I jepet lamtumira e fundit Valton Berishës, kitaristit të grupit ‘Purgatory’

Sot, në Pejë iu dha lamtumira e fundit kitaristit të grupit ‘Purgatory’, Valton Berisha.

Valtoni ishte njeri që mblidhte rreth vetës njerëz të mirë e me vullnet të mirë, këtë e dëshmoi edhe sot, ku përveç anëtarëve të bendit të tij Enis Potoku, Driton Ajeti dhe Fatmir Gashi, Valtoni i bashkoi shumë shokë e miq edhe pse në pandemi.

Nga Zvicra kishin ardhur edhe shumë miq të tij dhe së bashku me familjarët vunë mbi varr një kurorë në formë kitare.

Tingujt e kitarës së tij do jehojnë përherë mes artdashësve dhe kudo që festohet me hare e gëzim, sepse e tillë ishte mënyra e të jetuarit të tij.

Valton Berisha ka ndërruar jetë dy javë më parë në SHBA, ndërsa sot është varrosur në vendlindjen e tij në Kliçinë.

Valton Berisha la pas vetes gruan dhe djalin e vajzën, të cilët sot i dhanë lamtumirën e fundit duke vënë lule e kurora mbi varrin e tij dhe në mënyrë simbolike lëshuan të lirë një pëllumb të bardhë. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Vdes kitaristi Valton Berisha

Ka vdekur sot kitaristi i njohur Valton Berisha, shkruan KultPlus.

Berisha ishte pjesë e grupit “Purgatory”, që në gjeneratën e tyre njiheshin si djemtë e guximshëm që po sillnin ndryshime në rininë shqiptare.

Ky grup shpejt u bë i njohur duke krijuar hite dhe duke treguar guxim si me përmbajtjen e këngëve te tyre ashtu edhe me paraqitje.

Po thyenin tabu dhe po dilnin nga kornizat e një gjenerate të shtypur e të izoluar.

Historia e tyre ngeli në kujtesën e kohës pasi të gjithë anëtarët ishin në diasporë. Fillimisht pas largimeve masive të rinisë kosovare bendi u shua në Kosovë, por u ripërtërirë në Zvicër, pikërisht me iniciativën e Valton Berishës, ku edhe për një kohë vazhduan të performojnë në diasporë.

Ndryshe, “Purgatory” që sot mbeti pa njërin anëtarët e grupit, është një prej rock bendeve kosovare më të pëlqyera të viteve 1990-ta. Hitet e tyre me të pelqyera të asaj kohë kanë qenë, ‘Largësia’, ‘Unë dhe ti’, ‘Jakup Ferri’, ‘Do t´i lutem qiellit’, ‘Shqiponjat’, ‘Sadija’, ‘Nëna’, ‘No Place for me in Heaven’, ‘Chaos – Kaosi’ dhe ‘Në stilin tonë’. / KultPlus.com