdo sekondë dhe minutë të ditës, nuk është të qëndrosh natën zgjuar duke imagjinuar sikur ai po të puth çdo pjesë të trupit. Jo, mos u skuq, po të them disa të vërteta. Të jesh “në dashuri” është diçka që mund ta bëjë çdokush. Vetë dashuria është ajo çfarë ngelet kur të qenit në dashuri është larguar, dhe kjo është të dyja, një art dhe një aksident me fat.
Haruki Murakami: Çdokush që bie në dashuri është në kërkim të pjesëve të humbura të vetvetes. Kështu çdokush që është në dashuri mërzitet kur mendon për të dashurin e vet. Është si të shkelësh në një dhomë nga e cila ke kujtime, të cilat nuk i ke parë për një kohë të gjatë.
Paulo Coelho: Dashuria është një forcë e egër. Kur mundohemi ta kontrollojmë, ajo na shkatërron. Kur mundohemi ta burgosim, ajo na skllavëron. Kur mundohemi ta kuptojmë, na lë me ndjenjën e humbjes dhe paqartësisë.
Çarls Doukins: Njerëzit ndonjëherë thonë se duhet t’u besosh ndjenjave në thellësi, përndryshe nuk do të kesh kurrë besim në gjëra të tilla si “Gruaja ime më do.” Por ky është një argument i keq. Ka shumë mënyra për të zbuluar që dikush të do. Gjatë gjithë ditës që je me dikë që të do, ti shikon dhe dëgjon shumë pjesëza të dhënash, që shtohen. Nuk është tamam një ndjenjë e brendshme, si ajo të cilën priftërinjtë e quajnë shpallje. Ka gjëra të jashtme që përforcojnë ndjenjat e brendshme shikimet në sy, pëshpëritjet me zë, nderet e vogla dhe mirësitë; dhe e gjitha është e dhëna e vërtetë.
Fjodor Dostojevski: Çfarë është ferri? Unë pohoj që është vuajtja e të qenit i paaftë për të dashur.
C.S.Levis: Nuk ka investim të sigurtë. Të duash në përgjithësi është të jesh i pambrojtur. Dashuria është çdo gjë, dhe me siguri zemra jote do të shtrydhet dhe mbase dhe thyhet. Nëse do që të sigurohesh që të mbetet e paprekur, nuk duhet t’ja japësh zemrën askujt, madje as një kafshe. Mbështille me kujdes me zbavitje dhe pasuri të vogla; anashkaloji të gjitha gërvishtjet; kyçe në kutinë e egoizmit tënd. Por në atë kuti- të sigurtë, të errët, pa ndjenja, pa ajër- ajo do të ndryshojë. Nuk do të thyhet; do të bëhet e pathyeshme, e padepërtueshme, e pazëvendësueshme. Alternative e tragjedisë, ose së paku e rrezikut të tragjedisë, është dënimi. I vetmi vend jashtë Parajsës ku mund të jesh tërësisht i mbrojtur nga të gjitha rreziqet dhe trazimet e dashurisë është Ferri.
Kurt Vonegut: Një qëllim i jetës së njeriut, nuk ka rëndësi se kush e kontrollon atë, është të dojë këdo që është përreth për t’u dashur.
Xhakomo Kazanova: Dashuria është një ndjenjë që nuk mund të shpjegohet! Është Zoti i të gjithë natyrës! Është një ndjenjë e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht! Dashuria! Një përbindësh i bukur që është e pamundur ta kuptojmë! Zot, që në mes të gjithë gjembave që na shpojnë e na shkaktojnë dhembje, ti shtron kaq shumë trëndafila në rrugën ku ecim, dhe pa të cilën ekzistenca dhe vdekja nuk do të kishin më dallime e do të ishin një!
Erich Fromm: Dashuria nuk kërkohet, ajo vjen atëherë kur nuk mendon për të, atëherë kur je i pastër shpirtërisht. Dashuria nuk të lëndon kurrë, nëse të lëndon nuk është dashuri o mik, ajo nuk është e ashpër, lënduese apo hidhëruese. Ajo është ndjenjë qetësie, të fal paqe, besim dhe shpresë. Të lejon të mbushësh thellë me frymë pa patur frikë se do të dalin lot. Sa pak të dashuruar që ka në botë…!”/ KultPlus.com