Simpoziumi në Akademinë e Shkencave iu dedikua shkencëtarit Erwin Schrödinge

 Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me fondacionin “Henrietta Leavitt” organizoi Simpoziumin “Quo vadis humanitas”(Ku shkon njerëzimi) dedikuar shkencëtarit nobelist austriak Erwin Schrödinger, si një homazh dhe për 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të fizikanit dhe shkencëtarit.

Ai përpunoi bazat e teorisë moderne të mekanikës kuantike dhe me kërkimet e tij kundërshtoi në mënyrë të përsëritur Interpretimin e Kopenhagenit mbi Mekanikën Kuantike. Erwin Schrödinger është fitues i Çmimit “Nobel” në fizikë (1933).

Fizikanti  gjenial, bashkëkohës i Plank, Einstein, Bor, tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor edhe me  librin e sipërcituar, ku ai promovoi idenë e studimit të organizmave të gjalla me mjetet e fizikës, duke parashtruar idetë e vizionin e tij për të studiuar biologjinë e jetës nga perspektiva e fizikës, qysh në vitin 1944. Kështu ai ishte i pari që sugjeronte të studioheshin organizmat e gjalla në termat e strukturës molekulare dhe atomike.

Akademik Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë çeli simpoziumin me fjalën e mirëseardhjes, ku pasi uroj pjesëmarrësit dhe veçanërisht znj. Nathanaili si ideatore e kësaj veprimtarie e si përkthyese e librit të Schrodinger në shqip, theksoi:

“Ky simpozium është i veçantë për temën e tij aq intriguese: “Ku shkon njerëzimi?”, pyetje kjo e shtruar para njerëzimit që në origjinën e tij e që në çdo kohë ka marrë e merr përgjigje të ndryshme dhe çdo herë, përgjigjja ka më shumë të panjohura se vetë pyetja.

Pa dyshim idetë e Schrodingerit, të shtruara në librin e leksionet e tij mbi jetën, sollën në mendimin shkencor të kohës ndryshime kopernikane. Ato tronditën rëndë kufijtë e disiplinave, duke shembur kufijtë midis botës së gjallë dhe botës tjetër, duke relativizuar kufijtë midis tyre.

Zbulimet e idetë e mëdha prishin rehatinë mendore, cenojnë status quo-të, ndryshojnë rrjedhat e mendimit shkencor, bëhen shkak për ndryshime rrënjësore, për ide e qasje të reja. Të tilla kanë qenë për dekada me radhë idetë e Schrodingerit.

Pyetjet e idetë e tij janë edhe sot po aq aktuale. Raportet e njeriut me natyrën kanë ndryshuar, mendja e njeriut siç dihet arrin të dyfishojë trashëgiminë intelektuale të njerëzimit në harkun e dhjetë vjetëve, në saj të tyre kanë lindur sendet me tru dhe gjithnjë e më shumë ato kërkojnë të konkurrojnë e të sfidojnë  vetë krijuesin e tyre, mbartësin e vetëm të mendimit, homo sapiensin.

Krahas këtyre zhvillimeve mahnitëse, njerëzimi dhe shkenca po përballen dhe me shumë sfida, pasi kanë prekur në zona delikate, si modifikimi gjenetik, vet kodin e jetës, pasi ndërkohë që mendohet të organizohet turizmi në Hënë, njerëzimi sfidohet këtu në Tokë nga shumë rreziqe të padukshme, si virusi Sars COV-2 e këto sfida, e kontraste bëjnë që gjithnjë e më të pashmangshme të jenë pyetjet: Çfarë është jeta? Si do jetë jeta? Ku shkon Njerëzimi?

Pyetje, të cilat i ka shtruar e u ka dhënë përgjigje si askush më parë nobelisti Schrodinger me librin e tij. Prandaj ardhja e veprës së tij në shqip, qoftë dhe me vonesë, është shumë e mirëpritur. Lexuesi shqiptar ka nevojë për të, e veçanërisht kërkuesit e rinj” –tha Gjinushi. /ata/ KultPlus.com

Jeta e mbretit suedez në një serial televiziv

 Jeta e mbretit suedez, Carl Gustaf XVI është vendosur të jetë tema e një seriali televiziv, i ngjashëm me dramën “Kurora”.

Seriali përshkruan fëmijërinë, rininë dhe jetën e Carl Gustaf XVI si monark. Ai u bë mbret në 1973. Tre vjet më vonë, u martua me Silvia Sommerlath, me origjinë gjermane, të cilën e takoi në Lojërat Olimpike 1972, në Mynih.

“Seriali ende pa titull parashikohet të përmbajë gjashtë episode 45-minutëshe dhe të vazhdojë për disa sezone”, njoftuan transmetuesi TV4, shërbimi streaming “C More” dhe kompania e prodhimit “Filmlance”, duke konfirmuar raportet e shtypit.

Materiali ekskluziv, që dokumenton fëmijërinë e mbretit, i cili mbush 75 vjet në prill, është shkruar nga Asa Lantz, skenaristja e produksionit biografik televiziv suedez “Selma”, e vitit 2008, rreth kandidates suedeze për Nobel në Letërsi, Selma Lagerlof.

“Mbretërit dhe mbretëreshat e tjera thuhet se kanë pasur një ndikim në ngjarjet botërore. Historia e Mbretit tonë është diçka ndryshe. Jo siç theksohet ndërkombëtarisht, por të paktën po aq dramatike dhe magjepsëse”, tha Lantz në një deklaratë.

Lantz shtoi se qasja e saj do të jetë e ndryshme nga ajo e dramave të tjera që shfaqin familje mbretërore, si “Kurora” për familjen mbretërore britanike  ose prodhimi i fundit norvegjez, “Atlantic Crossing”, që paraqet mbretërit norvegjezë në mërgim në Londër dhe SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore. /ata/ KultPlus.com

‘Nën gushë du me t’puth, aty du me e pushu synin e pafjetun’

Poezi nga Xhejlane Tërbunja:

Du me t’puth nën gushë.
Nën gushë du me t’puth.
Aty du me e pushu synin e pafjetun,
faqen e papërk’dhelun.

Du me t’puth nën mjekër.
Nën mjekër du me t’puth.
Aty du me t’marrë erë,
kokën n’gjoksin tand qetësisht me e mb’shtetun.

Du me t’puth veç ty.
Veç ty me t’puth du.
Me t’u var në buzë,
si qershi e pjekun. / KultPlus.com

‘Femrat problematike, të lirshme, jo fort të moralshme janë interesante’

Ismail Kadare: Kohë për rrëfim-dialog me Alda Bardhylin

Në letërsi femrat i kam trajtuar zakonisht si femra problematike, me një moral jo të përsosur. Femra të tilla më dukeshin interesante. Dhe është e vërtetë kjo, që këto lloje femrash të lirshme, jo fort të moralshme janë interesante.

Të tjerat nuk më kanë interesuar. Më duket se të gjithëve nuk ju interesojnë të tjerat. Femrat me një tis “negativ” janë interesante. Sepse ato krijojnë edhe problemet, edhe pakënaqësitë, edhe dramat. / KultPlus.com

Rupert Grint pranon se nuk i ka shikuar të gjithë filmat e “Harry Potterit”

Aktori 32-vjeçar që luan në të tetë filmat e “Harry Potterit”, në rolin e studentit magjistar, thotë se ka shikuar vetëm tri pjesët e para.

Ruper Grint tha se nuk i pëlqen ta shikojë vetën ne një film, shkruan Variety.

“Kam shikuar tre filmat e parë, por pas tyre ndalova t’i shikoja”, tha ai.

Megjithatë ylli i “Harry Poter” shton se kanë kaluar aq vite sa ta ndjejë veten të çliruar nga filmat dhe të fillojë t’i shikojë pjesët që ka humbur.

Rupert kishte thënë se po konsideronte ta linte aktrimin dhe se asnjëherë nuk ishte ndjerë rehat me famën dhe se ëndrra e tij është që ta lë këtë industri e t’i përkushtohet diçkaje tjetër. /Koha/ KultPlus.com

‘Qasi t’rreme as n’kohën e okupimit t’Serbisë nuk kom pa’, Bakija jep versionin se si u rrah nga policët

Bardhyl Bakija i cili u rrah nga shtatë policë pasi kishte hyrë në dritën e kuqe të semaforit ka rrëfyer se si ishte rrahur nga shtatë policë deri në thyerjen e tri brive.

Ai rrëfen që fillimisht nuk e kishte respektuar dritën e kuqe të semaforit, dhe teksa po voziste kishte parë policët që i ishin vënë pas, me ç’rast e kishte kapur paniku.

“M’kapi paniku, kuku thashë e hupa patentin, çu t’iki nshpi. Ik ik ik ik, dikur thashë nuk muj me ikë. Kur dashta me ardhë n’shpi, thashë pe hi n’shpi po mshefna, pe iki. Grun e kam t’smutë prej zemrës, e kanë bo holandezët operacion. U nala pak ma nelt”, ka thënë Bakija për Klan Kosovën.

“Edhe jom nalë. E kom vrejtë, dy patrolla t’policisë. Si e kom qitë kamën e majtë, ata t’u ngajtë e t’u ngajtë e t’u piskatë e t’u shajtë. I kom qitë durt nalt se e vrejta që po dojnë me m’rrehë”.

Sipas tij, kur policët i ishin sulur, ai i kishte kërkuar falje, por ata nuk ia kishin vënë veshin duke fillaur ta rrahin gjersa ia kishin thyer britë dhe ia kishin dërrmuar tërë trupin.

“I thashë: m’falni se kom gabu ju lutem, m’falni! M’ka ra njoni boks n’kry përmas, m’ka qitë n’tokë. Atëherë kanë fillu ma kanë kapë dorën e djathtë përmas shpinës, e ka fillu rremja që qasi t’rreme as n’kohën e okupimit t’Serbisë nuk kom pa”.

“Dej sa m’rrenën a që u lodhën t’u m’rrehë. M’i thynë britë, tri bri. Kryt e kom pleh, krejt trupin e kom pleh, krahin e kom pleh”.

Shtatë policët e përfshirë në këtë rast janë suspenduar nga puna, ndërkaq tre prej tyre edhe janë arrestuar. /klankosova/ KultPlus.com

Ka vdekur aktori Christopher Plummer

Ka vdekur në moshën 91 vjeçare fituesi i çmimit Oscar, Christopher Plummer.

Aktori Christopher Plummer, fitues i “Oscar” mbase i mbajtur mend për “The Sound of Music”, ka vdekur në shtëpinë e tij në Connecticut, tha menaxheri i tij në një deklaratë, shkruan CNN.

“Chris ishte një njeri i jashtëzakonshëm që e donte dhe respektonte thellësisht profesionin e tij me sjellje të shkëlqyera të modës së vjetër, humor vetvlerësues dhe muzikën e fjalëve”, tha shoku dhe menaxheri i tij i vjetër Lou Pitt në deklaratën e tij për CNN.

“Ai ishte një thesar kombëtar që i gëzohej thellë rrënjëve të tij kanadeze. Përmes artit dhe njerëzillëkut të tij, ai preku të gjithë zemrat tona dhe jeta e tij legjendare do të qëndrojë për të gjitha brezat që do të vijnë”, shtoi ai.

Përveç bashkë-interpretimit si Kapiten Von Trapp në projektin e vitit 1965 përballë Julie Andrews, Plummer fitoi një “Academy Award” për aktoritn mbështetës për rolin e tij në filmin “Beginners” të vitit 2010 dhe u nominua përsëri së fundmi në vitin 2018 për “All the Money in the World”, në të cilin ai zëvendësoi Kevin Spacey si miliarder J. Paul Getty, pasi aktori i ri u përfshi në skandal.

Ai ka lënë pas vetes role të shumta, duke përfshirë në “The Insider”, “Star Trek VI: The Undiscovered Country” dhe në filmin e animuar “Up”.

Plummer gjithashtu aktroi Rudyard Kipling në klasiken e Michael Caine-Sean Connery “The Man Who Would Be King” dhe Sherlock Holmes, në gjurmët e Jack the Ripper në filmin e 1979 “Murder by Decree”.

I lindur në Toronto, Plummer gjithashtu kishte një karrierë të përfunduar skenike, duke fituar Tony Awards për punën e tij në “Cyrano” dhe “Barrymore” gati një çerek shekulli larg. / KultPlus.com

Bajgora, e braktisur nga banorët e dikurshëm

Vetëm 30 vjet më parë, kushtet e jetesës, teknologjia e çdo gjë tjetër ishin shumë më ndryshe sesa në kohët e sotme.

Krahasuar me atëherë, fshatrat tash janë të zbrazëta, pasi edhe infrastruktura jo e mirë ka ndikuar që banorët t’i braktisin ato.

Tafil Beqiri është 78 vjeç dhe jeton me bashkëshorten e tij, në fshatin Bajgorë të Mitrovicës.

Ai me nostalgji kujton kohën sa ishte i ri dhe jetesën që kishin banorët në këtë fshat.

Edhe përkundër kushteve të vështira, në të cilat jetonin rreth 30 anëtarë të familjes në një shtëpi, ai thotë se ishte dashuria ajo që i mbante në harmoni.

Në atë kohë, rrëfen ai, rrugët ishin plot me fëmijë dhe kishte shumë gjallëri.

Edhe pse me vështirësi të shumta, çifti Tafil dhe Shaha Beqiri kanë rritur 12 fëmijë.

Edhe për zonjën e shtëpisë obligimet ishin të mëdha: si punët rreth shtëpisë, bagëtitë e kujdesi për fëmijët.

Zonja Shahë tregon se shpesh ka ndodhur ta zinte mëngjesi zgjuar duke punuar punë dore për t’ua plotësuar nevojat fëmijëve të saj.

Shtëpitë e ndërtuara nga gurët e fijet e kashtës tash e sa kohë janë të braktisura./ atv / KultPlus.com

Kompania filmike e çiftit Obama me prodhime të reja

Kompania filmike e Barak dhe Michelle Obamës njoftoi të premten gjashtë projekte të reja për kompaninë Netflix, duke përfshirë një histori dashurie dhe një triller për të rinjtë.

Kompania Higher Ground Productions e ish-Presidentit dhe ish-Zonjës së Parë do të përshtasë romanin e autorit britaniko-pakistanez Mohsin Hamid “Dalja në Perëndim” për ta bërë film, sipas një deklarate të Netflix-it. Libri tregon historinë e një çifti të ri që gjen dyert magjike drejt vendeve të tjera dhe që më pas e gjen veten në mes të një krize globale refugjatësh.

Projekte të tjera përfshijnë një film fantastiko-shkencor të quajtur “Sateliti”, i cili do të prodhohet me kompaninë e produksionit T Street, e drejtuar nga regjisori i serialit “Star Wars” Rian Johnson dhe producenti Ram Bergman.

Një tjetër është “Tenzing”, historia e një nepalezo-indiani, i cili arriti i pari në majën e malit Everest me zelandezin Sir Edmund Hillary.

“Gruaja e Re” është një film me metrazh të gjatë që përshkruan një grua në ditën e saj të martesës, e cila ndihet e hutuar kur afrohet një stuhi. Kompania gjithashtu po krijon dy seriale televizive.

“Vajza e Zjarrfikësit” është një triller i bazuar në një roman të shkrimtares Angeline Boulley dhe flet për një 18 vjeçare, anëtare të fisit Ojibwe, e cila merr pjesë në një hetim policor.

Seriali tjetër është një dokumentar për parqet kombëtare.

Netflix tha se projektet do të dalin gjatë viteve të ardhshme por pa dhënë data të sakta.

Barack dhe Michelle Obama nënshkruan një marrëveshje shumëvjeçare produksioni me firmën Netflix në vitin 2018.

Projektet e tyre të mëparshme me Netflixin përfshijnë “Fabrika Amerikane”, e cila fitoi një çmim Oskar në vitin 2020 për dokumentarin më të mirë./voa/ KultPlus.com

Miratohet projekti për restaurimin e kalasë së Rodonit dhe kishës së Shën Ndojit

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese – restauruese në “Kalanë e Rodonit dhe në Kishën e Shën Ndojit, në Kepin e Rodonit”, monumente kulture të kategorisë I.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ka hartuar një listë monumentesh me prioritet ndërhyrjeje dhe ka marrë masat për hartimin e projekteve. IKTK mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kisha e Shën Ndout është një ndër kishat më të dëgjuara të zonës të periudhës së Mesjetës shqiptare. Kjo edhe për shkak të ndërtimeve që bëri Skënderbeu në atë zonë të Kepit në shekullin XV, indirekt ajo quhet edhe kisha e Skënderbeut. Monumenti sot paraqet vlera si një ndërtesë që i takon arkitekturës romano-gotike e shek. XIII.

Kalaja e Skënderbeut ndodhet në pjesën verilindore të Kepit të Rodonit, ose siç e quajnë vendasit, Kepi i Muzhit, dhe vështron veç thellësisë së detit Adriatik, edhe gjirin e Patokut dhe të Shëngjinit.

Kjo kala filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë bërë rreth vitit 1452. Muri i kalasë së Rodonit është ndërtuar nga mjeshtra venecianë. Ai arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e kështjellës kishte kulla të rrumbullakëta. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. /ata/ KultPlus.com

Presidenti Meta dekoron gazetarin Engjëll Ndocaj

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, gazetarin Engjëll Ndocaj.

Duke shprehur vlerësimin e tij, Meta shprehet se Engjëll Ndocaj është një nga gazetarët më të shquar të Televizionit publik shqiptar.

“Falë kontributit të pareshtur të dhënë në katër dekada, për informimin dhe modernizimin cilësor të gazetarisë televizive, ai vlerësohet nga të gjithë, veçanërisht për krijimin e qindra dokumentarëve, të dalluara për tematikën e gjerë dhe nivelin e lartë artistik. I pranishëm në Lëvizjen Studentore, me kronika dhe reportazhe, pjesëmarrës në Takimin Historik të Studentëve në Pallatin e Brigadave, e më pas, dëshmitar dhe pasqyrues i proceseve demokratike, Engjëll Ndocaj u bë më i afërt dhe i dashur për publikun”, shprehet ai.

Po ashtu, Meta thekson se në vlerësim të punës dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm, si gazetar e skenarist i mirënjohur televiziv, pata sot kënaqësinë t’i akordoja Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

“Vlerësimi për të është njëkohësisht shprehje e vlerësimit për TVSH-në, medien e parë elektronike në vendin tonë, një institucion që për 60 vjet, ka formuar një armatë gazetarësh, krijuesish, realizuesish, por dhe specialistësh të teknikës moderne televizive, për të cilët krenohemi dhe gëzojmë respektin më të madh”, shprehet ai. /ata/ KultPlus.com

Manastiri i Deçanit rrezikon të shpallet në mesin e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë

Manastiri i Deçanit rrezikon të shpallet në listën e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë për vitin 2021.

Lista e plotë do të zbulohet në Mars.

Në dhjetor të vitit 2020, organizata Europa Nostra ka nominuar Manastirin e Deçanit në mesin e 12 vendeve të trashëgimisë më të kërcënuara në Evropë.

Nga kjo listë do të shpallen 7 objektet kulturore më të rrezikuara të vitit 2021.

Në raportin e Europa Nostra, theksohen dy arsye pse Manastiri i Deçanit është ndër objektet e rrezikuara: sulmi ndaj Manastirit të Deçanit në vitin 2016 nga siç thuhet “ISIS” dhe arsyeja e dytë-projekti i ndërtimi të rrugës nga Deçani për në Plavë.

Lidhur me këtë Nora Visoka Weller, avokatja dhe studiuesja e trashegimisë kulturore në Universitetin e Cambridge-it i është drejtuar organizatës Europa Nostra.

Visoka-Weller në shkrimin drejtuar organizatës Europa Nostra ka kërkuar që nominimi i Manastirit të Deçanit të rishikohet.

“Manastiri i Deçanit nuk është një ndër 7 objektet më të rrezikuara në botë. Manastiri i Deçanit mbrohet me ligjin mbi Zonat e Posaqshme të Mbrojtura dhe është nën mbrotjen e përditshme të forcave të KFOR-it. Për më shumë, aludimi se në 2016 ka pasur atak nga grupet terroriste të ISIS nuk qëndron dhe nuk është konfirmuar nga forcat e KFOR-it, sigurimi shtetëror dhe bashkësia ndërkombëtare, ndërsa çështja e zgjerimit të rrugës Deçan-Plavë është zgjedhur me ndërmjetesimin e Ambasadorit Italian në Kosovë. Prandaj, ky nominim duhet të rishikohet”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka theksuar se ky lloj keqinformimi në nivel ndërkombëtarë dhe politizimi i trashëgimisë kulturore në këtë mënyrë i pengon të gjitha tentimet lokale dhe ndërkombëtare për ndërtimin e harmonisë ndër etnike në Kosovë.

Manastiri i Deçanit është ndër monumentet e trashëgimisë më të dalluara të kohës së tij, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të 14-të./21Media/ KultPlus.com

Shkumbin Miftari emërohet delegat në Konfederatën Botërore të Fizarmonikës

Artisti i fizarmonikës, Shkumbin Miftari ka arritur të emërohet delegat i Kosovës në Konfederatën Botërore të Fizarmonikës, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Miftari nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Pas suksesit të treguar në garën botërore të Fizarmonikës, tani kemi një marrëveshje të re, zyrtarisht Delegat i Kosovës në Konfederatën Botërore të Fizarmonikës, ′′ Confédération Mondiale de l ‘ Accordéon “.Vazhdojmë me përkushtim, punë, profesionalizëm dhe prezantime sa më të mira në gjithë botën, së bashku me Fizarmonikën”, ka shkruar Miftari.

Për të parën herë, Shkumbin Miftari e kishte ngritur Kosovën në Festivalin më të madh botëror në instrumentin e Fizarmonikës, Trophée Mondial De L’accordéon.

Madje, Miftari nuk mbeti vetëm me pjesëmarrje. Në mesin e 750 konkurrentëve nga të gjitha vendet e botës, ai nëpërmjet performancës së tij arriti të listohet në top 5shen për Kupën Botërore të Fizarmonikës. / KultPlus.com

Dua Lipa dhe Miley Cyrus publikojnë versionin e ri të këngës së tyre (VIDEO)

Është publikuar versioni remix i këngës “Prisoner” të Dua Lipës dhe Miley Cyrus, shkruan KultPlus.

Kjo këngë e cila vinte si formë bashkëpunimi për të parën herë mes dy këngëtareve të famshme, arriti suksese për dëgjueshmërinë e saj.

Si pjesë e albumit të Cyrus, “Prisoner” tanimë ka ardhur edhe në formatin audio të remixit nga Jax Jones.

Ndryshe, versioni i parë i kësaj kënge arriti që të marrë 52 milionë klikime në kanalin YouTube. / KultPlus.com

Rita Ora publikon një sekuencë nga kënga e re

Këngëtarja e famshme shqiptare, Rita Ora ka ndarë me artdashësit e saj sekuencë të këngës së saj në ardhje, shkruan KultPlus.

“Bang” quhet kënga e cila do të vie në bashkëpunim me David Guettan, Imanbek, Gunna dhe Khea.

Përderisa Ora ka ndarë një pjesë nga videoklipi i këngës, ajo do të shënojë rikthimin e saj artistik me publikimin e gjithsej 4 këngëve. / KultPlus.com

‘Në kërkim të Venerës’ nga Norika Sefa shfaq premierën në festivalin e madh të Roterdamit

Filmi debutues i Norika Sefës “Në kërkim të Venerës” shfaqi premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Roterdamit.

Filmi i parë Kosovar të jetë pjesë e Festivalit të Roterdamit është vlerësuar lartë nga kritikët.

“Në debutimin e saj të ndjeshëm dhe delikat, Norika Sefa portretizon me hollësi karakterin e Venerës një vajzë moderne që rritet në një mjedis tradicional, hierarkik. Por si mund t’i bëjë Venera zgjedhjet e saj në një situate të tillë? Muzika e veçantë dhe kamera vëzhguese (observational camera work) i shtojnë një ndjesi dokumentari kësaj historie intime” e pëshkruan filmin në mes tjerash editoriali i festivalit të Roterdamit.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenow, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction me bashkëproducent Igor Popovski dhe Gazmend Nela. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Revista amerikane për filmin ‘Zgjoi’: Një histori reale e këmbënguljes kundër paragjykimeve

Prestigjiozja amerikane, Variety i ka kushtuar një artikull filmit i cili hyri në histori nëpërmjet 3 çmimeve në Sundance Film Festival, “Zgjoi”, shkruan KultPlus.

Variety për filmin shqiptar thotë se pavarësisht pse lufta në Kosovë mbaroi më 1999, humbjet e saj për shumë familje krijuan konflikt që zgjati thellë në shekullin e ri, duke përsëritur të njëjtën dhimbje edhe sot.

“Ky vërtetim i zymtë siguron sfondin e filmit debutues të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, i cili nxjerr një histori të jetës reale të këmbënguljes kundër paragjykimeve të pakapërcyeshme për shtresat e vogla të rehatisë dhe shpresës që mund të jape”, shkruan Variety.

“Fahrije, një rol i luajtur me përmbajtje të guximshme nga Yllka Gashi, është një nga ndoshta një duzinë grash në fshatin e saj të vogël kosovar, burrat e të cilave u zhdukën gjatë luftës. Tani vite më vonë, trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë; përpjekjet e autoriteteve për të gjetur të zhdukurit kanë qenë zhgënjyese të ngadalta. Brenda hierarkisë shumë patriarkale të shoqërisë rurale të vendit, kjo i vendos këto mbase të veja në një situatë të pamundur, veçanërisht kur, gra si Fahrije, kanë një familje për t’u kujdesur. Ato ndodhen ende në pritje të vazhdueshme të kthimit të burrave të tyre familjarë, duke u mbështetur në shpërndarjen e mirë të ndihmës sociale, sepse për të marrë një punë ose për të ngritur një biznes shikohet jo vetëm si një përmbysje e rendit natyror, por si një shenjë e mosrespektimi i burrit dhe mundësisht morali i lirshëm”, vazhdon tutje revista amerikane.

Në artikull përmendet se në shtëpi Fahrija kujdeset për vjehrrin e saj me emrin Haxhi (një rol i luajtur shkëlqyeshëm nga Çun Lajçi), një vajzë adoleshente dhe një djalë më të vogël, ku me secilin prej të cilëve ajo bie në konflikt për pavarësinë e saj të perceptuar dhe turpin që shkelja e tillë i sjell familjes.

“Ajo kryen, për shembull, mëkatin e marrjes së patentës së shoferit dhe kur dikush hedh një gur nëpër dritaren e makinës së saj dhe e quan atë një prostitutë, disa të moshuar jashtë një kafeneje nuk bëjnë asgjë për ta ndihmuar. Duket se ata e miratojnë aktin”, përfundon Variety.

Nën regjinë e Blerta Bashollit, filmi i metrazhit të gjatë i cili shpalos jetën e vështirë të grave pas luftës, arriti të vlerësohet me çmimet Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA./ KultPlus.com

Muzetë franceze kërkojnë me ngulm rihapjen

Kritikat e muzeve në Francë po rriten kundër një mbylljeje që ata vlerësojnë se nuk e meritojnë. Peticione dhe propozime konkrete janë depozituar në zyrën e Ministrisë së Kulturës për rihapjen e tyre sa më shpejt, të paktën pjesërisht.

“Për një orë, një ditë, një javë apo një muaj, na lini të rihapim portat, edhe pse duhet t’i mbyllim në rast të një kufizimi tjetër!”

E tillë është kërkesa e formuluar këtë javë nga 100 drejtorë dhe presidentët e qendrave të artit, të udhëhequr nga Emma Lavigne, nga ”Palais de Tokyo”, në Paris.

Me presidenten e Fondit të Ndihmës së Industrive Kulturore ArtNova, Frédéric Jousset dhe gazetaren Florence Belkacem, ajo i dërgoi sot dhjetë propozime ministres franceze të Kulturës, Roselyne Bachelot, të cilat japin rrugë lehtësisht të arritshme.

Si të gjitha vendet kulturore në Francë, muzeumet janë mbyllur që nga fundi i tetorit. Dhe shpresat për një rihapje në mes të dhjetorit, më pas në fund të janarit nuk janë konfirmuar. Ekspozitat e kushtueshme mbeten pa vizitorë dhe ndonjëherë duhet të ripaketohen pa u parë.

Kërkesat e muzeve duan të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e përhapjes së Covid: kërkuesit thonë se ata janë të gatshëm të respektojnë një protokoll të përforcuar shëndetësor. Ata janë të gatshëm të hapin vetëm një pjesë të dhomave të tyre, në orare të caktuara.

Francezët dhe veçanërisht të rinjtë, argumentojnë nënshkruesit e peticionit, kanë një nevojë urgjente, për shëndetin e tyre mendor, për të rizbuluar veprat e bukura për t’i rezistuar depresionit, dhe kështu ta bëjnë këtë periudhë të vështirë një dimër kulturor dhe mësimor.

Ato bazohen në përvojat e rihapjes, veçanërisht në Itali dhe Spanjë./ata/ KultPlus.com

Voton babai i Rita Orës, Besnik Sahatçiu

Babai i Rita Orës, Besnik Sahatçiu, e ka shfrytëzuar të drejtën e votës në Kosovë përmes postës.

Sahatçiu këtë e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale, pavarësisht se me vite të tëra jeton në Londër.

‘’Me fat Kosovë’’, ka shkruar mbi foton e postuar në InstaStory, babai i këngëtares me famë botërore. Ndryshe, afati për votim me postë në Kosovë ka filluar më 2 shkurt dhe përfundon më 12 shkurt. / KultPlus.com

Image

Indonezia ndalon detyrimin e veshjeve fetare nëpër shkolla

Vendi që ka popullsinë më të madhe me myslimanë, Indonezia, ka ndaluar që shkollat publike të bëjnë të detyrueshme veshjen fetare, pasi u bë virale historia e një studenteje të krishterë të cilës iu bë presion për të mbajtur shami në klasë.

Vajza po ndiqte shkollën që kishte një rregull që të gjithë studentët duhet të mbanin shaminë islame.

Qeveria u ka dhënë shkollave 30 ditë afat kohor që të revokojnë rregullat ekzistuese lidhur me këtë çështje, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Indonezia, edhe pse një vend me shumicë myslimane, njeh zyrtarisht fetë e tjera, por ka shqetësime të mëdha rreth rritjes së intolerancës fetare.

Vendimi u nënshkrua në dekret të mërkurën dhe shkollat që nuk i përmbahen mund të përballen me sanksione. / KultPlus.com

Këta janë super-filmat që mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx

Këtë fundjavë, në Cineplexx mund t’i shikoni disa nga premierat më të fundit botërore.

Vikendi është kohë që më së miri kalohet duke shikuar filma, dhe ku t’i shikosh filmat më të rinjë dhe më mirë se në Cineplexx. Këtë vikend, në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren mund t’i shikoni 12 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 12:00 deri në ora 19:00 në kinemanë në Prishtinë, ndërsa në Prizren, kinemaja nis punën në 12:00 dhe qëndron hapur deri në ora 21:45. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx janë:

1) The Little Things
Filmi flet për dy police që gjurmojnë një vrasës serial. Në film luajnë tre aktorë shumë të njohur, dhe fitues të çmimit Oskar, Denzel Washington, Jared Leto, si dhe Rami Malek.

2) The Marksman
Ylli i njohur Hollywood-ian Liam Nesson rikthehet në ekranet e mëdha me filmin The Marksman, që këtë të enjte arrin në Cineplexx si premierë e javës. Filmi nën regjinë e Robert Lorenz, dhe me aktorë të njohur si Liam Nesson dhe Kathryn Winnick, Theresa Luiz, flet për një një fermer në kufirin e Arizonës i cili bëhet mbrojtësi i një djali të ri meksikan i cili arratiset me dëshpërim nga vrasësit e kartelit që e kanë ndjekur atë në SH.B.A.

3) Come Away
Prindërit luftojnë për ta shpëtuar djalin e tyre kur një krijesë misterioze përdor pajisjet e tij elektronike për të hyrë në botën tonë.

Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen filmi Wonder Woman 1984, romanca After We Collided, komeditë The Stand In, 10 Days Without Mom, ndërsa nga filmat familjarë po shfaqen ende Come Away, The Elfkins, Trolls World Tour si dhe Yakari, A Spectacular Journey.

Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren nis punën nga ora 12:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu (e lidhni me këtë link: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/)

Një rrëfim i sinqertë i pedagogut Eljon Doçe për vetë letërsinë!

Nga Elion Kollçaku

Eljon Doçe është një nga ata pedagogët më të përgatitur në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë, si dhe nga studiuesit më të mirë. Raporti im me të ishte pedagog- student dhe mirësjellja e tij e vlerësimi që kishte për studentët që punonin, më kishte bërë përshtypje të veçantë. Maturia në përzgjedhjen e fjalëve gjatë komunikimit, si dhe ligjërimi i tij që të shtynte ta dëgjoje me vëmendje si pedagog, më ka shtyrë ta ftoja në këtë intervistë. Më kishte bërë përshtypje vlerësimi i tij për analizën e figurave letrare që kisha bërë në një detyrë kursi, të një fjalimi të Meryl Streep, si dhe fjalët e mira për punën time. Ai kishte sensin se si një pedagog trajton një student që punon. Ndaj kjo intervistë me të ishte aq e natyrshme, si me një pedagog që kupton në esencë letërsinë dhe komunikimin. Përgjigjet e tij janë plot delikatesë, kanë një narrativë të bukur dhe një prekje letrare në çdo fjali. Ndaj e di se do e shijoni të gjithë.

Përshëndetje, prof. Eljon! Kënaqësi t’ju kem pjesë të rubrikës time. Këto ditë “virtuale” në çdo aktivitet, çfarë po lexoni momentalisht?

Eljon Doçe: Përshëndetje, Elion! Është kënaqësi për mua të jem pjesë e rubrikës suaj. Për momentin jam duke lexuar Primo Levin, më konkretisht romanin e tij “Armëpushimi”, si pjesë e leximeve të mia tematike të “letërsisë së kujtesës” (mua më pëlqen më shumë ta quaj “letërsi e mbijetesës”) për të cilën jam veçanërisht i interesuar, në vijim të plotësimit të leximeve të mia në këtë prerje. Holokausti, komunizimi, në totalitet rrëfimi mbi përvojat traumatike dhe procesi i të kujtuarit të këtyre përvojave përmes rrëfimit letrar, është një prerje leximi që edhe shpirtërisht më “thërret” fort.

Duke qenë profesor në Degën e Letërsisë, studentët fillestarë që vijnë në degë, me çfarë leximesh vijnë, nga kualiteti i lexueshmërisë? Dhe sa janë të interesuar të konsultohen me pedagogët për leximet e vazhdueshme, tashmë si studentë?

Eljon Doçe: Për të krijuar një ide paraprake lidhur me brezat e rinj të studentëve, çdo vit, me studentët e vitit të parë bachelor, bëj një test të shkurtër duke u drejtuar pyetjen se e sajta zgjedhje ka qenë dega e Gjuhës dhe Letërsisë në listën e 10 alternativave që kanë pasur për të zgjedhur si maturantë. Gjatë viteve të fundit, në një masë të respektueshme, kjo degë ka rezultuar të jetë një nga pesë zgjedhjet e para si dhe në çdo vit ka një bërthamë të fortë studentësh që këtë degë e kanë një ndër tri zgjedhjet e tyre të para. Kjo statistikë e thjeshtë është domethënëse sa i takon interesit të studentëve që vijnë për të studiuar letërsi dhe kjo zgjedhje e vetdijshme e me dëshirë rrit vetvetiu mundësitë që studentët të vijnë me lexime relativisht të mira në numër dhe në cilësi. Sa i takon leximeve me të cilat studentët vijnë fillimisht, ato janë të orientuara kryesisht kah leximet e bëra si pjesë e programeve shkollore, por që me kënaqësi, në çdo vit, konstatoj që ka nga ata studentë që, përtej detyrimeve kurrikulare, e kanë stërvitur veten edhe me lexime të pavaruara. Ndërsa lidhur me konsultimet e studentëve me pedagogët për leximet, ky është një proces i vazhdueshëm dialogu intensiv mes të dyja palëve dhe interesi nga ana e studentëve është vazhdimisht i pranishëm.

Në një mësim virtual, me aplikacione e platforma online, sa është i vështirë komunikimi letrar pedagog-student?

Eljon Doçe: E gjithë situata që pandemia ka krijuar gjatë kësaj periudhe, në morinë e vështirësive, të cilat tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, solli edhe një sfidë, jo të lehtë, në fushën e mësimdhënies. I gjithë ky proces përshtatjeje ka ndjekur një dinamikë e cila fillimisht paraqiti jo pak probleme, sa i takonte familjarizimit me një mënyrë mësimdhënieje e mësimmarrjeje e cila jo vetëm që ishte krejt e re, por që edhe u vu në zbatim me urgjencë, për të mos ndërprerë procesin mësimor. Megjithëse përshtatja me këtë teknologji mësimdhënieje, nga pikëpamja e zotërimit teknologjik të platformave të përdorura për realizimin e procesit mësimor, u arrit relativisht shpejt, si nga stafet akademike ashtu edhe nga studentët, vështirësitë kanë qenë të shumta. Sidomos për degë studimore ku studentëve, në përmbushje të detyrimeve akademike, u duhet të lexojnë vepra letrare (tekstet e të cilave duhet t’i sigurojnë) për të cilat vetvetiu është i nevojshëm edhe komunikimi në auditor, kjo ka qenë një sfidë jo e lehtë. Megjithatë, nga ana tjetër, përtej çdo vështirësie që është hasur, mund të them, me shumë kënaqësi madje, që sprova e mësimit online, edhe pse paraqet një kthesë të fortë në raport me mësimdhënien tradicionale, na ka vendosur të dyja palët, si pedagogët dhe studentët, në kushtet kur termin “bashkëpunim” është dashur ta shohim në trajtën e tij më të plotë.

Një rrëfim i sinqertë i pedagogut Eljon Doçe për

Ju vetë, sa i afërt ndiheni më botën virtuale kur vjen puna te letërsia? Preferoni të lexoni libra online apo mbeteni besnik i botimeve të shtypura?

Eljon Doçe: Këtu po ju kërkoj leje të zgjatem pak. Nuk ndihem shumë i afërt me botën virtuale kur vjen puna te leximi i veprave, por kjo nuk do të thotë që jam kundër leximit të letërsisë në këtë format. Edhe pse mendoj që leximi i një vepre në variantin klasik, pra në atë të shtypur, është më autentik dhe se asgjë nuk mund ta zëvendësojë kontaktin fizik me poret e fletëve të librit apo me erën e bojës, gjithsesi në kushtet kur njerëzit, gjithnjë e më tepër, po e braktisin leximin, duhet të pranojmë që, të paktën të ruhet marrëdhënia me leximin dhe me botën e letërsisë, pavarësisht formatit të zgjedhur për të lexuar. Ajo që vërtet më shqetëson është “diktati” që teknologjia po vendos, çdo ditë e më tepër, në jetën tonë dhe që po e deformon (druaj, në mënyrë të pakthyeshme) perceptimin tonë për Botën dhe realitetin, me ritme dhe në një masë të tillë saqë shumë shpejt po e gjejmë veten në kushtet kur ndoshta nuk do të mund të dalim dot më prej këtij “matriksi”. Jam i vetdijshëm për faktin që ky proces është efekti anësor i zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe, ashtu si çdo proces zhvillimi, është i pandalshëm. Nga ana tjetër, jam po aq i vetdijshëm për faktin që përgjatë epokave të zhvillimit tonë historik, nga koha kur jetonim në shpella dhe kur mësuam si ndizet zjarri dhe deri tani kur ëndrra për kolonizimin e Marsit ka filluar të marrë trajta reale, në mes të këtyre dy skajeve, ka pasur mjaft çaste historike kur e reja ka krijuar gjithnjë një ankth gati kataklizmik dhe është dukur sikur prej atij momenti Bota nuk do të ishte më e njëjta. Dhe vërtet që nuk ka qenë më e njëjta. Shqetësimi im aktual në marrëdhënie me leximin e letërsisë përmes aplikacioneve apo pajisjeve teknologjike që e mundësojnë këtë gjë, qëndron pikërisht tek ajo që është pika edhe më e fortë e kësaj teknologjie: aksesi. Kjo, për mua, po shndërrohet edhe në rrezikun më të madh. Duke pasur akses të menjëhershëm për një autor apo vepër në aplikacionin apo pajisjen që e mundëson këtë shërbim (vepër për të cilën brezave të mëparshëm u është dashur të investojnë kohë dhe energji të pafundme për ta kërkuar në biblioteka apo miq, për ta porositur përmes plotësimit fizik të një fletë-kërkese në bibliotekë, për ta pritur, për t’u interesuar deri sa të dilte etj., i gjithë ky proces kërkimi, ky ankth i këndshëm, në vetvete ishte po aq i rëndësishëm edhe vetë akti i leximit) tashmë po kam përshtypjen se magjia e kërkimit po ventitet. A ka humbje kohe dhe energjie në mënyrën tradicionale të leximit? Po. A është më i kushtueshëm dhe “jokomod”? Po. A është më i bukur? Unë besoj që po. Duke mos pasur më nevojë që shkojmë ne te libri, por tashmë është libri që vjen te ne, kam ndjesinë që jemi duke e humbur aftësinë për të “gjurmuar” sepse komoditeti teknologjik na ka krijuar iluzionin që nuk kemi më nevojë për procesin, por për “produktin” dhe se është ky arsyeja ekzistencës sonë, të konsumojmë produktin, ta marrim të mirëqenë, ta zotërojmë atë: një tjetër kurth ky që miklon arrogancën tonë primordiale për të zotëruar Botën. Sot jemi në “diktatin e klikut”, në aksesin e lehtë dhe të pakufijshëm në botën virtuale, po jemi gjithnjë e më shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe gjithnjë e më të vetmuar, notojmë në ato që i quajmë “rrjete sociale”, por që po krijojmë vetëm një botë asociale. Ky është paradoksi që më pëlqen ta quaj “paradoksi i ekstremeve”: kur diçka shkon në ekstrem, ajo diçka bëhet e kundërta e vetvetes. Sa më i madh dhe më i lehtë aksesi ndaj diçkaje, aq më shumë ulet interesi dhe aftësia jonë për të ndier “uri” për të. Për t’ju rikthyer pyetjes suaj, personalisht e kam pyetur veten vazhdimisht se përse lexojmë letërsi, dhe më rezulton që cilido nga njerëzit që njoh dhe që e ka marrëdhënien me letërsinë (guxoj ta quaj marrëdhënie “prej vërteti”) nuk lexon për të mësuar një fabul ngjarjeje apo një personazh më shumë, as për të mësuar një figurë letrare më tepër, as për të mbajtur mend dymijë vargje përmendësh dhe, sigurisht, as për të rritur numrin e titujve dhe të autorëve të lexuar me qëllim për ta dëshmuar këtë fakt me rastin më të parë në publik. Ashtu si për çdo besimtar të devotshmëm, për këtë lexues, akti i leximit është një proces intim dhe tejet shpirtëror, që ka ritualet e veta, disa të përgjithshme dhe disa personale, dhe që ka të shenjtën e vet. Është një besim dhe si në çdo besim ka vetë një rregull: me dashtë! Pikërisht për këtë arsye kam dëshirë të ruaj sa më gjatë të jetë e mundur atë marrëdhënie me letërsinë e cila mund të jetë pak e dalë jashtë mode, por që më siguron që unë nuk po e “zotëroj” veprën apo librin: një gjë që e zotëron, nuk mund ta duash!

Retorika dhe semiotika, si perceptohen nga studentët shqiptarë? Po ju vetë, brenda kornizave të retorikës dhe semiotikës, cilës linjë i qëndroni besnik?

Eljon Doçe: Janë të dyja disiplina interesante dhe po aq të vështira. Përgjithësisht retorika perceptohet si më “e aplikueshme” në fusha si p.sh. e folura në publik, ndërsa semiotika, për shkak edhe të nivelit të lartë të abstragimit, shihet si më teorike. Unë nuk do të përjashtoja asnjë për hir të tjetrës, madje në një nivel të thellë krahasimi nuk shoh që të ketë dallime mes tyre: ndërkohë që retorika, e thënë në mënyrë të thjeshtëzuar, të mëson rregullat e ndërtimit të një ligjërimi bindës (ose të jep instrumentat teorike për të bërë analizën e një ligjërimi të caktuar dhe për të kuptuar se si dhe pse një ligjërim është i suksesshëm), nga ana tjetër semiotika sheh gjithçka që na rrethon si ligjërim apo si diskurs. Një ndeshje futbolli, një fushatë politike, një poster/reklamë, gatimi i pjatës sate të parapëlqyer etj., të gjitha këto udhëhiqen nga një strukturë universale narrative (diskursive), pra ka një retorikë universale e cila nuk është më thjesht ligjërimi klasik që ne njohim. Kjo “retorikë e madhe” organizon Botën tonë dhe përmes semiotikës ajo zbulohet duke u bërë e qartë në atë masë saqë kjo Botë shenjash bëhet lehtësisht “e lexueshme”.

Nëse do t’iu kërkoja të më thoni tre libra të jetës tuaj, që iu kanë zhvilluar intelektualisht dhe kënaqur estetikisht, cilët do të ishin?

Eljon Doçe: Besoj që vjen vërtet një çast kur, fare pa e kërkuar, epifanizohen apo trajtësohen ato vepra që kanë ndikuar më shumë se të tjerat në formimin dhe në jetën e një lexuesi. Shpesh edhe ndodh që kjo hierarki e brendshme të ndryshojë. Ato që unë i konsideroj si tri veprat që më kanë ndihmuar në zhvillimin intelektual dhe më kanë kënaqur estetikisht janë: Bibla, “Zorba” e N. Kazanzaqis-it dhe “Princi i vogël” i Antoine de Saint -Exupéry. Bibla, si “libri i librave”, për mua është burim i përhershëm dijeje dhe kënaqësie leximi, jo thjesht për cilësinë e saj si tekst i shenjtë, por gjithashtu për tërësinë kulturore dhe për faktin që mund të gjej lloje të ndryshme diskuri, nga rrëfimi parabolik (metaforik), tek ligjërimi poetik. “Zorba”, dhe në tërësi Kazanzaqi-si si autor, për faktin që më ka rrëzuar gjithë “kështjellat e mia të sigurta” intelektuale, morale dhe shpirtërore dhe që në fund më ka lënë të “zhveshur” duke më detyruar të ribëj nga e para Botën time. “Princi i vogël”, i Saint Antoine de Exupéry, pa dyshim hyn në ato vepra që ka paradoksin e të qenit e konsideruar (gabimisht) vetëm si letërsi për fëmijë, ndërkohë që ajo i drejtohet fëmijës së dikurshëm, tashmë të humbur, tek i rrituri. Më ka ndihmuar leximi i saj për të mbajtur gjallë komunikimin me fëmijën brenda meje dhe besoj që rikthimi në botën e fëmijës na lejon ta përballojmë më lehtë të jetuarit në botën e të rriturve.

Në një nga paraqitjet tuaja publike, keni thënë se në momentin që teksti mbyllet, atëherë fillon leximi i vërtetë. Pse pikërisht në atë moment?

Eljon Doçe: Ne lexojmë një vepër dhe gjatë këtij procesi përfshihemi në historinë e rrëfyer, në bukurinë e vargut apo të një figure retorike, mahnitemi nga fuqia e imazhit etj. Në varësi edhe të formimit tonë teorik dhe të leximeve tona të mëparshme, automatikisht asociojmë gjatë gjithë kohës tekstin aktual me tekste e tjera, me të gjitha shenjat që ndërlidhen në distancë me gjithçka që e njohim si Botë. Madje kur lexojmë një tekst ne jemi, në fakt, duke lexuar “të shkuarën e tekstit”, praninë (ose mungesën) e teksteve paraardhëse që i kanë paraprirë tekstit që kemi në duar. Gjatë leximit, identifikojmë të renë dhe kujtojmë të njohurën. Mirëpo i gjithë ky proces asociues dhe njohës nuk zgjat vetëm gjatë kohës që ne lexojmë fizikisht. Pasi mbyllin librin, edhe pse në mënyrë të heshtur e të ngadaltë, në sfondin e nënvetdijes sonë kjo përplasje e vazhdueshme dhe fatlume rrëfimesh, personazhesh, figurash dhe shenjash vijon të krijojë lidhje të reja. Botët e leximit nuk jetojnë kurrë të ndara, ato janë në komunikim të vazhdueshëm brenda nesh edhe pas mbylljes fizike të librit.

Një rrëfim i sinqertë i pedagogut Eljon Doçe për

Po për librat komercialë, që tendencë kanë më shumë përfitimet, duke anashkaluar dhe vlerat, si i shihni ju nën optikën tuaj. Po studentët që mund të orientohen në atë drejtim, çfarë këshillash u jepni?

Eljon Doçe: Në këtë epokë, ku filozofia e konsumit është mbizotëruese në çdo fushë, edhe letërsia, për fat të keq, është përfshirë në vorbullën e logjikës ekonomike me parimin komercial të asaj që kërkon tregu. Krejt në rregull do të ishte sikur të flitej për këpucë: tregu kërkon këpucë lëkure me ngjyrë të zezë dhe këpucë lëkure me ngjyrë të zezë prodhohen e shiten. Por letërsia është një “mall” i një lloji tjetër dhe kjo frymë për ta trajtuar si mall tregu ka krijuar mundësinë që gjithkush që ka mundësinë ekonomike mund të botojë, gjithkush që ka akses në media mund të vetëpromovohet dhe, në fund, lexuesit i ofrohen, jo rrallë, vepra mediokre të cilat, përmes recensioneve bombastike (shpesh të bëra nga vetë botuesit e tyre) të shiten për vepra me vlera. Megjithatë besoj vërtet që letërsia e mirë e ka gjetur përherë rrugën e saj për te lexuesi i cili marrëdhënien me leximin e ka të vijueshme dhe jo sporadike. Me studentët e diskutojmë shpesh këtë çështje sepse është diçka që na prek ndaj dhe përpjekja ime është që ata të forcojnë sa më tepër përgatitjen e tyre teorike, në mënyrë që në përballje me dukuri të tilla ta kenë sa më të lehtë të dallojnë p.sh. një best-seller nga një vepër cilësore, por edhe rastet kur best-selleri dhe vepra cilësore nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

Po procesin e përkthimit letrar, sa të rëndësishëm e shihni ju si studiues dhe pedagog? Po përkthyesit tuaj të preferuar kush janë?

Eljon Doçe: Përkthimi është një akt universal dhe primordial pa të cilin nuk do ta kishim të mundur të komunikonim në botën tonë postbabelike. Përkthimi letrar duket të jetë edhe më i ndërlikuari për shkak të faktit që, siç e pohon edhe U. Eco “nuk përkthejmë gjuhë, por kultura”, ndaj dhe kur vjen puna te përkthimi i tekstit letrar, shtresëzimet dhe nuancat kulturore shpesh janë aq të ndërlikuara saqë puna për përkthyesin, për ta bërë këtë kulturë të flasë në një kulturë tjetër, bëhet tejet e vështirë. Në thelb, jemi në një borxh të pashyeshëm me përkthyesit. Sa i përket emrave ata janë shumë, por mund të them që kam shijuar mjaft përkthimin e “Historisë së bukurisë” së U. Eco-s nga Sh. Çuçka, “Emrin e trëndafilit” nga D. Omari, përkthimet e O. Azizit të teksteve të M. Foucault-it si dhe të shumëpriturin “Mitologjitë moderne” të R. Barthes-it, përkthyer nga P. Asllani.

Ju keni studiuar statusin e dyfishtë në veprën e Át Zef Pllumit. Si studiues, cila mendoni se është kënaqësia më e madhe e leximit në veprën e tij?

Eljon Doçe: Po, “Rrno vetëm për me tregue” është një lloj i veçantë proze, në të cilën bëhen bashkë dëshmia dokumentare dhe rrëfimi personal, atë mund ta lexosh si histori dhe si letërsi, ajo është fakt dhe fiksion në të njëjtën kohë. Sa i përket kënaqësisë së leximit, leximi i kësaj vepre më ka lënë një ndjenjë paqeje kur e kam përfunduar së lexuari. Duket paradoksale pasi ke lexuar një vepër si ajo e Át Zef Pllumit që në fund të përjetosh diçka të tillë si paqja, por me sa duket fryma e tij prej ati shpirtëror ka depërtuar edhe në frymën e shkrimit.

Tek “Ëndrra e një nate pa gjumë”, si studiues theksoni dy imazhe, “drita” dhe “gjumi”. Si mund të qëndrojnë semantikisht bashkë?

Eljon Doçe: Nuk qëndrojnë. Ose, së paku, duket se nuk qëndrojnë nëse i shohim në nivelin e kuptimeve të tyre të para. Titulli i kësaj poezie është madje një oksimoron, pra një bashkim termash të përkundërt, por nëse kemi parasysh poetikën e Migjenit, te ky autor prania e oksimoroneve nuk është edhe aq e rrallë po të kujtojmë tituj si “Bukuria që vret”, “Legjenda e misrit”, “Ngjarje pa lëvizje” etj. Në fund rezulton që “drita” dhe “gjumi” bashkohen nga “ëndrra”, e cila është përmasa ku të kundërtat nuk ekzistojnë.

Për fund, cili do të ishte një mesazh drejtuar studentëve tuaj?

Eljon Doçe: “Me dashtë!” Janë të njëjtat fjalë që ia drejtoj, së pari vetes, në gjithçka që mundohem të bëj. Diçka e bërë me dashuri mund të bëhet vetëm mirë./dritare.net / KultPlus.com

“Vota e komunitetit artistik shkon për ata që garantojnë ligjin për krijuesit dhe performuesit e artit”

Këshilli organizativ sindikal i përbërë̈ nga përfaqësuesit sindikal të: Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës dhe AKKV “Shota“ dhe Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës, përmes një komunikate kanë bërë me dije se vota e komunitetit artistik do të shkojë për ata që garantojnë ligjin për krijuesit dhe performuesit e artit, kjo pasiqë kërkesat e tyre ka kohë që neglizhohen dhe një nga arsyet vjen pikërisht nga ndërrimi i shpeshtë i qeverive në vend, përcjellë KultPlus.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të tyre:

Këshilli i bashkuar sindikal në vazhdimësi ka ngritur e trajtuar çështje e problematika të shumta që kanë prekur të drejtat e komunitetit artistik, si të institucioneve publike, për specifikat e veçanta që kanë, poashtu edhe të interesave të artistëve të pavarur të cilët në shumicën e rasteve janë bashkëpunëtor të po këtyre institucioneve.

Çështjet që kemi ngritur kanë qenë të interesit të përgjithshëm si në aspektin organizativ, menaxherial, juridik dhe financiar duke përfaqësuar institucionet që janë nën ombrellën e MKRS-së si edhe atyre në nivelin lokal në Republiken e Kosovës.

Pas takimeve të veçanta të secilës shoqatë me anëtarët e vet sindikal, duke evidentuar problemet me të cilat po ballafaqohemi dhe duke skanuar gjendjen reale në të cilën gjenden institucionet e kulturës kemi evidentuar një numër të madh problemesh që cenojnë të drejtat e komunitetik artistik, si: mënyrat e rekrutimit, sistematizimit, gradimit, pensionimit. Gjjithashtu kemi evidentuar edhe problematikat e ndryshme menaxheriale, organizative, teknike e deri te infrastruktura e objekteve që është larg standardeve dhe kërkesave minimale konform fushës së veprimtarive përkatëse.

Disa herë kemi bërë kërkesa për rishikime e amandamentime të ligjeve përkatëse të cilat duhet të jenë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e brendshme për funksionim dhe organizim të veprimtarisë së këtyre institucioneve por si pasojë e një neglizhence totale, besa edhe për shkak të ndrrimit të shpeshtë të qeverive, nuk kemi marrë përgjigje për adresim të këtyre çështjeve.

Andaj të shtyrë nga kjo gjendje, Sindikatat e Bashkuara të Institucioneve të Kulturës, në emër të anëtarësive të tyre, por edhe në emër të të gjithë artistëve pa dallim paralajmërojnë legjislaturën e re e cila do të vie pas procesit zgjedhorë, për ndërmarrje të veprimeve tona sindikale duke kërkuar miratimin e:

LIGJI PËR KRIJUESIT DHE PERFORMUESIT E ARTIT DHE KULTURËS TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Duke përfshirë:

• Propozimin për procedimin e koncept dokumentit nga ana e sponsoruesit, MKRS-së, për hartimin e ligjit.

• Themelimin e grupit punues profesional gjatë 100 ditëshit të parë.

• Përfshirja e të gjitha grupeve të interesit duke perfshirë përfaqesuesit sindikal të institucioneve dhe organizatave të pavarura të kulturës që funksionojnë në Kosovë.

• Hartimin dhe miratimin ligjit nga institucioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Komuniteti artistik në Kosovë që 21 vite pas luftës, 13 vite pas shtetësisë së saj ka qenë bashkëpunues në strukturimin, rregullimin, ngritjen dhe formësimin e institucioneve dhe jetës kulturore në Kosovë duke mirëkuptuar dhe duke anashkaluar interesat e drejtpërdrejta të vet komunitetit me qëllim të interesit shtetëror.

Ky komunitet, në mungesë të këtij ligji, trajtohet përmes akteve te ndryshme normative, në mënyre jo të duhur dhe të padinjitetshme. Përveç rregullores : Nr. 15/2018, Për Gradimin dhe Pagat e Performuesve dhe Krijuesve te Artit e Kulturës dhe punonjësve të trashegimisë kulturore”, e cila “rregullon”, punonjësit e institucioneve publike, kategoria e artistëve të pavarur nuk ka asnjë akt normativ i cili i mbronë ata. Andaj është emergjente për neve si komunitet Ligji në fjalë, si akt i parë dhe më i lartë normativ.

Theksojmë se kjo kërkesë mbi STATUSIN E ARTISTËVE ka qenë temë e diskutimeve nga të gjitha qeverisjet e kaluara, por nuk kemi gëzuar ketë të drejtë, si rezltat i politikave ad hoc, të pa qëndrueshme, jo serioze, të politikbërjes së papërgjegjshme, padallim.

Kjo komunikatë aq më shumë shprehë shqetësimin tonë për programet dhe politikat kulturore që po shpalosin partitë politike në këtë kohë të fushatës zgjedhore, programe këto që nuk dallojnë aspak nga ato të kaluarat, të kamufluara me fraza boshe e me premtime për ndërtime objketesh kulturore të premtuara tash e 15 vite.

Pra, ta kenë të qartë të gjithë ata që synojnë “pushtetin”, aq më shumë ata që pretendojnë të marrin drejtimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, se do të ballafaqohen me çështje dhe problematika të pazgjidhura tash e 21 vite.

VOTA IME, VOTA JONË, VOTA E KOMUNITETIT ARTISTIK SHKON PËR ATA QË GARANTOJNË LIGJIN PËR KRIJUESIT DHE PERFORMUESIT E ARTIT. / KultPlus.com

Mbi dhunën, kënaqësinë dhe frustrimin ekzistencial

Shtysat për dhunë dhe kënaqësi, janë pasojë e frustrimit ekzistencial

(Pjesë nga intervista me psikiatrit dhe filozofin, Viktor Frankl)

Përshtati: Ardian Batusha


Viktor Frankl:
 Ndjenja e pakuptimësisë, apo për ta thënë më konkretisht, njeriu që dëshpërohet mbi pakuptimësinë e jetës së vet, kursesi nuk mund të konsiderohet si një qenie neurotike. Pra, pakuptimësia nuk është një neurozë. Përpjekja për të kërkuar një kuptimi në jetë, apo thjeshtë, edhe të dyshuarit se ekziston një kuptim i caktuar në jetë, është më shumë një arritje njerëzore, sesa një simptomë neurotike. Asnjë kafshë nuk do ta shtronte kurrë pyetjen, nëse ekzistenca e saj ka një kuptim, por njeriu po, dhe madje këtë aftësi të njeriut fare lehtë mund ta konsiderojmë si një privilegj. Kjo paraqet një prerogative (aftësi speciale) të të riut, që guxon të sfidojë kuptimin e jetës, në vend se ta marrë kuptimin e jetës si diçka të gatshme (absolute dhe paraprake). Këtë aftësi unike të njeriut, për ta dyshuar kuptimin e ekzistencës, mund ta konsiderojmë si një ndershmëri dhe sinqeritet intelektual dhe jo një sëmundje neurotike.

 Intervistuesi: Jam kurreshtar të di më shumë mbi idenë tuaj, se njeriu nuk është qenie e cila në thelb tërhiqet nga shtysat e brendshme apo instikti?

Frankl: Eshtë karakteristikë e njeriut neurotik, përpjekja për të hequr dorë nga liria e të zgjedhurit. Dhe kur njeriu heq dorë nga kjo liri themelore e tij, ai e helmon veten duke kërkuar kënaqësi. Njeriu nuk është qenie që në thelbin e tij e kërkon kënaqësinë apo forcën (pushtetin). Vullneti për fuqi apo vullneti për kënaqësi, nuk janë shtysa primare apo origjinale tek njeriu, përkundrazi, njeriu në thelb e kërkon kuptimin. Njeriu fillimisht është i shqetësuar për kuptimin e jetës së tij apo për të jetuar një jetë të mbushur me kuptim. Por, nese ky kuptim për jetën nuk gjendet, kur njeriu përjeton ndjenjën e frustrimit ekzistencial, atëherë na shfaqet ajo që une e quaj “neuroza noogjenike”, apo thënë ndryshe, “ndjenja e pakuptimësisë (boshllëkut)”.

Intervistuesi: Si mund të shpjegohet rritja e dhunës në ditët tona ?

Frankl: Shiko, kur njeriu është i pushtuar nga ndjenja e pakuptimësisë, ai do të bëj veprime të pakuptimta. Njeriu lëshohet në krim dhe dhunë sepse vullneti për fuqi tek ai e humb kontrollin. Vullneti për fuqi dhe vullneti për kënaqësi, janë zëvendësues të frustrimit ekzistencial apo të mungesës së kuptimit. Vullneti për kuptim, apo nevoja për ti dhënë kuptim jetës është shtysa primare e njeriut. Vetëm njeriu i cili ndihet i frustruar ekzistencialisht, mund të përfundojë duke kërkuar fuqinë apo kënaqësinë. Forma më brutale e nevojës për fuqi është dhuna dhe në anën tjetër, kërkesa për kënaqësi, e ashtuquajtura “kërkimi i lumturisë”, jo vetëm që paraqet një kontradiktë tek njeriu, por na rezulton edhe vet-shkatërruese. Eshtëv vet ky kërkim i lumturisë apo i kënaqësisë që e pamundëson lumturinë, sepse lumturia mund të kuptohet vetëm si produkt dytësor, apo efekt anësor i një jetë të mbushur me kuptim, konkretisht, të dashuruarit e jetës apo të dashuruarit e qenies tjetër. / Virtualsophists / KultPlus.com